Agjencioni floripress.blogspot.com

2014/12/14

Rexhep Shahu dhe kontributi i tij në publicistikë




Rexhep Shahu u lind në vitin 1960 ne Lume. Fëmijërinë e kaloi në breg të Drinit të Bardhë me Pikëllimën në shpinë e Pashtrikun në sy, aty, në mesin e dheut, ku pajtohen e bëhen një dy Drinat, i Bardhi dhe i Ziu dhe rendin bashkë me ëndrrat e tyre drejt detit.

Në Durrës kreu shkollën e mesme teknike-mekanike. Atje u mëkua me det dhe lau ëndrrat në të.

Universitetin për letërsi e kreu në Shkodër.

Ka provuar gjithëfarëlloj punësh e profesionesh në fusha e male me bujq e blegtorë, kosëtarë e korrës gruri... Ka jetuar me mineralkërkuesit, minatorët, vagonistët, ka punuar si motorist e xhenerik, ka bërë sekretarin në prokurori, shpesh duke u dridhur për fatet e të tjerëve, ka qenë drejtues kulture, tregtar, ka themeluar një kompani ndërtimi, ka punuar gazetar në Radio Kukësi, Radio Tirana, Top Albania Radio e në organe të shumta shtypi të Tiranës e Prishtinës, zëdhënës në Qarkun e Kukësit dhe në Ministrinë ë Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Tiranë, ku dhe ende punon për një detyrë tjetër.

Por veten e gjeti në profesionin e gazetarit. Ka drejtuar si kryeredaktor revistën kulturore “Dy Drina”, revistën për fëmijë “Kallz”, organe këto të Qendrës Kulturore “Dy Drina”, të përkohshmen “Gazeta e Kukësit” dhe prej pesë vitesh edhe revistën kombëtare “Bujqësia Shqiptare”, organ i Ministrisë.

Rexhep Shahu vazhdon të magjepset pas poezisë. Vargjet e tij të hershme janë tretur shpateve te fëmijërisë si larat e dëborës. Vijat e fatit shpeshherë trazohen në përngjasim me relievin e përthyer të Bardhocit të Kukësit, fshatit të tij të lindjes, njërit prej fshatrave të Lumës, i ndodhur në gjurmën e udhës së vjetër “Via Publica” që lidhte Dardaninë ilire me Adriatikun dhe i njohur me këtë emër që në shekullin e 13-të.

Veç librit “Lis i Vetëm në Fushë”, ky autor ka botuar edhe disa  libra të tjerë, dy vëllime poetike dhe tre libra me publicistikë: “Mali i Hënës”, poezi, Tiranë, 1988; “Bregu i Brengës”, poezi , Prizren, 2000; “Misioni për Paqen”, kushtuar krizës së Kosovës dhe aktorëve të kohës; “Bllaca” monografi; “Marsi i Minave”, Tiranë, 2006. Etj....


**********

http://floripress.blogspot.com/2012/08/apologjia-e-rexhep-shahut-per-udhen-e.html






Shtëpia e z.Rexhep Shahut , është fare pranë dhe rruga e Kombit është tashmë streha e tij. Shkrimtari dhe analisti i njohur Rexhep Shahu këtë udhë që i tejkalon përmasat e një autostrade e përjeton dyfish, dhe këtë perjetim nuk mund të rrinte pa e hedhur në rreshtat e një libri me titullin domëthënës “Apologji për Udhën e Kombit”.



Një pasqyrë e plotë e të gjithë debateve dhe deklaratave për aksin që bashkoi në një kombin shqiptar. Një udhëtim përtej kilometrave sjellë në mënyrë origjinale nga autori, i cili e bën shpesh fizikisht dhe shpirtërisht këtë rrugë.

Botimi “Apologji për Udhën e Kombit” është i ndarë në 3 pjesë , Apologjia ime, Apologjia e politikës dhe Apologjia e miqve duke sjellë artikuj, argumente dhe vlerësime nga zërat më të njohur në lidhje me polemikat e krijuara për udhën e Kombit....


*******



Kjo Udhë mund të përftyrohet edhe si një “përbindësh”, që “tradhëton” Urën e Zogut, apo të Matit, por jo se qëndron larg, për të shqyer një mal për te Porta e Diellit, Kukës, Prizren e më tej, me një drite që t’i shqyen sytë përveç atyre që kanë lindur të verbër (Metafora “Porta e Diellit” është krijuar bazuar në librin e shkrimtares së famshme franceze, Simone Terri, Puerta del Sol)

Dhe është shumë e çuditshme se përse nuk ka vlerë në këtë rast shprehja: A nuk i do qorri sytë!?
Sa shumë u anatemua kjo Udhë, bile edhe sot e kësaj dite. Udhëtojnë drejtë Qafë Malit dhe nuk duan t’i kthejnë sytë nga kjo Udhë.

Këtë Udhe nuk do ta bënin as në fund të shekullit 21 duke llogaritur 200-300 m trase në Skuraj. Nuk do ta bënin se pse nuk kishin kohë mbasi do të merreshin me orkestrimin e bandës me curle, daulle e bilbila.

Nuk do ta bënin edhe sepse nuk donin ta bënin.

Harronin se kjo nuk ishte rruga e Veriut të “malokëve”, apo e Kukësit, mbasi është më shumë në interes të pjesës tjetër të Shqipërisë deri në Kakavijë duke qenë se automjetet nuk ndalojnë në Kukës apo Rrëshen për furnizim me karburant apo për kafe.

Do të thoni politika këtë punë ka.

Por çfarë do t’u themi dhe opinionistëve dhe analistëve!

Do zoti i madh të mos na shterrojnë se ku do t’i marim me qira…

Pejsazh i zymtë, ku kalon Udha. Të paktën të thotë për një alternativë tjetër.

Shiko, i dashuri opinionist, qytezën e rrënuar të Repsit ku jetonin gardianët e Spaçit ku ishin të burgosurit “pej së vërteti”, siç themi ne korçarët, se si është transformuar sot. Dil më lart dhe nga Kulla e Gjon Markagjonit për në Neshenjtë, ndoshta zona më e virgjër e vendit, me pasuri qe ne nuk arrijmë t’i vlerësojmë dhe nuk janë objekt i këtij shkrimi.




Afër Bulsharit do të hapet një shteg për t’i hequr “duvakun” Lurës për të cilën, Fishta do të thoshte se “Kush nuk ka parë Lurën, nuk ka parë Shqipërinë”, apo Dom Nikollë Kaçorri, zëvendësi i Ismail Qemalit, i lindur dhe rritur në Lurë, shkruante: “mos deksha pa pa një urë nga Kunora e Lurës deri në Zvicër”.

Shiko Klosin dhe gjithë Fanin, dikur simbol i prapambetjes dhe fukarallëkut ekstrem.
Sa kushton sot nje bokërrinë, skerka në Jug, një shtëpi dhe pse po kthehen ata që ishin larguar?
Duke ndjerë peshën e marres, duke medituar pranë zjarrit partizan, u gjet dhe rrugedalja:
Eureka!, të marrim përsipër ndërtimin brenda një nate të Intekonjeksionit me Kosovën, kaq shumë e vonuar nga Partia Demokratike.



Por duhet ta dini se është një shprehje mbarëshqiptare, se nuk lahet m... me sh...
Shumë dhe shumë më tepër do të gjeni në librin “Apologji për Udhën e Kombit” në këtë libër jo pak i mundishem i Rexhep Shahut....shkruan mes tjerash Idriz Xhomara.(Floripress)
...

Rexhep Shahu dhe kontributi i tij në publicistikë


Sylejman Dida, a asht kjo lufta e fundit?!

Nga Sulejman Dida


 Poeti Rexhep Shahu u formua si gazetar në Radio Kukësi e më pas si drejtues i periodikut kulturor Dy Drina etj. në vitet 90 të shekullit të shkuar. Ai ka ecë i sigurtë në udhën e publicistikës së shkruar si autor që nuk i ngjan askujt, sepse nuk ndjek asnjë idhull, ndonëse ka të tillë. Ai ndjek shtegun e vet. Sepse do që të jetë vetvetja. Eshtë i arsimuar në letërsi, i njeh mirë metrat dhe shabllonet e çdo kontributi publicistik por ai ka formën e vet, ka veçorinë e vet në çdo sipërmarrje. E thashë në fillim cilësorin poeti Rexhep Shahu, pasi ai edhe në publicistikë mbetet i tillë. Në të gjitha shkrimet e deritashme karakterizohet nga shpirti i angazhuar, nga ndjenja atdhetare, këmbëngulja për të pohuar identitetin dhe të vërtetën, nga prirja për të qenë vetvetja, nga thirrja që çdo person të jetë vetvetja, që gazetarët, ata të pavarurit (nga Tirana) të lirohen nga sahalëpirja, që njerëzit e kulturës të mos e shesin shpirtin, që për me i ba qefin dikujt të mos e përlloçim atdheun e kështu me radhë. Në vitet e vështira shqiptare 1997 dhe 1998 zoti Shahu, gazetar në Radio, u angazhua plotësisht duke u investuar jo vetëm si krijues por edhe si qytetar. Ai i ka shkruar me shumë kujdes dhe nerv përvojat e veta në ngjarjet e trazuara, shqetësimet e tij, që ishin edhe shetqësimet e kohës shqiptare, se si njerëzit tek e tek dhe kolektivisht vunë në pikpyetje të nesërmen e tyre, se si e dogjën memorjen e shkruar me sakrificë, si i shembën urat integruese dhe ngritën mure që na ndajnë nga njëri-tjetri dhe nga qytetërimi të cilit i përkasim. Të gjitha këto ai i ka përmbledhur te libri i Marsi i Minave (T. 2006). Sepse te shqiptarët, Serbia, e cila e përgjaku Kosovën, duke e parë se muri i vendosur padrejtësisht në vitin 1913 me presionin e Rusisë, kufiri ndërshqiptar pra po binte, instaloi një tjetër mur, e mbolli me mina krejt zonën e kufirit Kosovë-Shqipëri. E, për ironi serbët mbollën me mina edhe zonën e kufirit Shqipëri-Kosovë, pra hynë në territorin e kësaj Shqipërie të 13-tës. E për më tepër serbët mbollën mina edhe në mendjet e shumë njerëzve këtu, dhe prandaj çoroditja jonë vazhdoi bukur gjatë. Edhe në përpjekjet madhore të shqiptarëve për lirinë e Kosovës zoti Shahu ka qenë aktiv në media, madje edhe në terren, në Kukës, aty ku mblidheshin eksponentët e dy kahjeve politike të FARK-ut dhe UÇK-s, me thirrjet e tij në radio Kukësi qysh në vitin 1998 për të mbështetur UÇK-n me armatim dhe gjithçka tjetër. Jo për me ba pazar me djemt që shkonin në luftë duke ua shitë një pushkë sa nuk bën, por duke dhënë gjithçka për luftën. Jo duke mohue dhe denigrue potenciale të mëdha shqiptare por duke i bashkuar ato kundër një armiku që po na rrezikonte si komb. Mbas çlirimit të Kosovës shumë individë apo fraksione dolën si luftëtarë se me demek kishin luftuar, në ndonjë rast na u zbuluan edhe do asish antiamerikanë, por Shahu i ka njohur shumë mirë disa prej tyre dhe për këtë ai shkroi pamfletin e fuqishëm Ku ishe Ti, pra kur shtëpitë kalleshin në flakë e kur fëmijët shqiptarë ekzekutoheshin nga milicia serbe ku ishe ti… Ky ka qenë maraku i Rexhep Shahut. Ai i ka shkruar këto siç i ka përjetuar pa ia bërë qefin askujt. Ky libër përbën një shenjë dalluese, një dëshmi dhe analizë krejt të veçantë të kohës dhe e çmoj si një nga kontributet më të spikatura të krejt publisitikës shqiptare. Rexhep Shahu dallohet për forcën e logjikës, për bukurinë e tekstit por edhe për fuqinë emotive të trajtimit të temës. Ai ka një aftësi të çuditëshme të realizimit të intervistës, ka magjinë e familjarizmit të shpejtë me të intervistuarin, pavarësisht nga homri që mund ta karakterisojë. Ai shkëput prej të intervistuarit rrëfimin e sinqertë, atë që rrallë ndodh në median tonë. Shahu ia ka dalë të shkëpusë qëndrimin individual dhe të sinqertë prej kujtdo të cilit i është drejtuar. Disa nga përsonalitetet që i ka intervistuar, kanë pasë edhe konseguanca. Ishte rasti i bisedës me gazetarin Filip Smakër të Uashington Post-it në prill të 98-tës, bisedë pas të cilës, siç pat thënë më vonë vetë Smakër, kishte kaluar telashe jo të vogla pikërisht për shkak se ishte rrëfyer si tepër në bisedën me Rexhepin. Po nga ana tjetër, ndikimi i asaj interviste ishte i padiskuueshëm te shqiptarët dhe tek të tjerët pasi dëshmoi për genocidin që po ndodhte në Kosovë dhe u shpreh se rruga e zgjidhjes së krizës është lufta, kur në Tiranë thuheshin terman shumë të butë referuar çështjes së Kosovës. Edhe të tjerë kanë pasë rastin ta takojnë të njohurin Smakër, dhe kanë zhvilluar plot biseda me të, por askush nuk pati magjinë ta bëjë atë që të rrefehet. Kështu i ka bërë të rrëfehen edhe Elez Biberin, Daniel Enders, të famshimin Kurt Shcork etj. Nuk do të rendis emra njerëzish të shquar që ka intervistuar Rexhepi, pasi këto intervista, ndoshta jo të gjitha, i ka përmbledhur te libri tjetër publicistik Misioni për Paqen. Poeti Shahu nuk i kërkon temat, nuk ka këtë luks. Ato ndodhin, pra ngjarjet ndodhin. E ndërsa shumkush e ka luksin ti soditë nga distanca ose të përfitojë prej tyre, ai vëren deformimin e të vëttetës dhe bërtet, nuk mund të rrijë indiferent. Duke qenë se ai i jeton ngjarjet edhe si poet, nuk mundet mos me folë kur vendit i mohohet hisja e diellit për shkak se dikush këkron të përfitojë ose të bëjë interesantin, nuk mundet mos me folë kur ne na shahen urat që po ngremë me mundim, kur na shahen udhët po ndërtojmë me shumë sakrificë, nuk mundet mos me folë kur krijohet rrethi vicioz i mendimdhënësve që zaptojnë të gjitha ekranet, ku për tu hequr modernë shajnë çdo gjë të vyer prej antikuareve evropianë që kanë firmën e kombit tonë, që shajnë deri edhe Kanunin e Vjetër, shajnë kostumin që na identifikon, shajnë bukurinë shqiptare. Nuk mundet mos me folë kur opinionbërësit hiqen si internacionalistë ende pa e pasë një vend tonin në tryezën e vendeve evropiane. Kështu pra ai është i ndjeshëm dhe merr përsipër ti bëjë avokaturën të bukurës, autentikës, arritjes, shpresës. Pa u zgjatur duhet të nënvizoj si një kontribut librin Apologji për Udhën e Kombit. Përveç këtyre botimeve zoti Shahu, pikërisht këto ditë na sjell edhe librin tjetër me publcistikë Bukën tonë të Përditëshme. Në dhjetra shkrime ai glorifikon tokën e shenjtë shqiptare, inkurrajon dhe nxit punën me tokën, bekon njeriun e punës, duart që na sigurojnë bukën e përditëshme. Jan shkrime të botuara më herët në revistën Bujqësia Shqiptare të cilën e drejtoi duke shënuar një kontribut në konceptimin dhe në përmbajtjen e saj. Ai, siç e theksova në fillim, ka si kontirbut edhe Revistën Dy Drina që e ka drejtuar shumë vite, gazetën Kallz (për fëmijë) dhe ndonjë botim tjetër të natyrës publicistike siç është monografia Bllaca (si bashkëautor) etj. Rexhep Shahu përbën një rast frymëzues për median në Shqipëri dhe unë e përgëzoj.




Në gjurmët e poetit dhe publicistit Rexhep Shahu




Nga Behar Gjoka


 Emri i Rexhep Shahut, poetit dhe publicistit të njohur, në skenën e letërsisë bashkëkohore shqipe, ka ardhur natyrshëm, brenda një ligjësie të pashkruar. Fillimisht, në mendjen time, shpresoj edhe të lexuesve të tjerë, ka ardhur teksti poetik apo publicistik, e mandej vetë autori. Pra, kontakti më krijimtarinë e tij, nuk hyn tek paradoksi i zakontë, që njeh poetin, e pastaj do të duhet të presësh me vite, që të duket ndonjë shenjë poetike, e cila edhe mundet të mos vijë fare. Shkas i rinjohjes, pas leximit rastësor të ndonjë shkrimi a poezie, me veprën e gjerë, u bë vëllimi i katërtë, me titullin domethënës, Qyteti i Lutjeve, që për mua ishte befasi shkrimi, në frymë dhe mendim, në vjershërimin poetik, që në fakt më dha shansin që të hidhja një vështrim me të plotë në librat të autorit. Vëllimi poetik, Qyteti i Lutjeve, nga ana tjetër, është edhe një arsye kryesore, për diskutimin letrar, mbi të gjitha librat e autorit, në të dyja përmasat e përfaqësimit, në poezi dhe publicistikë. Bazuar në shijen e leximit, në besimin se në shumësinë e librave me poezi, nuk është gjithçka terr dhe poetizim ndjesor, ende ligjërimi poetik që gjellin sërish në qerthullin e dritëhijeve. Në hapësirat e librit më të ri të R. Shahut, ndesha në poezinë që bart dhe përçon vlera, si një ekzistencë spektrale. U bëra pjesë e veprimtarisë, si diskutim letrar, me dëshirën e mirë që të kthejmë vëmendjen nga letërsia e shqipe, nga pjesa që kumton shenja dhe vlera letrare, pa zhurmë. Teksti i përmbledhjes, ndërkaq kuptohet se është shtysa parake për të ndërkomunikuar me gjithë krijimtarinë, gjithnjë aq sa na e mundëson një tryezë e diskutimit letrar. Interesimi për poezinë dhe krijimtarinë e autorit, është i hershëm dhe i shumanshëm, në varësi të vlerave, që përçojnë tekstet poetike dhe publicistike. Në këtë diskutim, vërtet do të jemi të përqëndruar më tepër tek poezia, me shumë gjasa, tek poetika e përmbledhjes Qyteti i Lutjeve, por njëherit, në fakt është gati e pashmangshme, që t’i iket profilit të autorit, ku kemi të dëshmuar, me libra të mirëfilltë, tri lami shkrimi të autorit: A – Shkrimi i librave publicistike, ku veçohet gjerësia e problematikës, duke profilizuar një publicist me kontribute, me disa libra: Misioni për Paqen, kushtuar krizës së Kosovës dhe aktorëve të kohës, Marsi i Minave, si dhe Apologji për Udhën e Kombit. Në këto tekste, nga njëra anë vijnë ngjarje të njohura, tepër tronditëse, ku madje kemi edhe ekulibrin në mes ngjarjeve të tmerrshme dhe atyre që sjellin gëzim, si dhe nga ana tjetër, na zbulohet profili i njeriut, qytetar dhe mendjehapur, vëzhgues i hollë, i problematikave të shoqërisë, si dhe një publicist, që rrëmon dhe aspiron të vërtetën dhe mbi të gjitha e thotë pa doreza. B – Sprova e shkrimit të monografisë që vjen me librin Bllaca, një punim i plotë, që i kushtohet një fshati në Suharekë, në Kosovë, që ka nxjerrë deputetin e famshëm shqiptar, Ramë Bllaca, që ndërtonte kullën e tij, në kohën kur shumica e banorëve kishin ngarkuar plackat për Turqi, si një shembull i qëndresës nën tmerrin dhe genocidin serbomadh. Një fshat që ka nxjerrë edhe burrin e shquar, luftëtarin e paepur të çështjes shqiptare, Qazim Bllaca, që për shkak të veprimtarisë patriotike, ka bërë 32 vjet burg, në Shqipëri dhe Kosovë.
C – Shkrimi i poezisë që përmblidhet në katër libra, e ku vëllimi i fundit, është caku dhe shenja se ku ka mbërrit larmia e poezisë së autorit. Poezia e tij, ka nisur me përmbledhjen Mali i Hënës, 1988, që në krye skicon tiparet e ligjërimit poetik. Pas 12 vitesh, pra një kohë e gjatë reflektimi, vjen me përmbledhjen Bregu i Brengës, në vitin 2000, që simbas mendimit kritik, shënon një nivel të ri, të shqiptimit poetik. Në vitin 2006, krijimtaria poetike, pasohet nga përmbledhja: Lisi i vetëm në Fushë, që profilizon poetikën autoriale. Në 2014, boton librin poetik Qyteti i Lutjeve, që evidenton lirikën qytetare dhe intime, që vjen me disa gjetje poetike. Kohështrirja si dhe tekstura poetike, e materies së të katër librave të autorit, ndër të tjera, ka përtheksuar, veçmas dy tipare:
Së pari: Një marrëdhënie reale me letërsinë, sidomos me poezinë, në mes pranisë dhe papranisë, heshtjes dhe zëshmimit, pa kufi distance dhe paragjykimi.
Së dyti: Një shtegtim poetik, që zbulohet përmes një shkallëzimi të rrokshëm në secilin nga librat, duke synuar artikulimin e poezisë që e ka braktisur autorin dhe vrapon drejt lexuesit, pavarësisht nivelit dhe interesit për poezinë. Prania e këtyre tipareve shqiptohet dukshëm në poezitë: kur t’më shohësh në sy, deti të rrijë në punë të vet, jam i lirë të vdes, na urdhëruan, hijet në bulevard, a do t’i shesim varret, një qiell tjetër, lehja e qenëve, një urë për te vetja, asgjë s’ka mbetë nga unë atje, ta ka pa diellin mbi krye, të ka vra bukuria jote, kur ti vdes, me trastë në sup, shpirti i zi, zogjtë e dinë, në motet që do të vijnë, nuk shiten sy askund, dorëcung, zemra e burrit është varrezë, etj. , që përbëjnë një tufë të përveçme poetike, që formëson tiparet me cilësore të shkrimit të poezisë. Pjesë e shenjave autoriale, kryesisht të vargut të lirë, të fjalës së hapur, të metaforikës tërësore, që fytyrëzon tipologjinë shkrimore të autorit, është edhe shkrimi i poemave, shkrimi i distikut, të cilat shpesh shpalosin një energji fjale të pazakontë. Në detin e vargëzimeve që ndeshim përditëzaj, në hapësirën shqiptare, është vështirë të gjesh atë që është e veçantë tek poezia që shkruhet. Megjithatë, udhëhequr nga ideja e Benedetto Kroçes, se poezia duhet kërkuar aty ku gjendet dhe aty ku fshihet, e vlen që të rrëmosh edhe në këtë situatë, jo pak të ndërlikuar të ekzistimit të poezisë shqipe. Poezia e librit të fundit të Rexhep Shahut është e veçantë, sidomos për faktin së është një poezi që shpërfill kodet se si do ta marrë shoqëria ligjëratën poetike, shpërfill në mënyrë të veçantë kodet e akademizmit, shpërfill të gjitha paragjykimet dhe thotë atë që ndien, atë që është poezi, në konceptin autorial. Te ky libër gdhendet “uni” i qytetarit zemërak, që lëshohet kundër mbrapshtive të botës, pa doreza dhe kufizime, por bashkë me të është edhe “uni” i një raporti krejt intim me jetën, me erotikën, me dashurinë. Këto janë dy prani dhe esenca unike, që shpërfaqin përmasën e shkrimit poetik të autorit. Ngjizja e tillë, e unit të dyfishtë, kuptohet se është pjesë e vetëdijes, është pjesë e udhëtimit në krahët e poezisë për të folur me poezinë dhe jo për të jetuar me poezinë, siç ngjet rëndom në hapësirën shqiptare. R. Shahu si poet, në varësi të tekstit poetik, të hapësirave të komunikimit, është nga ato raste, që nuk ka nevojë të ulërasë. Libri i tij, në një kuptim shpërthyes ndaj mbrapështive të realitetit, në vështrimin dhe shijen time, sjellë një atmosferë migjeniane, poetikën e të vërtetave që ne i prekim, por dikush nuk sheh, dikush nuk do, dikush në mënyrë të shëmtuar i mbulon ato me hipokrizi. Poeti thotë të verteta të cilat, kur shndërrohen në poezi, janë të tilla që të mrekullojnë për faktin e një poetike të vargut të lirë, të një fjalësie e cila sjell pranë lexuesit gjithë atmosferën e kohës, rrok shpirtin e qytetarit sot, shpirtin e qenies shqiptare, me gjithë ato mungesa, të dhëna me dritëhije dhe përthyerje të befta poetike. Në ligjëratën e vetë poetike, si një element vetjak që më ka bërë përshtypje, është edhe pashaportizimi tashmë i paskajores, në shkrimin poetik, që me rikthimin e vetë sendërton një hapësirë tjetër, si frymë dhe kumt i mirëfilltë letrar. Poeti flet natyrshëm dhe me art me këtë mjet stilistik-gjuhësor, që dihet se është pjesë e ligjërimit të sistemit të shqipes. Poezia nuk ka nevojë të ulërasë, poezia e ka misionin, parësisht estetik, që gjellin brenda saj. Pra, veçanësitë janë të shumta, janë të prekshme, por vetëm leximi dhe rileximi i tyre na mundëson t’i zbulojmë ato. Qysh me përshtypjen e parë, por edhe në leximin e dytë, erdhi duke u thelluar dëshira, që ky libër të shkojë te lexuesi, sepse kemi shumë poetë gjeni por që nuk kanë poezi, madje pavarësisht marrjes së jo pak çmimeve letrare. Poeti, nuk ka nevojë të jetë gjeni, sepse poeti flet me poezi. Më ndodh rrallë të ndihem mirë në poezi, të mrekullohem në poezinë shqipe të tanishme, për arsyen e thjeshtë se jo çdo ndjenjë është poezi, jo çdo ndjesi tragjike është poezi, jo çdo vargëzim, që na vjen rastësisht në majë të gjuhës, realizon detyrimisht shenjën poetike. Poezi është atëherë, kur imazhi dhe vizioni paraqitet me ligjësi estetike. Harold Bloom, në mes të tjerash, thotë se poezia është e pritur të mos merret shumë me histori por të merret më atë që quhet përthyerje shpirtërore dhe, prizmi i poetit është i tillë që po tingëlliu nuk të le rehat. Nëse nuk tingëllin, jeho sa të duash, bubullo më zhurmë etj. , tashmë se poezia ka mërguar për në brigje të tjera. Në rastin e përmbledhjes “Qyteti i Lutjeve”, më ka bërë për vete vargu i sigurtë, metafora e larmishme, plazmimi i shpirtit të kohës, përmes një uni, që është i vetëdijshëm për atë që thotë, e madje që e thotë jashtë aspiratës me rrëmby breroren. Poezia e këtij libri është një cak krejt i ri i autorit, krejt i veçantë, por në morinë e botimeve, në detin e poezisë që shkruhet, është vështirë të gjesh një libër që të ketë, sipas gjykimit tim, mbi 15 poezi që janë të nivelit antologjik. Mbretëresha e synuar nga të gjithë, siç është poezia, mbretëresha e fjalës, mbretëresha e shpirtit, mbretëresha e të sotmes, e të nesërmes, e atdheut, ku madje vetë qenia ekziston në formën e një kurore të mrekullueshme, le të synohet nga të gjithë. Gara për të mbërritë atje është krejt e hapur dhe zakonisht në cakun e fundëm mbërrijnë shumë pak. Në këtë situatë ku botohet gjithçka, pa sita përzgjedhëse, pa një lexim të vëmendshëm, shumëçka që lidhet me poezinë dhe letërsinë, në përgjithësi do të hante debat pa dyshim. Unë do të thoja që jemi një shoqëri që po shijojmë larinë, natyrisht ajo ka një kufi, kur mbaron dikur, por ne ende nuk po kapim ekuilibrin shpirtëror. Nuk është poezia ajo, që them unë, poezia është ajo që shijohet dhe misioni i poetit është të thotë fjalën e tij dhe, fjala e tij më tutje pastaj është hipotekë shpirtërore që shijohet nga të tjerët.

Origjinaliteti i poezisë së Rexhep Shahut





 Në fund të viteve ’70 dhe në fillim të viteve ’80 të shekullit të kaluar, në qytetin e Kukësit ishte krijuar një bërthamë e vogël krijuese, por mjaft aktive, ku krijuesit poetë, prozatorë, piktorë, muzikantë e dashamirës të artit, mblidheshin në degën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe pothuajse gjithnjë në kafenetë e qytetit të vogël flisnin për letërsinë, për miqtë e letrave në qytetet e tjera, për letërsinë botërore që botohej, për pjesët letrare, kryesisht poezi të korifejve të huaj që, ashtu të botuara apo të shkruara me dorë, përpiheshin me etje. Ndonëse në kushte të vështira, krijuesit u përpoqën të jenë në një rrjedhë me kohën dhe të krijojnë fizionominë e vet poetike. Në këtë klimë të ngrohtë shoqërore u maturuan poezitë e para të autorit Rexhep Shahu, libri i parë i të cilit “Mali i Hënës” u botua megjithatë relativisht vonë, në vitin 1998, kur kishin rënë barrierat e kuptueshme të regjimit totalitar. Poezia, letërsia në përgjithësi ashtu si çdo gjallesë për ajrin, ka nevojë për lexuesit e saj, për të hyrë në qarkullimin e madh artistik, për tu ndikuar nga bota e artit dhe për të ndikuar tek ajo. Dëmi më i madh i ndalimit të veprës së shkrimtarëve në diktaturë ka ardhur veçanërisht prej kësaj vonese që i ka shkëputur nga mjedisi letrar, prej mundësisë që, duke u lexuar, të hynte në jetën e krijuesve të tjerë dhe të lexuesve në kohën e shkrimit të saj. Kjo mungesë tragjike, bie fjala si e veprave të Kasem Trebeshinës që u botuan me vonesë vetëm pas viteve ’90, nuk e ka dëmtuar vetëm reputacionin e shkrimtarit, por organizmin e letërsisë shqipe. Po kështu mund të thuhet edhe për njohjen më se një shekull me vonesë të poezisë brilante të De Radës, Serembes etj dhe akoma edhe më me vonesë të Zef Skiroit. Rexhepi ishte 38 vjeç kur botoi së pari herë libër. Në fund të viteve 80 ai pati dorëzuar në shtëpinë e vetme botuese një libër, por botimi iu refuzua, për mungesë të trajtimit të temave të mëdha e entuziaste për të cilat kishte nevojë regjimi. Kur kihet parasysh tash vepra e tij mund të thuhet se Rexhepi në fakt nuk ka humbur shumë prej kësaj vonese, sepse poezia e vërtetë i reziston kohës. Koha rrjedh pa e dëmtuar poezinë, përkundrazi mund të gjallërojë më tepër ngjyrimet e saj. Ajo shijohet njëlloj si të jetë shkruar para shumë vjetësh ose siç mund të shkruhet edhe pas shumë vjetësh. Edhe në letërsinë tonë për fat të mirë, kemi poetë tradicionalë, madje të cilësuar të vjetër, që ngjajnë ende kaq të rinj e modernë. Kur lexoi “Malin e hënës”, shkrimtarit Faruk Myrtaj nuk i hyri në sy vonesa e botimit të tij. Mbi të gjitha ai vlerësonte faktin se u arrit që poezia të shkruhej. Për shkak të lakonizmit, dendësisë së emocionit ajo mund të lexohej gjithsesi në mënyra dhe kontekste të ndryshme.

“Ka ditë që sytë e tu s’më kërkojnë,
Dhe zëri im s’bën më për fjalë.”

Mund të thuhet kështu për të dashurën, për poezinë, muzën, për… E, merret vesh, kur arrin të lexohet ndryshe, mu këtu është thelbi i të qenit art”. Që nga botimi i librit të parë poetik të Rexhep Shahut “Mali i Hënës” në vitin 1998, kanë kaluar 16 vjet. “Mali i Hënës” u pasua në vitin 2000 nga libri “Bregu i brengës”. Pas tyre, në 14 vjet të vrullshëm shpeshherë të turbullt, Rexhepi u muar më shumë me publicistikë “me një qiri të ndezur në dorë për me ndritun atë të vobektë dhe”, siç thoshte Bogdani i Sibilave, vendlindja e të cilit është krejt përballë Bardhocit, vendlindjes së Rexhepit. Vitet pas “Malit të Hënës” janë të mbushura me ngjarje të rëndësishme për jetën e vendit. Mjafton të përmendim luftën e Kosovës, e cilësuar si lufta e fundit çlirimtare në Europë, ku u lartësuan përpjekjet e përgjakshme e heroike të UÇK, në një betejë të pabarabartë me një nga ushtritë më të mëdha të kontinentit, ku trupi i pambrojtur i shqiptarit u përball me marshin e vdekjes së fortifikuar në çelikun e tankeve dhe avionëve të pushtuesit. Ishte koha kur bota u befasua me madhështinë e shpirtit tonë të pamposhtur në shembëlltyrën e qytetit të Kukësit, të cilin për qëndresën dhe bujarinë e pashoqe në pritjen e gjysmë milionë njerëzve, e kandidoi për t’i dhënë Nobelin e Paqes. Duke qenë në qendër të ciklonit si gazetar i radio Kukësit dhe reporter i të përditshmeve të kryeqytetit, si bashkëpuntor i radio Tiranës dhe Top Albania Radios, Rexhepi intervistoi personalite të rëndësishme botërore që erdhën aso kohe në Kukës. Kontributet e tij u transmetuan me sukses dhe u botuan në disa gazeta të njohura, një pjesë e të cilave u rimblodhën në dy libra: “Misioni për Paqen” dhe “Marsi i Minave”. Ndërkohë më shumë se prej publicistikës, drita duket se lind nga poezia, sado e trishtuar, e mjegullt, e zymtë dhe ankthioze të vijë ajo. Rexhepi nuk iu nda për asnjë çast dashurisë së vjetër, dashurisë poetike, që lindi rrëzë malit të Pikëllimës, përballë malit të shenjtë të Pushtrikut, buzë rrjedhës së Drinit të Bardhë. Krahas publicistikës ku nuk mungojnë motivet migjeniane ai shkroi gjithmonë poezi duke jetuar me trillet e saj, duke i qëndruar besnik vetes në ndjekje të një instinkti të ngulur krijues që vlerat i kërkon te vetja duke rizbuluar e rijetuar brenda të sotmes, të gjitha kohrat njëherësh. Kur ka botuar më shumë se 370 poezi dhe poema të përfshira në katër libra: “Mali i hënës”, “Bregu i brengës”, “Lis i vetëm në fushë” dhe “Qyteti i lutjeve”, mendoj se është me vend të flitet për një kristalizim të mënyrës së tij krijuese dhe nisur nga vlerat e kësaj poezie të tërheqim vëmendjen ndaj origjinalitetit të saj. Ku shfaqet ky origjinalitet? Në mijvjeçarët e ekzistencës së letërsisë që prej eposit homerik duket se është ngjeshur lënda në mënyrë të tillë sa duket se nuk mund të ngrihet diçka e re, e pangjashme me atë që tashmë është krijuar. Një vëtëdije e tillë është e domosdoshme për të ndalur zellin shterp të grafomonënëve të panumërt, që sa vijnë e shtojnë grumbullin e jo vlerave duke rrezikuar t’ia zënë frymën letërsisë së vërtetë. Po kështu, përvoja mijvjeçare, e thithur drejtpërdrejt prej letërsisë sonë gojore dhe letërsisë së kultivuar, duhet të nxit më tepër nevojën e njohjes së vazhdueshme të saj. Sepse nga mosnjohja, edhe nëse rastësisht i shpëton theqafjeve, verbëria të çon gjithnjë në udhë pa krye. Duket paradoksale, por origjinaliteti i veprës letrare vjen nga përthithja e përvojës kombëtare e botërore dhe jo nga injorimi i saj. Ky injorim në të shumtën e herës ndër ne vjen jo për shkak të qëndrimeve novatore apo eksperimenteve moderne a postmoderne, po thjesht për mungesën e plotë të kulturës letrare ose më qartë për shkak të analfabetizmit kulturor. Ndërkohë shkruesit e zellshëm që ia bëjnë qejfin njëri- tjetrit, nuk i lënë askujt hapësirën e duhur për të treguar lakuriqësinë e mbretit. Për këtë shkak, me kohë është bërë e domosdoshme që vendin e djalit naiv që tregon me gisht të vërtetën bërtititëse të lakuriqësisë, duhet ta zërë kritika profesioniste që duhet të rrëzojë jo vlerat dhe t’i paraqesë pa patetizëm, vlerat reale. Poezia e Rexhep Shahut është lehtësisht e komunikueshme me të gjithë lexuesit, e hapur, e kthjellët, e vetëvetishme dhe rrjedh pa sforcim, duke përcjellë dhimbjen tronditëse për humbjet tona, trishtimin e hollë, tragjizmin dhe shpresën njëkohësisht, ku pjesa e vdekshme bashkëjeton me pjesën e pavdekshme të individit. Në poezinë e Rexhepit ndjehet rrjedha e trazuar e kohës që i bën trysni shpirtit njerzor, për ta mpakur dhe rrudhur deri në asgjësimin e plotë të individit. Kërkohen të dystohen ëndrra, të rrafshohen vlera. Dashamirës, njohës të poezisë kanë vërejtur se kjo poezi nuk mashtrohet, as joshet nga lulkat pa aromë të përsiatjeve të ashtuquajtura moderne. A mund të shtiresh përjetësisht, a mund t’i mbyllësh sytë para brengave vetjake e njerëzore? Vuajtja është tipar i poezisë së tij, një vuajtje për shkak të dyzimit midis vetes dhe vetvetes. Dyzimi në përmasa planetare përfshin gjithçka edhe kohën që ndrron rrjedhën e saj normale, jo nga e sotmja drejt të ardhmes, por nga e sotmja drejt së kaluarës, drejt zanafillës, kthimit tek kaosi. Ky lloj apokalipsi synon të zhbëjë jetën. Poezia ngjan me librin e lutjeve dhe psalmet. Gjuha biblike parlajmëron ndëshkimin. Profecia të dërmon me gjykimin e ftohtë të saj:

“Ka me ra shi me baltë
Në llomin e fjalëve kemi me rrëshqitë
E kokërdhak kemi me ra…”

Ndihet vuajtja migjeniane, por zymtësia e pesimizmi e tejkalon Migjenin. Njeriu, i lindur tashmë, nuk do t’i kanoset krijuesit të tij duke e sfiduar, por do të mbarojë, do të zhduket për shkak të llumit të vet shpirtëror. Duket se rrufeja poetike e hyut të padukshëm do ta zhdukë sodomën dhe gomorrën që jetojmë. Rrudhja shpirtërore ka asgjësuar vlerat dhe individi është shndërruar në kufomë shetitëse. Qerthulli i humbjeve sa vjen e rritet. Shpesh përmes përsëritjeve ciklike shfaqen mundimet e Sizifit dhe vuajtjet e Tantalit. Por ka një spirancë që të mos mbytet anija e jetës. Kjo është, Dashuria, gjithnjë e pranishme në poezinë e Rexhep Shahut si një ndjenjë e thellë që jetohet me intensitet, që është e prekshme, por edhe e përjetuar me dhimbjen e largimit dhe mungesës së saj therëse. Dashuria është prej uji, prej ajri, drite dhe ëndrre, por edhe krejt lëndësore, që ndjehet, preket e shijohet plotësisht. Si e tillë, mungesa e saj barazohet me mungesën e jetës deri në vdekje. Poezi të tilla intime dikur quheshin poezi të vogla, vetjake. Fat i individit i shqetësimeve dhe dashurive të tij kërkohej të merrej nëpër këmbë, por poezia më e mirë e viteve 80 ia doli t’i vinte në substancë të saj këto fate të vogla, këto shpirtra që shpëtuan nderin e krijuesve dhe jetën e poezisë. Poezia e Rexhepit ecën në këtë tragë dhe poezia e tij mbetet thellësisht personale, ku mund të pajtohesh me gjithçka, por jo me mungesën e dashurisë.

“Dëshirë të frikësuar s’do të ketë më
Ajo është mosdashje, s’ka emër tjetër
Unë shkaku i saj s’do të jem askund
Ndoshta në rrënjët e një lisi të vjetër.
…………………………………………………

…Prej sysh më del
Si hyjni qielli, sirenë deti
Përpara meje e veshur me dritë
Ndërsa zhdukesh pa gjurmë
Nëpër tymin e shkrumbit tim
Unë mekem pa frymë
Lis i shituem prej zanash.”

Me teknika që tingëllojnë të njohura e klasike, poezia e Rexhepit arrin të përftojë gjendje të vërteta emocionale. Vargjet që citova janë krejt të zakonshme në libër, nuk janë nga më të zgjedhurit. Por kjo poezi qenka e hapur për interpretime të ndryshme, për rivlerësime. Tani më jep një imazh tjetër, një domethënie më të thellë. Dhe kjo ngjet më shumë tek ajo pjesë ku mungon krejt nervi i retorikës. Ato janë të ftohta, madje të akullta në dukje. Neutrale. Bukuria e vargut i shpëton syrit të pavëmendshëm. Edhe kur ndjeshmëria e lexuesit arrin optimumin e përthithjes, zbulimi është i pamundur të arrihet menjeherë dhe plotësisht. Pamje të reja do të shfaqen më vonë si nënshtresa të pikturuara në kohë të ndryshme. Dhe mund të thuash me vete si nuk i kam vënë re më parë. Tonaliteti i poezisë së Rexhepit nuk vjen i rrafshët, por i shumllojshëm, i përthyer si relievi i vendlindjes. Një pjesë poezish vijnë të zhurmshme , madje të marrin përpara me spontanitetin e tyre, me të shkruajturën me një frymë. Ato u ngjajnë përrenjve malorë që zbresin me shkumë dhe gjëmime. Vrulli i tyre nuk mund të mbërthehet në pritat, ledhet, argjinaturën e metrikës e ritmikës. Përmbytja sjell fundosjen e rregullit strikt gjuhësor. Fuqia e poezisë vendos në sovranitet të plotë mënyrën e shprehjes…Malet e lartë të mbuluara nga mjegulla e bora, ujëra të vrullshëm që sulen brinjave, dimra të rreptë, ortiqe të frikshëm, krijojnë pamjen e një vendi, ku natyrshëm mund të lindë epika. Dhe vërtetë në këto treva gjendet dhe djepi i epikës, por në Lumë, krahas epikës historike, krahas mrekullisë së rrëfimeve realiste, alegorike e plot zgjuarsi, ku elementet fantastike zbehen, gjallon e përtërihet një lirikë e fuqishme. Në raport me epikën lirika në Lumë dhe jo vetëm atje, si gjini më e vjetër, moshatare me njeriun, prandaj dhe më themelore, më prekëse dhe më gjithëpërfshirëse, zë vendin kryesor. Pranë vatrës së ndezur të netëve dimërore, si i vetmi burim drite në kullat të zymta, gruaja lumjane (gjyshe, nënë, motër) tirrte dhe këndonte nën hundë vajin e shpirtit të vet, dëshpërimin e thellë për humbjet e saj dhe humbjet historike të brezave, dhimbjet e shkuara dhe dhimbjet e ardhshme. Prej këtij shpirti tragjiko- poetik lumjan duket se është gatuar e mbrujtur origjinaliteti i poezisë së Rexhep Shahut, ku miq krijues të poetit kanë mundur të shohin pamje të ndryshme të kësaj lirike, ku ndërthuret tragjizmi vetjak me tragjizmin e përgjithshëm, ku vërehet dyzimi, tuajzimi dhe dashuria e përjetshme. Dëgjojmë të thuhet se poezia është në vështirësi, ka mbaruar koha e saj, duhet një poezi e re, të vijnë poetë të rinj. Ndërkohë që botohen qindra libra me vargje që nuk kanë lidhje, as me poezinë e vjetër të Bogdanit, as me poezinë moderne… Nuk janë poezi. Prej këtij konstatimi të dhimbshëm të përsëritur e të stërpërsëritur si një mallkim, (askush prej vargjeshkruesve nuk e gjen veten te ky përcaktim) shtohet nevoja e diskutimeve letrare ku të shoshiten vlerat. Mbi të gjitha shkruesit, lëvruesit e poezisë vetë edhe për shkak të asaj që quhet konflikt interesi, janë në gjendje të grupohen sipas shoqërisë e shijeve të përbashkëta, por nuk mund të vetëpastohen nga jo vlerat. Ky është edhe misioni i kritikës profesioniste, i katedrave të letërsisë që duhet të arrijnë përmes studimeve të bëjnë analiza objektive, të klasifikojnë prurjet e reja poetike, t’i japin fund kaosit të sotëm duke përcaktuar vlerat reale, gjithnjë duke parë zhvillimet në raport me prirjet e sotme të letërsisë europiane e botërore. Natyrisht ka një brez të rinjsh të afirmuar që nderojnë ekzistencën tonë njerëzore dhe letrare, që meritojnë vëmendjen e studimeve të thelluara. Librat e Rexhep Shahut me vlerat që sjellin e meritojnë një vëmendje të tillë.




Apologjia e Rexhep Shahut për Udhën e Kombit



Miho Gjini

Një libër voluminoz prej 500 faqesh mund ta trembë lexuesin në “marrjen e kohës”, por mua m’u duk se nuk më mjaftonte koha e durimi për ta lexuar pa e hequr nga duart, ngado që shkoja nëpër Athinë, në radhët e krizës, nëpër autobuza, trena e metro, aq sa dy herë radhazi përfundova në aeroportin e Spatës i humbur në leximin e librit me titull “Apologji për Udhën e Kombit” të Rexhep Shahut!
Më duhej t’i “përpija” ato rrjeshta të shkruara plot pasion, në një publicistikë të kulluar e me një nerv letrar të mirëfilltë. Se nuk e kisha idenë se çfarë qe bërë në të vërtetë; se më qe “infektuar truri” (në largësi), që atje, nëpër male, ishte bërë kërdia nga “shkatërruesit ekologjikë” dhe nga “mafiozët e vjedhjeve gjigande”!; se, nuk besoja që atë rrugë, që e pata bërë dikur edhe vetë për 8 – 10 orë, i rropatur për vdekje, mund ta përshkoja tani për dy orë!
Dhe do t’i thoshnja këtij Rexhep Shahut, që e ka shkruar këtë ese publicistike tepër të gjatë, me shumë ngrohtësi njerzore, e që është edhe poet, se e ka rrëmbyer “poetika e fluturimeve” irreale; se mua më dukej që “shpikja letrare” e tij ia kalonte edhe fantazisë së Jul Vernit.
Ca më tepër kur harxhon një pasion të zjarrtë polemike, jo vetëm me politikanë partiakë kundërshtarë të Udhës së Kombit, por edhe me anonimët e “kuq” a të “gjelbër” që villnin vrer kundër kësaj rruge, natën dhe ditën…
I ndarë në tre kapituj të mëdhenj ( I,- Apologjia ime; II, - Apologjia e politikës; dhe III, - Apologjia e miqve), libri i Rexhep Shahut është jo vetëm real, i mbështetur mbi një realitet konkret, por edhe në argumente logjike.
Aty ka një polemikë të ndershme e pa fyerje me kundërshtarët e rrugës, të cilët kanë përdorur një mijë arsye që kjo udhë, (që lidh kombin tonë me dy pjesët e ndara!), është e panevojshme, e parakohëshme, shterruese e fondeve publike, apo terren maskarenjsh e hajdutësh të thekur.
Publicisti Shahu që është vetë aty nga mesi i kësaj udhe gjigande, e cila ia ka ndarë pragun e shtëpisë në Bardhoc me varrezat e të parëve (!), me një gjuhë shqipe elokuente e të pastër, të krijon atë kuturisje e imazh që është gati përrallor dhe që hera – herës i ngjan një marrëzie. Marrëzi e njerzve të guximshmëm për të bërë rrugë nëpër shtigjet e dhive e për të “shpuar malet” tejpërtej!
Udha e vjetër e këmbësorëve nëpër Luginën e Fanit, mezi shquhej buzë humnerave, ndersa fragmentet e rrugës së dikurshme automobilistike në atë luginë, kanë mbetur si gjarpërinj të coptuar buzë shkurreve e drunjëve anës rrëpirave.
Gjithçka i ngjan një shpëtimi nga humbja e madhe e katastrofa e shekujve që mund të mbetej e përjetshme. Po, një shpëtimi. Një shpëtimi të madh.
Gjithëçka i ngjan një zgjimi të madh…
E megjithatë, nuk më mbushej mendja dhe e qortova Rexhepin se i kishte rënë shumë “në qafë” mikut tim të vuajtjeve, Fatos Lubonjës dhe analistit Mustafa Nano, me një polemikë tepër të ashpër.
Pozicioni është i kundërt, gati ekstrem, por ka gjithmonë në mes një logjikë të pakundërshtueshme : Udha e Kombit e përfunduar! Një udhë e magjishme… Udha ballkanike më e mirë që e sjell tërë Ballkanin në “dyert e Adriatikut”! Një mrekulli që bind dukshëm miqtë dhe armiqtë… Një rrugë që u shërben që të gjithëve : atyre që na duan e atyre që nuk na duan. Një udhë që duhej ngritur mbi çdo sakrificë, mbi të gjitha humbjet e sakrificat. Përdorimi i metaforës së dhurimit të bizhuterive të florinjta të grave austriake për ndërtimin e Teatrit të Vjenës është tepër i goditur për ngritjen e këtij dekoracioni gjigand të “Teatrit Malor” midis Shqipërisë dhe Kosovës që i ngjan inskenimeve të legjendave më të madhërishme.
Krijimtari e një vepre arti, e cila ia kalon edhe tablove të përkryera që vetë natyra e ka “pikturuar”! Dhe asnjëherë nuk mund ta besosh realizimin e kësaj vepre po nuk e përshkove vetë këtë Udhë debatesh, polemikash e luftrash të mëdha politike.
“Që ta besosh më mirë e më shpejt, - më tha Rexhep Shahu, - nesër, që do shkojmë në Prizren, nuk po e pijmë kafen në “Kafe Europa” në Tiranë, por te Shatërvani. Aty ku është lindur gjyshja ime, do të mbërrijmë më shpejt se sa të vemi në Vlorë apo në Fier…”. E pashë me mëdyshje.
Por e dija se ky përson, ky poet, që para një viti më ka befasuar edhe me librin poetik “Lis i vetëm në fushë”, është një tip “i ngulur” dhe i fortë siç është edhe vetë lisi i atyre anëve… Fjalëpakë dhe vëzhgonjës i mprehtë. Njeri i tavolinës së miqve dhe njëherësh edhe i foltoreve të mediave publike. I butë dhe i ashpër në të njejtën kohë. Sfidant e zemërak kur ia do puna dhe tepër i dhimbsur e njerzor kur je pranë tij. Njeri që di të përlotet po aq sa edhe të buzëqeshë, apo befas të shpërthejë në urrejtje. Nuk do të zemërohet Rexhepi po të shtoja këtu që është një “malok” i ashpër, po aq sa edhe një “ujk i zbutur”. Ndofta ngaqë veriori Shahu ka patur gjithmonë mësonjës nga të jugut. Shkurt, (se e zgjata fort), po të shprehesha me fjalët e shkëlqyera të Dritëroit, “është burrë i zoti!” ky Rexhep Shahu. Rrugëtimi për në Prizren, qysh në orët e para të mëngjesit, do të më linte pa mend e pa gojë posa do të hyja në Luginën e Fanit e do t’u “ngjitesha” majëmaleve. Në rrymën e kundërt të autostradës do të shikoja vetëm vargun e pafund të makinave me targa të huaja e targa të Kosovës. Një lumë i vërtetë makinash. 27 mijë (të tilla) atë ditë, - sikundër më tha më pas një zyrtar në doganën e Morinit, vërshojnë drejt brigjeve tona detare.
Pata përshtypjen se ai lumë makinash delte nga fantazia e Homerit, midis gurësh mitologjikë, poshtë shpellës së Polifemit. Përtej tyre paskësh qenë gryka e tmerrshme e Spaçit që na e përgjysmoi jetën bashkë me ëndrrat tona…
Gjithësesi, gërryerjet apo gdhendjet e maleve nuk do të më bënin më përshtypje, tek ndërroheshin pamjet e më rrëmbente ndjenja e hapsirës së tanishme.
Dhimbja e dikurshme sikur tretet kur hapet “sipari” i vargmaleve e i honeve si në një shetitje ajrore. Mali i Shejtit, i Munellës, i Gur-Nusit, i Zebës, i Thirrës e i Rrunës, do të mbeten pas e frymëmarrja të qëndron pezull gjer në Kalimash. Pas urës 200 metërshe të Repsit do të vinte ajo 300 metërshe e grykës së Burgjonës dhe kur hyn në tunelin 6 kilometër të gjatë në zemër të malit të Rrunës, njeriu s’ka më kohë të mendojë se kanë ekzistuar edhe kundërshtarë të kësaj rruge që bashkon Shqipërinë me Kosovën.
Udha e mëpastajme përbri liqenit të Kukësit, krijon vetëm një qetësim shpirtëror, që i ngjan ngazëllimit.
Përballë nesh shfaqen befas tre malet më të lartë, Gjallica, Pikëllima dhe Pashtriku dhe ne sikur “humbasim” në gjirin e tyre, për të dalur paskëtaj në “vijën e dhimbjes” që i ka dhënë emrin Pikëllimës, ku paska ende një kufi ndarës midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe ku gjithësesi, duhej të lindte si një shpresë, si një dritë kjo Udhë e Bekuar e Kombit tonë…
Ndërsa Prizreni më mbrapa, pas këtij “fluturimi” dy orësh, i ngjan vetëm një çudie.
Një kafe në Prizren tek çezma e vjetër në sheshin e Shatërvanit përbri Lumbardhit, lumë në të cilin u krodh hiri i princit shqiptar të kinemasë, Bekim Fehmiu, të cilit i pata shkruar letër nga qelia ku dergjesha në burgun e Spaçit, nuk ka të paguar dhe vështirë të të shijojë ndokund më shumë.
Udha e Kombit tani vazhdon brenda meje, brenda teje e brenda kujtdo…

...

2014/12/11

LIRIA SI PËRMASË UNIVERSALE NË LIRIKËN E FLORA BROVINËS


DR.DOC.HELENA GRILLO (MUKLI)
Universiteti "Aleksandër Moisiu"
Fakulteti i Edukimit
Departamenti i Gjuhës Shqipe
Durrës, Shqipëri
Email:helenagrillo@yahoo.com


DR.DOC.ALISA VELAJ
Universiteti "Aleksandër Moisiu"
Fakulteti i Edukimit
Departamenti i letërsisë
Durrës, Shqipëri



LIRIA SI PËRMASË UNIVERSALE NË LIRIKËN E FLORA BROVINËS


Hyrje

Në punimin tonë do të analizojmë veçori të lirikës së poetes Flora Brovina.
Metodologjia e përdorur në realizimin e kësaj analize është e një karakteri kompleks dhe si e tillë ajo nënkupton një sërë elementesh dhe teknikash, të cilat kanë për bazë si teorinë, ashtu dhe analizën e vecantë të gjuhës së poezisë, e cila vjen me vecori specifike poetike, e latuar dhe ngjyresa stilistike. Nga pikpamja metodologjike, krahas qasjes analizuese të zbërthimeve të kuptimimeve metaforike do të mbështetemi në idenë e stilit si mënyrë për të dhënë formë,  që është në qendër të estetikës së Luixhi Parejsonit.

 

Pak fjalë për autorin

Flora Brovina u lind më 30 shtator 1949 në Skenderaj. Studimet në Fakultetin e Mjekësisë i mbaroi në Prishtinë. Ka botuar disa vëllime me poezi: ”Vërma emrin tim” (1973), “Bimë e zë” (1979), “Luleborë” (1988), “Mat e çmat” (1995) dhe “Thirrje e Kosovë” (1999, në kohën kur ajo ishte në burgun e Pozharevacit në Serbi). Në vitin 1999, në një kohë kur fati i Flora Brovinës pas arrestimit ishte i panjohur, ajo mori Çmimin Tucholsky për vitin 1999 ’in absentia’ nga PEN Klubi Suedez.


           Koncepti i lirisë në art

Në këndvështrime të ndryshme të artistëve, sociologëve, politikanëve, filozofëve, teologëve koncepti i lirisë vjen si dimension i shumëpërmasuar, ku secili koncepton e rikoncepton sipas këndvështimit vetjak lirinë. Horizonti i lirisë është aq i gjerë, sa ngërthen në vetvete dimensione vazhdimisht në shtrirje. Prirja e përgjithshme e unit, individëve dhe kombeve është rendja drejt lirisë, e cila përshkallëzohet nga individi drejt grupeve sociale, etnike dhe kombeve.
Në këtë punim do të  paraqesim një nga dimensionet e  konceptit  të lirisë, mishëruar në artin e fjalës së bukur poetike duke realizuar raportin: liria koncept dhe përjetim/veprim, ndaj abstragimi ynë për lirinë do të ndalet në lirinë e artistit, posaçërisht lirinë e poetit.




 


Gjuha e poezisë

 Gjuha e poezisë shndërrohet në sens për figurën, gjuhë e imazheve, përjetimeve dhe situatave dramatike, heroike. Për raportet midis gjuhës individuale e gjuhës së poezisë (poetëve). Emil Benvenisti shprehet: “Në gjuhë dhe me gjuhën individi dhe shoqëria përcaktohen ndërsjellazi. Njeriu e ka pohuar gjithmonë - dhe poetët edhe e kanë kënduar shpesh - fuqinë themeluese të të folurit, që ngren një realitet imagjinar, i shpirtëzon gjërat inerte, bën të shihet ajo që ende nuk ekziston, rikthen atë që ishte zhdukur. Ja përse gjithato mitologji, duke dashur të  shpjegonin se si në agimin e kohërave diçka ka mundur të lindë nga asgjëja, kanë vënë  si parim krijues të botës këtë esencë jomateriale dhe sovrane: fjalën ( E.Benvenist 1971).
Nëse vepra e artit është formë, mënyra për të formuar nuk i takon vetëm leksikut ose sintaksës, por edhe cdo strategjie semiozike që tirret qoftë në sipërfaqe qoftë në thellësi gjatë nervëzimit të një teksti ( U. Eco 2007: 157).
Atëherë kur biografia mund të bëhet një “fakt letrar”, poetët bëhen heronjtë e vetvetes dhe jeta është një produkt i poezisë dhe jo anasjelltas (Ann Jeferson, David Roby 2010: 54).


            Metafora e lirisë

Flora Brovina është shembull tipik i përfshirjes së “faktit letrar’ brenda vetvetes, jeta e saj është produkt i poezisë së shkruar brenda mureve të burgut. Në vargjet e vëllimit të saj të parë poetik “Vërma emrin tim”, në vitin 1973, kur ishte ende 24 vjeçare poetja pat shpallur se ishte motër e bilbilit dhe armike e qyqes. Nëse ke dëgjuar këngën time/ e di si këndoj/ vëlla e kam bilbilin/ qyqen nuk e kam fis.
            Nga pikpamja gjuhësore poetja realizon mes zhvendosjes kuptimore ndërtime metaforike që e lidhin ngushtësisht me fjalë të fushës semantike familjare ( motër - vëlla), e më gjerë fis. Kuptimisht poetes i vjen në ndihmë krahasimi i fshehur me qyqen, që gjuhësisht vjen i stërlarguar nëpërmjet pjesëzës mohuese nuk. Zemra e origjinalitetit poetik të autorit çoket te përkthimi i metaforës. ( M. Kundera 2011 :112). Në poezinë “Vërma emrin tim” poetja duket sikur ka ndërtuar enigmën ( për t’u zgjidhur) mes dyzimeve anaforike të realizuara me lidhëzën nëse. Koncepti i lirisë këtu ndërthuret me konceptin e njohjes, në rastin konkret , të njohjes së vetes ( Unit) duke i dhënë lirisë një dimension të ri. Koncepti i lirisë si përmasë artistike realizohet drejt fluturimeve ( ka emrin e fluturimit), që duket sikur nuk mjafton dhe i jep përmasë të dyfishtë në fluturime të unit. Mes këtyre dimensioneve të lirisë poetja shfaqet si ekzistenciale, duke kapërcyer dilemën e njohjes. Gjuhësisht kjo shfaqje nuk realizohet vetëm me metaforën, por edhe mes përdorimit të foljes di, që thellon konceptin e njohjes.
E di emrin tim/ e di kush jam/ e di si këndoj/ e di se unë nuk qaj/



Prej kësaj kohe, Brovina nuk do të bënte gjë tjetër, veçse do ta kërkonte parreshtur lirinë, si në poezi, ashtu edhe në jetë. Poetja e re e kosovare, e kish pas ndjerë mjaft herët se liria nuk duhet kuptuar si dhuratë, por si një përpjekje për ta krijuar atë.
Vëllimi i dytë me poezi “Bimë e zë” rrok tema të tilla si: roli dhe emancipimi i femrës në shoqërinë shqiptare, çështje kjo që do ta shqetësoj Brovinën edhe në aktivitetin politiko - shoqërorë në vitet që do të vijnë, si aktiviste e çështjeve në mbrojtje të së drejtave të gruas. Në këtë kënvështrim, Flora Brovina vjen si Maja Angelou e poezisë shqipe të Kosovës. Në poezinë “Unë e di pse këndon zogu në kafaz” poetja dhe feministja amerikane shkruan; “Zogu i mbyllur në kafaz këndon, ai,/ me një zë të trembur e të dridhur, / për të gjitha gjërat që nuk di,/ por që dëshirojnë shumë qetësi, / dhe që melodia e tij të ndihet patjetër / në një kodër larg, diku tjetër, / nga një zog tjetër i dënuar, /që për lirinë është duke kënduar”.
Pa humanizmin e thellë për tjetrin në zanafillë nuk mund të lindin kurrë vargje të tillë si: “ Thoni vetëm mungon/ Me lule do t’ua mjekojmë plagën/ Do t’i presim/ Thoni vetë mungon/ Do të celin lule gjaku/ ora vazhdon…”  Në poezi krahas konceptit tradicional[1][1] të orëve, mbartet metafora në fushën ekzistenciale ( heroi i tretur fizikisht, por i pranishëm në historinë e një populli e në vetëdijen e tij. Ora është personifikim i fatit të një njeriu, të një familjeje, të një kombi. Orët nuk paraqiteshin gjithmonë si vajza, shpesh në tradita folklorike ato marrin pamjen e dhive, të gjarprit (vitorja). Cdo njeri, cdo familje, cdo komb ka orën e vet, gjeniun e vet mbrojtës.

Shkalla e abstragimit mëton përjetimin material ekzistencial, individual e merr përmasa përgjithësuese, kthehet në simbolikën e heroit të rënë për liri. Liria përmasohet nga uni fluturim i qënies, drej valles kolektive që mbart popullin, kombin.
Ora e parë
“Atë natë edhe Hëna qau/ si nëna në zi/ atë natë vdiq Ganimeti/ u fik një dashuri”
Nata e kobeve
Metafora krijon përjetime gjendjesh e paralelizma ( Hëna qau), ndiqet nga krahasimi ( si nëna në zi) të lidhura kuptimisht me përjetimin e konceptit të vdekjes. Kjo finalizohet me lojën në  kuptimet sinonimike të fjalëve vdiq – u fik. Poetja parapëlqen si gjetje stilistike ndërtimin e metaforës mes fjalës sinonimike të vdekjes( fik), duke I dhënë shpresë për t’u rindezur dashurisë.
Lulet e gjakut në poezinë e Brovinës lindin së pari në gjakun e shpirtit të saj poetik e mandej bëhen pemë gjaku për Kosovën martire. E kundërta e lirisë, joliria ka në thelb të saj tradhëtinë, e ndaj vjen në përfytyrimin e lexuesit si një gjarpër duke na sjellë një përmasë tjetër të lirisë, por realizuar në marrëdhënien mungesore: liri/ joliri; ekzistencë, qënie/ vdekje, mohim. Në dimensionin e këtij raporti mungesa e lirisë individuale shndërrohet në zi kolektive. Kanti (1724-1804) thotë, se kusht i të gjitha lirive sociale dhe politike është detyra, obligimi për të vepruar në një mënyrë, që të mund të ngrihet në një ligj të përgjithshëm. Ekzistenca e këtyre ligjeve të përgjithshme në arsyen e njeriut shpie drejt një lirie të patjetërsueshme e të zakonshme, një realitet që mund të tematizohet, fundja vetëm në mënyrë reale.
“Gjarpër/ Ndërron lëkurë/ Ti ndërron lëkurë/ E gjarpër je/ Rrotull meje”    Gjarpër
Gjarpëri si mohues i lirisë fiton një peshë specifike në lirikën e Brovinës. Ai bëhet simbol vdekje dhe paralajmërim si mohues i ekzistencës së një populli të tërë prej dhunës së satanave pushtues, si vrasës të lirisë. Gjarpëri vjen si simbol analog i gjarpërit të zanafillës biblike, simbol i gënjeshtrës, mashtrimit dhe vdekjes.

Atdheu perceptohet si pjesë e lirisë së individit, këndvështrim që e largon poezinë e saj nga lirika patriotike tradicionale dhe e bashkon me poetë si Fatos Arapi, ku atdheu është toka që të rrëshqet nën këmbë (Poezia Atdheu) dhe me poezinë bashkohore arbëreshe, ku atdheu është pjesë e vetvetes, dhe hapësira ku poetë të tillë  si: Vorea Ujko, Di Maxho, Belizi kërkojnë rrënjët e tyre të të qenit (Alisa Velaj 2012). Ky atdhe si pjesë e lirisë së individit përbën universalen në lirikën e Flora Brovinës.
Metafora vjen e gjallë, e paprekur, e freskët dhe rrëmbenjëse. Fryma poetike lëviz lirisht: si fluturim zogu, si zogjtë nëpër erë, si zgjim i shpenguar drejt lëvizjes në hapësirë, si hënë që mbart në shpirt dritën.
Liria dhe emancipimi i femrës kosovare fiton një peshë të madhe në poezinë e Brovinës. Poetja sheh tek femra shqiptare gruan e jashtëzakonshme të Angelout, por që tashmë duhet të shndërrohet në një pjesë të lirisë së Kosovës me lirinë e saj. Liri që duhet ta fitojë, pasi pa liri të femrës nuk ka liri të kombit. “ C’ruan në aneminë e fjalës/ këngën e heshtur/ apo një pranverë të sosur/ c’ruan kur përkund kohën në djep/ c’ruan/ c’fsheh”   (Gruas )



Metafora këngë e heshtur ka ngjizur gjithë domethënien e melodive të pathëna e pakënduara, ekzistencën e tyre në shpirt ( por jo mungesën). Poetikisht e ka ndërtuar aq bukur në sintagmën aneminë e fjalës, që e përshkruan mrekullisht përjetimin mungesor të njërës prej përmasave të lirisë. Për këtë e ka ndihmuar liria e fluturimet poetike. Pranverat e saj të sosura nuk do të jenë gjë tjetër vecse një ardhje e zbehtë e lirisë së Kosovës. Koha dhe kombi zgjohen vetëm atëherë kur ndihet kënga e gruas dhe jo kur koha përkundet prej saj në djep.

Te ‘Thirrje Kosovës” prej vetes përmasat e lirisë zgjerohen drejt një horizonti që ngjiz të tjerë horizonte lirie, ku robëria dhe joliria janë fare të përjashtuara. Pasi liria është tashmë gjithçka që frymon dhe gjithcka që të jep jetë. Përmasat e lirisë zgjerohen në të gjitha dimensionet nga ‘Thirrje Kosovës” te “Liria” duke shtuar enumeracionet që shkojnë drejt infinitit, pa nguruar të përdorë nga detajet e përditshmërisë lojë e fëmijëve, deri në metaforën luneare që zgjerohet në kozmos. Aty liria vjen si: fluturim, zgjim, hënë, erë, lojë e fëmijëve, gaz e vaj--- grua e cliruar nga barra duke u endur në përmasat shumëdimensionale mes realizimeve: liri ekzistenciale ( unë+ ti) , përtëritje, clirim dualiteti, liri embrionale. Të gjitha këto ndihmojnë në shumëfishimin e përmasës së lirisë në univers që finalizohet më përjetimin e gjendjes së arritur ( oh si duket liria )
Krahas metaforës Brovinën e ndihmon edhe eliptizmi, dukuri e pazakontë për përshkrimin e përmasave kaq universal, por që realizohet aq mjeshtërisht nga poetja. Ajo thotë kaq shumë dhe shkruan kaq pak, me vargje minimaliste që rrokin thelbin e dukurive.

Së fundi, nga pikpamja tipologjike mosklasifikimi i lirikës së  Flora Brovinës në asnjë prej rrymave të poezisë shqipe tregon një tjetër manifestim të lirisë artistike, që nuk u  mungon njerëzve me shpirt të pasur poetic e ndjeshmëri të lartë artistike. Brovina shquhet edhe për ndjeshmëri gjuhësore. Puna me gjuhën, qëndrimi dhe përpjekja që të shfrytëzohen në mënyrë të gjerë dhe cilësorisht mundësitë e mëdha që ofron gjuha në rrafshin e leksikut e sintaksës- janë ndër përbërësit që të bien në sy vecan në lirikën e Flora Brovinës.
 

Përfundim
Në këtë punim paraqitëm një nga dimensionet e  konceptit  të lirisë, mishëruar në artin e fjalës së bukur poetike duke realizuar raportin: liria koncept dhe përjetim/veprim. Në lirikën e poetes sonë liria klith për lirinë. Kjo e fundit  vjen si përmasë ekzistenciale, jo vetëm kur klithma poetike shndërrohet në kronikën e dhimbjes së një populli të tërë, por edhe kur pikëllima ngjizet si dhimbje e njeriut për njeriun. Atdheu perceptohet si pjesë e lirisë së individit, këndvështrim që e largon poezinë e saj nga lirika patriotike tradicionale dhe e bashkon me poetë si Fatos Arapi, ku atdheu është toka që të rrëshqet nën këmbë (Poezia Atdheu) dhe me poezinë bashkohore arbëreshe, ku atdheu është pjesë e vetvetes, dhe hapësira ku poetë të tillë  si: Vorea Ujko, Di Maxho, Belizi kërkojnë rrënjët e tyre të të qenit (Alisa Velaj 2012). Ky atdhe si pjesë e lirisë së individit përbën universalen në lirikën e Flora Brovinës. Nga pikpamja tipologjike mosklasifikimi i lirikës së  Flora Brovinës në asnjë prej rrymave të poezisë shqipe tregon një tjetër manifestim të lirisë artistike, që nuk u  mungon njerëzve me shpirt të pasur poetik e ndjeshmëri të lartë artistike. Brovina shquhet edhe për ndjeshmëri gjuhësore.




Përmbledhje:

Gjuha e poezisë shndërrohet në sens për figurën, gjuhë e imazheve, përjetimeve dhe situatave dramatike. Në poezi kalimet kuptimore sendërtohen përmes metaforës, e asgjë nuk kërkon më shumë saktësi sesa përkthimi i kësaj figure stilistike, meqenëse aty preket zemra e origjinalitetit poetik të një autori. Mes analizës stilistiko - gjuhësore do të zbërthejmë shkallë - shkallë konceptin e lirisë në metaforën e vargut të Brovinës, nga vëllimi “Bimë e zë” në vëllimin “Mat e ç’mat”. Shkalla e abstragimit mëton përjetimin material ekzistencial, individual e merr përmasa përgjithësuese, kthehet në simbolikën e heroit të rënë për liri.
Në poezinë e Flora Brovinës atdheu perceptohet si pjesë e lirisë së individit, këndvështrim që e largon poezinë e saj nga lirika patriotike tradicionale. Një përmasë e kësaj natyre, atdheu, si pjesë e lirisë dhe domosdoshmërisë ekzistenciale përbën universalen në lirikën e Flora Brovinës. Tema të tilla si liria, emancipimi, e bëjnë klithmën e saj poetike të meritojë pa asnjë hezitim pagëzimin “Maja Angelou e letërsisë shqipe të Kosovës”.
Mosklasifikimi i poezisë së Brovinës në asnjë nga drejtimet letrare të poezisë shqipe përbën padyshim një tipar të lirisë së saj në artin e fjalës.

Fjalët çelës: metafora e lirisë, gjuha e poezisë, universaliteti i poezisë.


Summary:

The language of poetry is exchanged in a sense for the figure, the language of the images, experiences and dramatic situations. In poetry this drift is done through the metaphore, and nothing requires more preciseness as the translation of this style figure, as the heart of the author’s originality. By analyzing the style and language we will break down step by step the concept of freedom in the metaphore of Brovine verses from the volume “ Plants and Voice” to “ Measure and unmeasure”. The degree of abstraction shows the existing material experience and takes resumptive dimension and turns into the symbol of the heroe fallen for freedom.
In the peotry of Flora Brovine the motherland is thought to be part of individual freedom, which parts her poems from the traditional freedom lyrics. A dimension of this nature, the motherland, as part of freedom and existance contains the universal of her lyrics. Themes like freedom and  emancipation makes her poetic cry to merit without hesitation the epiphany  “Maja Angelou of Albanian literature of Kosovo”.
The non clasification of Brovine poetry in any of the albanian literature trends constitutes without any doubt a unique feature in the art of the word.
Key words: the freedom metaphore , the language of poetry , universal dimension.

 

 Bibliografia

GABLES, C (1971)  Problems in general linguistics, translated by Mary Elizabeth Meek, 2 vols, Florida.
ECO,U (2007) Për letërsinë, Shtëpia botuese “Dituria”, Tiranë.
 Ann Jeferson, David Roby, Formalizmi Rus në Teoria Letrare Moderne, Shtëpia botuese “Albas”, Tiranë, 2010, f.54.
KUNDERA, M (2011)Testamentet e tradhëtuara, Tiranë, f. 112
VELAJ, Alisa (2012) , Konfigurimi i atdheut në poezinë bashkohore   arbëreshe,, Suplementi Rilindasi në Shqiptarja.com, Tiranë.
LLOSHI, Xhevat (2005), Stilistika e gjuhës shqipe dhe Pragmatika, SHBLU, Tiranë.  Nga konferenca e mbajtur në Kolegjin Saverjan, më 18 janar 1931. Shih E. Koliqi, “Vepra”, 2, Konica, Prishtinë, 2003.
SHKURTAJ, Gjovalin (2009),  Pesha e fjalës shqipe, Tiranë.
THOMAI, Jani (1999), Leksikologjia e gjuhës shqipe, Tiranë.
THOMAI, Jani(1992), Teksti dhe gjuha, Tiranë.
ULLMAN, Stephen (1962), Semantics Introduction to the Science Meaning, Oxford.







 LEXONI;

 

http://floripress.blogspot.com/2013/01/hape-dritaren-merr-fryme-thelleme-tha.html

 


http://floripress.blogspot.com/2012/11/po-e-prekni-kosoven-keni-pune-me-mua.html

Nga Mimoza Dajçi : Etnografia e poetja Bora Balaj në faqet e shtypit shqiptar në SHBA



Bora me punën tuaj krijuese si etnografe e poete jam njohur nëpërmjet medias elektronike, e ndërsa sot kam rastin të bisedoj me ju pranë familjes së veprimtarëve të njohur në SHBA Tereza e Pashk Maksuti.

Bora: - Edhe unë ndjej kënaqësi të kem rastin të komunikoj me periodikun i cili mban gjallë frymën shqiptare larg Atdheut, por kam kënaqësi të flas këtu ku takoj shumë njerëz që vazhdojnë të punojnë, të frymojnë e të kultivojnë edhe kulturë edhe traditë Shqiptare, por edhe vlera që i kontribuojnë vendit dhe pasurisë shpirtërore. Vërtetë, në këtë familje gjeta shqiptarinë dhe intelektin modern e tradicional.

M.D: – Ju keni kryer fakultetin ekonomik në Pejë, si kaluat më pas në poezi dhe në hulumtin e veshjeve tona kombëtare?


Bora: - Shkollimin e bëra siq e bëjnë të gjithë, apo siq e bënim në atë kohë, aty ku është më afër. Atë botë studioja në Pejë dhe zgjodha një drejtim që më tërhiqte së paku të studioj dhe të kem një përgatitje shkollore të Lartë, por edhe nuk e kisha largë dëshirës këtë profesion të drejtimit ekonomik. Ndërsa, në mua ishte e lindur dhe vazhdoja ta mbjellja pasionin e leximit dhe të krijimit që heret. Poezia erdhi si krijimtari në mua dhe ndjeja nevojë të zbërthehem në diçka të shkruar. Këtë e them kështu, sepse më vonë linden dhe vërshuan edhe shumë ide tjera të hulumtoj artin e krijuar në popullin tim. Pikërisht në zonën ku unë jam rritur, ky art është kultivuar më shumë nga populli dhe ky etnos është ruajtur herë si një sfidë, e herë si kulturë autoktone. Dhe veshjet, të cilat edhe i punonim në mesin tonë, punë dore pra, u bënë pasion i imi të kalojnë në mua si fondacion koleksionues. Dhe me disa nga miqët e mi, thamë pse mos ti mbledhim dhe pse mos ti prezentojmë publikisht. Kështu që unë edhe mblodha shumë nga veshjet, edhe hulumtova edhe i botova në një lidhje si boletin koleksionar. Kjo bëri bujë dhe ia ka vlejtë besoj.

M. D : – Që nga viti 2002 ju drejtoni Agjensinë e Modës “Bora – Fashion” në Gjakovë, a kanë paraqitur interes  vendasit apo të huajt ndaj vlerave tona tradicionale?

Bora: - Vlerat tradicionale janë kudo në botë. Secili popull ka krijimtarinë e vetë nga lashtësia. Por, dikush din bukur  ti ekspozojë, ti paraqesë dhe ti plasojë tek të tjerët. Unë kam parë një mahnitje tek të huajt, por më ka befasuar edhe tek vendasit. Sepse gërshetimi i kulturave është duke e zbehur traditën. Dhe kur tanët mahniteshin me ato vlera tona, thoja me mendje, se si qenkem vonuar me këto botime. Pra, është pritur mire, së pari Agjensia ime duke plasuar këso vlerash dhe janë pritur mirë edhe punët që kemi paraqitur nëpër ekspozita.

Në cilat treva të vendit keni qenë për të siguruar elementët më të hershëm të veshjeve e kulturës sonë etnike shqiptare?

Bora: - Kosova është një njesi e vogël për tu ndarë në treva. Por, ndikimi i kulturave është ndryshe nga një trevë në tjetren. Ideologjitë fetare edhe kanë sjellë motivet e veta dhe shumë nga trevat i kanë ruajtur duke i ngatërruar me kombëtaret. Unë kam marrur për modesti të them veshje nga Dukagjini më së shumti, sepse, atje edhe janë ruajtur më shumë . Pastaj nga Drenica, nga Hasi, nga Gollaku pakëz, nga pjesë të shumta të Shqipërisë dhe nga Maqedonia. Por, këtu në blenin e parë janë prezentuar vetëm një pjesë dhe pritet të dalin volume tjera në publikim.

M. D: – Po veshjet popullore Çame a zenë vend në Agjensinë “Bora – Fashion”?

Bora – Çamëria është dhimbje e jona edhe në historik edhe në kulturë. Ato veshje do të zënë vend në botimin e dytë shpresoj, sepse jemi duke e plotësuar gjeografinë Shqiptare.

M. D: – Ju merreni vetëm me hulumtimin e veshjeve popullore, apo keni edhe atelienë tuaj të dizinjimit e prodhimit të tyre?

Bora -  Unë edhe i hulumtoj ato veshje kudo që janë, por edhe i dizajnojë duke bërë edhe krijime të reja. Në Shtëpinë e Modës ku unë punoj dhe e menaxhoj kemi sjellur modifikime si dhe modele të reja. Këtë punë edhe e vazhdoj ta e bëjë me disa modelare dhe manekine.

M. D: – Puna e dorës ka qenë historikisht një traditë e bukur e femrës shqiptare, a ka edhe organizata apo agjensi të tjera në Kosovë që merren me kulturën tonë etnografike?

Bora  -  Puna e dorës deri vonë ka qenë edhe profitabile edhe vetë ekzistenca e jonë. Ajo sot më pakë punohet. Në  Kosovë viteve të fundit është stimuluar me të madhe nga disa Shoqata të grave kjo punë dhe po mbahet aktive sot duke u stimuluar në rrafshin artistik për të prezentuar autoktoninë tonë.


Bore Balaj, kreatore e modës, hulumtuese e etnografisë ka shprehur falënderim për mikpritjen nga nikoqiri  dhe pjesëmarrjen e publikut të gjerë në këtë ekspozitë. “ Jemi mirëpritur dhe vlerësuar lartë për punën që kemi bërë”, ka thënë Bore Balaj(Floripress)



M. D: – Gjatë qëndrimit tuaj në SHBA, a biseduat me organizata apo individë të ndryshëm në lidhje me projektet tuaja për të ardhmen, e cilat janë konkretisht ato?

Bora: - Kam pasur kontakte me disa grupe dhe individë te njohur ne SHBA aktiviste te ceshtjes kombetare si dhe kam pautr rast te viziotoj Federaten Panshqiptare Vatra dhe te takoj anetare te organizates se gruas Hope & Peace ku ju Mimoza jeni themeluese e saj.……….

M. D: – Le ti kthehemi paksa poezisë, pasi edhe letërsia është edhe ajo një nga pasionet tuaja. Sa libra keni botuar dhe a mund të mësojmë titujt e tyre?

Bora:  - Unë botova së pari librin me poezi “Zogu pa Qerdhe” dhe “Loti ne sy” , tani kam ne dore edhe nje liber tjeter me poezi.

M.D: – Përsa i përket etnografisë ju jeni nominuar në disa Çmime e jeni fituese e shumë prej tyre, a mund të ndalemi pak në sukseset tuaja?

Bora: -  Puna në etnologji më është bërë edhe profesiona, pasi që jamë duke studiuar edhe shkencërisht këtë fushë të gjerë dhe interesante. Deri më tani jam shpërblyer me disa çmime që në fakt janë modeste, por tek unë kan një çmim që më bëjnë të ndihem mirë. Çmimi më i mirë është kur vepra jote shpërndahet, pranohet mirë si dhuratë dhe prezenton historinë e vendit tënd. Secili prej nesh kemi obligim të paraqesim mjeshtrin tonë.

M.D: – Po familja sa është e gatshme për t’ju ndihmuar në këto inisiativa, dhe a është i apasionuar në këto fusha ndonjë prej fëmijëve tuaj?

Bora:  - Familja është mbështetësja më e madhe në këtë punë që më shumë ka shpenzime se sa përfitime. Bashkëshorti imë është më shumë stimulus dhe ka krijuar një passion edhe pse nuk e këtë lëmi. Edhe sot llogarisë më shumë tek familja, se, më duhet të jem në levizje dhe nga atje e marr edhe stimulimin material.

Faleminderit e suksese

Bora:  -  Unë ju falenderoj më shumë juve, ngase e kisha për dëshirë të jem në mediumet në Amerikë, posaqe tek lexuesi Shqiptarë, ngase puna që bëj unë i dedikohet popullit tim kudo që është ai. Urime dhe suksese edhe juve.

http://www.dailymotion.com/video/x1pgdpm_mbasditja-n-rrokum-kultura-dhe-veshja-ne-studio-shkumbin-tafilaj-dhe-bora-balaj_news


-------------------------------------------

Poezi nga Bora Balaj

Sheshi Nënë Tereza në Gjakovë

Mos lexo emra
Nëpër gurët e qytetit
Aty është edhe emir im
Mos kalo sheshit NënëTerezë
Pa kthyer kokën
Të shohësh lotin tim
Aty  pushojme te gjithe se bashku
Emrat në gurë si në errësirë
Të vrarë e të zhdukur
Nuk di ç’mbiemër t’u vëj
pos Martirë Lirie
Aty për çdo ditë kalon shpresa
Dheu me duar të lutura Nëne
Veten mos e harro kur të kalosh
Në sheshin NënëTereza në Gjakovë…

Baladë për të zhdukurit
Braktisur nga ajo ditë
Prej dorës së dashurisë
Në zjarrin e tiranisë
Sa vite ora u ndal
Asnjë lajm për ju
Vetëm pikëllimi në rritje
Asnjë fjalë për ju
Vetëm shpresa në pritje
Lulja pa u tharë
Tek priste pranverën
Oh çast i vrarë
Shko bashkë me skëterrën
Kështu kjo tokë
Kështu kjo botë.
Dashuri e Nënës

Duart e rritës sime
Treten bashkë me dheun
Kujtesë ëmbëlsia e fjalës
As ëndërr as vdekje
Vetëm trupi është tretur
Dhe ka mbetur dashuri e nënës
Dashuri e nënës
Embëlsi e fjalës kur luteshe për mua
Para Shën Marisë
Për të shëndetshme për rritën time
Ngrohtësi e kësaj bote
Lulëzon e vetëm lulëon
Dashuri e nënës

Dëbimet

Endrrat trembeshin
Në natën e kobit
Drejt kufirit vallëzonte vdekja
As nuk vijnë as nuk shkojnë
Njerëzit – hije
E shpirtin e kafshonte heshtja
Kur vriteshin ëndrrat
Në sheshin e dhembjes
Cili shpirt pëgjakej
Bashkë me kujtesën


Kosovë

Edhe unë e kam shtëpinë time
Llamba as që lëkundet
Era as që fryn më
Statujat e vogla përplasen
Në dritaren e mbyllur
Atdheu zgjohet nga ëndrra
Edhe unë e kam dhembjen time
Zjarrin e dashurisë
Kosovë


Flori Bruqi, e pasqyruar në shtatëdhjetë libra të botuar deri tani, për çka ai duhej nderuar me medaljen më të lart “Nderi i Kombit”.

  Akademik Prof.dr.Eshref Ymeri, PHD Prof. dr. Flori Bruqi, me “Diademë Letrare V” Akademik PHD, Eshref Ymeri Vitin e kaluar, Shtëpia Bo...