Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/02/09

Keqtrajtohen emigrantët kosovarë nga autoritetet hungareze, Qeveria e Kosovës heshtë


Keqtrajtohen emigrantët kosovarë nga autoritetet hungareze, Qeveria e Kosovës heshtë


















Shqiptarët e Kosovës të cilët po ia mësyjnë vendeve të Bashkimit Evropian, po keqëtrajtohen nga autoritetet hungareze. Një emigrant i ka treguar Gazetës Blic se ata janë duke përjetuar tortura gjatë qëndrimit të tyre në Hungari.

Besniku, një 28 vjeçar nga Ferizaj ka treguar për Gazetën Blic se atij dy herë ia kanë shqyer biletën për në Vjenë. “Edhe ato para që i kisha, mu harxhuan. Dy herë policia hungareze na i ka shkyer biletat mua dhe tre shokëve të tjerë, që së bashku tentuam që të ikim nga Hungaria. Tash kemi mbetur shumë keq”, tregon ky 28 vjeçar.

Ai ka thënë se është i gatshëm që të kthehet edhe në Kosovë, sepse ai dhe shumë të tjerë janë në gjendje të mjerueshme, mirëpo sipas tij, autoritetet hungareze as nuk po i kthejnë në Kosovë, e as nuk po i lëjnë që të ikin drjet vendeve të BE-së. “Edhe kushtet në kamp ku na kanë vendosur janë të tmerrshme. As nuk po na kthejnë në Kosovë, e as nuk po na lejojnë që të ikim nga Hungaria. Jemi mbetë shumë keq”, ka thënë ai.

Sipas tij, situatën më të rëndë e kanë ata që kanë dalë me fëmijë. “Shumë fëijë edhe janë të sëmurë për shkak të kushteve të rënda dhe jonjerëzore”, tregon ai.

Besniku është shprehur i zhgënjyer edhe me institucionet e Kosovës, të cilët nuk po e ndërmarrin asnjë hap, që t’i mbrojnë qytetarët e tyre.

“Institucionet duhet të interesohen që të paktën t’i kthejnë ata qytetarë, të cilët më nuk kanë mundësi as financiare që të kthehen”, thotë ai.

Sipas këtij 28 vjeçari, shumë shqiptarë të Kosovës në Hungari kanë mbetur edhe rrugëve. Ai madje thotë, se edhe pronarët e hoteleve po kanë frikë që të pranojnë mysafirë emigrantët.

Në anën tjetër, drejtuesit e institucioneve pos që nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim konkret për ndaljen e emigrantëve, askush nuk është interesuar për fatin e dhjetëra mijëra qytetarëve që ia kanë mësyr vendeve të Bashkimi Evropian përmes Hungarisë.

Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi dhe ai i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, në vend që të vizitojnë Hungarinë, ku momentalishte konsiderohet se janë mbi 30 mijë qytetarë të Kosovës, dhe të diskutojnë e të flasin me ta, kanë zgjedhur Nju- Jorkun dhe vendet tjera që t’i vizitojnë.

Shefi i diplomacisë kosovare, Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa, sot pritet që të takohen në Bruksel me kryeministrin serb, Aleksander Vuçiq, ku do të flitet për Asociacionin e Komunave Serbe dhe për drejtësinë.

Madje, Hashim Thaçi gjatë ditës së djeshme ka paralajmëruar i entuziazmuar se sot do të përmbyllet marrëveshja për drejtësinë me Serbinë, derisa në anën tjetër nuk e tha as edhe një fajlë të vetme për ata dhjetëra mijëra emigrantë shqiptarë.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi ka thënë për medie se Qeveria do të ndërmarrë politika të cilat parandalojnë emigrimin kaq masiv të qytetarëve të Kosovës, të cilët po lënë vatrat e tyre për nje jetë më të mirë.

Partitë opozitare, ndërkohë kanë kërkuar që të ndahet një fond prej miliona eurove, i cili do të mund të fillonte të parandalonte këtë migrim masiv.

Nisin negociatat në Bruksel, temat e mbetura pezull


Sot nisin negociatat në Bruksel, temat e mbetura pezull apo çështja Jabllanoviç














Takimi i 9 shkurtit në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe kryeministrit të Serbisë, do të shënojë vazhdimin e dialogut ndërmjet dy vendeve, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.
Dialogu Kosovë - Serbi, në vazhdim do t’i ketë dy figura të reja, kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, dhe përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Federica Mogherini, ndërkohë që palën serbe do të vazhdojë ta përfaqësojë kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq.
Edhe pse ende nuk është bërë e ditur zyrtarisht agjenda e takimit të 9 shkurtit në Bruksel, njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë vlerësojnë se pritet të bisedohet për çështjet e papërfunduara, si dhe për çështje, të cilat kanë qenë aktuale së fundmi.
Leon Malazogu nga Instituti Demokraci për Zhvillim, thotë për Radion Evropa e Lirë se zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, që më parë patën paralajmëruar se në takimin e 9 shkurtit në Bruksel, do të diskutohen dy tema.
“Do të thotë, përmbyllja e temës së gjykatës në veri, që do të thotë më tepër, që të merren vesh për planin e veprimit, si dhe të ketë përparim në detajet tjera për sa i përket kodit telefonik të Kosovës. Por, në të njëjtën kohë, ngrihen dyshime se në çfarë mase BE-ja dhe zonja Mogherini, në këtë rast, janë strikte në temat që do të bisedohen dhe se a do të shtyjnë përparimin në këto tema apo thjesht, do ta ofrojnë një hapësirë për bashkëpunim dhe për marrëveshje edhe tjera, nëse të dyja palët pajtohen”, thotë Malazogu.
Por, Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Juridike e Politike në Prishtinë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se në takimin e 9 shkurtit në Bruksel, palët nuk do të kenë kohë për t’u marrë me temat e lëna pezull që nga takimet e fundit.
Sipas tij, mungesa, deri më tash, e një agjende të qartë për takimin e 9 shkurtit, jep sinjal se Mogherini dhe zyra e saj, dëshirojnë që takimin ta shfrytëzojnë për matjen e pulsit të dy liderëve, si dhe për të parë se cilat janë pozicionet eventuale pas një pushimi të gjatë të dialogut.
Korenica vlerëson se shkarkimi i Aleksandar Jabllanoviqit nga Qeveria e Kosovës (si dhe zhvillimet e mundshme pas këtij shkarkimi) do të reflektohet dhe imponohet si temë në takimin e 9 shkurtit në Bruksel.
“Besoj se zonja Mogherini, por edhe dy liderët ( Mustafa dhe Vuçiq) pikë të parë të diskutimit do ta kenë çështjen e Listës Serbe dhe reflektimet që ajo do të ketë ndaj Qeverisë së Kosovës, pas largimit të Jabllanoviqit nga Qeveria e Kosovës”.
“Natyrisht, në këtë pikë, besoj se edhe do të përqendrohet një pjesë shumë madhe e diskutimeve ndërmjet zotit Mustafa dhe Vuçiqit, meqë ky është edhe paralajmërim që ka ardhur nga Qeveria e Beogradit, si njëfarë kushtëzimi që ata kanë ndaj vazhdimit të mëtejshëm të dialogut me Kosovën”, vlerëson Korenica.
Ndryshe, Malazogu thekson se në qoftë se dialogu do ta ketë formatin ku Bashkimi Evropian nuk do të mbajë qasje të prerë dhe imponuese në dialog, në mënyrë që me çdo kusht të shtyjë përparimin, atëherë procesi i dialogut do të jetë i stërzgjatur dhe me mospajtime.
Në anën tjetër, Korenica thotë se pala e Kosovës po shkon në dialog pa strategji të qartë dhe pa konsultim paraprak me Kuvendin e Kosovës.

40 kosovarë të ngujuar në Meksikë, kërkojnë ndihmën e qeverisë Kosovës


40 kosovarë të ngujuar në Meksikë, kërkojnë ndihmën e qeverisë Kosovës
















40 shqiptarë nga Kosova, i’a kanë mësyrë Amerikës në kërkim të një jete më të mirë
Por derisa janë përpjekur për të kaluar ilegalisht kufirin e Meksikës, ata janë gjuajtur me armë nga policia amerikane, ku dy prej tyre janë plagosur, ka bërë të ditur për ‘Zërin’, kosovari Durim Zeqiri, pjesë e këtij grupi.
Zeqiri ka njoftuar gazetën Zëri, përmes së cilës bën apel tek autoritetet kosovare që të ndihmojnë kosovarët që kanë mbetur në Meksikë, në pamundësi tani edhe për t’u kthyer në Kosovë, pasi shumica prej tyre i kanë shpenzuar edhe paratë në përpjekje për të arritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Fillimisht kemi provu 5 veta prej nesh me kalu kufiriin e Meksikës për me dal në Amerikë. Përveq që na kanë ndjek policia amerikane na kanë gjuajt edhe me armë. Dy prej grupit janë në gjendje shumë të rëndë”, thotë Zeqiri për Zëri, ndërsa apelon tek autoritetet kosovare që të kontaktojnë me autoritetet në Meksikë dhe të bëjnë një zgjidhje për t’i ndihmuar.
Si rrjedhojë, 40 kosovarët të gjithë të rinjë, 26 deri 33 vjet, kanë mbetur të shpërndarë nëpër Meksikë, kanë humbur edhe kontaktin me njëri tjetrin, tregon Zeqiri.
”Jemi shpërnda, na ka hup lidhja me njëri tjetrin, jemi munduar me hy në Amerikë prej shumë pjesëve të kufirit të Meksikës por nuk kemi arritur”, shton më tej Zeqiri.
Si përfundim kosovarët janë lajmëruar në policinë e Meksikës, por ajo i ka dëbuar, duke mos i pranuar që të flasë me ta.
“Jemi në hall, na duhet ndihmë prej qeverisë Kosovës, të na bajnë qare, se shumë keq kemi mbet”, shprehet ai.
Vet Zeqiri ka gjet strehim tek një shqiptarë i Shqipërisë që jeton në Colima të Meksikës, shkruan Zëri.
Thotë se është mirë me shëndet, por të tjerët nga grupi i tij thotë se janë shumë keq, disa kanë mbetur krejt pa pare, e madje disa kanë gjetur strehim tek disa lagje të rrezikshme, ku jetojnë dilerë të drogës.
“Disa të grupit janë strehuar në Tijuana, në lagje të drogës, janë strehu tek një meksikan diler i drogës. Në kijamet jemi”, shton Zeqiri
40 kosovarët që së bashku para disa jave janë nisur nga Kosova, fillimisht kanë arritur në Ekuador. Secili prej tyre ka paguar vetëm për vizë nga 4 mijë euro, duke i’a shtuar më pas edhe shuma të tjera për biletat e avionit.
Vizat për në Ekuador, thotë se i’u ka mundësuar një shqiptar që jeton në Holandë.
2 javë janë detyruar që të qëndrojnë në Ekuador, ku më pas secili prej tyre ka paguar nga 10 mijë dollarë për t’i dërguar nga Ekuadori në Meksikë, transmeton Zëri.
Tani ka 5 ditë që 40 kosovarë, prej tyre 20 nga Drenasi, 10 nga Peja dhe 10 nga Mitrovica, gjenden të ngujuar në Meksikë.
Zeqiri thotë se disa prej tyre kanë pasur në plan të shkojnë në Kanada, e disa në Amerikë, ku shumë prej tyre kanë edhe familjarë atje që po i presin.
Zeqiri lut qeverinë e Kosovës që të bëj një zgjidhje, që të kontaktoj autoritetet në Meksikë, dhe të u tregojnë atyre se ku të drejtohen.
“Shumë keq jemi, në hall të madh jemi, bani diçka, tregonani se ku me u drejtu në Meksikë se marum krejt”, apelon Zeqiri

Policia serbe plaçkit emigrantë të Kosovës në Suboticë


Policia serbe plaçkit emigrantë të Kosovës në Suboticë















Policia serbe vazhdon të keqtrajtojë e të plaçkitë shtetas nga Kosova, të cilët i ka ndalë në Suboticë derisa po përpiqeshin për të kaluar kufirin Serbi-Hungari.

Një lexues tregon se policia serbe i ka plaçkitur 49 emigrantë të Kosovës. Polica, sipas këtij lexuesi, emigrantëve ua ka marrë të gjitha paratë që ua ka gjetur.

“Mua mi kanë marrë 200 euro, ndërsa një familjes nga Malisheva ia kanë marrë 3400 euro”, ka thënë lexuesi.

Për të qenë ironia edhe më e madhe, polica pastaj të plaçkiturve ua ka dhënë nga një dëshmi për gjoja dënim për kundërvajtje, sipas të cilës ata ishin dënuar me nga 5000 dinarë serbë (rreth 40 euro) dhe të gjithë ishin urdhëruar që brenda 48 orëve të braktisnin Serbinë. Policia u ka thënë se nëse nuk e zbatojnë këtë urdhër, mund të dënohen deri në tri vjet burg.

Emigrantët nga Kosova, të mbetur pa para midis Suboticës janë të alarmuar nga ultimatumi i policisë dhe të pashpresë, meqë s’kanë kujt t’u drejtohen që t’i ndihmojë.

“Kemi mbetur pa para dhe nuk mund të lëvizim askund”, është ankuar ky migrant Kosove, i cili pret ndihmën e shtetit

Zoran Zaev Përgjimet masive, ja bisedat e publikuara (pjesë e skenareve të huaja)

Përgjimet masive, ja bisedat e publikuara















Lideri i LSDM-së, Zaev kërkoi ekspertizë të të gjitha materialeve të përgjuara në mënyrë ilegale. (AUDIO)
Janë shpërndarë edhe bisedat e përgjuara që sot u publikuan nga ana e liderit të LSDM-së, Zoran Zaev.


“Kërkojmë ekspertizë nga një institucion relevant për autenticitetin e regjistrimeve që posedojmë, që janë bërë nga shërbimi sekret dhe operatorët e telefonive në Maqedoni, dhe jo nga shërbime të huaja, ashtu siç janë përhaur zërat ditëve të fundit. Me këtë do të kemi një pasqyrë të qartë se a bëhet fjalë për regjistrime të shërbimeve sekrete apo të shërbimit sekret DSK. Ne e dijmë se vetëm DSK posedon pajisje për përgjim të tillë”, theksoi Zaev.
Ai kërkoi nga Prokuroria publike që të nis procesin e hetimeve për këto përgjime, që i quajti si megaskandal. “Shpresojmë se prokuroria do të nis procedurën për hetime dhe se si do të udhëheq procedurën ligjore ndaj meje dhe të tjerëve”, deklaroi Zaev.
Ai kërkoi që edhe bashkësia ndërkombëtare me kujdes të ndjek këto përgjime dhe procesin që do të nis pas publikimit të tyre.

Mbi 20 mijë të përgjuar politikanë, gazetarë, biznesmenë, klerikë ...
Zaev në konferencën me gazetarët ka theksuar se në Maqedoni janë përgjuar mbi 20 mijë qytetarë, përfshirë ate, liderë të partive politike opozitare, ministra, deputetë, gazetarë, biznesmenë, aktivistë të sektorit joqeveritar dhe mijëra qytetarë të tjerë.
Sipas tij, në këto përgjime masive nuk janë përgjuar vetëm telefonat e kryeministrit Nikola Gruevski dhe të shefit të shërbimit sekret DSK, Mijallkov. 

“Të gjitha dëshmitë dhe dokumentet tregojnë se vendi ynë është i ndarë në dy botëra. Në njërën anë Gruevski dhe Mijallkov dhe në anën tjetër qytetarët. Kjo tregon se kush ka xhiruar dhe kush ka përgjuar”, deklaroi Zaev. 

Ai theksoi se për këto ndjekje dhe përgjime masive, LSDM do të ngris kallëzim penal kundër drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov dhe Goran Gruevskit, i punësuar në këtë drejtori.

Zaev gjithashtu shtoi se këto shërbime gjatë ditëve të kaluara kanë përgjuar mbi 300 biseda të tij, që i kishte zhvilluar me përfaqësues të opozitës.

Ai theksoi se DSK (Drejtoria e Sigurimit dhe Kundërzbulimit) është shëndërruar një monstër që kontrollon dhe përgjon 20 mijë qytetarë, opozitarë, gazetarë, biznesmenë, deputet. “Ata me këtë kanë hyrë në jetën tonë private, duke folur edhe me fëmijët tanë.  Qëllimi është e vërteta për Maqedoninë të dal për gjithë qytetarët”, theksoi Zaev. 

Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ndjek me kujdes gjithçka që publikojmë. 

“Shkojmë hap pas hapi, për shkak të sensivitetit të materialeve. Do dëgjoni se si unë Zoran Zaev janë ndjeklur dhe përgjuar viteve të fundit, edhe kur nuk kam qenë lider  i partisë. Me këtë rast është publikuar një bisedë e përgjuar e liderit të LSDM me një gazetare të Evropës së Lirë. Më pas një bisedë me një zyrtarë të komunës së Strumicës dhe më pas biseda të tjera me bashkëpunëtor partiak”, deklaroi lideri i LSDM. 

Sipas tij, Gruevski dhe Mijallkov kanë përgjuar edhe ministren e brendshme Gordana Jankullovska dhe zëvendëskryeministrin Zoran Stavrevski. 

Me këtë rast u publikuan materiale të një bisede të ministres Jankullovska me zëvendëskryeministrin Stavrevski, ku ata bisedojnë për çështje politike brenda qeverisë, por edhe çështje që kanë të bëjnë me opozitën dhe përfaqësues ndërkombëtarë.

Gruevski dhe Mijallkov kanë përgjuar edhe Ali Ahmetin Menduh Thaçin, Rufi Osmanin.  Në këto biseda janë lëshuar disa materiale të përgjimit të një bisede të kryetarit të BDI-së,  Ali Ahmetit me Fatmir Deharin, për të biseduar për zgjedhjet. Biseda e Rufi Osmanit me një gazetarë shqiptarë lidhur me zgjedhjet. Biseda e Menduh Thaçit me një aktivistë të tij. 

Lideri opozitar ka theksuar se të gjithë personalitetet dhe krerët e institucioneve publike në Maqedoni, si politikanë, gazetarë, klerikë, gjyqësori dhe prokuroria, biznesmenë, janë përgjuar. 

Ai kërkoi që Prokuroria menjëherë të nis hetimet. 


14:20 - LSDM  nis konferencën me gazetarët për publikimin e “bombave” me dëshmi për kriminalitet dhe keqpërdorime të pushtetit aktual.
Kryetari i kësaj partie, Zoran Zaev pritet të shpalos të gjitha dokumentet që kanë të bëjnë me të ashtuquajturat “bomba”.
Portali MKD, në tekstin me titull “Me cilat shërbime të huaja komunikon Zaev?” shkruan se
Zoran Zaev ka mbledh 1.5 milionë material dhe fotografi. Para selisë së LSDM janë tubuar edhe dhjetëra qytetarë, ndërsa në mesin e mediave, janë edhe shumë media rajonale dhe të huaja.

08:15 - Lideri i partisë më të madh opozitare LSDM, Zoran Zaev për sot ka paralajmëruar publikimin e të ashtuquajturës ‘bombë’ politike, e cila përmban materiale shkatërrimtare për qeverinë.
Të gjitha mediat por edhe opinioni publik në vend, janë në pritje të shpërndarjes dhe publikimit të provave nga opozita.
Zaevi ka deklaruar për mediat, se ai po përgatitej për çdo gjë, edhe për arrestin e tij gjatë përpjekjes për të publikuar materialin.
“Pres gjithçka, edhe mundësinë për arrestimin tim ndërsa zbuloj provat. Por ne jemi të përgatitur dhe e dimë se kush do t’i drejtohet publikut më pas. Dhe, nëse ai arrestohet gjithashtu, ne kemi dikë që do ta zëvendësojë atë e kështu me radhë. Ata nuk mund të arrestojnë të gjithë opozitën,” deklaroi ai.
Zaev, që lajmëroi ekzistencën e këtij materiali komprometues disa muaj më parë, thotë se ai nuk e zbuloi deri më tani sepse është i gjerë dhe sepse iu deshën muaj për të fshehur burimet gjithashtu, të cilët sipas tij janë të brendshëm dhe jo të huaj sipas pretendimit të kryeministrit.
“Një nga arsyet është siguria e njerëzve që morën një hap të madh dhe vendosën të mos qëndrojnë më të heshtur rreth asaj që po ndodh në Maqedoni,” tha Zaev.
Zaev nuk ka pranuar ta zbulojë përmbajtjen ekzakte të materialit, duke thënë vetëm se burimet janë nga shërbimet sekrete maqedonase.(INA)

VMRO-DPMNE: Zaev pjesë e skenareve të huaja
















VMRO-DPMNE reagoi sot se lideri i LSDM-së është pjesë e skenareve të huaja dhe se ai me këtë veprim po dëmton interesat shtetërore. “Me konferencën e sotme me gazetarët, Zaev me një sjellje joserioze dhe të papërgjegjshme pranoi të jetë instrument dhe marionetë e shërbimeve të huaja sekrete, dhe se ai po vazhdon të jetë pjesë e një skenari të palës së tretë që nuk i’a duan të mirën vendit tonë. Zaev po vazhdon të fundoset. Për këtë edhe është ngritur kallëzim penal ndaj tij”, theksoi VMRO-DPMNE.


Shaqiri: Fillim i mbrapshtë i Zaevit















Ish-komandanti i UÇK-së, Xhezair Shaqiri – Hoxha në profilin e tij ka komentuar materialet e publikuara nga lideri opozitar maqedonas Zoran Zaev lidhur me përgjimet masive. 
Ja se çfarë shkruan ish-komandant Hoxha:
“Fillim i mbrapsht i Zaevit, pasi që filloj t’i tregon si viktima të përgjimit, Ahmetin dhe Thaçin, kjo domethënë se këta dy (Ahmeti – Thaçi) kanë bërë marrëveshje me Zaevin? vetëm mos t’ua nxjerr në shesh tradhtitë që i kanë bërë ndër vite shqiptarëve të Maqedonisë, kurse Ahmeti e Thaçi për këtë shërbim që do ua bëjë Zaevi, do të paguajnë çmimin duke qenë servil më të mëdhenj me Zaevin, se sa që ishin me Gruevskin e Mijallkovin”.

Zaev: Si u përgjuan Ahmeti, Thaçi dhe Osmani


Zaev: Si u përgjuan Ahmeti, Thaçi dhe  Osmani (AUDIO)














Në kundër të materialeve të publikuara, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev ka theksuar se janë përgjuar edhe liderët e partive shqiptare.
Sipas tij, Gruevski dhe Mijallkov kanë përgjuar liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, liderin e PDSH-së, Menduh Thaçi dhe liderin e RDK-së, Rufi Osmani. Në këto biseda degjohen Ahmeti, Thaçi dhe Osmani duke biseduar me përfaqësues dhe bashkëpunëtor partiak, por edhe biseda me gazetarë. (INA)






Kjo parit tha se të gjitha audioregjistrimet e publikuara janë siguruar nga shërbimet e huaja sekrete.
VMRO-DPMNE thotë se  ky skenarë nuk do të kalojë dhe se për këtë siç thuhet instituconet do të konfirmojnë të gjitha faktet dhe rrethanat, por edhe qëllimet e inspiruesve.

Gruevski nuk i kundërpërgjigjet akuzave të Zaevit
Kryeministri Nikola Gruevski nuk i është kundërpërgjigjur liderit opozitar Zoran Zaev, pas publikimit të materialeve të përgjuara dhe akuzave. 
Kryeministri Gruevski sot është shfaqur në takimin me ministrin kroat të mbrojtjes, Ante Kotromanoviç, ndërsa si javën e kaluar ai ka shmangur paraqitjet e tjera publike për të komentuar konferencën e opozitës maqedonase. Zaev ka akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin Nikola Gruevski dhe shefin e shërbimit sekret, Sasho Mijallkov për përgjimet e realizuara dhe të vetmit që nuk janë përgjuar. 
Edhe takimi me Kotromanoviç është informuar vetëm përmes një komunikate të lëshuar nga kabineti i tij, ku siç thuhet ata kanë vlerësuar marrëdhëniet dypalëshe dhe vazhdimin e tyre përmes projekteve të ndryshme të bashkëpunimit

Dy vendime “ për shpërnguljen e suksesshme të shqiptarëve”

 Ismet Azizi

EKSKLUZIVE: Dy vendime  “ për shpërnguljen e suksesshme të shqiptarëve” - Ismet Azizi
















Qarqet sunduese, kulturore e shkencore serbe dhe veçanërisht ideologët e krijimit të hapësirave të pastra etnike, me gjithë masat e ndërmarra ndaj shqiptarëve, nuk ishin të kënaqur me rezultatet e kolonizimit dhe të shpërnguljes së shqiptarëve në vendet tjera.
Edhe përkundër të gjitha masave drastike, numri i shqiptarëve nuk u zvogëlua, por, përkundrazi, shënoi rritje në saje të natalitetit të lartë në kushtet e rënda të jetës e të punës. Prandaj, pushteti i atëhershëm vendosi që këto qëllime të vetat t’i realizoj me shpërnguljen me dhunë e terror të të gjithë shqiptarëve nga trualli i Kosovës dhe meritoreve  rreth saj, në një anë, dhe kolonizimin sa më intensiv të serbëve në Kosovë, por edhe në Maqedoninë Perëndimore. Për këto qëllime dhe u përpiluan një varg elaboratesh dhe planesh.
Një kontrollim i kaosit të shpërnguljes është legalizuar më 11 korrik 1938 me nënshkrimin e Konventës jugosllave-turke në Stamboll. Sipas konventës ishte paraparë dëbimi i 40.000 familjeve nga viset e pushtuar nga Serbia, "të cilët flasin turqisht dhe kanë kulturë turke" nga 46 rrethet e banovinave të Vardarit, Zetës  dhe Moravës. Sipas konventës së përmendur, Turqia ka qenë e detyruar të pranoj 40.000 familje brenda gjashtë viteve, ndërsa me marrëveshje parashihej që  Jugosllavia të paguaj kompensim Turqisë nga 500 lira turke për familje, d.m.th. në total  20 milion lira. Konventa parashikonte transferimin e emigrantëve dhe pasuritë e luajtshme deri në portin e Selanikut në kurriz të Jugosllavisë.
Elaboratit me karakter fashizoid, me titull “Shpërngulja e shqiptarëve” (Iseljavanje Arnauta), i paraqitur në klubin Kulturor Serb më 7 mars 937 të cilin e hartoi  Dr. Vasa Çubriloviq, i parapriu një sërë veprimesh të kreut polit serb. Me këtë rast, po paraqesim dy dokumente që i paraprijnë elaboratit të Çubriloviqit dhe nënshkrimin e Konventës në mes Jugosllavisë dhe Turqisë.
Dokumenti i parë është Procesverbali i konferencës ndërministrore, e cila u mbajt në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Jugosllavisë më 20 shtator të vitit 1935, në të cilën u diskutua  për dëbimin e popullatës jo-sllave nga Serbia Jugore.
Teksti i dytë paraqet  projekt planin për shpërngulje të cilin e ka hartuar komiteti i ngushtë ndërministror, që është miratuar në mbledhjen e 24 shtatorit 1935 në Beograd. Ndër konkluzionet e këtij projekti të cilin e kanë përpiluar së bashku përfaqësuesit e pesë ministrive dhe Gjeneralshtabit  dominon nevoja e miratimit urgjent të konventave dypalëshe me Turqinë dhe Shqipërinë, ndërsa në rast të problemeve me shpërnguljen e shqiptarëve në Shqipëri është  propozuar të zhvendosen nga zonat kufitare në brendësi të territorit  të Jugosllavisë. Lehtësime tatimore janë paraparë për ata të cilët do të heqin dorë vullnetarisht nga shtetësia, ndërsa për transport pa pagesë deri në Selanik  mund të llogarisnin  vetëm ata të cilët pasurinë e tyre të paluajtshme ua lënë shtetit.
Pothuajse të gjithë propozimet  e përfaqësuesve të  Shtabit të Përgjithshëm u miratuan unanimisht si masa të cilat  projekti propozon për "shpërngulje të suksesshme dhe më të shpejtë të popullsisë jo-sllave në Turqi ose Shqipëri": Shtypjen e propagandës kundër dëbimeve që vinin nga Tirana, si dhe  thirrjet sa më të shpeshta të regrutëve  nga  rrethet kufitare në  stërvitje ushtarake dhe manovra, ndalimin e pranimit në shërbimin civil "të personave të cilët vijnë në shprehje për dëbim", transferimi e zyrtarëve shqiptarë  në pjesë të tjera të vendit, nacionalizimin e toponimeve dhe mbishkrimeve, etj. Të dy këto dokumente janë ruajtur në Arkivin e Jugosllavisë, në kuadër të Fondit të Ambasadës së Mbretërisë së Jugosllavisë në Turqi-Stamboll, Ankara (370), dosje 9, njësia arkivore 42, faqe 637-643.
Tekstin po e paraqesim  (të përkthyer nga autori) në formën e vet origjinale, pa asnjë ndërhyrje stilistike apo gjuhësore.
Procesverbali  i Konferencës ndërministrore , është mbajtur në Ministrinë e Punëve të Jashtme më 20 shtator të viti 1935. në lidhje me shpërnguljen  e popullatës jo-sllave nga Serbia Jugore.
Prezent:
- nga Ministria e Punëve të Jashtme: Z. Ilia  Milikiq, Shef i Seksionit të  IV repartit  politik, g. Milivoje Milçiq, këshilltar, g. Peter Çabriq, këshilltar, zoti Radovan Mitroviq, sekretar;
- nga Ministria e Bujqësisë: g.  Vojislav Magovçeviq, inspektor, g. Gjuro Tataloviq, shef i seksionit financiar ;
- nga Ministria e Punëve të Brendshme: Z. Dushan Tadiç, inspektor;
- Nga Shtabi i  Përgjithshëm: Z. Jovan Sokolloviq, gjeneral kolonel;
- nga Ministria e Financave: Z. Dushan Trajkoviq, këshilltar;
- nga Ministria e Transportit: g. Milosh Popoviç,  zyrtar i lartë Komercial. Departamenti General  i drejtorisë së hekurudhës.
Seancën e udhëhoqi  g. I Milikiq. Procesmajtje e  udhëhoqi g. Dr. Feodor Koreniç dhe g. Dr. Jozo Logar, notar të  Ministria e Punëve të Jashtme.
Seanca u hap në ora 18
***
G. Ilija MILIKIQ thotë se zoti V. Magovçeviq shprehu dëshirën që në një konferencë ndërministrore të trajtohet  çështja e shpërnguljes së turqve dhe myslimanëve të tjerë nga rajonet jugore. Kjo çështje duhet të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse në masë kompakte turqit dhe arnautët përgjatë kufirit të Arbërisë ( Shqipërisë) paraqesin problem kombëtar dhe në aspektin ushtarak  problem të rëndësishëm.
Numri i shqiptarëve, i cili është mbi gjysmë milion, nga viti 1931 është rritur për rreth 65.000 veta. Arsyeja e dështimit  të nacionalizimit të elementit jo sllav, arsyeja është se popullsia ortodokse në rajonet jugore  numerikisht është e vogël (në rajonet jugore ka  vetëm 165.000 ortodoks) dhe për shkak se  elementi jonë nuk ishte mjaft e përgatitur për ushtrimin e nacionalizimit. Prandaj, nuk mbetet gjë tjetër përveç dëbimit të elementit jo-sllave nga vendi.
Ministria e Punëve të Jashtme konstaton  se vëmendje e veçantë duhet t'i kushtohet  Arbanasëve [Shqiptarëve], sepse ata janë kompakt dhe në kontakt të vazhdueshëm me Arbaninë [Shqipërinë] fqinje, ku, pavarësisht pa përcaktimit politik, megjithatë, ngadalë krijuan një ndjesi kombëtare.
Shpërngulja politike, deri më tani, nuk ka dhënë ndonjë rezultat të veçantë. Ky element shpërngulet në Turqi dhe në Arbani [Shqipëri]. Ekziston  mundësia që numri i të shpërnguluarëve në Turqi të rritet duke u bazuar në ligjin turk të vitit të kaluar për popullimin e të gjitha krahinave të saja me popullatë të  kulturës turke. Për këtë qëllim, turqit kanë lidhur një marrëveshje me Rumaninë, dhe tani negociatat janë duke i zhvilluar edhe  me Bullgarinë. Marrëveshja me Rumaninë parasheh  që turqit nga Rumania, të cilët janë  rreth 400.000, duhet të shpërngulen brenda 5 viteve. Të gjithë pasurinë e tyre, para se gjithash, do të mund të  kompensohen nga qeveria rumune.
Gjatë dëbimit ata gëzojnë privilegje të caktuara; udhëtojnë pa pasaporta të zakonshme, tatimet e vjetëruara shlyhen, zyrtarëve iu kthehen  të gjitha paratë e paguar në fondin e pensioneve, rekrutët janë të liruar nga shërbimi ushtarak të mëtejshëm, për transportimin  e gjërave me  anijeve nuk paguhet taksë, ose transportin e kafshëve, mjetet tjera, e  kështu me radhë. Vlera e pronave të emigrantëve, të cilët, për shkak të kohës së shkurtër kan  mbetur të pa shitura, sikurse  pronat e vakëfeve, qeveria rumune do t’ua paguaj emigrantëve nga burimet e tyre, ndërsa më vonë do të merren vesh  me qeverinë turke.
Qeveria e Shqipërisë, e cila më parë ka qenë e gatshëm të pranojë një numër të caktuar të shqiptarëve tanë, tani  thotë se kjo nuk mund të bëhet për arsye financiare. Megjithatë, ne besojmë se  këtë nuk e bënë  për shkaqe  kombëtare: ajo nuk dëshiron të reduktojë numrin e Arbanasëve [Shqiptarëv] tek ne për shkak të pretendimeve të ardhshme territoriale. Qeveria turke, në të kundërtën, ka miratuar për  emigrantët e saj deri në vitin 1936. 3.000.000 lira turke.
Ligjit mbi Shtetësinë e bëri të mundur për dëbimin e popullatës jo-sllave; por megjithatë ka disa vështirësi nga  ana jonë.
Në radhë të parë është vërejtur se është bërë një gabim, për shkak se në mesin e  deklaratave  për largim  gjinden edhe një numër i madh i kërkesave të myslimanëve nga Sanxhaku, të cilët janë megjithatë njerëz tanë. Prandaj nuk ka arsye që ata të largohen nga vendi. Ne ia kemi tërheqë vëmendjen Ministrisë së Brendshme se deklarata të tilla në të ardhmen të popullatës sonë sllave mos të pranohen.  
Vështirësi tjetër është likuidimi i pasurisë së patundshme të të shpërngulurave. Kjo çështje deri diku mund të zgjidhet  me huanë të cilën Ministria e Bujqësisë mori nga  Bankën Hipotekare Kombëtare  në vlerë prej 21,800.000 dinarë.
Ne nuk duhet të harrojmë se edhe ata që e kanë likuiduar tashmë pronat e tyre, hasin në vështirësi në marrjen e pasaportave, duke pasur parasysh formalitetet mëdha të mbledhjes së certifikatave. Ministria e Punëve të Jashtme ka propozuar që këto vërtetime të lëshohen sipas detyrës zyrtare.  
Ata emigrantë, kryesisht të varfër, nuk munden vetë t’i bartin shpenzimet e transportit. Prandaj, është e nevojshme që të sigurohet transport  pa pagesë deri në kufi ose të paktën një zbritje prej 75%. Megjithatë, Ministria e Transportit nuk do të bëjë ndonjë lëshim nga rregullorja për tarifa.
Si do që të jetë, dëbimi duhet të bëhet me një plan të caktuar. Për shkak të kredisë së kufizuar që posedojmë, duhet të përcaktojmë se cilat rrethe, nga arsyet ushtarake dhe politike, duhet në radh të parë t’i shpërngulim.
G. Milivoje MILÇIQ konstaton se çështja e  shpërnguljes së myslimanëve nuk është e re, sepse ka  ekzistuar që nga viti 1878 (Muhaxhirët). Është e re në raport me § 55, i cili  deri në vitin 1933 mbeti  vetëm në letër. Më në fund në këtë vit qeveria shqiptare e ka ngitë këtë çështje, me qëllim  ë zgjidhjes çështjen e shtetësisë të atyre shqiptarëve, të cilët për çfarëdo arsye kishte ikur nga vendi ynë në Arbani. § 55 vlera e së cilës u cilësua më 1 nëntor të 1933 është vazhduar me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme deri më 1 nëntor 1938. Nga ata që dhënë  deklarata, rrallë rrallë kush është shpërngulur duke marrë parasysh faktin, që qeveria shqiptare nuk ka dhënë leje për imigrim.
 Deri më tani, janë shpërngulur në Turqi vetëm rreth 20.000. Për Shqipëri  janë dhënë rreth 2000 deklarata, por asnjë nga këto nuk iu është dhënë leje për tu vendosur në Shqipëri. Turqit në vendin tonë paraqesin një element të qetë, të shkëputur nga metropoli (Stambolli) nuk u janë nënshtruar propagandës nacionaliste. Tek  Shqiptarët situata është krejt e ndryshme në lidhje me faktin se u vendosën në masë të dendur në rajonet kufitare (në disa rrethe mbi 90% nga numri i popullsisë së përgjithshme).
Ne jemi në marrëdhënie miqësore me Turqinë dhe brenda disa muajsh ne mund të zgjidhim çështjen e dëbimit të turqve. Turqia pranon të gjithë njerëzit e kulturës turke dhe në këtë mënyrë do të jemi  në gjendje t’i shpërngulim një pjesë të Arbanasëve.
Në asnjë mënyrë viktimat nuk do të ishin të shumta, për tu zgjidhur kjo çështje. Ministria e Bujqësisë, me anë të një organizimi  të planifikuar, duhet ta shkatërroj kompleksin Arnaut, duke i vendosur në çdo fshat   disa familje tona, dhe përgjatë kufirit me Shqipërinë  duhet krijuar një brez të pastër pa shqiptarë.  
Z. Vojislav MAGOVÇEVIQ thotë se Ministria e Bujqësisë kryen kolonizimin për 15 vjet me radhë. Më së shumti  u shpërngulën nga rajonet pasive(Bosnja, Lika, Hercegovina, Mali i Zi). Me këtë veprim janë konsumuar të gjitha sipërfaqet e lira që i kishim në dispozicion, por janë edhe 17.000 familje të cilat kanë aplikuar për ndarjen e tokës dhe janë në pritje për t’iu krijuar mundësinë për vendosje (kolonizim ) në rajonet jugore.
E vetmja zgjidhje e problemit do të ishte, shpërngulja e elementit turk dhe shqiptar, i cili është veçanërisht i fortë në 17 rrethe; atje relacioni është 73% me 27% në dëm të popullatës sonë. Arsyet kombëtare kërkojnë të vazhdojmë me kolonizimin pikërisht pran kufirit shqiptar. Për këtë qëllim, tani Ministria e Bujqësisë ka marrë një kredi prej 21,000.000 dinarë në Bankën Hipotekare Kombëtare për  blerjen e pronave turke dhe shqiptare në jug të Serbisë. Nëse dëshirohet të blihen 15.000 hektarë tokë, ku do të  mund të vendosen 3000 familjet e kolonistëve tanë, atëherë do të ishte  e nevojshme një shumë prej 30.000.000 dinarë. Megjithatë, disa do të donin të  fitojnë  transport falas deri te kufiri turk, dhe për këtë kishin me dhënë pasuritë e tyre pa pagesë.
Përgjatë zonës kufitare me Shqipërinë, ku është rreth 85% e popullsisë shqiptare, është aktiv edhe Komiteti Shqiptarë, të cilin e ndihmon qeveria shqiptare, e cila inkurajon shqiptarët të mos shpërngulen.  
Ne do t’u  jepnim para për prona vetëm personave të cilët marrin pasportë valide, të cilët kanë kryer shërbimin ushtarak dhe kanë të paguara të gjitha taksat; ata menjëherë do të hipin në tren. Praktika e mëparshme e policisë së qeverisë sonë, kur ka lëshuar pasaportë me vlefshmëri prej gjashtë muajsh, ishte e gabuar, sepse këta persona nuk kanë humbur shtetësinë, dhe kështu ata u kthyen.
Duhet përpiluar një plan dhe program për shpërngulje  me  idetë kryesore. Në këtë drejtim, me siguri  do të mund të shërbejë si një marrëveshje bazë me Rumaninë.
G. Ilija MILIKIĆ pastaj kalon tek masat të cilat  duhen ndërmarrë për eliminimin e vështirësive,  të cilat po pengojnë shpërnguljen e popullsisë jo-sllave në bazë të § 55 të Ligjit mbi Shtetësinë. Këtu do të vinte në shprehje: lëshimi i pasaportave pa pagesë, lirimi nga të gjitha detyrimet, dhënia e mundësisë që pa pagesë të arrihet në kufirin shtetëror në këmbim të pasurive të paluajtshme në shfrytëzim të shtetit, nënshkrimi i  një konvente me Turqinë, të ngjashme me atë të Rumanisë, lirimi nga shërbimi ushtarak. Gjithashtu, duhet  thjeshtuar procedurat  administrative me rastin e nxjerrjes së çertifikatave të shumta, të cilat janë të nevojshme për të shpërngulurit.
Me qëllim të zbatimit sa më të shpejtë të këtyre masave në jetë, g.Milikiq propozon organizimin e një Komiteti të ngushtë, në të cilin do të hyjnë g. M. Milçiq, kolonel, J. Sokolloviq, D. Tadiç dhe V. Magovçeviq, me detyrë të hartimit të një projekti të masave të cilat duhet të ndërmerren për të shpejtuar emigrimin e popullsisë jo-sllave, e cila do të paraqitet në Këshillin Ministror për miratim.
Të gjithë të pranishmit u pajtuan me këtë propozim.
Z. Kolonel  J. Sokoloviç, thotë se ai ka disa propozime pavarësisht Konventës, e cila do të arrihet me Turqinë, për të përshpejtuar shpërnguljen e popullsisë jo-sllave.
1. Me  forcën  e ligjit t’i detyrojmë t’i kryejnë të gjitha detyrimet  tatimore;
2. Emigrantët të largohen nga trevat e banuara me turq dhe shqiptar, sepse edhe ata të cilët llogariten si miq tanë, bëjnë propagandë kundër shpërnguljes;
3. për shkak se turqit tanë nuk konsiderohen si pakicë kombëtare, të detyrohen fëmijët e tyre të vijojnë shkollat tona kombëtare, sepse deri tani ka ndodhur që tre të katërtat e të rinjve të kësaj ane, të cilët vijnë në shërbim ushtarak, shkruajnë vetëm turqisht;
4. të lëshohen  njoftime konfidenciale për ata që nuk shpërngulen, të mos pranohen në shërbime shtetërore dhe as  në shërbime publike ;
5. këto treva  të shënohen me emra tonë  nacional ;
6. të krijojmë zonën e banuar me elemente tona përgjatë kufirit shqiptar. Për këtë qëllim, të fillojmë kolonizimin e hapësirave  pran kufitare, kështu që të shkojnë në mënyrë sistematike në drejtim të brendshëm. Kjo çështje të zgjidhet pjesë-pjesë, planin e aprovuar për 10 vitet e ardhshme.
Si masë të parë për organizimin e shpërnguljes të elementit jo sllav g. Kolonel J. Sokoloviq  propozon krijimin e një komiteti të përhershëm intern, i cili  do të mbetet i tubuar me përgjegjësi të plotë, pavarësisht juridiksionit.
Të gjithë që ishin të pranishëm u dakorduan me këtë propozim.
Konferenca sjell konkluzionin e mëposhtëm:
1. Duhet iniciuar  çështjen e shpërnguljes me  qeverinë turke dhe të përpiqemi  për të zgjidhur të njëjtën gjë në një mënyrë të ngjashme si ajo që bëri Rumania, pra  përmes një konvente speciale.
2. Kushdo që dëshiron të shpërngulet, duhet t’iu epen pasaporta pa pagesë.
3. Të gjitha këta persona duhet të jenë të liruar nga detyrimet ndaj shtetit (tatimet, taksat vendore, etj).
4. Atyre që ofrojnë pasuritë e tyre të patundshme në këmbim të transport falas deri në kufi, t’ju bëhet e mundur një gjë e tillë, ndërsa atyre të cilët i kanë shitur pasuritë t’ju mundësohet  75% zbritje.
5. Këta persona duhet liruar nga pagesa e detyrimeve të inventarit të vdekur, të cilin e bartin me veti, sikurse edhe paratë.
6. Ministria e Ushtrisë dhe Marinës tashmë ka nxjerrë një urdhër që të gjithë personave, të cilëve u jepet leja për shpërngulje pa marrë parasysh se a kanë obligime ushtarake. Gjithashtu, duhet liruar ata që duan të shpërngulen, edhe nëse janë  në kryerjen e shërbimit ushtarak.
Komiteti i ngushtë, do të përpiloj një plan projekt për shpërngulje, i cili në konferencat e ardhshme ndërministrore definitivisht të pranohen dhe t’i dorëzohet  Ministrit të Bujqësisë.  Zoti ministër i Bujqësisë do ta sjellë para Këshillit Ministror, i cili do të sjellë zgjidhjen e caktuar.
U mor vendim që komiteti i ngushtë të takohet më 24 shtator 1935. Në ora 9 në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Seanca përfundoi në ora 20.
Proces mbajtës Dr. Feodor Koreniç d.v, Dr. Jozo Logar d.v.
Takimin e kryesoi Ilia Milikić d. v.
20 shtator 1935. Beograd
Projekti i Konferencës së Komitetit të Ngushtë mbi shpërnguljen e elementit jo-sllav nga jugu i Serbisë
Për zgjidhjen e vendimeve te  Konferencës ndërministrore të 20 shtatorit të 1935, komiteti i ngushtë është takuar më 24 shtator të këtij viti, i cili për çështjen e shpërnguljes së popullsisë jo-sllaves së vendit tonë, konkretisht nga Serbia Jugore, sipas nenit 55 të Ligjit për  Shtetësi,   ka marrë këtë përfundim:
1. Çështjen e shpërnguljes duhet rregulluar sa më shpejt sipas konventës speciale midis vendit tonë dhe Turqisë, si dhe në mes vendit tonë dhe Shqipërisë, sipas formës  që kjo çështje është rregulluar ndërmjet  Turqisë dhe Rumanisë.
2. Në rast se me Shqipërinë nuk mundemi të arrijmë  marrëveshje për shpërnguljen e Shqiptarëve në Shqipëri, ose shqiptarët të cilët nuk dëshirojnë të shpërngulën në Turqi, duhet menjëherë të aplikohen ligjet në fuqi për detyrimin e këtij elementi të zhvendoset nga zona kufitare në brendësi dhe të njëjtat treva të popullohen me popullsi sllave.
3. Për të gjithë ata persona të cilët, në bazë të nenit 55 të Ligjit për Shtetësi t’u ipen deklaratat me të cilat do të heqin dorë nga shtetësia jonë, për një kohe të caktuar të shpërngulen jashtë vendit tonë, t’u mundësohen përfitimet e mëposhtme:
a) t’iu lëshohen pa pagesë pasaporta të emigrantëve, sipas rrethanave edhe kolektive;
b) të lirohen nga të gjitha detyrimet ndaj shtetit (taksat, tatimet, ushtria, etj);
v) në rastin kur personat të cilët shpërngulën, kanë hipoteka dhe borxhe private (letra me vlerë, obligacione  dhe dokumente të ngjashme), të bëra deri më 1 shtator 1935, t’iu  paguhen pasuritë të tyre të paluajtshme në vlerën e paraparë ;
g) t’ju sigurohet transporti pa pagesë deri në Selanik dhe Svilengrad, nëse kanë deklaruar se të gjithë pasurinë e tyre e paluajtshme t’ia lënë shtetit  tonë. Gjithashtu kjo vlen edhe për emigrantët e varfër;
d) t’ju lejohet zbritje në shfrytëzimin e hekurudhave për 75% e personave të cilët qëndrojnë mirë financiarisht apo që më herët kanë shitur pronat e tyre;
f) të lirohen nga të gjitha pagesat për eksportin e inventarit të vdekur dhe të të  hollave;
e) të lirohen  nga momenti i dhënies së deklaratës për shpërngulje nga: rekrutimi, dërgimit në ushtri, shërbimit ushtarak, ushtrime ushtarake. Nga kjo mund të bëhet përjashtim, nëse shpërngulën brenda  një viti nga data e dhënës së deklaratës.
4. Për një migrim më të suksesshëm dhe më të shpejtë të popullsisë jo-sllave në Turqi, ose Shqipëri, komiteti ka ardhë në përfundim se është e dobishme për të marrë këto masa:
a) me të gjitha mjetet të parandalohet  dhe të përjashtohet çdo propagandë që bëhet në mesin e këtij elementi kundër shpërnguljes e cila kryhet nga  Shqipëria;
b) nga popullsia  jo-sllave që vjen në konsiderim për shpërngulje, të kërkohet  zbatimi i ligjeve dhe rregulloreve ekzistuese, veçanërisht ato që lidhen me pagesën e detyrimeve fiskale (tatimet, mbi-tatimet, shërbimet ushtarak, etj);
v) sa më shpesh të jetë e mundur në territorin e Serbisë së Jugut, veçanërisht nga trevat   kufitare  të thirren në ushtrime ushtarake, ushtri rezervë me origjinë jo-sllave, pa marrë parasysh  ushtrime apo  manovra, qoftë për ndërtimin e  rrugëve  ose objekteve fortifikuese;
g) kryesisht mos të pranohen në shërbimin civil (dhe publik) personat të cilët janë emigrant potencial, ndërsa ata që tashmë janë në shërbime të tilla, të shpërndahen në zona ku jeton popullsia jonë;
d) të zbatohet në mënyrë rigoroze principi  i arsimimit të detyrueshëm të fëmijëve të këtyre trevave në shkollat tona fillore;
f) në mënyrë strikte të zbatohen të gjitha rregullat e popullimit të rajoneve jugore, kryesisht viset kufitare) menjëherë të ndërmerren masat e shtetëzimit të objekteve gjeografike (vendbanime,lumenj, male, etj) me emërtime tona. Kjo vlen për mbishkrimet publike, emrat e kompanive, reklamave, etj;
e) Të gjitha masat e përmendura, tërësisht dhe menjëherë duhet të zbatohen duke filluar nga  vija kufitare me Shqipërinë drejt brendësisë së vendit tonë.
24 shtator 1935. Beograd

Vepër e madhe që zhvesh Mashtrimin e Madh!


 Prof.Dr.sc.Jakup Krasniqi


Vepër e madhe që zhvesh Mashtrimin e Madh! - Jakup Krasniqi




















Në 16 vjetorin e krimit kundër njerëzimit që forcat serbe e kryen në fshatin Reçak, ish- udhëheqësi i Grupit Diplomatik të UÇK-së, politologu Bardhyl Mahmuti, dorëzoi për botim librin e tij të titulluar: «MASHTRIMI I MADH».
Pasi kam lexuar në dorëshkrim këtë vepër, në cilësinë e historianit them pa hezituar që Bardhyl Mahmuti i ofron lexuesit një vepër monumentale e cila hedh dritë mbi shumë çështje që kanë qenë objekt i manipulimit me opinionin publik ndërkombëtar.
Autori Mahmuti një kapitull i veçantë i kushtohet vrasjes së civilëve të pafajshëm në këtë fshat. Kur të lexohet me kujdes ky libër lexuesi do të shohë se çka fshihet prapa debateve dhe polemikave lidhur me cilësimin e kësaj tragjedie si «masakër» apo mohimin e këtij cilësimi. Duke u mbështetur në konventën ndërkombëtare për parandalimin dhe dënimin e gjenocidit, që përbën bazën juridike të së Drejtës Penale Ndërkombëtare, autori e vendosë edhe këto vrasje në kuadër të politikës së gjenocidit që pushteti i Beogradit e kishte përgatitur dhe zbatuar kundër shqiptarëve të Kosovës. Vetëm në kuadër të një analize të këtillë sqarohet pse spastrimi etnik, dhuna seksuale dhe vrasjet që kishin për qëllim shkatërrimin e tërësishëm apo të pjesshëm, fizik ose biologjik të shqiptarëve të Kosovës, përbëjnë gjenocid.
Krahas ndriçimit të kësaj çështje thelbësore, në veprën e Bardhyl Mahmutit trajtohen në mënyrë shkencore dhe zhvishet në tërësi ajo që fshihet prapa cilësimit të shoqërisë shqiptare “si shoqëri klanore”? Pse nocioni «mafia shqiptare» është sajuar me qëllim të stigmatizimit të UÇK-së? Kush e sajoi këtë nocion dhe kush janë intelektualët që hynë në kumbarinë e përhapjes së kësaj sajese?
Ngushtësisht e lidhur me këtë formë të stigmatizimit të shqiptarëve dhe UÇK-së autori sqaroi se kush e sajoi gënjeshtrën për “Trajtimin çnjerëzor të personave dhe trafikimin kundërligjor me organe njerëzish në Kosovë”. Në cilat burime informative u mbështetën Carla del Ponte, Dick Mart-y dhe dhjetëra personalitete të orientimit ideologjik të majtë apo të djathtë që shpërndanë këtë gënjeshtër? Kush qëndron prapa vrasjes së civilëve në Kosovë? Çka përmbajnë listat e krimeve që i vishen UÇK-së? Pse krijimi i Gjykatës Speciale për të hetuar akuzat e Dick Marty-t është diktat ideologjik i politikës mbi drejtësinë? Këto dhe shumë pyetje tjera të lidhura me Mashtrimin e Madh me opinionin publik gjejnë një përgjigje shkencore në librin e politologut Bardhyl Mahmuti.
Se shpejti do të keni mundësi ta lexoni, librin: “Mashtrimi i madh” me autor Bardhyl Mahmutin.

Pika kufitare në Çakorr në “pritje” të vullnetit politik, çfarë thonë nga Komuna e Pejës para protestës së paralajmëruar më 25 prill – heshtje nga ministrit

         Shkruan Akademik Flori Bruqi Qafa e Çakorriit  ose  Çakorri  është një qafë mali që shtrihet në  Alpet Shqiptare , në kufi në mes M...