2016-02-06

A ka ky vend njeri të arsyeshëm?

Çaushi: S’e pranojmë ftesën e Jahjagës - zëdhënëses së Qeverisë
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi, në një lidhje me telefon në Info Magazine, ka thënë se nuk do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, për dialog për dalje nga kriza politike.

“Ne kemi marrë një ftesë, por besoj që ju e keni dëgjuar në vazhdimësi qëndrimin tonë në lidhje me rolin që presidentja Jahjaga ka luajtur në muajt e fundit të krizës. Ajo ka luajtur rolin e zëdhënëses së Qeverisë, ka sulmuar në vazhdimësi opozitën, ndërsa nuk ka kryer detyrat që i takojnë; nuk ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk ka reaguar ndaj peticionit të mbi 200 mijë qytetarëve të Kosovës. Ndaj nuk ka asnjë kuptim që ne të marrim pjesë në këtë takim”, ka thënë ai. “Nuk e di çfarë kuptimi mund të ketë debati me një qeveri që ka shkelur Kushtetutën, me një Qeveri antikushtetutuese. Po flas në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, por ky është edhe qëndrimi i opozitës. Ne do të protestojmë deri në rrëzimin e kësaj qeverie”.



Pushteti mësyn presidencën, opozita kërkon zgjedhje
Pavarësisht kërkesës që opozita në Kosovë i ka bërë presidentes së vendit, Atifete Jahjaga, që ta shpërndajë Kuvendin, dhe në këtë mënyrë të shkohet në zgjedhje të parakohshme, liderët e dy partive të koalicionit qeveritar, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, kanë hedhur poshtë një mundësi të tillë.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri, Hashim Thaçi, në mënyrë kategorike kanë mohuar mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, si mënyrë e zgjidhjes së krizës politike në vend.
Këto deklarata kryeministri Mustafa dhe zëvendëskryeministri Thaçi i kanë bërë të premten, në takimin me sindikalistët e vendit.
Ata kanë theksuar se zgjedhjet në Kosovë do të mbahen në vitit 2018, ndërkohë që së shpejti pritet të zgjidhet edhe presidenti i ri i vendit.
Kryeministri Mustafa ka theksuar se së shpejti pritet të mblidhet Kuvendi i Kosovës, për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit, ashtu sikurse edhe parashihet me marrëveshjen e koalicionit qeverisës.
“Ne jemi zotuar se do të përmbushim zotimet tona që i kemi dhënë me marrëveshjen e koalicionit”, ka theksuar kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Ai ka shtuar se zgjidhja e problemeve të krijuara me kundërshtimet që vijnë nga opozita ndaj marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe demarkacionit me Malin e Zi, duhet të bëhet në tavolinën e bisedimeve.
“Është e domosdoshme që problemet që ne i kemi t’i zgjidhim me dialog të përbashkët... jo në rrugë, jo me gaz lotsjellës, jo me molotov, jo me sjellje vandale dhe me thyerje të pronave të qytetarëve dhe pronës publike, sepse ajo nuk është në interesin e këtij vendi”, ka thënë Mustafa.
Ndërsa zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se kërkesa e opozitës për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës nuk paraqet befasi.
“Ka synime edhe për shpërbërjen e shtetit, e lëre më të Kuvendit. Prandaj, as nuk do të shpërbëhet Kuvendi e as shteti. Të gjithë do të vihemi në mbrojtje të Republikës, me një dialog të mirëfilltë, sepse kemi investuar dhe sakrifikuar të gjithë”, ka thënë Thaçi.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, të enjten i ka bërë thirrje publike presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, që t’i ftojë në një takim të përbashkët liderët e partive politike, të pushtetit dhe të opozitës, për të gjetur një zgjidhje, në mënyrë që vendi të dalë nga kriza.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e opozitës vlerësojnë se një takim i tillë është i panevojshëm.
Frashër Krasniqi, zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje, partisë më të madhe opozitare në vend, ka thënë për radion Evropa e Lirë se deri më tash nuk ka pasur ndonjë ftesë nga presidentja Jahjaga, përveç deklaratave publike.
Por, sipas tij, edhe nëse do të ketë një ftesë të tillë, Lëvizja Vetëvendosje do ta refuzojë.
“Kot është edhe po të na ftonte presidentja, sepse nuk po mendojmë se ka diçka produktive në këto takime, në këto diskutime, përderisa qeveria, që e ka shkelur kushtetutën dhe e ka humbur legjitimitetin popullor, po vazhdon të insistojë në zbatimin e marrëveshjeve dhe mos tërheqje nga qeveria. Atëherë, normalisht që nuk kemi se çfarë të diskutojmë”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka shtuar se rrjedha e ngjarjeve, deri te një ulje në tavolinë për të diskutuar, duhet të jetë që fillimisht qeveria të japë dorëheqje. Kjo, sipas tij, do të krijonte situatë të re në Kosovë, e cila do të hapte rrugë edhe për një diskutim për përcaktimin e datës së zgjedhjeve.
Liderët e opozitës kanë paralajmëruar protestë për datën 17 shkurt, në ditën kur shënohet 8 vjetori i shpalljes së pavarësisë së vendit.
Në anën tjetër, zyrtarët e qeverisë kanë theksuar se nuk do të tërhiqen para, siç i kanë cilësuar, “shantazheve” të kujtdo.

Zhbogar u kërkon liderëve që ti përgjigjen pozitivisht ftesës së Jahjagës
Shefi i zyrës së BE-së, Samuel Zhbogar, e ka lëvduar Presidenten Atifete Jahjaga për iniciativën e saj që ti takojë liderët e partive politike në vend.
Ai ka kërkuar nga këta të fundit që ti përgjigjen ftesës së Presidentes për takim.
“Është në interesin e Kosovës dhe Popullit të saj që liderët të tregojnë përgjegjësi dhe ti përgjigjen pozitivisht ftesës”, ka shkruar Zhbogar në twitter.

Edhe Delawie mbështet ftesën e Jahjagës për takim të liderëve politikë
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, e ka mbështetur iniciativën e presidentes Atifete Jahjaga.
“Mbështes iniciativën e presidentes së Kosovës për të ftuar në takim të hënën. Liderët e Kosovës duhet të gjejnë gjuhë të përbashkët’, ka shkruar ambasadori në Twitter.
Support @PresidentKosovo initiative to invite political leaders to meet Monday;  leaders must find common ground.



Haradinaj mund t’i thotë ‘Po’ ftesës së presidentes, aty është edhe Delawie
Ftesa për takim të përbashkët me subjektet politike parlamentare, e Presidentes Atifete Jahjaga, po shqyrtohet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën i kanë dhënë përgjigje negative.
Muharrem Nitaj, zëdhënës i AAK-së ka konfirmuar se subjekti që ai përfaqëson po e shqyrton ftesën dhe do të japë një përgjigje të shtunën (nesër).
Por, Top channel mëson nga burime brenda AAK-së se kreu Ramush Haradinaj po shqyrton edhe mundësinë e përgjigjes pozitive ndaj kësaj ftese.
Top Channel ka mësuar gjithashtu nga burime brenda Presidencës se, në tryezën e ftuar nga Jahjaga do të jenë të pranishëm, në cilësinë e vëzhguesve, edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delaëie, dhe shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar.


Ftesën e Presidentes Atifete Jahjaga, dërguar partive politike në Kosovë, pozitës dhe opozitës, që të ulen e të negociojnë për ta zgjidhur krizën politike në vend opozita thotë se do ta refuzojë.
Frashër Krasniqi, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë për Klan Kosovën se thirrjes së Presidentes për të dialoguar e për t’i dhënë zgjidhje situatës së tensionuar politike në vend, nuk do t’i përgjigjet as Vetëvendosja e as partitë e tjera opozitare.

Sherifi: Te presidentja vetëm për datën e zgjedhjeve
Presidentja, Atifete Jahjaga ka ftuar për të hënën në një takim të radhës liderët e partive politike, për të gjetur një zgjidhje për të dalë nga kriza politike.
Por, një ftesë të tillë Nisma për Kosovën nuk do ta marrë parasysh. Të paktën kështu ka thënë sekretari organizativ i Nismës, Bilall Sherifi.
“Sa i përket takimit të së hënës Nisma nuk do të merr pjesë në takime sa për t’u takuar. Nëse presidentja thërret takim me rend të ditës organizimi i zgjedhjeve të parakohshme atëherë shkojmë, për takime tjera mendojmë se nuk ndihmojnë në zgjidhjen e krizës”, ka thënë Sherifi.
Ai më pas ka theksuar se opozita e bashkuar deri më tani në vazhdimësi i është përgjigjur ftesave të presidentes në funksion të tejkalimit dhe zgjidhjes së krizës politike, kurse presidentja asnjëherë nuk i është përgjigjur kërkesave të opozitës.
“Ne ia dërguam asaj peticionin e mbi 205 000 nënshkrimeve të qytetarëve dhe nuk morëm asnjë përgjigje nga ajo. Ia dërguam një letër, e cila është bërë publike për opinionin, përmes së cilës kërkuam nga ajo që të bëj veprimet e nevojshme për të shpallur zgjedhjet e parakohshme. Përkundër kësaj ajo nuk e pa të arsyeshme që së paku të shkruaj dy fjalë për t’i thënë opozitës se pajtohet apo nuk pajtohet me këto kërkesa”, ka theksuar Sherifi, duke shtuar më pas se deri më tani, presidentja në vazhdimësi ka injoruar kërkesat e opozitës.
Ky qytetar që kërkon marrëveshje politike, pyet: A ka ky vend njeri të arsyeshëm? (Video)
Përderisa pozitë e opozitë nuk po arrijnë të gjejnë një zgjidhje për daljen nga kriza politike, një qytetar ka vendosur që i vetëm t’u bëjë thirrje dy palëve për dialog dhe të gjejnë një zgjidhje.
Haxhi Morina nga Prizreni, për herën e dytë me një pankartë po rri para Qeverisë, duke bërë thirrje që të anulohet protesta e 17 shkurtit, e paralajmëruar nga opozita si shenjë kundërshtimi ndaj Qeverisë.
“Qëllimi im është me dal kundër dhunës se zgjidhje ka”, ka thënë ai, duke mbajtur pankartën ku ndër të tjera shkruan: “A ka ky vend ndonjë njeri të arsyeshëm, apo jo”?


Kurti: Nuk e urrej Isa Mustafën Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje,Albin Kurti: Nëse vazhdojmë rrugën e Mustafës e Thaçit, lufta në Ballkan është afër

Kurti: Nuk e urrej Isa Mustafën


Në emisionin “Debat” në RTK, Albin Kurti, deputet i Vetëvendosjes, tha se nëse Kosova vazhdon rrugëtimin e saj, me hapat e kryeministrit Isa Mustafa e zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi, gjasat janë që brenda 4 apo 5 vjetësh në Ballkan të ketë luftë.
“Nëse vazhdojmë në këtë rrugë, të Thaçit e Mustafës, Vuçiqit Dodikut, brenda 4-5 vjetësh gjasat janë më shumë që të ketë luftë se sa mos te ketë në Ballkan”, tha Kurti.
Ai tha se kjo Qeveri duhet të shkojë përpara se ta ringjallë Asociacionin e komunave serbe në Kosovë.
Ndërsa, sa i përket zgjedhjes së Thaçit president, Kurti tha se kjo nuk po bëhet për shkak të opozitës, dhe jo se nuk i ka deputetët e LDK-së, pasi opozita do të hidhte gaz në atë seancë.
“Ka ardhur koha që të mos ketë seanca të Kuvendit. Thaçi i ka deputetët e LDK-së, ai nuk po zgjedhet për shkak të opozitës”, tha ai.
E për këtë Kurti tha se opozita ka gaz lotsjellës mjaftueshëm.
Tutje, ish-kryetari i Vetëvendosjes tha se Vetëvendosje nuk po proteston kundër Qeverisë, por po proteston kundër Qeverisë që e solli “Zajednicën”.
Sipas tij, Isa Mustafa është tot alisht i parashikueshëm nga kundërshtari dhe për këtë arsye ai nuk duhet të dërgohet në bisedime.
Në pyetjen rreth qëndrimit të VV-së në raport me ndërkombëtarët, Kurti tha se aleanca me SHBA-të është e thellë dhe ajo duhet të zgjerohet.
“Aleanca me SHBA-të është e thellë. Kjo aleancë duhet të thellohet dhe zgjerohet. SHBA-të na ndihmojë ta formojmë veten. Nuk kemi nevojë për aleatë të rinj, por për aleanca të reja”, tha ai.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se vendimi i Kushtetuese tregoi se Isa Mustafa nuk e kishte ditur se çfarë ka nënshkruar në Bruksel.
“Ne si opozitë nuk mund ta ndalemi. Ja kemi dhënë një goditje të fuqishme Serbisë. Aleksandër Vuçiq dështimin më të madh e ka krijimin e ‘Zajednicës’ në Kosovë e tash ka zgjedhje në Serbi. Neve na bënë shumë të lumtur kjo”, ka deklaruar ai gjatë emisionit “Debat” në RTK.
Kurti thotë se protestat e opozitës nuk kanë të bëjnë gjë me dëshirën për pushtet.
“Ata e kanë lidh fatin me ‘Zajednicën’. Gazi nuk është hedh pse është formuar Qeveria, po pse kjo e solli ‘Zajednicën’”, ka thënë Kurti, duke shtuar se nuk e urren Mustafën. “Sinqerisht ju them, nuk e urrej. Por, le të largohen se e kanë shkel Kushtetutën. Gazi lotsjellës ik për 30 minuta, e ‘Zajednica’ as për 30 vjet. Na jemi paqësorë, pushtetin nuk e duam me dhunë”.

Do të përgjigjen ushtruesit dhe urdhëruesit e torturimit të Grupit të Kumanovës

Do të përgjigjen ushtruesit dhe urdhëruesit e torturimit të Grupit të Kumanovës
Prof.dr. Mitasin Beqiri, profesor universitar i kriminologjisë dhe penologjisë dhe ish-drejtor i përgjithshëm i Burgjeve në Maqedoni në një deklaratë për INA thotë se duhet të përgjigjen para drejtësisë të gjithë ata që kanë ushtruar dhunë, torturë dhe kanë shkelur procedurat me të paraburgosurit e Grupit të Kumanovës.
“Mund të them se nuk janë respektuar ligjet dhe ka shkelje të mëdha ligjore dhe të procedurave. Personat e privuar janë rrahur prej Kumanove deri në Shkup dhe kjo shihet në pamjet e MPB-së. Kjo ka ndodhur edhe kur kanë shkuar në pyetje tek gjykatësi i procedurës paraprake. Nga vendi i arrestimit deri tek gjykatësi personat e privuar mbahen në stacion policor deri në 72 orë. Kjo është faza më e errët e mbajtjes së personave të privuar në stacionet policore. Këtu rrihen, maltretohen, nënçmohen dhe pësojnë të zezat e ullirit. Më pas pason dërgimi tek gjykatësi hetues, i cili ka për detyrë që në ate gjendje të rrahur dhe maltretuar, të cakton masën e shërimit të detyrueshëm në spital e jo masën e paraburgimit, siç ka ndodhur me këtë grup”, theksoi për INA prof.dr. Mitasin Beqiri.
Sipas tij, të gjithë shkelësit dhe autorët e këtyre veprimeve brutale antiligjore lehtë mund të zbulohen, nëse vepron si duhet ligji dhe se ata mund të ndëshkohen me burg.
“Por, me këtë duhet të nxjerrim në pah se organet policore vihen në pozitë mbi prokurorinë dhe gjykatën, ndërsa në fakt duhet të jenë në shërbim të këtyre institucioneve”, theksoi Beqiri. Ai ka apeluar që për këto shkelje nuk duhet të heshtin as institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe institucione të tjera.
“Kjo mund të identifikohet shumë lehtë nga organet e rendit, duke u ditur fillimisht se kush ka qenë në operacion. Edhe gjykatësit që kanë marrë në pyetje në këtë gjendje dhe të marrin masa. Andaj apeloj që kjo të zbardhet dhe pikërisht hetimi i gjërë që po kërkohet sidomos nga faktori ndërkombëtar duhet të përfshijë edhe këtë pjesë më të errët, e cila është aplikuar dhe po aplikohet ashpër në Maqedoni, edhe përkundër pretendimeve për anëtarësim në NATO dhe BE”, theksoi, Mitasim Beqiri, që njëherit është edhe anëtarë i kryesisë së PDSH.
Sipas tij, Ministri i Drejtësisë nga ajo çka po flasim duhet të ndërmarrë iniciativë nëpërmjet Këshillit Gjyqësor Republikan të shkarkojë gjykatësit e procedurës paraprake, që u kanë caktu paraburgim personave të rrahur dhe maltretuar. Ndërkohë, duhet shkarkuar drejtoreshën e ekzekutimit të sanksioneve dhe drejtorin e burgut të Shuktës, se pse i kanë pranuar personat në këtë gjendje shëndetësore.
Avokati i Popullit duhet të jetë më zëshëm dhe mos të mbrojë gjykatësit e procedurës paraprake, se janë rrahur ata prej gjyqi deri në burg. Ndoshta janë rrahur edhe në këtë rast, por ata janë rrahur edhe nga Kumanova për në stacionin policor, edhe kur janë dërguar tek gjykatësi, por edhe nga gjykata deri në burgun e Shutkës. Për këtë ai duhet të përgadis raport për në Parlament dhe jo këtë ta thotë vetëm përmes mediave.
“Këto dhe shumë dilema tjera janë shqetësuese për gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve në Maqedoni. Nuk duhet të heshtim, por këto çështje duhet të alarmohen”, tha Beqiri.

Pjesëtari i AKSH-së i kapur me 12 kilogram eksploziv lirohet në shtëpi

Pjesëtari i AKSH-së i kapur me 12 kilogram eksploziv lirohet në shtëpi (Video)
Sheremet Jashari, Avdullah Rama dhe Naser Veseli, kanë qenë nën përgjim dhe vëzhgim të drejtorisë kundër krimit të organizuar të Policisë së Kosovës. Ata janë kapur me një sasi të madhe eksplozivi TNT që llogaritet si eksplozivi më i rrezikshëm. Prokuroria për ta ka propozuar vetëm arrest shtëpie.
Një grup prej tre personash, përfshirë një pjesëtar të të ashtuquajturës Armata Kombëtare Shqiptare janë zënë më 12 kilogramë e gjysmë eksploziv të llojit TNT dhe dy pushkë mitraloz të kalibrit të madh të hënën në Fushë-Kosovë.
Por një ditë më vonë, ata janë liruar nën masën e arrestit shtëpiak. Të mjaftueshme këtë masë e ka vlerësuar Prokuroria Themelore e Mitrovicës.
Sheremet Jashari (1955) nga Klina e Mesme e Skenderajt, Avdullah Rama (1968) nga Sankoci dhe Naser Veseli nga fshati Braboniq i Mitrovicës kanë qenë rreth dy muaj muaj nën përgjim dhe vëzhgim të drejtorisë kundër krimit të organizuar të Policisë së Kosovës.
Të dyshuarit – me të kaluar kriminale dhe me lidhje me organizatën e shpallur terroriste – AKSH, janë kapur me këtë sasi kaq të madhe eksplozivi dhe me armë të pajisura edhe me dylbi.
Pavarësisht kësaj, prokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Njazi Rexha ka propozuar vetëm masë të arrestit shtëpiak si masë të mjaftueshme, ani se në kërkesën për paraburgim i si grup të organizuar kriminal.
Mbi këtë kërkesë ka vendosur gjyqtari i procedurës paraprake, Ali Kutllovci duke aprovuar propozimin.
Të arrestuarit kanë të kaluar kriminale. Sheremet Jashari e ka pranuar publikisht se ka qenë pjesëtar i AKSH-së, organizatë kjo e shpallur terroriste me një vendim të UNMIK-ut. Ka më shumë se 11 raste të veprave penale.
Sheremet Jashari dhe Avdullah Rama ishin ndaluar kohë më parë nga Policia e Kosovës së bashku me anëtarin e Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muhamet Kelmendin. Ata, ndodheshin në një kombibus duke shkuar në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të Isa Boletinit. Dyshoheshin për përgatitje të një sulmi terrorist. Kelmendi më vonë ishte liruar.
Insajder ka siguruar dosjen hetimore kundër të pandehurve që ishin përgjuar. Ditën që ishin arrestuar në Fushë-Kosovë, kishin planifikuar të shkonin në fshatin Shankoc të Drenasit për të marrë sasinë e eksplozivit.
“Gjatë përgjimit është kuptuar se Sheremet Jashari furnizohet me armë nga persona të ndryshëm. Ai bashkëpunon me Naser Veselin dhe Avdullah Ramën si dhe një person të katërt të cilët kanë planifikuar dërgesën e armëve dhe eksplozivit 30 janarit 2016”, thuhet në kërkesën e prokurorit për arrest shtëpie.
Gjatë bisedës telefonike në mes të Naser Veselit dhe Sheremet Jasharit në lidhje me armët përmendet edhe një person me emrin Genc. Ata merren vesh për paratë dhe pagesat që duhet tu bënin ndërmjetësve.
Më 30 janar Naser Veseli niset nga Mitrovica për në Skenderaj me një kombibus. Aty takon Sheremet Jasharin dhe fillojnë rrugën në drejtim të Drenasit ku e marrin Avdullah Ramën për të vazhduar në drejtim të Komaranit. Nga aty nisen në drejtim të një rruge që shpinte në fshatin Shankoc dhe hyjnë në një rrugicë malore. Aty marrin ngarkesën e eksplozivit dhe armëve dhe më pas nisen në drejtim të Komaranit. Gjatë tërë kohës ata kanë qenë nën vëzhgim të hetuesve. Diku rreth 14. 40 minuta, kombibusi që drejtohej nga Naser Veseli merr drejtimin e autostradës për Fushë-Kosovë. Në ora 15 ndalet nga njësia patrulluese e stacionit të Fushë-Kosovës. Fillimisht vetura është kontrolluar nga patrulla policore dhe pas kontrollit është gjetur në tapicerinë e derës një sasi e madhe eksplozivi TNT dhe dy pushkë mitraloz. Kontrolli është bërë në prani të Naser Veselit dhe Sheremet Jasharit. Aty janë gjetur 62 pako eksploziv që peshojnë 12 kilogram e 400 gram TNT dhe dy pushkë mitraloz.
Në shtëpinë e Sheremet Jasharit, Policia ka gjetur një kartelë ushtarake të AKSH-së në emër të Rexhep Luanit.
“Kemi të bëjmë me një grup kriminal të organizuar mirë për shitjen, furnizimin, transportimin e armëve i cili është zënë vetëm në saje të përgjimeve sipas Urdhëresës së Gjykatës… Kemi të bëjmë me armë me fuqi shkatërruese – eksplozive në peshë 12 kg e 400 gramë, me pushkë mitraloz”, ka thënë prokurori në kërkesën për arrest shtëpiak. Ka përmendur veprimet kriminale të Sheremet Jasharit.
“Nga baza e të dhënave të policisë rezulton se i pandehuri Sheremet Jashari është i evidentuar në cilësinë e të dyshuarit gjithsejtë në njëmbëdhjetë raste përfshirë edhe veprat penale posedim ilegal i armëve”.
Megjithëkëtë rrezikshmëri, prokurori ka propozuar vetëm arrest shtëpiak.
Hetuesit që kanë punuar këtë rast kanë mbetur të habitur me veprimet e Prokurorisë që ka propozuar masë të arrestit shtëpiak. Ata kanë thënë në kushte anonimiteti se me këtë Prokuroria ka rrezikuar një punë shumë të gjatë për kapjen e këtyre personave që konsiderohen shumë të rrezikshëm.
Por, prokurori i rastit Njazi Rexha ka mohuar se ka pasur ndonjë ndërhyrje për të propozuar këtë masë. Ai ka thënë për gazetën Insajderi se dikush po mundohet ta degradojë dhe sulmojë atë.
“Kallëzimi penal prej 4 faqesh më ka ardhur vetëm 30 minuta para përfundimit të afatit ligjor. E kam marrë edhe kam hyrë në seancë. Unë e kam vlerësuar se kjo masë është e mjaftueshme”, ka thënë prokurori Rexha.
“Policia punon sipas urdhrave të mia dhe nuk mund të më tregojë se si të bëjë punën”, ka thënë prerazi ai.
Dy prej të arrestuarve kanë mohuar se kanë kryer veprën penale, derisa Sheremet Jashari e ka pranuar atë.
“Krejt ajo që shtjelloi prokurori është e vërtetë dhe nuk kam çka të shtoj”, ka thënë Sheremet Jashari.
Naser Veseli ka thënë se punon me kombibus dhe se dy të tjerët i ka marrë si udhëtar. Ka thënë se nuk e ka ditur eksplozivi dhe armët janë vendosur në automjet.

PA RROTLLA SHEREMET JASHARI

https://www.youtube.com/watch?v=7RX63_jPl3E


UÇK-ja merr përsipër sulmet “ndaj tradhtarëve të popullit”


UÇK-ja merr përsipër sulmet “ndaj tradhtarëve të popullit”Një letër me vulë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, që u është shpërndarë medieve, thuhet se kjo organizatë merr përsipër granatimin e banesës së Sasha Mihajlkovit, që ndodhi para disa muajsh.
Në letrën që mban nënshkrimin e “Komandant Telit”, shkruan se UÇK-ja sulmoi edhe selinë e BDI-së në Reçicë, e këtë parti e quan çerdhe të tradhtisë së UÇK-së.
Në letër kërcënohet se UÇK-ja tash e tutje do të jetë më e ashpër në aksione “kundër tradhtarëve dhe armiqve tjerë të popullit”.
Letrën e plotë mund ta lexoni më poshtë:


Roli negativ i telenovelave në jetën e Shqiptarëve

Roli negativ i telenovelave në jetën e Shqiptarëve
Popullit Shqiptar pavarësisht problemeve të tyre, problemve kryesisht ekonomike, shoqërore apo edhe shumë probleme të tjera, i del fare mirë koha, për të harxhuar kohën e vyer për gjëra jo të rëndësishme, si shikimi i telenovelave.

Por sa të dhënë janë Shqiptarët pas tyre?

Vitet e fundit në Shqipëri ka pasur shumë ndikime të huaja që vinë nëpërmjet telenovelave.
E fillojmë me telenovelat meksikane, të ndjekura nga ato turke dhe indiane. Telenovelat si Ezeli, Lugina e ujqërve Kurthi apo edhe Bidaai , mbërthejne para ekranit shumë Shqiptarë. Këtë e vërtetojnë edhe lokalet në cdo pjesë të Shqipërisë , ku burrat në vend të mendojnë për problemet, në vend të mendojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre, rrinë harxhojnë kohën duke parë telenovela, ku më e famshmja ndër to është bidaai. Por kur kto ndiqen nga shumë burra Shqiptarë, imagjino sa gra mund ti shohin? Gjithashtu shumë të rinj shqiptarë, të frymëzuar nga telenovelat, kanë filluar të bëjnë gjëra të padobishme si ndryshimi i emrave apo edhe shkrimi ne rrugë i titujve të telenovelave apo personazheve kryesorë.

Po sa gjëra të këqija sjellin për Shqiptarët kto "ndikime të huaja" ?

Rasti më i fundit, i cili është edhe për të ardhur keq është dhe vdekja e personazhit Sadna në filmin Bidaai. E theksoj "është për të ardhur keq" jo për faktin se vdiq një personazh filmi, po rëndësinë që i dhanë shumë Shqiptarë "vdekjes së saj". Shumë nga ata ndjenë me të vërtet keqardhje, shumë u pikëlluan , u mërzitën, apo edhe u trishtuan. Nga ana tjetër pati edhe nga ta njerëz që u tallën, kritikuan shoqërinë Shqiptare për reagimin ndaj vdekjes së saj, por gjithsesi u kushtua një kohë mjaft e mirë për ktë cështje. Por a është normale kjo gjë ? Kur në Shqipëri kanë ndodhur gjëra ekstreme. Një bombë në fshatin Beragozhd të Pogradecit, plagosi rreth 30 vetë , ku midis tyre një 14-vjecar i cili kishte marrë plagë të rënda, një ngjarje tjetër në Tiranë, ku nga shpërthimi i një zjarri vdiq një 4-vjecar. Gjithashtu edhe vdekja e historianit Kristo Frashërit, ishte një fatkeqësi, një humbje për popullin Shqiptar. Por një fatkeqësi tjetër ishte vëmendja e përqëndruar e shqiptarëve tek vdekja e Sadnës sesa tek e historianit tonë të vyer. Por sa e sa jetë Shqiptarësh po merren dita ditës dhe njerëzit e kanë mendjen akoma tek "budallallëqet".

A nuk duhet ti marrim seriozisht kto c'ështje, dhe të mundohemi ti parandalojmë në vend që të qajmë për vdekjen e Sadnës?

Një tjetër faktor negativ është dhe përdorimi nga shumë njerëz, kryesisht nga të rinjtë, i fjalëve të huazuara. Shumë nga ata po përdorin gjithmon e më tepër fjalë turke, meksikane apo edhe indiane. Por c'ndodh me gjuhën shqipe? A ja vlen të përdorim fjalë të huaja në vend të saj? Sigurisht që jo, sepse gjuha shqipe është një ndër gjuhët më të bukura dhe për të cilën shumë trima Shqiptarë kanë dhënë jetën e tyre për të. Dhe Shqiptarë sidomos të rinjtë duhet ta vlerësojnë në maksimun. Gjithashtu, sic e theksuam më lart, të rinjtë dëshirojnë ti ndrrojnë emrat, ku p.sh në vend të emrit të bukur shqiptar "Arbri " dëshirojnë ta kenë emrin Polat si personazhi i "Lugonës së ujqërve". Por a nuk janë veprime që duhen parandaluar, të cilat cënojnë identitetin Shqiptar? Por edhe një problem tjetër mbetet dhe "harxhimi i kohës" Shumë shqiptar problemin kryesor kanë papunësinë. Por c'po bëjnë ata për ta luftuar atë? A do ju siguroje "Bidaai" atyre një punë? Pra harxhimi i kohës duke parë filma nuk na jep zgjidhje për problemet, por thjesht sa na zhyt më shumë në to, duke na marrë kohë, në të cilën mund të kishim bërë gjëra të dobishme si për veten, familjen apo shoqërinë.

Por përvec ktyre problemeve që theksuam, ekzistojnë shumë e shumë të tjera që duhen luftuar seriozisht nga ana e shoqërisë shqiptare. Sepse njerëzit duhet të kenë në planin e tyre të parë të ardhmen e tyre, se sa të dobishëm do bëhen ata, se si mund ti ndihmojnë njerëzit, kombin, sepse cdokush ka lindur për një arsye, dhe ajo nuk mund të jetë shikimi i telenovelave, por një arsye fisnike, të cilën duhet të mundohemi ta gjejmë.

Renato Shkulaku
Maturant -Shkolla:"Qemal Bazelli"

2016-02-05

Cikël poetik nga Riza Çato




Humbet Shpresa



Humbet shpresa dita-ditës,
si pusi që s'ka më burim.
Në udhëtim mungesa e dritës,
një vetëtimë që s'bubullin.
Ditët ikin si flakë kashte.
fillon mëngjesi me konjak.
Ja nis Vlonjati këngës labçe
dhe isua zgjatet deri në dark.
Nga do lëviz kërkojnë pare,
në autobus,në rrugë,në shtrat.
E sotmja mbylli një dritare,
e nesërmja zgjohet si lugat.
Politikani kërkon votën,
nuk ka as turp,nuk ka as cip.
Hajduti i thotë: Lyema rrotën
që të rrëshqasin qeveritë!
Rrugës eci kot së koti,
s'di çfarë të bëj,s'di nga t'ia mbaj.
dhe nëse falje u jep Zoti,
këta s'janë njerëz, janë djaj.


Askujt...!


Kam rendur si kaçak nëpër male,
jam endur në qytet si i pirë.
Askujt nuk i thashë: Kam halle!
Askujt nuk i thashë: Mëshirë!
Kufijtë i kalova pa viza,
dëborën e shtrova jatak.
I lodhur me ferra dhe driza,
asnjëherë nuk u shtriva në baltë.
Kam kënduar në dasma,gosti,
kam lotuar në vdekje të rënda.
I vetëm kam çarë,pa njeri,
askujt nuk i thashë : U çmenda!
Kam rendur si kaçak nëpër male,
jam endur në qytet si i pirë.
mbi supe kam mbajtur shumë halle,
askujt si kërkova mëshirë.


Në një Tavernë


Në një tavernë në mes Tirane,
u ula të haja një drek.
Më vjen menuja me çitjane
dhe kamarieria si biftek.
S'di ç'të shikoj,s'di çfarë të ha?
Nga do hedh sytë një turbullirë.
E thashë me vete ky fat më ra,
po ja filloj me një gotë birrë.
Më dukesh gota si fund deti
dhe kamarieria lakuriq.
Fërkoi sytë,ta hajë dreqi
Se nuk është jeta bukë me fiq.
E mblodha veten me një gotë verë,
një peshk në zgarë e kallamar.
Si kur të vija këtu ngaherë,
vërtetë do dukesha si djalë.
I ktheja gotat pa potere,
i zhvishja pjatat si në plazh.
Kjo bukuroshia kamariere,
po më peshkonte si për dash.
Në botën time flinte vera
dhe unë me të në dashuri.
Harrova se nga ishte dera,
harrova se kisha shtëpi.
Në sytë e mi feksi shkëndija,
u perpelit e prapë u fik.
Tek kjo tavernë nisi rinia
tek kjo tavernë u zhurit.


Lotonte


Lotonte një grua,
lotët si një krua.
Lapsi i piktorit,
në dorë u shtrëngua.
I pikturoi lotin,
mbi mollëzat e kuqe,
tek gropat në faqe,
çeli një burbuqe.
Lotonte një grua,
lotët si përrua.
S’di për kë lotonte,
ndoshta dhe për mua.


Më shkon mëndja…….


Na mori malli të mbledhim lule në mal,
lule nga mali Çajupit, Golikut.
Mes pyllit të gdhihem duke u ngrohur në zjarr
dhe të dehem nga shija e ëmbël e fikut.
Për çfarë s’ më shkon mëndja nga ato anë.
Bije fjala,për ujin e ftohtë të Bratit,
për tingujt e ëmbël që sjell një gjinkallë
kënduar në vapë mbi degën e rrapit.
Për hingëllimën e kalit që kullot në brinjë
dhe qetësinë ja prish luginës të tërë.
Për gjithçka që ka të bëjë me të djeshmen, rininë
për arën tek selishta e mbjellë me tërshërë.
Për Bigën, Symyzën, Sjadunin, Sodolin,
more ,për çdo gur,gëmush e livadh,
Për syrin e bukur që çmendi piktorin,
qëndisur me lulet e varura mbi gardh.




Puthjet fal për dashuri



Jeta është veç një frymëmarrje,
tani merr,nesër nuk mund,
sot e gjen një shteg për dalje,
nesër pret të keqin fund.
Jeta është një buzëqeshje,
sot e merr,nesër mungon,
pjesë të jetës mban për veshje
dhe atë që s'dashuron.
Jeta është një psherëtimë,
regëtimë e thellë në shpirt,
sot shikon një vetëtimë,
nesër baltën do kesh mik.
Jeta është një tik-tak zemre,
po e ndjeve ndjehesh mirë,
puthe fjalën e çdo femre,
që të ndjesh një lamtumirë.
Jeta është hap e mbyll sytë,
ëndërr dite me sy hapur,
askush nuk jeton të dytë
dhe kush qiellin ka kapur.
Jeta është një gurgullimë,
si burimet në Këlcyrë,
kush s'e ka puthur njerinë,
poshtë në varre s'do ketë zyrë.
Jeta është një fllad pranvere,
që tund fletët e një rrapi,
vdekja që të rri pas dere,
s'të tregon kur do të kapi.
Jeta është varg poezie,
sot e ndjen edhe e shkruan,
nesër muza kthehet hije,
harron çfarë ke dashuruar.
Jeta është një dallgë Vjose,
një fund mali Trebeshine,
për të mirën shpirtin sose,
të keqen hidhe pas shpine.
Jeta është ajo që është,
lumë kush di që ta jetojë,
të mos ngelesh qen në vresht,
mos e ndot të mirën gojë.
Jeta është thesari i zemrës,
mrekulli mbi mrekulli,
planet kurrë mos ja prish ëndrrës,
puthjet fal për dashuri.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...