Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/03/03

Interesat shkencore të Norbert Joklit për shqiptarët dhe gjuhën shqipe...

  • Nobert Jokli lindi më 25 shkurt 1877 në Bzenec të Moravisë Jugore, në Çekosllovakinë e sotme. Studioi së pari Drejtësi dhe shërbeu në Vjenë si praktikant juridik me shërbim gatitor për karrierën e avokaturës. Pas një kohe të shkurtër, duke ndjekur një prirje të tij të kahershme, ai iu kthye degës së gjuhësisë. Studioi indoeuropianistikë të krahasuar te P. Kreçmer, romanistikë te G. Majer-Lybke, gjermanistikë te R. Muh dhe sllavistikë te W. Vondrak e V. Jagiç. I shtyrë nga ky i fundit, Jokli që më 1907 iu përvesh studimit të shqipes. 
Ky është përfaqësuesi gjer tani i fundit në radhën Miklosiç-Gustav Majer-Pedersen-Jokl, një radhë dijetarësh, të cilët janë marrë me gjuhën shqipe drejtpërdrejt dhe vazhdimisht. Jokli në këtë lëmë arriti një mjeshtri të madhe, solli këtu një frymë të re në gjerësi e në metodë dhe zgjeroi e thelloi qenësisht (esencialisht) njohjen gjuhësore të shqipes. Metoda e tij del në shesh që me titullin e së parës vepër më të madhe albanistike “Studien zur albanesichen”, “Etymologie und Wortbidung”, (Studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes), me të cilën u habilitua më 1911 në Universitetin e Vjenës. Etimologjia dhe morfologjia janë qenësisht përpjekjet e gjurmimeve të tij në fushë të leksikut të shqipes. Qëllimi i kërkimeve të tij rreth historisë së fjalëve është më fort ky, që të mos mjaftohet vetëm me hetimin e burimit etimologjik të një fjale, po të japë një pamje sa më të plotë të fjalës, të formimit dhe të historisë së saj, ta ndjekë këtë fjalë në të gjitha fazat e zhvillimit të saj. Në pikëpamje stilistike kjo metodë shfaqet në këtë që Jokli një paraqitjeje sistematike të thatë i parapëlqen traktati demografik. Prandaj, vlerat vetjake të Joklit janë thellësia dhe pushtimi i objektit nga të gjitha anët. Një vend me rëndësi në veprat e tij zë dhe konsideromi i elementeve të kulturës materiale: Fjalët dhe sendet, drejtimin e gjuhësisë që shpalli për të parën herë Jakob Grimi dhe që themeloi kryesisht Rudolf Meringer, domethënë që krahas me fjalët të kihen parasysh edhe sendet përkatëse, edhe këtë drejtim e përvetësoi Jokli dhe e vuri në zbatim në lëmë të shqipes. Kjo vërehet hap më hap si në artikujt e tij, sidomos në kryeveprën e tij të vitit 1923, e cila mban titullin “Kërkime gjuhësore-kulturohistorike nga fusha e gjuhës shqipe”. Me këtë mënyrë veprat e tij kanë rëndësi edhe përtej caqeve të linguistikës, në lëmë të etnografisë shqiptare. Materialin etnografik Jokli e ka nxjerrë sidomos nga veprat e F. Nopcsas, shumë herë edhe në bisedime private me këtë njohës të shquar të kësaj disipline shkencore. 
Porsa i përket caktimit të karakterit gjuhësor të shqipes, Jokli është një pasardhës i Gustav Majerit. Ky i pat shënuar kësaj gjuhe vendin e një gjuhe satem (indoevropiane lindore) me karakter verior. Për periudhën antike të shqipes ka rëndësi fakti që Jokli pas hullisë sidomos të H. Pedersenit – e uli pjesën që i bie latinishtes në formim të leksikut të shqipes, pjesë që Gustav Majeri e bashkëkohësit e tij e kishin çmuar tepër lart. Po më anë tjetër, bash Jokli është ai që ka zbuluar huazime latine të pavëna re më parë në gjuhën shqipe, si për shembull edhe në të drejtën zakonore të Shqipërisë së Veriut, në Kanun të Lekë Dukagjinit, si edhe në fushë të toponomisë. Në çështjen e lidhjeve të afërsisë së shqipes me gjuhët indoevropiane motra, dijetari ynë e ka vërtetuar dhe thelluar rrugën që pati rrahur G. Majeri, domethënë që shqipja ka lidhje të ngushta sidomos me gjuhët baltike, dhe që të parët e shqiptarëve, duke zbritur nga vise më veriore ngulën në brigjet e Mesdheut. 
Krahas me këto dy çështje: lidhjet e afërsisë që ka shqipja me gjuhët motra, djepi paraballkanik i shqiptarëve, del dhe një pyetje e tretë, shqipja nga cila gjuhë ballkanike jogreke e kohës së vjetër ka dalë? Sikundër dihet, aty ka dy teza, të cilat rrinë përkundrejt njëra-tjetrës, njëra që është e bazuar dhe historikisht e gjeografikisht në shqipen, sheh vazhdimin e ilirishtes (Tunman, Falmerajer, Nibur, Benfai, Miklosiç, G. Majer, Kreçmer, Ribeco etj.), tjetra (Hirt, Vajgand, Utmon, Bariç etj.) shqipen e ndan prej ilirishtes dhe sheh në të bijën e trakishtes, në këtë kjo tezë mbështetet midis të tjerave edhe në lidhjet e ngushta që kanë shqipja me rumanishten. Në këtë kontroversë Jokli rreh një rrugë të tretë: shqipja është e afërt si me ilirishten, si me trakishten. Një zgjidhje e drejtë e këtij problemi, i cili ka rëndësi për etnografinë e mbarë gadishullit të Ballkanit, bëhet e vështirë ngase ilirishtja me trakishten shumë pak njihen. Në themel teza e Joklit do të jetë e drejtë, sepse gjurmë trake në Adriatik kishte diktuar që më parë K. Paç; edhe Nopça kishte shprehur mendimin që ilirët ishin shtruar si mbishtresë përmbi një nënshtresë trake. Prandaj, do të kthehemi te mendimi i Tunmanit (1774), që në formimin e kombësisë shqiptare kanë pasur pjesë edhe trakët. Veçse si mund të gjykojmë sipas gjendjes historike e gjeografike që na paraqitet, fondin themelor të popullit shqiptar pas gjase e përbëjnë ilirët. 
Vepra gjuhësore e Norbert Joklit, megjithëse me zhdukjen tragjike të tij mbeti e pambaruar, paraqitet diçka tërësore në vetvete, tematika e saj është shumë më e gjerë se ajo e paraardhësve të tij. Në fushë të fonetikës, për periudhën parahistorike të shqipes, ai hapi shtigje të reja në punë të apofonisë, si edhe në reflekset e likuidave silabike. Në konsonantizëm ai vuri re, ndër të tjera, reflektimin e sk-së indoevropiane edhe me ç në shqipen në fjalë të tilla si çel, dhe pasqyrimin e grupit zd(h) indoevropiane me dh(th), në fjalë të tipit gjeth. Në çështjen e guturaleve ai mbrojti gjer në fund teorinë e Holger Pedersenit, sipas së cilës shqipja është e vetmja gjuhë indoevropiane që ruan tri seri guturalesh të dalluara njëra nga tjetra gjer në ditët e sotme. Nga periudha historike e gjuhës ai ndoqi diftongimin e zanores o në ua, ue në fjalë si krua krue, duar duer nga dorë, duke e gjurmuar atë në fazat e ndryshme të zhvillimit të tij (ou uo etj.) mbi dëshmitë e dialekteve të dokumenteve të vjetra të shkrimit dhe të marrëdhënieve të shqipes me gjuhët fqinje të Ballkanit. Në punë të theksimit ai përcaktoi rregullimin mekanik të theksit në pajtim me parimin e theksimit të rrokjes parafundore. Në morfologji ai vërejti përdorimin e një kallëzoreje të moçme si emërore, sinkretizmin (përtjerje) e rasteve dhe ndërrimin e gjinisë së emrit, moshën mjaft të lashtë të nyjës së sprasme dhe dha sqarimin përfundimtar të disa trajtave të përemrit pronor, si juaj juaj e taj tuaj të autorëve të vjetër të Veriut e të ligjërimeve arbëreshe të Italisë. Në sistemin foljor ai gjurmoi trajtat e foljeve kauzative e denominative dhe ndër të tjera edhe historinë e përhapjes së paskajores. Vrojtime të reja i detyrohen atij edhe në lëmë të fjalëformimit, ndër të tjera në gjurmim të kolektivave e të deminutivave, në mënyrë të veçantë në hetimin e kompozitave të gjuhës popullore e letrare. Sintaksës nuk i është kushtuar ndonjë punim i veçantë, po vrojtime mbi dukuri të ndryshme të kësaj fushe gjinden gjithandej në punimet e tij. 
Në veprën e këtij dijetari vendin e parë ndërkaq, si u tha, e zë historia e fjalëve dhe etimologjia. Në kundërshtim parimor me dijen e përparme, e cila e pat trajtuar visarin leksikor të shqipes më fort nga ana e huazimeve, të marra prej gjuhësh të tjera, ai gjatë gjithë veprimtarisë shkencore të tij është përpjekur ta rrokë këtë gjuhë së brendshmi. Shihet kështu që në studimet e tij leksikut të trashëguar të kësaj gjuhe i përket një vend më i rëndësishëm se elementit të huazuar, megjithëse për hir të së vërtetës do thënë se ai edhe kësaj pjese të visarit leksikor i kushtoi vëmendjen e duhur. Në gjurmimin etimologjik të fjalëve ai zhvilloi me kohë dhe një metodë kërkimi të vetën, në pajtim me kushtet e veçanta të shqipes. Pikë së pari ai gjurmoi e solli për krahasim gjithë format e fjalës që çojnë peshë në punë të historisë së saj. Përveç kësaj, ai kreu një analizë të thelluar të strukturës morfologjike të fjalëve që studioi, një tipar metode që mund të thuhet se është karakteristik për punën e këtij dijetari. Afrimi i të dhënave etnografike dhe të kulturës materiale në gjurmimin gjuhësor, ndjekja e drejtimit shkencor., “Fjalët dhe sendet” u përmend dhe më sipër. 

Interesat shkencore të Norbert Joklit ndërkaq nuk u drejtuan vetëm nga historia e lashtë e gjuhës shqipe. Ai i kushtoi vëmendje edhe zhvillimit të mëpastajmë të saj, si gjuhë e shkrimit dhe e literaturës. Në artikullin “Një studim përreth librit të Buzukut”, të vitit 1930 ai gjurmoi rrethanat historike në të cilat u hartua vepra, nga sa dihet, e para e literaturës shqiptare, dhe elementët e alfabetit që përdori autori i saj. Në një punim të hapët të vitit 1925 ai mori e studioi veprën e Naim Frashërit kryesisht nga pikëpamja e pasurimit të gjuhës letrare nga ana e tij, më një anë duke hedhur në përdorim të shkrimit fjalë të ligjërimit popullor, më anë tjetër duke krijuar fjalë të sferës mendore e të kulturës me anë të përkthimesh, kalkesh, nga gjuhë të huaja, në radhë të parë prej frëngjishtes. Dijetari ynë pati lidhje të pandërprera edhe me shkrimtarët, arsimtarët, e të tjerë intelektualë shqiptarë të kohës së tij, jo më në fund dhe me studentët shqiptarë të asaj kohe në Austri, të cilët të gjithë pasuruan njohuritë e tij rreth visarit leksikor të gjuhës shqipe dhe të dialekteve të saj. Nga fusha dialektore do përmendur një punim i tij rreth ligjërimit të Rapshishtit në rrethet e Gostivarit, punim që me sa duket mjerisht do t’u ketë bjerrë. 
Sikundër po shihet nga skicë, Jokli është përpjekur ta pushtojë problemin e shqipes në tërësi dhe në të gjithë aspektet e tij. Prej këtij problemi ne prekëm këtu disa anë më fort të natyrës historike. E njëjta gjë duhet thënë edhe për anën gjeografike të kësaj çështje, sepse mënyra historike dhe gjeografike e vështrimit të problemit janë të thurura ngutshëm me njëra-tjetrën. Jokli historinë e gjuhës shqipe me çështjet fonetike dhe leksikore të sajat, nuk e ka studiuar në një mënyrë të njëanshme e të izoluar, duke u kufizuar brenda caqeve të shqipes, po e ka trajtuar duke pasur përhera parasysh gjendjen si na paraqitet te gjuhët që janë fqinje me shqipen. Marrëdhëniet e shqipes me gjuhët e tjerat Ballkanit janë një anë me rëndësi në metodën jokliane, përhera në të mbahet parasysh çka marrë hua shqipja prej greqishtes (greqishtja e Vjetër, e mesmja, e reja), prej serbokroatishtes, bullgarishtes e rumanishtes, dhe më anë tjetër ç’u ka dhënë kjo atyre gjuhëve dhe dialekteve të tyre. Kështu gjurmimet e tij nuk i përkasin vetëm albanistikës, ato marrin karakterin e një vështrimi panballkanik, në kuptimin e Kristian Sandfeldit dhe në njëfarë vështrimi edhe të Gustav Majerit. 
Në pikëpamje bibliografike do përmendur këtu “Vjetari indoevropian” (Indogermanisches Jahrbuch) ku Jokli ka redaktuar vit për vit pjesën që referon përmbi botimet e reja të albanistikës, seksioni VII që nga vëllimi IV, 1917 e gjer te XXIV, 1940. Duke marrë si qëndrim me vërejtje të shkurtra e shpeshherë edhe mjaft të shtjella, ndaj tezave të ndryshme të dijetarëve të tjerë, kjo punë bibliografike mund të themi se na paraqet gjendjen e albanistikës së këtyre dhjetë vjetëve të fundit gjer në vitin 1938. 
Albanologu i madh mjerisht është zhdukur nga rrethi ynë i përndjekur nga regjimi nazist për idetë e tij demokratike, ky, siç duket, u zhduk në maj të vitit 1942 prej këtij regjimi, në Vjenë, veçse hollësitë e vdekjes së tij nuk dihen. Me këtë dijetar albanistika humbet një përfaqësues të madh, atë që e pat zgjedhur studimin e shqipes për mision të jetës së tij. Përtej caqeve të dijes, dhe populli shqiptar humbet një burrë, i cili, duke rrahur me frymë objektive ravën shkencore, u bë njëkohësisht dhe indirekt një mbrojtës i të drejtave tona nacionale. Mjerisht, si u tha, puna e këtij dijetari të shquar mbeti e pakryer. Sidomos nuk u krye dot vepra që do të kishte qenë kurorëzimi i punës së jetës së tij Fjalori etimologjik i shqipes dhe Gramatika krahasimtare e kësaj gjuhe. Në këtë vepër të madhe Jokli ka punuar vazhdimisht: nuk dimë gjer ku ka arritur sa ishte gjallë. Disa dorëshkrime të tij gjinden në Bibliotekën Nacionale të Vjenës, ndër to mbase dhe dorëshkrimi i Fjalorit etimologjik, ose ndonjë pjesë e tij a e skedave përkatëse. 
*Shkrimi është botuar më 1972 dhe titullohet “Në 30-vjetorin e vdekjes së Norbert Joklit”

Korrupsioni dhe klientizmi shqiptar alla ballkanqe?



 Është trashëgimia e 50 viteve të fundit, jo të 500 viteve të mëparshme që rëndon mbi vendet e Ballkanit teksa përpiqen të mposhtin një kulturë korrupsioni dhe klientizmi, thotë historianit Britanik.
P: Sipas raporteve të progresit të BE, vendet e Ballkanit kanë vese të përbashkëta: klasa politike të korruptuara, nepotism, klane, bashkpunim me krimin e organizuar dhe mos-funksionimi i rendit ligjor. A janë këto sjellje të përcaktuara nga e kaluara jonë? Për shembull, tendenca drejt klientizmi dhe krimit të organizaur në Italinë e jugut përshkruhet nganjëherë si trashigimi e sundimit Norman dhe Burbon.
N.M.: Si historian habitem të dëgjoj se faji për Mafien i vihet sundimit Norman! Kjo është të shkosh mbrapsht gjer në Mesjetë. Historia lë gjurmë në shoqëri nganjëherë në mënyrë të qartë, nganjëherë më të padukshme e të fshehtë. Unë jam skeptik ndaj gjithë këtij argumenti se na duhet të kthehemi mbrapsht një apo dy shekuj për të gjetur arsyet se pse ka korrupsion, rryshfete, apo krim të organizuar. Ne mund të shohim përreth dhe të vërejmë arsyet përpara nesh; nuk na duhet të shkojmë tek librat e hitorisë. Korrupsioni ndodh në kushte të caktuara socio-ekonomike dhe politike, kur pushteti politik është i dobët, pushteti ligjor është i dobët, dhe kur vlerat e shtetit nuk janë tejcuar në tërë shoqërinë në mënyrë tërësore, kur ka një lloj fryme ku njerëzit kujdesen vetëm për veten… dhe pagimi i taksave është dicka që e bëjnë vetëm budallenjt. Në rastin e Ballkanit, do thoja se 50 vite komunizëm janë shumë më të rëndësishëm si pjesë e të kaluarës se sa 500 vjet sundim osman.
P: Duke parë sot hartën e Europës, a është Ballkani ende “sheshi ku ndajnë pazaret fuqitë e mëdha?”
N.M.: Jo në mënyrën që ka qenë në shekullin e 19-të, në Kongresin e Berlinit [në 1878] për shembull. Jo në mënyrën që ka qenë në 1914, kur vrasja në Sarajevë solli gjithë sistemin e fuqive në luftë botërore.
P: Atëherë në c’mënyrë?
N.M.: Në një kuptim më të kufizuar. Nëse sheh veçanërisht politikën e Rusisë drejt Kosovë, është vështirë të shohësh ndonjë arsye bazë brenda Kosovës, apo në situatën e ngushtë ballkanike që Rusia të ketë qëndrim kaq të ashpër dhe një dëshirë kaq të fuqishme për të bllokuar politikat perëndimore. Kjo është një lojë që luhet në tabelën e shahut për të tjera arsye. Është pjesë e dëshirës më të gjerë nga ana e Putinit për të shkaktuar probleme për politikën perëndimore dhe për të treguar se Rusia ende ka fuqinë për të bllokuar gjërat dhe të kërkojë kompensim në cështje të tjera ku ndoshta ata vërtetë janë të interesuar, por për gjëra që janë komplet jashtë Ballkanit.
Rusia ende po trajton Ballkanin në mënyrë instrumentale. Ata po trajtojnë Serbinë, gjithashtu, në mënyrë instrumentale. Njërëzit në Beograd që imagjonojnë se kanë ndonjë lloj vëllazërie të madhe gjaku dhe simpati të thellë sllave që u vjen nga Moska gabohen. Ata thjesht po përdoren. E kemi parë këtë gjë në manovrat ruse për tubacionet e naftës dhe blerjen e industrisë serbe të naftës për një cmim qesharak. Rusia thjesht po luan me ta. Kështu, Rusia është rasti ku shohim thjesht politikë fuqishë të mëdha. Në rastin e fuqive evropeiane, ato kanë interesa të drejtëpërdrejta. Ato dëshirojnë që një lloj gjendjeje koherente dhe progresiste të zhvillohet tek kufijtë e tyre. Dhe SHBA, mendoj, është më pranë pozicionit evropian sesa mentalitetit të Moskës.
P: Ku po shkon Ballkani? Marëveshjet që ndalën luftrat në vitet 1990 kanë rezistuar por nuk u dizenjuan për të zhvilluar këto vende. A është e ardhmja e Ballkanit në rrezik teksa bashkësia ndërkombëtare fokusohet në pjesë të tjera të globit?
N.M.: Bosnja dhe Kosova janë vërtet probleme. Ka rreziqe vecanërisht në rastin e Bosnjes. Nuk mendoj se në rastin e Kosovës ka ndonjë rrezik madhor. Rreziku i vetëm është stagnimi dhe ndalimi i progresit sa më shpejt që të jetë i mundur. Në rastin e Bosnjes ka rreziqe të mirëfillta, rreziqe të mirëfillta politike. Komenti juaj se vëmendja e fuqive perëndimore ka lëvizur tjetërkund është i vërtetë. Kjo prej shumë vitesh është e vërtetë për Amerikën; përfshirja intensive në Irak dhe Afganistan ka thither energjitë e Departamentit të Shtetit dhe kur ata shohin Ballkanin sot kanë më shumë një mentalitet të përmbajtjes së veprimtarive. Ka më shume përgjegjsi për fuqitë evropiane. Por Evropa është në një moment të parehatshëm, duke u përpjekur për herë të parë në mënyrë zyrtare të zhvillojë një politikë ndërkombëtare evropiane me përfaqsuesit e vet të politikës së jashtme dhe me pothuaj – Ministrinë e vet të Jashtme. Ky është projekt tejet i vështirë sepse tek e fundit politika e jasthme në cdo vend evropian është cështje kombëtare. Këto kombe nuk dakordohen në shumë cështje të rëndësishme. E kemi parë këtë gjë në rastin e Kosovës.
P: Kush janë rreziqet nëse ato nuk dakordohen?
N.M. Nuk mendoj se ka ndonjë crregullim serioz për Kosovën. Nuk mendoj se do shohim luftime apo tanke që vinë prej cfarëdolloj drejtimi në Kosovë.
P: Jo, por mos pranimi për të hyrë në BE përshkak të mosnjohjes nga Spanja, Sllovakia dhe Qipro. Po sikur kjo të vazhdojë për dekada?
N.M.: Kjo është cfarë unë quaj stagnim serioz. Ka rreziqe për zhvillimin ekonomik; ka rreziqe për valë njerëzish që nuk mund të gjejnë punë në Kosovë dhe derdhen në vende të tjera everopiane. Jam i sigurtë se këto rreziqe kuptohen. Rreziqet në Bosnje janë më serioze. Është një problem që ka qenë i qartë qysh nga koha e marëveshjes së Dejtonit. Nuk ka asgjë të re për tu thënë. Marëveshja e Dejtonit dështoi në zgjidhjen e problemeve themelore. Thjesht ngriu një gjendje ku kish ndodhur pastrim etnik dhe ku ata që ishin përgjegjës për pastrimin etnik ishin ende në pushtet në shumë pjesë të Bosnjes. E ngriu atë situatë dhe njerëzit në terren që po implementonin Dejtonin rrefuzuan të përdorinin pushtetin e tyre për të bashkuar Bosnjen mirëfilli.

P: A janë realiste frikat e disa kojshive rajonalë se Kosova do bashkohet me Shqipërinë?kosova historoi malkom

N.M.: Ky është një rast klasik i një cështje politike ku varet si e formulon pyetjen. Nëse pyet këdo shqiptar në Shqipëri apo Kosovë, “a mendon se do ishte mirë që një ditë këta të dy të bashkohen?” shumica do thonë “Po, një ditë do ishte mirë.” Dhe nëse pyet. “A mendon se në 1913 u bë një padrejtësie historike kur u krijua versioni i parë i këtyre kufijve?” cdokush do thotë “Po.” Po nëse do pyesje në një referendum të mirëfilltë “A do donit të jetonit në një shtet të bashkuar, në mënyrë që politikat tuaja dhe ato që efektojnë jetën tuaj mund të dominohen nga politikanë të anës tjetër, jo nga vendi juaj?” ata do thonin “Jo.” Prej shumë vitesh kam pyetur shumë njerëz se si do shkonin këto referendume. Shumica e tyre më kanë thënë sinqerisht se nuk mendojnë se nesër do arrinin shumicë për palën tjetër të kufirit. Pra, në planin praktik, nuk mendoj se do ndodhë shpejt. Teorikisht mund të ndodhë, por njerëzit nuk marin vendime sot për cfarë mund të bëhet pas 50 vitesh.

P: Po për argumentin e përdorur nga Serbët e Bosnjes, sipas të cilit, “Nëse lejoni këtë gjë, pse nuk na lejoni ne ti bashkohemi Serbisë?”

N.M.: Përgjigja e thjeshtë është se Kosova është shtet i mirëfilltë i cili doli nga një status i mirëfilltë federal nga ish – Jugosllavia, ndërsa Republika Srpska nuk është shtet dhe u krijua si rjedhojë e një procesi pastrimi etnik dhe vrasjesh masive. Ky është themeli i Republikës Srpska. Nuk tingëllon mirë e thënë kaq troc, por është themeluar mbi vrasje masive. Republika Srpska ekziston në hartë sepse ushtritë pushtuan territore dhe përzunë njerëzit me tytat e pushkëve dhe majat e thikave dhe vranë shumë prej tyre.

P: Cfarë mund të bëjmë kur është se kjo mosmarrëveshje po ndalon përparimin e pjesës tjetër të Bosnjes

N.M.: E kam thënë këtë së paku qysh nga Dejtoni. Më kujtohet se e kam thënë këtë në Uashington në 1997, dhe ata më thanë “ Ti je kokë nxehtë dhe e ke gabim.” Ata më thanë se Dejtoni është marrëveshje shumë e mirë, Amerika ka investuar shumë prestigj në të, dhe do ishte e gabuar që të ndërrohej – dhe vazhduan duke e përsëritur këtë. Por qe e qartë se se po ngrinte një situatë dhe po akumulonin gjëra më të këqia në lidhje me mundësitë e Bosnjes si shtet. Tani është më e vështirë të merresh me këtë problem. Fuqitë e Përfaqsueist të Lartë ishin jashtëzakonisht të mëdhaja në atë kohë. Tashmë, shumica ë këtyre fuqive janë zhdukur… por qeveritë e Perëndimit kanë fuqinë themeltare për të thënë se kurrë nuk do pranojnë Republikën Srpska si shtet i pavarur. Këtu është në lojë prestigji i tyre. Nëse do e lejonin këtë, do cbënte themelet e marrëveshjes së paqes që formuluan vetë. Jo vetëm do cbënte të kaluarën por do hapte dhe lloj lloj precendentësh për të ardhmen. Kur lejon territore që janë krijuar nga dhuna etnike të deklarojnë veten si shtete të pavarura, cfarë ndodh? Cfarë ndodh nëse një minoritet etnik në Maqedoni përqafon dhunën? Kjo është kutia e Pandorës dhe Perëndimi e di këtë. Për këtë arsye ata duhet të jenë totalisht të qartë se Republika Srpska nuk do bëhet shtet i pavarur.
P: Duke ditur si operon Evropa dhe mentalitetin e saj, a mund të shohim Serbinë të futet në BE pa njohur Kosovën, e më pas ta bllokojë atë?
N.M.: Nëse njerëzit në Evropë janë tejet budallenj, po. Unë nuk jam ndonjë admirues i madh i BE. Nuk mendoj se është një projekt politik koherent, mendoj se shpie në politikë të jashtme shumë jo-koherente. Tek e fundit, qeveritë kombëtare kanë ide dhe preferenca kombëtare thelbësisht të ndryshme. E kemi parë mjaft qartë me … situatën e habitshme ku BE pretendon përgjegjsinë për zhvillimin e Kosovës si shtet por dërgon një mission [misioni për rendin ligjor, EULEX] që nuk e njeh Kosoën si shtet. Unë jam i shqetësuar për politikën evropiane. Unë mendoj se i hynë një rruge të gabuar në rastin e Qipros. Po shohim një prej rjedhimeve të saj tani me qëndrimin tejet të ashpër të qeverisë së Qipros kundër njohjes së Kosovës. Nëse e kujtoj drejt, ata kanë thënë se edhe nëse Serbia e njeh Kosovën, Qipro kurrë nuk do ta njohë Kosovën. Kjo është e habitshme. Unë nuk jam optimisht për politikën e Brukselit. Por Bruksesli ka njerëz inteligjent dhe të mirë-infromuar… kështu që shpresoj se do formësoj politika inteligjente për këtë cështje tejet të rëndësishme.
P: Ballkani ka shumë mite dhe kjo ka bërë që disa të mendojnë se rajoni është vecanërisht i prirur për urrejtje etnike. Në disa vende të Ballkanit po rritet ksenofobia dhe disa qeveri vazhdojnë të ndërtojnë mite të reja. Cfarë mund të bëhet që këto mite mos mbajnë rajonin peng në të ardhmen?
N.M.: Miti i urrejtjeve etnike të lashta u krijua pjesërisht nga të huaj injorantë, udhëtarë në fillim të shekullit 20të e më tutje të cilët menduan se ishte më e kollajtë dhe më eksituese për lexuesit e tyre nëse ata thonin se ky ishte një lloj tornadoje urrejtjes etnike të lashta e të pashpjegueshme. I jepte tingëllim egzotik. Në historinë më të vonët vjen si manipulim i qëllimshëm dhe konfuzion i opinionit perëndimor nga njerëz të cilët donin që ata të mendonin se luftrat e e shkaktuara drejtpërsëdrejti nga politikanë, esencialisht nga Miloshevici, nuk ishin shkaktuar nga politikanët e kohëve moderne. Nga një anë ishte budallallëk e nga një anë manipulim i qëllimshëm. Në të vërtetë, këto urrejtje të lashta nuk janë më të lashta se mesi i shekullit të 19të. Ata janë produkte normale të procesit të shtet-formimit, të cilat zhvilluan nacionalizma të llojeve të ndryshme me mitet nacionaliste përkatëse dhe zhvilluan konflikte politike në terren sepse këto nacionalizma po konkuronin për territor.
Si mund t'i ndalim apo t'i pakësojmë? Në kuptimin më të gjerë është cësthje edukimi. Jo vetëm se cfarë futet në tekstet shkollore, por dhe cfarë njerëzit thonë publikisht, cfarë thonë politikanët dhe cfarë thuhet në media. Nuk po flas për tru-shplarje apo promovimin e ndonjë ideologjie të re, që Ballkani ka qenë përherë toka e lumtur e tolerancës. Jo, vec histori normale, kuptim normal.
P: Duke ju kthyer Kosovës, u bënë dy vjet që është e pavarur por ka patur njohjen vetëm të vendeve perendomore. Cfarë duhet të ndodhë që të njihet gjetkë?
N.M.: Fillimisht ishte e qartë se fuqitë perendimore do ndihmonin dhe do bënin pjesën më të madhe të punës në afrimin e vendeve të tjera dhe me rekomandimin e njohjes së pavarësisë. Vendet e kollajta ndërkaq janë bërë – ato vende që lehtësisht ju përgjigjën këshillës së Britanisë dhe Amerikës. Nuk mund të shkosh në shumë vende të Afrikës si fuqia e vjetër koloniale si Britania dhe tu thuash se c’duhet të bëjnë. Dhe Amerika ka pësuar dëm të reputacionit të saj në politikën e jashtme, qartazi në botën arabe por gjithashtu në Amerikën Latine. Kështu që tani i duhet Kosovës të punojë… Një faktor është presioni i politikës ruse. Rusia ka qenë tejet aktive, edhe në botën islame, duke bërë presion vendeve që mos njohin Kosovën. Në Afrikë ka probleme të tjera. Mendoj se një temë që Kosova arsyeshëm mund të nënvizojë ku bisedon me vende Afrikane dhe të Botës së Tretë është se në shumë aspekte Kosova ishte në gjendjen e një vendi dhe shoqërie të kolonizuar. Kjo është dicka me të cilën Afrikanët mund të shohin lidhje.
P: Ju keni shkruar një histori tejet të vlerësuar të Kosovës. Sa është Kosova një entitet territorial me rrënjë dhe qartazi i dalluar?
N.M.: Varet cfarë kupton me “entitet territorial me rrënjë dhe qartzi i dalluar.” Nuk është e nevojshme për një territor që të tregojë vazhdimësi ekzistence si entitet politik qysh nga Mesjeta që të ketë një pretendim të vlefshëm për status të pavarur sot. Belgjika u bë Belgjikë më 1830. Shumë vende evropiane u bashkuan vonë. Shiko Gjermaninë dhe Italinë. Kështu që, nuk mendoj se është e nevojshme të kërkohet për justifikime të gjata historike për kufijtë e caktuar shtetëror në hartë. Cfarë ka rëndësi është popullsia që banon aty, historia, ndoshta e 100 viteve të fundit. Është totalisht e qartë se… për afërsisht 50 vitet e fundit nën kushtetutën e Titos, Kosova ishte entitet politik, duke vepruar si i pavarur, duke marrë vendimet për veten në kuadrin e strukturës federale, duke përfaqësuar veten drejt për drejtë në nivelin federal dhe rrjedhimisht duke patur të njëjtat të drejta për tu bërë shtet pas shpërbërjes së Jugosllavisë si Sllovenia dhe Kroacia.
P: Në ngritjen e një identiteti të ri, kushtetuta e Kosovës thotë se Kosova është së pari dhe mbi të gjitha një vend multi-etnik. A është ky modeli i duhur, një themel i mirë për shtetësinë në shekullin e 21të?
N.M.: Principi themelor se Kosova është shoqëri multi-etnike duhet thënë. Duhet thënë për çdo shoqëri në Ballkan. Thjesht, është gjendja themeltare e jetës, ne fakt, për cdo vend në Evropë.
*Noel Malcolm ish këshilltar i Margaret Theçer , autor i “Bosnia: A Short History”, (1994), dhe “Kosovo: A Short History” (1998)
-

Viktor Hygoi është dhe mbetet një shkrimtar i madh përparimtar i shekullit XIX




Viktor Hygoi është dhe mbetet një shkrimtar i madh përparimtar i shekullit XIX, në letërsinë frënge e atë botërore, dhe vepra e tij madhore “Të mjerët” është një gur i çmuar në kurorën e kryeveprave të shkruara deri më sot. Idenë e romanit “Të mjerët”, Viktor Hygoi e ka bluar dhe përbluar për afro 30 vjet me radhë. Gjatë kësaj kohe ai ka mbledhur materiale faktike mbi ngjarjet dhe personazhet, ka studiuar shumë gjëra në vend dhe përmes dokumentesh historike, ka mbajtur shënime të shumta. Shkurt, ai ka mbledhur lëndën kryesore për të ngritur më pas ndërtesën e këtij romani epope. Atij iu deshën vetëm disa vjet për ta shkruar dhe redaktuar përfundimisht përpara se ta dorëzonte për shtyp, më 1862-shin. Shekulli XIX, në Francë dhe në Europë ka qenë një shekull i ngarkuar me ngjarje të mëdha shoqërore e politike. Në këtë sfond historik e plot ngjarje të mëdha, Hygoi shkroi “Të mjerët”. Vepra e tij mban vulën e kohës.



Tek “Të mjerët” autori na ka paraqitur një mori personazhesh nga shtresat më të ndryshme të shoqërisë. Në këtë galeri të madhe, për sa u përket hapësirë dhe kohës, kemi një varg figurash të planit të parë, që përbëjnë boshtin kryesor të romanit dhe të ideve që shpalos autori. Kur themi “Të mjerët” na del menjëherë përpara sysh figura e personazhit kryesor të kësaj vepre, Zhan Valzhanit, e Kozetës, Fantinës, Gavroshit e shumë të tjerëve. Romani “Të mjerët” ndahet në pesë pjesë të mëdha: “Fantina”, “Kozeta”, “Mariusi”, “Idili i rrugës Plyme dhe epopeja e rrugës Sen-Dëni” dhe “Zhan Valzhani”.
Secila nga këto pjesë është e barasvlershme me një roman të zakonshëm. Romani, pra, është shumë voluminoz dhe shtrihet mjaft gjerë dhe shumë thellë në kohë e hapësirë. Tregimi i romanit, fati i personazheve të tij kryesore, sidomos ai i Zhan Valzhanit dhe i Zhaverit, nga pikëpamja e kohës shtjellohen gjatë disa dekadave dhe nga pikëpamja e vendit kalojnë në shumë krahina e qytete të Francës.
Në faqet e romanit lëvrijnë dhe veprojnë me dhjetëra personazhe të dorës së parë, të dytë dhe episodikë të të gjitha kategorive shoqërore. Nga ana tjetër, në roman gjejmë kapituj të tërë që kanë të bëjnë me përshkrime vendesh, objektesh, periudhash historike, zakonesh dhe institucionesh, me analiza problemesh politike e shoqërore, me soditje filozofike etj.
“Të mjerët” nga pikëpamja e materialit, është shumë i gjerë e i larmishëm.
Megjithatë nga ana kompozicionale, i gjithë ky material është i renditur dhe i vendosur me mjeshtëri të madhe, në mënyrë logjike dhe me dorën e një arkitekti të përsosur.
“Të mjerët” është një thirrje therëse kundër çdo shtypjeje e dhune dhe një mbrojtje e flaktë e parimeve demokratike dhe e lirisë së njerëzve. Viktor Hygoi vdiq më 22 maj të vitit 1885. Karroca e përmortshme u bë një mal kurorash me lule dhe u vendos nën Harkun e Triumfit. Dy milionë veta e përcollën trupin në Panteon. Ai hyri në Panteon, por jo vetëm. Ai mori me vete dhe bëri të pavdekshëm Zhan Valzhanin, Gavroshin, Kozetën, Fantinën dhe të gjithë personazhet e tjera të veprave të tij, aq fort të dashura për lexuesin, që e bënë gjenial autorin e tyre.


Përvjetori i “Alfabetares së gjuhës shqipe”




  • Duke shfletuar kalendarin historik, më 27 shkurt 1897 kujtojmë përvjetorin e botimit në Stamboll të "Alfabetares së gjuhës shqipe". 
  Për ta kuptuar rëndësinë e këtij botimi, duhet të kthehemi pas në kohë e në histori. Kujtojmë se shqipja, me sa dokumentohet deri tani, filloi të shkruhet që nga shekulli XV me alfabetin latin, të plotësuar me pesë shkronja të posaçme. U shkrua dhe me shkronja greke e pas pushtimit turk, edhe me alfabetin turk-arab. 
Rruga tjetër që u ndoq, është ajo e krijimit të alfabeteve origjinale me përhapje të kufizuar.
Që në fillimet e lëvizjes për çlirim nga Turqia, çështja e alfabetit doli në plan të parë: pa të nuk mund të flitej për Rilindje të popullit shqiptar. Prandaj me nismën e Sami Frashërit, Jani Vretos e Pashko Vasës, më 27 shkurt 1897 u botua në Stamboll "Alfabetarja e gjuhës shqipe". 
Ishte një nga veprimtaritë më të rëndësishme të patriotëve shqiptarë të Stambollit, të cilët më 12 tetor 1879 themeluan "Shoqërinë e të Shtypurit të Shkronjave Shqip", shoqëri kulturore, që kishte për synim të nxiste zhvillimin e kulturës në gjuhën shqipe dhe ta vinte atë në shërbim të çështjes së çlirimit kombëtar nga Turqia. 
Me alfabetin, plotësonte një nga kërkesat bazë për përhapjen e propagandës atdhetare dhe i hapte rrugën botimeve të para serioze të Rilindjes sonë Kombëtare. Në gjirin e saj bashkëpunuan ngushtësisht myslimanë të mëdhenj si vëllezërit Frashëri, katolikë të shquar, si Pashko Vasë Shkodrani e ortodoksë të mësuar e atdhetarë si Jani Vreto: ishte pra model i bashkëpunimit ndërmjet feve në shërbim të Atdheut.
Gjithsesi çështja e alfabetit të shqipes do të zgjidhej përfundimisht vetëm me Kongresin e Manastirit, që u mblodh më 14 nëntor 1908, ku u hartua një alfabet i ri me shkronja latine. Është alfabeti që përdorin edhe sot e kësaj dite gjithë ata, të cilët shkruajnë shqip.

Festa e Verës dhe simboli i verores në traditën bullgare -

Nga Selim Hoxhaj*
“Gjyshe Marta” është një nga festat më të bukura! Më 1 mars Bullgaria ndriçon me ngjyra të bardha dhe të kuqe. Të vegjlit dhe të mëdhenjtë zbukurohen me fije të ndërthurura të bardha е të kuqe. Dielli ndriçon më fort, dita bëhet më e gjatë, njerëzit buzëqeshin më shumë. Dimri po largohet,e ndërsa pranvera po vjen, lind shpresa për me shume shëndet,mbaresi dhe bereqet. Një Marsi, ose GjysheMarta, festohet vetëm në Bullgari. Këtë ditë madje Google është zbukuruar me ngjyra të bardha dhe të kuqe për nder të bullgarëve!
1 mars 2015 -  Sipas besimeve popullore ”Gjyshe Marta” jeton larg, larg në mal. Ajo sheh dhe dëgjon gjithçka që ndodh në tokë. Emri i saj “Marta” vjen nga emri i muajit “Mars” (“mart” përkthyer ne bullgarisht). Në qoftë se “Gjyshe Marta” buzëqesh dielli ndriçon, në rast se zemërohet moti keqësohet, bëhet ftohtë, fryn erë, bie borë dhe shi, zogjtë nuk cicërojnë. Prandaj që nga kohërat më të lashta deri më sot e kësaj dite çdo vit më 1 Mars bullgarët stolisen me fije të bardha e të kuqe, që të jetë e kënaqur “Gjyshe Marta”. Sipas traditës duhet stolisur edhe bagëtia dhe dera e shtëpisë, që të mos ketë sëmundje dhe për të prishur syrin e keq. Besohet se pasi i sheh këto fije “Gjysha Marta” do të buzëqeshë dhe dielli do të ndriçojë. Sipas traditës çdo vit më 1 Mars bullgarët i dhurojnë njëri tjetrit verore, ose “martenica”, siç është fjala bullgare.
Ngjyrat e martenicës mbajnë simbolikën dhe magjinë e lashtësisë. Fija e kuqe është lidhur me forcën, gjakun, diellin dhe ngrohtësinë. Në fakt e kuqja përdoret shumë edhe në kostumet popullore bullgare dhe në qëndisjet bullgare. Nga ana tjetër, fija e bardhë është fillimi i mirë dhe drita. Sipas traditës verorja hiqet dhe vihet nën ndonjë gur të madh kur shohim lejlekun e parë. Pas nëntë ditësh duhet të shohim se çfarë insektesh ka nën gur. Sa më shumë janë ato, kaq më i madh do të jetë bereqeti i vitit. Sipas një besimi tjetër, veroret hidhen në lumë, që të na ecë mbarë. Ka dhe një zakon tjetër. Çdonjëri duhet të zgjedhë një ditë nga 1 marsi deri më 22 mars. Në varësi të motit ne këtë ditë, i tillë do të jetë edhe fati i njeriut gjatë tërë vitit. Në qoftë se moti është me diell dhe i ngrohtë, njeriu do të ketë fat të mirë, në rast se është i keq – do të ketë një vit të veshtirë.
Sot martenica është simbol i dashurisë, shëndetit dhe jetës së gjatë. Ngjyra e bardhë simbolizon pastërtinë e marrëdhënieve midis njerëzve, kurse e kuqja është simbol i ngrohtësisë dhe miqësisë. Sipas traditës veroret bëhen me fije të kuqe e të bardha prej leshi, por fantazia e bullgarit nganjëherë e ndryshon pak martenicën, duke ndërthurur dhe fije me ngjyra të tjera, rruaza, monedha etj. Veroret më të përhapura janë byzylykët. Më 1 mars disa njerëz madje vishen me rroba të bardha dhe të kuqe. Në qoftë se deri më 25 mars nuk shohim lejlek, verorja lidhet te ndonjë peme.
Ka disa legjenda për prejardhjen e verores bullgare, por të gjitha ato janë lidhur me protobullgarët dhe me themeluesin e shtetit bullgar – hanin Asparuh. Një prej tyre na kthen rreth 1300 vjet prapa, kur Hani Asparuh kërkonte troje të reja për bullgarët, pasi Hunët e kishin shpartalluar atdheun e tij dhe e kishin zënë robinjë të motrën, Huba. Pasi mbërriti në trojet e sotme bullgare Hani Asparuh i dërgoi motrës së tij një lajm me anë të një sokoli, ku e informonte atë për trojet e gjetura nga ai në jug të lumit Danub, ku kishte si qëllim të themeloje shtetin e ri bullgar. Huba arriti të ikë, i lidhi sokolit një fije prej mëndafshi, që ta lajmërojë vëllanë për mbërritjen e vet. Sokoli e çoi vajzën në tokën e re, por një shigjetë armiku e goditi shpendin, ndersa gjaku ngjyrosi fijen. Pas lajmit të mirë për shpëtimin e motrës së tij hani Asparuh filloi ta griste fijen e lidhur në këmbën e sokolit dhe t’ua lidhte duarve të ushtarëve të tij, duke dhënë urdhër që këto dy ngjyra të jenë gërshetuar gjithmonë në këtë mënyrë, si simbol i unitetit bullgar. Kjo ndodhi më 1 mars të vitit 681. Atëherë këtë ditë festohej Viti i Ri. Që nga atëherë deri më sot fija e bardhë dhe e kuqe simbolizon unitetin e bullgarëve dhe na kujton për udhëheqësin e parë bullgar Asparuh.
Edhe në Shqipëri “ Dita e Verës “, siç quhet, është festuar që në lashtësi. Kjo dite tek ne është 14 Marsi, kur njerëzit urojnë njëri – tjetrin për një vit më të mbarë, për më shumë fat dhe shendet.Në mënyrën më të bukur dhe më festive, kjo ditë festohet tradicionalisht në Elbasan. Simbol i kësaj feste dhe këtu janë veroret, fije te bardha dhe te kuqe te thurura, si dhe ballokumet, simbol i dashurisë dhe ëmbëlsisë.
*Autori është Konsull Nderi i Bullgarisë në Shqipëri
bullgare#sthash.i9COROdf.dpuf

Ermira Peku (Zhiti):“Kultura është çelësi që mbledh njerëzit e mençur për të punuar së bashku” -

Nga Gladiola Busulla



-          Kur trokitën për herë të parë telat e violinës në jetën tuaj?
Kam lindur në 24 Korrik 1970 në  Durrës. Këmbëngulja e xhaxhait tim violinist Ramazan Pekut bëri që unë t’i futem rrugës së artit, edhe pse e vogël në moshë, 6 vjeçe. Më pëlqente të këndoja dhe të kërceja si gjithë fëmijët e tjerë. Të dy prindërit e mi më  kanë mbështetur gjtihmonë në  rrugën time si violiniste dhe më kanë nxitur të vazhdoj traditën e familjes. 
-          Cili ka qenë rrugëtimi juaj artistik?
Rrugëtimi im artistik ka filuar në  liceun artistik “Mujo Ulqinaku”,që sot njihet me emrin "Jan Kukuzeli". Aty mora bazat e para si violiniste profesioniste për të vazhduar më tej studimet në “Akademinë e Arteve të Bukura “ në Tiranë.

U diplomova në vitin 1992 dhe që atëherë  kam qenë  pjesëtare e Orkestrës së Harqeve "A.Moisiu" Durrës, me të cilën zhvilloj aktivitetin brenda dhe jashtë vendit në shtetet si: Kosovë, Itali, Francë, Austri, Greqi. Në vitet 1998 -2000 isha pjesë e orkestrës së Pireut në Greqi.
Gjatë rrugëtimit tim artistik jam përpjekur të rritem profesionalisht dhe të perfeksionoj profilin teknik e profesional, duke u përshtatur e përqafuar tendencat më bashkëkohore të muzikës violinistike. Kam dhënë koncerte recitale, ku kam bashkëpunuar me instrumentistë të njohur.
-          Keni ndonjë violinist të preferuar i cili ju frymëzon?
Që  në moshë të vogël, njeriu që un admiroja më shumë dhe prej të cilit kam marrë shembull gjithnjë ka qenë xhaxhai im. Puna, përkushtimi, këmbëngulja, komunikimi, dashuria për instrumentin, mirënjohja për lodhjen, pasioni dhe vlerat qytetare që ai rrënjosi tek unë, më ndihmuan të arrij këtu ku jam sot; një violiniste që adhuron profesionin dhe mbi të gjitha mësimdhënien. Një pedagog si ai, i ka dhënë  drejtimin e duhur shumë talenteve dhe u ka siguruar rrugën drejt suksesit brenda dhe jashtë vendit, prandaj unë suksesin tim ia dedikoj atij.
-          Familja Peku ka një lidhje gjenetike me muzikën, pasi numëron instrumentistë të mirënjohur si Ramazan Peku, Miron Peku, Nedi Peku, Ermira Peku,Kujtim Peku, të cilët janë dalluar si instrumentistë me vlera kontributive brenda dhe jashtë vendit. A po vazhdon të kultivohet dhe tek gjeneratat e reja kjo prirje dhe traditë e bukur familjare?
Kjo traditë vazhdon në fisin tonë dhe nipat e mbesat studiojnë  instrumente si piano dhe violina. Muzika është AND-ja e familjes Peku. S’mund ta imagjinojmë jetën pa të.
-   Ç’domethënie ka mësimdhënia për një violiniste të talentuar si ju?
Sot mësimdhënia ka evoluar. Bashkë me zhvilimin ekonomik dhe teknologjik, arsimin e shikon të ecë me ritme të shpejta dhe të adaptohet me shpejtësi ndaj këtij  evoluimi. Por sado që të  përparojë teknologjia, mësuesi mbetet “Edukatori unik”. Profesioni  i  mësuesit është sa i bukur aq dhe i vështirë. Kjo shprehje klishe,  kuptohet vetëm nga ata edukatorë  dhe mësues për të cilët  të qenit mësues do të thotë: të  jesh i  mirë dhe të transmetosh mirësi, ta kesh të  vështirë  pikërisht për shkak të vështirësive që  ke përpara në këtë mision unikal dhe të bësh gjithçka mundesh me shumë përgjegjësi.
Mësuesi duhet  të cilësohet nga dëshira dhe vullneti që  të pamundurën ta bëj të mundur.Padyshim para se të edukosh të tjerët duhet të  jesh vetë i edukuar dhe që  të ndikosh si duhet tek fëmijët duhet të jesh shembull i mirë.Me punën e përditëshme dhe shembullin e sjelljes së  tij,mësuesi ndikon  drejtpërsëdrejti  në  trajtimin e personalitetit të  fëmijës,për këtë  arsye ai duhet të  jetë  i sinqertë, i  drejtë  por dhe i  drejpërdrejtë,me nivel kulturor të lartë dhe i arsimuar  në  shkallën e duhur.
Mësuesi duhet  të ketë  kulturë  të  gjerë  shkencore dhe  të  luftojë  dita –ditës  primitivizmin,  duke kontribuar  në  ngritjen e tij arsimore dhe kulturore. Si edukator i  gjeneratës  së re, të  cilit  i  është besuar një  detyrë  kaq e rëndësishme, mësuesi para  së  gjithash  duhet  të jetë shembull  për cilësitë  e  karakterit si  modestia(virtyti i  lartë i njeriut), ndershmëria, kurajo, korrektësia, guximi ,  autokontrolli etj.
E di që  janë  shumë  kërkesa për  këtë  profesion kaq fisnik, por  nëse  mësuesit  do të bënin më të mirën  që  munden, atëherë do të kishim një  edukim të frytshëm dhe model. Nisur nga më sipër, në kontekstin  e mësuesit  si qenie  njerëzore  jo perfekte,  fokusi i secilit  prej  nesh  mendoj  se  duhet  të  jetë në dy drejtime: Së pari, drejt vetëpërmirësimit  të vazhdueshëm  si  qenie njerëzore dhe së dyti  transmetimit  vetëm  të  vlerave  pozitive tek brezi i ri.
-          Ermira, si shumë instrumentistë të tjerë dhe ju jeni rezultat i shkollës ruse, pra i  shkollës lindore. Si jeni ndjerë në përballjet tuaja me instrumentistë që janë edukuar në Akademitë Perëndimore? A vihen re ndryshime?
Në  shkollën  e  lindjes  mësohen  bazat  e  muzikës , mendësia  e   të  qenit  muzikant dhe përkushtimi që  duhet  të  ketë  muzikanti. Kjo shkollë kishte mungesë spiritualiteti në  interpretim të individit, si pasojë e ndikimt të ideologjisë së kohës. Mungesa e hapësirave në pedagogji dhe metodologji krijonte stereotipe, si p.sh. interpretimin herë-herë të sipërfaqshëm, por  të karakterizuar nga disiplinë e hekurt. Zhvillimi psiko-pedagogjik është  më i  shpejtë se në  perëndim, gjë e  cila sjell disbalancë  në  interpretim. Mungesa e kushteve sociale i  bënte të gjithë  njësoj dhe gjithashtu mungesa e stileve të  interpretimit dhe instrumentave cilësore. Ndaj, ata shfaqnin mangësi në kërkimin personal mbi autorët e veprave. Nga ana tjetër dhe roli autoritar  i  mësuesit, ngarkesa ideologjike sillte ngurtësimin në lojën e individit. Ajo bëhej jo kreative, jo improvizuese.
 Perëndimi  rrit vlerësimin për veten,arritjet,mos arritjet. Zgjeron horizontin dhe nocionin  e  vlerës së  punës. Jo të gjithë  janë të parë dhe  ky është qëndrim  që  krijon qetësi.Vlerëson shpirtin në interpretimin e artistit violinist. Iu kushton vëmendje autorëve të ndryshëm dhe lë  hapësira dhe mundësi zgjedhjeje. Perëndimi falë teknologjisë dhe  informacionit të avancuar,  rritjes ekonomike ka sjellë zhvillimdhe ndryshim të kushteve sociale. I jep prioritet shumëllojshmërisë së stileve duke lënë të  lirë zgjedhjen nga vetë interpretuesit. Sjell avantazhe  në  larmishmëri instrumentash dhe në  cilësi. Lejon bashkëpunimin, dialogun  midis studentit dhe pedagogut mbi autorët, nëpërmjet demostrimit dhe shpjegimit. Mbështet dhe i vlerëson vlerat  individuale. Perëndimi ka shumëllojshmëri dhe cilësi të ndryshme, informacion dhe kreativitet.
Nga përballjet personale kam mësuar shumë gjëra mbi instrumentin, lojën, teknikat e ndryshme të njohura dhe të panjohura. Por mbi te gjitha kam vlerësuar që kultura është çelësi që mbledh njerëzit e mençur për të punuar së bashku.
-          Sa  i  rëndësishëm është edukimi përmes artit ? Ç’këshillë do t’u jepnit violinistëve të rinj?
Arti është një urë lidhese përmes popujve dhe kontinenteve.Ai nuk njeh kufi,nuk njeh pengesa.Ai përcjell mesazhe paqeje,mirëkuptimi dhe integrimi.Përmes tij gjejmë, çfarë kemi të përbashkët.Angazhimi  i  vazhdueshëm në aktivitete  të ndryshme kulturore,do të nxiste dhe  edukonte  vlera qytetare. Pjesëmarrja dhe  përfshirja në projekte të ndryshme do të realizonte zhvillimin shumëdimensional, personal, qytetar, human, kulturor,social dhe atdhetar. Nga kjo pjesëmarrje do të kuptonim veten dhe qëndrime, kur vendosen në  kontakt me “diferencat” kulturore. Që të luash muzikë duhet punë, mund, pasion dhe vlera.
-

Mjeti i ri i hajnave

“Çelësi bullgar”, mjeti i ri i hajnave

I hollë dhe unik në llojin e tij, çelësi bullgar ( foto ) përshtatet me të gjitha llojet e bravave. Ai është shndërruar në mjetin e preferuar të bandave të hajdutëve dhe grabitësve.

Të dhënat tregojnë se në Itali, me këtë çelës është kryer numri më i madh i vjedhjeve të banesave.
Ai është pjesë e një projekti të shërbimeve sekrete bullgare që synonte të krijonte një lloj “fjalëkalimi” për të gjitha llojet e bravave të zyrave ku gjendeshin dokumente të vlefshme, gjatë Luftës së Ftohtë.
Në thelb ai përfaqëson faksimile të të gjithë çelësave të tjerë. Domethënë, ai futet në çdo lloj brave.
Ai përbëhet nga material i butë që ndihmon në leximin e të gjitha kodeve të bravave.
Në këtë mënyrë ai arrin të kopjojë kodin e bravës dhe të krijojë çelësin e duhur që ka ngjashmëri melimetrike me origjinalin.
Për t’i shpëtuar atij duhet që bravat e dyerve të shtëpive t’i keni nga ato me çelësa të sheshtë.

Mizoritë e luftës në Kosovë, 1998/1999. Veprimet makabre të soldateskës serbe në Kosovë:“Histori të tmerrit 1998-1999”.

Nga Flori Bruqi  Sanije Gashi, zonja e madhe e kulturës shqiptare.... “M'u kujtuan, saora, tragjeditë e Shekspirit, edhe ‘Ferri' i D...