2014-06-02

Libri i Zi i Komunizmit

Gruas shqiptare, fisnikërisë së kryqzueme pa faj! ...

“Më akuzojnë, se kam thënë, që komunistët i hanin fëmijët, por po t’a lexoni: “Libri i Zi i Komunizmit”, do të zbuloni, se në Kinën e Maos, ata nuk i hanin fëmijët, por i zienin, për t’i përdorur si pleh për arat.”

Silvio Berlusconi
Ish Kryeministër i Italisë “L’America Oggi”O3/30/06, New York

Nga Klajd Kapinova, New York

Prof.Sami Repishti, shkroi volumin “Pika e Loti” (tregime burgu, Shkodër, 1997), nën përkujdesin e Shtëpisë Botuese “At Gjergj Fishta”, ku në hyrje gjendet i skalitur përkushtimi: “Gruas shqiptare, fisnikërisë së kryqzueme pa faj! Bashkëshorteve, nanave, bijave e motrave tona, vuetja dhe përkrahja e të cilave i dhanë lëvizjes demokratike shqiptare përmasën e saj ma njerëzore.” Ky libër, ka qëndruar në dorëshkrim, për shumë vite. Kujtimet e para, autori i shkroi në tetor 1960 (Zagreb) e shkrimin e fundit më 1977. Ato u botuan mbas 27 vjetëve në vendlindje.Në Shkodër më 1997, dëgjoheshin krismat e pushkëve në emër të askujt e kundër askujt. Ishte viti i zi, që përfshiu Shqipërinë e lodhur edhe herë të tjera nga lëvizjet regresiste bolshevike. Ato ditë, lexoja kujtimet e burgut të Prof.Sami Repishtit, e diskutoja me mbas me miqtë e tij ndër të cilët Tomazin Sheldinë, ish-bashkëvuajtës i autorit. Pika Loti me Lotë Shprese Nën Hijen e Rozafës, do t’a quaj librin e dytë me narrative të jetueme, origjinali i së cilës mban titullin: “Nën hije të Rozafës” (Tiranë, 2004).
Të dy librat, kanë pika lidhje me njera tjetrën, jo se flasin për qytetin e Gentit e Teutës së lashtë, por se janë përshkruar me origjinalitet vuajtjet, që fare lehtë mund t’i ballafaqosh me Arkivat e Shtetit në Tiranë. E veçanta e librave të rinj, qëndron në stilin joshës, të ëmbël e fin; me një gjuhë gegnishte të përpunuar me kujdes, plot pasuri shprehjesh autentike vendase, ndonëse prej shumë dekadash jeton e punon në Amerikë.
Ngjarjet e përjetuara, i janë ngjizur thellë kujtesës, gjatë vitëve të paharruara. Pozitive, janë për Samiun, koha e fëmijërisë e rinisë, ku liria e dashuria për shkollën e shokët asnjëherë nuk u shkëput, ndonëse me kalimin e viteve, ngjarjet precipituan me shpejtësi…
Ai, librin e ka konceptuar në formë “romani”, me nuanca të thekshme dramaciteti origjinal. 32 pjesëve e epilogut, nuk i ka vënë asnjë emertesë, por vetëm shifra numerike romake, që vijnë në rritje njera mbas tjetrës brenda 340 faqeve. Përpara se të paraqitet tek lexuesi, autori, ka gdhendur përkushtimin e narrativeve të jetuara: “Dëshmorëve të lirisë dhe viktimave të tiranisë, të të gjithë vendeve e të të gjitha kohëve. Mendjeve fisnike, që transformojnë tragjedinë tonë kolektive, në nji kryqëzatë kundër Torturës, në çdo vend e në çdo kohë, me mirënjohjen ma të thellë.”

Vuajtjet e mbijetesa

Vepra jetësore, hapet me një hyrje për lexuesin, duke përshkruar periudhën e vitëve 30-40 të shek. XX, kur rrëbeshi i egër siamezë fashist e komunist, zbresin rrëmbyeshëm e përgjakshëm mbi kontinentin plakë të Europës, në morsën e së cilës, egërsisht u gjend e mbërthyer edhe Shqipëria martire. Asokohe, Samiu, ishte një adolishent i brishtë, që koha po e piqte me shpejtësi, duke u gjendur para enigmave të udhekryqit, se nga duhet të shkonte. Gjithsesi, rreziku i jetës ishte një rrisk, që po rritej me shpejtësi.
Ai vendosi: “… JO diktaturës, e mora rrugën që nuk kishte fund, nji lundërtar në detin e gjanë, pa brigje. Akti rebel që pothuajse më vrau, më çliroi njëkohsisht. Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist e komunist në Shqipni, jo si “politikan”, “personalitet” i makropolitikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjsova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashuria për atdhe dhe dëshira për liri; thjeshtë, si nji i ri me sensibilitet të theksuem, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet. Gjatë udhës, takova dhe njofta ma mirë “njeriun”, krijesën fisnike, të etshme për liri, të djegun për vllaznim e njikohsisht, të aftë me zbritë poshtë, në botën ku mbretnon çnjerëzimi ma i plotë e vdekja ma e frikshme. Në këtë botë të nëntokës, përqafova viktimën dhe e deshta me pasion. Kjo dashuni për “njeriun”, mundi edhe kërcënimin e vdekjes.” (Repishti, f.7)
Autobiografi, filloi udhëtimin drejt rretheve të Ferrit, të ndërtuar në praktikë nga diktatori manjak i gjakut e mishngrënës E. Hoxha. Janë jo pak, por 10 vjet burg (1946-1956), ku ai kaloi rininë e papërsëritshme. Për dhjetë vjet, ai kaloi në burgjet e errëta të Shkodrës, në kampet e vdekjes së Bedenit dhe Maliqit, Beratit e Fierit, Lushnjës e Tiranës, kudo shihej, që shqiptari i kuq shtypte shqiptarin e bardhë. Përballë këtyre kalvareve “…pafajsia e frymëzuese e nanës dhe mijënjohja ime e gjallnueme nga dashunia e saj, u banë dy krahët e fuqishëm të qëndresës së fuqishme të qëndresës së ndërgjeshme, dy gurët themeltarë të bindjes sime, në kundërshtimin pa kushte të shtypjes komuniste dhe të çnjerëzimit që ajo solli në rethin tonë shqiptar…”
Në një ambient të tillë, u brymos tek shpirti i tij urrejtja e hakmarrja, ndaj rregjimit të hienave; u kalitën në kullën e jetës së përvujtur shpirtrat e zjarrtë të të rinjve shqiptarë nga e gjithë vendi, përfaqësuesit e së nesërmes; forcohej e ardhmja e bijve të nacionit, që gjithnjë vuajtën mes skamjes e frikës, që ishin copë e bukës së përditshme.
Me të drejtë i mbijetuari i lukunisë së hienave thotë, se komunizmi në Shqipëri e zhveshi shqiptarin nga rrobat e trupit e shpirtit. Këtu qëndronte sfida e madhe stoike e ish të Burgosurve e të Përndjekurve Politikë (1944-1990). “Në ato ditë fatale, nji mendim i frikshëm mbizotëronte: sot jemi “skllavë” të rregjimit të kuq; nesër, kur të vijë “dita e lirisë”, a do të ishim “të lirë”, të aftë e të gatshëm me marrë në dorë fatin tonë? A do të kishim ende vullnetin për nji ringjallje morale të vërtetë? A do të ishim në gjendje me thellue besimin tonë në shenjtërinë e jetës së njeriut dhe, bindjen tonë në lirinë, dinjitetin, e të drejtat e të gjithëve, fqiut, shokut edhe kundërshtarit, pavarësisht nga plagët e marruna në trup e shpirt? A do të ishim në gjendje sidomos, me rikrijue nji bashkësi vllaznish e motrash, të lirë, të ndërgjeshëm për rolin e tyne në shoqni e kryesisht, të liruem nga frika e persekutimit të organizuem shtetnor… të “shtetit tonë”?” (f.9)
Ai, bën një analizë rregjimit e shoqërisë së deformuar nga terrori i saj, ku qytetarët, ishin kthyer në “njeriu i ri socialist”, një krijesë hibrite, që ishte gati të vriste vëllanë e vet, për ideale boshe e primitive të demagogëve: Marx, Engles, Lenin, Stalin, Mao e mostrës përvese Enver Hoxha. Qysh në bankot e shkollës, Repishti, zgjodhi alternativën, që i kushtoi shumë vuajtje, diskriminime e gjak atij e brezit që i përkiste, rrugë nderi, me luftu pa kompromis fashizmin e komunizmin, me mbrojtë Kosovën e refuzu duartrokitjet servile ndaj diktatorit. Ai, si brez e kreu detyrën me nder e guxim qytetar. Në përleshjen me të keqen, që sundoi prej 1944-‘90, ai pranoi aktin sublim, që nuk mund të fitohej përballë shtazarisë së makinës shtypëse proletare, që fliste në emër të popullit, kundër popullit.
Përvoja dhe eksperienca e jetës se re, plot liri mendimi e veprimi në Amerikë (ndryshe nga sa kaloi në kampet e burgut në Atdhe), sot i bënte apel, se heshtja ndaj krimeve është një e keqe pasive. Në një Promemorie, që Profesori, i dërgon Presidentit Alfred Moisiu, i rikujton: “Ajo mbron errësirën, mospërfill padrejtësinë që e sjell, mohon detyrimin tonë për ndëshkim të fajit dhe fajtorit. Me heshtje, krijojmë atmosferën e nevojshme për dhunë e padrejtësi. Me heshtje, pranojmë mbrapshtësinë morale të dhunuesit, që sjell vetëm vuajtje e mjerim, pranojmë përmbysjen e së “mirës”, së drejtës, së lirës e të çdo gjaje njerëzore. Me heshtje, jetojmë të zhytun në moçalin e mëkatit, që refuzojmë të njohim, si veçori e jetës sonë, tashma të pasinçertë. Me heshtje, para së “keqes”, na kryejmë aktin e vetëvrasjes sonë morale.” (f.11)
Jetëshkruesi këmbëngul, se vendi i shqiponjave po jeton në vakumin e madh, që duhet mbushë, mbasi për fat të keq ende jetohet në dhum, sepse ende nuk ka shenja të spastrimit ligjor të paligjshmërisë komuniste, që sundon në “demokracinë” e importuar si model nga Katovici. I shqetësuar në atë se çfarë vijon të ndodh në vendlindje, bën APEL, se botëkuptimi komunist është ngjizur thellë, në frymën, mentalitetin, metodat dhe shprehjet e tij helmuese, nuk janë çrrenjosë. “Ata vazhdojnë të derdhin helm në shoqni. Edhe sot, Shqipnia ndjek shembullin e ish-Bashkimit Sovjetik, vendin ku trashëgimia bolshevike mbijeton në çdo burokrat, që vepron si me qenë ligji vetë dhe, ku qytetari dorëzohet para autoritetit arbitrar.”


Ngjallnjyes mbi mbretërinë e Djallit

Dr.Repishti, i qëndroi besnik idealeve të shokëve kundërkomunistë. Ai kujton me respekt kushëririn e vet Zyhdi Repishtin, viktimë e terrorit nazist, respektin pa rezerva për traditën, që i kushtoi jetën babait të tij ish-deputetit Hafiz Ibrahim Repishtit, nënës Hava Bushati (Repishti), viktimë e përsekutimit komunist, shokut të vuajtjeve Qamil Nikshiqi, vëllaut Vehbi Repishtit, motrës, të rinjve të Organizatës së Rinisë Demokratike, Fahri Rusi, Elez Troshani, Qamil Nikshiqi, Ndoc Gjoka, Matilda Gjoka, Xhevat Meta, Eqrem Rusi, Sulejman Qehaja; intelektuali erudit i lauruar në Itali, inxhinieri i pyjeve Fahriu i ekzekutuar; këshilltari i tyre At Dr.Gjon Shllaku O.F.M ., mikut në vendlindje e Amerikë Prof. Arshi Pipa etj., të cilët, në unison pranuan vuajtjen e vdekjen, duke fituar kënaqësinë shpirtërore të luftëtarit për liri e ngjallnjyen mbi mbretërinë e Djallit.
Sot dëshmitarit okular, i kanë mbetur kujtimet, me të cilat, rikujton miqtë dhe shokët e paharruar, që sot prehen në tokën e amshimit, kujtimet e burgjeve dhe kampeve të punës së detyruar, ku u dergjën të rinjtë idealistë, legjioni i gjimazistëve të Shkodrës dhe qytete të tjera të Shqipërisë, që pa pretendime treguan vendosmërinë stoike, për të kundërshtuar murtajën e kuqe.
Sërisht 81-vjeçari Dr.Repishtit, i kanë mbetur kujtimet e intelektualëve guximtarë, që refuzuan të “këndojnë” bashkë me Neronin, ndërsa Roma digjej flakë, të qytetarëve dhe katundarëve të zhgënjyer e të varfëruar, të malësorëve kryelartë e të dërrmuar, të pleqve pashpresë mbijetese në burgje, të sëmurëve që vdiqën çdo ditë, pa asnjë mjekim, kujtime e një mase të tërë burgosurish, pa asnjë shpjegim. Profesori i Adelphi University në New York, ka kujtime të freskëta, për komunitetin e pafajshëm të burgosurve politikë, “…të burgosun me plotësue “forcën punëtore” të planeve të çmenduna pesëvjeçare…!”
Ndërsa nga ana e tjetër, ai vë përballë viktimës xhelatët më mizorë, që do të kishte zili edhe Duçja e Hitleri, Polpoti… e Luciferri. Ai, i ka grumbulluar lukuninë e babzitur të hienave, mbi të cilët përjetësisht, rëndon akuza e krimeve kundër njerëzimit. “Ky ka qenë “material i zgjedhun” për burgosje, torturë, punë të detyrueshme dhe ekzekutim. Xhelatët e tiranisë së kuqe, si: Zoi Themeli, Fadil Kapisyzi, Lefter Lakrori, Nesti Kopali, Nesti Shkurti, Abdyl Hakiu, Idriz Çoba, Ali Xhunga, Kasem Troshani, Xhemal Selimi, Xhevdet Miloti e çeta e nënoficerëve dhe gardianëve, drejtorët e burgjeve dhe kampeve (që njoha unë), të gjithë ata që e banë jetën tonë Ferr mbi Tokë, kanë qenë kriminelë ordinerë, vrasës me pagesë, që duhet të dalin para gjyqit, për krime kundër njerëzimit. Vetëm atëherë, bota do të besonte të pabesueshmen e do të kuptonte sa poshtë ka ra shqiptari “fashist” e “komunist”, në trajtimin e shqiptarit pa ngjyra…e vlla! Këto mostra me fytyrë njeriu, përfaqsojshin tipin e ri kriminel komunist, gjakpirës, që planifikon e ekzekuton krimin me gjakftohtësi. Për hir të karrierës, këta kriminelë ordinerë merrshin inisiativën e veprimit në qelitë e errta të burgut, larg syve të botës, e ekzekutojshin me dorën e tyre, viktimën pa mbrojtje. Ishin bisha të egra, bisha të egra…” (f.14-15)
Por Samiu, me shpirt human e të patjetërsueshëm, kujton se në tërbimin e rojeve, gjendeshin edhe rreshterë, që rrezikuan shumë, për të lehtësuar jetën e të burgosurve. I tillë ishte rreshter Jonuzi nga Berati, që bëri sa mundi, për të lehtësuar vuajtjet në burgje e kampe të punës së detyrueshme. Ata sollën frymën e mirësisë njerëzore, në skutat më të errëta të dhunës, ku fshihej tortura e krimi makabër i sistemit. Pak dritë nga Jonuzët, në mijëra kampe e burgje, ringjallën besimin e Samiut në madhështinë e racës njerëzore…
Mbi 100 burgje e kampe të punës së detyruar (27 në Shkodër) e qindra kampe e pika internimi në të gjithë Shqipërinë. Studiuesi i faktografisë Agim Musta, në librin: “Burgjet e shtetit-burg”, saktëson: “Për motive politike u ekzekutuan 5037 burra e 450 gra; u dënuan me burgime 26.788 burra e 7367 gra; u internuan 48.217 burra e 10.792 gra; u dëbuan nga qytetet kryesore e zonat kufitare 11.536 familje. Të njëjtin fat pësuan edhe qindra shtetas të huaj. Prej tyre u pushkatuan e vdiqën në burgjet shqiptare 64 vetë; u dënuan me burgim 1215 burra e 38 gra. Po ashtu u pushkatuan 950 kosovarë, që ndodheshin në Shqipëri ose të ardhur nga Kosova e disa mijëra të tjerë vuajtën dënime të rënda në burgje e kampe të posaçme internimi.”
Ndërgjegjja e freskët e popujve liridashës nuk mund të harrojë 20 milion të vdekur si pasojë e terrorit komunist në ish-BRSS, 6.5 milion në Kinë, 1 milion në Vietnam, 2 milion në Kamborxhia, 1.5 milion në Europën Lindore, 150 mijë në Amerikën Latine, 1.7 milion në Afrikë, 1.5 milion në Afganistan, pra sipas studiuesit Stephane Courtois mbi 100.000.000 njerëz janë zhdukur nga ideologjia komuniste, ku kryesojnë terroristët diktatorë, si: Mao Ce Duni, Pol Poti, Lenini, Stalini, Ho Shi Mini, Kimi II Sungut, Fidel Kastro, Enver Hoxha, Çaushesku etj., e disa diktatorë afrikanë.

Biri i Rozafës nën hijen e saj

Sami Repishti (1925), lindi në Shkodër në një ditë të ngrohtë korriku, në një familje patriotike qytetare. Gjyshi i tij, ka nënshkruar Memorandumin e 13 qershorit 1878 të Lidhjes së Prizrenit, Shkodër. Babai, ishte vullnetar në Rrethimin e Shkodrës 1912-1913, ish-deputet në vitet 1923-1924. Ai, ka ra viktimë e terrorit fashist italian në vitin 1943. Kushëriri i tij, është ekzekutuar nga nazistët gjermanë në vitin 1944, në kampin famkeq të shfarosjes Mat’hauzen.
Në lagjën Dudas, vogëlushi Sami, ndoqi mësimet e para të ABC-së në shkollën fillore “Oso Kuka”. Ngjarjet e përjetuara, i janë ngjizur thellë kujtesës, gjatë vitëve të paharruara. Pozitive, janë për Samiun, koha e fëmijërisë e rinisë, ku liria e dashuria për shkollën e shokët asnjëherë nuk u shkëput, ndonëse me kalimin e viteve, ngjarjet precipituan me shpejtësi…
Po në Dudas, kam mbaruar edhe unë ciklin e lartë të shkollës 8-vjeçare, e rrethuar me shtepi të vogla karakteristike shkodrane, mes aromës së luleve të shtëpive, frutave të bahçeve e shokëve të fëmijërisë, me të cilat luaja futboll në rrugica. Samiu fëmijë, nga mësuesit e shkollës gjatë piknikut niset drejt kështjellës 3000-vjeçare të Rozafës, ndërsa në vitet e mia, mësuesja pëlqente të na mbante brenda mureve e shtonte orët e edukatës morale politike me fletushkën “Ze(h)ri i Popullit”…
Njerëzit e mirë e të dashur të shkollës, Repishti, i mban mend e i kujton me respekt. Atij i kujtohet Asllani, kujdestari plak i shkollës e zilja, që tingëllonte në mbarim të çdo orë mësimi, këngët e reja që mësonin në klasë, përsëritja e saj plot krenari e galdim në klasë e shtëpi. Me të bashkohet Manushi, shoku i klasës e i bankës, që ishte shumë i sëmurë. Ai ndërroi jetë shpejt... Jeta e brishtë e djalit të vetëm të familjes Manushi, i bashkohet engjëllit në lumnin e pasosun, duke i shtuar keqardhjen me pika loti. Samiu, kujtonte vitet e ditët e bukura me balona, buzë liqenit, në kala të Rozafës, përkujdesi i vijueshëm i nënës së Manushit për djalin e dëshirës, që kishte marrë të ftohur nga moti i keq… duke thënë plot dhimbje: “E shkreta nanë!”…
Jeta kalon si pa u ndier. Gjendja ekonomike në familje nuk ishte e mirë. Por vogëlushi gjithsesi ishte i gëzuar, sepse jetonte moshën e vet dhe bukuritë e stinës. Shumë nga bashkëmoshatarët e vetë ai nuk kishin rroba të mira dimri. Ata e kalonin egërsinë e stinës së ftohtë me tesha të vjetra e këpucë të dobëta, por sërisht gëzohej, se pranvera i risillte në faqe stinën e luleve, duke i lëmuar faqet e kuqe…
Çasti i lumtur për vogëlushin Repishti, ishte tek shihte avionin e postës, që fluturonte pranë pullazeve të shtëpive shkodrane. Muzgu i mbrëmjes, flladi i pranverës, balonat me pe, pritja me gëzim e babait në shtëpi, që vinte nga faltorja e lagjës, mbasi kryente lutjet e mbrëmjes, tryeza e rafti i vogël i librave, ku studionte babai i tij deri në orët e imta të mbrëmjes…, përbënin ritin e kënaqësisë së Samiut.
Babai i tij, Hafiz Ibrahim Repishti, ishte një besimtar me bindje e jo për traditë, duke qenë një udheheqës shpirtëror i lagjes së vet, me një përvujtëri e respekt të veçantë. Kryefamiljari, në moshë të re, si vullnetarë kishte marrë pjesë në rezistencë me armë në dorë, në mbrojtje të qytetit nga agresioni malazez në vitet 1912-1913, duke qenë komandant i tyre.
Vogëlushi, hyn në dyert e gjimnazit. Lënda që e tëhiqte më sëshumti ishte letërsia shqipe, temat epike, aty ku i bëhej thirrje ndjesive luftarake të një populli, që i nevojitej qëndrese për mbijetesë. Kontakti me librat, revistat, perkthimet e pakta asokohe, përpiqej që t’i kalonte nëpër duar, duke lexuar pjesë të këndshme të tyre. Lexonte me kureshtje çdo prodhim të ri, sidomos poezinë vendase, me të cilat ndihej krenar… Rrugët e qytetit e shkolla, merrte një pamje festive e adolishentët e ndjenin më sëshumti afrimin e festës së Flamurit, Ditën e Pavarësisë 28 Nëntor 1912, ku plaku i urtë mjekërbardhë Ismal Bej Qemali, shpalli Mëvetësinë e Shqipnisë nga kthetrat e egra të Perandorisë barbare Turke. Asokohe, Samiu, nuk ishte më shumë se 12 vjeç. Ai po festonte 25-vjetorin e Ditës së Pavarësisë, ku qyteti Shkodra menjeherë e ngriti Flamurin Kuq e Zi në kështjellën “Rozafa”. Vajzat e shkollës së mesme femërore të qytetit, kishin gdhendur simbolin nacional me me ngjyra ari. Ishte veshur me rrobat më të mira për festë. Me krenari thoshte: “Rroftë Shqipnia!”…, fjalë të cilat, nuk do t’i shkëputen edhe sot 81-vjeçarit në New York… Ishte një gëzim i shumëfishtë: gëzim përjashta, gëzim në shtëpi, hare në zemrat e vogëlushëve, rreth të cilës ishte bashkuar atdhetari i vogël shkodran Sami Ibrahim Repishti.
Pak kohë më vonë, gjatë rrugës i bie në dorë një letër e shkruar, përmbajtja e së cilës e këshillonte vëmendje e paralejmëronte rrezik. Atë e mbante në çantë dhe priste me padurim të mbaronte ora e mësimit për të parë letrën. Ai u step që në rreshtat e parë, me përshkrimet e mjerimit e thirrje për revoltë. Në fund qëndronte nënshkrimi “Grupi i të Rinjve Komunistë!”. Adolishenti, mendonte: “Atëherë kuptova ke përfaqësojshin ata, që flitshin aq shpesh dhe me aq kambëngulje, dhe pse i gjithë ky grup kishte nji unitet pikëpamjesh. Kuptova, se ishte fjala për diçka të orkestrueme mirë nga elementët jashtëshkollorë, e u zhgënjeva.” Tashmë, ai po hynte para kohe në moshën e pjekurisë.
Samiu, ishte i sinqertë në sjelljet me bashkëmoshatarët e klasës. Kështu, ai fliste lirshëm me Eqremin, shoqen e shkollës Lilin, e cila ishte përfshi në vorbullën e ideve komuniste. Ajo kishte evoluar shumë, duke shprehur ftohtësi dhe ndryshuar në temperamentin e saj. Nuk ishte më ajo vajza e siqnertë e shokut të vet. Ajo, kur e shihte Samiun e përshëndeste ftohtë dhe evitonte buqëqeshjet rinore. Lili, gjatë një bisede me Samiun, kërkon që ai t’i bashkohet ideve komuniste, me të cilat ishin infektuar shumë bashkëmoshatar të shkollës, ku mësonte edhe Samiu. “Ti je largue nga frika, sepse sot, kjo përpjekje e jona asht nji luftë e ashpër, e përgjakshme, që kërkon sakfrifica të reja… e tij nuk je i aftë e koshient me i pranue. Sot je nda nga shoqnia, je largue nga lufta e drejtë, që na përballojmë me guxim. Unë nuk mund të vazhdoj shoqninë me ty. Do të ishte e padrejtë. Do të isha jo e sinqertë kundrejt shokëve të luftës, me vazhdue si përpara…” (f.60)


Unë nuk jam DEBATIK-as

Pushtimi fashist i Atdheut, do t’i lë gjurmë të thella, tek ndiente revoltën e kryengritjeve mbarëshqiptare. “7 Prill 1939. Ende pa zbardhë drita, nji gjamë e largët topi na zgjoi para kohe. Toka shqiptare po rrihej me tërbim. Luftanije e aeroplanë luejshin aktin e parë të një drame të përgjakshme që filloi atë ditë. Nji ushtri moderne shkeli tokën tonë. Filloi pushtimi i huej! Nga dritoret e hapuna të dhomës, hynte krisma e artilerisë, ndërsa në qiellin e pambrojtun, fluturojshin bombardierët italianë…”.
Vitet kalojnë. Një ditë 17-vjeçari, gjendet para një të papriture. Çfarë i kishte ngjarë? Le t’a shohim me kujdes. Një shok i tij, e kishte ftuar, pa e lajmëruar se ishte mbledhja e të rinjve...
“Pa shumë formalitete, u ulëm rreth tryezës. I ardhuni na shikoi me vrejtje të gjithëve, vuni mbi tryezë dy bomba dore e nji revolver, e nxori nga çanta nji paketë letrash plot shënime. Të gjithë heshtëm. Jashtë shtëpisë dëgjoheshin hapat e rregullt të rojes. Kësaj rradhe, po jetojsha atmosferën e një veprimtarie të rrezikshme.
“Shokë!”, filloi ai me një ton urdhnues, por me za të ulët. “Siç e kemi zakon ne komunistët, duhet të caktojmë rendin e ditës, të mbajmë referatet përkatëse, e të fillojmë diskutimet.”
Fjala “komunist”, më gjeti të papërgatitun. E ndërpreva:
- Me leje, shok!
- Fol, më urdhnoi.
- Asht kjo nji mbledhje e komunistëve?
- Po! - përgjegji i ardhuni. - Nuk e dije?
- Jo. - i thashë. Ai u shqetësue, e me nji za të egër kërkoi:
- Të ngrihet në kambë shoku që e ka sjellë këtu!
Njeni nga shokët e mi u ngrit pa hezitim.
- I ke tregue shokut, që kjo është mbledhje komunistësh?
- Jo, shok.
- Ke bërë shumë gabim, shok! - E tue u kthye kah unë shtoi:
- Po të duash, mund të shkosh.
- Po, -përgjegja, - Dua të shkoj!
- Pa tjetër shkëmbim fjalësh, u ngrita, nuk përshëndeta njeri, e dola nga dhoma. Roja më shoqëroi deri në portën e jashtme, me porosi të preme: “Je i ndaluem të flasësh për këtë takim. E kupton?”
- Po, - i thashë, - E kuptoj.”


Fitues i një burse studimi në Firence

Jeta shkollore vazhdon. Me mbarimin e provimeve të maturës, 28 shokët e klasës e ekipin pedagogjik fiksohen në fotografi. Me deftesën e pjekurisë (maturës) në dorë, ai vrapoi drejt shtëpisë, t’a ndanteëgëzimin shpirtëror me prindërit e vet. Babai e mori në krahët e vet, duke e përgëzuar, ndërsa nëna, i uli kryet e i puthi ballin me sytë e mbuluar plot lot gëzimi…
Jeta e re, ishte një furtunë e madhe në detin plot tallaz, duke qëndruar si timonier stoik e ngjallnjyes deri në fund. Karaktere të ndryshme, ide e pikëpamje të larmishme, të majtë e të djathtë, indiferentë e liberalë, përbënin grupin e të rinjve, me të cilët, u përballua në vitet e gjimazit i riu Repishti.
Në Tiranë, niset për të marrë pjesë në një konkurs, për shkollën e lartë jashtë shtetit. 112 kandidatura, konkuronin për 28 bursa studimi të profesioneve të ndryshme. Mbas 2 ditëve, ai merr vesht se ka fituar një bursë studimi pranë Universitetit të Firencës në Itali. Gjatë vjeshtës përgatitet për të udhëtuar drejt Italisë. Me një anije mallrash, kaloi ujërat e kaltra të Detit Adriatik e u afrua pranë portit të Brindizi-t.
Tashmë për te shfaqet një botë e re kulture, që do t’i zgjeronte horizontin, duke i hapur dyer të reja të panjohura e formuar personalitetin e dinjitetin e njeriut, me dije të reja përparimtare. Samiu, mori pjesë në takimin e parë politik në Itali, në kohën kur qeveria fashiste kishte pushtuar vendin e shqiponjave…
Më shumë se 200 studenta shqiptarë, u mblodhën në sheshin “Michelangelo”, duke demostruar para syve të policisë fashiste vendase. Shpalosja e flamurit kuq e zi dhe këndimi i himnit nacional ishte kulmi i tubimit. Edhe në dheun e huaj, shqiptarët ishin të përçarë në nacionalistë e komunistë. Vendasit, jetonin nën thundrën e fashizmit. Italianët, prisnin që lufta të mbaronte sa më shpejt, mbasi shkatërrimi e kaosi, rëndonte mbi xhepat e shpuar të popullit liridashës.
Shpejt miqësohet me një italian e sëbashku dëgjonin raporte nga BBC-ja e Londrës, për situatën e Luftës II Botërore. Miqësia midis Samiut dhe të riut italian ishte e sinqertë si vetë mosha e tyre. Ai e njohu me shumë vende historike të Italisë. Një ditë, ai ftohet për drekë nga shoku i vet në familjen e tij. Bujaria e italianëve, shprehet në ndihmën që ata i afrojnë shqiptarit në rast rreziku, ndonëse kishte vendosur që të kthehet në Shkodër, sapo të mbaronte provimet vjetore. Mbi 500 udhëtarë shqiptarë, që po ktheheshin në vendlindje humbën jetën në ujërat e Detit Adriatik.
Ripushtimi i Shqipërisë nga nazistët gjerman, do të gjej Samiun, si gjithnjë neutral ndaj erërave të egra politike të kohës. Por kjo nuk do të thoshte se ai nuk e njihte mirë zhvillimin e ngjarjeve në vend e më gjërë. Një shije të hidhur i linin bashkëmoshatarët komunistë, që ishin bashkuar rreth një dogme që as ata nuk e dinin se ku do t’i denglediste një ditë. Nacionalistët në Shkodër, shikoheshin me dyshim nga komunistët, ndërsa nacionalistët, i shikonin komunistët si shërbëtorë të pansllavizmit dhe këlyshë të Rusisë, dy epitete negative, që sundonin në qytet asokohe.
Koha dhe faktet historike, treguan se komunistët e kishin merituar nofkën e vënë nga populli, se ata ishin proletarë pa atdhe, që për hirë të ideologjisë komuniste, kërkonin t’a shkrinin Shqipërinë në një me Federatën Jugosllave (në vitet 1941-1948), më vonë me rusët (deri në vitin 1960), kinezët (deri më 1978), duke përdorur slogane të gatshme proletare, për të gjitha vendet komuniste njësoj. Verbëria e tyre, me reagimet patetike për idetë komuniste, i kishte bërë ata të binin viktimë e mashtrimeve. Mbas shumë viteve, disa prej tyre do t’a mësonin më mirë vetëmashtrimin, kur arrestohen dhe mbushin qelitë e burgjeve të ftohta. Ishte vonë, tepër vonë, sikurse thotë gojëari popull: “Kur të vijnë mend, s’ti hajnë as qentë”.


Luciferri,
në fytyrën groteske të proletariatit


“Asnjëherë gjatë atyne vjetve të gjatë nuk u lëkund kjo bindje, as u trondit vendosmënia ime me vujtë sëbashku me polemin e kryqzuem, ashtu si nana ime. Sepse në kalvarin e vuejtjes, unë, i burgosuni, shikoja mbarë nji popull shqiptar, që kishte marrë rrugën e kondrinës së Golgotës, shikojsha qartë rreth e rrotull atdheun tim masat e kryqzueme pafaj, e vargje të pafund vuejtjesh të pameritueme… sikur të kishim gjuejtë vetë Zeusin me gurë…! Aty mësova si duhet, se burimi i kundërshtimit e i revoltës asht ndjenja e pafajsisë së pastër dhe e vuejtjeve pa arsye, kur këto përballojnë padrejtësinë e shtypjen. Shenjtnia, pa dyshim, duhet të ketë kalue nëpër të njëjtat shtigje të vështira… e heroizimi i njimendtë!”

Prof. Sami Repishti, në librin “Pika e Loti”
Ish- i Burgosun Politik në Shqipëri (1946-1956)


Autori, gjendjen e rëndë, që kishte pllakosur vendin dhe vendlindjen e jep me përshkrimin konçiz: “Çdo ditë sillte diçka të re. Në kaosin e qytetit, shumë të rij ishin dalldisë mbas jetës së luksit të siguruem nga fitimet e mëdha në tregti e spekullimet e ndryshme. Shumë të reja u përfshinë në vorbullën e qytetit që nuk flinte ma. Shkujdesja e pabesueshme ishte ba normë për shumë bashkëqytetarë, që nuk dëshirojshin me dijtë për asgja, veç dëfrimeve të jetës së tyne të shthurun… Qyteti i im, ishte i shqetësuem edhe ma shumë nga numri i “partizanëve” jugosllavë, që kishin infiltrue në Lëvizjen Nacional-Çlirimtare në qytetin tonë, dhe pozitat komanduese që kishin marrë. Tue pasë parasysh të kaluemen e marrëdhanieve shqiptaro-serbe e malazeze, prania e tyne në Shkodër, ngjallte dyshim e frikë.” (f.88-89)
Qytetari kujton ditën 28 nëntor 1944, ku, aty-këtu dëgjoheshin krima pushke, duke festuar ditën e largimit të pushtuesit gjerman nga Shkodra. Një re e zezë e Lindjes bolshevike, po kanoste si epidemi e shpejtë qytetin dhe gjithë Shqipërinë. “Po ngrinte kokën organizimi i ri shtetnor, i mbështetun mbi forcën e hekurit e zjarrit, ashtu sikurse kisha dyshue dy vjetët e fundit. Fjalime pambarim, parulla të përsërituna, arrestime masive, “djallëzimi” i kundërshtarit, që paraqitej e trajtohej si “armik” e, kërkesa revolucionare për luftë pa mëshirë. Ekzekutimi publik ishte përfundimi tragjik!… Çdo ditë përgatitej nji “shfaqje” publike, për diskreditimin e “anmiqve të popullit”. Nji ditë janari, kaloi me zhurmë nji grup malësorësh të lidhun me pranga e litarë, krah për krah, ndërsa rreth e rrotull tyne, grupe të rijsh e gra histerike, përsëritshin në kor: “Plumbin ballit! Plumbin ballit! Vdekje trathtarëve! Vdekje trathtarëve!…” (f.102-103)
Pushteti i ri serb, i manjakëve të gjakut arbëror, e thirri Repishtin si nëpunës në Seksionin e Rindërtimit, duke filluar punën rutinë si zyrtar pa entuziazëm. Ai e fillonte punën në orët e para të mëngjezit e delte nga “zyra” në orët e vona të natës. Aleatët perëndimorë (UNRRA), fillojnë dhënien e ndihmave ndaj pushtetit komunist me koshiencë të plotë, duke e ditur mirëfilli, se ata erdhën dhunshëm në pushtet, përmes gjakut të derdhur mbi popull, përmes masakrave pambarim të Luftës së Përgjakshme Civile.
Ekipi i zyrës së Samiut, përbëhej nga elementë “indiferentë” në politikë, por “zyrtarë” të rregullt. Fryti i punës së tyre dukej qartë, në rindërtimin e urave të vogla, shtrimin e një rruge të demtuar ose përmirësimin e ndërtesave qeveritare.
Në prill 1945, u organizua në Shkodër një demostratë para ndërtesës së prefekturës. Parakaluesit, bërtisnin si histerikë “poshtë” filani e “lart” tjetri. Ata mbanin parulla të udhëheqësve jugosllavë, sovjetikë e ndonjë shqiptarë. Ata, kërkonin antarësimin e Shqipërisë në OKB dhe aneksimin e Triestes së Italisë drejt oreksit të Jugosllavisë së Josif Broz Titos. Pamja e qytetarëve robot, që ishin mbledhur, manifestonin e shpërndaheshin si robot me urdhër, i la një përshtypje të keqe shkodranit Repishti.
Samiu, kujton: “Shfrytëzimi i fjalës “popull”, i vullnetit, dëshirës dhe aspiratave të tij, në një mënyrë kaq banale, lëkundi besimin e ushqyem në aksiomën e mendimit tim se, duhet mendue, folë e veprue “në emen të popullit”, nëqoftëse kërkohet justifikimi moral e ligjor i veprimtarisë sonë politike e qytetare. Atë ditë, me trajtimin e popullit si kafshë pune e manipulimin e tij të paturp, unë pashë nën dritën e Diellit, fytyrën groteske e të zbulueme të diktaturës së kuqe, që na imponohej dhe e urrejta me fuqi.”
Në brendinë e tij, ndiente një rritje të pandalshme frymëzimi për përpjekje, ballafaqim e liri. Thirrja për aksion të rrezikshëm, do t’a çlironte njëkohshit edhe nga prangat që e copëtojshin. 20-vjeçari, shtrengonte dhëmbët e dhimbjes, për të vrarët me revoltën e brendshme, që si lëmsh i zjarrtë i digjte gjoksin. Disa ditë më parë, vargje të gjatë me 16423 shqiptarë nga Kosova (Masakra e Tivarit), të mobilizuar nga Jugosllavia e Titos, kaluan në rrugët e Shkodrës, të kontrolluar nga gardianë jugosllavë në tokën shqiptare. Ata që mundën të shpëtonin nga masakra kolektive, treguan për ekzekutimet në një gropë gjigande të përbashkët. Ja një argument i fortë historik, i krimeve kundër njerëzimit, që meritojnë Gjyqin e Hagës.
Ekzekutimet masive në zonat malore të Mbishkodrës me gjyq e pa gjyq, u bënë skena të përditshme, që mbështetej fuqishëm nga papagallët e media e sekretarët e partisë, që për histerizmin e treguar në rini, sot në periudhën e “demokracisë”, po rimarrin tituj nderi e dekorata “trimerie” apo “nderi i kombit” (nga Ramiz Alia (1991), Sali Berisha (1992-1997), Rexhep Mejdani (1997-2002), Alfred Mosiu (2002 e sot).
I riu, përfshihet në grupin kundërkomunist, që vepronte në mënyrë aktive e klandestine në Shkodër. Gjatë muajit maj 1946, u zhvilluan demostratat e para kundërkomuniste, të qeta, spontane, nën sytë e vëzhgimit të Sigurimit. Ishte momenti i funeralit të Aqipeshkvit katolik Imzot Gaspër Thaçit (1888-1946), ndërsa mbahej në gjendje arresti në shtratin e vdekjes. Proçesioni mortor elektrizoi Shkodrën nga Kathedralja e Shën Shtjefinit deri tek vorrezat e Rrmajit. Turma të mëdha njërëzit të ekzaltum katolikë e muslimanë ndiqte arkivolin, në heshtje e dinjitet, kundër dikturës së hurit e litarit. Samiu, kujton me shumë respekt fjalët e vendosmërisë së At Dr.Gjon Shllakut O.F.M., gjatë takimit të paharruar: “Nuk do të provokojmë; nuk asht roli jonë. Por njikohësisht, nuk mund të heqim dorë nga Feja e nga Kisha e Romës. Ata janë Jeta e Nana e Jonë. Pa Ata, qënia jonë si klerikë s’ka kuptim.”(f.117)
Sërisht me grupin e vet kundërkomunistë bënin veprime të matura e shumë të kujdeshme, mbasi Sigurimi ishte në vigjilencë të plotë. Ai mendoi të shpërndante një trakt kundër pushtetit, duke kundërshtuar zgjedhjet elektorale fallco, që po përgatitshin komunistët më 2 dhjetor 1945. Ndërsa 3 muaj më vonë, në Shkodër, filloi një valë e re arrestimesh masive të elementëve kundërqeveritarë, ku më sëshumti viktimë ishte Kleri Katolik Shqiptar në Shkodër, nën prangat e së cilës u përfshi edhe At Dr.Gjon Shllaku O.F.M.
Gjatë atyre ditëve, Samiu me shokë kishte hedhur në mënyrë ilegale 2 trakte e kishin protestuar me anë të një Memorandumi, shkruar në gjuhën franceze për manipulimin e votimeve, duke sensibilizuar autoritetet “aleatë” syleshë e veshshurdhër, që kishin vizituar Shqipërinë ato ditë. Megjithatë, grupi ku bënte pjesë Sami Repishti, kishte arritur një sukses, sepse forcat e Sigurimit të uritur ishin hedhur në sulm, për të kapur nënshkruesit e trakteve kundërqeveritare e demaskuese për zgjedhjet formale.
Hedhja e trakteve ilegale, kujton Dr.Repishti, iu mvesh një grupi tjetër të rinjsh, që u denuan pa faj. “Por nga frati, nuk doli asnjë fjalë. Ndoshta, vetëm në qelinë e errët të burgut e në pritje të ekzekutimit, ai do të ketë mendue edhe për takimin e grupit tonë, që ai filloi me çmue. Ndoshta, në ato çaste vetmie, ku vetëm zani i ndërgjegjës ndigjohet i qartë e, ku fuqia vjen vetëm nga besimi në nji ideal të naltë, të pathyeshëm, ky bir i Shën Françeskut do të jetë ngushëllues me mendimin se, jashtë mureve të burgut, po rritej nji rini e shëndoshë, guximtare, që nuk pranonte degjenerimin moral e nënshtrimin e turpshëm ndaj diktaturës bolshevike dhe se, kjo rini mbetej shpresa e vetme, për mbijetesën e kombit tonë e si rrjedhim, e vazhdimsisë së Kishës Katolike në Shqipni. Ky mendim e kjo shpresë, duhet ta kenë ngushëllue fratin tonë, këtë klerik katolik shqiptar, të dedikuem e të denuem me vdekje, pa faj…!” (f.118)
Komunistët, sundonin me parrullat lenino-staliniste: “Me ne ose kundër nesh!”, “Ju (“reaksionarët”), nuk keni vend këtu!”. Kur forcuan juntën, bënë thirrje për terror: “Armiqtë e popullit në litar!”, “Merrni sopatën e bjerini në kokë cilitdo që guxon të flasë…!” (pra, nënshtrim ose vdekje). Më 9 shtator 1946, katundarët e Postribës (disa milje afër qytetit), që mbronin tokat e tyre nga shtetëzimi i dhunshëm i “pushtetit” komunist, sulmuan me guxim qytetin, kazermat ushtarake, ndërtesat qeveritare, por pa sukses. Lëvizja e Postribës, la në histori shumë viktima, që do të vijojnë deri më 1990. Ajo, nuk u organizua mirë, nuk pati mbështetje nga trupat “kundërkomuniste” aleate, që vepronin në Detin Mesme…


Arrestimi i 20-vjeçarit
dhe rrymë elektrike në organet gjenitale

Ishte data 22 tetor 1946, kur në vendin e punës mbërrijnë forcat e Sigurimit dhe marrin nën pranga të riun Sami Repishti. Shokët e shikonin me keqardhje, por nuk kishin mundësi t’a ndihmonin. Në kuesturën komuniste, fillon avazi i dhunës fizike. “Nga tryeza ku rrinte, hodhi me të gjithë fuqinë e krahut një zile metalike që mori nga tryeza e që me kaloi pranë veshit të majtë. I pakënaqun, tue më kërcënue me të gjitha llojet e torturës, u afrue e më dha nji shuplakë, që më errësoi sytë. “ - Shpirtin do të marr, qen bir qeni”, më tha “ose trego gjithçka e nuk të torturojmë!”.
Një llampë e vogël varej në qelinë ku e plandosën të prangosurin. Ai nuk kishte asgjë përveç mureve të akullta e të errëta:
“I këputun nga nga lodhja, i lagun e i uritun, u ula në çimenton e qelisë, me të dy këpucët nën vete. Ftohtësia më ngrinte trupin edhe ma shumë e, më dukej sikur uji i shiut ishte kthye në akull. Dhambët kërcitshin papushim. Fërkoja duart e lidhuna me hekura kuajsh e hukatsha pandërpremje, por padobi. “Nuk mund të vazhdoj kështu deri në mëngjez…”, mendova “do të vdes!”… në mesnatë u hap dera ime: “ - Ngrehu, derr”, më tha roja. Më zgjidhi prangat e kambëve e më urdhnoi me vrapue: “shpejt, shpejt, derr!”. Në zyrën e hetuesit, gjeta tre oficerë Sigurimi. Më pyetën si quhem. U përjigja me za të ulët, që dridhej nga të ftohtit e frika. Me naivitetin tim, shporesojsha se informatat e tyne ishin të gabueme. Doli e kundërta! Kjo ishte nji taktikë, që bante të mundun me fillue torturën, që në takimin e parë kundër “kokëfortëve”. Me grushtet e parë e shkopijtë, përgatitej terreni për hetuesi ma të rregullt, ma vonë. Porsa dhashë përgjigjen, një breshën shuplakësh, grushtesh e shqelmash, më dërmuen trupin. Në gjendjen time, kjo batare mjaftoi. Rashë nga karriga në shesh, si nji lamsh. Gjoksi e kërcijt e kambëve ishin të ekspozueme për shkelma e përsëri shkelma, që më jepnin, sa njeni, aq tjetri. Fillova me rënkue, e sytë m’u mbushën me lotë. “nuk i njoh zoti kapiten!”, thashë me nji za lutës, “Ju betohem! Nuk i njoh.” – ata qeshën. “kemi fakte prova, dëshmitarë që ti i njeh mirë, e ke bashkëpunuar me ta.” – E keni gabim! – përgjegja unë. – Nuk i njoh! Atëherë, kapiteni, nji shkurtabiq me trup, por muskuloz, mori nji dru që mbante mbi tryezë, e filloi të më bjerë pandërpremje, sidomos në gjoks e në kofshë. Për çdo goditje, hidhesha nga dhimbjet. U luta të më besojshin, se flitsha të vërtetën. Por asnjeni nuk përgjigjej…i shtrimë në shesh, me duer e kambë të lidhuna, pashë nji roje që hyni në dhomë. Pa folë fare preu me thikë pantallonat e mia. Para oficerëve ishin të zbulueme organet gjenitale. Nuk kuptojsha gja. Dy fije telefonike shtrënguen organet e, para se të kisha mundësi me folë, nga nji aparat telefonik doracak, korrenti elektrik më tundi nga vendi. Tronditja e parë më krijoi nji ndjenjë zjarri të brendshëm, shtrëngova dhëmbët që më kërcitshin, sytë më nxirrshin xhixha, e muskujt e fytyrës u deformuen. Sa herë që vinte korrenti, shtrëngohesha me vete, e koka ngrihej e mandej përplasej mbi dysheme, pa kontroll… e në atë kohë dera e zyrës u hap. Nji burrë, që nuk e pashë, deklaroi se ishte takue me mue e zhvillue bisedime kundër pushtetit. Kur mbaroi, i dhanë urdhën me u largue.” (f.128-129)
Çdo qelizë e trupit të tij ishte një pikë dhimbje e padurueshme. Për 14 muaj, Samiu iu nënshtrua hetimeve intensive. Qëllimi i Sigurimit, nuk ishte e vërteta, por procesi i detyruar, me pranu atë që nuk di, duke plotësuar planet e parapërgatitura të diktatorit. Gestapoja e shtetit, i kishte venë qëllim vehtes me nxjerrë për shoë, para publikut një “organizatë armike”, të “zbulueme” nga “vigjilenca e popullit dhe Partisë”. Skenari i tyre, përmbante gënjeshtrën e kthyer në sistem, të cilës, i vinte në ndihmë tortura e frika, gjyqet e pushkatimet, që i vinin kapakun.
Njeriu robot, i krijuar për dhunë, pranonte disfatën e brendshme të pushtetit të pushtave, duke iu drejtuar të burgosurit Repishti: Pse ke marrë pjesë në proçesionin e varrimit të Arqipeshkvit Imzot Gaspër Thaçit? Xhelati, shtoi:
“Të kujtohet Revolucioni Francez? Revolucionarët francezë ishin kundër aristokracisë, jo kundër klerit”, vazhdoi ai monologun. “Por, kur kleri refuzoi të ndahet nga aristokracia, atëherë populli tha: ‘Le të digjet edhe kleri’ Historikisht kleri katolik i ka shkaktue vehtes, damet që pësoi. Ashtu si dje, ashtu edhe sot. Ata sulmojnë, na mbrohemi… - Ju të gjithë besoni në superioritetin ushtarak të Amerikës… Bomba atomike? Ha! Mos u shqetësoni! Brenda pak kohe, Bashkimi Sovjetik do të ketë bombat e veta, ma të mëdha, ma të fuqishme… Ndërkaq, tash për tash do ta evitojmë konfliktin, por do t’a provokojmë kur të ndjehemi të fortë nga pozita të favorshme, në kohën dhe në vendin ma të përshtatshëm për ne… Ne do të fitojmë luftën finale…”

Të “krijohet”
faji e të dënohet “fajtori” pa faj!!!

Në botën e nëntokës, që sundoi në Shqipëri prej 1944-1990, torturat, dëshmitë e rreme, fyerjet, dhuna fizike, psikologjike, morale, shpifje, dëshmitarë të rremë e të paskrupull, vrasjet, “vetëvrasjet”, hedhjet nga dritarja të burgosurve, helmosja, zhdukja pa gjurmë e të dënuarve, nxitja e urretjes në popull, lufta e çmendur e kllasave, fletërrufetë, këto shpiekje të revolucioneve ruso-kineze, shkrime denigruese e përbaltje, zhytja e mbytja në gropat e ujërave të zeza, të qindra njerëzve enciklopedistë e të pafajshëm, përbënin rrethin dantesk e përgjakshëm të nëntokës.
Dhoma e qelisë së ftohtë, pranë Kuvendit Françeskan në Shkodër, ku qendroi Samiu, kishte një shtrat fjetje. Aty më parë kishte fjetur një frat i Kishës Katolike, por që nga plumbat e togës së pushkatimit kishte përfunduar në morg, e prej aty në ujërat e ftohta të lumit Kir...
Ai, qëndroi i lidhur në këmbë, kurse duart ia zgjidhën. I burgosuri i ri, filloi të ëndrronte, për bukurinë e natyrë së Shkodrës, e cila nga patenzotët ishte shpërfytyruar e gjakosur keqas. Samiu, ishte privuar t’a shijonte për së gjalli bukurinë e natyrës në vendlinje.
Mbas disa orëve të gjumit të rëndë nga mundimet e plagëve që pikonin gjak, sërisht kërciste dera e Ferrit dhe hynte xhelati, për të bërë ritin e zakonshëm me tortura fizike e psikologjike. Çdo ditë kishte metoda të reja torture sfilitëse. Akuzave të Sigurimit dhe kapitenëve xhelatë, Samiu, u jepte përgjigjen mohuese. Sërisht përtokë në kolaps, para se vdekja ta merrte në krahët e saj. Por, Zoti, kishte vendosur, që Samiu duhet të mbijetojë, për të dëshmuar të djeshmen e gardianëve, që shfrynin urretjen mbi viktimat e sistemit komunist. Për shumë kohë, nuk e lejuan të marrë ushqime dhe rrobat, që sillte nëna e motra nga shtëpia.
Kur të burgosurin, e dërguan në një ndertesë të madhe të Sigurimit, mësoi një lajm të hidhur, se shoku i tij Qemali, kishte vdekur nga dhimbjet e mëdha. Shkaku? Ai, duke qenë plotësisht i bindur, se nuk mund t’i shpëtonte ekzekutimit, kishte kryer me ndërgjegje vetvrasje. Gjatë kthimit në qeli (në Kuvendin Franceskan), sillte ndër mend karakterin e fortë të Qemalit, qëndresën, vitet e jetës shkollore.
Sipas një akuze të parafabrikuar: “Sami Repishti, ishte përpjekur për të rrëzuar pushtetin popullor me forcë”, në lidhje me “agjentët e fuqive të huaja”. Shumica e akuzave ishin fallcifikime, që nuk kishin lidhje me te. Akuza më e “rrezikshme”, sipas Sigurimit, ishte se “armiku” Sami Repishti, paraqiste rrezikshmëri, e me veprimtarinë e tij kishte “dëmtuar rëndë miqësinë vllazërore me Jugosllavinë e shokut Tito”!!!


“Trathtarë! Trathtarë!
Plumbin ballit! Plumbin ballit!

Grupi i të burgosurve, ku qëndroi S. Repishti, kishte 22 vetë, të lidhur me zinxhirë dy e nga dy, e të rrethuar nga dy rreshta roje partizanësh të armatosur. Dy të parët ishin klerikë: një fraçeskan katolik dhe një hoxhë imam. Të tjerët ishin katundarë, tregtarë, dy studentë e një ipeshkëv katolik shqiptar. Sapo dolën në rrugë, turma histerike e përgatitur nga partizanët çirrej: “Trathtarë! Trathtarë! Plumbin ballit! Plumbin ballit!”
Gjyqi u zhvillua në sallën e kinemasë së Shkodrës. Tashmë, në vendin, ku dikur qëndronte orkestra frymore e qytetit (ish-Banda e Bashkisë), kishin vendosur 22 karrige për të pandehurit dhe pak më larg qëndronin “avokatët”, që nuk kishin të drejtë të takonin klientët e tyre.
Aktivistët vullnetarë të së keqës, të përzgjedhur me kujdes kokërr për kokërr, kishin pushtuar sallën e gjyqit dhe me britma kafshësh lehnin në kor me gjithë mushkëritë e trupit: “Poshtë trathtarët! Kriminelët në litar!”. Për çudi, sot mbas 60 vjetëve, një pjesë prej tyre kanë fituar azil politik si të “persekutuar” dhe jetojnë kohën e pensionit pa i vrarë ndërgjegja. Dhe ku jetojnë, në zemër të Amerikës në New York, që dikur për t’a ishte vendi, ku “borgjezia ka ngritur luksin dhe mizerjen e vet… Statuja e lirisë është monumenti që borgjezia i ka ngritur lirisë së saj, lirisë për të sunduar… Rinia amerikane është në kërkim të vazhdueshëm. Ajo kërkon rrugët e protestës. Dyqanet e letërsisë politike janë të mbushura ditë e natë me të rinj… Ata kërkojnë librat e Leninit, Marksit, Stalinit… Çe Guevarës. Po sidoqoftë, autori që kërkonin mbi të gjithë është Lenini!” , sikurse do të shkruante rreth 24 faqe, pas një vizite me avion (ShBA), kundër Shteteve të Bekuara të Amerikës, një “bilbil” i letrave të diktaturës e kryexhelatit, n/kryetar i frontit “demokratik” të Shqipërisë, komunist e deputet i Kuvendit të Krimit të PPSh-së, mik i afërt i dinastisë së krimit Hoxha, i përkthelur i oborrit të errësirës e krimit totalitar të rregjimit komunist IK, sot “disident”.... O Krishti ku Je!!!
Prokurori, pritej me brohoritje frenetike nga aktivistët e baltës, që si lukuni ujqërish, lëshonin thirrje për gjak: “Pushkatim! “Varje në trekëndsh!” “Plumbin ballit”, “Ti mbysim armiqtë!”, “T’u shypim kokën!” “Kriminelë! Kriminelë! Kriminelë!” etj. Në narrative e jetueme të Dr.Repishtit, lexojmë dhimbje e trishtim:
“Skenari ma i dhimbshëm, u përjetue me aktakuzën e Ipeshkvit të Zadrimës. Krejtësisht i pafajshëm, kleriku i naltë u përgjigj me guxim, e mohoi çdo akuzë që iu drejtue, atij ose Kishës Katolike. Në një moment ballafaqimi të ashpër, kur kryetari, e pyeti me përbuzje:
- Cili je ti që flet kështu?”, prelati katolik, u përgjigj me za të plotë: “Jam Ipeshkëv i Kishës Katolike Apostolike Romane Shqiptare.”
Salla ra në heshtje të plotë për disa sekonda. Kryetari u gjet i papërgatitun, e prokurori me nji za të fuqishëm ia ktheu: “Ti je nji trathtar! Ja cili je ti, nji anmik i betuar i popullit!”
Ipeshkvi nuk u përgjigj. Fjalët e prokurorit, u ndoqën me thirrje të çmenduna të shikuesve në sallë: “Poshtë trathtarët! Poshtë trathtarët! E mandej, si me një urdhën, turma filloi të këndoj kangë partizane. Në sallë u ba nji rrëmujë e madhe. Para mikrofonit, ipeshkvi i patundun, shikonte trupin gjykues që lejonte nji manifestim publik në sallë, e heshte. Prokurori, që qëndronte në kambë, e shijonte plotësisht këtë manifestim “spontan” popullor. Rojet tona qeshnin. Na ishim ngri në karriget tona nga qëndrimi burrëror i Ipeshkvit, nga manifestimi skandaloz i gjykatës e kthimi i procesit gjyqësor në nji komedi politike, me gjithë elementin tragjik, që e përshkonte atë anembanë.”
Dhe rezultati i dënimeve me burgime, në pretencën e Gjyqit Ushtarak, dhënë nga Prokurori, që përfaqësonte diktaturën e hurit e litarit, ishte skandaloz e për faqe të zezë. Nga 9 të akuzuar, duke përfshi edhe Ipeshkvin trim, u dënuan me vdekje-pushkatim. Të tjerët, morën dënime prej 15 vjet heqje lirie deri në burgim të përjetshëm. Qytetari shkodran Sami Repishti, dënohet nga pretenca e gjyqit me 15 vjet heqje lirie.


Në botën e nëntokës së Ferrit

“… Po ne? Ah ne… Ne që kontribuam për të sjellë këtë kolerë, nuk ka mbetet veçse një bidon vajguri në dorë, të drejtohemi në qendër të qytetit e, duke kërkuar të falur popullit, t’i vemë shkrepsen vetes.”
Selfixhe (Ciu) Broja
ish-partizane e shoqe klase me Nexhmije (Xhunglini) Hoxha

Më 28 nëntor 1947, ditë shiu, i lidhur me zinxhir e mbasi mbledh rreckat e trupit, dërgohet në burgun e madh. Kolona e të burgosurve shoqërohej në të dy anët nga forcat partizane të armatosura, që mbronin të burgosurit e lidhur më zinxhirë. Shumë miq e të njohur e të panjohur shkodranë, tek e shihnin në atë gjendje përpiqeshin t’i jepnin kurajo për mbijetësë, me mujtë sadopak me i lehtësue dhimbjen dhe rreziqet që i prisnin të gjithëve. Nesër ndonjë nga keqardhësit bashkëqytetarë do të kishte rradhën të ishte nën prangat, që nuk do t’i hiqen shkodranëve deri në vitin 1991…
Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, e gjente me pranga (xhevrekë siç i thonë shkodranët) ndër duar drejt dhomës monotone #7, e më mbas #9, #5 etj.… Sa herë që Samiu prehej në qetësi të akullt burgu, sillte ndër mend shokët e arrestuar. Atij i kishte bërë përshtypje të jashtëzakonshme shoku i tij Ndoci, që vuante nga tuberkulozi dhe priste ditët që Zoti ta merrte në krahët e Tij… Ashtu siç ishte bënte përpjekje të mëdha për rezistencë, duke bashkëpunuar më parë me luftëtarët e maleve, që kërkonin t’i sillnin lirinë popullit të vuajtur shqiptar nga kthetrat e komunizmit. Malësorin kreshnik Ndocin, Sigurimi e izoloi e e la të mbyllë sytë në krevat i rrethuar çdo ditë nën tytën e pushkës së rojeve.
Gjendja e dobët fizike nuk do të prekte të pashpirtët gardianë dhe bossët policor të krimit në pushtet. Kur gjendja e të dënuarit përkeqsohet, ai dërgohet mbas disa kohe në spitalin e burgut. Për gjendjen e tij shëndetsore, familja ishte shumë e shqetësuar… Sërisht në burg, takohet dhe bisedon me ditë të gjatë me At Ciprijan Nikën (1900-1948) , njeriun diturak, zotërues i disa gjuhëve të huaja dhe shumë bujar e fisnik në shpirt. Atij i ka mbetur e ngulitur në kujtesë, burrëria e fratit të patundur, për ideale të shenjta ‘Atme e Fe’: “Biri im, me vrasjen time, komunistët duen me vra të vërtetën!”. At Çiprijani, i la amanet të riut bashkëvuajtës Sami Repishtit, që të tregoj të vërtetën (kurdo që të dalë nga burgu), historinë e futjes së armëve në Kishë nga një seminarist i përjashtuar nga shkolla, për shkelje të rregullave të Kuvendit.
Dr.Repishti, tregon: “Ai (është fjala për At Çiprijan Nikaj O.F.M, shënimi im K.K.) akuzohej për mbajtje armësh në Kishë. Kjo akuzë e vriste shumë ndërgjegjën e këtij shërbestari, për damin, që mund të pësonte Kisha. E vërteta, ashtu si më tregoi ky bir i Shën Françeskut, në çastet ma kritike të jetës, e para vdekjes, ishte se ai kishte ra viktimë e nji gjesti të pamenduem mirë, nji ngjarje banale: katër armë të lanuna aty nga nji seminarist austriak, ushtar gjerman, tue pritë rastin me i hjedhë përjashta pa zhurmë. Frati i pafat, ishte denoncue nga nji semnarist i përjashtuem për shkelje të rregullave të Kuvendit. Sigurimi e shftytëzoi këtë rast me një propagandë gënjeshtare, që kaloi kufijtë e vendit tonë, e që reklamonte përgatitjen e nji kryengritje të organizueme nga kleri katolik shqiptar. Mbas nji demaskimi zyrtar të turpshëm e të organizuem, katër klerikë të naltë françeskanë u ekzekutuen, e rreth tridhjetë të tjerë u dënuen me burgime të randa. “Pushteti”, kishte gjetë nji rast shumë të volitshëm me eleminue klerin katolik në Shqipni, qendrën ma të fortë e ma të përgatitun antikomuniste. “Ajo që më shqetëson pa masë, më thotë frati para vdekjes “ashtë mashtrimi i popullit, e kam frikë se ka edhe nga ata që e besojnë…” (f.181)


Pushkatimet e të rinjve

Sa herë që Samiu transferohej në qeli tjetër, shihte se shumë prej të dënuarve kishin ndërruar jetë, disa ishin liruar e ndonjë që kishte bërë tentativë të arratisej nga burgu i madh i Shqipërisë ishte risjedhë në qeli. Këshu ai mban mend Bardhoshin, një student të ri plot enërgji, me ëndrra për liri, sikurse bashkëmoshatarët në botën Perëndimore.
Autobiografi, kujton: “Megjithë lëkundjet që kisha pësue, që në ditët e para të tiranisë së kuqe, kur lexojsha listat e gjata të personave të ekzekutuem, ose ndigjojsha në orët e para të mëngjezit krismën e thatë të mitralozit mishngranës, prapë se prapë, vrasja e djaloshit të ri më erdhi si grushti i fundit që thërrmoi bindjen time në “shenjtninë” e tokës amtare!… Tashti e mbrapa, për mue Atdheu do të ishte vetëm vendi i lirë, që ushqen e rritë rininë e vet, e jo ai që i han për së gjalli, si lugati i tregimeve të Vjetërsisë. Oh, në moshën tuej, o djelmosha shtatëmbëdhjetë vjeçarë e të pajetë, nuk lëshohen breshnitë e plumbave të mitralozit mishngranës… ashtu siç ngjet sot në Shqipninë komuniste!”
Samiu, ishte dëshmitar i një ngjarje të trishtueshme. Një ditë, një grup rojesh hynë në oborrin e burgut e u drejtuan tek qelia e izolimit. Ata përpiqeshin me kontrollu të bërtiturat e një të burgosurit. Policët, i binin me egërsi, e ai me zë të lartë u kundërpergjigjeve shkopijve të bishave, që kërkonin t’a çveshnin lakuriq e i hidhnin kova me ujë të ftohtë mbi trup. Plaku i dërmuar nga të rrahurat e shpejtoi hapin dhe nisi të vrapojë, duke sharë pandërprerje katilat. Rojet qeshnin. Më në fund, viktima e sfilitur, u ul në gjunjë, e me duart të lidhura me zinxhir shau përsëri derisa lëvizjet e rrufeshme të gardianëve e shtrinë përdhe pa ndjenja. Rojet, sërisht qeshnin. Gjithë natën, plaku jetonte në grahmat e fundit të jetës së tij tek jepte shpirt.
Një polic, që njihej shumë mirë në kamp, sepse i kishte djegur synin një të burgosuri me cigare, filloi të ulërijë me fjalë fyese:
- Ç’ke qenë ti, derr? – pyeti të burgosunin nji ditë.
- Armen, i ardhun në Shqipni,- u përgjigj viktima.
- Armik i ardhur në Shqipni? O derr i derrit, u tërbue roja e, pa nji, pa dy, i vuni cigaren e ndezun në sy.
- Viktima lëshoi nji britëm therëse, e me nji za plot urretje, i tha:
- O, Aristidh Karrabeci! Edhe Zotin mund ta harroj, por jo fytyrën e emrin tand! (f.224)

Çdo qeli,
një Shqipëri e burgosur në miniaturë…

“… Me vdekë në burg, pa pasë mundësi me reague e pa shpresë me u lirue, sidomos për ata ende në moshë të re, ishte padyshim, forma më e vështirë e vdekjes. E nji padrejtësi supreme gjithashtu!… në burgun tonë, kishte të rinj e të reja idealistë që revoltoheshin kundër mbretënisë të së keqës në vendin tonë. Por drama e ditëve të veshtira, nuk ishte hovi i të riut, i heroit të kurajos civile, që përpiqej me pengue me gjoks, e pague me jetë ortekun përmbytës. Drama e ditëve të veshtira ishte plogështia, jeta e pajetë e masave amorfe, që jetojshin vetëm me bukë e për bukë, e me frikë të pashërueshme. Ishte indiferenca e pashpresë…”

Gardianët e burgut, si të lemeritur mësyjnë kangjellat e portës së hekurit dhe afrohen pranë viktimës së tyre. Ata nuk e lejuan të marrte ato pak rroba të grisura që i kishin mbetur në qeli, por yrysh e rrakapujë e mbasi e kontrolluan me imtësi e dërguan tek dhoma #9, (#5 më vonë etj). Sërisht mure, tavan e dysheme prej betoni. Ky ishte kafazi i ri ku mjerimit e burim sëmundjesh të pashërueshme, që do të merrte çdo i burgosur i rregjimit të kmerëve të kuq. Samiu gjendet në një ambient të ri bashkëvuajtës, por jo mjedisi vuajtjesh, sepse ajo tashmë ishte bërë shtëpia e kalvarit të tij.
Aty fati e vuajtja e bëri të njihte njerëz të moshave e profesioneve të ndryshme, malësorë, katundarë, nëpunës administrate, ushtarakë të niveleve të ndryshme, klerikë, intelektualë nga të gjithë trojet etnike shqiptare. Pra e thënë shkurt, çdo qeli ishte një Shqipëri e vogël e futur në burg.
Biseda e tij fillon me dy të rinj nga Luma e Kukësit. Njëri prej tyre kishte dorën e copëtuar nga plumbat komuniste, të cilët vuanin vite të gjata të privimit të lirisë. Ata me heshtje stoike e të qetë, por me dinjitet i bënin rezistencë dhunës së shtetit proletar. Familja e tyre nuk kishte mundësi ekonomike të vinte shpesh për t’i parë e sjellë diçka për të ngrenë e veshur, mbasi sekuestrimet dhe tatimet i kishin shkatërruar edhe atë pak pasuri që kishin pasur.
Ora 10 e mbrëmjes, nis me me rrahjet e të burgosurve, kur qyteti binte në gjumë. Nëse do të lexosh me kujdes kujtimet e të burgosurve në kampet e Aushvicit, të bërë nga nazistët do të shohësh se të burgosurit nuk rriheshin në mbrëmje. Kjo tregon, se xhelatët e Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut me kompani, ua kalonin nazistëve gjermanë.
I pari ra viktimë një plak shkodran 70 vjeç, u rrah në mënyrë shtazarake në mbrëmje, pse kishte shkelur rregulloren. E pse?! Ai me dhembshuri i kishte dhënë bashkëvuajtrësit prej Mirdite 2 qepë. Samiu, kujton: “… ai u dërgue në qelinë e akullt, u detyrue me u zhveshë lakuriq, u lag me ujë të ftohtë në atë natë shkurti, e në qelinë e lagun, u rrah me dru, deri sa nuk ishte në gjendje me folë. Britmat e plakut mbushën burgun, e krima e shkopit mbi kurrizin e viktimës, ndigjohej qartë. Mbas një ndëshkimi të këtillë, u lejue me u kthye në dhomë, i lagun, i ngrimë, i nximë në fytyrë e trup…” (f.187)
Në ditët e burgut të Shkodrës, Dr.Repishti, kishte dy shokë të vërtetë. I pari bashkëvuajtës, ishte një prift françeskan rreth 40 vjeç me flokë të zbardhur nga vuajtjet, që me orë të gjata rrinte duke lexuar “Testamentin e Ri” në gjuhën franceze dhe meditonte çdo fjalë e frazë. “Mbas pastrimit të mëngjesit, hante nji copë bukë të thatë, pa harrue me ba shejin e kryqit e me thanë lutjet e përditshme, vetëm para Zotit… pa humbë kohë, hapte nji kopje të “Testamentit të Ri” e lexonte me kamngulje e vemendje të plotë. Nganjiherë, më drejtohej për nji shprehje, për të cilën nuk ishte i sigurtë. Mbas nji përpjekje me gjetë fjalën e duhur në shqip, me nji laps të vogël shkruente përkthimin në copa letre. Punonte orë të gjata, pa folë, sikur të ishte aty i caktuem me atë punë…kur lodhej nga puna e imtë në dhomën me gjysmë dritë e pa ajër të pastër, frati shkëmbente disa fjalë me mue e me shokun e krahut tjetër. Nuk ankohej, nuk kërkonte gja, e kur nganjiherë dhimbjet e trupit e mundojshin, kërkonte infemierin e burgut për ndihmë…” (f.191)
Ndërsa i dyti, ishte Marku, një i ri malësor prej Dukagjinit (Malësia e Madhe), që i gënjyer nga fjalët e bukura të partizzanëve ishte bashkuar me të ashtëquajturën luftë, por ishte zhgënjyer shumë thellë. Ai në mënyrë demostrative të hapur ishte larguar dhe bashkuar me vëllain e vet, që ishte më forcat nacionaliste të rezistencës kundërkomuniste, që vepronin nëpër male. Tashmë, ishte kapur dhe vuante 10 vjet burg. Vëllai i madh tij, sikurse shkruan Prof.Sami Repishti, kishte qenë profesor i letërsisë shqipe, deputet i Dukagjinit. Ai, ishte pushkatuar, sapo komunistët erdhën në pushtet më 28 nëntor 1944. Ata kishin lënë të vetme në shtëpi nënën e tyre të moshuar, që ngryste ditët mes mjerimit e vuajtjeve shpirtërore, për fëmijët e saj tashma përgjithmonë larg syve dhe zemrës. Si një nënë fisnike, ajo vinte një herë në muaj për të parë Markun, por qëndronte e fortë. Sa herë që nënat vinin në dyert e qelive të burgjeve, për të parë bijtë e tyre në sketerrën komuniste, Samiu zhytej në kujtime për nënën e vet.
Kujtimet e një jetë të mjeruar plot tortura, për të përndjekurin politik, nuk harrohen kollaj. Ai përshkruan rregjimin e brendshëm policor brenda qelive e dhomave të izolimit. Aty ishte e ndaluar të lëviznin lirshëm, por duhet të qëndronin mbi krevatet e tyre. Vizitat me njeri tjetrin ndaloheshin rreptësisht, sepse policët i druheshin ndonjë organizimi ose revolte nëpër burgje. Nuk duhet të bisedonin me asnjë njeri. Ndalohen tubimet me shumë se dy përsona.
Por përsonazhi ynë, kishte momente pesimizmi, ndonëse rrevoltimi i brendshëm shpirtëror rritej përditë. Ai shqetësohej për mungesë të veprimtarisë konkrete kundër të keqës, që lëvizte si nëpërkë mbi sipërfaqen e Shqipërisë. Mungesa e kontakteve me miq e shokë të vjetër e të rinj, “… papunë, pastudime e pashpresë, se e nesërmja do të ishte ma e mirë, ishte vuajtja e Ferrit mbi Tokë. Nganjiherë, kisha përshtypjen, se jetojsha në nji boshllëk, që më zinte frymën, pa mundë me u kapë për diçka, me ba diçka, e përfundojsha në nji gjendje shpirtnore, ku mërzitja e madhe më këshillonte me përbuzë gjithçka, e më hidhte në krahët e dëshpërimit.”
Samiu, i prehur në qetësi, e shpiegon faktin, se burgjet në tërësi në Shqipëri asokohe, kishin si qëllim kryesor të mbajnë peng në gjendje të tensionuar ditë e natë të burgosurin, që shoqërohej me izolim total, vuajtje ushqimore, për të ngjallur tek i prangosuri ndjenjën e madhe të dështimit. “Atëherë, në fytyrat e tyne vrejsha nji shikim të humbun në hapësinë, e një shprehje dëshpërimi, që tregonte frikën e madhe të boshllekut, që ndjejshin brenda vetes, e që i konsumonte pa mëshirë. Në dhomë kishte edhe nji numër intelektualësh të përgatitun, e studentë në fazën ë formimit të tyne intelektual. Për ata, ikja e kohës pa asnji veprimtari, ishte shqetësimi ma i madh. Thellësisht të tronditun nga keqtrajtimi fizik e poshtnimi i përditshëm, që e ndjejshin me fuqi, ata e shihnin veten të zanun në kurthin e nji fati të pamëshirshëm, që kufizonte çdo mundësi zhvillimi e që kërcënonte me zhdukjen e tyne fizike. Ideja e vdekjes në burg i tmerronte, jo aq për vuajtjen fizike, që ajo mund të sillte, sa për mohimin e mundësive të një zhvillimi të plotë të potencialit të tyre, nga nji forcë brute, që ata përbuzshin pa kondita, luftojshin pa rezerva, megjithatë, të ndërgjeshëm se kishin humbë betejën në këtë ballafaqim. Me vdekë në burg, pa pasë mundësi me reague e pa shpresë me u lirue, sidomos për ata ende në moshë të re, ishte padyshim, forma më e vështirë e vdekjes. E nji padrejtësi supreme gjithashtu!” (f.192)
I mbërthyer nga kjo padrejtësi mizore e imponuar në burg Samiu, kishte momente ku ai ngadalë e ngadalë si pa e kuptuar po rrëshqiste në ateizëm, duke mos besuar në fuqinë e Hyjit, se ai ishte në provën e vështirë të kalvarit, për të ruajtur thellë në kujtesë ditët e vitet e errëta në ferrin komunist. Vuajtjet e kishin bërë shpesh atë që të dialogoi, me Zotin, ku në sytë e Tij miliona njerëz vuanin privimin e lirisë në emër të “lirisë”…
Në xhunglën shqiptare, sikurse nënvizon Dr.Repishti, skllavëria po eliminonte planin e asgjësimit të dinjitetit njerëzor: “Në xhunglën tonë, bisha mishngranëse sundonte e patrazueme, e plotëfuqishme! Kur të burgosunit merreshin me ekzekutimin në orët e para të mëgjesit, e thirrshin: “Kriminelë! Poshtë komunizmi!” ose “Nuk due me vdekë! Jam i pafaj!”, të gjithë heshtinin. E gjithë bota, sikur flinte gjumin e vdekjes, që nuk njeh jetën.”


Nga kampi i shfarosjes
së Vloçishtit në Beden të Kavajës

Ata që kanë udhëtuar në drejtim të qytetit të Korçës (Ormar Pojan), kanë dëgjuar ose vizituar para komunizmit edhe sot, gërmadhat e një kampi mishngrënës, ustallarët veteranë të krimeve, që drejtonin krimet e përbindshme të viktimave. 600 të burgosurit, ku vuante edhe Sami Repishti, do të transferoheshin nga Kampi i Vloçishtit në drejtim të Bedenit të Kavajës. Vitktimat, me shpejtësi mbartinin “plaçkat” zhele, e niseshin në udhëtimin e sigurtë drejt mjerimit të ri. Përvoja e tmerrshme e kampit të Maliqit, për tharjen e kënetës, që hangri mijë jetë njerëzish, elitën e trurit të nacionit shqiptar, të ngritur me aq mund e sakrifica në auditoret më të famshme të botës, sërisht do të ketë gjah të ri dhe të vjetër nga ata që kanë mbijetuar nga kampi i Vdekjes.
Ndryshe nga romani triller pa killer, të kupolës së socialrealizmit komunist Fatmit Gjatës: “Këneta”, tashmë Dr.Sami Repishti, jep ngjyrën reale të dramës së mijëra viktimave, që humbën në ujërat e përbaltshme të vdekjes plot ushunjëza të Maliqit. Si për të vërtetuar romanin e ri “Këneta e vdekjes” , të shkrimtarit Makensen Bungo , lexoni një pasazh: “…Agimi filloi të çukisë errësirën e natës, që zotëronte me një heshtje të përmortshme tejetej Kënetën e Maliqit. Nga Mali i Thatë, filloi të shpërndahej lehtë-lehtë e ndgadalë një dritë e argjendtë mbi majat e maleve dhe mbi kodrat rreth e qark. Yjet e shumtë, lart në qiell, filluan ngadalë të zbehen, lehtas. Hëna pa u shqetësuar, si gjithmonë, qëndronte lart në kupën e qiellit dhe vështronte në heshtje atë grumbull njerëzish pranë Kënetës së Maliqit. I mëshironte? Hena sheh çdo gjë, por nuk flet për asgjë!…”, në narrativet e jetuara Dr. Repishti, jep dramën e thellë të të burgosurve, që humbën jetën në llumin shekullor të kënetës së vdekjes së Enver Hoxhës.
Samiu, ishte i ndërgjeshëm për fatin e zi që e priste, por sërisht duhet të gjente forca për të mbijetuar vullnesën e Zotit. Mitralozat vdekjeprurës, të vendosur mbi kullat rreth e përqark kampit, ishin gati të këndonin këngën e zakonshme të korbave mbi viktimat, që ishin kocë e lëkurë, një hap para vdekjes. Veteranët e krimit oficerët dhe kapitenët e burgut, ishin të armatosur me automatikë e revolver. Për të qenë të sigurtë, ata mbanin në duar shkopinj prej druri. Samiu me të tjerët, iu nënshtruan vizitës sipërfaqësore mjekësore dhe menjëherë, drejtori i kampit vendoste secilin që duhet të dalë ditën e neserme në punë.
Dhjetra kamione ushtarakë sillnin viktima të tjerë nga qytetet e ndryshme të Shqipërisë, të lidhur dorë më dorë dy e nga dy dhe trupat sërisht në litar. Ende pa përfunduar kampi i punës së detyruar ishin sjellë të burgosurit e rinj të saj. Turma e madhe, qëndronte në një sipërfaqe të vogël, të cilës i shtohet djersa nga vapa e muajit qershor. Ditën e parë, Samiu e kishte të vështirë ambientimin mes lagështirës, që sillte në mbrëmje të ftohtit e kodrinës në baraka të papërfunduara e pa çati, ku ishin vendosur të burgosurit. Një bashkëvuajtës nga Tropoja, tek e shihte Samiun, që dridhej nga të ftohtit, hoqi me dhembshuri kapotën e vet e ia hodhi me dashamirësi mbi trupin e tij. Solidariteti e ndihma, mes të burgosurve, ka qenë një tipar burrërie i përhershëm.
“Tek të burgosunit e rij të qyteteve të tjera, shihsha nji shfaqje konkrete të konceptit abstrakt që kisha për “kombin” tonë. Tashti, e gjithë Shqipnia më delte përpara, si kjo masë e uritun për bukë, sepse deshti të ushqehej me liri, e zhveshun dhe e zbathun, sepse deshti të ruej për vete e për të tjerët, rroben e dinjitetit njerëzor. Tek të riardhunit, njihsha veten time, sikur të ishte efekti i nji pasqyrimi. I quejta vllazën e i deshta si vllazën! Atdheu më doli përpara, si vendi i shqiptarëve pa ngjyra, fe e krahina.” (f.198)


Dashnori i Rozafës
mes kënetave të vdekjes, kanaleve e…

“Përsëri, kamionët e ngarkuem me kufomat lëvizëse, që ishin ato ditë, të lidhun me zinxhirë e litarë, leckamanë të mbuluem me baltë, e gjysëm të vdekun nga lodhja, uria e të ftohtit. Për ma shumë se 12 orë, nën drunin e rojeve gjakpirëse, kurrizet tonë u nxinë prej shkopijve të papushim, e shkelmave e grushtave të qenve të kuq të tërbuem.”

Sami Repishti


Dr.Sami Repishti, asnjëherë nuk e harronte vendlindjen, qytetin e Rozafës, për të cilën kishte një dobësi i veçantë. Edhe sot, që ndodhet prej shumë dekadash në New York, herë pas here shkruan promemorie për Presidentin e vendit, Kryeministrin dhe drejtuesve të pushtetit qendror e lokal, duke u bërë thirrjen: Mos e vrisni Shkodrën time!
Qysh në orët e para të nadjes, Repishti, zgjohej nga gjumi prej ulërimat të gardianëve, që shanin të burgosurit për të dalë në punë… punë dhe vetëm punë. Rreshtimi para oborrit të burgut, ishte një ritual i merzitshëm e i përhershëm. Të ndarë në 5 brigada pune, në kompani e skuadra (të cilat çdo shqiptari i kujtojnë aksionet Free, në kooperativat e vdekjes së ngadalshëm), komandoheshin nga të burgosur ordinerë dhe ish-zyrtarë komunistë, që kishin ra prej fikut (pushtetit, falë zhgënjimit), të burgosur për krime të rënda ose abuzim në detyrë.
Rreshtat e gjatë me gaveta të palara, prisnin në rrallë për të marrë rracionin e gjellës, që sikurse shkruan Samiu, ishte një lloj “bollgur” (një lloj gruri i bluar trashë, qysh në mbrëmje, që edhe kafshëve po t’ia jepnin do të bërtisnin me të madhe), me qëllim që amidoni të trashej si balta, e supa të bëhej llapë. Mungesa e kalorive dhe vlerave ushqyese për trupin, nuk do të shqetësonte drejtuesit e burgjeve e kampeve të punës, mbasi të burgosurit ishin tashmë mish për top, për të ndërtuar mjerimin e pushtetit të ri komunist. Ai sëbashku me skllevërit e punës primitive, punonin në kanale ose kolektor tharës të ujërave të pellgut ose kënetës, prej nadjes deri në perëndim të diellit, 16-18 orë në ditë.
Samiu, kishte dalë një ditë më parë nga spitali dhe ishte futur në punë. Ai nuk e kishte marrë ende vetën mirë, por kazma e priti që në ditën e parë në kodër. Roja, që e shihte me vemendje se ai nuk punonte, ndonëse ishte i djersitur prej mundit të kazmës në punë, filloi ta godasë pa mëshirë. E ai kujton: “…Pak minuta më vonë, nji kapterr i shkurtër nga trupi e fytyrë të vrantë, u afrue e, pa më folë fare, me shtyu me aq fuqi, saqë rashë përtokë. Kur desha të ngrihem, ai filloi goditjet me shkop në kurriz, pa pushue, derisa rashë përsëri. Nguli këmbë të ngrihesha. U përpoqa, por kambët nuk më mbajshin nga lodhja e, dridhesha tue u mbajtë për lopatë. Kapterri e humbi. “Shpirtin do ta marr!”, më tha, “Ose duhet të bësh normën, o s’ka! Kupton? Këtu do të lësh kockat, këtu në kanal!” Unë nuk u përgjigja; ai u largue.” (f.201)
Piramidat e Egjiptit, në peiudhën e sundimit të 45 dinastive të faraonëve, në kohën e lashtësisë, kishin ngrenë mijëra jetë skllevërish egjiptianë. Shqipëria ishte një Egjipt i ri, i kohës së Mesjetës, ku faraoni Enver Hoxha, kërkonte të realizonte çmendurinë e tij të planeve të vdekjes 5 dhe 10 vjeçare, duke u mburrur para Stalinit, Titos, Maos dhe Fidel Kastros, se do të jetë shembull i shtypjes dhe vrasjeve të popullit të vet…
Samiu, shpesh nuk e bënte normën dhe bashkohet me numërin e skllevërve, emri i të cilit figuronte në listën e dënimeve. I riu shkodran, nuk u lejua të marrë gjellën as paguren me ujë, duke mos hyrë në baraktë deri në mesnatë. Për 6 orë, ai me shokët e vet qëndroi i ulur në tokë këmbkryq. Më mbas, ai u mundua që të pushonte pak, në krevatin prej drunit nga të rrahurat që kishte marrë si rracion nga kapterri shkurtabiq. Kështu e gjeti edhe mëngjesi i ditës tjetër. Të gjithë kishin dalë në punë, kurse ai qëndronte si i paralizuar në krevat. “Pak minuta ma vonë, hyni drejtori me nji shkop në dorë, më urdhnoi të ngrihem e, kur kuptoi se unë nuk kisha fuqi të mjaftueshme me qëndrue në kambë, më vuni shkopin në gojë e, me nji za të çjerrun kërcënoi:
- Jo këtu në krevat, - më tha, - ti do të vdesësh atje, në kanal.
- Ti je armik i popullit e duhet të paguash për dëmin, që i ke sjellë popullit. Nesër në mëngjes, po të gjeta këtu, do të vras me dorën time! Qen bir qeni.”
Në kampin e Bedenit të Kavajës, do t’a gjendte Samiun, viti 1948. Çfarë kishte ndodhur, që të burgosurit nuk po shkonin në punë si çdo ditë? Tito me Jugosllavinë e vet, ishte shmangur kampit absurd socialist të Stalinit dhe se komunistët shqiptarë ishin gjendur të papërgatitur nga kjo fatkeqësi. Nga frika e ndonjë revolte në burgjet politike të Shqipërisë, rregjimi përdori një taktikë tjetër, duke shtuar dozën e propagandës komuniste.
Kështu të burgosurit me zor nxirreshin në oborrin e burgut dhe komandanti fillonte të lexonte gazetën “Ze(h)ri i Popullit”, për të skjaruar, se PKSh, nuk kishte gabuar, por ishin jugosllavët ata, që kishin devijuar nga idetë marksiste-leniniste. Kujt i hynin në punë blah-blahtë komuniste në kampet e burgjeve të Enver Hoxhës, kur dihet se viktimat politikë as që donin t’ia dinin për fatin e komunistëve shqiptarë e për më pak atyre jugosllavë, prej të cilëve ata ishin dënuar me privim lirie. Shqipëria, do të ndrydhej edhe më tej në guackën e krimit dhe mjerimit, që do të vijojë deri në vitin 1991…
Mbas kampit të punës së detyruar në Orman Popajn të Korçës, Samiu rikthehet në burgun e Shkodrës, në fund të muajit nëntor, kur shirat e përmbytjet me një lugë ujë të qytetit kishin filluar. Gjatë udhëtimit, me makinën-burg, shihte me andje fushat, malet, kodrat, katundet e pambarim të Atdheut të vet, që e kishte futur në kafazin e hekurt, në “emër të popullit” absurd imagjinar. Era e qytetit të lashtë e tërhiqte, sepse aty ishin vitet e fëmijërisë dhe rinisë, që se provoi kurrë në liri.
Mbas 4 vitëve, ai ndihej i lodhur, me dhimbje, poshtërim të përditshëm në emër të proletariatit, që vriste e piqte kundërshtarët e vet politik, kur të donte dhe sa të donte. Djalli, tashmë zotëronte pushtetin e vet dhe kënaqej, tek gostiste me mish njeriu viktimat e diktaturës së tij, e cila, si fickrra më vonë vret vetën më dorën e vet… “Ishte ky vendi im, që më trajtonte në këtë mënyrë? Ishte kjo Shqipni, nana apo njerka ime, e martueme me prindin që me kishte braktisë!?… Tue u largue nga Maliqi, më vinte në mend skena e Pirros 16-vjeçar, që qortonte vëllaun 14-vjeçar , sepse, tue mos durue urinë, kishte grabitë nji racion bukë. Zemrimi i Pirros, që qortonte me lotë, në sy preku të gjithë kampin. Vogëlushi ulte kokën e, qante gjithashtu. Mandej, Pirroja i zemruem e i papërmbajtun filloi t’i binte “hajdutit” të bukës, që kundërshtonte, derisa të dy vllaznit u përqafuan. Ishte nji skenë e pabesueshme, nji ngjarje që më copëton zemrën edhe sot, sa herë që e kujtoj. Cili do të ishte fati i këtyne dy të rijve ende të parritun, në nji vend që i përbuzte, braktiste e i dënonte, me vjetë të gjata burgimi?”(f.238-239)


Lirimi nga burgu
pa liri dhe varfëria e tejskajshme

Mbas lirimit nga burgu, Samiu niset në qytetin e lindjes me një makinë të rastit. Shkodra, tashmë ishte kthyer në qytet karantine mjerimi, ku afishet e propagandës komuniste gjendeshin kudo. Kur hyri në shtëpi, motra e njoftoi se banonin në një dhomë përdhese dhe pjesa tjetër e shtëpisë ishte e zënë nga qeraxhij, të vendosur aty nga qeveria. I gëzuar me lot ndër faqe, se gjendej pranë familjes, ai nuk u merzit se ku banonte. Pasuria e gjithë familjes ishin 3 krevatë, një tryezë, disa karrige e divani. Vëllai i tij, prej disa kohe ishte arratisur nga Shqipëria., ndërsa vëllai tjetër ishte me shërbim ushtarak. Nëna e motra, shikonin Samiun, por nuk flisnin. Me kokë të ulur poshtë, nëna tha: “Nuk kemi bukë… nuk kemi triska… e motra nuk gjen punë…!”
Të nesërmen Samiu, doli për të kërkuar punë. Ai shkoi tek Zyra e Punës e ata i thanë se duhet të shkonte në Ndërmarrjen e Ndërtimit. Edhe këtu, ai ndeshet me një harbut prej Peshkopie, që i tha që të shkonte në stadium, ku do të pastronte barin e keq në pistën e vrapimit. Dr.Repishti, shkruan: “Punojsha për bukën e gojës, e isha i gatshëm me punue për atë copë bukë edhe në sketerrë…!” Javën e dytë e caktojnë të punojë në kanalizimin e tokave të Qendrës Zooteknike. Kështu e gjeti edhe viti 1956. Atmosfera politike në Shqipëri ishte rënduar shumë.
Në Europën Lindore, lëvizjet kundërkomuniste, kishin gritur krye. Kështu në Hungari shpërtheu revolucioni, që kërkonte përzënien e forcave pushtuese ruse, rrëzimin e diktaturës komuniste, vendosjen e demokracisë dhe marrëdhënie me botën Perëndimore.
Sigurimi në vend, kishte hartuar lista të reja arrestimesh, të elementëve që dyshoheshin se mund t’i shkaktonin trazira kundërqeveritare. Në listë figuronte edhe qytetari Sami Repishti prej Shkodre. Lajmi i papritur, krijoi tek i “deklasuari”, një ndjenjë paniku. Duhet menduar diçka, se përndryshe, ai sërisht do të binte në kthetrat e xhelatëve dhe burgjet e rregjimit të hienave. Ai, gjithnjë i shmangej provokimeve të kasnecëve të sigurimit (fuksave), duke preferuar të përdor armen e heshtjes e gjakftohtësinë.
Repishti, caktohet si punëtor në ndërtimin e Teatrit “Migjeni”. Motra e viziton në punë e i thotë, se policia kishte ardhur në shtëpi për t’a kërkuar, duke lënë porosinë që të paraqitej në Policinë Qendrore brenda ditës. Mbas pak u nis dhe oficerët mbasi i panë adresën e vendbanimit që nuk kishte ndryshuar e lanë të lirë të kthehej në shtëpi.
“Çdo ditë e ma shumë kisha përshtypjen se, eksperienca komuniste në Shqipni, kishte marrë karakterin e aventurës, që shkelmonte logjikën e përfundimet logjike. Megjithë pretendimet fisnike se “ata” frymëzoheshin nga dëshira e largimit të miliona viktimave nga vuejtja e vorfnia, eksperienca komuniste tregonte se ata i afroheshin vuejtjes e vorfnisë, ma shumë. I mbyllun brenda burgut tragjik të komunizmit stalian, edhe nga nji mur i dytë i përpunuem me duert e veta, komunistët e pashkollem shqiptarë kishin hy në nji rrugë pa dalje. Shqipnia vorfnohej çdo ditë e ma shumë!” (f.309)


22 gusht 1959:
Lamtumirë nënë e vendlindje!

Ishtë dita fatale për Samiun, atdhetarin e zjarrtë të vendlindjes e Shqipërisë. Me një revolver e dy bomba dore, ai sëbashku me shoqëruesin u nisën drejt kufirit. Ai nuk mendonte më për rrugën e kthimit mbrapa, por përpara dhe vetëm përpara drejt shtigjeve të lirisë me çdo çmim. Nëna, kjo krijesë e përsosur e botës njerëzore, e ndiente thellë në shpirt se edhe Samiu do të largohet nga folesa e vogël e shtëpisë, ashtu sikurse kishte bërë djali tjetër para tij. Dy miqtë të ngushtë, studenti Muhamet Fejza e bujku Muho Sami Toshi, kishin vendosur të vdisnin për të shpëtuar një shpirt arbërori nga dyert e Ferrit. Ata ndihmuan Samiun të arratiset, si heronj të heshtun, sot marrin bekimet e falënderimet e përzemërta nga Prof. Sami Repishti.
Në vitet e mëvonshme, dy familjet Fejza e Toshi , do të përshkohen nga kalvare vuajtjesh sëbashku me familjet e tyre. Samiu, tashmë do të merrte me vete në udhët e vështira të emigracionit netët pranë sofrës së familjes së tij, kujtimet për babain, që dëshironte të shihte të gjithë rreth sofrës kur hanin darkën, të rreshtuar rreth tryezës, simbas moshës.
E dhimbshme largimi drejt dherave të huaja, jo me dëshirë, por me zemër të copëtuar, prej imponimit të kundërshqiptarëve komunistë, që kishin gjak arbëror e flisnin shqip, kundër bijve më të mirë të popullit të vet. Sërisht, do të rikujtojë momentet e ngrohta në gjirin e familjes, tek përgatiste mësimet për shkollë, kur sytë fillojshin me iu mbyllë prej gjumit, nëna, rrinte gjithnjë me fëmijët. Ajo, i merrte për dore një e nga një e i përcillte deri në krevat. “Mandej na jepte nji të puthun, ngrohtësinë e së cilës e ndiej edhe sot, e na uronte: Natën e mirë!. Na bajshim nji gjumë të ambël deri në mëngjes. Ishim të lumtun!” (f.26)
Po kjo nënë, sëbashku me vajzat dhe djalin (vëllain e Samiut) ende të parritur, ishin dërguar në kampin e dëbimit (internim), në Berat, e më vonë në Veliqot të Tepelenës, si ndëshkim për arratisjen e njërit vëlla jashtë Shqipërisë. Shqetësimi i Samiut rritej çdo ditë, duke menduar sesi do t’a shtyenin mjerimin e madh të shtetit komunist familja e tij e përndjekur dhe e poshtëruar nga kampet e internimeve. Ai në burg dhe familja pa shtëpi, mbasi shteti “demokratik” ia kishte sekuestruar të gjithë orenditë dhe e kishte lëshuar banesën e tyre qiraxhinjve të tjerë, të ardhurat e së cilës kalonin në xhepat e hajdutit-shtet. Tashmë, mjerimi, ishte ulur këmbëkryq në familjen e vjetër shkodrane Repishti, e po këndonte pamëshirë këngën e kalvarit plot mundime e vuajtje deri në palc.
Gënjeshtra, urretja, hakmarrja, terrori sistematik, që ushqehej me kujdes nga organet e Partisë Komuniste (që sapo ishte kthyer në termin qesharak e Punës) të Robërisë, në mendjet dhe zemrat e antarëve të saj, po jepte frytet e veta, mbasi viktimat rriteshin përpara oreksit të të babziturve animal, që kishte filluar zbatimin e gjenocidi të planifikuar të diktaturës së proletariatit në rrafshin fizik, moral, shpirtëror, kulturor etj., kundrejt bijve më të denjë të popullit martir shqiptar.
Kjo gjendje terrrori kundërnjerëzor, që rritej në progresion gjeometrik, e revoltonte zemrën e plagosur të shkodranit të burgosur Repishti. Ai kërkonte prej ndërgjegjës së vet gatishmërinë e momentit final të rezistencës kundërkomuniste, që ishte një kundërpeshë dhe kërkesë e domosdoshme në luftën me mbretërinë e djallit, që kishte fatkeqësisht gjak, gjuhë dhe emër shqiptari. Por gjithsesi, ai zgjodhi udhën e mbijetëses, qetësisë e gjakftohtësisë, ku Zoti i kishte dërguar Engjëllin, tek e këshillonte për më shumë durim e sakrifica sprove…
“Por zemra e nji nëne nuk gënjehet lehtë; ajo ishte ma e ndjeshme se ftohtësia e trupit tim. Ajo dyshoi, që unë nuk kisha “nji punë në katund” e u frikësue shumë. Po e lejsha vetëm përsëri, mbas dhjetë vjet burgimi e sidomos tashti, në ditën e pleqnisë. Pa lëshue za, më shikoi drejt në sy, e frikësueme e plot lotë. Me trupin e lodhun nga mosha e që mezi mbahej në kambë, u lëshue krejtësisht në krahët e mi, pa shqiptue as edhe nji fjalë të vetme, që në këtë çast suprem, do të më kishte lëndue edhe ma shumë, ose dobsue vendosmeninë time me u largue. Për nji çast, nanë e bir ishim nji e të pandamë, ndërsa motra, e dërmueme nga ajo pamje e dhimbshme, mbuloi fytyrën e njomun me lotë…
Nji tërheqje magjike më shtynte me vështrue ledhet e kalasë, e dukej sikur më shikojshin me pakënaqësi e më qortojshin: Largohu, largohu nga unë, o biri im, që nuk pranon sundimin tim mijëvjeçar. Largohu në botën përtej, ku unë nuk të shoh përsëri… Por do të ndjesh thellësisht mallin që mundoi bashkëatdhetarët tuej, akoma të lidhun me mue. Megjithatë, nëqoftëse asht liria ajo që fitoi mbi magjinë time shekullore, shijoje tanësisht, me të gjithë gjoksin e mbushun nga frymëzimi i saj. E, mos anko kur, në kulmin e galdimit që shpreson se të pret, nji fshamje e thellë, e dhimbshme, do të sjellë mendimin tand kah unë, kah këto ledhe të harrueme. Atëherë, ma shumë se kurrë, do të kuptosh si duhet sa randë peshoj unë në zemrën tande, që nuk pranon shkëputjen ma shumë se shuemjen time…!” (f.325-326)


Nga burgjet
komuniste në Universitetin e New York-ut

Ishte pjesëtar i rezistencës, kundër pushtuesve italian e gjerman në Shqipëri, si student, kundërshtoi diktaturën komuniste të porsavendosur në vendin e shqiponjave. Më 1946, u arrestua e u dënua me 15 vjet burgim të rëndë, kryesisht për kërkesat e tij: liri, demokraci dhe zgjidhjen e problemit dardan. Nëna, vëllai dhe motra e tij, vuajtën në kampet e internimit në Berat dhe Tepelenë. Më 1959, u arratis në ish-Jugosllavi, ku u burgos përsëri, e mbas shumë vuajtjesh, emigron në ShBA (1962), ku jeton edhe sot me familjen.
Prof.Sami Repishti, ka bërë studimet e mesme në Shkodër, dhe ata universitare në Firenze (Itali), në Paris (Francë). Ai, ka dokturuar pranë Departamentit të Frëngjishtës në City University of New York (1977). Për 25 vjet me rradhë, ka dhënë mësim në college-t amerikane. Ka qenë kryetar i Departamentit të Gjuhëve të Huaja, për shkollat e qytetit Malverne, New York, pedagog i jashtëm pranë Aldephi University New York deri në vitin 1991.Eshtë autor i më shumë se 100 studimeve e artikujve me tema shqiptare dhe të Drejtat e Njeriut. Tematika e tyre, përfshin kryesisht vuajtjet e shqiptarëve në ish-Jugosllavi e çamët, të botuar në shtypin amerikan dhe shqiptar.
Intelektuali erudik Prof. Repishti, ka qenë koordinator për ish-Jugosllavinë e Shqipërinë pranë Amnesty Internacional në ShBA, për periudhën e vitëve 1979-1982. Është i pari shqiptaro-amerikan, që ka dëshmuar para Kongresit Amerikan për Kosovën në prill të vitit 1965, dhe ka vijuar me dëshmi të shumta para komisioneve kongresiane e qendrave studimore amerikane, kryesisht për problemin kosovar.
Në vitin 1986, kërkoi hapjen e Zyrës Amerikane në Prishtinë, që u realizua me sukses në vitin 1996, dhe atë kosovar në Washington, që u aprovua nga Presidenti i 46-të i ShBA-së Mr. William Jeferson Clinton (1993). Që nga viti 1965, vazhdon të jetë njeri nga aktivistët më të njohur për kontaktet e vijueshme me përfaqësuesit e Kongresit, Departamentit të Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë, në mbrojtje të interesave të mbarë popullit shqiptar, pa ngjyra ideologjike. Dr.Repishti, është bashkthemelues i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane (1986) dhe drejtor ekzekutiv (1989-1992), themelues e president i Kosova Relief Fund, USA., Inc. (1978 dhe sot), bashkthemelues i American Friends of Albania e sekretar/arkëtar i saj (1992-1996), bashkthemelues i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC 1996) dhe president i parë (1996-1998).
Ai, është antar i Bordeve drejtuese të disa organizatave shqiptaro-amerikane. Vazhdon të merret me studime shqiptare dhe mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Është i martuar me Dianën e ka dy fëmijë: një djalë Daren me profesion mjek, e vajzën Ava avokate, me nipa e mbesa.

Botime:

Dr. Sami Repishti, është autor:

“Ten Memorandum-The Plight of the Albanians in Yogoslavia”, (New York, 1988).
“Albania in Brief” (New York, 1993)
“Pika Loti”, Tregime Burgu (Shkodër, 1997).
“Kosova-2000”, Përshtypje udhëtimi (Prishtinë, 2001)
“Nën hijen e Rozafës”, Narrative e jetueme (Tiranë, 2004)

Editor:
Punimet e Seminarit të Parë Kulturor “Mbi Çamërinë” (New York-Shkodër, 2001)
Breaking the Silence: “A Voice for Kosova 1968-1995” (New York, 2001)

Bashkeditor:
“Studiues on Kosova” (New York, 1984)
“Albanian Language Cometencies” (Peace Corp., USA, 1992)

Bashkautor:
“100 vjet, Lidhja Shqiptare e Prizrenit” (Roma, 1979)
“Human Right in Yugoslavia” (New York, 1986)
“Yogoslavia: The Failure of “Democratic” Socialism” (Meë York, 1988)
“Seft-determination in Central East Europe” (Brugg, Ch, 1988)
“Dissolution in Central East Europe” (Brygg, Ch, 1989)
“The New Era” (Brugg, Ch, 1990)

Për veprimtarinë e tij është nderuar me:
“Recognition for Human Right” (Albanian American Nacional Organization, 1986)
“Saint Nicholas Districtive” (Albanian Orthodosx Archidiocese in America, 1988)
“Recognition-Fighter for Democracy” (Mr. & Mrs. W.I.Clinton, kandidat-President (1992))
“Medalje e Artë-Pishtar i Demokracisë” (Tiranë, 1992), me Motivacionin: “Për veprimtari demokratike në Shqipëri”
“Urdhëri Naim Frashëri, Klasi I”, me Motivacionin: “Për veprimtari kulturore në ShBA (1995)
“Operation Joint Guardian-Kosovo”, Medalje dhënë nga Presidenti Dr.Ibrahim Rugova (Prishtinë, 2000)
“Recognition Honoring…”, Dhoma e përfaqësuesve, Kongresi Amerikan, (2000), në 75-vjetorin e lindjes.
“Medalja e Artë-Lidhja e Prizrenit”, akorduar nga Dr.Ibrahim Rugova (Prishtinë, 2003), me Motivacionin: “Për kontributin e njashtëzakonshëm në internacionalizimin e problemit të Kosovës”.

klajdkapinova@yahoo.com


Bibliographia:


1. Sami Repishti, “Pika Loti” Tregime Burgu, Shtëpia Botuese “At Gjergj Fishta”, Shkodër, 1997.
2. Sami Repishti, “Nën hijen e Rozafës” Narrative e jetueme, Shtëpia Botuese “Onufri”, Tiranë, 2004.
3. Uran Kalakulla, “Arshi Pipa, Njeriu dhe Vepra”, Shtëpia Botuese “Toena”, Tiranë, 1999.
4. At Konrrad Gjolaj (Tomë Marku), “Çinarët”, Boton Muzeu Historik Shkodër, Shkodër, 1996.
5. Pader Giacomo Gardini S.I. “Dhjetë vjet burgim në Shqipëri (1945-1955)”, Boton: Drita-Ferizaj dhe KS-Zagreb, Shtypur Krscanska Sadasnjost, Zagreb, 1991.
6. Giorgio La Pira, “Angazhimi ynë shoqëror”, Edritice Velar spa-Gorle (BG), Italy.
7. Giordano Frosini, “Frymëzimi kristian në politikë: Njeriu dhe Shoqëria”, Ky botim u mundësua nga “Opera Madonnina del Grappa”, Firenze, Italy.
8. Fritz Radovani – de Angeliis, “Një monument nën dhe”, Bibloteka “Imzot Lazër Mjeda”, BotoiMisioni Katolik Shqiptar në Kroaci, Zagreb, 2004.
9. Dr.Rexhep Krasniqi, “Komiteti “Shqipëria e Lirë” dhe shkrime të tjera”, New York, 1997.
10. Dom Simon Jubani, “Mesha e Parë”, Biblioteka “Shkodra”, Shtëpia Botuese “Camaj-Pipa”, Shkodër, 2002.
11. Gjovalin Zezaj, “Gjenocid Mesjetar në Shekullin XX”, (Kronik) Biblioteka “Horizonte”, Shtëpia Botuese “Camaj-Pipa”, Shkodër, 2001.
12. Mark Bregu, “Shakaxhinjtë” e Nacionalizmit”, Shtëpia Botuese “Shtjefni”, Shkodër, 2005.
13. Klajd Kapinova, “Mes Kryqit e Atdheut”, (studime-refleksione), Shtëpia Botuese “Camaj-Pipa”, Shkodër, 2000.
14. Klajd Kapinova, “At Anton Harapi, martir i shqiptarizmit”, në librin: “Me Kryq e Pendë”, (studime-intervista), Shtëpia Botuese “Camaj-Pipa”, Shkodër, 1997.
15. Klajd Kapinova, “Jeta dhe martirizimi i Hamid Toshit (Saitit) i rënë si parashitist në Shqipëri” (Një nga 100 parashutistët e Komitetit “Shqipnia e Lirë”, që luftuar për çlirimin e Shqipërisë prej komunizmit), Gazeta “TemA”, (Komuniteti) Viti I, #175, New York, Saturday, August, 27, 2005, p.16-17.
16. Klajd Kapinova, “Kim Philbby, trathtia që i bëri parashutistit shqiptar Hamid Toshi-800 forca partizane për 4 parashutistë kundërkomunistë” (Speciale: Trathtia e dyfishtë e Kim Philbby-it dhe vrasja e Hamid Toshit, Rifat Zyberi dhe Dedë Hilit), Gazeta “Ballkan”, Tiranë, E mërkurrë, 11 gusht 2005, f.16-17.
17. Klajd Kapinova, “Jeta dhe martirizimi i Hamid Toshi (Saiti), i rënë si parashutist në Shqipëri”, (Dossier), “Illyria”, The Only Albanian-American Newspaper, August 26-29, 2005, Volume 15, #1474, p.26-27.
18. Klajd Kapinova, “Asgjë nuk kam harruar, por shumë kam mësuar: Shqipëria, sot jeton në pellgun e padrejtësisë”, Refleksione rreth librit “Nën hijen e Rozafës” Narrativë e jetueme, të Prof.Sami Repishtit, “Onufri”, Tiranë, 2004, f.340. “Illyria”, The Only Albanian-American Newspaper, April 11-13, 2006, Volume 16, #1536, p.26-27.
19. Klajd Kapinova, “Biri i Rozafës nën hijen e saj”, Refleksione rreth librit “Nën hijen e Rozafës” Narrativë e jetueme, të Prof. Sami Repishtit, “Onufri”, Tiranë, 2004, f.340. “Illyria”, The Only Albanian-American Newspaper, April 14-17, 2006, Volume 16, #1537, p.24-25.
20. Klajd Kapinova, “Asgjë nuk kam harruar, por shumë kam mësuar: Shqipëria, sot jeton në pellgun e padrejtësisë”, Refleksione rreth librit “Nën hijen e Rozafës” Narrativë e jetueme, të Prof.Sami Repishtit, “Onufri”, Tiranë, 2004, f.340. “Illyria”, The Only Albanian-American Newspaper, April 11–13, 2006, Volume 16, #1538, p.28.
21. Klajd Kapinova, “Hamid Toshi (Saiti) martir i rënë si parashutist në Shqipëri”, (Epilogu i një tragjedie që për 50 vjet mbeti në harresë) “Liria”, Tiranë, Viti IX, #478, E premte, 2 Nëntor 2001, f.11.
22. Klajd Kapinova, “Kujtesë: Jo gjyq të dytë për At Anton Harapin O.F.M.!” (Pjesa II), “Illyria”, The Only Albanian-American Newspaper, January 21-23, 2003, Volume 13, #1209, p.30.
23. Broz Simoni, “Kleri katolik i Shkodrës në një libër të “realizimit” socialist”, Seminari i III Ndërkombëtar “Shkodra në shekuj” Vëllimi II (16-17 Nëntor 1998), Boton Muzeu Historik i Shkodrës, Shtypur në Shtypshkronjën “Rozafat” Shkodër, 2000, f.171-181.
24. Klajd Kapinova, “Asgjë nuk kam harruar, por shumë kam mësuar: Shqipëria, sot jeton në pellgun e padrejtësisë”, Refleksione rreth librit “Nën hijen e Rozafës” Narrativë e jetueme, të Prof.Sami Repishtit, “Onufri”, Tiranë, 2004, f.340. Revista “Kuvendi”, E përmuajshme kombëtare, informative, kulturore, Viti VI i botimit, Michigan, USA, Maj, 2006, f.140-167.
Delete It Cancel

C'thoshte kryecetniku Vojisllav Sheshel per pashallekun e Beogradit?


Ne web faqen tonë  para 15 vjetëve , botuam projekt-planin e parashtruar nga Voisllav Sheshel në tetor 1995 për spastrimin etnik të Kosovës. Vojislav Sheshel ,ishte atëbotë  zevendës kryeministër dhe udhëheqës i Partisë Radikale të Serbisë.

Ky plan, i hartuar në bazë të memorandumit të Akademikut Çubriloviq "Kolonizimi i Kosovës dhe Dëbimi i shqiptarëve", që ai ja paraqiti qeverisë mbretërore të Stojadinoviçit në Beograd më 7 mars të vitit 1937, dhe që është aprovuar nga të gjithë pushtetarët shovinistë serbë, qofshin këta monarkistë, fashistë apo komunistë (vetë Çubriloviçi u shërbeu të gjithëve me besnikëri), tregon se tragjedia që po ndodh tani me popullin shqiptar të Kosovës, është paramenduar dhe planifikuar me kohë deri në hollësi. Fashisti Sheshel, që bashkë me vrasësit Millosheviq dhe Arkan, është bërë flamurtar i shovinizmit serb, parashtron me hollësi platformën e çpopullimit me forcë të Kosovës nga shqiptarët etnikë, e çpronësimit të tyre, duke sugjeruar edhe mjetet dhe mënyrat që duhet të përdoren për arritjen e këtij qëllimi, si shpërnguljen me hir apo pa hir të shqiptarëve, marrjen dhe zhdukjen e dokumentave të shtetësisë apo të pronës, mobilizimin e paraushtarakëve serbë, luftën psikologjike, eliminimin e intelektualëve dhe të udhëheqësve politikë nëpërmjet skandaleve, aksidenteve të kurdisura dhe deri në injektimin e tyre me virusin e AIDS-it.

Ngjarjet e kohëve të fundit, sidomos pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, tregojnë se ky plan është shpalosur plotësisht dhe po vihet në zbatim me nxitimin më të madh. Qëllimi është që çpopullimi i Kosovës nga shqiptarët të bëhet një fakt i kryer. Skenat tronditëse të shqiptarëve, pleq, gra dhe fëmijë, që po detyrohen me forcë të braktisin truallin e tyre amtar po u ngjethin mishtë telespektatorëve në të gjithë botën.

Ky nuk është vetëm krimi më i madh i paramenduar kundër shqiptarëve, por është edhe krimi më i rëndë kundër njerëzimit pas Luftës së Dytë Botërore.

Platforma e genocidit antishqiptar e hartuar sa me urrejtje, aq dhe me hollësi nga Shesheli dhe mësuesët e tij, niset nga gënjeshtra e madhe, me të cilën është ushqyer populli serb qindvjeçarin e fundit. Ja çfarë thotë ai në hyrje të planit të tij vrastar "Një mijë vjetë më parë, guri i themelit i shtetit serb, i ndërgjegjes dhe i kulturës së tij kombëtare, u krijua në Metohi. Deri në atë kohë, asnjë shtet ligjor nuk ka ekzistuar në Kosovë dhe Metohi. Nga të gjithë popujt që kanë jetuar dhe punuar në këto territore gjatë kësaj kohe, rrënjët e popullit serb janë më të thellat dhe më të shtrirat". Një gënjeshtër absurde, që rrëzohet nga faktet historike, që mund të gjenden në çdo tekst historie të vendeve evropiane. Dihet se sllavët e jugut janë të ardhur në Ballkan (midis shekujve V dhe VI), dhe ata nuk erdhën në një vend të zbrazët. Në zonat, ku ata u vendosën, banonin fiset ilire, të cilët ishin të përfshirë në Perandorinë Bizantine. Dikur këtu kishin lulëzuar shtetet e Dardanëve. Ardianëve, Molosëve, Epirotëve etj., të cilët pas luftrash të gjata, ishin futur nën sundimin romak. Serbët, që kanë kaq shumë nostalgji për të kaluarën e tyre, është mirë t'i kërkojnë rrënjët e tyre në humbëtirat e Siberisë, nga dhe kanë ardhur.

Në betejën e Fushë Kosovës në shekullin XIV kundër hordhive turke, që përbën altarin e kombit serb, përveç princit Lazar, morën pjesë edhe shumë princër shqiptarë dhe popuj të tjerë të Ballkanit. Shesheli harron se pati një ndryshim të madh në fatin e princërve dhe popujve që ata udhëhiqnin në atë kohë. Ndërsa princi Lazar u vra, serbët jo vetëm iu nënshtruan turqve, por edhe u bashkuan me ta në luftën për zgjerimin e kufijve në Perëndim. Për ta rregulluar sa më mirë politikën me sulltanët, princërit serbë nuk ngurruan të bënin edhe lidhje krushqie me sulltanët dhe u bënë furnizuesit kryesorë të haremeve të Sulltanit. Dhe ata dërgonin atje bijat dhe motrat e tyre. Zoti Sheshel duhet ta di edhe më mirë këtë, në qoftë se e di mirë historinë e knjazëve dhe kralëve të Serbisë. Varri i princit dhe humbja në këtë betejë shërbeu për të krijuar mitin më të vjetër të historisë së tyre. Ne e kuptojmë fare mirë këtë. Vetëm varret e bëjnë një mërgimtar që ta ndjejë veten dikushi në një vend të huaj. Ky varr u shërbeu serbëve për të mos e ndjerë më veten të huaj dhe të paemër në dheun e huaj, ku kishin ardhur si qifqinjë të Bizantit. Tani ata kishin një varr ku mund të qanin. Tani ata kishin një histori, që mund ta mbronin, kishin një humbje për të cilën mund të krenoheshin. Ata u bënë banorë të Ballkanit dhe harruan humbëtirat nga kishin ardhur.

Ne shqiptarët e kuptojmë këtë. Sepse edhe vetë krenohemi dhe i nderojmë të gjithë burrat që japin jetën për lirinë dhe pavarësinë e atdheut. Por ajo që nuk pranohet është se ata harrojnë faktin se shqiptarët, banorë të stërlashtë të këtyre trojeve, kanë flijuar bijtë dhe bijat më të mira në luftë kundër invazioneve të pandërprera të agresorëve të huaj kundër trojeve të tyre, duke filluar nga romakët, vizigotët, ostrogotët, hunët, normanët, sllavët, turqit dhe përsëri serbët . Vërtet, princi Lazar, siç thuhet, luftoi kundër turqve, por muri ku u thyen hordhitë turke në vrullin e tyre kundër Perëndimit u bënë trojet shqiptare, u bë populli shqiptar me në krye Gjergj Kastriotin. Ndërsa princi Lazar është legjendë, edhe pse u vra vetëm një gjysëm shekulli më parë, bëmat e Gjergj Kastriotit Evropa i përjetoi dhe i mësoi në kohën që ato u bënë. 50 vjet më vonë nëpër Evropë qarkulloi me bujë libri i Marin Barletit "Historia e bëmave të Skënderbeut, princit të shqiptarëve". Dhe Gjergj Kastrioti u bë shëmbull frymëzimi për të gjithë evropianët e krishterë kundër agresionit turk.

Shqiptarët nuk u nënshtruan. Ata luftuan vite me radhë kundër hordhive turke dhe kundër bashibozukëve serbë që bashkoheshin me ta. Të cfilitur nga luftërat e gjata, të braktisur nga Evropa, për të mos u nënshtruar krejtësisht dhe për të mos humbur pushtetin, shumë princër shqiptarë pranuan nënshtrimin dhe konvertuan besimin: nga të krishterë u kthyen në myslimanë. Vonë shembullin e tyre e ndoqën dhe një pjesë e popullit të thjeshtë. Konvertimi në fenë myslimane në shkallë të gjerë nuk ka ndodhur më shumë se 150 vjet më parë.

Politika e egër antishqiptare e Perandorisë turke, propaganda e tërbuar sllavo-greke, intrigat e Fanarit kanë penguar gjithnjë që bota e qytetëruar të kuptonte faktin se shqiptarët janë muslimanë të konvertuar. Muslimanët shqiptarë janë ish të krishterë të kthyer në muslimanë për të shpëtuar jo më tepër nga dhuna turke, se sa nga politika asimiluese e shovinistëve fqinjë serbë dhe grekë, që bëhej kryesisht nga kisha ortodokse sllavo-bizantine dhe që është përkrahur dhe mbështetur gjithnjë nga politika sllavofile e Rusisë.

Fashistit Sheshel dhe të gjithë bandës kriminele që drejton tani shtetin serb u bëjmë të qartë se shqiptarët janë në trojet e tyre që prej kohësh që historia e shkruar nuk i mban mend. Dihet kur kanë ardhur grekët, romakët, sllavët, por nuk dihet se kur kanë ardhur ilirët, sepse ata kanë qenë banorë autoktonë. Dihet gjithashtu se në asnjë rast shqiptarët, pasaardhës të ilirëve, nuk kanë bërë asnjë agresion kundër të tjerëve, por kanë luftuar vetëm për të mbrojtur trojet e tyre.

Populli shqiptar i Kosovës që jeton në trojet e tij etnike në Kosovë nuk duron më të jetë një koloni në mes të Evropës së qytetëruar.

Ai dëshiron të hyjë i lirë dhe i pavarur në shekullin XXI. Dëshiron të vendosë vetë për fatin e tij. Dëshiron të fitojë kushtin e tij njerëzor, të cilin janë përpjekur t'ia mohojnë. Të ecë i lirë në rrugën demokratike krahas të gjithë popujve të lirë dhe demokratë të botës.

Bota e qytetëruar dhe demokratike po e sheh dhe po e kupton se shovinistët serbë janë duke kryer një krim të shëmtuar dhe të paramenduar kundër një populli që kërkon të jetojë i lirë në tokën e vet.



Më poshtë po japim disa ekstrakte nga Deklarata e zëvendeskryeministrit të Serbisë Voisllav Sheshel dhënë gazetës "Velika Serbia" (Serbia e Madhe) me 14 Tetor 1995.

Krijimi i Serbisë së Madhe

Për të riorganizuar shtetin dhe për të ndryshuar institucionet e federatës dhe të autonomive territoriale, që, sipas tij kanë qenë fatale për popullin serb, Shesheli deklaron se "Zgjidhja më e mirë do të jetë të ndërtohet një shtet i vetëm që do të përfshijë Republikën Serbe të Krajinës, Republikën Srpska, Republikën e Serbisë dhe Republikën e Malit të Zi".

Sipas tij, shteti serb do të ketë një president, një parlament, një qeveri, ndërsa "krahinat do të jenë ndermjetëse midis administratave lokale dhe qeverisë qendrore>

"Heqja e autonomisë ekzistuese të Kosovës dhe Metohisë, nga e cila është krijuar një pabarazi fatale në Serbi dhe janë pajisur shqiptarët me një bazë për të kërkuar ndarje, është elementi kryesor i realizimit të çështjes kombëtare serbe", thotë Shesheli.

Më poshtë ai thotë: "Përfshirja e plotë e Kosovës dhe Metohisë në një shtet unik serb është një çështje e brendshme dhe duhet të zgjidhet si e tillë pa arbitrazh të jashtëm nga i ashtuquajturi komunitet ndërkombëtar"

Cilat janë rrugët, sipas Sheshelit, për integrimin e Kosovës në shtetin serb?

Promulgimi i një ligji që privon shqiptarët nga shtetësia

Së pari, sipas tij, është e domosdoshme që parlamenti federal të adoptojë ligjin e shtetësisë. Ky ligj do të përcaktojë se të gjithë shqiptarët që kanë hyrë ilegalisht gjatë periudhës 1941-1987, numri i të cilëve sipas "statistikave të shpikura" të zotit Sheshel (sepse plot shqiptarë nga Kosova janë shpërngulur në Shqipëri dhe asnjë shqiptar nga Shqipëria nuk është shpërngulur në Kosovë gjatë kësaj periudhe) arrin shifrën 400.000, nuk do të marrin shtetësi dhe nuk do të mund të jetojnë në këtë vend. Në vend të tyre do të vendosen me ligj 400.000 refugjatë serbë nga republikat e shkëputura të Jugosllavisë.

"Dy rregulla, sugjeron Shesheli, do të aplikohen për të eleminuar emigrantët: ata që e kanë provuar se janë ekstremistë do të dëbohen menjëherë, ndërsa të tjerët duhet të kenë dokumentat përkatës, sidomos çertifikatën e shtetësisë, gjë që asnjëri prej tyre natyrisht nuk do ta ketë ... Mungesa e këtij dokumenti (e "çertifikatës së atdhetarisë" siç e quan ai) do të shërbejë si bazë për dëbim. Duhet të parandalohet riatdhesimi i shqiptarëve që janë me punësim të përkohshëm në vendet e huaja , sidomos i atyre që janë larguar gjatë periudhës 1990-1993 (vlerësohet se numri i tyre është rreth 300.000 vetë). Do t'u refuzohet punësimi disa njerëzve me profesion të caktuar, kështu që ata do të detyrohen të largohen... Këto masa së pari dhe mbi të gjitha do të prekin pjesën e arsimuar të popullsisë së tyre, kështu që pjesa tjetër do të manipulohet me lehtësi dhe nuk do të jetë në gjendje të bëjë rezistencë".

Flori Bruqi

E megjithate ai me harroi


Xhenifer Aniston hap deren e viles se saj te plazhit ne Malibu dhe te pershendet me nje buzeqeshje. Pak minuta me vone shperthen ne lot. Ulet ne sallonin me divane te bardhe, me lule dhe abazhure te medhenj dhe ne fytyren e saj perzihen lotet dhe habia. “Dhe te mendosh qe kohet e fundit nuk e kam leshuar veten”, peshperit duke levizur ne ajer duart, tamam sic do te bente Reicell e “Friends”. Pervec truprojes se saj qe e mbron 24 ore ne 24 dhe qenit, jeton vetem ne shtepine e marre me qera, per te perballuar fundin e marteses dhe akoma me keq vijen e gjate te thashethemeve dhe te paparaceve qe e ndjekin nga pas.

Qe nga 2 tetori Xhenifer Aniston dhe Bred Pit jane zyrtarisht te ndare. U martuan ne 29 korrik 2000 me nje ceremoni qe kushtoi nje milion dollare. Praktikat e divorcit kane nisur qe ne mars per “mosperputhje”. Me 19 gusht Gjykata e Los Anxheles ratifikoi divorcin, i cili u be zyrtar vetem me 2 tetor. Ato qe i kane bere me shume keq, kane qene fjalet qe i kane atribuar asaj – refuzimin per te bere nje femije, pasi ishte shume e perqendruar tek karriera dhe rrjedhimisht deshtimin e marteses. “Nese nje mashkull divorcohet, askujt nuk i shkon ndermend ti perplase ne fytyre faktin qe preferon karrieren ne vend te atesise”, thote shume e zemeruar. “Nuk e kam thene kurre, qe nuk kam dashur femije. I doja, i dua dhe do ti kem”.

E vetmuar? Po. E shqetesuar? Po. Konfuze? Po.

Qielli mbi Los Anxheles cuditerisht eshte gri, deti i qete. Xhenifer hedh veshtrimin larg: “E adhuroj kete vend. Thjesht fakti qe mund te shkoj buze detit dhe te bertas…. Por jo shume fort ama. Nuk dua te dukem si e cmendur”. Mban veshur nje kanatiere te bardhe dhe pantallona linoje, rreth belit ka lidhur nje triko kashmiri ne ngjyre mente. Trupi i saj eshte ne forme te shkelqyer nga joga, por vetem trupi ama. Kur Nikol Kidman u nda nga Tom Kruis tha se me ne fund do te mund te vishte taka te larta. Po ajo, cfare sodisfaksioni ka marre? “Kam blere nje divan te bute. Bred dhe une benim shaka se nese nje mobilje duhet te hynte ne shtepine tone, duhet te ishte nje objekt muzeal dhe mbi te gjitha i parehatshem”. Duke lene menjane divanin, si ju shkojne punet? “Po kapercej faza te ndryshme te dhimbjes. Eshte e trishtueshme kur perfundon dicka: ndahesh ne dysh. Do te doja vetem qe te mos e jetoja kete eksperience ne syte e te gjitheve”. Reagimi i pare ishte impulsi per tu mbyllur ne vetvete. “Kam disa mikesha te vjetra, qe vijne e me takojne, por kam dhe momente vetmie dhe per kete nuk me vjen keq. Jam nje femer qe ndjehem mire kur kam nje partner dhe tani qe nuk e kam e ndiej shume mungesen. Jam pak si Bambi qe meson te ece. Dukesh pak qesharak, teksa rrezohesh. Por ne kete moment me ben mire te rri vetem: jam e detyruar te rizbulohem dhe te mesoj. Duhet te riprezantohem me veten time, ne menyre te ndryshme”.

Fshin lotet dhe vazhdon: “Ndjehem e vetmuar? Po. E Shqetesuar? Po. Konfuze? Po. Por edhe po luftoj. Jam e forte dhe besoj ne mundesine per tu kuruar, per tu riedukuar. Jam krenare per veten time”. Mbi te gjitha eshte krenare per menyren se si ka arritur te injoroje thashethemet. “Ka qene shpetimi im, zgjedhja per te mos lexuar asgje. I kam kursyer vetes shume dhembje”. Edhe sepse ideja per tar pare Pit te lumturuar, rrefen se i ka shkaktuar “momente zemerimi, dhembjeje, sikleti. Do te isha nje robot, nese nuk do te kishte qene keshtu. Por nuk ndjehem nje viktime. Sic thote dhe analistja ime mund te ndjehesh viktime per nje dite dhe kaq. Pastaj gjithsecili merr pergjegjesite e veta”. Thote se ajo qe nuk te vret, te ben me te forte. Dhe nuk e kane vrare as specialja fotografike me 60 faqe ne te permuajshmen “W dove”, nen titullin “Lumturi shtepiake”, Bred Pit dhe Anzhelina Zholi pozonin si nje cift i martuar. Faktin nese eshte e zemeruar, Xhenifer di ta fshehe shume mire. “Ai mund te beje ate qe desheron. Jemi te divorcuar dhe ne kete pike besoj se kuptohet se perse”. Shpjeguhuni me mire. “Bred nuk eshte i keq, nuk do te me perplaste kurre ne fytyre nje gje te qellimshme. Vetem se i mungon nervi i ndjeshmerise”. Heshtje. “Jam sforcuar qe te mos i shtoj me tej helm kesaj historie, te mos i shkoja pas llogjikes se “ushqim per dhembet e mia”. Kam patur nje nene, qe pas divorcit u perfshi nga zemerimi, e di se c’do te thote dhe nuk dua te bej si ajo”. Mbi te gjitha nuk do te heqe dore nga kujtimet e bukura. “Jemi argetuar aq shume duke rene ne dashuri”, thote me nje ze melankolik. Por kur u bene nje cift zyrtar, situata ndryshoi: “Na vune ne nje piedestal, nderkohe qe ishim dy si shume te tjere. Nje dite po shihnim televizor, kur pame nje emision te titulluar ‘Eshte bukur te jesh Bred dhe Xhen’, flisnin per ne edhe pse me ne nuk kishin lidhje fare”. Dhe pastaj, martesa. “Gjeja me fantastike e te qenit i martuar eshte se kalon bashke si momentet e bukura ashtu dhe ato te keqija dhe te mund ti thuash: jam ende ketu, te dua ende. Per fat te keq jetojme ne nje shoqeri konsumi. Momentet e transformimit, ato me te rendesishmet, interpretohen ne menyre te qellimshme si sinjale krize. Pjesa me e madhe e cifteve divorcohen pikerisht ne momentin kur kane rastin per tu bere me te forte”.

Nuk kam peng asgje

Xhenifer merr fryme thelle dhe ndez nje cigare. “E dua Bred dhe do ta dua per te gjithe jeten”. Nuk jam penduar per asgje qe kam bere me te, kemi kaluar bashke 7 vjet shume intensive, i kemi mesuar njeri tjetrit shume gjera”. Po atehere cfare ndodhi? Heziton: “Mendoj se… situata ka ndryshuar… se kemi ndryshuar te dy. Beme aq sa mundem”. Te dy? “Po te dy”. Por mbeten dhe shume dyshime, ate te sjelljes se Pit pak muaj para ndarjes. Deklarates se Bred se nuk e ka tradhetuar Xhenifer para ndarjes ajo i pergjigjet: “Zgjedh ti besoj burrit tim. Ne kete pike nuk do te habitesha me per asgje, por preferoj ti besoj”. Nje here tregon Aniston, ajo dhe Anzhelina Zholi jane takuar ne shesh xhirimin e serialit “Friends”

“Po nisnin xhirimet e filmit ‘Mr & Mrs Smith’. U afrova per tu prezantuar dhe i thashe: Bred mezi pret te punoje me ty, shpresoj qe t’ia kaloni mire”. Pendime? Ndonje. “Nese do te kthehesha mbrapa do te ndryshoja shume gjera. Per shembull do ti dedikoja vetes me shume pushime, per te ndenjur me shume me tim shoq”. E pranon se e ka bere nje gabim te rende: “Kam vene nevojat e Bred siper te mijave. Pa e kuptuar humbet veten tende. Gjithmone keshtu kam qene ne marredhenie, edhe me mamane time. Por tani e ndiej se kam dale. Nuk do ta tradhetoj me veten ne kete menyre”. Pushon se foluri dhe sheh trupin e saj te tonifikuar. “Skam asgje te thyer me duket”. Pauze. “Eh, ndoshta ndonje shembje”.

Femija me Anzhelinen

Por mbetet dhe argumenti me i parehatshem per tu perballuar: zerat per nje femije qe pritet te vije, apo qe te pakten eshte ne programin e Bred dhe Anzholines. Kur i flet per te, duket se i fut nje thike ne zemer. Syte i mbushen menjehere me lot, qe zbresin ne heshtje per disa minuta. Xhenifer kafshon buzet, e paafte per te nxjerre qofte dhe nje tingull. Ne fund tund koken: argumenti eshte shume i dhimbshem. Por ne fund nje buzeqeshje arrin ta nxjerre kur e pyet nese del me dike. “Jo me askend”, pergjigjet e vendosur. “Me pelqen te mendoj se atje jashte do te jete dikush per mua, por nuk kam ngut per ta takuar. Nuk jam nje fallxhore, nuk e di se si do te ndodhe dhe me pelqen ky fakt qe nuk e di. Dashuria eshte aty qe me pret. Do te ndodhe. Eshte nje burre i mrekullueshem, qe ndoshta ne kete moment eshte duke ecur ne rruge e qe nje dite do te jete babai i femijeve te mi. Po brenda pese vjeteve kam ndermend te martohem dhe te kem femije. Nuk e kam humbur besimin tek vlerat e marteses”. Dhe ketu shfaq serish nje buzeqeshje. “Dhe jetuan te lumtur e te gezuar… Ndoshta ndodh vetem neper perralla, por une e besoj”.

Pa frena

Ndryshimi i madh per Bred Pit, 41 vjec dhe Anzhelina Zholi, 30 vjece vjen me motorr. Pasi jane fshehur per muaj te tere, te dy kane vendosur te leshojne frenat dhe te lihen te fotografohen bashke pa u larguar. Te buzeqeshur, te dashur me njeri tjetrin: me pak fjale te dashuruar. Bredzhelina (keshtu ka filluar te thirret cifti ne Amerike) kane dale zbuluar vetem tani qe Bred eshte divorcuar zyrtarisht nga 2 tetori nga Xhenifer Aniston. Por kete here ka qene Anzhelina, ajo qe ka marre inisiativen duke fluturuar per ne Edmonton te Kanadase, ku ai eshte i impenjuar ne xhirimet e filmit “The Assasination of Jese Jones”, duke marre me vete dhe dy femijet e saj, Madoks, te adoptuar me ish burrin e saj Billi Bob Thorton dhe Zahara, te adoptuar kete vere nga Etiopia. Pasi ja kane lene femijet bebi-siterit cifti ka marre me qera dy motorra Bmv dhe ka vajtur per te bere pazarin ne nje supermarket.

F.B.

Nje regjisor per prostitutat


nga Flori Bruqi

Nje parrulle e madhe e zeze e vendosur ne hyrje te qytetit, ku nga shume larg shquhej fjala "trafik" duhet t'i kete lene te shokuar banoret e Beratit. Shoqerimi i saj cuditerisht me fjalen "teater", duhet t'i kete ngaterruar ca me teper mendjet e pergjumura te atyre njerezve qe te mesuar ne nje qytet ku nuk prodhohet asgje pervec lajmeve te kronikes se zeze, e kane pasur te veshtire te perkthenin termin "trafik teater". E nese i shtoje kesaj edhe ca postera ku krah fjaleve te parrulles shkruhej edhe "Goodbye dashuri", lemshi dukej i pazgjidhshem. Se paku keshtu i eshte dukur nje djali muskuloz qe eshte afruar ne rajonin e policise per te kerkuar sqarime se per c'trafik behej fjale. Regjisori Arben Kumbaro i ka shpjeguar me durim se behej fjale per nje shfaqje teatrale kunder trafikimit te qenieve njerezore. "Ne rregull", i kishte thene pertueshem djali dhe ishte larguar. Kurse regjisori Arben Kumbaro qe sapo kishte shkelur ne qytet per te biseduar per shfaqjen e fundjaves kishte menduar se kishte goditur perseri ne shenje. Kishte provokuar perseri. Kishte arritur te ngjallte reagime. Jo me me nje pjese te mirefillte teatri te huazuar nga dramaturgjia boterore. Zgjedhja e tij e re, nje eksperimentim i cuditshem qe sillte ne skene copeza te historive reale, kishte filluar te sillte reagimet e para. Ato reagime qe regjisori i kishte pasur si qellim qe diten kur vendosi te merrej me nje projekt te tille.

Ne momentin kur Arben Kumbaro mendoi per nje shfaqje teatri qe do te ishte si nje mesazh kunder trafikimit te qenieve njerezore, as qe imagjinonte nje shfaqje si ajo qe realizoi ne te vertete: me pese aktore te reja qe nuk kane perpara nje tekst te mirefillte letrar dhe me nje skenografi te perbere vec nga nje valixhe dhe disa qirinj. Rreth gjashte muaj te shkuara ai dinte vetem temen e shfaqjes se tij te ardhshme dhe kishte nje kerkese te vetme: ajo duhej te ishte sa me e vertete. "Nga te gjitha dramat shqiptare qe kisha pare, kisha vene re dicka qe stononte: kjo ishte e verteta", tregon Kumbaro. Dhe per te arritur te shkruante ate te vertete "troc" ai filloi punen me takime ne Vlore, Elbasan, Tirane, Korce, Fier…. Me ndihmen e OJQ-ve dhe ne shume raste me ndihmen e policise, Arben Kumbaro nisi te takohej me njerez qe ne te shkuaren kishin qene viktima te trafikimit.. Vajza te perdhunuara e te shitura, ish-prostituta tashme nen mbrojtjen e organizatave apo te policise, femije qe kishin punuar si lypesa. Filloi te njihte dite pas dite nje bote qe deri ne ate kohe e njihte vetem nepermjet lajmeve ne televizione e gazeta apo leximeve. Ne librin "Yjet nuk vishen keshtu", te Elvira Donesit pershembull, apo "Skllavet e perendimit" te autoreve Emanuela Moreli e Roberta Sibona. Mirepo tjeter gje ishte t'i lexoje ne liber dhe krejt tjeter t'i takoje balle per balle. Ishte tejet shokuese per te te qendronte perballe nje vajze qe tregonte se i ati e kishte shitur, nje tjeter qe tregonte se si ishte perdhunuar e me pas trafikuar nga nje shef i antitrafikut. Apo te qendronte perballe nje tjetre qe tregonte se si e kishin rrembyer e perdhunuar perpara se ta detyronin te punonte ne trotuare… Nga nje qytet ne tjetrin, nga nje qender pritjeje ne tjetren, blloku i tij sa vinte e mbushej me histori rrenqethese. Histori qe sa me shume i degjonte aq me shume Kumbaro mendonte t'i fuste ne dramen e tij ekzaktesisht ashtu, per te qene sa me i vertete. Pikerisht ne kete moment, kur kishte mbledhur gjithe historite qe do t'i sherbenin si tharm per dramen e tij, per Kumbaron nisi edhe puna me e veshtire. Duhej gjetur nje celes artistik per t'i mbledhur te gjitha. Historite duheshin perzgjedhur, te ngjashmet duheshin shkrire me njera tjetren, pastaj duhej te lidheshin me nje veprim dramatik per t'u materializuar ne skene. "Kishte dy menyra, tregon Kumbaro. Ose do te futesha ne menyre klasike, ose do te merresha vetem me tematiken e problemit". Sa here provonte menyren e pare, e shihte se dicka ngecte. Nje veprim dramatik i sajuar qe do te lidhte te gjithe ndodhite, tingellonte i pavertete. "Disa here nisa te shkruaj, por ngecja", tregon ai. Dhe pikerisht atehere vendosi per menyren e dyte. Historite do te vinin ne skene ashtu sic kishin ndodhur. Pa asnje sajese.

Aktoreve te zgjedhura prej tij duhet t'u jete dukur e pazakonte dita e pare e provave. Dinin qe do te benin nje shfaqje, por ne dore nuk kishin tekst. "Shkruani te gjitha ne flete diten me te bukur te femijerise suaj", u kishte kerkuar regjisori. Dhe ato i kishin dhene historite e tyre. Histori qe filluan te gershetoheshin me histori te mbledhura ne bllokun e Kumbaros. Dhe qe dite pas dite nisen te mbushin fletet e bardha te "projektit" te tij. Deri kur pas kater javeve "Goodbye dashuri" kishte lindur dhe ishte formesuar. Ne formen e nje shfaqjeje etydesh te cilen ritmi nuk e le te copezohet. Nje perzierje e zerave qe tregojne te njejten histori, ishte celesi per te dhene idene se keto histori nuk i kishin ndodhur nje vajze te vetme. Ishin histori qe perseristeshin thuajse ne te gjitha fletet e bllokut te regjisorit. Jo rastesisht ai kishte vendosur ta fillonte shfaqjen me femijerine. Pasi te gjitha historite e tmerrshme qe kishte ndeshur pergjate rrugetimit te tij kishin pasur te perbashketa traumat e femijerise. Sic kishin pasur te perbashketa gjithashtu aksidentet, goditjet pas te cilave kishte ardhur trafikimi ne perendim. Kjo u be pjesa e dyte e shfaqjes qe pasohet nga elementi i trotuarit. Pikerisht ne kete pjese, vec pese aktoreve Kumbaro futi nje te gjashte. Nese aktoret i kishte gjetur ne skenat e Tiranes apo ne Akademine e Arteve, personazhin e tij te gjashte e solli drejt e nga troturi. Se bashku me historine e tij te vertete. I maskuar ne fytyre, ai pranoi te tregonte perpara spektatoreve historine e tij, ate qe i kishte treguar disa muaj te shkuara edhe vete regjisorit. Pranoi te kendonte kengen e tij, nje nga pjeset me te dhimbshme te shfaqjes, e cila ne pjesen e saj te katert e te fundit ka temen e masakres. Nje kukull qe digjet ne skene dhe letra qe deshmojne masakra dhe te zhdukur. Ne kete moment, ish- i trafikuari qe deri ne ate kohe kishte "lypur" neper cepat e skenes duke u hequr zvarre me nje kembe, zhvesh pantallonat. Ai ka qene duke luajtur "rolin" e tij te sakatit. Sic ka luajtur ne te vertete edhe ne skene. Teatrin e Kumbaros.

As shkrimtar e as regjisor. Ne "Goodbye dashuri" Arben Kummbaro nuk ka pranuar te quhet as me njerin emer e as me tjetrin. Ai thjesht ka sjelle ne skene ato qe ka pare. Ne menyren me besnike. Sic nuk do te bente dot me nje pjese letrare te mirefillte. Dhe ka provokuar serish.

Per Kumbaron nje gje e tille eshte mese normale. E ka ditur gjithmone qe teatri i tij do te ishte gjithmone provokim. Qe kur i eshte drejtuar dramaturgjise boterore per te "peshkuar" absurdin, apo edhe kur ka shkruar dhe ka vene ne skene dramen "Harromeni". Por edhe nje vit me pare, ku nje pjese teatrale me ndertim krejt klasik si "Rreshajat" ka sjelle ne skene probleme te perbotshme. Kurse kesaj radhe ka menduar te provokoje jo vetem me temen por me te teren. Perfshire edhe disa biseda qe organizohen gjithmone pas shfaqjes, kur nje pjese e publikut, pese aktoret e reja dhe regjisori diskutojne. Nderkaq Kumbaro eshte i ndergjegjshem: nje pjese teatrale, nuk mund te ndryshoje kushedi se cfare ne shoqeri. Por se paku njerezit e nje qyteti si Berati, qe njihet per numrin e madh te trafiqeve, kane pasur mundesi te shohin provokimin e tij kete fundjave. Ashtu si edhe te tjera qytete qe ne javet e ardhshme kur te gdhihen do te kene ne hyrje te tyre parrullen e cuditshme "trafik teater".

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...