2014-06-01

Dy poezi nga Fatmir Terziu



image


Nga Fatmir Terziu


Shtëpia ime


Nën hijen e gjetheve të shukatura të caracës,

kokërzat e vockla u bëjnë roje nderi hijeve,

varëse të ndryshkura të telave me gjëmba,

mes tyre harliset melodia,

kakofonike e shpirtit,

letargjia.

E verdha e shkuar e një bote mediokre,

tajfunet mbi të fryrën e një dërrase,

uji i gjerbës së harruar të çatisë,

njollon shpirtin e fotografisë,

të mbytur prej vetmisë. Shurdhësia

hepohet deri në pore të syrit,

miopia, verbëria e gjallë e njerëzimit,

kalbet tek puthja e malluar e një çifti,

nga suvaja e tejlagur e tavanit,

copat e kallamishtes shkulen si njolla zifti,

përtej çdo parashikimi.

Çdo gjë në këtë pamje të ngrirë,

betohet për kokë të vet,

çdo gjë mbarset si në psallmin e një bible,

të pashkruar,

nga lutjet e munguara në sofrën e shtruar.

Ti më vërtitesh e vërtitesh duke pozuar,

dashuria ime e vërtetë,

çdo gjë para teje si në celuloid grish,

bukurinë e vet.



Dehja e Londrës


Begonjëza e zbukuruar e rrugicës sime,

krihet elegante në xhamin e makinës përballë,

shpërndan aroma të uiskta,

përvjedhur majave të ngrira skoceze,

në heshtjet e veshura pas perdeve,

me bulëza të ftohta. Hija e takave

si një gjuhë e tejzgjatur lëpirëse

sheqeroset majëzave të fryra të xhunglës asfalt,

pas pickimeve zhbiruese të zogjve,

reja qaset si një elefant. Londër,

me gjasa sot do të ishte ditë me diell

qielli gjithë ditën ka krehur flokët,

begonjëzës së eshkët iu deh shpirti,

me gotën plot uiski.

Kjo është festivja londineze,

mes shakave të Zotave, lëvizjes së ajrit,

trupit të lagësht,

prej lëvizjeve të minarta të gotave,

nuk e njeh dehjen. Paleta dhe panele

shkëmbehen ngjyra-ngjyra,

leksioneve të gjata mbi pasqyra,

mëtohen përshpirtje të gjalla e praktike,

me aromën e uisktë,

prej begonjëzës sime simpatike

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...