Agjencioni floripress.blogspot.com

2014/10/17

Të rritur në “Europën Qendrore” të Milan Kunderës


Jonathan Bousfield
growing upNjë bisedë me tre shkrimtarë të njohur, fitues çmimesh, të cilët u rritën në një Europë Qendrore që, Milan Kundera dikur e përshkroi si Perëndimi i marrë peng. Ndodh që këta kombe të vegjël, vazhdojnë të jenë bartës të të vërtetave të rëndësishme
30 vjet më parë, shkrimtari çek, Milan Kundera shkruante për ndarjen kulturore dhe pasojat e saj, në esenë tashmë të famshme “Tragjedia e Europës Qendrore” (e botuar fillimisht në revistën franceze “Débats” në nëntor 1983, dhe më pas në “New York Review of Books” në prill të një viti më vonë), duke ndezur një debat të gjatë mbi fatin e kulturave europiane, që kishin “ngecur” në anën e gabuar të ndarjes së Luftës së Ftohtë.
Eseja e Kunderës fillimisht ofronte një lexim pesimist. Jo vetëm që argumentonte se Europa Qendrore përbënte një “Perëndim të marrë peng”, i rrëmbyer nga një qytetërim i huaj, bizantino-bolshevik, por ai pretendonte gjithashtu se pjesa tjetër e kontinentit ishte në një gjendje të thellë dekadence, e si pasojë nuk mund të kuptonte se çfarë kishte humbur. Megjithatë, ajo që fillimisht dukej si një requiem, më tej mori një lustër optimizmi. Në Kremlin erdhi në pushtet Mikhail Gorbaçovi, blloku sovjetik tregoi shenja të hapjes së dritareve dhe më pas, Europa Qendrore shumëetnike dhe kozmopolite që përshkruante Milan Kundera u rikthye me shpejtësi, si një simbol i asaj që Europa mund të bëhej sërish, dhe jo diçka që ishte humbur një herë e përgjithmonë.
Mentalitet
Tridhjetë vjet më vonë, shumica e shteteve në Europën Qendrore të Kunderës janë integruar në Bashkimin Europian dhe në NATO, dhe vetë termi “Europë Qendrore” nuk është më i nevojshëm, as si thirrje antisovjetike dhe as si shenjë dalluese e përkatësisë kulturore. Megjithatë, shqetësimet kulturorë që ngrinte Kundera nuk është e thënë të jenë zhdukur, thjeshtë për arsye se konteksti ka ndryshuar. Europa gjendet sërish në mes dy superfuqive me pikëpamje të ndryshme për botën, dhe kombet e vegjël mund të jenë sërish bartësit e të vërtetave të rëndësishme.
growing up in kundera 2Shkrimtar i suksesshëm dhe intelektual i spikatur, Milan Kundera ishte futur në listën e zezë prej regjimit çekosllovak gjatë periudhës së “normalizimit”, që pasoi pushtimin sovjetik të Pragës në 1968. Pasi emigroi në Francë në 1975, ai gëzoi një sukses të madh, dhe romanet “Libri i të qeshurave dhe harresa” (1979), dhe “Lehtësia e papërballueshme e qënies” (1984) ishin vepra që sollën historinë e vonë të Cekosllovakisë para një publiku të gjerë. Pjesërisht falë popullaritetit ndërkombëtar të Kunderës, lexuesit e arsimuar perëndimorë kaluan pjesën më të madhe të viteve tetëdhjetë duke u interesuar për atë që ndodhte në gjysmën lindore të Europës. Fati i Europës Qendrore ishte një temë kryesore kur Philip Roth intervistoi Kunderën për “New York Times Book Review” në vitin 1980, kështu që ky lloj bashkëbisedimi kish kohë që kishte nisur, përpara se të shfaqej “Tragjedia e Europës Qendrore” në vitin 1984. Pothuajse në të njëjtën kohë, në gjuhën angleze u botua “Antipolitika”, eseja e gjatë e shkrimtarit hungarez György Konrád, në të cilën shkruante për ndarjen Lindje-Perëndim. Argumenti i Konradit ishte që Europa Qendrore përfaqësonte shansin e fundit të madh të kontinentit për të ndërtuar një hapësirë social demokratike, që nuk do të ishte as natyrë sovjetike dhe as natyrë liberal kapitaliste. Ndonëse është utopi, ndoshta ia vlen të rishikohet. Madje, “The New York Times” botoi atëherë një polemikë mes Kunderës dhe fituesit të ardhshëm të Cmimit “Nobel”, Jozef Brodski, në lidhje me kulturën ruse dhe dështimet saj. E vështirë të imagjinosh që gazetat perëndimore do i jepnin kaq shumë hapësirë intelektualëve jo anglisht-folës sot.
Po ku ishte saktësisht Europa Qendrore? Pjesëmarrësit në debat pëlqenin të pohonin se Europa Qendrore nuk ishte aq shumë një rajon i caktuar, se sa një gjendje e mendjes, ndonëse për shkrimtarë si Kundera dhe Konrad ajo korrespondonte me ish territoret e Perandorisë së Habsburgëve, kolapsi i të cilës shihej prej tyre si një katastrofë kulturore. Jo vetëm sepse shteti i Habsburgëve përfaqësonte një komunitet me pluralizëm kulturor të shumë kombeve, por gjithashtu sepse Viena, përpara Luftës së Parë Botërore, kishte qenë djepi i modernizmit europian.
Për polakun e lindur në Lituani, Czeslav Milosz, Europa Qendrore përfshinte një territor të gjerë që shtrihej nga “Vilniusi Barok” në veri, deri tek “Dubrovniku i Rilindjes mesjetare” në jug, duke përfshirë pak a shumë gjithçka që shtrihej në lindje të gjermanëve, por që kishte kryesisht trashëgimi katolike apo hebreje. Ndërkohë që lartësohej pluralizmi etnik i Europës Qendrore, në të njëjtën kohë kishte një mendim të qartë të asaj që Europa Qendrore nuk ishte: Kristian ortodokse, islamike apo ruse.
Përcaktimi i qytetërimit
Jo të gjithë e pëlqenin këtë koncept. Shkrimtari austriak, Peter Handke e shpërfillte Europën si asgjë më shumë se sa një “shprehje meteorologjike”. Shkrimtari hungarez, Peter Eszterházi deklaronte në vitin 1991 se “një shkrimtar i përket një gjuhe, dhe jo një rajoni”. Danilo Kis i Jugosllavisë bënte kujdes kur shkruante në vitin 1987 se “koncepti i sferës kulturore europiano-qendrore është ndoshta më i pranishëm sot në perëndim, se sa në ato vende që logjikisht duhet të jenë në këtë sferë”.
Eshtë e qartë që për Kunderën, Europa Qendrore përcaktohej në pjesën më të madhe prej shkrimtarëve të saj (Franz Kafka, Robert Musil, Hermann Broch dhe Jaroslav Hasek ishin të preferuarit e tij) dhe se të shkruarit e romaneve ishte një prej gjërave që ndihmuan për të përcaktuar qytetërimin europian në përgjithësi. Duke patur këtë gjë në mendje, unë intervistova tre shkrimtarë bashkëkohorë që kanë fituar çmime – Tomás Zmeskál në Pragë, Juri Andrukoviç në Ukrainë dhe Miljenko Jergoviç në Kroaci. Secili prej tyre është formuar në Europën Qendrore Kunderiane, por janë shumë të rinj për t’i përkitur brezit të Kunderës. I pyeta nëse Europa Qendrore është ende e rëndësishme dhe, ku mund të gjendet.
I lindur në vitin 1966, me një prejardhje të përzierë çeke dhe kongoleze, Tomás Zmeskal krijoi një sensacion me debutimin e tij, sagën familjare të një familjeje në Pragë me titull “Letër dashurie me shkrim kuneiform”, duke fituar Cmimin “Jozef Skvorecki” në vitin 2009 si dhe Cmimin e Bashkimit Europian për Letërsinë në vitin 2011. Zmeskal ishte i pari prej shkrimtarëve që takova dhe ishte e qartë që në fillim, që për të Europa Qendrore është një kuriozitet historik, më shumë se sa një shqetësim aktual. Megjithatë, Zmeskal është rritur duke lexuar romanet e Kunderës, bashkë me shkrimtarë të ndaluar si Jozef Skvoreckin dhe rusin Aleksander Solzhenicin, libri i të cilit “Një ditë nga jeta e Ivan Denisoviçit” u botua në gjuhën çeke në vitin 1960, përpara se të tërhiqej nga libraritë publike pas vitit 1969.
“Në vitin 1970, ishte krijuar një ide që nëse autoritetet të kapnin duke lexuar Kunderën apo Solzhenicinin, atëherë do të ishin vërtetë shumë të këqinj me ty”, kujton ai. Pak a shumë çdo gjë që ia vlente ta lexoje ishte hequr nga raftet gjatë fushatës “së normalizimit” të viteve shtatëdhjetë, kur udhëheqësi komunist prosovjetik Gustav Husak shtypte gjithçka, sapo nuhaste ndonjë kundërshtim. “Në shumë drejtime, terreni për Pranverën e Pragës ishte përgatitur nga shkrimtarë si Kundera, Havel, Seifert dhe Prohaska”, shpjegon Zmeskal. “Kështu që, nuk është habi që pas Pranverës së Pragës komunistët vendosën që duhej të heshtnin shkrimtarët. Dhe ata shkrimtarë të cilëve iu mbyll goja ishin vërtetë më të mirët – në atë kohë nuk mund të gjeje ndonjë gjë me vlerë në librari”.
“Mbaj mend në vitin 1969, kur isha adoleshent, kam lexuar një polemikë mes Kunderës dhe Vaslav Havelit pasi gjeta gazetat origjinale diku në bodrum”, kujton Zmeskal, “dhe ishte një shkëmbim brilant pikëpamjesh  mes njerëzve që ishin në kulmin e fuqisë së tyre krijuese”. Kundera akuzonte Havelin për eksibicionizëm moral, që nxiste njerëzit të jepeshin pas akteve të kotë të rezistencës; ndërkohë që Haveli e konsideronte besimin e Kunderës tek kultura si tejet romantik. “Ishte një periudhë kur intelektualët çekë kishin vërtetë rëndësi, ndërkohë që sot nuk kanë. Dhe gjithësesi, ka një mosvazhdimësi në jetën kulturore çeke: Svorecki jetonte në Kanada, Kundera është ende në Francë; shumë pak prej brezit tonë kanë takuar personalisht shkrimtarë si ky, dhe unë e di që shumë pak prej kolegëve të mi kanë kaluar kohë duke pirë një gotë me ta”.
Diferencim
Ish-Jugosllavia ka qenë i vetmi vend komunist ku mund të gjendeshin lirisht veprat e Kunderës. Dhe romanet e tij, Miljenko Jergoviç i lexonte gjithë entuziasëm. I lindur në Sarajevë në vitin 1966, Jergoviç është shkrimtari kroat që është përkthyer më shumë në gjuhë të huaja. Libri i tij më i fundit, pjesërisht roman, pjesërisht autobiografi “Rod” (Klani) u botua në Kroaci në fund të vitit 2013.
“Në Jugosllavi, në vitet 1980 Kundera ishte një bestseller intelektual”, kujton Jergovic. “Dhe jo vetëm për intelektualët. Deri në vitin 1985, çdokush që lexonte libra, kish lexuar patjetër edhe Kunderën. Pavarësisht se çfarë mund të kishin thënë njerëzit, Kundera nuk trajtohej si një shkrimtar armiqësor në Jugosllavi. Ai ishte një shkrimtar shumë i mençur dhe realist, romanet e të cilit, ose episode të tyre, meritonin të ritregoheshin dhe ndaheshin me miqtë”.
Eseja “Tragjedia” u botua në gjuhën sllovene në vjeshtën e vitit 1984 dhe në gjuhën kroate një vit më vonë. Gjatë gjithë viteve tetëdhjetë, shtypi jugosllav ishte i mbushur me debate për Europën Qendrore, kryesisht për arsye se shkrimtarët sllovenë dhe kroatë e shihnin si një shans për të diferencuar hapësirën e tyre kulturore nga republikat e tjera “ballkanike” jugosllave. Në të vërtetë, Kroacia e sotme është një vend në të cilin ideja e Europës Qendrore qëndron aty, në sfond, sa herë që hapet debati për identitetin kulturor.
Përqafimi i idesë së Europës Qendrore shpesh herë thotë më shumë se çfarë nuk do të jesh, se sa se cila është përkatësia. Sic thotë Miljenko Jergoviç “është konteksti që përcakton të gjithë pozicionet tanë për Europën Qendrore, duke e kthyer çdo bashkëbisedim në lidhje me këtë ide në një bisedë reaktive, sikur të japësh goditje boksi ndaj një jastëku imagjinar”.
Nëse ka një vend ku ky debat vazhdon të ketë kuptim Kunderian, ky është Ukraina, një vend i cili edhe sot shtrihet në atë vijën ndarëse mes Europës Qendrore dhe Lindjes “Bizantine”. Eshtë një vend, gjysma lindore e të cilit ka qenë në orbitën kulturore ruse që prej shekullit 17, por gjysma perëndimore e të cilit ka kaluar pjesën më të madhe të historisë së vet nën Dukët e Mëdhenj të Lituanisë, Habsburgët apo Polakët. Këtu, debati i përkatësisë në Europën Qendrore mbetet shumë i gjallë.
I lindur në Ivano-Frankivsk në vitin 1960, Juri Andrukoviç është një prej figurave letrare ukrainase më me influencë, me pesë romane dhe disa koleksione me poezi dhe ese që mbajnë emrin e tij. Atij iu dha Cmimi “Herder” në vitin 2001 dhe Cmimi “Angelus” për letërsinë në Europën Qendrore në 2006. Bashkëbisedimi im me Androviçin u zhvillua në një vend pranë kafe Lviv, disa muaj pasi të nisnin protestat masive në sheshin Maidan të Kievit – ajo që ndodhi më vonë, vetëm sa i bën më kuptimplotë vëzhgimet e tij.
“Ndoshta është në natyrën e Ukrainës”, thotë ai, “është thjeshtë shumë e madhe për t’u absorbuar prej një lloji të caktuar standarti europian. Në njërën gjysmë të vendit, njerëzit as nuk e kanë idenë se ç’janë vlerat europiane. Ndërkohë që këtu, në Lviv për shembull, njerëzit flasin gjithë kohës për to”. Andrukoviç është i vetëdijshëm që koncepti i Europës Qendrore ka shumë pak kuptim për popullsitë rusisht-folëse në Ukrainën Lindore. “Nuk mundemi t’i bashkojmë ukrainasit përreth një ideje të Europës Qendrore; duhet të jetë një ide e përgjithshme ukrainase. Kështu që, duhet të punojmë pikësëpari me pjesë të tjera të Ukrainës, dhe më pas të propozojmë një vizion të përbashkët ukrainas, se çfarë kuptimi ka Europa për ne”. Eshtë tragjedi për Ukrainën që asnjë qeveri deri sot nuk ka arritur të artikulojë një ide të përgjithshme ukrainase, që do të kishte të paktën një farë kuptimi për njerëzit në çdo cep të vendit.
Europa ime
Në esenë e tij të vitit 1994, “Erc-Herc-Perc”, Andrukovic përshkruan se si gjyshja e tij kishte parë Franz Ferdinandin që parakalonte me një makinë të hapur përreth Ivano-Frankivskut (në Galici), pak javë përpara se ta vrisnin në Sarajevë. Eshtë një imazh i rëndësishëm për Andrukoviçin, jo thjeshtë sepse ofron pakëz histori familjare (paraardhësit e tij ukrainas dhe gjermanë mund të ishin takuar vetëm në botën shumëkulturorë te Monarkisë Habsburge), por edhe sepse e vendos Ukrainën perëndimore brenda Europës Qendrore të dukëve dhe husarëve. “Kishim nevojë për një sasi të caktuar të mitologjisë së Habsburgëve në vitet nëntëdhjetë, që të na ofronte një model alternativ për zhvillimin e një kulture të re ukrainase”, shpejgon ai. “Ndienim që askush në botë nuk e kuptonte që Ukraina ishte e ndryshme nga Rusia, dhe rizgjimi i trashëgimisë Habsburgase në Ukrainën perëndimore shërbeu si një mjet i fuqishëm për të bindur të tjerët që jemi ndryshe”.
Libri “Moja Europa” (Europa ime), me autorë Andrukoviç dhe shkrimtarin polak Andrzej Stasiuk, i botuar në vitin 2000, ishte në shumë drejtime një përpjekje për të riparë natyrën e Europës Qendrore për brezin e pas 1989-ës. Stili subjektiv dhe autobiografik i librit përcillte një ndjesi të fortë përkatësie të përbashkët, por e linte shumë të hapur çështjen e natyrës së Europës Qendrore, si dhe nëse është realitet apo utopi. “Ishte një përpjekje për ta parë këtë temë në një mënyrë emocionale, poetike, të çliruar nga dualizmi tradicional gjeopolitik i Lindjes dhe Perëndimit”, thotë Andrukoviçi.
Megjithatë, Andrukovici shkruan në libër, se ku sipas tij ndodhet gjeografikisht, historikisht dhe psikologjikisht Europa Qendrore. “Fakti i të jetuarit mes rusëve dhe gjermanëve, është shenja historike e karakterit të Europës Qendrore. Frika europiano-qendrore historikisht është luhatur mes këtyre dy alarmeve: ose po vijnë gjermanët, ose po vijnë rusët. Vdekja Europiano-Qendrore është një vdekje në burg ose vdekje në një kamp përqëndrimi, dhe si pasojë një vdekje kolektive”.
Nuk mund të mos mendosh që Moja Europa do të ishte një libër i ndryshëm nëse do të ishte shkruajtur sot. “Drama e situatës mes Lindjes dhe Perëndimit ka ende shumë lidhje për ne ukrainasit, ndërkohë që për polakët është vendosur tashmë: për ta, nuk ka nevojë më për një diskutim të mëtejshëm”.
Në të vërtetë, kur flet me Andrukoviçin të krijohet përshtypja se Ukraina është kufiri i fundit që ka mbetur i Europës Qendrore të Kunderës, ku beteja mes një shoqërie që aspiron për pluralizëm dhe një rivali monokulturor që nuk fal, shikohet me indiferencë nga pjesa tjetër e kontinentit. Sipas Andrukoviçit “sfera ruse vetëshpallet hapur si alternativë ndaj qytetërimit perëndimor. Dhe për mbrojtësit e sferës ruse ka gjithmonë një ose/ose kategorike. Nuk ka hapësirë për kompromis”.
Disa vite më parë, Andrukoviçi u përfshi në një projekt të quajtur “Potyah 76” (Treni Nr. 76), një faqe interneti që paraqiste idenë e Europës Qendrore në formën e një treni ndërkombëtar, ku secili prej vagonëve i kushtohej poezisë, prozës e kështu me radhë. “76 ishte treni që udhëtonte nga Gdansku në Detin Balltik deri në Varna në Detin e Zi, duke kaluar ndërkohë mespërmes Ukrainës perëndimore”, shpjegon Andrukoviçi. “Pas rënies së komunizmit, numri i pasagjerëve ra shumë dhe rruga u bë gjithnjë e më e shkurtër – versioni final i 76 kalonte nga qyteti kufitar polak i Przemyslit deri në qytetin Chernivtsi në jug të Ukrainës, përpara se të mbyllej fare për shkak të mungesës së fitimeve”.
Eshtë shumë tunduese ta mendosh idenë e Europës Qendrore si ky tren, i cili qëndron i braktisur në një hekurudhë diku në Ukrainën perëndimore, me shkrimtarët që vështrojnë nga dritaret e mbuluara prej mjegullës. Por sa kohë që vazhdojnë të shkruajnë, ia vlen të flasësh për trenin.

Mbreti i realizmit magjik

shuhet marquezGabriel Garcia Marquez, shkrimtari kolumbian, të cilin romani “Njëqind vjet vetmi” e shndërroi në një prej gjigandëve të letërsisë së shekullit 20, ndërroi jetë të enjten në shtëpinë e tij në qytetin e Meksikos, në moshën 87 vjecare. Vdekja e Marquezit u konfirmua nga Cristobal Pera, ish botuesi i tij në Random House.
García Márquez, i cili fitoi Cmimin Nobel për Letërsinë në vitin 1982, bëri letërsi me rrënjë në një panoramë mitike në Amerikën Latine, krijesë e tija, por kishte një tërheqje universale. Librat e tij u përkthyen në dhjetëra gjuhë. Ai ishte njëri prej një grupi jo të madh shkrimtarësh kanonikë – mes tyre Dickens, Tolstoy dhe Heminuay – që janë përqafuar si nga kritikët, edhe nga audienca në masë. “Cdo vepër e re e tij u prit nga kritikët dhe nga lexuesit si ngjarje me rëndësi botërore”, thuhej në letrën e Amademisë Suedeze në momentin e dhënies së Cmimit Nobel.
García Márquez konsiderohej si eksponenti suprem, në mos krijuesi, i zhanrit letrar të njohur si realizmi magjik, në të cilin vijnë e konvergojnë mrekullia dhe realja. Në romanet dhe tregimet e tij, stuhitë xhindosen për vite të tërë, lulet vijnë nga qiejt, tiranët mbijetojnë për shekuj të tërë, priftërinjtë fluturojnë, dhe kufomat nuk dekompozohen. Dhe më e bukura, të dashuruarit e ringjallin pasionin e tyre edhe kur kanë qenë gjysmë shekulli larg.
Realizmi magjik, thoshte ai, buronte nga historia e Amerikës Latine me diktatorë të ligj dhe revolucionarë romantikë, prej periudhave të gjata me zi buke, sëmundjet dhe dhuna. Duke pranuar Nobelin e tij, García Márquez tha: “Për poetët dhe lypësit, muzikantët dhe profetët, luftëtarët dhe faqezinjtë, të gjithë krijesat e këtij realiteti të pafre, na duhet të kërkojmë vetëm pakëz imagjinatë. Sepse problemi ynë kryesor ka qenë mungesa e mjeteve tradicionalë, për t’i bërë jetët tona pakëz më të besueshme”.
“100 vjet vetmi” ka shitur më shumë se 20 milionë kopje. Poeti kilen, Pablo Neruda e ka quajtur “zbulimi më i madh në gjuhën spanjolle që nga koha e Don Kishotit”. Shkrimtari Uilliam Kennedy ka thënë se është “e para vepër letrare që nga Libri i Gjenezës, që duhet të lexohet nga e gjithë raca njerëzore”.
García Márquez vetë nuk prentendonte se ka krijuar realizmin magjik. Ai ka thënë se disa elementë të tij janë shfaqur më herë në letërsinë amerikano latine. Por askush para tij nuk e ka përdorur këtë stil në mënyrë kaq mjeshtërore, me kaq bollëk dhe forcë. Realizmi magjik do të frymëzonte shumë shpejt shkrimtarët në të dy anët e Atlantikut, më të spikaturit Isabel Allende në Kili dhe Salman Rushdie në Britani.
Teksa vuante nga kanceri limfatik, që u diagnostikua në 1999, García Márquez ia kushtoi pjesën më të madhe të viteve që i mbetën për të hedhur në letër kujtimet e tij. Një përjashtim ishte romani “Kujtimet e lavireve melankolike”, që flet për marrëdhënien e dashurisë mes një 90-vjecari dhe një prostitute 14-vjecare, botuar në vitin 2004.
Në vitin 2012, vëllai i tij Jaime, ka thënë se García Márquez vuante nga dementia e shkaktuar prej pleqërisë dhe kishte pushuar së shkruajturi. Por Jaime Abello, drejtor i Fondacionit Gabriel García Márquez në Kartagjenë, tha se gjendja e tij nuk ishte diagnostikuar klinikisht.
Pera, botuesi i autorit tek Random House Mondadori tha në atë kohë se Gabriel García Márquez kish qenë duke punuar me një roman, “Shihemi në gusht”, por që nuk ishte lënë asnjë datë për botimin e tij. Sipas Peras, autori nuk dukej i prirur ta botonte. “Kaq larg sa kam shkuar, nuk mendoj se kam nevoj të botoj më”, i kishte thënë.
Përvc të shoqes, Mercedes, ai la pas dy djem, Rodrigo dhe Gonzalo.

100 vjet vetmi… pa Markezin

100 vjet vetmi pa markezinCentralistja në hyrje të gazetës së përditshme “Manifesti” (Itali) u rikthye e hutuar nga gazetari i ri që po kalonte aty pranë, në një mëngjes pranvere: “Dëgjo, ky zotëria thotë që është Gabriel Garsia Markez”. Djaloshi, i shushatur edhe ai, e njohu autorin e “100 vjet vetmi”, vëllimi klasik i një brezi të tërë në botë, me bëmat e kolonel Aurelio Buendias, që nxit revolucione duke i humbur të gjithë dhe përfundon duke krijuar peshq të florinjtë, i qetë dhe heroik si Garibaldi në Caprera. Një libër që, nga viti 1967 ka shitur 50 milionë kopje në 25 gjuhë, duke i dhënë shkrimtarit kolumbian Cmimin “Nobel” për Letërsinë në vitin 1982, dhe duke krijuar bumin e letërsisë amerikano-latine të viteve ’60 dhe ’70, aq e gjithëpranishme saqë Jose Donoso shkruajti ironiken “Historia personale e bumit”.
Garsia Markez tha me ngadalë: “Jam këtu për të takuar Rossana Rossandan”, atëherë drejtore e gazetës së majtë. Djaloshi rendi drejt zyrës së Rossandas, i pafrymë dhe i emocionuar: “Rossana, Rossana, është Markez!”. Themeluesja e të përditshmës, e famshme për përqëndrimin në artikujt e saj, iu përgjigj pa lëvizur: “Thuaji të lutem që të më presë pesë minuta”. Autori më i famshëm i botës, mik personal i Fidel Kastros, për vite të tërë i ndaluar në SHBA për shkak të kritikave ndaj Shtëpisë së Bardhë dhe politikave të saj kundrejt vendlindjes së tij, Kolumbisë, i dyshuari nga regjimi për trafik armësh për guerilasit dhe i detyruar të jetojë në mërgim në Meksikë, duhej të priste 5 minuta! Djaloshi u kthye me veshët ulur, por Gabo, sic e quanin miqtë Garsia Markezin nuk reagoi si femër, por tamam si kronisti që ka qenë gjithmonë: “Zanati që kam dashur më shumë, zanati im i preferuar, edhe përpara letërsisë, është gazetaria. Dëgjimi i historive të njerëzve, rrëfimi i tyre një për një në gazetë. Nëse do të më pyesnin se çfarë dua të bëj në jetë, një mijë herë do të përgjigjesha, gazetarin!”
Në një intervistë për Paris Review, një revistë shumë e sofistikuar letrare, Markez do të përsëriste i prekur: “Dua gazetarinë, mbi gjithçka tjetër”, duke kujtuar reportazhin e tij të jashtëzakonshëm të vitit 1955 “Rrëfim për një mbytje”, kronikë e rënies në det të marinarit kolumbian Luis Velasco, i rënë nga një anije tregtare dhe i mbijetuar deri në breg. Markez jep një shembull të letërsisë fantastike, ai “realizëm magjik” për të cilin kritikët i kanë njohur atësinë, “por unë nuk i dëgjoj, nuk i lexoj asnjëherë recensionet, as të mirët, as të këqinjtë, kritikët kanë idenë e tyre se si duhet të jetë letërsia e mirë, dhe të “hekurosin” për të të matur, a je brenda saj apo jo. Respektoj përkthyesit, por kujdes, nuk duhet të përdorin asnjëherë shënime në fund të faqeve”.
Duke qeshur, Gabriel Garsia Markez i tha djaloshit, që ende nuk e kishte marrë veten: “Eja të shkojmë të pijmë një kafe, që kur kam dashur të studioj kinema në Romë, në Qendrën Eksperimentale Kinematografike, kafeja romane është një moment unik. E di, Rossana është gruaja më inteligjente që unë kam njohur, dhe që do të të ndodhë të njohësh në botë, lëre të punojë”. Disa vite më vonë, do e përsëriste këtë gjykim, në një artikull për La Repubblica.
Kishte lindur në vitin 1927, në fshatin kolumbian të Aracatacas, ku era fryn prej Karaibeve, një model për Makondon e “Njëqind vjet vetmi”. Gjyshi i tij, që e dukonte kur i ati, Gabriel Elijio Garsia, me 11 fëmijë nga bashkëshortja Luisa Santiaga Markez dhe katër jashtë martese, telegrafist, homeopat, farmacist i dështuar, udhëtonte nëpër Kolumbi. “Gjyshja ime tregonte histori, nga më fantastiket, dhe më ka mësuar që nëse thua ‘Një elefant fluturon!’, askush nuk të beson, por nëse thua ‘Ej, 425 elefantë fluturojnë’, të gjithë të besojnë, dhe është teknika e gazetarisë që funksionon në romane”. Gjyshi kishte luftuar në Luftën e Një Mijë Ditëve, kur Kolumbisë iu desh të lëshojë Istmin e Panamasë, një burrë i ashpër dhe hijerëndë, model për “Kolonelin” e romanit më të bukur të Marquezit, “Kolonelit nuk ka kush t’i shkruajë”: hero i luftërave të humbura, i braktisur nga një regjim i korruptuar, me djalin të vrarë prej vrasësve me pagesë, i cili vë bast për shpengimin moral dhe ekonomik, falë dueleve të një gjeli të fuqishëm, refuzon t’ua shesë kafshën e mrekullueshme shantazhuesve. Dhe kur e shoqja, në fund i turret me histerizëm: “Po nëse gjeli nuk fiton? Cfarë do të hamë”?, ai i përgjigjet stoikisht: “Do hamë mut!”
Aventurat e Makondos janë kronika letrare ku gjenia i Markezit sjell teknikën gazetareske në majat e Nëntëqindës, atje ku Heminguei – idhulli i tij bashkë me Conrad Faulkner – nuk mundi ta çojë. Nëse kompania “USA United Fruit” ishte simbol i shtypjes për fshatarët, ja tek shfaqen masakrat romanceske, murtajat, varfëria tek “Njëqind vjet vetmi”, të këqia që luftohen me sensualitet, pasion, rreptësi. Politika e Markezit nuk del nga skema e revoltës amerikano-latine, as edhe kur presidenti Bill Clinton bëhet miku i tij personal: “Lexoja Njëqind vjet vetmi në universitet”, kur studioja për Jurisprudencë, nuk mundesha ta lija mënjanë as gjatë leksioneve”.
Elozhe për Kastron dhe Kubën, më vonë për populistin venezuelian Chavez. Kur demokracia më në fund fiton avantazh në Amerikën Latine, dhe shkrimtari rival Mario Vargas Llosa e fton që të denoncojë diktaturat, Marquez nuk ndërron regjistër: edukata personale, natyra e përulur edhe pas fitimit të Nobelit, bëjnë të pranojë edhe luftarakun Vargas Llosa: “Në politikë jo, por si shkrimtar është një gjigant”.
Pa Markezin nuk do të kishim lexuar asnjëherë kryevepra, si Pedro Paramo e Juan Rulfos, me zbritjen e frikshme në prerinë e vdekjes? Dhe Onettin, Dorfmanin, Cabrera Infanten, Cortazarin? Jo. Pas revoltave, luftërave, murtajave, humbjeve, Nobelit, librave, dashurive, Garcia Markez nuk ngrysej asnjëherë dhe buzëqeshte me dashamirësi: “Kam vetëm një peng në jetë, nuk kam patur një vajzë”. E qajnë e shoqja, dy djemtë, udhëheqësit në të gjithë botën, kritikët që nuk i lexonte dhe miliona lexuesit. 

Unë, Ujku i vërtetë i Wall Street-it

Seks, drogë dhe miliona dollarë. Takim me Jordan Belfort, ujku i vërtetë i filmit të Scorseses
ujku i verteteUjku është 51 vjec, nuk prek alkool dhe drogëra prej 17 viteve dhe jeton në një vilëzë normale pranë plazhit të Hermosa Beach, në mes të një shumëllojshmërie vrapuesish dhe ciklistësh. Eshtë truplidhur, muskuloz (“luaj shumë tenis” thotë), i shoqërueshëm dhe flet shpejt, me ritmin e famshëm njujorkez. A doni të dini nëse i ngjan Leonardo di Caprios, alter egos së tij në filmin “Ujku i Wall Street-it”? Mjaftueshëm. Sigurisht, Di Caprio është më i pashëm. Por shumë gjëra janë të ngjashme – që nga flokët, tek shikimi, dhe mbi të gjitha e folura – me Jordan Belfortin, protagonistin e vërtetë të historisë. “Me Leon kemi kaluar qindra orë së bashku… Tani ai më njeh më mirë se sa njoh unë veten time”.
Filmi, me regjisor Martin Scorsesen, është tashmë në krye të klasifikimit për të ardhurat në të gjithë botën dhe Leonardo Di Caprio ishte një ndër kandidatët më kryesorë për fitimin e cmimit Oscar si aktori më i mirë. Historia është kjo: një djalë i shkathët, në mesin e viteve tetëdhjetë bëhet pjesë e Wall Street-it dhe krijon një kompani broker-ësh (ndërmjetësuesish), punëson mijëra vetë, të cilët përmes receptorit të telefonit u shesin mijëra aksione të mirë dhe më pak të mirë klientëve të pavetëdijshëm. Kur aksionet më pak të mirë (mbi të cilët kanë investuar ata vetë) arrijnë një nivel të caktuar, e shesin pjesën e tyre, dhe i lënë “thatë” investitorët. Cfarë duhet bërë me milionat e fituara? Djaloshi, Belfort, blen shtëpira, Ferrari, helikopterë, jahte, paguan një ushtri me prostituta, jeton me kokainë dhe dhjetëra drogëra të tjera (“vetëm ajo që merrja unë do të mjaftonte për të “cambalazhuar” Guatemalën”), riciklon para në Zvicër, kapet nga FBI, vendos të bashkëpunojë, disintoksikohet, bën dy vite burg, pranon të rikthejë (me qetësi) 110 milionët tek viktimat, dhe shkruan kujtimet e tij, pikërisht me titullin “Ujku i Wall Street-it”.
Libri del në vitin 2007 dhe është një sukses i vogël letrar (vazhdimi i “Zjarri i madh i kotësive”, Tom Ëolfe, 1987, romani i parë që bëri të njihet bota e Wall Street-it). Martin Scorsese blen menjëherë të drejtat. Filmi i tij është një tronditje e vërtetë: seks, para dhe kokainë sic nuk ishin parë asnjëherë në kinema. Në zyrën e Belfortit – kur festohet një objektiv i arritur – një e thithur kokaine është gjëja më normale dhe të punësuarit e thithin prej gjokseve të prostitutave, ndërsa shefi e thith nga anusi. Një e punësuar pranon që të qethet zero në publik, në këmbim të dhjetë mijë dollarëve për të paguar silikonin. Merren me “qera” dy xhuxhë për t’i lëshuar kundër një kundërshtari në një festë. Askush nuk ka qëndruar indiferent ndaj filmit të Scorseses. Akuzat: është seksist, maskilist, vulgar përtej cdo limiti, por mbi të gjitha e paraqet këtë qenie të përcmueshme si një hero, një model. Entuziastët: është art i pastër, sic ishte Goodfellas, sic ishte Tony Soprano. Nuk bëhet kinema me moral, bëhet me realitetin. Scorsese është Balzaku i shekullit 21.
Dhe ja pra, një intervistë me protagonistin e vërtetë, për të folur për gjithë këto. Ujku i vjetër, i ulur në divan, me fotografitë gjigande të fëmijëve në mure dhe me ujë, vetëm ujë në frigorifer. Njeriu që ka kuptuar gabimet e tij, është hedhur në hithrat e botës së korruptuar.
Keni qenë vërtetë i tillë, si në film?
Po, Scorsese dhe Di Caprio kanë bërë një punë fantastike. Isha pikërisht kështu. Në Wall Street, 80 përqind punojnë vetëm falë kokainës. Të gjithë duan pasurinë. Mua më kanë pëlqyer gratë e bukura dhe doja gjithmonë e më shumë.
E nisim nga fillimi?
Ok. Familje e varfër, por e kulturuar, fillimisht në Bronx e më pas në Brooklyn. Shumë libra në shtëpi, në darkë ime më më thoshte: “Studio, do të bëhesh një mjek i madh që do të kurosh kancerin”. Ndërsa unë doja të bëhesha i pasur. E shihja pasurinë mu mbrapa qoshes, dhe e doja dhe unë. Isha mirë në shkollë, por zbulova që dija të shisja. Gjatë verës shisja akullore në plazhin e Coney Island, fitoja 500 dollarë në ditë. Afrova nja pesëdhjetë djem të rinj, shisnin bizhuteri. Më tej gjevrekë. Bizhuteri, gjevrekë dhe akullore. Me ato para shkova në universitet, u diplomova në biokimi. Më pas u rregjistrova në stomatologji. Që në leksionin e parë profesori më tha: “Duhet të të paralajmëroj që kohët e arta për dentistët kanë marrë fund”. U largova menjëherë. U pranova në LT Rothschild në Wall Street, roli im ishte ai i ndërlidhësit. Ose më saktë, duhet të rrija në telefon gjithë ditën dhe të arrija ta coja klientin tek marrësi (jo sekretaria). Në atë pikë, thosha: “Po ju kaloj shefin tim”. Dhe ai propozonte investimin dhe kryente marrëveshjen. Shefi im tërhiqte kokainë me hundë në publik, mbante këpucë me lëkurë krokodili, kishte një Rolex shumë të shtrenjtë prej floriri dhe fitonte 2 milionë dollarë në vit, mes bonuseve dhe komisioneve. Ishte një shkollë jete e jashtëzakonshme. Gjithcka mori fund të hënën e zezë të vitit 1987. Por në të vërtetë pikërisht aty nisi fati im.
Përse?
Sepse unë kam një talent natyral. Di të shes. E njoh psikologjinë e njerëzve, e di si të fitoj kundër frikës së tyre për të blerë. Krijova kompaninë time – e famshmja Stratton Oakmont dhe nuk thirra profesionistë, por të rinjtë e grupit të adoleshencës sime. Ashtu si unë, bij të popullit, asnjëri me diplomë. Donim të bëheshim të pasur. E c’të keqe ka këtu? Sot, unë e di mirë që njerëzit në Wall Street janë më të përcmuarit në botë.  Por nuk ndodh sepse fitojnë shumë, apo që kanë gjithë ata përfitime dhe bonuse.. Jo, jo. I urrejnë sepse kanë shkaktuar humbje të parave të klientëve të tyre. Nëse i bën të fitojnë, nuk të urrejnë, jini të sigurtë. Unë kam ndihmuar shumë njerëz të fitojnë para. Për fat të keq në fund kam shkaktuar edhe humbje për shumë njerëz, mu desh ta lë presidencën e kompanisë. Por Stratton nuk ka qenë asgjë krahasuar me kolosët e mëdhenj, me mashtrimin e të famshmeve “subprime”, me Lehman Brothers, me Bernie Mahdoff. Kur mendoj që, atëherë kur më arrestuan mua ai doli në televizion dhe tha që isha delinkuent! Ta ndajmë një herë e mirë: nëse unë të premtoj një titull në bursë dhe të them që fitimi është 25%, edhe ti e di mirë që është me risk. Apo gabohem? Dhe unë kisha një klientelë popullore, nuk kisha të pasurit. Në film, Leo flet në mikrofon, sic bëja unë, dhe ulëret: “Tani u shesim titujt e mirë, u shesim IBM, dhe kur t’i kemi mbërthyer, u shesim mut!” Ja, unë këtë nuk e kam thënë asnjëherë, është një sajesë. Madje ne u dërgonim letra klientëve ku u thoshim që është me risk.
Epo tani, Z. Belfort. Ju keni kuotuar në bursë një kompani të panjohur këpucësh mode, keni bërë të gjithë klientët tuaj që të blejnë aksionet, dhe në tre minuta keni fituar 28 milionë dollarë, më pas keni shitur aksionet tuaja, titulli u rrëzua dhe ua keni hedhur klientëve tuaj. Apo jo?
Eshtë disi më e ndërlikuar, por të themi që kështu ndodhi. E pranoj. Shikoni, jam unë i pari që them që është gjithë sistemi që nuk funksionon. Paraja, pasuria, lakmia kanë shumë rëndësi. Unë jam i pari që jam zënë në kurth. Gjithcka ndodh shumë shpejt, ka shumë intensitet. Duhet të ndryshojnë rregullat, nuk është e drejtë që një ndërmjetës të ketë bonuse milionësh vitin e parë, sepse kjo e shtyn të bëjë operacione të paligjshëm për të cilët më pas do ta paguajë. E ka bërë mirë Goldman Sachs që hoqi bonuset për harkun e pesë viteve. Eshtë e drejtë. Por mbetem me idenë që të shesësh një produkt të mirë – dhe duhet të jetë i mirë – është një sistem i mirë për të nxjerrë jetesën.
Z. Belfort, a jeni një i penduar ju?
Burgu më ka bërë mirë. E di që kam qenë budalla, i kam dhënë shumë peshë parasë. Shikoni, edhe në mesin e gjithë atij luksi, nuk isha i lumtur. Doja vajzat më të bukura, makinat më të bukura, por nuk isha i kënaqur. Jam më i kënaqur tani. Jam mësime teknika shitjeje. U shtoj vlera njerëzve, është gjë e mirë. Jam më i kënaqur sepse arrij të realizoj dicka, e kuptoni?  Bëj, transformoj. Më pëlqejnë ata njerëz, si tek Google apo Apple që bëjnë produkte të bukur dhe të dobishëm për njerëzimin, dhe nëse pastaj vjen fitimi, mirë se të vijë. Ndërsa këta të Occuppy Wall Street unë nuk i kuptoj fare. Për mua janë budallenj. Vendosin cadra dhe kërkojnë punë. Por shkoni të punoni, u them unë! Amerika është në gjendje t’u ofrojë punë të gjithëve, shikoni rastin tim. Dhe aspirata për pasurim nuk është vetëm legjitime, është e drejtë. Unë e pranoj, e kam ekzagjeruar. Kam bërë shumë gabime. Për shembull, ajo ideja që të dërgoja paratë në Zvicër. Isha naiv.
Z. Belfort, ju a konsideroheni një tradhëtar? A ka ndodhur ashtu si thuhet në film, që FBI vendosi një mikrofon të fshehur për të kapur të gjithë?
Po, ashtu ndodhi. FBI kërcënoi se do të arrestonte gruan time, që nuk kish fare punë. Eshtë e vërtetë që për ta shpëtuar, pranova mikrofonin. Por është po kështu e vërtetë që i dhashë në dorë ortakut tim, Danny një pusullë ku i thosha: “Mos fol, kam mikrofon”. Dhe është e vërtetë që ishte pikërisht Danny ai që foli. Eshtë gjithashtu e vërtetë që ktheva ato para që mundesha, 110 milionë, por ortaku im Danny nuk ktheu mbrapsht asgjë, ka një kompani që furnizon të gjithë spitalet e Floridës, një llogari bankare me 6 milionë dollarë në Majemi. Më mirë për të. Dhe më mirë për të gjithë të tjerët e Stratton Oakmont, që  ia hodhën paq. Por nuk do të ribëja asgjë. Kam kuptuar që kam gabuar. Paraja në vetvete është një gjë e tmerrshme!

SALMAN RUSHDIE: Jeta ime si “Joseph Anton”

salman 2Për më shumë se një dekadë, shkrimtarit Salman Rushdie iu desh të jetojë i fshehur nga qëllimet e ekstremistëve myslimanë për ta vrarë në zbatim të një fetvaje të lëshuar nga Irani. Rushdie flet në këtë intervistë në lidhje me eksperiencën e mundimshme si dhe përse ka zgjedhur të shkruajë për të në librin me kujtime.
Rushdie, ju i keni vënë librit me kujtime pseudonimin që përdorët gjatë periudhës që qëndronit i fshehur.
Po. E para gjë që më thanë policët ishte se më duhej një pseudonim me qëllim që të mundësoja disa gjëra praktike: duheshin marrë me qera shtëpi të fshehta, si dhe më nevojitej një llogari bankare apo të firmosja ceqe. Vec kësaj, truprojave të mi u duhej një emër i koduar që ta përdornin kur të flisnin me mua. Por mu desh të mendohesha për ditë të tëra për ta gjetur.
Pastaj, nga të gjithë mundësitë, ju zgjodhët “Joseph Anton”?
Emrat e dy prej shkrimtarëve të mi të preferuar: Joseph Conrad dhe Anton Chekhov. Në fillim doja të përdorja emrin e një personazhi që kisha krijuar për një roman të ri. Personazhi ishte pak konfuz mendërisht dhe quhej Ajeeb Mamouli. Dukej se ishte i duhuri. Ajeeb do të thotë “i cuditshëm” ndërkohë që Mamouli do të thotë “normal”. Kështu që unë isha Z. “I Cuditshmi Normal”. Një kontradiktë në ndryshim të vazhdueshëm. Kështu ndihesha.
Dhe?
Personave që merreshin me sigurinë time nuk u pëlqeu ky emër. Shumë i vështirë për t’u mbajtur mend, shumë i vështirë për t’u shqiptuar, shumë aziatik. Armiku ynë do të ishte në gjendje të zbulonte, thanë. Më pas kombinova emra shkrimtarësh të tjerë si: Marcel Beckett, Vladimir Joyce, Franz Sterne. Ishin të gjithë qesharakë.
Por truprojave u pëlqeu Joseph Anton?
Shumë. Që nga ai moment për ta unë isha Joe, për 10 vjet. Hey Joe, më thoshin. E urreja. Kur isha i vetëm në shtëpi me ta, gjithmonë u thosha: Hej djema, përse nuk pushoni së më quajturi Joe për pak caste? Askush nuk është këtu dhe të gjithë e dimë kush jemi. Ishte e kotë. Më pas, i thosha vetes: Joe, duhet të jetosh, deri kur të vdesësh.
A iu desh Joe-së të vdesë nëmomentin kur u hoq siguria juaj personale në 1999?
Po. U ndieva i cliruar.
E megjithatë ju tani e keni ringjallur.
Sepse doja që njerëzit ta kuptojnë se sa e cuditshme është të jetosh në një botë ku të urdhërojnë që të heqësh dorë edhe nga emri yt.
Në një intervistë për Spiegel dy vite më parë, ju keni thënë që kjo periudhë ka qenë shumë e dëmshme për ju, emocionalisht dhe psikologjikisht. A ju ka ndihmuar tani që të shkruani për të?
Për një kohë të gjatë, nuk ndihesha emocionalisht i aftë që të ripërjetoja realitetin e atyre ditëve. Nuk doja. Mendoja: Unë kam dalë nga ai tunel i errët dhe në një farë mënyre ia kam dalë të përplas derën pas vetes. Përse nuk e lë mbyllur! Por gjithmonë e kam ditur që një herë do të shkruaja për të. Kam mbajtur një ditar, pothuajse që nga dita e parë.
Cdo ditë?
Pothuajse përditë. Ndonjëherë janë gjëra të shkurtra, ndonjëherë histori më të gjata. U bënë një mijë faqe në fund, një kaos total. Emory University në Atlanta i katalogoi për mua. Krejt papritur, kisha të parashtruar përpara meje jetën time në kohën e fetvasë, ditë pas dite. Ishte pothuajse një tronditje. Shkrimet fillonin që nga vjeshta e 1988, kur “Vargjet Satanikë” u botuan, deri në 2003.
A e dinit që një ditë do të shkruanit për të? Apo ishte një formë autoterapie?
I kam hedhur në ditar me qëllim që të mund t’i mbaja mend. Ngjarjet ishin kaq të fuqishme, dhe cdo gjë ndodhi kaq shpejt, saqë e dija se nuk do të isha në gjendje të mbaja mend se cfarë kishte ndodhur. Në ato ditë tmerrësisht të vetmuara në izolim, të shkruarit ishte e vetmja gjë që më mbetej.
Si ishin ato ditë?
Ditën kur u nxorr fetvaja, 14 shkurt 1989, u largova nga shtëpia ime në Londër dhe nuk e dija që nuk do të kthehesha për shumë ditë. Operacioni “Malachite”, emri që Ekipi Special i policisë së Londrës i dha cështjes sime, nisi të nesërmen. Në muajt e parë më lëvizën vazhdimisht, në hotele, motele të cuditshëm që menaxhoheshin nga oficerë policie të dalë në pension, apartamente të miqve dhe, më vonë në apartamente dhe shtëpi që merreshin me qera në momentin e fundit. Ditët i nisja duke u përplasur me truprojat në kuzhinë, ndërkohë që vetë isha me pizhama.
Sa truproja kishit?
Gjatë të gjithë viteve, kisha gjithmonë 2 truproja me mua, 24 orë në ditë. Kishte edhe dy shoferë dhe dy makina të blinduara, një Jaguar i vjetër dhe një Land Rover edhe më i vjetër. Makina e dytë sillej gjithmonë në rast se e para do të prishej.
A është e mundur të mësohesh me këtë?
Po, sigurisht. Por një zë i fuqishëm në kokë refuzonte ta bënte. Refuzoja të lejoja veten time që të pranoja këtë si jetën time. Gjatë gjithë kohës, përpiqesha që t’i jepja fund.
Ju luftuat publikisht. Ju u mbrojtët dhe u përpoqët të bindni Iranin që të heqë fetvanë. Por ju bëtë gjithnjë e më shumë armiq si pasojë e betejës suaj. A ishte gjëja e duhur që duhej bërë?
Refuzova të lejoja vetveten që të hiqja dorë nga këndvështrimi që unë kisha për botën si dhe të pranoja panoramën e sigurisë që ofronte policia. Kur kjo ndodh, ti bëhesh krijesa e tyre, dhe duhet të bësh cfarë të thonë. E vlerësoja shumë mënyrën si po mbrohesha, e kuptoja sa e rëndësishme ishte, dhe disa prej truprojave u bënë miqtë e mi. Por fushata ime publike dhe negociatat me personelin e sigurisë synonin gjithmonë që të rifitoja jetën normale.
Si mund të ishte një jetë normale, duke patur parasysh rrethanat?
Thjeshtë shansi për të takuar lexuesit kur botohej një libër, apo të firmosja një libër. Por truprojat nuk e donin këtë. Racionaliteti i tyre përbëhej nga vlerësime të pastër të riskut. Ata ishin krenarë që nuk kishin humbur asnjëherë, asnjë nga njerëzit që mbronin. Dhe donin që kështu të mbetej. Ata i kuptonin nevojat bazë në jetën en jë personi, si për shembull mundësia për të takuar time shoqe dhe tim bir, apo edhe të dilja e të darkoja me miq herë pas here. Por firmosja e një libri? Për truprojat e mi, përpjekja e shërbimit të sigurisë ishte shumë më e madhe se sa dobia. Me kalimin e kohës arrita t’i bind ta provojnë. Kishin pritur mijëra protestues, por askush nuk u shfaq. Kështu që, herën tjetër ishte më e lehtë. Ka patur shumë beteja të tilla. Kjo ishte jeta ime.
A e dini sa i vërtetë dhe konkret ka qenë risku ndaj jetës suaj?
Kur takova truprojat e mi ditën pasi u publikua fetvaja ata ende thoshin se do të më mbanin të fshehur dhe mbrojtur në një hotel për disa ditë, deri kur “problemi të zgjidhej vetë”. Por asgjë nuk u zgjidh. Më vonë pati incidente që e bënë rrezikun të prekshëm. Një burrë në një hotel të lirë në Paddington u hodh në erë tek përpiqej të montonte një bombë. Më vonë u mësua se bomba po përgatitej për mua. Më pas pati sulme të rëndë ndaj dy prej përkthyesve të mi, si dhe botuesin tim norvegjez. Të gjithë këta sulme nuk vinin nga amatorë, por vrasës profesionistë, që pajtoheshin nga regjimi iranian.
A ishit i azhornuar me statusin e rrezikut?
Policët ma thanë se kur u rrit niveli i rrezikut, dhe një apo dy herë në vit shkoja në zyrat qëndrore të shërbimit të fshehtë britanik për t’u takuar me oficerët e ngarkuar me cështjen time. Ishin mbresëlënës. Ishin njerëz që nuk flisnin brockulla dhe e dinin cfarë thonin.
Në libër shkruani edhe që disa zyrtarë të lartë policie ishin të kujdesshëm ndaj jush.
Po, ka patur edhe nga ajo sjellje. Që nuk isha lloji i personit që ata duhej të mbronin. Ministri i Irlandës së Veriut? Ok, këtë e kuptojmë. Por unë nuk isha si të tjerët, ata që meritonin mbrojtje sepse kishin bërë dicka për vendin e tyre. Isha dikush që po mbrohesha sepse kisha shkaktuar telashe. Në këndvështrimin e tyre, ishte faji im që myslimanët më ishin vënë për të më vrarë. Disa pjesëtarë të policisë, jo të gjithë, nuk e kuptonin se si dikush ishte i gatshëm të shkaktonte një rrëmujë të tillë për një problem kaq të largët… Të paktën, nëse libri im do të kish qenë për Anglinë…
Kritikat nuk vinin vetëm nga policia dhe myslimanët, por gjithnjë e më shumë edhe nga kolegë dhe intelektualë. Ndoshta kritiku juaj më i ashpër, John le Carre, ju akuzoi se kishit sulmuar një armik të njohur, një që reagoi ashtu sic pritej të reagonte.
Mendoj se duhet të jetë penduar që ka thënë ato gjëra, sepse është njësoj si të thuash që të gjithë intelektualët që kanë qëndruar kundër tiranëve e kanë merituar atë që kanë marrë. Garsia Lorka e dinte se sa brutal ishte Franko. Osip Mandelstam e dinte cfarë të priste nga Stalini. A duhej ta kishin mbajtur gojën mbyllur? Ngritja e zërit ndaj armiqve të njohur është pikërisht cfarë shkrimtarët e kanë bërë me nder gjatë historisë së letërsisë. Që Le Carre të thotë se është faji i tyre, kjo në rastin më të mirë është naive. Nuk i bën nder hsitorisë së letërsisë.
Por ndoshta sulmimi i një feje nuk është njësoj si kritika ndaj një diktature.
Këmbëngul për të drejtën e lirisë së fjalës, edhe kur bëhet fjalë për fetë.
Kështu për disa ju u bëtë një “martir i fjalës së lirë”, sic ka thënë dikur John Updike, ndërkohë që për të tjerë ishit një person që hapte telashe, që kishte fyer pa patur nevojë miliona myslimanë. Kjo trysni publike erdhi e iu shtua rrezikut ndaj jush. A është e mundur ta injorosh dicka të tillë?
Jo. Por Gunter Grass më dha një këshillë të vlefshme. Ai ka një problem të ngjashëm me personin e tij publik. Në një pikë, më tha, e shihte vetveten si dy njerëz. Ishte Gunter, që ai e njihte, dhe që familja dhe miqtë e njihnin. Ishte dhe Grass, që dilte para botës dhe bënte zhurmë. Një herë më tha: Ndonjëherë kan ndjesinë që mund ta dërgojë Grass jashtë, para botës që të bëjë zhurmë, ndërkohë që Gunter mund të qëndrojë i qetë në shtëpi.
Pra në rastin tuaj ishte Joe, njeriu që po ruanin truprojat tuaja. Dhe ishte Joseph Anton, që merrte shtëpi me qera dhe firmoste ceqe. Pastaj ishte Rushdie, njeriu që hapte telashe, dhe Salman ishte shkrimtari që rrinte ulur në vendin e tij të fshehtë. Mjafton për ta cmendur një person.
Ishte vërtetë cmenduri. Kishte një hendek të madh mes perceptimit publik dhe të vërtetës time private. Mendoj se sa më i famshëm je, aq më i madh është hendeku. Për shembull, mendoj që Madonna nuk e sheh veten si njeriun për të cilin shkruhet në gazeta. Një herë e kam takuar dhe, e them ndershmërisht, ishte një tip goxha konvencional. Fliste për cmimet e pronave. Të vetmen herë që e kam takuar – dhe e vetmja gjë që diskutoi ishin cmimet e pronave të paluajtshme në Marble Arch në Londër.
Kur sulmohesh dhe mbrohesh ashtu si ju, a krijon njeriu realitetin e vet? Dhe a e merr veten shumë seriozisht?
Po. Prandaj u përpoqa të shkëputen nga fluska e sigurisë ku isha mbërthyer. Por nuk më lejonin ta bëja këtë në Angli, prandaj Amerika u bë kaq e rëndësishme për mua. Atje më lejonin të merrja vendimet e mi se si doja të jetoja, ndryshe nga sa ndodhte në Angli, ku gjithmonë kishte një rrjetë sigurie rreth meje. Dhe gradualisht arrita ta plas fluskën përreth meje. Kur po shkruaja “Toka nën këmbët e saj” në 1998, munda të jetoj në një shtëpi në Long Island për pothuajse tre muaj, pa patur policë përreth. Papritur isha në gjendje të ngisja makinën time. Mund të vendosnim dhe të dilnim për darkë. Isha i mbushur me gëzim.
A ka patur kohëra me depresion real para kësaj?
Po, ndonjëherë isha në formë shumë të dobët. Dhe këtë e kuptoj edhe më shumë tani që lexoj ditarin. Isha shumë i cekuilibruar në dy apo tre vitet e parë. Më vonë pati dhe sulme të ndryshëm depresioni.
Në kujtimet tuaja, shkruani në vetën e tretë. Duket sikur keni dashur të distancoheni nga personazhi që përshkruani.
Nuk dua të distancoj veten time nga vetvetja. Nuk jam aq i cmendur. Në fillim u përpoqa ta shkruaj në vetën e parë, por nuk mund të gjeja zërin. Tingëllonte narciziste. Kështu që pushova së punuari për librin. Nuk po më shijonte. Në një pikë, më erdhi një ide: Po sikur ta shkruaja sikur nuk më kish ndodhur mua, por dikujt tjetër? Sikur ta ngrija personazhin tim në nivelin e personazheve të tjerë dhe ta përshkruaja pak më me objektivitet dhe nga pikëvështrime të ndryshëm? Krejt papritur e dija se si ta shkruaja librin.
I bën përshkrimet më pak emocionalë.
Por historia ka forcën e mjaftueshme. Eshtë një histori që nuk kërkon ekzagjerim. Nuk ka nevojë ta teprosh. Përndryshe do të bëhej një opera.
A ishte përpjekja për të qenë objektiv që ju bëri të shkruani edhe për disa personazhe, sidomos ish bashkëshortet tuaja, të thoshin gjëra të shëmtuara për ju?
Po. E vetmja mënyrë për të shkruajtur një libër si ky është të mos ruhesh. Duhet të jetë i pambrojtur. Sigurisht ka aspekte të personalitetit tim që unë i kritikoj. Por ndodhin. E vërteta është se ne shkrimtarët ekzaminojmë në vazhdimësi vetveten. Profesioni kërkon që të shohësh vazhdimisht nga vetja. Mendoj se kjo është arsyeja përse nuk e ndjeva asnjëherë nevojën për ndihmë psikiatri gjatë gjithë kohës, ndonëse nuk isha mirë. Të shkruarit është një investigim i brendshëm i shpirtit.
Në librin tuaj, bashkëshortja juaj Elizabeth shkruan se jeni një njeri egoist që ecën para në jetë duke shkatërruar jetët e të tjerëve. Ajo e përjetoi me ju pjesën më të madhe të periudhës së fetvasë, deri kur e latë për modelen indiane Padma Lakshmi. A ka ndonjë të vërtetë në thënien e saj?
Nuk e shihja si ajo. Por më duhej të lejoja që të shprehej mendimi i saj. Përndryshe libri do të shkaktonte polemika. Por dua që gjërat të jenë tredimensionale, sic janë në një roman. Dua t’i tregoj botës që jam vërtetë në gjendje të përshkruaj vetveten.
Ju shkruani në librin me kujtime se jeta e një shkrimtari është si një pakt Faustian i kthyer përmbys: dëshiron të arrish pavdekësinë, dhe paguan cmimin e të paturit një jetë të mërzitshme. Jeta juaj ka qenë e vështirë ndonjëherë, por ju jeni bërë në fakt shkrimtari më i famshëm në botë që është ende gjallë.
Nuk më kënaqte sepse dukej sikur vinte për arsyet e gabuara. Nuk isha i famshëm për përmbajtjen e veprës sime, por për skandalin që shkaktoi. Por skandali nuk të garanton përjetësinë. Kështu që nuk ndihem shumë rehat me këtë famë. E vetmja gjë e mirë është kur i telefonoj ndonjë politikani sot e i kërkoj ndihmë për ndonjë shkrimtar të ri që po kërcënohet, zakonisht politikani më del në linjë. Shkrimtarë të tjerë ndoshta nuk do ia dilnin.
A do i shkruanit “Vargjet Satanikë” në po të njëjtën mënyrë sot?
Po. Fatmirësisht nuk më duhet sepse e kam bërë tashmë.
Nuk do i linit jashtë pjesët e ëndrrave për Profetin?
Sigurisht që jo. Në fakt mendoj se janë pjesët më të mira të librit. Më pëlqejnë vërtetë ato pasazhe.
A do të ishte vërtetë më keq romani nëse ju nuk do u kishit vënë prostitutave në bordello emra të bashkëshorteve të Profetit Muhamed?
Po, ka një arsye pse e kam bërë. Ka të bëjë me sjelljen ndaj grave në atë kohë. Ishin bashkëshortet e Profetit. Ishin shumë të famshme, por asnjë burrë tjetër nuk mund t’i shihte sepse ishin të mbyllura në haremin e Profetit. Ishin në fakt bordello ku gratë merrnin emrin apo edhe adoptonin personin e bashkëshortes së Profetit. Kjo i bënte të arritshme si fantazi erotike. Me fjalë të tjera, qëllimi i atij kapitulli nuk është të fyej Profetin, por të adresoj fenomenin e grave me pushtet dhe natyrën e seksualitetit mashkullor dhe si rritet ai nga gjëra që burrat nuk mund t’i kenë. Ata pasazhe janë seriozë, dhe në asnjë moment nuk thonë se bashkëshortet e Profetit kanë sjellje të papërshtatshme. Nuk është aq e vështirë.

15 modelet e shoqërisë, nga Konfuci tek “Occupy Wall Street”

Nga Konfuci tek “Occupy wall street”, nga Muhamedi tek epoka postindustriale. Në epokën e corientimit, sociologu Domenico de Masi është përpjekur të klasifikojë grupet njerëzorë sipas ideologjisë së jetës
Domenico De Masi, me një pamje të padepërtueshme shkon dhe ulet para librarisë së studios së tij romane, ku një msociety 1bishkrim në një tullë false thotë: “Cdo mur, herët a vonë bie”. Sapo është kthyer nga një debat televiziv dhe shprehet i habitur tej mase nga sasia e të rinjve në politikën e re italiane: “Ndonjëherë shohim periudha të gjata inkubacioni dhe pastaj, krejt papritur, ja tek ndodh një revolucion”. Kjo duket se e ngacmon. Në moshën 76 vjecare, sociologu nuk ka pushuar së dhëni mësim (në La Sapienza), udhëtuari (është i dashuruar pas Brazilit, sic e konfirmojnë në muret e tij skicat e firmosura nga arkitekti Oscar Niemeyer) dhe shkruajturi: sapo ka botuar një libër 700-faqësh, një udhëtim në shoqërinë njerëzore, nga Konfuci tek Occupy Wall Street. “Kudo ku shkoj, vërej që njerëzit janë të pakënaqur dhe projektojnë të largohen, kudo lindin lëvizje proteste”, rrëfen ai. “Ndodh në Romë dhe në Kairo, në Berlin dhe Nju Jork. Dhe vlen për të varfërit dhe për miliarderët, sic më tregonte edhe bankieri Jorge Paolo Morgan. Vetë Berluskoni duhet të ketë fjetur më pak se unë dhe se ju në muajin e fundit. Dhe e dini përse?”
Përse?
Sepse është epoka e coroditjes. Nuk dimë të themi më me saktësi se cfarë është e majta dhe cfarë është e djathta, e bukura dhe e shëmtuara, burri dhe gruaja, e vërteta dhe e pavërteta, madje edhe e gjalla dhe e vdekura. Coroditja. Nuk e kanë patur të tillë as tek Iliada, apo Lufta dhe Paqja. Eshtë një gjendje e kohëve të fundit.
Dhe ju, cfarë shpjegimi keni dhënë?
Shikoni, më parë të gjitha shoqëritë lindnin në bazë të një modeli që ekzistonte tashmë. Republika greke qëndron tek fjalimi i Perikliut drejtuar athinasve. Mesjeta buronte nga dhjetë komandamentet dhe nga baballarët e Kishës. Në shtatëqindën, nja pesëdhjetë të rinj iluministë krijuan një botë të re. Edhe BRSS bazohej në një model që ekzistonte tashmë, atë të Marksit dhe Engelsit.
Po shoqëria jonë post-industriale?
Eshtë e ndryshme nga gjithë të tjerat. Një ditë, arkitekti i madh Le Crobusier erdhi në Positano dhe pyeti se mbi cfarë kriteri ishte ngjitur për lart. Në fakt, gjithësekush kishte ndërtuar shtëpi për hesap të tij. Kjo është shoqëria jonë, “Projekti Positano”. Ne jemi si kartografët e lashtësisë, jemi nisur pa një hartë.
Cfarë e dallon këtë shoqëri nga ajo e mëparshmja?
Epoka industriale bazohej mbi prodhimin e të mirave materiale, dhe vlerat e saj ishin shpejtësia, produktiviteti, organizimi hierarkik, puna e dorës. Shoqëria post-industriale – që lindi me Frojdin, Ajnshtainin, Pikason është megjithatë ende në fillim – bazohet mbi prodhimin e të mirave materiale (shërbime, informacione, simbole) dhe vlerat e saj janë intelektualiteti, subjektiviteti, estetika, feminilizimi, cilësia e jetës, etika dhe destrukturimi i hapësirës dhe kohës.
Një shoqëri në kërkim të modelit.
Po, dhe është gjithashtu momenti për të mobilizuar mendjet më të ndritura për ta krijuar, këtë hartë. Nevojitet një Davos i mendimit. Për shembull, me Renzo Pianon dhe muzikanin venezuelian Jose Abreu. Pak politikanë, pasi nuk shoh mendje të mëdha. Nuk më ekzaltojnë as yjet e shoqërive likuide dhe të gazta, as edhe Papa, që bën gjëra shumë fëmijërore. Fatkeqësisht, nuk shoh shumë Focault-ë në qarkullim.
Ndërkohë, keni klasifikuar 15 modelet e shoqërisë në histori. Cilët prej elementeve të tyre duhet të rikthejmë?
Benedetto Croce thoshte se nuk mundemi të mos jemi kristianë. Nuk mundet as të mos quhemi indianë, për shembull, për humanizmin e tyre spiritual, bir i një politeizmi që është më tolerant se sa monoteizmi. Konfucianizmi kinez na mëson se nuk ka nevojë të besosh për të patur atë që Kanti e quante ligji i moralit. Nga modeli japonez do të merrja rafinimin. Ai mysliman është i vëmendshëm sa i përket koherencës me tekstet e shenjtë. Katoliku ka ditur të reduktojë ankthin tonë kundrejt kënaqësive tokësore, ai carpe diem roman që rikthehet në Amerikën e sotme, sic e tregon Scorcesse tek filmi i fundit “Ujku i Uoll Stritit”.
Megjithatë, dy modelet që keni më shumë për zemër janë ai europian dhe ai brazilian.
Po, shteti social, i lindur me Bismarkun është krenaria e Europës. Nëse nuk pranojmë se cilësia e jetës është lënda jonë e parë, atëherë vëmë në lojë identitetin, dhe përfundojmë duke qenë të nënshtruar kundrejt SHBA, nga ana e tyre të mbërthyer nga një mijë kriza. Sa për Brazilin, ai është atdheu im i dytë, aty ky libër ka shitur tashmë 20 mijë kopje. Janë një popull i butë, bujar, i ndjeshëm, alegër, ngahera një laborator shumë interesant hibridizmi.
Nëse mendoni kur ishit ju i ri, dhe si janë nipërit tuaj sot, cili mendoni se është dallimi kryesor?
Eshtë e njëjta pyetje që i bëra Alberto Moravisë kur mbushi 80 vjet. Mu përgjigj: “Estetizmi. Të rinjve nuk u duhet të jetojnë më mes erës së pulave, dhe vishen më mirë”. Nipërit e mi do të jetojnë në një botë edhe më të bukur se e imja.
Jeni i sigurtë? Në libër ngrihet pyetje, me Hannah Arendt: “Cfarë ndodh në një shoqëri të përqëndruar tek puna, kur puna mungon?
Mbi të gjitha, po kalojmë nga një shoqëri të bazuar tek puna, në një shoqëri të bazuar tek koha e lirë, dhe do të punohet gjithnjë e më pak. Pastaj kam besim se do të ndodhë një rishpërndarje e madhe: e vetë punës (mes etërve dhe bijve), e garancive, pushtetit, dijes dhe shanseve. Kam besim sepse, sic thoshte bashkëpatrioti im Giambattista Vico, “Bota është ende e re”. Dhe sepse të rinjtë e sotëm mund të fluturojnë në të gjithë vendet e Europës me pak para, jetojnë në një epokë globale të mbushur me stimuj, dhe kanë më shumë kohë për t’ia kushtuar kreativitetit, ndonëse shpesh herë e cojnë dëm.
Pra po na thoni se i keni zili të rinjtë e sotëm? Po atëherë ju provokoni, profesor!
Ndonjëherë shoh mbesën time, studente e fizikës, dhe mendoj kohën kur unë isha i ri. Kam qenë gjithmonë një i apasionuar pas muzikës klasike, një trashëgimi e tim eti, i cili vdiq kur isha 9 vjec. Mbaj mend që, për të dëgjuar Simfoninë e nëntë nga një gramafon i rrënuar, duhej të ndërronim tetë disqe! Ndërsa sot, shikoni pak. (Ngrihet në këmbë, afrohet tek dritarja dhe shkëput një iPod nga impianti i stereos). Tek kjo gjëja e vogël janë memorizuar 4700 këngë, sinfoni dhe koncerte. Kjo është më e mira e botëve që kanë ekzistuar deri sot. Mbesa ime është vërtetë me fat.

HOTELET E TITOS. Kryevepra te arkitektures, apo “monstra betoni”

Hotelet e mëdhenj që ndërtoi Tito për të demonstruar suksesin e modelit jugosllav, janë shembuj unikë arkitekture moderniste
Jerko Bakotin
hotel
Hotelet e mëdhenj jugosllavë në brigjet e Adriatikut janë “monstra betoni” ose kryevepra të arkitekturës moderniste të viteve gjashtëdhjetë? Të menduar për të thithur turistët perëndimorë dhe për të shërbyer si vitrinë ndërkombëtare për socializmin e Titos, këto ndërtesa të mëdha që të sjellin ndërmend piramidat apo tempujt e inkasve, janë shpesh herë të braktisur apo të përcmuar prej banorëve. “Ejani e shihni të vërtetën”. Me këtë slogan, në vitet pesëdhjetë Jugosllavia ftonte turistët europianë dhe amerikanë që të shihnin me sytë e tyre suksesin e socializmit të Titos, e si pasojë, të përgënjeshtronin gënjeshtrat e stalinizmit. Turistët po vërshonin, kështu që nevojiteshin vende ku të akomodoheshin. Kështu, bregu i Adriatikut u shndërrua në një kantier gjigand. Qindra hotele u ngritën përgjatë bregdetit. Përvec promovimit të socializmit, turizmi ishte një instrument i domosdoshëm për forcimin e vetëdijes kombëtare, për ndërtimin e “njeriut të ri socialist” dhe modernizimin e shoqërisë.
Monstrat e Adriatikut
Sot në Kroaci, trashëgimia e socializmit është sprapsur në bllok. Hotelet e ndërtuar në vitet gjashtëdhjetë përgjatë bregdetit adriatik janë quajtur monstra betoni. Austriaku Mihael Zinganel, teoricien i arkitekturës, ka krejt tjetër mendim: sipas mendimit të tij, këta komplekse kanë një rëndësi shumë të madhe për historinë ndërkombëtare të arkitekturës. Zinganel ishte kuratori i ekspozitës “Pushimet pas rënies: transformimet e arkitekturës socialiste përgjatë bregdetit kroat”, që u zhvillua në galerinë berlineze Neue Gesellschaft fuer bildente Kunst.
“Ndoshta këta hitele nuk janë interesantë për sytë e banorëve. Por ne na pëlqejnë që cke me të. Disa prej tyre janë monumente të vërtetë arkitektonikë të nivelit ndërkombëtar, sidomos nëse merr parasysh kushtet në të cilët janë ndërtuar”, thotë. Për shembull Hotel Maestral i Brelës, projektuar nga Ante Rozic, Matia Salaj dhe Bernardo Bernardini, që sipas Zinganel është një kryevepër e modernizmit. Por edhe Kroacija dhe Cavtat, të Slobodan Milicevic është “tmerrësisht shumë origjinal”. Apo kompleksi i Krvavicas, që dikur mblidhte bijtë e ushtarakëve. I projektuar nga Rikardo Marasovic, sipas Zinganelit ai është “sensacional”. Lista mund të vazhdojë.
Arkitektura moderniste ka zënë vend shumë kohë më parë në Kroaci. Tradita buron që nga vitet tridhjetë. Merita është e arkitektit Ernest Veissman që ka projektuar një numër të madh ndërtesash në gjithë Jugosllavinë. Në bregdet, hotelet janë ndërtuar në tre faza. E para, në vitet pesëdhjetë, kish prodhuar struktura modeste, me dhoma që kishin komfort minimal – një politikë arkitektonike në linjë me konceptin fordist të “kohës së lirë”, që nënkuptonte pushime të paguara për klasën punëtore. Nga fundi i viteve pesëdhjetë nisi ndërtimi i ndërtesave të mëdha, të llojit Hilton, si Marjan i Splitit apo Ambasador i Opatijas. Për Zinganelin, kjo arkitekturë përfaqëson një refleks të rendjes drejt “botës së lirë” dhe këto ndërtesa janë “instrumenta kulturorë të opozicionit ndaj komunizmit”.
Hiltonët jugosllavë ngriheshin sipas modelit amerikan: në sallat e tyre të mëdha mund të admiroheshin vepra të artistëve të famshëm si Edo Murtic apo Dushan Dzhamonja. Por ishin të papërballueshëm për një turist rastësor apo një të huaj të klasës së mesme. Në fund, nga vitet gjashtëdhjetë, nisën të ngrihen hotelet më interesantë.
“Shfaqin tipare të strukturalizmit dhe të brutalizmit, dhe një përdorim të tepruar të betonit. Hidhuni një sy piramidave kroate dhe tarracave të tyre: po të gjykosh nga eksperimentimet me hapësirën dhe futjen në shkëmbinjtë dalmatë, pothuajse mund të mendosh që arkitektët kanë bërë kërkime në tempujt e inkasve në Peru”.
Modernizmi jugosllav është edhe më mbresëlënës nëse krahasohet me stilin e përdorur në vendet e realizmit socialist, si Bullgaria. Ndryshe nga Jugosllavia, ku projektet miratoheshin prej instituteve të pavarur, në Bullgari të gjithë miratimet bëheshin nga një zyrë e vetme. “Pas luftës, neoklasicizmi stalinist dominon dhe bllokon evolucionin e modernizmit. Ngrihen ndërtesa të mëdha, qytete të tërë. Në të kundërt, Jugosllavia kërkonte shkëputjen nga Moska. Turizmi ka luajtur një rol kyc në konceptimin e politikës së Titos”, shpjegon Zinganeli.
Parabolë në rënie
Për t’u imponuar në mënyrë automatike në skenën ndërkombëtare, Jugosllavia e marshallit Tito kish nevojë për shprehje mahnitëse në planin artistik. Tito ishte i vendosur të demonstronte suksesin e politikës së tij të mos reshtimit, dhe hotelet ishin njëkohësisht vitrinë e muzeve të artit bashkëkohor. I vënë përballë, kapitalizmi kroat ka qenë një ndërtues modest.
Që nga 1991, sipas Zinganelit, janë ndërtuar 12 hotele të rinj, të cilëve u shtohen të gjithë ata që sot rrezikojnë të shndërrohen në rrënoja. Shumë prej këtyre hoteleve janë restauruar keq. Karakteristikat socialiste janë fshehur keq duke ndjekur shijen e re për madhështinë, dhe në disa raste rezultati është një provë e dështimit të privatizimeve.
Në kohën e socializmit jugosllav, shton Mihael Zinganel, hotelet nuk konceptoheshin si kopshte të Edenit të izoluar e të mbyllur, në përdorim ekskluzivisht të turistëve. Fusha sportive, diskoteka, pishina, salla konferencash, salla vallëzimi ishin të hapura për të gjithë, për turistët e huaj ashtu sikurse për banorët vendas. Mendoheshin si të mira publike, hapësira ku organizoheshin manifestime lokalë.
“Natyrisht futja në plazhe nuk ishte e ndaluar. Sot dominon modeli elitist, që nuk i kthen asgjë komunitetit”, thotë Zinganeli. “Di që Hypo Bank ka investuar në këta lloje kompleksesh si në Kroaci, ashtu edhe në Bullgari. Hyrja në BE do ta bëjë të vështirë rezistencën ndaj kësaj tendence. Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso ndërhyri personalisht në projektin e Parkut të Golfit të Dubrovnikut dhe mund të pritet realizimi i shumë projekteve të tjerë të këtij lloji. BE e konsideron Kroacinë vetëm një zonë periferike ku banorët e saj mund të kalojnë kohën e lirë duke iu kushtuar argëtimit. Në të njëjtën kohë, kërkohet të anulohet tradita turistike e klasave më pak të pasura, që është rruga ideale për të krijuar një lloj segregacioni në brendësi të shoqërisë”.
Duke filluar që nga viti 1991, hoteleve të mëdhenj kroatë u takoi i njëjti fat që patën të gjithë sektorët e tjerë: u morën dhe menaxhuan nga Fondi kroat për privatizimet. Gjatë luftës, pjesa më e madhe e këtyre komplekseve u përdor për të pritur refugjatët dhe shumë prej tyre u shkatërruan, sidomos ata në pronësi të sipërmarrjeve nga republikat e tjera apo të forcave të armatosura jugosllave. Pas fundit të operacioneve ushtarakë, u nis shitja e këtyre hoteleve tek investitorë dhe sipërmarrës nga diaspora, figura shpesh herë të diskutueshme në planin ligjor dhe moral.

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...