2015-11-13

Grekët dëshmojnë në vitin 1836: “Arvanitët ishin vetë Athina dhe gjuha e tyre ishte gjuhë e tatërve”

Dëshmi me interes historik dalin dita-ditës në dritë nga dokumenta apo referenca të hershme rreth Arvanitëve dhe gjuhës së tyre në Greqi!

gjuha-abebe

Në revistën greke me titull: “Rrëzët e grekëve” ka një referencë të një kronologu grek, i cili shkruante në vitin 1836 për Arvanitët – Arbëreshët e Greqisë duke sjell në dritë të dhëna shumë interesante dhe me vlerë historike. Për këtë alb-observer.com, ju paraqet një faqe të kësaj reviste ku artikulli i saj parqet atë çka sot vetë grekët e mohojnë ose mundohen ta baltosin me gjithë farë mënyrash.Të dhënat vijnë nga vepra e Dhimitriu Bizantiu shkruar në vitin 1836, pak vite pas çlirimit të Greqisë.


 Ja se ç’shkruan ai konkretisht: “Vizitorët vinin re me habi se banorët e fshatrave përreth Atikës, por deri dhe brenda saj, në qendër të kryeqytetit të shtetit të sapoformuar, flisnin një gjuhë që Arvanitët e moshuar e quanin: “Arbërisht”, ku ishte e njohur gjerësisht si Arvanitëshe”.Në vijim artikullshkruesi mundohet të krahasoj dallimet midis fshatrave grekë dhe atyre arvanitas/arbëresh, ku sipas tyre nuk ekzistonte asnjë dallim: rastësi?

 Madje deri në shekullin e 20-të gjuha që mbizotëronte në kotë fshatra dhe brenda në Athinë ishte arbërishtja. Ndërkohë sillet dhe studimi i një historiani me emrin Tasos Karantis në një studimin e tij për arvanitët e Salaminës, me krenari banorët e saj thoshin se: “Eimai arbanitis kai milao arbanitika –greqisht, shqip: “Jam arvanit dhe flas arvanitika”. Këta vendas thoshin se “gjuha jonë është gjuha e tatërve/etërve tanë”, pasi kjo gjuhë është e pasur me ndjenjë në shprehje, duke u quajtur me një mënyrë edhe më poetike; Gjuha e zogjve, gjuha e dallëndysheve!


**********



Vendet arabe votuan pro anëtarësimit të Kosovës në UNESCO


Shumica e vendeve arabe votoi pro anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Përveç Sirisë, Palestinës dhe Marokos, shumica e vendeve të tjera ose kanë votuar pro anëtarësimit ose kanë abstenuar.
“Nam” në gjuhën arabe do të thotë “Po” dhe nga këtu si duket ka rrjedhur i gjithë keqkuptimi i raportimeve për votimin e shteteve arabe.

Ja lista e plotë e anëtarëve të UNESCO-s dhe mënyra sesi ato votuan sot (“X”, i cili figuron në kolonën e gjelbër para secilit shtet, vota e atij shteti ishte pro anëtarësimit, kurse “X”, i cili gjendet në kolonën e kuq ishte votë kundër anëtarësimit të Kosovës, ndërkaq “X” në shiritin e fundit sqaron abstenimet e shteteve).



































Edor Kabashi,muar çmimin “ENCALS Young Investigators Aëard” apo Çmimi ENCALS për Hulumtuesit e Rinj për vitin 2015.

Sukseset e shqiptarëve në botë janë të mëdha, një ndër emrat më të fundit që është shfaqur është shkencëtari Edor Kabashi.Kabashi ka marrë çmimin “ENCALS Young Investigators Aëard” apo Çmimi ENCALS për Hulumtuesit e Rinj për vitin 2015.

38-vjeçari nga Durrësi u nderua si shkencëtari më i mirë i grupmoshës nën 40 vjeç falë punës shkencore të tij në fushën e gjenetikës, në specializimin e ngushtë të sëmundjes së ALS¬së ¬Skleroza Amiotrofike Laterale. Ky çmim iu nda në Dublin nga Amar Al Chalabi, një nga neurologët më të mirë në botë.

“Çmimi ENCALS për Hulumtuesit e Rinj ka për qëllim identifikimin e shkencëtarëve më të aftë dhe më të zgjuar dhe jepet për kërkime në çështje të pazgjidhura në lidhje me sëmundjen ALS”, shkruhet ndër të tjera në motivimin e çmimit për dr. Kabashin.

shqiptari-shkencetar

Por, kush është Edor Kabashi?

Ai vjen nga Shqipëria, shkollën fillore dhe të mesme e ka përfunduar në Durrës, ndërsa ishte viti 1995 kur së bashku me familjen e tij emigruan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan “Albinfo”. Që do të arrijë sukses u pa shumë herët. Ai mori çmimin e Presidentit Bill Clinton si një nga studentët më të mirë të Amerikës.

Studioi për biologji dhe psikologji në Mount Saint Mary’s College në Emmitsburg, Maryland, SHBA. Më vonë studimet i vazhdoi në Francë e më pas në Montreal në Kanadë ku diplomoi në biologji në vitin 2000. Në këtë vend Edori në vitin 2006 mori gradën doktor në neurologji dhe neurokirurgji. Në vitet 2008 dhe 2011 fitoi çmimin “Brain Star” nga Instituti i Kërkimeve në Fushën e Shëndetit Mendor, në Kanadë.

Prej vitit 2011, ai drejton grupin kërkimor në departamentin e sëmundjeve neuro¬degjenerative, në Institutin e Neuro¬shkencës në Paris, Francë. E për sukseset e tij në fushën e shkencës duket që do të dëgjojmë edhe më vonë

Qytetet më antike në botë?

E përditshmja britanike, Telegraph, ka botuar një artikull ku tregon 20 qytetet më të vjetëra që kanë pasur kontinuitet ose vijueshmëri të banorëve.

Në listë ndodhen qytete kryesisht nga India, Lindja e Mesme dhe katër nga Ballkani. Si shteti me numrin më të madh të qyteteve të vjetëra është Libia, ndërsa qyteti më i vjetër paraqiten Jericho në Palestinë, edhe pse në disa revista Damasku njihet si më i vjetri.
20. Varanasi në Indi, i banuar prej vitit 1000 para erës sonë. Sipas legjendës, është themeluar nga Lord Shiva, 5000 vjet më parë. Për budistët dhe hindusët është qytet i shenjtë.
19.Qyteti atlantik, Cadiz, Spanjë, 1100 para erës sonë.
16.Thebesi , njihet si qyteti i 16-të më i vjetër në botë, edhe pse sot është një qytezë e vogël në Greqi. E përmendur edhe në poezite e poetit anglez, John Milton, Thebesi ka luajtur rol të rëndësishëm edhe në luftërat greke-persiane. Banorët e parë janë regjistruar prej 1400 vite para erës sonë.
16. Larnaca, Qipro, 1400 para erës sonë. Është themeluar nga fenikasit e lashtë.
16. Athina, 1400 para erës sonë. Sot kryeqyteti i Greqisë, njihet prej kohësh për popullimin e saj, ndërsa në histori njihet më së tepërmi nga luftërat greke, mes Spartës dhe Athinës. Njihet për objektet e saj romake, bizantine dhe osmane.
15. Balkth, Afganistan, 1500 p.e.s. E latinizuar quhet shpesh edhe Bactra, ndërsa vendasin e thërrasin Balkth. Nga arabët është quajtur edhe si “nëna e qyteteve”. Momentalisht nuk preferohet të shkohet nga lufta civile.
14. Kirkuk, Irak, 2200 p.e.s. Diku 200 km larg Bagdatit, nihet si qytet antic i Mesopotamisë që ka pasur prej kohësh banorë të vazhdueshëm. Sot njihet për pasuri të bollshme të naftës dhe sulmeve të herëpashershme terroriste. Ka qenë edhe qendër e asirianëve të krishterë.
13. Erbil, Irak, 2300 p.e.s. Qyteti verior iraken dhe qendra e kurdëve të Irakut ka qenë gjithashtu qytet antik i banuar prej kohësh nga persianët, arabët dhe osmanët. Nuk preferohet të vizitohet.
12.Tyre Liban, 2750 p.e.s. E përmendur edhe nga Herodoti, është pushtuar edhe nga Aleksandri i Madh në 332 p.e.s.. Përndryshe përmendet edhe në Bibël, ndërsa shumë pjesë të qytetit janë të mbrojtura nga UNESCO.
11. Jeruzalemi, Lindja e Mesme, 2800 p.e.s. Qyteti i shenjtë për krishterët, hebrenjtë dhe muslimanët është qyteti i 11-të më i vjetër në Botë. Gjatë historisë, qyteti ka qenë pushtuar 23 herë, sulmuar 52 herë, si dhe shkatërruar dy herë. Përshkruhet jo vetëm si qyteti historik i Tokës, por edhe I qiellit, pasi ka Kishën të shenjtë, Murin e hebrejve, dhe xhaminë al Aksa.
10. Bejruti, Liban, 3000 p.e.s. Kryeqyteti i Libanit, i populluar nga krishterët dhe muslimanët është qyteti i dhjetë më antik në botë.
9.Gaziantep, Turqi, 3650 p.e.s., ndodhet në kufi me Sirinë, ndërsa tani i banuar nga kurdët. Nuk preferohet të vizitohet për shkak të rrezikshmërisë.
6. Plovdiv, Bulgari, 4000 p.e.s., edhe një qytet ballkanik. Ka luajtur rëndësi për thrakët, romakët, bizantinët, osmanët. Njihet për banjat e perandorisë osmane që mbrohen nga UNESCO.
6.Sidon, Liban, 4000 p.e.s., rreth 30 kilometra larg Bejrutit ndodhet edhe një qytet tjetër antik, po ashtu në Liban.Është themeluar nga fenikasit dhe sunduar nga Aleksandri në 333 p.e.s..
6.Fayum, Egjipt, 4000 p.e.s, ndodhur në jugperëndim të Kajros. Tani ka disa xhami dhe banja publike. Nuk preferohet të vizitohet.
5. Susa, Iran, 4200 p.e.s.,ka qenë qendër e asirianëve, persianëve akaemenidë, ndërsa sot ka popullësi prej 65,000 banorëve.
3. Damasku,Siri, 4300 p.e.s,, ndërsa sipas disa ekspertëve tjerë ka qenë e populluar prej 12.000 vite më parë. Kanalet e vjetëra të ndërtuara në antikë, akoma edhe sot janë të përdorshme, përvecc disa renovimeve të herëpashershme.
3. Aleppo, Siri, 4300 p.e.s, qyteti i ndodhur mes luftës së përgjakshme civile, thuajse tani krejtësisht i shkatërruar, është qyteti tjetër sirian i vjetër dhe me kontinuitet banimi. Ka qenë pushtuar nga kryqtarët, mongolët dhe më pas nga osmanët.
2.Byblos, Liban, 5000 p.e.s., qyteti më i vjetër libanez dhe ndër më të vjetërit në Botë. Themeluar nga fenikasit.
1.Jericho, Palestinë, 9000 p.e.s., dhe e fundit është qyteti afër lumit Jordan, Bregun Perëndimor, kontrolluar nga autoritetet palestineze. Sipas disa burimeve të Telegrapg, qyteti mund të ketë vijueshmëri banorësh prej më tepër se 20.000 vitesh. Përkundër kësaj, nuk preferohet të vizitohet./Bota sot

Katër dosje për Çamerinë drejt Strasburgut


Sekretari i përgjithshëm i Këshillit Kombëtar të Çamërisë, Lisen Bashkëkurti ka deklaruar se janë duke u përgatitur katër dosje të cilat do të dërgohen në Gjykatën e Strasburg për çështjen çame.

Bashkëkurti tha se synimi i këtij këshilli është rikthimi i popullsisë çame, njohja e krimevetë bëra ndaj popullatës çame, si dhe rikthimi i pronave legjitime të Çamëve.

largea_unnamed-31446899314
Këto komente ai i bëri gjatë tryezës shkencore me temë “Balli Kombëtar, Çamëria dhe Trojet Etnike Shqiptare”, organizuar nga Shoqata Demokratike Shqiptare “Çamëria” dhe Balli Kombëtar, me të cilën po sensibilizimi i çështjes së pazgjidhur të popullit shqiptar të Çamërisë.

Çudi! Një grek flet për “miqësi” me Shqipërinë!


Nga Eshref YMERI


.....Ish  ministri i  jashtëm grek Avramopulos, i cili anuloi vizitën e tij në Tiranë, me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë  së Shqipërisë nga Athina ai deklaroi:

“Deklarata si këto nuk kontribuojnë në krijimin e një klime të miqësisë, besimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes dy vendeve…” (Citohet sipas informacionit të zonjës Anila Jole nga Athina, të botuar në faqen e internetit BalkanWeb me titull “Deklarata e Berishës, Avramopulos anulon vizitën në Tiranë”, 28 nëntor 2012).

Një deklaratë e çuditshme kjo e ministrit të jashtëm grek, i cili, së vërtetës që tha Kryeministri Berisha, i trembet si djalli vetëtimës. Nuk e kuptoj se për çfarë “miqësie” e ka fjalën ky ministri Avramopulos, aq më tepër kur dihet që shteti grek, që prej themelimit të tij e deri në ditët e sotme, asnjëherë nuk e ka pasur në rendin e ditës “miqësinë” me kombin shqiptar. Përkundrazi, në rendin e ditës vazhdimisht ka pasur armiqësinë dhe sendërtimin e saj përmes pabesisë, shpifjeve, mashtrimit dhe hipokrizisë ndaj kombit shqiptar, tipare këto, të cilat përbëjnë themelet e kodit moral grek.
Këtu nuk është nevoja të ndalem aspak në krimet e shtetit shovinist grek dhe të kishës shoviniste greke kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, kur na helmoi pionierët e saj, si Naum Veqilharxhin, Anastas Kulluriotin, Papa Kristo Negovanin, Petro Nini Luarasin dhe na vrau shumë të tjerë. Këtu, me fakte, do të përmend vetëm disa nga çastet më të vështira që ka përjetuar kombi shqiptar në historinë e vet, pas shpalljes së pavarësisë, kur Greqia, si shtet fqinj, paçkase nuk na ka dashur kurrë, të paktën duhej të tregohej korrekte me ne. Ajo mund edhe të mos e ndihmonte Shqipërinë për kapërcimin e situatave të vështira, madje të rrezikshme, që ia ka imponuar shovinizmi evropian i Fuqive të Mëdha, i cili, për interesin e ortodoksisë sllavo-greke, është munduar ta zhdukë fare Shqipërinë nga harta e Evropës. Shqipëria Londineze duhet t’u jetë mirënjohëse vetëm armëve të veta dhe SHBA për mbijetesën e saj.
Këtu poshtë do të rendis disa fakte konkrete që m’u desh t’i qëmtoj me kujdes nga disa burime dhe kryesisht nga dy vepra shkencore (gjithsej 1 000 faqe) tëhistorianit të shquar Prof.dr. Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë. Vepra e parë titullohet: “Tensioni greko-shqiptar. 1939-1949” (Shtëpia Botuese “GEER”. Tiranë, 2002), kurse vepra e dytë mban titullin: “Shqipëria dhe Greqia. 1949-1990. Paqja e vështirë” (Shtëpia Botuese “Koçi”.Tiranë, 2004).

Pra, Greqia të mbante, së paku, një qëndrim asnjanës ndaj vendit tonë dhe të na linte t’i përballonim vetë fatkeqësitë tona. Jo! Përkundrazi! Greqia, pikërisht atëherë kur vendi ynë përpëlitej për të mbijetuar në kulmin e fatkeqësive që e kishin pllakosur, është turrur për ta gllabëruar pabesisht, pikërisht si nepërka që rri strukur në pusi, në pritje të presë së vetë.Le t’i shikojmë ca faktet me radhë.
Së pari, disa ditë pas shpalljes së pavarësisë, shteti shovinist grek, tamam si bandit, dërgoi në ujërat e Gjirit të Vlorës kanonieret e veta dhe filloi bombardimin e qytetit, duke prerë, në të njëjtën kohë, edhe kabllon e lidhjes telegrafike me Italinë (Eqrem bej Vlora. Kujtime, 2, f.18, 21-22).
Së dyti, në vitin 1913, kur populli shqiptar, ende i paorganizuar mirë në një shtet të centralizuar, për shkak të pazareve që po bënin Fuqitë e Mëdha në Londër për copëtimin e trojeve tona etnike, shteti shovinist grek shfrytëzoi pabesisht rastin për të kryer barbarizma në Shqipërinë e jugut. Ja se çfarë shkruan Faik Konica për ato çaste tragjike në një letër që u dërgonte nacionalistëve Dervish Duma dhe Andon Logoreci, më 6 dhjetor 1940:
“Nuk do t’ju mërzis duke iu referuar historisë së shkuar, për t’ju treguar se çfarë i ka bërë Greqia Shqipërisë Jugore.., që do t’ju rifreskojë kujtesën rreth barbarizmave greke të vitit 1913: vrasje të shumta, djegie sistematike, përdhunime pa numër, madje edhe vajzashnën 15 vjeç” (vëllimi 4, f.276-277).
Së treti, me fillimin e Luftës I Botërore, shteti shovinist grek organizoi pabesisht në Jug të Shqipërisë të ashtuquajturën “lëvizje popullore” dhe formoi “Qeverinë Autonome Vorio-Epirote”, me qëllim që, në kundërshtim me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të 11-12 gushtit 1913 për përcaktimin e kufijve jugorë dhe juglindorë të Shqipërisë (edhe pse Greqisë i ishte aneksuar një ndër “thelat më të majme” të trojeve shqiptare – Çamëria), të realizonte aneksimin e “Epirit të Veriut”. “Kjo formë qeverie ishte ngrehur nga qeveria greke, vënë në veprim prej saj, e paguar prej saj, e përkrahur politikisht dhe ushtarakisht prej saj”(Sejfi Vllamasi.“Ballafaqime politike në Shqipëri.1897-1942”, f.73).Dhe “ndërkaq “bandat vorio-epirote” (8070 ushtarë grekë dhe vullnetarë kretanë, së bashku me oficerët e tyre të liruar nga ushtria e rregullt) kryen masakra të tilla të turpshme, që mund të krahasohen mbase vetëm me mizoritë e hunëve, siç tregojnë kronikat e Mesjetës” (Eqrem bej Vlora, po aty, f.39). Madje ushtria greke, në kulmin e Luftës I Botërore, e ripushtoi Shqipërinë e Jugut “dhe në mars rë vitit 1916 Greqia e shpalli, me dekret mbretëror, aneksimin e saj…”(Tensioni greko-shqiptar…, f.20).
Së katërti, pas Luftës I Botërore, në Konferencën e Paqes në Paris, kur Fuqitë e Mëdha përsëri po diskutonin për copëtimin përfundimtar të Shqipërisë mes ortodoksisë sllavo-greke, gjë që s’u realizua falë ndërhyrjes së presidentit amerikan, Uillson, kryeministri shovinist grek, Venizellosi, “u përpoq me të gjitha forcat të fitonte bekimin për realizimin e ambicieve territoriale në kurriz të Shqipërisë. Më 13 shkurt 1919 ai i kërkoi Konferencës aneksimin e Shqipërisë së Jugut nga Greqia”( po aty, f. 22).

Për realizimin e qëllimeve të veta aneksioniste ndaj Shqipërisë së Jugut, pikërisht në çastet e luftës për mbijetesë të kombit shqiptar, shteti shovinist grek ka vënë në funksionim edhe mekanizmin e shpifjes, e cila në Greqi është një “shkencë” me arritje shumë të shënuara. Falsifikimi i së vërtetës, mashtrimi dhe shpifja kanë qenë dhe mbeten tipare karakteristike të kodit moral të diplomacisa greke. Zhan Zhak Ruso thotë:
“Të gënjesh vetveten për përfitime personale do të thotë të bësh një falsifikim, të gënjesh për një tjetër njeri do të thotë të mashtrosh, kurse të gënjesh me qëllim që të dëmtosh dikë do të thotë të merreshme shpifje”.
Dhe shovinizmi grekomadh ka shpifur pikërisht për ta dëmtuar kombin shqiptar. Kështu, Faik Konica, në një letër që i dërgonte Fan Nolit më 26 gusht 1940, e njoftonte si më poshtë:
“… po ju komunikoj juve një lajm me rëndësi, nga një burim diplomatik grek i sigurt: Greqia ka përgatitur një memorandë për Konferencën e Paqes, ku do të provojë se Shqipëria është bërë një vatër panislamike dhe një sukursalë e Mustafa Qemalit” (vëll.4, f.218).
Pra, diplomacia greke, për të “shpëtuar” Evropën nga “krijimi” i një vatre “panislamike” shqiptare, kërkonte që Shqipërinë ta fuste në “gjirin” e ortodoksisë greke. Gjynah që s’ia dëgjoi fjalën presidenti Uillson! Greqia për “të mirën” e krishtërimit evropian “po përpiqej”!
Në një informacion të ambasadës sonë nga Moska për Behar Shtyllën, datë 8 tetor 1956, thuhej:
“MPJ e Bashkimit Sovjetik i ushqeu shpresat e udhëheqjes shqiptare se mundësitë për vendosjen e marrëdhënieve me Greqinë ishin reale.Ajo njoftoi ambasadorin shqiptar në Moskë, se nga bisedimet me deputetët grekë dhe me të dërguarin special të qeverisë greke, kishte arritur në konkluzionin që tani Greqia dëshironte të përmirësonte marrëdhëniet me Shqipërinë, porse ajo gjente kundërshtim nga amerikanët” (Shqipëria dhe Greqia…, f.125).
Një shpifje tipike greke kjo, sa e poshtër, aq edhe cinike, që kishte si qëllim pikërisht armiqësimin edhe më shumë të Shqipërisë me SHBA. Po si qëndronte e vërteta? SHB vazhdimisht kanë qenë për normalizimin e marrëdhënieve të Greqisë me Shqipërinë, jo vetëm sapo mbaroi lufta civile atje, por edhe në vijim, deri sa ato u vendosën faktikisht më 6 maj 1971. Le t’u drejtohemi fakteve që hedhin poshtë shpifjet e ulëta greke: “Ambasadori amerikan (në Beograd më 1949 – E.Y.) Kanon pohonte:
“Ne do të presim që zhvillime të tilla të bëjnë të mundur marrëdhënie të mira të Shqipërisë me Greqinë… dhe ta orientojmë Shqipërinë nga Perëndimi” (Tensioni greko-shqiptar…, f.625).
Ja edhe një tjetër fakt i vitit 1963, që hedh poshtë shpifjen greke:
“Me qëllim që Shqipëria të hapej drejt Perëndimit, amerikanët e mirëprisnin një dialog të saj me vendet perëndimore.SHBA dëshironin marrëdhënie të reja tregtare dhe, gradualisht, të zgjeronin njohjen diplomatike të Shqipërisë, duke pasur parasysh që kjo njohje të bëhej edhe nga Greqia” (Shqipëria dhe Greqia…, f.197).
Ja edhe një fakt i tretë i vitit 1966:
“Qeveria amerikane e konsideronte çështjen e vendosjes së marrëdhënieve me Shqipërinë si një vendim, që duhej ta merrtë vetë qeveria greke, në bazë të interesave të saj dhe se qeveria greke ishte në gjendje të gjykonte për perspektivat dhe rrjedhojat më mirë se Vashingtoni. Qeveria e SHBA, as në të shkuarën, dhe as në të ardhmen, nuk kishte kundërshtuar dhe nuk do të kundërshtonte përpjekjet e qeverisë greke për të hequr gjendjen e luftës dhe për të vendosur marrëdhëniet diplomatike” (po aty, f.200).
Ja edhe një tjetër shpifje e vitit 1966 kundër Shqipërisë nga arsenali i shpifografisë greke, që kishte për qëllim armiqësimin e Evropës me Shqipërinë, një shpifje e fëlliqur kjo, që mbështetej edhe nga Moska, “mikja” e deridjeshme e popullit shqiptar:
“Ndërsa Tirana po përsëriste ofertat për normalizimin e marrëdhënieve, shtypi grek ngriti në këmbë opinionin vendas mbi rrezikun që i kanosej Greqisë dhe Evropës nga instalimi i raketave kineze në territorin shqiptar… Ajo (Shqipëria – E.Y.) u krahasua me rrezikun që paraqiste Kuba për SHBA. Gazeta “Eleftheros Kosmos” theksonte se… ekzistonte mundësia që Kina komuniste të kërcënonte Evropën nëpërmjet Shqipërisë në të ardhmen… Pikërisht në këtë kohë, edhe Agjencia Sovjetike e lajmeve njoftoi se Shqipëria po ndërtonte një bazë raketash bërthamore me ndihmën kineze, rrezja e të cilave mbulonte gjithë zonën e Evropës” (po aty, f.204-205).
Si gjithmonë, edhe këtë herë diplomacia amerikane doli në mbrojtje të Shqipërisë:
“… Departamenti i Shtetit e vuri në dyshim vlerën e këtyre informacioneve sepse: nuk kishte të dhëna që kinezët të kishin aftësi për ndërtimin e një baze të tillë; nuk kishin arsye të dukshme që të ndërtonin një bazë të tillë në Evropë dhe sepse as shqiptarët as kinezët nuk mund të fitonin ndonjë gjë duke ndërtuar një bazë të tillë. Madje, përkundrazi, në rastin e ndonjë krize, ekzistenca e një baze të tillë do ta shndërronte Shqipërinë në një objekt primar goditjeje” (po aty, f.205).
Pas shembjes së komunizmit, në vitet 90-të të shekullit të kaluar, një tjetër pinjoll i shovinizmit grekomadh, një armik i betuar i kombit shqiptar dhe i kombit turk, një gjeneral ultrashovinist grek me emrin Nikolaos Grilakis, ish-këshilltar i kryeministrit Micitaqis, në një libër me kujtime, të botuar në vitin 2001 me titull: “…zbuloj ngjarjet dramatike të dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të 20-të në Greqi dhe në Ballkan, siç i jetova”, vazhdon të notojë në ujërat e fëlliqura me shpifjet e diplomacisë shoviniste greke dhe të shtetit shovinist grek. Greqia nuk rri dot pa shpifje kundër kombit shqiptar. Në artin e shpifjes ajo gjen ngushëllim për mosrealizimin e objektivave “madhore” të shovinizmit grekomadh – kthimin e trojeve të Perandorisë Bizantine, për trashëgimtare të së cilës e mban veten edhe sot e kësaj dite.
Ky gjenerali Grilakis shkruan:
“Personalisht e kisha bërë të qartë qysh në fillim se isha kundër një mendimi për dhënie ndihme partive të djathta në vendet myslimane, si Shqipëria, me mendimin se partitë e djathta shqiptare do të përfundojnë në serat e kultivimit të shtrirjes turke në Ballkan. Parashikova, gjithashtu, se imamët e Turqisë shumë shpejt do të mbillnin në mendjet ateiste të shqiptarëve hashashin e myslimanizmit me idetë kanceroze të shtrirjes turke në Ballkan” (“Shekulli”, 8 maj 2004, f.3).
I shkreti Grilakis! Megjithëse ishte në shërbim të kabinetit të djathtë të Micotaqisit, atë e paska torturuar dashuria përvëluese për të majtën shqiptare, së cilës, tërthorazi, gjenerali i gjorë ia zbulon keq ca vende delikate faqe miletit dhe e lë zbuluar, si tradhtare të çështjes kombëtare shqiptare: të majtës shqiptare nuk na i pëlqeka “çallma” myslimane, ajo na qenka e djegur për kamillafin e greko-ortodoksisë!
Në kujtimet e veta gjenerali Grilakis pretendon se kur e ftoi Kryepeshkopi Serafim për të biseduar lidhur me helenizimin e “Vorio-Epirit” pas rënies së komunizmit, ai nuk e vuri në dijeni kryeministrin Micitaqis. Këto përralla gjenerali i zhgënjyer le t’ua shesë atyre grekëve që vuajnë nga trashtina e trurit, jo shqiptarëve. Deklarata shoviniste e Micotaqisit e 14 korrikit 1993 vërteton më së miri se sa “i painformuar” paska qenë ai për veprimtarinë armiqësore kundër Shqipërisë të prapavijave të kabinetit të tij kryeninistror!
Së pesti, pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste dhe fillimit të luftës italo-greke më 28 tetor 1940, shovinizmi grekomadh përsëri iu kthye realizimit të ëndrrës së vjetër për aneksimin e Shqipërisë së Jugut, duke shfrytëzuar pabesisht rastin që vendi ynë e kishte humbur tashmë sovranitetin e vet dhe, si subjekt juridik, figuronte vetëm nën kurorën e Viktor Emanuelit III.
“Duke shfrytëzuar terrenin e thyer dhe organizimin e dobët të sulmit italian, forcat greke e thyen shpejt atë dhe në mesin e nëntorit kaluan në kundërsulm. Më 22 nëntor grekët pushtuan Korçën, më 6 dhjetor Sarandën dhe më 8 dhjetor Gjirokastrën” (Tensioni greko-shqiptar…, f.50).
Së gjashti, pas prishjes së marrëdhënieve të Jugosllavisë me Shqipërinë në vitin 1948 dhe përfundimit gradual të luftës civile në Greqi, vendi ynë u gjend i rrethuar nga dy shtete armiq. Pikërisht këtë situatë të rrezikshme që po përjetonte Shqipëria shovinizmi grekomadh u mundua ta shfrytëzonte pabesisht. Atij iu nxitën edhe më shumë epshet shoviniste për pushtimin e Shqipërisë së Jugut. “Në fillim të prillit të vitit 1949 qeveria greke i dërgoi një memorandum tjetër Londrës dhe Vashingtonit, i cili sugjeronte dhe argumentonte nevojën e pushtimit të Shqipërisë” (po aty, f.621).Disa muaj më vonë qeveria greke bëri një tjetër kërkesë këmbëngulëse për pushtimin e Shqipërisë.“Në gusht të vitit 1949 u zhvilluan luftimet vendimtare të UKG kundër gueriljeve.Qeveria greke e shtoi presionin ndaj aleatëve perëndimorë që ushtria e saj të lejohej të pushtonte territorin shqiptar” (po aty, f.622).
Së shtati, Greqia shfrytëzoi pabesisht edhe situatën e rrezikshme që u krijua për vendin tonë pas prishjes së marrëdhënieve të Bashkimit Sovjetik me Shqipërinë.“Udhëheqja shqiptare, tani në marrëdhënie krejt të ndryshme me Moskën, e ndiente se ajo po e kërcënonte, duke përkrahur synimet greke ndaj Shqipërisë së Jugut” (Shqipëria dhe Greqia…, f.166). Synimet shoviniste të shovinizmit grekomadh i kishte përkrahur vetë Hrushovi në takimin që kishte pasur me Sofokli Venizellosin më 5 qershor 1960. Ndërkohë, “perveç deklaratave të hapura të qeveritarëve grekë mbi “Epirin e Veriut”, qeveria e Athinës kishte pyetur qeverinë austriake se cili do të ishte reagimi i saj në rast se Greqia sulmonte ushtarakisht Shqipërinë për të aneksuar Shqipërinë e Jugut” (po aty, f.169-170).
Së teti, me daljen në pah të acarimit të marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën, shovinizmi grekomadh u hodh përsëri në veprime agresive kundër vendit tonë.“Qeveria greke…dha një sinjal tjetër se planet e saj kundrejt Shqipërisë së Jugut nuk ishin arshivuar. Në vitin 1976, në parlamentin grek u aprovua një ligj i ri mbi emigracionin. Ai ishte shtojcë e ligjit të vjetër të Venizellosit, i cili ndalonte dhënien e shtetësisë greke emigrantëve me origjinë nga Shqipëria e Jugut, me synimin që, në rastin e zhvillimit të ndonjë referendumi të mundshëm, ata të votonin pro aneksimit të saj nga Greqia” (po aty, f.300).
Së nënti, në vitin 1990, kriza e regjimit komunist, që ishte në kulmin e saj, ashtu edhe periudha e gjatë e tranzicionit të vështirë, “e nxitën më tej aktivizimin e lobit grek, sepse ai pa hapësira të reja për të realizuar objektivat e tij të vjetra. Vazhduan përpjekjet e qeverisë dhe të shtetit grek për të mobilizuar dhe nxitur diasporën si një vegël për zbatimin e politikës së saj ndaj Shqipërisë.Madje ajo ka krijuar një përvojë të madhe dhe mekanizma shumë efektive për të realizuar një politikë të tillë” (po aty, f.326).
Përveç organizimit të të gjitha strukturave shtetërore kundër Shqipërisë, shovinizmi grekomadh, në këto kushte, përveç lobit shovinist greko-amerikan, si gjithmonë në historinë e tij, nxiti për veprime të shpejta kishën shoviniste greke për helenizimin e Shqipërisë së Jugut. Gjenerali Grilakis kujton: “…më ftoi Kryepeshkopi i Greqisë, Serafimi, për të shkëmbyer pikëpamje rreth çështjeve të helenizimit të Vorio-Epirit pas rënies së komunizmit. E pranova me kënaqësi…”(“Shekulli”, 9 maj 2004, f.3).
Pikërisht në kohën e amullisë politike dhe të varfërisë së skajshme që kishte pllakosur vendin tonë, shovinizmi grekomadh, si gjithmonë me pabesinë që e ka karakterizuar, harton “Planin Lotos”, në themel të strategjisë së të cilit qëndronte çlirimi i “Epirit të Veriut” nga “sundimi shqiptar”. Me hollësitë e këtij Plani lexuesi është njohur në fjalën e Kryetarit të SHIK-ut, zotit Bashkim Gazidede, të mbajtur në Kuvendin popullor në pranverën e vitit 1997 dhe të botuar në gazetën “Albania” më 4 mars 2004.
Së dhjeti, rënien e firmave piramidale dhe tragjedinë që shkaktuan neokomunistët socialistë në Shqipërinë e Jugut, të përkrahur tërësisht nga shteti shovinist grek, në bashkëpunim më tradhtarë shqiptarë, që sot ndodhen në opozitë, shovinizmi grekomadh u mundua ta shfrytëzonte pabesisht për të futur trupat e veta pushtuese në Shqipërinë e jugut. Në emisionin “Shqip” të gazetares Rudina Xhunga, të transmetuar në TV “Top channel” më 18 mars 2004, Prof.Sherif Delvina deklaroi:
“Më 1997 Greqia, përmes zonjës Ollbrait (Allbright), u kërkoi SHBA që të fuste trupat e veta në Shqipërinë e Jugut, por zonja Ollbrait u tha: “Po ç’do të bëjë Turqia? Do t’ju bjerë nga pas”. Dhe Greqia nuk u fut në Shqipëri”.
Ja, kjo ka qenë dhe e tillë vazhdon të mbetet fytyra e vërtetë e shtetit shovinist grek, i cili e ka manifestuar me fakte armiqësinë e egër ndaj Shqipërisë, sa herë që kësaj i është dashur të përjetojë çaste kthesash vendimtare dhe situata të rrezikshme në historinë e saj të vështirë që prej shpalljes së pavarësisë.
Këtu nuk po ndalem në presionet prej “zonje hijerëndë” që Greqia i ka bërë Shqipërisë për të zhvatur prej saj lëshime pas lëshimesh (siç edhe i ka zhvatur konkretisht falë servilizmit të pështirë të klasës sonë politike, lëshime këto që do të na kushtojnë shumë shtrejtë), duke kërcënuar me mosfirmosjen prej saj për pranimin e vendit tonë në struktura të ndryshe të Bashkimit Evropian. Këto presione përbëjnë një tjetër faqe turpi të Athinës zyrtare në qëndrimin ndaj kombit shqiptar.
Pikërisht ca fakte të pakta që radhita më lart rreth qëndrimit të kristalizuar armiqësor të shtetit shovinist grek ndaj vendit tonë në vazhdimësi, më bënë të befasohesha kur u njoha me deklaratën e ministrit Avramopulos, në të cilën përmendi fjalën “miqësi” në raport me vendin tone, fjalë kjo që zbulon fare qartë hipokrizinë tipike greke.

Ethet e Janullatosit



Përderisa sëmundjet janë pjesë e përvojës njerëzore, i pranojmë e i respektojmë ato ashtu si gjithë natyrën tonë, por kur sëmundja e një anëtari të Kishës – në këtë rast, e kreut të saj – shkakton pasoja rrënimtare për anëtarë të tjerë, më i vogli detyrim është debati publik. Duke qenë jashtë Shqipërisë, por dhe i lirë nga doktrina ortodokse të kritikoj (teorikisht, të paktën) edhe Primatin, dhe duke pasur një përvojë të drejtpërdrejtë me imzot Janullatosin për pesëmbëdhjetë vjet, tashmë, e ndiej të domosdoshme të përshkruaj e të shkodizoj një realitet me pasoja tej komunitetit ortodoks e tej këtij brezi.

Ata që janë afër kryepeshkopit dëshmojnë se kohët e fundit ai rrëshqet kaq shumë kur del e flet në kishë, saqë ndonjëherë predikon tjetër për tjetër festë dhe psall tjetër për tjetër himn. Nuk janë të fshehta tanimë shpërthimet e tij të papërmbajtura në mjediset kishtare, zemërimet gjer në gjeste fizike ndaj bashkëpunëtorëve kishtarë, gjë që ka skandalizuar ata që e kujtonin Janullatosin si të shenjtë, të pacënuar e të pagabueshëm. Shëndeti mendor i Kryepeshkopit, në vend të përmirësimit të njoftuar vjet nga oborri i tij, po përkeqësohet edhe më, pavarësisht nga vitrina e fildishtë në kremtimet e mëdha e në takimet e qelqta me gazetarët.

Kryepeshkopi meshon tashmë shumë rrallë, vetëm për fotografët dhe kameramanët. Megjithë përkujdesjen superklinike që i bëhet gjatë shfaqjeve të tij publike në Shqipëri dhe jashtë saj, për ta paraqitur sa më të drejtpeshuar psikologjikisht dhe sa më aktiv në misionin e tij të shumëfishtë – si një mrekulli tokësore, jo vetëm qiellore – imzot Antastasios ka marrë të tatëpjetën. Kush e bën lojën në Kryepeshkopatën e Tiranës?

Dy absurditete

Edhe nëse mekanizmi ynë kishtar, atë që abuzimisht e quajnë “ndërgjegjja jonë ortodokse”, kërkon të përmbysë këtë hyrje, si reagim i çastit për të mbrojtur kullën prej kartoni të besimit të mjaft bashkëfetarëve, vetë kjo tkurrje intuitive nxit e përligj mendimin kritik ndër shqiptarë ortodoksë, duke shkaktuar shkrime të tilla. Kultizimi i Janullatosit gjer në të vjellë nga industria greke dhe ajo protestante, duke e vënë mbi Krishtin e mbi shenjtorët, është vjega për të përjetësuar një mision tejfetar në Tiranë. Këtu shquhen dy dukuri absurde, të paktën.

Së pari, le të kujtojmë se para ardhjes në Shqipëri, në vitin 1991, Janullatosi nuk ishte dëgjuar për milioner, pikërisht sepse nuk ishte i pasur. Në fakt, ai kishte dhënë premtimet murgjërore se do të jetonte gjer në fund “në bindje, virgjëri dhe skamje”. Kjo do të thotë se, nëse ai posedonte pasuri private më parë, ajo do të jepej gjetkë, mundësisht në Kishë, dhe madje pa të drejta përkujtimi në të ardhmen. I njëjti parim vlen edhe për sot, kur klerikët murgj pritet të dëshmojnë të ardhura modeste dhe transparente, duke ruajtur, simbolikisht të paktën, ato që kanë premtuar dikur në Altar.

Fondet që i jepeshin imzot Janullatosit para se të dërgohej në Shqipëri, kur udhëtonte me shërbim kishtar në Afrikë, asnjëherë nuk u përfolën si pasuri e tij, a qoftë dhe si kapital i Kishës “në sajë të dhuntive të tij”. Nëse ai guxonte të krijonte një imazh të tillë atëherë, vetë kjo do të shkakonte reagime mbrojtëse, domethënë ndëshkuese ndaj tij, nga vetë Kisha. Sepse pikërisht ata besimtarë që dhuronin, ia jepnin Kishës, nëpërmjet klerikëve, për të fuqizuar misionet ortodokse dhe jo për të bërë të famshëm këtë apo atë prift.

Megjithatë, sot Janullatos është vetëshpallur dhe qarkullon si një nga njerëzit më të pasur të Shqipërisë, duke e dokumentuar këtë jo vetëm në botimet kishtare, por duke e gdhendur edhe nëpër muret e kishave shqiptare, në pllakate të gurta, gjë e pangjarë kjo për të gjallët hierarkë të kishave të tjera autoqefale. Le të mos harrojmë në këtë parantezë dhe makinat e blinduara të Kryepeshkopit, tok me lluksin skandalizues ku jetojnë e hijeshohen misionarët grekë në Shqipëri. Sepse është bërë dëm i madh moral. A do t’i jepeshin Janullatosit gjithë këto fonde, nëse ai nuk ishte kryepeshkop i Shqipërisë? Nëse po, atëherë ky njeri është më i rrezikshëm nga ç’e pandehim ne.

Përderisa çështja e kontrollit në financat e kryepeshkopatës ortodokse është edhe çështje shtetërore, këtu vlen të përmendet vetëm habia se nuk ekzistojnë të dhëna të kthjellëta mbi të ardhurat dhe shpenzimet e misionit grek, gjë që mbulohet shpesh nga “turtulli” i kaq e aq ndërtimeve e bamirësive. Gjithsesi, tejet aspektit të errët financiar, i cili u ngjiz mbas ngjitjes së tij në fronin e shqiptarëve, dimë gjithashtu se Janullatosi nuk konsiderohej i denjë në vendin fqinj as për mitropolit, prandaj dhe i kundërvotuar prej hierarkisë në Greqi shumë herë, gjatë viteve 1975-1990.

Cilat ishin arsyet e dështimit të ish-peshkopit titullar (pa peshkopatë)? Anëtarësimi në shoqatën fondamentaliste Zoi, qysh kur ishte student e deri sa u bë peshkop; shugurimi i tij si peshkop asistent i kryepeshkopit antikanonik të juntës ushtarake, Jerónimos (I emëruar ky i fundit në mënyrë të paligjshme nga kolonelët e diktaturës, por jo i zgjedhur nga Kisha); tendencat despotike për të krijuar një mjedis kulti, me bashkëpunëtorë naivë, për t’u imponuar si shenjtor; abuzimet ndaj bashkëpunëtorëve të ngushtë; ambicjet e pashërueshme për pushtet; pamundësia për të bashkëpunuar me ata që nuk i bindeshin verbërisht; neveria ndaj atyre që mendonin ndryshe; urrejtja ndaj atyre që e kritikonin; prapaskenat për të denigruar ata që guxonin të ftillonin botën e tij të endur e të pasur; hipokrizia e paimitueshme në kontaktet publike, improvizimi teatral prej shenjtori kur meshon, e të tjera huqe.

Megjithatë, sot Anastasios zotëron një pozitë të çiltëruar në kanonin helen. Ai trajtohet atje sikur është gjeografikisht shumë-shumë larg, sikur nuk është fare gjallë, sikur të jetë ngjitur lart në qiell, madje i shlyer i tëri: Shenjt! Le të pohojmë, nga ana tjetër, se minoriteti grek në Shqipëri është ende pa peshkop, në mëshirë të baticave e të zbaticave shqiptaro-greke, ashtu si gjithë Mitropolia e Gjirokastrës, vetëm e vetëm që qeveria greke t’iu imponojë shqiptarëve me çdo kusht një kryepeshkop grek në Tiranë. Rasti i vakancës së Gjirokastrës është një flagrancë e misionit parakishtar grek, përderisa e drejta kanunore e Kishës Ortodokse nuk lejon që një peshkopatë të jetë pa peshkop për një periudhë më shumë se dyzet ditë.

Ky ishte, me gjithë këto degëzime ngjyruese, absurdi i parë.

Së dyti, le të kujtojmë se përfshirjet misionare të institucioneve protestante në Shqipëri, synojnë në mbjelljen e një versioni “të qashtër” krishtërimi tek ne, larg “idhujtarisë jashtëbiblike” ndër shqiptarë, por megjithatë, kishat protestante po investojnë bashkë me grekët për krijimin e një kulti politik, për ngjizjen e “Shën Anastasit të Shqipërisë”. Nga ana tjetër, në Greqi u lejuan dhe u hapën kisha protestante shqiptare, madje tani së fundi edhe xhami për mylsimanët, por nuk lejohet një kishë për shqiptarët e shumtë ortodoksë atje, të paktën në Athinë.

Nuk dimë, prapë, nëse përqendrimi i misioneve protestante më tepër në zonën e Sarandës është thjesht një rastësi, por le të kujtojmë se vetë këto kisha perëndimore që investojnë haptas te kulti grek në Shqipëri, këto kisha protestante, pra, iu predikojnë proselitëve shqiptarë të kundërtën e këtij kulti, domethënë se institucioni i shenjtorëve është i sajuar e folklorik në traditat e krishtera shqiptare, e për rrjedhojë i tepërt në doktrinën e Biblës. Sa për realitetin spiritual të Sarandës, kryepeshkopi i Tiranës, i cili mbikëqyr mitropolinë pa kokë të Gjirokastrës, nuk lejon një kishë të dytë për shqiptarët e atij qyteti, por i detyron ata të ndjekin shërbesat greqisht, në të vetmen kishë greke të qytetit. Ky ishte absurdi i dytë.

Si ka mundësi që dy kontradikta të tilla, dy absurditete kaq të mëdha, domethënë ai grek me këtë protesant, të lulëzojnë puq e tok në Shqipëri? Një gjë nuk është e fshehtë, se këto fenomene kërcënojnë ndërgjegjësimin e shqiptarëve ortodoksë, shkelin integritetin e tyre si pakicë e shumëpërdorshme në botën shqiptare, por dhe pengojnë integrimin e këtij komuniteti në një shoqëri të hapur. Sepse ka ardhur çasti ta themi e ta përsërisim: Komuniteti ortodoks është i pambrojtur nga shteti dhe kultura jonë kombëtare.

Ethet e vdekjes

Pavarësisht nga gjithë kjo, sëmundja e Kryepeshkopit nuk do të thotë rënie e një misioni të tillë në Shqipëri. Nga ana tjetër, do të ishte kurth i sigurt nëse gënjeheshim duke pritur vdekjen e tij. Nuk ka rëndësi se sa vjet mund të vazhdojë Janullatosi në një rol të tillë “steril”. Duke qenë dëshmimtarë të Janullatosit tjetër, jo ky që skërmitet e kërcënon sot publikisht, por ai që dhuronte buzëqeshje të paimitueshme dhe që pikturonte ëmbëlsi ndaj të gjithëve, vetëm me një klik, na është dhënë rasti të përsiatemi mbi të ardhmen e ortodoksisë shqiptare, e cila mund të shihet në këtë rend sendesh, nën një konfiguracion të tillë, të rremë, ku të tjerë bëjnë lojën, e të tjerë duken e zhduken. Sepse edhe mbas vdekjes së Janullatosit, gjithçka mund të kryhet nën të njëjtën hije të imponuar të tij. Anastasios po shenjtërohet nga politika e jashtme greke, si e vetmja mundësi për të sunduar kulturorisht në Shqipëri; për të hedhur degë atje ku nuk kanë rrënjë.

Me Janullatosin, kanoni grek është ndryshe nga më parë; pa Janullatosin, kanoni grek nuk mund të pranohet tashmë, përveçse si një version i shkuar në larminë helene. Është gjetur një njeri sa i dhuntishëm në lojë, aq dhe i pamëshirshëm për të realizuar ambicjet e pashuara për lavdi e kult të vetvetes. Këtu del nevoja e amëshuar e dekorimeve landar, që nga shkollat bujqësore të Greqisë – sikur të mos ta kënaqnin ato të Akademisë së Athinës – e deri në shoqatat e emigrantëve grekë – sikur të mos ta realizonin çmimet ndërkombëtare protestante e ortodokse. Marrëzia në fron!

Gjithë kjo makineri mitbërjeje e kultbërjeje, ka shkelur mësimet e Biblës mbi sinqeritetin, modestinë, dashurinë dhe shpengimin në jetë. Kjo rrëshqitje morale e kryepeshkopit ortodoks ka përdhosur institucionin e shenjtërisë në përvojën e Krishtërimit, ndërsa vetëpapizimi i Janullatosit ka tjetërsuar thelbin e kryepriftërisë ortodokse, duke ekspozuar kësisoj improvizimin e peshkopatit grek. Për më keq, hierarkët grekë hiqen se janë kristali dhe fillrojtësit e besimit lindor ndër shqiptarë, prandaj dhe të imponuar në Shqipëri, ndërsa nga ana tjetër keqpërdorin e tejpërdorin ekonominë kishtare, si vjegë për veprimtari parakishtare.

Për më tutje, aktiviteti i Janullatosit mu në qerthullin e botës shqiptare, ka hedhur një hije shumë të madhe në dritëhijet e mendimtarisë sonë të pasdiktaturës; në paaftasinë e intelektualëve tanë për të shquar ato vatra që themelojnë kulte; në tërheqjen për të cilësuar ato mjedise që shkaktojnë trushpëlarje grupore; në heshtjen për të dënuar mënyrat më afatgjata të mendjemanipulimit. Sa për përfshirjen tejshqiptare këtu, dimë se përveç primatit grek, domethënë përveç alibisë ortodokse, nuk ekziston asnjë evidencë historike që mund të justifikojë sot ndërkombëtarët për të ndërhyrë kaq shumë në ortodoksinë shqiptare. Nëse jo, ku i kanë ato evidenca?

Një nga dëshmitë që Janullatosi kryepriftëron i kapërthyer, është reagimi i tërbuar ndaj shkrimeve të mia modeste, të cilat dihet mirë se nuk kanë fuqi të sjellin asnjë ndryshim në Shqipëri, përveçse pak ndikim në frymën e disa bashkëkohësve. Si rrjedhojë, reagimi dhe paniku i kryemisionarit është një frikë e pajustifikuar, një fobi, është makthi që rëndohet nga ethet e vdekjes, nga afria e saj e pashmangshme. Në të kundërt të asaj fobie të tij, ne shkruajmë e kumtojmë për integritet, sepse është e drejta e këtij brezi, duan apo s’duan misionarët grekë në Shqipëri. Atëherë, si mund të ndalet gjithë kjo sipërmarrje e gjithë kjo sfilitje nga Janullatos & CO?

Në një vend e gjuhë ku nuk është shkruar për kulturën e vdekjes, prandaj dhe më e madhe, krahasimisht, frika ndaj saj, shqiptarët e këtij brezi presin nga klerikët, prindët, mësuesit dhe intelektualët tanë, të na japin një mësim të denjë kur i afrohen fundit, pavarësisht nga bindjet tona të larmishme mbi jetën dhe vdekjen. Kemi parë shumë shqiptarë të shpërfytyrohen e të zhvlerësohen kur i afrohen fundit. Në fakt, një vdekje dinjitoze është më mësimdhënëse se të gjitha predikimet që lënë me gojë hapur shqiptarët. Aq më tepër kur këto predikime janë të tejkaluara, sepse nyjëtohen me një retorikë bajate. Sidoqoftë, retorizmi emocionon ende shumë në Shqipëri, njësoj sa terminologjia demode e lotëve, e gojëtarisë, e erudicionit dhe e broçkullave të tjera.

Kapërthimi i Janullatosit për t’u përjetësuar me çdo kusht në Shqipëri, duke i dhënë emrin e vet gazetës, seminarit, kishave, kodrave, e të tjera (Ανάστασις – Ngjallja), është jo vetëm vetëpërshkrimi në ngërthin e vdekjes, për t’u themeluar si kult me mënyra që nuk mund të ndreqen nesër, por dhe oksimoriteti i një hierarku ortodoks për të përjetësuar të tashmen, duke personifikuar gjithçka. Një qëndrim i tillë kultist/materialist vjen ndesh me doktrinën e Krishtërimit dhe me spiritualitetin ortodoks, por realizon shumë ateistët, sidomos ata të komunitetit ortodoks.

Ky qëndrim parakishtar i primatit ortodoks bekohet nga shteti dhe kisha greke për hir të imagjinares helene, sepse vetëm nëpërmjet kultit të Janullatosit po rrënjoset në Shqipëri një simbolikë që ka hiret për t’u bërë njësh me traditën ortodokse në rajon, e ngjizur kjo traditë e largët me të njëjtat mjete e metoda të pandershme edhe në të kaluarën. Me fjalët e vetë patrikut Vartholomeos, drejtuar komunitetit grek në Amerikë, “ata që nuk besojnë në mrekulli, le të shkojnë e t’i shohin ato në Shqipëri”. Ishte fjala për veprimtarinë e misionit grek në Shqipëri, për aspektin politik e kulturor, sepse për atë fetar, i njëjti patrik ishte shprehur ndryshe e ashpër kundër Janullatosit, siç do të shohim më poshtë.

Ai klerik që beson në jetën e përtejme, veç, jo vetëm në dhuntitë e gjuhës, të mendjes dhe të mimikës, të cilat këto përjetësojnë vetëm për materialistët, ky klerik, pra, e pranon dhe e shpirtëron frikën e vdekjes, që të jetë pastaj i frenuar në vetëkënaqje, i përkorë në zemërim e urrejtje, i mërguar nga gënjeshtra e intriga, i dashur ndaj njerëzve si gjini, e jo vetëm ndaj servilëve që e adhurojnë duke e qerthulluar si korbët. Në fakt, këta të fundit do të jenë të parët që do ta mohojnë nesër, dhe kjo nuk del nga parashikimet tona, sesa nga përvoja e kultit të individit në Shqipëri e gjetkë në histori. A është në vete Kryepeshkopi?

Intriga në Romë

Kohë më parë , gjatë shërbesës së varrimit të Papës në Romë, kryepeshkopi Anastasios u takua me peshkop Serafimin e Kanadasë, i cili Hirësi Serafim më shkroi:

“[…] Një faktor tjetër është te hollësitë që dolën nga biseda që pata në Romë, para Pashkëve, me kryepeshkopin Anastasios. Ai më informoi se është në procesin e përgatitjes së një ankese zyrtare, drejtuar Sinodit të Shenjtë [të Kishës Ortodokse në Amerikë], për sa i përket disa prej shkrimeve të tua, të cilat, në mënyrën e komenteve kritike që përmbajnë, iu ofrojnë municion [siç] disa fuqive që janë kundër një Kishe shqiptare të stabilizuar e të bashkuar. Për më tepër, ai tha se emri i uebsajtit tënd [AlbanianOrthodox.com] është shumë afër me atë të Kishës së Shqipërisë [OrthodoxAlbania.org] dhe për pasojë krijohet konfuzion. Dhe disa nga shkrimet e tua të ekspozuara atje nxisin pështjellim dhe aktivitete antikishtare në Shqipëri; tha Kryepeshkopi […] Ai ishte shumë praktik. Kryesisht shprehu zhgënjim që shkrimet e tua në një farë mase e kanë bërë të tyren, dhe kanë krijuar një destabilizim të Kishës, të cilën ti pretendon se mbron.”[1]

Kjo dëshmi dëfton, së pari, se këta hierarkë ortodoksë nuk shkuan në Romë për t’u lutur për shpirtin e Papës, por shkuan në varrim për të bërë teatër e për të thurur intriga, në një kohë kur vetë ata përpiqen t’iu mbushin mendjen ortodoksëve se Vatikani është foleja e intrigave. Së dyti, tek emaili i peshkopit kanadez, lexohen sendërgjitë e kryepeshkopit grek, nxirja e realitetit shqiptar nga goja e vetë primatit të Shqipërisë, keqinformimi, sepse ato që i tha Janullatosi Serafimit, përgënjeshtrohen vetvetiu. Nëse në Shqipëri do të kishte aktivitete antikishtare, ato nuk do të rrinin dot fshehur. (Ose, nëse ato ekzistojnë në mendjen e Janullatosit, përse nuk i thotë?)[2]

Dihet mirë se cili ka qenë roli im publik këto vite, prandaj dhe jam atakuar në shtyp qysh në fillim të shërbesës nga qarqe ekstremiste shqiptare. Sepse pikërisht këto klane të instrumentuara, instrumentojnë personazhe nominalë ortodoksë, sa herë që iu kërkohet, për të dhënë përshtypjen se në Shqipëri paska qëndresë kundër kishës ortodokse. Përveç ngjarjeve të shkaktuara prej këtyre qarqeve, nuk është publikuar ndonjë episod tjetër kundër veprimtarisë së Janullatosit në Shqipëri. Nga ana tjetër, unë nuk di ndonjë tjetër ortodoks që të ketë paralajmëruar në shtyp për rreziqet që mbartin ndërhyrje të tilla në imazhin e ortodoksisë shqiptare, sidomos kur ky imazh iu përkthehet, nga Kryepeshkopi ynë i shquar, kishave të tjera autoqefale dhe institucioneve ndërkombëtare të interesuara për Shqipërinë.

Kush tjetër është shprehur kaq hapur kundër Janullatosit, përveç atyre që parësisht kanë qenë dhe janë të dokumentuar në shtypin e Tiranës edhe kundër meje, njëkohësisht? Sepse skajorët tanë nuk mund të kuptojnë se të kritikosh Janullatosin nuk do të thotë të jesh me domosdo racist, a të mohosh të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri. Atëherë, cilat janë aktivitetet antikishtare në Shqipëri, të cilat, sipas kryepeshkopit Anastasios, kryhen si pasojë e shkrimeve të mia? Apo mos me “aktivitete antikishtare” Janullatosi ka parasysh kur klerikët dhe teologët refuzuan t’i japin firmën për fletërrufetë kundër meje vitin e kaluar, duke shkaktuar xhindosjen e tij?

Sa për ndryshimin e emrit dhe të përmbajtjes së bibliotekës sonë virtuale ShqiptarOrtodoks.com, e cila bibliotekë është e vetmja në shqipe në gjithë Internetin ortodoks, të paktën, vetë kjo kërkesë shton te marrëzia e Janullatosit, i cili kërkon të korrë edhe atje ku nuk ka mbjellur. Jo vetëm që kryepeshkopi kërkon gjëra tej arsyes njerëzore, por ethet e tij për t’iu imponuar botës shqiptare përjetësisht, e çojnë atë edhe më larg. Në vijim të letërkëmbimit debatues me peshkop Serafimin, ky i fundit zbuloi përsëri, duke përshkruar krizën e kryepeshkopit: “Problemi është se kur dikush kërkon [në Internet] për kishën ortodokse shqiptare, sajti yt, siç duket, shpesh del i pari. Nëse ti mund t’i bëje njëfarë ndryshimi të vogël në emër, në mënyrë që kur kërkon dikush në Internet sajti yt të mos dalë para Kishës [së Shqipërisë], vetëm kjo do të tregonte mirëkuptim.”[3]

Mbas kundërshtimeve të mia për t’iu nënshtruar kësaj fryme klinike, imzot Serafimi këmbënguli duke ndriçuar të dhëna të tjera nga intrigat ortodokse në Romë. Befasimi më i madh për mua nuk ishte me kryepeshkopin Anastasios, sepse nga ky i pres të gjitha, përderisa ka pesëmbëdhjetë vjet që bën një luftë të pabesë kundër meje dhe kundër atyre shqiptarëve ortodoksë që e kanë kuptuar lojën e tij vetëkultizuese. Ajo që më çmeriti ishte pjesëmarrja dhe bashkëveprimi në këto shkëmbime i Patrikut të Kostandinopojës, Vartholomeos, i cili Tërëshenjtëri gjeti kohë të merrte pjesë në të njëjtin takim të tillë, të turpshëm, me Janullatosin, Serafimin, e të tjerë.

Sipas peshkop Serafimit, “Patriku Vartholomeos përdori fjalë më të ashpra kundër teje; nuk ishte vetëm kryepeshkopi i Shqipërisë.”[4] Ky patriku Vartholomeos, ishte ai që në vitin 1996 i shkroi një letër kryepeshkopit Anastasios, ku e akuzonte për dëm moral në Shqipëri.[5] Patrikut Ekumenik Vartholomeos, i lumtë goja! Vetëm se kur bëhet fjalë për politikën e jashtme, këta fqinjët e jugës sonë bashkohen dhe i lënë për më vonë të tjerat; ndryshe nga veriorët.

Biri i humbjes

Dhe prapë, pyes: Mirë Janullatosi, por si arriti Patriku i Kostandinopojës – i pari në rendin honoral në gjithë Kishën Ortodokse – të merret me një emigrant shqiptar që shkruan atje-përtej-këtu në Kanada? Sepse, përderisa në Shqipëri grekët bëjnë punët e Zotit, nuk ka rëndësi se çfarë them unë së largu. Përderisa Janullatosi e njoftoi publikun shqiptar mbi “cilësinë” time, me një seri shkrimesh të skajshme, nënshkruar me detyrim nga mëditësit e tij nëpër kisha, shkolla e klinika, i bie që shqiptarët të mos iu hedhin as sytë shkrimeve të mia.

Janullatosi dhe shpura e tij përdorën mënyra të pandershme reagimi, në vend të frymës kritike që kërkohet nga njerëz të qytetëruar, në një kohë kur shoqëria shqiptare ka nevojë të madhe për frymë kritike, dhe jo për frymë djallëzore. Nga ana tjetër, nuk ka pse të mblidhet “sinod ekumenik” në varrimin e Papës, për t’i mbushur mendjen një peshkopi kanadez që të mbyllë të vetmin mision shqiptar ortodoks në Kanada. A i zgjidhën problemet madhore të Ortodoksisë etërit tanë të hirshëm, që të merren tashmë me çikërrima? Apo ato dhe këto që kam shkruar këta tre vjet, nuk janë aspak çikërrima? Më së fundi, përderisa unë nuk kam ndërmend të tërhiqem nga kritikat ndaj veprimtarisë së Janullatosit në Shqipëri, çfarë tjetër duhet përdorur për t’iu mbushur mendjen shqiptarëve që të mos lexojnë shkrimet e Foti Cicit?

Gjithë ky parashtrim tregon se deri ku e ka çuar sëmundja një mendje të errësuar nga urrejtja, sepse unë nuk jam as i pari e as i fundit ortodoks që kam kritikuar një kryepeshkop. Primatët e tjerë të kishave autoqefale i kapërcejnë këto kriza dhe i shohin kritikat ndaj tyre si të dhëna së larti për vetëkontroll, në mënyrë që vetë të kritikuarit të lartësohen. Përveç Janullatosit.

Qysh kur erdhi në Shqipëri të na ndriçonte, Misionari e nisi me shkeljet kanonike, ndryshe nga bashkëkohësit primatë në kishat e tjera autoqefale, dhe ndryshe nga primatët shqiptarë në të kaluarën, të cilët këta, bash që të gjithë, kishin më tepër tolerancë për kritikuesit, edhe pse shërbesa e tyre bashkëvijonte nën regjime diktatoriale. Në të kundërt, dhespoti grek, që kur mori në dorë drejtimin e komunitetit ortodoks, për të vënë vullnetin e vet mbi Kishën Ortodokse, i bëri disa ndryshime statutit të KOASH-it: Së pari, shfuqizoi nenin mbi nënshtetësinë e kryepeshkopit dhe, së dyti, ndaloi themelimin e shoqatave dhe të çdo organizate ortodokse në Shqipëri, pa lejën e tij.[6] Ky i fundit është një fakt shumë i rëndësishëm për të shkodizuar lojën e mendjemanipulimit në Shqipëri, por për të cilin nuk kam dëgjuar asnjë gjysmë fjale këta vjet, asnjë shenjë reagimi.

Këto ndryshime në Statutin e KOASH-it u kaluan “unanimisht” nga kleri dhe përfaqësuesit ortodoksë nga gjithë Shqipëria, por vetëm se nuk u lejuan procedura të fshehta votimi, pavarësisht se ky dokument mori bekimet e shtetit shqiptar. Ndryshimi i parë u bë për të siguruar qëndrimin e përhershëm të misionit grek në Shqipëri, ndërsa i dyti, për të hedhur themelet e kultit të Janullatosit. A kishte më të puthitur kompromis midis ortodoksisë greke dhe Janullatosit të etur për pushtet?

Mbas kësaj mëkrejse, kultizimi i Janullatosit u bë fakt i kryer duke kontrolluar ecurinë e mendimit intelektual në kishën shqiptare, duke mbajtur afër njerëz servilë, të paaftë ose të aftë, por të paarsimuar mirë, dhe në të njëjtën kohë nevojtarë të mëdhenj, duke i lidhur këta me njëri-tjetrin (krushqi, punësime farefisnore në kisha, bursa studimi në Greqi e gjetkë, e të tjera shkëmbime nepotike) dhe duke mërguar “shejtanët”.[7] Duke penguar organizimin e besimtarëve në shoqata, klube kulturore, sociale, a shtëpi botuese, siç ndodh kudo gjetkë, çdo reagim ndaj një kulti të tillë konsiderohet tashmë si luftë kundër Kishës, e të tjera sendërgjime. Përndryshe, ata që themelojnë një shoqatë të tillë në Shqipëri, e cila do t’i ndihmojë të formulojnë e të thellojnë mendimet e tyre, përnjimendsh këta ortodoksë, pra, shihen sikur të jenë kundër Statutit të Kishës Shqiptare! Çfarë mëkati!

Sidoqoftë, besimtarët duhet të dinë se kisha shqiptare nuk është me e famshmja nga të tjerat, të cilat ato i lejojnë besimtarët të organizohen në shoqata dhe të ngrenë klube kulturore, shtëpi botuese, etj. Ky është një tertip, por ne Zotin e besojmë mbi sendërgjitë e politikës greke. Dëshmorët e Kishës sonë, At Kristo Negovani, Petro Luarasi, e të tjerë, presin nga ne të nderohen e të përkujtohen, kryesisht e parësisht nga besimtarët, me mënyra besimtarësh. Përkundrazi, Zoti do t’i bekojë ata shqiptarë ortodoksë që do të reagojnë sot, ata që do të rrëfejnë besimin e tyre, aq më tepër kur dëshmorët e kishës sonë vendore nuk ekzistojnë në shtypin dhe botimet e KOASH-it për këta pesëmbëdhjetë vjet. Të rinjtë e sotëm ortodoksë, ndryshe nga ata në kishat e tjera autoqefale, e formësuan identitetin e tyre ortodoks pa këtë simbolikë vendore. Përse vallë? Nëse simbolet kombëtare janë të dëmshme për përjetimin e ortodoksisë, përse të mos t’i zhbëjnë ato edhe kishat e tjera autoqefale?[8]

Të gjitha këto të dhëna kanë një ironi në thelb, sidomos kur Janullatosi përpiqet të bindë ndërkombëtarët se misioni grek po ugjillëzoka myslimanët e Shqipërisë, se gjoja myslimanët shquhen për urrejtje e hakmarrje, në një kohë kur vetë kryepeshkopi i krishterë, i cili e luan në majë të gishtave Biblën, është bërë rob i humbjes në prag të gjykimit. Le të kujtojmë se edhe djalli e provokoi Krishtin duke përdorur pikërisht citate nga Shkrimet, për ta hutuar, të cilat Shkrime i paudhi i dinte dhe i di përmendsh…

Nëse ky plak është “i shenjtë”, ai ftohet sot të gjejë fuqi të zbusë zemrën, të pendohet, të falë dhe të japë shembullin e spiritualitetit, e jo të mugëtirës. Duke kërkuar nga kritikuesit t’i blatojnë ndjesë publike, tërheqje dhe heshtje, vetëm e vetëm se ne thërrasim të vërtetën, duke mëtuar t’i falet gjithë krijesa, pra, imzot Janullatosi e çon veten në një realitet tjetër… Roli i tij misionar është të tregohet pajtimtar, pikërisht më i lartë se vendorët. Përderisa ka rënë kaq poshtë, aq sa përndjek gjer në rrënim ata që s’duan t’i nënshtrohen kultit të tij të sajuar nga politika greke, përse nuk ikën sot me lavdi nga Shqipëria?

Nëse shkrimet e mia nuk qëndrojnë, le të më thërrasin para një pranie klerikësh e teologësh dhe të më gjykojnë për ato që kam shkruar e mbroj qind për qind ende sot. Nëse çështja, në të kundërt, nuk është kaq e ndërlikuar, le të dalë një teolog i KOASH-it në shtypin shqiptar, e të përmbysë një për një shkrimet e mia, me dritë e me edukatë, pa qenë e nevojshme të rrezikohet prestigji i Ortodoksisë me metodat antikristiane të urrejtjes, të mbledhjes së firmave nga mëditësit, të shpifjeve, të errësirës, të intrigave, të cilat, gjithë këto ndyrësira, më ndjeni, kanë diskretituar vetë imazhin grek në Shqipëri.

Çmimi i urrejtjes

Që nga maji e deri në shtator 2005, unë nuk i pranova kushtet absurde të vëna nga Janullatosi dhe Liolinët, prandaj dhe u pushova nga priftëria. Ende sot ekziston mundësia që unë të rivendosem në shërbesë, duke më caktuar ndoshta në ndonjë kishë greke, përderisa misioni shqiptar i vjedh klientelën kishave greke të Kanadasë.[9] Ende sot, pra, tani që shkruaj, ekziston mundësia që unë të ngjitem në Altar të meshoj, vetëm se duhet të ndal kritikat ndaj kultit të Janullatosit. Kurrën e kurrës! Sepse një shpirt kam dhe nuk guxoj ta shes. Por kryepeshkopi e ka shumë gabim, sepse edhe sikur të nënshtrohesha a të bija unë, Zoti do të ndriçojë dikë tjetër, pikërisht për kryepeshkopin, për ta ndihmuar atë të kontrollojë pasionet e sëmura dhe të mos zhvlerësojë pjesën cilësore të shërbesës së tij.

Drejtori i seminarit ortodoks në Durrës, peshkop Ilia Katre, ma tha më bukur: “Nëse ti bën një kthesë në shkrimet e tua, të ndalësh kritikat ndaj Kryepeshkopit, ty të hapen shumë mundësi për të ardhmen në Kishë. Ti je njeri shumë inteligjent, shkrimet e tua janë shumë të thella, prandaj dhe ti ke aftësi të bësh diçka të tillë, ndërsa në të njëjtën kohë të mos duket se je tërhequr. Ti e di vetë se si do ta bësh këtë.” Por edhe imzot Ilia nuk e fshehu krizën mendore të Janullatosit, aq shumë sa i shpëtoi dhe tmerri i vet: “Sa herë që ti boton një shkrim në Tiranë, kjo kthehet në një ngjarje shumë-shumë të dhimbshme (Very very distressing), jo vetëm për ne që jemi afër kryepeshkopit, por dhe për të gjithë Kishën. Madje nuk ndihem lirshëm as të flas më tepër për këtë temë… Të lutem shumë!”

Peshkop Ilia është ai që Patrikana e futi nga dritarja në Shqipëri, si kandidati më i mundshëm për kryepeshkop, edhe pse u shugurua për të shërbyer në Amerikë. Një peshkop me titull e seli në Amerikë, por që jeton për tre vjet në Shqipëri, e ka vendosur veten mbi të drejtën kanunore të Kishës Ortodokse, e cila kjo ndalon rreptësisht që një peshkop ta ketë banesën jashtë selisë së tij peshkopale. E keqja është se hierarkia greke, kur vjen puna te kombi imagjinar, e kujton veten mbi Ortodoksinë, duke shkelur jo vetëm dogmën e kishës lindore, por dhe kombësitë jo greke në të njëjtën Kishë. Ja dhe një tjetër improvizim në administrimin e hirit nga Patrikana, e cila hirshkelëse paska ardhur në Shqipëri t’iu mësojë shqiptarëve të jenë ortodoksë më të mirë…

Përderisa u mbush një vit nga këto ngjarje, të cilat arritën të mbyllin misionin shqiptar në Kanada, dhe përderisa Janullatosi me Liolinët nuk duan të na sjellin një prift tjetër nga Shqipëria – qoftë dhe një djalë shqiptar nga të zgjedhurit e misionit grek në Tiranë – unë tashmë jam i lirë të prish heshtjen e të vazhdoj kritikat. Pavarësisht nga pasojat, jam i qetë se kam rrëfyer të vërtetën dhe e kam mohuar të keqen: Nuk iu nënshtrova një politikani që përdor petkun ortodoks për synimet tinëzare të një misioni shkombëtarizues; nuk e shita besimin tim; nuk iu fala kultit mbishenjtor, sëmundjes së pashërueshme të Janullatosit për pushtet e lavdi, e martuar kjo sëmundje e madhe me nevojën shumë të madhe të politikës greke për një kryemisionar të tillë në Shqipëri, për të zhbërë të vërtetën në rajon.

Sot, kur sapo jam pranuar e regjistruar për studime pasuniversitare në Universitetin e Torontos, në këtë çast drejtësie e çlirimi, pra, gjykoj se gjithë çka ndodhi, në vend të tërheqjes së sugjeruar me të urtë e me kërcitje dhëmbësh, më nxit të përsiatem edhe më tej, ndërsa në vend të heshtjes së kërkuar nga qarqet greke e myslimane, më bën të thelloj debatin që kam çelur në botën shqiptare. Klerikët dhe besimtarët ortodoksë në Shqipëri, të cilët mund të ndihen të çoroditur nga zhvillimet në kishën tonë, por të cilët pak nga pak po afrohen me këto shqetësime, është mirë t’i rrahin këto çështje me njëri-tjetrin, me zë të ulët, por sa më shpesh e aq më mirë. Gjithashtu, të mos harrojnë të luten për shëndetin e Kryepeshkopit, sepse nuk dimë se kush e drejton KOASH-in dhe çfarë po gatuhet për të ardhmen e komunitetin tonë.

Tashmë, në këtë rend moral, le të shquajmë Janullatosin tek po vjen si “ëngjëll drite”… Shikojeni mirë si po shfaqet: Të tillit s’ke ç’i bën, përderisa ai i flijon të gjitha për kultin e vetvetes, duke pasur për nxitje e mbështetje një makineri kaq të madhe, ndërkombëtare, në një betejë kulturore. Sidoqoftë, le të përdorim dhuntitë e Shpirtit të Shenjtë dhe ta kundrojmë Janullatosin sikur e shohim për herë të parë: Është ai që ecën sikur shkel mbi valë deti, pa iu dukur këpucët e pa iu dëgjuar hapat, njësoj në pamje si Krishti, por vetëm se jeton mu në të kundërtën e Tij, në errësirën e një jete të dyfishtë, plot neveri për ata që e kanë ndijuar lojën kultbërëse, prandaj dhe me kaq sukses helenizuese. Gjithsesi, ai që urren është më i humburi nga të gjithë, prandaj dhe i mbërthyer sot nga ethet e vdekjes. Mëshirë!

[Foti Cici, 2006]

——————————————————————————–

[1] Email i Peshkop Serafimit të Otavës dhe Kanadasë, dërguar Foti Cicit, 26 maj 2005.
[2] Bëhet fjalë për vitin 2005, një vit para zhvarrosjeve të Përmetit, kur nuk ekzistonte vëmendje publike ndaj kishës ortodokse.
[3] Email i Peshkop Serafimit dërguar Foti Cicit, 31 maj 2005. Për hir të së vërtetës, le të thuhet se kjo nuk qëndron. Me sa kam shquar unë, sajti ynë nuk del i pari nëse dikush kërkon për “Albanian Orthodox Church”, as për “Kisha ortodokse shqiptare”. Por bashkëpunëtorët që ka zgjedhur Janullatosi, e gënjejnë atë, për ta shtyrë edhe më në mëkat. Problemi i kryepeshkopit nuk është vetëm se nuk ka as njohuri fillestare në Internet, por se ka rrëshqitur dhe është bërë pré e servilëve.
[4] Email i Peshkop Serafimit dërguar Foti Cicit, 11 korrik 2005.
[5] Apóstolos Glavinas, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë (Απόστολος Γλαβίνας: Η Ορθόδοξη Αυτοκέφαλη Εκκλησία της Αλβανίας) f. 270.
[6] Mbas statutit me 92 nene të vitit 1950, në fund të tekstit të votuar e të nënshkruar nga delegatët e atëhershëm, dhe të miratuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, në vitin 1993 u shtua pika “2. Kuvendi Kleriko Laik (21 janar 1993)”, ku kryepeshkopi bëri centralizimin e administrimit të gjithë Kishës së Shqipërisë nën komandën e tij, nëpërmjet një këshilli të emëruar po prej tij, por pa e përcaktuar me nen të posaçëm në këtë shtesë të statutit. Në Kuvendin Kleriko-Laik të datës 9 maj 1996, statutit iu shtua pika “3. Dispozita tranzitore”, ku riformulohet vendimi i vitit 1993 dhe shtohen tre nene të reja: Neni 93, i cili shfuqizoi nënshtetësinë shqiptare të Kryepeshkopit, neni 94, i cili zbriste peshkopatat e Korçës, Beratit dhe Gjirokastrës nën pushtetin e kryepeshkopit, dhe neni 95, i cili nis me themelimin e shoqatave të rinisë dhe të gruas brenda KOASH-it, por kërcënon kritikuesit e atëhershëm se “Shoqata dhe organizata të tëra që krijohen pa miratimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nuk njihen prej saj dhe nuk mund të përfaqësojnë shprehjet e jetës së saj.” Përveç neverisë për ata që mendojnë ndryshe, në këtë nen të fundit është dokumentuar ankthi i misionit grek ato vite, por sidomos trysnia ndaj përkthyesve, prandaj dhe nuancat tekstologjike të kësaj fjalie mund të kuptohen plotësisht vetëm nëpërmjet greqishtes. Ishin pikërisht këto shkelje dhe ky papizëm që shkaktuan reagime të ashpra nga bota ortodokse, me në krye vetë Patrikanën e Kostandinopojës.
[7] Megjithëse disa persona të fuqishëm në KOASH janë ende mister, ata që përdoren hapur e shpesh në mjediset kishtare, atje ku njëkohësisht dhe urrehen në kulm, janë teologët Jorgo (Arben) Papadhopulli dhe Pirro Kondili. Është e çuditshme se këta të dy, edhe pse hiqen si të dedikuar ndaj kryepeshkopit, ndonjëherë kryejnë hapur aktivitete të cilat jo vetëm që nuk miraton as ai, por që vijnë ndesh me vetë bindjet e Janullatosit. Për shembull, gjatë krizës së zhvarrosjeve, kur shtypi shkroi për shpërndarjen e “trakteve greke” në Përmet, kryepeshkopi e përgënjeshtroi këtë, por besimtarët përmetarë shquan atë ditë në Përmet vetë Jorgo Papadhopullin, e cili pikërisht shpërndante fletushka greqisht, me një makinë me targa greke. Ndërsa zotin Pirro Kondili e njoha në kampin e refugjatëve afër Konicës, në janar 1991, dhe në vijim në konviktin kishtar të Konicës, atje ku u pagëzuam së bashku në një ditë. P. Kondili përktheu shqip librat e mitropolitit Sevastianós, të cilët qarkullojnë ende sot nëpër Shqipëri. Gjatë studimeve në Athinë (vjeshtë 91 e në vijim), Kondili u shkëput nga jeta studentore dhe askush nuk dinte se me se merrej, ndërsa më vonë u arrestua në Gjirokastër dhe u lirua me presione të qeverisë greke, siç u nyjëtua kjo atëherë në median greke. Edhe pse vetë minoritarët i druheshin Kondilit, të cilët madje e quanin “i Degës”, edhe pse vetë kryepeshkopi e mbante në distancë, pikërisht për shkak të kësaj veprimtarie të hapur antishqiptare në Greqi, dhe jo vetëm, P. Kondili u emërua drejtor i shkollës së mesme kishtare në Gjirokastër, atje ku është dhe sot. Ky zotëri shkruan artikujt që publikohen nga kryepeshkopata në shtypin shekullar, nën emrin e at Jani Trebickës, i cili ky i fundit është krejt i pashkollë, (jo vetëm me zor shkruan pak, por me zor e me shumë gabime lexon dhe Ungjillin në shërbesa), por nuk di t’iu bëjë biografitë shqiptarëve që kritikojnë misionin grek. Është e sigurt se Kondili iu imponua Janullatosit, por nuk dimë se kush ia imponoi dhe do të ishte naive të thoshnim “qeveria greke”. Por dimë se veprimtaria e tij në shkollën e mesme Kryqi i Nderuar ka dritëhije, ku rreth një e treta a djemve këto vite, sipas inspektimeve shtetërore, e ka lënë shkollën. Dimë gjithashtu, se qeveria shqiptare i kërkoi para pak muajsh dëshmi penaliteti (Shih: http://www.mash.gov.al/Inspektimi/Kryqi i nderuar). Edhe pse zotit Kondili nuk ia dimë të gjitha, dimë se dy vitet e fundit ai u ekspozua në një aktivitet të përbashkët me klane të shqiptare myslimane në SHBA, por nuk dimë se kush përdor kë…
[8] KOASH-i nuk ka kanonizuar asnjë shenjtor, edhe pse historia e re e Shqipërisë është plot me të tillë. Kisha e Shqipërisë është autoqefale dhe ka të drejtë të kanonizojë shenjtorët e saj, ashtu siç bëjnë edhe kishat e tjera autoqefale. Madje dhe Kisha Ortodokse në Amerikë (OCA), e cila e ka marrë autoqefalinë nga Patrikana e Moskës, dhe prandaj nuk njihet nga shumica e kishave autoqefale, kanonizoi vitet e fundit disa shenjtorë të rinj (të shekullit të 20-të), ikonat e të cilëve përnderohen sot nga të gjithë besimtarët ortodoksë në Amerikën e Veriut, pavarësisht nga përkatësia e juridiksioneve etnike. Mirëpo KOASH-i funksionon si kishë autoqefale vetëm për të përmbushur misione kulturore, përndryshe të pamundura.
[9] Kishat ortodokse në Amerikën e Veriut funksionojnë financiarisht si njësi të pavarura, domethënë mbijetojnë dhe fuqizohen në sajë të anëtarëve të këtyre kishave, të pagesës së anëtarësisë vjetore, të donacioneve, por, sidomos, të pagesave për pagëzime e martesa, ku kisha, veç tarifave të shtrenjta për këto shërbesa, lëshon me qira mjediset e kishës për gostitë mbas tyre. Në këtë mënyrë, kisha lokale, sipas këtyre të ardhurave, është në gjendje të paguajë priftin e emëruar nga mitropoliti i tyre, plus sekretarisë, nëse është kishë e madhe. Këto kisha paguajnë pastaj rreth 15% të të ardhurave vjetore në mitropolinë e tyre, e cila mitropoli i paguan rreth 20% të të ardhurave vjetore Patrikanës së Kostandinopojës. Ky është sistemi ekonomik i kishës ortodokse greke në Amerikën e Veriut, i cili mbështetet plotësisht te kontributi i besimtarëve, dhe aspak te hierarkia apo te shteti grek a kanadez. Përderisa shumica e emigrantëve shqiptarë janë të rinj, gjithë këto familje të reja, ku do të shkojnë për martesa, pagëzime, e të tjera raste të pashmangshme? Do të shkojnë në kishat greke! Atje ku ndihen më afër nga shumë pikëpamje, pra, dhe atje do të zënë me qira dhe mjediset e kishës për gostitë e tyre, shpesh të pakursyera. Përderisa kisha greke në Kanada shquhet për një orientim të skajshëm biznesi, më tepër se në SHBA, hapja e kishave shqiptare në dy qytetet e mëdha të Torontos e Montrealit vjen ndesh pikërisht me një praktikë të tillë vjelëse.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...