DR.DOC.HELENA GRILLO (MUKLI)
Universiteti "Aleksandër Moisiu"
Fakulteti i Edukimit
Departamenti i Gjuhës Shqipe
Durrës,
Shqipëri
Email:helenagrillo@yahoo.com

DR.DOC.ALISA
VELAJ
Universiteti "Aleksandër Moisiu"
Fakulteti i Edukimit
Departamenti i letërsisë
Durrës,
Shqipëri
LIRIA SI PËRMASË UNIVERSALE NË LIRIKËN E
FLORA BROVINËS
Hyrje
Në punimin tonë do të analizojmë veçori të lirikës së poetes Flora Brovina.
Metodologjia e përdorur në realizimin e kësaj
analize është e një karakteri kompleks dhe si e tillë ajo nënkupton një sërë
elementesh dhe teknikash, të cilat kanë për bazë si teorinë, ashtu dhe analizën
e vecantë të gjuhës së poezisë, e cila vjen me vecori specifike poetike, e
latuar dhe ngjyresa stilistike. Nga pikpamja metodologjike, krahas qasjes
analizuese të zbërthimeve të kuptimimeve metaforike do të mbështetemi në idenë
e stilit si mënyrë për të dhënë formë,
që është në qendër të estetikës së Luixhi Parejsonit.
Pak
fjalë për autorin
Flora Brovina u lind më 30 shtator 1949 në Skenderaj.
Studimet në Fakultetin e Mjekësisë i mbaroi në Prishtinë. Ka botuar disa
vëllime me poezi: ”Vërma emrin tim” (1973), “Bimë e zë” (1979), “Luleborë”
(1988), “Mat e çmat” (1995) dhe “Thirrje e Kosovë” (1999, në kohën kur ajo
ishte në burgun e Pozharevacit në Serbi). Në vitin 1999, në një kohë kur fati i
Flora Brovinës pas arrestimit ishte i panjohur, ajo mori Çmimin Tucholsky për
vitin 1999 ’in absentia’ nga PEN Klubi Suedez.
Koncepti i lirisë në art
Në
këndvështrime të ndryshme të artistëve, sociologëve, politikanëve, filozofëve,
teologëve koncepti i lirisë vjen si dimension i shumëpërmasuar, ku secili
koncepton e rikoncepton sipas këndvështimit vetjak lirinë. Horizonti i lirisë
është aq i gjerë, sa ngërthen në vetvete dimensione vazhdimisht në shtrirje.
Prirja e përgjithshme e unit, individëve dhe kombeve është rendja drejt lirisë,
e cila përshkallëzohet nga individi drejt grupeve sociale, etnike dhe kombeve.
Në këtë punim do të paraqesim një nga dimensionet e konceptit
të lirisë, mishëruar në artin e fjalës së bukur poetike duke realizuar
raportin: liria koncept dhe përjetim/veprim,
ndaj abstragimi ynë për lirinë do të ndalet në
lirinë e artistit, posaçërisht lirinë e poetit.

Gjuha e poezisë
Gjuha e poezisë shndërrohet në sens për figurën, gjuhë e imazheve,
përjetimeve dhe situatave dramatike, heroike. Për raportet midis gjuhës
individuale e gjuhës së poezisë (poetëve). Emil Benvenisti shprehet: “Në gjuhë dhe me gjuhën individi dhe shoqëria
përcaktohen ndërsjellazi. Njeriu e ka pohuar gjithmonë - dhe poetët edhe e kanë
kënduar shpesh - fuqinë themeluese të të folurit, që ngren një realitet
imagjinar, i shpirtëzon gjërat inerte, bën të shihet ajo që ende nuk ekziston,
rikthen atë që ishte zhdukur. Ja përse gjithato mitologji, duke dashur të shpjegonin se si në agimin e kohërave diçka
ka mundur të lindë nga asgjëja, kanë vënë
si parim krijues të botës këtë esencë jomateriale dhe sovrane: fjalën ( E.Benvenist 1971).
Nëse vepra e artit është formë, mënyra për të formuar
nuk i takon vetëm leksikut ose sintaksës, por edhe cdo strategjie semiozike që
tirret qoftë në sipërfaqe qoftë në thellësi gjatë nervëzimit të një teksti ( U.
Eco 2007: 157).
Atëherë kur biografia mund të bëhet një “fakt
letrar”, poetët bëhen heronjtë e vetvetes dhe jeta është një produkt i poezisë
dhe jo anasjelltas (Ann
Jeferson, David Roby 2010:
54).

Metafora e lirisë
Flora Brovina është shembull tipik i përfshirjes së “faktit
letrar’ brenda vetvetes, jeta e saj është produkt i poezisë së shkruar brenda
mureve të burgut. Në vargjet e vëllimit të saj të parë poetik “Vërma emrin
tim”, në vitin 1973, kur ishte ende 24
vjeçare poetja pat shpallur se ishte motër e bilbilit dhe armike e qyqes. Nëse ke dëgjuar këngën time/ e di si këndoj/
vëlla e kam bilbilin/ qyqen nuk e kam fis.
Nga pikpamja gjuhësore poetja realizon mes zhvendosjes
kuptimore ndërtime metaforike që e lidhin ngushtësisht me fjalë të fushës
semantike familjare ( motër - vëlla), e më gjerë fis. Kuptimisht poetes i vjen në ndihmë krahasimi i fshehur me
qyqen, që gjuhësisht vjen i stërlarguar nëpërmjet pjesëzës mohuese nuk. Zemra e origjinalitetit poetik të autorit çoket te
përkthimi i metaforës. ( M. Kundera 2011 :112). Në poezinë “Vërma emrin tim”
poetja duket sikur ka ndërtuar enigmën ( për t’u zgjidhur) mes dyzimeve
anaforike të realizuara me lidhëzën nëse.
Koncepti i lirisë këtu ndërthuret me konceptin e njohjes, në rastin konkret ,
të njohjes së vetes ( Unit) duke i dhënë lirisë një dimension të ri. Koncepti i
lirisë si përmasë artistike realizohet drejt fluturimeve ( ka emrin e
fluturimit), që duket sikur nuk mjafton dhe i jep përmasë të dyfishtë në
fluturime të unit. Mes këtyre dimensioneve të lirisë poetja shfaqet si ekzistenciale,
duke kapërcyer dilemën e njohjes. Gjuhësisht kjo shfaqje nuk realizohet vetëm
me metaforën, por edhe mes përdorimit të foljes di, që thellon konceptin e
njohjes.
E di emrin tim/ e di kush jam/ e
di si këndoj/ e di se unë nuk qaj/

Prej kësaj kohe, Brovina
nuk do të bënte gjë tjetër, veçse do ta kërkonte parreshtur lirinë, si në
poezi, ashtu edhe në jetë. Poetja e re e kosovare, e kish pas ndjerë mjaft
herët se liria nuk duhet kuptuar si dhuratë, por si një përpjekje për ta krijuar atë.
Vëllimi i dytë me poezi “Bimë e zë” rrok tema të tilla si: roli
dhe emancipimi i femrës në shoqërinë shqiptare, çështje kjo që do ta shqetësoj
Brovinën edhe në aktivitetin politiko - shoqërorë në vitet që do të vijnë, si aktiviste e
çështjeve në mbrojtje të së drejtave të gruas. Në këtë kënvështrim, Flora Brovina vjen si Maja
Angelou e poezisë shqipe të Kosovës. Në poezinë “Unë e di pse këndon zogu në
kafaz” poetja dhe feministja amerikane shkruan; “Zogu i mbyllur në kafaz këndon, ai,/ me një zë të trembur e të dridhur,
/ për të gjitha gjërat që nuk di,/ por që dëshirojnë shumë qetësi, / dhe që
melodia e tij të ndihet patjetër / në një kodër larg, diku tjetër, / nga një
zog tjetër i dënuar, /që për lirinë është duke kënduar”.
Pa humanizmin e thellë
për tjetrin në zanafillë nuk mund të lindin kurrë vargje të tillë si: “ Thoni vetëm mungon/ Me lule do
t’ua mjekojmë plagën/ Do t’i presim/ Thoni vetë mungon/ Do të celin lule gjaku/
ora vazhdon…” Në poezi krahas konceptit
tradicional[1][1] të orëve, mbartet metafora në fushën ekzistenciale ( heroi i
tretur fizikisht, por i pranishëm në historinë e një populli e në vetëdijen e
tij. Ora është personifikim i fatit të një njeriu, të një familjeje, të një
kombi. Orët nuk paraqiteshin gjithmonë si vajza, shpesh në tradita folklorike
ato marrin pamjen e dhive, të gjarprit (vitorja). Cdo njeri, cdo familje, cdo
komb ka orën e vet, gjeniun e vet mbrojtës.

Shkalla e abstragimit
mëton përjetimin material ekzistencial, individual e merr përmasa
përgjithësuese, kthehet në simbolikën e heroit të rënë për liri. Liria
përmasohet nga uni fluturim i qënies, drej valles kolektive që mbart popullin,
kombin.
Ora e parë
“Atë natë edhe Hëna qau/ si nëna në zi/ atë natë vdiq
Ganimeti/ u fik një dashuri”
Nata e kobeve
Metafora krijon përjetime gjendjesh e paralelizma ( Hëna qau), ndiqet nga krahasimi ( si nëna në zi) të lidhura kuptimisht me
përjetimin e konceptit të vdekjes. Kjo finalizohet me lojën në kuptimet sinonimike të fjalëve vdiq – u fik.
Poetja parapëlqen si gjetje stilistike ndërtimin e metaforës mes fjalës
sinonimike të vdekjes( fik), duke I
dhënë shpresë për t’u rindezur dashurisë.
Lulet e gjakut në poezinë e Brovinës lindin së pari në gjakun e shpirtit të saj poetik e
mandej bëhen pemë gjaku për Kosovën martire. E kundërta e lirisë, joliria ka në
thelb të saj tradhëtinë, e ndaj vjen në përfytyrimin e lexuesit si një gjarpër
duke na sjellë një përmasë tjetër të lirisë, por realizuar në marrëdhënien
mungesore: liri/ joliri; ekzistencë, qënie/ vdekje, mohim. Në dimensionin e këtij
raporti mungesa e lirisë individuale shndërrohet në zi kolektive. Kanti (1724-1804) thotë, se kusht i të gjitha
lirive sociale dhe politike është detyra, obligimi për të vepruar në një
mënyrë, që të mund të ngrihet në një ligj të përgjithshëm. Ekzistenca e këtyre
ligjeve të përgjithshme në arsyen e njeriut shpie drejt një lirie të
patjetërsueshme e të zakonshme, një realitet që mund të tematizohet, fundja
vetëm në mënyrë reale.
“Gjarpër/
Ndërron lëkurë/ Ti ndërron lëkurë/ E gjarpër je/ Rrotull meje” Gjarpër
Gjarpëri si mohues i
lirisë fiton një peshë specifike në lirikën e Brovinës. Ai bëhet simbol vdekje
dhe paralajmërim si mohues i ekzistencës së një populli të tërë prej dhunës së
satanave pushtues, si vrasës të lirisë. Gjarpëri vjen si simbol analog i
gjarpërit të zanafillës biblike, simbol i gënjeshtrës, mashtrimit dhe vdekjes.

Atdheu perceptohet si
pjesë e lirisë së individit, këndvështrim që e largon poezinë e saj nga lirika
patriotike tradicionale dhe e bashkon me poetë si Fatos Arapi, ku atdheu është
toka që të rrëshqet nën këmbë (Poezia Atdheu)
dhe me poezinë bashkohore arbëreshe, ku atdheu është pjesë e vetvetes, dhe
hapësira ku poetë të tillë si: Vorea
Ujko, Di Maxho, Belizi kërkojnë rrënjët e tyre të të qenit (Alisa Velaj 2012). Ky atdhe si pjesë e lirisë së individit
përbën universalen në lirikën e Flora Brovinës.
Metafora
vjen e gjallë, e paprekur, e freskët dhe rrëmbenjëse. Fryma poetike lëviz lirisht: si fluturim zogu, si
zogjtë nëpër erë, si zgjim i shpenguar drejt lëvizjes në hapësirë, si hënë që
mbart në shpirt dritën.
Liria dhe emancipimi i femrës kosovare fiton një peshë të
madhe në poezinë e Brovinës. Poetja sheh tek femra shqiptare gruan e
jashtëzakonshme të Angelout, por që tashmë duhet të shndërrohet në një pjesë të
lirisë së Kosovës me lirinë e saj. Liri që duhet ta fitojë, pasi pa liri të
femrës nuk ka liri të kombit. “ C’ruan në aneminë e fjalës/ këngën e heshtur/
apo një pranverë të sosur/ c’ruan kur përkund kohën në djep/ c’ruan/ c’fsheh” (Gruas )

Metafora këngë e
heshtur ka ngjizur gjithë domethënien e melodive
të pathëna e pakënduara, ekzistencën e tyre në shpirt ( por jo mungesën).
Poetikisht e ka ndërtuar aq bukur në sintagmën aneminë e fjalës, që e përshkruan mrekullisht përjetimin mungesor
të njërës prej përmasave të lirisë. Për këtë e ka ndihmuar liria e fluturimet
poetike. Pranverat e saj të sosura nuk do të jenë gjë tjetër vecse një ardhje e
zbehtë e lirisë së Kosovës. Koha dhe kombi zgjohen vetëm atëherë kur ndihet
kënga e gruas dhe jo kur koha përkundet prej saj në djep.

Te ‘Thirrje Kosovës” prej vetes përmasat e lirisë zgjerohen
drejt një horizonti që ngjiz të tjerë horizonte lirie, ku robëria dhe joliria
janë fare të përjashtuara. Pasi liria është tashmë gjithçka që frymon dhe
gjithcka që të jep jetë. Përmasat e lirisë zgjerohen në të gjitha dimensionet
nga ‘Thirrje Kosovës” te “Liria” duke shtuar enumeracionet që shkojnë drejt
infinitit, pa nguruar të përdorë nga detajet e përditshmërisë lojë e fëmijëve,
deri në metaforën luneare që zgjerohet në kozmos. Aty liria vjen si: fluturim,
zgjim, hënë, erë, lojë e fëmijëve, gaz e vaj--- grua e cliruar nga barra duke u
endur në përmasat shumëdimensionale mes realizimeve: liri ekzistenciale ( unë+
ti) , përtëritje, clirim dualiteti, liri embrionale. Të gjitha këto ndihmojnë
në shumëfishimin e përmasës së lirisë në univers që finalizohet më përjetimin e
gjendjes së arritur ( oh si duket liria
)

Krahas metaforës Brovinën e ndihmon edhe eliptizmi, dukuri e
pazakontë për përshkrimin e përmasave kaq universal, por që realizohet aq
mjeshtërisht nga poetja. Ajo thotë kaq shumë dhe shkruan kaq pak, me vargje
minimaliste që rrokin thelbin e dukurive.

Së fundi, nga pikpamja tipologjike mosklasifikimi i lirikës
së Flora Brovinës në asnjë prej rrymave
të poezisë shqipe tregon një tjetër manifestim të lirisë artistike, që nuk
u mungon njerëzve me shpirt të pasur
poetic e ndjeshmëri të lartë artistike. Brovina shquhet edhe për ndjeshmëri
gjuhësore. Puna me gjuhën, qëndrimi dhe përpjekja që të shfrytëzohen në mënyrë
të gjerë dhe cilësorisht mundësitë e mëdha që ofron gjuha në rrafshin e
leksikut e sintaksës- janë ndër përbërësit që të bien në sy vecan në lirikën e
Flora Brovinës.

Përfundim
Në këtë punim paraqitëm një nga
dimensionet e konceptit të lirisë, mishëruar në artin e fjalës së
bukur poetike duke realizuar raportin: liria koncept dhe përjetim/veprim. Në lirikën e poetes sonë liria klith për
lirinë. Kjo e fundit vjen si
përmasë ekzistenciale, jo vetëm kur klithma poetike shndërrohet në
kronikën e dhimbjes së një populli të tërë, por edhe kur pikëllima ngjizet si
dhimbje e njeriut për njeriun. Atdheu
perceptohet si pjesë e lirisë së individit, këndvështrim që e largon poezinë e
saj nga lirika patriotike tradicionale dhe e bashkon me poetë si Fatos Arapi,
ku atdheu është toka që të rrëshqet nën këmbë (Poezia Atdheu) dhe me poezinë bashkohore arbëreshe, ku atdheu është pjesë
e vetvetes, dhe hapësira ku poetë të tillë
si: Vorea Ujko, Di Maxho, Belizi kërkojnë rrënjët e tyre të të qenit (Alisa Velaj 2012). Ky atdhe si pjesë e lirisë së individit
përbën universalen në lirikën e Flora Brovinës. Nga pikpamja tipologjike
mosklasifikimi i lirikës së Flora
Brovinës në asnjë prej rrymave të poezisë shqipe tregon një tjetër manifestim
të lirisë artistike, që nuk u mungon
njerëzve me shpirt të pasur poetik e ndjeshmëri të lartë artistike. Brovina
shquhet edhe për ndjeshmëri gjuhësore.
Përmbledhje:
Gjuha
e poezisë shndërrohet në sens për figurën, gjuhë e imazheve, përjetimeve dhe
situatave dramatike. Në poezi kalimet kuptimore sendërtohen përmes metaforës, e
asgjë nuk kërkon më shumë saktësi sesa përkthimi i kësaj figure stilistike,
meqenëse aty preket zemra e origjinalitetit poetik të një autori. Mes analizës
stilistiko - gjuhësore do të zbërthejmë shkallë -
shkallë konceptin e lirisë në metaforën e vargut të Brovinës, nga vëllimi “Bimë
e zë” në vëllimin “Mat e ç’mat”. Shkalla e abstragimit mëton përjetimin
material ekzistencial, individual e merr përmasa përgjithësuese, kthehet në
simbolikën e heroit të rënë për liri.
Në poezinë e Flora Brovinës atdheu perceptohet si
pjesë e lirisë së individit, këndvështrim që e largon poezinë e saj nga lirika
patriotike tradicionale. Një përmasë e kësaj natyre, atdheu, si pjesë e lirisë
dhe domosdoshmërisë ekzistenciale përbën universalen në lirikën e Flora
Brovinës. Tema të tilla si liria, emancipimi, e bëjnë klithmën e saj poetike të
meritojë pa asnjë hezitim pagëzimin “Maja Angelou e letërsisë shqipe të
Kosovës”.
Mosklasifikimi i poezisë së Brovinës në asnjë nga
drejtimet letrare të poezisë shqipe përbën padyshim një tipar të lirisë së saj
në artin e fjalës.
Fjalët çelës: metafora e lirisë, gjuha e
poezisë, universaliteti i poezisë.
Summary:
The language of poetry is
exchanged in a sense for the figure, the language of the images, experiences
and dramatic situations. In poetry this drift is done through the metaphore,
and nothing requires more preciseness as the translation of this style figure,
as the heart of the author’s originality. By analyzing the style and language
we will break down step by step the concept of freedom in the metaphore of
Brovine verses from the volume “ Plants and Voice” to “ Measure and unmeasure”.
The degree of abstraction shows the existing material experience and takes
resumptive dimension and turns into the symbol of the heroe fallen for freedom.
In the peotry of Flora Brovine the
motherland is thought to be part of individual freedom, which parts her poems
from the traditional freedom lyrics. A dimension of this nature, the
motherland, as part of freedom and existance contains the universal of her
lyrics. Themes like freedom and
emancipation makes her poetic cry to merit without hesitation the
epiphany “Maja Angelou of Albanian
literature of Kosovo”.
The non clasification of Brovine poetry in
any of the albanian literature trends constitutes without any doubt a unique
feature in the art of the word.
Key words: the
freedom metaphore , the language of poetry , universal dimension.
Bibliografia
GABLES, C (1971)
Problems in general linguistics, translated by Mary Elizabeth Meek, 2 vols, Florida.
ECO,U (2007) Për
letërsinë, Shtëpia botuese “Dituria”, Tiranë.
Ann Jeferson,
David Roby, Formalizmi Rus në Teoria Letrare
Moderne, Shtëpia botuese “Albas”, Tiranë, 2010, f.54.
KUNDERA, M (2011)Testamentet e tradhëtuara, Tiranë, f.
112
VELAJ, Alisa (2012) , Konfigurimi i atdheut në poezinë bashkohore arbëreshe,, Suplementi Rilindasi në
Shqiptarja.com, Tiranë.
LLOSHI, Xhevat (2005), Stilistika e gjuhës shqipe dhe Pragmatika, SHBLU, Tiranë. Nga
konferenca e mbajtur në Kolegjin Saverjan, më 18 janar 1931. Shih E. Koliqi,
“Vepra”, 2, Konica, Prishtinë, 2003.
SHKURTAJ,
Gjovalin (2009), Pesha e fjalës shqipe, Tiranë.
THOMAI,
Jani (1999), Leksikologjia e gjuhës shqipe, Tiranë.
THOMAI,
Jani(1992), Teksti dhe gjuha, Tiranë.
ULLMAN,
Stephen (1962), Semantics Introduction to
the Science Meaning, Oxford.
Hape dritaren, merr frymë thellë...më tha nëna...
http://floripress.blogspot.com/2013/01/hape-dritaren-merr-fryme-thelleme-tha.html
Po e prekni Kosovën - Keni punë me mua!....
http://floripress.blogspot.com/2012/11/po-e-prekni-kosoven-keni-pune-me-mua.html

No comments:
Post a Comment