Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/10/07

INTERESIMI I VËLLEZËRVE FRASHËRI PËR ÇAMËRINË KA QENË I JASHTËZAKONSHËM

Dr. Laurant BICA


Vëllezërit Frashëri
Vëllezërit Frashëri
Naim Frashëri kaloi mbi 15 vjet në Çamëri
Naim Frashëri bashkë me rilindësit e tjerë kur nxori revistën “Drita”, “Dituria” më 1884 në Stamboll në gjuhën shqipe, një nga shkrimet e para të tij do të ishte për Epirin – Çamërinë. Kjo, veç të tjerash, fliste për atë se ai, sikurse vëllezërit e tjerë të tij, i vinte një rëndësi të veçantë Çështjes së Çamërisë. Për këtë problem madhor të kombit tonë, se si ishte ai në optikën e Frashërllinjve të mëdhenj veç e veç dhe të gjithëve bashkë, po ashtu dhe dy rilindësve të tjerë, bijë të saj, si Hasan Tahsini dhe Abedin Dino do të flasim në këtë bisedë. Ndërkohë s’mund të anashkalojmë Ismail Qemalin, rilindas dhe ky, shok e mik i tyre, artizani dhe simboli më pas i Pavarësisë kombëtare. Njëkohësisht do t’i shohim në raportet që kanë me njëri tjetrin. Pra janë pesë shtylla mbi të cilat ngrihet sythi i parë i trajtimit tonë. Frashërllinjtë, Çamëria, Hasan Tahsini, Abedin Dino e Ismail Qemali.
Ju në një kumtesë për vëllezërit Frashëri dhe Çamëria e shtruat këtë lidhje në katër plane. Cilat janë ato?
Plani i parë është ai kronologjik dhe përfshin periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, periudhën e pavarësisë, të pasluftës së parë botërore, të pasluftës së dytë botërore, të pas 1990, duke ardhur deri në ditët tona. Nuk është thjesht problemi i luftës për pavarësi apo i shpalljes së saj, po është dhe problemi akoma më i vështirë i ruajtjes së saj, i mbrojtjes së saj, i ripohimit të saj dhe i konsolidimit dhe forcimit të saj deri në ditët tona. Kjo bile ka qenë shqetësimi i vazhdueshëm i rilindasëve tanë, i pasardhësve të tyre, me breza deri në momentet aktuale. Në këtë 100 vjetësh të rrugëtimit të shtetit shqiptar, Pavarësia e Shqipërisë dhe pavarësimi i trojeve etnike jashtë Shqipërisë, kanë qenë problemet kardinale që kanë preokupuar, kanë dashur apo s’kanë dashur, çdo qeveri të çdo kohe që ka qenë në krye të shtetit të brishtë shqiptar. Një plan tjetër apo këndvështrim në lidhje me temën në fjalë është problemi i paraardhësve dhe pasardhësve të rilindësve që përmendëm më lart, i cili flet në të mirë apo është plotësim i figurës së Frashërllinjve, të Hasan Tahsinit, Abedin Dinos e Ismail Qemalit e të ndonjë rilindësi tjetër që është në themelet e Rilindjes sonë kombëtare.
Natyrisht problemi do të ishte i mangët në shqyrtimin e tij në qoftë se nuk do ta shihnim në një plan tjetër në të tre aspektet përkatëse: para krijimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, gjatë ekzistencës së saj dhe pas shtypjes së saj. Dhe së fundi një plan që do ta kompletonte shtjellimin tonë do të ishte ai që do ta shihte në të tre momentet e tij: Para shpalljes së Pavarësisë, gjatë ekzistencës së shkurtër të shtetit të ri shqiptar me në krye Ismail Qemalin dhe pas shpalljes së saj, pra ngritjes së flamurit në Vlorë e në dekadat që e pasuan. Në epiqendër të këtij trajtimi mbeten rilindësit tanë të Frashërit dhe bashkëluftëtarët e tyre si: Hoxhë Tahsini, Abedin Dino dhe Ismail Qemali. Natyrisht shtjellimi i detajuar do të kalonte caqet e një bisede si kjo, ndofta mund të shkruhej dhe një libër, sepse interesimi i Vëllezërve Frashëri për Çamërinë ka qenë i jashtëzakonshëm, i vazhdueshëm, jetik për ta e çështjen kombëtare. Dhe jo thjesht vetëm për ta, por ai u përcoll si një amanet i patjetërsueshëm dhe i përhershëm tek bijtë e nipërit, stërnipërit e krejt pasardhësit e tyre deri në ditët tona.
Po le t’i marrim gjërat me radhë. Cili ka qenë interesimi dhe ndihmesa e poetit tonë dhe veprimtarit tonë kombëtar Naim Frashëri për Çamërinë?
Naimi kaloi mbi 15 vjet në Çamëri si student në Janinë, si drejtor i doganës në Sarandë, nja dy vjet për klimë në fshatrat e Çamërisë, dhe disa vjet në kryeqendrën e vilajetit tonë të jugut, në Janinë. Çamët dhe Çamëria kishin hyrë thellë në shpirtin e Naimit, ishin pikë e dobët e tij. Naimi e dinte me themel nëndialektin e Çamërisë. Tek “Bagëti e Bujqësia” kur i drejtohet dallëndyshës “Eni vjen prej Çamërie” “me milëra fjalë e me gluhë perëndie” ai vetëm sa ngreh siparin. Për gati dy dekada ai i ra kryq e tërthor Çamërisë dhe ky është nëndialekti që dëshmon, më shumë se çdo gjë tjetër, lashtësinë e gjuhës shqipe e sa kishte hyrë thellë tek Naimi.
Për llogari të albanologut francez Ogyst Dozon, Naimi do të mbledhë fjalë të urta përfshi dhe proverba çame. Naimi do të punonte sheshit e me dëshirë të zjarrtë nga Janina, kryeqendra e Vilajetit të Jugut në dobi të kauzës shqiptare, të pavarësisë shqiptare, na bëjnë me dije konsujt e huaj të akredituar aty. Naimi do të ketë si mësues në Stamboll bashkë me të vëllanë Samiun, çamin Hoxha Tahsin, rilindësin tonë të njohur. Në Stamboll ai do të ishte në kontakt edhe me mikun tjetër të Frashërllinjve dhe të Hasan Tahsinit e Abedin Dinos, Ismail Qemal vlonjatin.
Po Sami Frashëri?
Sami Frashëri vëllai i Naimit do të kalonte 6-7 vjet në Janinë dhe në kohën kur ndodhi agresioni për marrjen e Çamërisë me zbarkimin e fshatin Lëkurës të Sarandës në fillim të 1978 Samiu u ndodh në krah të Abedin Dinos dhe bashkë me Hoxha Tahsinin e të tjerë i bënë ballë ndërhyrjes greke. Sami Frashëri përreth një vit qe sekretar i Komisionit të rekrutimit pranë Abedin Dinos. Është po ky Sami që në enciklopedinë e vet 6 vëllimshe flet gjerë e gjatë për çamët e Çamërinë, për Thesprotinë e lashtë, për Epirin, për Suljotët, për Vilajetin e Janinës, duke na dhënë një informacion të begatë për vendet e personalitetet e trevës tonë më jugore.
Në zërin për Shqiptarët në enciklopedi, ai përmend dy dijetarë, një çam, Hoxha Tahsinin dhe një kosovar, Ali Efendi Jakova si më përfaqësuesit e shqiptarëve. Ta nuhaste tragjedinë që do të ndodhte më vonë…krahinave? Të jetë kjo thjesht një rastësi? Zatën kurbani i krahinave shqiptare kish filluar që në të gjallët e tyre: sanxhaku i Nishit si pjesë e vilajetit të Kosovës dhe sanxhaku i Thesalisë, bashkë me qytetin e Artës, u morën me dhunë e me diplomaci nga fqinjët grabitqarë të veriut e jugut. Samiu me Naimin qenë nxënës të Hoxha Tahsinit dhe miq të ngushtë me Abedin Dinon dhe Ismail Qemalin. Faktet që i provojnë këto janë të panumërta dhe njeriu s’di ç’do verë më parë në një kumtesë si kjo.
Abdyl Frashëri
Abdyl Frashëri, vëllai i madh mbodhi farën e atdhetarizmit, të lirisë gjithandej në trojet shqiptare. Ai shkoi në kabinetet e Evropës për të mbrojtur çështjen shqiptare, sidomos të Epirit, bashkë me Mehmet Ali Vrionin, e duke pasur mbështetje të fortë birin e Çamërisë, Abedin Pashë Dinon. Në udhëtimet e tij në Evropë për të mbrojtur Çamërinë, ai shkriu 7 barrë flori, kurse kryetari i Lidhjes Shqiptare për Jugun e Shqipërisë, Abedin Dino, shiti 2000 hektarë tokë dhe parët e nxjerra i përdori për nevojat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Rilindësit tanë dikur prishën pasurinë për të bërë Shqipërinë, shtetin shqiptar të pavarur dhe s’pyetën për çifligjet e tyre, kurse sot, me ndonjë që e gjeti Shqipërinë të hazërtë nga gjaku i derdhur e sakrificat e panumërta të bëra, po na ndodh e kundërta, për të mbushur xhepat e tyre. Abdyli ishte ai që me ndihmën e Abedin Dinos firmosi letrat e përfaqësimit në Çamëri dhe në krye të një delegacioni prej levendesh, të dalë nga kuvendi i Dibrës, u ngarkua për t’i paraqitur sulltanit kërkesën për një autonomi territoriale administrative të Shqipërisë.
Nuk ka memorandum, sidomos në Jug, në mbrojtje të Çamërisë, që të mos jetë në krye firma e Abdyl Frashërit. Ishte po ky Abdyl që bashkë me Abedin Dinon ju kundërvunë në Mbledhjen e Prevezës të 1879, bënë të dështojnë grekët me pretendimet e tyre shoviniste për të grabitur Çamërinë. Në saje të tij, të Abedin Dinos, të Hasan Tahsinit Çamëria dhe Janina edhe për 35 vjet të tjera arritën të ishin në duart e shqiptarëve. Meritat e Abdylit për Çështjen Çame janë të pakontestueshme. Abdyli ka qenë në bashkëpunim të ngushtë me Hoxha Tahsinin jo vetëm më 1878 në Komitetin e Stambollit, por edhe në përpjekjet për krijimin e Shqipërisë Diturake të Stambollit. Ndërsa me Ismail Qemalin ka qenë në bashkëpunim në vitet 1876-1877 kur ishte deputet në parlamentin osman, në komitetin e Stambollit e në një varg veprimtarish të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Po të flasim për patriotët çamë Hasan Tahsinin e Abedin Dinon, për lidhjet e tyre me Frashërllinjtë?
Ndërsa po të flasim për Hasan Tahsinin e Abedin Dinon, për lidhjet e tyre me Frashërllinjtë dhe Ismail Qemalin do të duhej të mbusheshin libra të tërë për çka kanë bërë për Çamërinë. Ata vetë ishin bijë të Çamërisë. Hasan Tahsini i ra kryq e tërthor qyteteve e fshatrave të Çamërisë e të Shqipërisë. Ai ka qenë mik i peshkopit ortodoks nga Paramithia Anthim Cacos, i cili në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit përktheu në shqip sikurse Martin Luteri Ungjillin, Biblen. Qëllimi atdhetar pse u bë pikërisht në vitet e stuhishme të Lidhje Shqiptare duket sheshit. Interesant, të dy edhe klerikë të feve të ndryshme por edhe dijetarë e diturakë të mëdhenj. Për ta Shqipëria ishte mbi të gjitha! Kori rilindës në Stamboll kish në krye në këtë kohë një Hasan Tahsin, Frashërllinjtë, një Abedin Dino, një Ismail Qemal, një Pashko Vasë e shumë e shumë të tjerë. Po, këta ishin maja e Rilindjes, por po të përdorim shprehjen e Mit’hat Frashërit, njerëz të mëdhenj, udhëheqës dhe shembull, që lanë gjurmët dhe vazhdën mbi karakterin dhe fatin e vendit, që u bënë mëndja dhe shpirti i kombit.
Po kush ishin këta rilindës të shquar që influencuan dhe frymëzuan kombin drejt pavarësisë kombëtare, drejt shtetit të pavarur shqiptar? Cilët janë paraardhësit dhe pasardhësit e tyre?
Duke i parë në këtë suazë do të kuptojmë më mirë vendin që zënë në Rilindje dhe rolin që luajtën në të. Frashërllinjtë ishin bijtë e Halit Frashërit, i cili së bashku me Iliaz Pashë Dibrën në krye të forcave vullnetare shqiptare, luftuan për mbrojtjen e Çamërisë dhe Thesalisë për t’i bërë ballë invazionit të bandave të andartëve grekë, të armatosur, të organizuar në territorin e Greqisë dhe që u futën fshehurazi në Epir e Thesali nën komandën e gjeneralit grek Grivas në vitin 1854. Hasan Tahsini ishte i biri i Osman Efendi Hoxhës, i cili shërbeu në të dy pashallëqet shqiptare të Bushatllinjve dhe të Ali Pashë Tepelenës dhe si atdhetar u përpoq për afrimin e tyre. Ai ishte dijetar, mësues, jurist dhe një intelektual nga më të shquarit e kohës me standarde shumë të larta.
Abedin Dino ishte djali i Ahmet Dinos, një nga figurat më eminente atdhetare në Çamëri që mori pjesë në kryengritjet kundër Tanzimatit, u internua në Anadoll, në Konja, ku edhe vdiq. I ati i Ismail Qemal Vlorës, Mahmud Vlora, siç del edhe nga Kujtimet e tij, ishte një nga njerëzit më të kulturuar të kohës, jo thjesht në Shqipëri, por më tej, iluminist me pikëpamje liberale për kohën, me miq të shumtë të shquar të familjeve fisnike brenda e jashtë Perandorisë Osmane, në Evropë. Ishte pinjoll i një familjeje fisnike të Vlorës, që i kish rrënjët disa shekullore. Ndonjë burim i nxjerr si vazhdues të Arianitëve të kohës së Skënderbeut. Gjyshi i Ismail Qemalit, me të njëjtin emër, Ismail Bej Vlora, u vra në Janinë dhe ishte një nga atdhetarët më në zë të kohës sikurse dhe i ati. Dardha nën dardhë bie! Le të vazhdojmë më tej. Linja është e njëjtë dhe tepër e kjartë. Patriotizmi nuk vdes kurrë tek këto familje të rrënjës. Po le të ndjekim pasardhësit e tyre, sepse me përjashtim të Ismail Qemalit, të gjithë të tjerët nuk arritën të shohin ditën e bukur të Pavarësisë të Shqipërisë, të cilën e ëndërruan tërë jetën, u përpoqën për të, u bënë terror për të dhe me të në mendje e në zemër mbyllën sytë!
Djali i Abdyl Frashërit, Mit’hati, mori pjesë në ngritjen e flamurit në Vlorë dhe ishte firmëtar i aktit të Pavarësisë. Dhëndri i Naimit, që kish marrë për grua bijën e tij të adoptuar, Asije Frashëri, Murat Toptani, ishte në Kuvendin e Vlorës në krah të Ismail Qemalit bashkë me kushëririn e vet të parë Abdi Toptanin. I ati i Muratit, Seit Toptani, ishte mik për kokë dhe si vëlla i vëllezërve Frashëri në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Mit’hati ishte njëkohësisht dhe djalë i adoptuar i Sami Frashërit. Pra në një mënyrë ose tjetër të tre Frashërllinjtë e Mëdhenj ishin në festën e madhe të Pavarësisë, të përfaqësuar denjësisht në Vlorë 100 vjet përpara. Ç’të flas për Dinejtë, Dinot e Çamërisë, të Prevezës? Rasih Dino, i biri i Abedinit, qe krahu i djathtë i Ismail Qemalit në Londër, në mbrojtje të pavarësisë së tërësisë tokësore të Shqipërisë.
Dy, tre memorandume të shkruara prej tij në mbrojtje të viseve shqiptare janë dëshmia më e mirë e patriotizmit të tij të kulluar dhe e fjalës së zjarrtë dhe penës së tij të mprehtë! Zëri i tij gjëmoi me forcë në Londër në mbrojtje të kufijve të Shqipërisë etnike. Hasan Tahsini nuk pati fëmijë, por pati nipër të mbarë që ecën në gjurmët e tij dhe lanë gjurmë atdhetarie deri në Pavarësi e pas saj, madje deri në ditët tona. Bilal Hoxha, Usni Hoxha janë dy nipër me emër të madh patriotik. Ky i dyti përmendet edhe si udhëheqës i një kryengritjeje të bërë në Filat të Çamërisë në fillim të viteve 1900. Një nip tjetër i tij, i diplomuar në Stamboll në shkollën Mylkije për jurisprudencë, i përmendur si prokuror i shkëlqyer në Gjirokastër, Ismail Mudea, djali i motrës së Hoxha Tahsinit, mori pjesë si delegat i Gjirokastrës në Kuvendin e madh të Vlorës më 1912. Burimet e kohës e përmendin si intelektual të rrallë dhe shqiptar të klakët.
Pra tërë rilindësit e sipërpërmendur, përfshi Vëllezërit Frashëri, ishin në pavarësi, shpirtrat e tyre ishin n’atë sallë, ku u firmua akti solemn i shpalljes së Shqipërisë së mosvarme, 100 vjet më parë. Duart e tyre ndonëse dridheshin, ishin të shkrira me dorën e plakut Vlonjat, shokut, mikut, vëllait të tyre, rilindësit Ismail Qemali, ishin aty me duart e bijve dhe nipërve të tyre. Ndonëse s’qenë fizikisht, ata ishin firmëtarët e vërtetë të pavarësisë. Të gjithë ata, me në krye Naimin, u shkrinë si qiriri, për atë pavarësi të bekuar!
Por s’ishte e thënë që shqiptarët ta gëzonin pavarësinë e tyre?
Luftërat ballkanike, lufta e parë botërore, lufta greko-turke, lufta e dytë botërore e ngjarje të tjera që erdhën më pas nuk i lanë shqiptarët asnjë minutë rehat. U desh që ajo pavarësi e fituar me lumenj gjaku e me përpjekje mbinjerëzore me pushkë e me penë, të ruhej, të mbrohej e të ripohohej përsëri e përsëri gjatë një shekulli po në të njëjtën mënyrë. Haraç të madh gjaku ka paguar populli ynë për të siguruar pavarësinë e cunguar të Shqipërisë këto 100 vjet. Mbi gjysma e territoreve shqiptare u bë kurban në favor të fqinjëve të pangopur shovinistë. Kosova e Çamëria dhe Kosova Lindore mbetën nën zgjedhën e huaj këto 100 vjet dhe ende një pjesë e tyre e vuajnë këtë robërim.
Ç’u bë me Çamërinë pas shpalljes së Pavarësisë?
Ç’u bë me Çamërinë pas shpalljes së pavarësisë kjo dihet. Por ajo që dihet dhe nuk dihet mirë, është se Frashërllinjtë, dinastia Dino me dy degët e saj të Prevezës e të Paramithisë, pasardhësit e profesor doktor Hasan Tahsinit dhe të plakut të Vlorës nuk e ulen flamurin e shqiptarizmit dhe ashtu me zjarr siç mbrojtën tërë Shqipërinë, mbrojtën edhe Çamërinë, ngritën zërin në kupë të qiellit për të drejtat e nëpërkëmbura të saj nën robërinë e grekut. Çamëria, krahina më jugore shqiptare, bashkë me kryeqendrën e saj tradicionale, Janinën, ka qenë e lidhur ngushtë me Labërinë. Kanë qenë në shekuj bashkë që nga lashtësia, si ata binjakët siamezë. Kur teshtinte njeri, teshtinte edhe tjetri. I kanë dalë zot bashkërisht në stuhitë e kohërave njëra tjetrës e mbarë vatanit. Kur kish nevojë Çamëria, turrej Labëria në mbrojtje të saj e anasjelltas. Poeti popullor ka kënduar:
Gegë e Toskë, labë e çame
Gjithë djemtë e Shqipërisë!
Ndërsa nga koha e Ali Pashë Tepelenës na vjen si jehonë e thellë kjo strofë:
Dy mijë gegë e tre mijë toskë
Luftuan me Ali Pashanë
Ata vunë kryet poshtë
Me kordhë në dorë u vranë!
Më duhet të sqaroj se ata gegë kanë qenë mirditorët në shërbim me rrogë të pashait tepelenas, kurse tre mijë toskët, kanë qenë lebërit, çamët dhe suljotët që bënë dhe qëndresën e fundit të Luanit të Janinës dhe u vranë si burrat me armë në dorë.
Ç’bëri Ismail Qemali në 1912 për ngritjen e minishtetit shqiptar?
Tërë vëmendja e tij u përqendrua tek Vilajeti i Janinës, te Janina e Çamëria. Rezistencën çame e labe e organizoi për aq sa mundi dora e Plakut të Vlorës. Ai bëri të pamundurën dhe çamët e lebërit luftuan si burrat e ranë në fushën e nderit në betejat e “Pesë puseve” dhe të Bezhanit etj.. Heroizmi e rezistenca e tyre s’kanë të përshkruar. Mjafton të lexosh në arkivin e Institutit të Kulturës Popullore, atë të Antropologjisë dhe do të gjesh thesare në lidhje me luftën e bërë për të mos rënë Janina në duart e grekut. Plaku i Vlorës bëri të pamundurën siç e bëri edhe popullata e Çamërisë, Janinës e Labërisë. Janina ra më së fundi, ndofta me tradhti, por epopeja çamo-labe dhe e plakut të Vlorës hyri e mbeti në histori. E thërriste gjaku i të parëve, gjaku i shqiptarit, geni, instinkti i mbrojtjes së Çamërisë i ngulitur në shekuj në Labëri, aq më tepër tek fisnikët si Ismail Qemali. Përpjekjet e Ismail Qemalit s’pushuan asnjëherë, por as edhe të Dinove. Rasih Dino me familjen u zhvendos në Zvicër, siç u zhvendos dhe Mih’tat Frashëri. Frashërllinjtë, Dinot, Vlorajt s’lanë gur mbi gur edhe në Konferencën e Versajës për të shpëtuar Shqipërinë e Çamërinë. Siç tregon në kujtimet e veta Abedin Dino (i Riu), piktori, “shtabin” e vetë të luftës pasardhësit e rilindësve e ngritën në Zvicër.
Familja e Dinove shihte që Rasihu me vajzën e madhe Lejlanë që e kish si sekretare, përkthyese, ndihmëse, ‘zhdukej” me muaj të tërë në Paris, pa ditur se ç’bëhej. Familja s’merrte vesh gjë. Dihej që punohej për Shqipërinë e Çamërinë e vetëm kaq. Më tej asgjë s’pipëtinte. Mitati do të shkruante nga Gjeneva me dhjetëra artikuj studimorë për çështjen e Shqipërisë e të Çamërisë e të Kosovës në frëngjisht, për të sensibilizuar opinionin botëror e ndikuar mbi konferencën e Versajës në Paris. Të nxitur, përkrahur e mbështetur financiarisht nga Partia Politike Kombëtare që e krijuan kryesisht çamët e Amerikës do të gjejmë në Paris delegacionin e kryesuar nga Ismail Qemali e Parashqevi Qirjazi. Një Frashërlli tjetër në krye të Qeverisë së Durrësit, kushëri i parë i rilindësve tanë Abdyl, Naim e Sami, Turhan Pasha Përmeti do të kryesonte dërgatën që vinte nga Shqipëria për të mbrojtur çështjen shqiptare, kufijtë e Shqipërisë. Në krye të partisë çame ishin figura të tilla si: Beqo Izet Kushi dhe Asaf Ajdonati, pasardhës të Hoxha Tahsinit në mos në gjak, kishte dhe të tillë në role e mendime.
Pra të katër Frashërllinjtë, Dinot, Vlorajt dhe pasardhësit e Hoxhë Tahsinit ishin dhe atje ku u shfaq rreziku më i madh për shqiptarët e Çamërinë, në Versajë. Më 1924, pas nënshkrimit të Traktatit të Lozanës, si pasojë e të cilit u shkëmbyen popullatat greko – turke, 30 000 çamë dhe 35 000 shqiptarë nga Maqedonia (Kostur Follorinë) u degdisen në stepat e Anadollit. Prapë Frashërllinjtë dhe Dinot do të ngrinin zërin. Mih’tat Frashëri, si ambasador i yni në Greqi dhe Ali Dino, djali i madh i Rasih Dinos, si deputet i Prevezës, Epirit, do të ngrinte zërin në parlamentin grek për Çështjen e Çamëve dhe të Çamërisë.
Në lidhje me Dinot kanë funksionuar në mbrojtje të Çamërisë të dy degët si e Prevezës ashtu dhe ajo e Paramithisë…
Nga dera e Dinove të Prevezës kanë dalë 4 vëllezër, Abedini e Veseli e dy të tjerë që pothuajse s’përmenden. Padër Zef Pëllumbi na bën me dije se ata të katër në vitet e Lidhjes së Prizrenit kanë vepruar në sinkron. Një rinte në Prevezë, një në Stamboll, një ish në lëvizje ku e donte koha, një në një kryeqytet të Evropës Perëndimore si Parisi etj., ku vendosej fati i shqiptarëve. Në Shoqërinë e Stambollit morën pjesë dhe firmuan edhe i vëllai i Abedin Dinos, Vejsel Dino, dega e Prevezës dhe Ibrahim Dino etj., i degës së Paramithisë. Nuk ka studime, por kontributi i tyre është i vazhdueshëm, i pandërprerë. Në luftën e dytë botërore funksionuan të dy degët. Dinot e Paramithisë, Masar e Nuri Dino, vepruan për ruajtjen e popullatës myslimane të Çamërisë e për kthimin e saj si krahinë në gjirin e shtetit tonë.
Pavarësisht etiketimeve, në themelet e tyre ishte e mbeti patriotizmi shqiptar, shqiptarizma. Është interesant se në këtë kohë dy familje të mëdha, pasardhësit e Frashërllinjve dhe Dinot e Prevezës që jetonin në Stamboll, do të internoheshin në Anadoll, në Adana. Askush s’e mori vesh arsyen, por nipi i Sami Frashërit, Emin Ereni tregon se, “qysh nga ajo kohë m’u ngjall krenaria për rrënjët e mija shqiptare dhe për gjyshin tim, Sami Frashëri dhe vëllezërit e tij zulm mëdhenj si Abdyli e Naimi që bënë aq shumë për vendin e tyre, Shqipërinë. Dukej sikur një dorë e padukshme ishte në unison në goditjen e familjeve të mëdha fisnike të rrënjës të kombit shqiptar, brenda e jashtë Shqipërisë. Komunistët në Shqipëri, me goditjen që u bënë pjesëtarëve të familjeve të mëdha që bënë aq shumë për Shqipërinë e Çamërinë pas luftës së dytë botërore, indirekt u bënë përkrahës të armiqve të Çamërisë.
Kam parasysh edhe Frashërllinjtë në Shqipëri, pasardhësit e Mehmet Frashërit, vëllait më të vogël të Frashërllinjve, që u ndoqën e u persekutuan. Nga Vlorajt, Qamil Vlorën, më të voglin e familjes së Ismail Qemalit, por ndoshta më të zotin midis fëmijëve të tij, intelektual i rrallë kalibri, që zotëronte 12 gjuhë, dhe që ka qenë krahu i djathtë i Ismail Qemalit para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, gjatë saj e pas saj sa qe gjallë i ati. Më pas ai vazhdoi i paepur në rrugën e tij kombëtare, pa e njollosur kurrë emrin e familjes së tij të madhe. Përfundoi në vetmi, në Strugë të Maqedonisë, ku edhe vdiq. Mitat Frashëri dhe kushëriri i tij, Mehdi Frashëri, në vitet e turbullta të Luftës së Dytë Botërore bënë sa mundën e si mundën për të ruajtur shtetin shqiptar, që të mos zhdukej nën trysnin e pushtuesve e të kohës noprane.
Pas luftës Mitati organizoi Lidhjen Kosovare e Lidhjen Çame në Amerikë. Ideali i tij ishte e mbeti deri sa vdiq – Shqipëria etnike. Pas luftës, nga vitet 60 deri në vitet 80 të shekullit të 20të, një pinjoll, stërnip i Hoxha Tahsinit, Bilal Xhaferin, e shohim të mbrojë çështjen e Çamërisë që nga Amerika e të krijojë një revistë “Krahu i Shqiponjës’. Pra të katër familjet e mëdha me gjithë zigzaget e kohërave, kanë një fill të kuq – mbrojtjen e Çamërisë. Patriotizmi nuk u zbeh kurrë prej tyre. Si në Shqipëri e në emigracion, pavarësisht nga ndjekjet, etiketimet, ata mbeten ashtu siç kishin qenë në shekuj, patriotë të mëdhenj, besnikë ndaj kombit shqiptar në ditë të mira e të këqija. Asnjëherë s’e ulën flamurin e kombit nga duart Frashërllinjtë, të cilët po i nderojmë në këtë tubim atdhetar e që bashkë me Çamërinë përbëjnë një binom të pandarë. Sa më shumë kalon koha, aq më tepër shkëlqen puna, vepra e veprimtaria e tyre në favor të shqiptarëve etnikë çamë e të Çamërisë. Le të jetë dhe kjo kumtesë një homazh për veprën e tyre të pamort edhe ndaj Çamërisë!
Bisedoi: Albert ZHOLI

ÇERKEZËT PO SHUHEN


foto
Në Kosovë pak kush e di se në afërsi të Prishtinës janë disa familje me prejardhje nga Kaukazi. Bëhet fjalë për çerkezët, të cilët erdhën me ushtrinë turke dhe mbetën këtu. Por, gjatë viteve, ata janë shqiptarizuar. Bashkë me pleqtë do të vdesë gjuha dhe traditat e tyre.
Një enigmë e ka habitur çerkezin kosovar Murat Cei, kur shkoi në krahinën kaukaziane të Adigeit gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në atdheun e humbur të çerkezëve të Ballkanit, ai po e jetonte ëndrrën e kahershme, po e shkelte vendin e të parëve. I shkyente sytë duke dashur të kapte imtësitë e jetës. Ato copëzat që i fanepseshin nëpër përrallat e treguara nga gjyshërit.
E çudia më e madhe ishte kur mësoi se lumi i qytetit Majkop quhet Llap, i njëjti emër sikur i lumit që kalon midis vendlindjes së tij, fshatit Stanoc të Vushtrrisë. Murat Cei hyri dhe u la në lumin, uji të cilit ishte i pastër e rëra ishte sikur nëpër brigjet e deteve. Kjo kthjelltësi e lumit ia freskoi kujtimet për tregimet e moçme të pleqëve që thoshin se kur erdhën çerkezët e parë para një shekulli, i ngulën çadrat pranë brigjeve të lumit të panjohur. Bujtën një natë aty e kur u zgjuan në mëngjes u pëlqeu lumi.
Ua hoqi mallin e lumit të vendlindjes, prej nga u përzënë në njërën prej luftërave më të ashpra me rusët. Thanë: “na paska përcjellë lumi i vendlindjes” dhe e quajtën Llap lumin që në atë kohë quhej Lab. Në gjuhën çerkeze fjala “Llap” përkthehet lum. E vëzhguan hapësirën përreth, e panë se ka ujë të pijshëm dhe u pajtuan që ky vend të bëhet atdheu i dytë i tyre. E ndërtuan xhaminë dhe fshati Stanovc u bë njëri prej njëzet e shtatë vendeve në Kosovë ku u vendosën çerkezët. Ata ishin myslimanë të devotshëm dhe shumë shpejt u integruan në administratën osmane të asaj kohe, shkruan express.
Pas më shumë se një shekull, shumëçka ka ndryshuar në jetën e çerkezëve, por praktikimi strikt i rregullave islame ka mbetur hallka më e fortë e ruajtjes së identitetit të tyre. Në tridhjetë shtëpitë e mbetura nga dy enklavat e fundit në Stanoc dhe Milloshevë ka nisur të flitet gjithnjë e më pak gjuha çerkeze, por nuk ka shtëpi çerkeze ku nuk praktikohen rregullat e fesë islame në të njëjtën mënyrë siç u trashëguan nga të parët. Çerkezët janë kujdesur të mbeten myslimanë, ndërsa gjuhën e kanë ruajtur krejt spontanisht, pa e kuptuar këtë si një detyrë patriotike. Çerkezët e Kosovës nuk kanë të ruajtur asnjë dokument të shkruar në gjuhën amë, e cila në vendin prej kanë ardhur shkruhet në alfabetin çirilicë.
Në shtëpinë e Murat Ceit në Stanovc thonë se po ka gjithnjë e më pak fjalë çerkeze për të emërtuar sendet e reja që po dalin. Vajza gjashtëvjeçare Aida e ka në majë të gjuhës vetëm një fjalë çerkeze. I thotë “bebesh” babagjyshit të vet. Në këtë “derexhe” ka rënë gjuha që përdoret zakonisht nga pleqtë, kur ua tregojnë të rinjve rrëfimet e moçme.

Salimi me shtetësi ruse

Për dallim nga Murati, një çerkez tjetër në Milloshevë di shumë fjalë në gjuhën e paraardhësve të tij. Kjo pasi jetoi shumë vjet në vendlindjen e të parëve në Adigei të Kaukazit. Ai ka pasaportë ruse dhe në shtëpi e mban një si lloj flamuri të çerkezëve. Salimi shpjegon edhe domethënien e flamurit që ka ngjyrë të gjelbër e mbi të 12 yje e poshtë disa shtiza. Sipas tij, 12 yjet simbolizojnë 12 fiset, ndërsa shtizat në mes të tij tregojnë se çerkezët kanë qenë luftëtarë trima. Ashtu siç ka dëgjuar nga gjyshi i tij, Salimi thotë se çerkezët kanë ardhur në Kosovë si ushtarë të turqve.
Sipas tij, burrat çerkezë shquheshin për trimëri e për këtë ata luftonin kundër armiqve të turqve. Salimi sqaron se çerkezë ka anë e mbanë botës, por një pjesë e tyre ka mbetur në Kosovë. Sa u përket familjeve që janë vendosur në Milloshevë, Salimi thotë se stërgjyshi i tij Ali Abazi ishte i pari që u vendos në këtë fushë në vitin 1864. Siç thotë ai, Millosheva ishte e pabanuar dhe të parët që u vendosën aty janë paraardhësit e tij.
Ky burrë gjashtëdhjetëvjeçar flet edhe gjuhën çerkez, që ai e quan gjuhë adige.
“Ne jemi adig, por çerkezë na thonë. Ndoshta që kemi mbetur në shumë vende na ka mbetur ky emër”, sqaron Salim Abazi.
Por, çerkezë përditë ka më pak në Kosovë.
Duke lidhur martesa me shqiptarë, gjuha dhe traditat e këtij populli po shkojnë duke u zhdukur. Madje Salimi thotë se pak nga familjet çerkeze dinë të flasin në gjuhën e tyre. Sipas tij, në Kosovë janë përafërsisht 300 deri 400 familje çerkezë, por që në të gjitha regjistrimet e mëhershme të popullsisë janë deklaruar si shqiptarë.
Ka nga çerkezët që në regjistrimin e fundit janë regjistruar në identitetin e tyre të vërtetë.
Çerkezëve u është ngushtuar shumë rrethi familjar dhe martesat bëhen kryesisht me shqiptarët. Ata mendojnë se gjuha çerkeze do të vdesë bashkë me çerkezët e vjetër. Duket se e vetmja shkëndijë e ruajtjes së identitetit të çerkezëve të shqiptarizuar do të mbetet kontakti me kushërinjtë që u vendosën në krahinën kaukaziane të Adigeit, pas luftës së fundit në Kosovë.

Çerkezët e Kosovës u rikthyen në Kaukaz

Grupit të 43 çerkezëve nga Kosova, që u vendosën në republikën ruse të Adigejit pas luftës së fundit në Kosovë, iu dhanë pasaportat ruse, duke u premtuar se afër kryeqytetit të kësaj republike ruse, Majkop, do të ngrihet një koloni e veçantë e projektuar për këta refugjatë me emrin Fshati i Lumtur. Atyre u ishte premtuar se do t’u jepej nga 3 hektarë tokë për familje.

MASAKRAT SERBO-MALAZEZE NË SHQIPËRINË E VERIUT, 100 VITE MË PARË

Xhenet SULA

marshimidrejttivarit1945Në fund të majit të vitit 1913, kur fuqitë e mëdha u kërkuan trupave serbo-malazeze, që të tërhiqeshin nga Shqipëria qendrore dhe veriore, këta nga zemërimi se po humbitnin portet e Shkodrës dhe atë të Durrësit, gjatë tërheqjes lanë prapa një seri shkatërrimesh. Kështu, pasi tërhiqen me trupat e tyre nga “dritarja e hapur drejt botës” më 20 shtator, ushtria serbe mori me vete të gjithë gjedhet e malësisë së Dibrës. Ata barinj që u kundërvunë, që rezistuan dhe luftuan, u vranë. Serbët vranë gjithashtu, dy prijës të fisit të Lumës, Mehmet Ademin e Xhafer Elezin, plaçkitën dhe dogjën të gjithë fshatrat që gjendeshin gjatë rrugës së tërheqjes së tyre. Në të gjithë këto fshatra, ata kryen akte masakrash të tmerrshme e dhunime grash, fëmijësh e pleqsh. Shumë familje myslimane nga këto fshatra, duke përfshirë gratë dhe fëmijët, u masakruan pa mëshirë.
Në fshatin Procastit, ushtarët serbë rrëmbyen gjithë burrat e i çuan jashtë fshatit dhe pastaj, i dërguan gratë e tyre atje, që t’u merrnin paratë, si shpërblim (gjobë) për lirimin e tyre. Burrat i kishin mbyllur në xhami, të cilën e bombarduan me predha duke e hedhur në erë me 4 predha. Në fshatin Sulpit, 73 shqiptarë, pësuan një vdekje të tmerrshme, kurse 57 të tjerë nga fshati Colopek u vranë në mënyrën më makabre. A nuk ishte prefekti i Kushevës, ai që kur ushtria serbe u kthye nga kufiri shqiptar, u kërkoi atyre, që të digjnin të gjithë fshatrat që ndodheshin midis Krushevës dhe Ohrit?! Për këto masakra dhe shumë krime të kryera nga ushtarët serbë asokohe, citohej dhe një letër e një ushtari serb, që u botua më 22 tetor të vitit 1913. Në këtë letër, shkruhej: “…do t’ju tregoj për gjërat e tmerrshme që po ndodhin këtej. Jam tmerruar prej tyre dhe vazhdimisht, pyes veten, se si mund të bëhet njeriu kaq barbar, sa të kryejë mizori të tilla. Është e tmerrshme. Nuk ma mban goja të them më shumë, por mund t’ju them, se Luma (një fshat shqiptar anës lumit me të njëjtin emër) nuk ekziston më. Më tej, ai vazhdon: “Nuk kanë mbetur veçse kufoma, pluhur e hi. Ka fshatra, me 100, 150 dhe 200 shtëpi, ku nuk gjendet më këmbë njeriu. Njerëzit i mbledhin në tufa me nga 40-50 vetë dhe pastaj i shpojnë me bajoneta, deri tek i fundit. Bie erë gjaku e plaçkitjeje, gjithandej. Dhe në mbyllje të letrës së tij, ai thekson: “…oficerët u thanë ushtarëve, që të shkonin në Prizren dhe të shisnin bagëtitë e vjedhura. Kurse, në mes të tetorit 1913, një ushtri serbe prej 60 mijë vetësh, shkretoi krahinën e Dibrës, Strugës, Liqenit të Ohrit e Gollobordës në Shqipërinë qendrore, si dhe Gashin, Krasniqin e Valbonën, në veri”.
Ja se si i përshkruan: B. Peel Uillet, një agjent i ndihmës amerikane, raportin rreth vëzhgimeve të tij: “Në Shqipërinë Veriore, trupat serbe e malazeze shkatërruan njëqind fshatra pa paralajmërim, pa asnjë provokim prej banorëve dhe pa kurrfarë arsyeje. Afro 12 mijë shtëpi u dogjën, ose u hodhën në erë, 8 mijë bujq u vranë, ose u dogjën të gjallë, 125 mijë mbetën pa strehë. Gjithë bagëtinë e rrëmbyen. Kështu bën dhe me drithërat e sapokorrur. Bujqit, si kafshë të përndjekura, merrnin arratinë për në Elbasan, Tiranë, Shkodër e fshatra të largëta. Tek sa kthehesha nga një udhëtim pjesërisht të bërë në këmbë, përmes këtyre zonave të goditura, pashë fshatra të rrënuar dhe shtëpi të djegura, ose të hedhura në erë. Pashë refugjatë të uritur, pashë gra e fëmijë që vdisnin nga uria. Vëzhgimet e tij, Komisioni “Karnegei” i përmblodhi si më poshtë: “…Trupat e rregullta serbe e malazeze, nuk lanë gjë pa bërë, që nga dita e parë kur pushtuan Shqipërinë, me qëllim që t’i detyronin banorët të linin kombësinë e tyre, ose të shtypnin me egërsi “racën shqiptare”. Këto akte mizore, që përdornin ushtarët serbo-malazezë, theksonte komisioni “Karnegei” e kanë qëllimin, që të transformojnë rrënjësisht karakterin etnik, të rajoneve të banuara dikur vetëm nga shqiptarë. Ky ishte pikësynimi, që të katër shtetet, të pakënaqur nga Porta e Lartë, e cila njohu autonominë administrative shqiptare, serbët dhe malazezët e së bashku me ta dhe dy shtetet e tjera, si Bullgaria e Greqia, formuan një “Aleancë Ballkanike” mes tyre dhe bën një marrëveshje të fshehtë, për ndarjen e Shqipërisë midis tyre. Dhe më pas, i shpallën luftë Turqisë, më 8 tetor 1912. Me pretekstin “e luftës kundër Turqisë” ata pushtuan Shqipërinë.
Dhe pa kaluar asnjë ditë, më 9 tetor 1913, dëgjohet krisma e parë e Luftës Ballkanike, që u realizua nga trupat malazeze, të cilat kaluan kufirin verior të Turqisë, duke rrethuar Kalanë e Shkodrës. Kurse serbët, pasi përzunë turqit nga Shkupi, u futën për në Shqipëri, në dy drejtime. Drejtimi verior, kalonte nga Prizreni, Gjakova dhe Mirdita, deri në Lezhë e Durrës. Ushtria serbe, sa arriti në Durrës, pa flamurin shqiptar të ngritur, komandanti i tyre dha urdhër që të sulmonin dhe pushtonin Durrësin. Dhe me një gjest nervozizmi, ai uli flamurin shqiptar në selinë e qeverisë, e cila kishte shpallur vetë-qeverisjen shqiptare dy ditë më parë, konkretisht më 26 nëntor dhe ngriti flamurin serb. Pas ngritjes së flamurit, ushtarët e tij vërshuan drejt detit dhe duke ngulur shpatat e zhveshura në ujë, thërrisnin m histeri “Zhiveo! Zhiveo!”. Në këtë mënyrë, serbët gjetën në Durrës “portin e tyre” aq shumë të ëndërruar në Detin Adriatik të cilët nuk arritën dot që ta merrnin dhe ta bënin të tyre, falë përpjekjes, qëndresës dhe luftës që bëri populli shqiptar, për të mbrojtur dhe ruajtur trojet e tij shekullore.

UDHËZUES PËR TË NJOHUR SERBËT PËRPARA SE TË BISEDOSH ME TA*


Pjetër Arbnori
Pjetër Arbnori
Mënyra se si të futen shkjetë në shtëpi është e veçantë. Ata s’bëjnë kurrë luftra të mëdha, veç të vogla. Të madhen e bëjnë kur e dinë se të kanë mirë përfund. Kur s’mund të të thyejnë futen si bujq, shërbyes, skllevër. Vetëm sa të fusin kokën. Por në atë çast kur janë të sigurtë për fitoren, shpërthejnë luftën shkatërrimtare pa pyetur për asnjë marrëveshje që kanë nënshkruar vetë. Vini re se ç’bëjnë kur shkelin në një vend të huaj: Ata s’pyesin kurrë si quhet qyteti, lumi, mali a fusha. Shohin në shpat të një mali një qytet me shtëpi të bardha, ia vënë emrin Berat[1]; përshkojnë një fushë të madhe, e quajnë Velipojë[2]; kalojnë një lumë të rrëmbyeshëm, e pagëzojnë Bistricë[3]; i ngjiten një mali të zhveshur, e thërrasin Gollobordë[4]; pushojnë tek një burim i zi, e quajnë Çorovodë[5]… Dhe s’e kanë për gjë të ta ndërrojnë edhe emrin që të ka vënë nuni, duke e përkthyer nashke. Kur emri është i papërkthyeshëm të ngjisin prapa një “viç” që ta kesh në vend të bishtit gjithë jetën. Me turrin e parë të marrin plaçkën a tokën që i kanë vënë syrin. Po t’u thyesh hundët, tërhiqen menjëherë: “Keqkuptim, keqkuptim!” thërrasin. Nëqoftëse mjaftohesh me protesta, të nxjerrin argumente nga më të pabesueshmit. Po t’i kërcënosh, e presin hovin e të thonë: “Ne jemi për paqen, ne jemi për bisedime, le t’i shtrohemi pleqnisë”. Po e hëngre të bisedosh me ta, e tjerrin punën tortë, sa të vjen te hunda. N’u tregofsh i fortë ndër bisedime, ata lidhin paqe me ty. Por si rezultat i paqes ata s’dalin kurrë me humbje, se ti harron që në sofër të bisedimeve është malli yt, jo i tyre. E shumta, e shumta ata do të humbasin atë që të kanë grabitur në fillim, gjë që s’është humbje ose pranojnë ta ndajnë thelën përgjysmë me ty dhe atëherë të thonë me të qarë se po bëjnë një sakrificë për hir të paqes. Kështu ndahen me fitim dhe përgatiten për një grabitje të re edhe më të madhe. Një këso paqeje kanë nënshkruar kohët e fundit edhe Uroshi i Dytë me perandorin e Bizantit Andronik[6], duke vënë në sofër të bisedimeve trojet tona. Ata kanë vendosur të njohin Shkumbinin si kufi midis dy shteteve dhe të pushojnë luftimet. Kjo paqe midis tyre domethënë luftë kundër nesh; ky kufi i caktuar në Rashë e në Kostandinopol këput në mes fisin e Arbnit dhe bën të huaj për njëri-tjetrin veriun e jugun tonë.




* Shkruar në burgun e Burrelit, 1982.
[1] Berat – Beli grad – Qytet i bardhë.
[2] Velipojë – Veliko polie – Fusha e madhe.
[3] Bistricë – Bistri – I shpejtë.
[4] Golloborda – Gollo brdo – Mal i zhveshur.
[5] Çorovoda – Crna voda – Ujë i zi.
[6] Paqja e Shkumbinit më 1299.

ÇERKEZËT PËRPIQEN QË TË RUAJNË KULTURËN E TYRE

Muhamed BRAJSHORI

çerkezët
Çerkezët u shpërndanë nga Rusia në disa vende në shekullin e 19-të, me popullsinë më të madhe që jeton në Turqi. [Shoqata e Çerkezëve të Ankarasë]
Më shumë se 150 vjet pasi u shpërndanë nëpër Ballkan nga Rusia, çerkezët janë asimiluar në disa vende dhe druajnë se janë në rrezik të humbjes së gjuhës e kulturës së tyre.
Ndonëse nuk ka të dhëna të rregjistruara, 3 deri 5 milionë çerkezë përllogariten të jetojnë në Turqi, me popullsi në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni. Çerkezët që janë më së shumti muslimanë suni, u zhvendosën nga territori i tyre përgjatë Detit të Zi pas një lufte me Rusinë në mes të shekullit të 19-të.
Gjatë konfliktit të 1999-tës në Kosovë, disa familje çerkeze u kthyen në Rusi gjatë një programi riatdhesimi nga qeveria ruse. Sot ka rreth 2,000 çerkezë në Kosovë, që janë integruar në popullsinë vendase shqiptare.
“Problemi është se nuk flas aq shumë çerkeze, ndërsa fëmijët e mi, përveç disa fjalëve nuk janë në gjendje të kenë idenë sesi ishte gjuha jonë,” tha për SETimes Sadije Shyqa, 51 vjeç, një mësuese nga Prishtina. “Im atë e im gjysh më flisnin shumë sesi erdhëm në Kosovë dhe për traditën tonë, por ndërsa brezat e vjetër e mbanin atë, nisën t’a humbasim e më e mira do të ishte në qoftë se mund të kishim një arsimim në gjuhën tonë apo diçka që do do të mbronte kulturën e gjuhën tonë.”
Ka patur pak përpjekje në Kosovë për të ruajtur kulturën dhe gjuhën çerkeze. Shyqa, burri i së cilës është shqiptar, tha se ajo nuk kishte pasur vështirësi të asimilohej.
“Kurdoherë ndjehesha pjesë e komunitetit shqiptar, ashtu siç bëri po ashtu familja ime. Jemi rritur me traditën shqiptare gjithashtu dhe kjo nuk përbënte një problem,” tha Shyqa.
Çerkezët kanë formuar organizata të shumta të shoqërisë civile në Turqi. [Shoqata e Çerkezëve të Ankarasë]
Çerkezët kanë formuar organizata të shumta të shoqërisë civile në Turqi. [Shoqata e Çerkezëve të Ankarasë]
Abdulla Korra, 69 vjeç, një pensionist që jeton pranë Tiranës, tha se është në dijeni të origjinës së tij, por tha se çerkezë të tjerë që jetojnë në Shqipëri janë asimiluar me popullsinë vendase. Ai shtoi se midis elementëve kulturorë që kanë humbur është rritja e kuajve. Para se të shpërnguleshin nga Rusia, çerkezët rritnin kuajt Kabarda, të njohur për qëndresën e aftësinë e tyre për t’u përshtatur në terrene të thyer.
“Stërgjyshërit tanë na kanë thënë se vijmë nga Kaukazi… Kemi trashëguar traditën e mbarështimit të kuajve. Rrisnim kuaj, por brezi i ri nuk e bën më këtë sepse nuk bëjnë para me këtë punë,” tha Korra për SETimes.
Korra tha se familja e tij praktikon islamin, por nuk mund t’a ruante gjuhën.
Biljana Sikimiç, bashkëpunëtore e lartë kërkimore në Institutin për Studimet Ballkanike të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, tha për SETimes se perceptimet historike të çerkezëve si “rrufjan, mizorë, të papërshtatur,” janë zhdukur krejtësisht nga kujtesa historike e serbëve e shqiptarëve të Kosovës.
Sikimiçi tha se çerkezët sot janë parë si “një popull shumë i përsosur, artizanë të aftë.” Ajo shtoi se nuk kishte martesa të përzjera midis çerkezëve e serbëve dhe se as serbët, as shqiptarët nuk flasin gjuhën çerkeze.
Në Turqi, çerkezët themeluan dhjetëra organizata të shoqërisë civile për të vazhduar kulturën e tyre dhe për të mbajtur veprimtari e konferenca. Prapë, shumë nuk e e përcaktojnë veten si çerkezë.
Ka një lëvizje në Turqi për të krijuar një mjedis ligjor dhe praktik për të ruajtur vlerat e tyre kulturore dhe për t’u bërë më të dukshëm në shoqëri. Komuniteti pret gjithashtu se kushtetuta e re e Turqisë do të sigurojë të drejtën e vetë-shprehjes së të gjithë grupeve kulturore.
“Transmetimi në programet e gjuhës çerkeze në radio dhe televizionin shtetëror TRT është shumë i pamjaftueshëm. Çdo javë ka vetëm një program për gjysmë ore dhe kohët e fundit nisën të transmetojnë të njëjtin program përsëri e përsëri,” tha për SETimes Erdogan Boz, nga Shoqata e Çerkezëve të Ankarasë.
Gjuha çerkeze është miratuar si një lëndë me zgjedhje në sistemin e shkollës publike të Turqisë, por shkollat duhet të kenë së paku 10 nxënës të interesuar për të hapur një lëndë të tillë.
“Gjuha jonë, si një element i rëndësishëm i kulturës sonë, kërkon një status ruajtje,” tha Bozi. “Për aq sa njerëzit nuk mund të flasin gjuhën e tyre të origjinës në shkolla, gjha jonë do të rrezikohet. Për çdo fjalë që humbasim në gjuhën çerkeze, humbasim një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore.”
Në Turqi, vetëm 30,000 flasin gjuhën çerkeze si gjuhë të tyre kryesore, ndërsa vetëm 300,000 e dinë gjuhën, tha Bozi.
Çerkezët në Turqi mbajnë mbiemrat e tyre të origjinës me qëllim që të mos humbasin kontaktin me njerëzit me origjinë çerkeze që jetojnë jashtë vendit.
“Në fshatrat e qytetet e vegjël të Turqisë komuniteti jetonte më afër. Por sapo shumica e komunitetit emigroi në qytetet e mëdha, nisën të asimilohen në shoqërinë më të madhe, duke humbur origjinën e tyre në një periudhë kohore shumë të shkurtër,” tha Bozi.
Korrespondentët Menekshe Tokjaj në Stamboll, Ivana Jovanoviç në Beograd dhe Erl Murati në Tiranë kontribuan për këtë raport.

RIBËRJA POLITIKE E BALLKANIT DHE NACIONALIZMI SHQIPTAR


Dr. Dritan Egro
Dr. Dritan Egro
Qysh në fillim të shekullit XVIII Rusia dëshmoi se jo vetëm gjeografikisht ishte pjesë e Europës, por edhe më pas do të ishte një zë i fuqishëm në zhvillimet politike europiane, madje një zë përcaktues edhe për fatin e mëtejshëm të Perandorisë Osmane dhe për ecurinë e historisë së Ballkanit në shekujt XVIII-XIX, madje deri në fillimin e Luftës I Botërore. Rusia e Pjetrit të Madh qysh në vitet e para të shek. XVIII filloi të nxisë lëvizjet separatiste të popujve të Ballkanit për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane, pjesë e rëndësishme kjo e projektit rus për të zbritur në ujërat e ngrohta të Mesdheut. Projekti i saj ekspansionist kishte për objektiv përfundimtar marrjen e Stambollit osman dhe ringjalljen e Bizantit. Ndërhyrja e Rusisë në zhvillimet politike europiane, në vitin 1696, në favor të shteteve të Europës Perëndimore ndërsa Vjena ishte e rrethuar nga osmanët, ishte një nga faktorët që përcaktoi prishjen e balancës së fuqisë në Europë. Kjo ngjarje është shumë e rëndësishme për historinë e Ballkanit, pasi shënoi hapin e parë që më pas do t’i hapte udhë procesit të ndryshimit të statukuosë gjeopolitike në territoret ballkanike të Perandorisë Osmane, proces i cili gjeti fundin e tij me Luftrat ballkanike dhe më pas me Luftën I Botërore. Qysh në vitin 1712, kur trupat ruse i mundin ato osmane në betejën e Prutit, malazezët vendosin kontakt me carin Pjetër i Madh për një aleancë politike kundër shtetit osman bazuar në besimin ortodoks dhe në prejardhjen e përbashkët sllave. Në vitin 1759 ishin shkodranët katolikë e ortodoksë që iu drejtuan careshës ruse Elisabeta për ndihmë. Të njëjtën gjë bënë edhe himarjotët në 1759. Me këto veprime të karakterit separatist shënohen hapat e parë politikë të popujve të Ballkanit për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane. Vatrat e para që ishin të gatshme për t’u ngritur kundër sundimit osman në Ballkan, siç e dëshmojnë edhe dokumentet e arkivuara në arkivat ruse, ishin disa rajone të krishtera ballkanike, të cilat e kishin njohur vendosjen e sundimit osman, por, më së shumti, për shkak të veçorive të terrenit e për pasojë edhe të produktivitetit të ulët ekonomik, shteti osman u kishte njohur autonomi fiskale (venomet). Ishin këto rajone që autonominë e tyre fiskale dhe fetare gradualisht e shndërruan në autonomi kulturore dhe ishin të gatshme që me mbështetjen e Fuqive të Mëdha të kohës ta shndërronin atë edhe në autonomi apo pavarësi politike. Te kjo autonomi fiskale e njohur dhe e akorduar nga vetë shteti osman i kanë fillesat institucioni i kapidanit dhe i bajrakut. Këtu do të rreshtonim Malin e Zi, Malësinë e Madhe, Mirditën, Pukën, Himarën, Sulin dhe krahinën e Manit në Peloponez. Letrat e ardhura nga Ballkanit ishin kërkesa për ndryshimin e statukuosë politike në rajon, duke kërkuar mbështetje tek një fuqi e cila kishte filluar të dëshmonte me veprime në terren se e kishte fuqinë ushtarake për t’i dhënë rajonit një konfiguracion të ri politik. Beteja e Prutit e vitit 1712 ishte dëshmia e parë e avancimit rus drejt ujërave të ngrohta të Mesdheut. Këtu nuk është fjala për kërkesa të natyrës “romantike” apo “aventuriere” që vinin nga Ballkani, por për kërkesa që do të t’i shërbenin Rusisë si pretekst për të zgjeruar ekspansionin e saj politik, të krishterë, në një hapësirë politike që sundohej nga një dinasti myslimane. Fuqia ruse që po i imponohej shtetit osman u vërejt jo vetëm nga komunitetet fetare të krishtera të Ballkanit, por edhe nga krerët e pashallëqeve që, më së shumti, ishin krijuar në territoret e banuara nga popullsi shqiptare si rezultat i dobësimit të kontrollit të pushtetit qendror. Pashallëqet e Janinës dhe të Shkodrës, të kryesuara nga familje shqiptare myslimane, tentuan shkëputjen nga shteti osman, për t’i hapur rrugë krijimit të bërthamave shtetërore të pavarura në rajon. Kjo është edhe dëshmia më e qartë e faktit se procesi i kësaj kohe i separatizmit nga shteti osman ishte një fenomen i dyfishtë: i krishterë dhe mysliman; veçse ndërsa komunitetet e krishtera iu dorëzuan pakushte Rusisë duke kërkuar ndihmë për shkëputje, krerët e pashallëqeve kërkuan marrëdhënie partneriteti, pra favore të ndërsjella që të dyja palët të plotësonin ambiciet e tyre politike. Por, ndërsa mori nën sqetull mbrojtjen e popullsive ortodokse osmane, ai ishte Rusia e gatshme të mbështeste “rebelët” myslimanë që kërkonin shkëputje nga Perandoria Osmane? Konvertimi masiv në Islam i hapi rrugë paragjykimit të Fuqive të Mëdha për shqiptarët. Popullsinë myslimane shqiptare Fuqitë e Mëdha do ta barazonin me atë turke dhe më pas do ta konsideronin si mbetje të osmanëve në Ballkan, që më së paku politikisht nuk duhej përkrahur në aspiratat e saj për pavarësi, kurse në rastin më të mirë duhej zhdukur nga harta e Ballkanit. Ali Pashë Tepelena, ndonëse pasha mysliman, në përpjekjet e tij për t’u shkëputur nga shteti osman nuk ngurroi të vendosë lidhje, madje edhe të kërkojë mbështetjen ruse për realizimin e planeve të tij separatiste. Por Rusia nuk ishte e predispozuar t’i ofronte mbështetjen e saj një pashai mysliman. Në këtë kohë, feja përbënte dimensionin më strategjik të bashkëpunimit dhe të mbështetjes për popujt e vegjël të Ballkanit. Realizimi i projektit rus për ringjalljen e Bizantit do të kalonte përmes nxitjes në Greqi të një rebelimi kundër shtetit osman. Tentativa e parë e vitit 1770 gjeti jetësimin e saj me kryengritjen e Moresë. Ajo nuk pati sukses, por me Traktatin e Paqes së Küçük Kaynarca-s (1774), Perandoria Ruse fitoi të drejtën që të “mbronte” qytetarët ortodoksë të shtetit osman, çka i hapi rrugë procesit që shtetas ortodoksë të Ballkanit osman të përgatiteshin në zyrat e administratës ruse dhe më pas të zinin edhe pozita të larta në hierarkinë shtetërore, civile dhe ushtarake ruse: ministri i jashtëm rus, Kapodistria, u bë edhe Kryeministri i parë i shtetit modern grek. Autonomia e Serbisë në 1815 dhe pavarësia e Greqisë në vitet 1829-1830 janë raste par excellence në ecurinë e procesit të shkëputjes së territoreve ballkanike nga Perandoria Osmane, proces i cili rrënjët e tij i kishte qysh në dekadat e para të shekullit XVIII. Madje këto dy ngjarje ndikuan fort mes popujve të tjerë, të krishterë e myslimanë, të Ballkanit. Këto ndryshime me pasoja të pakthyeshme gjeopolitike e orientuan elitën politike myslimane në Shqipëri që jo vetëm ta formulonte dhe ta artikulonte mendimin e saj politik për shkëputje nga Perandoria Osmane, por edhe të ndërmerrte hapa politikë, taktikë dhe luftarakë, në këtë drejtim. Fillimisht krerët shqiptarë u larguan nga fronti osmano-grek i luftës, kurse më pas filluan të organizohen mes tyre dhe në vitet ’30 ia filluan kryengritjeve të armatosura. Parë në këtë kontekst, realiteti i brendshëm perandorak osman dhe koniunktura e re gjeopolitike euro-aziatike ishin faktorët kryesorë që përcaktuan ecurinë e lëvizjes nacionaliste dhe të proceseve kombformuese e më tej shtetformuese te shqiptarët. Etapa e separatizmit, si fazë e hershme dhe përgatitore e lëvizjeve nacionaliste ballkanike, duhet vlerësuar si pasojë e ndryshimit të balancës së fuqisë në Euro-Azi dhe kryesisht fillimit të vënies së jetë të projekteve ambicioze të politikës së jashtme ruse. Imponimi Perandorisë Osmane i autonomisë për Serbinë dhe i pavarësisë së Greqisë janë fakte të mjaftueshme për të konfirmuar idenë se si Rusia ashtu edhe fuqitë e tjera europiane ishin të prira të ndihmonin elementin e krishterë në Ballkan, pasi duke qenë se ky element nuk ndante të njëjtin besim me sunduesin, shkëputjen e tij mund ta realizonte politikisht më e lehtë. Por këto hapa shënojnë njëkohësisht edhe fillimin e procesit të disintegrimit të shtetit osman në Ballkan. Nga ana tjetër, tentativat shqiptare, fillimisht përmes pashallëqeve dhe më pas përmes krerëve të familjeve të fuqishme për t’u shkëputur në dekadat e para të shek. 19, natyrisht që nuk do të lejoheshin në mënyrë paqësore nga Shteti Osman. Likuidimi fizik i Ali Pashë Tepelenës dhe ai politik i Bushatllinjve, i shoqëruar me shpërbërjen e pashallëqeve, ishte treguesi më i qartë se shteti osman nuk do të lejonte në asnjë mënyrë shkëputjen e territoreve ballkanike që banoheshin nga popullsi myslimane, pasi një realitet i tillë do t’i jepte fund sundimit osman në rajon. Ndryshimet gjeopolitike që kishin filluar në Ballkan në dekadat e para të shek. 19, me krijimin e Serbisë autonome dhe të Greqisë së pavarur, elita shqiptare i konsideronte si zhvillime politike të pakthyeshme. Duke qenë pjesëmarrës dhe ndjekës të mirë të zhvillimeve politike në Greqi, elita e fuqishme shqiptare nën kryesimin e Ismail bej Vlorës u mblodh në Berat për të diskutuar për të ardhmen e trojeve shqiptare, ndërkohë që Greqia po finalizonte aktin e krijimit të bërthamës fillestare shtetërore. Eliminimi fizik i Ismail bej Vlorës dhe i krerëve të tjerë shqiptarë në Manastir treguan se shteti osman do të vepronte ashpër kundrejt çdo kërkese për shkëputje që do të vinte sidomos nga drejtues lokalë myslimanë. Letra e Ismail bej Vlorës (gjyshi i Ismail Qemalit, nëntor 1828) drejtuar krerëve shqiptarë është dëshmi e faktit që tek elita shqiptare e kohës jo vetëm që kishte lindur mendimi për krijimin e një bërthame për krijimin e një bërthame shtetërore të pavarur nga Perandoria Osmane, por ajo ndihej e aftë që këtë mendim ta materializonte në terren nëpërmjet një veprimi të organizuar politik. Madje, letra e Silahdar Iljas Podës drejtuar Ismail bej Vlorës, në gusht 1828, ku i propozon një aleancë politike mes dy familjeve të tyre, shënon lindjen e mekanizmit të parë politik që do të shërbente si bazë për hapat e mëtejshëm politikë që do të hidheshin në Berat në fund të këtij viti dhe që si objektiv final të tij kishin shkëputjen nga Perandoria Osmane dhe krijimin e një bërthame shtetërore shqiptare në Ballkan. Kryengritja e vitit 1847 me qendër në Labëri duhet vlerësuar si përpjekja e fundit shqiptare për shkëputje nga Perandoria Osmane. Duke parë agresivitetin e fqinjëve që kërkonin të zgjeroheshin në toka të banuara historikisht nga shqiptarët pas kësaj tentative të fundit familjet shqiptare hoqën dorë nga përpjekjet për shkëputje nga Perandoria Osmane. Mahmut bej Vlora (babai i Ismail Qemalit), një nga organizatorët e kryengritjes së vitit 1847, në vitin 1853-4 u rreshtua krah trupave osmane në Thesali për të frenuar përparimin e ushtrisë greke, e cila u hodh në ofensivë jashtë kufijve të shtetit të pavarur duke përfituar nga angazhimi osman në Luftën e Krimesë. Për herë të parë elita shqiptare u ndje e kërcënuar nga fqinjët dhe u shty drejt zgjedhjeve të detyruara, mes Perandorisë Osmane dhe fqinjëve, për përcaktimin e rrezikut më të vogël për ekzistencën e saj. Për shqiptarët filloi koha e kërcënimit të trojeve etnike. Publikimi i doktrinave nacionaliste ballkanike në vitin 1844, respektivisht greke (Megalidea) dhe serbe (Nacertanije), shënojnë një ndryshim cilësor në jetën ideologjike dhe politike të Ballkanit. Dy popuj që falë mbështetjes së Fuqive të Mëdha ishin pavarësuar apo kishin hedhur hapa të rëndësishëm për shkëputje nga Perandoria Osmane, tashmë zyrtarisht po hynin në epokën e kombformimit. Që nga ky moment, feja, përtej një elementi identifikues për një individ apo grupim social, filloi të përdorej si një instrument politik e diplomatik në kërkim të trojeve të fqinjit në Ballkan. Kryengritja Labërisë, e vitit 1847, shënon momentin e parë kur nga drejtuesit e kryengritjes u kuptua nevoja që në veprime me karakter politik dhe ushtarak të merrnin pjesë shqiptarët e të gjitha besimeve fetare, madje duhej fituar edhe mbështetja e klerit ortodoks. Një nga shtetarët më të rëndësishëm osmanë të shek. 19, Ahmet Xhevdet Pasha, në vitin 1861 erdhi personalisht në Shkodër, dhe me cilësinë e emisarit të posaçëm të sulltanit hartoi një raport të detajuar për situatën në vilajetin e Shkodrës dhe më gjerë. Mes të tjerash ai shkruan: “Pjesa dërrmuese e popullsisë myslimane të qytetit të Shkodrës përbëhet nga popullsi malësore që ka zbritur nga Malësia dhe ka pranuar fenë islame; por kjo popullsi nuk e ka humbur sensin e gjindjes dhe të prejardhjes së hershme të saj, pasi edhe sot thirren me emrin e asaj malësie prej nga ata kanë zbritur. … Ngaqë lidhjet fisnore i kanë ende të fuqishme ndodh shpesh që ata së bashku me familjet e tyre të shkojnë e të vizitojnë vendet e të parëve të tyre, kurse kushërinjtë e tyre katolikë të zbresin në Shkodër dhe të shkojnë si mysafirë tek kushërinjtë e tyre myslimanë. … Malësorët në shumicë janë katolikë dhe administrativisht varen nga paria myslimane e qytetit, por ngaqë vishen me veshje të njëjta dhe ngaqë sjelljet e tyre janë të njëjta është e pamundur të dallosh se cili prej tyre është katolik dhe cili mysliman.  …. Bazamenti i lidhjes dhe i bashkimit mes malësorëve katolikë dhe myslimanë është ndjesia e përbashkët etnike dhe patriotizmi, dhe për shkak se jetojnë gjithë kohën bashkë janë vëllezër e miq për kokë. Në vilajetin e Shkodrës nuk bëhet fjalë për ndasi fetare, por për ndasi etnike”. Projekti rus për t’i dhënë fund shtetit osman dhe për të shtënë në dorë Stambollin solli me vete rritjen e ndikimit rus në Ballkan dhe, për pasojë, edhe luftën ruso-osmane. Shteti osman nxitoi të bënte paqe me Rusinë në Shën Stefan, shumë pranë Stambollit, në mars të vitit 1878. Falë mbështetjes ruse, në Ballkan u krijua një shtet i stërmadh bullgar. Në rajon u prishën ekuilibrat e Fuqive të Mëdha. Ato, në mënyrë të menjëhershme, thirrën një kongres ndërkombëtar, që u mbajt në Berlin në qershor 1878. Qëllimi ishte më se i qartë: të frenohej Rusia në projektin e saj për të zgjeruar ndikimin sllav në Ballkan. Gjithsesi, në Ballkan filloi pazari i tokave. Për herë të parë në historinë moderne, shqiptarët e ndjenë se fuqia e shtetit osman nuk ishte më e mjaftueshme për t’i mbrojtur tokat mbi të cilat kishin jetuar për shekuj. Po ashtu, për herë të parë shqiptarët u përballën jo më me rrezikun, por me realitetin e shkëputjes së trojeve etnike shqiptare. Nga ana tjetër, Perandoria sponsorizoi çështjen shqiptare pasi tanimë e pa veten të pafuqishme për t’i mbrojtur territoret e saj të banuara nga shqiptarët, pasi në rajon filloi pazari i trojeve. Që nga ky moment çështja shqiptare nuk është më çështje e brendshme e Perandorisë Osmane. Pas vitit 1878 çështja shqiptare ndërkombëtarizohet dhe hyn si problem në kancelaritë e Fuqive të Mëdha. Në këtë moment të vështirë krerët politikë shqiptarë u mblodhën në Prizren dhe themeluan Lidhjen e Prizrenit, por ata e dinin fare mirë se fati i mëtejshëm politik i shqiptarëve ishte i lidhur fort edhe me faktin që shumica e popullsisë ishte myslimane dhe ajo do të trajtohej e lidhur ngushtë me fatin e vetë Perandorisë Osmane. Pikërisht në këtë kohë, nën emrin territore osmane, trojeve shqiptare iu hoqën copa (Ulqini e Tivari) me marrëveshje ndërkombëtare. Duke e ndier se nga trupi i saj do të shkëputeshin toka, shteti osman fillimisht e stimuloi aktivitetin politik shqiptar, atë në Prizren dhe atë të intelektualëve shqiptarë në Stamboll. Pashko Vasa hartoi traktatin politik E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, të parin dokument ideologjik në nacionalizmit shqiptar. Kjo vepër pa dritën e botimin në të njëjtën kohë në Stamboll, Paris, Londër dhe Berlin, në frëngjisht, anglisht dhe gjermanisht. Në këtë dokument shpaloset për herë të parë dhe në mënyrë të plotë se kush janë shqiptarët dhe çfarë kërkonin ata. Ishte momenti që shqiptarët jo vetëm të mbronin tërësinë e tyre territoriale, por edhe t’i kërkonin Shtetit Osman autonominë e Shqipërisë, rruga për realizimin e së cilës ishte bashkimi në një i të katër vilajeteve me popullsi shumicë shqiptare. Mendjet më të mira shqiptare të kohës u shprehën në favor të autonomisë së trojeve shqiptare dhe për qëndrimin brenda ombrellës osmane, pasi rreziku që po vinte bëhej gjithnjë e më i vetëdijshëm nga fqinjët, të mbështetur nga të mëdhenjtë e politikës botërore, nuk do të mund ta garantonte ekzistencën e një shteti të pavarur shqiptar. Situata e jashtëzakonshme e krijuar dhe rreziku i copëtimit të trojeve shqiptare bëri që shumë qytete të Shqipërisë t’i dërgonin memorandume Kongresit të Berlinit. Në memorandumin që qyteti i Shkodrës, më 13 qershor 1878, i dërgonte ministrit të jashtëm britanik mes të tjerave shkruhej: “Ashtu siç nuk jemi dhe nuk duam të jemi turq, po ashtu e kundërshtojmë me të gjitha forcat tona cilindo që do të dëshironte të na bënte sllavë apo austriakë e grekë. Ne duam të jemi veçse shqiptarë! Feja e shqiptarëve mund të ketë lëvizur nga Ortodoksia te Islami dhe nga ky te Katolicizmi, por qofshin ortodoksë, myslimanë apo katolikë, shqiptarët nuk e kanë mohuar kurrë atdheun e tyre dhe duke i qëndruar me këmbëngulje besnike krenarisë për prejardhjen e tyre, kanë mbetur kurdoherë dhe kudo shqiptarë”. Ky pasazh memorandumi dërguar Kongresit të Berlinit është treguesi më i mirë nga poshtë lart i nivelit se ku kishte mbërritur shkalla e ndërgjegjes kombëtare mes shqiptarëve. Për të shkuar më tej, në Lidhjen e Prizrenit për herë të parë në një organizim politik u përfaqësuan të gjitha territoret shqiptare në një përfaqësim etnik. Të vetëdijshëm për peshën dhe rëndësinë që kishte gjuha e njehsuar, alfabeti dhe shkolla shqipe, intelektualët shqiptarë të të gjitha besimeve fetare u mblodhën në Manastir, në nëntor 1908 dhe ndërmorën hapa të rëndësishëm drejt unifikimit të alfabeteve shqip në përdorim. Kongresi i Manastirit dhe më pas hapja e Shkollës Normale në Elbasan, në 1909, shënuan hapat përgatitorë që paralajmëruan pavarësinë politike të Shqipërisë, në nëntor 1912. Kurse, përfaqësimi i të gjitha trojeve shqiptare në Vlorë për shpalljen e Pavarësisë (nëntor 1912) ishte fundi i procesit të kombformimit. Me këtë akt, konvencionalisht përfundon procesi i kombformimit te shqiptarët dhe i hapet udha procesit të ngritjes së shtetit kombëtar. Shqipëria, pavarësinë e fitoi në një nga momentet më të vështira të historisë së saj. Kjo ngjarje vërtet i dha fund një procesi kërkimi të drejtash politike nga shteti osman, proces që kishte filluar qysh një shekull më parë, por në fund ai rezultoi në rrudhjen maksimale të trojeve që do të kishte në dispozicion Shteti i Ri Shqiptar. Si produkt i momentit kur filluan luftërat ballkanike, Shteti i Pavarur Shqiptar ishte projektuar të ishte i cunguar, pasi përveç detit ai do të rrethohej nga të gjitha anët me troje të banuara po nga popullsi shqiptare. Ndryshe nga fqinjët, shqiptarët mbetën të vegjël dhe pa përkrahje.

KOMBI, DEMOKRACIA DHE EVROPA: DUKE LEXUAR VEPRËN E UKSHIN HOTIT

Enis SULSTAROVA

Një popull, ose e dëshiron realizimin e një qëllimi politik dhe për të është i gatshëm të sakrifikojë, ose nuk e dëshiron. Qëllimi politik i popullit shqiptar nuk mund të jetë tjetër pos bashkimit të tij në një shtet të vetëm shqiptar.
                                                                                                                                                                                                                                                          Ukshin Hoti
Enis Sulstarova
Enis Sulstarova
Hyrje
Falënderoj Lëvizjen Vetëvendosje! për ftesën që të marr pjesë në këtë tribunë për mendimin politik dhe filozofik të Ukshin Hotit. U jam mirënjohës, sepse më bëtë të rilexoj së fundmi dy libra të Hotit, Filozofia politike e çështjes shqiptare (Prishtinë, 1996) dhe Bisedë përmes hekurash (Tiranë: Toena, 2000), ky i fundit një bisedë e autorit të burgosur me shkrimtarin Ismail Kadare. Çdo rilexim ndryshon nga paraardhësit, ngaqë lexuesi jo vetëm kujton atë çfarë ka lexuar, por edhe mund të zbulojë gjëja të reja. Rileximi merr vlerë të veçantë atëherë kërkojmë që të gjejmë përgjigje për pyetjet që kemi për aktualitetin, aq më tepër kur ke të bësh me një mendimtar që e kanë munduar po ato pyetje që kemi ne, aq më tepër kur ke të bësh me një autor/aktivist që ka luftuar dhe është martirizuar për qëllimin që mbetet i parealizuar dhe që kërkojmë ta realizojmë: bashkimin politik të kombit shqiptar. Për sa kohë që kombi është i ndarë, përpjekja për bashkim është aktualitet dhe mendimi i Ukshin Hotit mbetet bashkëkohor.
Nuk është aspak rastësi që jemi mbledhur në Prishtinë për të diskutuar mbi mendimin e Ukshin Hotit. Sot, në Kosovë, republika është në rend të ditës, sikurse ishte në marsin e vitit 1981. Sot i jemi drejtuar atij, si personi që më shumë se kushdo mbrojti me argumente, pasion, elokuencë dhe me tërë qenien e tij drejtësinë e parullës “Kosova Republikë”. Të njëjtën parullë sot aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje! po e shpalosin nëpër sheshe, rrugë dhe ndërtesa për t’ia kujtuar qytetarëve se qeveritarët po e heqin dorë prej saj. Po heqin dorë jo thjesht për faktin se së fundmi qeveria e kryesuar nga Hashim Thaçi ka rënë dakort me Serbinë që republika të zëvendësohet nga një fundshënim në dokumentet ndërkombëtare, por më shumë prej faktit se që nga pavarësia (edhe ajo e kushtëzuar nga Pakoja Ahtisari) qeveritë nuk po bëjnë përpjekje për ta realizuar republikën së brendshmi. Kur republika nuk është më qëllimi politik, kur ajo në politikën e brendshme të shtetit mbetet vetëm në letër, atëherë është shumë e lehtë që në dokumentet ndërkombëtare të pranosh që ajo të fshihet fare.
Si jeta, por ashtu dhe krijimtaria teorike e Ukshin Hotit janë të ndërprera dhunshëm. Gjatë jetës së tij, Hoti nuk arriti që të ketë kushtet optimale për të krijuar vepra të plota teorike. Edhe kur nuk ndodhej në burg, ai ishte i veçuar nga mjediset intelektuale dhe politike të Prishtinës. Pas vitit 1981 atij iu pamundësua punësimi i përhershëm dhe jeta e qetë familjare. Libri Filozofia politike e çështjes shqiptare është një përmbledhje e artikujve të shkruar në rrethana dhe për tema të ndryshme, letrave dhe mbrojtjes së tij në gjyq. Libri tjetër, Bisedë përmes hekurash, e përmban paradoksin qysh në titull: nuk kemi të bëjmë me një bisedë normale, ballë për ballë mes dy personash, por me një komunikim në kufijtë e të pamundurës, me pyetje që i kalohen me mundime brenda në burg për fare pak kohë, dhe me përgjigjet që Hoti arrin t’i shkruajë dhe mrekullisht t’i nxjerrë nga burgu për t’ia dërguar shkrimtarit. Vepra e fragmentarizuar nuk do të thotë se idetë janë të tilla. Përkundrazi vihet re një kthjelltësi dhe vazhdimësi në argumentet kryesore të Hotit, që buron jo vetëm nga bindja e tij e palëkundur për drejtësinë e kërkesave kombëtare të shqiptarëve, por edhe nga një rrokje e thelbit të zhvillimeve ndërkombëtare të kohës së tij, që ndikuan në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Në vitet 80-90 të shekullit të kaluar, Hoti ishte dëshmitar i shndërrimeve rrënjësore në Evropë e në botë dhe ndoshta nuk e zmadhojmë vlerësimin tonë kur themi se ai, më shumë se kushdo intelektual tjetër shqiptar i atyre viteve,kuptoi drejt kahun e zhvillimeve të mëdha politike në kontinent dhe zgjidhjen e çështjes shqiptare e konceptoi brenda tyre.
Në këtë rilexim të veprës së tij, nisur edhe nga ngjarjet e fundit në Kosovë, sugjerojmë se tri ide ide janë në themel të mendimit të tij: kombi, demokracia dhe Evropa. Për këtë arsye, kumtesën e kemi organizuar në tri pjesë kryesore, të ndjekura nga një shënim përmbyllës për aktualitetin e veprës së Ukshin Hotit. Organizimi i kumtesës nuk do të thotë aspak se secila nga idetë qëndron më vete dhe e veçuar nga të tjerat; siç do ta shohim më poshtë, ato janë të pandashme dhe mbështesin njëra-tjetrën. Mund të shprehemi se kombi, demokracia dhe Evropa formojnë një trini në mendimin e Hotit, prandaj secila nga ndarjet analitike të mëposhtme vetëm sa thekson një aspekt të saj.
Kombi
Shqiptarët janë një komb, që së pari do të thotë se ata kanë një identitet. Ky identitet na është dhënë nga historia jonë në kontinentin e Evropës dhe rrjedhojë e dallimit tonë nga popujt e tjerë përreth. Vetëdijësimi për gjuhën që flasim është themeli i dallimit të ilirëve dhe vazhdimësisë së tyre me shqiptarët. Prania e kurdohershme e gjuhës u tregonte se ata i përkitnin “një kolektiviteti të veçantë që e fliste një gjuhë, e cila shtrihej në një territor të caktuar dhe kishte interesa të veçanta nga të tjerët, por mund të kishte dhe ndonjë interes të përbashkët” (Filozofia politike e çështjes shqiptare, f. 134-135; më poshtë do t’i referohemi shkurtimisht si Filozofia). Kombi është një bashkësi njerëzore që ka vazhdimësi biologjike, në këtë aspekt Ukshin Hoti nuk druhet të thotë se shqiptarët janë etnikisht të pastër, jo prej ndonjë programi politik të përmirësimit biologjik (eugjenetika) dhe as për t’u krenuar me këtë, por për faktin e thjeshtë se në histori nuk ka pasur të tjerë që të jenë deklaruar si shqiptarë, por ka pasur shumë shqiptarë të asimiluar që janë deklaruar si pjesëtarë të kombeve të tjerë (Bisedë përmes hekurash, f. 139; më poshtë do t’i referohemi shkurtimisht si Biseda). Në mungesë të dokumenteve të shkruara, vetë mbijetesa e shqiptarëve në histori, me gjithë tkurrjen territoriale të tyre në shekujt e fundit, është një dëshmi e ruajtjes së një kolektivit dhe mosdëshire, apo vullneti për t’u shkrirë me popujt e tjerë, por për të qëndruar ai që është. Forcimi i identitetit kombëtar është pjesë e detyrueshme e modernizimit dhe e përparimit material, ai është “ecje progresive drejt së ardhmes. Një ecje që nuk mohon vlerat pozitive të së kaluarës, por i inkuadron në vetvete dhe i kuptimëson në kohë” (Filozofia, f. 195).
Ruajtja e vetes është interesi jetësor i kombit. Në një botë të shteteve kombëtare, ekzistenca e kombit ruhet përmes shtetit. Historia e ka dëshmuar se shteti kombëtar është kuadri më i mirë institucional për ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kombëtar. Nuk ka shtete për hir të vetes, por për hir të kombit: “Në qoftë se është kështu për të gjithë popujt e civilizuar të botës… dhe në qoftë se jemi popull i civilizuar… atëherë nuk mund të jetë ndryshe as për ne shqiptarët” (Filozofia, f. 143). Prej këndej, Hoti argumenton se interesi jetësor (vital) i shqiptarëve është ruajtja e shtetit të formuar shqiptar (Shqipërisë) dhe bashkimi i pjesëve të ndara të kombit dhe atdheut me Shqipërinë: “çdo politikë që do të çonte drejt realizimit të qëllimit të tillë mund të cilësohet si politikë gjithëshqiptare… Brenda suazave institucionale dhe normave ndërkombëtare juridike Shqipëria është dhe duhet të jetë bartëse e një politike të tillë” (Filozofia, 77-78).
Kombet bëjnë përpjekje për të vazhduar ekzistencën e tyre, prandaj “lufta e kombeve për pushtet (fuqi) është imanente në vetë natyrën e kombit” (Filozofia, f. 41). Vullneti për t’u bërë, apo për “t’u shtetëzuar” siç e shpreh Hoti solli krijimin e Shqipërisë si shtet. Shqipërinë nuk e krijuan fuqitë e mëdha evropiane nga hiçi, por si njohje prej tyre të vullnetit të shqiptarëve: “edhe ne duhej të ishim diç, të cilit mund t’i ndihmohej. Kjo ‘diç’ ishte lëvizja politike shqiptare” (Biseda, f. 66). Ndarja e kombit shqiptar nuk erdhi si vullnet i tij, por si pasojë e gjeopolitikës evropiane. Eshtë e vërtetë se bashkimi i kombit varet sërish nga fuqitë e mëdha, por këto të fundit “nuk merren me zgjidhjen e çështjeve të tilla pa pasur interesat e veta dhe sidomos jo pa u bërë inicimi i zgjidhjes së një çështjeje të tillë nga vetë faktori politik shqiptar” (Filozofia, f. 75). Hoti mendon se vala demokratike që përshkoi Evropën në vitet 80 dhe projekti i bashkimit të saj janë kushtet që bëjnë të mundur zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, prandaj shqiptarët duhet të lëvizin drejt këtij qëllimi.
Rihapja e çështjes kombëtare shqiptare u shënua nga kërkesa për republikë në Kosovën e vitit 1981. Ajo erdhi natyrshëm si një kërkesë për përparim dhe zhvillim të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, krahas lëvizjeve që po bënin në këtë drejtim edhe popujt e tjerë jugosllavë. Ishte e qartë në atë kohë se pozita juridike e Kosovës ishte bërë pengesë për zhvillim. Përderisa konteksti ndërkombëtar nuk e lejonte ndryshimin e kufijve të Jugosllavisë, logjike ishte kërkesa për republikën brenda federatës (Filozofia, f. 135). Republika do të ishte një hap drejt bashkimit të kombit dhe njëkohësisht do të ruante dhe nuk do të rrezikonte kufijtë e shtetit ekzistues shqiptar, sipas rregullimit ndërkombëtar të vendosur nga fuqitë e mëdha.
Nuk mjafton të njihet vetëm qëllimi politik, por edhe mjeti për realizimin e tij. Hoti shkruan:
Kur një popull arrin t’i njohë jo vetëm interesat e veta, por edhe mënyrën e realizimit të atyre interesave, vetëm atëherë mund të flitet se mund të kihet shpresë dhe mbështetje për optimizëm. Por kur një popull manipulohet me parulla të ndryshme, atëherë nuk mund të flitet as për shpresë dhe as për optimizëm (Filozofia, f. 265).
Rendi ndërkombëtar i vendosur në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore nuk e lejon ndërrimin me dhunë të kufijve shtetërorë. Padyshim që kjo normë është në interesin e shteteve, mirëpo nuk duhet harruar se shtetet janë instrumente të kombeve, jo qëllime të vetvete. Prandaj është lënë e hapur mundësia e ndryshimit të kufijve me pranimin e palëve dhe me rrugë paqësore. Ne jemi dëshmitarë se aty ku interesi kombëtar nuk përputhej me ruajtjen e kufijve shtetërorë, këta të fundit ranë dhe ndarjet brenda shtetërore u kthyen në kufij të rinj sovranë. Duke pasur parasysh kontekstin ndërkombëtar, edhe Hoti shkruan se bashkimi i kombit shqiptar duhet kryer në rrugë institucionale dhe me mjete demokratike (Filozofia, f. 191). Mjet demokratik është p.sh. referendumi, i cili parashikohet në programin e Lëvizjes Vetëvendosje! Politika gjithëshqiptare duhet sinkronizuar me atë ndërkombëtare, brenda zhvillimeve ndërkombëtare në Evropë: “Ne do të bashkohemi më Shqipërinë nëse këtë do ta mundësojnë proceset evropiane… Ndryshimi i kufijve mund të bëhet vetëm si produkt i marrëveshjes së superfuqive” (Filozofia, f. 257). Por nuk mund të ketë pritje që Evropa të bëjë Republikën e Kosovës dhe më tutje bashkimin e shqiptarëve (Filozofia, f. 136).
Hoti ishte dëshmitar i shpërbërjes me luftë të Jugosllavisë dhe nga fundi i jetës së tij edhe i luftës së Kosovës. Për të, lufta erdhi për arsyen se serbët nuk deshën që ndjekin tendencën demokratike në Evropë, por iu kundërvunë asaj për të ruajtur epërsinë e tyre në Jugosllavi dhe sidomos në raport me shqiptarët që i trajtonin si një popull të nënshtruar, ngjashëm me situatën e popujve aziatikë dhe afrikanë në epokën e kolonive evropiane. Lufta ishte e pashmangshme në ish-Jugosllavi, jo sepse kombet janë luftënxitës nga thelbi i tyre, por sepse ata do të mbronin interesat e tyre me gjithë kërcënimin e luftës. Lidhur me këtë, Hoti te Filozofia shkruan se “një popull që nuk i frikësohet luftës mund të jetë vetëm i marrë, por frika e luftës kurrnjëherë, asnjë popull, nuk e ka penguar të luftojë për idealet e veta” (f. 230), kurse në bisedën me Kadarenë i mëshon faktit se “nuk është në natyrën e njeriut dhe as të kombit të pajtohet me statusin e robit” (f. 130). Lidhur me Luftën e Kosovës, ai shënon se shqiptarët e dinin se Serbia ishte sipërore në mjetet e luftës, prandaj nuk kishte kuptim të thuhej se shqiptarët ishin luftënxitës, se ata do të zgjidhnin luftën ndaj paqes. Përkundrazi, shqiptarët luftonin sepse nuk u kishte mbetur mjet tjetër për të pasur një “ekzistencë dinjitoze kolektive dhe… zhvillim të papenguar si komb brenda trojeve të veta” (Biseda, f. 137). Prandaj, ai besonte se UÇK-ja me arritjen e qëllimit të republikës së pavarur do të dinte ta mposhte edhe luftën si të tillë.
Demokracia
Sipas Ukshin Hotit, demokracia është mjet dhe vlerë. Ai shkruan se demokracia, si formë e rregullimit shoqëror, demokracia ndihmon në njohjen dhe përsosjen e njeriut, shoqërisë dhe në fund mbarë njerëzimit në kushtet e lirisë (Filozofia, 231). Për këtë arsye, ne themi se ajo është mjet për qëllime të tjera, por edhe vlerë, ngaqë përvoja njerëzore e ka veçuar më lart midis mjeteve të tjerë. Demokracia nuk është statike, por e përshtatshme sipas nevojave dhe kushteve shoqërore. Demokracia i përket popullit dhe nuk është pronë ekskluzive e elitës: “demokracia nuk mund të jetë kundër elitës, por është kundër elitizmit” (po aty). Demokracia nuk mund t’i importohet një kombi, por ajo lind nga nevojat e tij, si kërkesë për institucionalizimin e kërkesave të tij. Për këtë arsye Hoti përdor termin e “demokracisë autentike”, jo për të treguar se në Kosovë u shpik një lloj i veçantë i demokracisë, por se lëvizja për republikë është demokratike dhe nuk përbën dallim nga proceset evropianizuese tjetërkund në Evropë. Si e tillë, demokracia në Kosovë është kontribut në “zbatimin e parimeve universale, të gjithëpranueshme të demokracisë” (Filozofia, f. 231-232).
Demokracia është autoktone në Kosovë si pasojë e përpjekjes popullor për fitimin e statusit të Republikës në vitin 1981. Demokracia është mjet për lirinë, ndërsa nga ana e saj liria është një mundësi për vetëkrijim. Përderisa kërkesa për republikë ishte në vetvete një shprehje e lirë e shqiptarëve për më shumë liri dhe mundësi zhvillimi për veten e tyre, atëherë kërkesa për Republikë ishte demokratike (Filozofia, f. 116-117). Atëbotë  disa thanë se nuk është koha për të kërkuar demokraci, por për Hotin ishte pikërisht dëshira e një brezi të ri për mos e pranuar botën e tyre ashtu siç ishte: botë e sunduar nga i huaji, autoritare dhe patriarkale. Si e tillë, kërkesa për demokraci ishte brenda frymës së kohës në Jugosllavi dhe në Evropë.
Demokracinë në Kosovë nuk e lindën të tjerët, e as nuk u lind për qejfin e tyre. Ishte e ndërlidhur me proceset demokratike të Evropës dhe me synimet e tilla të njerëzimit. Demokracia në Kosovë u vetëlind në vitin 1981, do të rritet vetë, së bashku, e barabartë dhe e ndërlidhur me të tjerat (Filozofia, f. 118).
Hoti mbeti i vetëm ndër intelektualët e Kosovës që përkrahën parrullën për republikë në vitin 1981. Në një intervistë pas dhjetë viteve ai mendon se ishte udhëheqja partiake dhe elita intelektuale ato dështuan për të udhëhequr masat, edhe pse ato ishin të bindura se kërkesa ishte e drejtë. Ato kishin mbetur në pritje të premtimeve dhe masave për demokratizim të shoqërisë nga lart, duke mos besuar në fuqinë e demokracisë si mjet i qytetarëve për ndryshim (Filozofia, f. 249). Edhe sot shumë ndër elitën politike të Kosovës, një pjesë në pushtet dhe një pjesë në opozitë, mendojnë se nuk është koha për republikën sovrane, por për atë të mbikëqyrur. Prandaj nuk e mbrojnë as së brendshmi ndaj strukturave paralele serbe dhe mosrespektimit të reciprocitetit dhe as së jashtmi, duke pranuar shuarjen e “republikës” pre dokumenteve ndërkombëtare. Sërish mbivlerësohet “lart” dhe nënvlerësohet “poshtë”, duke harruar se në demokraci pushteti buron nga poshtë. Prandaj demokracia e pritur po ia lë vendin hap pas hapi autoritarizmit. Prandaj parlamenti i Kosovës është kapur në rrethin vicioz të “korrigjimit” të vetvetes: sapo merr një vendim si përfaqësues i vullnetit të popullit dhe forcimit të republikës, menjëherë prapson vendimet e tij me porosi nga lart. E më pas vijojnë “këshillat” qetësuese nga diplomatë se përmendja e republikës është e parëndësishme, anakronike, apo lojë fëmijësh. Nga të njëjtët diplomatë perëndimorë që e kanë të sigurt republikën në vendet e tyre. Nga diplomatë që kujtojnë se republikën ahtisariane ia kanë bërë dhuratë (të pamerituar) popullit të Kosovës.
Demokracia është edhe ideologjia e madhe e rendit të ri ndërkombëtar pas Luftës së Ftohtë. Mbizotërimi i Perëndimit të kryesuar nga SHBA-ja në marrëdhëniet ndërkombëtare legjitimohet nga demokracia dhe përhapja e saj në botë. Demokracia i kapërcen kufizimet kulturore dhe fetare, prandaj Rusia, shkruan Hoti nuk mund të jetë një fuqi botërore bazuar mbi ortodoksinë apo pansllavizmin (Biseda, f. 95). Në kushte të tilla, është e vështirë që nga ana teorike të kundërshtohet zbatimi i vetëvendosjes së shqiptarëve: “Cila formë e demokracisë do të mund të quhej demokratike, po qe se një populli të tërë të madh sa shqiptarët… do t’ia mohonte të drejtën e vetëvendosjes? Në emër të çkafit do ta bënte një gjë të tillë?” (Biseda, f. 105-106). Bashkimi i shqiptarëve në një shtet të vetëm sot po kundërshtohet fuqishëm nga ideja e bashkimit të Evropës. Jo vetëm nga diplomatët e huaj, por edhe nga shumica e elitave politike dhe kulturore të shqiptarëve integrimi i shteteve ballkanikë në Bashkimin Evropian paraqitet si zëvendësim i programit të bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Hoti ka argumentuar pikërisht të kundërtën, që procesi i bashkimit politik të Evropës e bën të pashmangshëm bashkimin e shqiptarëve. Integrimi evropian është, sipas tij, plotësues dhe jo alternativë e bashkimit kombëtar.
Evropa
Shqiptarët ndodhen gjeografikisht në Evropë dhe ndarja kombit në disa shtete është rrjedhojë e gjeopolitikës evropiane. Përplasja e madhe gjeopolitike në kontinent ka qenë midis grupimit të popujve gjermanë me ata sllavë dhe shtetet detare, ndërsa Britania e Madhe anonte në çaste vendimtare për të ruajtur balancën mes fuqive. Shqipëria londineze ishte kompromisi për të ruajtur paqen evropiane më 1913 dhe vazhdimi i copëtimit të shqiptarëve pas Luftës së Dytë Botërore u përcaktua nga Lufta e Ftohtë midis Perëndimit dhe Lindjes. Kjo situatë e rëndë e shqiptarëve në Evropën e fillimshekullit, d.m.th. si kurban i gjeopolitikës, Ukshin Hoti mendon se në fund të shek. XX mund të kthehet në përparësinë e shqiptarëve. Që bashkimi i Evropës të realizohet dhe të qëndrojë në të ardhmen, duhet që gjeopolitika si e tillë të kapërcehet nga shtetet evropiane. Kapërcim i saj do të thotë që nuk ekziston më arsyeja themelore për ndarjen e shqiptarëve (Biseda, f. 71-73), sikurse nuk ekzistonte as arsyeja themelore për ndarjen e Gjermanisë (Filozofia, 89). Prandaj, çështja shqiptare kthehet në një gur prove i projektit të bashkimit të Evropës:
Lufta e popullit shqiptar për të zgjidhur problemet e veta dhe çështjen e vet është pikërisht në funksion të zgjidhjes së proceseve të Evropës dhe të avancimit të proceseve të saj pozitive, përveç faktit se është edhe masë për matjen e ecurisë së tyre. Për këtë shkak dhe nga ky aspekt, shqiptarët vetëm sa po e kryejnë pjesën e vet të detyrës gjithevropiane (Biseda, f. 154).
Jo më kot shumë intelektualë evropianë ndërhyrjen e NATO-s më 1999 e quajtën si provën e Evropës së nesërme përballë Evropës së djeshme si peng i lojës mes fuqive të mëdha. Hoti nuk do të thotë se gjeopolitika në Evropë ka përfunduar, por se ajo është në agoni, në tërheqje e sipër, dhe se vdekja e saj është parakusht për integrimin evropian (Biseda, f. 105-106). Eshtë e vërtetë se as serbët dhe as shqiptarët nuk e kanë në dorë bashkimin e Evropës, mirëpo ata mund të sillen në pajtim ose në kundërshtim me integrimin. Serbët duan që pozitën e tyre hegjemoniste përballë shqiptarëve dhe popujve të tjerë të rajonit, pozitë e fituar për shkak të gjeopolitikës, ta “kontrabandojnë” edhe brenda BE-së (Biseda, f. 63), ndërsa shqiptarët me përpjekjen e tyre kombëtare nuk duan tjetër veç barazi mes kombeve, gjë që është në pajtim me projektin e bashkimit të kombeve të kontinentit, siç konceptohet p.sh. nga Edgar Morin (Filozofia, f. 87). Barazia mes kombeve evropianë është edhe kriteri kryesor që modeli evropian të jetë tërheqës jashtë Evropës dhe të shërbejë si model në botë (Filozofia, f. 125).
Pajtimin me tendencën kryesore evropiane, lëvizja kombëtare shqiptare e ka pasur qysh në vitin 1981, sepse kërkesa për republikë “në esencë ishte kërkesë për evropeizimin e Kosovës, në qoftë se fjala “evropeizim” kuptohet drejt si tendencë për barazimin dhe nivelizimin e zhvillimit në shtetet e zhvilluara të Evropës” (Filozofia, f. 135-136). Kur është kështu, atëherë përse duket sikur përfaqësuesit e BE-së sot nuk e nxisin, por e shkurajojnë përpjekjen për bashkim të shqiptarëve? Përveç efekteve të gjeopolitikës që mbeten të fuqishme akoma, një arsye tjetër, sipas Hotit është edhe frika nga e panjohura që mund të sjellë ndryshimi i kufijve mes shteteve ku jetojnë shqiptarët. Në përgjigje të kësaj frike, që është frikë e Evropës nga vetja, shqiptarët nuk duhet të përgjigjen duke shpallur se po heqin dorë prej bashkimit, por se bashkimin po e kryejnë në pajtim me parimet e lirisë, demokracisë dhe vetëvendosjes që qëndrojnë në themel të Evropës së sotme. Këtë gjë Hoti e theksonte në kohën kur në Kosovë kishte filluar lufta e armatosur kundër pushtimit serb (Biseda, 106-107).
Mendimi i Hotit priret të shquajë universalen te përpjekja kombëtare shqiptare. Pra jo bashkim paçka asaj që po ndodh në Evropë dhe në botë, por bashkim kombëtar sipas parimeve universale mbi të cilët po kryhet integrimi evropian dhe ruajtja e paqes dhe e rendit ndërkombëtar. Ai nuk e shtyp partikularizmin e çështjes shqiptare në emër të parullave universale (internacionalizmi komunist, globalizimi, integrimi evropian etj.), por e shtron detyrën kombëtare të shqiptarëve së bashku me detyrën që ata kanë ndaj bashkimit të Evropës dhe ndaj paqes e barazisë mes popujve dhe njerëzve në mbarë botën. Nëse integrimi i Evropës do të dilte nga kursi i universales dhe do të ndiqte linja partikulariste, si p.sh. shquarjen e identitetit fetar si bazë për pranimin ose jo të kombeve evropianë, atëherë Hoti përgjigjet se kjo gjë do të fuqizonte identitetin e tij kombëtar dhe evropian: “një gjë e tillë do ta përforconte mendimin tim se do të duhej të mbetesha ashtu çfarë isha dhe se nga ajo pozitë, tani, do të duhej të luftoja edhe për identitetin tim evropian, përveç atij shqiptar, në Evropë” (Biseda, 153).
Për fundin që është fillim
Qenia e Ukshin Hotit ishte e lidhur me kombin e tij. ai ishte ndër intelektualët e paktë shqiptarë që nuk e veçoi fatin vetjak nga ai i popullit. Edhe në fundin e jetës së tij ai nuk u nda nga martirizimi që po pësonte populli i tij. Ai nuk mund të ishte i lirë kur shqiptarë të tjerë po flijonin jetën për lirinë. Shkrirja e fatit vetjak me atë të popullit dhe të idealeve e bënte Hotin që në bisedën me Kadarenë të shkruante këto fjalë lapidare: “Me vrasje nuk mund të vriten të vërtetat dhe as idealet dhe as që mund të shuhen aspiratat legjitime të një populli të tërë. Vrasja nuk e tremb njeriun e idealit dhe as popullin e vetëdijesuar për veten” (f. 164). Ai nuk mund të bënte më shumë për kombin e tij. Zbulimi se si mbaroi jeta e tij dhe gjetja e rivarrosja e eshtrave të tij nuk është nderim për të, por është nderim i shqiptarëve për veten. Kombi duke nderuar dëshmorët nderon veten, sepse dëshmorët ia falën qenien e tyre kombit.
Ne sot mund te supozojmë se si do të ishte politika në Kosovën e pasluftës në rast se ai do jetonte. Këtë nuk mund ta dimë asnjëherë, por një gjë e dijmë me siguri: ai do të përkushtohej për republikën. Rruga e tij sapo ka filluar. Kosova duhet të bëhet me domosdo republikë sovrane. Që më pas të bashkohet me Shqipërinë siç e planifikonte Ukshin Hoti. Fundi i tij është fillimi ynë.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...