2014-09-20

“Komunisto-çetnikët po i sjellin shqiptarët në çerdhen e tigrave”-Pas Luftës së Dytë Botërore shqiptarët u çliruan me forcat e veta

Mashtruesit dhe të mashtruarit


Pas Luftës së Dytë Botërore shqiptarët u çliruan me forcat e veta 



“Komunisto-çetnikët po i sjellin shqiptarët në çerdhen e tigrave”



Prof. Dr. Hakif Bajrami

Në Evropën Juglindore çështja kombëtare dhe fetare janë dhe mbesin si një nyje e përcaktimit të historisë nga fuqitë evropiane, jo vetëm gjatë dy shekujve të fundit. Ndodh ky fenomen sepse këtu ndryshojnë dy religjionet monoteiste në luftë për dominim. Këtë trevë gjithmonë të përgjakur në anën tjetër e përcjellin ndrydhjet “tektonike” politike gati sa dimë dhe e njohim historinë. Nuk na ka faj askush pse gjendemi në këtë hapësirë ndrydhjesh: të religjioneve, popujve, kulturave dhe forcave politike, por edhe të muskujve ndërmjet vete. Sidomos, pësime kemi përjetuar ne shqiptarët që jemi këtu vendës - “mikpritës” të shumë popujve. Ndrydhjet nuk u ndalën, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, nuk do të ndalen as sot e nesër, prandaj sa më parë ta kuptojmë këtë ndrydhje, aq më lehtë do ta kalojmë dhe ndërtojmë historinë. Nuk na ka faj askush pse jemi popull-komb i lodhur, madje i rraskapitur sepse gati që dy mijë vjet na rrinë shpatat në qafë. Kah t’ia mbajmë dihet, por kah të rreshtohemi shumë herë nuk kemi pasur përcaktim të drejtë.
Një kohë të gjatë e kemi kritikuar epokën e imperializmit se kemi mbet popull i copëtuar me fajin e të tjerëve. Kemi shkruar se komunizmi-socializmi do të na shpëtojë. Doli se e kishim gabim. Dhe atë gabim e mbështesnim pse jemi populli më i copëtuar dhe më i prapambetur në Evropë për një gjysmë shekulli, Po tani kur po kalojnë 25 vjet me sistem demokratik shumëpartiak ku jemi? Prapë nuk kemi ndryshuar, gjendemi në pozitën e fundit. Aty jemi standard. Pse, sepse i kemi vënë përpara të na prijnë neobajraktarët-politikanët që janë në gjendje ta shporrin njëri-tjetrin për pushtet. Shkurt jemi populli me politikanë më të përçarë në Evropë. Ja, duhet që ambasadat e huaja të vijnë e të na pajtojnë dhe të na caktojnë renditjen në pushtet. Turp ma të madh nuk mund të ketë. Po, kemi bërë gjithmonë luftë të drejtë. Por ajo luftë e drejtë nuk të jep të drejtë të krijojmë anarki dhe padrejtësi sot. Politikani i mirëfilltë duhet të ketë shkollë, duhet të ketë përvojë, duhet të ketë forcë (i votuar nga Sovrani). Nuk e ke forcën-numrat e votave, nuk ke pushtet. Kjo duhet të kuptohet përgjithmonë.
Shumë herë jemi rreshtuar andej kah nuk fitohet ardhmëria e as çasti historik, ama e kemi errësuar edhe të kaluarën për shkak të inateve dhe luftës për fron bajraktari. “Eu shqiptarizëm mos thuej mbarova, se djemtë tu ende janë gjallë… Në Kulinë (1910) kërsiti topi, krisi topi u dridh toka asht trazue tanë Evropa!”. Po atëherë, më 1912 ishim populli më i prapambetur ekonomikisht në Evropë. Erdhën ndryshimet pas Luftës pare botërore, prapë ishim të tillë-më të prapambeturit. Erdhi okupimi fashist dhe u çliruam me forcat tona (1945), prapë mbetëm populli më i prapambetur në Evropë, plus më i përçari politikisht. PKSH nuk lejonte asnjë kundërshtar politik t’ i afrohet pushtetit. Po si bërën jugosllavët.
Millan Groll kishte qenë para lufte kryetar i Partisë Demokrate. Gjatë luftës ministër në qeverinë e Kral Petrit në Londër. Më 1945 për hatër të Churchillit dhe djalit të tij, Millan Grollin, Tito e bëri zëvendëskryetar deri sa u largua vet.
Tirana në anën tjetër mbeti ekskluzive-komuniste e “kuqe”, nuk pranoi parti tjera që aspironin pushtetin. Madje fitimtarët- të rreshtuarit drejtë, antifashist nuk e dëgjuan asnjë këshillë të anglo-amerikanëve më 2 XII 1945 për zgjedhjet parlamentare. Po çka shkruhet në shumicën e dokumenteve të Forein Offisit 371?. Në asnjë dokument nuk shkruhet decidivisht në fund të vitit 1944 se Balli apo Legaliteti duhet të instalohen në fronin e Tiranës.
Anglezi kryesor në Tiranë hapur ka shkruar “Mithat Frashëri dhe Abaz Kupi janë plotë llafe, nuk veprojnë (luftojnë fare fashizmin”). Anglo-Amerikanët pra, dokumente e tyre e vërtetojnë këtë, e sollën Enver Hoxhën në pushtet sepse u imponua si antifashist me luftë të drejtë. Ky fakt duhet të pranohet. Madje Brigadat nga Shqipëria Bregdetare e faktorizuan edhe Kosovën, se për ndryshe shtabi: Tito-Rankoviq planifikonin të përsëritet Vojvodina-fati i gjermanëve dhe hungarezëve që u likuiduan pa gjurmë, me leje të Super Fuqive. Jugosllavët madje në Paris (1946) na “mbronin” para anglo-amerikanëve dhe grekëve (shikoni FO. 371-1946). Po pse na mbronin? Jo që e donin jugosllavët Shqipërinë- shqiptarët. Qëndrimi i tyre u pa në Konferencën e Parisit 1946. Dolën pra jugosllavët për ta “mbrojtur” Shqipërinë. Kështu komentohej në Evropë e gjetiu. Dhe e bënin këtë për ta ngufatë çështjen e Kosovës dhe Çamërisë, dhe për t’i bërë koloni siç tentuan ta bëjnë deri më 1947 tërë Shqipërinë. Madje Tito- Rankoviq-Gjillas, me grekët dhe Turqit më 1950 lidhën pakt (0. 1-50) për ta shporrë fare Shqipërinë nga faqja e dheut, për ta bërë Korçën poligon të ushtrive të tyre. Po çka nuk ndodhi më tutje në Luftën e Ftoftë. Prapë ne mbetem pikë e zezë e prapambeturisë ekonomike. Infrastruktura shqiptare ishte më e dobët se sa ishte në Afrikë në shumë segmente. Po toka shqiptare ishte dhe është më e pasura në Evropë. Hej, po populli është për lakmi i shëndetshëm dhe i durueshëm!!! Kaloi një gjysmë shekulli. Erdhi 1992, filloi historia shumëpartiake shqiptare. Ku jemi sot? Jemi populli më i përçarë politikisht (nga bajraktarët tanë kudo) dhe ekonomikisht në Evropë. Pse, kush na ka faj ma? Shqiptarë, historia ju fton në emër të gjakut të dëshmorëve të ndërgjegjësoheni dhe ta krijojmë një gjeneratë politikanësh që nuk është e ngarkuar me hipoteka fajdegjish dhe profiterësh. Po, ne kemi sot të tillë që nuk janë fajdexhi dhe profiterë, po nuk lejohen me çdo kusht dhe çdo çmim të kandidohen, sepse këtu është dora e fshehur që dirigjon. Emrat e tyre dihen dhe janë ende me energji të duhur fizike, intelektuale dhe shpirtërore.
Në Evropë nuk shkohet me korrupsion dhe me “miliarderë që nuk ia dine adresën”. Po Evropa është e pasur, jo që duhen në mes veti, por Evropën bashkon PASURIA dhe si të bashkuar e mbrojnë atë. Këtu është çelësi i filozofisë pragmatike evropiane. Ta themi më mire filozofia gjermane.
Tash vijmë në pikën kyçe. Në Ballkan është konsumuar fati i Evropës, natyrisht me lumenj gjaku dhe tragjedish ndër më të egrat në botë. Ja, këtu jemi ne shqiptarët e patundur gati tridhjetë shekuj. Kemi mbetur gjallë pra dhe jemi sot në shans të mileniumit që të rreshtohemi me mençuri andej kah fitohet ardhmëria. Konsumimi dhe ndrydhja evropiane në viset shqiptare është bërë përmes shumë rrafsheve. Por ndrydhja religjioze, si dhe ndrydhja politike janë bërë standarde të rrugëtimit në formën më të panatyrshme, sidomos ndaj kombit shqiptar.
Gjatë gjithë shekullit XX-të ne- Shqiptarët, i patëm dy drejtues gjenial të rreshtimit të drejtë politik. Njërin rivalët politik shqiptar i organizuam atentat - e vranë në pabesi në Selanik, tjetrit okupatori e dënoi me tridhjetë vjet burg dhe pati fat e doli gjallë edhe pse dy herë (pushteti i okupatorit) organizoi ta likuidonte(më 1965 dhe 1990). Por pas burgut, pak kush nuk i dëgjoi kërkesat e tij. Madje e sabotuan dhe disa partiak “neokomunistë”, paqësorë në deklarata e tinëzarë në veprime. E shanë dhe e përgojuan sikurse të parin. Po, e kam fjalën për Hasan Prishtinën dhe Adem Demaçin. Ka edhe të tjerë, po këta janë të veçantë. E patëm edhe Fan Nolin deri në një masë, por atë shqiptarët e përdorën për afate të shkurtra kohore. Sigurisht se ka edhe të tjerë që meritojnë trajtim nga filozofia e historisë, por këta janë kulmues, mendoj (Cogito ergo sum). Kur jemi te ky mendim politik, nuk mund të anashkalohen Enver Hoxha dhe Fadil Hoxha. Për të dy mund të flitet se gjatë pushtetit tyre (1941-1985-6) kombi shqiptar arriti kulme botërore në arsim, shkencë dhe kulture. Ky fakt nuk mund të mohohet. i pari (Enver Hoxha) sot nga një vistër shkrimesh akuzohet për çdo gjë, ndërsa në një vistër shkrimesh i vishen merita për çdo gjë.
Në të dy lagjet e shkrimeve ka tendenca politike. E vërteta duhet të mbetet diku jo në mes si thuhet, por të faktorizohet, madje nga hulumtues ekipor shkencor. Nuk e kam hulumtuar në detale kohën e sundimit të Enver Hoxhës në Shqipërinë Bregdetare. Por, Enver Hoxha në Shqipërinë Kontinentale (Shqipërinë e robëruar, Kosovë e tutje.. -HB) mbetet politikan i Shpresës, sepse ne si popull i robëruar duhej të kishim një shpresë. Dhe kur nuk vdes shpresa nuk vdes fitorja. Fitoren e siguroi gjenerate e Adem Demaçit, me kryetrimat, të cilëve iu printe sikur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ashtu edhe famëlarti ADEM JASHARI me shokë shumë. Për të dytin (Fadil Hoxhën) sikur jemi më të rezervuar edhe pse në shumë shkrime “pikturohet” bardhë e zi, duke aluduar se ashtu është dhe nuk bënë ndryshe. E vërteta ky i dyti (Fadil Hoxha), e kishte më zor kur të merret parasysh se si po sillen SOT politikanët shqiptarë në mes veti, dhe kur t’i shtohet kësaj edhe sjellja e të tjerëve, atëherë del se diçka është bërë. Po, ne disi e kemi nderuar Fadil Hoxhën në emër të një pajtimi kombëtar në mes gjeneratave dhe grupeve politike, sepse ai kapital na duhej për momentin historik nëpërmjet të cilit kemi kaluar me vargoj gjaku e luftë të DREJTË, në NEO LUFTË. Por ky pajtim, politikisht nuk e amniston para shkencës ku nuk ka anime. Pra, zhvillimi jonë kombëtar është rritë duke lëvizë në dy binarë: në universitetin e zhvilluar në liri dhe në universitetin e kultivuar në burgje, madje shumë të egra. Nga ky mendim që u tha pa ekuivoke për të dytë, del se Enver Hoxha i Shqipërisë Bregdetare nuk mund të jetë Enver Hoxhë i Shqipërisë Kontinentale, e robëruar padrejtësisht. Pra, e kemi ditë se si është gjendja në Shqipëri, por na mbajt shpresa se një ditë ajo NËNË do të na mbrojë ashtu si pati fuqi e nderë të na ndihmojë në fundit e shekullit kur përjetuam tragjedinë popullore, gjenocidin BIBLIK.
E pra lavdi SHQIPËRISË BREGDETARE që u bë NËNË e vërtetë ashtu si e ëndërronim. Ajo shpresë nuk do të harrohet dhe do të mbetet ndërgjegje e gjeneratave. Besoj. Në anën tjetër, në bazë të argumenteve këta prijës të kombit, me aftësi të veçanta organizative dhe politike, populli nuk ishte i përgatitur t’i kupton dhe t’i lexojë se çfarë dëshironin.
Megjithatë Adem Demaçin, rinia revolucionare nën okupimin e Jugosllavisë e ka kuptuar me kohë dhe ka shfaqë vepra për ta ndjekur mësimin e tij programor deri në fund të shekullit XX. Dhe kur erdhi deri te finalja, prapë Fuqitë e Jashtme ndikuan që të mbetemi në gjysmë të rrugës, duke e anashkaluar mësimin e Adem Demaçit. Ekliptika e filozofisë së Adem Demaçit ishte profesion dhe MISION sidomos për profesorët që erdhën nga Shqipëria për të mbajtur ligjërata në Universitetin e Prishtinës, sidomos në Katedrën e Historisë më 1972-1980. Ata profesorë patriot e sollën Pranverën e Dytë në viset e robëruara shqiptare. Ishte kjo një meritë e politikës së Tiranës zyrtare ndaj bashkombësve të vet që ishin të robëruar.
Në këtë vijë nuk ka pas dilema: Sistemi kolonial jugosllav duhet të shporret, dhe u shporrë. Po, më 1981 Shqipëria ka pas PLAN të ndërhyrjes me armë, nëse gjendja eskalon në dhunë masive ndaj shqiptarëve në Jugosllavi. Po, kush nga Fuqitë e përkrahte këtë orientim? Askush.
Më kujtohet kur më 25 nëntor 1961 ambasadori sovjetik u tërhoq nga Tirana. Këto lajme na i mësonte kush tjetër përpos “Radio Tirana”. Atë ditë filloi të lindë një epokë e re për shqiptarë, epokë kjo që do të rrëshqas me vështirësi, por objektivi po realizohej. Po, atëherë, pas dhjetë vitesh, në studimet pasuniversitare ishim të parët që patëm fatin të jemi student të profesorëve nga Tirana.
Ne në anën tjetër shumë shpejtë si magjistra dhe doktorë shkencash shoqërore, u gjetëm nëpër simpoziumet jugosllave dh e ndërkombëtare. Kudo, në fillim na sulmonin me termin irredentist. Ne e dinim bie fjala në: Rumuni, Hungari, Austri, Zvicër dhe Gjermani se provokimet vinin të porositura. Por fjala irredentist na bënte nder. Kur ua shpjegonim se për çfarë është fjala, biseduesit merrnin pozicion seriozë dhe e mësonin të vërtetën. Dhe kur e mësonin se Kosova ka qenë pjesë e Shqipërisë, qeshnin dhe kënaqeshin me injorancën politike të pseudoshkencës jugosllave-serbe, sidomos.
Më vonë, erdhi termi akuzues “kontra-revolucionar”.



Shumë pyetje pa përgjigje



Prapë ne ishin ata që shtronim pyetjen: “I morën demonstruesit institucionet shtetërore”, jo. Kjo është gënjeshtër e shovinizmit serb, ua thoshim. Keni dëgjuar se demonstruesit kanë brohoritë parulla se duam ta ndërrojmë sistemin. JO. Ata po kërkojnë drejtësi dhe republikë. Vinte pajtimi i tyre (shkencëtarëve) i plotë. Por Brenda Kosovës terrori shtetëror vazhdonte me egërsi.
Më 23 mars 1989 Serbia e okupoi në tërësi Kosovën. Letrat do të hapën. Do të tremben edhe republikat tjera. Konflikti serbo-kroat ishte shpëtimi. Më 4 korrik 1992 Jugosllavia u shpall e vdekur nga Komisioni i Badinterit. Më tutje krimet Kasapi i Ballkanit i quajtur Millosheviq me bekimin e shumicës absolute serbe i vijoi krimet kudo që kishte mundësi. Kështu më 31 mars 1998 Këshilli i Sigurimit i OKB-ës e aprovoi njëzëri Rezolutën 1160 që mbështetej në Kaptinën e VII-të të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Rezoluta u aprovua unanimisht. (Lexojeni lexues të nderuar Kaptinën VII, sidomos nenet 42 dhe 43 do të kuptoni se NATO e ka pas lejen për ta bombarduar agresorin fashiste serb nga 23 marsi 1999). Kjo do të thotë se fuqitë e kanë krijuar Jugosllavinë në Versajë, fuqitë e shpallën të vdekur prapë në Versajë më 4 korrik 1992. Po prapë fuqitë më 28 qershor 2001 ia vunë prangat kasapit të Ballkanit dhe e dërguan në Sheveningen. Simbolikisht, në atë ditë që Millosheviqi në Gazimestan u kërcënua me vrasje, po atë ditë u burgos dhe aty, në burg mbaroi me turp jeta e tij prej krimineli gjenocidal.
Në vijim, në rrethanat e brendshme, në Kosovë, deri më 1 tetor 1997 kur mbretëronte Epoka e demonstratave, për të filluar pastaj epopeja e Adem Jasharit me familje, shembull unik në botë dhe në historinë e njerëzimit. Këto të vërtetuara ua kemi thënë shkencëtarëve evropianë edhe në Minhen në një simpozium ndërkombëtar për Kosovën, në nëntor 1998.
E vërteta, Adem Demaçi, hero i gjallë, sikur është si i dërguar nga Perëndia për ta shpëtuar një popull nga shfarosja, nga komunistët e Titos deri më 1966 e tutje, gjithnjë me metoda shumë të egra, për të na deporuar si popull, të paktën (Shiko: Marrëveshjen Xhentelmene 1953) në Anadoll. Por, edhe pas kësaj kohe në mënyrë ma të sofistikuar të njëjtit komunistë të Titos (Lexo: Marrëveshjen Tito-Kyprili 1953) bërën çdo gjë që të na ngufatin në çerdhen e tigrave. Por rinia, inteligjenca dhe punëtoria, populli i ndrydhur na drejtoi kah fitohet ardhmëria. Patëm pra, individë të kalibrit botëror në rreshtimin e drejtë politik, por nuk patëm popull të arsimuar politikisht sa duhet që do t’i kuptonte rrjedhat politike. Dhe, deri sa të jemi në këtë nivel të arsimimit politik si komb, do të paguajmë haraçin e ndarjeve që po e favorizojnë neobajraktarët politikë lokalë dhe regjionalë. Këtë realitet po e shfrytëzojnë armiqtë e shqiptarizmes në të gjitha nivelet e forumeve botërore. Nga viti 1941 e deri më 1989 na mashtruan me glosemën “vllazrim-bashkim” me të cilën dirigjonte Beogradi. Sot me atë glosemë dirigjon pak më ndryshe Brukseli. Çohu sot e kundërshtoje BE-në, çohu dje (1945-1989) e kundërshtoje “vllaznim- bashkimin”. Ne pra si popull i vogël nuk mundemi të zhvillohemi sipas getropizmit (ngritja vertikale), ashtu si rregullohen bimët me ligjet e natyrës. Dhe nuk mund të kemi natyrshmëri në zhvillim sepse nuk kemi arsimim politik dhe shkollor sa e si duhet. Përndryshe mund të veprojmë si të pavarur nëse do të dominonte arsimimi kulmues në popullin tonë. Çohu sot e fol për bashkimin kombëtar. Jo, jo, këtë nuk e lejojnë vet bajraktarët inflato-politikë shqiptarë, deputetët e mëhallëve, kuarteve dhe katundeve, beglluqeve dhe pashallëqeve politike.
Pak kush e kuptoi Ruzhdi Hajdinin (Xhakën) me shokë më 2 prill 1981. Ai dhe shokët e tij, i kanë marrë armët, por nuk patën përkrahje. Pasojë, ngritja në armë e Tahir Mehës më 13 maj 1981, dhe prapë ajo ngjarje madhështore mbeti e izoluar. Pasoi përpjekja për luftë e çetës Ali Ajetit, e heroit Hasan Ramadani më 1994, por mbeten të izoluara. E vërteta edhe heronjtë tjerë: Vëllezërit Fazlu, Afrim Zhita, Agron Rrahmani, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmon Hoxha e deri tek Adem jashari et ë tjerë, si Tahir Sinani, Ilir Konushefci, Fehmi Ladrofci, Nena Aze Brahimaj-nëna e UÇK-së, e kanë imituar luftën heroike të Shaban Palluzhës. Në rend të parë e kanë zbatuar programin politik dhe luftarak të LRBSH-ës, të Adem Demaçit.
Të kthehemi nga fillimi. i pari, (Hasan Prishtina), në fillim të shekullit (XX) theksoi. Po e përfoli edhe pse e di origjinalin: “Mue në idenë teme nuk ka me mujtë me më ble parja e tanë botës, as me më nështrue mënia e armiqëve, ka me më nënshtrue vetëm vdekja”. I dyti (Adem Demaçi), në dekadën e gjashtë të shekullit (XX) do të deklaroi me shkrim: “Prapë po e përfoli që të bëhet pronë kombëtare - Për çlirimin dhe bashkimin e Shqiptarëve do t’i përdorim të gjitha mjetet paqësore, por kur këto do të shteren, do t’i përdorim mjetet jopaqësore. Nuk ka rendësi ideologjia, a do të na ndihmojë Lindja apo Perëndimi. Me rëndësi është dhe do të mbetet që lufta jonë të jetë e drejtë dhe e pastër”. Kush mund ta akuzojë këtë filozofi të lirisë-Marselezë e shqiptarëve të robëruar, të mendimit dhe veprimit. Por i pyeti kush këta korifenj se çka duhet të bëhet me shqiptarë nga fuqitë që e dirigjojnë botën? jo! A do të na pyesin sot apo nesër, varet nga rreshtimi dhe imponimi ynë me dije, me punë dhe me drejtësi. Nuk ka popull të vogël e të madh sot, në kohen kur informata është fuqi prodhuese, por ka mundësi që të mbretërojë drejtësia. Pati lider të tjerë që u ngiten pas ideologjive dhe froneve dhe fati i tyre dihet në histori. Prandaj kjo temë do të elaborohet në një projekt (studim) të veçantë.
Po shqiptar, çohu sot dhe kërko Toplicën, Pazarin e Ri, Çamërinë që në shekullin XIX ishin në plisa-deng të mbushur, të gjithë shqiptarë. Jo, nuk mund t’i kërkojmë sepse atje nuk ka mbet pothuajse asnjë shqiptar. Po, në Jeni Pazar ka elemente që e ndiejnë vetëm të “shqiptarizuar” por ai element është fare religjioz, dhe nuk ndihet kombëtar shqiptar sepse është konvertuar nga koha që grinë e djegë çdo gjë që nuk lëvizë. Këtë fenomen e kemi edhe në Turqi, ku llogaritet se kemi shqiptarë më shumë se sa në Ballkan. Po a kanë ata ndonjë shkollë shqip, radio, televizion, teatër, apo shtëpi kulture. Jo. Ata janë vetëm nominalisht shqiptarë, që digjen si qiri ngadalë, por sigurt nëpërmjet gjeneratave që vijnë. Çohu sot dhe e kërko Çamërinë kur atje nuk ke popull. Çohu sot dhe kërko pse nuk votohet “Balli Kombëtar” (një organizatë patriotike) në zgjedhjet kombëtare. Me parulla dhe përralla demagogjike nuk bashkohet populli. Dhe dihet se në Kosovë, deri me dukjen në skenën politike të Adem Demaçit (1958) mbi gjysma e shqiptarëve thoshin “turk je me besue” dhe më 1948 ishin 1914 turq, por me dhunën e titistëve më 1953 u bënë 54336 “turq”. Kah erdhën këta për katër vjet. Jo, fjala ishte që të hapet “xhirollogaria rankoviqiste dhe titiste” që të na depërtojnë në Anadoll. Pra, atë që nuk pati mundësi ta bëjë krajli serb, e ka bërë perandori komunist, tirani dhe xhelati i quajtur Tito. Këtë shprehje “turk je me besue” e kemi dëgjuar kudo, në çdo skutë të Kosovës gjatë hulumtimeve 1971-1977. E pra të kultivojmë sot shqiptarizmin pa i urryer turqit e vërtetë dhe popujt tjerë, me vetëdijesim kombëtar dhe arsimim shkollor, pa urryer të tjerët mbi të gjitha. Kjo është rruga e shpëtimit dhe e sigurimit të ardhmërisë.
Në vitin 1944-1945, kufijtë shqiptaro-shqiptar i caktuan Churchilli dhe Stalini në akordim me fqinjët tanë, pa e pyet fare Enverin e jo se jo Fadilin. Por më 1950, ( kur Tito prishet me Stalinin 1948), u përpilua “Programi 1+1+1, që do të thotë: Jugosllavia, Greqia dhe Turqia themelojnë pakt ushtarak dhe politik, për ta ricopëtuar tokën shqiptare në përgjithësi nëpërmjet dy faktorëve, me bekimin e miqve perëndimorë. Kjo thikë pas shpine nuk duhet të harrohet. Faktori i brendshme politik në ish Jugosllavi, ishte që nëpërmjet mercenarëve të krijohet atmosfera për deportim të Shqiptarëve në Anadoll. Me këtë plan ishin të kënaqura Turqia, Greqia dhe Jugosllavia. Lexo edhe një here, më 1948, ishin në Jugosllavi 1914 turq. Më 1953 në Jugosllavi u regjistruan 54226 turq. Filloi një propagandë e paparë në popull për shpërngulje të shqiptarëve nga Jugosllavia. Faktori i dytë ishte krijimi i Qeverisë marionete me qendër në Shkup nga titistët nga Apostol Tanefi. Dihen kush ishin edhe ministrat që do të instaloheshin në Tiranë. Ata i caktoi Dushan Mugosha dhe Gjoka Pajkoviqi me urdhër të M. Gjillasit dhe A. Rankoviqit. Tito e pranoi planin e tyre në përgjithësi. (Arkivi i Jugosllavisë: K. Ekzekutiv, 1952, “Plani 3”. Greqia në anën tjetër e kishte planin e aneksimit të Korçës dhe Gjirokastrës. Me këto plane synohej që çështja shqiptare të kthehet në pikën zero, aty ku ishte më 1913 në Londër, do të shkruaj Millan Grol, zëvendëskryetar i Titos më 1945. Ky politikan kishte shkruar se pajtohet që në Jugosllavi të themelohen katër republika, por jo edhe Maqedonia dhe Mali i ZI. Për Grollin, Serbia e kishte siguruar “LUKTHIN” me aneksimin e Vojvodinës. Serbia sipas Grollit, duhej t’i siguronte edhe “mushkëritë” - Luginën e Moravës dhe të Vardarit. Për këtë plan e kishte pëlqimin in kognito edhe nga Tito-Rankoviqi, sepse ky i dyti i ndihmonte në Rusi që ta mbajë Istrën për zgjerimin kroat. Grolli. më 1952 vdiq dhe shumë çka nga planet e tij mbeten për t’u dëshiruar nga nëntoka serbe e malazeze e politikës dhe e kishës. Por si rrufe në Jugosllavi më 1953 plasi afera politike e quajtur “Gjillas”. Madje vdiq edhe “mësuesi i madh” V. J. Stalini. Bota filloi të ndryshojë ngadalë, por sigurt. E ne sikur nuk e kuptuam si popull, si civilizim.
Formula politike “1+1+1-Shiptari”, nga viti 1955 ishte projekt i A. Rankoviqit i përpiluar nga kreu ushtarak dhe policor serb. (Arhiv J. Fond. “Savezno Izvrshno Veçe”, 1955). Këtij plani i ka paraprirë kërkesa për regjistrim të turqve në vitin 1953. Faktorët qenësor të këtij plani ishin: Procesi i Prizrenit 1956; Aksioni i armëve në dimër 1956-1957; dhe Ndalimi i shkollave në gjuhen shqipe 1958. Rezoluta e këtyre aksioneve duhej të ishte shpërngulja e favorizuar për shqiptarë në Anadoll. Për realizimin e këtij projekti famëkeq u krijua i ashtuquajturi Shtabi i Rankoviqit.
Faktori i jashtëm më 1957 u pasurua me arratisjen e Panajot Plakut (ministër i Mbrojtës i Shqipërisë) në Jugosllavi në vitin 1957. Panajotin e mbajtën rankoviqistët “për hasret” deri në vitin 1966, kur vdiq në mënyrë misterioze. Urna e tij mbahej në Beograd nën mbikëqyrje të shtetit deri në vitin 1986. (Aj. K. Ekzekutiv, 1986-Botimi i Kujtimeve të tij në dy gjuhë!).



Ndrydhjet nuk mund të sanohen kurrë



Në Evropën Juglindore (në Ballkan) kryqëzimet dhe ndrydhjet e religjioneve dhe kulturave bëhen copë e grime duke i ndarë popujt autoktonë gati që dy mijë vjet. Në këtë ndarje më së shumti kanë pësuar shqiptarët duke u copëtuar (1054-2014), sidomos pas vitit 1912 në pesë shtete. Dhe kjo ndrydhje vazhdon, vazhdon dhe vetëm ndryshon bojën dhe nivelin e ndrydhjes së muskujve të popujve deri në ditët e sotme. Mjerisht, Kombi shqiptar këtu është, ose me duket kështu se mbetet më i ndrydhuri, më i nëpërkëmburi më i prapambeturi në Evropë. PSE? Shkaqet dihen, por ato së pakut gjatë shekujve XIX dhe XX nuk janë objektivizuar, nuk janë zbuluar kurrë. Ndryshe, dokumentet e superfuqive e zbulojnë të vërtetën pse ishte, është dhe do të mbetet kështu shqiptarizma e ndarë, pse çështja shqiptare mbetet e pazgjidhur. Fajet nuk janë vetëm të natyrës së ndrydhjes religjioze, por janë dhe do të mbetën edhe kombëtare dhe gjeostrategjike. A do të na shpëtoi kjo pozitë si shans për bashkim, mbetët të përjetohet. Por, historia dëshmon një aksiomë të saktë, në Berlin më 1878 u copëtuan trojet shqiptare me leje të okupatorit osman e jo me fajin e shqiptarëve, se më 1913 në Londër u dënuam në tryezën diplomatike vetëm pse ishim me shumicë popull i religjionit mysliman.
Shkojmë më tej. Më 1919 në Versajë, dokumenti autentik do të dëshmojë: “Me asnjë vend, me interesat e drejta të asnjërit popull nuk është vepruar verbërisht në konferencat e paqes pas Luftës Pare botërore, ashtu si është vepruar me popullin shqiptar”. Duke u bazuar në këtë qëndrim të fuqive evropiane regjimi i mbretit Aleksandër në fund të vitit 1920 dërgoi forcat e veta në Shqipërinë Bregdetare me qëllim që ta okupojë pjesën e saj veriore. Forcat mercenare që depërtonin nga veriu bërën krime të papara. Vetëm në një aksion i shndërruan në shkrumb e hi përtej 90 fshatra shqiptare…”. Një politikë kolonizatore imeprialiste do ta ushtrojë Jugosllavia mbretërore (1918-1941) ndaj shqiptarëve duke ua grabitur me dhunë 290 000 hektarë tokë të punuar e duke i deportuar pronarët e atyre tokave ne dhunë në Anadoll”. Megjithëkëtë shqiptarët nuk e priten fashizmin si ideologji vrastare si “çlirimtar” as më 1939 e as më 1941. Shqiptarët janë i vetmi komb në Evropë që u çlirua me armët e veta. Por, sërish u dënua në tavolinën diplomatike në Moskvë (1944) dhe në Paris (1946).
Faktet flasin vet. Evropa është ajo e kryqëzatave (Shekulli XI-XIII), nuk ka ndryshuar me asgjë në esencë, karshi popujve të vegjël. Këtu, në Evropë lindi fashizmi, komunizmi dhe izmat tjerë. Këtu në Evropë po lindë një ekstremizëm i djathtë sot (2014) i ngjashëm në perspektivë sikurse “talibanizmi” mysliman. Pse mbahet Kosova nën survejim nga BE-ja? Pse u themelua një republikë serbe në Bosnje me krime të papara pa ekzistuar kurrë. Pse ajo republikë të ketë ushtri, pse Kosova ende nuk ka ushtri, nuk ka force që të mbrohet. Të shkojmë me radhë në analizë, me shpresë se do të ngadhënjejë racionalizmi mbi klerofashizmin politik dhe kulturor i gjetur në luftë të civilizimeve (1992 3 tutje…), sikurse në kohën e Luftës së Ftoftë, i të gjitha ngjyrave. Pse nuk e aprovoi Evropa Kushtetutën e vet kohë më parë, vetëm për shkak të pikanterisë religjioze të disa shteteve, por edhe të shumicës që nën rrogoz ishte për atë parim: “Evropa është e krishterë”!!!?
Nuk mund të ketë kontinente e as shtete të pastra religjioze në botën moderne. Begatia është në ndryshime racionale demokratike. Këtë begati e kanë dëshmuar shqiptarët me shekuj të tërë. Pse mos të merret si model evropian dhe botëror, feja e shqiptarit është shqiptarizmi. Lidhur me këtë gjatë viteve 1921-1923 diplomatët grekë dhe jugosllavë propagandonin se: “nuk duhet pranuar një Shqipëri me popullsi absolute myslimane në Ballkan, sepse do ta destabilizojë edhe tërë Evropën”. Këtë politikë e shtriu për toke, e shporre me fjalimin e tij FAN NOLI në Shoqatën e Kombeve në Gjenevë. Prandaj faktori i brendshëm-toleranca fetare që mbretëron në tërësinë e kombit tone është begati që nuk do të shpije kurrë në një luftë qytetare si e dëshirojnë agjenturat e shteteve fqinje.
Në Evropën Juglindore (në Ballkan) popujt dhe shtetet nuk mund të mburrën me një traditë të qëndrueshme politike-shtetërore. Këtu nga viti 1912 e deri më sot (2014), asnjë parti politike nuk ka arritur ta mbajë emrin. Janë themeluar partitë sipas kohës dhe rrethanave, ose janë shuar fare. Shtete pas vitit 1912 e deri më 1945 kanë pësuar disa ndryshime të kufijve. Lidhur me këtë deri më 1991 në këtë hapësirë të Evropës kemi një stabilitet shtetëror. Por pas shembjes së komunizmit (1990-1992) shtetet e Ballkanit mbajnë një stabilitet të mëparshëm territorial administrativ, me përjashtim të Jugosllavisë që ishte një sajesë e epokës së imperializmit. Dhe normal, në truallin e saj pas vitit 1992 do të vij deri te themelimi e shtatë shteteve të reja me tendencë politiko-filozofike shtet-komb.
Po kthehemi në kohën e Luftës së Dytë botërore. Askush nga Aleatët antifashist nuk e ka urryer Enver Hoxhën dhe Fadil Hoxhën, më shumë sesa Churchilli. Askush nuk ka më tepër merita nga faktori i jashtëm për të ardhur në pushtet FASH (Fronti Antifashist Shqiptar) me Enver Hoxhën në ballë se sa Forein Ofisi i W. Churchillit. Ndërsa kritikat nuk pushojnë kurrë sepse Enveri e paska dashtë Stalinin. Ore lexues, pop se Mbretëria e Bashkuar nga Churchilli e dekoroi Stalinin me “Shpatën e art”, pse e dekoruan me titullin ma të lartë ushtarak në Konferencën e Teheranit? Askush nuk e ka injoruar më tepër Ahmet Zogun n` anën tjetër se sa W. Churchilli. Askush nga faktori i jashtëm si fuqi përcaktuese nuk e ka urryer “Legalitetin” se sa misionarët anglezë, sepse ata donin vepra e jo deklarata antifashiste.
Mithat Frashëri dhe Abaz Kupi theksohet në dokumentet angleze nuk po lëvizin, ata na ofrojnë vetëm llafe! Askush nuk ka qenë, në anën tjetër më i privilegjuar nga W. Churchilli dhe misionet angleze sesa J. B. Tito. Në saje të asaj simpatie të Churchillit, J. B. Tito e shpalli diktaturën ushtarake në Istër, me që rast i likuidoi të gjithë italianët të cilët nuk kishin lider antifashist. Atë pjesë italiane-Istrën, Jugosllavët e Titos, madje e kishin një kohë nën okupim edhe Trieshtën (të cilën e ndanë në dy zona-A dhe B), të cilën Tito më 1945, filloi ta kolonizoi rrufeshëm me sllavë-kroatë. Ndërsa në një pjesë të Vojvodinës, me që rast i likuidoi të gjithë gjermanët dhe hungarezët (afro 550 000). Në pronat e tyre u kolonizuan malazezët dhe serbët.
Derisa po takohej me Churchillin ( tetor1944 në Bari të Italisë), J. B. Tito kishte arritur ta bindë Premierin e Britanisë (Churchillin) se:” Shqiptarët janë sllavë të bastarduar, të cilët me ardhjen e osmanlinjve janë konvertuar kombëtarisht dhe fetarisht në diçka tjetër”. Këtë rrenë, Eduard Kardeli në Moskvë do t’ia shpjegoi V. J. Stalinit ndryshe:”Po shqiptarët në ato vise që ju i përmendni kanë ardhur në shekullin XVII, dhe një ditë, kur të piqen kushtet do t’ia japim Shqipërisë. Stalini: “Po ashtu duhet”! Lidhur me këto rrena ordinere sllave më 1989-1992 makineria politike dhe akademike serbe do të arrijë ta plasoi sidomos n` Itali dhe Francë një rrenë atraktive: “Shqiptarët myslimanë në Jugosllavi janë sllave të bastarduar, prandaj duhet me çdo mjet t’i konvertojmë në formën e vërtetë të pamjes sllave. ” Lidhur me këto trillime kanceroze shoviniste shtrohet pyetja: Po kah erdhi ky popull në shekullin XVII, ku jetonte në shkrepat e Malësisë Mbishkodrës, e të popullzojë një trevë pesë herë më të madhe tokësore. Dhe nuk është tragjike kjo propagandë sa është skandaloze dhe e turpshme për ato mese shtetërore dhe intelektuale që u besojnë. Ndërsa argumentet i kanë në arkivat e tyre, madje të sajuara nga misionarët e tyre politik. Më kujtohet kur, më 1992 në Itali dhe në Francë qarkullonin lajmet se “Shqiptarët mysliman të Kosovës do të konvertohen në katolik”. Këtë fakt e kam dëgjuar personalisht edhe prej një prifti në Amerikë. Po, ky atentat mbi një popullsi paqësore është ndier edhe në një tubim me mërgatën tone shqiptare në Gjenevë më 1991. Dhe për t’i zhveshur këto teori e shkrova librin e bardhë, i cili u botua më 1992 nga UNIKOMB-i në Tiranë në gjashtë gjuhë. Po kësaj propagande nuk duhet mënjanuar edhe faktorin e brendshëm që bëri çdo gjë, lëvizi çdo mjet politik vetëm e vetëm mos të vijë deri te një deklarim se jemi të gjithë shqiptarë, jemi një komb, se kemi një gjuhë letrare, prandaj shtrojmë kërkesë për bashkim. Këtë vijë e kemi shtruar dy herë në Kuvendet e Tetovës (1991), ku edhe është përgatitë rezoluta, por e minuan ata që propagandonin politikë paqësore, pale mos do ta marrin një çmim “Nobel”. Do të thotë edhe vet i kemi fajet për copëtimin tonë (shqiptarë e “kosovarë”, tokësor dhe popullor. Ja sot, bije fjala lindin shpirt katranit që propagandojnë “lindjen e kombit kosovar”.
Po, më kujtohet kur një funksionar më 1979, fëmijën e të cilit e kisha pas nxënës mu kërcënua: “Po shkruan për PKJ-ën mirë 1919-1944), por gjuha është ajo e Enverit. Jo i thash, gjuha nuk është as pjesë e as prone e Enverit. Por nuk do të ketë fuqi që do të na kthejë ma në “allbanca” dhe “shifterë”. U stepë dhe mori bisedë afruese. Ndoshta e ka pasur provokim, por thika ka qenë me dy teh. Dhe unë i pyes publikisht, sa i kanë paguar agjentët e Dushan Mugoshës këta “intelektualë të gjithëdijshëm” për shpikjen e “kombit kosovar”?. Kaq kësaj radhe.
Në Kosovë, Tito tentoi në kushte të riokupimit ( në nëntor 1944) t’i likuidoi të gjithë shqiptarët, deri sa të zgjasin operacionet antifashiste. Por, nuk duhet harruar se Tito më 1953 lidhi aleancë me Turqinë për likuidimin e shqiptarëve. Pra orientimi kriminal i Titos ndaj jugosllavëve kurrë nuk ka pushuar, mbeti konstant. E vërteta në Kosovë lëvizja antifashiste ishte e faktorizuar (LANÇ) dhe kishte lider të pakontestueshëm Fadil Hoxhën. Nga i tërë ai arsenal raportesh dhe telegramesh të misionarëve anglez 1939-1945 (nja 18 000, prej tyre rreth 3000 dokumente falsin për çështjen shqiptare 1939-1945) del sheshazi se Enver Hoxha e FAKORIZOI Shqipërinë Bregdetare për shtet, me luftë të drejtë, për ndryshe Churchilli dhe Stalini në Moskvë (1944) e injoruan fare Shqipërinë në atë “Letrën e tyre të famshme 50/50”. Askush më tepër se Fadil Hoxha nuk e faktorizoi popullin e robëruar shqiptar në Jugosllavi me luftën e drejtë antifashiste. Dokumente flasin se Enver Hoxha në gusht 1943 bëri marrëveshje me misionarët anglez për vazhdimin e luftës me të gjitha mjetet. Po atë marrëveshje e fuqizoi në prill 1945 duke premtuar pushtet evropian në kuadër të Frontit antifashist. Llafet dhe nënshkrimet i “hëngrën” anglezët. Edhe Fadil Hoxha lidhi marrëveshje me Misionarin anglez në Konferencën e Bujanit (pas mbarimit të saj) më 3 janar 1944. Por anglezët pastaj ia mbajtën krahun Titos dhe Kosovën e dëshiruan në prehër të Jugosllavisë, për shkak të Trepçës. Politikë interesash e jo parimesh dhe drejtësisë janë rrokullisur mbi kurrizin tone. E kundërta, ata që bashkëpunuan me fashizmin na lanë plagë të rënda për 50 vjet sepse në çdo tubim shkencor sllavët na akuzonin për koketim me Hitlerin. Kot u thuhej se çfarë kemi përjetuar gjatë viteve 1912-11941 nën fashizmin serb-jugosllavë. Këto fakte duhet të sheshohen në rrethanat e kohës e jo në nivelin e orientimeve të sotme siç po lexojmë në shumë shkrime joprofesionale që nuk dinë të dallojnë filozofinë e historisë; çka ka ngjarë, si ka ngjarë dhe pse ka ngjarë?. Pse ka ngjarë historia, si ka ngjarë pas 2 XII 1945 lidhur me Shqipërinë Bregdetare, është çështje tjetër dhe parimisht shumë analitikë sot kanë të drejtë por jo edhe në shkallë absolute. Po për Kosovën e robëruar që fare nuk u prek në Konferencën e Paqes në Paris më 1946. Këtë qëndrim e diktonin fituesit e Luftës: Uashingtoni, Londra dhe Moskva. Këtij treshi iu bashkua Greqia, ndërsa Jugosllavia e lunte rrolin e “Kalit të Trojës” në çështjen e pazgjidhur shqiptare, kinse po na mbron e na robëronte dhe kolonizonte në shkallën ma të egër.



Kundërthëniet që ndrydhin një komb


Në pesë (5) simpoziume (1974-1984) është shtruar çështja e Kosovës 1941-1945. Aty i kemi prezantuar dokumentet se Kosova ose është dashur t’i bashkohet Shqipërisë, ose të avancohet në Republikë në kudër të Jugosllavisë Fedreative. Historianët sllavë si në orkestër na e mbanin para hundëve Kartën e Atlantikut (atë pjesën për mosndryshimin e kufijve). Por ne e shtronim pyetjen : Në çfarë bazash të Kartës së Atlantikut i prishët kufijtë në Istër dhe Zarë, kur dihet se deri më 1941 ato vise kanë qenë të administruara nga Italia. Po, e merrnim përgjigjen nga të gjithë jugosllavët se: “ju jeni irredentistë”. Dhe nuk kishin fuqi të shkojnë më tej, dhe me ato akuza brenda simpoziumeve mbeteshim në “lojën e mëtejme politike”. Akuzat nëpër prokurori nuk kanë munguar kurrë!!! Ato ruhen edhe në Kosovë (Arkivin e Kosovës).
Por çka të thuhet kur në dokumentet e Fuqive Aleate antifashist, shqiptarët as që përmendeshin. Këtë realitet e dënim burimisht, (SHBA, ANGLIA, BRSS) më 1944-1945 nuk e parashikonin themelimin e Shqipërisë pas mbarimit të luftës. Këtë realitet në heshtje përpiqeshin ta sajonin sidomos anglezët (Churchilli). Nga dokumentet sekrete del se ishte synim evident që Shqipëria të ndahet në mes Greqisë dhe Mbretërisë Jugosllave. Churchilli nuk e kishte llogaritur fare se Kombi shqiptar kishte dhënë prova të fuqishme në luftën antifashiste duke arritur kuotën e humbjeve në njerëz (28000 Shqipëria Bregdetare; 8000 Shqipëria kontinentale, gjithsejtë 36000 viktima të luftës-HB). Divizionet antifashiste të Shqipërisë kishin luftuar në truallin e Jugosllavisë deri në Vishegrad. Këto fakte i theksonim në çdo simpozium. Në bazë të këtij tretmani anglez, nënçmimi që i dedikohej Shqipërisë do të vërehet edhe në Konferencën e Paqes në Paris më 1946 kur de jure të drejtën shqiptare e mbronin Jugosllavët (Kardeli, Mosha Piade dhe ndonjë tjetër). Lufta antifashiste në anën tjetër e faktorizoi kombin shqiptar të mbetet në trojet e veta dhe ta ndërtojë shtetin e vet ashtu si kishte mundësi, duke promovuar Enver Hoxhën si prijës. Në esencë Enver Hoxhën e kanë sjellë në fronin shqiptar misionarët anglez-anglo-amerikan. Kjo është e vërteta e faktorizuar me dokumente në FO. 371 -1944-5. (123 raporte dhe telegrame sekrete-HB). Shqiptarët e Shqipërisë kontinentale u faktorizuan me luftën e tyre antifashiste me Fadil Hoxhën si komandant i pakontestueshëm me partizanët e shumtë të tij (54000 ishin në fronte më 1944-1945). Kjo është e vërteta e pakontestueshme. Asnjë sjellje tjetër nuk ka mundur të na ndihmoj para atyre që e përcaktonin fatin e popujve të vegjël. Le të lexohen vendimet e Fuqive Aleate në Konferencën e Teheranit se çka thuhet për ata popuj që kanë bashkëpunuar me fashizmin?. Dhe në këtë letër luanin Tito-Gjillas-Rankoviq, që më 1944/45 t’i kualifikojnë shqiptarët se”… 90% kanë qenë me fashizmin”. Dhe këtë politikë neofashiste e provuan në të gjitha sferat e jetës së shqiptarëve të robëruar nën Jugosllavinë e “mosinkuadrimit”, flamurtare e Botës së Tretë. Këto janë fakte, që janë favorizuar nga të dy paktet ushtarako-politike (Nga Pakti i Varshavës dhe nga NATO).
Mjetet e informimit për shkak të ndërrimit të okupatorëve në Ballkan, për shkak të ndërrimit të “akrepave ideologjik, “orën e historisë”e kanë lëvizur më ngadalë se kudo në botë. Për sa i përket rrolit të themelimit të mjeteve të informimit, mund të themi se informata për masën e popullit këtu ende është temë privilegjesh e jo siguri kombëtare. Gazetaria këtu ka jetuar me vështirësi të pakrahasuara me vendet tjera të Evropës. Ishte kështu sepse shumica e popujve nuk ishte në gjendje ekonomike të veproi si force autonome. Por, për këtë faktor meriton një studim shumë i thellë e që objektivizon realitetin e kaluar dhe nxjerrë detyra për ardhmëri. Por, nuk mundemi pa e theksuar se mjetet e informimit po edhe shkrimet “shkencore” e kishin ngjyrën ideologjike për të gjitha sferat e jetës.
Sa i takon religjionit në Evropën Juglindore (në Ballkan) duhet theksuar se këtu vend për studim më të thellë kërkohet për njohjen e Religjionit krishterë. E vërteta, krishterimi u nda në dy konfesione më 1054. Nga ajo kohë publikisht krishterimi ndahet në Ortodoksi (Zoti, nëpërmjet Krishtit e jep shpirtin), dhe në Konfesion katolik (Zoti dhe Krishti e japin shpirtin). Kjo ndarje, mbi këtë filozofi jetësore është në funksion edhe sot. Dhe nuk ka shanse tani për tani që të gjendet ndonjë emërues i përbashkët duke debatuar për “shprehjen nëpërmjet, dhe shprehjes dhe. Nuk duam që të analizojmë më tej këtë përcaktim që njëra dhe pala tjetër e mbajnë. Po, më 1999 dhe para kësaj kohe janë zhvilluar disa kontakte që rreth kësaj filozofie jetësore religjioze të arrihet një unitet në bazë të “ftesës” Jezusit për bashkim. Por çështjet kanë mbetur për vitin 2000 ashtu si ishin. Madje shumëçka është projektuar më 1991 se Ballkani në vitin 2000 do të duket ndryshe në aspektin religjioz. Por çështja religjioze doli se ishte e të drejtave nacionale dhe dihet se çka ndodhi. Ndodhen krime të papara në Kroaci, ndodhi gjenocidi në Bosnje, ndodhi gjenocidi në Kosovë. Faktet flasin se prapa perdeve është zhvilluar një luftë e pashpirt për ta çrrënjosur islamin në Ballkan. Në këtë kartë ka luajtur në shkallë naive Millosheviqi (Studio takimin e kreut të priftërinjve të krishterë në Beograd më 27 maj 1999-shih në kohën e bombardimeve të NATO-s ndaj makinerisë vrastare serbe). Madje, ajo luftë (1992-1999), thuhet se është projektuar në qendrën e Vaselenës në Stamboll. Të dhëna të shkruara për këtë zor se do të publikohen një ditë, sepse ato dokumente mbesin përgjithmonë nëpër arkivat kishtare.
Po në religjionin mysliman kush e jep shpirtin? E jep drejtpërdrejtë Krijuesi dhe Profeti Muhamed aty nuk ka hise, nuk është kurrfarë transmetuesi të shpirtit. Këto dallime janë në shikim shumë të “vogla”, por në esence janë bërthama e të kuptuarit të jetës në planetin tonë të përgjakur me luftëra të pandërprera, ku Ballkani mbetet në fokus të ndrydhjeve të përhershme.
E vërteta në Ballkan dominon konfesioni ortodoks. Pas tij duke llogaritur Turqinë evropiane vjen religjioni mysliman. Dihet se krishtëizmi depërtoi në Ballkan në Shek. I të Erës Sonë. Shqiptarët (lexo Arbanasët) e pranuan krishterimin në Shek I. Po shqiptarët kur e pranuan myslimanizmin? E pranuan në format e para jo nga osmanlinjtë, por nga arabët ku shërbenin si mercenarë në luftërat e tyre pushtuese sidomos si kalorës. Po, shqiptarët (arbanasët) ishin të dalluar si luftëtarë sepse në përdorimin e shigjetave, shpatave dhe mjeteve tjera të luftës, ishin më të shpejtit në reflekse (për katër sekonda e pranonin urdhrin komandues). Shqiptarët (arbanasët) për pesë sekonda ishin para legjionarëve të tjera kur i mbaronin ushtrimet intensive. Reflekset dhe mençuria e përzier me dinakëri i kanë bërë shqiptarët (iliro-arbanasit ) të njohur në luftërat e Aleksandërit të Madh, në luftërat arabe, në luftërat tjera (G. Ostrogorski, Historia e Bizantit, dorëshkrim, pjesa e pabotuar për “Marrëdhëniet bizantino- shqiptare deri më 1453). Në vend të tretë sipas argumenteve në Ballkan është Konfesioni katolik. Të japim këtu një konkluzë argumentuese se këto tri religjione janë në kundërthënie herë të hapur dhe herë të heshtur me njëra-tjetrën. Por ka kundërthënie edhe përbrenda tyre sepse për çdo dekade lindin sekte dhe rite të ndryshme të arealit në kuptimin e predikimit për t’i përvetësuar popujt. Ortodoksia si konfesion i religjionit krishterë është e ndarë në autoqefali të cilat kanë kundërthënie me njëra-tjetrën në luftën e pandërprerë për primat. Me ortodoksinë gati qe njëmijë vet dirigjon Konstantinopoja . Fjalën e fundit lidhur me “pajtimin” katolik-ortodoks më 27 maj 1999 në Beograd e kishte Vaselena e Stambollit. Vatikani këtë “tubim” e injoroi me qëllim. Konfesioni katolik është i ndarë në katolicizëm burimor dhe në katolicizëm reformator (protestantë). E vërteta këto konfesione pa dallim e njohin Krishtin për profet. Myslimanët në anën tjetër janë të ndarë në dy rite: riti sunit që bazohet se Profetin Muhamed duhet ta zëvendësojnë në predikime ashabet (shokët e Profetit), ndërsa shiitët predikojnë se Profetin Muhamed duhet ta zëvendësojë familja e tij e ngushtë (Ehlibejt). Në rastin e parë (sunit) renditja e tyre është: Muhamedi, Ebu Bekri, Ymeri, Osmani, Aliu. Në rastin e dytë (shiit) renditja është si vijon: Muhamedi, Alia, Fatimja, Imam Hasani dhe Imam Hyseni. Por e përbashkët është se të dy drejtimet Muhamedin e njohin për profet.
Pse i theksova këto fakte këtu sipër. i theksova sepse Ballkani sidomos po bëhen dymijë vjet që ndrydhet nga kundërthëniet e këtyre religjioneve, konfesioneve dhe sekteve të tyre. Ndrydhja religjioze në disa etapa ka qenë e natyrës politike dhe ideologjike dhe nuk ka pasur lidhje me fenë. Por ka pësuar populli (popujt) në kuptimin e plotë të fjalës. Vetëm në kohën e kryqëzatave, (1096-1275) popujt e Ballkanit kanë pësuar katastrofa të ndryshme nga plaçkitjet dhe dhunimet që nuk kishin asnjë lidhje me fenë. Plaçkitjet dhe dhunimet kanë vazhduar pastaj edhe në kohën e okupimit osman. Më vonë në emër të religjionit dhuna ka vazhduar e hapur dhe e heshtur varësisht nga situatat dhe forcat politike dhe ushtarake që kanë poseduar okupatorët e ndryshëm. Mbi këtë filozofi kanë vendosur edhe superfuqitë pas Luftës së Dytë Botërore. Këtu në vijim po e shënojmë një mendim të poetit turk Tevik Fikret:
“Feja donë dëshmorë,
Qielli lyp therorë,
Kurrë kjo rrokulli,
Me gjak nuk u ngi”!
Fituesit e luftës antifashiste në Jugosllavi (1944-5) do ta shfrytëzojnë konkluzën e Aleatëve në Konferencën e Teheranit se “ ata popuj që kanë bashkëpunuar me fashizmin është e drejtë e shteteve përkatëse ku ata jetojnë të deportohen ose të shfarosen deri sa të zgjasin operacionet e luftës”. Në bazë të këtij parimi çarqet politike serbe e kishin angazhuar një ekip që i printe popi Vllada Zeqeviq për t’i likuiduar Folksdojqerët në Vojvodinë dhe Shqiptarët në “jug të Serbisë”. Projekti gjendet në koleksionin e Vllada Zeqeviqit me shifër “E drejta e deportimit-1945”, Koleksioni “Vllada Zeqeviq, A. J. Beograd. Po mos ta vërtetonin shqiptarët me vepra, duke e luftuar fashizmin, Kosova do të zbrazej: Shqiptarët e religjionit mysliman do të deportoheshin në Anadoll, ndërsa ata të Konfesionit Katolik do të deportoheshin në Kroaci në regjionin e Zarës, ose në Istër, në pronat e Italianëve që ishin deportuar sipas parimit të lartcekur. Na ka shpëtuar pra lufta antifashiste. Shiko, lexues i nderuar se pse Tito i thotë Delegacionit shqiptar në Beograd (24 përfaqësues) se: “ Ju shqiptarët 90% keni bashkëpunuar me fashizmin”. Këtë Tito e thotë për t’ua plotësuar kërkesat serbëve komunistë-çetnikë, të cilëve u ndenji gatitu deri më 1966, po edhe më vonë deri në vdekje.
Në vitin 1945 në Ballkan ishin të pranuara në bllokun e Churchillit: Hungaria, Jugosllavia, Rumunia, Bullgaria, Turqia dhe Greqia. Shqipëria mungonte në të gjitha notesët e premierit të Londrës derisa ia përkujtoi A. Ednit, ministër i punëve të jashtme të Britanisë, Mollotovi (ministër i p. të jashtme të Bashkimit Sovjetik) se në Ballkan jeton: “një popull i lashtë e që quhet ARBANAS, që në kohën e afërme ka pasur edhe mbretëri (1928-1939), ndërsa tash është në luftë të suksesshme (ky popull), kundër fashizmit me mjetet e veta, me doket dhe zakonet e veta”. (Shiko: Zelenin, Shënime për diplomaci ballkanike, dorëshkrim në DASIP-1946).


Edhe pak histori të së kaluarës



Sot në Ballkan, edhe pse dikush u mbështet në Kartën e “famshme” të Helsinkut për mosprishjen e kufijve, janë themeluar (për fat), pas shembjes së komunizmit (1991), shtetet me sisteme demokratike, disa prej të cilave nuk kanë ndryshuar as kufij e as emër si: Hungaria, Bullgaria, Rumunia, Turqia, Greqia, Shqipëria. Ndërsa Jugosllavia është shndërruar në disa shtete sepse ishte krijesë e epokës së imperializmit në: Slloveni, Kroaci, Bonje-Hercegovinë, Mali të Zi, Serbi, Maqedoni dhe në shtetin më të ri në Evropë në Republikë të Kosovës. Me këtë ndarje zgjidhja e çështjes shqiptare i afrohet relativisht objektivit të drejtë, por jo të tërësishëm.
Pas okupimit të Shqipërisë nga Italia fashiste në fillim të prillit 1939, në viset e okupuara shqiptare nga Jugosllavia çdo gjë do të ndryshojë. Në brendi të nxitjes së shqiptarëve në moskënaqësi nga ana e ushtrisë jugosllave, për ta përdorur pastaj atë si pretekst për masakra, do të ndryshojë çdo gjë. Oficerët jugosllavë në prill 1941, nga “gjelat pipirozë” do të shndërrohen në “pula që nuk bëjnë ve”. Do të fillojnë të sillen me shqiptarë në një mënyrë perfide se, kinse, “janë mbrojtës të tyre”. Por, shqiptarët e dinin çdo domethënie të atyre sjelljeve, prandaj okupimin gjerman nuk e shikuan si ndonjë tragjedi aq të madhe, sepse okupatori e shfrytëzoi konfliktin shqiptaro-jugosllav dhe disi i harroi disa të drejta elementare kombëtare si: shkolla, flamuri, administrata në gjuhën shqipe, por edhe taksa shumë më të racionalizuara. Megjithatë okupatori u shikua si okupator.
Pas okupimit të Jugosllavisë mbretërore në prill 1941, në truallin e saj do të vijnë disa misione ushtarake-diplomatike për ta studiuar dhe organizuar rezistencën antifashiste në nivel të duhur. Ato personalitet ishin si nga Lindja (Kominterni) ashtu edhe nga Perëndimi (Anglia). Ata të Lindjes flisnin në emër të Kominternit. Ndërsa ata të Perëndimit flisnin në emër të Mbretërisë së Bashkuar-Britanisë së Madhe. Nuk kishte nga vendet tjera sepse ato ishin okupuar dhe i kishin hallet e veta. Një ndër oficerët e parë britanik që kishte ardhur për detyra të caktuara politiko-ushtarake për të studiuar mentalitetin e popullit dhe gatishmërinë e forcave antifashiste ishte kolonel Belji, që do të arrij natën në mes të 25 dhe 26 Dhjetorit 1942. Sipas dokumenteve që ruhen në AVIIB, të sjella nga Arkivi i Londrës, edhe më pare (nga shtatori 1941) në Shtabin e Drazha Mihajloviqit ishin në shërbim disa oficerë britanikë me në krye kolonelin Hadson. Hadson dhe Bejli pas një sondazhi politiko-ushtarak shumë shpejtë sidomos për Jugosllavi, do të vijnë në përfundim, dhe për këtë do ta lajmërojnë bazën në Kaiore e kjo Londrën se: “marrëveshje në mes partizanëve dhe çetnikëve në Jugosllavi nuk mund të ketë”.
Në viset shqiptare ende nuk kishte diferencime ideologjike aq të theksuara siç do të manifestohen më 1943 e tutje. Por kurrë dhe kurrë nuk mund të thuhet se në viset “shqiptare ka pasur luftë civile e jo Luftë të drejtë Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Lufta Nacionalçlirimtare Antifashiste ka qenë realitet dhe ky argument nuk mund të kontestohet pa marrë parasysh oscilimet e sistemeve politiko-shoqërore sot e tutje. Historia është matematikë, kur argumentohet.
Sa i takon orientimit të shqiptarëve në bazë të dokumenteve mund të konstatojmë se qysh më 1940 nga Beogradi do të orientohen për të shkuar në tokën e Shqipërisë së okupuar dhe atje për të organizuar rezistencën: Gani Kryeziu, Koço Tashko dhe një misionar anglez me grade të kapitenit. Emri i tij nuk figuron në dokumente. Pas këtyre përpjekjeve antifashizmi si në Shqipëri ashtu edhe në Jugosllavi (në viset shqiptare) do të marr rreshtim të drejt Nacionalçlirimtar dhe antifashist.
Mosmarrëveshjet në anën tjetër në mes politikanëve të majtë dhe të djathtë do të vazhdojnë në të dy vendet në forma të ndryshme. Por mosmarrëveshjet në Jugosllavi do të shndërrohen në luftë qytetare me përmasa katastrofale. Në Shqipëri, për fat nuk do të kemi një realitet të tillë, me përmasa aq tragjike. Mosmarrëveshjet në Ballkan, në mes grupimeve politiko-ushtarake ishin acaruar sidomos pas Konferencës së Kazabllankës (Roosvell-president i SHBA dhe Churchill-premier i Britanisë-HB) në janar 1943 ku ishte marrë vendim që zbarkimi i aleatëve të ndodhë në Itali e jo në Ballkan. Kur jemi te ky fakt, që ishte me pasoja të mëdha për orientimin proanglez kudo në Ballkan, nuk do të ndikojë vetëm hapja e frontit në Jug të Italisë, për ta larguar atë nga lufta, por ishte edhe një kërkesë që Turqia të futet në luftë në anën e Aleancës antifashsite. Edhe më fuqishëm në Ballkan, që të fuqizohet e majta politike e luftës ishte fitorja e rusëve në Betejën e Stalingradit në janar 1943. Kjo betejë e përgjakshme e ka përcaktuar fatin e Luftës së Dytë Botërore, gjithnjë duke pasur parasysh edhe betejën e përgjakshme në Kursk-(Fronti jugor rus) por edhe në Afrikën Veriore. Ardhjen e politikave të majta në pushtet në Jugosllavi dhe Shqipëri e ka përcaktuar rreshtimi i oficerëve anglez kah ata që luftojnë fashizmin, i mbajnë divizionet e tëra naciste të angazhuara në luftime, në tokat e tyre, për mos t’u transferuar në Frontet e Lindjes, përkatësisht të Perëndimit dhe të Jugut (në tokën italiane).
Në dhjetor të vitit 1943 në Shtabin Suprem të partizanëve jugosllav ishte majori Dikin. Ky oficer kishte vënë kontakte miqësore me Titon. Por pas tij oficeri F. Maklejni që njihej me konzervativizëm të theksuar (pro dinastisë dhe Drazha Mihajloviqit) asgjë nuk do ta pengoi që të mbajë lidhje të ngushta me Shtabin Suprem të partizanëve jugosllavë në luftë të përbashkët kundër nazifashizmit. (shiko: FO. 371. Dokumente të hulumtuara nga Dr Dushan Biber në A. të Sllovenisë, në Lubjanë ).
Më 13 gusht 1944 me skenarin e Forein Ofisit arrihet që të takohen J. B. Tito dhe Ivan Shubashiqi. Edhe pse Tito në mbledhjen e dytë të AVNOJ-it e kishte anatemuar qeverinë e Karagjorgjeviqëve, me kërkesë të Ë. Churchillit do të detyrohet të bisedojë me Shubashiqin që kishte soditur nëpër metropolet e botës, pra nuk kishte qëndruar në vend për ta bërë luftën antifashiste. Bisedimet e tyre nuk ishin kundër njeri tjetrit e kjo është me rendësi, por ishin të konceptuara se si edhe një herë “kufoma e gjall’, Jugosllavia si krijesë e Versajit, e opokës së imperializmit të ringjallet, ndoshta e zgjeruar edhe më tej me tokat shqiptare, duke e gëlltitur Shqipërinë Bregdetare, por jo edhe Triestën nëse “ua mbërrin ymri”. Nikolla Pashiqi do të thoshte për këtë Pazar, me hesape të Londrës, po “të rinj janë dhe ua kënda sheqerkat”. (Shiko: WO. 202/17713-tejet sekret, anglisht).
Aleanca me interesa në vija rrezikuese të gjata do të lidhet në Moskvë më 19-30 tetor 1943. Aty do të bisedojnë “si vllazër të zorit” Kordel Hilli (SHBA), A. Ideni (Britani) dhe Mollotovi (BRSS), Ky takim ishte një paradhomë e kryeshefave të tyre për ta përgatitur takimin e radhës që të “shpëtohet bota nga fatkeqësia më e madhe që e kishte kapluar deri atëherë”. Atëbotë llogaritej se afro 4 milion hebrenj janë likuiduar (nga 6 sa u likuiduan deri në fund të luftës). Jo vetëm kaq, Mollotovi do të theksoi se BRSS deri me tash ka humbur mbi 15 milion frymë (njërës )në fushat e betejave me nazistë. Nazifashizmi ishte dhe mbeti si e keqja më e madhe e njerëzimit deri me tash, prandaj, të luftosh atë ishte e njerëzishme. Mu për këtë arsye të shëndoshë Churchilli si një lider i pakontestueshëm do të kërkoj prej çdo populli të robëruar që të ngritët në luftë me ato forca që i disponon. Nuk do të pyet Churchilli se kush është patriot me fraza boshe, por si është i rreshtuar, a lufton kundër armatave naziste. Kjo filozofi i ka sjellë shumë anonimus politik në pushtet pas vitit 1945.
Kur t’i analizojmë këto takime që bëheshin nga zori e jo nga lufta për drejtësi në fillim, patjetër duhet të përmendet edhe Konferenca e Kairos e 1 XII 1943, ku do të debatohet për “rrezikun që vinte nga Japonia” e të cilin e cilësojnë si rrezik për tërë botën: Ruzvellti (SHBA), Qan Kaj Sheku (Kina) dhe Churchilli (Britania).
Më 12 gusht 1944 në Bari të Italisë zhvillohet takimi Winston Cherchill dhe Josip Broz Tito. Bisedimet zhvillohen lidhur me operacionet ushtarake; evakuimin e të plagosurve; rreth qëndrimit ndaj Drazha Mihajlobviqit; rreth komunizmit dhe zhvillimit të pasluftës; rreth federatës ballkanike; rreth fatit të dinastisë kargjogjeviqëve; rreth konfliktit partizano-çetnik në jugosllavi; rreth qëndrimit të Hungarisë si dhe rreth botimit të Deklaratës së përbashkët politiko-ushtarake.
Në këtë kohë (gusht 1944) në Bari të Italisë ishte në aktivitet ushtarko diplomatik edhe Misioni Ushtarak Shqiptar i përfaqësuar nga Kadri Hoxha. Ky personalitet ishte në Bari sipas kërkesës së aleatëve anglo-amerikan në cilësinë e përfaqësimit të Luftës Nacionalçlirimtare te të gjithë shqiptarëve në Ballkan. Misioni duhej të dëshmonte se në trojet shqiptare janë të stacionuar divizione të tëra gjermane nga armata “E”. Dhe se për shkak të luftës Nacionalçlirimtare ato divizione nuk mund të aktivizoheshin në frontet tjera. Në këtë kartë do të luajnë Enver Hoxha po edhe Josip Broz Tito. Ky idyti lojën do të shndërrojë në dy porta:me Lindjen tinëzisht dhe me Perëndimin legalisht.
Për ta dëshmuar orientimin antifashist të Luftës që drejtonte PKSH në verë të vitit 1944 do të themelon një delegacion për të biseduar më për së afërmi me aleatët euro-perëndimor. Lidhur me këtë më 14 gusht 1944 në Bari të Italisë pranë Shtabit të forcave ofensive Angleze (Fronti i Evropës Jugore), do të gjinden për bisedime: Ramadan Çitaku, Bedri Spahiu dhe Fredrenik Nosi (përkthyes i parë i Enver Hoxhës për gjuhë angleze). Bisedimet e tyre kishin të bënin me fatin e operacioneve ofensive që po zhvillonte me tërë fuqinë Ushtria Nacionalçlirimtare Shqiptare në të gjitha frontet kundër nazizmit. Këto fakte tregojnë se Anglo-amerikanët me misionet e tyre në viset shqiptare tanimë e kishin të njohur fatin se kush e lufton okupatorin nazist e kush e saboton. Dokumentet në FO. 371, këtë e vërtetojnë tani, pas hulumtimeve që janë bërë në Londër pa asnjë mëdyshje. Në shumë analiza politike për këtë mision shqiptar në Forein Offise thuhet se një përfaqësues ishte nga Shqipëria Bregdetare (Bedri Spahiu) dhe një përfaqësues ishte nga Shqipëria Kontinentale (Ramadan Çitaku, nga Kosova-Drenica). Pra Shqipëria prezantohej te britanikët si tërësi legjitime dhe legale.
Në lidhje me këtë duhet theksuar se nga 3400 telegramet dhe raportet e misionarëve anglezë që flasin drejtpërsëdrejti ose tërthorazi për Shqipërinë dhe Shqiptarët një emërues i përbashkët i “thyesave politike” sheshazi flet se: Churchilli e urrente Enver Hoxhën dhe e injoronte Mbretin Ahmet Zogun edhe pse ky i dyti i kishte ofruar dy herë favore politike Mbretërisë së Bashkuar - Anglisë në Shqipëri. Ishte e kotë, Churchilli madje në Moskvë kur e ndan Ballkanin në një letër të “paqetës së cigareve” Shqipërinë e injoron me qëllim. Këtë fakt ua kam thënë në vitin 1980 historianëve britanikë dhe ata e kanë pranuar pa asnjë vërejtje. Por është diçka më shqetësuese për historinë moderne se shqiptarët ende cilësohen si “virus myslimanë në Evropë. Prej kësaj sindrome antimyslimane vuante edhe hirësia e Tij Churchilli.




Lufta antifashiste shqiptare 1939-1945


Në frymën e këtij aktiviteti politiko-ushtarak Shtabi i Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare më 24 gusht 1944 do ta dërgojë në Vis të Jugosllavisë delegacionin e përbërë nga Ramadan Çitaku, Bedri Spahiu dhe Koçi Xoxi. Për bisedimet dhe rrjedhimet e këtij takimi kemi shkruar kohë më parë detajisht, duke u bazuar në dokumentet jugosllave, angleze (i ka siguruar Dr Dushan Biber) dhe shqiptare e që janë dërguar në AVIIB nga Koçi Xoxe (1947) për verifikim. I tërë takimi në Vis ishte zhvilluar rreth çështjes së Kosovës dhe në fund ishte sjell pëlqimi që Kosova t’i takojë Shqipërisë, nëse fiton Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar. Por, kur e kishin pyetur Titon se sa do të zgjatë kjo marrëveshje, dinaku nga Zagorja (Tito) kroate ishte përgjigjur: “Derisa të largohen këta arnautët nga Ujdhesa”. E thoshte këtë sepse shqiptarët nuk kishin ende garanci nga askush, as nga anglezët, as nga amerikanët, as nga rusët”. Siç dihet, Ushtria Shqiptare Nacionalçlirimtare është i vetmi institucion ushtarak që e çliroi tokën shqiptare me forcat e veta, pa ndihmë ushtarake nga jashtë. Por, lidhur me këtë nuk duhet harruar ndihmën anësore që kanë ofruar misionet angleze deri në çlirimin e trojeve shqiptare. Kur jemi këtu duhet theksuar se si popull kemi bërë njërën nga luftërat më të ndritshme në historinë tonë jo vetëm për t’u çliruar, por edhe duke i mbrojtur hebrenjtë si i vetmi popull në Evropë deri në maksimum. Këto fakte nuk duhet të harrohen kurrë dhe në këtë rrafsh nuk duhet të kursehemi nga principi i modestisë, por duhet ta themi dhe ta popullarizojnë besën tonë kombëtare si virtyt i lashtë kombëtar që nuk matet me asnjë çmim historik. Madje jemi i vetmi popull në Evropën e përgjakur 1939-1945 që e kemi nxjerrë shtetin (atë gjysmë shteti-HB) nga poshtë-lart, sepse liria është siguruar nga lufta e vegjëlisë - e popullit, nga gryka e pushkës për liri. Se çka ka ndodhur pas 2. XII. 1945 (kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare në Shqipërinë bregdetare) është çështje që don analiza shumë më të thella shkencore e që nuk mund të objektivizohen pa fusnota - dokumente që janë argumente të pamposhtura. Lidhur me këtë, nuk mund ta anashkalojmë faktin se Balli Kombëtar dhe Legaliteti, Lidhja e Dytë e Prizrenit dhe Lidhja Popullore Shqiptare, nuk e kishin bekimin e Anglisë, SHBA, dhe BRSS-s. Pse? Sepse nuk i luftuan armatat naziste si kërkonin aleatët antifashistë.
Të kuptohemi, Lidhja e Dytë e Prizrenit dhe Lidhja Popullore Shqiptare po bënin luftë të drejtë në fund të vitit 1944 dhe fillim të vitit 1945 kundër armatës bullgare. Kjo armatë bullgare, që deri më 7 shtator 1944 kishte qenë profashiste, tani kishte urdhër që, kur të hyjnë në tokat shqiptare: të vrasin gjermanë dhe arnautë. Forcat patriotike shqiptare bënin luftë të drejtë, ishin kundër divizioneve komuniste-çetnike të Titos sepse këto në emër të antifashizmit po kryenin krime dhe po riokuponin trevat shqiptare. Këtë fakt aleatët antifashistë nuk e kuptonin as në esencë e as në prapavijë. Balli Kombëtar dhe Legaliteti janë çështje të tjera sepse organizata të tilla në Kosovë nuk kishte, as si lëvizje politike, aq më pak ushtarake, me përjashtim të një batalioni që luftoi në frontin perëndimor kah Mali i Zi për një muaj, por jo në mbarim të luftës. Në mbarim të luftës në vijën kufitare të trojeve etnike shqiptare është luftuar me të drejtë nga Lidhja e Dytë e Prizrenit dhe Lidhja Popullore Shqiptare nën komandën e Qazim Komonit. Ajo luftë ishte e drejtë dhe nuk kishte të bëjë fare me “mbrojtjen” e armatës naziste, sepse ajo nuk ishte më në Kosovë. Por, komunisto-çetnikët jugosllavë e kishin kualifikuar si luftë “pro gjermane”. Këtë qëndrim e kanë mbajtur deri në shkatërrimin e Jugosllavisë. Kundërshtimet tona nuk janë pranuar sepse edhe luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare jugosllavët e kanë denominuar si “lëvizje të rezistencës”, ndërsa luftën e tyre si “luftë të armatosur”. Fjala ishte të mbulohet lufta e drejtë shqiptare për kufij etnikë.

Qëndrimi i Anglisë ndaj luftës antifashiste shqiptare l939-1945

Në fillim të Luftës Dytë Botërore në viset shqiptare ishin të dalluara tri grupime politike kundërshtare në mes vete. Grupin e parë e përbënin personalitet e orientuara proangleze. Këta politikanë kishin emër, kishin autoritet në popull, por nuk lëviznin në organizimin e luftës antifashiste si e kërkonin aleatët antifashistë. Për këtë arsye konsideroi se ky soj i politikanëve mbeti jashtë rreshtimit të drejtë gjatë gjithë luftës antifashiste. Grupin e dytë e përbënin personalitet që kishin emër, kishin autoritet, kishin një rivalitet familjar dhe politik me Mbretin (Ahmet Zogun) dhe tërë kohën e okupimit ishin pasiv në luftën antifashiste. Për këtë shkak edhe u injoruan, për mos thënë se u luftuan nga aleatët e mëdhenj: SHBA, Britania dhe BRSS.
Grupi i tretë i personaliteteve shqiptare ishte pa emër, pa para, pa respekt në fillim por që ishte i orientuar fuqishëm në Luftën Antifashiste, duke formuar, qeta, batalione, brigade dhe ma në fund Ushtrinë Nacionalçlirimtare Shqiptare, që e çliroi vendin me armë të veta dhe me zakone të veta kombëtare. Këtë fakt fuqitë fitimtare e injoruan shumë keq në Konferencën e Paqes në Paris më 1946. Na e bënë të keqën më të madhe ashtu si po na e bëjnë sot (më 2014) me sjelljet ndaj Kosovës, si vendi më i izoluar në botë. Si mund ta destabilizojë Evropën një Kosovë me një milion e gjysmë banorë (një lagje e Parisit). Po jo, çështjet janë më të thella dhe kësaj radhe nuk do të i them. Po pres edhe pak!
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, sikurse në vendet e tjera që u okupuan edhe në Shqipëri kishte: antifashistë që e luftonin okupatorin me të gjitha mjetet. Për fat të kombit tonë antifashistët ishin në shumicë absolute. Në rend të dytë, në viset shqiptare kishte edhe kolaboracionistë-kuisling. Por këta kuislingët tanë nuk ishin as të llojit e as të formatit të Lavalit në Francë, Erik Skaveniusit në Danimarkë, Tisos në Sllovaki, Leon Dergellit në Belgjikë, gjeneralit Vllasov me “armatën e tij të bardhë” në ballë të së cilës qëndronte një pjesë shumë e madhe e kishës (popëve, janë ruajtur fotografitë) në BRSS, Nediqit në Serbi e kështu me radhë, madje që dërgonin brigadë në Frontin Lindor për t’iu ndihmuar nazistëve të Hitlerit. Të tillë konsideroheshin prej aleatëve si njerëz pasivë dhe jo të ndërgjegjshëm për kauzën e lirisë kombëtare, sepse liria atëbotë ishte artikuluar se duhet të fitohet me revolucion, me luftë, ku derdhet gjaku. Në kategorinë më të urryer për Aleatët ishin kuislingët. Të tillë si shtresë dhe si fuqi në Shqipëri kishte fare pak (vetëm aparati aristokrat-shqipfolës, shtetëror i okupatorëve).
Lidhur me atë që u tha, mund të konstatojmë se Shqipëria në vitet 1939-1945 ishte "në detin e peshkaqenëve". Prandaj, vetëm një lëvizje gjithëkombëtare ka mundur ta nxjerrë të gjallë dhe të mëvetësishme prej atij deti.
Deri më tash, asnjë parti politike nuk e arriti për ta gëzuar tërë kombin në një shtet etnik si e kishte synuar dhe projektuar me të drejtë Rilindja Kombëtare. Prandaj, sot detyra historike u mbetet porosi gjeneratave shqiptare që ta njohin të kaluarën, në mënyrë që të munden ta projektojnë ardhmërinë për Shqipërinë etnike. Një segment të atij projektimi e gjejmë në diplomacinë angleze të Luftës së Dytë Botërore, e cila mbar qëndrim konservative dhe konstante ndaj shqiptarëve është edhe sot.
Këtu po japim një tablo qëndrimesh në bazë të dokumenteve të institucioneve angleze. Ato dokumente meqë nuk janë botuar, po i veçojmë ato që shtrojnë probleme dhe që kanë lënë pasoja në historinë tonë. Së këndejmi, janë përdorë edhe ca publikime lidhur me këtë problematikë.
Në këtë punim me qëllim u kemi ikë qëndrimeve të Regjianld Hiberitit, i cili më në fund i paraqiti ca "qëndrime angleze", por jo ato, që ishin strategjike për fatin e kombit tonë. mu për këtë, ky punim e provon një rrugë origjinale të atij fati për të sqaruar.
Historia e popullit shqiptar, prej Kongresit të Berlinit e deri më 1912 do të zhvillohet në një kahe për bashkim dhe çlirim kombëtar. Pse nuk do të ngjajë as bashkimi, e as çlirimi i plotë kombëtar, shqiptarët do të mbesin të ankohen prej kongresi në kongres, prej luftës në luftë, duke u dëmtuar për së tepërmi prej "tregtarëve me xhepa të hapur", që quheshin shqiptarë. Në këtë rrafsh, duhet theksuar se edhe qarqet evropiane nuk e donin një Shqipëri të lirë në të gjitha trojet etnike, që do të paraqitej si shtet superior në truallin "ortodoks" të Ballkanit. Në fakt, Rusia cariste e dëshironte një Shqipëri të plagosur, një popull të ndarë në shkallë gati simetrike: në një pjesë që quhet Shqipëri, dhe në një pjesë që mbeti nën okupimin e tri shteteve ortodokse, pas vitit 1912. Dhe sa herë që në arenë do të dalin opsione për çlirim nga okupimi sllavo-ortodoks, në skenë do të dalin me qindra pengesa, në shkallë politike, diplomatike, po edhe ushtarake. Sidomos, intrigat antishqiptare do të manifestohen në Berlin më 1878, në Londër, më 1913, në Versajë, në vitin 1919 dhe gjatë Luftës së Dytë botërore dhe pas saj, në Konferencën e Paqes në Paris, më 1946.


Pse refuzoheshin kërkesat shqiptare


Pas okupimit fashist të Shqipërisë kundër regjimit të mëparshëm të Ahmet zogut do të ngritën shumë akuza, po shumica prej tyre bëheshin vetëm si ritual, sepse nuk kishin për bazë, se atëbotë kapitulluan edhe qeveri me armata shumë të fuqishme, si ishte bie fjala Francë. Po, megjithëkëtë, regjimi shqiptar që kapitulloi në vitin 1939 asgjë nuk e arsyeton, sepse e la popullin pa udhëheqje dhe në mëshirën e okupatorit. Sikur Zogu të pranonte të mbetej në vend dhe të udhëhiqte luftën për çlirim, ai sigurisht do t'i mbulonte shumë dobësi në lëmin e despotizmit të tij, të shprehur mjaft keq ndaj kundërshtarëve politik, por Zogu e zgjodhi rrugën e ekzilit. Në anën tjetër forcat antifashiste në Shqipëri krenaria e fitores pas luftës shtatë vjeçare do t'i plandosë për shkambin e varfërisë. këtë të vërtetë historike qeveria në Tiranë nuk e kuptoi kurrë.
Lidhur me luftën antifashiste në Shqipëri, Elisabeth Barker, do të shkruajë se "Problemet me të cilat anglezët ballafaqoheshin në Shqipëri, nuk ishin në atë masë të vështira, sikurse ishin, fjala vjen, në Greqi dhe Jugosllavi. Karshi Shqipërisë, do të shkruajë Barker, anglezët nuk kishin para se gjithash obligime politike. Së këndejmi, Forein Offisi me çdo kusht i refuzonte të gjitha kërkesat modeste të mbretit Zog, që anglezët pranojnë për aleat udhëheqës, përkatësisht që në Shqipëri ta pranojnë për aleat udhëheqës, ose të paktën ta lejojnë që përkohësisht popullin në ven ti lidhë me aleatët. Lidhur me këtë, Zogu kurrë nuk ishte i pakëndshëm dhe i imponuar, prandaj për dallim prej mbretërive të tjerëve të ikur të Ballkanit (në Forein Offis i gëzonte simpatitë e plota. Në lidhje me këtë Denis Lasky, prej F. Offisit jugor, ka shkruar në fund të vitit 1944: "Ndiej simpati të pashoqë ndaj mbretit Zog. Nuk kemi mundur t'i japim kurrfarë ndihme dhe megjithatë ka qenë i durueshëm, dhe kurrë nuk ka provuar të shkaktojë kokëçarje, edhe pse në tërësi ka mundur të bëjë po të donte. Nuk ka arsye që të dyshojmë për simpatitë e tij ndaj anglezëve dhe ndikimi jonë do të ishte shumë më i madh, sikur në pushtet të ishte ai, në vend të FNÇ (komunist) në qeveri. Fatkeqësisht Zogu ka përkrahje të dobët në vend. Lidhur me këtë Forin Offisi, qysh në gusht të vitit 1944 potenconte se e kemi konsideruar Zogun "pion të dobishëm". Lidhur me këtë qëndrim, shihet qartë se diplomacia angleze ishte vonuar, jo në rastin e Zogut, por në vlerësimin e çështjes shqiptare. Por, si pion, do të shkruajnë anglezët për Zogun se kurrë nuk është shfrytëzuar, jo për atë se Zogu nuk respektohej në Shqipëri, por për atë se ambiciet greke nuk pranonin për të qenë të imponuar dhe në atë rrafsh të shkaktojnë paqartësi. Grekët ato ambicie i kultivonin me kohë, por pas fitoreve greke në Shqipërinë Jugore, më 1940, në sytë e tyre u avancua si e "drejtë" e patjetërsueshme. Grekët ishin të pezmatuar në shqiptarët edhe për shkak të mossukseseve ushtarake të tyre të cilët deri diku i komentonin se territori grek u sulmua me tradhtinë shqiptare ndaj aleatëve. Këtë "tradhti" shqiptare grekët e preferonin sepse do të shkruajnë anglezët, disa shqiptarë vërtet e ndihmonin italianëve. Në realitet anglezët nuk e përkrahën Zogun të shtyrë prej grekëve dhe jugosllavëve, sepse këta dy klerë mendonin se Shqipëria do të ndahet. Jo vetëm kaq, dihet qartë se Italia fashiste përmes tokës shqiptare të okupuar e sulmoi Greqinë. Por, marrëdhëniet greko-italiane u përmirësuan pas luftës po me Shqipërinë, Greqia, e cytur nga kisha ortodokse, mbeti në gjendje lufte, deri në vitet nëntëdhjetë të këtij shekulli (më 1986). E vërteta, do të shkruajnë analitikët anglezë "prej vitit 1941 grekët nuk e përthekonin vetëm Shqipërinë jugore (të cilën e quanin Epir verior), por e sollën në pyetje edhe të drejtën e Shqipërisë që të mbetet e pavarur. Dhe ndihma më e vogël angleze dedikuar Zogut, ose cilësdo qoftë lëvizje çlirimi të drejtën e Shqipërisë që të mbetet e pavarur. Dhe ndihma më e vogël angleze dedikuar Zogut, ose cilësdo qoftë lëvizje çlirimi të drejtën e Shqipërisë që të mbetet e pavarur. Dhe ndihma më e vogël angleze dedikuar Zogut, ose cilësdo qoftë lëvizje çlirimi të drejtën e Shqipërisë që të mbetet e pavarur. Dhe e të drejtën e Shqipërisë që të mbetet e pavarur. Dhe ndihma më e vogël ia dha të drejtën e Shqipërisë që të mbetet e pavarur. Dhe ndihma më e vogël angleze dedikuar Zogut, ose cilësdo qoftë lëvizje çlirimi diplomati anglez Diksoni prej sektorit jugor, atëbotë ka shkruar në korrik të vitit 1941, edhe këtë: Kurrë nuk e kemi përkrahur mendimin për Shqipërinë e pavarur. Ndërsa, edhe më tepër kemi dashur ta ndihmojmë tash, kur mundësitë janë më të vogla se më parë, në mënyrë që Shqiptarët t'i nxisim për ti rezistuar Italisë".
Që çështja të bëhet edhe më e koklavitur, në dhjetor të vitit 1941, "Stalini do t’i deklaronte Edenit (ministër anglez i Punëve të Jashtme) se si është i orientuar që Shqipëria të bëhet e pavarur. Lidhur me këtë, në janar të vitit 1942, Edeni i kishte thënë Majskit se e mbështet mendimin e Stalinit, por duke i marrë të arsyeshme kërkesat jugosllave dhe greke, nuk dëshiron që të obligohet. Marrëveshja ishte shkruar atëbotë, ekzistonte që as Anglia e as Rusia nuk do t'i japin Zogut kurrfarë përkrahje dhe sigurimi. Lidhur me këtë, shumë shkrime që bëhen në kohën e fundit, se është dashur të veprohet kështu me Ballin apo ashtu me LNÇ-në e kanë bazën paushallë. Shkurt, Perëndimi në të kaluarën e kjo do të thotë me fatin e kombit shqiptar, ka taktizuar dhe ka bërë hesape. Ne sot kot gjykojmë personat, sepse dihet qartë se nuk mundën të bëjnë historinë më të mirë. E them këtë, sepse e kaluara për disa parti politike edhe sot, në vend që të bëhet mësim kundër përçarjes kombëtare, shkollat e tyre të "natës", po e vazhdojnë me diferencën dhe avazin e vjetër komunist.
"Anglezët, në fillim të vitit 1942, do të artikulojë diplomati Barker, vendosën që me Bashkimin Sovjetik të fillojnë bisedimet për marrëveshje me të cilën do të pranoheshin kufijtë e BRSS, prej vitit 1941. "Ky vendim, ka pasur të bëj me shkallë reflektuese dhe me çështjen shqiptare. Kështu, në fund të marsit, Diksoni prej territorit jugor shqiptar ka shënuar sesi mund të supozohet se marrëveshja e tillë me Rusinë do ta obligojë Anglinë që të deklarohet edhe për pavarësinë e Shqipërisë dhe se deri diku të preket sidomos rezistenca shqiptare. Pavarësia duhet të përmendet diku, në mënyrë që kur të vihet paqja, neve (anglezëve) do të na ishte e dobishme, sikur popullin shqiptar e kemi përkrah. Por, në të njëjtën kohë, do ti kemi disa përparësi, lidhur me pavarësinë shqiptare dhe pranimin e kërkesave greke, për Shqipërinë Jugore. Diksoni, atëbotë konkludoi se Anglia duhet të deklarohet lidhur me Shqipërinë, posa të bëjë marrëveshje me të cilën do t'i pranojë kufijtë sovjetik prej vitit 1941. Siç shihet pra Shqipëria aq e vogël, por superfuqitë e kishin lidhur fatin e sajt ë madh me aneksimet që i kishin bërë shtetet imperialiste siç ishte Rusia në Balltik. Lidhur me fatin shqiptar, SOE (Special Operation Exekutive-Drejtoria për Operacione speciale) do të duhej të studionte artikulohej prej agjentëve, mundësinë që të përmendet rezistenca shqiptare.
Edeni me këtë konstatim ishte pajtuar, por marrëveshja përfundimtare, anglezo-sovjetike nuk i përmendtë kufijtë. Prandaj Deklarata për Shqipërinë nuk ishte preferuar. Ky qëndrim, në shkallë globale kishte të bënte me vënien e çështjes së kufijve në "frigorifer". Në fakt, mospërmendja e kufijve për Baltik e lente nën hije edhe çështjen shqiptare. Kjo do të thotë se Shqipërinë 1939-1944 e ka shpëtuar vetëm Nacionalçlirimtarja. Për ndryshe ka qenë rrezik të copëtohej.

Ç'thanë anglezët për luftën shqiptare

Në shikimin e çështjeve të ardhmërisë shqiptare, materialet dëshmojnë se SOE ishte më pak e kujdesshme sesa Forein Offisi. Kështu në maj dhe qershor të vitit 1942, Glenconner, prej SOE-s, i shkruante F. Offisit, për planet lidhur me veprimtarinë subversive në Shqipëri. Ai kërkonte që të ndihmohej me deklaratë publike për pavarësinë e Shqipërisë. Diksoni në anën tjetër Glenconnerit u përgjigj se Qeveria e Lartmadhërisë së tij, deri diku, pas luftës do të luftojë që të përtërihet Shqipëria e pavarur. Por, deklarata lidhur me këtë, tani vlerësohej se do të ishte e hershme. Rrethanat që organizata SOE e propagandonte për shërbime ngacmuese nuk do të ishin shkak i mjaftueshëm që Anglia të paraqitej me a të deklaratë. "Veprimtaria subversive parashihej si mënyrë që duhej vazhduar, pavarësisht prej asaj se a do të jepet Deklarata apo jo. Por, edhe në ato rrethana u pa se planet e SOE-s ishin vetëm në mbarim. Ndërsa përfaqësuesi i saj në Stamboll, koloneli Wilfred Stirlilng, (në kohën e Zogut ishte oficer i xhandarmërisë shqiptare, që e udhëhoqën anglezët), vetëm tentoi të veje lidhje, me të cilat, SOE do të mund të financonte veprimtarinë në Shqipëri".
Lidhur me situatën e krijuar Saragenti, më 11 korrik ka shënuar: "Me u deklarua për politikën tonë, do t'ishte ashtu sikur më e prekë hekurin e skuqur. prandaj, në çfarëdo shkalle të përmbajtësisë të shikohet Greqia dhe Jugosllavia, në fakt do të thotë se si guxojmë me e lëshua rastin për t'i paraqitur kërkesat e tyre. Me atë deklaratë, vetëm do t'i ndihmohej SOE që diç më tepër të fitojë ndonjë agjent shqiptar. Por suma sumarum, unë tash do të tërhiqesha prej Deklaratës". Me këtë Edeni ishe pajtuar.
Organizata SOE nuk ishte informuar me kohë se në mbledhjen e mbajtur në Tiranë, me nxitjen dhe patronatin e dy përfaqësuesve të partisë jugosllave komuniste, Milladin Popoviq dhe Dushan Mugosha, më 8 nëntor 1941, u themelua Partia Komuniste Shqiptare, do të shkruajnë më vonë shërbimet informative angleze duke akuzuar F. Offisin për mbetje prapa agjenturave të Kominternit. Partia Komuniste Shqiptare atëbotë shkruajnë anglezët, e zgjodhi Komitetin Qendror, në të cilin kishte hyrë edhe mësuesi më i ri Enver Hoxha. Atëbotë Partia e re ishte cilësuar nga anglezët se kishte qëndrim gjithëkombëtar, sepse aty kishin qenë edhe shqiptarët e Kosovës dhe me këtë dihej se Kosova dhe Dibra, do të bëhen çështje të luftës për shtet etnik. Në fakt çështjen etnike, Enveri nuk e përmendte por e rezervonte si përcaktim pas çlirimit. Në kushte të luftës antifashiste, do të shënojnë anglezët, partia e Hoxhës do të bëhet gjithnjë e më aktive. posaçërisht në Jug ku në fillim të vitit 1942 u formuan njësitet e para partizane guerile. Së këndejmi, në gusht të vitit 1942 filloi të dalë ilegalisht fletorja e Partisë "Zëri i Popullit". Në radhët e partizanëve, do të shënohet në dokumente vepronin edhe pjesët e organizuara të ish oficerëve, në radhët e të cilëve dallohej majori Abas Kupi. Lidhur me luftën shqiptare, theksojnë qarqet angleze, lajmet arrinin në botë përmes Kolonisë së madhe shqiptare në Stamboll. Është çudi, thuhet në raportet angleze të mëvonshme, se si Hoxha, këtë qendër të Stambollit kurrë nuk e potencoi. Sigurisht se këtë e "mbante në terr" për të mos rënë në sy prejardhja dhe simpatia e hoxhës ndaj orientimit islamik, për çka Perëndimi nuk pajtohej kurrë, prandaj, me këtë rrafsh, thuhet në disa raporte, Hoxha i ka mbajtur këmbët e gjarprit. Hoxha në anën tjetër komunistët jugosllavë i ka nënçmuar edhe pse haptazi ua ka rrahur supet. Po intrigat janë bërë rreth tyre.


Çfarë i parapriu deklaratës angleze

"Lidhur me propagandën në Shqipëri, se cilës sferë duhet ti takojë SOE me arsye bënte përpjekje për kontakte me atë vend. Dhe një ndër mendimet në atë kohë, do të shkruajë E. Barcer, si duket anglezët ishin lidhur nëpërmjet kolonelit Fodull dhe hipokrit Muharrem Bajraktari, dikur oficer i xhandarmërisë, i cili kishte pasur konflikt me Zogun, dhe më 1936 ishte arratisur në Jugosllavi. Gjatë verës, shkruajnë raportuesit anglez, qarkullonin lajme se Bajraktari kishte kaluar në anën e Drazha Mihajlloviqit.
Lidhur me këtë, në shtator të vitit 1941 përfaqësuesi i Qeverisë Jugosllave në Kajro, Xhonoviqi nëpërmjet SOE-s dhe Mihajloviqit e porosit Muharrem Bajraktarin se "nëse Zogu kthehet në Shqipëri, juve ju mbetet të bëni luftën". Por ajo thirrje, mezi e pati një trohë rezultati. Në LOndër, gjatë vjeshtës, lidhur me këtë, vinin lajme për rezistencën që bëhej në Shqipëri. Posaçërisht ishin bërë të njohura demonstratat e mëdha të rinisë në Elbasan, me ç'rast 70 studentë u burgosën.
Këto aktivitete, edhe SOE edhe Forein Offisi, i shikonin me zili, sepse këto nuk i bënin njerëzit që ishin të kanaleve të tyre. Lidhur me këtë situatë, në shtator të vitit 1942 në Londër lajmet kishin arritur shumë vonë se në Shqipëri çdo gjë po merr ngjyrë sipas diktatit të partizanëve dhe se komunistët në front të gjerë po i afirmojnë lëvizjet antifashiste çlirimtare. Për të treguar se kush është i “Zoti i dasmës në Shqipëri”, komunistët shqiptarë kishin thirrur në Pezë Konferencën në të cilën ishte një numër i konsideruar i nacionalistëve dhe oficerëve të dikurshëm në mesin e të cilëve edhe Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari dhe Myslim Peza. Aty u themelua Këshilli Nacionalçlirimtar nën udhëheqjen e Këshillit Kryesor në të cilin kishin hyrë disa komunistë, e në mesin e tyre edhe Enver Hoxha. Aty hyri edhe Abaz Kupi, dëshmojnë dokumentet angleze.

Strategjia e luftës anglo-amerikane dhe pësimet shqiptare

Zbritja e aleatëve në Afrikën Veriore, në nëntor të vitit 1942 do ta detyrojë Forein Offisin, që sërish të mendojë për Deklaratën për Shqipërinë e pavarur. Sargenti, lidhur me këtë shënoi: "Tani jemi në Mesdhe në ofensivë dhe Deklarata për ardhmërinë e Shqipërisë në Ballkan, do të komentohej si një shpejtim i frymës ofensive. Por, SOE atëbotë në informata theksonte se Deklarata e pavarësisë do ta ndihmonte guerilën shqiptare".
Lëvizja e kësaj çështjeje ishte publikisht e theksuar dhe e udhëzuar nga ana e Sir Strafford Kripsit se Shqipëria, sipas tij në të ardhmen pas mbarimit të luftës, do të ndahet. Ky qëndrim, atëbotë ishte zyrtar dhe përkrahej prej një varg agjenturash të fuqisë evropiane, që sot vendet e tyre dhe udhëheqësit e tyre shtihen për demokraci të parajsës. Dhe në këto rrethana, historia e amnistoi qëndrimin e Enver Hoxhës për një Shqipëri të pavarur e sovrane sesa të ulej në prehrin e robërisë siç vepronin Balli, Legaliteti dhe Lidhja II-të e Prizrenit. Kuptohet e tërë kjo ka të bëjë me rrethanat që atëbotë ishin në skenë.
Historia pra duhej të shikohej në bazë të rrethanave siç ishin atëherë e jo si janë sot orientimet. Historia mund të gjykojë drejtë si janë sot njohuritë dhe informatat për kohën përkatëse e jo si ishte dëshira jonë që të bëhej. Ata, pra që sot kërkojnë përgjegjësi prej së kaluarës e kuptohet në një shkallë kanë të drejtë, duhet më tepër dhe shumë më tepër të ofrojnë dhe të krijojnë ardhmërinë, sesa të humbin kohën deri në shkallë amatore për të treguar ndodhi që esencën nuk ua dinë. Koha e Enver hoxhës ka perënduar dhe për të nuk duhet të kemi dhembshuri. Po duhet me korrektësi ta gjykojmë atë kohë se tani janë hapur diapazone të tjera. Çdo fyerje, apo sharje sidomos e disa shkencëtarëve që tani bëjnë metamorfoza, mos po zënë ndonjë tren të demokracisë, më duket se më mirë do të ishte te mbesin shkencëtarë sesa të merren me gjykimin e ndodhive që në fakt shihet se nuk i njohin dokumentet fare. Shkencëtari pra duhet që erën ta kthej në dobi të njeriut, po me argumente e jo të marrë poza të avokatit ditar dhe të bëhet më demokrat se Perikli.

Deklarata angleze

Në fillim të dhjetorit do të shkruajnë informatorët anglezë: "me qëllimet e Forein Offisit, u informua edhe Qeveria Sovjetike dhe ajo amerikane!. Atëbotë ishte propozuar që edhe këto dy qeveri ta botojnë Deklaratën për Shqipërinë. Së këndejmi, më 3 dhjetor 1942 Kabineti i luftës e aprovoi propozimin e Deklaratës britanike. Por në atë Deklaratë, Anglezët me kujdes iu shmangën kërkesës të obligohen për përtëritjen e Shqipërisë në kufijtë e vitit 1939". Ndodhte një dukuri e tillë sepse Anglia kishte formuar bindjen se Çështja shqiptare nëse nuk mund të shlyhet, të paktën ajo të mjegullohet me njëfarë konfederate apo bashkimi ballkanik, si e qaun R. Hibbert. Duke u mbështetur në këtë filozofi politike, Forein Ofissi nuk kishte më tepër hapësirë që të deklarohet më në shkallë transparente për Shqipërinë Londineze, ndërsa Shqipëria londineze ishte pikërisht varrosje e çështjes shqiptare.
Duke u përqendruar në probleme “më madhore” më 17 dhjetor 1942, Qeveria Angleze do të lëshojë Deklaratë ku thuhet:
“Qeveria e Madhërisë së Tij shpreh simpatinë për fatin e shqiptarëve, të një populli ndër viktimat e para të agresionit fashit. Ajo dëshiron ta shohë Shqipërinë të çliruar nga zgjedha italiane dhe të rivendoset pavarësia e saj. Forma e regjimit dhe e qeverisë që do të vendoset në Shqipëri do të jetë një çështje që do ta vendosë vetë populli shqiptar në fund të luftës. Ajo që thashë në asnjë mënyrë nuk e paragjykon çështjen e pozitës së Shqipërisë lidhur me marrëveshjet e ardhshme që mund të arrihen ndërmjet shteteve të ndryshme të Ballkanit. Qeveria e Madhërisë së Tij e sheh çështjen e kufijve të të shtetit shqiptar pas luftës si çështje që do të duhet të merret në shqyrtim në konferencën e paqes”. (R. Hibert, Fitorja e hidhur, Tiranë 1991, f. 69).
Ky prononcim me shumë kuptime lë të kuptohet se “Çështja shqiptare” nga Qeveria e Lartmadhërisë së Tij, nuk ka mbetur e parcializuar. E kundërta, çështjen shqiptare e kanë parcializuar tarafet politike shqiptare, duke mos u “prerë sëpata në një vend”.
Gjatë vitit 1943, nga dokumentet autentike të qeverisë angleze le të kuptohet se Çështja shqiptare kishte evoluar për një progres. Ja se çka shkruhet në një Telegram zyrtar:
“1. Tani rekomandoj një ndryshim. Situata ka evoluar kaq shumë kohët e fundit, është imperative tani të denoncohet Këshilli i Regjencës kolektivisht, dhe emër për emër. Po ashtu ballkomi dhe zogistët.
2. Të gjithë po bashkëpunojnë me gjermanët, të cilët po shfrytëzojnë ata duke u dhënë armë në sasi të mëdha, duke i vënë të ruajnë rrugët kryesore, të bëjnë punën e policisë në qytete e të drejtojnë patrullat, duke i çliruar kështu trupat gjermane nga kjo barrë.
3. Në të gjitha aksionet e kryera, kohët fundit, nga LNÇ janë ndeshur me trupa të përziera gjermane e balliste, të armatosura mirë, të stërvitura nga gjermanët. Betejat në zonat e Pezës e Dibrës veçanërisht në këtë të fundit, kanë dhënë prova të shumta për bashkëpunimin e ngushtë.
4. Ballkom dhe Abaz Kupi si njëri dhe tjetri më kanë premtuar se do të luftonin aktivisht gjermanët, por nuk kanë bërë asnjë aksion këtë muaj të fundit, ndonëse kanë pasur shumë raste për t’u bërë rezistencë gjermanëve. Abaz Kupi la hequr dorë nga vendi i tij në Këshillin LNÇ dhe ka prerë marrëdhëniet me ta.
5. Si Ballkom dhe Zogistët tani botojnë gazeta të kushtueshme dhe ambicioze, që duket hapur se janë ndihmuar nga gjermanët. Në tetë numra nuk ka pasur asnjë referim antigjerman. Të dyja palët lëvdohen se aleatët do të bashkëpunojnë me ta pasi të kenë ikur gjermanët, duke cituar si dëshmi që Britania nuk ka përmendur me emër as Këshillin e Regjencës dhe asnjë parti politike. Shembull: Fjala e drejtorit të BBC drejtuar Shqipërisë më 28 nëntor.
6. Do të parapëlqeja që të jepja shpjegime personalisht kur të largohesha prej këtej, por edhe mund të vonohem; e nuk ka të ngjarë që të vij te ju para mesit të janarit në rastin më të mirë.
7. Mendoj se qëndrimi i aleatëve duhet të bëhet publik menjëherë, duke treguar se kuislingët, tradhtarët dhe ata që nuk luftojnë kundër gjermanëve do të marrin ndëshkimin që u takon dhe në kohën e duhur nga aleatët. Shqiptarët e kanë luajtur këtë lojë kuislingësh në vazhdimësi me turqit, italianët dhe tani me gjermanët. Ata besojnë se do të bëjnë të njëjtën gjë me aleatë. Prandaj rekomandoj të bëhet një deklaratë e hapur në favor të LNÇ”. (R. Hibbert, Fitorja e hidhur, Tiranë 1991, f. 124).
Çështja pra rëndohej me përçarjet që po ndodhnin në Shqipërinë londineze, me një anë aleatët kërkonin luftë kundër gjermanëve, në anën tjetër nxirrnin përfitime për mos më e përkrahë çështjen shqiptare me “faktin” se shqiptarët në të kaluarën kanë kalkuluar, i kanë ndenjur besnik turkut, italianit e tani edhe gjermanit. Me këtë filozofi Forein Ofisi largohej nga agjenda shqiptare. Kur t i shtohet kësaj filozofie edhe politika e konfliktit në mes PKSH dhe PKJ rreth Kosovës, atëherë mozaiku i prapa-ngecjes së diplomacisë shqiptare bëhej i tejdukshëm. Jo vetëm kaq, Ahmet Zogolli në anën tjetër në vend që të lëvizte çështjet ai ishte konservuar dhe priste “momentet” se të tjerët do të i hapin rrugë për të u kthyer në fron. Çështja e fronit tani ishte bërë formale, por ishte me rëndësi çështja e sistemit, dhe këtë shans Zogolli nuk e shfrytëzoi.
Lidhur me Kosovën jugosllavët do të vërsulen ndaj PKSH, e cila mendonte se me një deklarim për zgjidhjen e Çështjes shqiptare, do ta amortizoi problemin, por ai sa vinte e metastazonte. Me një anë jugosllavët shkruanin: “Të ngresh çështjen e bashkimit (të Kosovës me Shqipërinë) do të thotë t’u japësh dorën e ndihmës reaksionarëve të ndryshëm, duke përfshirë edhe vet armikun... Jugosllavia e re që po ndërtohet, do të jetë një vend i kombeve të lira dhe, si rrjedhim, nuk do të ketë vend për shtypje kombëtare të pakicave shqiptare”. Këtë atentat mbi çështjen e Kosovës drejtuesit e LNÇ në Shqipëri nuk e kishin kuptuar me tërë dimensionin antishqiptar, por tërthorazi provuan që çështja të zgjidhet nëpërmjet deklarimit të LNÇ së Kosovës, përkatësisht institucioneve të saj të dala nga Lufta Nacionalçlirimtare Antifashiste. Këtu fshihej i tërë rubikoni i politikës jugosllave ndaj çështjes shqiptare të nëpërkëmbur nëpër kongreset ndërkombëtare kohë më para. Ai deklarim u bë në Bujan në Mbledhjen e Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit më 2 janar 1944 në mënyrë legjitime.
Në deklarim në shkallë rezolute thuhet: “Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit asht nji krahinë e banueme në shumicë nga populli shqiptar, i cili si gjithmonë ashtu edhe sot dëshiron me u bashkue me Shqipninë...”. (KNÇ për Kosovë dhe Rrafsh të Dukagjinit, Prishtinë, 1953, f. 9).
Lidhur me këtë, për ta njohur realitetin shqiptar në shkallë ndërkombëtare, drejtuesit e luftës antifashiste në Jugosllavi me përvojën e tyre kishin shkuar disa hapa më larg në kronizimin që Kosova në fund të mbetet me Jugosllavinë. Por, për të lërë përshtypje se do ta respektojnë realitetin me që ishin në pozitë të vështirë, qarqet antifashiste jugosllave do ta luajnë lojën e tyre. Kështu në tetor të vitit 1943 Tito do të kontaktojë me gjeneralin Velebit në Kairo. Në dokumente lidhur me këtë do t’u thuhet përfaqësive angleze se: “Në Shqipërinë e Veriut shumë nga lidhjet e bajraktarëve dhe të fiseve mund të inkurajohen për të qenë më pak progjemane, duke u bërë një deklaratë nga ana e Titos se e ardhmja e Kosovës do t’u lihet vetë kosovarëve për ta vendosur pas lufte dhe se do të bëhen zgjedhje, në të cilat kosovarët do të zgjedhin formën e vet të qeverisjes dhe shtetin në të cilin ata do të duan të jetojnë” (R. Hibbert, v. cit. f. 201). Koloneli Velebit kishte theksuar në prani të anglezëve, se deklaratës së tillë do të përpiqet t’i jepet një publicitet i gjerë, krejt me qellim që të diskreditohet propaganda gjermane në përgjithësi në trojet shqiptare.


Misionet angleze në Kosovë më 1943-1945


Meqë në Kosovë jetojnë shumë nacionalitete: shqiptarët, serbët, malazezët dhe turqit dhe në mes të këtyre nacionaliteve gjithnjë mund të lindin kundërshtime, shërbimet e jashtme përpiqeshin të gjejnë bashkëpunim ose ta ngulin ndikimin e tyre. Në këtë drejtim rolin kryesor e ka luajtur Trepça me pasurinë e saj. Pas formimit të sipërmarrjes “Trepça” më 1929, në Mitrovicë arrin inxhinieri Bejli. Menjëherë fillon të mësojë shqip dhe serbisht në mënyrë që t’i afrojë punëtorët dhe t’i kuptojë kërkesat e tyre. Duke u shoqëruar me shqiptarë, serbë dhe bjellorusë, Bejli qëndron deri më 1938 në Trepçë. Pastaj kalon me detyrë informative në Beograd. Në Trepçë, përpos Bejlit, me detyra të caktuar profesionale dhe informative ishin edhe: Forgan Charles me profesion gjeolog. Pastaj Jackson Jamez me profesion inxhinier i xehetarisë, Banker Ernest, drejtor administrativ i “Trepçës”, Warton Tigar Edward shef i financave, Wacllav Naiman shef i furnizimit, Kapiteni Hil (stacionohet në Mitrovicë më 1930) si dhe Kapiteni Ferben, i cili e zëvendësoi inxhinierin Bejli më 1938. Të gjithë këta persona kishin lëviz nëpër viset shqiptare deri te Prespa. Ishin njohur me begatitë e tokave shqiptare, por kishin krijuar edhe miq të shumtë ndër shqiptarët e pakënaqur me regjimin okupues jugosllav.
Më 1941 kapiteni Hill do të kontaktojë me Gani Bej Kryeziun, me ç’rast do ta themelojë një aradhë vullnetare prej shqiptarëve me qëllim që të luftohet fashizmi italian. Aradha e Gani Beut ka vepruar një kohë, por pastaj nga Beogradi gjermanët do ta transferojnë në Shqipëri, e atje pushteti fashist italian do ta deportojë në një ujdhesë. Në anën tjetër, Hilli, pas qëndrimit në Ambasadën e SHBA-së në Beograd, nëpërmjet njerëzve të Gani Beut do të transferohet (nga Beogradi) në Shkup. Hilli në mars të vitit 1945 do të gjendet në Tiranë si një ndër drejtuesit e misionit UNR-a.
Në fund të vitit 1943 në Kosovë arrijnë tre misionarë anglezë për të kontaktuar me Halim Spahin, Sokol Dobroshin, Ejup Binakun, Qazim Bllacën, Shefqet Shkupin dhe Sulejman Bej Kryeziun. Biseda kishte të bëjë me situatën politike ndër shqiptarë, qëllimisht që të formohet një forcë e armatosur, të cilën do ta drejtonte Ejup Binaku - kuptohet, kundër okupatorit gjerman. Në fund të vitit 1943 këta misionarë do të gjenden në Mbledhjen e KNÇ-së në Bujan. Aty do të binden se kush lufton kundër fashizmit. Por, nuk do të pajtohen me ideologjinë e drejtuesve (Fadil Hoxhën dhe Pavle Joviqeviqin-HB). Nga dokumentet që ishin sajuar në prefekturën e Prizrenit del se emrat e anglezëve në fillim të vitit 1944 e që lëviznin nëpër Kosovë ishin: Halli (shkëlqyeshëm fliste shqip), Kelt dhe Smit. Sipas dokumenteve, Hilli shumë herë, për mos me rënë në duar të Gestapos, ka lëvizur në rroba të femrave. Lëvizjen e ka mundësuar jo vetëm Gani Bej Kryeziu por edhe Rexhep Bytyqi. Lëvizja ka qenë e rregullt nëpër fshatrat e Gjakovës dhe Pejës, por edhe në Lijevë, Komoran, Arllat, Drenicë, në Zabelin e Epërm dhe të Ulët. Hill e ka vizituar edhe Shtimen, ku ka biseduar me patriotin Smajl Goranin. Të gjitha bisedimet shqiptarët i kanë përqendruar në ndihmën që Anglia duhet t’ua japë shqiptarëve të Kosovës për t’iu bashkuar Shqipërisë. Këtë mision për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe ndërtimin e një sistemi demokratik kapitalist gjatë gjithë kohës së okupacionit, theksojnë dokumentet angleze, e kishte aradha e Gani Begut, fakt ky që vinte në kundërshtim me synimet koloniale të PKJ-së ndaj viseve shqiptare e për ta ruajtur Jugosllavinë mbretërore në kufijtë e saj, por me sistem ndryshe.
Bashkëpunëtorë të anglezëve në Kosovë cilësohen edhe: Alilaj Rrustem Hajdari nga Lipovica, Sadik Elezi nga Gërqina, i cili mbante lidhje me Sokol Dobroshin, Rexhep Aliti nga Lipovica, Rrustem Alija nga Lipovica si dhe Feti Usi nga Gjakova. Bashkëpunëtor të Hillit ishin edhe: Hasan Rema nga Gjakova, Ali Curri nga Prizreni e të tjerë. Të kuptohemi, shqiptarët që ishin në kontakt me këto misione elementin kryesor e kishin që shqiptarët të luftojnë kundër fashizmit, por në këtë kërkesë përfundojnë misionarët anglez shumë bashkëpunëtorë i drejtonte dymendësia, nuk ishin të vendosur. Me kohë, përparësinë e morën komunistët dhe ata e fituan luftën dhe e vendosen pushtetin totalitar.
Në Trevën e Kosovës ka qenë i themeluar Korpusi i II-të çetnik i Zhika Markoviqit. Në atë korpus në verë të vitit 1943 ishin me detyrë tre misionarë anglezë të drejtuar nga kapiteni i tyre Xhorxh Moom. Ky mision e ka furnizuar korpusin çetnik me armatim, veshmbathje dhe ushqim. Korpusi ka vepruar në Kopaonik dhe Luginën e Ibrit, gjithmonë duke u kërcënuar se do të vërsulet në Kosovë ndaj popullsisë shqiptare, me qellim që ta shfarosë atë sikurse kishte vepruar në Krahinën e Bihorit (1942-1943). Korpusi dhe misioni i Xhorgjit kishin për detyrë kontrollimin e vijës hekurudhore Mitrovicë-Kralevë për nevoja të Drazha Mihajlloviqit. Sasia e ndihmave për këtë Korpus është e barasvlershme me tërë sasinë që ua kishin siguruar misionet angleze të gjitha brigadave antifashiste shqiptare. Këtë fakt e dëshmojnë dokumentet e tyre që në seri janë ruajtur. (FO. 371. Struktura e shërbimeve informative në viset shqiptare në Ballkan 1940-1945-rekonstruktim, “DOSJA QAZIM KOMONI”- 1945. ).

Si u ndanë sferat e interesit në Ballkan në samitin e Moskvës(9-18 TETOR 1944)
(Dokumenti nga origjinali)

Shtrohet tash pyetja në fillim pse Churchilli dhe Stalini në atë cope letre nuk e përmenden Shqipërinë fare. Lidhur me këtë, po e prezantojmë një telegram sekret të H. Nojenbaherit më 12 janr 1944 nga Beogradi derguar Himlerit:
Rezervat! i deleguari special për Juglindje, Shqipëri. Ministri i Punëve të Brendshme (në qeverinë Rexhep Mitrovica-HB), Xhafer Deva, me kosovarët e tij, pas aksioneve të ngjashme në Pejë, Prizren e Shkodër, me sukses vazhdoi aksionin e spastrimit në Tiranë dhe rrethinë. (Është fjala për aksionin terrorist të Regjimentit “Kosova” që i printe Pajazit Boletini, i cili bëri masakra të mëdha mbi popullsisë gjoja se po i ndjek komunistët. Vetëm në Tiranë në fillim të shkurtit i masakroi 92 patriotë shqiptarë-HB). Gjatë këtij aksioni u dëshmua se respekti i përgjithshëm ndaj partizanëve të kuq shpejt mund të shkallmohet me një ndërhyrje të rreptë, meqë terrori mbi popullatën kryesisht po bëhet nga grupet e vogla por të vendosura dhe të udhëhequra mirë.
Kryetari i Këshillit të Regjencës, Mehdi Frashëri, ka paralajmëruar, në mesazhin e tij luftë të rreptë kundër komunistëve si dhe shkatërrimin e tyre, duke u mbështetur në traditën dhe zakonet e shenjta të popullit me rrënjë indoevropiane dhe me prejardhje nga fisi ilir. Mesazhi i Vitit të Ri ka lënë përshtypje të madhe. Terroristët kryesor nga Shkodra janë mënjanuar me mënyra antiterrorist. Me rendësi të madhe për çlirimin e territorit shqiptar, sikur edhe përpara, është që partizanët e Titos të mos fitojnë lidhje nëpërmjet Malit të Zi. Nojbaher. (Shiko: H. Bajrami, Dokumente të institucioneve gjermane për historinë shqiptare 1941-1944, Prishtinë 1998, dok. 126.). Me këtë fushatë qeveria kuislinge shqiptare si dhe H. Nojbaheri kishin përgatit tri ekspedita antikomuniste. Të parën nëpërmjet Regjimnetit “Kosova” mendonin se e kanë shuar Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare në sipërfaqen etnike shqiptare Mitrovicë-Tiranë. Por llogaria nuk u doli si ëndërronin nazistët dhe bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë, për çfarë Churchilli dhe Stalini na renditën në radhën e popujve “bashkëpunëtorë të fashizmit” dhe sipas kësaj politike të aleatëve anglo-amerikan dhe rus, ata kishin të drejtë të na shfarosin. Me gjithë këtë nazistët për ta shuar Luftën Çlirimtare Antifashiste Shqiptare, në trojet etnike shqiptare (60 000 kilometra katror) i kishin angazhuar 22 000 ushtarë të nazizmit nga Armata “E” me shtab në Selanik dhe 15000 ushtarë dhe xhandarë shqiptarë. Operacionet janë drejtuar me iniciativën e Xhafer Devës, të cilat quheshin: “Pajazit Boletini-Hysni Dema”. Operacioni i filluar në veri të viseve shqiptare, do të vazhdojë deri në fund të qershorit 1944 në viset jugore shqiptare, por pa sukses. Reprezalje të papara u bënë në shkurt të vitit 1944, sidomos në Malësinë shqiptare të veriut.
Ja edhe faktet tjera. Në fillim të vitit 1944 Mithat Frashëri përpiqet të krijoi aleancë shqiptaro-greke, krejt me qellim që t’i likuidojë antifashistët (komunistët) shqiptarë. Për ta realizuar këtë plan Mitaht Frashëri do ta angazhojë Dhimitër Fallon, plan ky që do të dështojë pas dy takimeve me palën greke, lajmërojnë dokumentet gjermane. (H. Bajrami, Dokumente gjermane për historinë shqiptare II, dorëshkrim, janar-nëntor 1944).
Mehdi Frashëri sipas këtyre dokumenteve nuk do të pushojë me kaq, por do ta dërgoi Ragip Frashërin edhe në Turqi për të lidhë marrëveshje me atë shtet neutral. Por edhe ky plan do të dështojë.
Gjatë marsit 1944 kabineti i Herman Nojbaherit do të punojë intensivisht për ta realizuar një plan të ri për asgjësimin e Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare në Jug të Shqipërisë. Për këtë qellim në Tiranë më 11 prill 1944 do të bisedojnë Josef Fiktum-përfaqsues i Himlerit pranë qeverisë kuislinge Rexhep Mitrovica, Teodor Gaib përfaqsues i H. Nojbaherit. Në mbledhje ishte i pranishëm edhe Komandanti i Korpusit nazist 21, Feni. Në fund të takimit, me që më 31 mars në Rogovë të Nahisë Prizrenit ishte iniciuar themelimi i operacionit “Skenderbeg 1” për asgjësimin e mësymjeve sllavo-çetnike dhe komuniste kah Kosova. Tash, për të asgjësuar komunistët shqiptar në Jug të Shqipërisë, nazistët do të kodojnë operacionin “Skenderbeg 2” për të vepruar me metoda të njëjta naziste, në krahinat: Korçë-Berat- Vlorë-Gjirokastër. Sipas këtij plani, theksojnë dokumentet gjermane aksioni duhej të fillonte më 17 prill 1944 në ora 4 të mëngjesit. Aksionit antikomunist duhej t` i printe Hysni Dema sikurse që i printe “Regjimentit Kosova” Pajazit Boletini. Në aksion duhej të përfshiheshin afro 10 000 trupa qeveritarë dhe të Ballit Kombëtar. Për këtë aksion do të pajtohet i entuziazmuar edhe Shlip, konsull nazist në Tiranë. Me që operacioni do të dështojë bindshëm në favor të fuqizimit të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, Herman Nojbaher me të njëjtit persona do ta kodojë operacionin vijues “Skenderbeg 3”. Ky aksion duhej të mbaronte më 23 V 1944, por do të pësojë ende pa filluar fare. Tani Herman Nojbaher do të kërkojë nga oficerët gjermanë që të organizojnë një operacion vijues me emrin “Gemsbock-“Kaprolli”. Deri në fillim të aksionit kishte entuziazëm në radhët e nazistëve, ballistëve dhe oficerëve të qeverisë kuislinge. Operacioni ishte planifikuar të fillojë në 100 vjetorin e aprovimit të “MEGALI IDES” nga Parlamenti grek (5 maj 1844). Ja sa e çmonte dhe e dinte historinë lagja e “patriotëve” tanë. Nazistët po ua ngulnin thikën pas shpine dhe ishin të prirë me të gjitha mjetet ta likuidojnë Luftën antifashiste për të triumfuar “sitemi kapitalist”.
Edhe misionarët anglezë e urrenin këtë zanat ideologjik. Kështu të “tre skenderbegët” u shndërruan në ‘kaproll” të dështuar, pasi më 6 maj 1944 amerikanët zbarkuan në Normandi. Për oficerët gjermanë tani kërkohej vrima e miut, kah t’ia mbajnë. Nuk kishin pasur sukses t’i asgjësojnë brigadat shqiptare antifashiste nacionalçlirimtare: të parën, të dytën, të Tretën, të Katërtën, të Pestën…. Shqiptarët masivisht në fund të qershorit po i ktheheshin Skënderbeut të vërtetë-luftës për liri, duke u çliruar me armët e veta, gjithnjë e më tepër duke i bindur misionarët e shumtë anglez se kush e lufton fashizmin në trojet shqiptare. Me gjithë këtë fuqitë antifashiste SHBA-ANLI-BRASS, me qëllim e anashkaluan të drejtën e shqiptarëve për shtet etnik, por shkuan edhe më tej, planifikuan (Churchilli dhe Stalini) ta shuajnë Shqipërinë fare nga harta gjeografike e Evropës (Ballkanit).



Fenomeni historik shqiptar


Një dukuri se çdo fat të luftës dhe paqes “e caktojnë të mëdhenjtë” është bërë tragjike për mentalitetin e robit te shqiptarët, pothuajse nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, po edhe më parë. Ky përcaktim, në çdo luftë të drejtë të shqiptarëve, ia ka vënë “kapakun” vetes, madje duke u shndërruar edhe në tradhtarë ordinerë. Atë “kapak” e kanë shpikur disa liderë, por edhe disa organizata që kishin bërë emër në çdo etapë historike. Një dukuri e tillë ngjan edhe në kryengritjet shqiptare për liri dhe pavarësi 1908-1912. Dukuria e tillë do të përsëritet edhe më 1918-1924. Kishte zëra politikë dhe organizata të tilla që hapur e luftonin Komitetin Mbrojtja Kombëtare e Kosovës. Kishte edhe më 1944-1945 zëra që luftën antifashiste e anatemonin deri në ekstrem. (Hulumtojeni politikën e “Partisë Fashiste Shqiptare 1939-1944). Ky fenomen ka ngjarë edhe në luftën e fundit çlirimtare në Kosovë 1992-1999. Po çfarë ka ngjarë në Shqipëri më 1997 dhe pse ende nuk është objektivizuar në opinionin shqiptar. Të gjitha akuzat ndaj çlirimtarëve gjithmonë së pari janë thurur prej shqiptarëve. E pra, nuk na kanë faj fare të huajt sepse një soj shqiptarëve sikur u dhimbset jeta dhe propagandojnë “politikë paqësore”, ose koketojnë me okupatorët publikisht. Prandaj, konsideroj se të gjitha marrëveshjet e organizatave politike shqiptare 1878-1999 me okupatorët e trevave shqiptare duhet të botohen, në mënyrë që kjo ideologji vrastare, ky “religjion” vrastar mos të na përsëritet. Po, historinë e shkruan fuqia, por ajo nuk është kurrë vendimtare. Faktori i brendshëm është përcaktues i fatit të çdo populli. Duhet pra të faktorizohemi, të imponohemi me fuqinë që e kemi duke bërë gjithmonë luftë dhe politikë të drejtë në funksion të lirisë dhe pavarësisë.
Ja shembulli i fatit të shqiptarëve në fund të Luftës Dytë botërore. Na shpëtoi faktorizimi i quajtur Luftë Antifashiste Nacionalçlirimtare. Përndryshe në Kosovë shqiptarë nuk do të kishte, Shqipëria Bregdetare do të ndahej në mes Grekëve të Churchillit dhe Jugosllavëve të Stalinit…
Në dokumentin zyrtar është qenësore për historinë, se si konsideroheshim si komb dhe si shtet në Moskvë nga 9-18 tetor 1944, ku shqiptarët nuk u përmendën fare nga Churchilli dhe Stalini. Ja faktet:

Takimi Churchill-Stalin në Moskvë 9-18 tetor 1944

Në frymën e kësaj lufte antifashiste çlirimtare nga 9 e deri më 18 tetor 1944 në Moskë zhvilluan bisedime Uinston Churchilli dhe V. J. Stalini me ekipet e tyre e ku si opservator ishte edhe ambasadori i SHBA-ve në Moskë zotëri Averel Harimani. Më 9 tetor 1944 në Moskvë (Kremlin) mbahet takimi Churchill-Stalin në mbrëmje. Për këtë takim, në hulumtimet e mia nuk kam has në ndonjë dokument autentik që është mbetur përpos duke lexuar kujtimet e Churchillit (V. Churchill, Lufta e dytë botërore, VI, Triumfi dhe tragjedia, f. 207, lexojmë se moment ishte i volitshëm për t’i kryer punët dhe kam thënë: “Eja (Stalin) që t’i rregullojmë çështjet tona në Ballkan. Armatat e juaja janë në Rumuni dhe Bullgari. Ne i kemi atje interesat tona, misionet dhe agjentët. Mos hezitoni që në mes neve të vijë deri te ndonjë mosmarrëveshje në punët e imta. Për sa i takon Britanisë dhe Rusisë, si të them ju (rusët) keni dominim 90% në Rumuni, ndërsa ne kemi 90% ndikim në Greqi. Sa i përket Jugosllavisë (interesi –HB) le të jetë në aspektin ekonomiko-shoqëror si ndikim 50-50 % (për qind). Deri sa e kanë përkthyer këtë ndarje, thekson Churchilli, e kam vënë në gjysmë tabaku të letrës: Rumunia 90% interes rus; 10% të interesit të tjerët. Greqia 90% të interesave ekonomiko-shoqërore Britania e Madhe (me përçim të SHBA-ve), Rusia 10% të ndikimit. Jugosllavia 50% me 50% të ndikimit. Hungaria 50% me 50% të ndikimit. Bullgaria 75 % të ndikimit i takon Rusisë, ndërsa 25 % neve. Këtë propozim ia kamë vënë përpara Stalinit i cili në ndërkohë e dëgjoi përkthimin. U krijua një pauzë e shkurtër. Pastaj Stalini e ka marrë lapsin e kaltër dhe e ka vënë në letër një paraf të madh, dhe na e ka kthyer letrën. Për këtë çështje nuk ka pasur ma nevojë të harxhohet kohë përpos që të shkruhet. (Ku është këtu Shqipëria dhe kombi shqiptar, i cili më 1876 ishte më i fuqishmi në Ballkan, thotë De Beria, konsull italian në Shkodër. Nga ajo kohë kemi mbetur të ndarë si vetë e qyqes, pak nga injoranca e bajraktarëve tanë, e shumë nga Fuqitë. Ja ku jemi sot 2014, me 62 subjekte politike, secila kundër secilës. Si të bëhemi faktor i bashkimit dhe i atij niveli që të na çmojnë të tjerët!!!-HB). Kuptohet, thekson Churchilli, ne shumë gjatë dhe me kujdes e kemi studiuar qëndrimin tonë dhe i kemi pasur në mendje vetëm aranzhmanet e domosdoshme të kohës së luftës. Të dy palët të gjitha çështjet e mëdha i kanë lërë - ashtu si kemi shpresuar - për konferencën e paqes, për atëherë kur të fitohet lufta. Pas këtij moment ka mbretëruar një heshtje e gjatë. Letra e shkruar me laps ka qenë në mes të tavolinës. Dhe, ma në fund kam theksuar: “Mos vallë po mendoni se çështjet kaq të mëdha për miliona njerëz në mënyrë cinike po mendojmë se i kemi zgjidhë me kaqë lehtësi? E pra ejani që ta djegim këtë letër”. “JO, e ruani “, ka thënë Stalini. (Letra ruhet në Arkivin e Londrës dhe është botuar si fototip disa here me shenjën “ PREM (JER-Ë. Churchill-HB) 3/66/7, f. 169). Sigurisht se për këtë ndarje të sferave të ndikimit në Ballkanin e trazuar ku i kanë bërë pazaret gjithmonë të mëdhenjtë (i kanë hëngër mollët-si thotë populli), ndërsa popujve të këtij trualli shumë me interes strategjik iu kanë mpirë dhëmbët.
Shtrohet tash pyetja ku ishte emir i Shqipërisë (Mjerë të Vaso Pashës)?. Askund. Ja pra se çka mendonte zotëriu Churchilli dhe shoku Stalin për shqiptarë. Këtë fakt e kem theksuar shumë here dhe jo pa qellim se ne në Ballkan po vritemi në mes veti, ndërsa të mëdhenjtë po i hanë mollët sikurse sot. Jo vetëm kaq, pop se shoku Stalin nuk e zgjodhi çështjen shqiptare si plaga më e shëmtuar në Ballkan aty pranë Churchillit që vizatonte fatin e popujve në një letër, pa asnjë ndjenjë se po e shfarosë një popull sepse sipas bisedës Churchill-Stalin, Shqipëria duhej të ndahej në mes Greqisë dhe Jugosllavisë. Kjo është e vërteta. Ndërsa dihen fare mire raportet e misionarëve anglez se kush luftonte fashizmin në Ballkan në shkallën më të përkushtuar dhe kush i mbronte hebrenjtë, edhe si popull edhe si “pushtet”.
Lidhur me këtë, në Konferencën e Paqes në Paris më 1946 Shqipëria as që u pranua në tryezën e bisedimeve, ndërsa ishte i vetmi vend në Ballkan dhe Evropë që u çlirua me armët e veta. Kuptohet ndihmat në armatim të anglezëve si aleatë nuk i harrojmë. Por, çështja jonë mbeti plagë e pashëruar, në saje të pazareve të tilla në copa letrash të Fuqive të mëdha. Mjerisht, ajo plagë ende kullon dhe pritet që ne vetë duhet ta shërojmë, me diturinë tone, me punën tone trunore, me djersën tonë të ballit.
Më 10 tetor 1944 ndihmësit e Churchillit dhe Stalinit mbajtën një takim për Ballkanin në ora 19. Prej atij takimi ka mbetur ky stenogram (PREM 3/434/4, f. 1-15).
Të pranishëm sekretari shtetëror (A. Eden), sir Archibald Clark Kerr, zotëri Oliver Harvey, zotëri A. Brise. Nga ana ruse zotëri Mollotov, zotëri Vishinski, zotëri Gusev dhe zotëri Pavllov. Takimi është mbajtur me dijen dhe lejen e qeverisë së SHBA-ve, të cilën në bisedime në cilësinë e vëshguesit e ka përfaqësuar ambasadori i Amerikës në Moskvë zotëri Averell Harriman.
Zotëri Eden në tubim propozon që të bisedohet për Bullgarinë dhe në përgjithësi për Ballkanin.
Zotëri Mollotov paraqet mendimin që së pari duhet të bisedohet për Hungarinë, gjithnjë në lidhje me atë se çka i ka thënë mareshali Stalin premierit (Churchillit). Mareshali Stalin konsideron që pavarësisht humbjeve të konsiderueshme në Hungari, Armata e kuqe nuk do të kuptonte zbatimin e parimit 50-50. Mareshali zotëri Mollotovit i ka dhënë urdhër që ta lëvizë atë çështje (pyetje) dhe të paraqes mendimin e tij.
Zotëri Eden flet se me kënaqësi do ta dëgjoi qëndrimin e Zotëri Mollotovit.
Zotëri Mollotovi në fillim do th shprehë se qeveria sovjetike propozon parimin 75: 25, për atë shkak se Hungaria kufizohet me Bashkimin Sovjetik, ndërsa Armata Sovjetike operon në atë vend dhe po pëson humbje të mëdha. Hungaria ishte dhe gjithmonë do të jetë në kufi (me Rusinë). Interesi i Rusisë për këtë është i kuptueshëm. Rusia nuk dëshiron që Hungaria në të ardhmen të jetë në anën e sulmuesit (gjerman-HB). Në të njëjtën kohë, Rusia nuk ka pretendime territorial ndaj Hungarisë.
Zotëri Eden thekson që qeveria e Lartmadhërisë së Tij, natyrisht se do ta shqyrtoi çështjen (pyetjen ) ndaj Hungarisë, por dëshiron që t’i jepet mundësia që të mendoi për këtë.
Zotëri Eden vazhdon duke theksuar se do të flas hapur. Qeveria e Lartmadhërisë së Tij është e pakënaqur me gjendjen e përgjithshme në Ballkan. Ka qenë e përballuar me faits accomplish (aktit të kryer). Para disa muajve, kur Tito ishte në vështirësi, britanikët i kanë ofruar strehim në ujdhesën Vis, ku ishte nën mbrojtjen e marinës Britanike dhe RAF dhe duke falënderuar aksionit britanik, ai është shpëtuar nga shkatërrimi i plotë. Britanikët e kanë armatosur dhe i kanë ofruar ndihma, ndërsa tani, pa fjalë dhe pa lajmërim nga ana e tij, ose nga ana e aleatit tone sovjetik, e lëshon Visin dhe ka ardhur në Moskvë ku lidhë marrëveshje në lidhje me Bullgarët në Jugosllavi, qëndrim ky që për Britaninë është plotësisht i pa pranueshëm…
Zotëri Mollotov thekson se në fillim është konstatuar se në rastin e Bullgarisë të vërtetohen qëndrimet (kushtet) preliminare për tërheqjen e njësive të tij nga Greqia dhe Jugosllavia. Qeveria Sovjetike deri me tash nuk është përzier në çështjet jashtë kufijve të Bullgarisë.
Zotëri Eden do të deklaron se e kupton dhe thotë se nuk kërkojmë ndërhyrje të sovjetikëve jashtë Bullgarisë, ndërsa me oficerët britanikë deri sa të gjinden në Greqi duhet të sillemi korrekt, ndërsa Bullgarët këtë do të bënin nëse qeveria sovjetike këtë do ta instruktonte…
Zotëri Mollotov do të deklaroi se në Gjermani do të ekzistojnë tri zona të okupimit, prandaj krahasimi me Gjermaninë nuk është i qartë. Nuk ka ndjerë se është folur për zonat në Bullgari. Mareshali Stalin ka thënë se do të ishte e drejtë që Rusia t’i ketë 90 për qind interesa në Bullgari. Nëse pajtohemi me proporcionin 90:10, çdo gjë tjetër do të rregullohet shumë lehtë.
Zotëri Eden do të thotë që kjo Britaninë do ta vente në të njëjtën pozitë sikurse në Rumuni.
Zotëri Mollotov pajtohet që në parim do të ishte ashtu, por do të mund të gjendej mënyre në lidhje me format procedural. Ndoshta ekziston mundësia që të gjendet mënyra për pajtimin amerikan dhe dëshirat angleze. Për kushte për shembull do të mund të debatohet në Londër. Shtrija e Komisionit mbikëqyrës do të mundej në masën më të madhe t’ua përshtatim dëshirave britanike.
Zotëri Eden flet se i pëlqen formula amerikane, nëse qeveria sovjetike e pranon, por që plotësisht është i gatshëm të shqyrtoi çdo propozim rus me kusht që Britania të fitoi pak më shumë në Bullgari. Duhet vepruar patjetër shumë shpejtë. Shtyrja është e dëmshme.
Zotëri Mollotov pajtohet me nevojën e shpejtësisë, por shton se nuk mund ta kuptoi propozimin amerikan. Kështu përfaqësuesit e treshes do të kishin mundësinë të veprojnë në Bullgari, kur atje ende nuk ka zona? (të okupimit-HB). A mendojnë britanikët dhe amerikanët për stacionimin e forcave (ushtarake-HB) në Bullgari? Kjo çështje është e paqartë dhe do të mund të sillte fërkime. Konsideron se 90:10, ashtu si ka propozuar mareshali Stalin, e ndershme.


Rundi i parë i pazarit


Zotëri Eden përgjigjet se nuk ekziston qëllimi që në Bullgari të stacionohen njësitë (forcat ushtarake-HB). Propozon që komisionin mbikëqyrës mund ta drejtonte kryesuesi i përhershëm sovjetik.
Zotëri Mollotov e refuzon të shqyrtojë për këtë, me arsye se përfaqësuesit e treshes do të vendosin për çdo gjë, e kjo do të kuptonte që britanikët dhe amerikanët do të kishin nga 33 %, ndërsa Bashkimi Sovjetik një për qind më tepër nga ata, pasi shtetasi sovjetik do të ishte kryesues. Pra, do të kishin 34 %, në vend të 90 %. Pyet çfarë vlere do të kishte propozimi.
Zotëri Eden thekson se në Rumuni oficerët britanikë dhe amerikanë do të ishin vrojtues. Derisa të zgjasin armiqësitë me Gjermaninë, po atë pozitë e pranojnë edhe në Bullgari. Por pas dorëzimit të Gjermanisë do të kishin dëshirë që të jenë më tepër se vrojtues-por veprues aktiv. Nuk mund të gjej fjalë të vërteta se si do të shprehet. Pjesa britanike është më e vogël se e rusëve për shkak se Rusia në Bullgari e ka armatën dhe administratën.
Zotëri Mollotov konsideron se do të ishte pushtet i llojit të çuditshëm, ku nuk do të ishte e qartë se kush është përgjegjës.
Zotëri Eden thekson se përgjegjësinë kryesore do ta kishte Bashkimi Sovjetik.
Zotëri Mollotov deklaron se megjithatë përgjegjësinë e Bashkimit Sovjetik e plotëson niveli 90, e jo 100 për qind.
Zotëri Eden deklaron se për ato përqindje nuk dine shumëçka. E tërë çka dua është pjesa me madhe prej asaj që e kemi në Rumuni. Atje i kemi interesat 10 për qind, e ajo është gati asgjë.
Zotëri Mollotov deklaron se ideja për përqindjet del nga mbledhje e mbajtur një ditë më pare dhe ajo meriton që të shqyrtohet. Nuk do të mund të dakordohemi kështu: për Bullgarinë, Hungarinë dhe për Jugosllavinë (të kemi interesa –HB) 75:25?
Zotëri Eden deklaron se do të ishte shumë më keq se një ditë më parë.
Zotëri Mollotov pastaj propozon 90:10 për Bullgarinë dhe 50:50 për Jugosllavinë.
Zotëri Eden deklaron se nuk janë pajtuar lidhur me Bullgarinë. Ka dëshmuar gatishmëri që të i përkrahë dëshirat e zotëri Mollotovit në lidhje me Hungarinë, por e ka lutur për ndihmë në mënyrë që pas humbjes së Gjermanisë, do të kishin pjesëmarrje të qarta në Bullgari. Ndoshta ndonjë formulë e dytë do të ishte e pranueshme. Për shembull ne (britanikët-HB) dhe amerikanët do të kishim mundësi në komisionin mbkëqyrës të kemi oficerë i cili nuk do të ishte aq i rëndësishëm sikurse përfaqësuesi sovjetik.
Zotëri Mollotov propozon 75:25\për qind për Hungarinë. Nëse kjo pranohet, atëherë në Bullgari pjesëmarrja do të ishte 75: 25, ndërsa në Jugosllavi 60:40. Ky është kufiri përtej të cilit nuk mund të shkohet.
Zotëri Eden thekson se me këtë propozim nuk mund të dalim para Churchillit i cili është shumë i interesuar për Jugosllavinë. Me përpjekje të mëdha e ka përkrahë Titon dhe e ka armatosë. Prandaj çdo ndryshim në përqindje që do kishte të bënte me Jugosllavinë do ta shqetësonte.
Zotëri Eden propozon për Hungarinë 75: 25, Bullgarinë 80:20 dhe Jugosllavinë 50:50 për qind.
Zotëri Mollotovi ishte i gatshëm për Jugosllavinë 50:50, nëse për Bullgarinë do të ishte 90:10. Nëse proporcioni për Bullgarinë do të përmirësohej atëherë edhe për Jugosllavinë do të ndryshohej.
Zotëri Eden deklaron se në lidhje me Hungarinë kemi bërë përjashtim.
Zotëri Mollotov përsërit që Hungaria është në kufi me Rusinë por jo me Britaninë e Madhe. Rusët në Hungari kanë pësuar humbje. Mareshali Stalin këtë çështje ia ka thënë Churchillit (premierit). Çfarë do të thotë për Jugosllavinë 60:40? Kjo do të thotë se Rusia në bregdet do të kishte më pak interesa dhe nuk do të përzihej, por në pjesën qendrore do të kishte ndikim më të lartë (më të madhe-HB).
Zotëri Eden përsërit se Britania ka qenë tri vite në luftë me Bullgarinë. Bullgarët janë sjellë mjaft keq me neve. I kanë keqtrajtuar të zënët rob britanikë dhe amerikanë. Rusia ka qenë në luftë 48 orë me Bullgarinë, e pastaj i ka treguar Britanisë së Madhe për të qëndruar sa më larg Bullgarisë, e me të cilën Rusia është sjellë mirë.
Zotëri Mollotovi nuk pajtohet. Rusia nga Bullgaria ka pësuar më tepër se sa Britania e Madhe, pra mos të përmendet lufta e fundit, por Bashkimi Sovjetik nuk ka dëshiruar që t’i shumëzojë armiqtë e vet. Në disa raste është hamendur që t’i shpallë luftë Bullgarisë. Të këqijat që ia ka sjellë Bullgaria Bashkimit Sovjetik shumëfish janë më të mëdha nga të këqijat e çdokujt tjetër. Rumunia dhe Bullgaria janë vende bregdetare të Detit Zi. Asnjëra nuk ka dalje në Mesdhe, prandaj Britania e Madhe do të duhej të kishte më shumë interesa për ato vende, Zotëri Mollotov nuk flet për Greqinë. (Nuk e nxënë në gojë as Shqipërinë fare-HB). Bashkimi Sovjetik është i përgatitur për t’i ndihmuar Britanisë së Madhe që të bëhet e fuqishme në Mesdhe, por shpreson se ajo do t’i ndihmojë Bashkimit Sovjetik që të jetë i fuqishëm në Detin e Zi. Ky është shkaku që jemi të interesuar për Bullgarinë. Bullgaria nuk është Greqi, Itali, Spanjë, ose as Jugosllavi.
Zotëri Eden thekson se Britania e Madhe nuk ka interesa të posaçme në bullgari, prandaj ka kërkuar mjaft pak. Por, ishte në luftë me Bullgarin dhe në çështje duhet shikuar nga ana britanike nga ajo pike e shikimit. Rasti e ka caktuar që Tito ka shkuar në Kosovë duke mos e lajmëruar qeverinë e vet, prandaj me të drejtë do të bëhen kritika. Tito lidhë marrëveshje që trupat bullgare të mbesin në Jugosllavi, që është marrëveshje në mes Bullgarisë, Jugosllavisë dhe Rusisë. Do të krijohet një përshtypje e keqe dhe do të lajmërohen dyshime në lidhje me qëllimet ruse.
Zotëri Mollotov thekson dhe konsideron që mareshali Stalin është pajtuar me (ndikimin ekonomiko-shoqëror në favor të Rusisë-HB) 75:25 për Bullgarinë por 60: 40 për Jugosllavinë (gjithashtu në favor të Rusisë-HB). Konsideron që marinarët britanikë Detin e Zi nuk do ta quanin “det”, por vetëm liqe. Pas luftës së këtillë dhe viktimave të Bashkimit Sovjetik, çdokujt do të ishte e qartë se ata do ta garantonin sigurinë e vet. Për sa i përket Mareshalit Tito, për here të pare e shohim tani në Moskvë, ndërsa as mareshali Stalin më pare nuk e ka njohur. Mendimi i tij (Stalinit-HB) është se Tito është njeri i ndershëm dhe miqësisht i disponuar ndaj Bashkimit Sovjetik. Në këtë nuk ka dyshim. Djali i Zotëri Churchillit e ka takuar dhe mund të dëshmohet për ndikimin e Titos. Do ta vërtetoja atë që ai zotëri Mollotov, ka folur për ndershmërinë e tij dhe përkushtimin. Duke mos i informuar britanikët dhe amerikanët për vizitën e tij në Moskvë, Tito dyfish ka gabuar. Lidhur me takimin me Stalinin është sjell sikurse për një reklamë me të cilën do ta ngiste autoritetin e tij. Në Itali ai (Tito) është takuar me Premierin (Churchillin).
Zotëri Mollotovi konsideron se ai (Tito) po vepron mjaft si provincialist (mundohet diplomati rus ta zbusë zemërimin anglez-HB). Prandaj shumicën e kohës e ka kaluar nëpër male. Dëshiron diskretëri, por nuk ka qëllime të ulëta (të këqija).
Zotëri Eden deklaron se ankohet që qeveria e Lartmadhërisë së Tij nuk është lajmëruar. Një kohë nuk është mundur të gjendet Tito. Por, nuk ka qenë nëpër male por në ujdhesën Vis.
Zotëri Mollotov paraqet mendimin që Tito shumë shpejtë do të jetë në Beograd (më 20 tetor çlirohet Beogradi nga rusët-HB), prandaj provincializmi i tij me kohë do të zhduket.
Zotëri Eden tregon se ndërkohë po lidhë (Tito) marrëveshje me Bullgarinë.
Zotëri Mollotov deklaron se konsideron që ai (Tito), nëse i tregohet çka duhet punuar, do të mund t’i përmirësoi gabimet e tij. Mendon se për këtë do të mund të merreshim vesh. Për sa i përket Bullgarisë, zotëri Mollotyov i ofron dy alternativa. Do të bisedojë me mareshalin Stalin. E pyet zotëri Edenin, cila alternative është më e pranuar.
Zotëri Eden tregon se nuk ke hallin te numrat. Interesimi rus për Bullgarinë i është i kuptueshëm për Britaninë e Madhe dhe atë e përkrahë. Por ajo (Britania-HB) kërkon diçka më tepër se sa në Rumuni. (Tregtia me treva të huaja të popujve të vegjël nuk ka brirë!!!-HB). Nëse Zotëri Mollotovit nuk i pëlqen formula amerikane, do ta shqyrtojnë secilën (Formulë-HB) që e propozojnë rusët. Për shembull, komisioni në vend të Komisionit mbikëqyrës mund ta quajmë Komisioni mbikëqyrës sovjetik, ndërsa në te do të ishin përfaqësuesit amerikanë dhe britanikë.
Zotëri Mollotov pyet a mund të merremi vesh për (me?) Jugosllavinë.
Zotëri Eden shtron pyetjen për çka mund të vendosim.
Zotëri Mollotov kërkon ndikim më të madh për Bashkimin Sovjetik. Bashkimit Sovjetik nuk i ka mbetur deri te gjendja në bregdet. Ka gatishmëri në mbetet në “liqenin” e vet.
Zotëri Eden deklaron se politika e përbashkët do të ishte më e pranueshme. Duhet rregulluar shumë çështje. Kur Jugosllavia do të jetë e lire, do të shtrohet pyetja e marrëdhënieve në mes Titos dhe qeverisë në Londër. A do të bashkohen?. A do të ekzistojë pushteti i përbashkët?. Do të ishte e dobishme që aleatët të mbajnë qëndrime të përafërta.
Zotëri Mollotov pajtohet që asaj çështje është e nevojshme t’i jepet rendësi e veçantë. E lutë shkëlqesinë Archibald Clark Keer për këshillë se çfarë të bëjë.
Shkëlqesia Archibald Clark Keer konsideron se më së miri do të ishte për t’i bashkuar Titon dhe Shubashiqin-ndërsa qeveria sovjetike dhe Lartmadhëria e Tij (Britania) do të mund të ndikojnë duke shfrytëzuar pozitën - pastaj ata do të mund të vendosin se cilin sistem të qeverisjes e dëshirojnë-monarkinë, republikan, ose diçka të tretë.
Zotëri Mollotov deklaron se do ta informojë mareshalin Stalin dhe konsideron se si do të gjemë zgjidhje. Zotëri Eden duke përmbledhur tërë shqyrtimin, deklaron në lidhje me Bullgarinë pyetjen e hapur të komisionit mbikëqyrës pa përfundimit të luftës me Gjermaninë. Pajtohen që bisedimet të mbahen në Moskvë dhe do të duhej bërë nënshkrimin e përbashkët (të ndarjes së interesit-HB).
Zotëri Mollotov ndërhyn se kjo çështje ka lidhje edhe me Jugosllavinë.
Zotëri Eden nuk pajtohet. Apelon që çështja bullgare të zgjidhet brenda 24 orëve, pasi shtyrja është e paqartë.
Zotëri Mollotov deklaron se do të bëjë çdo gjë që mundet. (Me këtë kjo mbledhje maratonike mere fund. Por para opinionit shtrohet pyetja si është e mundur që me popuj dhe treva superfuqitë të bëjnë një tregti të tillë koloniale. Kështu është bërë fati i popujve të vegjël dje, kështu bëhet edhe sot e si do të bëhet nesër nuk ka dyshim se drama tragjike do të vazhdojë-HB).

In memoriam:Kiço Fotiadhit


Kiço Fotiadhi, spikeri i parë i lajmeve në RTSH, ka ndërruar sot jetë në moshën 74-vjeçare, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.
Fotiadhi, gazetar i njohur shqiptar, ka dhënë emisionin e parë të lajmeve në historinë e sapo nisur të Televizionit Shqiptar.
Ai është dekoruar nga ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi, me Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë me motivacionin: “Protagonist i shquar i ekranit televiziv, promovues i eventeve me rëndësi kombëtare, gazetar i njohur novator”. Radiotelevizioni Shqiptar ditën e nesërme do të zhvillojë homazhe për nder të Kiço Fotiadhit.

Karriera e Kiço Fotiadhit

Më 13 mars të vitit 1963 Fotiadhi ka dhënë për herë të parë lajmet në studion e parë televizive ku qëndroi deri në vitin 1994. Atëherë ishte vetëm 23 vjeç dhe studionte për aktrim, por thirrja për t’iu përkushtuar televizionit e ndau përfundimisht nga rruga e artit.
Zëri i tij ishte bërë tashmë i njohur nëpërmjet valëve të Radio Tiranës, që atëherë quhej, Radio Difuzioni, që në 1959 ku ai punonte si bashkëpunëtor.
Gjatë 30 viteve të karrierës së tij gazetareske, ai arriti të hynte në çdo familje shqiptare duke lënë si gjurmë të paharrueshme, zërin dhe portretin e tij.

Këndohet shqip në zemër të Serbisë- Nata e madhe e artit të Kosovës në Beograd

Nata e madhe e artit të Kosovës në Beograd pritet të hapet me koncertin e këngëtares Rona Nishliu, në përcjellje të pianistit nga Tirana, Genti Rrushi.

Zëri i Ronës do të jetë ndër të parët që jehon jo vetëm në filarmoni, por mbi hapësirat politike.
“Unë kam mbajtur koncerte në vende të ndryshme të botës, por këtë herë është, ky koncert paraqet një hapësirë tjetër për të shprehur punën time dhe të bashkëpunëtorëve të mi. Është interesante që në një institucion kaq prestigjioz siç është filarmonia e Beogradit të këndohet pas kaq shumë vitesh në shqip”, ka thënë Rona Nishliu.

Festivali, “Mirëdita, dobar dan”, i organizuar për të promovuar kulturën e Kosovës në kryeqytetin serb, paraqet një fillim të thyerjes së rrjetës shumëvjeçare të mbajtjes peng të komunikimit. Ka pasur edhe më herët organizime, por jo një festival i tërë.

Në një konferencë njerëzit e kulturës dhe shoqërisë civile, thanë se arti mund të thyej çdo kufi. Por, mosdija që ekziston e pranohet lehtë, bëhet pengesë.

“Përveç dialogut politikë e institucional, duhet të ekzistoj edhe një dialog qytetar në mes Kosovës dhe Serbisë. Politika duhet ta kuptoj se në Bashkimin Evropian nuk integrohen vetëm institucionet dhe shteti”, u shpreh Millenko Dereta, Nismat Qytetare, Beograd.

Bekim Lumi, regjisor nga Prishtina, kishte sjellë një fjalor shqip serbisht që i ka shpëtuar nga lufta, si simbol i komunikimit.

“Shpresojmë se arti posedon me atë fuqi të gjuhës së tij universale, e cila mund jo vetëm të japi shenja të tilla, por edhe efekte të qëndrueshme, të cilat do të tregohen në marrëdhëniet e dy vendeve tona”, tha Bekim Lumi, regjisor.

Festivali, që zgjat për tre ditë, do të ketë disa shfaqje, filma e debate që vinë nga kultura kosovare. Më parë një pjesë e ngjarjeve kulturore janë përcjellë me kërcënime dhe kërkesa për ndalim.

MIRËSE VJEN PAPË NË SHQIPËRI !!!!





Papa Francesku do ta sjellë enkas për Bibliotekën Kombëtare një kopje të Mesharit të Gjon Buzukut.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama gjatë një vizite në ekspozitën “Katolicizëm dhe kulturë”, një kolazh veprash të personaliteteve katolike, emra të rëndësishëm të kulturës dhe artit shqiptar si; Buzuku, Bogdani, Bardhi, Fishta, Gjeçovi, e shumë të tjerë, ka bërë me dije se gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Papa Francesku do ta sjellë enkas për Bibliotekën Kombëtare një kopje të Mesharit të Gjon Buzukut.
Ekspozita e organizuar nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, përçon nëpërmjet veprave dialogun ndërfetar dhe tolerancën fetare në Shqipëri.
Drejtorja e re e Bibliotekës Kombëtare Persida Asllani, është shprehur se ekspozita është konceptuar si një ftesë “për të kujtuar së bashku, jo vetëm kontributin që vjen nga kleri katolik dhe të gjithë njerëzit e këtij komuniteti, por për të ndjekur edhe atë rrezatimin e vazhdueshëm që vjen deri në ditët tona dhe shënjon edhe modernitetin tonë, shënon atë identitetin tonë evropian, së bashku me një nga specifikat tona me të hijshme, siç është bashkëjetesa dhe harmonia fetare”.

Policia e Tiranës ka nisur në orët e para të së shtunës zbatimin e masave të sigurisë me rastin e vizitës së Papa Françeskut.

Si pjesë e këtyre masave është ndaluar qarkullimi i automjeteve përgjatë bulevardit “Dëshmorët Kombit” dhe forca të shumta policore janë vendosur nëpër kryqëzimet kryesore të kryeqytetit për të normalizuar trafikun.
Në të njëjtën kohë ka nisur edhe heqja e automjeteve të parkuara në akset rrugore ku është njoftuar një ditë më parë ndalim-parkimi.
Të gjitha këto masa janë pjesë e planit për garantimin e vizitës së Papa Françeskut që mbërrin në Rinas të dielën në orën 09:00.
Në Tiranë do të ngrihen 27 pika kontrolli, në të gjithë perimetrin që rrethon sheshin “Skënderbej”, bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshin “Nënë Tereza”.
Sipas policisë, në këto pika do të realizohet kontrolli i të gjithë pjesëmarrësve në ceremoni me detektor metalesh. Policia paralajmëron të gjithë ata, që duan të marrin pjesë në ceremoni, se nëse nuk do të pranojnë t’i nënshtrohen këtij kontrolli do të shoqërohen në komisariatet e Tiranës.
Personat që do të marrin pjesë në ceremoni me ftesa duhet të kenë edhe kartën e identitetit, në të kundërt nuk do të lejohen. Nga ana e Gardës së Republikës njoftohet se, nëse dikush ka ftesë por nuk është në listën që disponon Garda, do të shoqërohet në ambientet policore.
Masat e sigurisë, të dielën do të jenë tepër të rrepta. Në të gjitha tarracat e larta të kryeqytetit do të vendosen të paktën 50 snajperë, që do të vrojtojnë edhe lëvizjen më të dyshimtë.
Sa i përket lëvizjes së Papës drejt Aeroportit të Rinasit dhe fshatit Bubq, policia njofton se aksi rrugor në drejtim të Rinasit do të jetë i bllokuar të dielën, nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 10:30 minuta, ndërsa të gjitha akset që të çojnë në Bubq do të jenë të bllokuara nga ora 17:00 deri në orën 19:00.
Ministria e Brendshme është duke marrë të gjitha masat për sigurimin e vizitës së Papës në Shqipëri, përfshi gjithë institucionet e tjera të zbatimit të ligjit, si Policia e Shtetit, Shërbimi Informativ Shtetëror, Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, Garda e Republikës, si dhe Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile.
Drejtues i këtij operacioni do të jetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi. Policia i ka kërkuar qytetarëve të kufizojnë në orët në vazhdim lëvizjet me automjetet e tyre, në të gjitha akset rrugore të qytetit të Tiranës, për shkak të kontrolleve të shumta, që do të kryejë në orët në vazhdim, deri në ardhjen e Papës.
Janë marrë masat edhe për emergjencat mjekësore, një hartë e shpërndarë nga Shteti shqiptar dhe që do t’u jepet të gjithë vizitorëve, shpjegon qartë se ku ndodhen autoambulancat, si dhe qendrat shëndetësore në rast nevoje. 

Ndërsa  Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e konsideron të rëndësisë së veçantë dhe historike, vizitën që këtë të diele do ta bëjë në Shqipëri Ati i Shenjtë, Papa Françesko.

Haradinaj ka thënë se pas vizitës së Papa Gjon Palit II, në vitet ’90-ta, ardhja e Papa Françeskut në tokën shqiptare shënon një moment tjetër të rëndësishëm të raporteve të ngrohta dhe të afërta midis shqiptarëve dhe Vatikanit, midis kombit tonë dhe botës perëndimore, në përgjithësi. “Shqiptarët, si popull me harmoni dhe mirëkuptim historik ndërmjet besimeve, i kanë dhënë botës dhe krishterimit, po ashtu, njerëz të mëdhenj, që në kohë të ndryshme me kontributin e tyre u shquan në mbrojtjen dhe sublimimin e vlerave të vërteta njerëzore”, është shprehur Haradinaj, duke shtuar se shqiptarët, në këto relacione, i kanë dhënë Evropës dhe qytetërimit perëndimor, heroin kombëtar dhe të Evropës, Gjergj Kastriotin-Skënderbeu. “E në ndërkohë dijetarët mëdhenj të shekujve, si Pjetër Bogdani, e deri te humanistja e madhe, Nënë Tereza. Vizita e këtyre ditëve e shenjtërisë së Tij, Papa Françeskut, do ta farkojë edhe më tej afërsinë shqiptare dhe përkushtimin tonë ndaj vlerave të lirisë, paqes, humanizmit, tolerancës dhe mirëkuptimit midis njerëzve dhe bashkëpunimin e drejtë me Vatikanin dhe mbarë botën perëndimore”, ka deklaruar Haradinaj.

Dr.Flora Brovina:Seanca mund të mbahet javën e ardhshme


Kryesuesja e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina, ka thënë se vetëm ajo mund ta thërras vazhdimin e seancës konstituive e cila mund të mbahet javën e ardhshme.
Por, para caktimit të seancës, Brovina ka kërkuar të gjendet një zgjidhje mes partive politike e jo të ketë përsëritje të dy seancave të fundit pasi në të parën shumica e deputetëve kishin shkelur Kushtetutën, e në të dytën PDK-ja kishte dështuar ta zgjidhte Prof.dr. Arsim Bajramin për udhëheqës të Kuvendit. “Mund të ketë seancë javën e ardhshme, por duhet të dihet se për çka mbahet ajo seancë”, ka thënë Brovina.

Ajo ka bërë me dije se gjatë javës së ardhshme do të sqaroj se kur do të mbahet seanca.
Brovina ka thënë se secili deputet dhe parti politike e ka të qartë se vetëm ajo mund ta thërras seancën e Kuvendit të Kosovës dhe jo ndonjë deputet tjetër.

Në këtë situatë, Brovina thotë se nëse s’ka marrëveshje mes partive politike është e kotë të thirret vazhdimi i seancës konstituive. “Mos të turpërohemi edhe një herë. Seanca e radhës duhet të jetë përmbajtjesore e jo vetëm hajt të shkojmë formalisht dhe të mos gjejmë zgjidhje. Ose duhet të jetë seancë përmbajtjesore ose duhet ta lëmë krejt këtë punë”, ka shtuar ajo.

Papa në Shqipëri, do të këndojnë Frederik Ndoci dhe Inva Mula

Papa në Shqipëri, do të këndojnë Frederik Ndoci dhe Inva Mula

“Ndihem i privilegjuar që më kanë dhënë shansin të këndoj për Papën. Mendoj se jam i përzgjedhur në radhë të parë se jam katolik, e kam dashur dhe e dua fenë time dhe vetë Papën.

Veç kësaj, unë kam vite që këndoj për fenë, kam bërë edhe disa këngë për martirët. Ndihem i nderur që më në fund do t’ju këndoj sakrificave të të parëve tanë, të cilët për 13 breza me radhë kanë vuajtur dhe janë fshehur në male vetëm për të ruajtur fenë.
Do t’i kushtoj një këngë, që kam krijuar prej disa muajsh për martirët që diktatura e Enver Hoxhës i vrau”, tha Ndoci.

Këngëtari rrëfen se performancën do e nisë me një duet me bashkëshorten, më pas do të këndojë disa këngë fetare.

Po ashtu gjatë ceremonisë do të këndojë edhe sopranoja me famë botërore Inva Mula, e ftuar posaçërisht për ngjarjen.

Nënë, të detyrohem për gjithcka…


Ti je e vetmja që ke duruar të qaren time në mes të nates dhe ke sakrifikuar orët e gjumit për t’u kujdesur për mua. Ti me atë dashurinë tënde të ëmbël, më ke veshur, më ke zhveshur, më ke larë dhe nuk je lodhur aspak. Prej teje kam mësuar se cdo të thotë të duash një mashkull dhe të vlerësosh të qënit femër. Ti më ke treguar sekretet e jetës, si te jesh e sjellshme, e
dashur apo indiferente. Ti më ke mbështetur kaq e kaq herë, edhe kur të gjithe ishin kundra meje, me ke falur cdo gabim sikur të mos kishte ndodhur. Nënë, ti më ke përgatitur si të jem shumë veta brënda meje: shoqe,vajzë e dikujt, bashkeshorte, nënë edhe si te jem femër mbi të gjitha. Ajo ndjesia e përkedheljes tënde, më mahnit tek përshkon floket e mi, shoqëruar me atë shikimin tënd dhe duket sikur thotë: “Ah biri ime, je rritur tashmë, rrugen e bën edhe vetëm dhe unë jam kaq krenare për ty”. Por, ajo që është krenare, jam unë për ty.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...