Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/03/19

Zeusi na ndiqte në harresë, !!!


Ikona të thyera, si imazh poetik dhe risi për poezinë e sotme bashkohore



Nga Agron SHELE

Shpesh herë kur vizitoj bibliotekën time nuk e di pse dora më shkon tek vëllimi poetik « Ikona të thyera » të autorit Gentjan Banaj. I kam rilexuar disa herë poezitë dhe sërish më duket sikur diçka ka mbetur ende për tu riparë, ose duket sikur diçka ka mbetur pezull në hamendsionet dhe parafytyrimet e mia, për mënyrën dhe këndvështrimin artistik rreth këtij libri. Në poezinë e tij takon dhimbjen dhe mallin, takon dramën jetë dhe përvuajtjen, takon rrebelimin dhe pasthirrmat dhe në pamje të parë duket sikur mbart shumë trishtim ose shumë shtjella gri që përfshijnë qiejt e muzës poetike të autorit, por këto nuk janë mestastaza që prodhohen nga kreativiteti individual, por krahët e errët të përjetimit të një shoqërie, e cila në misionin dhe gjykimin profarm të poetit , identifikohen si vlera të krisura, ose ikona të thyera. Sintetizimi metafizik poetik gërshetuar me hermetizmin përbëjnë stilistikën që e veçon këtë zë poetik tashmë të njohur, qoftë në formë, qoftë në hapësirë, por edhe në mënyrën konceptuale, si idol të përcjelljeve dhe mesazheve tejet ndjesore . Që në fillim ndeshemi me një titullim sa grishës, por dhe kaq befasues. Diçka ka ndodhur. Imazhi është shprishur. Ikonat janë rrëzuar dhe thyer .

« E sërish në drita krismash
Zeusi na ndiqte në harresë,
Të ikur, të anuar, vajtueshëm
diku midis humbjes dhe rënies. «

Kapërcimi i shpejtë i fateve ( ikje, anuar, përvuajtur), ringrihet dhe përndiqet deri nga krypersonazhi mitik (Zeusi), njëlloj si në lashtësinë e mjegulluar, por që çuditërisht përsëriten e ripërsëriten njëlloj edhe sot në kohët më moderne . Në paratezë të ravijëzimit të këtij mendimi ndeshim sindromën e dritës, e cila në këtë rast nuk shfaqet si bardhësi surreale, por si flakë krismash, po e njëjtë me flakën e rrufeve kur perënditë përndiqnin njëri tjetrin, dhe në përmbyllje dozohet rënia, përhumbja apo thyerja e ikonës .

Eshtë domethënëse por dhe karakterizuese për të kuptuar strukturën e këtij vëllimi poetik, boshtin që e përshkron atë, kolonat në të cilat ringrihet kjo vepër dhe jo pa qëllim skematizimi saj ndahet në katër nën tituj, që thjesht mund ta përkufizojë +1 mbi tredimesionalin e zakonshëm artistik.

1- Laku i karafiltë

Kapitulli hapet me poezinë « Pa titull », dedikuar birit, e cila në formë grafike krejt tjetër nga ato që jemi mësuar të shikojmë shpesh , por e sjellë në mënyrën postmoderne, me vendosje fjalësh figurativisht dhe estetikisht, shpreh ndërvarjen dhe intuitivitetin e gjallimit të jetës.

« …në çengelin e përmbysur
gjalloj për ty
i varur atje »

Sigurisht që shtrishmëria e dashurisë për njerëzit më të shtrenjtë padyshim që do qendërzojë edhe figurën e nënës, figurë që nëpërmjet tespijeve lakonizon ditët , pastaj ylberet psherëtimë, rrudhat dhe thinjat dhe sikurse thotë autori : dhemb / sa dhimbje ndjen një nënë ?

« Nën bekimin tënd u gjunjëzua çdo burrë
I mbrojtur nga mëshira që ty ta vodhën hyjnitë. »

Këto vargje janë një tjetër dedikim për nënën, një kapërcim që shkon përtej perëndive, e ringre atë në piedestale hyjnish, për të përunjur forcën dhe karakterin e çdo burri.
Vlen të theksohet se në këtë lloj poezie ka një sendërtim prefekt vargjesh, ka dhe një subkoshiencë që depërton magjishëm dhe kjo mënyrë e të bërit poezi shpreh natyrshëm, forcë vargu, mendim, dhe filozofi.

2- Absurd mbijetese

Poezitë e përfshira në këtë kapitull absorgojnë drejt mendimit filozofik dhe ideve të thella dhe në mënyrë krejt instiktive të çojnë në vizonialitetin por dhe iluzionalitetin e fjalës, metaforikën dhe simbolikën e saj, deshifron kontrastet bardhë e zi, (ditë-natë ) kontraste jetësore dhe menopauza të përditshmërisë, ose objeksioni i kontrastit (perëndim -agim), që më së shumti përqas tablotë e beftësisë ikje dhe atë të rilindjes shpresë .

« Ag,
zbulohet pak nga pak trupi i ditës »

E bardha dritë zbret dhe përhap magjinë jete, vjen ashtu në vagullim por e sigurtë dhe dal ngadale zbardh besimin për rifillimin e një dite të re.
Dhe në vazhdim :

« Jeta të kryqëzon
Pas ngjarjeve të mëdha »

Përditshmëria rrëmben në kuptimin fizik dhe shtyn përherë e më tepër drejt dëshirës, qëllimit, sfidave të përballjes dhe jo pa shkas autori i quan kryqëzimet e jetës, sepse instiktivisht të gjithë jemi skllevër të iluzioneve dhe pasioneve të ngritura.

Dhe së fundi :

« Vdesim nga pak
duke i ikur agimit »

A ka rënë poeti në nota pesimiste ?

Të gjithë vdesim nga pak, të gjithë shuhemi ngadalë, të gjithë i largohemi agimit dhe shkojmë drejt kujt ? Hiçit apo asgjësë. Këtë e deshifron vetë titulli poezisë, « Muzg ».
Në të njëjtin bosht vërtitet edhe poezia « Bardhë e Zi », të cilën për trajtesë koshiente nëse do përgjithësohej në kuptimin panoramik do impononte analitikë të drejtëpërdrejtë si : poezi e iluzionit të trishtë, e veshur me ereminë e përbrendshme të gjendjes fillestare kur është shkruar, përshkohet nga nota të thella pesimiste (ëndrra tymi , mesnatë e errët, agim i trishtë ) etj etj.

« Në sfondin e zi shquhen mirë
ëngjëlli e djalli tek uni »

Duke u nisur nga analogjia e këtyre termave por në depërtimin psiko-analitik do shikojmë se edhe përbrenda kësaj errëtie ka një fokus drite, ka diçka egzistenciale, ka qënësinë që edhe në momente të errëta e shquan dhe e drejton.

3-Maria e kaltër

Vëllimi poetik i autorit Banaj përshkohet edhe nga boshti i fuqishëm lirik, ku metaforat , simbolika, kompzicioni, tablotë ngjyra shumë, percepetimet e fluidizuara, ndjesitë më të thella, brishtësia e fjalëve si dhe elokuenca e përdorur e bën tejçues të inspirimeve dhe emocioneve të forta . Në kontrast me kapitujt e parë këtu ndeshemi me ndjesi të pazakontë dhe befasi, me temperament dhe shpirt estetik .

« Maria
Avitet në një mug
Rizgjon një shenjt të përgjumur
ikën e kaltër, qielli rrugë…
Ave ylber në mug…
Maria »

Përbrenda këtyre vargjeve ndjenjëa sinkronizohet e kaltër, rend nëpër qiej rrugë, rizgjon ëndrrat më të bukura gati deri në shenjt dhe mbetet ashtu, e kristaltë, e bukur, magjepëse, e përjetshme .Në vazhdimësi ndeshemi edhe me nota të tjera pateizmi, me dlirësinë dhe pafajësinë e ndjenjës, ndeshemi me zjarrminë dhe përjetimet teje ndjesore, gati në shpërthime eseniane :

« Një ditë në vdeksha
dhe në varr të zi
Tek një fije bari
shpirti do t’ më rrijë »

Ky është amaneti i dashurisë, i këtij sublimi deri në flijim, por që endet me shpirtin, përtej kufijve të jetësisë .

Bibël Urie

Pjesa e fundit e vëllimit poetik shpreh botëkuptimin dhe këndvështrimin e plotë të autorit rreth problematikës shoqërore dhe vetë fatit të njeriut, ngre zërin ndaj fenomeneve dhe paranojës që bren çdo ditë vendin, merr atributet e misionit që përfaqëson dhe lufton, si Krisht për shpëtimin e botës nga errëtia, nga demonët, nga e keqja, nga ligësia dhe nga absurdi. Nëpërmjet zbërthimit ideo-artistik të vargjeve kuptojmë edhe dimesionalitetin dhe formimin e plotë të autorit, i cili si qytetar, si intelektual, si poet, si njeri i shqetësuar tregon të patreguarën, dhe këtë jo në mënyrë spontane ose të ndërvarur nga çasti, por me koshiencë të plotë, me ndjenjë dhe mjeshtëri ringre fjalën në varg dhe vargun në art.

« Fjalë
si ushtarë medalje keni hak
Por, sa u shpreh me ju, ndjenja
Zemra ?
Ajo …vulos me gjak… ! «

Njeriu , si individ dhe qënie, jepet në konceptim universal, si trup dhe shpirt , si ndërgjegjie dhe memorie.

« I nëmuri me padashuri »
Pse kjo pjesë e errët rishfaqëse ?
Për të vazhduar :
« Myket për zërin
Ku s’ ka tingull shpirti. »

Ndoshta qënia njeri është shkëputur nga qënia shpirt dhe mendimi më i parë filozofik të çon në proçesione të tjera, ato të kuptimeve primare tashmë të shkëputura ngë kuptimet sensuale.

« Shpirti uritur
Përtyp mjegulla ere »

Shpirti mbetet shpirt, dhe përherë mbetet në kërkim të ndjenjës, vlerës dhe ashtu i përhumbur pas vesit apo përjetimeve momentale endet në zbrazëtinë haluçionale. Mesazhi poetik është më se i qartë :
Njeriu është në rrezik ! Poeti i bën thirrje që të ringrihet mbi unin dhe të sendërtojë vlerat shoqërore dhe humane.

I gjithë vëllimi poetik megjithëse ndahet në katër pjesë është unik, universal, ngre telajo ngjyrimesh dhe për më tepër farfurin muzën më të thellë krjuese.
« Ikona të thyera « vjen si pjesë e fonetekës poetike të përzgjedhur, mbart esencën e mendimit të sotëm letrar postmodern , ka gjithë hapësirën dhe përmbajtjen e një vepre letrare të mirfilltë dhe si e tillë ajo shënon një pikëkthese për poezinë bashkohore shqiptare sot.






Poezi nga Gentjan Banaj



NËNA


Nënë…
…sa pak i ngjaj lotit të gjirit tënd…


TINGUJT

Kambana ra. Ora 7 : 00
Tingujt morën udhën.
Heshtja pjell kufij mbi fushën e pamatë.… 3 pika kërkojnë ngjyrën në eter
Ne cakun e dy kohëve
E tashmja uli bërrylat mbi qytet
… gjysmë dritë, gjysmë terr…
… 3 rrahje u perulën mbi trini
Në eter,
Filli i mbetur i agut
Shuhet në agoni
… 3 here mbi çati dielli u nis
Nga honi i kambanës
Gjuhëza ra,
Strehuar nën një qiparis
3 herë rrugët morën kthimin
Dhe vete tingujt u kthyen natë.
Kambana ndali.
Ora 7 : 00


BEBE

(Bebe Alisës, që i duhej një emër vetëm për çertifikatën e vdekjes)

Ti, mbetesh një kujtim fare i brishtë
Sa gjurma e një loti, që dora aq natyrshëm e fshin mbi faqe.
Aq e vogël
Sa dy orët e tua të jetës
Që shkuan po aq natyrshëm
Midis dremitjes dhe ëndrrës për të qenë
E përsëri kaq thjesht
E fshij edhe një lotëz tjetër me dorën që kryen ritualin e pastrimit.
Pas teje,
Dy orëve të vogla të zërit tënd që kërkonte në hapësirë
Ekzistencën
Gjithë vitet e mia rendin të kapin kuptimet deri tek thinjat e reja
E po kaq lehte prej syrit davaritet mjegulla
Me pak vesë mbi faqe.
Ti s`mund të jesh më tepër se një imazh ku unë
Zvaritem përditë të gjej detajet e muguara për plotësinë tënde
Jashtë kornizave të thyera.., në konturet e trupit tënd.
Ndoshta
Në dy orët e tua vogla
Ti vajtove lirirkën e një jete që shkon me mua
E përsëri në vite zëri humbi tej mureve të sallës
Në duart e gjakosura , të përditshmerisë së një mamie.
Bir.
Bir i vogël,
Edhe ti ndoshta kuptove se ç`është loti.
Ndoshta dy orë të një jete
Janë pafundësi…
Tashmë u bënë 11 vjet e pak muaj
E kush e di
As të dielave rruga nuk më bie andej
Në një varr që veçse në qiell mund të jetë.*
Ndonjëherë, eja të më takosh
Ashtu si do të bëje me buzkat e vogla e flokëzat kaçurrela
Në dremitjen e paqtë të ëndrrave të tua.
Kam ndierë që më ke thirrur
E ke pasur frikë nga errësirra, ndaj strukeshe nën shtroje e belbëzoje ne gushën time
Ashtu e vogël
Sa pëshpërima e një mesnate.
Gjithë këto kohë
Të dy orëve të tua
Unë të kam treguar gjithë përrallëzat me hirushe e kësulkuqe
Që ti të dremisje e qete…, veçse nuk di pse gjithë ditëve I përsëris edhe në rrugë.
Vëllai dhe motra më pyesin përherë për ty,
se e dinë që ti je gjumashe e madhe dhe lodrat ata t`i kanë ruajtur
në shportën tënde të vogël.
Tashmë fli !
Babi do të iki në punë të të sjell kukullën me sy të shkruar si të tuat
E me flokëzat e verdha bishtalec.
Në mbrëmje, kur ti të më përkëdhelësh e të më puthësh me dihatjen tënde sit ë lepurushes
Unë do të të tregoj përrallëzën tonë.
E do të të tregoj gjithë c`më ka ndodhur këto kohë.
Edhe kur të më bjerë rruga andej
Do vij të të shoh,
Fli,
….
E vogla ime që s`do të rritesh kurrë.
Ti me dy orët e tua
Sa një dremitje
Që nuk u zgjove kurrë
M`i zgjat në pafundësi këto kuptimet e mia
Dhe duart,
Natyrshëm…
Fshijnë lotët që më aviten mbytshëm, sa herë të kërkoj ty…

* Duke respektuar traditën, një fëmijë të porsalindur dhe të paemër i jepet një varr që prindërit të mos e gjejnë. Ndjell keq sipas gojëdhanave nëse prindërit e gjejnë dhe njohin atë vend. Ndaj dhe ajo prehet atje , ku askush nuk e di…



KOHA

Qëndroj ballë pergamenit të kalbur
Një molë e bluan pa të keq me tik-tak.
Hieroglifet heshtin nën gri harrimi…,
Në lëkurën time mbijnë nga pak
Koha shkel mbi kufoma dhe eshtra
Duke thënë me vete një postulat modern.
Qëndroj ballë testamentit si kohë që shkoj
Rrotullimi rreth boshtit shkon dhe vjen.
Avujt e frymës vizatojnë një ëndërr
Deri sa bie si gërmë mbi pergamen .
Mola kompozon në tretjen e tik-takut
Gërmat rriten si bimë të përflakura.
Koha na përdor,apo ne kohën tonë
Harxhojmë me kupa uji të përgjakura!?

AT

Ati im, më rrokullis në lutje gjithkund
Teksa vdes nga pak i kryqëzuar kështu.
Parajsën në mëkate shoh të humb
…Dhe tokën të humb gjithashtu.
RRetullohem rreth vetes si mohim i njëshit
fytyrash që sillen kohës absurd
ferri e parajsa kthehen në mister,
në qiell, në tokë, kuturu, gjithkund..
Ti, veç vret me butësi e mungesë
E pas dere prej ajri thuhet se je.
Unë, vec pëshpërim rënkimi dëgjoj
Nga rrufete që ti zbraz përdhe.
At, dhe pse s`të shoh më larg se “unë”
të luash zare fat`thënash kohëve që s`janë,
Një të diele, krejt i kërrusur mbi altar,
të tregoj shpinën që ti m`shqeve me kamë.
Pas dere, ti, vec britma dëgjoje
kur akuj shkelja pas dimrave të tu.
Ti, vjeshte psherëtije, zhveshje dhe përulje
dhe dyert i theve, po ashtu.
E me pas, prej zjarri e zëri, Zeus më zbrite
Ne token ku vriten vetetimat dhe engjëjt.
Dhe ti, si Kronus kerkon te me perpish
Mua, birin tënd të harruar në ëndërr.
Pra, At, o At gjakatar……
Eshtrat e mia të bezdisin në fyt
të përjeteshmit u lodhën me pavdekësi
Ndaj ëndrra ka filluar të të mbyt.
Kështu pra, imzot që darkon me mërzinë
Teksa prej barkut qëe i linde, ëngjëjt t`u bën djaj.
Hesht, as ëndrra me lojra e vdekje mos shih,
Prej toke, biri yt të dënon; Mos qaj.



ART I MALLKUAR

Koha i kthen brinjët në shpata
shpatat,
zejtarët mallkojnë.
armë …të gatitura për një akt të nëmur
nga duar qe lutje dhe bollek mekojne
që nga drita e botës….
qëndisur
nga duart e uritura të një arti mbijetese
Mbi heliken e kryqtë të kohës
ngulur në gjakun e trazuar të një zoti
të paditur
vrarë në rrugën e përditshme të vdekjes
një mesdite….
midis së mirës dhe së keqes.



NDARJE

Ura .
Shumë ura.
Matanë brigjeve ku drita thyhet
Anëve të këtejme ku dhimbja lind.
Ura që hedhin shtat deri tek ti
Deri tek mungesa mbërrijnë
Ura.
Shuma ura.
Afrime që vrundullojnë në ardhje
Eshtra hekuri mbi ndarje te shembura
Zgjatuar si kordat e lirës Orfe
Që Hadin përcjell deri tek dhembja
Ura.
Shumë ura.
Skajeve të kohës tënde të vetmuar
Ëndrrave që I ngjajnë gjethes që ra,
E sërisht endemi në nyje rrugësh
Larg, pa dritën e ardhjes në prag.
Shumë ura.
Ura .



PAK PEIZAZH NGA VJESHTA E SAJ

Një degëz
Si maja e një loti të rrokullisur në stinë
Avitet në xham.
Krah i venitur dega e tharë.
Vjeshtë…,
Vjeshtë e parë…
Me herët se stina e ikur
gjethja ra
si buzëmbrëmja
në shegën e përgjakur
të perëndimit të çarë.
Dege e avitur
me qiri përshpirtjeje
brinjë kishës sime të heshtur.
Ç`më kujton një ritëm ikjeje
me krahun tënd të tharë , mbetur.




KARMA

Mos shkruaj më fal, mbi letrën prej bore
As shpirtin zëulët mos e pëshpërit më,
Në fushë, minutat kapin fundin e një ore
E kohë ciklike s`do ketë mbi të.
Datat kalendarike do te vijnë sërisht
Si rekuiem i thjeshtë përkujtimor.
Atje, mbi puthje u heshtën dashuritë
U ndamë, askush se ka fatin në dorë.
Ik. Një tjetër qiell është ai, Dikush
Ose një yll me rrugën sa një lutje.
Dhe ti, si unë, vetmisht heshtja të mbush
Me petka pëshpërimash e përshpirtje.
Orët janë të gjata, ka ende mjaft kohë
Për të vrarë edhe erën që luante mbi flokë.
Pak copëza nga unë të kanë mbetur mbi lëkurë
Nxito pra, t`i strukesh dhe ato nën toke.
Ti. Unë. Shumë heshtje shoh në ëndrra,
Dhe mbrëmja pas pak do të bjerë natë.
Harrimi vrapon të kapë të tjerë akrepa
… dashuritë e mëdha kurrë nuk kanë fat !
….


Përhumbje

Përhumbem në qerpikun
Që përshkon udhën deri në mbyllje
Si një hap që ngushton hapësirën
Nga e tashme në pritmëri.Gjithçka është kaq e thjeshtë.
Ti, je – “unë” i lënduar
që loton në puthjen e parë
kur perënditë dehen
me mëkate të brishta mishi.
Sot
Edhe pse ndajnë hapat
Nga pritshmëria në pafundësi…
Të dua



AKORDE NË VETËN E PARË, MINOR

kitarat bien mbi heshtje.

Heshtja tingëllon shigjeta
që shkojnë si metrote e mesnatës
në errësirë.

sa shumë vaje e gota derdhen mbi hon
ku bie një kitarë e vetmuar
sa një kraharor.

kaq shumë arsye për t`i shkundur telat !
kaq shumë meditime për një këngë të shkruar
që rend të të kujtojë dhe sytë, dhe ikjen dhe trishtimin?!

sa një kraharor përngjet kitara !
..............
.................
kaq...
troku i territ mban ritmin e vetmisë
dhe mbrëmja bëhet tjetër kohë
ku gjithcka që ti kujton
është një copëz e jotja e mbetur pa zë dhe imazh.

heshtja nën hënë nxin sa një hon
akorde që vec pasthirma për ty më thone

shume kitara
prehen mbi akorde qe nuk u luajten kurre
kitara vetmitare me jehonë mërzie
mbi syte e mbushur me yje të shuar
rrugëve të mesantës ku zoti nuk ezkiston.

luan tek unë një serenatë...
një kitarë e vetmuar
sa një kraharor.

MËKATI

Një yll këputet.
Dhe ti kapërdin dëshirën
Si një shkronjë në mermerin e eshtrave.

Në kraharor
Një gjurmë ylli fle…
................
nga një mëkat në fyt
bota nisi të flasë.

KUR JAM ME TY

Ti puth sytë e humb i tëri
E të zbres ngadalë në shpirt,
Nën qepallë shoh me ty
E jam rob, frymë, flirt.

Ti m`a zgjon trupin e humbur
S`di se ku mbi trupin tënd,
thua-ëndrra ka një fund
them vdekja-s`është e rëndë.

Ëndërr e bukur pas syve të ty
Më thotë ik, më lodhe, mjaft
E prej sysh të rrjedh si lot
Edhe ëndrra bëhet ankth.

UNË DHE TRËNDAFILI

Unë
Dhe trëndafili për ty
Qëndrojmë të heshtur
Në kryqëzimin e pritjes sonë.

Një letër e shtyn era
Dhe imazhi i një gjetheje të këputur
Më bie mbi qepallë.

Vjeshtë e parë.

Ti ndoshta ke ikur
Por mua më ngacmon e kuqja e trëndafilit
Që i ka rrënjët tek unë.

Që prej ikjes tënde
Mësova t`i prish trëndafilat.
14.10.2007

ËSHTË AG

Në heshtje
Më tingëllon zëri yt i qeshur,
dhe vetulla e hënës
(dhe)syri i shkruar
(dhe) buza e qershisë
..........(dhe) gusha e bardhë...

Është ag, por prap errësirrë.
Ti shfaqesh nazike
Dhe sfumohesh vetmi.

Një lot
Bie si pikë
E merr vlerë të egërr
Jo si dhimbje
Por si fund.
14.10.2007

IKONA TË THYERA

Të pash në blicin e një krisme,
Diku midis humbjes dhe rënies
Anuar si rënkim i zemëruar
Në instiktin e epërm të qënies.

Të pashë në blicin e një kohe
Dhe ti më pe si bust të anuar
Tek zgjasnim duart marramendsh
Si arna të kohës sonë të arnuar.

E sërish në drita krismash
Zeusi na ndiqte në harresë,
Të ikur, të anuar, vajtueshëm
Diku midis humbjes dhe rënies.

IMAZHE NGA RRUGA E QUMËSHTIT

U ndamë kur yjet të binin mbi sy
Dhe mua fjalët më binin përdhe.
Ëndrra jonë përgjumej në udhë
Tek RRuga e Qumështit, lart, atje.

Pas ndarjes, ti nesër e mërzitur
Do të rendësh me hapa harrimi
Lëkura e bardhë, si nga prekja do dridhet
Tek magjia e purpurt e perëndimit.

Tek rruga e vjetër, në krye
Hapi i lotuar do të bëhet i rëndë,
Flladi diçka në vesh do të pëshpërisë
E do bëhet puthje në trupin tënd.

Në mbrëmje, në heshtje do tretemi
Dhe perëndimi na merr me vete, larg
Dhe orët çaste gjethe do hedhin
Si në shtratin e kuq të netëve pa ag.

Gjithë yjet do jenë coptuar pas teje
Ngjyer me të kuqen e perëndimit,
Kujtimet do të derdhen vetmisë
Si imazhe malli nga Rruga e Qumështit.

AMANETI I DASHURISE

Një ditë në vdeksha
Dhe në varr të zi
Tek një fije bari
Shpirti do t`më rrijë

Dhe emrin nje ditë
Po ta lexosh mbi gur
Do gjallojë bari,
S’do t` thahet kurrë.

E nëse mbi varr
Do të qash nën zë
Besën ke harruar,
nuk do t` mbij më.

E nëse të dielave
Ke punë, s’do t`vish
Nën mermer bari
Do të vdes sërish.




DISA MENDIME PËR POEZINË E GENTJAN BANAJT
(rreth vëllimit poetik: “Ikona të Thyera”, 2008.)




nga ANDI MEÇAJ

1. (ab imo pectore*)

Në librin poetik të Gentjan Banajt “Ikona të Thyera” është edhe poezia “Fëmijë të lagjes sime”:

Luanin të qeshur ata fëmijë
Vraponin
Në rrugicën e ngushtë të shtëpisë time të vjetër.

Ishte më e gjerë kjo rrugicë dhe
S’kishte kufij me mure të larta sa ditët e fëmijërisë time.

Këta fëmijë vrapojnë mbi një karrocë bebesh.

Atje është dhe buzëqeshja jote e dlirë dashuria ime
Dhe s’kishte kufij dhe mure
Të gjerë sa humbja dhe ndarja jonë.

Ç’kam një dëshirë t’i shtyj të gjithë këta djem
Me një klithmë trumcaku mbi këtë lojë
Të mbetur si relike e fjalëve të tua
Kur unë me pantallona të shkurtra pasditesh
Dëgjoja qeshjen dhe thirrjen tënde... “shoku im, shoku im”,

Por kam frikë se do ta vras lojën
Me shpatullat prej burri
E duart e mbushura me lot nga malli për ty.

S’kishte gardhe dhe kufij midis shtëpive.

Në muret e ronitur të shtëpisë së vjetër
Me një gurëz pragu e kam gdhendur emrin tënd
Dhe aromën tënde në këtë kopsht të vogël ëndrrash
E kam ruajtur
Dhe përqafimin tënd
kur ti rrije si një verore në qafën time.

Dhe s’kishte mure fëmijëria...
Të larta sa ky shtat i trishtë burri.

Ja dhe dera ku është shkruajtur dita e fundit.

Tani është harruar, bashkë me fjalët e gjyshes
“mos e hap atë derë bir... të ikën fëmijëria, birooo”.

Por ika unë prej asaj dere dhe sërish nuk guxoj ta prek
...se ikin këta fëmijë që vrapojnë
ikën dhe ti
dhe fjalët e tua
“shoku im... shoku im”
e bëhem sërish ky trishtim,
I gjerë sa mungesa jote,
I lartë sa ky mur që nuk më lë të të shoh.

Po kalbet kjo derë,
Ndoshta nga lotët
Dhe ca nga flokët e tu të verdhë
Kanë mbetur si ditët tona
Në të çarat e saj.

Dhe e shkruaj përsëri emrin tënd dhe emrin tim
Në një gur të djegur...
...e nuk rritem kurrë për ty,
Moj shtëpiza ime e vjetër!

Gentjan Banaj në këtë poezi gjithë nota lirike e melankolike, si një “SY” i sprovuar e mjeshtëror, na kap përdore, na çon kah asaj kthine, jo të errët, por diellore, jo të harruar, por të fshehur me kujdes, jo të pluhurosur, por të mirëmbajtur në kujtesë, FËMIJËRISË.

Fëmijëria na paraqitet apo shfaqet herë si: “Rrugica e ngushtë e shtëpisë sime të vjetër”, “Pantallona të shkurtra pasditesh”, e herë me: “Rrije si verore në qafën time”, “Në muret e ronitur të shtëpisë së vjetër” e herë në paralajmërimin e gjyshes (të gjitha gjysheve të botës), “Mos e hap atë derë bir... të ikën fëmijëria, birooo!”

Dhe ajo (FËMIJËRIA) e këmbyer në dritë na del sysh përmes detajeve aq bukur të spikatura prej poetit G.Banaj, në formë lodre, të qeshure, regëtimash të para të zemrës, britmash të hareshme të shoqeve e shokëve, duke na hipur sërish mbi ato karrot e sajuara me kushineta, apo duke na rikthyer të luajmë me kaçolet e shtypura të birrave, të ngulim e të hedhim pinca** në baltë, të luajmë kukafshehtas në lulishten para pallatit apo të “luftojmë” me shpata e shigjeta me rrugicën përkarshi e të sakatojmë sërish gjunjët tanë të vegjël në “futbollin e lagjes”.

Ndihet një nostalgji e magjishme, një fluiditet, një pafajësi që i rri mbi “kokë” kësaj poezie, por aq sa të ngazëllen e të përthith me hirin e bukurisë së saj, aq edhe të ngashëren, të fut në një melankoli, por s’do ta quaja një melankoli trishte, por një trisht “të mirëdashur’ gati gati shpresëndjellës, se dikur, diku, kemi qenë ca krijesa të gëzuara, pa vramendje për atë që do të vijë, plot hare dhe mbi të gjitha e mbi të gjitha,

KEMI QENË DIELL, NJË DIELL RRËZËLLITËS, që me dritën e tij, na e ngroh shpirtin e fytyrën sa herë e kujtojmë atë (FËMIJËRINË).

2.(veritas odium parit***)

Ndër poezitë e tjera të bukura të këtij libri mund të përmend disa, por për të mos ia hequr kërshërinë lexuesit, po citoj: TRIPTIK PA KOKË (Me ato vargje aq mbresëlënëse e metafizike: .../kasapi puth gurin pas vdekjes /qengji qesh pas vdekjes... /); PA TY (Me atë vetmi të sendërtuar si sende që bien: .../Në heshtjen time /sendet e tua /Bien si copa të flakta /që zhurisin mall... /); IKJE (Me atë “perëndim” aq mallëngjyes e nostalgjik: .../Shoh flokët ku lind dielli /Dhe kuptoj që jam perëndim... /); KUR UNË (Me atë varg aq sendshpirtëzues: .../Një qiri dha shpirt... /); UNË DHE TRËNDAFILI (Me atë të kuqe trëndafili që na hedh rrënjë sa herë presim dikë që e duam: .../Ti ndoshta ke ikur /Por mua më ngacmon e kuqja e trëndafilit /Që i ka rrënjët tek unë... /); ËSHTË AG (Me atë dashuri që shfaqet e konsumohet, por si gjithnjë lë pas pamjaftueshmëri, vetmi në vetëshuarje: .../Është ag, por prapë errësirë. /Ti shfaqesh nazike /Dhe sfumohesh vetmi... /); IKONA TË THYERA (Me atë blicin e jetës sonë që herë herë na ndriçon e herë herë na lë në errësirë: .../Të pashë në blicin e një kohe /Dhe ti më pe si bust të anuar /Tek zgjasnim duart marramendsh /si arna të kohës sonë të arnuar... /); TEMPULL (Mjaftojnë pak metra katror /Për ta parë të ngujuar, /Brenda katër faqesh /Ëndrrën. /Tatuazh mbi mure! /); EMBLEMË (.../Gur që digjet qiri. /Gur-njeri,... /); KUR JAM ME TY (.../Ëndërr e bukur pas syve të tu /Më thotë ik, më lodhe, mjaft /E prej sysh të rrjedh si lot /Edhe ëndrra bëhet ankth. /) e shumë të tjera...

3.(ubi mel ibi apes****)

Poezia e Gentian Banajt (1974), është herë lirike, herë meditative e herë filozofike. Ajo lëndën poetike e mban në baraspeshë të ndjenjës e të mendimit filozofik duke mos rënduar as nga njëri e as nga tjetri krah. Metafora dhe simbolika përdoren në shërbim të asaj që do të shprehë autori, pa shpërdorim dhe duke ruajtur gjithnjë gjuhën poetike të kthjellët e me domethënie të reja.
Ky mendoj se duhet të jetë funksioni i poezisë, të ndërtojë imazhe dhe jo t’i errësojë ato. Edhe kur poezia e tij shkruhet me varg të rregullt, ajo na vjen me ngjyra të kohës, sepse brenda vetë poetit është ngjizur edhe tradita edhe përditshmëria me përjetimet e saj moderne.

Tipar dallues i kësaj poezie është se në thellësi të vargëzimit krijohet një amalgamë mes së kaluarës sonë poetike dhe të ardhmes (moderniste), e cila na shfaqet mes përthyerjesh, realitetesh dhe “historish të vogla” njerëzore që na krijojnë befasi dhe emocione estetike të veçanta.
Poeti Gentjan Banaj, vjen me librin e tij të dytë poetik pas dhjetë vjetësh.

A ia ka vlejtur kjo pritje kaq e gjatë?

Mendoj se ia ka vlejtur për dy arsye: 1) për vetë autorin që u shfaq në letrat shqipe në vigjilje të mijëvjeçarit të ri si një shpresë e re avangardë, ku ai, si dhe ne të brezit të tij, nuk e përjetuam si krijues atë periudhë kohore, se bashkë me lirinë e të shprehurit prej ndrydhjes e ndalimit të regjimit komunist, vërshuan edhe libra (sa letër e pemë të shkuara dëm!!!), shumë lumenj librash, shkruar nga njerëz që s’kishin botuar, që s’kishin folur, që bile as që kishin arritur të radhisnin aq rreshta sa të mundnin të mbushnin një faqe e jo më të botonin lloj lloj vëllimesh, sa t’i mbulonin kokë e këmbë, por ia ka vlejtur edhe për një arsye tjetër më të fortë se: 2) është një libër që ia vlen ta lexosh, e ta rilexosh. Na duhen të tillë, të na shërbejnë si shtylla orientuese në këtë larushësi antivlerash poetike e prozaike, që na serviren kudo: në TV, në librari, në rrugë, në kafene, në promovime, ku nuk ndihesh mirë mes lavdeve të pamerituara drejtuar bejtexhiut të radhës.

Dhe të gjithë ne të brezit tonë na duhet ta mbrojmë poezinë e vërtetë siç ka filluar të bëjë edhe Gentjan Banaj.

Libri ka rreth 90 poezi. Është nga të paktët vëllime poetike që do të mund të udhëtojë drejt zemrave të lexuesit poezidashës shqiptar, bile do të ankorohet e do të hedhë spirancën aty për një kohë që s’njeh kohë.

Poeti Gentjan Banaj është një vlerë në këto kohëra të këqija për “VLERAT”, ku vlerësohen fasadat, pasuritë, sa pehlivan je, sa “të fortë” të ndjekin pas, sa miq politikanë ke, ç’kostum ke veshur a ç’makinë nget, pra besoj fort se ky poet sjell atë lloj poezie cilësore e bashkëkohore që ishte e pakët, jo se para viteve ’90-të s’bëhej poezi cilësore, por sepse u hoqën ato ndrydhje e barriera censuruese. Duke u bazuar në traditën më të mirë poetike shqiptare e bashkëkohore dhe në stilin e tij të veçantë, presim që Gentjan Banaj të na dhurojë emocione të reja poetike.

Përgatiti:Flori Bruqi

2015/03/18

Shoqëria civile, pavarësia intelektuale, dhe shteti hermetik ( Me rastin e dy vjetorit të peticionit për Rrugën e Arbërit)






Dr Gëzim Alpion


Universiteti i Birminghamit

Mbretëria e Bashkuar


18 Mars 2015

Sot, në dy vjetorin e peticionit për Rrugën e Arbërit, intelektualët dibranë falenderojnë edhe një herë të gjithë nënshkruesit online dhe në formularë, numri i të cilëve ka kaluar 8,000.

Ne po ndjekim me interesim njoftimet sparodike nga qeveria për këtë projekt. Mungesa e një opozite të efektshme e bën më të zbehtë rolin e shoqërisë civile, dhe është një nga shkaqet e arrogancës dhe shurdhësisë qeveritare që po hasim që nga shtatori 2013.

Para një muaji, z. Edi Rama u shpreh për mediat italiane se në vitin 1997 “unë isha një intelektual i pavarur që përpiqesha ta bëja të mendonte regjimin e atëhershëm. Ne po përgatisnim një peticion për largimin e kryeministrit të kohës. Pikërisht në këtë periudhë ndodhi goditja me levë ndaj meje”.

Injorimi dhe heshtja institucionale i dhëmbin intelektualit edhe më fort se goditja me levë.

Po kështu të jesh i arsimuar nuk do të thotë të jesh edhe intelektual, aq më tepër i pavaruar. Pavarësia e vërtet intelektuale nuk është vokacion stinor apo trampolinë për karrierë politike. Kush ka qenë një herë ‘intelektual i pavaruar’ nuk ka frikë të përballet me intelektualë që nuk kërkojnë rrëzimin e qeverisë por dialog konstruktiv me ekzekutivin për të mirën e vendit, dhe që refuzojnë të jenë nën diktatin apo në xhepin e politikës.

Në pamundësi për të ndarë me z. Rama shqetësimet tona të ligjshme për mungesën endemike të transparencës në lidhje me këtë projekt, ne do ta ngremë zërin tonë në momentin e duhur, gjithmonë me kortezi dhe në mënyre demokratike.

Me sa duket, Rruga e Arbërit do të bëhet. Siç kemi kërkuar që në fillim, qëllimi ynë është ndërtimi i kësaj vepre me stadarde ndërkombëtare, dhe evitimi në maksimum i keqpërdorimit të fondeve që do t’u rëndojnë për shumë kohë në kurriz taksapaguesve.

Jemi të ndërgjegjshëm se puna jonë po vështirësohet prandaj ju bëjmë thirrrje sa më shumë njerëzve që të vazhdojnë të nënshkruajnë peticionin. Ne do të vlerësojmë çdo nënshkrim, edhe sikur të regjistrohet disa minuta para inagurimit të kësaj vepre me rendësi jetike për Dibrën, Shqipërinë, kombin, dhe Ballkanin.

Më poshtë mund të gjeni linkun e peticionin po qe se e shikoni të arsyeshme të nënshkruani.

Ju faleminderit.

Dr Gëzim Alpion


Ndërtoni sa më shpejt dhe me standarde Rrugën e Arbërit



Dibra është një nga krahinat më të pazhvilluara në Shqipëri. Rruga e Arbërit do të lidhë Dibrën me rajonet e tjera të vendit duke i dhënë një shtytje shumë të nevojshme ekonomisë lokale. Rruga do të lidh edhe Tiranën me Maqedoninë duke përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën në këtë pjesë të Ballkanit.



***********

Dibra is one of the most underdeveloped regions in Albania. The Arbëri Road will connect Dibra with the rest of the country giving a much needed boost to the local economy. The road will also become a new vital route between Tirana and Macedonia thus improving considerably the infrastructure in this part of the Balkans.





Përse edhe tani Edi Rama  nuk pranon të takohet me intelekualët dibranë?



Dr Gëzim Alpion


Dr Gëzim Alpion




Birmingham, United Kingdom



Jan 28, 2015



Të nderuar Miq dhe Kolegë,

Ju lutemi inkurajoni sa më shumë miq dhe kolegë të nënshkruajnë peticionin për ndërtimin e Rrugës së Arbërit.

Tani për tani, i vetmi njoftim ‘zyrtar’ nga Qeveria e Shqipërisë se fondet për këtë projekt u siguruan nga Kina, u përcuall nga z. Edi Rama në Facebook nga Beogradi më 16 dhjetor 2014.

Peticioni ynë ka hyrë në një fazë të rëndësishme. Ne do të vazhdojmë t’i bëjmë presion Qeverisë që të jetë transparente në menaxhimin e fondeve, dhe që ta përfundoj këtë vepër, siç është premtuar, brenda këtij mandati dhe në përputhje me stadarded ndërkombëtare.

z. Rama vazhdon të refuzojë kërkesën e intelektualëve dibranë për tu takuar me të për t’i dorëzuar peticionin. Për hir të transparencës, së shpejti do të bëjmë publike një shkëmbim emailesh me z. Rama në lidhje me këtë çështje.

Me respekt,

Gëzim Alpion







O MOJ NËNA E ISMET TRIMIT(Kushtuar dëshmorit Ismet Qorraj, vrarë nga policia serbe në Deçan)


Vullnet R. Mato


Vullnet  R. Mato

O MOJ NËNA E ISMET TRIMIT

(Kushtuar dëshmorit Ismet Qorraj,vrarë nga policia serbe në Deçan)

Mos qaj, moj nëna e Ismet trimit,
se biri yt në ballë të kushtrimit,
ra si yll i këputur që flakëron dritë,
për kushtetutën Kosova-republikë.

Ai bëri frymën zjarr në demonstratë,
të bëhej shkrumb e hi robëria e gjatë,
të fitonte lirinë e gjithë Kosova
Deçani, Mitrovica, Gjilani, Gjakova...

Moj nënë, ai fundmarsi i Ismetit,
Ishte thirrje për fundin e kiametit,
të shporrej çizmja sllave në çdo anë,
kufijve të lashtë të truallit Ilirian.

Ismeti u vërsul në ballë të betejës,
pa përfillur plumba e gaz lotsjellës.
Ai u priu trimave në atë log trimash,
si sokol krahëhapur mes vetëtimash.

Dhe aty përballë hijenave të policisë,
shpalli vendimin e dënimit të Serbisë,
fatin që i priste të gjithë barbarët,
pasi të rroknin armët kosovarët...

Si të gjithë trimat, në çaste heroike,
Ismeti tha për ty, moj nënë stoike:
“Mos loto për mue, amanet kam lanë,
se të kam nderue ty e Kosovën-nanë!”

Hakun e birit tënd njëzetenjë vjeçar,
morën mijëra djem e vajza kosovarë,
në rreshtat e UÇK-ës legjendare,
prandaj, moj nënë, mos qaj në varre;

Se biri yt dhe një tjetër jetë të kishte,
prapë në ballë të betejës do të ishte,
se ai kishte në deje gjak shqiptari,
dhe për pavarësi do të sulej i pari...

O moj nënë dardane, nënë heroi,
Ismeti yt ra që Kosova të rrojë,
prandaj ai trim nuk ka vdekur,
është sërish i gjallë e zemërhekur.

Dhe nuk ka për të vdekur kurrë,
se u bë shqipe për flamurë,
të valëvitej mes luftës e acarit,
në batalionin e Adem Jasharit,

Më pas kur e prisje të bëhej burrë,
të sillte në shtëpi nusen me flamur,
u bë dhëndër heroik i bajrakut kuqezi,
në dasmën e madhe Kosovë-Shqipëri.


Tiranë,18 mars 2015

2015/03/17

Rrënjët e Joshjes së Shtetit Islamik”: “ISIS e merr forcën prej ideve që kanë një jehonë të fuqishme mes popullsive me shumicë myslimane.



Kur përpiqemi t’i japim kuptim asaj që ndodh në Lindjen e Mesme, një prej rregullave më të rëndësishëm që duhet të mbajmë parasysh është ky: Ajo që politikanët këtu ta thonë privatisht, zakonisht është pa lidhje. Ajo që ka më shumë rëndësi, dhe ajo që shpjegon më së miri sjelljen e tyre, është çfarë i thonë publikisht, në gjuhën e tyre, popullit të tyre.

Ndërkohë që presidenti Obama dërgon më shumë këshilltarë për të ndihmuar irakenët që të mundin Shtetin Islamik, është shumë e rëndësishme që të dëgjojmë me kujdes se çfarë thonë publikisht aktorët kryesorë, në gjuhën e tyre, në lidhje me njëri-tjetrin dhe aspiratat që kanë.

Për shembull, Instituti Kërkimor i Mediave i Lindjes së Mesme, ose Memri, kohët e fundit postoi një pjesë të një interviste të dhënë nga Mohammad Sadeq al-Hosseini, një ish këshilltar i presidentit të Iranit, Mohammad Khatami, e cila ishte transmetuar në TV Mayadeen në 24 shtator, ku ai thoshte se Irani shiit, përmes të tretëve, ka marrë kontrollin de facto të katër kryeqyteteve arabë: Beirutit, përmes militantëve shiitë të Hezbollahut; Damaskun, përmes regjimit shiit/alavit të Bashar al-Assadit; Bagdadin, përmes qeverisë së kryesuar nga shiitët atje; dhe – për këtë shumë pak vetë në Perëndim e kishin mendjen – Sanan, ku sekti shiit jemenas pro iranian, Houthi, kohët e fundit mori kontrollin e kryeqytetit të Jemenit dhe tani dominon mbi sunitët.

Al Hosseini tha për Iranin dhe aleatët e tij: “Ne, në boshtin e rezistencës, jemi sulltanët e rinj të Mesdheut dhe Gjirit. Ne në Teheran, Damask, në periferinë jugore të Beirutit, Bagdad dhe Sana do të ribëjmë hartën e rajonit. Ne jemi gjithashtu sulltanët e rinj të Detit të Kuq”. Dhe ai shtoi se, Arabia Saudite është një “tribu në prag të zhdukjes”.

Ne mund të mos i dëgjojmë këto gjëra, por arabët sunitë i dëgjojnë, sidomos tani kur SHBA dhe Irani mund t’i japin fund luftës së tyre të ftohtë 35-vjeçare dhe arrijnë një marrëveshje që do i lejonte Iranit një program bërthamor “paqësor”. Kjo ndihmon për të shpjegur edhe diçka tjetër që mund t’ju ketë shpëtuar: militantë sunitë shkuan në një fshat saudit shiit, al-Dalvah në 3 nëntor dhe qëlluan për vdekje pesë shiitë sauditë gjatë një aktiviteti fetar.

Të paktën presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ndodhet në botën moderne. Jo, prisni pak, cili është emri që Erdogani dëshiron t’i vendosë urës më të re që po ndërton mbi Bosfor? Përgjigja: Ura e Sulltan Selimit. Selimi i Parë ishte një sulltan sunit turk që, në vitin 1514 sprapsi Perandorinë Perse të kohës së tij, të quajturit Safavidë.

Pakica Alevi në Turqi, një sekt shiit paraardhësit e të cilës u përballën me zemërimin e Selimit, ka protestuar për emrin e urës.

Ata e dinë që ai nuk ka dalë ashtu rastësisht. Sipas Enciklopedisë Britannica, Selimi I ishte sulltani Otoman (1512-20) që e shtriu perandorinë në Siri, Arabinë Saudite dhe Egjipt “dhe i ngriti myslimanët në udhëheqjen e botës myslimane”.

Më tej, ai kthey sytë nga lindja dhe iu kundërvu dinastisë shiite Safavide në Iran, e cila paraqiste një “rrezik politik dhe ideologjik” për hegjemoninë e Islamit sunit otoman. Selimi ishte i pari udhëheqës turk që shpalli se ishte njëkohësisht sulltan i Perandorisë Otomane dhe kalif i të gjithë myslimanëve.

Zëvendëspresidenti Joe Biden nuk fliste kot kur akuzonte Turqinë se po lehtësonte futjen e luftëtarëve të ISIS-it në Siri. Ashtu sikur ka nga pakëz “kolon izraelit” të Bregut Perëndimor në çdo izraelit, ashtu ka edhe nga pakëz ëndërr për kalifatin në çdo sunit.

Disa analistë turq dyshojnë se Erdogani nuk ëndërron për ndërtimin e një demokracie pluraliste në Irak dhe Siri, por më shumë një kalifat modern sunit – jo të udhëhequr nga ISIS, por nga ai vetë. Deri atëherë, është e qartë se ai preferon më shumë ISIS-in në kufirin e tij, se sa një Kurdistan të pavarur.

Siç shkruante Shadi Hamid, i Qendrës për Politikat e Lindjes së Mesme në Brookings, në një artikull për The Atlantic me titull “Rrënjët e Joshjes së Shtetit Islamik”: “ISIS e merr forcën prej ideve që kanë një jehonë të fuqishme mes popullsive me shumicë myslimane.

 Ata mund të mos bien dakord me interpretimin që i bën ISIS kalifatit, por ideja e një kalifati – entiteti politik historik që qeveriset prej ligjit dhe traditës islamike – është shumë e fuqishme”.

Në fakt, vëren studiuesi i Lindjes së Mesme, Joseph Braude, shumica e arabëve sunitë në Egjipt, Siri dhe Gadishullin Arabik në fundin e shekullit 19 “ishin kundër kalifatit të udhëhequr nga Turqia, që e kishin përjetuar. Ata thonë se ajo ishte një lloj force pushtuese”. Ishin grupet islamikë sunitë të shekullit 20, veçanërisht Vëllazëria Myslimane, që e ringjallën idenë, duke e idealizuar kalifatin si një reagim ndaj dobësisë së rajonit të tyre dhe “duke e futur në diskurin fetar”.

Për ta përmbledhur, ka kaq shumë ëndrra dhe makthe që bien ndesh mes tyre, në mendjet e aleatëve të SHBA kundër ISIS-it në Lindjen e Mesme, saqë edhe Frojdi nuk do të kish qenë në gjendje të vinte rregull. Po të dëgjoni me vëmendje, nga këto ëndrra, ajo e jona – pra demokracia pluraliste – nuk është në krye të listës.

Në Lindjen e Mesme ne duhet të mbrojmë ishujt e “mirësisë” – Jordaninë, Kurdistanin, Libanin, Abu Dhabin, Dubain, Omanin – nga ISIS-i, me shpresën që shembujt e tyre më të mirë një ditë do të mund të përhapen. Por unë jam skeptik që aleatët tanë të copëtuar, me shumëllojshmërinë e ëndrrave të tyre, mund të bien dakord për marrëveshje të reja të ndarjes së pushtetit për Sirinë apo Irakun, edhe nëse ISIS do të mposhtej.

MOSHARRIMI I FLORIPRESS-IT :YMER ELSHANI – biografi(14 qershor 1948-17 prill 1999)






Ymer Elshani


Edhe vetë ëndërronte “Çka ëndërrojnë lulet,”
Të rriten harlisur në kopshtin e vet të lirë -
Në ballë përmendoresh çdo njëra të përulet
Në shenjë t’nderimit për njerëzit më të mirë!

-“Le të vijë në Sharr pranvera” me gjelbërim
“Përjetimet e Bardhoshit” atij dimri të gjatë,
“Plaku me violinë” ato i përcjell në rrëfim-
Me “Yllin ëndërrimtar” mbi Kodrën e thatë.

Nëpër detin e tij njerëzor “Anija e miqësisë”
Sa “Guri i çmueshëm” sa “Unaza magjike”
Është bartur drejtë kah “Ishulli i lumturisë”-
Kosova kështu mendohej prej kohës epike.

“Aventurat mbi trotinetin e vjetër” perënduan
Si “Ylli ëndërrimtar” e ”Përralla për ylberin”
- “Loti udhëtar“ mbeti, shekujve që kaluan;
Prindër edhe fëmijë tok provuan zjarr-ferrin !

Është vrarë poeti thanë familja në Poklek
Kundër kodit njerëzor fjala, e shpirtit krijues,
Atë stinë nuk kënduan zogj nuk u panë lejlek
Ndër oxhaqe kullash, qiellit dukur trishtues!...

Ali M. Lajçi



Ymer Elshani lindi më 1948 në Korroticë të Poshtme të Drenasit. Kreu fakultetin për gjuhë dhe letërsi shqipe dhe një kohë të gjatë punoi në arsim. Botoi dhjetëra libra për fëmijë me poezi, tregime dhe romane. U vra dhe u masakrua më 17 prill 1999 nga forcat serbe në fshatin Poklek të vjetër të Drenasit bashkë me gruan, të katër djemtë, nënën, kunatën dhe me afro gjashtëdhjetë bashkëfshatarë të tij.




Veprat e Ymer Elshanit:

1. Anija e miqësisë (vjersha)– RILINDJA, Prishtinë,1972.
2. Çka ëndërrojne lulet (vjersha) – RILINDJA, Prishtinë. 1971
3. Ndodhitë e Hundëkarrotës (roman) – RILINDJA, Prishtinë.1971
4. Loti udhëtar (tregime) – RILINDJA, Prishtinë, 1977
5. Ishulli i lumturisë (tregime)- RILINDJA, Prishtinë,1973
6. Aventurat mbi trotinetin e vjetër (roman) – RILINDJA, Prishtinë,1975
7. Guri i çmueshëm (tregime) – RILINDJA, Prishtinë,1977
8. Unaza magjike (vjersha) – RILINDJA, Prishtinë,1980
9. Plaku me violinë (tregime) – RILINDJA, Prishtinë1984
10. Kaloresi i bardhë (poemë) – RILINDJA, Prishtinë, 1987
11. Perjetimet e bardhoshit (tregime) – RILINDJA, Prishtinë,1989
12. Ylli ëndërrimtar (vjersha) – RILINDJA, Prishtinë, 2000
13. Vajza e diellit (tregime) – RILINDJA, P. 2000
14. Njohja e trimave (tregime e përralla), ROZAFA, Prishtinë, 2000
15. Perralla per ylberin (poemë) – ROZAFA, Prishtinë,2000
16. Gjeli i kuq (tregime të zgjedhura) – ASDRENI, Shkup, 2000
17. Zogu i lirise (vjersha) – ZEF SEREMBE, Prishtinë, 2001
18. Le të vijë në Sharr pranvera (poema) – ROZAFA, Prishtinë, 2002
19. Gjelastreni mendjelehtë (vjersha) – GUTENBERG, 2001
20. Flokargjendta (tregime të zgjedhura) – ROZAFA, Prishtinë, 2004
21. Udhetimet e Xhuxhimaxhuxhit (roman) – Prishtinë, 2008


Floripress






Ymer Elshani u lind në fshatin Korroticë e Poshtme (e Ulët), me 14 qershor 1948.

Që si fëmijë 4-5 vjeç u vërejten te Ymeri shkëndijat e talenilt të lindur. Të gardhi i oborrit pothuaj se çdo pasdite tuboheshin fëmijët, po edhe të rriturit, për ta dëgjuar Ymerin duke recituar poezitë që i mësonte, ose i kishte dëgjuar prej te tjerëve. Kështu i argëtonte moshatarët që shqepeshin në gaz nga shakatë e tij.



Fëmjërinë dhe rininë e kaloi në fshat. Mësimet në klasën e parë të fillores i nisi në vitin shkollor 1955/1956. Kushtet e atëhershme ishin te rënda, e veçmas në familjen e Ymerit, pasi që babai Nazifi kishte shumë fëmijë dhe mezi e siguronte bukën për familjen shumëanetarëshe.



Në mësime Ymeri ishte përherë i shkëlqyeshëm. Për mësues e pati Hasan Kastratin nga Kizhareka, ndërsa shkolla ishte një ndërtesë e rregulluar dobët.



Katër klasë të fillores i mori ne vendlindje, pastaj ciklin e lartë të fillores e mbaroi në Komaran. Shkolla mbante emrin ”Jeta e re”.



Filloi të shkruante poezi që në moshën 10 vjeçare. Në fillim e nxiti dhe i ndihmoi daja i tij, mësuesi Fazli Greiçevci. Më vonë Ymeri do të tregojë se poezinë e parë e kishte shkruar për Diellin. Daja Fazli i kontrolloi vjershën dhe i dha kurajo. Edhe në shkollë i jepte mësim arsimtari Halil Bogaj, i cili po ashtu ndikoi te Ymeri duke i botuar poezitë që shkruante në fletushkën ”Pena e re”.



Si nxënës i klasës së shtatë botoi poezinë e parë në revistën ”Pionieri” nr. 6 te vitit 1962. Ajo titullohej ”Për gjah”.



Pas kryerjes së shkollës fillore, Ymeri vijoi mësimet për mësues në shkollën e mesme normale të Prishtinës. Që të bëhej mësues ishte edhe dëshira e dajës Fazli. Me të kryer klasën e parë të shkollës normale, i ndodhi një ngjarje tronditëse që i shkaktoi pikëllim të thellë. Ia burgosen dhe ia vranë me torturë dajën Fazli. Në varrimin e tij, Ymerit i rreshqitën lotët, por i duhej të mbahej i fortë. Në atë kohë Ymeri shkruante pandërprerë, kryesisht poezi, të cilat i lexonte në orët letrare që mbaheshin në shkollën normale. Përkrahje dhe ndihmë në rrugën krijuese i jepte profesori Rexhep Hoxha, të cilin ai e adhuronte pa masë. Këtë respekt për të do ta mbajë gjatë tërë jetës. Poezitë i botonte në faqen për fëmijë të ”Rilindjes”, në revistën ”Shëndeti” dhe në revistat ”Gezimi” dhe ”Fatosi” që dilnin ne Shkup.



Në klasën e katërt të normales iu botua vepra e parë me poezi ”Anija e miqësise”. Ishte viti 1967, vazhdonte të shkruante më intenzitet edhe më të madh. Tash ai kishte fllluar të shkruante dhe tregime të shkurtra e pjesë teatrore.



Në shtyp u paralajmërua se po e përgatiste përmbledhjen e dytë me tituill ”Baloni i kaltër”.



Në këtë libër, përveç poezive kishte përfshirë edhe tregime ”Dy motra” dhe pjesën teatrale ”Lotët e Drenushës”, ”Anija e miqësisë”.



Pas botimit të veprës së dytë ”Çka ëndërrojnë lulet” (1971), Ymeri u paraqit në konkursin letrar të ”Rilindjes” me romanin ”Ndodhitë Hundëkarrotës” ku mori çmimin e dytë.



Kur ishte në vitin e parë të fakultetit në nëntorin e 1968-ës, Ymeri mori pjesë në demonstratat që u bënë në Prishtine. Për këtë më vonë për pak të perjashtohej nga puna. I dhanë masën e dënimit parapërjashtim dhe në këtë rast e mbështeti drejtori i shkollës, Halil Bogaj, duke arsyetuar se atë ditë Ymeri e kishte mbajtur mësimin. Në ditar i kishte të shënuara orët, se ashtu e kishte sugjeruar vetë drejtori, kuptohet, në një bisedë të fshehtë me mësuesin Ymer. Kështu për pak shpëtoi nga më e keqja mesuesi i ri, por përcillet vazhdimisht nga argatët e sistemrt të atëhershëm.



Në shkollë të mesme Ymeri banoi në Prishtinë në një kasolle të vjetër tek halla Mine, e më vonë në shtëpinë e shkrimtarit Nebil Duraku. Kushtet i kishte shumë te rënda. Ushqimi i dobët, të cilin ia sillte shpesh babai Nazifi nga shtëpia. Ka ndodhur që me një spec të kalonte ditën, do të rrefente me vonë Ymeri. Babai Nazifi shiste vezë në treg; punonte punë të rënda fizike; zbrazte thasë mielli, pra me shumë pengesa arriti ta shkollojë djalin e madh, Ymerin.



Në mësime Ymeri ishte përherë i shkëlqyeshëm dhe punonte pandërprerë. Nga të ftohtit, gjatë kësaj kohe, Ymeri sëmuret bukur rëndë. I ngriheshin gishtërinjtë e dorës dhe një kohë e kalon në spital. Por ai kurrë s’u dorëzua. Posa doli mësues s’u kënaq me kaq dhe në afat rekord i kreu studimet.



Në tetor te vitit 1972 diplomoi në Fakultetin Filozofik – dega e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Pas katër vitesh që punoi në shkollën filore ”Jeta e re ” të Komoranit, kalon në gimnazin ”Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Gllogovc (tash Drenas).



Në fillim mbante ose ligjëronte dy lëndë: gjuhën shqipe dhe gjuhën latine. Pas një kohe të shkurtër zgjedhet zëvendësdrejtor i gjimnazit. Vijon studimet pasdiplomike dhe me notë të lartë 8.60 i kryen të gjtha provimet. Ndërkohë, më 1975 e kryen shërbimin ushtarak nëNovi Sad. Kthehet dhe punon edhe dy vjet si profesor në gjimnaz. Fillon të botojë studime dhe kritika për veprat e letërsisë për fëmijë.



Në revistën ”Shkëndija” ,më 1978 dhe 1979 boton disa recensione për veprat që atëherë ishin si lekturë shkollore. Përgatiti disa punime për emisionet e Radio – Prishtines.



Që nga shtatori 1977 u bë drejtor i gjimnazit, mirëpo emri i shkolles ishte ndërruar në “Mareshali Tito”. Tash gjimnazi u shndërrua në Qendra e Arsimit të Mesëm të Orientuar (QAMO). Pra, përpos paraleleve te gjimnazit të pergjithshëm, u hapen degë të reja teknike.



Organizator i suksesshëm, punëtor i palodhshëm, ai me profesorët e tjerë vinin rend dhe disiplinë të jashtëzakonshme në shkollë. Profesorët vinin nga Prishtina me furgon. Ishin këto vitet e lulëzimit të arsimit në Drenas. Dolën disa breza nxënësish të dalluar, të cilët më vonë u benë mjekë, professorë, ekonomistë etj.



Me 1978 Ymeri magjistroi me temën ”Poezia për fëmijë 1946 – 1976 në Jugosllavi”. Mentorë i pati Dr. Ali Aliun dhe Dr. Rexhep Qosjen. Komisioni e vlerësoi lart punën e bërë dhe e çmoi kontributin e kandidatit në shtjellimin e suksesshëm të temës duke i dhënë gradën shkencore magjistër i shkencave filologjike.



Pa mbushur katër vjet të punës si drejtor, më 2 prill 1981 në Drenas shpërthyen demonstratat. Edhe nxënësit e gjimnazit dolën për të kërkuar Republikë. Ymeri me profesorët dolën të obliguar për t’i percjellë nxënësit, e mundësisht sipas urdhërit të Komitetit komunal për t’i shpërndarë. Afër fabrikës së ”FERRONIKELIT” plagosen disa demostrues. Pas kryerjes së demonstratës u ndërpre mësimi në shkollën e mesme dhe në shkollat e tjera. Duhej gjetur ”fajtorët” për këto demonstrata. Fillojnë diferencimet ideo-politike. Ymeri merret në biseda informative në polici. Pas pak ditësh e përjashtojnë nga puna se gjoja ka pasur qëndrim oportunist dhe është përgjegjes për demonstratat që u bënë në Gllogovc. Kështu mbeti pa punë poeti edhe profesori Ymer Elshani.



Erdhën ditë të zymta dhe një diferencim e ndjekje policore ndaj tij. Autorit të tetë veprave iu ndalua publikimi i shkrimeve. Ndiqej këmba-këmbës nga shërbëtorët e SPB-së.

Aneksat( ankesat!!) që i bëri gjyqit Ymeri për padrejtësi që ia bënë, iu refuzuan. I dhanë përgjigjje: je i papërshtatshëm për arsim.



Pesë vjet Ymeri mbeti në shtëpi. Punonte në ara, në kopshtije. Ishte bërë bujk i mirë, por letërsinë dhe krijimtarinë letrare nuk e la. Shkruante poezi, poema, tregime dhe me një qëndresë të pashoqe u bënte ballë furtunave që ia imponuan forcat reaksionare dhe njerëzit shpirtëzinj.



Megjithatë, Ymeri më në fund, pas një kohe të gjatë punësohet në fabrikën e ,,Ferronikelit” si përkthyes. Kjo ndodhi në 1985.

Do cekur se sa ishte i papunë e përkrahu shkrimtari Rifat Kukaj, i cili ia kishte dhënë dhe të përkthejë librin, ”Nje mije e nje net” dhe ia boton veprën me tregime ”Plaku me violinë” (1984).

Në” Feronikel” punon deri më 1992. Prapë e largojnë nga puna si ”tepricë teknologjike”.



Më 1994 kthehet në arsim. Këtë herë prapë në gjimnaz si zëvendësdrejtor. Në rrethana të rënda për arsimin tonë, Ymeri prej vitit 1996 emërohet këshilltar për lëndën e gjuhës dhe letësisë shqipe. Me elan të përtërirë, me tërë potencialin punoi në mirëvajtjen dhe përparimin e arsimit. Shkonte në të gjitha shkollat e komunës së Drenasit. Hospitonte në orë, jepte udhëzime dhe inkurajonte punëtorët e arsimit për të mbijetuar arsimi në gjuhën shqipe, që ishte në rrezik të shkatërrohej ngaSerbia.



Kur lufta filloi, më 1998 Ymeri kishte vendosur të mos largohej nga vendlindja. Disa ditë ishte në Prishtinë, por menjëherë u kthye në fshat.



Pas intervenimit të NATO-s Ymeri, më 15 prill 1999 u dëbua nga fshati bashkë me tërë familjen.U vendos në fshatin Poklek i Vjetër, por gjithnjë mendonte të kthehej në shtëpi.



Më 17 prill 1999, herët në mëngjes tenton të depërtojë në Drenas me familjen e tij, me babanë, nënën dhe të tjerë, por te vigu, mbi lumin Drenica, gjysmën e turmës policia serbe i kthen prapa duke u thene: ”Kthehuni ku keni qenë. Askush s’do t’ju prek!”



Ymeri, me gruan, me 4 djemtë dhe me kunaten Shukriein strehohen në shtëpinë e Sinan Muçollit për t’i terur rrobat dhe për të pushuar pak aty. Atë ditë binte shi rrëke dhe bubullinte pa u ndalur.



Dy policë serbë hyjn në shtëpinë e Sinan Muçollit. I marrin Ymer Elshanin dhe Sinan Muçollin dhe pas pak ua shuajnë jetën mizorisht 52 njerëzve (vetave): gra, vajza, fëmijë të Muçollëve, të Carakëve, të Elshanëve që ndodheshin në një dhomë në katin e parë të shtëpise së Sinan Muçollit.



Polici hyn aty. E hedh nje bombë. Nxjerr pushkën automatike dhe i vret 51 veta. Këtu, përveç Ymerit, vritet e shoqja Nafia, 4 djemtë e Ymerit: Ardiani, Mirani, Kujtimi, Nderimi dhe kunata Shukria. Të nesërmen në një shtëpi afër vritet nëna e Ymerit, Nailja, e cila ishte motra e Fazli Greicevcit.



Pra, Ymeri pati fund tragjik, se vritet nga serbët sikur daja i tij. Rënia e tij e dhembshme shkaktoi pikëllim të madh në popull, veçanërisht në zemrat e atyre që e njohen dhe e çmuan për karakterin dhe madhështinë etike që e karakterizonin atë deri në renien në altarin e atdheut.



Mirëpo, poeti nuk vdes. Ai dhe vepra e tij jeton për jetë të jetëve. Kujtimi për dëshmorin Ymer Elshani është i përjetshëm.(Arif Veliu)

http://floripress.blogspot.com/2012/04/poeti-ymer-elshani-nuk-vdes.html


*****



Në ditët më të vështira të qenjes sonë kombëtare, kur Drenica ndizej flakë dhe masakrohej nga bandat e egra çetnike, u vra edhe poeti Ymer Elshani bashkë me katër bijtë, nënën, gruanë dhe kunatën.. Vrasja e tij aq tragjike jehoi me dhembje të madhe në të gjitha viset shqiptare dhe në diasporë, ngase Ymer Elshani ishte një poet i madh për fëmijë dhe të rritur i cili kishte bërë emër të pavdekshëm në letërsinë bashkëkohore shqiptare.Kur ishte drejtor i Gjimnazit’’Skënderbeu’’të Drenasit/, për t’u takuar me të kishte shprehur interesim edhe i madhi Ismail Kadare/.Kjo donte të thoshte se poeti Ymer Elshani kishte zënë rrënjë të thella në letëtrsinë tonë dhe ishte bërë njëra ndër figurat më të shquara të saj, duke na dhuruar vargje të fuqishme në poezi dhe prozë.

Ymer Elshani ishte një burrë i qetë, të cilin më duket se po e shoh duke ecur në këmbë nga fshati i lindjes deri në shkollën fillore’’Jeta e re’’të Komoranit për t’i vijuar mësimet, ku isha edhe unë nxënës një vit pas tij.

Se poezia dhe arti letrar është një dhunti të cilën nuk mund ta posedojë gjithkush, tregonte edhe fakti se Ymer Elshani vërtet ishte një poet i lindur që nga vitet e para të shkollës fillore kur i botoheshin vjershat në revistat tona të atëhershme për fëmijë.Emri i tij filloi të shkëlqente qysh si fillorist për të vazhduar edhe në bankat e Shkollës normale në Prishtinë dhe për të shkëlqyer si një meteor i ndritur i nënqiellit letrar shqiptar sa ishte në Degën e Gjuhës dhe letërsisë shqipe ku kisha fatin të studioja së bashku me të dhe me disa emra të tjerë të shquar të poezisë dhe prozës sonë si Sabri Hamiti, Agim Deva, Eqrem Basha, Hasan Hasani, Mexhid Mehmeti ,Jusuf Gërvalla, Zeqir Gërvalla dhe disa të tjerë.

Ymer Elshani, siç u tha edhe më lart, përherë ishte i qetë dhe i ëmbël me të gjithë, duke u dalluar në çdo aspekt me praninë e vetë në mesin tonë. E mbaj mend edhe faktin se ai ishte studenti i parë i cili e kreu provimin e Letërsisë botërore te profesori i ndjerë Hasan Mekuli. Ymeri kishte përgatitje solide ngase mësonte, lexonte dhe përgatitej deri në maksimum që t’i kryente të gjitha provimet/ashtu si edhe të gjithë ne/ për t’u punësuar sa më shpejt që ishte e mundur ngase ato ishin vitet më të vështira kur mbarë familjet tona prisnin me padurim që bijt dhe bijat e tyre shkollarë t’ua ngjisnin dorën sa më parë për t’i ndihmuar në luftën e tyre të përhershme kundër skamjes dhe mjerimit që i pllakoste të gjitha viset e Kosovës së asaj kohe. Dhe më në fund erdhi dita kur edhe Ymer Elshani e kreu Fakultetin dhe siç thoshim atëherë,’’Hyri në punë’’në Gjimanzin’’Skënderbeu’’të Drenasit të sotëm për ta derdhur tërë talentin e tij të fituar nga puna e tij titanike në shkollim të lartë, përkatësisht për t’ua ofruar atë dituri nxënësve të tij të dashur për të cilët bëri shumë në disa drejtime, përveç tjerash ,duke shkruar me mijra vargje në prozë dhe poezi.

Pasiqë edhe unë punoja në atë Gjimnaz, po më duket se po e shoh Ymerin me modestinë e tij të njohur tek i përgatiste mësimet për t’i spieguar, të cilat ishin studime të vërteta me të cilat mahniteshin nxënësit e tij.Por nuk kaloi shumë kohë si profesor dhe me dëshirën e arsimtarëve të tjerë nga Bashkësia punuese, Ymer Elshani u zgjodh drejtor i shkollës për ta treguar edhe aftësinë organizative si udhëheqës i një kolektivi aq të madh.Nuk zgjati shumë dhe pas demostratave të vitit 1981 u burgos me pretekst se nuk i kishte ndalur nxënësat që të mos merrnin pjesë në demostratat e atij viti të cilat e vërshuan mbarë Kosovën.Ai u dënua me burg disavjeçar duke mbetur i pathyer në idealet e veta arsimdashëse dhe kreative. Pra edhe në ato raste shumë të vështira për çdo njeri, Ymer Elshani qëndroi stoik dhe i papërkulur ndaj sfidave dhe furtunave që e kapluan, tamam si një shkëmb graniti dhe duke thënë me buzëqeshjen e tij karakteristike’’Se burgu është për burra’’.Më kujtohet një natë e tërë kur ndenjëm zgjuar në shtëpinë time dhe folëm gjërë e gjatë për përjetimet e tj të vështira si intelektual në burgjet serbe.Më tregonte me hollësi për gjithçka nëpër të cilën kishte kaluar, por frikësohej së tepërmi për fatin e mëtejmë të krijimeve të veta të cilat vërtet do të bunkerizoheshin pasiqë pas dmostratave filloi ai diferencimi i njohur famëkeq dhe thuajse me llupë përcillej çdo botim që bëhej në Kosovë.Filluan edhe dënimet drakonike të autorëve patriotë,siç ishte edhe Rrahim Sadiku që i mbajti më se tri vite burg për botimin e prozës’’Musafirët nën maska’’kushtuar ardhjes së policisë jugosllave në vendin tonë pas ngjarjeve që e tronditën deri në themel shtetin artificial serbosllav.Përveç autorit të shkrimit u dënua edhe redaktori/Sabedin Haliti/por edhe shkrimtari Arif Demolli.

Ato ishin vitet e Golgotës intelektuale shqiptare kur përveç tabuve të mëtejme, përpiqej të revidohej edhe kultura mbarëshqiptare e cila, kinse i paska ‘’indoktrinuar’’gjeneratat tona të reja dhe paskan harruar ato’’ta shijojnë lezetin’’ që ua afronte sistemi serbo-titoist!Kjo edhe ishte ironia më e madhe me të cilën manipulohej për të na’’disiplinuar’’përherë me burgime të reja.Komitetlinjtë dilnin e hynin nëpër institucionet tona kulturo-arsimore duke shpresuar se nuk do të prekej vetja e tyre por erdhi një ditë kur edhe ata u hoqën nga kolltuqet e buta për ta përjetuar fatin e njejtë me popullin e tyre të vuajtur.

Në këto kushte dhe rrethana u burgos Ymer Elshani me emrin e të cilit është e lidhur një periudhë e caktuar e zhvillimit kulturo-arsimor të Trevës së tij të dashur nga e cila nuk u largua asnjëherë, ngase ai ishte i lidhur me vendlindjen dhe rrethin që e rriti dhe e burrëroi, edhepse kishte mundësi dhe oferta që të vendosej në Prishtinë si edhe shumë intelektualë të tjerë të njohur që vinin në kryeqendër nga të gjitha viset e Kosovës.

Dhe në fund, për të qenë ironia më e madhe dhe për t’u shprehur deri në kulminacion ndjenjat e veçanta shtazarake të një regjimi të egër, vrasësit jo vetëm që nuk ishin kënaqur me ekzekutimin, sigurisht të porositur, por trupin e tij e kishin hedhur në një pus/bunar/!!!Po e përsësris një shprehje të shpeshtë: Ja deri ku kishte mundur të shkonte çmenduria njerëzore!(Halit Bogaj: Ymer Elshani - Një vrasje mizore më 17 prill 1999).

Mbi heronjtë jetimë dhe inflacionin e lavdisë

(Ose: skicë për portretin e harruar të shkrimtarit Ymer Elshani, vepra e të cilit është më e madhe se tonelatat e disa përmendoreve që po mbijnë anë e kënd atdheut)

Asnjë pengesë nuk ka qenë aq konstante dhe aq e rëndë për t’u tejkaluar sa ka qenë konfuziteti dhe Emin-Azemi-12pasiguria për ta menaxhuar periudhën e pasrobërisë. Se sa një luftë e armatosur është e suksesshme, kjo varet nga cilësia e menaxhimit të paqes që prodhon ajo luftë dhe nga komponentja gjithëpërfshirëse e resurseve që kanë kontribuar para dhe gjatë luftës së armatosur. Një luftë e armatosur nuk mund të jetë e izoluar nga shumë faktorë të tjerë, që shpesh kanë qenë edhe vendimtarë për t’i dhënë luftës dinamizëm dhe gjithëpërfshirje.

Sot kur kujtojmë Epopesë së lavdishme të UÇK-së, dhe rënien heroike, bashkë me familjen, të komandantit legjendar, Adem Jashari, nuk na shkon mendja të heqim as edhe një miligram nga burrëria, trimëria dhe vetëflijimi i atyre që në stuhinë e viteve 1998-‘99 në vend se të flinin rehat e butë dikund larg zonës së rrezikut, ata megjithatë, u bënë një me kushtrimin e atdheut për të sjellë në Kosovë lirinë e munguar dhe të cunguar.

Në aspektin psikologjik, liria mund të konceptohet në mënyra të ndryshme. Por procesi më i vështirë i triumfit të lirisë është kur armiku i jashtëm zëvendësohet me një demiurg të brendshëm. Të mposhtësh lakmitë e brendshme, thonë psikologët, është lufta më e vështirë e individit.

Realiteti ynë, fatkeqësisht, është i mbushur plot me tipa që në luftë u treguan heronj, kurse në paqe u mundën nga lakmia dhe paraja. Heronjtë e luftës u shndërruan në antiheronj të paqes.

Një burrë i mençur i Karadakut që moti kishte pas thënë: ‘Ka shumë njerëz trima që plumbi i pushkës vështirë i rrok në luftë, por pas luftës ai e vret veten me punët e pahijshme që bën’.

Privilegjet e fituara me kollajllëk në paqe, kanë prodhuar irritim të paparë tek shtresat e gjera të njerëzve dhe nuk janë të paktë ata që shtrojnë zëshëm pyetjen: “pse u bë lufta?”.

Gjithmonë do të ketë pyetje të vështira, por liria e një populli matet pikërisht me gatishmërinë për të dhënë përgjigje edhe atëherë kur dikujt ajo nuk i konvenon.

Okupimi nga antiheronjtë mund të jetë vazhdimi i një lufte të pashpallur. Kauza kundër këtij okupimi do të duhej të jetë liria e vërtetë për të cilën janë flijuar luftëtarët e UÇK-së. Alternativa e luftës për liri është vetëm flijimi, por jo edhe zhvatja. Jo edhe monopolizimi i fryteve të luftës.

Duke rënë pahetueshëm në grackën e këtij monopolizimi, mediat, institucionet relevante dhe shoqëria në përgjithësi, sikur kanë harruar se lufta e para 15, 16 vjetëve i kishte edhe heronjtë e saj të heshtur, por të mbetur jetim në ditët e sotme. Për ta sot nuk lexon askush një fjalë përkujtimore, nuk këndon një këngë, nuk ndërton një kullë. Dhe, më e pakta, me emrat e tyre nuk nderohet ndonjë shkollë, rrugë, shesh, institucion etj.

Të rënët në luftërat çlirimtare nuk therorizohen vetëm për idealet për të cilat kishin luftuar, por edhe për të reflektuar tek të gjallët idenë e menaxhimit të lirisë. Kështu është fati i heronjve. Ata, vdesin për të sprovuar ndërgjegjet e të gjallëve.

Kishte prej tyre që, në heshtje e pa zhurmë, gjithë jetën ia kishte kushtuar çështjes kombëtare, dhe nuk kishte mbetë mangut me asnjë obligim ndaj atdheut, por që sot ngelin nën hijen e kapotave të rënda të komandantëve.

Njëri prej tyre është edhe shkrimtari nga Drenica, Ymer Elshani (1948), një autor model i letërsisë për fëmijë, emri i të cilit sot as që përmendet dhe shumë pak njerëz në opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar e dinë se ai, dhe shtatët anëtarë të tij të familjes, u dogj dhe u masakrua mizorisht nga forcat barbare serbe, në prill të vitit 1999.

I gjithë diagrami krijues, moral e kombëtar i Ymer Elshanit ka qenë i mbushur me ngjyrat autentike të tokës të Kosovës dhe me një talent të rrallë këto ngjyra ai i përdori për të portretizuar njeriun e vogël por të madh në shpirt, ashtu siç ishte vetë ai. Drenica, prej nga vinte shkrimtari Ymer Elshani, i kishte shërbyer atij si një lum gurgullues ku krijimtaria e tij e bujshme kishte shuar etjen. Por, ai vetë kishte mbetur i etur për lirinë që ia kishin zaptuar bajlozat e zi të Karpateve dhe në asnjë çast s’kishte menduar ta braktisë vendlindjen, edhe përkundër presioneve të shumta që vinin nga pushteti i atëhershëm. Ymer Elshani nuk u bë komandant për të udhëhequr të tjerët dhe uniforma e vetme e tij ngeli profili prej krijuesi e njeriu që e kultivoi me xhelozi deri në sekondën e fundit të jetës. Ai nuk u bë lider, por udhëhoqi veten për të qenë shembull për të tjerët që të mos e braktisnin vendlindjen, edhe atëherë kur ajo bëhej e padurueshme për të jetuar.

Ai nuk e braktisi vendlindjen edhe atëherë kur e pushuan nga puna në vitin 1985, kur ishte drejtor i gjimnazit të Drenasit, por as atëherë kur sërish e dëbojnë nga Feronikel-i, sepse edhe puna e tij prej përkthyesi që bënte, për dikënd ishte e rrezikshme.

Për të kuptuar pak më tepër mbi momentet e fundit të jetës së këtij shkrimtari martir, i referohemi librit të dr. Xhevat Sylës ‘Universi i mirësisë’ (Prishtinë, 2008), konkretisht faqes 20, në të cilën, ndër të tjera gjejmë edhe këtë përshkrim rrëqethës: ‘më 15 prill 1999, herët në mëngjes, ai (Ymer Elshani) bashkë me gruan, fëmijët, nënën, babanë e bashkëfshatarët e tjerë tentojnë të hyjnë në Drenas, por policia gjysmën e asaj turme e kthen parapa, me premtimin se nuk do t’i prekte. Ymeri me të vetët, por edhe me bashkëfshatarë të tjerë, strehohen në shtëpinë e Sinan Muçollit për t’i terur rrobat e bëra qull nga shiu që binte rrëke, me vetëtima e bubullima të pandalura. Po atë ditë, në orën 17:00 policët serbë kishin hyrë në shtëpinë e Sinan Muçollit dhe nga turma e strehuar aty, ku kishte edhe mjaft fëmijë, gra, vajza, kishin nxjerr Ymer Elshanin dhe Sinan Muçollin. Sapo i kishin nxjerrë jashtë, ishin dëgjuar krismat e automatikëve, të cilët ua kishin shuar jetën mizorisht. Pas kësaj policia kishte hedhur bombë në dhomën ku qëndronin të strehuarit e tjerë, pesëdhjetë e shtatë vetë. Ndërkohë, nëpër tymin që përshkonte krimin e paparë në atë dhomë, një polic zbraz breshëri plumbash nga automatiku. Mbetën të vdekur pesëdhjetë e tre vetë. Në mesin e tyre ishte edhe bashkëshortja e Ymer Elshanit, Nafija (45 vjeçe), me të katër bijtë: Ardianin (25), Miranin (20), Kujtimin (15) dhe Nderimin (10), si dhe kunata, Shukrija, Të nesërmen, në një shtëpi afër vritet edhe nëna e Ymer Elshanit’.

Sa veta deri më tani në opinionin e gjerë publik e dinë të vërtetën se si përfundoi

një shkrimtar i madh i Kosovës, bashkë me familjen dhe bashkëfshatarët e tij. Apo, për t’u përmend emri, paska qenë dasht të ishe komandant, apo ndonjë figurë e shquar e ilegales së atëhershme? Ymer Elshani nuk ishte komandant, por me vargjet e tij u rritën dhe u frymëzuan vogëlushët e Drenicës dhe mbarë Kosovës, të cilët një ditë do të dilnin në frontin e luftës çlirimtare. Mjafton që ata vogëlushë u bënë komandant, por sa prej tyre sot ndiejnë përgjegjësi për këtë pakujdesi dhe indiferentizëm ndaj mësuesit, atdhetarit e shkrimtarit Ymer Elshanit?!

Ngjarjet e ashtuquajtura të mëdha që po i servohen publikut, kanë filluar ta eklipsojnë njeriun e vogël, njeriun e sakrificave sublime gjatë viteve dramatike. Koncentrimi i vëmendjes publike vetëm tek manifestimet pompoze që po prodhojnë njëfarë lavdie politike dhe elektorale, e ka bërë pa sens kujdesin tonë moral e kombëtar ndaj atyre mikrongjarjeve që ishin magma vullkanike e historisë sonë më të re. Zakonisht në rrethana të tilla ka gjithnjë e më shumë personazhe të harruar të kësaj historie, të cilët paguan kosto të lartë qëndrimin e tyre të palëkundur në kushte kur ishin të vetëm para vrasësve mizorë serbë, të pambrojtur, jo rrallë, edhe nga vetë luftëtarët e UÇK-së.

Të gjithë këta njerëz janë viktimë e harresës që vjen nga defokusimi publik. Në mungesë të një gazetarie pak a shumë hulumtuese, këta fate njerëzish ngelin “libra të mbyllur” që askush nuk ua lexon tmerret që përjetuan.

Kjo mënyrë e selektimit të heronjve me dhe pa epoleta, me dhe pa familje të mëdha, shkurajon idenë e të qenit kompakt në tribuna e manifestime ku mungojnë familjarët e atyre që sot as që u përmenden emrat. Kompleksi i epërsisë së të fuqishmëve, i atyre që sot veshjen e pushtetit e konsiderojnë privilegj e jo obligim, kanë konstruktuar një makineri të çuditshme për bluarjen e lavdisë për do interesa meskine e klienteliste.

Lavdia që ia zë frymën lirisë dhe bëhet peng i mburracakërisë, të përkujton tribalitetin e kohëve të lashta kur midis shkretëtirës së skamjeve e harambashllëqeve, lirizaptuesit projektonin delirin e luksit.

Ymer Elshani edhe pa kurorat e lavdisë postume, mbetet i paharruar, sepse janë veprat ato që e bëjnë atë të veçantë në letërsi dhe stoik në jetë. Shumë prej atyre që sot krekosen me lavdinë e huazuar nga trimëritë kolektive që mbajnë vulën e anonimitetit, do të donin të kishin një miligram dinjitet nga shkrimtari i madh Elshani, por kjo nuk bëhet me porosi dhe telekomandë.

Njeriu i madh lind, ai nuk bëhet. Ymer Elshani lindi pak më i madh se gjithë ne që lirinë dhe dashurinë e atdheut e mësuan nga veprat e tij.(Emin Azemi)


Poezi nga Ymer Elshani 

ÇELËSI I ARTË

Çelës i artë është – mirësia,
Çelës të tillë pranvera ka;
Tërë natyrën
Ngjall, bleron -
I gëzon njerëzit në botë shqim
Dhe çdo zemër hap – pushton!

Çelës i artë është ngrohtësia,
Çelës të tillë dielli ka;
Botën ngjall,
I jep jetë –
Nuk kursen rrezet e tij
Dhe çdo zemër e hap lehtë!

Çelës i artë është – fjalë e ëmbël,
Çelës të tillë mund të kemi
Unë e ti,
Të gjithë sa jemi;
Fjala e ëmbël bën mrkulli –
I hap zemrat si me magji!...




SHQIPONJA

Shqiponja e mprehtë – vetëtimë,
Vetëtimën e ka marrë –
Nga retë e qiellit.

Bebëzat e mbushura –
Shkëlqim,
Shkëlqimin e ka marrë –
Prej rrezeve të diellit.

Në qiellin e gjerë arbëror
Valon si flamur – kurorë.

Krahët – shkëmb i fortë,
Fortësinë ia kanë rritur –
Ndeshjet me stuhi.

Zemrën – flakadan i plotë,
Zjarrin ia ka shtuar –
Etja për liri!...

Në qiellin e gjerë arbëror
Qëndron si roje – kurorë.



ASNJË DITË KOT NUK VJEN…

Asnjë ditë kot nuk vjen
Sjell dhurata – a s’e vëren?
Bletës një shportë mjaltë –
Pas fluturimit t’gjatë;
Minatorit xehe shumë –
Pas djersës t’derdhur lumë;
Lokomotivistit – udhëtime t’reja –
Nga Lublana der’te Peja;
Muratorëve – në soliter
Një kat të ri përnjëherë;
Lonit, Teutës e Meritës
Pesa n’detyra t’matematikës;
Mollës së re – plot sytha;
Kërmillit t’vogël – dy britha;
Peshkatarit larg në det
Pas lodhjes – peshk në rrjetë…
Asnjë ditë kot nuk vjen
Sjell dhurata – a s’e vëren?
Se ç’do t’marrim peshqesh
Do të varet dhe – prej nesh…



METEORËT E TOKËS

Llambat –
N’koka t’minatorëve
Kur zbresin n’galeri me radhë

Ngjajnë
Në meteorë të bardhë

Fenerët
E xixëllonjave që enden
Mbrëmjeve mbi lumë, sharrak

Ngjajnë
Në meteorë endacakë.

Sytë e nënave
Kur i përqafojnë fëmijët
Me dashuri të zjarrtë

Ngjajnë
Në meteorë të artë.




DASHURI ARITMETIKORE

Njëshi dhe Zeroja
u takuan njëherë
moti në pikë të ditës,
në një faqe të Aritmetikës.

- Ah, sa e bukur qenke,
o Vashëz flokëblertë,
o Vashëz faqeplotë!...
psherëtiu Njëshi atëbotë.

- Edhe ti paske
hundë të bukur, të drejtë!...
foli, e emocionuar Zeroja
me një zë të butë, të lehtë.

U shikuan me ëmbëlsi.
U shikuan me simpati.
Pranë e pranë u afruan.
Dhe nga ajo dashuri
e madhe e sinqertë
lindi atëbotë – numri 10!...




A SHIHET SHARRI?

Vallë nga ai Yll
Si xixë zjarri

A shihet Sharri?

Vallë nga ajo Kometë
Me ngjyrë rubini

Si duket Drini?

Vallë nga ai Planet
Në orët e vona

A duket Kosova?

Vallë nga Hëna
A mund të shoh

Kur buzëqesh nëna?


Nëse është e mundur
Kjo gjë – s’përtoj

Në Hënë të udhëtoj.



DALLËNDYSHJA

Shigjetë e qiellit.
Gjerdan i prillit.

Një fole e ke
N’strehë të shtëpisë,
Tjetrën – n’zemrat tona
Çerdhe t’dashurisë.

Ëndërr e kroit,
Plepit, lumit, ftoit.

N’pranverë ia shton
Një kat haresë,
Kur ik në vjeshtë
E ruajmë n’kujtesë.

Yll i kaltrisë.
Motër e puhisë.

Me diellin n’kraharor
Pas diellit udhëton.
Retë s’e pengojnë,
Deti s’e frikëson.




TELEGRAMET E PIKËS

Në fund të çdo fjalie,
Kur mendimi mbaron,
Unë e kam vendin. Stop.
Kjo duhet t’i jetë
E qartë çdo fëmije
Dhe të mos harrojë. Stop.
Nëse dikush pyet
Atëherë Pikëpyetjen
Zëvendës kam. Stop.
Nëse uron, dëshiron e përshëndet
Atëherë Pikëçuditja
Më zëvendëson. Stop.
Po të më përdorin
Gjithnjë ku duhet
Do të kërkoj. Stop.
T’u vëhet prore
Pesë në drejtshkrim
Stop. Stop. Stop.

31.5.1987




RREZJA

Biletë as pasaportë s’ka
Nëpër botë udhëton pa pra.

Bie në gur – s’thehet
Bie në thikë – s’prehet

Pa zile, pa këmborë
Zogjtë në çerdhe, pyje i zgjon.

Bie në det – s’mbytet,
Bie në baltë – s’zhytet.

Tërë botën pallat e ka
Diellin në hapësirë e quan Baba.




VALLJA E KALTËR

Kur detet
Në t’gjitha kontinentete
Rroken
Dorë për dore
Në një valle
Të kaltër –
Vëllazërore
Bashkë me oqeanet
Nga t’katër anët
Atëbotë
Kjo është vallja
Më e gjatë
Në botë!
Globit
I buzëqesh fytyra,
Është i gëzuar,
Kur sheh
Bijtë e tij
Të hareshëm,
Të bashkuar!...




PËRQAFIMI

Dielli e përqafon
Tokën –
Me rreze t’arta.

Deti e përqafon
Tokën –
Me vale të kaltra.

Ylli e përqafon
Tokën –
Me syrin gëzimplotë.

Unë e përqafoj
Tokën –
Me buzëqeshje t’ngrohtë!...




YJET

Margaritarë –
Në gjerdanin gjigant
Të kaltrisë.

Sy kurreshtarë –
Në ballin e madh
Të Gjithësisë.

Stoli –
Në xhaketën kaltroshe
Të kupës së lartë.

Inxhi –
Në kraharorin e madh
Të qiellit t’kristaltë.



QËNDRESA

E sulmoi me acar veriu,
E sulmoi me pjalm dimri,
Por kokrra e grurit qëndroi!
Nga ajo u mbush në verë
Plot me kokra t’reja kalliri…

E sulmoi lukunia e ujqve
Tufën e pafajshme n’vërri,
Por dreri brirëmadh qëndroi!
Në këtë luftë aim bet I shtrirë
Por shpëtoi grigja e tij…




KARCELLI DIKË

Tha
Karcelli Dikë

- I pari
Dua t’jem n’atletikë!

I pari
- Në kërcime.

I pari
Në rrotullime

I pari
-N’ vrapime.



BUBULLIMA

Daulle e reve –
Fishek i hedhur në tokë.

E qëllon lisin,
Por lisat nuk zhduken
Lisa ka shumë në bokë!

Krismë e patkonjve
Të kuajve të zi’.

E djeg barin,
Por bari ka rrënjët
Rritet përsëri!

E reve kryeneçe
Shamatë e gjatë

Që grinden për rrugë
E rrugët s’kanë skaj
Në qiellin e lartë!



Poezitë janë zgjedhur nga librat e poshtëshënuar.

“YLLI ËNDËRRIMTAR” , “Rilindja” - 2000

“ZOGU I LIRISË” ,“Zef Serembe” - 2001

“GJELASTRENI MENDJELEHTË” , “Gutenberg” - 2003


Poezitë i përgatiti poeti  Xheladin Mjeku

“HISTORIA PËRSËRIT VETVETEN, SË PARI DUKE U PARAQITUR SI TRAGJEDI, SË DYTI SI FARSË”!

kopje lushi

Fadil Lushi 



.....

 Nëse mua nuk më mashtron mbamendja, do t’i kthehem vakisë së 28 Nëntorit të motit 2012, kur njëqind vjet më parë, mendjendrituri dhe atdhetari vlonjat, Ismail bej Qemali, diku në një lagje të kasabasë së Vlorës shpalli mëvetësinë e shtetit shqiptar. Se ajo ditë u karakterizua me eufori të pakontrolluar e diku-diku e ngjyrosur me “tallava”, të gjithë ne sot jemi të vetëdijshëm. Se, ishte një ditë e veçantë edhe këtë e dimë…, se ato hapësira u kuqërrisën me flamurin shqiptar, edhe këtë e kemi në dijeni, por ama, se atë ditë e “shndërruam në një tallagan të qëndisur”, sot e kësaj dite, së paku unë, nuk jam i ndërgjegjshëm. Në atë ditë gjithandej u valëvit flamuri kombëtar. Ishte kopjuar në qindra mijëra ekzemplarë. Atë e tundën edhe foshnjarakët dhe s’dimë kush tjetër. Vetëm dy miqtë e mi (bashkëmoshatarë) nuk donin ta valëvitnin flamurin!? Njëri është kumarxhi (njihet si tregtar flamujsh i provuar në vite si dhe me synimet e tij zhvatëse), ndërkaq tjetri njihet si ikona e ndërgjegjes kombëtare-tetovare. Që të dyve ua parashtrova të njëjtën pyetje se pse nuk po e valëvitin flamurin!

I pari, më dha këtë përgjigje: “Or qerrata, ç’më duhet mua ta valëvis kur me atë unë luaj kumar, e kopjoj dhe e shes si sapunin për djathë”!???

I dyti, sikur “hazërxhevapin” e kishte në xhepin e djathtë të xhupit, atë xhup që shumë kohë më parë ia kishte dhuruar një atdhetar nga një qytet shqiptar rreth shtetit amë…, më tha: “Eh, ti miku im, sa (nuk) më pëlqen kjo pyetja jote…, jo se nuk ma do xhani ta valëvis flamurin, por më ka “tradhtuar takati”, s’i bëj dot ballë përgjegjësisë morale…, nuk mund ta mbaj, ka peshë të madhe, aq sa rëndon pesha e dheut të vatanit”!

Në përgjigjen e ikonës nga Tetova nuk kishte indiferencë, nuk kishte profka, pendime, paragjykime, parafrazime politike a pseudopatriotike, përveç një dozë dyshimi sa u përket personazheve të tragjikomedisë shqiptare, të cilët frymojnë dhe veprojnë këtejpari hapësirave të fushëpollogut, e të tjera konceptime të qarta dhe të qëndrueshme. Përgjigjja e kumarxhiut ishte boshe, ai kishte mendjen te evenimentet e radhës që do të organizoheshin për këtë qëllim, ai ka mendjen te “tyxharllëku”!

Unë deri para ca kohësh nuk “doja t’i besoja” asaj parashtresës filozofike të gjermanit se “historia përsërit vetveten, së pari duke u paraqitur si tragjedi, së dyti si farsë” (ai vëllaçkoja im më tha: kush je ti që të mos besosh). A mos vallë disa ditë më parë nuk u përsërit ajo historia e klubit të futbollit “Shkëndija” nga Tetova…, a mos harruam kur para shumë vitesh ne, tifozët e saj, e ndëshkuam atë me largim nga Liga e parë…, a mos vallë këta të rinj, tifozë të “Shkëndijës”, nuk kanë dëgjuar shpjegimet e prindërve dhe të gjyshërve të tyre sa i përket “historisë tragjike” të klubit në fjalë! A mos vallë nuk e mësuan atë parathënien e parullës: “Të jesh tetovar, e të mos jesh me Shkëndijën, është njësoj sikur ta kundërshtosh a mënjanosh arsyen e shëndoshë…, të mos jesh me të, është njësoj sikur të tallesh me ngjyrat e saj (janë ngjyra që karakterizojnë simbolin tonë kombëtar)…, të mos dashurosh Shkëndijën, është njësoj sikur t’i bësh tifozllëk kundërshtarit të saj. Ne do t’i kuptojmë tifozët e Shkëndijës, aq sa ata nuk do ta ndotin fjalorin e gjuhës sonë të bukur (hiq mënjanë fjalorin denigrues të palës tjetër). Për këtë dhe arsye të tjera, ne nuk duhet të lejojmë që kjo histori e Shkëndijës, të na paraqitet si tragjedi…, si farsë mashtruese. Kjo e fundit dhëntë Zoti, t’u takojë historive të të tjerëve. Neve, nuk na duhet, po qoftë të na e japin pa pare.

Dhe shih ti, lexuesi im i nderuari, disa ditë më parë, si “për inatin” tonë, historia përsëriti vetveten!??…, kur ca milingona apo thuaj edhe vandalistë maqedonas, demoluan Shtëpinë e Kongresit të Manastirit. Nëse Neroni dogji Romën, atëherë ç’u duhej “neronëve” maqedonas, që në vigjilje të festës së tyre të arsimit, ta nëpërkëmbin kështjellën e mbamendjes sonë morale, kulturore a edhe arsimore!? Ç’u duhej atyre kjo mendësi e mbrapshtë provinciale a katundareske…, ç’u duhej të shfrynin hundët në themelet e tërësisë së shkronjave të gjuhës shqipe…, ç’u duhej të shfryjnë urrejtjen a dufin e tyre të akumuluar!??…, ç’u duhej ky gomarllëk dhe kjo lehje zagarësh, a mos vallë menduan se janë zagarë të beut!?? Tekefundit, “neronizmi” është një karakteristikë thelbësore e popujve barbarë, të cilët jetojnë me të keqen dhe për hir të së keqes, me shovinizmin “shtetmadh” si dhe me politikën revanshiste. Nëse vandalët, huliganët dhe barbarët mendojnë se me shembjen e historisë së Kongresit të Manastirit të motit 1908 do ta ushqejnë historinë e tyre të sajuar, atëherë fund e krye e kanë gabim…, mbase nuk bëhet histori me lecka, mbase nuk mund të lexosh një histori të paqenë si me qenë ajo e gjallë. Në mungesë të argumenteve ndonjëherë edhe gënjeshtra a fjala e rreme bëhet fakt a provë. Dikur një njeri me mend kishte nxjerrë këtë proverb popullore: “NË MUNGESË TË ZOGJVE, EDHE B…., ËSHTË BILBIL”!

Të nderuar lexues, para se t’i jap fund këtij vështrimi, ku për referencë mora atë mendimin e gjermanit, do t’ju sjell këtu një tregim të shkurtër. Një ditë më parë një oftalmolog i kishte sugjeruar mikeshës sime të mbante syze dielli. Meqenëse unë nuk mbaj syze, ajo mikesha ime m’u duk karizmatike, e pashme dhe më serioze. Imazhi i saj lëre që më “gënjeu”, por edhe më tundoi që t’i dedikoj një kompliment të hollë. E ngazëlluar nga kjo “gjysmëlëvdatë” ma ktheu me një “faleminderit”. Iu drejtova duke i thënë: Pa më thuaj, si më sheh mua… Më tha se të shoh bardhë e zi! Eh, thashë me vete, sa budallaqe që është kjo mikeshë kur mëton të kapet pas degëve e jo pas trungut me syzet e errëta të metalurgut. Në fund të bisedës iu drejtova: Ti, mikeshë e nderuar, në do të ma shohësh “surratin”, në do të ma lexosh historinë time kombëtare ashtu ashiqare, do të duhet t’i heqësh syzet, sepse atëherë me tamam dhe pa hile do më perceptosh. Dhe ajo nuk i hoqi “gjyzlykët”. Sikur t’i hiqte syzet, atëherë do duhej që edhe kryepeshkopi i saj të hiqte litarin e kambanës së kishës së qytetit të Manastirit. Ortodoksët thonë se kambanat bien në kohë të caktuar dhe në raste të jashtëzakonshme. Këtë më së miri e dinë shqiptarët e Manastirit.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...