Agjencioni floripress.blogspot.com

2014/09/17

Nehat Hyseni.: Kosova “pashallëk” i Beogradit?!

Hyseni: Kosova “pashallëk” i Beogradit?!
Hija e regjimit të Serbisë duhet të shporret sa më parë nga Kosova! Qytetarët serbë të Kosovës janë shtetas të Kosovës dhe ata nuk mund dhe nuk guxojnë kurrsesi të trajtohen ndryshe nga ajo se si trajtohen shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe viseve të tjera gjithandej në Serbi, thotë analisti politik Nehat Hyseni.
Hyseni thotë se, askush sot nuk mund të na kuptoj se si akoma dikush nga politikanët aktualë të Republikës së Kosovës pret urdhra nga Beogradi dhe e bllokon punën e Kuvendit të Kosovës, që na sollën bllokadë dhe ngërç politik, duke ia lejuar, madje edhe duke ia kërkuar Serbisë që të përzihet në punët e Kuvendit dhe shtetit të Kosovës!
Bllokada politike, sipas diktatit të Serbisë?
“Vazhdimi i mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës i 17 korrikut 2014, që ishte caktuar për 12 shtator, megjithatë nuk u mbajt, meqë deputetja më e moshuar, zonja Flora Brovina, të cilës i ra hise të jetë kryesuese deri në zgjedhjen e kryetarit, vendosi që ta shtyj për datën 18 shtator 2014. Në takimin konsultativ të partive parlamentare të Kosovës, që kishte caktuar deputetja Brovina për datën 11 shtator, ajo i caktoi edhe një herë vetes kompetenca që nuk i takojnë, as me Rregulloren e punës së Kuvendit të Kosovës e as me Kushtetutë. Ajo de facto e (vet) shpalli veten kryetare të Kuvendit të Kosovës”, thotë Hyseni, për gazetën "Bota sot".
Sipas tij, si duket as kjo nuk i mjaftoi zonjës Brovina, prandaj edhe e mori rolin edhe të Presidentes, duke i dhënë (vet) vetes lirinë dhe të drejtën e ndërtimit të “unitetit” të subjekteve politike në vend?!
"Kuptohet, nga pozitat e militantes, por dhe misionares fanatike të PDK-së dhe shefit të saj, kryeministrit në ikje, Hashim Thaçit. Kjo u vërejt shumë qartë edhe në mbledhjen e 17 korrikut, kur ajo këmbëngulte për një “konsultim” midis partive politike, me qëllim të përfshirjes së PDK-së në qeverisje. Insistimi këmbëngulës i tyre është konkretisht për postin e kryetarit të Kuvendit. Meqë i kanë vetëm 37 deputetë dhe u mungojnë minimalisht edhe 24 vota, meqë për ta realizuar këtë objektiv të tyre politik, atyre u duhen së paku 61 vota, që realisht nuk i kanë”, potencon ai.
Ai thekson se, prandaj, ata janë këmbëngulës në insistimin e tyre për marrëveshje të partive politike, në mënyrë që të sigurojnë diçka në qeverisjen e ardhë qeverisjen e ardhshme të Kosovës, për periudhën e ardhshme katërvjeçare 2014-2018.
“Pra, atë që nuk e arritën në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 8 qershorit 2014, ata po përpiqen që ta realizojnë me këmbëngulje, kokëfortësi dhe me shantazhe të pafund, nëpërmes deputetes Brovina. “Sihariqi” i fundit i saj ishte nga takimi i partive politike më 11 shtator, ku morën pjesë vetëm PDK me minoritetet. Aty ndodhi befasia më e papritur edhe për militantët fanatikë të PDK-së dhe shkaktoi shumë pakënaqësi tek Koalicioni paszgjedhor LDK-AAK-Nisma dhe Lëvizja Vetëvendosje, meqë mbledhja e caktuar për 12 shtator, u shty për datën 18 shtator 2014, me propozimin e Lista Serbe, vlerëson Hyseni.
Hyseni pohon se, arsyetimi që e dhanë ata lidhur me kërkesën për shtyrjen e datës së vazhdimit të mbledhjes konstituive, nga 12, në 18 shtator, ishte katastrofale dhe i pa pranueshëm, meqë ata po e kërkonin kohën për konsultime me qeverinë e Serbisë në Beograd lidhur me atë se a duhet të jenë pjesë e Koalicionit pas kyçjes së Lëvizjes Vetëvendosje në te.
“Do të thotë se pa pëlqimin e Beogradit, nuk mund të mbahet mbledhja konstituive e Kuvendit të Kosovës! Dhe, për çudi, z. Brovina pa kurrfarë hezitimi e (mirë) priti dhe miratoi këtë “propozim”, pa asnjë vërejtje apo kundërshtim! Madje, pa i bërë fare përshtypje zonjës Brovina implikimi i Qeverisë së Beogradit në punët e Kuvendit të Kosovës, sikur të ishte Kosova provincë e Serbisë, apo “pashallëk” i Beogradit”, shton ai.
Më tutje Hyseni thotë se, shërbimet dhe servilizmi ndaj Serbisë i qeverisjes së deritanishme të Kosovës nga Qeveria aktuale në ikje, janë të pafund.
“Duke filluar nga shërbimi me devotshmëri fanatike ndaj Serbisë në Dialogun e Brukselit, ku u bënë lëshime të paimagjinuara Serbisë me nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit të 19 prillit 2013, që u cilësua nga populli, e sidomos nga shqiptarët e Luginës së Preshevës, si tradhti kombëtare ordinere, meqë as që i ra në mend dhe nuk iu kujtua ekipit negociator të Kosovës në krye me Edita Tahirin, si dhe shefit të saj, kryeministrit Hashim Thaçi se ekzistojnë fare këta shqiptarë të mjerë, të cilët askund nuk u përmendën fare, madje as në margjina të Dialogut. Me këtë, kjo Qeveri në ikje ka shkruar një histori të turpshme dhe kriminele ndaj kësaj pjese të shqiptarisë”, thotë ai.
Ai pohon se, dialogu i Brukselit e dëmtoi rëndë edhe Kosovën. Sepse, aty u nënshkrua formimi i Asociacionit të komunave serbe, që paraqet një “Republika Serbe” të Bosnjës, që do e bëjë edhe Kosovën shtet skajshmërisht jofunksional, ashtu si është Bosnja sot, me çka u shkelë rëndë sovraniteti territorial dhe Pavarësia e Kosovës, e shpallur më 17 shkurt 2008.
Stop servilizmit ndaj Serbisë!
“Kështu, Serbisë iu mundësua me “argatllëkun” dhe servilizmin e negociatorëve kosovarë, hapja e rrugës drejtë Evropës dhe marrja e ftesës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Kurse Kosova çfarë fitoi? Mjerisht, asgjë! Madje as vizat për lëvizje të lire të qytetarëve të saj në Evropë, duke mbetur vendi më i izoluar në Evropë, ku populli i saj jeton sin ë karantinë”, thotë Hyseni.
Sipas tij, si duket, këto bisedime u zhvilluan pa kurrfarë parimesh e kriteresh, që e afroi Serbinë me BE-në, duke ia shkurtuar rrugëtimin në këtë drejtim, kurse Kosovën e sakrifikoi dhe largoi edhe më tepër nga rruga dhe perspektiva e saj euroatlantike.
“Andaj, Qeveria e re duhet që ta shqyrtoj urgjentisht Dialogun ne Brukselit dhe përformancën e palës kosovare në këtë dialog ta analizoj mire dhe të merr masat dhe përgjegjësinë përkatëse për ekipin negociator, si dhe ta rishqyrtoj të Marrëveshjen e 19 prillit 2013, dhe t’i hartoj parimet e reja të vazhdimit të dialogut me Serbinë. Gjithsesi, aty patjetër duhet ta përfshijë parimin e reciprocitetit të Kosovës me Serbinë, si dhe parimin e reciprocitetit lidhur me të drejtat e serbëve të Kosovës me të drejtat e shqiptarve në Serbi”, thekson ai.
Ai thotë se historia e servilizmit dhe përuljes së Kosovës ndaj Serbisë është e gjatë. Ashtu ishte që nga vjeshta e vitit 1912, kur Kosova gjatë Luftës së pare dhe të dytë Ballkanike, u masakrua dhe nënshtrua me gjak, si dhe gjatë periudhës së socializmit dhe regjimit të Millosheviqit.
“Por, atëherë Kosova ishte e nënshtruar dhe nën ushtrinë, policinë dhe regjimin e egër serb. Kurse tani, me largimin e ushtrisë, policisë dhe regjimit serb nga Kosova në vitin 1999 dhe me futjen e NATO-s dhe mbikëqyrjes ndërkombëtare në formë protektorati, e sidomos pas shpalljes së Pavarësisë në vitin 2008, vërtetë ky servilizëm ndaj Serbisë nuk ka kurrfarë kuptimi dhe nuk mundë të arsyetohet nga askush, as para popullit e as para Zotit!”, deklaron Hyseni.
Hyseni thekson se, hija e regjimit të Serbisë në Kosovë duhet të shporret sa më parë. Qytetarët serbë të Kosovës janë shtetas të Kosovës dhe ata nuk mund dhe nuk guxojnë kurrsesi të trajtohen ndryshe nga ajo se si trajtohen shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe viseve të tjera, si p.sh. në Beograd dhe në Novi Sad e gjetiu në Vojvodinë dhe në Serbi.
“Askush sot nuk mund të na kuptoj se si akoma dikush nga politikanët e Republikës së Kosovës pret urdhra nga Beogradi dhe e bllokon punën e Kuvendit të Kosovës dhe formimin e institucioneve demokratike e shtetërore dhe Qeverisë së re, tre muaj e më tepër nga zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 8 qershorit 2014. Atëherë populli votoi me sukses dhe ato zgjedhje u vlerësuan sit ë suksesshme e dinjitoze”, thotë ai.
Sipas tij, politikanët e papërgjegjshëm na sollën në bllokadë ekstreme dhe në ngërç politik, duke ia lejuar, madje edhe duke ia kërkuar Serbisë që të përzihet në punët e Kuvendit dhe shtetit, si dhe akoma ta sundoj Kosovën!
Ai pyet se, “vallë, a mund të këtë tradhti më të madhe kombëtare në Kosovën e lirë, sovrane dhe të pavarur se sa kjo? A nuk i rrezikuam vlerat elementare të shqiptarizmës dhe të demokracisë, ndjenjave të lirisë, pavarësisë e shtetësisë sot në Republikën e Kosovës, ku madje as mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës nuk mund ta mbajmë pa e pyetur Serbinë?
A duhet të japin llogari para popullit dhe historisë personat përgjegjës që i kanë veshët e shurdhër ndaj kërkesave eksplicite të subjekteve politike shqiptare të Kosovës, si dhe të miqve tanë strategjik ndërkombëtarë, si p.sh. ambasadorja e SHBA-së, zonja T. Jacobson dhe përfaqësuesi i BE-së, z. S. Zhbogar, që na sugjerojnë që “sa më pare të formohen institucionet e Kosovës” dhe të mos zhagitet më procesi i funksionimit të Kuvendit të Kosovës?
A duhet të jep ndokush përgjegjësi, apo akoma do ta vazhdojmë avazin e vjetër që edhe sot e kësaj dite dhe në të ardhmen ta pyesim Serbinë, gjashtëmbëdhjetë vjet pas hyrjes së Aleancës më të madhe ushtarake në botë, NATO-s dhe gjashtë vjet e gjysmë nga shpallja e Pavarësisë së Republikës së Kosovës?”, thekson Nehat Hyseni.

Ambasadori norvegjez z.Jan Braathu paralajmëron zgjedhje të reja në Kosovë

Ambasadori norvegjez paralajmëron zgjedhje të reja në Kosovë
Ambasadori i Norvegjisë Jan Braathu ka paralajmëruar se Kosova shumë shpejtë do të shkoj në zgjedhje të reja duke kërkuar nga organet përkatëse që të merren masat e duhura për një sistem zgjedhor më kredibil dhe më të avancuar. Këto vlerësime Ambasadori norvegjez i bëri në tryezën me titull “Zgjedhjet e fundit – mundësi për reflektim në legjislacionin zgjedhor”, të organizuar Demokracia në Veprim me ç’rast u publikua edhe raporti përfundimtar i vëzhgimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit 2014.
“Duhet marrë masa konkrete në avancimin e sistemit zgjedhor, sepse mund të kemi prapë zgjedhje ndoshta edhe më shpejt sesa që ne presim”, tha Braathu. Po ashtu Braathu ka adresuar një varg çështjesh, për të cilat ka thënë ai, duhet përmirësuar në procesin e ardhshëm zgjedhor.
“Ato që janë evidente në çdo palë zgjedhje në Kosovë është pastrimi i listave me emrat e të vdekurve, pastaj të evitohen mundësia për votat e pavlefshme sikur edhe informimi me kohë për gjetjet e vendvotimeve”, ka thënë ai duke u bërë thirrje organeve vendore që të punojnë që sistemi elektoral të jetë më i avancuar.
Ambasadori norvegjez ka premtuar se në këtë drejtim do ta kenë edhe përkrahjen ndërkombëtare.
Nga ana tjetër edhe përfaqësues të subjekteve politike në vend kanë dhënë vërejtjet e tyre për këtë raport, kurse kryetarja KQZ-së Valdete Daka tha se institucioni që ajo udhëheq është i gatshëm që në çdo kohë të organizoj zgjedhje, vetëm që siç tha ajo koha prej gjashtë muajsh do të ishtë mëse e nevojshme për përgatitjen e mirëfilltë të zgjedhjeve.
Nga ana tjetër, Jetmir Bakija nga Demokracia në Veprim paraqiti disa nga sfidat me të cilat procesi elektoral është zhvilluar që nga pas-lufta.
“Ajo që është shqetësuese e që u është evidentuar si parregullsi është pjesëmarrja apo shfrytëzimi i shërbyesve civil në fushatën elektorale sikur edhe shfrytëzimi i resurseve publike gjatë fushatës. Një parregullsi e cila do të duhej të rregullohet në proceset e ardhshme zgjedhore është edhe pastrimi i listës së votuesve, si dhe informimi më i madh i qytetarëve për mënyrën e votimit në vendvotimet se ku duhet votuar”, ka thënë ai.
Sipas tij, mosinformimi me kohë dhe i mjaftueshëm ka reflektuar që numri i votave të pavlefshme të jetë i madh prej 4.2 për qind.
Po ashtu sipas Bakisë mbetët shqetësuese edhe dalja e ultë e qytetarëve në zgjedhje sikur edhe propaganda e thekuar politike gjatë procesit të votimit. Ai ka kërkuar që kjo gjë duhet të evitohet në të ardhmen.
Ud. I drejtorit të USAID-i Kristofer Edvards tha se Kosova ka bërë një progres në procesin elektoral, ndërsa ka theksuar se duhet t’i kushtohet vëmendje rritjes se përqindjes së daljes në votime.
“Pa përjashtuar as ndërkombëtarët por edhe vendoret duhet të punojmë maksimalisht për një proces edhe më të avancuar zgjedhor”, tha ai.

Sociologu Blerim Latifi: Afër 1000 qytetarë në luftërat xhihadiste!

Sociologu Blerim Latifi: Afër 1000 qytetarë në luftërat xhihadiste!

Profesori i Filozofisë, Blerim Latifi, thotë se situata e ekstremizmit në Kosovë, tashmë është alarmante.

Ai thotë se numri i shqiptarëve të Kosovës në Siri, nuk është aq i vogël siç thuhet. Latifi thotë se ky numër, sipas informatave që ai ka, është rreth 1000.

Latifi në emisionin "Rubikon" të KTV'së, thotë se është e dhimbshme se si një vend kaq i vogël si Kosova, prodhon njerëz që shkojnë të humbin jetën në një luftë të pakuptimtë.

"Është shumë tragjike që po i shohim të rinjt e Kosovës duke humbur jetën në një luftë të pakuptimtë. Konsideroj se gjendja tashmë është alarmante. Pra një vend i vogël siç jemi ne, të prodhojë kaq shumë njerëz që shkojnë të humbin jetën në një konflikt dhe fakti që po humbin jetën kaq shumë, mund të themi që janë afër njëmijë qytetarë të Kosovës që janë duke luftuar në frontin e luftës në Siri dhe Irak. Shumica apo të gjithë prej tyre janë të përfshirë në organizata terroriste", ka thënë Latifi.

"Në Kosovë ka ndodhë një proces klasik i prodhimit të xhihadistëve", thotë ai.

Kurse përfaqësuesi i BIK'ut, Valdet Sahiti, flet fillimisht për situatën në BIK, duke lënë të kuptohet se atje është edhe pikënisja e problemeve.

"BIK ka pasur një hendikep të madh, është një nga isntitucionet që është dëmtuar më së shumti. Mbi 40 imamë kanë rënë shehid në luftën e fundit. Kemi edhe humbje të tjera. BIK asnjëherë nuk është ndihmuar nga buxheti i shtetit. Gjithmonë është ndihmuar nga besimtarët. BIK është lënë në mëshirën e besimtarëve", ka thënë ai.

Lufta ndaj Ukshin Hotit bëhej në dy fronte, në njërën ja luftonin familjen, dhe në anën e tjetër e luftonin shqiptarët intelektual me propagandë kundër tij.

Ukshin Hotin e luftonin dhe e luftojnë ende!?!?

Analisti politik, Gazmend Islami, ka thënë se lufta ndaj Ukshin Hotit bëhej në dy fronte, në njërën ja luftonin familjen, dhe në anën e tjetër e luftonin shqiptarët intelektual me propagandë kundër tij.

Islami pohon se, ai shpesh thoshe, ku janë akademitë tonë që nuk kanë program Kombëtar për të realizuar vetëvendosjen e popullit shqiptar.
“Në anën tjetër luftoheshe në heshtje edhe nga garnitura e atyre të burgosurve politik dhe atyre “patriotëve të Zvicrës” të cilët kurrë nuk mundën të pranonin të jesh prijës i tyre sepse ti nuk mund të identifikoheshe me pushtet komunist e me intriga vrasëse. Pra nuk ishin vetëm pushtetarët shqiptar me orientim jugosllavë që nuk e donin, ishin edhe garnitura që sot folin në parlament që nuk bënë asgjë edhe në kohën kur mund të bëhej diçka. Kur ishin në Rambuje nuk e deshën në delegacionin e tyre as që e kërkuan”, thekson Islami.
Islami deklaron se, i vetmi njeri që kishte platformë politike dhe ushtarake ishte Ukshin Hoti. Madje sipas tij, Hoti ishte një Sokrat i kohërave moderne evropiane.
“Pra mund të themi se i vetmi njeri që kishte një platformë politike dhe ushtarake për çlirim dhe bashkim kishte i madhi Ukshin Hoti. Atdhedashuria është nocion që rreth vete thith energjinë e të qenit i përkryer, por ja që të pakët janë ata që mund ti përballoj këtij nocioni. Ti ishe një Sokrat i kohëve moderne evropiane, sepse kishe moral të fort dhe të pathyeshëm të një profesori dhe patrioti. Ti mund të ishte i pasur dhe i privilegjuar por nuk re ndesh me parimet e tuaja që na kujton sokratin i cili zgjodhi vdekjen sesa shkeljen e asaj që u kishte mësuar të tjerëve. Për këtë the “Bëje ose Vdis. E këta që të kujtuan as nuk e bënë e as nuk vdiqën, Bac”, ka deklaruar analisti politik Gazmend Islami.

Labinotë Demi: Më shumë vetëvrasje në Kosovë se vrasje të qytetarëve tonë në Siri

Labinotë Demi: Më shumë vetëvrasje në Kosovë se vrasje të qytetarëve tonë në Siri

Labinotë Demi, asambliste në Kuvendin Komunal Gjilanit nuk është e alarmuar me numrin e kosovarëve pjesëmarrës në luftërat në Siri dhe në Irak.

Ajo ka thënë se këtë alarmim e bëjnë më shumë medie e qarqe të caktuar se sa që është e vërtetë.
Demi, në emisionin e KTV-së Rubikon madje ka thënë se shumë më madh është numri vetëvrasjeve në Kosovë (sivjet) se sa numri i të vrarëve kosovarë në Siri e Irak dhe për këtë askush nuk alarmohet.
Astri Haraçia, gazetar, shkuarjen e kosovarëve në luftën e Sirisë ka akuzuar hoxhallarë të cilët, sipas tij, nëpër xhami kanë folur për rëndësinë e Shamit si tokë e shenjtë për të cilën Profeti Muhamed ka thënë që ajo tokë duhet mësyrë për shkak se është tokë e Allahut.

Kundër Haraçisë është deklaruar përfaqësuesi i bashkësisë islame të Kosovës Vedat Sahati i cili ka thënë se nëpër xhami është folur për t’u ndihmuar refugjatët e Sirisë e edhe arnautët atje. Me këtë rast ka thënë ai, janë mbledhur 50 mijë euro.

Të gjithë të arrestuarit te dyshuar për vepra penale

Kush janë 12 imamët e BIK
Foto: BOTA SOT

Prokuroria: Të gjithë të arrestuarit te dyshuar për vepra penale

Shefqet Krasniqi
Fuad Ramiqi
Enes Goga
Ekrem Avdiu
Enis Rama
Sabahudin Selimi
Bedri Robaj
Leonard Ruli
Eroll Nesimi
Idriz Bilibani
Mazllam Mazllami
 Me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për Urdhër bastisje dhe ndalim dhe pas vendimit të Gjyqtarit të procedues paraprake të Gjykatës Kompetente, sot është zhvilluar një aksion i Policisë së Kosovës, me ç’rast janë bastisur dhe janë arrestuar 15 persona.
Sipas Prokurorisë së Shtetit, të gjithë të arrestuarit janë të dyshuar për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe të sigurisë të Republikës së Kosovës.
“Pas veprimeve të ndërmarra sot, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në koordinim me institucionet tjera kompetente, do të vazhdojë me procedurat tjera të parapara me ligj”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
====
Kush janë 12 imamët e BIK'ut që u arrestuan sot
Policia e Kosovës ka kryer të mërkurën në orët e hershme të mëngjesit një aksion policor në tërë vendin, në ndjekje të personave të dyshuar për nxitje të urrejtjes ndërfetare dhe përçarjes kombëtare, që bie ndesh me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Derisa vazhdon aksioni policor, deri më tani janë arrestuar 13 persona, prej tyre përveç liderit të partisë islamike LISBA, Fuad Ramiqit, të tjerët janë hoxhallarë nëpër rajone të ndryshme të Kosovës.
Më poshtë lexoni emrat e të gjithë të arrestuarve deri në këto momente, të dyshuar për nxitje të ekstremizmit fetar dhe shkuarjes të të rinjve nga Kosova për të luftuar “në emër të Zotit” përkrahë organizatave terroriste ISIL dhe Al Nusra.
1. Sabahudin Selimi,
hoxhë nga Vitia.
2. Enes Goga,
kryeimam në Këshillin e Bashkësisë Islame (BIK) në Pejë.
3. Eroll Nesimi,
hoxhë dhe administrues i poratalit perkujtimi.net
4. Idriz Bilibani,
hoxhë i komunitetit boshnjak dhe administrator i portalit stazomislama.com
5. Leonard Ruli,
i vetëquajturi Ebu beker Ruli, hoxhë nga Prizreni.
6. Dardan Gjuka,
imam nga Peja, ligjërues në radio radio-udhezimi.com
7. Shefqet Krasniqi,
i lindur më 20.6.1966, në fshatin Sibovc të Obiliqit, ligjërues në Fakultetin e Studimeve Islame (FSI) në Prishtinë, njëherësh edhe imam në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
8. Shefki Koraçi,
imam në Kaçanik.
9. Mazllam Mazllami,
jeton në Prizren, imam në xhaminë e “Jeni Mahallës”.
10. Bedri Robaj,
imam në xhaminë e improvizuar në lagjen Dardani të Prishtinës.
Ajo është jashtë juridiksionit të BIK-ut. Xhamia pa emër e vetëm me mbi shkrimin “XHAMI”, gjendet në lokalet e Ndërmarrjes Shoqërore (NSh) “Auto-Prishtina”, ndërsa qiraja e hapësirës financohet nga Fatos Rizvanolli, biznesmen nga Peja.
11. Ekrem Avdiu,
i lindur më 18 Korrik të vitit 1971, në qytetin e Mitrovicës, aktualisht imam dhe ligjërues në xhaminë e lagjes 'Tavnik' dhe është anëtarë i Këshillit të Bashkësisë Islame të Mitrovicës.
12. Enis Rama,
i lindur më 12 Qershor 1976, në qytetin e Mitrovicës, jeton dhe vepron në Mitrovicë, ku mban edhe ligjërata të rregullta javore si imam në xhaminë 'Isa Beg' në Mitrovicë, si dhe është kryeredaktor në televizionin Peace TV Shqip.
13.Fuad Ramiqi,
i linduar më 26 mars 1960, në Pozharan komuna e Vitisë. Aktualisht kryetar i Lëvizjes Islame Bashkohu – LISBA.
Policia e Kosovës e ka konfirmuar se të mërkurën në orët e hershme të mëngjesit njësiti antiterrorist ka filluar operacione policore në tërë Kosovën, dhe se ka arrestuar disa persona të dyshuar për nxitje të ekstremizmit fetar dhe përçarjes kombëtare – vepra penale që bien ndesh me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë për lajmi.net se operacioni policor po ndodh në disa rajone të Kosovës, dhe se janë arrestuar disa të dyshuar për nxitje të ekstremizmit fetar. Ai ka thënë se derisa operacioni është ende duke vazhduar, Policia nuk mund të jep detaje të tjera rreth këtyre arrestimeve.
====
Të arrestuarit, Shefqet Krasniqi dhe Fuad Ramiqi, po intervistohen
Burime të Policisë së Kosovës, kanë konfirmuar arrestimin e Shefqet Krasniqit dhe Fuad Ramiqit. 

Poashtu, të njëjtat burime, pohojnë se Krasniqi dhe Ramiqi, janë duke u intervistuar.
====
Përpos imamit Shefqet Krasniqi nga Prishtina e Enes Goga nga Peja, arrestime imamësh ka pasur sot edhe në Mitrovicë.
Siç konfirmoi Policia e Kosovës, operacioni policor përfshin disa rajone në Kosovë.
Mësohet se arrestime të imamëve ka pasur mëngjesin e së mërkurës edhe në Mitrovicë.
Policia në këtë rajon ka arrestuar imamin Enis Rama, imam në xhaminë ‘Isa Beg’ në Mitrovicë dhe kryeredaktor i televizionit ‘Peace TV’ në shqip.
Një tjetër emër i njohur pos tij është edhe Ekrem Avdiu, që, aktualisht shërben si imam dhe ligjërues i xhamisë në lagjen Tavnik njëkohësisht është anëtar i BIK-ut në Mitrovicë.
====
Sot në mengjes është arrestuar në Mitrovicë nga Policia e Kosovës, hoxha Ekrem Avdiu.
Këto burime kanë treguar se arrestimi është bërë në shtepinë e tij.
Policia e Kosovës në aksionin e saj ka arrestuar edhe imamin e Pejës Enes Goga
Burime të lajmi.net nga Policia e Kosovës në rajonin e Pejës, kanë bërë të ditur se të mërkurën në mëngjes është arrestuar krye-imami i Pejës, Enes Goga.
Motivet e këtij arrestimi janë të njëjta me të Krasniqit; nxitja e urrejtjes ndërfetare dhe ekstremizmi Islam.
====
Imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, është arrestuar të mërkurën në orët e hershme të mëngjesit nga Policia e Kosovës. Ndër të arrestuarit mësohet se është edhe drejtuesi i partisë LISBA, Fuad Ramiqi.
Sipas burimeve të lajmi.net, sot (e mërkure) para pak çastesh Policia e Kosovës ka vënën nën arrest imamin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqin.
Motivet e këtij arrestimi nga policia, kanë qenë nxitja e urrejtjes ndërfetare e ekstremizmi Islam.
Ndryshe, para një muaji, janë arrestuar 40 persona të dyshuar se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak përkrahë organizatave të shpallura terroriste, ISIS dhe Al-Nusra, duke kryer me këtë vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës.
Policia e Kosovës gjatë bastisjës tek shtëpia e Shefqet Krasniqit
Aktualisht Policia e Kosovës është duke e bastisur banesën e kryetarit të LISB’as Fuad Ramiqi që ndodhet afër parkut të qytetit në Prishtinë.
====
Shefqet Krasniqi në vitin 2009 ndërroi vendbanim, nga Presheva u kthye në Prishtinë (Dokument)
Imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, i arrestuar sot si i dyshuar për nxitje të radikalizimit, në vitin 2004 ishte pajisur me letërnjoftim të Serbisë.
Përveç kësaj, Krasniqi në vitin 2008 ishte regjistruar si banorë i Preshevës, kurse një vit më vonë ai sërish ndërron vendbanim për t’u kthyer në Prishtinë, konkretisht në “Orloviq”.

Zeqir Gërvalla -Avdi Ibrahimi : Sfidë për mëmëdhenë

sfida 1



Recension nga Zeqir Gërvalla

Asgjë s’është vetëm e njërit, të gjitha janë të përbashkëta: edhe lindja edhe vdekja…edhe kënga, edhe vaji…edhe gëzimi, edhe hidhërimi…edhe të gjitha…Në përgjithësi ato që u thane më sipër sikur reflektohen në vëllimin me poezi Sfidë për mëmëdhenë të autorit të ri, Avdi Ibrahimi. Ky vëllim përbëhet nga 33 vjersha që datojnë nga viti 1989 e deri më 1993. Të gjitha poezitë radhiten sipas përmbajtjes e struktures tematike, e sipas kohës që janë shkruar, si një ditar rrëfimtar, të cilat paraqesin vërtet këtë kohë të rëndë e më të rëndë të robërisë, të dhunës e terrorit serbosllav mbi gjysmën e kombit tone, në këtë gjysmë Shqipërie, duke përfshirë të gjitha trojet tona etnike shqiptare, madje edhe Çamërinë tone të bukur, por mjerisht të asimiluar nga grekët, gati tërësisht.


Avdiu me vigjilencë vëren armikun tone shekullor, që parreshtur bënë përpjekje që të na dyfishohet robëria – të robërohemi për të dytën here edhe më zi në këtë fundshekull. Autori përveç dashurisë së madhe që ka ndaj Atëdheut dhe dhembjes së thellë për (Shqipërinë e përgjysmuar), ai qorton shqiptarët e ndarë e të përçarë në shumë parti e ide të pakordinuara mirë (sidomos kohëve të fundit), njëkohësisht me mllef akuzon-mallkon e lufton me vargjet e tija armiqtë shekullor, e veçanërisht shovenët serbosllavë që na sollën aq shumë të zeza:vuajtje mjerim, gjakderdhje e viktima të pafajshme në trojet tona etnike – stërgjyshore, e që po na sjellin edhe sot. Ndërsa me admirim përshkruan e paraqet QËNDRESËN E MADHE të shqiptarëve në tërësi, parreshtur nëpër kohë, duke mos kursyer djersë-gjakun as jetën për LIRI E – RIBASHKIM KOMBËTAR, për një Shqipëri etnike duke dashur t’i përfshijë të gjitha në një shtet, siç e thot në titullin e një vjershe “ NJOH VEÇ NËNËN SHQIPËRI”. Poashtu, thuajse në çdo vjershë derdh mllef e vrerë ndaj tradhëtarëve, spiunëve – hafijeve, demagogëve, dallkaukëve e kopukëve – shërbëtorëve të armikut, si për ata të djeshmit ( që sot nën maskën e demokracisë përpiqen të fshihen) si për ata të sotmit që haptas apo fshehtas janë në anë e armikut e i hapin plagë Atëdheut tone të bukur, që edhe ashtu është plot plagë mjerisht ende i ndarë e i copëtuar edhe në këtë fundshekull të fluturimit të njeriut në yje!
sfida
Në këtë kohë të rëndë, si e theksuam disa here, kur shumë poet të talentuar heshtin e s’gjejnë fjalë e frymzim për ta shprehur mllefin që u zien përbrenda, është për t’u admiruar guximi dhe angazhimi i Avdi Ibrahimit për t’u rrekur me tema kaq të mëdha e të rendësishme për kohën e rëndë që po përjetojmë. Që nga vjersha e parë Pak romantizëm e deri te vjersha e fundit Sjellje bizantine shihet angazhimi aktual mendor, shpirtëror, historik e kombëtar, politik e social i shoqërisë shqiptaree gjithënjerëzore të poetit të ri Avdi Ibrahimi.


dokument


Nga dorëshkrimi i mikut tim Zeqir Gërvalla për librin “Sfidë për mëmëdhenë!”

Mjafton vetëm nga mënyra kronologjike, nga kurreshtja, të them në formë eksperimentale t’i radhisim titujt e vëllimit, që nga vetë pagëzimi i veprës, duke i përmendur të gjitha poezitë dhe të na dali përmbajtja e tërë vëllimit si te Vargjet e lira të MIgjenit “Parathënia parathënieve”. Me kaq përfundoj këtë recension duke propozuar që të botohet ky vëllim me poezi : “Sfidë për mëmëdhenë”.Autorit Avdi Ibrahimit, në të ardhmën i dëshiroj suksese më të mëdha e të mirëfillta në poezi – në rrëfimet e tij, që të ketë kujdes më shumë në gjuhë, në stil,në artë, në përmbajtje sa më të thellë e komplekse, në atë fjalën e bukur artistike shpirtërore që e bën një vepër të jetojë sa më gjatë duke begatuar fondin e poezisë sonë në përgjithësi.



Prishtinë,Tetor, 1993.

P.S. për here të pare po e bëjë publike këtë vështrim libri nga poeti ynë i bashkimit kombëtar Zeqir Gërvalla.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...