Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/09/18

25 tradhtitë që ndryshuan rrjedhën e historisë

Shumë beteja dhe luftëra që formuan historinë e botës kanë përfunduar jo vetëm nga përpjekjet e udhëheqësve dhe heronjve, por edhe nga spiunët gjithashtu.
et-tu-Brute
Spiunime të shumta u bënë për të marrë informacione dhe për të siguruar fitoret, të cilat shumë herë dolën të suksesshme. Për shkak të inteligjencës të sjellë nga agjentët, shumë jetë janë shpëtuar ose humbur dhe në këtë mënyrë është formuar historia. Gazeta “Tirana Observer” sjell 25 tradhtitë që ndryshuan rrjedhën e historisë.
1. Hakmarrja është e ëmbël (Francisco Pizarro)
Pizarro mbajti peng Perandorin Atahualpa pasi mundi një ushtri të tërë me një numër të kufizuar burrash. Ai kërkoi për ar dhe argjend si shpërblim, por ai e mbyti Atahualpën për vdekje. Nga ana tjetër, Pizarro u ekzekutua nga djali i një ish-oficeri ushtarak të tij, Diego de Almagro, për shkak se babait të tij nuk ishte njohur ose shpërblyer për përpjekjet e tij në fitoret e Pizarros.
2. Sateliti spiun (Christopher John Boyce)
Boyce bëri disa para së bashku me shokun e tij të fëmijërisë, Andrew Daulton Lee, duke shitur informacione mbi satelitët spiunë dhe dokumente të tjera zyrtare në Bashkimin Sovjetik. Pasi u arrestua në vitin 1977, Boyce u arratis në vitin 1980 dhe filloi plaçkitjen e bankave. Pasi u kapën përsëri ai u lirua zyrtarisht në vitin 2002 me kusht.
3. Një prej tradhtarëve më të famshëm (Juda Iskarioti)
Për 30 monedha argjendi, Juda Iskarioti, një nga dymbëdhjetë apostujt, tradhtoi Krishtin duke puthur atë në faqe për të lejuar autoritetet te merrnin vesh identitetin e tij. Akti i tij çoi në vdekjen e Jezusit me kryqëzim dhe e bëri Judan tradhtarin më famëkeq në histori.
4. Patriot dhe tradhtar (Simon Bolivari)
Bolivari, një udhëheqës ushtarak dhe politik, është konsideruar si tradhtari i një prej patriotëve më të mëdhenj të Venezuelës, Francisco de Miranda. Simon Bolivar e ktheu de Mirandan në Spanjë për shkak të dyshimeve për tradhti dhe disa thonë se kjo ishte vetëm për të marrë një pasaportë spanjolle. Francisco vdiq në burg disa vjet më vonë.
5. La Malinche (Doña Marina)
Ndoshta një nga gratë më të mallkuara në botë hispanike, Dona Marina njihet si tradhtarja që tradhtoi popullin e saj tek pushtuesit spanjollë. Ish-skllave dhe përkthyese e Hernando Cortes, pushtuesi i Spanjës se Re (sot njihet si Meksika), Marina luajti një rol të rëndësishëm në ndryshimin e rrjedhës së historisë me aftësinë e saj për të përkthyer gjuhën azteke në gjuhën maja. Kjo tradhti provoi të ishte vendimtare për Cortes për të pushtuar Botën e Re.
6. Agjenti i parë i dyfishtë me ngjyrë (James Armistead)
Armistead ishte një skllav afrikano-amerikan që u bë një spiun i dyfishtë për Shtetet e Bashkuara në 1781. Ai pretendonte të ishte një spiun britanik dhe fitoi besimin e gjeneralëve Arnold dhe Corneallis vetëm për të mbledhur informacion në lidhje me planet britanike për dhe vendosjen e armëve dhe trupave dhe ia dërgonte informacionet spiunëve amerikanë. Spiunazhi i tij i ndihmoi në masë të madhe amerikanët të siguronin fitoren gjatë betejës ne Yorktown.
7. Qeni i Napoleonit (Karl Schulmeister)
Një biznesmen, trafikant, dhe më pas një spiun i dyfishtë, Schulmeister filloi si një spiun për Perandorinë Austriake por më vonë doli të jetë një spiun për Francën. Informacioni që ai mblodhi si një agjent i dyfishtë çoi në kapjen e Duka i Enghien dhe fitores së Napoleonit në betejën e Austerlitz. Ai gjithashtu bëri spiunazhe dhe në Angli dhe Irlandë për Napoleonin, por përfundoi si një shitës duhani kur sundimit të Napoleonit i erdhi fundi.
8. Spiunimi i katër kombeve (Sidney Reilly)
I njohur si “Asi i spiunëve”, Reilly ka spiunuar për të paktën katër vende dhe ka punuar për Scotland Yard, Byronë e Shërbimit Sekret Britanik dhe Shërbimit Informativ Sekret. Ai ishte përgjegjës për arritjet e shumta si sulmi i papritur në Port Arthur, një përplasje e një avioni gjerman dhe vjedhja e planeve të armëve gjermane ndër të tjera. Besnikëria e tij luajti në mesin e vendeve si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Japonia dhe Rusia.
9. Shpërthimi i “FatBoy” (Theodore Hall)
Hall ishte përgjegjës për zhvillimin e bombës së parë dhe të dytë atomike gjatë Luftës së Dytë Botërore për Shtetet e Bashkuara. Por amerikanët nuk e dinin se ky gjeni i shkencës ishte në fakt një spiun atomik për Bashkimin Sovjetik. Pas përpjekjeve të tij për Projektin Manhattan, ai i dha një përshkrim të detajuar të “Fat Boy” bombës së platonit dhe disa taktika për të pastruar platonin për sovjetikët. Ai më pas rrëfeu për spiunimet e tij tek FBI-ja.
10. Agjenti dyfishtë (William Sebold)
Mendohej të ishte një spiun gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore, por Sebold ishte në fakt një agjent i dyfishtë për Shtetet e Bashkuara dhe ka punuar për FBI-në. Për shkak të tij, FBI ishte në gjendje të lidhte tela për stacionin e radios, që ishte një kanal kryesor i komunikimit në Nju Jork, duke bërë të mundur që SHBA-ja të identifikonte emrat e dhjetëra e spiunëve gjermanë të përhapur në Amerikë. Kundërspiunazhi i tij gjithashtu mundësoi kapjen e 33 agjentëve gjermanë që përfunduan me dënime. Ky ishte rasti më i madh i spiunazhit në SHBA dhe u quajtur rasti “Duquesne”
11. Spiuni sharmant (Fritz Joubert Duquesne)
Duquesne është një nga anëtarët e shquar të spiunëve të rastit Duquesne në Shtetet e Bashkuara. Ai ishte një spiun gjerman që kalonte sasi të konsiderueshme të informacionit në lidhje me armatimet dhe lëvizjet e anijeve në Gjermani dhe ishte përgjegjës për vrasje të shumta dhe zjarrvënie. Një nga arritjet e tij më të mëdha si një spiun ishte fundosja e anijes HMS Hampshire në vitin 1916.
12. Profesori hollandez i kthyer në spiun (Christiaan Snouck Hurgronje)
Snouck ishte një nga dijetarët e parë perëndimorë që depërtoi në kulturën islamike dhe u bashkua me pelegrinazhin në Mekë, duke i mundësuar atij për të mbledhur informacione nën emrin “Haxhi Abdul Ghaffar”. Megjithatë, ai përdori njohuritë e tij të kulturës islame dhe të për të shuar rezistencën myslimane në Indinë lindore holandeze. Për shkak të spiunazhit të tij, holandezët ishin në gjendje të hartonin strategji për të shtypur rezistencën dhe të impononin një rregull kolonial holandez në Aceh që rezultoi në gati 100,000 vdekje.
13. Të flesh me armikun (Vidkun Quisling)
Para tradhtisë së tij kundër vendit të tij, Quisling shërbeu si ministër norvegjez i Mbrojtjes. Ai themeloi Nasjonal Samling, e cila u bë një qeveri kukull nga nazistët kur ata pushtuan Norvegjinë në vitin 1940. Ai ishte përgjegjës për një numër të madh vrasjesh për Gjermaninë gjatë kësaj kohe. Kur Gjermania u dorëzua në vitin 1945, ai u ekzekutua për tradhti të nivelit të lartë.
14. Një ndryshim krahësh (Wang Jingwei)
Ky politikan kinez ishte fillimisht një anëtar i krahut të majtë anti-komunist të Kuomintang dhe u bë jashtëzakonisht i djathtë, pasi përpjekjet e tij politike me KPP dolën të dështuara. Kur japonezët pushtuan Kinën në vitin 1937, atij iu ofrua një pozicion, të cilën e pranoi me kënaqësi si kreu i shtetit të qeverisë japoneze kukull derisa vdiq.
15. Për shkak të përpjekjeve të panjohura (Benedict Arnold)
Arnold ishte një gjeneral amerikan gjatë Luftës Revolucionare Amerikane që kontribuoi pafundësisht në suksesin e amerikanëve gjatë betejave të shumta. Megjithatë, oficerë të tjerë thoshin se ai shiti West Point tek britanikët. Pasi plani i tij u zbulua në vitin 1780, Arnold iku dhe u bë gjeneral i ushtrisë britanike.
16. Tradhtia katolike (Guy Fawkes)
Duke kontribuar në “një nga aktet më të mëdha të tradhtisë në historinë angleze”, Fawkes ishte anëtar i grupit të katolikëve angleze që filluan planin e dështuar të tradhtisë, Komploti i Barutit në 1605. Ai u bashkua kundër holandezëve protestante dhe luftuan për spanjollët në Vendet e ulëta gjatë Luftës 80-vjeçare. Ai ishte pjesë e planit për vrasjen e Mbretit James me 36 fuçi barut, por u zbulua nga autoritetet, që e dënuan atë me varje.
17. Tradhtari grek (Ephialtes)
Ephialtes u bë famëkeq në Greqi, pasi ai tradhtoi vendin e tij tek persët në vitin 480 para Krishtit. Gjatë betejës së Termopileve, ai udhëhoqi ushtrinë persiane në një rrugë që i dha akses për të kapur në befasi spartanët, duke shpresuar për një shpërblim nga lideri persian, Kserksi. Megjithatë, ai nuk korri një shpërblim. Ai u vra më vonë dhe emri i tij u bë sinonim i tradhtisë.
18. Bota rrotullohet pas parasë (Robert Hanssen)
Hanssen ishte një ish-agjent i FBI-së i cili me dëshirë iu afrua GRU-së, agjencisë sovjetike të inteligjencës ushtarake dhe ofroi shërbimet e tij për para. Ai e shiti pjesën më të madhe të informacionit dhe aseteve të CIA-s tek Rusia për 22 vjet në shkëmbim të më shumë se 1.4 milionë dollarë amerikanë dhe diamante. Tradhtinë e tij u cilësua si “ndoshta fatkeqësia më e keqe e inteligjencës në historinë e SHBA”, dhe i dha atij burgim të përjetshëm.
19. Shpenzimi përtej të ardhurave(Aldrich Ames)
Ames ishte një ish-oficer i CIA-s dhe analist para se ai të dënohej me akuzën e spiunazhit për ish-Bashkimin Sovjetik në vitin 1994. Aksesi i tij ndaj zbulimit ushtarak, asetet e CIA-s dhe emrat e agjentëve të SHBA bënë që ai të shiste informacionin tek qeveria ruse, e cila i dha atij dhe gruas së tij një jetë luksoze.
20. Tradhtari i besimit të vërtetë (Mir Jafar)
Tradhtia e Mir Jafar ndaj vendit të tij u ndez nga dëshira e tij intensive për të kërkuar fronin në Bengal. Për shkak të ambicies së tij, ai u bashkua me forcat britanike gjatë betejës Plassey mes Indisë Lindore dhe Forcave Indiane. Jafar ishte kreu i ushtrisë Bengale gjatë asaj kohe por forcat britanike korrën fitore. Jafar u bë mbret i Bengalit në 1763 dhe sundoi deri në vdekjen e tij.
21. Partnerë në krim (Julius dhe Ethel Rosenberg)
Rosenberg-ët ishin një çift i martuar të cilët u dënuan me vdekje për kryerjen e spiunazhit gjatë kulmit te Luftës së Ftohtë. Ata shitën informacione në lidhje me bombën atomike tek Bashkimin Sovjetik dhe gjithashtu rekrutuan spiunë për rusët. Pas kapjes nga FBI-ja, bashkë-komplotistët e tyre rrëfyen rreth spiunazhit dhe çifti u dënua me vdekje në vitin 1953.
22. Ettu, Brute? (Marcus Brutus)
Konsiderohet një nga tradhtitë më të mëdha të historisë, veprimi i Brutit kundër diktatorit të asaj kohe Jul Cezari. Edhe pse gruaja e tij e kundërshtonte tradhtinë e tij, ai u bashkua me senatorët romakë që egërsisht vranë Cezarin gjatë kulmit te revoltës kundër tiranisë së tij. Bruti ishte djali i adoptuar i Jul Cesarit, i cili ishte xhaxhai i tij.
23. Tre vende, një burrë (Harold Cole)
Paul Cole ishte një zëvëndëskomandant britanik gjatë përfundimit të Luftës së Dytë Botërore i cili ndihmoi në ndërtimin e Rezistencës Franceze, por në fund e shiti atë në policinë sekrete të Gjermanisë Naziste, Gestapo. Ai luajti një rol të rëndësishëm në dëmtimin e forcave aleate. Kur mbaroi lufta, të dyja qeveritë, ajo franceze dhe britanike, u vunë pas tij prandaj shumë persona kërkonin ta kapnin atë. Ai u qëllua për vdekje nga një polic francez në vitin 1946.
24. Tradhëtari i Austrisë (Redl)
Përgjegjës për vdekjen e gjysmë milioni të bashkatdhetarëve e tij, oficeri austriak Redl ishte në gjendje për të punuar për një spiun për ushtrinë ruse gjatë Luftës së Parë Botërore. Përveç nxjerrjes se sekreteve në lidhje me ushtrinë austriake, ai shiti gjithashtu planin e Austrisë për të pushtuar Serbinë tek Rusia. Kjo e fundit ia tregoi planin Serbisë. Loja e tij e dyfishtë u ndërpre përfundimisht kur ai kreu vetëvrasje pasi policia austriake zbuloi spiunazhin e tij.
25. Spiuni i Marinës Detare amerikane (John Walker)
Walker ishte në gjendje të realizonte tradhtinë më të madhe në historinë detare për 20 vjet para se ai të arrestohej më në fund nga FBI-ja në vitin 1985. Arrestimi i tij ndodhi falë gruas e tij e cila e kallëzoi tek FBI-ja pas divorcit të tyre kur ai nuk pranoi të paguante mbështetjen e saj bashkëshortore. Spiunazhi i tij e dëmtoi rëndë marinën dhe bëri që Bashkimi Sovjetik të fitojë qasje të rëndësishme në luftën detare.

Fotaq Andrea :100 thëniet më të bukura të Faik Konicës për Shqipërinë dhe shqiptarët


Faik Konica ngjyra








1. E ashpër, e vrazhdë, si populli i fuqishëm që e flet, por edhe plot shije e hijeshi, si frutat dhe lulet e malit ku flitet, gjuha shqipe – ndonëse e varfëruar nga një palëvrim shumë herë shekullor – është e aftë të shprehë, me një ndjenjë të mrekullueshme, nuancat, konceptimet më të holla e të mprehta të mendimit njerëzor. (Albania 1, 1897).
2. Shqiptarët duan para së gjithash dritën e mendjes dhe diellin. (Albania 8, 1897).
3. Vetëm shqiptarët e kanë ndjenjën e së bukurës aq të fuqishme sa e paguajnë me jetën e tyre kënaqësinë për të qenë vetë rrufeja mes atyre furtunave njerëzore të luftës. (Albania 3, 1897).
4. Rilindja e gjuhës sonë është rilindje e jetës sonë kombëtare. (Albania 8, 1897).
5. Gjuha shqipe është sa muskuloze aq edhe të brishtë. (Albania 12, 1898).
6. Shumë duhet të punojmë ne shqiptarët, sot dhe për së shpejti; po më parë nga të gjitha, të shëndoshim dashurinë dhe vëllazërinë në mes tonë. (Albania 2, 1897).
7. Përmirësimi ekonomik është nevoja më e shpejtë dhe më e ngutshme për vendin tonë. Është pra një detyrë urgjente që interesat ekonomike të Shqipërisë t’i paraprijnë çdo vlerësimi të karakterit politik. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
8. Ndjenja kombëtare ka rrënjë të forta në zemrat shqiptare; dhe ndonëse më ndonjë rast, moskokëçarja dhe moskuptimi i shqiptarëve gati na shkurajojnë dhe shkurajojnë gjithë miqtë e tyre të vërtetë, duhet pranuar se ndjenja kombëtare atyre nuk u mungon, por u mungon ajo vetëdije e qëruar, aq e domosdoshme për përparimin. (Albania B, nr 2, 14, 15-30 qershor 1898).
9. Ata që do donin t’i ngopnin shqiptarët me retorikë, në vend të urojnë zhvillimin intelektual të tyre, japin provën më të qartë të armiqësisë së tyre ndaj shqiptarëve. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
10. Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
11. Shqiptarët honxhobonxho janë të tmerrshëm për mizori e kapadaillëk. (Albania10, 28 shkurt 1898).
12. Shqiptari duket si i bërë për të qenë lodër e një mashtrimi të përjetshëm; një fatalitet i dhimbshëm rri pezull mbi këtë popull të mjerë. (Albania 15-30 janar 1899 C).
13. Përgjegjësia jonë ndaj vendit është e pamohueshme: do vuajmë me vuajtjet e Shqipërisë, do gëzojmë me gëzimet e saj. (Albania 15-30 janar 1899 C).
14. Zgjidhja ideale do të ishte për shqiptarët të zhduknin njëherë e mirë ndikimet orientale, duke shkëputur çdo lidhje, fetare, morale apo letrare, qoftë me bizantinët, qoftë me turqit. Mirëpo, gjë e bukur të ndodhte kjo në çast. Zgjidhja do ishte e realizueshme po qe se stërgjyshërit tanë do ta kishin përgatitur me kohë për ne; atëherë neve do të na duhet ta përgatisim këtë zgjidhje për nipat tanë të ardhshëm. (Albania 2, 1907).
15. Duke u ngritur përmbi egoizmat e pafuqishëm dhe mëritë e pafrytshme vetjake, le të ulim kokat e të punojmë për formimin e një Shqipërie ku poshtërsia keqbërëse e armiqve tanë trashëgimtarë t’i lërë vendin drejtësisë dhe ndershmërisë së mëkëmbur të stërgjyshërve tanë. Boll duke krasitur degë kuturu, dhe me një vendosmëri të ftohtë por të pamëshirshme, le të japim goditjen përfundimtare në rrënjët e së keqes. (Albania 12, 1909).
16. Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi e krime janë bërë në emër të së gjorës Shqipëri! (Albania 4, 1907).
17. Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar. (Albania 4, 1907).
18. Një e thënë latine e Kohës së Mesme, e ndryshuar pak: Homo homini lupus – Njeriu për njeriun është ujk. Femina feminae lupior – Gruaja për gruan është më ujke. Albanus Albano lupissimus – Shqiptari për shqiptarin është fare ujk [ujk e shkuar ujkut]. (Albania, qershor 1902, nr.5).
19. Letërsia jonë popullore është ruajtur dhe përcjellë vetëm nga gratë e fëmijët dhe nuk mund të mos merrte veçse formën naive të gjuhës së tyre. (Albania 1, 1905).
20. Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha. (Albania 4, 1906).
21. Turqit turq mbeten; të rinj a të vjetër, ata janë, siç thotë shprehja latine popullore eiusdem farinœ [të të njëjtit brum]. Në tërë perandoritë që kanë ekzistuar a ekzistojnë, janë gjendur në kombin sundues mendje bujare për të marrë në mbrojtje kombet e nënshtruara. Po a mund të përmendet që prej katër shekujsh qoftë edhe një fjalë e vetme e një turku të vetëm në favor të Shqipërisë? Kjo fjalë vërtet do të meritonte në këtë rast të shkruhej e gdhendur mbi një pllakë bronzi dhe të varej në muret e klubeve tona popullore si një relikte kurioziteti. Turqit na mohojnë edhe ato cilësi që vëzhguesit e huaj i pranojnë njëzëri… Turqit na mundën, por pa arritur të na mposhtin, edhe pasi na imponuan Muhametin e tyre. (Albania 121 , nr 12, 1909).
22. Shqiptarët janë populli më mosbesues në botë. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).
23. Asgjë nuk i ftoh më shumë shqiptarët se t’u thuash që kanë të bëjnë me një copë injoranti që i drejton. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).
24. Populli shqiptar është mjaft i mprehtë në të kuptuar. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).
25. Grekët e shpërdorojnë si shumë heshtjen përçmuese të shqiptarëve që nuk i hanë dokrrat e tyre bajate e boshe. (artikulli “Mbi Shqipërinë”, Libre Parole).
26. Njeriu është më i lig se egërsirat, po kur vështronj shqiptarët e Stambollit, më vjen të thom që është më i lig se gjarpri dhe miu. (Letër N. Nacos, 20 mars 1896).
27. Palla ime është penda; atë pallë të dobët kam, me atë përpiqem t’i shërbej atdheut. Fiunt scriptores nascuntur heroes [shkrimtarët bëhen, heronjtë lindin]. Ti që leve trim, bëje fora një herë jataganin për nder të Shqipërisë (F. Konica, Vepra 1, f. 155).
28. Shqiptari e ka zakon që kundërshton para se të marrë vesh. (Vepra 1, f. 187).
29. Kush nuk kupton përparimin, e merr kufirin e mendjes së tij për kufirin e botës. (Vepra 1, f.198).
30. Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen. (Vepra 1, f. 271).
31. Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqejtë… sado e madhe në vetvete, është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, dhe shumë herë pa e ditur as vetë përse, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten. Por, ata njerëz që vriten për interes e për përralla [dokrra], ftohen dhe frikësohen në u dashtë trimëri për ndonjë mendim të bukur, për ndonjë dobi të vërtetë e të përgjithshme… Nuk kanë frikë nga plumbi, po dridhen nga Valiu! trimëria e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së Drejtës dhe Atdheut, në shërbim të dobisë së përgjithshme. Të tjerat punë janë punë egërsie e kafshërie, jo trimërie. (Vepra 1, f. 271-272).
32. Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë. (Vepra 2, 34).
33. Shkodra është pothuaj vendi më interesant i Shqipërisë së sotme, argjendarët dhe punëtorët e tjerë të saj janë të famshëm në gjithë Europën e Jugës dhe të Lindjes… Shqiptarët janë të njohur për individualitet dhe në kostumin e tyre kombëtar ka varietete dhe ngjyra. Pothuaj çdo krahinë ka kostumet e saj të veçanta. (Shqipëria, 1930).
34. Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar, jemi të prapambetur, dhe asgjë më shumë; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq. Hiqni dorë ju them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni. Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra; kush arrin në kulm, arrin i grisur, i djersitur, i përgjakur; dhe kur arrin në kulm, bie i vdekur nga të lodhurit, por me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit. (Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 213).
35. Bëhuni burra! Rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. E mbi të gjitha heshtni! Jo fjalë, por kazmën. Jo mbledhje, por kazmën. Jo misione, por kazmën! Dhe parmendën, dhe draprin, dhe shoshën, dhe furrën. Mjaft lëvdime. E kam zemrën aq të mbushur me lot sa s’qaj dot. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 214).
36. Gratë e Tiranës janë shakaxhesha të mëdha. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 317).
37. Ka shqiptarë që sillen si këndesa të vërtetë e zemërohen posa zë të këndojë kokorikooo ndonjë tjetër si ata. Mjerisht në Shqipëri ka pak pula. Shqiptarët me mendje të nderuar s’duan e as kanë dashur njeri që del e thërret: “Unë jam!” Historia e Shqipërisë s’është përveçse vërtetimi i kësaj që themi. (F. Konica, Vepra, 3, f. 63).
38. Është një vend në faqe të dheut ku katilin e kanë për njeri të nderuar; hapen që t’i bëjnë udhë kur kalon; e fshehin nga i vetë-thëni gjyq, në iu tektë së vetë-thënës polici të bëjë sikur e kërkon; edhe në daltë ndonjë i çmendur për të marrë anën e kanunit [ligjit], e shajnë edhe e fëlliqin me një zell të çuditshëm. Dhe prandaj ai vend ka fituar një famë shumë të shëmtuar në botë… Për cilin vend po flas, do ta kuptoni menjëherë kur t’ju them që nuk ndodhet në mes të Afrikës, po në Europë. (Vepra 3, f. 169).
39. Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës. Nga më të voglat trazira gjer në luftërat më të gjakta, shqiptari ka hequr hark, vërvitur kordhë a zbrazur pushkë. A ka gjë më të turpshme, më të ulët se historia e këtij kombi që, për pak të qelbur ergjent [të holla], shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshirim nga aq qindra vjet që e shkelin dhe e kurvërojnë të huajt, s’i erdhi dëshirim të japë dy pika gjak për lirinë e vetvetes? Të donin shqiptarët lirinë e Shqipërisë lehtazi e bëjnë; por rrinë të patundur dhe kështu dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqtë e saj. (Albania 1, vëllim A, 1897).
40. Dua të marr shpatën e t’u çajë kokën gomarëve, edhe në vend të trurit të kllasë këtë: ç’është liria?… Më mirë të shesë pleh njeriu, se të shkruaj për shqiptarët… ç’është liria: Liria është të mundet njeriu: 1. të besojë ç’i do zemra; 2. të thotë ç’i do zemra; 3. të shkruaj ç’i do zemra; 4. të bëjë ç’i do zemra, veç jo ato që janë kundër lirisë së tjetrit njeri. Por shqiptarët, më të shumtë janë shpirtrobër… sundon në shpirtrat e tyre feja… Vëllezër shqiptarë: Mjaft rrojti e mjera Shqipëri jetën e Kurmit. Duhet edhe ajo të nisë tani të rrojë jetën e mendjes. Jeta e mendjes është të hapim tërë zemrat tona, të flasim vëllazërisht njëri kundër fjalës së tjetrit, të kuvendojmë si njerëz të qytetëruar, që mblidhen e luftojnë me fjalë [shoqërisht] për idetë e tyre… kështu do njihemi më mirë, s’do kemi mendime të fshehura, dhe do të KUPTOJMË që të tërë jemi të lidhur me dy lidhje të arta: dëshirimi i së Vërtetës dhe dëshirimi i Shqipërisë. (Albania 2, 25 prill 1897).
41. Ç’ka të bëjë myslimanëria apo krishterëria me shqiptarësinë? Myslimani të jetë mysliman, i krishteri i krishterë; po Shqipëria është e ne të gjithëve dhe e të gjithëve është detyra të mendohemi e të bëjmë si është më mirë për të. (Albania 2, 25 prill 1897).
42. Shqiptarët nuk ndahen në të krishterë e në muhamedanë, po ndahen në dy anë: ana e kombëtarëve, në të cilën ka shqiptarë nga të gjitha besimet, dhe ana e zuzarëve. (Vepra 3, f. 75).
43. Duhet të mësohen shqiptarët të mos shohin prapa atdhetarit fenë e njeriut. (Vepra 3, f. 127).
44. Ne duam të bëjmë një komb shqiptar, dhe për këtë punë kemi nevojë për bashkim të të gjitha pakicave të Shqipërisë me shumicën shqiptare. As që mund, një shqiptar që duket sot për sot i kulluar, të lëvdohet se 1000 a 2000 vjet më parë, fëmijëria e tij ish shqiptare. Ndofta po, ndofta jo. S’mund të hipim gjer te Adami a gjer te protistet e profesorit Haeckel. Si ka mijëra e mijëra shqiptarë të sllavizuar, ashtu ka pasur prej racash të tjera të tretur në racën shqipe. (Vepra 3, f. 136).
45. Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot. (Vepra 3, f. 15).
46. Shqiptarët e mjerë presin që Evropa të vijë sot a nesër t’i shpëtojë. Është nevojë të themi, të bërtasim të vërtetën: Evropa shqiptarët i ka për të egër e për të humbur… Le të themi pra të vërtetën, gjithnjë të vërtetën,… të përpiqemi t’i fryjmë popullit tonë pak jetë e pak guxim. (Vepra 3, f. 81).
47. Të mos humbasim kohë të kërkojmë bashkim me anën e atyre që përpiqen të mbushin taskën, që tallen me mjerësinë e popullit shqiptar dhe që kanë vetëm një vesë: fitimin, dhe një dashuri: argjendin [paranë]. Me këta, jo vetëm bashkimi nuk bëhet, por është edhe i rrezikshëm. … Këta duhet t’i godasim pa pushim e pa mëshirë. Një miqësi me të poshtrit, nuk duam. (Vepra 3, 83).
48. Ne jemi një komb i ftohtë, ku secilido mendon për veten e tij… Ata shqiptarë për të cilët bota thonë se janë “të egër”, shqiptarët e maleve e të pyjeve, ata s’janë të ftohtë, por përkundrazi, janë shqiptarë të mirë e do të ishin atdhetarë sikur të kish njerëz t’u jepnin të kuptonin [t’i ndërgjegjësonin]. (Vepra 3, f. 100).
49. Dëshiri i nxehtë i grave është një sëmundje fort e rrallë në Shqipëri: e kanë vënë re të gjithë se kombi shqiptar mund të quhet i ftohtë në këtë punë. (Vepra 3, f. 143).
50. Frika, kur është e madhe, në vend që ta mposhtë njeriun, ia forcon, ia galvanizon nervat dhe frikaçi sillet (jashtërisht) posi trim i vërtetë…. Edhe trimëria, s’është trimëri e vërtetë pa frikë: se trimi pa frikë, s’bën ndonjë punë të rëndë, të çuditshme, me vlerë a me meritim… Le t’u japim bashkatdhetarëve tanë të kuptojnë shumësinë e formave të trimërisë. Trimëria me pallë, trimëria e luftëtarit nuk është e vetmja trimëri… Është trim çdo njeri që ka zemrën të sillet sipas mendimeve të tija, të bashkojë punët me fjalët… Një formë trimërie që e kemi përditë në sy është trimëria e grave. Numri i nënave trimëresha është i habitshëm – dhe ndofta pak vende mund të lëvdohen të kenë nga ajo farë trimërie aq sa ka Shqipëria. (Vepra 3, 149-151).
51. Populli është i duruar, po gjer në një pikë: e kur kupton dhe e zë zenga, tërbimi i tij bën çudira të shëmtuara. (Vepra 3, f. 181).
52. Oborrësia e gegëve është për të vënë re: në ç’vend tjetër të botës mund të gjeni barbarë të rritur në kasolle me bukë e djathë, larg çdo qytetarie, po me një hije princash në mes të rreckave dhe të varfërisë pa emër që i ka mbuluar!… Kush mban mend plakun Dedë Gjon Lulin, mund të dëshmojë se ky ish, në varfëri e barbari të tij, një gentleman i përsosur. (Vepra 3, f. 212-213).
53. Çakajtë e përgjakur e të urët, që kafshohen dhe ulërijnë për një kockë në Tiranë…, në pastë Shqipëria para, ata ua gjejnë lehtë vendin: dy njerëz të paguar ndezin një zjarr gjëkundi, – dhe përpara sergjerdetë me harxhet! … O-derra buçe, atdheu është në rrezik! (Vepra, 3, f. 181).
54. T’i japim botës një provë urtësie, të bëjmë një çap të ri të madh në udhë të qeverimit të shtruar. (Vepra 3, f. 227).
55. Një lëvizje popullore dihet ku dhe kur nis, po s’dihet ku dhe kur do të mbarojë. Në të gjitha këto, mbetet një shpresë dhe një ngushëllim: shpresa që populli, po nguli këmbë, më në fund do t’i fitojë të gjitha; ngushëllimi që kriminelët e guvernës sodomiste, shpejt a vonë (besoj më tepër shpejt se sa vonë), do të marrin shpërblimin që meritojnë. (Vepra 3, f. 239-240).
56. Të vetëqeverisurit nga pleqtë e fshatit është karakteristika, shenja më e shquar e jetës sociale të kombit shqiptar. (Vepra 3, f. 243).
57. Ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara e shpëtoi Shqipërinë; shpëtuam nga tragjedia e copëtimit: dhe deklarata e haptë e Presidentit Wilson më 1920, që Shqipëria kish të drejtë të jetë indipendente dhe e lirë, i shtrëngoi Fuqitë e Mëdha të binden që t’i japin edhe një herë fund çështjes shqiptare. (Vepra 3, f. 260).
58. Në Shqipëri leu një zanat i çuditshëm, më i poshtër se ai i hyzmeqarëve të pendës: zanati i larove të pendës… Shumë njerëzve u ka rënë erë kërmë; dhe nga çdo çip e prej çdo ngjyre, rendin shpirt-skllevër që kanë uri dhe etje për poshtërsi, lënë zanatin e tyre dhe, duke u bashkuar me larot e pendës, bëhen laro të pendës edhe vetë. Në mes të këtyre të rekrutuarve të papritur, ndodhen edhe ca të vetë-thënë “juristë”. (Vepra 3, f. 269).
59. Një popull që s’duron padrejtësi, që s’u jep besim sharlatanëve, që ngul këmbë për pastërti në hesapet [financat] dhe për prova zotësie në zyrtarët, ai popull qeveriset mirë, qoftë me mbret në krye, qoftë me president. (Vepra 3, f. 290).
60. Skllavëria, si çdo pësim tjetër, pasi rëndon ca kohë në kurriz, bëhet më në fund një zakon i pëlqyer, dhe ata që e mbajnë mbi zverk, e durojnë me gëzim. … Ata jo vetëm s’marrin vesh ç’do me thënë liri, po ndjejnë njëfarë urrejtje për mbrojtësit e lirisë dhe ushqejnë respektin më të thellë për tiranët ekspertë të shkopit e të zinxhirit. (Vepra 3, f. 293).
Faik Konica











61. Shtetet, sikurse njerëzit, lindin, rriten dhe vdesin, – dhe ca vdesin që në foshnjëri, nga sëmundjet ose nga aksidentet… Në qoftë se Shqipëria – fjalë fatale – vdes, ahere mundet, pa shpifje, të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj: U ngjall nga idealistët, u ruajt nga rastet, u vra nga politikanët… Politikanët kanë zënë t’i vënë kazmën Shqipërisë. (Vepra 3, f. 333).
62. Që shqiptarët, në çdo hap të jetës politike dhe sociale, tërhiqen nga hollësirat dhe kurrë nga mendime thelbësore, që shqiptarët kujtojnë se çdo ndryshim është përparim – ja dy fakte që duhet t’i kenë vënë re gjithë vëzhgonjësit e zhvillimeve. (Vepra 3, f. 335).
63. Kanunet [ligjet] e bëra me qëllimin që t’u lehtësohet faji njerëzve pak a shumë të fuqishëm dhe që shumica e barrës të rëndojë mbi kurriz të njerëzve të popullit, lënë ngaherë deriçka shpëtimi për ngrehësit e pusive. (Vepra 3, f. 342).
64. Sa kohë të mbetet e pandryshuar mendësia e errët se vrasja është një mjet i ndershëm, Shqipëria do mbetet një njësi afrikane në mes të Evropës. (Vepra 3, f. 345).
65. Për një vend si Shqipëria, rrethuar nga armiq, një luftë civile e zgjatur mund të jetë shumë e rrezikshme. (Vepra 3, f. 347).
66. Zjarri në vatër është aq i shenjtë, sa një nga betimet më të zakonshme ndër shqiptarët është: për këtë zjarr. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 391).
67. Shqiptari ka në shpirt të tij një frymë arti të vërtetë. Kjo frymë shfaqet në ngjyrat që ky popull ka zgjedhur për të veshurit e tij dhe për të zbukuruar shtëpitë ku rron. Këto ngjyra janë e zeza dhe e bardha. Oscar Wilde gjykon se bashkimi i ngjyrës së bardhë me të zezën është një shenjë shijeje fisnike. (Vepra 2, f. 68).
68. Kombi [iliro-shqiptar] i Diokletianit, i filozofit Julian, i Justinianit, është një komb i cili kishte një qytetari të tij kur stërgjyshërit e frëngjve dhe të anglezëve visheshin me lëkura bualli dhe rronin të futur në shpellat. (Vepra 2, f. 70).
69. Levantinët janë një sëmundje, një koqe me qelb, që ka dalë në cipën e Shqipërisë. Mund të thuhet pa frikë gabimi se ideali që ata përpiqen të arrijnë është ideali i berberëve të Stambollit. (Vepra 2, f. 71).
70. Shqiptarët kanë një problem për të zgjidhur: të këqyrur nga të huajt si një popull i rëndë, i ashpër, por fisnik, për të cilin një anglez ka thënë se është një popull plot “tragic dignity”, shqiptarët sot janë bërë qeshja e botës:. Pyetja është: Kush e ka fajin që zbritëm nga tragjedia në operetë? Pas mendjes sime, fajin më të madh e kanë levantinët. (Vepra 2, f 78).
u2_FaikKonica
71. Ç’ka Italia që vlen të merret? Makaronat dhe kamorren, hiçgjë tjetër. Për makaronat, s’kemi nevojë, se kemi patatet tona; kamorren e kemi marrë dhe, shyqyr perëndisë, e kemi përmirësuar dhe rregulluar me një sistem më të mbaruar se italianët vetë. (Vepra 2, f. 111).
72. Një tipar padyshim fatkeq i shqiptarëve dhe tipar mjaft i dukshëm është mungesa e plotë e idealizmit. Në një vend ku njerëzit vdesin aq kollaj për hiçgjë, nuk është dëgjuar që të vdesë dikush për një ideal ose çështje. Do të kërkonte shumë kohë të shpjegohej përse Shqipëria nuk e ka fituar lirinë më herët. Akte të trimërisë e të devotshmërisë, që kanë shkaktuar vdekjen e mijëra njerëzve, mund ta bënin të dukej i rremë pretendimi im për mungesën e idealizmit. Por besnikëria e verbër ndaj traditave të ngulitura dhe kanuni qibar për nderin janë pothuaj akte mekanike, që nuk nënkuptojnë se dikush e rrezikon jetën për një ideal të zgjedhur lirisht. (Vepra 2, 237).
73. Shqiptarët janë tolerantë për besimet e tjera dhe ndoshta, ky është i vetmi vend në Evropë ku nuk ka pasur luftëra fetare. (Vepra 2, f. 241).
74. Shqiptari është tepër i pavarur dhe tepër individualist, nuk i nënshtrohet ndikimit të kujtdo qoftë në kundërshtim me vullnetin e vet. (Vepra 2, f. 279).
75. Kemi këtu një fytyrë fare të jashtëzakonshme: Ahmed beu më duket i shënuar nga Fati që të lozë rolin më të madh në histori të Shqipërisë. Ai djalë i ri, në mes të zjarrit e të luftës, e të tradhtive, e të rreziqeve pa numër, arrin në pak vjet e sipër ta bashkojë Shqipërinë, ta vërë nën fuqinë rregullonjëse të Kanunit, të shtrëngojë tërë armët e të zërë parmendën, dhe sot i ri, rri në Fronin e Skënderbeut. (Vepra 2, f 40).
76. E përbuz mbretin Zog për këto arsye: asnjëherë nuk e kam dëgjuar të thotë një të vërtetë. Kurrë nuk e ka mbajtur fjalën e besës. Nuk ka asnjë ndjenjë përgjegjësie. Është i pandershëm, i pashpirt, egoist, i pangopur. Ai i urren të gjithë ata që kanë diçka, qoftë kulturë, prejardhje, pasuri, çfarëdo aftësie në ndonjë fushë, ose qoftë edhe patriotizëm të pagdhendur, por të ndershëm. Ai i injoron gjërat themelore dhe u jep një rëndësi groteske çikërrimave. Shqipëria kurdoherë ka qenë njohur si komb me njëfarë dinjiteti tragjik; ai e ka ulur Shqipërinë në nivelin e një farse muzikore të pavlerë”. (Vepra 2, f 325).
77. Ahmed Zogolli, malok analfabet, pa ndonjë frymë idealizme, kish zgjedhur për pasqyrë dhe shembull të tij Esad Pashën, të cilin e imitonte jo vetëm në intrigat e jashtme e të brendshme, por gjer në mënyrën e ecjes dhe të foljes. E imitonte veçan në punën e ryshfeteve. Dhe siç Esadi, në një kohë, merrte nga Italia, nga Serbia dhe nga Greqia, – ashtu dhe Ahmed Zogolli u përpoq të marrë nga tri ato mbretëri përnjëherësh. (Vepra 3, f. 312).
78. Kur nis njeriu një punë, duhet të dijë se do t’u prishë interesin disave dhe prej këtyre nuk mund të presë përveç të shara e të shpifura… Letrat pa nënshkrim [anonime] e kanë vendin e tyre në hale, fjalët dhe të shpifurat shkojnë e harrohen – po puna mbetet. Jemi lindur në një dhé dhe të shtypur prej tiranisë; liridashuria, njësia e interesave të shkuara, njësia e interesave të sotme dhe njësia më e madhe e interesave të nesërme na thërret të bashkohemi e të punojmë. Do të gjejmë kundërshtime; po kundërshtimet i lodhin të dobëtit e i forcojnë burrat. Të jemi pra burra, dhe përpara! (Vepra 4, f. 115-116).
79. Vendi më i ëmbël e më i pëlqyer i një shtëpie duhet të jetë vatra, se rreth e rrotull kësaj mblidhen vëllazëria që të rrinë e të kuvendojnë. Po ngandonjëherë, kur mbahet ligsht e nuk pastrohet me kujdes, vatra, në vend që t’i afrojë, i largon njerëzit e shtëpisë, se bie erë të qelbur. (Vepra 4, f. 227).
80. Këtu-këtje, në Shqipëri mund të jenë bërë gabime kundër bukurisë [natyrore] – po nga ana tjetër, sa gjë e pëlqyer të shohë njeriu një popull që zgjohet dhe i vihet punës. Shumë të huaj shkruajnë marrëzira për Shqipërinë, se nuk e kanë njohur vendin më parë dhe ashtu, s’kanë ku të mbështeten për të matur pikën e arritur në të sotmen. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 229).
81. Sa mirë i vjen njeriut kur, pas shumë vjet largimi, shkel përsëri baltën e mëmëdheut të tij; kur hyn në shtëpi a në kasolle, i duket sikur edhe gurët e mureve i thonë “mirëserdhe”! (Vepra 1, f. 93).
82. Qytetaria është zbukurimi i mendjes dhe e flakta dëshirë për lirinë. Le të ecim me çap titani drejt bukurisë së mendimit. (Vepra 1, f. 94).
83. Liria është të jetë njeriu zot i vetvetes, pa ndonjë urdhërues mbi kokë. (Vepra 1, f. 95).
84. Ah, malli i Shqipërisë, malli i atdheut të dashur, i shenjtë mall dhe dashuri e shenjtë, kush është ai shqiptar që s’e ka pasur në dhe të huaj! Duhet të jesh jashtë Shqipërisë, e të jesh larg, për të kuptuar se ç’forcë e ç’bukuri të ëmbël ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri! (Vepra 1, f. 103).
85. Flamuri përmbledh kujtimet e shkuar të një kombi në një gjuhë të pashkruar, që mund ta kuptojë syri dhe zemra e çdo njeriu me ndjenja. ((Vepra 1, f. 105).
86. Djem të Shqipërisë, shpresa e atdheut, ju që nuk e kini gjakun të ftohur nga pësimet, as trutë të thara nga interesi, ju duhet ta doni flamurin e racës suaj, ta doni me thellësi e me zjarr. U lajthitën ata që thanë se të rinjtë duhet të mësojnë nga pleqtë. Jo. Historia na thotë që pleqtë kanë kurdoherë për të mësuar nga të rinjtë. Djelmuri shqiptare, mësoi Kombit shqiptar fenë e Flamurit. (Vepra 1, f. 107).
87. E njihni të gjithë atë që “ka parë botë, që është i qytetëruar”… i lag përditë me vaj leshrat, vishet me “të ngushta”, mban një stap të lehtë në dorë e shikon sipër-poshtë gjithë botën… Po ku ka lindur, në pyeç, ky njeri aq i hollë e aq i çuditshëm?… Mos kërko aq larg… Ka parë ditën në Dardhë, në Mollë, a në Breg të Pulës. Është rritur mes bajgave të gomarit a të kakërdhisë së deles. (Vepra 1, f. 144).
88. Kam shkuar jetën duke luftuar kundër asaj dinakërie të poshtër që quhet sharlatani, dhe për të rrëfyer të vërtetën, më ndizet gjaku kur shoh ca morra të ngordhur që, për ta mbajtur veten e tyre si të qytetëruar e të hollë, tallen me rrobat kombëtare të Shqipërisë. Dua të kem disa nga ata ngordhanikë e t’i shpie në Skotland të shohin zotërinjtë e mëdhenj si vishen, në dasma e në mbledhje, me petka kombëtare të tyre që u shëmbëllejnë shumë petkave tona. (Vepra 1, f. 149).
89. Në Shqipëri, ashtu si gjithkund në botë, ka një prirje të pandalshme drejt uniformitetit. (Vepra 1, f. 270).
90. Shqiptari, sado përtimtar që është, i vihet shpejt punës posa sheh që puna s’i ka për të vajtur kot. Ndofta keni dëgjuar se Kanali i Korinthit në Greqi, i cili bashkoi dy dete, u rrëmih më shumë prej punëtorësh shqiptarë. Punonin, ata djelmt’ e shëndoshë të Shqipërisë, punonin…. Një komb përtimtar nga rrënja është një komb i ngordhur. (Albania 14, 15-30 qershor 1898).
91. Kur më pëlqen e kur më çpëlqen një vepër, nuk ka pse të kërcej a të shfryj: duhet të shfaqë përsetë e pëlqimit a të çpëlqimit tim, në qoftë se dua të përpiqem të shokësoj këndonjësit në një ndjenjë me mua. Ashtu kritika bëhet edhe ajo vetë një vepër letrare. (Vepra 1, f. 244).
92. Mbani pra ndër mend se, për mua, atdhesia dhe letërsia janë dy gjëra. Një shkronjës mund të ketë edhe atdhesi edhe talent [letrar], a mund të mos ketë as këtë, as atë, a mund të ketë njërën, pa tjetrën. Nuk duhet pritur prej meje – ngaqë një vetë qenka atdhetar i mirë – që unë të kasnecojë se ipso facto, ai paska edhe vlerë mendore a pendë të bukur. Qëndrimi im përpara Naim bej Frashërit nuk u kuptua për këtë arsye.
93. Shqiptarët flasin një gjuhë të vjetër që ka lidhje të largëta me latinishten, greqishten, teutonishten, sanskritishten dhe të tjera. Shkurt, është një nga gjuhët që quhet indo-gjermane. (Vepra 1, f. 262).
94. Të përpiqesh të ndryshosh gjuhën e një populli do të thotë të ndryshosh karakterin dhe të prishësh personalitetin e tij. Dialekti toskë, i gjallë, i shkathtë, i leht dhe me një evolucion të vazhdueshëm pasqyron mirë karakterin e toskës që shquhet nga një vrazhdësi e përmbajtur, nga një ndjenjë humori, nga aftësia, nga intriga dhe nga paqëndrueshmëria. Përkundrazi, dialekti gegë, masiv, i pandryshueshëm, pa shprehje me kuptime të dyfishta përfaqëson më së miri karakterin gegë, që është serioz, i sinqertë, shpesh herë i pa të keq dhe mbi të gjitha, armik i të rejave… Dialekti gegë përmban qindra shprehje që toskët i kanë humbur e që janë xhevahire të vërteta, sepse i kemi trashëguar nga paraardhësit tanë të lashtë. (Vepra 1, f. 194-195).
95. Pavarësisht nga luftërat, shkeljet dhe turbullimet e paprera në tërë kohën e shkuar, populli shqiptar, me forcën e vullnetit dhe fuqinë e tij të kundërshtimit, ka qenë i zoti të mbajë gjallë, jo vetëm gjuhën e tij të njohur nga filologjistët si më e vjetra në Europën Juglindore, po edhe ca nga traditat e tij të moçme. (Vepra 1, f. 273).
96. Një zjarr i bukur zien në zemër të djalërisë dhe, plot me dëshirë, trimoshët e dheut tonë po përpiqen për zbukurimin e shqipes. (Vepra 1, f. 224).
97. Të tëra vendet e dheut kanë një gjuhë letrarishte, domethënë të qëruar dhe të zbukuruar, që me atë shkruhen librat, letrat, punërat… Vetëm shqiptarët s’kanë një gjuhë të tillë; dhe andaj vjen që kemi mbetur të ndarë njëri nga tjetri, andaj kanë rrjedhur aq të këqija për ne të mjerët. Është nevojë dhe shtrëngim [detyrim] të hedhim themelin e një gjuhe letrarishte. (Albania 1, 1897).
98. Javën e shkuar pashë një ëndërr që s’harrohet. M’u shfaq një grua e hollë, e gjatë, plot me hije fisnikërie, ndonëse e veshur me rrecka. Unë, pa vënë re varfërinë e veshjes së saj, dhe duke marrë me mend sa e bukur do të dukej sikur të ishte e veshur me mëndafshe, u ngrita me respekt dhe iu fala. – “Zonjë, i thashë, cila jeni Fisnikëria Juaj dhe pse dukeni kaq e mallëngjyer dhe e ngrysur?” – “Unë – tha – jam gjuha shqipe, dhe më sheh kështu të hidhëruar nga mundimet që heq dhe nga rreziqet që më rrethojnë”. – “Zonjë, mos rrini më e ngrysur: sa të jemi ne të gjallë, dhe sa të jenë të gjallë të tjerë si ne… dëshirojmë, Nëno, të të shohim të buzëqeshur”. (Maj 1925, Vepra 3, f. 373-374).
99. Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën të mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë; falna durimin të thellojmë një punë me parë se të shkruajmë përmbi të: frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që jo vetëm të flasim me paanësi, por edhe të sillemi si të paanshëm; shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit. Ashtu qoftë! (Vepra 3, f. 421-422).
100. Kur shkruani një gjë, këndojeni dhe ndreqeni shumë herë, që të bjerë [tingëllojë] në vesh çdo tog germash si një copë muzikë. (Tani, natën e mirë, se m’u qepnë sytë). (Vepra 1, f. 226).

Lulzim Basha: EWdi Rama ka çuar dosje në Berlin kundër Ilir Metës


Basha: Rama ka çuar dosje në Berlin kundër Ilir Metës
Kreu i opozitës, Lulzim Basha deklaroi sonte në emisionin “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit se kryeministri Edi Rama ka çuar dosje tek ndërkombëtarët për Ilir Metën. I pyetur për raportin e OSBE-së, Basha u përgjigj se “në shqetësimet tona si opozitë padyshim është korrupsioni dhe akuzat e përbindshme, Rama ka çuar një dosje për Ilir Metën në Gjermani me akuza për tentativa për likuidim dhe kjo është botërisht e pranuar. Gazetarët më kanë thënë që Edi Rama ka çuar dosje në Berlin dhe Bruksel, Ilir Meta dhe Edi Rama kanë akuzuar njëri-tjetrin në mënyrë të vazhdueshme. Këto janë të reflektuara në këtë material. Sali Berisha del dhe flet mbi këtë raport, ndërkohë që Rama dhe Meta nuk reagojnë. Sali Berisha me këtë thotë që nuk diskuton kredibilitetin e këtij raporti”.
Duke folur për ngjarjen Luginës së Patokut ku pati një përplasje fizike dhe me armë të deputetit të Laçit, Armando Prenga dhe familjes Cali nga ku mbetën të plagosur shtatë persona, Basha se Prenga u kandidua si deputet për rekordet kriminale, asnjë ditë në PS. “Futja e personave me rekorde kriminale, me detyrë më të larta shtetërore, siç është roli i Kryebashkiakut, kjo s’ka bërë vaki ndonjëherë. Pse nuk po avancojmë dhe po vetëshpërthejnë zyrtarët me rekorde kriminale. Pamë zëdhënësen e grupit parlamentar socialist, e vërteta që nuk i fshihet laçianëve është që Armando Prenga s’ka qenë asnjë ditë në Partinë Socialiste, janë marrë janë përzgjedhur nga Edi Rama në fushatë elektorale në zona të vështira për PS dhe janë futur pa asnjë veti tjetër, përveç rekordeve kriminale”, tha Basha.
Lidhur me çështjen e dekriminalizimit, Basha tha se janë të nevojshme ndryshimet kushtetuese. “Këtë çështje shumë të rëndësishme për demokracinë, jam i hapur dhe kam propozuar, para disa muajsh, që ne detyrë parësore kemi ti kthejmë demokracinë qytetarëve. Janë të nevojshme edhe ndryshimet kushtetuese. Unë kam një përkushtim, për një politikë të pastër, të afrohet parlamenti me qytetarët, pasi është krijuar një hendek i pakapërcyeshëm. Deputetët në parlament nuk përfaqësojnë qytetarët”, ka deklaruar Basha. Ndërkohë ai mohoi që në grupin parlamentar të PD ka deputetët me rekorde kriminale.

SHBA: Të largohen personat me influencë kriminale nga qeveria

SHBA: Të largohen personat me  influencë kriminale nga qeveria
Daniel B. Bear, ka dhënë një mesazh të fortë për klasën politike. Ambasadori amerikan në OSBE ka kërkuar eleminimin influencave kriminale nga qeveria. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës vërejnë se me gjithë progresin e bërë për largimin e personave me lidhje kriminale nga listat e kandidatëve, disa prej tyre u përfshinë në kandidim. Ne i bëjmë thirrje popullit shqiptar që të insistojë që partitë e tyre politike të ofrojnë kandidatë me reputacion të cilët duan ta çojnë vendin përpara. Eleminimi i korrupsionit dhe largimi i personave me rekorde kriminale nga qeveria mbetet thelbësore për zhvillimin e Shqipërisë dhe mirëqeverisjen e institucioneve demokratike”, thekson në deklaratën e tij ambasadori amerikan në OSBE, Daniel B. Bear.
Kandidatët
Problemi me listat e kandidatëve që garuan në zgjedhjet e 21 qershorit, për të cilët kishte dyshime në lidhje me të kaluarën e tyre është evidentuar edhe nga ambasadori amerikan në OSBE, Daniel Baer. Duke komentuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në vendin tonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin raportin e hartuar nga Prezenca e OSBE-së në Tiranë si dhe gjetjet e evidentuara në raportin në fjalë. Ambasadori amerikan në OSBE tha se ashtu siç vërehet në raport, zgjedhjet e muajit qershor, në vlerësimin e përgjithshëm ishin pozitive megjithatë ai shton se pati edhe parregullsi si, votimi në grup, presioni mbi votuesit apo edhe politizimi i institucioneve publike. Ambasadori Baer thotë gjithashtu se pavarësisht progresit të bërë me heqjen e disa individëve të lidhur me aktivitete kriminale nga listat e kandidatëve, disa vazhduan garën. Baer thekson se SHBA-të u bëjnë thirrje shqiptarëve që të kërkojnë prej partive politike që t’ju ofrojnë kandidat me reputacion. “Shtetet e Bashkuara nënvizojnë se pavarësisht progresit të bërë me heqjen e disa individëve të lidhur me aktivitete kriminale nga listat e kandidatëve, disa vazhduan garën. Ne u bëjmë thirrje shqiptarëve që të këmbëngulin dhe të kërkojnë prej partive të tyre që t’u ofrojnë kandidatë me reputacion që do të mund ta çojnë përpara vendin”, thuhet në vlerësimin e ambasadorit amerikan në OSBE. Përfaqësia amerikane në OSBE shton më tej se reformat sistematike kushtetuese dhe ligjore që do të parandalojnë kandidatët që janë subjekte kriminalë, ose të lidhur me krimin, janë e vetmja mënyrë për t’i mbajtur persona të tillë larg zgjedhjeve.
Drejtësia
Përfaqësia e Uashingtonit në Vjenë ndalet edhe tek reforma në drejtësi, ku inkurajon qeverinë dhe parlamentin në realizimin e kësaj reforme. SHBA-të e vënë theksin tek ndërmarrja e kësaj reforme në frymën e bashkëpunimit ndërpartiak. “Reforma duhet të realizohet në frymën e bashkëpunimit ndërpartiak dhe është me rëndësi që asnjë palë të mos bllokojë përparimin në këtë pikë. Mbështesim punën e OSBE-së për të inkurajuar shoqërinë civile që të jetë më aktive në reformën në drejtësi. Populli shqiptar ka pritur boll për një sistem drejtësie ku prokurorë dhe gjykatës punojnë për zbatimin e ligjit dhe mbajnë përgjegjësi për vendimet e tyre”, thuhet në deklaratë. Ambasadori amerikan në OSBE shprehet në deklaratën e tij se “Shtetet e Bashkuara besojnë fort se përqendrimi i shqiptarëve dhe gjithë partive politike duhet të jetë tek reforma në drejtësi përpara çdo hapi tjetër”.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...