Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/03/02

Terrorizmi dhe hakmarrjet kanunore


Emisioni “Xhungël” i News 24 solli dje në mbrëmje fakte dhe detaje që publikohen për herë të parë, të cilat hedhin sadopak dritë mbi “Dosjen Tropoja” dhe një prej protagonistëve të saj, familjen Haklaj. Vetëm kjo familje ka pësuar deri tani 14 të vrarë. Si nisi dhe pse ende nuk duket në horizont fundi i kësaj tragjedie, numri i viktimave të së cilës nuk dihet kur do të ndalojë? Cilat ishin shkaqet dhe shkaktarët? Pse u përfshinë në këtë tragjedi pesë vëllezërit Haklaj dhe shumë nga djemtë më të mirë të Tropojës? Pse sot pas dhjetë vitesh drejtësia dhe shteti shqiptar, qeveritë e majta apo të djathta, jo vetëm që nuk i kanë zbardhur ato që kanë ndodhur, por as e kanë marrë guximin të shfletojnë dosjet e përgjakura të kësaj fatkeqësie tragjike që ka mbajtur peng rrethin më të varfër të vendit? Kush fshihet pas atentateve të sofistikuara që do të konkuronin denjësisht dhe organizatat mafioze më prestigjioze të botës? Kush përfitoi prej përgjakjes së familjeve më të njohura të Tropojës dhe vazhdon ta shfrytëzojë këtë tragjedi për përfitime politike? Këto dhe shumë pyetje të tjera do të marrin një përgjigje nga “Xhungël”, që nuk synon të marrë tagrin e prokurorit apo gjykatësit, por nëpërmjet pamjeve, dëshmive dhe fakteve që paraqet do të kërkojë nga strukturat ligjzbatuese të përmbushin misionin e tyre, zbatimin e ligjit. Hetimin dhe dënimin e përgjegjësve të këtyre ngjarjeve tragjike. Jo vetëm për të qetësuar shpirtërat e të vdekurve, por për të parandaluar pasojat e këtij seriali të pafund krimesh në mënyrë që qindra të mbijetuar, fëmije dhe të afërm të viktimave të jetojnë të qetë të ardhmen e tyre.

Haklajt

Deri në fillimin e viteve ’90 familja Haklaj ishte një nga mijëra familjet e thjeshta të Tropojës. I pari i saj Isuf Groshi, ishte një nga personat e njohur dhe të respektuar në Malësinë e Gjakovës, aq sa dhe sot bëmat dhe shprehjet e tij vazhdojnë të kujtohen, për urtësinë dhe zgjuarsinë e tyre. I biri, Muharrem Haklaj do të kishte shtatë fëmijë, pesë djem dhe dy vajza. Pothuaj të gjithë fëmijët do të arsimoheshin në shkolla profesionale. Pak muaj pas ardhjes në pushtet të kualicionit të djathtë, në verën e vitit 1992, Hamdi Haklaj dhe i vëllai Halili do të arrestoheshin me akuzën e vrasjes me mjete të forta të një ekonomisti në Bajram Curri. Dy djemtë më të mëdhej të familjes do të qëndronin në burg për gjashtë muaj rresht. Do të liroheshin për mungesë provash, por pas këtij momenti besimi i tyre ndaj të sapoardhurve në pushtet ishte thyer.

Shkëlzeni

Ngjarja që do ti ekspozonte Haklajt dhe do të niste përballjen e tyre me policinë ishte ajo e 7 gushtit 1993. Vëllezërit Haklaj kishin shkuar për peligrinazh si shumë familje të Tropojës në vendin e shenjtë në malin e Shkëlzenit, i njohur ndryshe dhe si “varri i mirë”. Por për arsye ende të pasqaruara Shkëlqim Haklaj është konfliktuar me dy vëllezërit Besim e Guxim Demaj nga fshati Shipshan i Tropojës. Policia e ka rihapur dosjen pas afro 13 vjetësh dhe pretendon se në ndihmë të Shkëlqimit ka shkuar vëllai i tij i madh, Hamdiu. Në çastin kur konflikti i ka kaluar caqet, Hamdi Haklaj ka qëlluar me pistoletë në drejtim të dy vëllezërve Demaj të cilët kanë mbetur të vrarë. Pas rihapjes së hetimeve ekspertët mjeko-ligjorë kanë rizhvarrosur kufomat e viktimave për të siguruar prova të reja mbi autorësinë e krimit. Menjëherë pas ngjarjes policia shpalli në kërkim dy vëllezërit Haklaj. Qysh nga ajo kohë silueta e Hamdi Haklajt do të shihej shumë rrallë në Tropojë, madje edhe pas kthimit të tij në Shqipëri në janar të vitit 1998. Fatmir Haklaj edhe pse nuk kishte probleme me drejtësinë dhe nuk ishte person i shpallur në kërkim, u është bashkuar vëllezërve për ti ndihmuar të mos kapeshin nga policia. Nga gushti i vitit 1993 deri në fundin e vitit 1996 policia e rrethit verior dhe forcat speciale organizuan disa aksione për ti arrestuar vëllezërit Haklaj, të cilët dyshoheshin se herë pas here ktheheshin nga jashtë vendit në banesën e tyre.


Aksioni

Aksioni më i madh i policisë së Tropojës dhe forcave speciale të ardhura nga Tirana është organizuar 5 tetor 1995. Kulla e Haklajve u rrethua nga qindra trupa të policisë që kishin marrë informacion në rrugë operative se dy vëllezërit e kërkuar Hamdi e Shkëlqim Haklaj ishin kthyer në banesë. Për të mbështetur këtë operacion janë angazhuar deri dhe helikopterë nga ajri, por vëllezërit Haklaj nuk u kapën. Gjatë veprimeve të forcave të Rendit mbeti i vrarë një polic i komisariatit të Tropojës. Rrethanat e vrasjes së tij janë ende dhe sot të pazbuluara nga autoritetet shtetërore. Nuk dihet kush dhe si u qëllua polici që ndodhej në rrethim sëbashku me kolegët e tij. Pavarsisht faktit se kanë kaluar 14 vjet nga ngjarja e Shkëlzenit, Hamdi Haklaj nuk është gjykuar asnjëherë për të, pasi nuk ka patur prova të mjaftueshme për ta argumentuar fajësinë e tij.

Prita

Pas këtij operacioni të dështuar të policisë, Haklajt do të dilnin në skenë menjëherë pas trazirave të marsit 1997. I pari shfaqet emri u Fatmir Haklajt. Ai do të ishte protagonist në një përballje me mbështetësit e ish-presidentit Berisha. Haklaj kundërshton tu bashkohet vullnetarëve që po shkonin nga Tropoja në Tiranë për tiu bashkuar trupave të policisë për shuarjen e revoltave në jug të vendit. Ai nuk u mjaftua me kaq, por kundërshtoi dhe pengoi forcërisht oficerët e Gardës që kishin shkuar në Tropojë për të siguruar forca rezerviste. Për këtë akt ai do të vlerësohej nga mbështetësit e së majtës në Tropojë dhe do të vendosej kryetar i Komitetit të Shpëtimit Publik. Më 22 qershor 1997, Fatmir Haklaj i shpëton një prite të organizuar në afërsi të Milotit. Ai kishte udhëtuar sëbashku me djalin e xhaxhait, Sokol Haklaj, ndihmësgjyqtar në Skrapar dhe një mikun e tyre nga Tropoja, Agron Gjyriçi, për një rast urgjent në Tiranë. Gjatë kësaj prite mbeti i vrarë Sokol Haklaj dhe Ibrahim Rustemi, efektiv i forcave speciale. Rustemi për disa kohe kishte qëndruar pranë grupit të shoqërimit të deputetit demokrat Azem Hajdari. Ibrahim Rustemi kishte planifikuar të udhëtonte në drejtim të Tropojës gjatë po asaj nate, sëbashku me trupat e Gardës dhe forcat speciale. Misioni i tyre ishte të siguronin vizitën e ish-presidentit Berisha dhe mitingun elektoral që do të zhvillonte ai të nesërmen në Tropojë, ku do të shpallej dhe kandidatura e PD-së për deputet, Azem Hajdari. Rustemi lë njoftim në banesën e vet se nëse e kërkonin nga reparti, tu thoshin se ai ishte nisur përpara me Sokol e Fatmir Haklajn për shkak të një fatkeqësie që i kishte ndodhur. Fatmir Haklaj arriti të vriste një nga autorët e pritës në momentin që ai iu afrua autoveturës për tu dhënë goditjen e fundit viktimave. Fatmir Haklaj dyshon se pas kësaj prite fshihen persona të rëndësishëm. Disa ditë pas pritës Haklaj identifikon autorët e saj dhe lidhjet e tyre në Tiranë. Hakmarrja për këtë atentat është e pamëshirshme. Tre nga katër autorët e mbijetuar të atentatit të Milotit ekzekutohen njëri pas tjetrit në rrethana ende të pazbardhura. Familjeve të dy prej tyre u digjen kullat në fshatrat e Mirditës. Ndërsa i mbijetuari i fundit prej atentatorëve, një emër i njohur i botës së krimit në zonën e Mirditës, u ekzekutua gjatë një shkëmbimi zjarri me forcat speciale në vitin 1999 në Mamurras.

Konflikti

Kufomat e pritës së Milotit nuk ishin kthyer ende në Tropojë, kur zhvillohej mitingu elektoral në sheshin qëndror të Bajram Currit. Gjatë këtij mitingu ndodh një tjetër konflikt, këtë radhë është Shkëlqim Haklaj, i cili reagon ashpër në momentin që ishte duke folur ish-presidenti Berisha. Irritimit të Haklajt i është bashkuar dhe Feriz Kërnaja, i sapo dalë nga burgu. Kërnaja ishte bërë i njohur për shkak se kishte qëndruar për disa kohë në të njëjtin burg me kryetarin e Partisë Socialiste, Fatos Nano. Madje një foto e përbashkët e Kërnajës, Fatos Nanos dhe Nehat Kullës, një nga kapot e njohur në kryeqytet u botua në shtypin e kohës. Gjatë zgjedhjeve të 29 qershorit Haklajt mbështetën kandidatin e PS-së për Tropojën dhe dalën haptazi kundër kandidatit të PD-së Azem Hajdari. Vëllezërit Haklaj ndihmuan gjatë fushatës elektorale për referendumin dhe pretendentin për fronin mbretëror Leka Zogu gjatë një vizite të tij në rrethin e Tropojës. Kundërshtarët e monarkisë tentuan të pengonin vizitën e Zogut, por në krah të tij, përkrah shumë djemëve të Tropojës u rreshtuan dhe vëllezërit, Fatmir, Shkëlqim dhe Ylli Haklaj. Pas zgjedhjeve parlamentare Hajdari u shpall deputeti i ri i Tropojës, por situata ndryshoi në disfavor të së djathtës, për shkak se e majta fitoi zgjedhjet në gjithë vendin dhe Fatmir Haklaj me propozim të degës lokale e PS-së dhe me firmën e ish-ministrit të Rendit Neritan Ceka mori detyrën e shefit të komisariatit.

Protesta

Më 17 shtator 1997 deputeti demokrat Azem Hajdari u plagos në parlament nga deputeti socialist i rrethit të Hasit, Gafurr Mazrreku. Një ditë më pas, më 18 shtator 1997, dega lokale e PD-së në Bajram Curri organizoi një protestë për të denoncuar plagosjen e deputetit të Tropojës. Organizatorët e protestës paraqiten në polici dhe i kërkojnë leje shefit të komisariatit Fatmir Haklaj. Ai u jep leje për zhvillimin e mitingut por kërkon që të mbahet në kompleksin e lojërave me dorë në qëndër të qytetit. Mbështetësit e shumtë të PD-së fillimisht grumbullohen në kompleksin e lojërave me dorë. Por më pas protesta vazhdoi nëpër rrugët e qytetit. Fatmir Haklaj i njoftuar për rrjedhën që mori protesta vendos të përballet personalisht me drejtuesit e saj. Ai u del përballë protestuesve në shëtitoren e Bajram Currit. Haklaj debaton ashpër me disa nga organizatorët, madje qëllon me grusht njërin prej tyre. Nga ky moment protesta shpërndahet, por Fatmir Haklajt nuk do tia falnin kurrë atë që bëri. Ai do të qëndronte dhe për katër muaj të tjerë në detyrën e shefit të komisariatit. Gjatë kësaj kohe vendosi rregull dhe rend në Tropojë, diku me fjalë e diku me forcë. Bandat e grabitësve që kishin pushtuar rrugët dhe bënin kërdinë, preferonin më mirë të mos përballeshin me të, sepse më shumë se sa arrestimit dhe burgut, i druheshin ndëshkimit hakmarrës të tij. Nga një person në arrati për të ndihmuar vëllezërit që kërkoheshin nga policia, Fatmir Haklaj u kthye brenda disa muajsh në një sherif alla far ëest, që më tepër se zbatimin e ligjit të brishtë, parapëlqente ndëshkimin tradicional të malësisë ku ishte rritur. Për Pesë muaj me radhë në Tropojë, nuk ndodhi asnjë vrasje edhe pse ishte viti 1997 dhe armët ishin në duart e gjithkujt. Personat problematikë preferonin më mirë të largoheshin ose të rrinin urtë, sesa të përballeshin me dorën e hekurt të Fatmir Haklajt, që i veshur dhe me uniformën e shtetit ishte bërë njeriu më i pushtetshëm në veri të vendit.

“Dosja Tropoja”, dëshmitari kyç, 9 vjet jashtë vendit

Një polic i komisar iatit të Bajram Currit që i shpëtoi atentatit të 5 janarit 1998 ku mbetën të vrarë Shkëlqim Haklaj dhe Artur Demirit, është dëshmitari kyç që mund të zbardh si nisi tragjedia që përgjaku për vitet në vazhdim Tropojën. Avdi Buçpapa nuk është marrë kurrë në pyetje nga organet ligjzbatuese në lidhje me këtë ngjarje. Ai u largua menjëherë pas krimit nga Shqipëria për ti shpëtuar rrezikut serioz që i kanosej. Në pjesën e dytë të shkëputur nga emisioni i TV Neës “Xhungël”, jepet zanafilla e përgjakjes së Tropojës. Si nisi konflikti që shkaktoi mbi 150 të vrarë? Pse Fatmir Haklaj vendosi të hakmerrej ndaj autorëve të vrasjes së vëllait dhe kunatit? Por mënyra sesi shefi i komisariatit të Tropojës, Fatmir Haklaj zgjodhi për të vënë në vend drejtësinë sipas kokës së tij, shkaktoi një reaksion të madh, deri dhe nisjen e protestave nga opozita e djathtë në rrugët e kryeqytetit. I tërbuar nga vrasja e dy njerëzve të tij më të afërt, Fatmir Haklajt, i errësohet gjykimi. Ai nuk bën më selektim të viktimave të tij, duke qëlluar këdo që i dilte përpara, mjafton që të ishte i afërt me autorët e pritës së Qafë Luzhës apo i njohur i tyre. Për Haklajn nuk kishte shumë rëndësi fakti nëse viktimat e tij ishin imnplikuar apo jo në ngjarje. Mjaftonte vetëm lidhja dhe njohja e tyre me autorët e pritës së 5 janarit 1998. Më poshtë “GSH” vijon me fakte dhe dëshmi në lidhje me vrasjet e njëpasnjëshme të fillimjanarit ’98.

Prita “Asaj që Fatmir Haklaj i trëmbej, ndodhi pikërisht në momentin kur ai mendonte se kishte vënë gjithçka në vijë. Tre ditë pas vitit të ri 1998, vëllai i tij Shkëlqimi u emërua polic në doganën e Qafë Prushit në rrethin e Hasit. Pasditen e 5 janarit, Shkëlqim Haklaj dhe kunati i Fatmirit, Artur Demiri ktheheshin nga Hasi me një fuoristradë Nissan Terrano ngjyrë blu. Sapo ata mbërritën në Qafën e Luzhës u qëlluan me breshëri armësh automatike. Autorët e pritës, përbënin një komando të paisur mirë më armë automatike dhe mitrolozë të rëndë. Të informuar për lëvizjen e Shkëlqim Haklajt, ata ishin pozicionuar në pritë duke mbajtur nën vëzhgim për orë të tëra rrugën që të ngjit nga fshati Pac drejt Qafë Luzhës. Zjarri i tyre gati rezultoi njëqind përqind i saktë sikur Shkëlqim Haklaj të mos u kishte mbijetuar breshërive të para dhe të shkëmbente zjarr me një pistoletë që kishte me vete, duke i dhënë kohë një personi të tretë që ndodhej në makinë të shpëtonte i gjallë. Avdi Buçpapa u largua drejt një pylli që të nxjerr në fshatin Vlad. I mbijetuar, pa asnjë gërvishtje nga prita, një polic i komisariatit të Bajram Currit, do të shpejtonte sa i hanin këmbët për të mbërritur i gjallë në fshatin më të afërt ku kërkoi ndihmë. Polici i tmerruar kërkoi të sajonin një vig për të transportuar të vdekurit drejt Tropojës. Trupat e dy të vdekurve u transportuan drejt morgut të qytetit me autobuzin e linjës Krumë-Bajram Curri, i vetmi mjet që kaloi pas atentatit në atë aks rrugor.

Dëshmitari Fatmir Haklaj kur mësoi se viktimat e pritës ishin vëllai dhe kunati i tij, u betua se hakmarrja për vrasjen e tyre do të ishte e padëgjuar ndonjëherë. Ai kontaktoi po atë natë me dëshmitarin e vetëm të mbijetuar nga atentati dhe mësoi prej tij se kush kishte qenë pjesë e komandos që organizoi pritën. Ky dëshmitar okular, duke qenë banor i Tropojës identifikoi pjesën më të madhe të autorëve të pritës

Aishja:Shkëlqimi u godit nga afër, me një plumb në kokë

Shkëlqimi, pasi ishte qëlluar me 7 plumba në trup, kishtë marrë dhe një plumb tejshpues në kokë, i cili kishte kaluar nga njëra anë e ballit në anën tjetër. Pikërisht ky fakt e irritoi pamasë Fatmirin, aq sa ai humbi gjykimin dhe ndodhen ato që ndodhen”, tregon motra e madhe e Haklajve, Aishja për vrasjen e Shkëlqimit më 5 janar 1998. Aishe Basha, ish-drejtoreshë e shkollës së Bujanit, kujton ende trupin e të vëllait pas ngjarjes së Qafë Luzhës. Ajo rrëfen për “Gazetën Shqiptare”, si ndodhi ngjarja e 5 janarit 1998? Si shpëtoi polici Avdi Buçpapa, dëshmitari i vetëm okular i kësaj prite nga plumbat e vrasësve, dhe çfarë i tha ai Fatmir Haklajt pas ngjarjes?

Si ndodhi ngjarja e 5 janarit 1998 në Qafën e Luzhës? Vëllai im Shkëlqimi sapo ishte emëruar polic në doganën e Qafë Prushit në Has. Pasditen e 5 janarit, rreth orës 16.20 ai po kthehej në shtëpi me një fuoristradë Nissan Terrano. Bashkë me të ishte dhe kunati i Fatmirit, Artur Demiri dhe polici i komisariatit të Tropojës, Avdi Buçpapa. Sapo makina i është afruar lapidarit në Qafë Luzhë është qëlluar pa paralajmërim me breshëri automatikësh dhe mitrolozësh. Autorët e pritës ishin të pozicionuar në një transhe mbi rrugë dhe kanë hapur zjarr nga një distancë shumë e afërt.

Çfarë ndodhi më pas? Arturi mbeti i vdekur në vend. Ndërsa Shkëlqimi edhe pse kishte marrë shtatë plumba në trup, arriti të dilte nga makina dhe të hapte zjarr me një pistoletë që kishte me vete. Ky veprim i dha mundësi policit Avdi Buçpapa të përfitonte dhe të futej në pyll duke vrapuar drejt fshatit Vlad. Sipas dëshmisë së Avdiut, ai dëgjoi Shkëlqimin të shkëmbente fjalë me autorët e pritës. Avdiu kërkoi ndihmë në Vlad për të transportuar drejt Bajram Currit, trupat e Shkëlqimit dhe Arturit. Pistoleta e Shkëlqimit u gjet me dy fishekë në karikator, ndërsa 5 të tjerë ai i kishte qëlluar drejt autorëve të pritës. Kufomat e tyre i sollën në spitalin e Bajram Currit në mbrëmje me autobuzin e linjës Has-Tropojë.

A kontaktuat ju me të mbijetuarin e pritës dhe çfarë u tha si? Me sa di unë, me Avdiun kontaktoi po atë mbrëmje, Fatmiri. Se çfarë i ka thënë për autorët, këto i ka marrë me vete Fatmiri. Por Avdiu duke qenë tropojan i ka identifikuar pjesën më të madhe të autorëve të pritës, pasi ata nuk kishin maska. Veprimi që e irritoi pamasë Fatmirin, ishte fakti që Shkëlqimi ishte qëlluar me një plumb tejshpues në kokë, nga njëra anë e ballit në anën tjetër, nga një distancë shumë e afërt. Autorët e kësaj ngjarje nuk janë zbuluar kurrë edhe pse ka një dëshmitar okular (Avdi Buçpapa) dhe ne si familje kemi dorëzuar në prokurori provat dhe dyshimet tona.

Hamdi Haklaj, i mbijetuari që u shpëtoi atentateve

Pas ngjarjeve tragjike në vitet 1998-2000, Hamdi Haklaj u etiketua nga media me nofkën “Padrino”. Kjo jo vetëm për shkak se ishte djali i madh i familjes, fakt ky që i jepte atributet e liderit mbi të tjerët, por sepse u shpëtoi të gjitha atentateve, duke përfshirë këtu deri dhe ato me mina të telekomanduara apo me snajperë në distancë. Hamdi Haklaj, më i madhi nga pesë djemtë e familjes Haklaj lindi në vitin 1950 në Kërnajë. Është baba i gjashtë fëmijëve, tre djem e tre vajza. Hamdiu kreu studimet e larta në fakultetin e Veterinarisë në Kamëz. Pas përfundimit të shkollës, ai u kthye në Tropojë dhe fillimisht punoi si veteriner. Më pas për më shumë se një dekadë Hamdiu ishte kryetari i kooperativës së Margegajt detyrë në të cilën qëndroi deri në vitin 1990. Ai sëbashku me të vëllain Shkëlqimin ishin ndër mbështetësit e parë të PD-së në Tropojë. Por besimi i tij ndaj të sapoardhurve në pushtet u thyhe në vitin 1992, kur sëbashku me të vëllain Halilin, qëndruan për 6 muaj në burg me akuzën e një vrasjeje me mjete të forta në Tropojë. Hamdiu u lirua nga burgu për mungesë provash duke rezultuar i pafajshëm për krimin e vrasjes. Për herë të fundit Hamdi Haklaj u pa të shëtiste lirisht në Tropojë në fillimgushtin e vitit 1993. Prej këtij momenti, Hamdiu qëndroi në ilegalitet, për më shumë se një dekadë e gjysëm duke u shfaqur shumë rrallë në vendlindjen e tij. Ai emigroi në Gjermani ku qëndroi për pesë vjetë me radhë, deri në 5 janarin e 1998, kur vëllai i tij Shkëlqimi u ekzekutua pas një prite në Qafën e Luzhës

Vrasja mister e shefit të logjistikës së UÇK-së

Një pritë e organizuar nga një grup personash të armatosur, I kushtoi jetën shefit të logjistikës së UÇK-së Ilir Konushevci dhe mjekut tropojan Hazir Mala. Ilir Konushevci, i njohur me pseudonimin “Mërgimi” ishte furnitori kryesor i guerrilasve në Kosovë. Konushevci ishte lidhja më e fortë e Haklajve për kalimin e arsenalit luftarak matanë kufirit. Vrasja e tij më 9 maj 1998, pranë fshatit të vogël Miliskajë, në aksin rrugor Qafë Mali-Bajram Curri ka mbetur ende një mister.

Prita Mbrëmjen e 8 majit 1998 Ilir Konushevci, miku i tij, mjeku tropojan Hazir Mala dhe një pjestar i UÇK-së që shërbente si shofer, ishin nisur me një kamion me armë në drejtim të Bajram Currit. Për të shmangur ekspozimin dhe kontrollet e policisë ata janë nisur sapo ka rënë nata dhe zgjodhën rrugën e vështirë të Qafë Malit. Rreth orës 02.00 pas mesnate, kamioni ka ndeshur në një pengesë që u kishte bllokuar rrugën sapo kalon fshatin Miliskajë. Një grup personash të armatosur ka qëlluar drejt kamionit, nga një shkëmb i thepisur anës rrugës, duke plagosur shoferin e kamionit dhe kosovarin Ilir Konushevci. Si rezultat i zjarrit të hapur nga Konushevci është plagosur rëndë dhe më pas ka gjetur vdekjen një nga autorët e pritës, i cili më pas rezultoi se ishte ishte nga Tropoja. Shoferi i kamionit është tërhequr duke hapur zjarr në një pozicion më të sigurt dhe ka mundur ti mbijetojë pritës. Ndërsa mjeku 60-vjeçar Hazir Mala ka hedhur mbi shpinë Konushevcin e plagosur dhe është nisur drejt fshatit më të afërt për të kërkuar ndihmë. Mala ka ecur për më shumë se një orë me Konushevcin e plagosur mbi shpinë, deri sa ka ndeshur serish në autorët e pritës. Këtë radhë sulmi ndaj tyre ka qenë vdekjeprurës dhe trupat u janë bërë shoshë nga plumbat.

Ndëshkimi Vrasësit janë munduar të fshehin gjurmët, duke i hedhur trupat e masakruar të dy dëshmorëve të UÇK-së poshtë një ure, dhe më pas i mbuluan me gurë. Fatmir Haklaj është njoftuar për vrasjen dhe ka shkuar në vendngjarje. Të vrarë ishin miku i familjes Ilir Konushevci, dhe mjeku Hazir Mala, babai i shoferit të tij, Arjan Mala. Kur merr vesh se në Bajram Curri po atë natë ka patur një tjetër të vrarë(Agim Demiri), atëherë Fatmir Haklaj bën lidhjen mes viktimës dhe pritës së Miliskajës. Përpjekjet e familjes së viktimës për të justifikuar vdekjen e të afërmit të saj qenë të kota. Për Fatmir Haklajn nuk kishte më dyshim se Demiri kishte qenë autor i pritës së Miliskajës, dhe për këtë shkak u hakmorr aty për aty, duke i vrarë dhe të vëllain, Bislim Demirin shofer taksie në qytetin e Bajram Currit. Vrasja e dy dëshmorëve të UÇK-së, Konushevcit dhe Malës, vazhdon të jetë ende e pazbuluar nga organet e drejtësisë. Kush ishte vënë në dijeni për lëvizjen e kamionit me armë drejt Tropojës atë natë? Kë kishte takuar “Mërgimi” në kryeqytet përpara se të nisej drejt Bajram Currit? Dyshimet ishin për një pritë të paguar nga shërbimi sërb UDB, ose nga vrasës të grupeve rivale që merreshin me trafikun e armëve drejt Kosovës?! Edhe pas 9 vitesh ngjarja e Miliskajës mbetet e mbuluar me mistër, ndërsa fotoja e Konushevcit u bashkua me fotot e të vrarëve në muret e kullës së Haklajve.

Takimi sekret i Feriz Kërnajës me Gjinushin

Në mesin e korrikut 1998, ndodh një tjetër ngjarje që i nxjerrë serish në skenë Haklajt. Policia e Gramshit arreston në një postbllok në hyrje të qytetit, Halil Haklajn dhe Isamedin Haxhinë. Në automjetin që ata udhëtonin u kap dhe një sasi armësh që sapo e kishin blerë për ta çuar në Kosovë. Ortakëria e tyre krijoi kuriozitet të madh, pasi Halil Haklaj ndodhej sëbashku me vëllain e Izet Haxhisë, truprojës së ish-presidentit Berisha. Në pamje të parë dukej e habitshme një kombinim Haklaj-Haxhia pasi ishin të qarta pozicionimet politike të tyre, pro dhe kundër Berishës. Por, Halil Haklaj kishte punuar për një kohë të gjatë me Ismet Haxhinë në minierën e Kamit dhe banesat e tyre në Kërnajë e Babinë nuk ndodheshin më larg se 30 minuta nga njëra-tjetra. Fatmir Haklaj u alarmua për arrestimin e të vëllait dhe kërkoi lirimin e tij nga gjykata. Dështimi për ta liruar dhe në Gjykatën e Apelit e acaroi sëtepërmi. Në këto kushte vendosi të reagojë duke demonstruar forcën. Haklaj kërcënoi të gjithë përfaqësuesit e lartë të administratës shtetërore në Tropojë, madje policia deklaroi se ai mori peng dhe të dërguarin e qeverisë në veri të vendit Taulant Dedja. Nëse nuk lirohej i vëllai nga burgu, ai do të ndërmerrte veprime më të ashpra.

Takimi Si rezultat i kësaj situate të acaruar, në fundgushtin e vitit 1998 në Tropojë, të vetmit zyrtarë të lartë, ishin i plotëfuqishmi i qeverisë(që më tepër qëndronte si peng sesa si përfaqësues i qeverisë) dhe përfaqësuesi i OSBE-së për Bajram Currin, Billi Vogst(një ish-kolonel i forcave speciale britanike SAS). Për të negocuar me Haklajn autoritetet shtetërore shfrytëzuan një vizitë të një grupi deputetësh në Tropojë. Mesditën e 22 gushtit 1998 në Bajram Curri mbërritën Kryetari i Kuvendit Skënder Gjinushi, zv/kryeministri Kastriot Islami, Nënkryetari i Kuvendit Namik Dokle, kryetari i komisionit të jashtëm të Kuvendit, Sabri Godo, si dhe deputetët socialistë Ismail Togu e Bardhyl Agasi. Në orët e pasdites, përfaqësuesit më të lartë të shtetit, të cilëve u mungonte vetëm presidenti Meidani dhe Kryeministri Nano patën një takim në hotel-turizmin e qytetit me një përfaqësus të Fatmir Haklajt. Takimi u zhvillua në zyrën e OSBE-së, në katin e dytë të hotelit. Në të nuk ishte i pranishëm deputeti Godo, që preferoi të priste në hollin e hotelit.

Mesazhi Fatmir Haklaj nuk pranoi të shkonte vet në takim pasi ndihej i fyer, jo vetëm se ia kishin arrestuar të vëllain që po u çonte armë ushtarëve të UÇK-së, por sepse nuk po e lironin nga burgu edhe pse kishte kaluar më shumë se një muaj. Ai dërgoi në takim Feriz Kërnajën, që kishte qëndruar për një kohë të gjatë në burg me liderin socialist Fatos Nano, i cili në atë kohë ishte në detyrën e kryeministrit të vendit. Kërnaja kishte vetëm 20 ditë që kishte marrë pafajësi nga Gjykata e Tropojës për vrasjen e Isuf Halucës në tragetin e linjës Fierzë-Koman në vitin 1993. Ferizi ua bëri të qartë mesazhin e Fatmir Haklajt përfaqësuesve të lartë të shtetit. Nëse Halil Haklaj nuk lirohej nga burgu, pasojat mund të ishin të mëdha. Se çfarë premtimi i bën përfaqësuesit e shtetit Kërnajës, kjo nuk është bërë publike, por është fakt se dy javë më pas, Halil Haklaj dhe Isamedin Haxhia u lanë të lirë me “ndërhyrje nga lart” pasi, kishin qëndruar për 50 ditë në burgun e Gramshit.

Hajdari u paralajmërua të mos shkonte në Tropojë

Përpara se të vritej më 12 shtator 1998, Azem Hajdari i shpëtoi një tjetër atentati të organizuar nga Haklajt më 4 qershor të po atij viti. Fatmir Haklaj dyshonte se Hajdari dhe njerëzit e tij ishin implikuar në vrasjen e vëllait dhe kunatit në Qafën e Luzhës. Paralajmërimet e bëra nga ish-ministri i Rendit Publik Perikli Teta dhe nga ish-shefi i SHIK-ut Fatos Klosi, nuk ia ndryshuan mëndjen Azem Hajdarit për të mos shkuar në vendlindjen e tij pavarsisht rrezikut që i kanosej. “Gazeta Shqiptare” boton sot të plotë vazhdimin e historisë tragjike të “Dosjes Tropoja”, të transmetuar në pjesën e dytë të emisionit investigativ “Xhungël” në NEËS 24. Si u grabitën 480 milionë lekë të vjetra nga Dega e Bankës së Kursimeve në Tropojë? Pse Fatmir Haklaj vendosi të qëllonte me top alpin banesën e personave të dyshuar se i kishin vrarë vëllain më 5 janar 1998? Si u katapultua 21 vjeçari Jaho Mulosmani në krye të policisë së Tropojës?

Banka Pa u shuar ende jehona e 6 vrasjeve të njëpasnjëshme që ndodhën në ditët e para të janarit 1998, një tjetër ngjarje e tronditi Tropojën. Mesnatën e 12 janarit duke u zbardhur data 13 janar, një grup personash të armatosur arritën të merrnin peng drejtorin e Bankës së Kursimeve në Bajram Curri dhe dy policët e shërbimit të rojës, duke grabitur një shumë prej 480 milionë lekësh të vjetra. Paratë nuk kishin mbushur ende 24 orë nga momentin që u transportuan në Bajram Curri. Policia e Tropojës nuk arriti të bënte as reagimin më të vogël edhe pse grabitja ndodhi jo më larg se 200-300 metra në vijë ajrore nga godina e komisariatit. Fatmir Haklaj ishte larguar nga detyra e shefit të policisë së Tropojës vetëm 4 ditë më parë, dhe policia lokale ende nuk e kishte marrë veten nga ngjarjet e fundit. Grabitja e Degës së Bankës së Kursimeve në Bajram Curri u shoqërua me zhurmë të madhe nga media. Opozita në Tiranë reagoi dhe një herë tjetër duke akuzuar për këtë ngjarje të njëjtin grup personash, që sipas saj drejtohej nga Haklaj. Kjo ngjarje vazhdon të jetë ende e pazbardhur, edhe pse ka patur një proces gjyqësor, në të cilin u dënuan ata që duhet ta ruanin dhe jo ata që e grabitën.

Hakmarrja Vrasja e Shkëlqim Haklajt ktheu pranë familjes pas shumë vitesh të gjithë djemtë e saj. Hamdi Haklaj u kthye nga Gjermania, ku kishte emigruar qysh pas ngjarjes në Malin e Shkëlzenit, ndërsa Halil Haklaj nga Belgjika. Fatmir Haklajn nuk e zinte vëndi pa u hakmarrë për vrasjen e të vëllait. Pa humbur kohë ai përzgjodhi personat ndaj të cilëve dyshonte se ishin implikuar në pritën e Qafë Luzhës. Për tiu afruar Haklaj e kishte shumë të vështirë, pasi ata qëndronin të bashkuar e mund të pësonte dhe vet dëme në njerëz. Në këto kushte, për të asgjesuar kundërshtarët dhe minimizuar në maksimum dëmet e veta, ai vendosi të ndërmerrte një aksion të padëgjuar deri në atë kohë. Sipas të dhënave të siguruara nga policia e Tropojës në kohën kur ajo drejtohej nga “Dëshmori i Atdheut” Kolonel Gani Malushi, Fatmir Haklaj në pamundësi për tiu afruar një baze ku ai mendonte se qëndronin të grumbulluar personat që morën pjesë në vrasjen e vëllait dhe kunatit, vendosi ti godasë ata me artileri. Ai përdori topa të lëvizshëm që transportoheshin lehtë, të tipit alpin. Banesa ku qëndronin kundërshtarët e tij u godit disa herë me predha topi, por për fat të mirë nuk pati viktima në njerëz. Sulmi rezultoi i pasuksesshëm, pasi qitësit nuk guxuan ti afroheshin shumë objektivit, për shkak se mund të goditeshin me breshëri mitrolozësh gjatë tërheqjes. Kjo ngjarje është e skeduar dhe ende e pa zbuluar në arshivën e policisë së Tropojës.

Mulosmani Fakti që ishte person në kërkim për vrasjen e Shaqir Hoxhës nuk e shqetësonte shumë Fatmir Haklajn. Ai ishte i bindur se prokuroria e Mirditës, e ngarkuar për të hetuar këtë çështje, nuk do të guxonte ti hapte telashe. Ndërsa dëshmitarët okularë të ngjarjes, preferonin më mirë ta qepnin gojën, se të luanin me zjarrin që mund tu kushtonte jetën. Pavarsisht se Fatmir Haklaj mbetej njeriu më i fuqishëm në veri të vendit, ai kishte nevojë për njerëzit e tij në polici. Ai donte jo vetëm të ishte informuar për lëvizjet e shtetit, por kërkonte të kontrollonte dhe veprimet e policisë në territorin e tij. Me mbështetjen e padiskutueshme të Haklajt dhe të disa personave të rëndësishëm që përfaqësonin administratën shtetërore në Tropojë (mes tyre dhe i dërguari i qeverisë Taulant Dedja), 21-vjeçari Jaho Mulosmani u vendos në detyrën e shefit të rendit në komisariatin e Bajram Currit. Emërimi i tij bëri bujë, jo vetëm për moshën mjaft të re, por dhe për faktin se Jaho Mulosmani shumë shpejt u kthye në një personazh protagonist në atë që sot quhet “Dosja Tropoja”. Pavarsisht se nuk plotësonte asnjë kriter për të mbajtur një detyrë kaq të rëndësishme, për më tepër në prag të krizës së Kosovës, Jaho rridhte nga një familje shumë e njohur në Malësinë e Gjakovës. Mulosmanët kanë qenë vazhdimisht Bajraktarët e Krasniqes, bajrakut më të madh ndër katër bajraqet që përfshihen në rrethin e Tropojës. Në kullën e gurtë të Mulosmanëve, u zhvillua konferenca e famshme e Bujanit nga data 31 dhjetor 1943 deri më 2 janar 1944. Mulosmanët kishin qenë flamurtarët e Krasniqes në çdo qëndresë të armatosur ndaj invazioneve turke apo sërbosllave në veri të vendit. Vetëm gjatë luftës së dytë botërore katër komandant batalionesh të forcave partizane ishin prej Mulosmanëve. Shefi i ri i policisë së rendit në Tropojë, Jaho Mulosmani mbante emrin e njërit prej tyre, Jaho Salih Mulosmanit, i vrarë në fundin e shkurtit 1944, gjatë një beteje me trupat naziste gjermane.

Paralajmërimi Për të përkrahur dhe ndihmuar sadopak materialisht refugjatët e parë të ardhur nga Kosova, më 4 qershor 1998, drejt Tropojës u nis një grup deputetësh dhe përfaqësuesish të lartë të Partisë Demokratike. Mes tyre ishin dhe Azem Hajdari, Pjetër Arbnori dhe Jozefina Topalli. Përpara se grupi i deputetëve të PD-së të nisej drejt Tropojës, shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar Fatos Klosi dhe ministri i brendshëm, i ndjeri Perikli Teta, do ta paralajmëëronin Azem Hajdarin, që ai të mos udhëtonte drejt vendlindjes së tij. Nëpërmjet informatorëve në terren, SHIK-u ishte informuar për rrezikun serioz që i kanosej deputetit demokrat Hajdari, nëse udhëtonte drejt Tropojës. Të njëjtin informacion kishte dhe Ministria e Brendëshme. Ish-ministri Teta e njoftoi Hajdarin se policia nuk kishte mundësi ti garantonte jetën nëse shkonte në Bajram Curri. Në këto kushte Teta i kërkoi Hajdarit që të mos e kryente një udhëtim të tillë. Por deputeti i PD-së, lideri i dhjetorit ’90, Azem Hajdari, e refuzoi në mënyrë kategorike paralajmërimin e ministrit të brendshëm, Teta. “Askush nuk mund të më ndalojë të shkojë në vendlindjen time”, ishte përgjigja e Hajdarit. Fatmir Haklaj kishte dyshime për implikimin e Hajdarit në dy ngjarje. E para ishte vrasja e djalit të xhaxhait, ndihmësgjyqtarit Sokol Haklaj, dhe ish-truprojës së Azemit, Ibrahim Rustemi në urën e Milotit. Ndërsa ngjarja e dytë ishte vrasja e të vëllait Shkëlqimit dhe kunatit, Artur Demiri në Qafën e Luzhës. Për këtë shkak Haklaj e kishte fiksuar në objektivin e tij deputetin e PD-së.

Atentati Ajo që ishte paralajmëruar, në të vërtetë ndodhi në mbrëmjen e 4 qershorit. Pasi kishin kryer vizitat dhe takimet e rastit në qëndrat e strehimit të refugjatëve, deputetët e PD-së po shpërndaheshin në bazat ku do të kalonin natën në Bajram Curri. Përveç truprojave që i kishin shoqëruar deputetët e PD-së nga Tirana, për sigurinë e tyre duhej të kujdesej në mënyrë të veçantë dhe policia e rendit në Tropojë, shef i së cilës ishte Jaho Mulosmani. Ai e përmbushi detyrën në shoqërimin e Arbnorit dhe Topallit, por për Hajdarin nuk mori përsipër asgjë. Përkundrazi e la atë të ekspozuar ndaj çdo rreziku që mund ti kanosej. Në momentin që Azem Hajdari dhe shoqëruesit e tij, po shkonin në një banesë ku do të kalonin natën, u ndodhën nën breshëritë e armëve. Si rezultat i zjarrit të hapur nga disa persona, u godit fuoristrada ku udhëtonte deputeti Hajdari, por për fat të mirë ky i fundit shpëtoi pa dëmtime. I vetmi i plagosur nga ky incident ishte gazetari i Televizionit Shqiptar Bardhyl Pollo. Duke ndjerë rrezikun që i kanosej, Hajdari e kaloi natën në banesën e një mbështetësi të PD-së në Tropojë, që njëkohësisht kishte dhe lidhje farefisnie me Haklajt. Pikërisht me këtë fakt e justifikoi më pas Fatmir Haklaj, pamundësinë për të mësyrë në banesën ku u strehua Hajdari. Deputeti i PD-së i kishte mbijetuar pritës, por mesazhi për të ishte mjaft i qartë, sepse plumbat e kallashnikovëve kishin depërtuar brenda fuoristradës së tij. Menjëherë sapo u kthye në Tiranë Hajdari, akuzoi për autorësinë e kësaj ngjarje përfaqësuesit e shtetit në Tropojë dhe në veçanti vëllezërit Haklaj. Ministria e Brendëshme dhe SHIK-u deklaruan se e kishin njoftuar deputetin demokrat për atë që mund ti ndodhte, por ai s’ua kishte vënë veshin. Pavarsisht asaj që ndodhi dhe zhurmës së madhe të bërë në Tiranë, Fatmir Haklajt nuk i hyri gjemb në këmbë. Ai vazhdoi qetësisht aktivitetin e tij i sigurt se askush nuk do të guxonte ta drejtonte gishtin drejt tij.

Fatmiri: Azemin e vrava për të marrë hakun e vëllaitDeputeti demokrat Azem Hajdari ishte përplasur disa herë brenda harkut kohor të një viti me vëllezërit Haklaj. Përballja e parë kishte ndodhur qysh në momentin që ai ishte prezantuar si kandidat PD-së për deputet në Tropojë në qershor 1997-ës. Fatmir Haklaj e kishte futur Azemin në listën e personave të cilët dyshonte se qëndronin pas vrasësve të Qafë Luzhës. Deklarimet publike të Azem Hajdarit dhe disa fjalime të ashpra tij në parlament ku akuzonte direkt me emër Fatmir Haklajn, çuan në ngjarjen e 4 qershorit në Bajram Curri. I paralajmëruar dhe nga strukturat shtetërore për rrezikun që i kanosej nga Fatmir Haklaj, Azem Hajdari vendosi ti paraprijë të keqes. I bindur tashmë se Fatmir Haklaj ishte një kërcënim që nuk duhej nënvlerësuar, Hajdari preferoi të takonte plakun e Haklajve për të sqaruar pozicionin e tij.

Takimi Paraditen e 2 shtatorit 1998, Muharrem Haklaj kishte ardhur në Tiranë për punët e veta. Azem Hajdari ndodhej në zyrë, kur u njoftua nga një bashkëpunëtor i tij, se Muharrem Haklajn e kishin parë pranë godinës së PD-së. Ai vendosi të shfrytëzonte këtë rast për ta takuar plakun e Haklajve. Një i njohur i Azemit, ish-shefi i SHIK-ut në Tropojë gjatë qeverisjes së PD-së, u dërgua prej tij për ta ftuar plakun e Haklajve ta takonte në godinën e Partisë Demokratike. Muharrem Haklaj nuk e refuzoi ftesën, përkundrazi u ngjit në zyrën e Azemit, në katin e dytë të godinës së PD-së. Takimi u zhvillua kokë për kokë pa prezencën e askujt tjetër. Por, ngjitja e plakut të Haklajve në zyrat e PD-së, nga ku djemtë e tij ishin akuzuar për shumë ngjarje të rënda krijoi padyshim një habi dhe kureshtje të madhe. Biseda mbeti e panjohur deri në vitin 2000, kur Muharrem Haklaj e bëri publike për median. Sipas plakut të Haklajve, Azemi e kishte sqaruar në lidhje me vrasjen e djalit, Shkëlqimit në Qafën e Luzhës. “Unë nuk kam gisht në vrasjen e djalit tënd. Ai është vrarë prej këtu”, i ka thënë deputeti Hajdari, Muharrem Haklajt. Në një intervistë të mëvonshme në media, Haklaj tha se, i kishte dhënë Azemit 10 ditë kohë për të biseduar me djemtë dhe më pas do ti kthente një përgjigje. Në të vërtetë 10 ditë pas këtij takimi, më 12 shtator, Fatmir Haklaj zbarkoi në Tiranë për ti kthyer përgjigje Azem Hajdarit.

Haklaj Sipas hetimeve të kryera nga një grup special prokurorësh disa vite më pas, rezultoi se Haklaj kishte zbritur nga Tropoja duke zbardhur 11 shtatori, nëpërmjet aksit rrugor të Qafë Malit. Për tiu shmangur goditjes nga kundërshtarët ai preferonte të udhëtonte në orët e vona, i shoqëruar nga disa makina dhe një numër i madh personash të armatosur. Fakti që ishte person në kërkim nuk e kishte penguar që për udhëtimin e fundit të merrte me vete disa mjete dhe drejtues të komisariatit të Bajram Currit, duke filluar qysh nga shefi i rendit Jaho Mulosmani, shefi i qarkullimit Ismet Haxhia, disa efektivë të policisë dhe furgonin tip Iveko të grupeve të gatëshme. Para së të hynte në Tiranë, Fatmir Haklaj është ndalur në Nikël për të marrë në eskortën e vet dhe një tjetër personazh, Naim Çangun. Gjatë qëndrimit në kryeqytet, Haklaj u takua dhe me truprojën e ish-presidentit Berisha, Izet Haxhia. Nuk dihet çfarë ka biseduar, por sipas hetimit të prokurorisë, ai shfrytëzoi pikërisht këtë njohje për të nxjerrë nga godina e PD-së Azem Hajdarin.

Hajdari Më 12 shtator, Azem Hajdari ndodhej në një takim të PD-së në qytetin e Fierit. Por atë e kërkuan me insistim në kryeqytet. Dëshmitarë okularë pohojnë se atë ditë Hajdari pati disa telefonata në celularin e tij me persona të rëndësishëm të opozitës, të cilët i kërkonin të kthehej me urgjencë në kryeqytet. Në mesditë, ai zhvilloi një takim në Lushnje dhe pas një ndalese në Shijak, mbrëmja e zuri në Tiranë. Fatmir Haklaj ka pritur mbrëmjen për tiu afruar pa probleme selisë së PD-së. Në vendimin përfundimtar të gjykatës për ngjarjen që njihet si “Vrasja e Shekullit”, thuhet se Haklaj kishte përgatitur një atentat me pjesmarrjen e shumë personave dhe një numri të madh mjetesh. Në të vërtetë Haklaj iu afrua godinës së PD-së vetëm me një autoveturë tip Benz Mercedes, me ngjyrë blu të errët dhe targa VL 06 76. Mjeti për tiu shmangur kontrolleve të befasishëm të policisë në kryeqytet mbante sipër një fenelinë identike me ato të mjeteve të Ministrisë së Brendëshme. Bashkë me Haklajn ndodheshin shefi i rendi i Tropojës Jaho Mulosmani dhe 29 vjeçari nga Nikla, Naim Çangu. Pavarsisht dëshmive të shumta apo deklarimeve të ndryshme askush tjetër nuk ka qenë me Haklajn në atë mbrëmje.

Atentati Rreth orës 21.13 Azem Hajdari doli nga selia e PD-së krejt papritur dhe me një shqetësim që e shfaqte haptazi në fytyrë. Dy truprojat e tij, Zenel Neza dhe Besim Cera ishin të ulur në një lokal para godinës së PD-së dhe sapo e kanë parë të dalë i janë bashkuar nga pas pa e ditur se ku po shkonte. Në momentin që ai ka mbërritur aty ku sot ndodhet memoriali përkujtimor, ka shkëmbyer disa fjalë me Fatmir Haklajn, i cili si zakonisht ishte i veshur me uniformë kamoflazhi dhe në duar mbante një Kallashnikov. Përpara se të dëgjoheshin të shtënat e para mes Hajdarit dhe Haklajt ka patur një konfrontim fizik. Jaho Mulosmani është futur mes tyre, por ka qenë tepër vonë. Fatmir Haklaj tashmë e kishte marrë vendimin për të tërhequr këmbëzën e Kallashnikovit. Nga breshëria e Haklajt mbeti i vrarë Azem Hajdari dhe truproja i tij Besim Cera. Truproja tjetër, Zenel Neza, për fat të mirë vetëm u plagos. Në momentin që Haklaj hapi zjarr mbi Azemin, në rrezen e të shtënave të tij ishte dhe Naim Çangu. 29-vjeçari nga Nikla mbylli sytë vetëm pas disa orësh në urgjencën e Qëndrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Pas breshërisë së parë Haklaj nuk humbi kohë, por tërhoqi zvarrë deri në autoveturën e tij Naim Çangun dhe u largua me shpejtësi. Fillimisht Benz-i i tij u nis drejt bulevardit dhe më pas mori drejtimin e Rrugës së Dibrës.

Alibia Një shi rrebesh që nisi menjëherëë pas ngjarjes i krijoi një tjetër avantazh Fatmir Haklajt, duke i dhënë mundësi të largohet qetësisht nga kryeqyteti. Në vendngjarje u gjet dhe një pistoletë me silenciator, e cila nuk kishte kryer qitje. Në vendimin përfundimtar të procesit “Hajdari” deklarohet se në vendngjarje ka patur qitje nga dy armë, një Kallashnikov, me të cilin ka qëlluar Fatmir Haklaj dhe një pistoletë e kalibrit 9 milimetërsh, tip Bereta, me të cilën ka qëlluar Jaho Mulosmani. Haklaj, disa muaj pas ngjarjes, deklaroi se vetëm ai kishte qëlluar mbi Azemin. Askush tjetër nga njerëzit që ndodheshin me të nuk kishte hapur zjarr ndaj deputetit të PD-së. Ai tha se nuk kishte shkuar për ta vrarë Hajdarin, por donte të bisedonte me të për ti dëgjuar me veshët e tij fjalët që deputeti demokrat ia kishte dhënë plakut të Haklajve më 2 shtator. Por në momentin që Haklaj kishte parë Azem Hajdarin të dilte me një pistoletë me silenciator në dorë, ndërroi mëndje dhe vendosi ta qëllonte. Ndërsa vrasjen e Naim Çangut, Haklaj e justifikoi me faktin se krutani i kishte dalë në rrezen e zjarrit. Madje ky fakt sipas Haklajt tregonte që ai dhe njerëzit e tij nuk ishin pozicionuar për ta vrarë Azem Hajdarin, vendim të cilin e kishin marrë aty për aty. Versioni përfundimtar i procesit “Hajdari” ishte i ndryshëm nga ai i Haklajt. Sipas gjykatës edhe Jaho Mulosmani ka qëlluar në drejtim të Azemit dhe truprojave të tij. Por, gjykata nuk sqaroi se e kujt ishte pistoleta me silenciator e gjetur në vendngjarje pas atentatit, duke mos provuar nëse ajo ishte e vrasësve apo e vet deputetit të PD-së, i cili e kishte nuhatur rrezikun që i kanosej.


https://www.youtube.com/watch?v=9sG43WjkJZ8


Dëshmitarët Procesi maratonë i çështjes Hajdari u mbyll pa deklarimet e tre dëshmitarëve shumë të rëndësishëm për zbardhjen e së vërtetës, kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha, ish-truprojës së tij, Izet Haxhia dhe Jaho Mulosmanit. Rrjedha e procesit mund të kishte qenë krejt ndryshe nëse këta tre dëshmitarë do të rrëfeheshin para trupit gjykues. Në vendimin përfundimtar gjykata shpalli si motiv të vrasjes së deputetit Hajdari, hakmarrjen. Sipas saj, Haklaj e kishte vrarë Hajdarin pasi dyshonte se ai ishte implikuar në vrasjen e të vëllait më 5 janar 1998 në Qafën e Luzhës. Ky motiv vazhdon të mbetet i pandryshuar pavarsisht deklaratave të shumta të opozitës dhe liderit të saj Berisha, për një rigjykim të atentatit të 12 shtatorit, që tashmë ka hyrë në histori si “Vrasja e Shekullit”. Jaho Mulosmani u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa Izet Haxhia u dënua me 25 vjet burg në mungesë, si bashkëpunëtor në krim. I vetmi i ndëshkuar shumë më rëndë nga përgjegjësia e vërtetë që kishte në këtë ngjarje është Ismet Haxhia, fajësia e të cilit është vetëm fakti që shoqëroi nga Tropoja në Tiranë dhe pastaj gjatë kthimit, eskortën e Fatmir Haklajt.

Berisha Pas ngjarjes Fatmir Haklaj dhe eskorta e tij e përbërë nga disa mjete të policisë nuk e kishte të vështirë të largohej drejt veriut pa i ndaluar asnjë postblloku në rrugën nacionale. Shefi i opozitës Sali Berisha doli në një konferencë shtypi vetëm pak minuta pas atentatit. Ai akuzoi për autorësinë e krimit struktura shtetërore të qeverisë Nano, dhe direkt me emër shefin e rendit të Tropojës Jaho Salihi. Nuk dihet se për çfarë arsye Berisha vendosi të etiketonte Jahon me mbiemrin Salihi dhe jo me mbiemrin e tij, Mulosmani. Berisha nuk e përmendi fare vrasësin e vërtetë, Fatmir Haklaj dhe nuk do ta bënte një gjë të tillë publikisht asnjëherë deri në momentin që ai u vra një vit më vonë. Pas deklaratës së Berishës, ish-ministri Teta i kërkoi shefit të krimeve në Tropojë, Kastriot Gjongecit që të verifikonte nëse Jaho Mulosmani ndodhej në banesën e tij në Bujan. Një furgon i grupit të gatshëm të policisë së Tropojës shkoi në banesën e Jahos për të kontaktuar me të disa orë pas atentatit. Drejt kullës së Mulosmanëve u nis polici Çel Pozllumi. Në vend të Jahos atij i doli përpara babai i tij, Sali Mulosmani që punonte si shofer në degën e SHIK-ut në Bajram Curri. Ai u tha Pozllumit se Jaho ndodhej në banesë i sëmurë dhe nuk mund të ngrihej nga shtrati, por të nesërmen ai do të ishte në komisariat. Këtë përgjigje Pozllumi ia raportoi shefit të krimeve Gjongecaj, ndërsa ky i fundit e përcolli te ministri Teta. Në orën 7.00 të mëngjesit të 13 shtatorit Jaho u paraqit në detyrë dhe nëpërmjet telefonit të zyrës së OSBE-së u lidh me ministrin Teta. Ndërsa Haklaj, pasi kishte kryer “Vrasjen e Shekullit” ishte kthyer në kullën e tij në Kërnajë, për të ndjekur nga ekrani i televizionit atë që ndodhi në orët në vazhdim.


***




Bashkëshortja e Fatmir Haklajt denoncim në polici: Më kanë kërcënuar me letër dhe fishek, kërkoj ndihmë

Bashkëshortja e Fatmir Haklajt, Anila Haklaj, ka denoncuar sot në Policinë e Tiranës se ka gjetur një letër kërcënuese tek dera e saj, në të cilën kishte edhe një fishek.
38-vjeçarja, Anila Haklaj, ka thënë se brenda letrës ishte një fishek kallashnikovi që është një mesazh i qartë i kërcënimit të saj dhe të familjes.
Haklaj ka deklaruar në polici në datën 10 maj të këtij viti. Po ashtu, në deklaratën e saj Anila Haklaj ka thënë se kërcënimi që i ka ardhur lidhet me emrin e burrit të saj, Fatmir Haklaj, i cili është i akuzuar për vrasjen e deputetit Azem Hajdari.
Gruaja e Haklajt ka kërkuar që të ketë mbrojtje nga policia, pasi sipas saj ky është një kërcënim mjaft serioz. 


 

Xhungel Dosja Tropoja pjesa 1

 

https://www.youtube.com/watch?v=7UzQSvYaU-M

 

 

Xhungel Dosja Tropoja pjesa 2





Xhungel Dosja Tropoja pjesa 3


Xhungel Dosja Tropoja pjesa 4

 

https://www.youtube.com/watch?v=DEkcNWNripY

 

Xhungel Dosja Tropoja pjesa 5



Rrëfimi ekskluziv i Jaho Mulosmanit, i dënuari përjetë për vrasjen e Azem Hajdarit

 

https://www.youtube.com/watch?v=2JsGjw-_ZKQ


I riu nga Kosova rrëfen për luftën në Siri

I riu nga Kosova rrëfen për luftën në Siri
Sot është 27 vjeç, ka të përfunduar shkollën e mesme, është i pamartuar, praktikues i besimit islam dhe gjyshin e kishte pasur hoxhë.
Tash në supe bart edhe luftën në Siri.
Në maj të 2013-s, atëbotë 24 vjeç, vendosi të shkojë të luftojë për forcat opozitare siriane, me të vetmin qëllim – për të rrëzuar regjimin e presidentit sirian, Bashar Al Assad.
Por, përfundoi duke luftuar përkrah grupit të njohur ndërkombëtarisht si terrorist Al-Nusra.
Përmes rrjetit social Facebook thotë të ketë rënë në kontakt me një shqiptar, i cili e ka udhëzuar si të arrijë deri në Siri.
“Kam rënë në kontakt përmes një profili në Facebook më një shqiptar dhe ai më ka thënë se mund të shkoja. Ai thjesht e ka pasur një grup në Facebook, thirrke njerëzit në mënyrë humane për të ndihmuar, qoftë me para ose veshmbathje…”.
“E pyeta a mund të bëj diçka më shumë nëse vij atje, dhe ai më tha se do të ‘bëjmë diçka që t’i të vijsh’ dhe më vonë më lajmëroi se unë mund të shkoja”, shpjegon ky i ri, të cilin për këtë rrëfim po e quajmë me emrin “Arben”.
Emri i tij i vërtetë është i njohur për redaksinë.
“Kur filloi pranvera arabe, dëshiroja t’u ndihmoja njerëzve në Siri. E kam përjetuar luftën si fëmijë në Kosovë dhe ofensivat e tmerrit dhe kam dashur t’ju ndihmojë atyre fëmijëve të vegjël, familjeve, në mënyrë humanitare, së paku kam dashur të jem prezent aty, nëse dikush ka humbur familje ta ndihmoj”, shprehet ai.
Si praktikues i fesë thotë të ketë shkuar në xhami për të kryer ritet fetare, por që nuk ishte i rregullt, pasi që punonte në një “Internet Caffe”dhe nuk kishte kohë të mjaftueshme.
REL: Si keni shkuar deri atje, kush ju ka pritur në kufi?
“Unë jam nisur në maj të vitit 2013, jam nisur vetë prej aeroportit të Prishtinës, biletën e kam blerë në aeroport për në Turqi; kam ateruar në aeroportin e Stambollit, aty ka dalë ai shqiptari me të cilin kam biseduar në Facebook dhe më ka pritur”, thotë “Arbeni”.
Bashkë kalojnë kufirin turko-sirian dhe vendoset në Alepo, te disa qendra ku ishin vendosur, siç thotë, njësitet e Ushtrisë së Lirë Siriane. Kjo ushtri sot njihet si opozitë e moderuar në Siri.
“Në atë kohë nuk ka pasur ISIS [Shtet Islamik], në atë kohë ka qenë vetëm Ushtria e Lirë Siriane, në opozitë nuk ka pasur grupe, ndoshta ka qenë ndonjë grup, por kanë qenë të vogla ose kanë qenë duke u formuar. Në atë rrethinë ku kam qenë unë nuk kam dëgjuar ndonjë gjë të tillë”,
Për Alepon thotë të ketë qenë një vend shumë i mirë, para se të nisnin luftimet e ashpra.
“Ka qenë një villë e madhe, diku 60 veta kemi qenë në një shtëpi, në një dhomë kemi qëndruar deri në 10 veta. Kemi qëndruar të gjithë bashkë, ka pasur sirianë dhe njerëz të vendeve të tjera”.
Në javën e parë më kanë lënë vetëm të pushoj, nuk kam pasur ndonjë aktivitet, mandej kemi filluar të rregullojmë kampet e refugjatëve, shkollat, të bëjmë pastrime”, thotë ai.
“Me pas filluam të përgatitemi me ushtrime çdo mëngjes, jemi përgatitur edhe për ndihma humanitare, edhe përgatitje ushtarake. Ne jemi ushtruar për të shtënë Kallashnjikovë A47;unë kam marrë pjesë në ushtrime, por në luftë nuk më ka ra të shkoj”.
“Ata të tjerët kanë marrë pjesë në luftime. Derisa kam qenë i ri [në përvojë], pra deri në një kohë nuk të lenë të shkosh në front, kanë bërë luftime të ashpra, ka pasur bombardime ose kamikazë nëpër shkolla dhe xhami”, shpjegon “Arbeni”.
Më vonë thotë ta ketë kuptuar krijimin e grupit Al-Nusra, në kuadër të Ushtrisë së Lirë Siriane.
“Ai shqiptari [kontakti për rekrutim] më shpjegoi se nga opozita është ndarë një grup, i cili vinte nga Iraku dhe Afganistani. Filluan konfrontimet mes grupacioneve”, thotë ai.

REL: Çfarë kuptove?

“Në fillim kur shkonin në luftë ata ka qenë bashkë në vijën e parë, pastaj filluan të ndaheshin, disa luftonin më një komandant, gjysma tjetër më një komandat tjetër, dhe u kapshin për plaçkë, ose territore, secili donte me pas territorin e vet”.
“Kanë ardhur muhaxhirët [Al- Nusrah] në atë vend ku kam qenë unë dhe me ngadalë arritën në rrethinë të Alepos. Bënin propagandë te populli dhe thonin se opozita nuk e rrëzon dot Assadin, duhej bërë luftë për Sheriat”.
Ai shpjegon se në këtë periudhë ekzistonin tri grupe, Ushtria e Lirë Siriane e cila thirrej në demokraci, Al-Nusrah që merrej me vjedhje shtëpish dhe territoresh dhe grupi i fundit, Shteti Islamik.
“Kam dëgjuar që mes grupeve kanë marrë gratë e të tjerëve, kur kanë marrë pushtetin apo një zonë ku ka pasur familje me gra, të cilat i kanë pasur burrat në luftë, grupi Al Nusra ua kanë marrë gratë”, thotë “Arbeni”, i cili njëkohësisht shpjegon tmerret e luftës dhe shkatërrimet masive.
“Shumë gjëra filluan të më shqetësonin; dikur filloi një luftë e padrejtë, nuk u kursye më as fëmija i vogël, as gruaja, askush nuk ishe i sigurt të dilte në rrugë”.
“Kur kam shkuar në fillim të gjithë në rrugë na kanë përshëndetur. Por më vonë filluan të na shikonin më një sy tjetër. Ata frikësoheshin nga ne shumë dhe nëse një grua dhe një burrë e ke takuar në një lokal gjithmonë janë frikësuar nga ne”, thotë ai, duke shpjeguar se atëbotë nuk kishte kontaktuar me qytetarë të tjerë nga Kosova.
Ndaj “Arbenit” aktualisht janë duke u zhvilluar procedura gjyqësore në Kosovë.
Thotë të jetë kthyer në Kosovë pasi e ka parë se qëllimi për rrëzimin e regjimit të Assadit nuk po realizohej.
Por, kthimi pas afër 3 muajsh qëndrimi nuk ishte rrugëtim edhe aq i lehtë.
“Vendimi im për t’u kthyer ka arritur deri te gjykatat ushtarake në Siri”, shpjegon ai, duke shtuar se eprorët i kishte gënjyer se prindërit i kishte të sëmurë dhe se duhej të kthehej. Rrugën e kthimit ia kishte mundësuar sërish ai shqiptari, i cili edhe e kishte rekrutuar.
Tani thotë se ka ndërprerë çdo kontakt me “ata”.
REL: A do të shkonit përsëri?
“Jo kurrë, kurrë çka kam përjetuar dhe çka kam dëgjuar kurrë. Jam penduar që kam shkuar në mënyrë jo të menduar mirë, dhe vetëm nga videot që kam parë në rrjetet sociale. Prej që jam kthyer nuk dëgjoj më asgjë për atë Siri. Ato video që i qesin nuk i shikoj më”.
“Po çuditem që ka interesim, madje edhe të femrave, për këtë luftë. Ata që mendojnë se është mirë dhe po shkojnë në një Shtet Islamik, ai nuk ka të bëjë asgjë me fenë islame”, thotë për Radion Evropa e Lirë “Arbeni”.
Ndryshe, institucionet e Kosovës kanë miratuar ligjin me të cilin sanksionohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja dhe “Strategjinë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm”.
Në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, mbi luftën kundër terrorizmit në botë gjatë vitit 2014, Kosova është vlerësuar si një vend me kërcënim në rritje nga ekstremizmi islamik.
Përfaqësues nga Qeveria e Kosovës, por edhe ata nga shoqëria civile, thonë se që nga viti 2012 e deri më tash, numri i shqiptarëve nga Kosova që i janë bashkuar organizatave ndërkombëtarisht të njohura si terroriste në Siri dhe Irak, është rreth 300.
* Shënim i redaksisë: Identifikimin e tij si ish luftëtar në Siri e kanë konfirmuar edhe autoritetet e rendit në Kosovë./REL/

Kryeprokurori David Schwendiman: Hashim Thaçi nuk ka imunitet nga ndjekja penale


“Hetimi i ndërmarrë nga Task Forca Speciale vazhdon. Ky hetim nuk ndikohet nga votimi i së premtes”, ka thënë kryeprokurori, David Schwendiman .
Kryeprokurori i Task Forcës Speciale për hetimin e pretendimeve të Dick Martyt, David Schwendiman ka thënë për Insajderin se presidenti i ri i Kosovës, Hashim Thaçi nuk ka imunitet nga ndjekja penale.
Schwendiman, ka thënë se zgjedhja e Thaçit të premten në krye të shtetit nuk ka kurrfarë ndikimi në hetimet e Task Forcës Speciale (SIFT).
“Hetimi i ndërmarrë nga Task Forca Speciale vazhdon. Ky hetim nuk ndikohet nga votimi i së premtes”, ka thënë kryeprokurori, David Schwendiman.
Ai nuk i ka komentuar detajet e hetimit, me arsyetimin se Gjykata Speciale ende nuk është funksionalizuar.
“SIFT nuk i komenton detajet e hetimit. Nuk komenton as politikat në rajon. Meqenëse Zyra nuk ekziston ende, është e papërshtatshme për mua që të them se çfarë do të ndodhë ose nuk do të bëjë Prokuroria Speciale në të ardhmen”, ka thënë ai.
Schwendiman ka sqaruar se pse askush nuk ka imunitet nga ndjekja penale për akuzat që lidhen me krimet e luftës dhe krimet tjera që sanksionohen me ligjet ndërkombëtare.
“Sipas të drejtës ndërkombëtare, nuk ka imunitet për ata që kryejnë shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar. Kjo është bërë e qartë edhe në ligjin e Dhomave Speciale dhe Zyrës së Prokurorisë Speciale”, ka thënë ai.
Schwendiman ka shtuar se pozita e tij si prokuror special e detyron të punojë me ligjin e Kosovës, përfshirë edhe Kushtetutën e Kosovës  si dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare, përfshirë dispozitat e mbi amnistinë dhe imunitetin.
“Jam i sigurt që Prokurori Special do të zbatojë ligjin pa frikë apo favore, ashtu sikurse SIFT ka bërë në përmbushjen e mandatit të saj që prej krijimit të saj në vitin 2011”, është zotuar kryeprokurori, David  Schwendiman.
thaci
Presidenti i zgjedhur Hashim Thaçi është duke u hetuar për krime të ndryshme përfshirë ato të luftës si kreu i ‘Grupit të Drenicës”.
Për dyshimet që bien mbi të, nuk ka imunitet as me Kushtetutën e Kosovës. Këtë e ka bërë të qartë edhe Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e vitit 2012 në rastin e deputetit, Fatmir Limaj.
Kushtetuesja ka thënë se imuniteti i Presidentit është imunitete funksionale për të siguruar që se “nuk do të pengohet në kryerjen e detyrave shtetërore që i janë besuar atij institucioni me Kushtetutë”.
Ne paragrafin 122 të këtij Aktgjykimi, Gjykata ka thënë midis tjerash se, Presidenti nuk gëzon imunitet nga ndjekja penale për veprimet dhe vendimet jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tij/saj.
Sipas këtij interpretimi kushtetues, Presidenti mund të arrestohet apo ndalohet vetëm pasi të shkarkohet, sepse ai më nuk është President, por qytetar i rëndomtë për të cilin vlejnë ligjet e zakonshme.
Se presidenti nuk ka imunitet ka thënë edhe Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.
“Presidenti i Republikës gëzon imunitet funksional, por asgjë më shumë sesa kaq”, ka thënë Korenica për Insajderin.
“Kjo do të thotë që Presidenti nuk gëzon imunitet penal për çështje që nuk janë fushëveprim i kompetencës eksplicite kushtetuese që ai/ajo e ushtron”.
Korenica
Korenica ka sqaruar se fushëveprimi i kompetencës se presidentit për të cilën kushtetuta njeh imunitetin praktikisht, është procesi i vendimmarrjes që Presidenti i Republikës ndërmerr për të kryer detyrat e tij të ngushta kushtetuese, shumica prej të cilave janë detyrime ceremoniale që presidenti ushtron si kreu i shtetit.
“Imuniteti nuk e mbron atë nga asgjë përtej këtij kufiri”, ka thënë ai.
Presidentë të shumtë shtetesh janë arrestuar e gjykuar për krime lufte.
Midis janarit 1990 dhe majit 2008, 67 shefa shtetesh ose kryetar qeverish nga gjithsej 43 vende të botës janë akuzuar zyrtarisht ose akuzuar për vepra të rënda penale: 32 nga Amerika Latine, 16 nga Afrika, 10 nga Evropa, 7 nga Azia, dhe 2 nga Lindja e Mesme.
Këta shefa shtetesh ose qeverish duke qenë në detyrë janë akuzuar për krime luftës nga gjykatat ndërkombëtare për krime të luftës dhe kundër njerëzimit: Charles Taylor, ish-presidenti i Liberisë; Jean Kambanda, ish-kryeministër i Ruandës; Slobodan Miloseviq, ish-president i Jugosllavisë, presidenti i Sudanit; Presidenti Omar al-Bashir dhe Muamar Gadafi, president i Libisë.

*****

Burgosja e Hashim Thaçit, çon në kapitullim të shtetit
Njohës të rrethanave në vend, kanë tërhequr vërejtjen, kohë më parë se qarqe të caktuara qëllimisht po e trazojnë Kosovën drejt një situate gati paradoksale për funksionimin e shtetit, duke lejuar së pari, që Hashim Thaçi të zgjidhet President, e pastaj që Presidenti i ri të bëhet cak i Gjykatës Speciale. Pra, kohë më parë është tërhequr vërejtja, se ka dyshim se në një skenar të tillë, Kosova si shtet do të pësojë goditjen më të fuqishme që nga shpallja e pavarësisë së vendit. Burgosja eventuale e kreut të shtetit është formë e kapitullimit të vet shtetit.
Burime të njohura për gazetën shprehen se: “Edhe pse është përfolur mjaft dhe është bërë zhurmë e madhe rreth kompetencave të Gjykatës Speciale, s’do mend se themelimi i kësaj Gjykate nuk është i rastësishëm dhe vjen kryekëput si rezultat i dështimit të drejtësisë kosovare. Përtej kësaj, Kosova pas shpalljes së pavarësisë më 2008, për një apo tjetër arsye dështoi të themelojë një Gjykatë Speciale në vend, e cila do të merrej me krimet gjatë luftës në Kosovë.
Kjo situatë e krijuar, në njërën anë jo vetëm që konsiderohet dështim i diplomacisë kosovare, por kjo qartë tregon se qarqe të caktuara politike, diplomatike por edhe të konspiracionit kishin qëllime të caktuara që të mos themelohet Gjykata Speciale në vend, e cila do të drejtohej me kompetenca të plota nga vendorët. Në anën tjetër, mos themelimi i Gjykatës Speciale, të lë një përshtypje, se vetë politika dhe diplomacia kosovare nuk ka qenë e këshilluar dhe nga “padituria” nuk ka formuar atë. Se do të duhej të themelohej një gjykatë e tillë nga vetë Kosova, tregon praktika e të gjithave vendeve të rajonit të dala nga luftë”.

Shqiptarët dhe një histori dashurie në shënimet e historianit Hopf


 
  • Hopf ishte një emër i dëgjuar ndër historianët europianë, por dhe shqiptarë në gjysmën e dytë të shekullit XX. Konsulli francez në Shkodër në vitet 1893-1899, Aleksandre Degrand, jo vetëm i referohet në librin e tij Kujtime nga Shqipëria e Epërme, por edhe huazon nga botimi i tij pemët gjenealogjike të disa prej familjeve të mëdha shqiptare, veçanërisht atyre që kishin hedhur rrënjë në Peloponez e Atikë në fillimet e viteve 1300. Jeta e Hopf kaloi nëpër bibliotekat e vjetra të Europës, të Italisë e Vatikanit (veçanërisht në Venedik e Napoli), të Gjermanisë, Austrisë, etj., ku kopjoi tekste të rralla dhe me një këmbëngulje të jashtëzakonshme dhe profesionalizëm të rrallë.
Luan Rama
Kur shkruaja librin “Kalorësit e stuhisë” m’u desh të kërkoja botimin e vjetër të historianit gjerman Carl Hopf që gjendej në fare pak biblioteka të Francës. E kisha ndeshur të cituar më parë dhe veçanërisht me zbulimin e tij të jashtëzakonshëm të Memoria e Gjon Muzakës, e cila fillimthi u përkthye nga origjinali në italisht prej Dhori Qiriazit dhe më pas nga Pëllumb Xhufi, historiani i kësaj epoke. E megjithatë kureshtja më kishte shtyrë ta kisha në duar librin e tij të cituar ngado, “Chroniques greco-romaines”, të botuar në Berlin më 1873 nga libraria “Weidmann”. Sidoqoftë, Hopf ishte një emër i dëgjuar ndër historianët europianë, por dhe shqiptarë në gjysmën e dytë të shekullit XX. Konsulli francez në Shkodër në vitet 1893-1899, Aleksandre Degrand, jo vetëm i referohet në librin e tij Kujtime nga Shqipëria e Epërme, por edhe huazon nga botimi i tij pemët gjenealogjike të disa prej familjeve të mëdha shqiptare, veçanërisht atyre që kishin hedhur rrënjë në Peloponez e Atikë në fillimet e viteve 1300. Jeta e Hopf kaloi nëpër bibliotekat e vjetra të Europës, të Italisë e Vatikanit (veçanërisht në Venedik e Napoli), të Gjermanisë, Austrisë, etj., ku kopjoi tekste të rralla dhe me një këmbëngulje të jashtëzakonshme dhe profesionalizëm të rrallë. Pikërisht nga ai libër ishte marrë dhe Kronika e Gjon Muzakës, të cilën ai e kishte botuar ashtu siç e kishte gjetur, në italisht. Pra gjatë katër vjet kërkimesh, ai mblodhi kronika të ndryshme mesjetare, të cilat së bashku do t’i botonte duke i quajtur Kronika mesjetare “Chroniques greco-romaines”, ku një nga kapitujt më të rëndësishëm është udhëtimi i kryqtarëve dhe përmbysja e bizantinëve në Kostandinopojë më 1204. Dihet që disa kronika e tekste të rralla ruhen në bibliotekat e Europës dhe në veçanti të Francës, Anglisë, Italisë (veçanërisht në Napoli, Vatikan dhe Venecia), të cilat kanë hedhur dritë mbi këtë epokë dhe në disa prej tyre tregohet jo vetëm kalimi i kryqtarëve nga brigjet shqiptare përmes “Via Egnatia” por edhe për betejat e normandëve e bizantinëve në trojet shqiptare, në kohën e Robert Guiscard dhe birit të tij Bohemond dhe kundërshtarit të tyre Aleksis I, në Durrës, Petrela, gryka e Shkumbinit, Ballsh e gjetkë.
Hopf u interesua veçanërisht për studimin e kronikës së Robert Clary, një nga kronikat më të famshme burimore të kësaj epoke, të cilën e gjeti në bibliotekën mbretërore të Kopenhagës më 1855. Krahas disa studimeve të tjera, më 1863 ai e kishte botuar atë në Vestfali, në shtëpinë botuese “Hamm”. Botimi përfshinte ngjarje nga viti 395 deri më 1821, ku mes tyre janë dhe kronikat e kryqtarëve. Hopf kishte gjetur në bibliotekën e San Marco-s në Venecia dhe kronikën “Devastatio Constantinapolitano” që hedh dritë për ngjarje të mëdha të botës kristiane në fillimin e shekullit XIII. Por sidoqoftë për botën shqiptare, studimet e Hopf kanë një rëndësi të veçantë. Disa historianë i janë referuar studimeve të tij, ndër të cilët dhe konsulli francez Alexandre Degrand në “Kujtime nga Shqipëria e Epërme”. Dy janë ndoshta prurjet më interesante të Hopf në historinë shqiptare: gjetja dhe botimi i Memorieve të Gjon Muzakës dhe së dyti gjetja dhe botimi i gjenealogjive të disa familjeve të vjetra shqiptare të vendosura në Greqi qysh në fillimet viteve 1300.
Karl Topiaj, pinjolli shqiptar me gjak francez
Një nga tregimet më interesante, aq sa duket dhe si legjendë, dhe që lidh anzhuinët me shqiptarët është dhe ajo e Tanush Topias, “Comte de Durrës” dhe lidhjes së tij me Helenën franceze, bijë e familjes mbretërore d’Anjou. Këtë histori na e përmend dhe albonologu i njohur, bizantologu Alain Ducellier, i cili duket se e beson si të vërtetë dhe që ashtu duhet të jetë besoj, meqë emblema e Topiajve e vërteton këtë. Tanushi e kishte parë Helenën për herë të parë në kështjellën e Durrësit, kur ajo kishte ardhur me një anije, vetëm sa për të kaluar një mbrëmje, gjersa furtuna në det të pushonte dhe për t’u nisur pastaj brigjeve të Greqisë, ku e priste i fejuari i saj frëng, princ i ishujve të Moresë. Thuhet se ajo ishte bionde dhe një bukuroshe e ashpër nga krahina e Anjou-së. I ndezur nga dashuria për të, që atë mbrëmje, ai e rrëmbeu francezen me pasionin e tij. Ajo e pëlqeu menjëherë princin e pashëm arbëror dhe nuk pranoi të vazhdonte udhëtimin e nisur drejt Greqisë. Një vendim i habitshëm, por i vërtetë. Pra kjo histori reale përshkruhet dhe në Kujtesën apo Memorien e Gjon Muzakës, e shkruar në vitin 1510, në vitin e vdekjes së këtij princi mjaft të njohur dhe bashkëkohës i Skënderbeut. Në këtë “memorie” të gjetur nga Hopf dhe të botuar në librin e tij Kronika greko-romane (Chroniques Gréco-Romanes) në vitin 1873, përshkruhet gjenealogjia e familjes së vjetër të Muzakajve, si dhe lidhjet familjare përmes krushqive të disa prej princave më të njohur të kësaj epoke disa shekullore, të cilët luftuan së bashku kundër dyndjeve osmane, apo ndaj dyndjeve sllave që vinin nga veriu. Në këtë Memorie, shkruhet se: “Mbreti Robert, që ishte mbret i Napolit, i dërgoi vajzën e tij bastarde, Helenën, princit të Moreas, që ai të martohej me të, mirëpo në det u bë një furtunë e madhe, çka e shtyu anijen drejt Durrësit, ku ata qëndruan disa ditë e në këtë mënyrë, Andrea (apo Tanushi në disa të dhëna të tjera historike) ra në dashuri me zonjën që përmendëm dhe ajo u bashkua me të. Të dy ishin dakord që të jetonin së bashku. Kështu ata lindën dy djem: i pari u quajt zoti Karl dhe i dyti, zoti Gjergj…” I dërguari i mbretit të dinastisë anzhuine në Durrës, guvernatori francez, më kot e kërcënoi se mbreti në Napoli do t’i dërgonte ushtrinë dhe do t’ia digjte të gjitha pronat. Por çifti tashmë jetonte ditët e një lumturie të madhe. Tanush Topia shpalli dasmën dhe thirri gjithë princat shqiptarë. Një vit më vonë u lindi një djalë që Helena e quajti Karl (Charles), në kujtim të stërgjyshit të saj. Mbreti nuk guxoi të sulmonte Durrësin me flotën e tij. Ai e dinte që princi shqiptar do të gjente mbështetjen e princave të tjerë dhe betejën do ta humbte e bashkë me të mbase dhe mbretërinë. Shumë vite do të kalonin dhe më së fundi, mbreti anzhuin do t’u çonte mesazhe miqësie dhe i ftoi ata të shkonin në pallatin e tij, në Napoli. Një ditë, Tanush Topia dhe Helena e bukur do t’i hipnin anijes dhe do të niseshin nëpër Adriatik drejt Napolit. Mbret Roberti u kishte çuar fjalë se i kishte falur dhe se në Napoli po përgatiteshin festimet e pritjes së princit shqiptar. Helena përpiqej të imagjinonte sesi do të ishte ky takim me të atin. Ajo e njihte mirë zemëratën e tij dhe shpresonte se pas kaq vitesh, mllefi i tij qe shuar dhe ndoshta tashmë me siguri ai do kishte mall jo vetëm të shihte atë, por dhe Karlin e vogël, që mbante si kujtim emrin e të madhit Charles. Por Karli i vogël, ky pinjoll i lindur nga historia e një rrëmbimi, apo i një dashurie të nëmur, me gjak shqiptar e gjak francez, nuk do t’i ndiqte prindërit e tij. Disa thonë se ai kishte mbetur në kështjellë. Në Memorie-n e tij, Gjon Muzaka shkruan gjithashtu se “Duhet ta dini se në atë kohë, mbreti Robert e grishi të bijën dhe dhëndrin në shtëpinë e tij në Napoli dhe i vrau të dy për veprën që kishin bërë, dhe djemtë që thamë, u arratisën dhe erdhën në vendin e tyre. Pastaj, ky djali i quajtur Karl Topia u martua me zonjën Vojsava, bija e Balshës, e cila bëri një djalë me emrin Gjergj dhe ishte ky ai që ua la Durrësin peng venedikasve dhe vetë vdiq pa trashëgim… ” Siç mund të konstatojmë, një histori tjetër thotë se ata i lanë fëmijët e tyre në Durrës dhe nuk i morën me vete në Napoli. Një ngjarje padyshim e jashtëzakonshme që i jep ngasje imagjinatës, si në këngët tragjike të Antikitetit… Në Napoli, Topia dhe gruaja e tij Helenë, u pritën me nderime të mëdha dhe ceremonia vazhdoi gjer natën vonë. Ata nuk e dinin se po kalonin natën e fundit të jetës së tyre. Mbreti urdhëroi t’i vrisnin që të dy dhe në mëngjes, kufomat e tyre u zhdukën. Rrëmbimi i Helenës, si në teatrot klasike greke, përfundoi me një tragjedi të tmerrshme. Me kot Karli i vogël, javë me radhë priste prindërit e tij, duke përgjuar detin dhe horizontin. Principata mbajti zi për princin dhe princeshën e vrarë. Një armiqësi u krijua për mbretin e Anjou-së. Por sa më shumë rritej princi i vogël, aq më shumë ai krenohej me prejardhjen e tij shqiptare e franceze. Kur u bë zot i Durrësit dhe i krahinës përreth, në stemën e tij ai vazhdoi të mbante zambakët heraldikë, duke shtuar dhe luanin e stemës së hershme të anzhuinëve. Karl Topia përmendet për herë të parë rreth viteve 1350, në një kohë kur anzhuinët e zotëronin ende Durrësin. Për shumë kohë, Shqipëria vazhdonte të quhej “Regnum Albaniae” me kryeqëndër Durrësin. Vetëm më 1359, Karl Topia kishte mundur të krijonte një principatë më vete e të pavarur, me toka që shtriheshin nga Kruja e gjer në Mat. Por ai shikonte gjithnjë nga Adriatiku, që një ditë qyteti-port i Durrësit të bëhej kryeqendra e tij. Dhe ai e sulmoi Durrësin në vitin 1362, ashtu siç bëri dhe Balshaj nga ana e tij, por pa sukses. Dy vjet më vonë ai luftoi kundër Balshës dhe e kapi rob kunatin e tij, Gjergj Balshaj. Kronikat shkruajnë se ai filloi të përgatiste një flotë të tijën për të luftuar kundër venecianëve, të cilët Durrësit i jepnin shumë rëndësi në kontrollin e Adriatikut. Dhe kjo betejë u bë, por asnjë nga forcat nuk doli i humbur. Kështu Topia arriti më së fundi ta pushtojë Durrësin, duke krijuar një principatë më vete, ku Durrësit iu bashkuan dhe Kruja e Petrela. Topia krijoi aleanca afatgjata me Raguzën dhe Hungarinë dhe më së fundi, në vitin 1366, Senati i Venedikut pranoi ta quajë në shkresat e tij si “Dominus Albaniae in partibus versus marittimam Durachio”, pra “Zot i Arbërisë në viset bregdetare të Durrësit”. Më 1374, duke parë forcën e princit Karl Topia, Papa Gregoire XI i dha atij titullin “Grande Comte d’Albaniae” (Kont i madh i Shqipërisë). Madje ai ishte quajtur “Princeps Albaniae” dhe “Primus de domo Franciae”. Nga Vatikani, Papa i dërgoi dy letra, ku ai çmon lart devotshmërinë e tij ndaj katolicizmit, duke e quajtur “Dux Dalmatie”. Në një nga letrat, ai i lutet që ta detyrojë peshkopin e Sardës që t’i pagojë taksën që i detyrohet Selisë së Shenjtë. Sipas Memorie-s së Gjon Muzakës, “djali i dytë, zoti Gjergj, vëllau i të përmendurit Karl Topia, u martua dhe bëri fëmijë, nga të cilët rrjedhin ata që quhen Topia. Karl Topia sundonte në dy Skuriet (Scurie), në Fisine (Flisina), Blevisht (Blevisti), në Tiranën e vogël (Taransa minore), Krrabën (Carrabi) dhe Farkën (Fuorcha)”. Kronikat mesjetare na flasin dhe për një ekspeditë të burrit të mbesës së Jean Gravina-s, e quajtur Jeanne de Duras (Zhana e Durrësit), i cili kishte tentuar të pushtonte Durrësin, ndërkohë që atë e zotëronte Topia. Por burri i saj, Louis d’Evreux në krye të njëmijë luftëtarëve të Navarës spanjolle, u vra në portat e qytetit, më 14 gusht 1376. (Një tjetër kronist i kohës ka shkruar se Louis d’Evreux ishte vëllai i mbretit Karli II i Navarrës, apo Karlit të “Keq”. Ishte ai që ngarkoi një kapiten mercenarësh, Ingeram de Coincy, të formonte një ushtri prej njëmijë ushtarësh gaskonë, shigjetarësh e heshtarësh, për çka u desh tre vjet. Kështu ata u hipën anijeve në Tortosa dhe në fund të vitit 1375, iu drejtuan Durrësit. Durrësi u pushtua për pak kohë, por Louis d’Evreux mbeti i vrarë. Karl Topia e çliroi përsëri qytetin. Megjithatë, 140 vjet më vonë, do të ishin mercenarë shqiptarë që do të mbronin navarasit kundër sulmeve të Kastijës.)
Në kujtim të familjes dhe prejardhjes së tij, Karl Topia ndërtoi kishën e Shën Vladimirit në Elbasan, ku deri vonë u ruajtën emblema, një «bas-relief» si dhe një dorëshkrim i mësimeve të tij shkruar në latinisht, greqisht dhe në gjuhën sllave, sipas porosisë së vetë fisnikut shqiptaro-francez “… Kur mbretëronte në Arbëri princi dhe Zoti i shkëlqyer Charles I i shtëpisë së Francës…”. Pikërisht në këtë kishë dhe do të varrosej princi shqiptar. I pari ishte studiuesi George von Hahn, i cili e identifikoi këtë emblemë, duke e përshkruar atë si një emblemë me “një luan të kurorëzuar me lule zambaku të Francës”. Në fakt, në emblemën e punuar si skulpturë nga shqiptari i atëhershëm Dhimitër Spades (Shpata), specialistët e heraldikës kanë pikasur se ajo përbëhet nga dy pjesë, ku në të djathtë është emblema e Karlit, e trashëguar nga paraardhësit e tij dhe nga e majta është emblema e Anjou-së, e ndarë nga një linjë diagonale.
Historia e Topiave dhe e Durrësit është e lidhur veçanërisht dhe me fundin e shekullit XIV, kur venedikasit donin të vendosnin pushtetin e tyre në Durrës, për t’i dhënë fund influencës së anzhuinëve dhe lidhjes me Francën. Gjergj Topia ishte atë kohë sundimtari i Durrësit. Më 1391, ai ishte i sëmurë rëndë dhe veç Venedikut, edhe princa të tjerë e lakmonin fronin e tij. “Venediku dërgoi flotën e tij para Durrësit, – shkruan historiani Schmitt, – me udhëzim të ngjashëm si dy vjet më parë: në rast se Topia vdiste ose arratisej, qyteti duhej marrë “in bona gratia” me pëlqimin e qytetarëve. Teksa në shtratin ku dergjej Gjergj Topia, shtyheshin kushërinjtë e tij të shumtë, vasali osman Gjergji II Strazimiroviq Balsha, papritur sulmoi Durrësin. Kjo shpjegohej nga armiqësia e vjetër mes dy familjeve, Balshaj e Topiaj. Në të vërtetë ajo ishte jehonë e shtrëngatave të mëdha në Itali dhe në Perëndim: në Napoli, mbreti Ladislas e kishte punën keq ndaj frëngut Louis II d’Anjou, kushëriri i mbretit frëng Charles VI. Topiajt, krenarë për gjakun anzhu, kishin marrë krahun e Louis dhe të Papës Clement VII që e mbështeste atë, duke tërhequr kështu në skizmën e madhe armiqësinë e papës Bonifac IX, kundërshtar i Clement-it.” Po këtë vit, Durrësin e sulmoi dhe Gjergj Strazimir Balshaj, ban-i i Zetës, i nxitur dhe nga mbështetja që i dha Papa Boniface IX. Në historinë shqiptare është e njohur konkurrenca dhe luftërat midis këtyre dy familjeve të mëdha. Historiani i njohur i Ballkanit, N. Iorga, në studimin e tij, “Historia e shteteve të Ballkanit”, na kujton faktin sesi “për të mbrojtur trojet e veta kundër sulmeve të Balshajve, Topiajt thirrën për ndihmë osmanët”, çka u dënua nga të gjithë princat e tjerë shqiptarë, që me shumë përpjekje po përballonin furinë e dyndjeve osmane, siç u zhvilluan ato në brigjet e Vjosës në vitin 1385, apo në Fushë-Kosovë, ku serbë, shqiptarë, hungarezë apo rumunë, kjo aleancë kristiane ballkanike, i doli përballë furisë osmane. “Por shqiptarët, – shkruan Iorga, – i ruajtën zonat bregdetare si dhe Shkodrën, Krujën, Pargën (që ishte nën Zebenishtin), Danjën e Zakariajve, Ohrin ku ishin Gropajt, Lepanton që i përkiste Pal Shpatës dhe Malin e Zi, ku ishin Cernoviçët, që ishin shqiptarë të sllavizuar dhe që pa ndonjë arsye e ndienin veten sllavë.” “Sundimi i Topiajve përpara trusnisë dyfishe të osmanëve dhe Balshajve, – shkruan Schmit, – ndodhej në prag të shpërbërjes. Dhe Venediku ishte i shqetësuar për këtë se do të dëmtohej tregtia e saj. Senati nuk donte ta rrëzonte princin nga pushteti, por edhe nuk mund të besonte në rezistencën ndaj osmanëve. Senati donte shtimin e protektoratit dhe fortifikimin. Nëse Topia nuk do të tregohej i hapur, por “kryeneç e i vështirë”, ai duhej joshur me 500 dukate dhe vetëm në rast kundërshtimi të plotë, venedikasit do të përdornin dhunën. Në vitin 1392, dy duzina mushqetarësh venedikas zbarkuan në Durrës. Konsulli Pietropizzoli i mbante të gjitha fijet në duar dhe vepronte në ato ditë vendimtare si përfaqësues i interesave venedikase. Gjergj Topia, me një këmbë në varr, pranoi t’ia lërë qytetin në protektorat Venedikut. Për këtë, më 18 gusht, në Venedik, përfaqësuesi i tij Johan i Vregos, ipeshkv dhe pro-venedikas, e firmosi.” Siç dihet, vitet 1370-1380 janë të mbushura gjithë beteja e ngjarje dramatike midis princave shqiptarë, serbë dhe osmanë. Madje dhe shqiptarët luftonin kundër njëri-tjetrit: Gjergj Balsha II pushtonte Vlorën dhe Kaninën. Pastaj bashkë me vjehrrin e tij Pal Gropa dhe kunatin, Andrea Muzaka, luftojnë kundër Marko Krajleviçit, duke i rimarrë atij Kosturin, Ohrin, Prizrenin dhe Pejën. Atëherë, Marko thirri për ndihmë osmanët dhe më 1375 sulmoi shqiptarët, por pa ia arritur qëllimit. Më 1385, ishin osmanët e Hajredin Pashës, me rreth 40 mijë forca që mundën në Myzeqe Balshën e dytë, i cili u vra në këtë betejë. Por Gjin Bua Shpata do të rezistonte ende në viset shqiptare më në jug. Në librin “Historia e Shqipërisë” lidhur me këtë moment historik, shkruhet gjithashtu se “Kur Turqit po shtyheshin drejt Regnum Albaniae, ai i kërkoi ndihmë venecianëve, duke dërguar në Venedik peshkopin e Scampa-s. Më 1388, Grande Comte d’Albaniae, Karl Topia u sëmur rëndë dhe vdiq. Marrëveshja më Venedikun u bë në kështjellën e Durrësit, në gusht të vitit 1392 dhe u arrit pas shumë bisedimesh midis Gjergj Topisë dhe komandantit të flotës së Adriatikut, Saracen Dandulo. E veçanta e kësaj marrëveshje qëndron në faktin se Gjergj Topia pranonte që Durrësi të kalonte në dorë të Republikës së Venedikut, por pas vdekjes së tij. Mbrojtja e qytetit kalonte në duart e Venedikut dhe për këtë arsye të dyja palët pranonin që në kështjellën e Durrësit të ngrihej flamuri i Republikës së Vendikut, me qëllim që turqit osmanë të ndërprisnin sulmet për pushtimin e qytetit. Gjergj Topia do të vazhdonte të merrte si më parë të gjitha të ardhurat e qytetit dhe do të vazhdonte të ushtronte kontroll mbi zyrtarët dhe ushtarakët e tij. Të dyja palët merrnin përsipër të respektonin statutet dhe rregullat e qytetit. Marrëveshja u ratifikua nga Republika e Venedikut më 18 gusht të vitit 1392. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Gjergj Topia nuk jetoi gjatë. Burimet bëjnë të ditur se në tetor të vitit 1392, ai nuk jetonte më. Pas vdekjes së tij, më 14 nëntor 1392, Republika e Venedikut nisi në Shqipëri dy zyrtarë të lartë (proveditorë), Michele Contareno dhe Pjetër Kurino, për të marrë të gjitha masat e duhura për marrjen në dorëzim të qytetit të Durrësit, dhe qeverisjen e ardhshme të tij. Zyrtarëve në fjalë iu dha detyra të merrnin edhe kështjellën e Krujës…”
Pas vdekjes së Gjergj Topias në vitin 1392, i cili ua dorëzoi venedikasve çeësat e qytetit, qytetarët e Durrësit u ngritën në revolta të shumta për ta kundërshtuar pushtetin e vendikasve, por kjo luftë ishte e dëshpëruar ndaj asaj force të madhe. Flamuri i Shën Markut do të valëvitej për një kohë të gjatë mbi kështjellë… Në janar të vitit 1393, Këshilli i Madh i Venedikut zgjodhi një rektor dhe një kapiten administrator për qytetin. Kështu Durrësi hyri në zonën venedikase të quajtur Stato da Mar. Ata përparuan në zotërimet e tyre gjatë bregut shqiptar, duke futur më pas në dorë edhe Lezhën e Shkodrën, e në vitin 1396 edhe Drishtin. Madje senati venedikas kishte shpresë që me anë të venedikasit Marco Barbarigo, të shtonte në zotërimet e saj edhe Krujën, meqë ai ishte burri i Helena Topias, vajzës së Gjergjit, i cili sapo kishte vdekur. Por Helena dhe Marco do të preferonin një marrëveshje me osmanët që të mos ndëshkoheshin nga ata. Bujarët shqiptarë të asaj kohe ishin të përçarë. Familja e Gjin Bua Shpatës dërgoi stradiotët e parë drejt Italisë dhe Europës, të cilët do të hynin në kronikat më të lavdishme të historisë europiane!…

Gjuha shqipe u krijua mijëra vite para greqishtes, nisi krijimin para 50 mijë vitesh


 
Nga Fatbardha Demi
“Ne nuk jemi të veçantë. E dashurojmë vërtet vendin tonë, por akoma më shumë dashurojmë të vërtetën dhe drejtësinë ” – Pashko Vasa

 Shpesh, kam lexuar nëpër shkrime të ndryshme se “viti 2012 është viti i kombit shqiptar”. Sigurisht, shumica e lidhin këtë shprehje me rastin e 100-vjetorit të formimit të shtetit tonë, më 1912. Dhe ku ka më bukur se sa këtë përvjetor, ta nisësh me një ngjarje madhore në një Institucion si Universiteti i Sorbonës, siç qe mbrojtja e doktoraturës nga historiani shqiptar, Arif Mati, “Kërkime mbi pellazgët, origjinën e civilizimit grek” (3 janar 2012).
Na erdhi keq vetëm për Ambasadën e Shqipërisë në Paris, së cilës nuk i kishte ardhur akoma viti 2012 dhe, rrjedhimisht, nuk morën pjesë.
Pa u nisur nga titulli, siç mund të duket në pamje të parë, problematika e trajtuar nga historiani, nuk ka të bëjë thjesht me paraprijësit e “civilizimit grek”, një popullsi që, pa mëdyshje, nga të gjithë historianët është emërtuar “më e lashta në Europë”, por të trajtuar si “të zhdukur”, “të mjegullt” dhe “që nuk na ka lënë historinë e tyre të shkruar”.
Disa, këto studime shqiptare mbi pellazgët, i gjykojnë “për qëllime politike” (1) apo i hedhin poshtë, sepse “nuk janë pranuar përgjithësisht”.
Rëndësia e studimit të Arif Matit, qëndron jo vetëm tek vlerësimi i trashëgimisë së gjithanshme të lënë nga këta pellazgë hyjnorë, por edhe sepse lidhet me ORIGJINËN dhe GJUHËN e kombit shqiptar (trajtuar edhe tek libri “Shqipëria ose historia e një populli parahelen”.
Ky studim dëshmon që pellazgët nuk janë zhdukur si popull, por janë asimiluar, tjetërsuar dhe mbijetuar në ditët e sotme, tek popullsia e kombit arbër. Se, në studimin e trashëgimisë të popullsisë arbërore, gjendet material i bollshëm, për të zbuluar mendësinë, deshifruar shkrimet, emërtimet dhe domethënien e shumë simboleve “misterioze” apo fakteve historike të Lashtësisë së hershme.“Përkrenarja e famshme kelte me brirë (cjapi apo dashi) që mbante Pirro II (319-272 p.k) ishte e ngjashme me atë të Aleksandrit të Madh. Të njëjtën përkrenare mbante edhe heroi kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti (1405-1468).
Kjo vërteton zanafillën e përkrenares me brirë që mbahej nga sovranët, në veçanti nga ata me zanafillë thrako-ilire (2).
Po, kush ishin këta pellazgë, që u “sorollatën” si zot të deteve (deti Jon) dhe iu dhanë atribute të Perëndive, Mbretërve të tyre të famshëm? (shiko Niko Stillo “Etruskishtja Toskërishte”).
Këta banorë të parë europianë, që u shtuan në shumë “fise” dhe “fara”, i lanë jo vetëm një arkiv të pasur gjuhësor, por edhe të zbulimeve shkencore, kulturore dhe fetare, shoqërive të mëvonshme në Europë dhe bashkëkohëse në Afrikën Veriore, Azinë e Afërme dhe të Largët e deri përtej Oqeaneve. Gjithashtu, krijuan modele të drejtimit të shtetit dhe të edukimit të elitave të ardhshme, që frymëzuan edhe intelektualët e Rilindjes europiane të shek. 18-19. (3)
Një trashëgimi kaq e pasur e lashtësisë europiane, e krijuar gjatë 50 000 – 150 000 viteve, sepse gjuhët e njeriut të sotëm mendohet të jenë zhvilluar gjatë kësaj periudhe kohore (4) nuk mund t’i mbanin vetëm shpatullat disa shekullore të Greqisë, që fillon me shek. 6 p.k. me botimin e poemave të Homerit.
Nga shtjellimi i fakteve, autori pohon se “Gabimi më i madh i kryer ka qenë, sepse Greqia është vendosur në qendër të të gjitha studimeve historike dhe gjuhësore”, (5), megjithëse nga Homeri “Helenët nuk janë cituar kurrë si popull apo si komb”. (6)
Ky është thelbi i punimit prej 798 faqesh duke shfrytëzuar 338 autorë dhe të dhëna nga shumë fusha të tjera shkencore, të paraqitur nga historiani Arif Mati.
Në këtë studim, sillen dëshmi të autorëve të Lashtë, të papërfillura nga studiuesit e dy shekujve të fundit e, për rrjedhojë, të papasqyruara në librat e Historisë që studiohen sot. Gjithashtu, paraqiten fakte të deformuara, me të cilat çdo lexues do të mund të njihet me daljen në botim, në frëngjisht dhe në gjuhën shqipe, të librit të ri të Arif Matit.
Studimi dëshmon se ka ardhur koha të mësohet nga brezi i ri, e vërteta historike dhe jo sajesat politike, të autorëve të lashtë e të ditëve tona. Për këtë qëllim, është e domosdoshme të rishikohet SKEMA e trajtimit të lashtësisë, nga ana e historiografisë europiane dhe asaj botërore.
Dhënia e titullit “Doktor në shkencën e historisë së Antikitetit (Greqia parahelenike) e Universitetit të Sorbonës”, dëshmoi vlerësimin më të lartë të punës së A. Matit, e nëpërkëmbur dhe e shpërfillur nga Albanologjia zyrtare shqiptare dhe një profesionalizëm shkencor të akademikëve francezë, Dominique Briquel, Charles Guittard dhe Guillaume Bonnet.

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...