Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/03/01

Tanket që do rrethonin vilën e Enver Hoxhës, ja plani

Leonard Veizi

-Një Komitet Partie nuk mund të rrethohej nga tanket, për me tepër vetë godina qendrore e Partisë së Punës. Ky ishte një udhëzim i prerë. Përndryshe cilësimi si një akt “puçi ushtarak” kishte garancinë e plotë. Ndërsa njerëzit që merrnin pjesë në një akt të tillë, jo vetëm cilësoheshin “puçistë”, por merrnin dënime të ashpra deri në ekzekutim. Kjo ishte korniza dhe nëse tentoje të bëje diçka të tillë duhet t’i masje mirë forcat. Përndryshe...

..Petro Çeku, një ushtarak me përvojë dhe ish-komisari i brigadës së tankeve të Vorës, rrëfen se si në vitin 1968, menjëherë pasi trupat e traktatit të Varshavës pushtuan kryeqytetin  e Çekosllovakisë, Pragën, një brigadë tankesh në Shqipëri mori urdhrin të mbronte Komitetin Qendror dhe vetë bllokun e udhëheqjes në qendër të të cilës ishte dhe vila e Enver Hoxhës. Sipas kësaj dëshmie, Llambi Peçini, Abaz Fejzio dhe Hito Çako, ishin njerëzit që dhanë urdhrat se si duhet të vepronte njësia e specializuar e tankeve, në rast të një sulmi nga trupat e traktatit të Varshavës, menjëherë pas denoncimit zyrtar që ishte bërë nga Partia e Punës.

Si do të njiheshit me situatën e pushtimit të Pragës nga trupat e Traktatit të Varshavës? 

Nga mesi i ditës, më 22 qershor 1968, erdhi korrieri i repartit dhe pruri letrat e ushtareve, dërguar nga familjarët dhe gazetat e repartit. Unë mora gazetën “Luftëtari” e shpalos në faqen e parë dhe lexova komunikatën e KQ të PPSH ku thuhej: “Bashkimi Sovjetik kryesuese e Traktatit të Varshavës në agimin e ditës së sotme, ndërmori me trupa të blinduara një agresion të hapur ndaj popullit Çekosllovak, anëtare e Traktatit të Varshavës dhe ka pushtuar kryeqytetin, Pragën. Populli çekosllovak e ka pritur me urrejtje dhe indinjatë të thellë invazion. Partia dhe populli Shqiptar e dënojnë këtë agresion të hapur e të pa besë dhe shpallim publikisht se dalim nga Traktati i Varshavës”. Sigurisht ky ishte një lajm i hidhur. Me gazete në dorë, u drejtova atje ku ishte mbledhur efektivi. Lexova komunikatën e K.Q. dhe porosita të mos humbasim toruan, të intensifikonim stërvitjen e të ishim në gatishmëri për çdo detyrë që do të na dilte përpara për mbrojtjen e Atdheut. Ndërkohë më lajmëron oficeri i rojës se më kërkonte në telefon komandanti i brigadës Vangjo Sopi. Ee ndjeva se kjo telefonatë në atë çast, nuk mund të ishte diçka e mire. Me vrap mora të përpjetën për në truprojë, dhe në kufjen e telefonit, dëgjova zërin e komandantit i cili më urdhëroi me sinjalin e koduar të hap zarfin “Nr.1”. 

Çfarë urdhri fshihej në këtë zarf të koduar?

Në fakt unë e dija se ç’donte të thoshte ky sinjal. D.m.th njësia të kalonte në gatishmërinë Nr.1. Formalisht e hapa zarfin, bëra shënimet përkatëse e mblodha veten nga emocionet dhe porosita të jepnin sinjalin e alarmit me të rëna të shpeshta të çangës. Stërvitja u ndërpre dhe efektivi me shpejtësi e rregull të plotë mori pajimet dhe armatimin personal dhe zuri vendet në tank. Ndezën radion, hynë në ndërlidhje me ekuipazhin dhe pritnin detyra të reja. Ndërkohë u dhamë sinjalin të ndiznin motorët. Tanket njëri pas tjetrit dolën nga tuneli dhe u përqendruan një kilometër larg repartit. Në radio u dha sinjali që kolona do të lëvizte në itinerarin: Marikaj, Maminas; katër rrugët e Shijakut, Porti Detar dhe të përqendrohej buzë të detit tek “Currilat” në Durrës. Orientuam ekuipazhet e tankeve për rrugën e lëvizjes, shpejtësia 10-15 km/ore, distanca midis tankeve 10 m, komandimi me radio të brendshme. Në ecje e sipër porositëm këto gjëra: “Kini kujdes se shoferët e tankeve nuk kanë lëvizur asnjë metër në rrugë të asfaltuar, çdo gabim i pa menduar mire, mund të ketë ngjarje të pa parashikuara. Mos harroni se kini te bëni me jete njerëzish. Në tank keni 45predha/85mm, 1000 litra naftë, bateri, bombola me ajër me 14 atmosfere secila, 10.000 fishekë granata me ndezës e armatime të tjera. Përpara keni urën e Shijakut mbi Erzen që ka gjerësinë e tankut.  Të futeni në urë me preçizion, me marshin e parë e gazin minimal, pa lëvizur levat majtas e djathtas. Mbasi të kaloni urën shtoni shpejtësinë”. Desha të theksoj se gjatë lëvizjes në rrugën e asfaltuar e në rrugën e qytetit të Durrësit kishin dalë fëmije nxënës dhe të rritur që na përshëndetnin me dorë të entuziazmuar. Patëm dhe ne emocione dhe e ndjenim veten krenare si ushtarë të popullit, mbrojtjes të Atdheut. Edhe ne i përshëndetnim me dorë lart në shenjë respekti e dashurie ndaj tyre. Pasdite mbërritëm në Currila, , futem tanket në luginë duke i maskuar me mjete rrethanore të terrenit. 

Çfarë detyrash të tjera do të merrte njësia?

Në mbrëmje na lajmëruan në radio se pas pak minutave do te vinte tek ne drejtori i tankeve në Ministrisë e Mbrojtjes, Abaz Fejzo. Por sa mbërriti pyeti: Ku i kini tanket?  “Këtu”, i përgjigjëm. “Pyes ku janë tanket?” foli me tonin e zërit më të lartë.  Dhamë sinjalin dhe komandantët e tankeve dolën në kullë gjysmë figure. Atëherë ai na përgëzoi dhe na tërhoqi mënjane e dha urdhër:  “Në orën 20.30 minuta; dita e sotme do të lëvizni: Currila, Shkozet, do dilni në rrugën e Kavajës, kodrat e Arapaj, Ndroq dhe do përqendroheni te Selita e vogël në afërsi të liqenit të Tiranës”. Përvoja ishte goxha e madhe, por lëvizja natën, me drita të kufizuara nuk ishte e lehte ndaj porositëm që lëvizja të jetë në qendër të rrugës, me shpejtësi 5-10 km/ore, distanca midis tankeve 10 metra, drita të kufizuara, ndërsa ndërlidhja të jetë e pa ndërprerë. Një e pa papritur jo e këndshme na ndodhi në urën e Beshirit, ne hyrje të Tiranës. Parashikimi ynë ishte që tanket t’i kalonim në shtratin e vaut të lumit Erzen. Por bregu i daljes ishte i pakalueshëm. Atëherë vendosëm që të kalojmë në urë, por dhe ajo ishte më e ngushtë se gjerësia e tankut. Situatë e vështirë por detyra duhej që të realizohen në kohën e duhur. Bëmë diçka ndryshe nga ajo e zakonshme. Njërin zinxhir do ta kalonim në tabanin e urës, ndërsa tjetrin në parmakun e saj, Të guximshëm për atë që bëmë, por ja që tanket kaluan njëri pas tjetrit dhe në agimin e 23 qershorit 1968 vendosemi në kodrën me ullinj mbi Kopshtin Zoologjik në afërsi të liqenit të Tiranës. I futem tanket në pozicione, i maskuam, ngritëm çadrat, vendosem rojet dhe pjesa tjetër e ushtareve filloi stërvitjen ushtarake. Pas disa minutash mbërriti një Gaz-69. Në vendin përpara ishte një person i veshur civil. Ai na u prezantua: “Jam drejtori i sigurimit të udhëheqjes”.  Për mua ky njeri nuk ishte i pa njohur. Ai ishte Llambi Peçini. Ai më bëri shenjë me kokë dhe hipa në makinë, duke lëvizur në rrugën me gropa e pluhur e diell të nxehtë qershori, kaluam digën e liqenit dhe dolëm në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. U kthyem në rrugën që te shpinte të shtëpia e Enver Hoxhës, dhe ndaluam te cepi i murit fundor të Bllokut të Udhëheqjes. Pasi kaluam dhe një herë nga fundi në krye të kësaj rruge, Llambi Peçini (i cili u pushkatua në vitin 1983) na tregoi vendet se ku do te vendoseshin tanket tip-62, ndërsa porositi që te porta e hekurit të shtëpisë së Enverit të qëndronte një transportues i blinduar. Por ai nuk e cilësoi si do të ishte ky transportues, i lehte apo i rëndë. Kështu me radhe i piketuam ku do vendosej çdo tank; deri te K.Q. në dalje të bulevardit. Hipëm në makinë dhe kaluam bulevardin e madh, në rrugën e Barrikadave, u kthyem në rrugën e Dibrës dhe ndaluam disa metra larg Kinostudios. Zbritëm në një thellësi kanali, se aty kalonte një urë me dërrasa. Llambi pyeti nëse kalonte tanku në atë urë. Iu përgjigja me një “jo”. “Mirë, - me tha - se do ta bëjmë prej betoni”. Në fakt ajo urë nuk u bë kurrë. Deri këtu ishte udhëtimi ynë dhe u kthyem përsëri në repart. Mendova në ato çaste se Llambi nuk me tregoi të vërtetën dhe isha i bindur se tanket do vazhdonin udhëtimin, në rast nevoje, drejt Dajtit apo në rajonin e tij.

Debati me Hito Çakon

Duke folur për rrethimin nme tanke të Sekisë qendrore të Partisë së Punës, Petro Çeku  thotë: “Rrethimi i Komitetit Qendror mbeti një imagjinatë se realisht tanket nuk u vendosen aty, sipas projektit të përcaktuar më parë. Kjo detyrë që na ngarkuan për të gjithë ne ishte sa e vështirë por dhe me përgjegjësi që kërkonte maturi, durim, përvoje në punë, arsyetim dhe veprime kolektive. Menjëherë me komandantet e tankeve dhe shoferët organizuam rikonjicionin e terrenit duke përcaktuar vendin që do kishte çdo tank dhe vendin e transportuesit te blinduar. Do të shoqëronim transportuesin në itinerarin e lëvizjes e cila munde të kryhej ditën por edhe natën. Nga kjo detyrë kuptuam se ne ishim vënë në dispozicion të Gardës së Republikës. Në orën 20.00 mora fonogramin se duhej të ndodhesha në një nga zyrat e Gardës. Aty ishin disa oficerë që nuk i njihja, vetëm se takova komisarin e batalionit të takeve që kishte ardhur nga Elbasani në dispozicion të Ministrisë së Brendshme. Në këtë takim me oficerët erdhi Drejtori Drejtorisë politike në Ministrinë e Mbrojtjes Hito Çako (i cili u pushkatua në vitin 1975) Ai u ul në karrige dhe fjala e parë që tha ishte: “Shpëtuam sot”, të cilën e përsëriti edhe në ditët në vazhdim kur do të kishim takime me të. Kjo na bëri që ne të shikonim njëri-tjetrin në sy, por dhe Hiton njëkohësisht duke menduar se çfarë kishte ndodhur që ishin ngritur në alarm njësitë e ushtrisë në Tiranë. Pas kësaj ai na njoftoi: “Nga Komiteti Qendror unë jam caktuar komandant i mbrojtjes së qytetit të Tiranës”. Por ai nuk bëri të ditur se cili ishte caktuar komisar për mbrojtjen e qytetit. Pasi na dha disa detyra urdhëroi që të nesërmen në 24 qershor 1968, ora 10°° te ishim në piken me të lartë të ndërtesës së Universitetit të Tiranës. 

Shpërthehen portat e Liqenit Artificial

“Disa nga shokët, mes tyre dhe unë, bënë pyetje bënë pyetjen: “Në rast se bombardohet e shkatërrohet diga e Liqenit ne nuk mund të kryenim detyrën?” Hitoja u mendua pak, tundi kokën, por nuk më ktheu përgjigje. Në mesnatë tek diga e liqenit erdhën dy veta, te cilët u munduan të vinin në lëvizje mekanizmin e hapjes së portës së digës, por duket se ajo nuk funksionoi dhe u larguan. Pasi kishte kaluar mesnata më njoftojnë me fonogram se në agim do të dëgjonim një shpërthim, por se s’duhet të shqetësoheshin nga kjo gjë. Shpërthimi u krye, u hap porta dhe uji vërshoi me tërbim poshtë në përrua, për 92 orë pa pushim për të zbrazur ujët e liqenit. Këtu duhet të sqaroj se kërkesa nuk ishte për të derdhur ujin e liqenit por për të ndërtuar një urë të përkohshme poshtë digës, me qëllim që të kalonin tanket në rast emergjence”, rrëfen Petro Çeku. 

Detyra

Blindimi i Tiranës, mitraloza në çdo tarracë

Në vazhdim të rrëfimit të tij Petro Çeku thhotë: “Mbërritëm të nesërmen në tarracë e universitetit. Nga e majta dhe e djathta ishin përgatitur dy pozicion me thasë rëre ku ishin vendosur dhe dy mitraloza kundërajrorë. Hito na u drejtua: “I shikoni këto dy pozicione? “Po”, - u përgjigjem. “Në afate kohore sa më të shkurtër në pallatet pesë katëshe në Tiranë, do ndërtoni pozicione e të vendosni mitraloza  kundërajrorë një ose dy grykeshe. Të përgatiten sirenat e alarmi së bashku me fabrikat e uzinat në Tirane me veprime mekanike dhe elektrike”.  Në takimin e mbrëmjes i bëra dy kërkesa: “Mbushësit e tankeve nuk kanë aftësi të plotë për të bërë qitje kundërajrore me mitralozin e tankut dhe shoferët nuk kanë bërë asnjë orë guidë natën me ndriçim rreze infra të kuqe”. Ai urdhëroi të bëhej qitje tokësore dhe shoferët të bënin guidë natën. Gjatë kësaj kohe një mujore i vetmi urdhër i tyre ishte që në çdo tank përveç prozhektorit ekzistues të vendosej dhe një tjetër në krah të tij, por plafoni të luhej me bojë të kuqe. Ndërsa transportuesi i blinduar duhet të kishte ngjyrën e bardhë si sinjal njohjeje”.

Alarmi me sirena

“Në Tiranë ishin bërë prova alarmi nëpër blloqe e lagje, por radhën e kishte i gjithë qyteti. Ne javën e dytë të korrikut kur qytetarët kishin dalë për kënaqësinë e tyre në bulevard, në kinema, teatër a estrade, në ora 20,30 minuta, pasi kishte rënë errësira, sirenat të vendosura kudo në pallate ushtuan me gjithë fuqinë e tyre për rrezik ajror. U fikën të gjitha dritat e Tiranës. U krijua një situatë alarmante, pasigurie, e rrëmuje nga përplasjet e turmave të njerëzve. Mbas sorollatjeve e pasigurisë mundën të futen nëpër pallate e bodrumet me të afërta. Më në fund qyteti ra ne qetësi dhe pas një gjysmë ore u ndezën dritat. Ngritja në gatishmëri e reparteve ushtarake në Tiranë e rrethinat e saj kishte disa arsye: Shqipëria përfundimisht nuk bënte pjesë në Traktatin e Varshavës,  ndaj u bë e domosdoshme që të ishim të kujdesshem, vigjilentë e në gatishmëri luftarake, për evitimin e ndonjë aventure ndaj vendit tonë. Nga ana tjetër Shqipëria u dha sinjalin B.Sovjetik e anëtarëve të Traktatit të Varshavës; pse jo edhe vendeve të NATO-s; se ne s’kishim frike, nuk na zini në bafasi, dhe ishim të fortë se kishim një popull ushtar. Pas një kohe në gjendje gatishmërie të larte pasi kaloje rreziku njësitë e repartet u vendosën në vendet e tyre të përhershme të kohës së paqes kurse efektivi tankist me gjithë tanke u inkuadruan në Gardën e Republikës Shqipërisë”.

Brigada 36 e tankeve mori “Flamurin Luftarak”

Petro Çeku thotë se; Lufta e Ftohtë mes Shqipërisë dhe BS, nisi në vitin 1961 pasi u përkeqësuan mardhëëniet si në fushën politike ideologjike, ekonomike e ushtarake dhe u prenë marrëdhëniet diplomatike. Më tej ai vazhdon: “Në këto kushte tepër të vështira për vendin u deshën të merreshin disa masa të karakterit strategjiko-ushtarak, si fortifikimi i kufirit dhe në tërësi e brendësi të territorit të vendit, tunelizimi i teknikës dhe efektivit, rritjen e gatishmërisë luftarake, aftësimin e strukturave të ushtrisë e krijimin e njësive të reja tokësore, detare e ajrore. Përparësi të veçante iu kushtua krijimit të njësive e reparteve tankiste. Në këtë kontekst në muajt e parë të vitit 1968, u krijua Brigada e 36 tankiste dhe u vendos në rajonin Karec (Maminas), Marikaj e Gerdec (Vorë). Organizimi e drejtimi me përkushtim i kuadrit, bëri të mundur që të kompaktësoheshin shtabet e komandat e reparteve, dhe u përvetësuan e detyrat funksionale në tanke, në stërvitje, në gatishmërinë luftarake, në përmbushje te misionit për mbrojtjen e Atdheut e të Popullit. Një eveniment i rëndësishëm për efektivin e Brigadës së tankeve në Vorë ishte data 7 qershor 1968, sepse pikërisht atë ditë Presidiumi i Kuvendit Popullor do t’i dorëzonte brigadës flamurin luftarak. Flamurin e mori në dorë komandanti i Brigadës Vangjo Sopi, i cili u ul në njërin gju, puthi Flamurin dhe bëri betimin para ushtareve e kuadrove të saj. Efektivi shpërtheu në: “Urra urra, urra” të fuqishme, që krijuan jehone në fushat e luginat e asaj zone të gjelbëruara nga ullinjtë. Tani njësia ishte më e motivuar se mbante në dorë Flamurin luftarak, simbol i shenjtë i atdhedashurisë dhe që nuk do të dorëzohej kurrë deri në vdekje. Ishim të përfshirë nga krenaria dhe entuziazmi, gëzimi dhe emocione e ditëve të kaluara. Kuadrot si përherë dhe atë ditë. Më 22 Qershor 1968, mbërritën në repart, bëmë formalitetet e asaj dite, dhe mandej efektivat u nisen për në fushat e stërvitjes e në poligonet e qitjes”. 

Brigadës së tankeve në Vorë, në datë 7 qershor 1968, Presidiumi i Kuvendit Popullor i dorëzonte flamurin luftarak

Pyetjet

“Si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i këtij formacioni luftarak me detyrë teje të rëndësishme operacionale-strategjike, për largimin e Enver Hoxhës, familjes së tij, por dhe të një pjese të udhëheqjes, me transportues të blinduar me duket se ishte thjesht një formalitet. Po përse mendoj kështu? Qëndruam 35 ditë në një vend të gjelbëruar e asnjë ushtarak nga Ministria e Brendshme apo e Mbrojtjes nuk erdhi të kontrollonte vendosjen, përgatitjen luftarake, përvetësimin e detyrës së dhënë, moralin e ushtarakëve e probleme të tjera. Lodhja, pagjumësia, vapa përvëluese korrikut, ushqimi i thartuar; dhe teshat e trupit që s’u ndërruan asnjëherë vetëm se kishin dhënë një urdhër që të mos largoheshim asnjë minute nga vendi i dislokimit. Përveç kësaj shtroj pyetjen: Përse udhëheqja e Partisë, nuk e zbuloje aktin armiqësor të rrethimit të K.Q ato ditë, por ju deshën 6 vjet për të denoncuar shkelësit? Në atë kohë nuk i shpëtonte asgjë syrit vigjilent të partisë, se në bllokun e udhëheqjes nuk kalonte as miza e jo të vendoseshin tanke e transportues të blinduar”.

Rrëfimet në përvjetorin e vdekjes: Si u bë mik me “armiqtë e klasës”



Hyqmet Zane

56 vjet më parë, një truk i Sigurimit eliminoi fizikisht një njeri të dëgjuar për bëmat e tij në kryeqendrën e antikomunizmit, në Shkodër. Them fizikisht, sepse legjenda për Hilmi Seitin jeton edhe sot në Shkodër, çamin e jashtëzakonshëm. Një funksionar i Sigurimit të Shtetit, që në vend të ishte armiku, ishte miku për shumë kundërshtarë të regjimit. Për Hilmi Sieitin dëgjova rreth 20 vjet më parë nga Lutfi Sejko, me prejardhje nga Filati, një ish i përndjekur politik si pjesë e të ashtuquajturit grup armiqësor i Teme Sejkos dhe Tahir Demit. “Në Shkodër e respektonin dhe njihnin si Bacë Hilmija”, më tregoi filatasi Sejko, i cili kishte qenë dëshmitar në shumë nga ngjarjet që tregonte për Hilmi Seitin. Më ka rastisur shpesh të dëgjoj fjalë të mira nga shkodranë për Hilmiun, edhe pse kanë kaluar kaq shumë vite që nga vdekja e tij e mistershme. Kanë kaluar 55 vjet që nga ajo ditë prilli kur pasi ishte kthyer nga Tirana dhe pas një bisede me sekretarin e parë në Shkodër, ndërroi jetë. Lajmi mori dhenë dhe funerali i këtij burri të Çamërisë ka qenë i madh dhe i veçantë. Sot me të drejtë mund të themi se ajo që ndodhi me Hilmi Seitin ishte prologu i një gjenocidi të ri që do të zbatonte Sigurimi i Shtetit dhe udhëheqja e asaj kohe ndaj çamëve dhe çdo personaliteti të kësaj krahine, që pa diskutim kishin kontribute dhe ishin djem nga familjet më të mira të Çamërisë.

seiti
Në këtë përvjetor të ndarjes nga jeta, djali i Hilmi Seitit, që fatkeqësisht nuk e njohu fizikisht babanë e tij, se ishte motak, tregon se emri i tij e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës.

“Babanë e kam parë për vite të tëra vetëm në fotografi: i pashëm, i thjeshtë, sy të zgjuar dhe autoritarë. I vogël e shikoja në ëndërr. Dëgjoja për babanë nga të panjohur, që më përqafonin. E kërkoja, më tregonin. Pyesja nënën time. Më tregonte sa humor kishte, sa i dashur ishte. Të gjithë (rreth meje)tregonin. Vitet kalonin, por njerëzit nuk reshtnin, tregonin…”, thotë i biri Agimi. “Si të quajnë? Çfarë e ke Hilmi Seitin? Ka qenë burrë! E ka dasht gjithë Shkodra… Mori vesh se filani donte të arratisej… E thirri… i tha shko të fillosh punë…”. Me dhjetëra histori, njerëzish të thjeshtë, ai vazhdon t’i dëgjojë edhe sot. Nuk besoj të jenë të shumtë ata njerëz të cilët duke mos e njohur babanë e tyre të gjallë, ta kenë njohur aq mirë në marrëdhënie me të tjerët dhe në punën e tij. Një punë mjaft delikate. Përballje me njerëzit, eprorët, me veten. I rritur jetim, larg shtëpisë, ndër ata çamë të mitur të ndihmuar nga paria e Çamërisë për të shkuar në shkollë. Nëpër konvikte, në luftë, në internim, në luftë me jetën, i vetëm dhe njëkohësisht me shumë shokë e miq, por që në asnjë çast nuk pranonte hipokrizinë.
seiti1
Djali tregon se pas viteve ’90, u shkrua periodikisht në gazeta të ndryshme dhe e vërteta mbi vdekjen e babait filloi të kristalizohet dhe të përputhet me dyshimin e hershëm të nënës. “Mësuam që Hilmi Seiti ishte kritikuar rëndë për zbutje të luftës së klasave. Mësuam që, zyrtarisht, Hilmi Seiti “nuk gjente gjurmë të veprimtarisë armiqësore të klerit në Shkodër”, megjithëse kjo i ishte kërkuar që në fillimet e viteve ’50”, thotë Agimi. “Ridëgjuam, atë që dinim, që me gjithë profesionin specifik që kishte zgjedhur, ndryshe nga shumë drejtues të lartë të Sigurimit e Policisë, Hilmi Seiti kishte ditur të bënte dallimin ndërmjet mjerimit dhe ideve. Babai im, gjeneral-major Hilmi Seiti e kishte zgjedhur rrugën e tij dhe si njeri me integritet dhe me një inteligjencë të rrallë u përpoq të bënte më të mirën në atë mori djallëzish e mizorish gati mesjetare të kohës. Por ai nuk mund të bënte çmenduri. E vetmja çmenduri që bëri im atë ishte që nuk e shiti Çamërinë, që nuk mundi të pranonte tezën antishqiptare se çamët, ky popull kaq i zgjuar, vital dhe patriot, ishin në shërbim të Greqisë. Eliminimi i tij ishte pa dyshim vepër e kupolës drejtuese të shtetit komunist dhe i hapi rrugën jo vetëm realizimit të “komplotit çam”, por edhe spastrimit të brezit intelektual e të shkolluar çam që me aq kujdes e vështirësi ishte formuar nga paria dhe familjet aq punëtore të Çamërisë. Kjo qe goditja e radhës dhe më e ndyra që merrte popullsia atdhedashëse çame, por që këtë herë i vinte nga nuk e priste dhe për më tepër e etiketonte si të pabesë”, thotë Agimi.
seiti2
Agim Seitit i ra në dorë rastësisht libri “Ditari i kujtimeve të mia”, i shkruar nga Gjokë Vata. Një miku i tij, shkodran, Anton Daka, biri i një familjeje të nderuar që iu privua jeta në liri në kohën e diktaturës, si babait të tij, Nikolla Daka, e takoi dhe i tregoi për këtë libër, brenda të cilit autori flet me shumë respekt për gjeneral Hilmi Seitin. “U befasova dhe e lexova menjëherë, aq më tepër kur mora vesh se autori ishte i verbër. Problemet që kam edhe unë vetë me sytë, më bëjnë të besoj e të respektoj më shumë këtë kategori njerëzish që u mungon gjëja e shtrenjtë e jetës”, tregon Agimi, i cili ka përzgjedhur disa paragrafë nga ky libër, ku flitet për çamin-gjeneral Hilmi Seiti.

Fragmente nga libri

Çudi – foli Marku, – edhe autoritetet e këtij mut shteti mundohen me e nxanë piska njani-tjetrin. Mantho Bala të njeh shumë mirë, por e zemëron përkrahja që të jep Hilmi Seiti. Sado e vogël qoftë shpresa e luftës së karrierës mundohen me e shfrytzue. Këta e luftojnë njani-tjetrin me bërryla të padukshëm e nënkambca të pahetueshme. Pak me i shkit kamba Hilmi Seitit, mundohen me ia nxanë kryet me derën edhe me përkrahjen që të kanë dhënë ty. Jo ma mund të pyes kush si po shket Hilmi Seiti. Kur shkitën ma të rrangut, po ky?.

***

Ia tregova Hilmi Seitit sjelljen e autoriteteve me ty, ai ma priti: “Nuk është në nderin e luftës së klasave përndjekja e Gjokës”. Këto fjalët e ma të plotfuqishmit të Shkodrës po t’i hapnin dykapakësh dyert e të gjithave institucioneve e me çka pava në të po të jep dorën me u ngjitë shpejt e shpejt aty nga u shkite.”

***

Filip Gjergji u ka dhanë rrugë fjalëve të Hilmi Seitit e ato janë përhapë ma shpejtë se do përhapeshin me një trasmetim radiofonik. Arsyetimet e gjeneral Hilmisë, pranohen në mënyrë të pakundërshtueshme nga të gjitha autoritetet e qytetit, prandaj qëndrimi i Hilmisë ndaj meje është ba qëndrimi i të gjithëve ose asht e shtime.

***

Disa kangë e valle gjatë shfaqes u duartrokitën ngrohtësisht nga publiku. Përgëzimin e parë në skenë ma dha Hilmi Seiti. Në çastin e shtrëngimit të dorës duartrokitjet e publikut shpërthyen ma të fuqishmet. Këto duartrokitje synonin dy qëllime: me më shprehë përgëzimin ma të ngrohtë e dëshirën e rehabilitimit tim. Shembullin e Hilmi Seitit kush e dashtë e kush pa dashtë e ndoqën të gjithë autoritetet e pranishme. Veprimit tim muzikor iu akordue çmimi i parë i festivalit. Ky çmim, – tha Hilmi Seiti, – duhet me përmbushë angazhimet që kam marrë me emrin tand. Ky angazhim do t’u japë zemër përpjekjeve të mia me ta hapë rrugën drejt ngjitjes, ndonse ecja mund të jetë e ngadaltë, qëllimi do arrihet siç dëshirojmë.

***

“Mark Tatiqi më tha: Në popull ka nisë me u folë keq për ty. Dhania e dorës e Hilmi Seitit interpretohet si bamja e lëshimit të ndytë që të hapë rrug’n e favore të spiunit. Përgojimi i gojëkëqijve ma shndërron gëzimin në vuajtje e në krahin e këtij përgojimi ka nisë me ndejë edhe dyshimi im, mos vallë përkrahja e Hilmi Seitit lidhet me ndonjë kushtëzim politik? Prenk Jakova më tha: – shtrëngoju fort për duart e Hilmi Seitit, thashethemsat i kanë me u dëfrye thashethemet e tyne. Hilmi Seitit i ka ardhë te hunda ky numër i të rekrutumve e jo ma me të përfshi edhe ty në ta. Ti nuk i ke kushtet me shërbye në atë soj rekrutimi”.

***

“Si me përpikmërinë e çdo takimi arrita pak para orarit me hi te Hilmi Seiti. Më mori përdore dhe shkuam bashkë në zyrën e tij.

Më ke gjetur në një valë befasish me punë, – filloi ai, – prandaj më duhet të flas shkurt e shkoqur. Je duke bërë disa gabime të pafalshme, megjithatë po mos t’i falja nuk do të thërrisja këtu. Megjithatë, ta dish mirë këtë, unë jam një e shteti është shumë. Ti e të gjithë e dimë mirë, unë nuk jam ai njësh i mrekullirave të shtetit, jam i privilegjuari i kryerjes së detyrave që më ngarkojnë. Avokat mbrojtës i atij që e sulmon vet veten nuk mund të bëhem. Unë të kam thirrur që të të porosis që t’i pushosh sulmet kundër vetes tënde. Këtij shteti nuk janë të zotët t’i bëjnë gjë jo ti e shokët tuaj, por sikur të luanim mendsh as unë e kolegët e mij. Shteti ynë është kampi socialist e kampi socialist është shteti ynë. E ke zhytur veten nën sipërfaqen e ujit dhe po s’e nxorre dorën në sipërfaqen e tij, unë s’kam si ta kap dorën e të nxjerr në breg. Ju veriorët keni një thënie

“tepria ka mrekullinë”. Ti si verior a e respekton këtë si thënie? I vetmi shans shpëtimi i yti është të luftosh armiqtë e tu të shtirur si miq dhe në këtë luftë mua më ke përkrah”.

***

“Në orën 10 padreke u nisa në Fushë-Arrëz. Me të arritë në Pukë shoferi ndali makinën e më ftoi me pi një kafe me të. Sapo hymë në kafene nji klient pyeti tjetrin me za të ngadaltë:

– Si shpjegohet kjo vdekje e Hilmi Seitit kaq e menjëhershme?

U drodha i tanë.

– Hilmi Seiti?- e pyeta shoferin si të mos priste kureshtja me pyet kënd ma tej. E mashtroi komunizmi mendova, e vuni mish e shpirt në shërbim të atij mashtrimi. Sjellja me mue e disa të tjerë qe shenjë pendimi. Ndoshta ai shenjë është ba shkaktar i vdekjes. Bamirsia e tij ndaj meje m’u jep shkas lutjeve të mija për të. E nëse lutjet janë të papranueshme, lutjet nuk dënohen”.

VDEKJA MISTER E GJENERALIT TË ÇAMËVE


 




Bukurie Seiti bashkëshortja e gjeneralit çam Hilmi Seti, sot është 70-vjeç. Për herë të parë ajo tregon ato pak sekrete për të shoqin, para dhe ditën që ai vdiq kur ishte në detyrën e kryetarit të degës së Shkodrës, më 26 prill 1960. Kishte vetëm pak kohë i graduar gjeneral, dhe për 9 vite punë në Shkodër, shkroi emrin e tij në memorien e veriorëve. Ankthi, bisedat e pakta me të shoqin, takimi me Enver Hoxhën, grupi armiqësor i çamëve, takimi i Hilmi Seitit me Kadri Hazbiun vetëm pak orë para se të vdiste etj, janë gjithçka që mban mend gruaja, që për 44 vjet jetoi me kujtimin dhe enigmën e vdekjes së burrit, gjenerali i çamëve, Hilmi Seiti. Pëshpërima nëpër korridoret e Ministrisë së Brendshme, ku ajo punoi për vite me radhë.

Image result for HILMI SEITI

- Është shkruar pak për vdekjen e burrit tuaj. Për vite me radhë ju vetëm keni heshtur. Pse?
- Isha vetëm 27 vjeç, kur im shoq, Seiti, më la. Atëherë vajzën e madhe, Verën, e kisha 7 vjeç. Të dytën, Violetën, dy vjeç e gjysmë, kurse djalin, Agimin, 17 muajsh. Humba njeriun e jetës time, dashurinë time, gjithçka kisha. Nuk kuptova asgjë! Më duhej të rrisja fëmijët.
Sot jam e moshuar, jetoj me kujtimin e Hilmiut.
-Pse ai vdiq?
-Informacionet në rrugë të ndryshme më kanë tunduar gjithmonë. Nuk besoj se ai vdiq siç thanë në atë kohë, nga “hemoragjia cerebrale”.
- Edhe në shtyp është aluduar vite me parë, që ju personalisht keni dyshime për vdekjen e burrit tuaj?
- Është hera e parë që unë flas për një gazetë. Nuk duhet të abuzohet me ato ç’ka them, por mendoj se Hilmiu nuk kishte asnjë lloj sëmundje. Nuk vuante as nga zemra dhe asgjë tjetër. Për vite me radhë më vinin njerëz dhe më flisnin për çfarë dinin. Kam lexuar dhe unë në gazeta që është helmuar, apo... edhe unë dyshoj. Dua të di të vërtetën për atë njeri, i cili nuk ishte vetëm bashkëshorti im dhe njeriu më i dashur edhe sot e kësaj dite për mua, por ishte shumë i mirë me mijëra njerëz, që hynë e dolën në shtëpinë time. Unë dhe fëmijët e mi kemi tentuar vazhdimisht në gjetjen e një dokumenti. Do të doja të bindesha, për të mos mbetur borxh ndaj atij njeriu, që në ato vite dha gjithçka mundte, për këdo që njihte dhe nuk njihte. Vetëm se asnjëherë nuk mund ta harroj bisedën e fundit me të. Pas pak vdiq...!
- Çfarë ju tha ai para se të vdiste?
- E kujtoj atë ditë çdo minutë të jetës time. Ishte data 25 prill. Jetonim në Shkodër, pasi Hilmiu ishte kryetar i Degës. Kishte një vit e gjysmë që ishte graduar gjeneral. Në mëngjes, unë i thashë burrit se do nisesha për në Tiranë, sepse babai im ishte i vjetër në moshë dhe duhej ta takoja. Kur isha në Tiranë më marrin në telefon dhe më thonë se Hilmiu ishte shtruar në spital. Kthehem shpejt në Shkodër. Rrugës nuk e di pse riprodhoja një bisedë që kisha bërë me të para disa ditësh. Kur mbërrita në Shkodër më dërgojnë në spital dhe gjej Hilmiun në minutat e fundit të jetës. Nxirrte vetëm shkumë nga goja! “Më dhanë aspirinë”, më tha në vesh, aq sa unë nuk mundja të kuptoja se ç’po më tregonte, “njerëz me armë”, pastaj vdiq. Një mjek, që ishte kujdesur për burrin tim, tashmë ai ka vdekur, më tha se ‘’vdekja e Hilmiut nuk është e zakonshme.” Pa folur për atë që dëgjoja nga shokët e tij, apo nga njerëz që nuk i njihja.
- Ju thatë më parë se ju kujtohej diçka nga bisedat jo të zakonshme me burrin tuaj. Ç’ishte ajo bisedë dhe sa kohë më parë u bë ajo?
- Duhet t’ju shpjegoj, së pari, se për çdo gjë që flas kam përgjegjësi. Unë gjatë atyre viteve që kam jetuar me Hilmiun kam pasur një rol të përcaktuar. Nuk mund të ndërhyja asnjëherë në punët e tij dhe isha vetëdukuar, që të mos e pyesja asnjëherë për atë ç’ka ai kishte, sukseset apo dështimet, aq më pak për problemet, që për mentalitetin e kohës ishin të padiskutueshme. Por, mbaj mend një natë kur ai u kthye nga puna, u ul në divan i lodhur. Vuri duart pas kokës dhe më tha: “Si do kalojmë, jam në situatë të vështirë.” Nuk e kuptova se ç’po thoshte, por përnjëherë i thashë: Çfarëdo që të jetë ne kemi fëmijët, do plakemi dhe do vdesim bashkë.
- Këto copëza bisedash, ju kanë bërë të dyshoni për vdekjen e tij?
- Po! Mbase edhe shumë të tjera, por ajo ç’ka më kishte thënë në spital, nuk më shqitej nga mendja. Kështu, pas tre muajsh, shkova dhe takova Enver Hoxhën. Më priti përzemërsisht.
- “Pse vdiq Hilmiu?”- - i thashë. Ai ngriti supet. “Me hemoragji, thonë mjekët “ - më tha.
Asnjë fjalë më tepër!
Kurse Kadri Hazbiu ka ardhur vazhdimisht më pas në shtëpi, së bashku me të shoqen. Vinin të gjithë njerëzit e partisë për vite me radhë. Më kanë thënë se Kadri Hazbiu ishte njeriu që u takua për të fundit herë me Hilmiun. Thuhet se është diskutuar për “grupin çam”. Duket se i kishe kërkuar Hilmiut bashkëpunim për këtë çështje në atë kohë, kur thuhej se një grup çam armiqësor duhej të asgjësohej. Pas tre muajsh, u arrestua Teme Sejko. Midis të tjerash u tha se grupi çam do të lidhej më flotën e 6-të amerikane. Pati 32 të arrestuar, 17 prej tyre të akuzuar si agjentë grekë.
- Kanë kaluar 44 vite nga ajo kohë deri më sot. Ç’mendoni se ka ndodhur atë ditë me Hilmiun?
- Mendoj se e helmuan, por nuk kam asnjë dokument. Nuk kam se ku të kërkoj!
- Si e njihnit ju burrin tuaj?
- Një njeri i së drejtës dhe vetëm i asaj. Një burrë që sakrifikonte edhe veten në çdo rast, në emër të së vërtetës apo të së drejtës. Kur në zyrat e degës sillnin njerëz që donin të kalonin kufirin, ai i pyeste; pse? Dikush i tregonte hallin e shtëpisë, mungesën e punës, etj. Ai I dërgonte në zyrat e punës dhe kërkonte ndihmë për ta, jo t’i varroste nëpër burgje apo t’i ekzekutonte. Një zyrtar që mbante dyert e degës hapur, për t’u zgjidhur hallet njerëzve, një njeri që...kur i kërkuan të firmoste ndoshta ndonjë dokument të fundit kundër çamëve, apo ashtu siç u quajt në atë kohë, grupi armiqësor i Teme Sejkos, tha se nuk ka asgjë të vërtetë. Kur Halim Xhelo ishte në burg, në një rreth të ngushtë kishte thënë: “U bë mbledhja nën drejtimin e Hysni Kapos në Ministrinë e Brendshme, me Kadri Hazbiun, Hilmi Seitin dhe mua. U fol se duhet të krijojmë një grup armiqësor për t’i thënë botës se ne nuk u përulemi as revizionistëve modernë e as imperializmit amerikan. Dhe mendojmë ta quajmë “grupi armiqësor i Teme Sejkos”. Në këtë moment, Hilmi Seiti kundërshton dhe del nga mbledhja dhe shkon në Komitetin Qendror ku takon Enver Hoxhën.”
Enver Hoxha e pyeti:
- Hilmi, pse të shikoj të mërzitur?
- Shoku Hysni mendon t’i ngarkojë Çamërisë martire një grup armiqësor, - ia ktheu ai.
- Ah! Hysniu i bën këto me kokën e tija, pa më pyetur mua?
Dëgjo, Hilmi, ke besim tek partia dhe tek mua?
- Po, shoku Enver!
- Shko në punë dhe puno ashtu si ke punuar.
Ja kështu është shprehur dikur Halim Xhelo. Në volumin e 19 të veprave të Enver Hoxhës thuhet se: “Për mua është enigmë grupi armiqësor i Teme Sejkos. Albert Kotini shkruan: “Me vdekjen e tij (Hilmiut) shprehën ngushëllime me tërë vlerësimet e sinqerta, midis të tjerëve edhe Kadri Hazbiu, Mihallaq Ziçishti, Zoi Themeli, Sul Baholli, Teki Koloneci, Qazim Kondi, Halim Xhelo, Xhule Çiraku, Dilaver Poçi, Rexhep Kolli etj.
Kush nga këta e helmoi? Me çfarë urdhri special të Enver Hoxhës u realizua?! Me urdhrin me linjë partie apo të nëntokës së sigurimit?! Përse Shkodra e nderoi dhe e qau Hilmi Seitin me respektin e madhështinë, që ia ka bërë vetëm Fishtës?!” Skënder Vincani, ish shef i policisë për qarkun e Shkodrës në vitin 1953 deri në vitin 1961, kur ishte Kryetar i Degës së Punëve të Brendshme zoti Hilmi Seiti, ky bashkëpunëtor më tregon: “Kam pasur nderin të punoj 7 vjet me Hilmiun. E njihja si njeri të drejtë, të ndershëm dhe detyrën e kryente me pastërtinë morale më të madhe. Nuk burgoste dhe internonte njeri pa fakte dhe faj. Punonjësit e gjithë degës së brendshme dhe populli i Shkodrës e admironin për cilësitë e tij njerëzore. Vdekja e tij për mua është 100 për qind e dyshimtë, alibi e një helmimi të bërë ndaj tij. Hilmiu deri ditën që u helmua ishte njeri me trup atleti, me shëndet shumë të mirë. Atë ditë ishim duke shëtitur të tre, unë, Mitati, (që ishte zëvendësi për sigurimin), dhe vetë Hilmiu, në rrugët e Shkodrës. Kur vajti ora 20.00, Hilmiu më tha se kishte mbledhjen e Byrosë së Partisë të Rrethit, (se Hilmiu ishte anëtar i byrosë së partisë), na tha se, duhej të shkonte. Ne të dy, unë dhe Mitat Zaçe shkuam në shtëpi, ndërsa Hilmiu në mbledhjen e byrosë së partisë. Më vonë morëm vesh se në mbledhjen e byrosë së partisë, Hilmiut i kishin ardhur të vjella, kishte marrë leje për të nxjerrë të vjellat në banjo, dhe ndërpreu mbledhjen. Presin sa presin dhe kur u vonua e gjejnë të shtrirë pa ndjenja në banjo, dhe nuk komunikonte më. E marrin urgjent dhe e shtrojnë në spitalin e Shkodrës. Shkuam unë dhe Mitat Zaçe në spital. E gjetëm në gjendje që përpëlitej me shkumë nga goja deri në mëngjes dhe vdiq. U njoftua Ministria e Punëve të Brendshme. Erdhi Kadri Hazbiu dhe anëtarë nga Byroja Politike. Sollën me vete tre ekipe mjekësh nga Tirana dhe pse kishte plot Shkodra. Ata e panë të vdekur. I bënë autopsi në kokë. Një nga kirurgët ishte sovjetik dhe në konkluzionin e ekipit mjekësor të Tiranës konkluduan se vdiq nga një “hemoragji cerebrale” etj, argumentime
“shkencore”, por mua nuk m`u besua! Po të flisja atëherë, edhe si vëlla i Nexhipit që isha, do ta pësoja si Mitat Zaçe, që pësoi edhe ai një vdekje të dyshimtë më vonë.
Pse nuk e besova?... Si bie hemoragjia cerebrale kështu, kur ai një orë më përpara ishte në gjendje të shkëlqyer dhe nuk ankohej nga asnjë sëmundje?” Rrahman Perllaku, Heroi i Popullit, tregon: “‘Hilmiun e njihja shumë mirë. Ishte shumë njeri i qeshur, i aftë, inteligjent dhe e donte shumë Shkodrën, sa dhe vetë shkodranët. Kam luftuar bashkë me të, si në brigadën e III-të Sulmuese, dhe në Divizionin e V-të sulmues, dhe më pas zv/komisar i brigadës së V-të sulmuese. Ka qenë tepër komunikueshëm, me një burrëri dhe zgjuarsi, që e lartësonin dhe kishte një sjellje të përsosur në shoqëri. Ne, kuadrot e asaj kohe, e vlerësonim Hilmiun, si një nga oficerët më të kulturuar, dhe më të aftit. Në luftë ishte nga të parët në betejë, nuk dinte ç’ishte frika. Në organet, në degën e brendshme të Shkodrës, siç dihet nga lart, ky rreth kishte veçori. Hilmiu manifestoi veçori të tilla. Mjaft komunikues e dashamirës me njerëzit. Si punonjës i MPB, u ka dalë ballë për ballë gjërave me drejtësi dhe vërtetësi. Informacionet që vinin, në veçanti ato që kuptonte ose më mirë që i zbulonte si tendencioze, Hilmiu i bënte ballafaqimin. Kur e kuptonte keqdashjen e punonjësit të punëve të brendshme, i thoshte: “Ik! Mos u ndjej se do të vesh atje ku nuk ta pret.” Kështu ia priste rrugën marrjes në qafë të njerëzve, edhe për një llaf të pavetëdijshëm. Me këtë pikë po tregoj një ngjarje të vërtetë, që deri më sot nuk ia kam shprehur njeriu. Hilmiut i janë dorëzuar në besë disa të arratisur nga Shkodra në Mal të Zi, që e kishin bërë rrugën e tyre pa u kapur. Mbasi i merrte në besë, gjithmonë i lironte duke mbajtur fjalët e premtuara. Në një rast konkret tjetër, ishin katër të arratisur që hynin e dilnin në Mal të Zi, sa herë të donin, asnjëherë nuk i kapnin dot. E vetmja rrugë për MPB, ishte fjala e Hilmiut me të arratisurit, dhe këtë ia kërkuan ta bënte Hilmiu, që t’i takojë, të bisedojë, dhe t’i sigurojë se nuk do të prekeshin, po të dorëzoheshin vetë. Hilmiu e mori përsipër.Të katër të arratisurit u dorëzuan në besë të Hilmiut, se e kishin provuar fjalën dhe burrërinë e tij, edhe të tjerë para tyre. Ata u dorëzuan tek Hilmiu, ai i liroi dhe i la të lirë të shkonin në shtëpi. Mbas dy - tre muajve, Hilmiut i dhanë urdhër nga MPB, që t’i arrestonte të katër të arratisurit. Mori urdhër nga Kadri Hazbiu apo Mihallaq Ziqishti, nuk më kujtohet mirë. Hilmiu mjaft i revoltuar, erdhi menjëherë tek zyra e Mehmet Shehut dhe u fut i nevrikosur.
Mehmet Shehu i tha me shaka:
- Hë, ç’ke kështu, çam i dreqit? - Ai në fakt e respektonte shumë Hilmiun. - Pse ke ardhur?
- Erdha t’ju dorëzoj kapelën e spaletat, - i tha Hilmiu.
- Pse ç’ka ndodhur?
- Atyre që u ka dhënë besën, Hilmi Seiti nuk i arreston! Merri! -Spaletat i kishte në dorë. - Këtë nuk e bëj kurrë, sa të jem gjallë, - tha dhe, në fakt, sa qe gjallë Hilmiu, ata nuk u arrestuan. Asnjë në Shkodër nuk u arrestua para vdekjes së tij për gjëra që nuk faktoheshin nga Hilmiu. Pas Hilmiut erdhi Feçor Shehu, prandaj kur vdiq Hilmiu, unë si Rrahman vajta menjëherë me Teme Sejkon për të organizuar varrimin e tij.
Nuk kam parë varrim me përmasa të atilla në Shkodër, pas asaj të Fishtës. Qanin gratë në ballkon, ka qarë e gjithë Shkodra. Unë më Temen, shkuam në orën 23.00 të asaj dite. Vdekja e Hilmiut për mua ka mbetur enigmatike.
Muhamet Spahiu, veteran mjaft i respektuar dhe i persekutuar, veç të tjerash që i thamë lart, shton se Hilmi Seiti, ishte pararoja e zhdukjes së Teme Sejkos dhe çamëve të tjerë, në vitet ’60-’61. Ka qenë një skenar i vërtetë Hoxha- Hazbiu, që ne e kemi vuajtur në vite.’’

CEREMONIA E VARRIMIT

Hipokrizi nga ata që e vranë! Respekt dhe dhembje nga ata që e deshën: populli i mrekullueshëm i Shkodrës. Hipokritët dhe vrasësit ballë për ballë varrit të Hilmi Seitit, jagot dhe brutët e shoqërisë shqiptare, që nga zv/kryetari i këshillit të ministrave, anëtarë të Byrosë Politike e të Komitetit Qendror, si Kadri Hazbiu, Mihallaq Ziçishti, Sul Baholli, etj. që i bënë nekrologjinë më datën 28 prill 1960.
Nga këto rreshta shkëputet Kadri Hazbiu dhe merr fjalën para varrit të Hilmiut: “Vendosmëria juaj, inteligjenca, patriotizmi i flaktë, dashuria e pakufishme ndaj popullit, partisë dhe B.S., të gjitha cilësitë tuaja të mira, ne do t’i takojmë përditë në gjurmët e punës tënde, dhe brezat e ardhshëm do të edukohen me to, për t’ i shërbyer me besnikëri popullit dhe Atdheut”.
Po kështu, pranë varrit të Hilmiut, kortezhi i përmotshëm dëgjoi fjalën e shokut Sul Baholli, sekretar i parë K. P. të rrethit të Shkodrës. ‘’Populli i Shkodrës, me dhjetëra e mijëra njerëz kishin ardhur të përcillnin trupin e Hilmi Seitit. Ata vinin të përcillnin birin e tyre, i cili për vite me radhë i kishte mbrojtur nga persekutimi i padrejtë i gjuetisë së biografive, luftës së klasave, që bëheshin viktima. Pra, ishte barrikadë, dhe ata po e ndienin këtë burrëri e ndershmëri, që po u
varrosej pikërisht për këtë barrikadë’’. Hoxha dhe Hazbiu që e kishin Shkodrën si rezervë për të mbushur burgjet politike, nga “reaksionarët e komunizmit”, eliminuan Hilmi Seitin dhe i hapën rrugën ekzekutorit Feçor Shehu. Plani I arrestimeve me ardhjen e Feçor Shehut, u realizua me burgime, spiunime dhe internime në tërë Shkodrën. Besa, burrëria, ndershmëria e çamit Hilmi Seiti, pushtoi një zemër të tillë si Shkodra. Respekti dhe nderi i Çamërisë, Hilmi Seiti, ishte në gjirin e Shkodrës, sepse ai ishte edhe biri i saj.

BIOGRAFIA E HILMI SEITIT















Hilmi Seiti lindi më 15 nëntor 1922, në fshatin Spatar të Çamërisë. Ai rrjedh nga një familje fshatare patriote dhe qe përkrahës i lëvizjes çlirimtare shqiptare dhe asaj greke. Në moshë të vogël mbetet jetim dhe dërgohet me bursë në konviktin  “Çamëria”, në Sarandë, pastaj vazhdoi shkollën e mesme në Gjirokastër dhe Shkodër. Dallohet për rezultate të larta, si
dhe dashamirësi me shokët. Nga viti 1938 ishte anëtar i grupit komunist të Shkodrës dhe me formimin e partisë u bë anëtar i saj. Lufta e gjen në shkollë të mesme dhe për aktivitet antifashist arrestohet dhe internohet në Bari të Italisë.
Në vitin 1942 kthehet në Shqipëri dhe në vitin 1943 hyn në radhët e ushtrisë N. Ç., duke kryer detyrat e zv/komisarit të brigades së V-të dhe të III-të sulmuese. Mori pjesë në çlirimin e Kosovës. Pas mbarimit të luftës, më 1946 punon në Komisionin e Planit të Shtetit si kryetar dege. Në vitin 1949 punon në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, me gradën major. Në 1953 emërohet kryetar i Qarkut të Shkodrës.
Në vitin 1959 Hilmiu u gradua “Gjeneral-major”.  Për merita të shquara në luftë dhe në punë, Hilmiu dekorohet me pesë medalje dhe gjashtë urdhra, si: “Urdhri i Flamurit. “Urdhri i
Skënderbeut i klasit të III-të”, “Urdhri i Trimërisë”, “Urdhri i Shërbimit Ushtarak”, “Urdhëri Ylli i Kuq”, si edhe shumë medalje etj. Në 26 prill 1960, në moshën 38-vjeçare, Hilmiu vdes në Shkodër në mënyrë të papritur, gjatë një mbledhjeje pune, i helmuar, si e kemi përshkruar më lart. Populli i Shkodrës dhe gjithë veriu e përcollën Hilmiun me një ceremoni madhështore dhe respekt të madh në banesën e fundit.

Materialet: Gazeta “Çamëria” me titull, “Vdekja mister e
gjeneralit të çamëve”. Maj 2004, f. 11. Albert Kotini, “Çamëria
denoncon”, botimi 2002", faqe 51-53. Shënime të kohës.


Rasim Bebo 

DOSJA ÇAME NË GJYKATËN E HAGËS







Prokuroria e Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë, sot pranoi dosjen e Çamërisë, për rikthimin e Çamëve në trojet e tyre. Është një ditë e bardhë dhe një çast historik, tha kryetari i shoqatës Demokratike “Çamëria” me seli në Holandë, Festim Lato, dosjet u dorëzuan në organizmat ndërkombëtare të drejtësisë në Hagë.
DOSJA E PARË, është një për njohje e gjenocidit të aplikuar mbi popullsinë çame me dëshmitë e të mbijetuarve. 
DOSJA E DYTË, ka të bëjë me provën ndërkombëtare për krimet kundër njerëzimit të aplikuara nga qeveria greke prej vitit 1913 derinë 1945. 
DOSJA E TRETË, ka të bëjë me të drejtën e riatdhesimit të popullit të shpërngulur me forcë. 
DOSJA E KATËRT, ka të bëjë me rikthimin e pronave. Në këtë akt historik, të dorëzimit të dosjes Çame, në tre gjuhë, Anglisht, Gjermanisht, dheFrëngjisht, dosjet brenda kanë të gjitha të dhënat e dokumentuara për genocidin grek kundër shqiptarëve etnik të Çamërisë. 
Të pranishëm në këtë akt historik, qenë patriotët e shquar çamë, si dhe shqiptarët nga Presheva, Medvegja, Prishtina, Shkupi, Ohri, Tetova, Vlora, Tirana, Ulqini, Prizreni, Arta, Janina, etj. 
Këtë akt historik të dorëzimit, dhe të pranimit nga Prokuroria nërkombëtare e Hagës, e uruan dhe u përqafuan poliglotë, historianë, shkrimtarë nga Çamëria, Shqipëria dhe Kosova, si dhe patriotë të kësaj nisme të madhe historike. 
Jam përlotur nga gëzimi, tha një nënë çame e ardhur nga Janina, pas 72 vjet genocid mbi çamët, po zbardhet drita e diellit shqiptar. Dhe pse kanë kaluar mbi 70 vjet. Fati shpresëdhënës është se çamët kanë mbështetjen e SH. B. A.-së, por edhe të Perëndimit, përfshi këtu Holandën dhe Gjermaninë, por edhe të tjera shtete me ndërmjetësinë amerikane. 
Ndërkohë, autoritetet amerikane janë të gatshme të thërrasin shqiptarët dhe grekët, përfshi edhe zyrtarët, për dialog konstruktiv në lidhje me historinë e tyre të përbashkët, si dhe tëa rdhmen e tyre të përbashkët në rrugën për nëEvropë. 
Siç dihet, Greqia e përdor këtë Ligj për të penguar Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit drejt B.E.-së, ndaj dhe me ndihmën e Bashkimit Evropian, Shqipëria dhe Greqia duhet të ulen në tryezën e bisedimeve për të vendosur shfuqizimin e “Ligjit të Luftës” mes dy vendeve. 
“Me një emocion të jashtëzakonshëm lexova njoftimin tuaj, Albert Abazi, aq mbresëlënës për dorëzimin në gjykatën e Hagës të dosjes për gjenocidin barbar që shteti shovinist grek në bashkëpunim të ngushtë me shovinizmin gjerman, organizoi kundër trevës së Çamërisë. 
Dosja u dorëzua nga dy zotërinj të nderuar të Shqipërisë, Festim Lato dhe Prof. Dr. Koço Danaj “Shoqata Çamëria” në Holandë, të gjithë anëtarët e saj, si dhe të gjithë përkrahësit e saj në mbarë trojet shqiptare dhe në diasporë, kanë dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm për përgatitjen e kësaj dosje monumentale, e cila i çjerr maskën përfundimisht shovinizmit fashist greko-karagjoz dhe bashkëpunëtores së ngushtë të tij, kishës shoviniste greke, për mizoritë gjakatare që kryen kundër një popullsie të pafajshme shqiptare në trevën e Çamërisë në Luftën e dytë botërore. 
Kjo dosje nxjerr në dritën e diellit të vërtetën historike … që ushtroi kundër popullsisë shqiptare të Çamërisë. Dosja e dorëzuar nëGjykatën e Hagës shërbeu edhe si një shuplakë e fuqishme për tradhtinë e Tiranës zyrtare, e cila vazhdon të ndjekë gjurmët e kriminelit Enver Hoxha dhe të krejt P.P.SH., tëcilët, gjatë një periudhe gjysmëshekullore, as edhe një herë të vetme, në asnjë forum ndërkombëtar, nuk e ngritën zërin për krimin e rëndë që shovinizmi evropian kreu kundër kombit shqiptar me vendimet barbare që mori pë rcopëtimin e trojeve shqiptare në Kongresin e Berlinit dhe në Kongresin e Londrës”. (Prof. Dr. Eshref Ymeri, Santa Barbara Kaliforni, 17 shkurt 2016.) 

Nga Rustem Geci: Lajm i mirë për kombin, Prokuroria e Gjykatës ndërkombëtare në Hagë, sot e pranoi Dosjen e Çamërisë, për rikthimin e çamëve në trojet e tyre! Është një ditë e mbarë, dhe një çast historik, tha kryetari i Shoqatës Demokratike Çamëria Festim Lato. Në këtë moment historik për kombin dhe atdheun, foli dhe Koço Danaj, një emër i nderuar i kombit, duke cilësuar ditën e sotme, si ditën më të bukur në jetën e tij dhe një fillim të mbarë, për zgjidhjen e çështjes çame. (“Dielli”, Gjykata ndërkombëtare… 12 shkurt 2016). 

Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri, për Albert Abazin: Ju përshëndes miqësisht për fjalën që keni mbajtur në Den Haag, me rastin e dorëzimit të Dosjes Çame në Gjykatën e Hagës. 
Fjala e juaj është një thirrje mbarëshqiptare që të ngre peshë për mesazhet që përcjell në mbrojte të zgjidhjes përfundimtare të Çështjes Çame. 
Me shumë respekt dhe mirënjohje (Prof. Dr. Eshref Ymeri, Santa Barbara, Kaliforni 17-2-2016) 

Një grup intelektualësh në qytetin Addison Çikago, në komentim të gazetës Dielli 12-2-2016: 
-E pritëm me gëzim të madh njoftimin që Gjykata e Hagës pranoi Dosjen Çame. Bashkohemi me këtë akt të madh historik me të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë atdheut, që Çamërit do të kthehen në trojet e tyre në Çamërinë shqiptare. Me këtë rast historik përshëndesim: Kryetarin e Shoqatës Demokratike ÇAMËRIA qendra Holandë Z. Festim Lato, Prof. Dr. Koço Danaj, Albert Abazin, Rustem Gecin në Dortmund - Gjermani, Qemal Kryeziun mësuesi në Hagë. 
U falenderojmë ne, intelektualët shqiptarë të Addisonit në Çikago. 

Rasim Bebo 

Addison Il. USA. 
Shkurt 2016 


Te nderuar Zonja dhe Zoterinj. 

Ju dergoj artikullin, qe Prokuroria e Gjykates nderkombtare nw Hagë
pranoi Dosjen e Camerise, per rikthimin e cameve ne trojet e tyre. 
Marrim pjese ne kete gezim te madh per Kombin dhe Atdheun.  
Me shume respekt .

Te fala  Rasim Bebo  

Addison Cikago IL. USA.



Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...