Agjencioni floripress.blogspot.com

2014/12/21

Dr. Zenun Gjocaj: Romani “Burgu” vepër autobiografike, meditative, historiko-letrare


Pos veprimtarisë 40- vjeçare politike, arsimore, publicistike e shkencore, përjetimet e veta Ahmet Qeriqi i ngriti në dy proza me tematikë të veçantë letraro- artistike: “Meditime në arrati” (2002) dhe “Burgu” (2004)

Për hartimin e romanit të dytë kryesisht autobiografik “Burgu“, autori nuk e ka pasur gjithaq lehtë. Tani, pas 20 e sa vjetë ndryshimesh epokale kombëtare e ndërkombëtare, lipsej një mjeshtri përzgjedhjeje të episodeve të ndryshme jetësore, politike e artistike të përshtatshme për kohën e lexuesin, për t´u ngritur në prozë artistike. Nga ana tjetër, duhej zgjedhur dilemën e paraqitjes besnike të vrazhdësisë ose jo, të ushtruar nga ana e serbëve dhe shërbëtorëve të tyre mbi të burgosurit politikë që sot gjenden midis nesh. Asokohe, ndër të burgosur paraqitej dilema: a të tregohet e vërteta, qoftë edhe e trishtueshme, që t´u bëhet e ditur të tjerëve se ka mjaft vështirësi baras me vdekjen, por ia vlen të sakrifikosh për atdhe, apo të minimizohej ajo, për të mos i frikësuar të tjerët.
Nga ana tjetër, përvoja jetësore, përjetimet në burg dhe përgatitja intelektuale e autorit, si profesor i gjuhës e i letërsisë, veprimtar e krijues letrar, publicistik e shkencor, i ka dhënë dorë t´i parashtrojë e t´i thurë me mjeshtri ngjarjet e përjetuara. Si e tillë, vepra shpreh ndjenjë kohe e realiteti dhe dëshmon aftësi e parimësi rrëfimi që të rrëmben e të ngulitet në kujtesë. Siç shprehet Ndoc Nikaj, “Po ma kande me hjek pëlhurën e me zbulue të vërtetën, sepse peshon ma shum se trillimet fantastike…”, ashtu siç do të tingëllojë kjo vepër mbi të vërtetën te lexuesit që nuk e kanë shijuar robërinë. Te fundi, një kritik francez shprehet se “historia është një roman që ka ndodhur dikur, ndërsa romani është një histori që do mund të ndodhë”.


Ndërkaq, romani “Burgu” i Ahmet Qeriqit është një roman që ka ndodhur, po ndodh dhe mund të ndodhë, përderisa nuk realizohen aspiratat tona për liri e bashkim kombëtar. Si i tillë, romani është një metaforë e konkretizuar, një si histori e individualizuar kombëtare më tepër psiko-meditative e një kohe e realiteti të caktuar, e thurur me mjeshtri artistike, ku rrjedhat historike përbirohen nëpër vrimën e koncepteve të Lëvizjes. Jo pa qëllim, aty vuajtjet e torturat e mbijetuara paraqiten me vërtetësi, por të formës së zbutur. Këtë lloj letërsie psiko-meditative, autobiografike, historiko-letrare, autori e pasuron jo vetëm me tematikën e rrallë të jetës së burgut të kohës sonë, aq krenare, e guximshme dhe vendimtare, që hapi shtigje të reja historike e politike drejt lirisë. Vepra paraqet një botë të pasur jetësore, politike e kombëtare, në rrethana të veçanta kohore e hapësinore, ku fati i njeriut ishte në teh shpate, në një kohë sa dramatike, të vështirë dhe të pasigurt, jo vetëm për ilegalët e identifikuar e të burgosur.
Kujtimet në roman shfaqen si jehonë e ngjarjeve të bujshme të Lëvizjes për liri, të një faze të caktuar historike, që karakterizohet me shpërthimin politik të ilegales politike të shkrirë në rrafshin e një kryengritjeje gjithëpopullore, që e tronditi pushtuesin artificial YU-federativ, sidomos Serbinë, i la nën hije lëvizjet e tjera jo vetëm evropiane dhe çori maskën e qëllimeve pansllaviste evrolindore. Ashtu si guri i rrokullisur shpatit, që merr të tjerë teposhtes, kemi bindjen se kryengritja kosovare e ´81-shes, bashkë me lëvizjen sindikaliste polake, ndikoi në shkatërrimin e kësaj perandorie ideologjike.
Përkundër disa shkrimeve poetike e prozaike të letërsisë sonë e të huaj me këtë tematikë, autori i “Burgut” nuk i qaset as dëshprimit, as trishtimit, madje as dramatizimit të tepruar, edhe pse ka pasur elemente të tilla. Përmes gërshetimit të letërsisë artistike e më pak publicistike e politike, ai më së paku ia qan hallin vetvetes e shokëve. Bosht i trajtimit ishte fati i Kosovës. Gjithshka është e projektuar si qëndresë për idealet e lirisë. Në autobiografinë e vet të vazhdueshme në dy romane: arratisja dhe arrestimi, A. Qeriqi i ka projektuar vizionet e tij liridashëse praktikisht të realizuara përmes sakrificës së shpirtit njerëzor për atdhe e liri. Aty, intelektuali i pajisur me horizont të gjerë letrar e shkencor e me ndjenja të zjarrta patriotike e luftarake, përballet me situatat absurde të ushtruara nga pushtetarët serbë e shërbëtorët e tyre të verbër e të shitur.
Romani është i një dore të veçantë autentike, pa ndonjë ndikim tradicional a bashkëkohor, që e ushqen lexuesin me të bukurën jetësore e kombëtare, qoftë edhe përmes situatave të shëmtuara të kazamateve serbe, duke i fisnikëruar ato me mendjen e shpirtin drejt qëndresës heroike e krenare, qoftë edhe me pasoja më të mëdha. Kështu, përkundër ngjyrave dëshpruese e nihiliste, atmosferën e burgosjes autori e shndërron në aktivitet frytdhënës, përmes kalitjes e përsosjes intelektuale, shpirtërore, politike e morale, përgjithësisht patriotike, që do të përjetësoheshin me vdekjen eventuale.
Paraqitja e ngjarjeve të romanit është kronologjike. Ato rrjedhin natyrshëm, ashtu si e gjuajnë valët kryepersonazhin me shokë. Ngjarjet dhe personazhet janë të vërteta. Zgjerohen e ngriten drejt thellimit të asociacioneve e proceseve të tjera psiko-meditative që nga paraqitjet reale, si bazament historik e publicistik, te ndërthurjet artistike, politike e jetësore, deri te perceptimet filozofike, varësisht nga rrethanat e caktuara situative, herë në vetvete, herë në shoqëri. Emrat e personazheve janë të kamuflluar përmes kombinimit fonematik e silabik, që mund ta dëshifrojë vetëm autori, bartësit e atij kombinimi dhe ndonjë nga shokët. Përmes përsiatjeve të përjetuara, të ndërthurura me ato psiko-meditative, të manifestuara në rrethana dramatike brenda e jashtë burgut, autori na shpie te rrjedhat ideo-politke kombëtare e ndërkombëtare. Përmes Eknat Malmirit në roman vihet arti përballë politikës pushtuese.
Ndryshe nga memoaret e N. Nikajt “Kujtime të një nate të kaluar”, nga ditari “Burgu” i H. Stërmilli e proza publicistike “Burgimi im” i P. Vasës, A. Qeriqi thellohet në proceset psiko-meditative, dike filluar që nga pasqyrimi real me stil publicistik, deri te ndërthurjet artistike, politike, jetësore e filozofike. Përzgjedhja subjektive e fakteve të përjetuara jetësore, rrëfimi i tyre, i gërshetuar me rrjedhat politike e psiko-meditative të brendshme e të jashtme, në kacafytje me synimet ç´përjetoi, ç´ndodhi, ç´dëshiroi, shoqërohet me sinqeritetin e personazheve, sidomos me Eknat Malmirin, si i burgosur tipik, përballë apetiteve shoveniste pushtuese serbe. Ka aty elemente historike, politike, shpesh me tablo kritike, analitike, autobiografike, psiko-meditative, më rrallë edhe filozofike të rrëfyera me frymëzim e invencion, të shprehura me një gjuhë e stil të rrjdhshëm, me një strukturë autentike prozaike, të nënshtruar një regjimi të mprehtë, që të mbetet gjatë në kujtesë pa vështirësi.
I pajisur me ideale liridashëse, i vetëdijshëm për vështirësitë e pasojat, autori e kryepersonazhi, nuk rrëmbehen nga sentimentalizmi, siç ndodh në disa vepra të ngjashme, si “Burgu” i H. Stermillit, “Burgimet e mia” të S. Peliko-s, prej kah është ndikuar vepra “Burgimi im” i P. Vasës. Por, në veprën “Burgu” të A. Qeriqit, shprehet çiltërësia e autorit, e shprehur përmes Eknat Malmirit, tregohet guximi e qëndresa prej një luftëtari të paepur. Në roman nuk bie në sy ndonjë ankesë apo lutje për lirim. Ndonjëherë, ankesat shprehen me zë kritik, me revolta, siç është ajo me rastin e vizitës së përfaqësuesit juridik të Kosovës – Ves Latit: “është e kundërligjshme, madje sipas ligjeve që ju i mbroni, për të na detyruar që tërë dënimin ta kryejmë në burgun hetues, në kushte e rrethana të kufizimit ekstrem të lëvizjes…” Për ironi, drejtori i burgut, Hegyi Bellai i kundërvihet zyrtarit kosovar, duke dalur në mbrojtje të të burgosurve: “është e drejtë të shprehin mendimin e tyre…këta nuk kanë bërë kurrë probleme, prej kur i keni sjellur këtu…”
Përkundër atmosferës së rëndë e jetës së pasigurt, të zymtë e të ndrydhur në burg, i prirë nga idealet e larta patriotike, Eknati me shokë ia del të mbijetojë, edhe pse i dobësuar fizikisht, por i pajisur me njohuri artistike e shkencore nga librat e lexuar aty. Përmes Eknatit, autori bëhet analitik e gjykues i vetvetes, i rrethanave politike e kombëtare, një si zemërlek i shoqërisë së atyshme pa dallim kombësie e delikti. Ngjarjet e frymëzimet thuren artistikisht përmes prototipit të autorit. Sintetizohet përvoja jetësore, përsosja intelektuale, shpirtërore e meditative, përgjithësisht patriotike.
Vepra paraqet një dramë të një intelektuali tipik, me parime të rralla humane, politike e patriotike, në një kohë e në rrethana tipike vendimtare për Kosovën, ndërtuar mbi një lëndë të pasur e të vërtetë jetësore të përjetuar me lëkurë, me burim nga përvoja e përgatitja intelektuale kulturo-letraro-artistike e politike. Konfliktin e shpallur e të pashpallur midis të burgosurve politikë e pushtetit, autori e kthen në sprova morale e psikologjike të personazheve.
Gjuha e veprës është e rrjedhshme, dinamike dhe e pasur me fjalë e shprehje. Ajo vihet në shërbim të funksionit përshkrues e analitik të gjendjes fizike, shpirtërore, emotive e refleksive, e shkallëzuar sipas rrjedhave e rrethanave situative me ngjyrat e saj stilistike përmes bisedave të karaktereve të ndryshme politike e jopolitike: gjuha e dialogut, hetuesisë, e vuajtjes së dënimit, gjuha politike, filozofike, etj. Është një gjuhë specifike e atmosferës së veçantë, e shkallëzuar që nga biseda banale e të burgosurve me delikte kriminale, deri te ajo politike, psiko-meditative e filozofike, por në raste më të rralla. Fraza është e matur, koncize dhe e skalitur. Me gjuhë të rrjedhshme skalitet drejtësia e së vërtetës fiktive përballë asaj të imponuar. Ndeshet arsyeja e ndrydhur e ndrydhja e “arsyetuar”.
Në dy romanet e tij, A. Qeriqi është projektues praktik i luftës për liri. Këtë e dëshmoi edhe me pjesëmarrjen e tij në të gjitha fazat e zhvillimit të Lëvizjes kombëtare, madje edhe në luftën e armatosur me pushkë, me penë e me zërin e kushtrimit nëpër flakën e luftës, kur fjala e folur dhe e shkruar elektronike e deriatëhershme kosovare qenë dorëzuar. Aty metaforizohet kuptimësia e shpirtit shqiptar, virtyti, karakteri, konceptet e synimet politike, për të arritur te realizimi i aspiratave kombëtare, duke filluar që nga çështjet fundamentale të shqiptarit të robëruar, bazamentit gjuhësor e stilistik, shpirtëror e meditativ. Pikëpamjet e prototipit, Eknat Malmirit, e përbëjnë thelbin e qasjes ideo-politike, kombëtare, autobiografike e letrare-artistike të autorit, me elemente filozofike rreth konceptimit të idealeve kombëtare të formësuar përmes shpirtit të sakrificës.
(Ahmet QERIQI, “BURGU”, roman, botoi:”Radio-Kosova e lirë”, 2005)

Azem Galicën ku kryetrimi i Drenicës trajtohet, “kaçak mali”


Folkloristi, dr. Mehmet Rukiqi ka nxjerrë në dritë monografinë e titulluar, “Azem Galica”, në të cilën, ashtu sikur rëndom në pjesën dërrmuese të historiografisë sonë, kryetrimi i Drenicës në vitet 1912-1924, Azem Bejtë Galica trajtohet “kaçak i maleve”, madje si “Komandant i Lëvizjes Kaçake”, Shote Galica po ashtu si kaçake, ndërsa bashkëluftëtarët e tij, “kaçakë mali”, të tillë sikur i ka emërtuar dhe i emërton aktualisht historiografia serbe, por edhe një pjesë e historiografisë shqiptare, e cila nuk shkëputet dot nga shkolla, frazeologjia dhe politika e metodologjisë specifike jugosllave.

Interpretimi i tillë i realitetit historik nga pozita e mendjeve të mbetura rob të historiografisë serbe, të cilët përkthejnë terminologjinë fjalë për fjalë nga gjuha serbe në gjuhën shqipe, vazhdon ta dëmtojë historiografinë shqiptare, e cila nuk po lirohet dot nga “kaçakizimi” i historisë, ose po lirohet vetëm nga historianë dhe shkrimtarë të caktuar.
Një diferencim nga emërtimi kaçak, për çlirimtarët e Kosovës, të kohën e robërisë jugosllave, me kohë e ka bërë historiani i mirënjohur, Marenglen Verli, pastaj 10 vjet më parë, profesor doktor, Jusuf Bajraktari, ndërsa ka hequr dorë nga përdorim i emërtimin “kaçak” studiuesi i zellshëm, Bedri Tahiri.
Është për keqardhje kur një vepër e tillë, sikur ky libër i dr. Mehmet Rukiqit, lejohet të botohet me këtë terminologji të deformuar, madje edhe nga recensuesit: dr. Adem Zejnullahu dhe dr. Lush Culaj dhe nga Instituti Albanologjik i Prishtinës. Pavarësisht se vepra përshkohet me një lëndë të brumosur, me të dhëna relevante, me folklor e burime gojore, ajo është dëmtuar shumë në emërtimin e Azem Galicës si “kaçak mali”, një interpretim i deformuar duke u bazuar në terminologjinë serbe, e cila në mënyrë konstante ka qenë dhe po mbetet, gjithnjë antishqiptare.

Ta trajtosh Azem Galicën si “cub”, “kaçak apo komit”, nuk është vetëm një lëshim i rastit as një lëshim më tepër, nuk është vetëm një lëshim gjuhësor, por është një “non sens” i llojit të veçantë. Sipas kësaj logjike, edhe lufta e legjendarit Adem Jashari, paska qenë luftë terroristësh, vetëm sepse në historiografinë e sotme serbe interpretohet si luftë e një terroristi shqiptar, ndërsa UÇK-ja si organizatë terroriste. E tillë ishte interpretuar nga historiografia serbe edhe lufta titanike e Azem Galicës dhe e qindra luftëtarëve të lirisë, të cilët nuk ishin “kaçakë mali” e as cuba të “bajkave” serbe, por luftëtarë besnikë të këtij populli, të cilët nuk pranuan poste të “posllanikëve”, “kmetëve”, apo të “presednikëve”, nën regjimin serb, por luftuan dhe qëndruan për më shumë se 12 vjet duke luftuar me armë në dorë kudo në Drenicë, kudo në trojet e Kosovës së pushtuar nga regjimin barbar dhe fashistoid të Serbisë.

Vazhdimi i trajtimit të Azem Galicës si “Komandant i çetave kaçake” ( dr. Mehmet Rukiqi: Azem Galica, f. 113) është jo vetëm turp për të gjithë ata që bëjnë, me apo pa qëllim gafa të tilla, por edhe zhvlerëson çdo vepër të këtij lloji pavarësisht se kush është autori apo botuesi.
Instituti i Albanologjisë dhe përgjithësisht institucionet tona të arsimit e kulturës, duhet të lirohen nga mendësia e trashëguar e shkollës së Beogradit, duhet të lirohen nga interpretimit serbe, antishqiptare, sepse Kosova është çliruar nga Serbia dhe nuk vendos dot Beogradi për mënyrën si i qasemi ne historisë sonë kombëtare, si “Lëvizje kaçake”, apo “Lëvizje çlirimtare”, ashtu sikur veprohej para çlirimit dhe ashtu sikur edhe ishte trajtuar, pothuajse zyrtarisht kjo Lëvizje çlirimtare.
Prania në folklorin tonë dhe në këngët e trimërisë e fjalës “kaçak”, nuk është fakt që duhet të përfillet, edhe pse në folklor gjendet ndonjë emërtim i tillë, por në asnjë këngë të kënduar për Azem Galicën nuk gjendet dot emërtimi që e barazon Azem Galicën me “kaçak mali”.

Mendjet e robëruara pacifiste duket se do të mbesin robër të së kaluarës derisa të jenë gjallë. Lëvizja kaçake për ta nuk është turpi i vetëm tyre, por është një duhmë e keqe e Beogradit që ende vazhdon të përhapet me helmet e moçme dhe të tanishme nga shpirt vasalët.
Është e pafalshme, që një studiues, qoftë i folklorit, i historisë apo i gjuhës, dhe jo vetëm i këtyre lëmenjve, mbështetet verbërisht në terminologjinë politike të Beogradit, pa asnjë sens kritik lidhur me emërtimin e një lëvizje, kohe apo epoke.

Fjala kaçak, dihet se ka prejardhje turke dhe më të njëjtin kuptim është ngulitur edhe në gjuhën serbe. Në përkthimin shqip do të thotë, “kap dhe ik”, Kaç-ak, thjesht “hajn”, “rrëmbyes”, “plaçkitës”.
I kuptoj historianët e shkollës jugosllave deri në vitin 1990, kur nuk kanë guxuar ta madje as të ëndërrojnë ndërrojnë terminologjinë zyrtare të LKJ-së apo LSPPJ-së, apo edhe nuk u ka bërë fare përshtypje ajo, por sot, pas shpërbërjes totale të ish Jugosllavisë, pas çlirimit të Kosovës nga robëria shekullore serbe, të përdorët terminologjia politike, shoviniste dhe antishqiptare serbe, kjo është e pafalshme.

Azem Galica nuk ka qenë “kaçak mali”, por prijësi i Lëvizjes së armatosur kundër pushtimit serb të Kosovës. Kishte në radhët e tij edhe ndonjë kaçak, që kishte vjedhë apo kishte vrarë ndonjë fqinj, por të tillë sapo zbuloheshin largoheshin nga radhët. Të tillë jo vetëm njëherë edhe e denoncuan Azem Galicën dhe bashkëpunuan me regjimin gjakatar serb.
Është koha e fundit të Instituti i Historisë, i Albanologjisë dhe përgjithësisht institucionet shkencore e arsimore të vendit tonë të mos lejojnë përdorimin e terminologjisë serbe, nëpër tekste shkollore, ku fyhet Lëvizja çlirimtare e shqiptarëve duke e quajtur “Lëvizje kaçake”, “Lëvizje të hajnave e plaçkitësve”.

Ahmet Qeriqi

Halit Gashi: Pallati i shqiponjave





Halit Gashi është një krijues serioz, i cili tashmë ka krijuar stilin e vet të veçantë: si në poezi, ashtu edhe në prozë. Libri i tij që e kemi në duar, dallohet për eksperimentimin që ka bërë autori në gjetjen e formave të reja të shprehjes letrare - karakterisitika këto të një krijuesi gjurmues dhe kërkues ndaj vetvetes dhe ndaj artit letrar risimtar në përgjithësi...

Sadik Pervetica

dr. Zenun Gjocajt“Vështrime letrare”

Botuar nga Radio-Kosova e lirë dhe financuar nga komuna e Junikut, doli nga shtypi libri: “Vështrime letrare” i dr. Zenun Gjocajt ( 1943-2013). Autori, këtë vepër e kishte lënë në dorëshkrim dhe nuk arriti ta botojë për së gjalli.
Vepra, “Vështrime letrare” përbehet nga një mori studimesh të temave të ndryshme si: kritika letrare, recensione, studime gjuhësore dhe vështrime për librat e lexuar të autorëve të ndryshëm.
Në pjesën e parë të librit janë prezantuar kritika letrare e studime të autorit për shkrimtarë dhe krijues të caktuar, ndërsa në pjesën e dytë janë prezantuar shkrime të autorëve të ndryshëm për krijimtarinë letrare artistike dhe shkencore të aurorit.
Dr. Zenun Gjocaj, ashtu sikur në krijimtarinë artistike edhe në kritikat letrare ka lënë gjurmë të një origjinaliteti të rrallë krijues, që dëshmon për seriozitetin, me të cilin në vazhdimësi iu kishte përkushtuar çdo pune të cilën e kishte filluar dhe e kishte mbaruar, gjithnjë me një përkushtim të veçantë dhe kurdoherë me sukses. Me një metodologji të avancuar shkencore dhe me kreativitet krijues, autori i këtij libri ka arritur të depërtojë thellë në veprat të cilat i ka marrë në shqyrtim, gjithnjë duke i dhënë përparësi aspketeve afirmative të librave, për të cilat ka shkruar...
Libri ka 266 faqe, shtypi “Shkrola”, në Prishtinë




...Për nga natyra i heshtur dhe shumë i matur, i dashur për të gjithë, shumë solidar dhe i përkushtuar për shokun e mikun, i urtë dhe besnik, Zenun Gjocaj është prej atyre krijuesve shqiptarë që të përkujtojnë urtësinë, modestinë dhe thjeshtësinë e Ndre Mjedës, freskinë e mendimit militant të Gjergj Fishtës dhe kredon artistike të Kolë Jakovës.
Ndjenjën e tij të sakrificës për njerëzit e kishte pjesën më të fisnikëruar të qenies. Ai ishte i të gjithëve, i të afërmve dhe i atyre të tjerëve, me të cilët e lidhte puna, aktiviteti, komunikimi. Aq shumë ishte dhënë pas punës, mirë bërjeve, angazhimeve krijuese, sa dukej se e kishte harruar vetveten, e kishte harruar edhe sëmundjen, që mjekët e kishin evidentuar një vit para vdekjes, por që nuk kishin treguar përgjegjësinë në nivel të betimit, përveç njërit prej tyre. Zenun Gjocaj, nuk ankohej, nuk po arrinte apo thjesht nuk donte ta kuptonte seriozitetin e sëmundjes. Mbase donte ta përmbyllte jetën si spartan, ashtu sikur edhe kishte jetuar. Mbase e kishte kuptuar më mirë se unë dhe të gjithë ne se “Jeta është si treni i shpejtë, që nuk ndalet në asnjë stacion dhe kurrë nuk kthen prapa”.
Tani që Zenuni nuk është më fizikisht në mesin tonë, fryma dhe shpirti i tij janë gjallë, në veprat e shkruara që na ka lënë pas, janë gjallë fjalët e tij të urta, anekdotat që i krijonte aty për aty, ose i rrëfente në mënyrë të modifikuar, janë kujtimet, zëri i tij i çiltër, fryma humane dhe mbi të gjitha shpirti i pastër si kristali. Kujrimi për Zenun Gjocajn mbtetet kurdoherë i freskët, sepse nuk ka si harrohet një qenie e tillë, nuk mund të harrohen veprat dhe madhështia e modestisë së tij, nuk ka si harrohet krijimtaria e veprimtaria e tij, nuk ka si harrohet Zenuni, sepse si Zenuni ka pak të tjerë!...

Kadri Rexha, “Thirrjet e kohës, Studime, botoi Radio-Kosova e lirë, Prishtinë 2014

Studimet e prezantuara në këtë libër të autorit, mr. Kadri Rexha i përkasin një periudhe gati dyzet-vjeçare dhe datojnë qysh prej kohës kur kritiku i ardhshëm i letërsisë, shkrimtari e veprimtari, Kadri Rexha ndodhej në rrugën e tij, jo vetëm të krijimit të identitetit krijues, duke gjurmuar shtigje drejt lirisë së shprehjes, por edhe në rrugë drejt përparimit dhe emancipimit të çështjes kombëtare shqiptare. Në studimet e tij ka sjellë një qasje të re në kritikën tonë, duke anashkaluar gati në tërësi metodën e kritikës përshkruese, tradicionale. Ai me kohë ka krijuar një konceptim të ri të vlerësimit të veprës letrare, por pa sharruar në futurizëm dhe neo modernizëm të thatë dhe abstrakt, ku kanë sharruar jo pak kritikë të letrave shqipe, sidomos në kohët e fundit. Edhe ky libër me studime ashtu sikur edhe libri paraprak “Pikëtakime letrare” është një përmbledhje e shkrimeve dhe studimeve të kohë pas kobshme të autorit, të botuara në gazetat dhe portalet në gjuhën shqipe, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, Iliridë dhe në shtypin e mërgatës. Libri, “Thirrjet e kohës” ka 500 faqe, botori Radio-Kosova e Lirë, shtypi “Shkrola” në Prishtinë.

“Thirrjet e kohës”, ora e pandalshme drejt aspiratës së bërjes definitive të Shqipërisë





( Kadri Rexha, “Thirrjet e kohës, Studime, botoi Radio-Kosova e lirë, Prishtinë 2014)

“Sot përulemi me respekt dhe krenari para të gjithë dëshmorëve të UÇK-së, ashtu si dhe para të gjithë dëshmorëve të Kombit, që në vazhdimësi ranë për mbrojtjen dhe bashkimin e popullit shqiptar dhe të trojeve të Atdheut tonë të ndarë...”, shkruan në hyrje të librit, “Thirrjet e kohës”, studiuesi, i burgosuri politik dhe veprimtari i njohur, Kadri Rexha. Respekti për të rënët, respekti për trimat e trimëreshat, të cilët me penë e pushkë e nxorën Shqipërinë nga bataku shekullor i katandisjes tragjike, jeta dhe vepra e tyre, synimet dhe aspiratat e tyre, fati i tyre i lidhur me kombin ashtu si mishi për thoin, janë tema të përhershme të Kadri Rexhës, janë një “perpetuum mobile” krijuese, vetë kredoja e angazhimeve të tij, për ta zbardhur dhe për të mos e harruar të kaluarën, për të nxjerrë prore mësime nga ajo, sepse jo vetëm një herë na u ka përsëritur historia.

Studimet e përmbledhura në këtë libër, i përkasin një periudhe gati dyzet-vjeçare dhe datojnë qysh prej kohës kur kritiku i ardhshëm i letërsisë, shkrimtari e veprimtari, Kadri Rexha ndodhej në rrugën e tij, jo vetëm të krijimit të identitetit krijues, duke gjurmuar shtigje drejt lirisë së shprehjes, por edhe në rrugë drejt përparimit dhe emancipimit të çështjes kombëtare shqiptare. Në studimet e tij ka sjellë një qasje të re në kritikën tonë, duke anashkaluar gati në tërësi metodën e kritikës përshkruese, tradicionale. Me kohë ka krijuar një konceptim të ri të vlerësimit të veprës letrare, por pa sharruar në futurizëm dhe neo modernizëm të thatë dhe abstrakt, ku kanë sharruar jo pak kritikë të letrave shqipe, sidomos në kohët e fundit.
Edhe ky libër me studime ashtu sikur edhe libri paraprak “Pikëtakime letrare” është një përmbledhje e shkrimeve dhe studimeve të kohë pas kobshme të autorit, të botuara në gazetat dhe portalet në gjuhën shqipe, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, Iliridë dhe në shtypin e mërgatës.

Kadri Rexha, në të gjitha studimet e tij ka sintetizuar një përvojë të gjatë krijuese, vlerësuese e vrojtuese, për letërsinë shqipe në përgjithësi, edhe pse ajo deri vonë është përcjellë me fatin e keq të ngufatjes, ndarjes, izolimit dhe zhvillimit jo harmonik, në kushte dhe rrethana të njohura, nëpër të cilat ka kaluar edhe arti e kultura shqiptare në trojet e robëruara të Atdheut.
I vetëdijshëm dhe i ndërgjegjshëm për rolin që ka luajtur dhe luan libri, studimi, analiza, vështrimi, që kanë për qëllim krijimin e shtigjeve për një krijimtari sa më realiste dhe artistikisht më të arrirë, Kadri Rexha në studimet e tij ka aplikuar qasjen afirmative, pozitiviste, e cila ka shërbyer dhe i shërben lexuesit si mesazh, mjet në shërbim të edukimit të brezave, veprimtari jo vetëm korrektuese e kritike, me qëllim diskreditimi apo megalomanie, por më radhë të parë si kritikë e shëndoshë, mbështetëse e shpeshherë edhe inkurajuese.
Kritikat letrare të autorit datojnë qysh herët, qysh në vitet ’70, të shekullit të kaluar. Asokohe profesori i letërsisë nuk kënaqej vetëm me shpjegimin dhe interpretimin e lëndës së letërsisë sipas teorive të aplikueshme dhe tradicionaliste, por rrugëtonte drejt interpretimit më të lirë, më frymëmarrës dhe më të kuptueshëm, sidomos për lexuesin, por edhe për studiuesin e letërsisë. Në përpjekje për të vlerësuar më ndryshe librin, duke qenë edhe në kontakt me metodat e njohura të kritikës letrare, Kadri Rexha ka krijuar një stil sintetik të vrojtimit letrar, andaj analizat e tij letrare janë origjinale, organike, si për nga qasja ashtu edhe rendimenti që sjellë në vlerësimin realist të veprave të ndryshme...

Libri me studime, analiza, komente, letërkëmbime, polemika, intervista, recensione e tema të tjera, titulluar “Thirrjet e kohës”, i autorit, Kadri Rexha, pa dyshim se begaton letrat tona, në kohën kur studimi i mirëfilltët, i thellë dhe shkencor i letërsisë, kulturës, publicistikës, nga një pjesë e studiuesve shikohet me skepticizëm, si diçka që u përket “shkollave letrare të kaluara”. Kjo vepër me përmbajtjen e begatshme dhe të llojllojshme imponohet për lexim, meqë secili lexues, gjen tema që i interesojnë, qoftë nga e kaluara apo e tanishmja, tema nga të cilat mësohet dhe edukohen brezat e ardhshëm.
I arsimuar dhe i edukuar në frymë të traditës realiste afirmative kombëtare, autori në librin e tij ka prezantuar tema të ndryshme duke filluar nga letërsia e vjetër shqipe dhe duke kaluar nga një shekull në tjetrin për të ardhur në kohën tonë, deri të Epoka e UÇK-së dhe periudha e shtet ndërtimit të rëndë të Kosovës, të pleksur me shumë probleme të pazgjidhura.
Një kapitull të veçantë në këtë libër paraqet prezantimi i letërkëmbimit të autorit me veprimtarin e mirënjohur të çështjes kombëtare, të burgosurin politik dhe militantin e lirisë, dr. Shaqir Shaqiri. Prezantimi i këtij letërkëmbimi hap një dimension të ri në angazhimet krijuese të autorit, Kadri Rexha, i cili nuk është thjesht një studiues katedre, por mbi të gjitha një personalitet i afërt me shokët, i cili jeton me hallet dhe problemet e tyre, me jetën dhe degdisjet e tyre nëpër botë, në kushte dhe rrethana tashmë të njohura nëpër të cilën kanë kaluar shqiptarët sidomos në kohën e fundit.
Në shtrirjen e temave në pothuajse tërë gjeografinë shqiptare, në kohë dhe hapësirë, në sinkroni dhe diakroni, autori ka arritur të zbërthejë thirrjet e çdo kohe, të çdo epoke, thirrjet e përjetshme dhe të përhershme të zërave të ngritjes dhe kalitjes së vetëdijes kombëtare, të frymëzimeve atdhetare, thirrjet e përhershme për liri, barazi, bashkim kombëtar dhe unifikim të shqiptarëve të shkapërderdhur nëpër trojet e tyre stërgjyshore.
Duke qenë vrojtues i thellë i realitetit historik dhe i kontradiktave shoqërore, politike e kulturore, veçmas në rrafshin kombëtar, Kadri Rexha ka arritur që edhe në këtë libër, ashtu sikur edhe në veprat e botuara më herët, të kondensojë një materie gjithëpërfshirëse, mjaft të begatshme dhe reprezentative, meqë opusi i studimeve paraqitet shumëdimensional dhe i ngjeshur mirë nga të gjitha pikëpamjet krijuese.
Duke i rënë pash më pash trojeve të Shqipërisë, duke dëgjuar dhe duke i përfillur me besnikëri thirrjet e kohës që nga kambanat e Krujës së Gjergj Kastrioti e deri te thirrjet mobilizuese për kushtrim të legjendarit, Adem Jashari, autori i këtij libri me studime, ka arritur të sintetizojë thirrjen shqiptare, orën e pandalshme drejt aspiratës së bërjes definitive të Shqipërisë. Ky është edhe mesazhi më i fuqishëm i autorit, që i drejtohet lexuesit me qëllim që rruga e emancipimit kombëtar të kërkohet brenda vlerave të fisnikëruara të kombit, pa mohuar vlerat universale krijuese e humane, por fillimisht e përfundimisht në përpjekje për ta begatuar, ndriçuar dhe emancipuar kulturën tonë autentike, pjesën e saj më afirmative dhe më reprezentative.

Përmbledhje me studime, analiza e vlerësime, “Thirrjet e kohës” e studiuesit, Kadri Rexhës është një kontribut i çmuar për studimin dhe njohjen e lexuesit me tema të caktuara të letërsisë shqipe dhe me kritikën letrare në përgjithësi. Libri ka 500 faqe, botoi Radio-Kosova e Lirë, shtypi “Shkrola”, në Prishtinë.
Ahmet Qeriqi

Vështrim me rastin e përurimit të librit


             

               Prof. Binak Ulaj

Propozimin për t’i thënë ca fjalë për librin e kujtimeve “Nga fëmijëria deri të liria” të Jashar Alisë, e kam mirëpritur me kënaqësi të veçantë. Jo për atë se në këtë libër përfshihet edhe pjesa e rrugëtimit tonë të përbashkët, por më tepër për atë se autorin e njoh që prej shumë vitesh dhe këtë, në rrethana në të cilat dëshmohej më së miri botëkuptimi liridashës, karakteri dhe dinjiteti i njeriut. Për këtë arsye, vlerësoja, se edhe në këtë libër nuk ka mospërputhje ndërmjet veprimtarisë së tij dhe asaj që ka shkruar, gjë për të cilën u binda për të satën herë.

Në qendër të kësaj monografie jetëshkrimore është veprimtaria shumëvjeçare e autorit si pjesëtar i Lëvizjes ilegale, përndjekja dhe ballafaqimi i tij me organet policore të sigurimit shtetëror të ish-Jugosllavisë dhe shqetësimet e tij për fatin e Atdheut, përkatësisht për fatin e pjesës së ndarë, të robëruar dhe, më pas, të copëtuar të Atdheut, Kosovës1.

Nga përshkrimi i rrjedhës kronologjike të ngjarjeve në Kosovën e robëruar, nga përshkrimi i përndjekjeve dhe krimeve të bëra ndaj shqiptarëve nga xhandarmëria serbe e malaziase, nga përshkrimi i krimeve të bandave çetnike të institucionalizuara, të bëra në trevën e Burimit, të cilën autori me të drejtë e quan çerdhe të çetnikëve serbë a malazez, na del i natyrshëm përcaktimi i autorit për rrugën jetësore që do të ndjekë që nga rinia e hershme.


Jehona e demonstratave të vitit 1968 do të përcillet vit pas viti te brezat e rinisë shkollore dhe studentore, do të shtojë besimin në fuqinë e popullit dhe do i nxisë të angazhohen gjithë ata që e ndienin për obligim të organizohen e veprojnë për të mirën e Atdheut. Këtu zë fill edhe ideja Jasharit për të vepruar në mënyrë të organizuar. Ardhja e tij për të studiuar në Prishtinë ku studionte edhe Xhafer Shatri, të cilin e njihte që nga gjimnazi i Burimit, e i cili kishte kohë që vepronte në grupin e formuar së bashku me Kadri Osmanin e Binak Ulajn, të quajtur Grupi Revolucionar2, ishte rasti më i mirë për të realizimin e kësaj ideje.

Ndonëse të rinj dhe pa përvojën e duhur, thekson autori, anëtarët e këtij grupi, do të projektojnë drejt veprimtarinë e vet atdhetare. Këtë e dëshmon serioziteti dhe përkushtimi me të cilën i qasen punës ilegale të organizuar, moto e të cilit ishte: “ Çdo gjë për çështjen dhe asgjë mbi çështjen”.

Pas formimit të strukturave organizative, anëtarët e Grupit Revolucionar, objektiv të parë do të kenë përgatitjen dhe hartimin e dokumenteve politike e programore, siç ishte Statuti dhe Programi i Grupit, ku përcaktohej qëllimi dhe veprimtaria e tij, çështja e anëtarësisë, e marrëdhënieve, të drejtave dhe detyrave të anëtarëve të Grupit, format e organizimit dhe disiplina e, veçanërisht, shtrirja e veprimtarisë anekënd viseve shqiptare në ish-Jugosllavi. Rëndësi të veçantë i kushtohej ngritjes së vetëdijes atdhetare dhe intelektuale të anëtarëve. Për këtë qëllim, thekson autori, burim kryesor ishte literatura që vinte ilegalisht nga Tirana 3.

Përshkrimi që i bën kryerjes së detyrave të caktuara, siç ishte sigurimi i mjeteve teknike, i makinave të shkrimit dhe shumëzuesve të materialeve e, sidomos, shpërndarjes së afisheve, gjë që ishte me shumë rreziqe, dëshmon për përkushtimin dhe guximin e Jasharit dhe të anëtarëve tjerë të Grupit Revolucionar. Afishet e para GR do t’ua kushtojë studentëve, gjë që nuk ishte e rastit. Përmasa e jugosllavizimit të mendimit politik shqiptar në Kosovë, të kamufluar me parullën e vëllazërim- bashkimit, më së shumti kërcënonte rininë studentore dhe shkollore. Përveç tek rinia, Grupi Revolucionar do ta përqendrojë veprimtarinë e vet edhe tek klasa punëtore, veçmas te minatorët, si kategoria më e shfrytëzuar. Anëtarët e Grupit Revolucionar, në mesin e të cilëve edhe vetë autori i librit, do të shpërndajë afishe dhe shkruajë parulla në Mitrovicë, në Tunelin e parë, në Stan Tërg, në Kishnicë, në Ajvali, në Golesh të Magurës e gjetiu.

Vlen të theksohet se Grupi Revolucionar është organizata e parë ilegale e cila i ka shkruar afishet edhe në gjuhën serbo-kroate, siç quhej atëherë. Ky fakt dëshmon se Grupi Revolucionar bënte dallim të qartë ndërmjet regjimit shtetëror të Beogradit dhe popullit serb. Grupi Revolucionar, me të drejtë, këtë regjim, e konsideronte shtypës, jo vetëm të popullit shqiptar, por edhe të popullit serb dhe të popujve tjerë në ish-Jugosllavi. Rëndësi të veçantë për veprimtarinë e Grupit Revolucionar, veçmas për informimin dhe ngritjen e anëtarëve të Grupit Revolucionar, kishte botimi i 'Zërit të Kosovës', numri i parë i të cilit do të dalë më 1 shkurt 1974. Lidhur me këtë, studiuesi i përkushtuar i Lëvizjes ilegale, dr. Ethem Çeku, shkruan: “Gazeta e parë shqiptare ilegale në Kosovë është ”Zëri i Kosovës“ (Ethem Çeku, Mendimi politik i Lëvizjes Ilegale në Kosovë, 1945-1981, Pr. 2003, f 229). Në këtë organ botoheshin tema politike, komente për ngjarjet aktuale, për çështje ekonomike, organizative, por edh krijime letrare artistike. Me këtë rast e ndiej për obligim të theksoj se shumicën e shkrimeve për “Zërin e Kosovës“ dhe të shkrimeve tjera, i kam shtypur në shtëpinë ku banonte me qira artisti i mirënjohur i Teatrit të Kosovës, Selim Ramadani nga Tetova, të cilit, nga pakujdesia, i kam mbetur borxh për një mirënjohje dhe falënderim publik.


Siç shkruan autori, veprimtaria kaq intensive dhe në nivel të lartë organizimi, i kishte ngritur në këmbë strukturat e të gjitha niveleve të ish-UDB-së, veçmas ato në Kosovë. Ndaj, në fillim të majit të vitit 1974, pas një aksioni për sjelljen e materialeve në bazën kryesore të Grupit Revolucionar, e që ishte e ndërtuar enkas për këtë qëllim në një thellësi mbi të cilën ishte ngritur shtëpia e Kadri Osmanit, do të arrestohen pesë anëtarë të Grupit Revolucionar: Kadri Osmani, Jashar Alia, Xhafer e Metë Shatri dhe unë.

Nga përshkrimi i torturave të ushtruara gjatë hetimeve, por edhe i qëndresës për të mos i zbuluar shokët, autori bën karakterizimin, jo vetëm të vetvetes si i burgosur politik, por edhe të të gjithë atyre të burgosurve politikë shqiptarë, që jetën dhe veprën e tyre ia kushtuan çlirimit të trojeve shqiptare të okupuara dhe bashkimit të tyre me Shqipërinë shtetërore. Falë qëndresës dhe mos zbulimit të shokëve, veprimtaria e Grupit Revolucionar do të vazhdojë edhe më me sukses, duke parapërgatitur kështu Pranverën e Madhe të Tetëdhjetenjëshit, që do të shpie drejt formimit të UÇK-së, organizues dhe pjesëmarrës të të cilës do të jenë edhe disa prej anëtarëve të Grupit Revolucionar.

Shkallën e dënimeve, siç shkruan edhe autori, nuk e caktonte gjykata, por organet e UDB-së. Të vetëdijshëm për këtë, por edhe për të mos e rënduar edhe më gjendjen ekonomike të familjes, anëtarët e Grupit Revolucionar nuk do të angazhojnë fare avokatë. Do të ishte me interes dhe mbetet detyrë e ndonjë juristi të mirëfilltë, të studiojë dhe analizojë aktgjykimet e të burgosurve politikë shqiptarë, për të parë absurdin e bazës juridike dhe humanitare, karakteristike për sistemin juridik të ish-Jugosllavisë.

As torturat çnjerëzore gjatë hetimeve dhe, më pas, në burgjet e ashtuquajtura “Shtëpi ndëshkimore-korrektuese”, në të cilat të burgosurit politikë shqiptarë ishin të rrezikuar, jo vetëm nga gardianët, por edha nga të burgosurit e sëmurë psikik, të cilët i vendosnin në të njëjtën qeli, siç i kishte ndodhur edhe autorit të këtij libri, as dënimet më shumë vite burg, nuk thyejnë vullnetin e të burgosurve politikë shqiptarë. Edhe në kushte të tilla të rënda, ata sillen me dinjitet dhe shqetësim të tyre kanë vazhdimin e veprimtarisë pas daljes nga burgu, por edhe brenda burgut, kuptohet, për aq sa kishte mundësi. Ishte kjo shprehje e fuqisë motivuese dhe e vetëdijes për rrugën e drejtë që kanë zgjedhur dhe dëshmi e asaj se të burgosurit politikë shqiptarë, pas atyre që kanë rënë në luftë me armë në dorë, ishin dhe mbetën kategoria më sakrifikuese për lirinë e Atdheut.

Ndaj, edhe Jashari, pas daljes nga burgu do e vazhdojë veprimtarinë ilegale, e cila tanimë kishte arritur një shkallë të lartë organizimi. Për këtë arsye, pa kaluar shumë kohë, do të arrestohet për herë të dytë, në fillim të muajit maj të vitit 1979 dhe më pas, do të arrestohet edhe për herë të tretë, më 20 tetor 1981, me ç‘rast do të dënohet me 6 vjet burg të rëndë.

Me një gjuhë mbresëlënëse autori e përshkruan takimin dhe dashurinë për familjarët e vet, posaçërisht për nënën, duke veçuar edhe rolin e familjeve të të burgosurve politikë, pa ndihmën e të cilave nuk do të kishte veprimtari të suksesshme ilegale. Siç është e ditur, të burgosurit politikë shqiptarë, përbënin numrin më të madh të të burgosurve politikë dhe, pothuaj, nuk kishte burg ca më të madh, në cilëndo nga republikat në ish-Jugosllavi, e të mos kishte të burgosur politikë shqiptarë. Duke shkuar për t’i vizituar të afërmit e vet të burgosur , anëtarët e këtyre familjeve, njiheshin dhe miqësoheshin me njëra tjetrën, duke krijuar kështu një kategori shoqërore, e cila, falë solidaritet dhe ndihmës së ndërsjellë, jo vetëm që arrinin t’u përballonin masave represive të pushtetit, por edhe të bëheshin krah me rëndësi të veçantë në ecjen përpara të Lëvizjes ilegale. Nuk është e rastit që edhe Jashari do e zgjedhë për shoqe të jetës një bashkëveprimtare, e cila ishte e vetëdijshme për sakrificat që e prisnin, por edhe për misionin e saj të shenjtë, lindjen dhe përkujdesjen për fëmijët, si vazhdimësi e pashkëputur e ekzistencës dhe e rritës familjare.

Përshkrimi i shqetësimeve të autorit për rrjedhat e ngjarjeve në Shqipëri dhe për veprimet e qeverisë fantome të Kosovës në egzil, e cila i keqpërdorte paratë e mërgimtarëve në kohën kur djemtë e vajzat shqiptare derdhnin gjak për lirinë e Kosovës, përbën një kapitull të veçantë.

Shkuarja e autorit në Shqipëri dhe rreshtimi i tij në radhët e UÇK-së janë përplotësim i integritetit atdhetar të tij.

Botimi i pjesëve të ditarit në fund të këtij libri, ku flet për kthimin dhe përkushtimin e tij ndaj familjes dhe, veçmas, për gëzimin që ndien me nipat dhe mbesat, është jo vetëm shprehje e dashurisë ndaj tyre, por edhe shprehje e brengosjes dhe e zhgënjimit në elitën politike e intelektuale të Kosovës, por edhe shqetësim për zërin e munguar të ish- të burgosurve politikë, të cilët, të paorganizuar e të shpërndarë, ashtu siç nuk pritej, ka kohë që nuk dëgjohet.

Veçmas autorin e shqetëson heqja dorë nga ideja largpamëse e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, për të cilën janë sakrifikuar breza e breza atdhetarësh. Lidhur me këtë ide, do të citoj akademik Rexhep Qosjen, i cili shkruan: “Ideja e bashkimit të Shqipërisë dhe të Kosovës mbasi të hynë në Bashkimin Evropian, që po e përsërisin tani e sa kohë disa liderë politikë, është ide demagogjike dhe mashtruese. Një bashkim i tillë i ndarë, jo vetëm se nuk mund të jetë bashkim, por mund të jetë largim gjithnjë e më i përshtirë identitar ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës”.

Autorin e shqetësojnë zërat ndjellakëqij për krijimin e kombit kosovar nga kombi shqiptar dhe krijimin edhe të një standardi të dytë të gjuhës shqipe. Theksoj se në një libër të përuruar dy-tri ditë më parë, mu në këtë bibliotekë, theksohet se 32 për qind e banorëve të Kosovës, kur pyetën për kombësi, e quajnë vetën kosovarë.

Autorin e shqetëson edhe fakti se një numër jo i vogël i uzurpuesve të pushtetit që nga viti 1999 e këndej, kanë krijuar pasuri marramendëse, jo vetëm për kushte tona e në dëm të popullit, me çka u kanë dhënë shkas për akuza atyre që kanë qenë kundër UÇK-së dhe që ende vazhdojnë ta mohojnë rolin e saj për çlirimin e Kosovës. Thënë të vërtetën, ata që e kanë materializuar kontributin e tyre në këtë mënyrë, s’kanë të drejtë morale të thirren në kurrfarë meritash.

Sikur ta kishin ruajtur vullnetin dhe përkushtimin që kishin ndaj Atdheut, sikur të kishin ruajtur etikën e pjesëtarit të UÇK-së, i cili autorit të këtij libri, i kishte thënë me një rast: “Kam ardhur për të luftuar dhe kam shitur lopën për të blerë një pushkë," punët do t’ i kishim më ndryshe.

Kjo porosi del edhe nga kjo monografi jetëshkrimore, ndaj s’na mbetet tjetër pos autorit t’i urojmë shëndet të plotë dhe sukses në shkrimin edhe të pjesës së dytë kushtuar dukurive që vazhdojnë të rrezikojnë të sotmen dhe të ardhmen tonë.

Binak Ulaj, 18 tetor 2013

____________________

1. Vlen të theksohet se me emrin Kosovë, pas Luftës së Dytë Botërore, Qeveria e Tiranës, i quante të gjitha trevat etnike e historike shqiptare të ripushtuara nga ish–Jugosllavia, gjë që ishte emërtim i drejtë juridikisht e politikisht dhe, njëkohësisht, shprehte vizionin largpamës dhe besimin për çlirimin dhe bashkimin e saj me Shqipërinë shtetërore.

2. Sot, jo pak studiues të shkencave shoqërore e filozofike, termin revolucion, e përdorin në kuptim negativ, gjë që nuk qëndron. Pa dashur të merrem me interpretimin e tillë dhe kthesat përparimtare që kanë bërë revolucionet në zhvillimin e shoqërisë njerëzore, theksoj se ishte iluzion të pritej që çështja shqiptare në ish-Jugosllavi do të zgjidhej me rrugë evolutive. Përkundrazi. Edhe anëtarët e Grupit Revolucionar, sikundër edhe ata të Lëvizjes për Çlirim e Bashkim Kombëtar të Kosovës, ishin të bindur se vetëm me luftë të armatosur mund të çlirohej populli shqiptar nga pushtuesit jugosllavë, gjë që do të vërtetohet vite më vonë, me organizimin dhe rrjedhat e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

3. Rol të rëndësishëm në sigurimin e kësaj literature ka pasur Idriz Zeqiraj. Pasi kishte ikur ilegalisht në Shqipërinë shtetërore, kishte përzgjedhur dhe blerë shumë libra, të cilat ia dërgonte vëllait, Seferit, në Gjermani dhe axhës, Rexhepit, në Francë, të cilët i sillnin në Kosovë. Më pas, ato i shpërndante vëllai tjetër i Idrizit, Tafa.

Mr. Kadri Rexha: Pikëtakime letrare

Nga Prof.Ahmet Qeriqi


Kohë më parë doli në dritë libri më i ri i Kadri Rexhës, “Pikëtakime letrare” një përmbledhje studimesh e recensionesh të shkruara e të botuara kohë pas kohe, qysh prej vitit 1977 e deri në ditët tona.
Pikëtakimet e mr. Kadri Rexhës në letërsinë shqipe janë të hershme dhe ato datojnë qysh në vitet ‘70, kur kritiku i ardhshëm i letërsisë, shkrimtari e veprimtari, ndodhej në rrugë jo vetëm të krijimit të identitetit krijues, duke gjurmuar shtigje drejt lirisë së shprehjes, por edhe në rrugë drejt përparimit dhe emancipimit të çështjes kombëtare shqiptare. Kadri Rexha, në pikëtakimet e tij letrare ka sjellë një qasje të re në kritikën tonë, duke anashkaluar gati në tërësi metodën e kritikës përshkruese, tradicionale, ai me kohë ka krijuar një konceptim të ri të vlerësimit të veprës letrare, por pa sharruar në futurizëm dhe neo modernizëm të thatë dhe abstrakt, ku kanë sharruar jo pak kritikë të letrave shqipe, sidomos në kohët e fundit.
Duke shpjeguar qasjen origjinale për krijimtarinë dhe përgjithësisht për vrojtimet e tij letrare, autori i librit, shkruan: “Mbase larg realitetit dhe teorive shkencore, nisur nga botëkuptimi dhe formim im, letërsinë e shikoj si veprimtari, si mision, si thirrje të brendshme individuale, si urdhër kohe, si mjet në shërbim të njerëzores, lirisë, kombit, progresit...” Në këtë përkufizim, studiuesi i zellshëm dhe kritiku i mirëfilltë i letërsisë, Kadri Rexha ka pasqyruar më së miri kredon e tij krijuese, qasjen origjinale ndaj letërsisë dhe artit në përgjithësi, duke mos u ndalur vetëm në këtë segment të krijimtarisë, por duke çarë për para rrugën drejt formave të tjera të shprehjes artistike.
Libri me studime, qasje, kritika dhe analiza letrare, titulluar “Pikëtakime letrare”, që sapo doli në dritë, është një përmbledhje e shkrimeve dhe studimeve të kohë pas kobshme të autorit, të botuara në gazetat dhe portalet në gjuhën shqipe, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, Iliridë dhe në shtypin e mërgatës.



Këtë vepër autori e ka segmentuar në disa këndvështrime sipas përmbajtjes së shkrimeve që ka prezantuar në librin e tij më të ri. Duke filluar nga: mbresat, rrëfimet, vështrimet, përjetësimet, çastet e amshimit, përurimet e duke përfunduar në përkujtime, kritiku i letërsisë, Kadri Rexha ka sintetizuar një përvojë të gjatë krijuese, vlerësuese e vrojtuese, për letërsinë shqipe në përgjithësi, edhe pse ajo deri vonë është përcjellë me fatin e keq të ngufatjes, ndarjes, izolimit dhe zhvillimit jo harmonik, në kushte dhe rrethana të njohura, nëpër të cilat ka kaluar edhe arti e kultura shqiptare në trojet e robëruara të Atdheut.
I vetëdijshëm dhe i ndërgjegjshëm për rolin që ka luajtur dhe luan libri, studimi, analiza, vështrimi, si pikëtakime apo vrojtime, që kanë për qëllim krijimin e shtigjeve për një krijimtari sa më realiste dhe artistikisht më të arrirë, Kadri Rexha në recensionet e tij ka aplikuar qasjen afirmative, pozitiviste, e cila ka shërbyer dhe i shërben lexuesit si mesazh, si mjet në shërbim të edukimit të brezave, si veprimtari jo vetëm korrektuese e kritike, me qëllim diskreditimi apo megalomanie, por më radhë të parë si kritikë e shëndoshë, mbështetëse e shpeshherë edhe inkurajuese.
Kritikat letrare të autorit datojnë qysh herët, qysh në vitet ’70, të shekullit të kaluar. Asokohe profesori i letërsisë nuk kënaqej vetëm me shpjegimin dhe interpretimin e lëndës së letërsisë sipas teorive të aplikueshme dhe tradicionaliste, por rrugëtonte drejt interpretimit më të lirë, më frymëmarrës dhe më të kuptueshëm, sidomos për lexuesin, por edhe për studiuesin e letërsisë. Në përpjekje për të vlerësuar më ndryshe librin, duke qenë edhe në kontakt me metodat e njohura të kritikës letrare, Kadri Rexha ka krijuar një stil sintetik të vrojtimit letrar, andaj analizat e tij letrare janë origjinale si për nga qasja ashtu edhe rendimenti që sjellë në vlerësimin realist të veprave të ndryshme.

Autori ka marrë në shqyrtim dhe ka analizuar segmente të caktuara të letërsisë shqipe qysh nga Letërsia e Vjetër, duke filluar nga Lekë Matrënga, Frank Bardhi, Pjetër Bogdani, pastaj ka trajtuar tema nga periudha e Rilindjes kombëtare, me analiza e vlerësime për Jeronim De Radën, Gavril Darën, Sami Frashrin, Mihal Gramenon, Luigj Gurakuqin, Shtjefën Gjeçovin, Hilë Mosin, më vonë Dhimitër Shuteriqin, për të kaluar te krijimtaria e Adem Demaçit, Jusuf Gërvallës, Teki Dervishit, Kadrush Rodogoshit, Agim Spahiut, Bedri Islamit e të tjerëve.
Një vend me rëndësi në studimet dhe analizat e Kadri Rexhës, të prezantuar në librin: “Pikëtakime letrare” zë edhe folkloristika shqiptare, e kundruar sidomos nga refleksionet dhe porositë që ajo ka transmetuar nga brezi në brez. Autori, kësaj letërsie iu ka qasur në sinkroninë dhe diakroninë e saj të zhvillimit, për faktin se letërsia gojore e transmetuar nëpër shekuj, ka ruajtur kujtesën e të parëve, me vlerat e veta të përgjithshme, edukative, njohëse, transmetuese dhe si e tillë, sado e ngrënë nga goja e pamëshirshme e kohës, ajo ka arritur deri në ditët tona. Janë të një cilësie të jashtëzakonshme dhe të përcjella me një ndjenje të thellë përkushtimi, sidomos analizat e mirëfillta dhe sintetizuese për disa nga këngët historike dhe këngët e trimërisë, të cilat i ka kënduar rapsodi i mirënjohur, Dervish Shaqa, për jetën dhe veprën e të cilit, Kadri Rexha ka botuar edhe një monografi të shkëlqyer.
Përmbledhje me studime, analiza e vlerësime, “Pikëtakime letrare” e Kadri Rexhës është një kontribut i çmuar për studimin dhe njohjen e lexuesit me tema të caktuara të letërsisë shqipe dhe me kritikën letrare.
Libri ka 300 faqe, botoi Radio-Kosova e Lirë, shtypi “Shkrola”, në Prishtinë.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...