Dr.sc. Nijazi Gashi, drejtor i deritanishëm e QKUK-së, ka bërë dorëzimin e detyrës, në prani të Bordit të SHSKUK-së dhe Sekretarit të Përhershëm të Ministrisë së Shëndetësisë.
Prof. Dr. Isuf Dedushaj, kryesues i Bordit Drejtues të SHSKUK-së, njoftoi se Bordi Drejtues i SHSKUK-së, nga dita e sotme ka bartur të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë tek drejtori i ri i SHSKUK-së, dr. Curr Gjocaj, i cili është zgjedhur drejtor në konkursin e fundit publik.
“Me vendim të Qeverisë, bazuar në Ligjin për Shëndetësi, është formuar Bordi i Shërbimit Spitalor Universitare të Kosovës, i cili direkt i jep llogari Qeverisë, përmes Ministrit të Shëndetësisë”, theksoi ai.
Ai falënderoi drejtorin e deritanishëm të QKUK-së, për punën, angazhimet dhe avancimet e bëra në QKUK, përderisa njoftoi se drejtori i ri i SHSKUK-së, do të ketë nën menaxhim klinikat e QKUK-së, Spitalet Rajonale dhe tërë sistemin terciar shëndetësorë.
“ Do të punojmë për realizim të reformës në shëndetësi dhe avancimet të shërbimeve shëndetësore si në sektorin dytësor dhe në atë terciar”, theksoi ai.
Dr. Nijazi Gashi, me rastin e dorëzimit të detyrës, njoftoi Bordin dhe Drejtorin e përgjithshëm të SHSKUK-së, për punët e realizuara deri tani. “ Unë do të ju dorëzoi me shkrim të gjitha punët e realizuara në këtë vit kalendarik dhe ato që janë në procedurë”, theksoi dr.sc.Nijazi Gashi.
Dr. Curr Gjocaj, Drejtor i Përgjithshëm i SHSKUK-së, tha se do të angazhohet maksimalisht në drejtim të avancimit të shërbimeve shëndetësore. “ Do të angazhohemi dhe do të punojmë drejt përmirësimit të shërbimeve shëndetësore, angazhimi ynë do të jetë i përhershëm”, theksoi drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së.(SH.FAZLIU)