2016-02-05

Blushi dhe socialistët lakuriq

Blushi dhe socialistët lakuriq
“Për këtë nuk flet përshembull as Pandeli Majko, të cilit rregullat demokratike të PS së dikurshme i dhanë mundësinë që në moshën 30 vjeçare të bëhej kryeministër e të kandidonte edhe për kryetar. Njësoj siç kandidoi edhe vetë Rama në vitin 2003. Dhe si Pandi, nuk flasin as shumë të tjerë që janë dëshmia e heshtur e një partie dikur model i demokracisë së brendshme”…
Nga Armand Shkullaku 
Partia Socialiste, pasi ka kapërdirë turpin e heshtjes, tashmë po përjeton edhe paturpsinë e përdorimit për nevojat e ngushta të kryetarit të saj. Një normë statutore, të cilën deputeti Ben Blushi kërkon të respektohet dhe për rrjedhojë t’i hapë rrugën një kandidimi të mundshëm të tij përballë Edi Ramës, ka nxjerrë zbuluar në sytë e publikut një Parti Socialiste, të katandisur më keq se PD në kohën e drejtimit me dorë të hekurt nga Sali Berisha.
Më keq sepse debati në PS nuk po zhvillohet më rreth faktit nëse ndryshimet që pritet të bëhen në statut kanë fuqi prapavepruese ose jo, nëse kryetari- kryeministër duhet të votohet në Kongres apo me një anëtar një votë, nëse duhet penalizuar gara çdo katër vjet apo duhet zhvilluar ajo. Jo, në vend të debatohet për këtë garë, një tjetër më e fortë ka mbërthyer “vullnetarët e Edi Ramës”: kush do t’i shërbejë më shumë kryetarit dhe kush do ta demaskojë më tepër kundërshtarin.
Në radhë janë vënë shokët socialistë që janë në qeveri. Në radhë edhe ata në parti që presin që shefi t’u kthejë vështrimin. Një garë e shfrenuar për të treguar, kush të mundet i pari, se kryetari nuk ka nevojë të votohet, se atë e ka votuar populli, se statuti mund të ndryshojë, se Blushi po i shërben opozitës, se qeveria po njeh vetëm suksese.
Këtë situatë, që vetë Rama dikur mund ta etiketonte si moçali i politikës së vjetër apo këneta e individëve të përdorur, ai nuk mund të rrinte pa e shijuar. Dhe kështu, radhës së atyre që vetofrohen, me një perversitet të pamëshirshëm, ai u shtoi edhe “trimat” që njiheshin si miq të Ben Blushit. Edhe këta, me të marrë shenjë nga kryeministri kapën mikrofonat për të dëshmuar devotshmëri. Asnjë prej tyre nuk tha jo, as vetëm e as në çift. Të gjithë dolën të zbatonin porosinë.
Me përdorimin e këtij sojit të fundit, Rama nuk u hakmorr thjesht ndaj Blushit. Ai njëkohësisht shpalli në publik se askush nuk mund të dalë mbi autoritetin e tij, se dyshimet për individë me integritet apo moral politik janë pallavra, se epoka e partisë me demokracinë më të shëndoshë ka mbaruar dhe shëndeti i liderit është edhe ai i partisë.
Edi Rama ka qenë i qartë në përdorimin deri në palcë që u bëri ministrave dhe vartësve të tjerë në parti për të mohuar një të drejtë bazike, atë të konkurrimit. Kur ishte në opozitë, ai vetë fshikullonte radhën e ministrave që Sali Berisha nxirrte në podiume për të goditur kundërshtarët politikë dhe u bënte thirrje atyre të mos e nëpërkëmbnin personalitetin e tyre për hir të interesave të shefit të madh. Më herët se kaq, në vitin e largët 2001, Edi Rama e kishte provuar nën lëkurë se çfarë do të thotë përdorimi politik. Pikërisht në kohën kur, Ilir Meta kryeministër, e detyronte të dilte përpara bashkisë apo të gjente batuta me Robert Çamçakëzin për të demaskuar Fatos Nanon. Prandaj, i vetëdijshëm për këtë përdorim, Rama po tregohet i pamëshirshëm tani që është radha e tij.
Për këtu nuk është fjala vetëm për ata që janë të gatshëm të shërbejnë apo ata që përulen që në provën e parë. Ata nuk përbëjnë ndonjë çudi. E gjithë karriera e tyre është ngritur dhe është e varur nga humori i Edi Ramës. Ata nuk kanë bërë diçka tjetër në jetë dhe e kanë të huaj konceptin e lirisë. Befasia qëndron me disa të tjerë që nuk guxojnë të flasin dhe që nuk arrijnë të shprehin as minimumin e mendimit të tyre. Të thonë fjala vjen që e mbështesin qeverinë, që nuk janë dakort me Blushin, por që konkurrimi në një parti është themeli i ngrehinës së saj. Që një parti pa garë dhe pa demokraci të brendshme është e destinuar drejt autoritarizmit dhe përfundon në duart e një njeriu të vetëm.
Për këtë nuk flet përshembull as Pandeli Majko, të cilit rregullat demokratike të PS së dikurshme i dhanë mundësinë që në moshën 30 vjeçare të bëhej kryeministër e të kandidonte edhe për kryetar. Njësoj siç kandidoi edhe vetë Rama në vitin 2003. Dhe si Pandi, nuk flasin as shumë të tjerë që janë dëshmia e heshtur e një partie dikur model i demokracisë së brendshme. Nëse dëmi i atyre që garojnë për të dëshmuar devotshmëri është i parashikueshëm, heshtja e pjesës tjetër bëhet më e rëndë. Pas 25 viteve betejash politike, është e trishtueshme të shohësh themelues të PS që vegjetojnë me kokën ulur për t’u ngrohur nga dielli i Edi Ramës.
Sfida e Blushit mjaftoi për të nxjerrë në publik atë që dihej e thuhej prej kohësh, fundin e një Partie Socialiste si model perëndimor dhe antitezë e rivales së saj historike, PD. Të një partie me debat të brendshëm, me liri mendimi, me bashkekzitencë të flukseve të ndryshme, të hapur dhe në sinkron me shqetësimet e shoqërisë. Për t’ia lënë vendin një grupimi që ekziston në funksion të kryetarit dhe interesave të tij, një organizëm tipik ballkanik që frymon me liderin dhe jo me interesin publik. Kjo është Partia Socialiste sot. Blushi vetëm sa e vuri në provë.

A po godet Prokuroria “Të paprekshmit”?


A po godet Prokuroria “Të paprekshmit”?















Në fakt Spiro Ksera nuk është “kokë e madhë”, sado përgjegjësi që të ketë ai për rastin në fjalë. Spiro Ksera duhet të tregojë përpara drejtësisë nëse është fajtor apo i pafajshëm. Kjo është sfida e tij. Por edhe nëse njihet fajtor, në Shqipëri sërish nuk është dënuar askush. Sepse ata që kanë shkatërruar këtë vend; ata që e kanë vjedhur; ata që e nëpërkëmbin ligjin çdo ditë, nuk janë as Ksera dhe as niveli i tij. Qëndrojnë më lart, aty ku Prokurori ka frikë të ngrejë kokën e të shikojë”…
Nga Blendi Fevziu
Prokuroria ka hedhur së fundmi një hap në atë drejtim që ka qenë pika e saj më e dobët, ndëshkimi i personave me pushtet dhe të fuqishëm. Thënë ndryshe, ajo ka tentuar të godasë “të pandëshkueshmit” siç quheshin rëndom deri tani dhe të verë në bankën e të akuzuarve ata që e kanë shmangur gjithnjë gjykimin dhe ndëshkimin, politikanët. E ka bërë këtë duket dërguar direkt në gjykatë, me mandat arresti, ish Ministrin Spiro Ksera, që akuzohet për një shpërdorim prej 300 milion lekësh përmes fallsifikimit të dokumentave zyrtare. Nuk mund të gjykoj për rastin Ksera sepse as e njoh dhe as ka ndonjë vendim të gjykatës. Në parim, ndëshkimi i korrupsionit është një detyrë e Prokurorisë dhe një kërkesë unanime e gjithë opinionit publik në Shqipëri. Nëse ka vjedhur apo jo Spiro Ksera, do ta vendosë gjykata dhe ai do të mbajë pasojat e atij vendimi.  Problemi nuk është tek rasti konkret, por tek pyetja që po shtrohet rëndom këto ditë: A është Rasti Ksera, ose Spiro Ksera, shembulli për të treguar se në Shqipëri ligji po ndëshkon zyrtarët e lartë?! Apo që Prokuroria Shqiptare po prek “të paprekshmit”?! Përgjigja ime do të ishte pa asnjë ekuivok, JO!
Nëse Ksera do të gkykohej si një rast i shkeljes së ligjit apo përfitimeve të paligjshme, gjithçka do të ishte krejtësisht normale. Mjafton që të zbatoheshin procedurat ligjore dhe respektimi i tyre. Do të ishte një rast i zakonshëm, nga ata që duhej ta përshendesnim të gjithë. Për fat të keq, “Rasti Ksera” u shit si goditje ndaj “Kokave të mëdha” dhe gjithë stili i ndalimit duket se i shërbente kësaj ideje. Ksera u prangos dhe u dërgua në burg pa u dëgjuar. U mbyll pas kafazit të hekurt dhe u la në burg pa afat për një krim të cilin prokuroria e ka hetuar deri në fund dhe që mund të gjykohej edhe në arrest shtëpie. U krijua përshtypja se Prokuroria po godiste “politikën” kur në fakt, po godet veç një njeri që nuk ka as ndikim dhe as mbështetje politike. Dikush mund të thotë që s’ka rëndësi nëse beteja nis nga peshqit e vegjël apo ata të mëdhenj, përderisa ajo në fund ndëshkon një njeri për veprimet e tij. Edhe kjo është e vërtetë, por zgjedhja e një personi pa ndikim dhe pa fuqi për ta përdorur si shembull të ndëshkimit të personave të fuqishëm, vetëm sa i bën më të paprekshëm ata.
Prokuroria po përdor atë që në shoqërinë shqiptare njihet si një prej fenomeneve më negative,  selektivitetin. Përmes një veprimi të tillë në vend të ndëshkojë korrupsionin ajo në fakt po tenton ta mbrojë atë. Sepse duke tentuar të qetësojë një opinion të mbarsur publik për mosdënimin e njerëzve të fuqishëm me “rastin Ksera”, ajo po tenton edhe fashitjen e një ndërgjegjie dhe reagimi qytetar që duhet përshëndetur. Po tenton ti vërë në gjumë ata.
Nëse Prokuroria do të niste punën e saj normale duhej të jepte përgjigje se kush i vodhi milionat e CEZ dhe cilët politikanë janë përfshirë në atë aferë? Prokuroria duhej të jepte përgjigje për koncesionet në shëndetësi! Nëse ka të drejtë opozita me akuzat e saj apo Qeveria për atë që po bën. Prokuroria duhej të jepte një version më të besueshëm për çështjen Doshi – Frroku, çështje për të cilën u thirr gjithë politika shqiptare dhe sot nuk njihet asnjë fajtor!
Prokuroria duhej të jepte një përgjigje për akuzat e ish opozitës për mazhorancën e sotme, akuza që ende nuk kanë një përgjigje nëse qëndrojnë apo kanë qenë thjeshtë elektorale.
Prokuroria duhet të thotë se si politikanë të rëndësishëm janë në dosjet e saj dhe deri më sot nuk janë thirrur asnjëherë, as për të dhënë shpjegime. Prokuroria duhet të japë emrat e deputetëve të inkrimunuar, që me gjasë, rrezikojnë të mos ndëshkohen asnjëherë. Prokuroria ka gjetur të bëjë shembull Spiro Kserën. Dhe e dini përse? Sepse është i vetmi që si takon asnjë klubi politik. I vetmi që s’ka mbështetje politike dhe që s’i prish punë askujt. Nuk prek interesa dhe nuk zgjon interesa. Kaq! Mjafton statusi si ish ministër për të thënë se tashmë diçka ka ndryshuar dhe po goditen kokat e mëdha! Në fakt Spiro Ksera nuk është “kokë e madhë”, sado përgjegjësi që të ketë ai për rastin në fjalë. Spiro Ksera duhet të tregojë përpara drejtësisë nëse është fajtor apo i pafajshëm. Kjo është sfida e tij. Por edhe nëse njihet fajtor, në Shqipëri sërish nuk është dënuar askush. Sepse ata që kanë shkatërruar këtë vend; ata që e kanë vjedhur; ata që e nëpërkëmbin ligjin çdo ditë, nuk janë as Ksera dhe as niveli i tij. Qëndrojnë më lart, aty ku Prokurori ka frikë të ngrejë kokën e të shikojë…

Pse Edi ka frikë nga Rama?

Pse Edi ka frikë nga Rama?
Edi Rama nëse pranon të hyjë në duel në kongres me fletë votimi i ka siguruar PS-së trashegimtarin, pra kurdo që të ikë Edi do të jetë Blushi kryetar dhe kryeministër kur të fitojë zgjedhjet. Ndaj Rama nuk do. Ai ndonëse është sot majë pushtetit përsëri punon që selisë rozë t’i sigurojë trashegimtarin, që gjithsesi nuk don të jetë Ben Blushi. A po përgatit Erion Veliaj apo Saimir Tahirin kjo mbetet e vështirë të pikaset”…
Nga Nikoll Lesi
Për dreq i njoh të dy; edhe Blushin, edhe Ramën. Me të parin na lidh miqesi e hershme në media se e kisha gazetar dhe kryeredaktor të “Koha Jone” ndër vitet e vështira 1992-1997, kurse Edi Ramën si bashkëpunëtor të gazetës. Blushi me Ramën ka qenë miq shumë të ngushtë. Por sherri publik mes tyre këto ditë, ndonëse po vlonte kazani prej muajsh, tregon se kur futet pushteti mes dy miqve ikën edhe miqesia, porse mjergullohet edhe arësyeja para publikut.
Në rastin konkret kur Ben Blushi kërkon zgjedhje me votë në kongresin e PS-së, ndërsa Edi Rama nuk del vetë në institucionet zyrtare të PS-së, por nxjerr herë Taulant Ballën e herë Arben Ahmetaj, më pas Saimir Tahirin apo Erion Braçen e Niko Peleshin, tregon se ngacmimi është i Blushit , kurse gabimi i Ramës. Edhe vetë Blushi e di se nuk fitohet përballë Ramës në kongres. Nuk fitohet sepse në traditën shqiptare të një mungese të kulturës demokratike kryeministri ka interesa në dorë, ka pushtet. E dyta është se duhet pranuar se votimin, nëse bëhet e që duhet bërë, Edi Rama ka me tepër karizëm populist, ka zgjedhur delegatët siç i do, ka mediat, ka interesa ekonomike, në fund të fundit ka fituar pushtetin me votë; pra fiton në kongres. Dhe fiton bindshëm, ndonëse për mua nuk duhej të ishte kështu, që të kishte votim proRamës si në kohën e Enverit. Blushi është një figurë socialiste e nivelit të lartë dhe konkuron me ide për të bërë një drejtim më kolegjial të selisë rozë. Por nuk fiton në votim. Ndaj me habit fakti pse Edi Rama nuk del e thotë: “Po, hajde zoti Blushi në votim!”. Dhe fiton, siç e thamë me sipër. I jep edhe dorën, bile edhe një kafe dhe me shpotinë e tij “ediste” e shoqëron nga kutia e votimit për tek dera e jashtme e kongresit. Natyrisht që edhe Blushi nuk është me poshtë shpotisë dhe sarkazmës politike.
Edi Rama nuk ka frikë nga rezultati i votimit. Ai e bën për dy arësye mos tërheqjen nga vendimi personal që nuk do të shkojë në kutinë e votimit. Së pari si kokëfortesi që të mos i thonë se “të detyroi Blushi të bëhet votimi!”.E mendon paksa dhunshëm pasi,sipas tij,i rrëzohet autoriteti para vartësve. Edhe vetë Rama ka kërkuar votim e zgjedhje në vitin 2003 kur konkuroi përballë Fatos Nanos në kongresin e PS-së. Ishte Blushi  që publikisht kaloi me Edi Ramën kundër Nanos, aq me tepër që ishte edhe ministër në kabinet. Asokohe një ministër i qeverisë deklaronte votën prokandidatit antikryeministër, kurse sot krejt turra e ministrave janë sulur kundër Blushit e në servilizëm të hapur për kryeministrin Rama.
Duhet që vetë Edi Rama të mos e pranoj këtë sharlatanizëm ministrash, pasi humbet pikë në publik. Siç e thashë kongresin e ka të fituar edhe sikur të ngrihet Enver Hoxha nga varri e të futet në kongres.
E dyta arësye që më bën të hamëndësoj pse nuk shkon Rama tek votimi përballë Blushit. Dhe mendoj se kjo është kryesorja. Edi Rama nëse pranon të hyjë në duel në kongres me fletë votimi i ka siguruar PS-së trashegimtarin, pra kurdo që të ikë Edi do të jetë Blushi kryetar dhe kryeministër kur të fitojë zgjedhjet. Ndaj Rama nuk do. Ai ndonëse është sot majë pushtetit përsëri punon që selisë rozë t’i sigurojë trashegimtarin, që gjithsesi nuk don të jetë Ben Blushi. A po përgatit Erion Veliaj apo Saimir Tahirin kjo mbetet e vështirë të pikaset, porse nuk është Blushi. Kjo duket qartë nga reagimi për të mos shkuar në votim në kongres përkrah Benit.
Kjo është strategjia e Edi Ramës. Nuk e ka për sot, pasi fiton bindshëm. Po mendon për pasardhësin në PS.
Ndonëse kurrë nuk i dihet, pasi mund t’i shikojmë prapë bashkë!

Koment: Vaterloja e Merkelit?

Koment: Vaterloja e Merkelit?
Për shkak të krizës së refugjatëve mbështetja për Angela Merkelin në popull po bie shpejt. Kjo nuk është për t’u çuditur, sepse kultura e mikpritjes është kthyer në kulturë shqetësimi, mendon Kay-Alexander Scholz.
Hapja e kufijve për refugjatët që një veprim që Angela Merkel e ndërmori e vetme: nuk pati ndonjë vendim të BE, Bundestagun nuk e pyeti njeri, aq më pak u bë kjo me popullin gjerman. Si kancelare ajo thjesht u turr përpara – dhe fillimisht mori shumë duartrokitje nga Gjermania dhe nga e gjithë bota. Por efekti i vorbullës tërheqëse që shkaktoi hapi i Merkelit e kaloi aftësinë përfytyruese të shumë vetëve.
Që tani në radhët e CDU-së ka deputetë që thonë se pas zgjedhjeve të ardhshme duhet të ngrihet një komision hetimor parlamentar për ngjarjet e verës 2015.Që mënyra si veproi Merkeli mund të diskutohet juridikisht, këtë e dinë shumë vetë. CSU madje kërcënon me padi për mosrespektim të kushtetutës.
Gjermania po ushtrohet që të çmësohet nga Merkeli
70 përqind e gjermanëve janë ndërkohë të shqetësuar për shkak të valës së pafrenuar të refugjatëve. Dhe meqenëse shumë vetë mendojnë se “kriza e refugjatëve është e barabartë me Merkelin dhe Merkeli është e barabartë me krizën e refugjatëve”, popullariteti i Merkelit aktualisht ka rënë kaq shumë, sa shumica janë të pakënaqur me punën e saj si kryetare e qeverisë.
Edhe një komponent psikologjik luan një rol në këtë klimë: Merkeli e drejton Gjermaninë tashmë që prej dhjetë vjetësh. Për Gjermaninë këto kanë qenë vite të mira. Sociologët flisnin deri pak kohësh me lëvdata për një “brez Merkel”. Kështu që vlerat në sondazhe vitet e kaluara për Merkelin kanë qenë gjithmonë të shkëlqyera.
Të gjitha ishin në rrugë më të mbarë, thonë disa duke tundur kokën me mosbesim. Pa borxhe të reja, me të ardhura rekord nga taksat dhe papunësi të ulët – pse prishet tani e gjitha?
Kundërshtimet për modelin evropian të zgjidhjes së problemit të refugjatëve, të mbrojtur nga Merkeli janë shtuar. Shumë e kanë humbur prej kohësh besimin në planin e Merkelit. Disa e bëjnë këtë me një zemërim të heshtur, që pasqyrohet në sondazhe. Të tjerë e shprehin këtë zemërim me zë të lartë dhe ndihen të mbrojtur mirë nga populistët dhe nga Pegida.Dhe të tjerë i mundon shqetësimi, që tani janë forcat ekstreme në Evropë, të cilat po e ngrenë zërin.
Kommentarfoto Kay-Alexander Scholz Hauptstadtstudio
Parashikimi? I vështirë
Si do të ecet më tej? A do ta vazhdojë Merkeli punën, do të japë dorëheqjen, apo do ta rrëzojnë me puç? Një përgjigje për këtë aktualisht nuk ka. Megjithatë: Merkeli i ka mbijetuar politikisht disa rënie në mbështetjeje në sondazhe, për shembull pas krizës financiare në Evropë dhe pas krizës së Greqisë. Veç kësaj, masat që janë marrë tani në kuadër të paketës II të azilit, shumica në popull i vlerëson pozitivisht.
Pra e gjitha mund të kthehet sërish ndryshe, pra të bëhet më mirë për Merkelin. Vendimtare do të jetë: kur do të ulet numri i refugjatëve, të cilët vazhdojnë të vijnë me mijëra në ditë në Gjermani?
Më mirë të mos e përfytyrojmë se çfarë do të ndodhte sikur tani të ndodhte ndonjë atentat i madh terrorist në Gjermani. Edhe për atë, me garanci, shumë do të akuzonin Angela Merkelin, se e mban përgjegjësinë.

Historiani zviceran, Lambert: Shqiptarët kanë drejtuar botën që nga Mesjeta, Evropa i la qëllimisht mënjanë

Historiani zviceran, Lambert: Shqiptarët kanë drejtuar botën që nga Mesjeta, Evropa i la qëllimisht mënjanë  (Foto)
Dr. Aleksandre Lambert, historian, drejtor akademik i “School of International Training” në Gjenevë, është autor i disa librave dhe artikujve në fushën e relacioneve ndërkombëtare të filozofisë politike, të politikës së sigurisë dhe lidhjeve civile-ushtarake.
Lambert ka vizituar Shqipërinë dhe ka filluar të njoh çështjen shqiptare që në rini të tij me kërkimet e bëra në Arkivin e Lidhjes së Kombeve Gjenevë, kur njohu mirë edhe çështjen çame.
Historiani zviceran Dr. Aleksandre Lambert këmbëngul se nuk është e rastit që shqiptarët në asnjë moment të historisë nuk njihen si komb që i kanë sulmuar kombet e tjerë dhe se shumë shqiptarë kanë shkëlqyer duke drejtuar qoftë perandori, qoftë shtete të tjera.
Po kështu, sipas tij, të tjerë shqiptarë kanë lënë emrin e tyre në fusha të ndryshme të shkencave në shtete të ndryshme të botës. Më tej historiani ndalet në zhvillimet pas Luftës së Dytë Botërore, duke shprehur bindjen se ajo që ndodhi me Shqipërinë, me lënien e saj në Bllokun e Lindjes ishte një llogari e bërë nga aleatët që fituan luftën. Në fund edhe disa këshilla se si duhet të veprojnë shqiptarët për t’u ngjitur pranë shumicës, aty ku ata tentojnë.
Ja ç’thotë ai për shqiptarët në kohën e Mesjetës:
Në Mesjetë shqiptarët i kanë dhënë udhëheqës botës, udhëheqës laikë ose fetarë dhe personalitete kulturore që i kalojnë kufijtë e Evropës. Disa Papë kanë qenë shqiptarë, për shembull, – Klementi XI më i dalluari prej tyre. Por shqiptarët kanë qenë në krye të feve me rëndësi botërore, si në krye të fesë ortodokse, ashtu edhe të asaj myslimane.
Në histori gjejmë udhëheqës të shquar shqiptarë në shumë vende të Evropës, madje edhe prej atyre që ngandonjëherë kanë përcaktuar fatin e shumë betejave historike (në vitin 1515 qe Merkur Bua me kalorësinë e lehtë të Venedikut, e përbërë e gjithë nga shqiptarë që përcaktoi fitoren e betejës së Marinjanit, që historia e emëroi beteja e gjigandëve dhe jo Françesku i I-rë i Francës, 19 vjeç, që ato dy ditë beteje mësoi se si luftohet).
Shqiptarët i kanë dhënë shumë kryeministra dhe gjeneralë të shquar Perandorisë Otomane (vetëm familja Qyprili i dha 5 kryeministra Perandorisë). Shqiptarët i kanë dhënë shumë heronj të pavarësisë greke, prej të cilëve po përmend Kundurjotis, Marco Boçari, Kanaris, Kolokotroni, Karaiskaqis, Bubulina. Që ishin në udhëheqje të revolucionit grek, prej të cilëve edhe disa kryeministra të shtetit të ri të pavarur grek.
Rumania gjithashtu ka pasur një familje princore me origjinë shqiptare (Aleksandër dhe Vladimir Gjika si dhe princesha Eleonora e njohur me emrin Dora Distria). Françesko Crispi, shok i Garibaldit, Kavurit e Macinit që ka qenë një kryeministër i madh Italisë, ishte me origjinë shqiptare.
Piktorë si Carpaçi, Albani etj., humanisti Leonic Tome, profesori i Kopernikut dhe shumë personalitete shqiptare, janë nderuar nga historia e Italisë. Muhamet Aliu, reformatori i Egjiptit Modern, që historia franceze e ka quajtur “Napoleon i Lindjes së Afërt” qe shqiptari që themeloi dinastinë mbretërore të Egjiptit që mbretëroi gati 150 vjet.
Arkitekti i “Taxhmahallit” në Agra të Indisë, kryevepra e arkitekturës islamike, ishte vepër e një shqiptari ashtu sikurse edhe “Xhamia Blu” e shumë xhami të rëndësishme të Stambollit. Dhe më në fund Heroi Kombëtar i shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, një shembull gati universal i luftëtarit të lirisë, i nderuar në botën mbarë me përmendore jo vetëm në Tiranë, Prishtinë e Shkup, po gjithashtu në Romë, Bruksel, Gjenevë, Detroit, Buenos Aires.
Të tjera përmendore për Skënderbeun janë projektuar të ngrihen në Londër, Varshavë, Melburn, Manila etj. Kur shqiptarët kanë kontribuar kaq shumë për qytetërimin e njerëzimit, përse pak njerëz në botë janë të ndërgjegjshëm për këtë, përkundrazi shumë as nuk kanë dashur ta pranojnë këtë realitet?
Duhet thënë se një gjë e tillë shpjegohet edhe nga izolimi relativ jo pa qëllim i shqiptarëve nga komuniteti ndërkombëtar, dhe në mënyrë të veçantë nga ai evropian, që nga Kongresi i Berlinit e këtej (1878). Në të vërtetë pas mundjes së turqve në luftën ruso-turke, shtypi ndërkombëtar filloi punën për të injoruar shqiptarët duke i ndërruar emrin gadishullit të dikurshëm të Ilirisë të banuar që nga kohët parahistorike dhe deri në ditët e sotme nga ilirianët – shqiptarët.

Atë e pagëzuan me emrin e ri që ka edhe sot, Gadishulli i Ballkanit, vetëm duke u nisur nga vargu i maleve Ballkan. Përse iu vërsulën shqiptarëve? Pjesa më e madhe e diplomacisë konservatore evropiane ka përdorur termin pexhoratif “turq” për t’i cilësuar si turq të gjitha komunitetet myslimane në Ballkan, edhe pse shumica prej tyre nuk janë aspak turq. Evropa ka mbështetur dhe ka zmadhuar tokat e Greqisë, të Serbisë dhe të Malit të Zi, në kurriz të shqiptarëve.
Asnjëra nga fuqitë e mëdha evropiane nuk e ka mbështetur çështjen shqiptare, kur shqiptarët krijuan Lidhjen e Prizrenit për të mbrojtur çështjen e tyre të drejtë kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit. Ata u lanë në baltë nga të gjithë…

https://www.voal.ch/shqiptaret-e-mesjetes-drejtonin-boten-nga-dr-aleksandre-lambert/

Pacienti është gjallë e mjeku Dr. Zbigniew Religa ka vdekur


work_02

Fotografia nga James Stanfield në vitin 1987, ku kirurgu kardiak i famshëm polak, Dr. Zbigniew Religa, pas operacionit të rëndë të transplantimit të zemrës që zgjati 23 orë, vazhdon të ndjekë nga afër gjendjen e pacientit në një monitor, përderisa asistenti i tij nga lodhja veç fle në dysheme, kishte bërë xhiron e botës.


Ajo ishte shpallur edhe fotografia e vitit në National Geographic, një moment që është përjetuar me të vërtetë si historik – pasi ai ishte i pari transplant i suksesshëm i zemrës i kryer në Poloni.



Lech Kaczyński and Zbigniew Religa in Halemba (November 22, 2006).

Që nga kryerja e këtij operacioni kanë kaluar 25 vjet dhe pacientit, i cili edhe atëherë nuk ishte i ri, i ishte thënë se i është “dhënë një jetë e re”.

E sot pas 25 vitesh Tadeusz Zytkiewicz thotë: “Ai më shpëtoi jetën kur mjekët tjerë thanë se asgjë nuk mund të bëhej. Isha 61 vjeç dhe mjekët mendonin se isha shumë i vjetër”.

Çka është më interesante, është fakti se mjeku legjendar, për dallim nga pacienti i tij nuk e ka pritur 25 vjetorin e operacionit.

Dr. Zbigniew Religa vdiq në mars të vitit 2009, pas një beteje dyvjeçare me kancerin në mushkëri, në moshën 71 vjeç.




1987. Heart surgeon Dr. Zbigniew Religa keeps watch on a monitor tracking the vital signs of a heart-transplant patient. One of Religa’s colleagues who helped him perform two transplants in an all-night session rests in the corner. In 1987 James Stanfield’s photo of Zbigniew Religa was proclaimed a photo of the year in National Geographic.
2013. Here is the second man from the first photo. Dr. Zbigniew Religa has saved his life 25 years ago.
Dr. Zbigniew Religa died in 2009.
http://memolition.com/2013/05/24/dr-zbigniew-religa-after-a-heart-transplantation-2-pictures/

Biznismenet kosovar blejnë mallra në Republikën e Serbisë , e shesin në Indi

Agjencia e Statistikave e Kosovës publikoi të dhënat për eksport dhe import për muajin dhjetor 2015. Nga të dhënat e tregtisë së jashtme të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), Kosova vazhdon të jetë në deficit tregtar.

Muaji dhjetor 2015 është karakterizuar me një deficit prej 230 milionë euro krahasuar me vlerën prej 198.5 milionë euro që ishte në periudhën e njëjtë të vitit 2014.

Kosova blen në Serbi, shet në Indi

Eksporti mbulon importin me 9.3 për qind. Vetëm në muajin dhjetor 2015, Kosova arriti të eksportojë 23.5 milionë euro, ndërsa importi ishte 253.6 milionë euro.

Duke e krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014, eksportet kanë pasur rënie prej 10.8 për qind, ndërsa importi është rritur për 12.7 për qind.

Sipas të dhënave, metalet bazë dhe artikujt e tyre përbëjnë pjesën më të madhe për eksport me 45.5 për qind, të pasuara nga produktet minerale me 13.8 për qind, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 9.4 për qind, plastika, goma dhe artikuj e tyre me 6.3 për qind, tekstili me 5.5 për qind, produktet bimore me 5.2 për qind, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import, makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike përbëjnë 16 për qind të saj, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 15.1 për qind, produktet minerale me 10.8 për qind, metalet bazë dhe artikujt e tyre me 9.9 për qind, mjetet e transportit me 7.8 për qind, ndërsa produktet e industrisë kimike, bimore, plastika, goma dhe artikuj e tyre vazhdojnë të janë të importohen më pakë.

Lidhur me eksportin dhe importin e Kosovës, partnerë kryesorë tregtarë për këtë periudhë janë vendet e CEFTA-së, me 35.4 për qind për eksport dhe import 24.6 për qind, ndërsa vendet e BE-së marrin pjesë me 20 për qind për eksport dhe 43.0 për qind për import.

India për muajin dhjetor 2015 është vendi në të cilin Kosova ka shitur më së shumti me 16.4 për qind e ndjekur nga Shqipëria me 13.3 për qind, Serbia 10.7 për qind, Maqedonia 9.1 për qind, Gjermania 4.4 për qind dhe Zvicra së bashku me Turqinë me 4.3 për qind.

Ndërsa importi vazhdon të mbetet ende i lartë nga Serbia me 12.7 për qind, pasuar nga Turqia 12 për qind, Gjermania 11.9 për qind, Kina 9.4 për qind, Italia 9.2 për qind dhe Maqedonia me 5.0 për qind.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...