2014-06-01

Shënime për librin poetik “Prekja e dritës”

Riza Braholli në ardhje…

Shënime për librin poetik “Prekja e dritës”
image
Nga Vangjush Saro

Gjatë kohës që lexoja librin me poezi “Prekja e dritës” të Riza Brahollit, madje edhe duke shkruar këto radhë, përpiqesha të qasesha në kufijtë e rrymave dhe të shkollave letrare më të njohura, për të kuptuar se ku gjendet apo ku e shoh unë poetin. Nëpër mendje, më rendnin terma dhe parime. Imazhinizëm. Romantizëm. Ikja në natyrë. E kaluara. Realizëm. Impresionizëm. Po qëndroj një çast te vjersha “Gusht”. Pas krijimit - me fare pak fjalë - të një gjendjeje pritjeje e ankthi, ajo mbyllet këso: “Puhi fustanesh/ e kofshësh të thekura me det/ më marrin me vete./ Ç’bën kështu, zemra ime e thinjur?” Kemi të bëjmë me një episod poetik sa një frymëmarrje, pas së cilës edhe ty të mbetet fryma teksa pyet: Është njëlloj neorealizmi - me elemente erotizmi, gjithsesi mjaft hollë vizatuar - që grish në kërkim edhe vetë shkollën modeste shqiptare të poezisë? Dhe pastaj “Fletë vjeshte”, “Në atë pyllin që di vetëm unë”, etj., poezi që të kujtojnë disi atmosferën e romantizmit: prehje në krahët e dashurisë, arratisje në të kaluarën, në natyrë; apo thjesht një peizazh me aq shumë detaje, nga gërvima e portës, te qershia e sofati…Po poezia me titull “Përshpirtje”? Do të thosha se për nga ndërtimi, ajo duket klasike, me kufij metrikë dhe orientim realist. Për nga përmbajtja, le të diskutojmë nëse ka dëshirë, më duket si një krijim me prirje kah ekzistencializmi. Ku po shkoj kështu?

Le të dalim atëherë prej këtej, me një paqartësi të ëmbël, dhe të lexojmë tani poezinë “Shira të zemëruar”. Dhe le t’i zbrazim krejt pyetjet retorike, në analogji me çfarë ajo thotë, mbi ato vargje si prej ere. Çfarë përfaqëson kjo poezi? A kemi aty thjesht kujtime dhe vetëdijën, të shtrirë në një varg metaforash përvëluese? Apo e gjitha është thjesht një tablo impresioniste? “Derdhen në strehë/ e zhurmërojnë mëngjeset/ shira të zemëruar harabelësh.” Pastaj: “Zogj të mirë/ më lini në këtë fat pa emër…” Dhe më në fund: “…fjalën do thërmoj për ju/ në oborrin ku digjen trëndafilët.” E kam lexuar saktë? Do thërmojë fjalën? Në oborrin ku digjen trëndafilë? Ç’kini të më thoni? Në vështrimin tim, thjesht është duke ardhur një poet i mirë…

Po vazhdoj. Në fakt, ngase nuk qëlloj përherë i bindur nëse jam aq sa do të duhej i familjarizuar me hollësitë dhe tekat shpjeguese të këtyre termave, që shpesh japin e marrin me njëri-tjetrin, u përpoqa të kërkoja vendin e R. Brahollit në një pranëvënie tjetër, në atë të qasjes pranë poetëve më të njohur shqiptarë. Kështu, e pashë teksa ai hynte në kopshte e ujëra të mrekullueshme të kohës, De Rada, Serembe, Poradeci, Ali Asllani, Frederik Reshpja, Jorgo Bllaci, etj., por prapë nuk se pikasa ndonjë gjë të rëndësishme. Për këtë shënim, ishte fjala. Atëherë, po provoj të ndjek vetëm ndijesitë e mia për poezinë e tij. Çfarë kam për të thënë, do ta them, si edhe në disa shkrime të tjera, me thjeshtësi dhe pa kurrfarë pedantizmi.

Në esenë e tij “Për poezinë”, që është njëherësh edhe një pasthënie për librin, në vijim të një fraze, autori shkruan: “…se ti sheh atë që të tjerët s’e shohin.” Ja tek gjendet vjega dhe shtëmba e tërë. Kjo është me pak fjalë edhe një nga temat e mia të preferuara. Poezia, ashtu si edhe piktura, janë arte që lindin në privatësi të madhe; edhe pse unë s’e gjeta si duhet fjalën. Dhe në këtë privatësi, te kjo mbyllje në studio, për të medituar rreth të fshehtave të jetës, për të ligjëruar me mjete të stilistikës dhe të shpirtit, poeti nuk jep shumë shpjegime sheshit. E ndoshta nuk është e lehtë të kuptojmë gjithnjë çfarë ai thotë, me ç’besime a perëndi të jetës së tij flet...Por a mund t’i drejtohemi një piktori me pyetjen: Çfarë ke dashur të thuash me këtë tablo? Po kaq e vështirë është të qasemi përherë qartazi te një poet; kjo ndodh për shkak të magjive të cilave iu beson vetëm ai, për shkak të përvojave vetiake në të cilat ai e di pse dhe sa ka vuajtur; sepse si thotë A. Rembo “Cili shpirt nuk ka psherëtimë?”...Pra, kush e kupton atë, kush ndjen përafërsisht si ai, kush abstragon rreth gjetjeve dhe simbolit në tërësi, është më pranë; atij dhe artit në tërësi.

Kjo, duket se është një zgjidhje sa i takon temës sonë të vështirë. Le ta themi pa komplekse, ka edhe asish që ndoshta nuk e kuptojnë poetin plotësisht e në çdo episod të veprës; por ndërkaq, ata e ndjejnë, janë në krah të tij në qasjen ndaj këtij realiteti - oqean, ku gjithkush ka një varkë a një flotilje për të vozitur…Unë shoh me kënaqësi se jam edhe me ata që e kuptojnë, edhe me ata që e ndjejnë; edhe pse figurativisht, poezia e tij është tejet e ngarkuar. Po; kujdesi për ta kumtuar mendimin në mënyrë artistike, përmes një stilistike që ai e zotëron mirë, është një nga cilësitë kryesore të poezisë së R. Brahollit. Marrëdhënien më të ngushtë, “flirtin” më të bukur, ai e ka me metaforën. Është e dukshme. Ajo sundon çdo hemisferë dhimbjeje të poezisë së R. Brahollit dhe mirë është ta ndjekim, pa le se ç’të “fshehta” zbulojmë në dashurinë e tyre magjike.

“Mos më thuaj dora jote mbi portë/ do të lëvizë diejt e dimrit.” Është finalja e poezisë “Një pasdite”. Unë njeri i humorit jam dhe më lejohet të them se kam kuptuar që ai është “dinak”. E fillon me penela të lehtë, thjesht e ngrohtë, duke të ftuar të shijosh një bukuri që s’ka për të të lodhur. Pastaj të tërheq në lojën e metaforave, përmes të cilave fsheh dhe rizbulon veten dhe dashuritë e tij, mendimet e tij, jetën; ose më mirë le të themi, të shpie në njëlloj dehjeje, prej nga del kur të fillojë poezia tjetër. Edhe ajo, e kthjellët më së pari. “Nëpër to kaloi mbrëmja me supet/ e kërrusura të një murge që çapet/ e zbrazur dhe dorëzuar ndaj fatit.” (“Mbrëmja”) Kjo amplitudë ndërlikimesh poetike, është pëlqimi i tij, stili i tij, pse jo një gjetje teknike. Ja një tjetër shembull i kësaj “loje” a gracke, ku lexuesi megjithatë ndjehet në suspans: “Ditët e mia/ djerrina ku mbijnë vetëm gurë.” (Ishte vetëm starti.) Mandej, autori shfaqet i përhumbur krejt nga meditimet e vështira: “…bëj kurban zemrën time/ për të paqtuar perënditë.” Edhe kështu, si shpesh herë, gjithçka vjen duke u ndërlikuar...Por abstragimi poetik i vë pikën mendimit. Nuk di si ta them ndryshe. Mendoj, kam qenë mjaft i qartë.

Edhe kur “adhnohet’ me metaforën, R. Braholli prapë kërkon shumë nga bota e stilistikës. Ai i ndërton motivet e tij me anë të aliteracionit. Sapo kam cituar më lart: “diejt e dimrit”; apo: “…u zgjua e vrulloi ndër vena/ pranverën me ujërat e përrenjta.” Etj. Por jo rrallë, ai pëlqen të marrë e të japë edhe me epitetin - si me një mik të vjetër - madje shpesh i lë atij “kryet e vendit”. Mbështetja edhe te kjo figurë besnike, është e rëndësishme dhe me vend edhe në stilin e poetëve me sens këngën dhe muzikalitetin e vargut. Ndonjëherë, doemos kur duhet, me anë të krahasimit, poeti i vë pikën vjershës, si në këtë rast kur njëherësh ka krijuar edhe një asonancë fine: “…kështu do ta mbartë tërë jetën/ si kocka lagështirën e vjetër”. Në krijime të tjera (“Me gjunjët në gji”) këtë përparësi e merr edhe mekanizmi disi më i rëndë i similitudës, gjithaq e gjendur dhe familjare për poetët e mirë: “Le të flasim këtë natë/ sikur në një bar plot avuj/ si dy këlyshë putradridhur/ që i lëpijnë njëri-tjetrit plagët.” Në këtë vjershë, kjo figurë e letërsive më klasike, vetëm sa çel siparin e një situate plot erotizëm, me tablo të bukura të jetës intime të hedhura në një dritë që rrok shumë e shumë kohë andej e këtej aktit të vjetër sa bota apo më mirë çasteve (të kufizuara) të ëmbla të dashurisë.

Jam shprehur edhe më parë, me siguri diku e kam lexuar, se fëminia është një pjesë e rëndësishme e jetës dhe krijimtarisë së një shkrimtari. Vetë autori thotë: “Arti dhe fëmijëria kanë të përbashkët vërtetësinë nga buron e bukura, freskinë nga buron lëvizja, sinqeritetin, naivitetin, naivitetin e pastërtinë nga buron e vërteta. Sipas një vargu të Kids: “Beauty truth, truth is beauty”. (E bukura është e vërteta, e vërteta është e bukura.) Edhe në poezitë e R. Brahollit, fëminia zë shumë vend; kujtime, imazhe nga ai fragment i shenjtë i jetës: “Pa folje”, “Tregim për nënën e trëndafilin”, “Sa dua t’u besoj”, “Sa të kthehet zogu i humbur”. Janë poezi ku retë e kujtimeve, retë e kohës, enden qiellit të jetës duke iu besuar imazheve më të shtrenjta, që kanë qenë pjalmi në jetën e poetit, që humbasin, rikthehen, por që këndojnë përherë ekzistencën njerëzore si një film a histori pa fund. Ashtu plot imazhe dhe e pafajshme vjen fëminia edhe te poezia “Çifti në valle”, ku sërish shquajmë elemente që ndehen në një shtrirje kohore sa jeta, prej të tashmes në të shkuarën, por në një cikël ndijesish që përvëlojnë shpirtin: “Këtë çast/ dua të jem fëmijë/ ai i vogli/ që çmendej të merrte në faqe/ dy buzët e kuqe të nuses...” Gjithë në këtë nëntemë, është e natyrshme të thirret në apelin poetik vatra familjare; dhe mandej, të këndohet për protagonizmin e fortë të babait, në një bregore vargjesh ku gjithnjë harlisen papushim metaforat dhe prej nga e shkuara shihet ashtu si një fushë ku ngjyrat lozin e performojnë si të ishin dallgë; në këtë festë poetike kujtimesh të ëmbla e përjetimesh që kullojnë dashuri e dhimbje, penelat e zemrës bëjnë portretin e dashur, në një sens pse jo edhe bilance të cilat i kemi brenda vetes. Imazhe e ndijesi që shtegtojnë nga kohë fëminie dhe që në të vërtetë kanë qenë përherë në lëkurën e poetit dhe në mendjen e tij të hapur, gjejmë edhe te “Mëngjes dimri në Korçë” dhe “Këngë të fshehta”, që është, le të themi, poemthi i vetëm në libër.

Dhe prapë, përkitaz si në një ligjërim që shkon përtej reshtimit të disa titujve, vjen sërish pyetja: Cila është “shkolla” që i ka shkuar nëpër mend të ndjekë apo që i përshtatet më shumë këtij poeti? Nganjëherë, poezia e tij shkon edhe përtej procedimit modern, që do të thotë e gris pamjen reale me mbivendosje imazhesh dhe ku simbolet harlisen si në një pranverë të vonuar; heraherës vargjet pikojnë edhe dhimbje, edhe pajtim me fatin; më tej, ato grishin një thjeshtësi mahnitëse për t’u rigjetur pastaj në një disharmoni mjeshtërore, manierë që e ceka disi edhe më lart. Le të trokasim pak te “Ky prill i çuditshëm”. Lexojmë njërën strofë nga kjo tercinë e bukur: “Ky prill i çuditshëm/ mbi buzë luledelesh vë psalme/ për të dashurën time të zbardhur.” Mund të shikojmë inversin që na prezanton atë çka ai vetë e ndjen ngushtazi, a thua s’do ta ndajë me lexuesin: Nga starti i thjeshtë “Ky prill i çuditshëm” - gjithë në manierën e tij për të shpërthyer më pas - te shtjellimi i mistershëm “për të dashurën time të zbardhur”. Le të shikojmë nga afër vetëm dy fjalët që krijojnë antitezë pa qenë njësi antonime. E dashur, që nënkupton pak a shumë një partnere në një moshë që konsumon shumë dashuri; dhe “e zbardhur”, që duam apo nuk duam, simbolizon një moshë “të ngrysur”. Kjo, thjesht, është mjeshtëri poetike.

Me shumë dëshirë, do të shkelja ndërkaq edhe te një tjetër temë “e përjetshme” e poetëve të mirë: Natyra. Në librin e R. Brahollit ka peizazhe të vizatuar poetikisht dhe të përmbyllura si të tilla. Ka të tjera që të bëjnë të mendohesh nëse je përpara një tabloje natyraliste apo një dileme ekzistencialiste. Në poezinë “Mbrëmje në Mborje”, poeti e merr lexuesin me vete në kujtimet dhe përjetimet e tij, kur “Dielli preh kurmin e lodhur/ si valltar i vjetër që dihat pas kërcimit/ të një tangoje të çmendur...” E mandej: “Zilka tej pragut dredh fillin e barit/ dhe shpirtrat e muzgut që falet.” Ju ftoj të lexojmë gjithashtu edhe “Një fizarmonikë në muzg”; në këtë poezi, nuk e kupton ku mbaron peizazhi dhe ku fillon “episodi” filozofik i krijimit, “fshehur” në motivin e rënies së përkohshme. Kurse te “Mall” autori rrëshket nga një peizazh mahnitës (“Hëna/ me cipë të akullt vetmie/ mbështjell pemët e lagura në kopësht...”) në episode erotike të thurrura përmes një plastike gjithë sensualitet. Këtë “skemë” e hasim edhe te poezia “Pas shiut”, ku peizazhi që vizatohet me disa metafora të këndshme, performon më pas në një trill erotizmi të përmbajtur. “Marrëveshja” e poetit me natyrën na shpie edhe te poezia “Gërsheta shiu”, ndër më të ngjeshurat me metafora. Edhe ajo “i vidhet” peizazhit klasik dhe vjen deri në dhimbjen për çka është përjetuar kohë pas kohe nga heroi lirik. Në këtë shmangie poetike, atij i vijnë në ndihmë stinët e personifikuara, të cilave sikur iu bën apel: “...i ratë dimrit në gjunjë.” Kurse te “Prekja e dritës” kemi një lirikë dashurie ku aksioni poetik - përmes disa metaforave të brishta - ndërton skena të një filmi vetëm me një akt...Kjo mund të përfytyrohet edhe si një krijim i animuar, i sjellë te ne nga një mjeshtër që vetëm ai e dinte si do t’i vizatonte, teksa “përgjonin”, ato, “këpucët e vogla të shiut”...

Edhe pse të ndara e të inkuadruara në disa cikle, poezitë e Brahollit ashtu si drurët mbështeten te njëra-tjetra, marrin e japin me njëra tjetrën; kjo ndodh për shkak se ato janë pak a shumë e njëjta frymë, gatuhen nga i njëjti shpirt. Megjithatë, cikli “Porta të hapura”, që vjen edhe në anglisht, duket sikur i vidhet disi pjesës tjetër të librit; por me droje. Shpirti poetik gjithsesi është njësoj i ndjeshëm dhe kërkues. Në poezinë “Përtej”, që është mjaft e bukur, e shohim këtë shpirt të zhytur në një trishim të thellë dhe në një vizatim pothuaj surealist. (Përtej udha nis/ për kurkund.) Në po atë udhë kërkimi, vjen “Ritme të heshtjes”, shumë e bukur dhe me nje kohezion social (të përmbajtur). Poezia “Porta e durimit” në dukje zgjon një pandehmë imitimi, por shkon në “tragën” e gjithë këtij cikli të gjerë. E bukur “Porta e prillit”, ashtu si shumë nga poezitë e tjera shkruar me atë trevargësh elegant, ku disa asonanca janë tejet fine; (ndoshta vuan pak vetëm strofa e fundit). Në krejt librin, autori ka krijuar disa imazhe e simbole të cilat i rimerr nga njëra vjershë te tjetra; por në këtë cikël, kjo “dehje” me aromat e veta, është edhe më e theksuar.

Mendoj, është me vend të cekim edhe disa veçanësi që mbase nuk bien në sy lehtësisht e për këdo dhe që janë po aq të rëndësishme, sa edhe ato të cilave iu bëmë vend më lart. Është fjala në lidhje me kërkimin dhe ndjenjën e përgjegjësisë artistike për titujt e poezisë. Titulli i një krijimi njëfarësoj shpreh thelbin në mos edhe dilemën e asaj çka na jep teksti; titulli vjen si një bisk, majë e bimës - vepër, për të tërhequr lexuesin në një histori që mund të jetë e gjatë dhe plot suspans, por mund të jetë edhe thjesht një marrje fryme. Aq. “Prekja e dritës”, “Arie për aguliçen”, “Trishtilët” janë disa nga këta tituj, ku R. Braholli vjen kaq serioz dhe i përkushtuar...Këto cilësi përkujdesjeje do të duhej t’i vendosja edhe mbi një nëntemë tjetër të rëndësishme dhe që është ajo e fjalorit të pasur. Po përmend vetëm poezinë “Trishtilët”, nga më të bukurat e këtij libri, ku pasuria e fjalës bëhet dorëzanë e një dashurie në zanafillë të saj e në rikthim...Apo “Juga”, një poezi me pak vargje, por me shumë histori, një stinë e moshë në zgjim a ribërje, që gjithashtu ka për aleat një fjalor që duhet përshëndetur: “...e shpirti/ i ujërave rrjedh e përplaset i turbullt/ nëpër gurët e zallin e përroit.” Apo: “Vjen ti/ jugë e bardhë/ më sython/ mua/ kërcurin e vjetër.” Gjithaq të tërheqin vëmendjen fjalët të tilla me një bukuri tronditëse, si: thurimë/ vikat/ sython/ fërmon/ fir puhije/ vetmon/ amë/ finjë, etj.

Duke përmbyllur këto shënime, do të pëlqeja të shprehesha shkurtazi edhe me disa fjali emërore. Poezi të bukura. Punë e rëndë. Mendim. Varg i lirë i sigurt dhe aspak në disakord me ritmin përkitës. Vjersha që nuk lexohen me zor. (Është shumë e rëndësishme të mos e lexosh letërsinë me zor...) Është e dukshme që poezia e R. Brahollit, shfaqet si gjethi më i gjelbër në përpjekjet e tij për krijimin e identitetit njerëzor dhe artistik. Poezitë e tij janë të “mbyllura”; vështirë të gjesh në to defekte profesionale. (Mbase në raste të rralla, të diskutueshme, bie fjala, kur thyerja e vargut cënon lokucionin a kalkun që mbart kuptimin e një fjale të vetme. P.sh.: trokasin njëra-tjetrën e heqin/ osh këpucët e zgjidhura...Heqin osh, heqin zvarrë, ky është kuptimi. Mendoj nuk mund të ndahen heqin në një varg dhe osh në tjetrin, sepse heqin osh është një fjalë.) Ani. Duhej të pohoj me sinqeritet se leximi i këtij libri poetik është thirrje për të besuar në poezinë e mirë dhe në letërsinë e mirë. Njohja me një poet, është gjithnjë kënaqësi, sidomos kur e kupton dhe e vlerëson atë dhe informacionin apo imazhet që ai bie e, mandej, je në gjendje t’ua përcjellësh edhe të tjerëve; nga katedra apo nga posta jote letrare në përgjim të bukurive që vijnë e do të vazhdojnë të vijnë nga pena e mendje të tilla bindëse, origjinale, premtuese.

A ka protezë për një zemër të thyer?

Nga Fatmir Minguli


A ka protezë për një zemër të thyer?


(Një diskutim për novelën” Një mall i pashuar” të shkrimtares Vilhelme VranariNuk është truri që ka rëndësi më të madhe, por ajo që e udhëzon atë, si karakteri, zemra, cilësitë bujare, idetë progresive.


Fjodor Dostojevskij


“Një mall i pashuar “ është novela më e fundit e shkrimtares Vilhelme Vranari , novelë që zë vend madhor në letërsinë e sotme shqiptare në lëmë të prozës. Eshtë novelë që paraqet formën më artistike të të shprehurit të ideve , një konçentrim i përsosur i atyre pak ngjarjeve që përbëjnë dhe subjektin e thjeshtë të novelës.


Vilhelme Vranari shkruan me përkushtimin e vet më të madh , duke i dhënë të kuptojë lexuesit se nuk është thjeshtë dëshira e saj për të shkruar, por është krejt diçka tjetër, më e komplikuar. Eshtë një diçka tjetër që kritika e specializuar po e trajton më së miri dhe me profesionalizëm të lartë jo vetëm në fushën e kritikës letrare por në sferën e plotë intelektuale.


Përcjelljet brenda këtij libri të shkruara nga prof. Fatmir Terziu dhe Robert Martiko përbëjnë studime të thella sa letrare aq dhe filozofike, duke e çuar lexuesin në hullitë e vërteta të asaj çka dashur të thotë autorja. Të dy studimet janë sonda ndriçuese në brendësi të artit të shkrimtares tashmë me famë, Vilhelme Vranarit.


Eshtë e natyrshme se për Vilhelme Vranarin duhen thënë shumë gjëra jo vetëm lavdërimet që i takojnë realisht , por më të rëndësishme janë faktet, vrojtimet, krijimtaria e saj e begatë në prozë, origjinaliteti i saj në trajtimin e temave, sinqeriteti që shoqëron modestinë , pa harruar stilin e saj të veçantë narrativ.


Eshtë pikërisht kjo e fundit që më çon drejt një diskutimi për këtë novelë të fundit e të titulluar fare thjeshtë” Një mall i pashuar”.


Dashuria është laitmotivi direkt i përshkruar në këtë novelë, por sfondi është tjetër gjë. Merita më e madhe e Vilhelmes është pikërisht analiza e madhe që ajo bën në mënyrë krejt origjinale në kushtet e një dashurie të ndërprerë në mes, një dashurie të shkatërruar nga ato sfondet e verdha djallëzore që zhduknin gëzimet e jetës së njerëzve të thjeshtë. Kjo ndodhte në gjithë periudhën e sundimit të diktaturës moniste.


Vilhelme Vranari sa merr shkak nga dashuria e Aurelit me Brikenën . Sa e sa romane, novela dhe tregime janë shkruar për këto tema, për dashuritë e prishura nga forcat e errta të një sistemi totalitar, nëpërmjet luftës së mallkuar të klasave? Mendoj se Vilhelme Vranari tjetërlloj nga të gjithë ka sjellë një letërsi ndryshe, një kombinim kompleks të dramës me psikologjinë, një analizë të ngjarjeve të cilat i lënë vend përsiatjeve dhe shqetësimeve psiko –analitike. Eshtë një novelë me shumë sisteme strukturale, ku secili ka vendin e vet.


Por dhe artificat që sjell Vilhelme në narracionin e saj tjetër lloj janë të shumta. Ajo tregon në emër të Aurelit, duke kombinuar më së miri ndjenjat njerëzorë, duke i dhënë prioritet zemrës dhe jo trurit. Ajo e fillon novelën me disa mendime si një personazh më vete, ajo sjell figura të shquara të kulturës shqiptare nëpër faqet e novelës duke e kthyer këtë në një antologji të dashurisë dhe lirisë së vërtetë të njeriut. Odhise Grillo, Turgenjevi, Bajroni, Anton Zako Çajupi, Ali Pashë Tepelena dhe Vasiliqia etj hynë e dalin në faqetë novelës duke sjellë mendime pozitiviste dhe duke e mbështetut fortazi subjetin dhe mendimet e autores.

Vilhelme Vranari përjetoi një jetë gjysmë shekullore të kaluar në një heshtje të vështirë, deri sa erdhi demokracia dhe atëhere me një durim dhe kjethlltësi intelektuale e shoqëruar me delikatesën e gruas fisnike, ajo krijoi dhe po krijon një biblotekë me vepra.
Por ashtu si e trajton me shumë rigorzitet konceptualitetin e lirisë, Robert Martiko duke referuar Hannah Arendt – en po ashtu vepron dhe Vranari në këtë novelë.
Duke e sjellë në këtë atmosferë linjën e mos realizimit të dashurisë midis Aurelit dhe Brikenës lexuesi bëhet palë me autoren duke fajësuar dhe njerëzit e thjeshtë si i jati i Aurelit që ishin indoktrinuar me vijën e partisë, jo se nuk e donte djalin e tij por se dogma komuniste ishte përhapur tashmë si sëmundje e pashërueshme, sëmundje që u injektua në një lloj progresioni gjeometrik në mijëra njerëz që dhe pa i thënë partia nuk lejonin mardhënie me njerëz që kishin dhe një gramë difekti përkundrejt "rregullores" të partisë. Vëllai nuk i fliste vëllait! A nuk mjafton kjo!
Mënyra e struturimit të novelës nga Vilhelme Vranari është dostojevskiane. Thjeshtë do ndalohesha në këtë lloj rryme përngjasimi. Une jam plotësisht dakort se konstatimet e Dr. Terziut bërë gjatë përjcjelljes së tij shumë fine , lidhur me disa krahasime me autorin Aleksander Solzhenitsyn, i japin me tepër dritë punës së madhe krijuese të Vilhelme Vranarit. Ndërsa unë konfirmoj përsëri teorinë që sjell në anailzën dinjitoze Robert Martiko, teori që e afrojnë novelën këtë autore me Antigonën e Sofokliut dhe me teoricienen Hannah Arendt. Kjo e bën novelën me një frymemarrje hapsinore jashtë kufijve të botën shqiptare...
Vilhelme Vranari është një Dostojevsk femër ashtu siç mori dhe rolin e Aurelit mashkull. Dostojevski qe rrebel ndaj rregjimeve ruse nga që nuk i arriti pushtetarët sovjetikë por me veprat e tij alegorike ai i shpjegoi njerezve se " lirinë mund ta definitivosh por kurrë nuk mund t'i vesh kufinj,sepse ajo vete e ka pakufishmerine si nocion. ekziston vetëm një kufiim i lirisë ,ajo është liria vete.”
Vilhelme Vranari me këtë novelë merr atributet e një ekzistencialisteje të tipit të Dostojevskit, një tip ekzistencialimi që e trajtuan me shumë kujdes Martin Hajdeger, Zhan Pol Sartri dhe Alber Kamy, të cilët sollën në vëmendje të filozofëve dhe të shkrimtarëve se ekzistencialimi sillet në forma te ndryshme . Kjo autore, përdor ekzistencializmin e Migjenit , një ekzistencialzëm të butë në pamjet e teorive filozofiste por i egër në realitetin shqiptar ku dhe emri në fjalorin filozofik nuk i njihej. Ashtu si Dostojevski që i përpiu brenda vetes mundimet që i shkaktuan njerëzit, regjimi, sëmundja, ashtu dhe Vilhelme Vranari mbajti si Atlanti tabakanë mbi kokë të mundimve jo vetëm të personit të saj por të gjithe fisit me emër "te keq".
Ajo thotë shkurt dhe qartë: " Një dashuri dhe një jetë ishin mohuar deri në mosekzistencë" dhe bazuar në këtë përcaktim vetjak detyrohet të sillet ndryshe me këtë novelë , që në nisjen e saj.Vilhelme fillon me analizën direkte për humanizmin, me pyetjen me të thjeshtë në botë "Ç'është njeriu? " dhe duke vazhduar të na sjellë historinë e djalit Aurel dhe vajzës Brikena.
Ka momente që gjatë leximit të faqeve të novelës , lexuesi kërkon shumë më tepër narracion , si të thuash me shume aspekte të tipit të telenoveles .
Duke mos i dhënë këtë kënaqësi të zakonëshme që e kanë pothuaj të gjithë telenovelat, ajo e shoqëron lexuesin si Virgjili Danten në rrathët e "Ferrit dhe Purgatorit” tek xhiron Komedine Hyjnore. E shëtit duke i treguar natyrën e parajsës shqiptare, andej nga Mali i Vetëtimave duke i thënë se "Kroi i mirë njihet në kohë thatesirë".
Kuptohet se cilat ishin ujrat e tepërta në ato kohëra, ujra që nuk trubullonin vetëm burimet por dhe mendjet njerëzore.
Eshtë po Dostojevski që thotë: " E c'ka është më e përherëshme se dashuria? Dashuria është më e lartë se ekzistenca ,është kurorëzimi i ekzistencës, e si është e mundur të mos i nënshtrohet? " Kjo është dhe veçoria e ekzistencializmt të Vilhelme Vranarit. Eshtë e tillë dhe dëshira e saj e pakufishme të shprehë subjektin jashtë formave të njohura, por duke futur pasazhe të filozofimit , ajo vetvetiu krijon novelën e një tipi të ri, novelën e debatit shumëformesh ç' ka i dha shkrimtares një horizont shumë të gjërë lexuesish dhe studjuesish.

Mos harroni se për Skënderbeun e kemi një film shqiptaro-sovjetik të bërë para 60-vjetësh.

Adaptim për film

Kush u pengon ti shpërfillni faktet historike e ta bëni ndryshe skenarin: sikur Skënderbeut i paraqitej natën, mu si Hamletit fantazma e babait, Gjonit, princit të Arbërit, i cili i tregon se ai nuk vdiq nga pleqëria, ashtu sikurse mund ta kenë gënjyer, por vdiq nga helmi-pabesia e turqve. Ose nëna e grish në ëndërr: ktheu bir eja e përtërije vatrën...
image
Gani MEHMETAJ

Po t’ua jepte dikush obligim të bënit një skenar për filmin Skënderbeu, heroin më të madh shqiptar dhe njërin ndër personalitetet më të njohura evropiane, si do të silleshit? Do ta refuzonit nga frika se nuk ia dilni mbanë? Do ta pranonit me lehtësi, i sigurt se do ta bëni ashtu si duhet? Apo do të mendonit një kohë, i vetëdijshëm se Skënderbeu është sfidë e jashtëzakonshme për çdo kineast të ri apo më përvojë, shqiptar apo të huaj. Mos harroni se për Skënderbeun e kemi një film shqiptaro-sovjetik të bërë para 60-vjetësh. Të njëjtin film e shfaqim në televizion apo në kinema në çdo përvjetor, në çdo përkujtim apo sa herë duam ta shënojmë ndonjë ngjarje me rëndësi. Gati i dimë përmendësh dialogët, situatat, beteja dhe muzikën. Megjithatë nuk kemi film më reprezentativ për përvjetor të caktuar. Ai dhe “Nëntori i dytë”

Ndërkaq, film tjetër nuk bëmë gjatë gjithë kësaj kohe. Sikur ta kishin hero kombëtar të tjerët do të bënin disa filma artistik e dokumentar. Toka është gati djerrë, do të thoshin bujqit, mundësitë tuaja janë të pakufishme jo vetëm në filmin artistik, apo spektaklin historik, por edhe në filmin dokumentar, filmin arsimor e shkencor, sepse nuk e kemi asnjë filma të këtyre llojeve. Ndërkaq, rregullat për adaptim janë të njëjta, vetëm lloji e përkushtimi ndryshon. Prandaj po e niset skenarin është çështje e përcaktimit apo e porosisë së cilin lloj të adaptimit do ta bëni: artistik, dokumentar apo shkencor.

Por nëse do ta pranonit sfidën, si do t’i qaseshit, sepse ju duhet të bëni ca përgatitje paraprake, të konsultoni gjithë atë që është shkruar e thënë për te e epokën e tij.. Ndërkaq, për Skënderbeun dihet gati çdo gjë. Por ju duhet t’i mësoni edhe detajet të cilat nuk dihen, apo nuk i dinë pjesa dërmuese e shikuesve. Pse të mos i stisni, nëse filmi del më sharmant?

Cilat do të ishin pikat kyçe të kapjes së jetës e bëmave ët Skënderbeut ? Do të përqendroheshit në ndjekjen kronologjike të ngjarjeve? Do të fillonit nga një situatë a veprim i caktuar? Duhet t’ia filloni nga faktet e ditura ose duhet të krijoni situata të imagjinuara? Janë një varg pyetjesh që duhet t’i qartësoni, para se te merrni notesin e të mblidhni të dhëna, shënime, skicime, seleksionime të materialit etj.

Një pyetje nga më të zakonshmet, po niset të shkruani skenar filmi për heroin tonë kombëtar: a dihet kur vendosi Gjergj Kastrioti të kthehet në Shqipëri? Erdhi të zinte fronin e babait i cili vdiq? Dyshonte se e helmuan osmanët, përderisa Skënderbeu luftonte në anën osmane? Ose i erdhi në maje të hundës lufta për të huajt?

Nuk ka të dhëna për momentin psikologjik: a ishte Skënderbeu ai që vendosi t’i flakte të gjitha: famën, karrierën, privilegjet e luksin, për të nis një luftë të gjatë e sfilitëse kundër perandorisë më të madh të kohës. Nuk ka të dhëna as kur iu poq ideja që të kthehet në atdhe për t’iu kundërvënë perandorisë më të madhe të kohës me një sukses që se kishe bërë askush para dhe pas tij.

Nëpër kronikat e rilindësve tanë shkruhet t se Skënderbeu pati vazhdimisht emisarë që e ftuan të kthehej në vendlindje dhe t’ua hiqte qafe ushtrinë osmane. Të tjerët thonë se ai vendosi në çastin e fundit, derisa ishte në fushim në Nish, një qytet shqiptar që atëbotë ishte në pushtimin turk, ndërsa në shekullin XX ra nën sundimin serb, kur u masakruan të gjithë shqiptarët myslimanë nga serbët, kurse shqiptarët e krishterë qenë vrarë më parë nga turqit. Me kafkat e tyre turqit bënë Qele-Kullën famëkeqe të Nishit për të cilën mburren serbët edhe sot e kësaj dite. Një temë e veçantë që do ta trajtonte një skenarist tjetër. Në njërën anë turqit masakrojnë shqiptarët ortodoks në Nish, duke ndërtuar kullën e tmerrit më kokat e tyre, në anën tjetër serbët vrasin shqiptarët myslimanë, duke i dëbuar përtej Nishit në Kosovë, ose në Turqi.

Pra në këtë qytet të Konstantinit të Madh, që disa shekuj më vonë do të bëhet arenë e luftimeve të rrepta, me 1443 Skënderbeu braktisi ushtrinë turke, me 300 ushtarë ( si Leonida spartan, numri 300 është numri simbolik e simptomatik ) u kthye në Krujë.

Këto janë faktet historike, por ju nuk do të bëni një film kryekëput i mbështetur vetëm në fakte historike. Kush u pengon ti shpërfillni faktet historike e ta bëni ndryshe skenarin: sikur Skënderbeut i paraqitej natën, mu si Hamletit fantazma e babait Gjonit, princit të Arbërit, i cili i tregon se ai nuk vdiq nga pleqëria, ashtu sikurse mund ta kenë gënjyer, por vdiq nga helmi-pabesia e turqve. Hija e babait e zgjon edhe netëve të tjera, derisa nuk niset në rrugën e madhe për atdhe. Apo, skenaristi mund ta bëjë sikur nëna e lodhur nga pleqëria, e dërmuar nga fatkeqësia (të gjithë bijtë i ka të syrgjynosur) e grishte çdo natë në gjumë: ktheu bir, eja e përtërije vatrën, ngjalle principatën dhe vazhdoje emrin e Kastriotëve. Ë gjitha kjo është imagjinatë e skenaristit që mund ta bëjë me skena rrëqethëse, dialog të ngjeshur dhe dritë-hije vizualisht të gjetura. Por në çfarëdo qasje të jetë mund të jetë e besueshme, shikuesi do tas pranonte.

Me momente psikologjike a mallin për atdhe historia nuk merret, as kronistët e kohës. Pse të mos merresh ti?

Dhe ti pastaj nis rrëfimin për kthimin e Skënderbeu në Krujë...

Por pritë, mos nxito! Si do t’ia bësh me burimin e frymëzimit, me literaturën, sepse domosdo duhet të kesh një mbështetje, një inspirim, mund të marrish motivet nga njëra vepër, personazhet nga tjetra, situatat nga e treta apo të gjitha këto t’i shkrish më personazhe dytësor që duken të besueshëm e atraktiv për shikues. Pra ti nuk do të shkruash përmendesh, megjithëse e pranojë se s’ka shqiptar që nuk mburret sikur s’ka gjë që s’di për heroin kombëtar. I di madje edhe reagimet e armiqve të tij, që e kanë ndjekur deri në ditë e sotme, i di edhe arsyet pse e sulmojnë nëpër gazeta e televizione etj. Por këto gjëra për skenaristin tonë janë të papërfillshme ai do të bëjë skenar për Skënderbeun, historinë e bëmat, apo për Gjergj Kastriotin e ëndrrave tona, të mistifikuar apo të demistifikuar por në një dritë që rrezaton.

Pra, ne ta pranojmë që ti di çdo gjë për te e bëmat e tij, mirëpo kujdes informacioni yt nuk mjafton, nuk do t‘i mjaftonte as një historiani të ditur që e ka specializim periudhën e Skënderbeut sa të thotë se s’më duhet asnjë mbështetje tjetër.

Për të shkruar një skenar të mirë duhet të konsultosh literaturë që i referohet kohës, duhet të konsultohen faktet historike, pse jo të kesh një këshilltar historian, duhet të krijosh imazhet e kohës, me skenografi, kostumografi, dialektin, besimin, kultet, qëndrimin, mënyrën e komunikimit dhe nivelin kulturor, përkatësisht traditën e tyre. Të gjitha këto duhet të përpiqesh ti sjellësh në film, por pa ndihmën e ekspertëve zor se do t’i realizosh, apo pa e shfletuar literaturën përkatëse.

Pra, duhet të fillosh procesin e hulumtimit të literaturës e të fakteve të ditura apo më pak të ditura. Megjithëse për Skënderbeun ka dhjetëra a qindra libra, të shkruara nga shkrimtarë e historianë shqiptarë e të huaj, ke spektaklin historik të pëlqyeshëm të regjisorit ukrainas Sergej Jutkeviç, prapë duhet të gjesh fillin se nga do t’ia nisësh.

Marin Barleti, kronisti më i besueshëm i kohës, është literaturë e pashmangshme. Poema e Longfelout është fragment atraktiv që duhet ta kesh parasysh, mbase të hynë në punë. Historia e Skënderbeut e Naim Frashërit, apo Skënderbeu i Fan Nolit po ashtu janë të pashmangshme.

Që ta kapesh mirë kohën duhet ta shfletosh edhe “Skënderbeun e pafaanë” të shkrimtarit arbëresh Jeronim de Rada etj. Kur ta kesh shfletuar edhe ndonjë dramë të oborreve të shekullit të XVIII, ku Gjergji ynë del dashnor i pasionuar, i dashuruar në bijën e Sulltanit, mos e mbyll librin, shfletoje deri në fund, mbase të duhet të nxjerrësh ndonjë intrigë të oborrit të Sulltanit, nuk i dihet. Por po vendose të vazhdosh aventurën atëherë është i pashmangshëm leximi i “Skënderbeut” të Sabri Godos, nëse ende nuk e ke lexuar, për gjetjet e caktuara dramaturgjike e fakteve historike të cilat ai i ka më bollëk, të shtruara me një fakturë artistike që vetëm duhet t’i adaptosh, distilosh e përkthesh në gjuhën e filmit. Sepse ti e di se adaptimi është përshtatje, distilim, përkthim, rilexim i teksteve të tjera letrare e jo letrare në gjuhën filmike.

Por nëse dëshiron ta kapësh nga një kënd tjetër, atëherë duhet ta lexosh “Kështjellën” e Ismail Kadaresë ku Skënderbeu nuk duket fare, ndërsa gjithë kohës ndjehet prania e tij si të armiqtë, turqit që e kanë rrethuar kështjellën e Krujës, ashtu edhe të bashkëkombësit e tij që janë të rrethuar në kështjellë dhe presin mbështetje. Kadareja është i pashmangshëm, madje në këtë roman është skenari i gatshëm, vetëm duhet ta vjelësh.

Është edhe një detaj që duhet ta dish, sidomos mund të të hy në punë në dendësinë e rrëfimit, në disa vargje të cilat unë i mbajë në mend nga libri i leximit në shkollën fillore: “Ballabani kopiloni, zog Shqipnie\ pash Turqie, theri kalin la ushtrinë\ si arush mësyni Topinë”. Katër- pesë vargje më të cilat ti mund të bësh një kuadër-sekuencë dhjetë minuta, me shumë dinamikë ndeshjesh kalorësiake, me plane të afërta, të mesme e panoramike, me prerje të shkurtra kuadrosh disa sekonda, por edhe disa minuta, me montazh paralel që afron kohën në të njëjtët minuta. Është një dramë e veçantë e jashtëzakonshme e ndeshjes së dy botërave të kundërta, por edhe e pabesisë e egërsisë.

Dhe kur ti kesh grumbulluar të gjitha këto fakte e të dhëna, kur ti kesh rikujtuar edhe një herë, atëherë të gjitha i ke përpara: kronikën e Marin Barletit, dramat e rilindësve evropianë, historinë e frymëzuar të Naimit e të Nolit, krahas dokumentares e imagjinares së Godos, ose elementit artistik që të le pa frymë të Kadareja.

Prej teje pastaj varet se të cili do të mbështetesh më shumë, pra të cili burim do të pish më me ëndje, sepse nga njëri prej tyre do të kesh pikënisjen, ose do të kesh besim më të madh.

Çfarë të besh kur të gjitha këto i shkrin apo i gërsheton? Mbase edhe mund ti shpërfillesh duke gjetur zgjidhje dramaturgjike të tjera, dialogun që nuk është as në tekstet e rilindësve evropianë e rilindësve shqiptar, as në romanet e Godos e të Kadaresë.

Por një gjë s’mund ta shmangësh: fakteve historike të ndeshjes së Gjergj Kastriotit me turqit, problemet e heroit tonë me princat e Arbërit të cilët më vështirësi e pranonin dike tjetër mbi ta, edhe atëherë kur i kërcënonte armiku i përbashkët.

Kur ti kesh afruar të gjitha këto s’të mbetet pos ethet e krijimit dhe netët e vetmuara.



(Fragment nga libri në dorëshkrim “Adaptim për film” (si të shkruash një skenar të frymëzuar nga romani, tregimi, drama, fejtoni apo kronika sociale e gazetës).


Operacioni Kundërshtari i Dobishëm(Operation Valuable Fiend)


 image

Pasnesër ,me  3 qershor 2014  del nga shtypi në Shtetet e Bashkuara dhe në Shqipëri libri i autorit shqiptaro-amerikan, Albert Lulushi mbi historinë e misionit të parë të Agjencisë Qendrore të Zbulimit Amerikan, CIA. Libri e ka titullin, "Operation Valuable Fiend'' ose në shqip, "Operacioni Kundërshtari i Dobishëm." Është ky një libër që përshkruan në hollësi përpjekjet amerikane për të përmbysur regjimin komunist të Shqipërisë, duke filluar nga viti 1949. Por më parë se të flasim për librin, pak informacion mbi autorin, Albert Lulushi. Ai ka lindur në Shqipëri dhe është larguar nga ai vend më 1990 dhe tani jeton në shtetin Virxhinia afër Washingtonit. Z. Lulushi ka bërë një karierë jashtzakonisht të suksesshme në fushën e teknologjisë së informacionit, duke punuar me ente të ndryshme të Qeverisë Federale dhe me firmat amerikane më të njohura të grupit të kompanive shumëkombëshme, që njihen si Fortune 500. Përveç librit, “Operacioni Kundërshtari i Dobishëm”, Albert Lulushi është autor i njohur i disa librave në fushën e teknologjisë së sistemeve të informacionit të cilat janë botuar nga shtëpitë botuese më të njohura në Amerikë. Më duhet të rrëfej se unë e kam njohur Albert Lulushin -- për të cilin ruaj një respekt të posaçëm -- pothuaj ç’prej ardhjes së tij në Amerikë në fillim të 90-ave, fillimisht në kapacitetin e tij si përkëthyes për zyrtarët më të lartë të Shteteve të Bashkuara, për pothuaj 20-vjetë. Si i tillë Albert Lulushi ka qenë dëshmitar i zhvillimit të marrëdhënjeve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë dhe me Kosovën. Andaj, si pjesëmarrrës në zhvillimin e këtyre marrëdhënjeve gjatë 20-viteve të fundit, interesimi i tij për historinë e marrëdhënjeve midis vendit të tij të adoptuar, Amerikës dhe vendlindjes së tij, Shqipërisë, është krejtësisht i natyrshëm dhe tepër i dobishëm, gjë që pasqyrohet në secilin kapitull të librit.



  Albert Lulushi me gazetaren e Zërit të Amerikës(VOA )  Rudina DERVISHI

Libri me titull, “Operacioni Kundërshtari i Dobishëm” i autorit Albert Lulushi, në thelb përshkruan historinë e një operacioni qëllim mirë, por me plot probleme logjistike dhe personeli, mosmarrveshsesh e intrigash, i ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara në përpjekje për të përmbysur regjimin komunist në Shqipëri, por fatkeqsisht një mision ky i cili në fakt dështoi keq dhe në mënyrë të mjerueshme, sidomos për shumë prej atyre shqiptarëve që morën pjesë në planifikimin dhe në zbatimin e tij, duke e paguar edhe me jetën e vet dhe me një kosto të lartë për familjet e tyre.


Megjithëse me vite dhe dekada është debatuar dhe janë hedhur teza se si dhe pse dështoi operacioni i CIA-s në fillim të 1950-ave për rrëximin e regjimit komunist në Shqipëri – përfshirë këtu edhe versionin e propagandës së regjimit komunist shqiptar -- studiuesi Albert Lulushi më në fund përmbledh të gjithë faktorët e shumtë, që sipas tij mund të kenë kontribuar në dështimin tragjik eventual të misionit. Një ndër faktorët që në të kaluarën i atribohej dështimit të misionit, ka qenë roli që thuhej se ka luajtur Kim Filbi, agjent i dyfishtë anglo-sovjetik. Një ndër mbështetsit e kësaj teze ka qenë edhe autori anglez Nicholas Bethel, i cili ka shkruar më 1984 se misionin amerikan që kishte për qëllim rrëximin komunist të Enver Hoxhës, e kishte sabotuar agjenti i dyfishtë Kim Filbi, me pretendimin se Filbi duke qenë në dijeni të planeve amerikane të operacionit, i kalonte informacionin Moskës dhe Moska nga ana tjetër informonte Tiranën. Albert Lulushi nuk hedhë poshtë krejtësisht këtë tezë, por minimizon rolin që mund të ketë luajtur Kim Filbi në dështimin e operacionit, duke thënë se agjenti Filbi ishte zbuluar tanimë si agjent sovjetik dhe si përfundim u detyrua të largohej nga Washingtoni në vitin 1951. Kështuqë autori argumenton, bazuar në dokumentacionin e deklasifikuar të CIA-s për operacionin e koduar “BGFIEND”, se dështimet më të mëdha të operacionit amerikan u shënuan pas largimit të Filbit nga detyra e tij në ambasadën britanike në Washington, dmth nga viti 1952 deri në vitin 1954, kur u ndalua operacioni, e për të cilin merret me mend se Filbi nuk kishte dijeni as informacion mbi hollësitë e planit dhe përgatitjet për infiltrim në Shqipëri, gjatë asaj periudhe.


Historia e këtij operacioni filloi pas prishjes së Stalinit me diktatorin komunist Tito të Jugosllavisë në vitin 1948. CIA, e cila posa ishte themeluar, kishte marrë përsipër detyrën për të zmbrapsur komunizmin në Europn Lindore dhe në bashkpunim me shërbimin sekret britanik vendosën të bëjnë planet për operacionin e parë para-ushtarak në historinë e kësaj agjencie, në Shqipëri. Si përfundim i prishjes jugosllave–sovjetike, Shqipëria komuniste ishte në një qorrsokak dhe konsiderohej si një vend i përshtatëshëm për të bërë përpjekjet e para për të minuar komunizmin, duke filluar kështu me regjimin e Enver Hoxhës, ndoshta edhe duke pasë parasyshë Shqipërinë si një vend jo sllav në sferën komuniste sllave, që ndoshta mund të shkëputej nga sfera komuniste dhe të bëhej si shëmbull se regjimet komuniste mund të përmbyseshin në Europë. Agjencia CIA e filloi këtë mision para-ushtarak me rekrutimin e imigrantëve vullnetarë shqiptarë të arratisur nga komunizmi, të cilët ishin vendosur në kampe refugjatësh në Europë. Pasi rekrutoheshin, ata dërgoheshin për trajnim dhe pas disa javë përgatitjesh, grupe të vogëla hidheshin si parashutistë në Shqipëri me qëllim për të minuar regjimin e Enver Hoxhës. Sipas Z. Lulushi, në teori plani ishte i përgatitur mirë, por kur erdhi puna tek zbatimi i tij logjistik, megjithë qëllimet e mira të planifiukuesve si Z. Frank Wisner, operacioni lente shumë për tu dëshiruar, gjë që më në fund çoi në dështimin e kësaj nisme.


Autori Lulushi, në librin e parë mbi këtë subjekt të rëndësishëm si për publikun amerikan ashtu edhe për publikun shqiptar, por njëkohësisht mund të thuhet edhe për historinë e marrëdhënjeve shqiptaro-amerikane, i paraqet lexuesit të vërtetën në të cilën ai ka patur mundësi të arrijë mbi operacionin e CIA-s në Shqipëri, duke u bazuar në qindra dokumenta të CIA-s që janë deklasifikuar deri tani, memoare, si dhe në kujtimet e pjesëmarrsve dhe protagonistëve kryesorë të operacionit, siç është Z. Frank Wisner, i cili mbetet ende shumë i interesuar në çështjet shqiptare. Albert Lulushi paraqet pikëpamjet e ndryshme dhe faktorë që kanë luajtur rol mbi këtë operacion si dhe ofron për lexuesin faktet që ai i ka zbuluar nga vet pjesëmarrsit, si dhe nga burimet amerikane mbi këtë operacion, burime të cilat nuk përputhen gjithmonë me propagandën komuniste të kohës që e trumpetonte dështimin e këtij operacioni si fitore të saj.


Autori radhitë një numër faktorësh që ai thotë se kontribuan në dështimin e operacionit për të përmbysur regjimin brutal të Enver Hoxhës. Ndër të tjera ai fajëson edhe degë të ndryshme të CIA-s dhe shërbimet e tjera mike, siç ishte shërbimi i fshehtë britanik, për mungesë bashkpunimi midis tyre. Por, përveç kësaj, dhe mbi të gjitha, Lulushi shkruan se një pjesë e madhe e dështimit të operacionit mund t’i kushtohet konflikteve dhe mosmarrveshjeve midis fraksioneve anti-komuniste shqiptare të pas Luftës së Dytë Botërore, të cilat sipas autorit, nuk kishin asgjë të përbashkët midis tyre, përveç urrejtjes që kishin për Enver Hoxhën.


Libri i Albert Lulushit, "Operation Valuable Fiend'' ose në shqip, "Operacioni Kundërshtari i Dobishëm", është një përmbledhje e re faktesh e dokumentacioni dhe si e tillë bindëse për hir të fakteve që paraqet për operacionin e parë anti-komunist të CIA-s në Shqipëri. Z. Lulushi paraqet dilemat e ndërlikuara të zhvillimeve dhe planeve politike dhe ushtarake me të cilat përballeshin planifikuesit e këtij operacioni dhe ve në dukje ndasitë, përçarjet dhe mosmarrveshjet në radhët e grupeve kryesore anti-komuniste të kohës në lidhje me operacionin si dhe mbi të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.


Andaj, duke marrë parasyshë edhe gjëndjen e sotëme politike kudo në trojet shqiptare, libri i Albert Lulushit, përveç rëndësisë historike të tij, përmban një mesazh të rëndësishëm edhe për politikën e sotëme shqiptare. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, duke iu përgjigjur pyetjes se përveç vlerave historike që ka libri, cili është mesazhi për shoqërinë dhe politikën e sotëme shqiptare tashmë demokratike, autori Lulushi ka thënë: “Një aspekt që mendoj se libri ka vlerë është se e tregon historinë në mënyrë faktike duke u bazuar në dokumente pa influenca subjektive të pikëpamjeve të ndryshme. Por edhe një mësim tjetër që mund ta shikojmë në një shkallë më të lartë është se, për mendimin tim, një nga arsyet pse operacioni dështoj ishte se forcat antikomuniste shqiptare nuk arritën të bashkoheshin në një front unik ashtu siç nuk u bashkuan gjatë luftës edhe pas luftës ata vazhduan që të ishin të përçarë dhe të luftonin me njëri-tjetrit. Po të shikosh për shembull në vitin 1999 kur kishim konfliktin në Kosovë, edhe pse kishin divergjenca midis tyre, forcat politike shqiptare paraqitën një front të bashkuar, dhe patën sukses. Si një mësim, për shembull, për palët në politikë sot, si në Kosovë edhe në Shqipëri, sidoqë mund të ketë divergjenca brenda për brenda, për sa i përket aspektit ndërkombëtar, aspektit të avancimit të çështjes së kombit shqiptar në bashkësinë ndërkombëtare, duhet të ekzistojë në front i bashkuar,” ka thënë studiuesi Albert Lulushi, për Zërin e Amerikës.


Është ky një mesazh domethënës i një libri me rëndësi pra për të kuptuar më mirë të kaluarën por edhe një mësim për të ardhmen. “Është një libër i mirë-dokumentuar mbi njërën prej operacioneve më pak të njohura dhe më të keq-kuptuara të Luftës së Ftohtë. Është një tregim interesant dhe i shkruar shumë mirë, megjithëse është një tregim shkurajues dhe demoralizues”, kur merr parasyshë mos-realizimin e objektivave të caktuara të operacionit, ka vlerësuar librin e Albert Lulushit, Ambasadori Frank Wisner njëri prej protagonistëve dhe planifikeusve kryesorë të operacionit.


"Operation Valuable Fiend'' ose në shqip, "Operacioni Kundërshtari i Dobishëm", i autorit Lulushi, përshkruan një operacion që u ndërmor për arsye dhe qëllime të drejta, por ndoshta një mision që u ndërmor nën rrethana të papërshtatshme dhe me mënyra të gabuara, të cilat përfunduan në dsëhtimin e tij. Zoti Lulushi i sjellë lexuesit amerikan dhe atij shqiptar një vepër të rëndësishme, mbi një ngjarje me rëndësi historike, që deri më tani nuk ka tërhequr ndonjë vëmëndje të madhe nga studiues seriozë, duke kontribuar në këtë mënyrë në një kuptim më të mirë të operacionit dhe të qëllimeve të tija dhe duke hedhur dritë mbi një periudhë të historisë së marrëdhënjeve amerikano-shqiptare, për të cilën deri më tani nuk dihet shumë.


Frank Shkreli

Dy poezi nga Fatmir Terziu



image


Nga Fatmir Terziu


Shtëpia ime


Nën hijen e gjetheve të shukatura të caracës,

kokërzat e vockla u bëjnë roje nderi hijeve,

varëse të ndryshkura të telave me gjëmba,

mes tyre harliset melodia,

kakofonike e shpirtit,

letargjia.

E verdha e shkuar e një bote mediokre,

tajfunet mbi të fryrën e një dërrase,

uji i gjerbës së harruar të çatisë,

njollon shpirtin e fotografisë,

të mbytur prej vetmisë. Shurdhësia

hepohet deri në pore të syrit,

miopia, verbëria e gjallë e njerëzimit,

kalbet tek puthja e malluar e një çifti,

nga suvaja e tejlagur e tavanit,

copat e kallamishtes shkulen si njolla zifti,

përtej çdo parashikimi.

Çdo gjë në këtë pamje të ngrirë,

betohet për kokë të vet,

çdo gjë mbarset si në psallmin e një bible,

të pashkruar,

nga lutjet e munguara në sofrën e shtruar.

Ti më vërtitesh e vërtitesh duke pozuar,

dashuria ime e vërtetë,

çdo gjë para teje si në celuloid grish,

bukurinë e vet.



Dehja e Londrës


Begonjëza e zbukuruar e rrugicës sime,

krihet elegante në xhamin e makinës përballë,

shpërndan aroma të uiskta,

përvjedhur majave të ngrira skoceze,

në heshtjet e veshura pas perdeve,

me bulëza të ftohta. Hija e takave

si një gjuhë e tejzgjatur lëpirëse

sheqeroset majëzave të fryra të xhunglës asfalt,

pas pickimeve zhbiruese të zogjve,

reja qaset si një elefant. Londër,

me gjasa sot do të ishte ditë me diell

qielli gjithë ditën ka krehur flokët,

begonjëzës së eshkët iu deh shpirti,

me gotën plot uiski.

Kjo është festivja londineze,

mes shakave të Zotave, lëvizjes së ajrit,

trupit të lagësht,

prej lëvizjeve të minarta të gotave,

nuk e njeh dehjen. Paleta dhe panele

shkëmbehen ngjyra-ngjyra,

leksioneve të gjata mbi pasqyra,

mëtohen përshpirtje të gjalla e praktike,

me aromën e uisktë,

prej begonjëzës sime simpatike

Botohet romani i panjohur i Ismail Kadaresë, “Mjegullat e Tiranës”

image

Kthimi në kohën e shkrimeve të para është gjithnjë grishës për një shkrimtar. Ismail Kadare ishte student kur nisi të shkruante romanin që për vite me radhë mbeti aty, diku mes morisë së dorëshkrimeve të tij. Gati një vit më parë, në media u fol për ekzistencën e një romani të shkruar herët nga shkrimtari, të cilin ai kishte vendosur ta sillte së shpejti në formën e një libri për lexuesin. Tashmë lexuesit e veprave të Kadaresë do të kenë mundësi të lexojnë historinë që ai e shkroi shumë herët, por për ata që kanë mundur ta lexojnë në dorëshkrim nga stili dhe forma, nuk dallon në kohë. Gjenialiteti i shkrimtarit ka qenë brenda tij që 20 vjeç. “Mjegullat e Tiranës” quhet romani që shtëpia botuese “Onufri” sapo ka hedhur në treg. Në faqen e saj në “Facebook” ky ent botues njofton për daljen nga shtypi të këtij libri të shumëpritur. Për një kohë të gjatë, askush nuk e dinte ekzistencën e një romani të panjohur të Ismail Kadaresë. Dukej sikur ai vetë e kishte harruar romanin e tij të parë “Mjegullat e Tiranës”, shkruar gjatë kohës kur ishte student në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë, në vitin 1957-1958. Askush nuk mund t’i ndërhyjë një autori lidhur me vlerësimin e veprës së
tij prej atij vetë. Pavarësisht nga njëfarë misteri që ka rrethuar dhe vazhdon të rrethojë vonesën jashtëzakonisht të gjatë të publikimit të kësaj vepre prej vetë Kadaresë, ajo përbën, në vetvete, një kureshtje të veçantë për lexuesit e tij, e sidomos për studiuesit dhe hulumtuesit e letërsisë. Romani shoqërohet me një bisedë me autorin dhe komente nga shkrimtarja Viola Isufaj.


Ismail Kadare, para se ta shkruante këtë roman, kishte botuar dy përmbledhje poetike. Më 1954 kishte botuar vëllimin me poezi të viteve të gjimnazit “Frymëzimet djaloshare”, ndërsa më 1957 vëllimin “Ëndërrimet”. Në vitin 1964, ai botoi romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, veprën e tij më të njohur, e cila konfirmoi talentin dhe forcën e tij të jashtëzakonshme si shkrimtar. Vitet e fundit Kadare u është rikthyer shkrimeve të hershme. Vetëm një vit më parë, ai botoi përmbledhjen me tregime “Bisedë për brilantët në pasditen e dhjetorit”. Për lexuesin kjo përmbledhje erdhi si një sprovë e rrallë e shkrimit, ku tregimi më i hershëm qëndron krah për krah me atë më të fundit. Si në shfletimin e një albumi, ku i njëjti portret është njëkohësisht identik, por dhe i ndryshëm gjatë rrjedhës së kohës, diçka e përhershme ngulmon të shfaqet në secilin tregim apo novelë. “Mjegullat e Tiranës” është romani më i ri i shkrimtarit, ai bëhet më interesant për lexuesin dhe për faktin që e ka shkruar në një moshë shumë të re. Në dorëshkrimin origjinal ai e kishte quajtur atë “Dashuria e dytë”. Në qendër të romanit është një histori dashurie në Tiranën e pas viteve ‘50.

Filozofia metafizike e lundrimit në vargun poetik të Matos




Filozofia metafizike e lundrimit në vargun poetik të Matos 
Nga Fatmir Terziu
 Abstrakt


Në këtë analizë të librit më të ri poetik të poetit Agim Mato duam të ndalemi në lidhjen metaforike që qaset mes artit të fjalës për të ripërcaktuar përmasat logjike dhe artorganik të fjalës që lëvrohet nga ndikimi i një hapësire kulturore. Te vëllimi poetik “Lundrimet” (2014) me redaktor, një emër të njohur në letrat bashkëkohore shqipe, Pandeli Koçi (alias Sazan Goliku) dhe në botimin e “Milosao”-s, poeti Agim Mato na jep një qashtërsi (më shumë se qartësi poetike) prognozën filozofike të lidhjes dhe arsyes me detin, mes një metafore që lind, rritet dhe zhvillohet e pavdekshme te procesi më determinues i lidhjes së njeriut me detin, lundrimin (brenda shpirtit si nocion). Lundrimi është vetë roli që arsyeton, por që edhe na jep mundësinë të kuptojmë më thellë. Për këtë studimi do të ndalet te roli i detit në kulturën njerëzore, aspektualiteti i tij Jonik në krijimin ndikues të rrethnajës, ndikimi i lundrimit si filozofi në vargun e poetit dhe më tej me një zbërthim të tërë dimensionit që jep vëllimi, si qasja kulmore në krijimtarinë poetike të viteve që pasojnë një vrull poetik të vargut të bardhë. Mes kësaj ndalesat do të jenë për të dhënë arsyen, pse A.Mato mbetet një poet tipologjik me vlera në krijimtarinë e tij.

Deti, rrethnaja e dyfishtë kulturore tej lundrimit nga vetja

Roli i detit në kulturën njerëzore ka qenë i rëndësishëm për shekuj, ndaj dhe si i tillë edhe për poetin Mato ai vazhdon të jetë më shumë se arsyeja e arsyeve. Deti është vetë procesi, zhvillimi, heshtja, gëzimi, trishtimi dhe vetë komunikimi. Si poet dhe si njeri ai e përjeton detin në mënyra të ndryshme, herë të qeta dhe pajtuese, por jo pak herë edhe kontradiktore. Deti në vargun e tij është jo thjesht det, por një aspekt ku zanafill ‘lundrimi’ poetik. Ai është aq i fortë, por i qetë, i bukur, por i rrezikshëm. Përgjigjet e poetit Mato në det mund të gjenden në artformësimin e përfshirë të letërsisë poetike të tij, në ndjenjën dhe shijen e artit piktoresk, poezinë e krijuar në vite, filmimin mes kujtesës dhe kapjeve të aparatit, teatrin e tij jetik dhe njerëzor të luajtur mes heshtjes dhe përndjekjes në vite, dhe muzikalitetit klasik të valëve. Një art i tillë ka ardhur në leximin e poetit mes njohurive dhe shijeve të tij, ndoshta me atë që hershmëria e përfaqëson që 40.000 vjet të shkuara. Që atëherë, artistë në vende dhe kultura të ndryshme kanë përshkruar detin, ndoshta në një kah të ndjeshëm me shpirtin e tyre artist. Profesori Eqerem Çabej që herët në studimin e tij monografik “Për gjenezën e literaturës shqipe” (1939: 61-65) thekson se ‘një aksiomatikë e dyfishtë’ ka ekzistuar mes këtyre lidhjeve dhe literaturave. Si pasojë deti dhe lundrimet janë përshkruar në art, duke filluar nga vizatime të thjeshta në muret e kasolleve në Lamu nga i mirrënjohuri Joseph Turner. Artisti Japonez Katsushika Hokusai ka krijuar punime me ngjyra të disponimit të detit. Deti është shfaqur në letërsi që nga “Odisea” e Homerit (shekulli i 8-të pes). Deti është një temë e përsëritur në poezinë e haikut japonez të lëvruar nga poeti Matsuo Basho (1644-1694). Në letërsinë moderne europiane, romanet e detit dhe të frymëzuara si të tilla janë shkruar nga Joseph Conrad, Herman Wouk, dhe Herman Melville. Deti ka frymëzuar shumë muzikën gjatë shekujve. Varrimi në det ka qenë praktikuar në mënyra të ndryshme nga vende të botës që nga qytetërimet e lashta të Egjiptit, Greqisë dhe Romës. Kështu lundrimi në det ka qenë dhe mbetet formëzimi i gjithë pranisë jetike dhe të përtejme, madje edhe një arsye për të rikrijuar komunikim me rrethnajën. Kështu mbetet tek poeti Mato edhe mes vëllimit, por që nis edhe tek poezia “Deti”: “Ishe altari ku rrëfehesha. Flisja e flisja mes mërmërimës/së dallgëve/me një zë që të mos kuptohej nga të tjerët./Kur ngriheshin tallazet e tua,/e ngrija edhe unë zërin/dhe bërtisja mbi shkëmbinj nga frika se s’ më dëgjoje.” (Mato, 2014: 5). Shihet qartë mes kësaj poezie ajo që në fjalën e Çabej vjen si një ‘niveau’ (nivel) kulturor, ku qasen reagimet njerëzore (ibid).
Reagimet e njeriut në det janë gjetur në letërsi, art, poezi, film, teatër, dhe muzikë klasike, si dhe në mitologji dhe në interpretimin e ëndrrave psikoterapeutike. Rëndësia e detit të kombeve detare është treguar nga ndërhyrja që ai bën në kulturën e tyre; përfshirja e saj në mit dhe legjendë. Përmendja e tij në fjalë të urta dhe këngë popullore; përdorimi i lundrimeve në ofertat kushtimore; rëndësi e lundrimeve dhe deti si nocion në ceremonitë e pranimit dhe në ritet mortore; fëmijët duke luajtur me anije lodër; të rriturit me anijet e mëdha; turmat e mbledhura në nisjen e një anijeje të re; njerëz duke përsiatur në mbërritjen ose largimin e një anijeje dhe qëndrimin e përgjithshëm ndaj çështjeve detare. Këto e mjaft dukuri të tjera që lidhnin Sarandën dhe lidhin tashmë më gjerë në hapësirën e saj ujore me fqinjin kulturor, si në Jug dhe më gjerë, i japin vargut dhe njëkohësisht, poetit dhe piktorit, artistit dhe vizualpikturuesit Mato, arsyen pse vargu i tij thith dhe jep ajër mes lundrimit detar. Simbolikisht deti ka qenë prej kohësh dhe konsiderohet ende si një mjedis armiqësor dhe i rrezikshëm, pasi është i populluar nga krijesa fantastike: Leviathan gjigant i Biblës, Scylla në mitologji greke, Isonade peshkaqeni në mitologjinë japoneze, anijet e gëlltitjes në mitologjinë skandinave. Por edhe në veprat e filozofit Karl Jung, deti simbolizon personalen dhe atë pa ndjenja kolektive në interpretimin e ëndrrës. Vargu i Matos, e gjen dhe pështjell ëndrrën e tij të ndaluar nga ‘kartonizimi’ mes detit, lundrimit dhe valëve e dallgëve të tij: “Më mbuloje atëherë me shkumë/dhe lëpija kripën tënde/së bashku me lotët.” (ibid).
Siç shihet vlera e detit, mes vargut të Matos, merr një përmasë tjetër. Ndoshta ajo që bashkon dhe ribashkon filozofikisht kulturat. Në Azinë Juglindore, rëndësia e detit rritej mes vlerave epike, princeshat në ishuj të largët, përbindëshat dhe peshqit magjik tek përgjojnë në humnerë futen edhe mes vargjeve të poetëve. Janë jashtë izolimeve, por edhe brenda dyzimeve. Kjo e qartë te vargjet e poetit ku “Oqeanikët me dritat shumëkatëshe kalonin përballë/dhe nuk e ceknin tokën time, pëlhurat e velierave/atje larg i shtynte një erë tjetër/që mushkritë e mia s’e kishin provuar.” Dhe ku poeti vjen dhe qëndron mes detit si “...një Robinson Kryzo i vogël,/derisa gjiri u skuq nga balta që tretej/dhe pemët u shembën mbi ujëra, si udhëtimet që nuk/i bëra.” (ibid). Autori lexonte literaturën e ndaluar, që ia kishte lënë mënjanë fshehurazi babai i tij vizionar, Remzi Mato, artist në novacionet e tij, i papajtuar me stuhinë e dallgëve të sistemit, dhe kuptonte se ‘mbretërit’ e hapësirës detare ishin vargjet, arti i fjalës, që ashtu si shumë kombe që besonin se Poseidoni ishte zot i detit, edhe vetë ky varg i bardhë, i lirë ishte pikëtakuesi me mitin. Këtu ai padashje i jepte jetë në zhvillim vetë artit jonian, atij arti që merrte volumin e frymëmarrjes nga ‘influenca e thellë’ ku ‘distanca midis poetit dhe popullit’ nuk ishte shumë e madhe (Çabej, 1939: 61-65). Kjo distancë bëhej edhe më e ndjeshme në lidhjen artorganike me detin: “Pranë meje notonin peshq të ngathët/e të verbër të thellësive,/të pamësuar me dritën,/të rënë sa herë në rrjeta dhe të gjuajtur/me shkelma nga peshkatarët, sërish në ujë./Isha si i verbuar edhe unë nga një pluhur i dëndur/drite./Tërë fjalosjet vetmitare,/tërë rrëfimet e pafundme me ty/filluan të më rrethonin/si një brerore e padukshme shpresash/që ngjitej nga thellësia e labirinteve nënujore./Ndjeja të më merreshin mendtë/dhe mesdita më flakte pranë teje,/dhe gjumi më zinte përzier me rërën e nxehtë,/me algat përsipër/dhe valët që më rrihnin në brinjë./Shaluar mbi një kalë deti bridhja në thellsirat e/ëndërrta të koraleve/dhe ndjeja të më firasej trishtimi,/të më avitej Poezia,/si rrezet e dritës/që kullosnin mbi hapësirën tënde, o det./Frikë nuk pata më se mos më dëgjonin të tjerët.” (ibid). Kështu frika se mos e dëgjonin të tjerët, e bënte poetin të strukej në këtë det, mes lundrimit të tij të heshtur, pasi ai kishte format e tij të hershme të datuara e të tipologjizuara në mjedisorganikën e tij kulturore, ku vetë lidhja jonike transmetonte në heshtjen e saj. Ky det i shfaqur në literaturë, të paktën që nga koha e Homerit, i cili e përshkruan atë si “e verës së detit të errët” (oînops PONTOS), tashmë qasej deri në strukun e majëfjalës së zhytur në thellësinë e mendimit të poetit Mato. Ndërsa tek “Odiseja” gjente pikërrëfimin e udhëtimin e heroit Odise që lufton për t’u kthyer në shtëpi nga përtej detit pas luftës me trojanët, e përshkruar në Iliada, ai, pra poeti shqiptar, Mato gjente arsyen të rikthente në vetvete fjalën e artë që përballej me Trojën e kartonizimeve, me ndalimin e tij lundrues e të qetë poetik. Fluturimin e tij të përçart e merr nga një vend në një tjetër, duke përjetuar ndër rreziqe të tjera detare, ku shfaqet deti i ri përbindësh, jo si atëherë Scylla, vorbulla Karridba dhe ishulli Ogygia i nimfës Calypso, por tërë nomenklatura tjetër që lagej në det dhe jetonte tej detit dhe hallve të tij, ajo që shfaqej e frikshme në arsyen e joarsyen e fjalës. Ndaj dhe vetë poeti citon se “Lundrimet e mëdha fillojnë nga shpirti”. Në ndihmë na vjen edhe Çabej me dy aksiomat e tij, ku thekson e para është influenca e rrethnajës krijuese dhe e dyta është ngjyra politike e shkrimtarisë, me qenë se fatet e posacme socialpolitike kanë shtruar njëinfluencë të shënuar në të lindurit e literaturave’ (ibid). Poeti, sipas Çabej, është ‘një prijës shpirtëror’ që i ka ‘rënë këtu zakonisht dhe barra e apostullit nacional’ ku gjithnjë duhet ta vendosë penën në shërbim të identitetit të tij, kulturës së tij, arsyes dhe mendimit në të mirë të fateve njerëzore dhe të vendlindjes (ibid). Kjo lidhje me vargun e Matos është më shumë se lundrim, është një falënderim ekzistence, për njeriun e tij të dashur, më të afërtin e jetës, atij që i dhuron edhe ekzistencën: “Kur erdhe ti/u terratisën perënditë e rreme/që vërtiten rrotull njeriut./Deri në ato çaste nuk e dija që ekzistoje.” (ibid). Është kjo ekzistencë pikërisht në lundrimin e poetit ku jeta, toka, hapësira dhe deti marrin forma të reja: “Drita që solle papritur ma trembi vetminë/dhe, i pamësuar me të, nuk guxova/të rri gjatë përballë teje,/që të mos vuaja. Pyesja hijen time/prej Heminguei dhe ajo bëhej më memece se unë.”. Është kjo ekzistencë që mes lundrimit mbeti një besnike e përbetuar e artit të fjalës, që në jo pak raste mundej dhe mundohej nga heshtja e dallgëve që shkisnin vetëtimthi.

Aspektualiteti Jonik dhe rrethnaja si tipologji midis formës dhe strukturës

Në përgjithësi vargu i poetit Agim Mato, i qasur mes dallgëve të shpirtit dhe atyre të rrëthnajës, apo edhe vetë detit Jon, i japin qasje të lirë aspektualitetit Jonik, ku rrethnaja determinohet dhe agravon deri në detajin më të ndjeshëm. Gjeografikja si e tillë rrjedh e nxehtë në hapësirën që krijohet si tipologji midis formës dhe strukturës. Herë pas here ‘stanzat’ variojnë dhe vargu i Matos kapërcen numeracionin vargor dhe enumeracionin metaforik e logjik, ku secili përmban një numër të ndryshueshëm të vargjeve. Pjesë lojëparësore poetike shihet në strukturimin e tij, përthyerjen sipas logjikës poetike, ndalesën e reduktuar, ndryshesën në arsye dhe kapërcimin foljor. Tek mjaft poezi të tij shihen katërmbëdhjetë  rreshta, i dyti, i treti dhe i katërti kapin numeracione të ndryshme që variojnë. Sa për skemën në vargje, nuk ka skemë të dukshme rimëbrendore, ose logjike, që synon një vend trajtimi të lirë të modelit bazë jambik që zakonisht ushtrohet pak herë nga autori, por që veçon në strukturën e tij. Në mjaft poezi ka një seri të zanoreve të hapura (melankolike, të gjatëvëna, tërheqjen në arsyetim për të na dhënë një minigjëmim të brendshëm brenda zanores, si në përshpirtjen e saj zanore kur lidhet me arsyen e fjalës). Në përgjithësi vihet nga fillim në fund të poezive një ritëm në rënie sintaksore që mund të zbulohet në leximin e vazhduar të në strofës që herë pason e herë ngushtet deri në sakrificë ndjesore. Në këtë mes vetë strofës së tillë tipologjike të poezisë së Matos, mund t’i qasen lundrimet e brendshme me shtatë rreshta të pentametrit jambik, me skemën e një rime logjike që afërsohet në skematikën tradicionale të abbacddcc, por jo të ngjeshur në rimëzim dhe adoptesë. Kjo lloj poezie, tipike e Agim Matos, mund të shihet si një seri tingëllimash jo të plota, ku dy pjesët e para çdoditësohen në mendësinë e akumuluar të kulturës së kujtesës dhe të krijuara nga 14 linja që sugjerojnë se qëllimi nuk është të arrijnë për të arritur formën e rreptë sonet, por të ritmojnë në heshtje atë që autori kërkon ta lundrojë në përshpirtjen e tij. Me përjashtim të njëlinjëvargu të shkurtër (tri këmbë) të hapjes, pjesa e fundit e një poezie të tillë imiton oktavën e një soneti të mbyllur me një qëllim të vetëm, linjën klimatike të vendrrethnajës, që zakonisht është tipike ‘jodike’ ose joniane e sqaruar edhe në studimet e mia të mëparshme, ku duket se sikur pjesa e fundit e një poezie përcjell pesë linjat e brendshme e të ndjeshme të vargut. Shembujt janë shumë, por poezia “Lundrimet e mëdha fillojnë nga shpirti” na shpie pikërisht në kuptimin e plotë të kësaj analize dhe vetë strukturës së saj: “Përpiqem të gjej rrënjët e dëshpërimit/ku është mpleksur spiranca e lundrimeve të tua./Hetoj ujërat e kaltërta të syve të tu,/llokoçitjen e halave të qerpikëve, si shelgje lotues,/ku frika ka ngritur folezat e një dyshimi./O brishtësi e trembur, o turbullim miturak,/O trumcak i uritur për një gllënkë qiell,/mos e lerë dritën tënde të përpëlitet nga terri,/mos e lerë shikimin të më pyesë me këmbëngulje/për dramën e një udhëtimi të ndërprerë/që mendon se luhet brenda teje./Ç’dramë? – të them unë. Pa shikomë,/nuk të dukem si një pyll i djegur nga rrufetë e fatit?/A nuk e sheh se përditë mbledh hirin tim/dhe ua hedh sërish shpresave për t’i rritur nga e para?” (ibid).
Poezia e Agim Matos është një poemë pëshpirtjeje e kombinuar me adekuaten ekujtesës kulturore të mbledhur në vite. Matthew Arnold përdor termin ‘prekës’ dhe ‘ndikues’ ndërsa përcjell një analizë për një strukturë të tillë poetike (Arnold, 2005: 47).  Kur ai ia atribuon këtë me ndjenjën njerëzore mbi një objekt të pajetë si deti, natyrisht bëhet më interesante si nga vetë aspektualiteti Jonik po ashtu edhe nga rrethnaja si tipologji midis formës dhe strukturës. Në të njëjtën kohë ai krijon një ndjenjë të patosit. Lexuesi mund të ndiej simpati për të vuajtur vetë lirikisht mes vargut që pëson në kushtet ekzistuese të rrëfimit filozofik dhe strukturor të poezive. Përsëritja e herëpashershme në disa poezi të Agim Matos, është përdorur për të ilustruar peizazhin e fshehur mes natës dhe ditës në mjedisin bregdetar: “Në ç’liman pret të të brohorasin për finishin?” (ibid). Ajo të çon deri në një pikë kulmore eventuale me: “Vërtet, nuk e di se lundrimet e mëdha fillojnë nga shpirti?”
Në heshtje të dyja këto portretizojnë, ku shfaqen lundrimet dhe shpirti. E para është ajo që mund të shihet. E fundit është ajo që thekson se drita nuk është atje, se ajo nuk mund të shihet më gjatë, rendi është zhdukur dhe lë pas asgjë, por errësira fshihet në shpirt. Në një kuptim metaforik të fjalës, jo vetëm që drita është zhdukur, qëllimi s’ka siguri, por lundrimi që fillon nga shpirti i është qepur pjesës së errët dhe errësira e struk atë. Errësira e bën të vështirë për të përcaktuar pozitën e lundrimit dhe dikush tjetër qaset në këtë mjedis të errët, dhe kurrë nuk mund të jetë i sigurt që do të kthehet drita ndonjëherë, përpos ekzistencës strukturore të vargut. Arsyet janë përdorur në pikë të ndryshme të poezive me efekte mjaft të kundërta, por të hapura në mendim. Studiuesi shqiptar, Aurel Plasari, na vjen në ndihmë kur citon se ‘krijimi letrar, ai poetik posaçërisht, është një akt intimiteti të thellë, fati të brendshëm, dhe si i tillë ka karakter luhatës’ (Plasari, 2010: 7). Më tej për Plasarin, ‘talenti letrar nuk është një continuum, por ka edhe ai karakter luhatës’ (ibid). Tek Agim Mato, ashtu si edhe në rastin e poetëve të mëdhenj, madje të quajtur kombtarë, talenti ka ardhur nga mirë-risia e tij, përkujdesja e ndjeshme shpirtërore dhe ndjesia e organizuar në mënyrë të ndjeshme, gjithashtu, luhatëse.

Ndikimi i lundrimit si filozofi në vargun e poetit

Lundrimi si filozofi në konceptin e Friedrich Nietzsche duhet kuptuar ‘vrulltas në sferën e metafizikës së artit’ (2001: 192). Sipas Nietzsche ‘me këtë rast e quaj të nevojshme ta përsëris edhe një herë tezën e parashtruar më parë, se vetëm si fenomen estetik ekzistenca dhe bota paraqiten të përligjur’ (ibid). E kuptuar kështu detyra e mitit është të na bindë që edhe e shëmtuara dhe joharmonikja është lodër artistike, në të cilën vullneti, në tërë ngazëllimin shekullor që ngërthen, luan me vetveten. Ky mit i ardhur nga filozofia metafizike e ndërlidhjes, sillet mes vargut perceptues të Matos si “Pjalmi i yjeve”, ku thirrja është midis metafizikes dhe estetikes: “I vogël, provoja të fluturoja me krahë dylli,/duke u hedhur nga lartësitë e shkëmbinjve/ të Akrokerauneve/dhe përfundoja shpesh në degët e ilqeve të jugut” (ibid). Ai vjen qartë si vetë ndikimi i lundrimit, pra si filozofi në vargun e poetit: “Po unë nuk u flas viktimave të miteve antike,/i flas shpirtit tim të ngjizur tek ti.” (ibid). Këtu është edhe një lidhje me artin dionisian, ndonëse na bëhet i qartë ndryshe nga rrjedhoja një qasje përmes vleraës së padiskutueshme të disonancës muzikore. Kjo duket qartë në mjaft poezi, por “Planeti me dritë të zezë” është mes një klauzole ku muzikaliteti poetik kryen një funksion midis lundrimit si filozofi dhe asaj që agravon mes botës së rrethnajës: “Gjëmonte Osumi kur të rigjeta. Salmonet/vërviteshin në të kundërtën e rrjedhës,/duke u ngjitur si flurudha të mateshin me zogjtë./Ç’mendoje në ato çaste?” (ibid).
Kjo prodhon edhe ngazëllimin që lindi nga vetë miti tragjik mes vargut, ku retorika hyn në funksion të vetë lundrimit shpirtëror, me anë të filozofisë së mitit të rikrijuar, ose të tejthirrur në funksion të ri tek “Xixëllonjat”: “Nëse do të vish, të betohem, e flaka moshën time,/dhe do të të çoj përdore në lëndinat e pranverave të/reja,/në çastin kur xixëllonjat lajmërojnë se ngrohet koha/ndërsa mbajnë radhën e çeljes së luleve,/të frutave të lidhura/dhe bëjnë inventarin e yjeve.” (ibid). Edhe poezitë e tjera pasuese “Feniksi”, “Ura”, “Zog i trembur”, “Memento”  dhe “Gugushi”, madje edhe gjithë nënseksioni që nis me poezinë në të njëtin titull “Shtëpia ime prej deti” kryejnë një lidhje dionisiane të përftuar madje edhe nga mundimet lundruese të pëshpirtjes, duke na prurë një simetri të ndjeshme brenda një puhize ‘poetike’ të vetë artit poetik.

Puhiza ‘poetike’ e artit poetik

Aspektet e simetrisë në poezi nga mjaft studiues janë marrë për të përfaqësuar tensionin poetik. Në kuadër të procesit kompozicional mes impulseve spontane dhe nuhatjes së brendshme nga njëra anë, dhe më shumë vetëdije e imponuar nga struktura dhe organizimi nga ana tjetër, shihen edhe mjaft poezi të poetit shqiptar, tashmë me emër, Agim Mato. Poezitë e tij të hershme, që shpëtuan përkohësisht nga ‘kartonëzimi’ apo ‘brumëzimi ideologjik’, si “Sazani” (1983); “Mug” (1982); “Pulëbardha” (1980) kanë një konsideratë të tillë të qartë, me të cilën ne do të ndalemi më tej në këtë analizë. Këto forca nuk janë parë si kontradiktore, por si të nevojshme dhe plotësuese, elemente të muzikalitetit poetik, me një ngarkesë strukturore, ku spikat nevoja për ekuilibër midis të dyjave (poetikës dhe muzikalitetit) është konsideruar thelbësore. Intuita, ose sensi logjik i poetit, luan një rol të rëndësishëm në afrimin e elementeve të ndryshme të procesit kompozicional në një tërësi muzikale me simbiozë artistike dhe me një penelatë piktoreske të akuarelit mendor, ku ngjyrimet janë kaçube të detajuara e të minidetajuara spatulanteske, të cilat babai i spatulës në pikturën shqiptare, mjeshtri Sefedin Agolli, do t’i quante arti që të jep shpirti.
Struktura, si formale dhe e konceptuar ndryshe, ka një pjesë të madhe për të luajtur, por pasi organizimi logjik është jo nga tema të frymëzuara automatikisht, në penelatën poetike të Matos, aq edhe në timbrin muzikal të poezive të tij, do të krijojë një pjesë të kënaqshme të muzikalitetit të fshehur në determinim, por të hapësinuar në shpirtqasjen poetike mes logjikës, konceptualitetit dhe funksionit filozofik të kohës, vendit dhe hapësirës. Ja konceptualiteti, funksioni filozofik dhe shpirtaqasja poetike si funksionojnë tek poezia “Sazani”: “Dhjetë kilometra të një toke në det/si shpina e një peshku mbi ujë,/po sa u munduan/ta zinin në rrjetë/të ardhur nga tejdeti/gjeneralët e huaj./Po unë i sajti do të jem nga shokët poetë/që vargje shkruaj për ishullin tim,/për ishullin që rri/i ngjeshur në helmetë/te porta e Atdheut/në përgjim?” (ibid).
Për poetin Mato, qasjes në ndjenjë intuitive mund ti arrihet edhe duke mbajtur parasysh një ‘poemë’ të veçantë ‘, foto ose pikturë tonike, si një parim të përgjithshëm organizues. Kështu poezia, në kuptimin më të gjerë, ka udhëzuar në heshtjen e saj mesazhiere formën e përgjithshme të shumë prej kompozitave muzikale, si dhe sigurimin e stimujve fillestare. Për qëllim të analizës dhe diskutimt, ky shkrim ndan copat e portofolit shoqërues në tri grupe kryesore, në mënyrë që të përshkruajë rolin e veçantë të stimulit poetik, organizimit simetrik fushën dhe veprimin intuitiv mes forcave integruese. Nokturni i fundit është përdorur për të ilustruar se si të gjitha këto aspekte janë sjellë së bashku në një copë. Ndaj edhe hyrja në këtë studim na sjell hapësirën kilometrike mes poezisë së Matos, ku ‘Dhjetë kilometra të një toke në det’ nuk janë thjesht ajo që lexojmë ‘si shpina e një peshku mbi ujë’, por logjika me të cilën funksionon simetrikja dhe asimetrikja e shekujve me gjeneralë, pushtues e ardhës e ikës tek ‘porta e Atdheut’. Dhe ajo është “në përgjim?” Poeti e di më së miri këtë nga bunkerizimi, nga vetë ishulli që ka emrin “Sazani” dhe jo thjesht në krye të poezisë.
Ndër poetët më me ndikim në këtë pikë të hershme të autorit Mato, janë ndoshta emra të cilët vijnë nga kultura e ashtuquajtur ‘e artë poetike’ e poetëve të pyllit të madh rus, mes të cilit lastarë të njomë lisash dhe mështeknash mbajnë ende kampionin e qasjes. Këtë qasje nga periudha e fundit e simbolizmit në fundin e realizmit socialist (simbolistë, futuristë, imazhionistë, akmeistë e socrealistë) të gjithë të zhgënjyer nga epoka e socializmit e mbajnë strofkave të arta të letërsisë Blloku, Pasternaku, Mandelshtami, Cvetajeva, Esenini, Jevtushenko, Ahmadulina dhe Brodskij. Dhe qasja e ‘ndikuar’ kapërcimërisht në vrugun e zellit dhe të pasionit është marrë e konsideruar si e tërhequr nga muzikaliteti dhe simetria mes strukturës dhe trajtesës së temave dhe poezive tyre, idetë dhe teoritë e tilla që u ndriçuan prej analistëve të mëvonshëm. Muzikaliteti dhe poezitë e tilla me muzikalitet dhe simetri kanë pasur, gjithashtu, një ndikim të rëndësishëm në kompozitat e mëvonshme poetike shqiptare, nëpërmjet mendimeve të qasura në procesin kompozicional dhe rolin më të gjerë të muzikalitetit në poezi.
Më tej këtë muzikalitet e ndiejmë në poezinë tjetër “Mug” të poetit Mato. Ja si shkruan ai me zellin e penelatën e tij të brendshme:“Rrija vetëm me gjithësinë./Mbaja vesh puhizën e yjeve që çelnin si luleshqera...”. Është ky muzikalitet poetik që ndihet si nga mesazhi, struktura, po aq edhe nga zbrazëtia si nocion filozofik. Çfarë e bren shpirtin e poetit? Pse ai gjendet ‘vetëm me gjithësinë’? Të gjitha këto kuptohen qartë. Ai kishte një baba që dinte të sillte gjëra të reja në jetë, që dinte të mbante gjallë shqiptarinë edhe në emrat e fëmijëve (Agim, Luan, Vullnet, Pemul etj.) Emra që i jepnin më shumë liri, por edhe një zbrazëtirë që dikushnaja ose rrethnaja do ta cmirëzonte dhe kjo do të ndihej atje, pikërisht ku arti flet me heshtjen, në artin poetik të Matos...Ja si shkruan poeti dhe hulumtuesi Timo Mërkuri kur shprehet për  vëllimin poetik “Fundo” të poetit Agim Mato në  ciklin “Kur flasim për Artin Jonian”: “Pak e dinë  se jeta e Agim Matos ka kaluar mes privimeve shoqërore, duke u detyruar të kryejë punë nga më të rëndomtat, për vetë karakterin klasor të sistemit që lamë pas.  Arrestimi dhe dënimi politik i të atit i solli si pasojë  heqjen e të drejtës së botimit. Ndonëse ai  pohon me sinqeritet se…”nuk guxova të bëhem disident… Heshta si bilbili në degë”…”Më flakën nga radhët dhe mua/me librat e mi më qëllonin/si me gurë pas shpine/edhe pse iso më patën vënë të mbaja”. Ky akt i “flakjes”, heqja, pra, e të drejtës së botimit,  solli një heshtje gati 30-vjeçare të këtij bilbili të poezisë shqipe..” Mërkuri që thuajse i di të gjitha, ndoshta jo ato zbrazëti mes vargut ose heshtjes ‘me gjithësinë’ të poetit Mato, shton se ajo kohë “Ishte kohë pleniumesh …Atëherë ngrica pleniumesh na ftohin eshtrat/ dhe shokët tanë/ përfundonin psikiatrive… Ishte kohë  brohoritjesh.. ..Dy ditë me radhë na nxorën nga klasa duke stërvitur/brohorimat dhe duartrokitjet tona për pritjen e Hrushovit/të madh/ . …” Sipas Mërkurit “Kështu shpjegohet fakti që poeti punonte, censuronte vetveten, korrigjonte e sidomos…heshtëte si…peshku në ujë, duke u “zënë frymën ironive që i qepeshin në buzë”, duke thënë më von me sinqeritet se…Rastësisht/ mbijetova, ndoshta për të dëshmuar, ndoshta për të bërë/copë e çikë ateizmin tim të dikurshëm… Dhe unë, ndërsa kujtoja dhe shkruaja  këtë fakt, s’di pse nisa të rilexoj vargjet e poezisë “Gjithpërfshirje”…Kush tha se ikën të djeshmit/…Të përpiktë në leksione demokracie/përhapin rreth vetes/një dritë gjithëpërfshirëse, ku ushtojnë si një klithmë dhimbjeje e zhgënjimi bashkë  vargjet…Vetëm neve na kërkojnë/çertifikata virgjërie.
Për Mërkurin më tej “Kjo puna e “biografisë” së tij edhe mua  më nxori disa herë “telashe” në shtëpinë time, sepse dikush e “  këshillonte babanë, që t’a shpëtonte djalin (mua) nga shoqëria e keqe që kishte me të birin e një të  burgosuri politik”. Im atë   më  pyeste i merakosur  se…  “mos  do ma punosh dhe ti si yt vëlla tani që  s’kam takat t’ju ndjek burgjeve” dhe konkretizonte pyetjen se “ç’dreq bisedoja tërë ditën me djalin e Remzi Matos”?. Meraku i tij justifikohej me faktin se  para disa muajsh ishte arestuar im vëlla, ndaj përgjigja ime  e thjeshtë …” bisedojmë për poezinë”, nuk ia mbushte shumë mendjen. Po ja që   një ditë e gjeta duke lexuar vëllimin poetik “Jug” të Agimit, të cilin e mbaja në biblotekën time.” Kur ‘kartonizohej’ shpirti poetik, sillej ngarrendja e trullosur e gjeografisë, jo asaj poetike. Nuk ishte gjeografikisht e qartë. Nuk ishte as gjeografia e mitit, as Çaoshi - Kaosi (gjer. Chaos) që vinte nga shpatullat e erës karshi brigjeve të detit Jon. Turfullima e quajtur nga ata që kapërcyen Qafën e Gjashtës ditën me erë e shi të vrullshëm, tufan i padukshëm, kapërceu edhe dallgën e fundit që u shtriq matanë ngrehinës ku darkonte poshtërsia e rastit. Kjo fjalë e greqishtes antike që kishte veti të vrazhda, që para krijimit dhe pas çdo shkatërrimi të Universit, kishte arsyet e fshehta të qëndronte në shpirtin e Zojës së Botës. Me këtë, vetë Zoja ishte një gjendje tipike si “rrjedhë e përhershme” e ujëgrykësive, para se lënda të shpërthente e të merrte formën për të krijuar botën e ngurtë. Çaoshi ose Kaosi, në Bibël, shpjegohet si një gjendje e Botës para krijimit, me kuptimin “shkretëtirë” dhe “bosh”. (Shiko dhe Kijameti, Dita e Madhe e Gjykimit Botëror, Tiamat.) Me këtë rast shamata pëshpirtej mbi një dosje dhe pika e fundit e turfullimës që u quajt tufan i padukshëm, ra dhe pikoi mbi një katrama, ku shtroheshin tërë shpirtëza të fjalosura mes mendjes dhe shpirtit, ato gjallesa të pafalshme, të pagojta, librat e Agim Matos. Dhe turfullima e ndihte shpirtërimën dyfishe të Matos, ku ai i Remziut, babait të tij, që ndiehej burrëror për të birin e tij, që kur nisi të kapërcente mendimin filozofik të penelit, e ta vishte atë me mendimin filozofik të vargut. E kishte prurë lehtas këtë në mendjen e tij intelektuale, ai njeriu i dashur, që ishte dashuruar me ‘magjinë’ e fotografisë dhe ndaj te kartonëzimi i Matos, nuk mund të bëhej ndryshe kartonëzim i Matove.
Agim Mato, leximin e kishte të hapur e të mbyllur në shpirt, ndjesinë e udhëtimit poetik e ndjente dhe qaste bulëzëshëm amshimin jonik, kur valët dhe dallgët kërkonin fatin e tyre të stërkalizuar falë pikërisht atyre tufaneve të padukshme. Dhe Saranda dukej një kornizë e vogël, ku ai varte dita-ditës portretin e tij poetik, që ia lexonte vetëm shpirti e ndonjë nga miqtë e tij të hershëm, të paktë të tillë, por jo të vetëm, si Pandeli Koçi, Kiço Papa e deri sa fjala e Fatosit, të madhit të letrave shqipe, do t’i jepte gjithnjë një shtysë të nëndheshme. Kjo i jepte jetë. I jepte jetë atij edhe pas kartonizimit të ‘shpirtit’ të tij të lirë poetik... Dhe ai jetoi bashkë me vargun, me poezinë e poezitë e tij në vite e vite, deri sa një ditë, trokitja ime më shfaqi kokriza të vërteta diamanti, në një lexim të sypërsyshëm. Më tej, teksa nata vishej me mëndafshin e saj të lehtë veror, e palma bulonte nga gushtësia e zagushisë, letër pas letrash ndjeva riardhjen e një pene, të cilën e kisha ndjerë më herët nga fjalët e Myrtajt, Farukut të letrave shqipe.
Ngarendshëm, retë e ardhura të atyre kohëve, me ardhje-ikjen e disa viteve më pas, krasitën dilemën e poetit, që kishte pësuar goditjen më brutale, por me një fat, ose më saktë siç Koçi citon se “Agim Mato është një dukuri e dhimbshme. Atë vetë nuk e futën në burg si të atin për “politikë”, por e përjetoi  në mënyrë të dyfishtë. Ishte aq i zgjuar sa shmangu hekurat në duar e në dritare. Por ai e provoi burgun e të atit ekonomikisht, shpirtërisht e potencialisht. Ai provoi në kurriz robërinë e burgut të madh me emrin “diktatura e proletariatit”.” E provoi këtë se duhej që Mato, i riu, drita e syrit ‘magjik’ të babait që e donte shumë të ‘shuhej’ ngadalë dhe letrat të kishin formë tjetër. Të kishin atë formë që do ta merrnin në korrikët e kartonizimeve të asaj kohe, në korrikët kur grushti ngrihej lart dhe godiste, ishte në të vërtetë fat që ai mos të të vriste. Mos të vriste siç kishte ndodhur me poetët e tjerë të kartonizuar e të izoluar, burgosur e të torturuar. Por edhe me një fakt që vinte nga fati i të tjerëve të kampit ku militohej nga fillesa e pasluftës. Dhe çuditërisht korriku që i kishte marrë jetën poetit të madh bullgar Nikolla Vapcarov, si për ironi të fatit do t’i merrte ‘jetën’ në një kohë tjetër më të largët, librit të Matos. Jeta duhej revolucionarizuar dhe vdekja si pasojë duhej të vdiste në mënyrë revolucionare. Kartonizimi sakaq ishte kapërcimi i shamatshëm i Qafë Gjashtës, në atë ditë-natë me stuhi, furtunë të padukshme.
Atëherë, qartësia e vonuar e “Mug”-ut poetik në shpirtin e tij është më shumë se një asimetri me kohën që jetojmë. Prej kohësh arti i tij poetik pret vendin e duhur, ndoshta më shumë se sa shpirti i tij i tendosur deri në këputje. Ajo këputje që vjen herët nga “Mug”: “...mbaja vesh detin atje poshtë,/frymëmarrjen e guvave të tij si ca gërhitje balenash./Një xixëllonjë u shpëtoi zjarreve të perëndimit dhe u end/sipër meje/me një hënë të vockël nën bark...” Kjo na shpie në një lidhje me substancën e tringëlluar të ashtuquajtur “Kështjella e soc-realizmit?” Nuk e di, a duhej vallë karton të ndërtohej “Kështjella e soc-realizmit?” Dhe nëse duhej, nuk besoj se kartoni i poezive të tilla do ta mbante atë në jetë. Vetë këto vargje do ta shkrinin atë si shkumë valësh deti Jonian, që në akuarelin e spatulën poetike të Matos, do të sillnin vetëm polen: “Ja Rozafa. Gjiri i bardhë i skalitur në hyrje të kështjellës/pikon  qumësht./Lindnin shekujt, pinin qumësht te ky gji i kohës,/pinin mushtin e lirisë, /që rridhte nga gjëndrat e tokës/dhe rendnin pastaj mes luftërash, /rendnin mes lavdish...”
Diku në studimet e mia, në një material të papublikuar ka një lidhje të hershme të një udhë-shkrimtareje britanike që e quan kërkimin e bletës në pyje, si një veçori karakteristike e zonave shqiptare, të cilat e donin mjaltin në sofrën e tyre. Dhe e dini si shprehet ajo? Ja kështu: “Unë ecja në trevën me shqiptarë dhe ata bërtisnin për të risjellë bletët punëtore duke nxjerrë zëra melodikë në korr: “Bletë, bletë..., matoja jonë e ëmbël, mato, mato ..., bletëza jonë mjaltërore...”. Nuk e di në fakt nëse kjo lidhje e ka sjellë nektarin poetik të Matos ... në këto mjaltërime që flasin qartë dhe bukur edhe sot, edhe pse klubi i atëhershëm i shoferëve, që ndoshta rishtas e shohim tek “Udhëtim në Pranverë” nuk ekziston, edhe pse “Deti i plugimeve te reja” dëshmon qashtër dhe ndjeshëm: “Eja, e dashur, anës së detit /me sytë e mirë si qielli, /si trungje dallgët rrokullisen /dhe çahen, përflakur nga dielli./Ja, këtu do ngremë qytetin./Më të blertë se ky s’do të ketë, /mbi të kapshtie portokallesh /dhe radhë brezarësh gjer te retë.” Dhe ja le ta themi me vargun e fundit.... poezi të tilla enden e enden përjetësisht vetëm “Enden qyteteve të kaltëra.”
Poezitë “Zhytem” dhe “Plazhi i krorëzës” kanë në vetvete modelin ku shihet qartë qasja kulmore në krijimtarinë poetike të viteve që pasojnë një vrull poetik të vargut të bardhë te poeti që tashmë zotëron dhe konkurron ndjeshëm. Në thelb është vetë ajo ‘puhizë’ poetike që qartëson: “Këtu natyra është si në ditën e krijimit të botës./Edhe rëra e plazhit,/edhe shkëmbenjtë që dalin nga uji,/edhe deti,/edhe fundi i tij/mbajnë të pashqitur pullën origjinale të krijuesit.” (ibid). Më tej edhe rreth njëqind poezitë e autorit kanë brenda puhizën e vet e të detajuar imtësisht. Ajo që na shtyn është vendi që ata meritojnë.

Duke përfunduar

Analiza e poetikës dhe vlerave poetike të poetit Agim Mato te “Lundrimet” na shpie mes vargut në një sipar të hapur trepërmasor të hapësirës, vendit dhe kohës. Ajo na sqaron vlerën e një filozofie të tejdukshme që vjen nga lundrimi shpirtëror si imitim filozofik i jetës dhe rrethnajës metaforike të detlidhjes dhe tërë asaj ku ‘banon’ vargu poetik i Matos. Është një arsye më shumë se fakti i leximit, ajo që na detyron të huazojmë nga W. H. Auden se ‘Një poet është, para së gjithash, një person me pasion, që na detyron të gjithë neve që kemi një dashuri të madhe për gjuhën’. Dhe këtë ai e bën mjeshtërisht, poetikisht. Pra, duke përfunduar mund të themi se për ta vlerësuar si duhet aftësinë agimiane të këtij apo atij vargu, duhet të kemi parasysh jo vetëm bardhësinë e vargut të tij, por në po atë masë edhe mushtin dhe muzën poetike të tij, si dëshmi e dytë e kësaj aftësie. Duke i vendosur pranë e pranë Agim Maton dhe poezinë e tij, sepse ata të një udhe janë, të një shpirti, kemi të drejtë të hamëndsojmë se me arsyen e lundrimit filozofik rritet edhe lundrimi shpirtëror poetik.

Referenca:
Arnold, Matthew (2005) Prose, Poetry and Writing. London: Metuen.
Çabej, Eqerem (1939) Një skicë historike e literaturës shqipe. Shkodër: Shtypshkronja Franceskane.
Jung, Karl (2008) Ëndrrat e filozofia. Londër: Penguin.
Mato, Agim (2014) Lundrimet. Sarandë: Milosao.
Mërkuri, Timo (2012) “Kur flasim për Artin Jonian”. Sarandë: Milosao.                 
Nietzsche, Friedrich (2001). Lindja e tragjedisë. Tiranë: Eugen.
Plasari, Aurel (2010) Dy fjalë për rileximin e poetit. Tiranë: GEER.
Terziu, Fatmir (2012) Joni Poetik. Londër: Lulu.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...