Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/11/18

Cikël poetik nga Meri Lalaj


Simetrike

Çdo ditë
Çdo natë
poetët
dhe të marrët
e qytetit tim
enden fillikat.


Letër Flora Brovinës

E dashur Florë!
Kam shtruar tryezën:
koran Poradeci,
fërlik Dukagjini,
verë Gjirokastre,
ballokum Elbasani,
mollë Korçe
e po të pres.

Unë
nuk mund të vdes
pa folur gjerë e gjatë
me ty.
Ti, motër,
si mund të vdesësh
pa m`i rrëfyer të gjitha.
Eja, Florë!
Tryeza e shtruar të pret,
të pret, të pret…
Tiranë, 01.02.2000


Kuajt

(Brezit tim)

Ne mbetëm ca kuaj të plakur,
Kuaj gërdallë
I ngrysim ditë netët në të errët
Në stallë.
Na iku jeta poshtë e lart
Vërdallë.


Zemrat rrethuar me mure

Tërë jetën me mure ndarë:
Mure të lartë betoni,
Mure të sheshtë ujorë,
Mure me tela elektrikë,
Mure drejt qiellit si thikë.
E ne për të takuar dorën
E shokut, mikut, motrës
Përgjakëm gishtërinjtë.
Liqeni im i bukur i ndarë.
Rrëzohen aty këtu ca mure
Por lartohen të tjerë
Mure me emra të dashur
Të zhdukur a të vrarë.
Muri që ndan Mitrovicën
Kalon përmes zemrës sime.
Në Preshevë s`kam qenë kurrë
Për atje më ndan një mur…
Dhe zemrës i ve një gur.
Vushtrri, 2001


Etyd vjeshte

Liqeni përplas dallgët
me shkumë.
Në krye të rrugës: polici.
Në fund të rrugës: unë.
Mes nesh: era e akullt.
Qyteti im po fle gjumë.
1985-2005


Gjethe vjeshte

Gjethe vjeshte të allta, të verdha,
të ylberta fluturonin përreth meje
shkollares me gërsheta
e fjongo të bardha.

Nuk mund t`i shkelja e i mblidhja
me kujdes copëzat e lumturisë sime
një e nga një i vendosja
nëpër libra.

E ato gjethe të allta, të verdha, të ylberta
do të më ndiqnin pas tërë jetën.
Nuk e dija se veç aty pat kuptim lumturia,
e tani nga larg tërë mall më përshëndet
me dorën e vogël të bardhë fëmijëria…

Fëmijëria ime për çudi aq e kaltër
mbetur tutje nëpër qiej të largët
ndërsa unë përjetësisht mbetur
një gjethe fluturake e verdhë vjeshte.
Vjeshtë 2003


Lisi plak

Lisi plak nuk i rrëzoi fletët
ai si burrë i moçëm i ndershëm
mbetur përjetësisht i gjelbër
tundur e shkundur fort
prej erërave të vjeshtës
nuk mund të zhvishej krejt
në sytë e të tjerëve.

Rrotull tij mështeknat tërë naze
fiu e fiu e fiu hidhnin valle
nën tingujt e lehtë të vjeshtës
supezhveshur, kërthizëzbuluar
tamam posi vajzat tiranase
tek “Blloku” ndaj të perënduar.
Veç ai lisi plak gjetheshumë
ngaherë i blertë fërgëllon
dhe me vete mërmërin:
“Ç`më dogji malli për rininë!”
27 shtator 2005


Tek Bar-Kafe “Lux”

Të ulur ngeshëm nën tendat
Pijmë kafe. Bëjmë llafe.
Mbllaçisim mendimet.
Ripërtypim fjalët
e vjeshtës së shkuar.
Dhe presim me durim
për ndonjë frymëzim…
28.09.2005


Trau i kufirit

Ky tra kaq kërcënues
nën këtë diell përvëlues
e tmerrshme pengesë
ma ndan trupin mes-për-mes!

Ky tra pa fund pa anë,
këtu në Qaf-Thanë.
Ky tra indiferent për tmerr
frymën ma ndal, ma merr…

Këtu tek ky tra në kufi
jam veç një numër, s`jam njeri…
edhe ky i rrepti doganier
më kontrollon, më çjerr…

Në truallin tim tra!
Më thoni s`është hata!
Në tokën time tra!
Më thoni s`është hata!

Mjafton veç të hedh një hap
e vrik mbërrij në shtëpi,
do nisem t`ia shkel me vrap
le të më shtien me breshëri…

Qaf-Thanë, 06.06.1999

Nga Entela Binjaku : Dy fjalë për Elvin...

Ai pëlqen Pablo Nerudën, njeh mirë  7 gjuhë të ndryshme, ekipi i tij i zemrës është  Milani,  i pëlqen  shumë Roma është njohës shumë i mirë i historisë, mendon se “dashuria bën mirë gjithmonë”.
Kështu e njoh unë Elvi Sidherin, një ndër miqtë më të mirë të “Zemrës Shqiptare” dhe nga redaktorët më aktivë. Shkrimet e tij janë një dëshmi e informacionit të gjerë, aftësisë përpunuese të tij, reflektimeve  të guximshme, humorit simpatik dhe të vërtetave shpotitëse.
Por romani i tij me titullin “Emigrantja” ishte një befasi e vërtetë! Dhe një emocion i bukur që të dhuron surpriza.. Një  punim voluminoz, mbi 400 faqe, shkruar me kohë në mendjen e tij, por që prej disa ditësh kemi mundësinë të prezantohemi me të.
Sot jam e kënaqur që  lajmin për botimin e romanit të Elvi Sidherit ta përcjell edhe  për mijra lexuesit e zemrës shqiptare.
Me dëshirën e madhe për të ftuar të gjithë lexuesit t´i bashkohen leximit të këtij romani, dhe më urimin për një rrugë të gjatë dhe të mbarë Elvit në krijimtarinë e tij, i përcjell urimet më të mira edhe nga ana e redaksisë së revistës.
Më poshtë do të gjeni edhe një prezantim të  shkurtër që Elvi ka përgatitur për lexuesit e tij të “Zemrës Shqiptare”.
Nuk mund të shkruaja më mirë se ai vetë.
“Është një libër që siç ndodh me çdokënd që merr përsipër të shkruajë diçka, posedon vetë shpirtin e autorit (timin) përbrenda dhe do dëshiroja që kjo gjë të përçohej edhe tek lexuesi eventualisht. Flet nëpërmjet personazheve, vendeve, situatave, njerëzve dhe ngjarjeve për përvoja unike sa edhe të kujtdo që ka provuar emigrimin pas viteve 90-të, një fenomen i cili ka shenjuar zhvillimin psiko-social-ekonomik të Shqipërisë gjatë këtyre dy dhjetëvjeçarëve, por që për "habi" të veçantë nuk përmendet nga askush, sikur fare të mos kishte ndodhur realisht, sikur 1 milion e gjysëm shqiptarë mos të kishin emigruar nëpër Europë e botë, 800 mijë prej tyre në jug të vendit tonë,pra në Greqi. ...Dhe sikur jeta dhe kontributi i tyre t'ia vlente të përmendej vetëm për kontrabandistë, krim të organizuar apo për votat e zgjedhjeve, për lekët që çojnë rregullisht pranë familjeve të tyre dhe ekonomisë së vendit dhe për festa, Pashkë, Vit i Ri e Krishtlindje kur vijnë dhe i vonojnë kufinjve. Të tjerat po ua lë juve t'i zbuloni".

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...