Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/10/01

1 tetori i vitit 1997 ishte porta hyrëse e UÇK-së






Edhe pse kanë kaluar 16 vjet, Lëvizja Studentore e ’97-s vazhdon të vlerësohet si çasti më i rëndësishëm i kthesës së madhe historike që po vinte për Kosovën, kthesë e cila më vonë mori epitetin dhe vulën e UÇK-së.

Gjashtëmbëdhjetë vjet më parë Lëvizja Studentore, e udhëhequr nga Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi dhe Albin Kurti, e përkrahur edhe nga rektori historik i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, si dhe nga disa profesorë të tjerë, i patën dhënë fund politikës pacifiste të popullit shqiptar ndaj regjimit shtypës të Beogradit. 





Por, pavarësisht se kanë kaluar gjashtëmbëdhjetë vjet, kjo lëvizje vazhdon të vlerësohet si çasti më i rëndësishëm i kthesës së madhe historike që po vinte për Kosovën, kthesë e cila më vonë mori epitetin dhe vulën e UÇK-së. Sipas tyre, kjo lëvizje kishte thyer status quon dhe të gjitha tabutë e deriatëhershme. Ata kanë thënë se Lëvizja Studentore e ’97-s ishte kufiri kur filloi një fazë e re me lëvizjen e çlirimit dhe shtetndërtimit të Kosovës.

Dugolli: Kosova ishte pjesë e gjendjes ndërkombëtare falë Lëvizjes Studentore të ’97-s

Ish-lideri i Lëvizjes Studentore, Bujar Dugolli, ka thënë për “Epokën e re” se Lëvizja Studentore e ’97-s kishte shënuar një epokë të re drejt avancimit dhe ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës. “1 tetori i vitit 1997 është vlerësuar dhe vlerësohet nga të gjithë se ka qenë një datë e kthesës historike të lëvizjes politike shqiptare për aktivitete dinamizmi të vjetër dhe të rezistencës në Kosovë. 




Me Lëvizjen Studentore të ’97-s filloi një epokë e re drejt avancimit të çështjes shqiptare në Kosovë. Rezistenca e Lëvizjes Studentore e vitit 1997 bëri jehonë të madhe edhe te faktori shqiptar, por edhe tek ai ndërkombëtar”, ka thënë Dugolli. Sipas tij, kjo lëvizje kishte trokitur fort në ndërgjegjen dhe harresën e bashkësisë ndërkombëtare karshi Kosovës. “Jehona që bëri kjo lëvizje ndikoi që Kosova të futet në agjendat e faktorit ndërkombëtar, pas asaj harrese që kishte ndodhur me Konferencën e Dejtonit. Pas kësaj Kosova filloi të lëvizë drejt një fillimi të ri, drejt aktivizimit të luftës çlirimtare për lirinë e Kosovës”, ka deklaruar Dugolli.



E ish-prijësi tjetër i kësaj lëvizje, Driton Lajçi, ka vlerësuar se Lëvizja Studentore e ’97-s ka shënuar kthesë të madhe për Kosovën. “Nëse i shikojmë gjërat në retrospektivë, Lëvizja Studentore ka shënuar vitet e kthesës së madhe dhe kthesës së rrezikshme për Kosovën. Të bësh një kthesë të madhe duhet të përballesh me shumë rreziqe të mëdha. Në atë kohë studentët, universiteti dhe Kosova ballafaqoheshin me një regjim, historia e të cilit është duke u shkruar me shkronja të zeza në bankën e të akuzuarave në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka deklaruar Lajçi për “Epokën e re”. Ai ka thënë se gjatë protestave të ’97-s në asnjë çast nuk janë frikësuar nga rreziku që u kanosej nga forcat policore serbe. “Në asnjë sekondë nuk e kemi parë rrezikun. I kemi parë vetëm ditën dhe diellin. Kemi pasur vizion se si duhej të dukej Kosova dhe se si duhej të pengohej regjimi serb. Qëllimi kryesor dhe thelbësor i yni ishte largimi i forcave ushtarake policore serbe në mënyrë që ai diell t’i ngrohë qytetarët e Kosovës dhe të jetojnë të lirë, përfshirë edhe kthimin e studentëve në objektet universitare”, është shprehur Lajçi, i cili ka treguar një detaj të pathënë ndonjëherë për ish-rektorin historik të UP-së, Ejup Statovcin. “Ishte duke rënë shi. Një gazetar e pyeti z. Statovci, se çfarë është duke e shqetësuar në ato çaste ku qëndronim përballë kordonit të hekurt të policisë? Ai iu përgjigj: ‘Këto riga shiu’. Pra, edhe pse përballë kishim artileri të rëndë policore, atij nuk i trembej syri. Ky ishte motivim për ne, se na jepte energji dhe zëmër për ta realizuar misionin tonë”, ka deklaruar Lajçi.

Luma: 1 tetori i vitit 1997 ishte porta hyrëse e UÇK-së

Ndërkaq ish-zëdhënësi i UPS-së të UP-së, Ernest Luma, ka kujtuar me nostalgji të madhe tetorin e vitit 1997. Ai ka thënë për “Epokën e re” se Lëvizja Studentore e ’97-s është një ndër momentet më të lavdishme të shqiptarëve pasi, sipas tij, kjo lëvizje kishte thyer status quon e deriatëhershme. “Përkrahësja e vetme e hapur e projektit më të madh të vendit dhe të historisë sonë - Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 1 tetori 1997 nisi më herët si projekt dhe u bashkërendua me rënien e studentit Armend Daci (që ishte pjesë e kësaj e rruge, patjetërsueshëm), studentit dhe heroit të UÇK-së, Adrian Krasniqi, ishte bashkatmosfera dhe bashkërenditja e zhvillimeve të rënda të janarit 1997, burgosja e Nait Hasanit dhe mbi 20 bashkëprojektuesve të luftës për çlirimin e Kosovës, nga LPK e LKÇK; ishte ngjarja në frymën e plotë të rënies së heronjve të orëve të para të UÇK-së, Zahir Pajazitit (31 janar 1997) dhe Luan Haradinajt (6 maj 1997)... 1 tetori 1997, pavarësisht vjeshtës së mëvonshme, ishte kjo rrugë dhe kjo frymë, ishte pararendësi i padilemë përkrah projektit më të madh të historisë dhe shekullit tonë, UÇK-së”, është shprehur Luma, duke kujtuar thënien antologjike të njeriut emblemë të kësaj ngjarje, rektorit historik të Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovcit: “Universiteti është me studentët, dhe studentët janë të Universitetit”. Ishte kjo përgjigjja e prof. dr. Ejup Statovcit kur u pyet se a e përkrahni protestën e 1 tetorit 1997? Ishte ky momenti dhe hera e parë që Rektorati dhe rektori ishin për herë të parë në anën a studentëve, që në këtë mënyrë nuk kishte ndodhur as në vitin 1981, as në vitin 1990. 



1 tetori 1997 ishte porta hyrëse e UÇK-së në procesin dhe në kapitullin e saj në Kosovë. UÇK-ja mbetet projekti dhe vula e shekullit XX jo vetëm për Kosovën, por për shqiptarët kudo që janë. Ajo e rrumbullakoi shekullin. Ndërsa 1 tetori ishte porta e parë e saj... Shansi i fundit i paqes, për projektin e ri që ishte në sfond... Kishte të tjerë që nuk donin të dinin për këtë situatë dhe këtë projekt, dhe që përfaqësonin status quon dhe amullinë e atëhershme politike. Ata përfaqësonin moçalin politik të kohës që kundërmonte në Kosovë”, ka thënë Luma.

Gashi: Lëvizja Studentore e vitit ’97 nisi shkëndijat e luftës çlirimtare

Edhe rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ibrahim Gashi, ka folur për Lëvizjen Studentore të ’97-s. Ai ka thënë për “Epokën e re” se 1 tetori i vitit 1997 kishte paralajmëruar fillimin e një rezistence të armatosur në Kosovë. “Padyshim në periudhën e jetës paralele që ka filluar në Kosovë nga fillimi i viteve ’90-ta, kur institucionet e arsimit, por edhe institucionet e tjera të Kosovës së atëhershme u nxorën si të jashtëligjshme, kur edhe filloi një jetë e institucioneve paralele, demonstratat studentore të 1 tetorit të vitit 97 shënojnë fundin e rezistencës joviolente dhe paralajmërojnë fillimin e një rezistence aktive, pra një rezistence të armatosur”, ka deklaruar Gashi. Ai ka thënë se viti 1997 ishte përpjekja e fundit që i është bërë me dije botës demokratike se ndjenja paqedashëse e shqiptarëve nuk është duke funksionuar. “Me këtë protestë u tregua se janë shteruar mjetet që në mënyrë joviolente të arrihet çlirimi i Kosovës, të arrihet te liria, të arrihet rikthimi i institucioneve arsimore. Në këto rrethana rinia studentore, si pjesa më avangarde e shoqërisë, pjesa më revolucionare, tregoi një pjekuri të lartë politike me këtë akt, në të njëjtën kohë tregoi një vendosmëri sepse, pas mospërmbushjes së kërkesave të demonstratave, një pjesë e madhe e rinisë studentore filloi të mendojë për forma të tjera të veprimit për ta arritur lirinë. Në fund të ’97-s kemi paraqitjen e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe menjëherë në fillim të ’98-s shumë nga ushtarët e ardhshëm të UÇK-së ishin studentë të UP-së”, ka deklaruar Gashi, duke shtuar se ngjarjet studentore të 1 tetorit ’97 janë çaste të kthesës historike për Kosovën. “Për ne si universitet 1 tetori ’97 përbën histori dhe aktualitet. Histori sepse i takon një periudhe 16 vjet më parë, e cila lidhet me një periudhë të vështirë në të cilën ka kaluar populli i Kosovës”, ka deklaruar Gashi.

A janë boshnjakët, ilirë të sllavizuar?

Boshnjakët, ilirë të sllavizuar?
Sa e lidhur është Bosnje-Herzegovina me rrënjët ilire? A kanë boshnjakët një të shkuar të tillë apo thjesht kanë zbritur në këto troje? A ka fakte ku mund të mbështetet kjo tezë? Në fakt zbulimet arkeologjike, por edhe studiuesit e ndryshëm përpiqen të hedhin dritë mbi të vërtetën e kësaj toke dikur pjesë e Ilirisë dhe banorëve të sotëm të saj. Por cilat janë këto fakte dhe çfarë në të vërtetë ofrojnë deri sot?
Hartat e shtrirjes së territorit të dikurshëm të Ilirisë e përfshijnë në tërësi mes të tjerash edhe Bosnje-Herzegovinën e sotme. Pushtimet e vazhdueshme nga kohët më të hershme e deri tek zbritja e sllavëve në shekullin e 6 e të 7 në Ballkan rritën presionin, sidomos e këtyre të fundit për shuarjen e lidhjes së kësaj zone me rrënjët e vërteta të saj. Ky presion kalonte nga terreni në libra ku gjithcka manipulohej, ndryshohej e merrte të vërteta të tjera. E megjithatë jo gjithçka ka humbur në Bosnjen e sotme, përkundrazi fijet janë ende aty.
Historiani dhe anëtari i akademisë hungareze të shkencave Lajos Thalloczsy para viteve 1900 artikulonte qartazi se edhe vetë emri Bosnje vjen nga shqipja. Kështu sipas tij quhej një vazo e veçantë ku qëndronte kripa dhe përdorej në Shqipërinë e Veriut. Në fakt teza e prejardhjes ilire të boshnjakëve është edhe sot heretike dhe atë e artikulojnë vetëm pak njerëz, ndër ta profesor doktor Ibrahim Pashiç që kur pyetet për të është i qartë dhe i prerë.
“Lidhja është arkeologjike, linguistike, onomastike. Edhe në kohën më të re instituti i ADN në Zvicër ka treguar që banorët e Bosnje-Herzegovinës kanë 40 përqind ADN ilire, pjesa tjetër e ADN rezulton gote, kelte, hune, trake , sllave”, thotë profesor Ibrahim Pashiç.
Kjo zonë quhet Butmir dhe është pjesa më pjellore sa i takon tokave në të gjithë kryeqytetin e Bosnje-Herzegovinës , në Sarajevë. Në fakt nëse kërkohet të gjehet një kuptim për këtë fjalë nga gjuha sllave nuk do të marrësh asgjë. Ndërkohë që sipas ekspertëve, sipas studiuesve nëse kërkohet të merret një kuptim nga gjuha ilire atëherë do të dalë fjala “botë e mirë”, “tokë e mirë”, sic edhe në fakt është pjesa më pjellore e qytetit të Sarajevës.
Për profesor Pashiç lidhjet i gjen kudo në Bosnje-Herzegovinë edhe pse ndikimet e jashtme etno-kulturore sipas tij kanë patur ndikimin e tyre.
“Ka shumë toponime që kanë mbijetuar, bjeshka “Di kali”… dy kuajt, aty ka kaluar rruga romake dhe aty duheshin dy kuaj që të tërhiqnin qerren. Kemi dy male që quhen Malush…varg-vargu, Lun nga Luan. Kemi me dhjetra shembuj të tjerë, shumë, shumë shembuj të lidhjes”, thotë Pashiç.
50 kilometra në lindje të Sarajavës në pjesën që sot i takon Republika Serbskas, austro-hungarezët rreth viteve 1880 kanë bërë zbulimin më të madh arkeologjik, që njihet si kultura e Glasinacit. Në këtë luginë janë zbuluar mijëra varre ilire e brenda tyre sende të shumta të popullatës së kohës . Punimet kanë vite të gjata që janë ndërprerë për shkak të pamundësisë financiare dhe më së shumti për mungesë vullneti politik.
Edhe gjetjet në këtë zonë e kemi të pamundur t’i shohim. Muzeu Komëetar është mbyllur prej disa kohësh si pasojë e krizës ekonomike. E vetmja mundësi janë gurët e ekspozuar jashtë godinës që ngrihet diku jo larg qendrës së Sarajevës. Shumica janë ilire të gjetura në zona të ndryshme të vendit.
Ndër ata që mbështesin tezën ilire, jo sllave është edhe Myftiu i Bashkësisë Islame në Serbi, Muamer Zukurliç i cili njihet si udhëheqës dhe mbrojtës i fortë i të drejtave të boshnjakëve në disa vende.
“Boshnjakët janë popull i lashtë parasllav. Faktet i lidhin pashmangshmërisht me origjinën ilire. Në Ballkan vështirë mund të thuhet se ekziston një grup i pastër etnik, dhe kjo pa dyshim paraqet një pasuri kulturore, dhe nuk paraqet ndonjë pengesë. Por ama përfundimisht vërtetohet se boshnjakët janë popull parasllav. Së bashku me shqiptarët dhe me popuj të tjerë të cilet nuk kanë mbijetuar dhe se ne nuk jemi ardhacakë, por jemi vendas”, thotë Myftiu Zukurliç.
Rreth 30 km nga qyteti i Sarajevës ngrihet Visoko. Ky qytet që prej vitit 2006 është kthyer në një kryeqendër të gërmimeve arkeologjike.
Të ashtuquajturat piramida ilire janë ndoshta objektet më të përfolura që prej disa vitesh kur boshnjaku Osmanagiç tha se i kishte zbuluar këtu në zonën e Visokos. Ekspertët, studiuesit në fakt janë dyshues, janë të shumtë pra ata që nuk i besojnë këtij zbulimi. Megjithatë ky debat në nivele të larta sjell çdo ditë këtu turistë nga të gjitha vendet e botës.
Për zbuluesin, arkeologun Samir Osmanagiç dhe njerëzit rreth tij këto piramida janë ndërtuar me një lloj të veçantë betoni me një madhësi më të madhe dhe më të lashta se ato të Egjiptit. Zbulimi i plotë i tyre sipas Osmanagiç do të bëhet pas pastrimit të plotë të trupit të mbuluar nga bimësia e dendur.
Sot për sot Visoko qyteti më rreth 50 mijë banorë është kthyer në një kryeqendër . Turistët dynden këtu për të prekur nga afër piramidat ilire kaq shumë të reklamuara kohët e fundit edhe në mediat ndërkombëtare.
Bosnje-Herzegovina në të gjithë trupin e saj përshkohet nga gjurmët ilire, nga gjurmët e civilizimit ilir. A janë boshnjakët ilirë apo sllavë? Faktet flasin se një pjesë e popullatës pavarësisht ndërhyrjeve dhe ndikimeve etnokulturore të ardhura si pasojë e pushtimeve të njëpasnjëshme të këtyre trojeve, kanë lidhje me Ilirinë dhe ilirët. Por edhe në këtë pikë përgjigjen më të drejtepërdrejtë e jep profesor Ibrahim Pashiç.
“Me ilirët na lidhin rrënjët, me sllavët thjesht gjuha”, thotë ai.
Sigurisht fjala e fundit i takon ekspertëve të fushës , akademikëve, studiuesve , atyre që për nga detyra u takon të merren me këtë punë...sigurisht nëse duan vërtetë të zbulojnë rrënjët tona e jo ato të dikujt tjetër.

Për zhdukjen e asaj « Jugoslalvie » nuk kishin punuar vetëm shqiptarët, por edhe komuniteti nderkombëtare, sepse ai shtet me gjitha ato të zeza prishte edhe imazhin e Evropës…»


Veprimtari i shquar i çështjes kombëtare Adem Demaci nuk është i shqetësuar me iniciativën e Malit të Zi për planin e quajtur West Balkan Six – G6 apo e ashtuqujatura « Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor » pjesë e së cilës do të jenë: Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe Serbia, iniciativë kjo përmes së cilës gjoja « synohet integrimi i përbashkët në Bashkimin Evropian »

Per mendimin e Demacit, Jugosllavia qe nga vitet 1945 e deri me 1990, per shqiptaret ka qene njera nder regjimet shtypese dhe me te egra.

«Neve nuk na intereson cfarë plane bëjnë të huajt, të tjerët. Ata kanë planet e veta, ne tonat. Puna e Jugosllavisë njëherë e përgjithmonë ka mbaruar dhe ne shqiptarët kemi derdhur gjakë e më vonë kemi festuar që kemi dalur nga ajo. Madje jo vetëm shqiptarët, por edhe të tjerët kanë festuar që ishin viktimë e krimeve, masakrave persekutimev, burgosjeve në atë « Jugsllavi » dhe mezi kanë pritur të dalin nga ajo. Për zhdukjen e asaj « Jugoslalvie » nuk kishin punuar vetëm shqiptarët, por edhe komuniteti nderkombëtare, sepse ai shtet me gjitha ato të zeza prishte edhe imazhin e Evropës…» ka deklaruar sot për agjencinë e lajmeve « Presheva jonë » Adem Demaci , simboli i rezistencës kombëtare në kohën e «Jugosllavisë » i cili kaloi në burgjet e saja plot tri decenie-

Demaçi duke folur për (mos) ri-kthimin e shqiptarëve në ket «Jugosllavi» “Preshva jonë” ka thn¨nës e «Ne nuk jemi sllav, kush të dojë le të shkojnë me at far «Jugosllvie». Ne shqiparët hyjmë në at Jugosllavi, vetëm atëherë kur qarri do të bëjë dardha »

Do theksua se Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me Republikat e tjera të Jugosllavisë. Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë.



-------------------------


Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, është shqetësuar me iniciativën e Malit të Zi për planin e quajtur West Balkan Six - G6 (Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor), pjesë e së cilës janë: Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe Serbia, iniciativë kjo përmes së cilës synohet integrimi i përbashkët në Bashkimin Evropian.

Hoxhaj ka përfaqësuar Qeverinë e Kosovës në takimin e mbajtur në Nju-Jork, ku me homologët e tij nga vendet e Ballkanit Perëndimor, është diskutuar rreth qëllimit dhe misionit të kësaj nisme.

Megjithatë, Hoxhaj nuk ka dhënë përgjigje definitive nëse Kosova do të pranojë apo jo këtë plan, ndryshe i quajtur si plan për krijimin e një “Jugosllavie të re”, e cila parasheh që këto gjashtë shtete të kenë një asamble parlamentare të përbashkët, një treg të përbashkët ekonomik, një sistem të edukimit dhe arsimimit, bashkëpunime në shumë fusha tjera, përfshirë edhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Hoxhaj ka bërë të ditur për gazetën “Zëri”, se në takimin në Nju-Jork, ku përveç ministrave të jashtëm të rajonit kanë qenë edhe ambasadorët e Sllovenisë dhe të Kroacisë, si dhe Komisionari Evropian për Zgjerim, Shtefan Fyle, është rënë dakord që të mbahet edhe një takim për t’u qartësuar se çfarë realisht është një iniciativë e tillë.

Hoxhaj tregon se shqetësimi i palës kosovare, fillimisht ka hasur në çështjen gjeografike, të cilën e përfaqëson kjo iniciativë, e që janë shtete ish-jugosllave dhe të cilat si grup krijojnë perceptimin e një lloj krijese post-jugosllave. Po ashtu ai thotë se dyshime ka edhe për natyrën dhe vetë karakterin e kësaj nisme. “Ne kemi mbajtur qëndrimin se kjo nismë të mos jetë vendimmarrëse dhe të mos ketë institucione që do të linin përshtypjen e një integrim koheziv të këtyre shteteve të Ballkanit Perëndimor. Të gjitha këto shtete duhet të integrohen në BE si adresë e vetme”, thotë ai.

Ai shton se ka shqetësime edhe lidhur me draft-dokumentin e kësaj iniciative, projektet e propozuara, qendrat e ndryshme institucionale, prej bashkëpunimit parlamentar, policisë dhe sundimit të ligjit e deri te bashkëpunimi kulturor dhe arsimor, ku, sipas ministrit Hoxhaj, po krijohet përshtypja e një përqendrimi dhe shpërndarje jo të balancuar në mes të shteteve. “Konkretisht të gjitha projektet janë të koncentruara kryesisht në Mal të Zi, Bosnjë e Hercegovinë dhe në Serbi”, thotë ai.


--------------------

2013/09/30

Dashuria e zemrës edhe atje e vret(Cikël poetik nga Fatmir Terziu)


Paqloti






image




















Grashinë e vjeshtës më zgjoi. Paqlot
gjunak në xhamin e skithët,
la çarmin e tij gri,
ngutshëm mori dorazi tinëz,
surratin e qiellit të nxirë,
pastaj menjëherë hodhi firmën,
për më pak errësirë.
Hundarak mbi Tamiz,
u shfaq dielli dhëmbëshkulur,
si një tapet persian që lëviz,
paqlotin për të shkundur.
Grafika të murrme me korda,
pushtuan xhamin tim,
litarët u shtriqën tek porta,
ishte thjesht një vegim.
Paqloti kish zënë mbi qepalla,
enkas të më gudulisë,
loti nuk qenka si në përralla,
edhe i paqtë kur lëviz.

Autoportret


image

... ose “Gëzuar!” në ditëlindjen time.


Ky muaj është një re e madhe,
një hartë mitike mbi një det të tejlagur,
që ngulitet ngadalë e në kokë.
Është një meteor,
një planet,
mendja e pagjumë e ardhje-ikjes.

Pa aritmetikën e ditëve, ky muaj
për mua do të ishte krejt i huaj.

Një re e zbrazët mbi fletë talku. Ora
retinore prej së largu,
kurdiset mbi mirazhe e tundime,
Por unë e dua këtë muaj dhe do të vij!
si eremit do të ulem,
përposhtë valës tënde,
do të jem vetë vala jote,
një kal i çmendur në rrymë,
shpupurisur nga mushti i një gote,
përgjatë deltës plot frymë.

Nesër do të jetë një ditë e këtij muaji,
asgjë tjetër s’është më shumë si kjo,
një gotë kristali me bulëza malli,
nuk do të ndodh më shumë dhe unë,
do të fluturoj si shqiponjë mali,
ta çukisë në gotë me ju. Gëzuar,
do të ndjehem mes avujve,
që ky muaj vrullshëm ka shtuar.

Nga lindja udhëtoi mes meje,
si në kalendat e lashta greke,
një sy që hapet,
brenda kapakëve të këtij muaji,
një qiell vere,
një ditë që krihet paq, pastër,
si hyjni që zbret nga mendimi,
kinde e një shtrëngate të largët.



imagePluhur













(“Pulvis et umbra sumus” - Ne jemi veçse pluhur dhe hije).
Horaci



E kam një grimë pluhur nga trupi yt. Koha
më diktoi që ta ngjesh mes thasëve të ajrit,
në çdo udhë e hapësirë ku iki pafund,
mundohem ta mbaj fort pas meje, s’e shkund,
e di është pluhur, por Ty të kërkoj ndjesë,
është nga shpirti yt dhe me të dua të vdesë,
në çdo kohë më kërkohet të pastrohet pluhuri,
në çdo të tashme më qepin inspirim të detyruar,
nga çdo e shkuar më afrojnë së nguturi,
sadopak pluhur nga pluhuri i tyre i helmuar.

Unë e njoh pluhurin tënd dhe e dua,
furçën e shmang dhe s’e heq prej meje,
s’është pendim, të mbaj erën tënde,
nga harresa ajo vetë kthehet në pluhur,
edhe pse më thonë se është vrer,
bëj përzgjedhjen time të duhur,
se e di mirë, pluhuri yt asnjëherë,
mua grimëzën tënde nuk më vret.

Dhe tani qërroj ashklat nga gjumi im,
si pas betejave kur i pastrojnë këmbën kalit,
pak pluhur nga ashti yt më bën trim,
më jep natyrshëm forcën e djalit,
këndellur, por jo pas gjurmëve të tij,
gjarpëri nga pluhuri u ngrit në Xhenet,
kush shkund pluhurin tënd duhet ta dijë
se dashuria e zemrës edhe atje e vret.

Terri lemeritës i vapës mendore,
shpesh kthehet padashje në pluhur,
bart drejt njeriut emocionet foshnjore,
kur egoja i ndot kostumin e (jo)duhur,
me ciklat e rehatisë shpirtërore,
pluhuri i Atdheut s’duhet shkundur,
është shpirti i tretur i masës njerëzore,
kur merr mes lotëve,valixhen për dore...

Nuk mund të të lë të jetosh në pluhur,
edhe pse borxh po e marë me vete patjetër,
do të ngjiresha duke u lutur,
pluhuri yt të mbetej vetëm në këtë letër,
se i yti pluhur atje duhet shkundur,
ta ka lënë ndotje një kohë tjetër,
vëllezër, bëni gjithçka të mundur,
pluhuri mbi Atdheun, vret edhe mbretër!


Dheamë



Nëse jeta është mes qiellit dhe tokës
nëse ajo ushqehet nga uji
pena është vetëm një mashë e kësaj jete.
Nëse qielli është hapësira,
deti plotësia,
çfarë janë vallë duart e mia?
Rrugëtim i rrufesë në këtë kënd
që digjet në shkretëtirën e zemrës
... fjalë dinake që shemb
si shpagimi i egër i erës.
Në këtë lidhje kërkoj mes shkrimit,
dritën dhe tempin e zgjimit
dhe ndërtoj diagramën Dheamë
përtej çdo çmimi.
E kam një ide, të rendazgjuar.
Shkundur nga udha e gjatë e fjalës
të rihapë agimet e katër stinëve
që rrjedha e vrullshme e lumit të jetës
ka skërmitur tek gjithshka
në tokë e në qiell
nën dhe e nën ujë
e të them me gojët plot
thjesht pa zhurmë, pa bujë
u begatua kjo Tokë!
Male, fusha, liqene dhe dy dete
struken thellë kësaj ideje
diku shpotisin, diku thumbojnë me vete
secili pos një mideje.
Në këtë orë truri hyn
përsëri në udhëtimet e largëta.
Trupi ka marë lejen e përkohshme:
Është vonë. Nata
me hiramin e saj gri
pështjell edhe idenë time
të kafshuar prej trishtimit.
Kalëroja si një kalorës i papamë
në disa mijë kilometra katrorë Dheamë.
Tjetri

Në këtë kantier
ende s’i kam vënë në punë dorashkat
pincat e grasatuara, bullonat, dadot.
Ka kohë që në këtë kantier
ka hyrë vetvetiu mekanizmi i shpim-kërkimit
ku zë fill truku.
Në penë dhe në letër,
... mes dihatjeve të germave,
ngushtoj hapësirën të kursej faqet
për një ditë pa qejfmbetje
nga llogaria e vetvetes.

Koka më rri ndezur në këtë kantier
është një pishtar meraku
që ndjek ikjen e zhdukur të Tjetrit
pa kursim fjalësh.
Zhurma e fjalëve pa fjalë
Bën tym më shumë se pluhuri i kantierit.

Një shi i hirtë
përgjatë hapësirave me ndarje
i bën letrat format të ndyhen
zhubra drejt koshit.
Çdo vrerosje është një pecetë
në këtë zhaurimë kantieri
në çdo orë të tret.

Kjo letër është për mua para gjumit
ilaçi i nënës që kur më shkuli nga djepi
në velin e kafshatës së ftohët
lidhje dhe tretje si qëndisje grepi
e fjalës nënëurte ‘kujdes me shokët!
Shpërngulje

Iu bojatisën duart vëllait tim. Bojaxhi
i kërrusur mbi pompë
qëndis muret e shtëpisë që avullon gëlqere
bën po atë punë që bëj unë
edhe unë ua qëndis shtëpinë
fjalëve, fjalëve
... që nuk mbinë në kopshtin tim
pena ime i zdrugon pa i zvetënuar
vë dorë mbi varg, fjali
dhe kur pa i dëmtuar ndonjëherë
fjalët që i zhvendos me furi.
Jam duke e zhvendosur veten time
duke kapluar male fjalësh mbi tastierë
cirka rezesh udhëtojnë faqosur
brenda fletëve me bojë të tharë
me mbishkrime të daltuara jete
rrugëtim nga kohë e gjatë
palosur fletë pas flete
edhe ato gërma për vëllanë.
Kjo është drita, errësira, metafora,
koha manuale dhe risku
transferim fatesh dhe zbritje
nga ndërmarja e shpërnguljes.
Borxh ajrit

Qenka e thënë që të mbetem borxhli. Ajri
Që vë në lëvizje tërë makinën time të mishtë
Të mbetet i vetmi ‘kursim’ në jetë
Pylli i mendimeve të mia është në protestë
Pas agështisë së dritës
Hiri e mbulon me fasha
Mbrëmjen e kokës.
... Është rrëmujë përgjatë pistave
që zhaurijnë tek vatrat ndihëse.
Është koha për të filtruar ajrin,
përkujdesur për urtinë e tij
koha për të qetësuar motorët
tashmë duhet një pushim i gjatë.
Buzët të ngjitura nga vlaga e prushtë
Tendosen duke u tkurrur
ajri flladit i urtë
sjell shërbimin e duhur.
Qenka e thënë që të iki borxhli. Ajri
i vetmi përcjellës
më bën të ulërrij, të pëlcas
për borxhin e mbetur.
Botës së errët i jam kyçur
për borxhin e ajrit pëlcas
ikin sekondat duke u tretur
ashtu i përfjetur me veten flas
ajri, aj....ri... nuk e di a ka çelës?




Frutmjaltim

image

Kushtuar Luçit, në ditëlindjen e saj

Të ngatërroj me Hënën. Një dashuri
pa frikë dhe refuzim zjarri ndizet në hirin tonë
shkëndijat që ndezëm për ta ngjallur
bëj çmos të mbeten pashuar,
ti ishe dhe je imazhi i hyjneshës,
drita që ndizej për ta ndriçuar kohën,
absurdi ka ikur diku në hapësirë,
e di se vashat si ti ia vlen t’i durosh.
Vashat si ti,
ia vlen t’i lash në dritën e Hënës.
Puthjet nderen lehtësisht në honin e dashurisë
e vetëdija jeton gjatë e gjatë...
Vashat si ti,
eh vashëza ime,
janë vetë drita dhe hapësira ku fshihet bota.
Dritarja i ka thithur sytë e mi,
gjuha jote e valë si hënë e plotë,
riskon të bardhën e (pa)kënaqësisë sime
e shikimi im kryeneç për të dalë matanë,
ka gjetur rrugën intime.
Det i gjallë i hamendësimit. Pragu
i fateve zë pusi mes baticave,
mesnata e gjatë kalon e lënë në harresë,
por, agu yt tashmë po hedh mbi ty,
armaturën e drithëruar të ngurimit,
ku thahen dihatjet që lamë të dy.
Ti linde në muajin kur lindi Hera;
Perëndesha mitologjike greke,
në atë muaj kur u quajt Qershori,
gruaja dhe motra e Jupiterit.
Perëndesha e principeve të Panteonit Romak
Juno, i dha emrin muajit kur linde Ti,
në mijëra gjuhë dhe meditime,
ajo perëndeshë e martesës dhe mirëqenies së grave
tashmë ka hyrë thellë tek unë,
po aq ngulitur fle tek ti,
nga frika e ditëve që ikin mes puthjeve.
Ti ke marë mjaft nga vetë ky muaj,
ku u lartësuan vetë zotat,
Jupiteri dhe Minerva,
ku dha flirtin dhe mbeti Rexhina,
gjithë ajo krenari ku ngrihej Roma,
e larë në dritën e Hënës. Frutmjaltim
për Nonae Caprotina*,
mesazhi i artë i vetë zemrës.



* Caprotina është një epitet i Qershorit në aspektin e tij si një emër që shënohej nga Juno, perëndeshë e fertilitetit.

Dr. Leonidha Peppo :MBRESA NGA NJË KONGRES EUROPIAN PËR MJEKËSINË, NË AMSTERDAM

1.


Para disa ditësh, në kryeqytetin Amsterdam, të Mbretërisë së Holandës, u organizua Kongresi më i rëndësishëm i Kardiologjisë Evropiane. Ky vend nordik ka një sipërfaqe prej 41.500 km katrorë dhe një popullsi me mbi 16.5 milionë banorë.


Në atë Kongres merrnin pjesë kardologët më të njohur e të shquar europianë, por edhe të tjerë. Sigurisht, ndër ta, kryesorët ishin amerikanët, të parët si gjithmonë, në çdo fushë të jetës. Por, gjithashtu, u bë një grup i madh mjekësh tanë kardiologë, të cilët merrnin pjesë në këtë veprimtari me shumë interes për të gjithë. Sepse, tashmë, është bërë e zakonshme, që mjekë shqipëtarë të jenë aktivë në këto kongrese të rëndësishme.
image

Dr. Leonidha Peppo mjek kardiolog, Poliklinika nr.4-Tiranë

Sigurisht, ajo që pohuam më lart, bëhet e mundur nga mbështetjet e pakursyera, që japin kompanitë farmaceutike, që punojnë në Shqipëri. Kështu, psh, kësaj radhe grupi ynë i madh u sponsorizua nga Kompania Berlin Chemie” dhe “Menarini Group”, që u jemi shumë mirënjohës. Ato janë përkrahësit e përhershëm të mjekëve tanë, që të marrin dije të reja shkencore mjekësore dhe pastaj t’i praktikojne ose t’i venë në jetë në vendin tone, i cili ka shumë nevojë aktuale për to.


Kështu mund të përmendim edhe grupe të tjera mjekësh shqiptarë, që janë sponsorizuar nga firmat e kompanive të ndryshme farmaceutike, si Novartis (kompania e parë, që ka sjellë në Shqipëri preparate moderne në trajtimin e hipertensionit, siç janë Arb, me perfaqësues Diovan), të cilat tashmë, në kuadrin e tregut të lirë dhe konkurrencës, janë të shumta, si në Shqipëri e kudo. Se kjo formë është e përgjithshme dhe kështu funksionon kudo në botë. Bile edhe zbulimet e rëndësishme shkencore mjekësore ose fusha të tjera sponsorizohen nga kompani të ndryshme, që i kanë mjetet monetare për të ndihmuar këto ndërmarrje të rëndësishme për njerëzimin.


Disa nga ne, mjekët shqiptarë, ishim për herë të parë në Amsterdam. Megjithatë, përvoja e dr. Gëzimit e Matjanit, por dhe e të tjerëve, para se të njiheshim me qëllimin kryesor të udhëtimit tonë, pra punimet e Konferencës, na e lehtësonte shumë për të parë dhe shijuar gjeografinë, ndërtimet, muzetë e shumtë parqet, me shfaqje të natyrave të ndryshme. Mosha jonë tërhiqet, domosdo, nga emri i famshëm i skuadrës së futbollit, “Ajax”, që ka bërë namin në vitet ’70-të shekullit të kaluar, duke fituar gjithçka dhe që mbahet mend edhe tani, si më e mira e të gjitha kohërave, me Kruifin fluturues. Stadiumi “Amsterdam Arena”, një vepër arkitektonike artistike tepër funksionale, na mahniti të gjithëve.


2.


Pallati i Kongreseve, tepër i madh, me planimetri sallash tepër të qarta në harta, por që kërkonte kohë të shkoje nga një sallë në një tjetër. Atje do të ndiqnim, sipas interesave të secilit, temat për çështjet kardiologjike, të zbatueshme edhe në Shqipëri. Pra, për ato ishte vëmëndja jonë më e madhe. Sepse duhet thënë që jo të gjitha arritjet në vëndet e zhvilluara ekonomike dhe shkencore, si SHBA, Francë, Angli, Gjermani, Itali etj., kanë zhvillime e zbatime praktike në vendin tonë.


Interesante ishte se sallat, ku mbahen ligjëratat, ju vihen emra të qyteteve të ndryshme. Kështu, për herë të parë, ishin sallat me emrat ”Tirana” dhe “Prishtina”. Kjo gjë u arrit me këmbënguljen e kardiologut të njohur shqiptar, Adnand Kastrati, me qëndrim e punonjës në Mynih të Gjermanisë dhe drejtorit të “Berlin Chemie” , z. Payam Payman. Sigurisht, ne të gjithë shkuam për ta parë dhe, domosdo, ishim krenarë për njohjen e shteteve tanë shqiptarë edhe nëpërmjet këtyre formave. Tema të tilla, si “Efekti i kolkicinës në parandalimin e fibrilacionit atrial, pas Bypass”, i mbajtur nga grupi belg. Ky, është me shumë interes për kardiologët tanë. Kjo sepse, tashmë, në vëndin tonë bëhen me plot sukses edhe shumë operacione Bypass.


Temë tjetër interesante, që diskutohet gjerësisht në veprimtari të tilla shkencore mjekësore, është denervimi simpatik renal, në hipertensionin rezistent, referuar nga mjekët: anglez, danez, polak e austriak. Ndërsa tema të tjera ishin dëmtimet valvulare të zemrës, për kurimin dhe zëvëndësimin e tyre, pa ndërhyrje kirurgjikale.


3.


Pas orëve të frytshme e të lodhëshme në Kongres, na u dha plotësisht dhe me ndërgjegje të qetë, e drejta që ta vizitonim Amsterdamin e mrekuellueshëm, këtë “Venecie të Veriut”, siç quhet. Ai rrethohet me dhjetëra kanale, kështu quhen ato ujëra të kripura, pra detare, të cilat lidhen me qindra ura, duke marrë edhe nga deti. Kështu zgjerohet ky qytet i ndërtuar mbi 150 ishuj, siç thuhet, në vitin 1200.


Amsterdami-qëndër, është i jashtëzakonshëm, me stacionin qëndror për trena tramvaj, metro e mijëra biçikleta. Kështu, vetëm ecja më këmbë të bën t’i shijosh plotësisht gjithë ndërtimet, stilet e banesave, zyrave e muzeve. Kurse për udhëtimin ujor shërbejnë anije. Me rreth 15 euro, për 1 orë, me ato përshkon shumë kanale, duke e parë qytetin edhe nga uji. Kudo të vinte në sy pastërtia shembullore, si në rrugë, banja, kopshte, kampuse etj.


Ndërkaq, përfytyroja vendin tim, ku kultura në rritje do të zhvillohet, që edhe ne të mësohemi të mbajmë pastërti të tillë. E veçanta, por edhe qesharake për ne, ishin disa urinarë, ku shiheshin burrat nga të trija anët, që kryenin nevojat e tyre vetjake në mes të trotuareve, me popullim të madh. Kurse për gratë kishte rrjeta jeshile. Ishte kjo një çudi ose veçanti, që se kemi parë në gjithe ato vënde,ku kemi shkuar.


Në qëndër të qytetit shihet shtatorja e Amsterdamit, më tutje, duke ecur dy- tre minuta në këmbë, shkohej për te zona, që thirrej “ Distrikti i kuq”. Pastaj vijojnë me dhjetëra lagje, qendra, rrugica dhe rrugë buzë kanaleve, ku ekspozohen femra të bukura, me rreth 99% të trupit lakuriq, por pas xhamave, që i ftonin klientët për t’i parë! Poshtërim të kësaj natyre të femrave nuk kam parë askund. Ishin në mosha të reja, por edhe të moshuara. Gay ose transvestite pozonin para turmave, si pelegrinazhë, që shërben kundrejt shpërblimit. Na la përshtypje të keqe dhe neverie kjo pjesë e rëndësishme e qytetit. Se, Amsterdami i bukur, ka edhe këtë pamje trishtuese e mënyrë jetese “modern” . Pyetja e natyrshme, që të shkon menjësherë në mëndje, është: “Vallë, çfarë bëjnë ato vajza, kur të rriten?!”


…Pastaj kthehemi te Kongresi ynë, ku mjekët shqipëtarë takohen me kolegë të njohur më pare, gjatë specializimeve në vënde të ndryshme ose që janë takuar në ngjarje të kësaj natyre, duke na dhëne kënaqësi të madhe.


Kthimi në Atdhe, në shtëpitë tona, ishte çasti më i pëlqyeshëm dhe më i mirëpritur. Sepse këtu në Shqipërinë tonë të bukur ndjemë qetësinë shpirtërore dhe sigurinë, që na i jep vendlindja, jeta jonë e përditëshme dhe familja.


Sigurisht, pas gjithë asaj përvoje mjaft të çmuar, të përjetuar në atë Kongres Europian, e ndjenim edhe se ne, mjekët kardiologë shqiptarë, tani do të jemi më të aftë profesionalisht, për t’u shërbyer sa më mirë pacientëve tanë.


( E dërgoi për publikim, prof. Murat Gecaj, publicist e studiues-Tiranë)

Fritz RADOVANI : 24 Shtator 1915 NJË DATË E PAHARRUESHME


Mali i Zi hyni për të dyten herë në Shkoder…

Shpresat e Shkodranëve sa vinin e shuheshin dita me ditë.

Mjaft njerëz ishin ndër duert e pabesa të malazezëve. Bota ishte kapërthye ndër ngatrresat e mëdha e nuk i binte kujt ndër mend se a ka apo nuk ka kund Shqipni. Secili shtet veç çonte kryet mbi murin e atij komshij që kishte pranë dhe nuk mendonte tjetër, veç çka me i vjedhë apo me i shkye ndonjë copë tokë të mbetun pa mbrojtje. Pjesa ma e madhe e tyne mendonin me shty gardhiqet kufizuese tue marrë çka të mujshin me zhvatë prej fqinjëve. Shtetet e vogla, porsa përendonte dielli, mendonin se a kanë me u zgjue në mengjes pa u pasë shkelë nga thundra e një zaptuesit grabitçarë e vrasës, që gjithë natën ishin si kope ujqish lëshue në vendet e Europës. Nuk të jepej me mendue se a ka ndonjë shtet nga të mëdhejt që shikonte punën e vet apo kërkon me u mbrojtë.

image


Dedë Gjo’ Luli me djalin e vet Kolen.


Gjithkah e gjithkund veç shihej kjartë rreziku i sulmit të secilit nga ma të fuqishmit. Austria, ishte një nga shtetet që donte me shpirt dhe pa interes Popullin Shqiptar, dhe u ba shkak për Pavarësinë tonë të 1912. Kjo nuk kje lojë nën rrëgozë, por veprim i haptë dhe i pakompromis…

Kjo arritje e Austrisë kje një përpjekje e saj ma se 30-vjeçare, që mori hov njëheri me Lidhjen e Prizrenit në vitin 1878. Nga ajo kohë e deri në Pavarësinë e Shqipnisë në 1912, vetëm po të bajmë një bilanc të përgatitjes së kuadrove të nalta në Universitetet e njohuna të Austrisë, apo ndihmat materiale për shkollat tona shqiptare të porsa çeluna, vetëm atëherë do të formonim një ide të kjartë për t’ ardhmen që po i hapej Shqipnisë, e ardhme që do të sillte pa dyshim Shqipninë Europiane.

Shqiptarët dolën nga robnia Turke me armë në dorë dhe janë të gjithë tradhëtarët e vendit që po me armë e vrasje të pabesa u shërbyen serbëve me sjellë një okupacion tjetër, vetëm se nuk arrijtën asnjëherë me u çveshë nga fanatizmi anadollak, i cili ndër shekuj e ka tregue këtë qendrim të tyne antikombëtar tue i shërbye kujtdo përveç Atdheut!

Rusia synonte me kenë trashigimtare në të gjitha pjesët sllave që kishte pasë ose kishte ende nën kontroll Austria. Gjermania sa vinte e forcohej tue u ba rrezik për të gjithë shtetet e Europës që e shikonin me sy të shtrembët këte influencë të saj, që sa vinte e rritej. Franca ishte e para që friksohej nga forca e Gjermanisë, që Francës i krijonte vetëm pasiguri. Franca direkt nuk futej në luftë për problemet ballkanike, ndoshta për hatër të Rusisë dukej se sakrifikonte, por në fakt haptas nuk dilte. Anglia në vitin 1908 u bashkue me Antanten dhe kështu u krijue lidhja e tyne Tripalshe: Francë, Rusi dhe Angli. Mbi lidhjen e tyne të vitit 1891 mes Rusisë dhe Francës, ajo lidhje u pat përforcue në vitin 1894 me marrveshjet ushtarake. Hymja e Anglisë në këte Aleancë Tripalshe në vitin 1908 asht shkaku që solli pasojat e randa fatale e të pariparueshme të 1913, me Kongresin famkeq të Londrës, vendime që Europa u qendroi në mbrojtje të tyne tash ma se 100 vjet e kushedi deri kur!! I vetmi Shqiptar që demaskoi dhe parashikoi rrezikun që iu kërcnue Popullit Shqiptar, Trojeve dhe Tokave Etnike Shqiptare dhe Lirisë së Atdheut ishte At Gjergj Fishta, i cili vazhdon me kenë i “dëbuem” nga tradhëtarët shqiptarë dhe të gjithë përkrahësit e tyne edhe sot, dhe pikrisht për ato “letra të hapuna” me të cilat Ai ua ka tregue rrugën e pakorrigjueshme të tradhëtisë së tyne. Pikpamjet e Tij janë vizioni i kjartë i gjithë Klerit Katolik Shqiptar, Atdhetar e Liridashës. Ngjarjet e sajueme në Serbi nga një atentat terrorist me 28 qersor 1914, kundër Princit austriak Franc Ferdinandi, sjellin gjakderdhjen e madhe…Bota e trazueme që nga viti 1908 u gjet në pellgun e sajuem nga vetë ajo prej të cilit nuk mujt me dalë pa vorrosë miljona të vramë.

Amerika, në dukje e “largët”, në caktimin e kufijve të vitit 1913 në Kongresin e Londres, porositë “Pavarësinë e Shqipnisë”, por me një kusht që “Rusisë duhet t’i ruhet mundësia e daljes në detin Adriatik me një rryp toke...”, e “këte rryp toke” shtetet europjane e gjetën në Ato krahina të çmueshme Shqiptare, ku përfshihej Hoti, Gruda dhe zonat e Tivarit e Ulqinit, që nuk u “quejten” kurrma Shqiptare. Në përputhje me këte vepër asht edhe Masakra e Tivarit e vitit 1945, kur kosovarët fatzezë i sjellin komunistët me spijunët e tyne Enver Hoxha e Ramiz Alia nga Kukësi, vrasin sa vrasin rrugës dhe tepricën nuk e kalojnë në tokat e Malit të Zi të qeverisuna nga “druzhe” Tito, (i cili mundohet me dalë lugë e lame në këte tradhëti), po i vrasin në trojet tona shqiptare, tue i tretë kufomat në brigjet e Adritikut, brijë Tivarit.

Pabesia shekullore serbe kishte depërtue edhe ma thellë se vija formale e kufinit me ta. Edhe miqësia e Rusisë me ta kje po aq e vjetër.

Na ishim të mësuem me këto ngatrresa, po me parashikue fatin e një kohe të ardhëshme ishte e vështirë. Malet e thepisuna, ku edhe ariu shkon me pritesë, ishin këthye në strehë Atdhetarësh. Kleri Katolik dhe shumë nga Atdhetarët u banë pré e ngatrresave dhe pazarlleqeve serbe. Vrasjet dhe lufta për shfarosjen e Tyne asht poaq e vazhdueshme.

Mbas Qeveritarëve të Nderuem të Qeverisë së Parë Shqiptare, tue përjashtue Mehdi Bej Frashërin, Mustafa Krujen apo Anëtarët e Asaj Rregjence të 1943 – 44 të njollosun me tana të zezat tash 65 vjet, janë pothuej të gjithë drejtuesit e ardhun në pushtet nga Serbia, ose të lidhun drejtpërsëdrejti me interesat e veta, në dam të Atdheut, Shtetit dhe të Popullit Shqiptar, që luftuen për kolltukun dhe mbushjen e xhepave të tyne, tue tradhëtue interesat e Shqiptarëve që u vriteshin pabesisht si derrat e egjer prej tyne ndër male e fusha, ku pabesia mbretnonte.

Kjo psikologji nuk ishte e panjohun as nga Malësorët tanë, që interesin e Atdheut e të Flamurit të Gjergj Kastriotit e kishin të ngjeshun për kafazin e krahnorit, e të pazgjidhun asnjëherë mbi të Katër Gozhdat që vinin dorën e Tyne të djathtë gjithmonë para se me shkue në luftë...

Ishte ideali i naltë “Atdhe e Fe”, që kishte rindërtue në Shpirtin e Tyne virtutin e paster të Lirisë, që Malësorët e Veriut me Prijsin e tyne Dedë Gjo’ Lulin i bani të përjetshëm.

Dedë Gjo’ Luli mendoi me u largue për pak kohë me shpresë se do të ndryshonte gjendja dhe do të kthente prap ndër Malet e veta.

Ishte vetëm pjekunia e Tij për mos me ua shtue gjakderdhjen e vllazënve të vet në këte situatë kausi ballkanik.

Mori rrugën nga Mazrreku dhe shkoi në Pukë. I përcjellun me miq, doli në Qelzë të Pukës, e aty u nda nga Ata Atdhetarët e vet besnikë me të cilët Ai mendoi se do të shihej shpejt, kështu Don Loro Caka, Rexhep Shala, Ndoc Ndoja dhe Simon Doda u kthyen, ndërsa Deda me djalin tjetër dhe me Nik Prelocin u nisën për Mirditë. Kaloi lumin Drin dhe hyni në thellsi të maleve të egra të Mirditës jo ma pak të lame me gjak për Liri. Atje për tre muej pat përpjekje me forcat e tradhëtarit Esad Pashë Toptani, i shpallun “besnik” i të gjithë shteteve shoveniste që na rrethonin dhe që kërkonin pjesë në Tokat Shqiptare. U pat shërbye të gjithëve pa dhimbje sa kje gjallë dhe i vdekun.

Dedë Gjo’ Luli nuk arrijti me i shpëtue kurthës së tradhëtarit, po u gjet i rrethuem në mes tyne bashkë me Nik Prelocin e djalin e vet Kolën tek qela e Oroshit, ku Deda mendonte se do të gjente aty disa besnikë, që po e pritnin edhe ata të armatosun. Porsa po afrohej në vendin e caktuem, aty u gjet në mes të shumë ushtarëve serbë, që porsa i pa, Deda kuptoi gjithshka, dhe tha: “Sot kemi mbarue!” Ishte data 24 Shtator 1915. U koll; pështyu për tokë dhe trimnisht iu afrue komandantit serb, i cili kërkoi nga Deda që me i tregue drejtimin e shokëve të vet. Deda iu përgjigj se nuk kishte me i tregue kurrë Ata. Ushtarët serb e ndanë Deden nga Nika dhe i biri, të cilët ua dorzuen ushtarëve esadistë, ndërsa Dedën e lidhën dhe u nisën nga Mali i Shejtë i Oroshit, ku e mbytën tue e therë me bajoneta derisa i doli Shpirti. Trupin e mbuluen me gjeth dhe e lanë mbi dhe. Disa barijë mirditas e patën gjetë rastësisht dhe mbas gati pesë javësh, prifti i fshatit, mbasi e mori vesht vendin nga barijtë, e pat marrë natën me datë 8 Tetor 1915 dhe e pat vorrosë tek Kisha e Oroshit, pa i tregue askujt për këte. Aty asht mbajtë deri në vitin 1917. Atë vit Delegati Apostolik i Vatkanit në Shqipni, Imz. Ernesto Cozzi, që ishte edhe Feldkural i ushtrisë Austro – Hungareze, dhe Mik zemre i Dedë Gjo’ Lulit e shpesh bashkëpunëtor i Tij, bani hetime; madje Ai vet u interesue me ia stolisë vorrin me rrasa të latueme guri. Ai u ba edhe ndërmjetës me gjetë edhe trupin e Djalit të madh të Dedës, Kolën për të cilin ishte interesue me kohë e shoqja.

Eshtnat e Tij i treguen Shqiptarëve e Shqipnisë mbarë, se:

“Për Ty vdiqa, Për Lirinë tande! Nuk kam dashtë tjetër!”

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...