Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/03/14

Kristo Frashëri dhe deformimet e historisë

Sikur luftën ta kishte fituar Gjermania, Shqipëria do të kishte qenë shtet etnikisht i plotësuar, një vend demokratik dhe ekonomikisht i suksesshëm.
Shkruan, Çelo Hoxha 
Kristo Frashëri merret me histori prej më shumë se 60 vjetësh. Në listën me titujt e punimeve të tij, deri në vitin 1994, numri i fundit rendor ishte 97. Në dy dekadat e fundit ai ka qenë aktiv dhe pa dyshim kjo listë është zgjatur. Artikujt e tij të fundit, dy prej të cilëve kanë nxitur këtë shkrim, janë botuar në nëntorin e vitit të kaluar.
Kristo Frashëri mban gradat më të larta të mundshme profesionale që mund të marrë një historian në Shqipëri: doktor i shkencave, profesor dhe akademik.
Veç titujve shkencorë, Kristo Frashëri mban disa tituj nderi. Ai është Nder i Kombit, titull që e jep Presidenti i Republikës, dhe qytetar nderi, titull që e japin këshillat bashkiakë, në tri qytete: Tiranë, Fier, Peshkopi.
Gazetat ku ai boton i prezantojnë artikujt e tij në këtë formë: “Historiani i mirënjohur rrëfen linjat e nxehta të historisë…”; “Historiani i shquar Kristo Frashëri thotë se…” etj. Në një nga tekstet e historisë që përdoret sot në gjimnaze, gjendet, pa shumë lidhje me tekstin, një foto me këtë diçiturë: “Kristo Frashëri, historian i shquar”.
Të thuash se Kristo Frashëri është një ikonë në fushën e historisë, i bëhet një padrejtësi e madhe të vërtetës. Ai është më shumë se kaq.
Në vitin 1962 ai botoi të falsifikuar deklaratën e pavarësisë dhe, kur ky fakt u bë publik, nuk pati ndonjë lloj qëndrimi moral ndaj tij. Titulli “Nderi i Kombit” iu dha pas këtij zbulimi.
Në shkurt 2012, unë bëra publik (për herë të parë) faktin që Kristo Frashëri ka qenë në listën e dëshmitarëve të Gjyqit Special, ku u dënuan me vdekje 17 vetë të pafajshëm. Ai vetë ka pohuar se në janar-mars 1945 ka qenë pjesë e forcave ushtarake që bënin spastrimin e zonës së veriut nga shqiptarët antikomunistë. Publikimi i këtij lloj informacioni nuk i pengoi tre këshilla bashkiakë ta shpallnin nder të qyteteve të tyre.
Kristo Frashëri është i vetmi qytetar shqiptar që ka kurajë të deklarojë se e di kush e ka deklaratën e pavarësisë së Shqipërisë dhe të betohet se nuk do ta tregojë kurrë sa të jetë gjallë. Me këtë deklaratë ai ka sfiduar prokurorinë dhe shumë institucione të tjera që merren me luftën kundër krimit. Deklarata e pavarësisë është dokument i shtetit shqiptar, pronë e tij, dhe e askujt tjetër.
Nderimet e shumta dhe përulja e institucioneve përpara veprës së Kristo Frashërit tregojnë që ai trajtohet jo si ikonë, por si perëndia e historisë.
Më datë 6 tetor 2012, Kristo Frashëri botoi, në të përditshmen “Gazeta shqiptare”, një artikull dy faqe të gjerë dhe 10 ditë të gjatë. Gjatë gjithë këtij shkrimi unë do t’u referohem këtyre artikujve të tij (që në origjinal kanë tituj të ndryshëm, por përmbajtje të njëjtë: themelimin e Ballit Kombëtar) si një artikull i vetëm. Ai mundua të shpjegonte disa pika të nxehta të historisë së Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore: data e krijimit të Ballit Kombëtar, Marrëveshja e Mukjes, e ashtuquajtura çështje të kolaboracionizmit etj.
Në 25 dhe 26 tetor, gazeta “Shqiptarja.com” botoi një intervistë të Kristo Frashërit, në të cilën ai foli për disa personazhe historike shqiptare, ku midis të tjerave tha edhe këtë: “Mid’hat Frashëri nuk ka asnjë meritë, përkundrazi ka përgjegjësinë që e çoi Shqipërinë në diktaturën komuniste”.
Me artikullin e tij Kristo Frashëri thuajse nuk solli asnjë gjë të re në lidhje me historinë e luftës. Duke shfrytëzuar “autoritetin” e tij, ai thjesht rikonfirmoi mbështetjen e tij për variantin e falsifikuar të historisë së shkruar nga ai dhe kolegët e tij gjatë periudhës së diktaturës. Intervista e tij kishte diçka të re: Mid’hat Frashërin, të cilin propaganda e diktaturës komuniste e prezantonte si person që ishte munduar të frenonte ardhjen e komunizmit në Shqipëri, Kristo Frashëri e akuzon për krejt të kundërtën.
Kush habitet me faktin që një historian kaq “i shquar” mund të arrijë në këto vlerësime paradoksale, nuk duhet të habitet. Shkëlqimi “akademik” është fasada pas së cilës fshihet një historian i nivelit më joprofesional të mundshëm në faqe të dheut.
Në këtë artikull synoj të shpjegoj përse interpretimet historike të Kristo Frashërit janë të gabuara, por do ta prek pak edhe faktin që “historiani i shquar” e ka marrë dy herë titullin “Doktor i shkencave”, të dyja herët me të njëjtën vepër dhe në të njëjtën disiplinë shkencore, faktin që ka marrë dy herë titullin “Profesor” në të njëjtën disiplinë, faktin që dhe gradën “Doktor” dhe titullin“Profesor”, të dyja herët, i ka marrë pasi kishte dalë në pension dhe do të mundohem të shpjegoj, bazuar në dokumente, përse mendoj që ai mund të mos e ketë kryer fare Fakultetin e Historisë që përmendet në biografitë e tij, përfshi atë në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të Akademisë së Shkencave.
Çështja e themelimit të Ballit Kombëtar
Në artikullin e tij në “GSH”, Kristo Frashëri mbron tezën që Balli Kombëtar është krijuar në vjeshtën e vitit 1942, duke mos sjellë asgjë të re në trajtimin e kësaj çështjeje, përveç faktit që kishte lexuar disa libra me kujtime të ballistëve në mërgim.
Dita e krijimit të Ballit Kombëtar nuk do të kishte merituar vëmendje më shumë se data të tjera historike, në qoftë se PKSH nuk do të kishte ngritur një akuzë kriminale, bazuar në një datë të shpikur prej saj. Akuza është kjo: Balli Kombëtar u krijua për t’iu kundërvënë Frontit Nacionalçlirimtar. Meqenëse dita e krijimit të FNÇ mbahej 16 shtatori 1942, data e krijimit të BK nuk mund të vendosej para kësaj date.
Deri në fundtë vitit 1990 ky qëndrim ishte i kuptueshëm, historianët që mund ta kundërshtonin do të përfundonin në burg ose edhe më keq. Mirëpo, kur një person vazhdon ta mbrojë këtë version edhe pas largimit nga skena të Enver Hoxhës dhe regjimit të tij policor, atëherë interpretimi i deformuar i historisë nuk është më çështje frike, por bindjeje.
Në Arkivin Qendror të Shtetit ekziston një dosje, me dokumente të vitit 1939, mes të cilave gjendet thirrja “Nacionalizma shqiptare”. Fondi ku ruhet ky dokument është i PPSH-së, jo i Ballit Kombëtar. Thirrja është dokumenti i parë ku shfaqen bashkë emri Balli Kombëtar dhe viti 1939. Faksimilja e këtij dokumenti është botuar vite më parë nga Uran Butka dhe Tanush Frashëri. Edhe ish-drejtorja e Institutit të Historisë, Ana Lalaj, e cila nuk ka shumë ndryshime nga pikëpamja e Kristo Frashërit për luftën, e pranon këtë dokument si autentik ose të paktën këtë sugjeronte mënyra si e kishte përdorur si ilustrim që shoqëronte intervistën e saj në gazetën “Mapo”, 23 nëntor 2012, me këtë diçiturë: “Promemorie e Ballit Kombëtar e vitit 1939”. Kristo Frashëri e refuzon këtë dokument. Sipas tij, “ky pamflet është shkruar pasi ka filluar Lufta e Dytë Botërore, madje pas qershorit 1940”.
E lëmë mënjanë faktin që bota ishte përfshirë në flakë që në vitin 1939, sidomos pas pushtimit të Polonisë në 1 shtator, por edhe sikur të jetë e vërtetë ajo që thotë Kristo Frashëri, nuk është nevoja të shikojmë kalendarin të themi që viti 1940 ishte më herët se viti 1942. Citimi i tij mjafton për të kuptuar që Balli Kombëtar ka ekzistuar para Konferencës së Pezës.
Në librin e tij “Ali Këlcyra, aristokrati kuqezi”, Tanush Frashëri citon një jugosllav që e njihte mirë Shqipërinë, Vukmanoviç Tempon, faqe 197: “Balli Kombëtar (National Front) u themelua në 1939 si Lëvizje e Rezistencës kundër pushtimit italian”.
Në librin  etij, “Marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare, 1939-1948”, historiani jugosllav Vladimir Dedijer, i cili i referohet një artikulli të Enver Hoxhës në revistën “Shqipëri-Jugosllavi”, 1947, në faqen 18 përshkruan pikat e rezolucionit të themelimit të PKSH-së, ku, mes të tjerash, thotë: komunistët “nuk duhet të harronin rrezikun nga influenca nacionaliste”. Kush e prodhonte influencën nacionaliste në vitin 1941, nëse Balli Kombëtar është krijuar në vjeshtën e vitit 1942?
Kristo Frashëri thotë se Mid’hat Frashëri nuk pranoi të shkonte në Konferencën e Pezës, por i premtoi Mustafa Gjinishit “se do të dërgonte në Pezë një vëzhgues”. Çfarë ishte Mid’hat Frashëri që do të dërgonte vëzhgues, individ apo institucion? Sipas Kristo Frashërit, i dërguari i Mid’hat Frashërit në Pezë ishte Halim Begeja, i cili “shkoi me titullin politik sekretar i Rinisë Nacionaliste Shqiptare”. Çfarë dëshmie tjetër kërkon Kristo Frashëri që të bindet se nacionalizmi shqiptar ekzistonte i organizuar para Konferencës së Pezës?
Libri me kujtime i Sejfi Vllamasit, “Ballafaqime politike në Shqipëri, 1897-1942”, mbyllet me një bisedë të autorit me Mid’hat Frashërin. Ai e fton Vllamasin të formojnë një organizatë të fshehtë. Në kujtime është viti 1939. Kristo Frashëri e konsideron këtë bisedë si të vitit 1942, duke iu referuar vitit në kopertinën e librit, e cila mund të jetë deformuar për dy arsye. Redaktori i librit, një historian me origjinë të majtë, ose e ka vendosur datën 1942, ngaqë kujtimet mbyllen me bisedën për krijimin e Ballit Kombëtar, duke u nisur nga varianti që Balli është krijuar në 1942, ose e ka bërë qëllimisht për të ngatërruar lexuesin. Unë e kam rilexuar disa herë atë pjesë dhe nuk kam gjetur asnjë indikacion që ai paragraf i përket vitit 1942. Sipas rrëfimit të Vllamasit, gjasat janë që ajo bisedë është bërë në vjeshtën e vitit 1939.
Në vitin 1943, Enver Hoxha është shprehur kështu: “Për çështjen e ofensivës së përgjithshme kundra Ballit ne mendojmë që kjo ofensivë të mos jepet në atë mënyrë që e kuptoni ju pse s’jemi hala aq të fortë sa t’u hapim luftë gjithë çetave të Ballit në Shqipëri dhe njëkohësisht me godit okupatorin” (AQSH, F.14/AP, V. 1943, D. 20.). Ky citim mund të mos thotë shumë, por një pyetje e ngre: Si është e mundur që BK, i krijuar më vonë se FNÇ, ishte, në mos më i fortë, i barabartë me FNÇ që e kishte filluar organizmin më herët?
Të gjashta argumentet e mësipërme nuk përcaktojnë datën e saktë të themelimit të BK, por besoj se janë, për një mendje racionale, të mjaftueshme për të kuptuar se nacionalistët ishin të organizuar para datës 16 shtator 1942.
Kristo Frashëri nuk është nismëtari i deformimit të historisë. Shtrembërimi i saj nisi gjatë luftës, nga partizanët, ose, siç i cilëson britaniku David Smajli,“gënjeshtarët e regjur” (“Vitet shqiptare, 43-45”, f. 120). “Partizanët i ekzagjeronin pa masë humbjet e armikut, kurse ballistët dhe zogistët na jepnin informata të sakta në këtë drejtim, të shoqëruara edhe me etiketat eidentitetit të gjermanëve të vrarë, gjë që partizanët nuk e bënë asnjëherë”, –shkruan David Smajli (f. 126). Udhëheqësit e tyre, natyrisht, ishin dhe krerët e mashtrimit.
Meqë Kristo Frashëri ngulmon se gjoja nuk ka një dokument të kohës me datën e Ballit Kombëtar, e njëjta gjë mund të thuhet për ditën e themelimit të PKSH, me të cilën nuk merret njeri. Nuk ka dokument të PKSH – deklaratë, rezolucion, thirrje, trakt, procesverbal – që të jetë përgatitur në datën 8 nëntor 1941, dita që njihet si themelimi i PKSH. Dokumentet që njihen si rezolucion dhe thirrje e themelimit të PKSH ekzistojnë në disa variante, me ndryshime nga njëra-tjera, dhe më e rëndësishmja, në to flitet për ngjarje që kanë ndodhur muaj apo vite pas themelimit të pretenduar të PKSH.
Në librin “PPSH, dokumente kryesore”, 1960, vëllimi I, thuhet: “Mbledhja [e themelimit] zgjati rreth 5 ditë dhe mbaroi në orët e vona të natës, më 8 nëndor 1941”. Në librin “PPSH, dokumente kryesore”, 1971, vëllimi I, faqe 9, thuhet: “Mbledhja e grupeve komuniste për themelimin e Partisë u mbajt më 8-14 nëntor 1941 nëTiranë”. Rezolucioni dhe Thirrja kanë po ashtu data të ndryshme. Në botimin e 1960-ës gjendet data 8 nëntor 1941, në botimin e 1971-shit është shkruar thjesht: nëntor 1941, kurse të ribotuara në librin e Kristo Frashërit,“Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH, 1878-941”, këto dy dokumente kanë datën 14 nëntor 1941 (faqe 449-466).
Përveç datës, dyshimet për krijimin e PKSH i shton edhe përmbajtja e dokumenteve. Po citoj rezolucionin e botuar nga Kristo Frashëri: “Me demaskuem qeverinë e tradhtarit Kruja, manovrat e saja për me përçamë frontin nacional-çlirimtar të popullit tue paraqitë si rrezik për Shqipërinë luftën çlirimtare të popujve fqinjë Jugosllavë e Grekë me qëllim me e dobsuem luftën kundër fashizmit”. Mendonjë ndryshim të lehtë në gjuhë, përmbajtja e citimit është e njëjtë në të gjitha variantet e rezolucionit.
Përmbajtja e citimit na jep të drejtën të vëmë në dyshim gjithçka në lidhje me themelimin e PKSH. Kristo Frashëri pretendon se rezolucioni është shkruar në periudhën 8-14 nëntor, por Mustafa Kruja u bë kryetar qeverie në 4 dhjetor 1941. Si është e mundur që një dokument të flasë për ngjarje që ende s’kishin ndodhur në kohën e hartimit të tij?
Në rezolucion, që Kristo Frashëri pretendon se është hartuar në periudhën 8-14 nëntor 1941, qeveria e Mustafa Krujës akuzohet se ishte përpjekur të përçante Frontin Nacional-Çlirimtar, ndërkohë që dihet se i ashtuquajturi Front Nacional-Çlirimtar u krijua në 16 shtator 1942.
Kristo Frashëri thotë se ruan në shtëpi dokumentin origjinal të rezolucionit. Duke parë që varianti i botuar është falsifikim i origjinalit ose një dokument krejt i sajuar shumë kohë pas themelimit të PKSH, Kristo Frashëri zotëron origjinalin e falsifikimit.
Si përfundim, mund të thuhet që data e PKSH është përcaktuar bazuar në rrëfimet e personazheve dhe jo në dokumente zyrtare. Ata zgjodhën datën 8 për të qenë afër me 7 nëntorin e revolucionit bolshevik dhe të gjithë kanë rënë dakord. Për fillimet e Ballit Kombëtar ekziston një dokument i vitit 1939 dhe Kristo Frashëri e mohon.
Problemi është në kokën e tij. Ai nuk e ka për turp t’i deformojë ose t’i injorojë krejt faktet. Për shkak të punës së tij “shkencore” në deklaratën e pavarësisë për 50 vjet nuk ekzistonte firma e Mid’hat Frashërit, Lef Nosit dhe Mustafa Krujës. Me rastin e 50-vjetorit të pavarësisë, në 1962, Kristo Frashëri botoi albumin “Rilindja kombëtare shqiptare”. Në deklaratën e pavarësisë të shfaqur aty, tri firmat mungonin, sepse Kristo Frashëri i kishte mbuluar me foto të ngjitura sipër deklaratës. Ai nuk ka dhënë kurrë një shpjegim për këtë.
Metoda e punës së Kristo Frashërit është kjo: ai ka në kokë një ide për historinë dhe të gjitha faktet ia përshtat asaj, qoftë edhe duke i mbuluar ato me foto të ngjitura me zamkë.
Vitin e kaluar ai botoi një album kushtuar Ismail bej Vlorës. Aty ka botuar edhe listën e firmëtarëve të pavarësisë. Në vend të Bab Dudë Karbunarës ka vendosur Ibrahim Karbunarën, patriotin e nderuar që e vranë komunistët në 1946. Në 23 prill 2012, unë botova një artikull në lidhje me këtë pasaktësi në deklaratën e pavarësisë së Kristo Frashërit. Ai nuk reagoi. Mendova se e pranoi në heshtje gabimin, por isha gabuar. Në datën 13 nëntor 2012, Kristo Frashëri e botoi përsëri (Gazeta shqiptare, f. 16) listën e firmëtarëve të pavarësisë. Përsëri firmëtari i vërtetë, Jorgji (Bab Dudë) Karbunara, mungonte dhe në vend të tij ishte Ibrahim Karbunara.
Çështja e Marrëveshjes së Mukjes
Kur flet për Mukjen, Kristo Frashëri ka të drejtë vetëm kur thotë se nismën për një marrëveshje mes BK-së dhe PKSH-së e mori misioni i ushtarakëve britanikë në Shqipëri. Britanikët ishin të qartë. Misioni i tyre në Shqipëri kishte vetëm një qëllim: të dëmtonin sa më shumë të ishte e mundur forcat e Boshtit. Autoriteti perandorak, ende në gjakun e tyre, arroganca financiare dhe fuqia ushtarake që kishin krijuar deri në vitin 1943, i bënte britanikët të mos i merrnin parasysh fare interesat e shqiptarëve. Përndryshe, ata do të kishin bërë me ta një marrëveshje politike, pastaj të kërkonin bashkëpunimin ushtarak të tyre (u referohem më shumë britanikëve, sepse ata erdhën të parët dhe patën ndikimin më të madh nga misionet e tjera të ashtuquajtura aleate).
Aleanca e Ballit Kombëtar me Frontin Nacionalçlirimtar (PKSH vepronte në prapaskenë, siç veprojnë të gjitha grupet kriminale) britanikëve u interesonte për të krijuar një forcë më të madhe ushtarake, e cila do të ishte në gjendje të vriste më shumë italianë ose gjermanë. Shqiptarët nuk kishin pse nguteshin për luftë, në 1943 nuk kishte asnjë dyshim që pushtuesi, italian apo gjerman, ishte shumë i përkohshëm në Shqipëri. Lufta u interesonte vetëm “aleatëve”, sepse ata kishin ngutin të vrisnin sa më shumë ushtarë ose të shkatërronin sa më shumë infrastrukturë, të Boshtit. Duke i hedhur në luftë shqiptarët, “aleatët” punonin kundër interesit të vendasve. Ata që sot shqiptarët i konsiderojnë dëshmorë, më shumë vajtën bedel për të huajt.
Pretendimet e Kristo Frashërit se PKSH shkoi në Mukje me “një bilanc të pasur fitoresh ushtarake të korrura kundrejt okupatorit”, “me një kapital moral të ngritur mbi gjakun e qindra dëshmorëve” dhe “me një ushtri të organizuar partizane të pajisur me një shtab të përgjithshëm të formuar në Labinot” janë krejt të pabaza.
Bazuar në qëllimin e organizimit të komunistëve, Italia nuk ishte okupatore e Shqipërisë, por aleate e pushtueses së Bashkimit Sovjetik, Gjermanisë. Komunistët u organizuan politikisht e ushtarakisht pas sulmit të Gjermanisë mbi BS-në, 22 qershor 1941. Në 1943, gjaku i derdhur nga çetat e komunistëve mund të frymëzonte rusët, serbët apo ndonjë popull tjetër të racës sllave, por jo shqiptarët.
Në 1 gusht 1943, kur nisi punimet mbledhja e Mukjes, ushtria partizane nuk ekzistonte. Njëzet ditë më herët, në 10 korrik, ishte krijuar një strukturë e quajtur Shtabi i Përgjithshëm, i cili përbëhej thuajse nga ata njerëz që ishin dhe anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të FNÇ. Shtabi kishte bërë vetëm një gjë, kishte hartuar një listë me kërkesa për materiale ushtarake drejtuar britanikëve, me premtimin që shtabi do të mobilizonte në mënyrë imediate 10 mijë vetë. Bilanci i fitoreve të një ushtrie që nuk ekzistonte merret me mend.
Ushtria partizane, e emërtuar sipas modelit të marrë nga Jugosllavia, nisi në 15 gusht 1943, me Brigadën I. Britanikët vunë në dispozicion gjithçka që i duhej një force ushtarake – armë, veshmbathje, para. Kontributi i shqiptarëve në krijimin e Brigadës I ishte vetëm mishi njerëzor. Kur britanikët e kuptuan gabimin e tyre, që kishin bashkëpunuar me një tufë hipokritësh dhe frikacakësh, ishte tepër vonë. Pa dashje, ata u kthyen në financuesit e terrorizmit komunist në Shqipëri.
Për prishjen e marrëveshjes së Mukjes, Kristo Frashëri fajëson Ballin Kombëtar, me logjikën e një analfabeti. Ky analfabet ishte Myslim Peza, i cili thoshte në Mukje se “Kosovën na e ka falë fashizmi. Ne nuk pranojmë dhurata nga fashizmi” (Butka,“Marrëveshja e Mukjes…”, f. 60). Kristo Frashëri, 69 vjet më vonë, thotë të njëjtën gjë: “Të luftoje për çështjen e Kosovës do të thoshte që Ushtria Nacional-Çlirimtare të angazhohej në luftë për të mbrojtur bashkimin e Kosovës me Shqipërinë e vitit 1913 – vepër kjo e realizuar nga blloku nazifashist. Kjo do të thoshte nga ana e saj, që Ushtria NÇ të angazhohej në luftë kundër çetnikëve nacionalistë jugosllavë, natyrisht edhe kundër reparteve partizane jugosllave. Nga pikëpamja e parimeve të shpallura nga koalicioni i madh antifashist, të mbroje Kosovën do të thoshte të mbroje veprën politike të agresorëve hitlerianë. Kjo do të thoshte gjithashtu të luftoje nën ombrellën e ushtrive hitleriane kundër çetnikëve dhe partizanëve jugosllavë, të cilët pa mbaruar lufta trajtoheshin si aleatë të koalicionit të madh antifashist. Me këtë qëllim, Balli Kombëtar binte në kundërshtim me porositë e aleatëve të mëdhenj antifashistë, të cilët kërkonin mobilizimin e të gjithë demokratëve antifashistë për të luftuar okupatorët nazifashistë dhe jo për të mbrojtur vendimet e tyre”.
Bazuar në arsyetimin e Kristo Frashërit, me çlirimin e Kosovës në 1999, NATO realizoi projektin e Duçes dhe Hitlerit. Interpretimi më i saktë i kësaj është ky: në 1999, angazhimi i forcave demokratike perëndimore në Kosovë pohoi sa i drejtë kishte qenë vizioni i nacionalistëve shqiptarë. Sikur “aleatët” t’ua kishin vënë veshin më herë nacionalistëve shqiptarë, do ta kishin shpëtuar Ballkanin nga shumë tragjedi. Mes të tjerave, nuk do të kishte ndodhur as gjenocidi grek ndaj çamëve.
Në të kundërt, me gjithçka që thotë për Mukjen në “Gazetën shqiptare”, në intervistën e tij për “Shqiptarja.com”, Kristo Frashëri e konsideron sot bashkimin e Kosovës me Shqipërinë “shqetësim kryesor”. “Nëse të gjitha këto troje ku banojnë shqiptarët do të jenë nën një çati të vetme politike të përbashkët, Shqipëria do të ecë më shpejt, sepse do të ketë vetëm një detyrë, të ecë, të përparojë, të përmirësojë e të pasurojë vendin”, – thotë ai. Ata që e kërkuan këtë para 60 vjetësh, ai i quan tradhtarë, pa i ardhur turp që artikulon me “shqetësim” atdhetar idetë e njerëzve që ushtria ku ai bënte pjesë i vrau pikërisht se kërkonin bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm. Ato që Kristo Frashëri i thotë në intervistë, Mid’hat Frashëri i ka artikuluar që në vitet ‘20, megjithatë ai e quan Mid’hat Frashërin një të verbuar nga urrejtja për komunizmin. Kristo Frashëri mund të jetë i vetmi që nuk e shikon hipokrizinë e tij.
Dashuria e Kristo Frashërit për shqiptarët nuk është një ndjenjë e natyrshme. Në fakt, dashuria e tij për shqiptarët nuk është ndjenjë fare, por retorikë e artikuluar në varësi të fuqisë së atij që ai i lëpin çizmet. Nëse shtetet e fuqishme janë pro shqiptarëve, ai i ka për zemër shqiptarët, nëse shtetet e fuqishme janë kundër shqiptarëve, zoti Frashëri mendon se nuk është koha e duhur të mbrosh interesat e shqiptarëve. Kjo paqëndrueshmëri e tij mund të jetë edhe pasojë e faktit që ai nuk ka lindur në Shqipëri.
Kristo Frashëri i përmend shpesh “aleatët”, por këtë e bën se i duhet të ketë një pikë referimi përtej gjykimit të tij, që ta hedhë herë pas here në artikull për t’idhënë punimit autoritet. Dikur këtë e bënte duke përdorur emrin e Enver Hoxhës e të marksistëve të tjerë, tani e bën me termin “aleat”. Ky është spekulim vulgar. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria nuk ishte pjesë e koalicionit anglo-amerikano-sovjetik. Misionet britanike në Shqipëri ishin ekuivalente me grupet vullnetare që kishin shkuar më herët në Spanjë. Lidhja e këtyre grupeve me vendet e tyre ishte e ngjashme me lidhjen e brigadistëve të Spanjës me Bashkimin Sovjetik. Aleatët nuk ishin vende komuniste, por në Shqipëri ata përkrahën, për hesap të tyre, pjesën kriminale, duke i shkaktuar dëm të pallogaritshëm Shqipërisë.
Çështja e kolaboracionizmit
Në vitin 1939, Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste. Një numër shqiptarësh morën pjesë në administratën shtetërore, duke filluar që nga posti më i ulët deri te kryeministri. Më vonë, një pjesë e tyre u etiketuan kolaboracionistë dhe u dënuan në forma të ndryshme; shumë prej tyre me vdekje. Kolaboracionistë u etiketuan edhe anëtarët e Ballit Kombëtar, të Legalitetit dhe anëtarët e administratës së shtetit shqiptar gjatë pushtimit gjerman. Nuk u përdorën të njëjtat kritere për të gjithë. Shembull: nga dy vetë që kishin qenë nëpunës të postës, njëri dënohej e tjetri përdorej për ta akuzuar, duke dëshmuar “krimet” e tij.
Pjesa më e madhe e administratës “fashiste” ishte administrata e mbretërisë, njerëzit thjesht vazhduan të shkonin në punë. Komunizmi nuk e mori kurrë në konsideratë faktin që pjesa më e madhe e tyre shkoi në punë për të mbajtur familjen. Sejfi Vllamasi ishte një nga nevojtarët me profil të lartë. Lazër Radi deklaroi në gjyq se shkoi në punë, ngaqë ishte mbështetja e vetme e një familjeje të madhe. Kristo Frashërin, i cili i shërbeu me përulje një regjimi më kriminal se fashizmi, pas vitit 1990 nuk e ndëshkoi njeri, kurse ai vazhdon të fajësojë të tjerët për diçka që vetë e ka bërë tre vjet për fashizmin e përgjysmë shekulli për komunizmin.
Arsyet pse administrata vazhdoi punë apo pse u krijua një qeveri pa personazhet e qeverive të pasluftës janë shumë të thjeshta për t’u kuptuar. Enver Hoxha, Kryeministër më 1944, në vitin 1939 ishte askushi. Koçi Xoxe, ministër i Brendshëm pas lufte, dinte vetëm të kallajiste tenxhere. Myslim Peza, zëvendëskryeministër pas luftës, ishte analfabet dhe kriminel; Sejfulla Malëshova nuk ishte fare në Shqipëri deri më 1943. Fashistët nuk e refuzuan bashkëpunimin e atyre që më vonë u bënë eksponentë të FNÇ-së dhe PKSH-së, por ua pranuan në varësi të shkollimit dhe profesionalizmit. Kamber Qafmolla, kryetari i parë i Këshillit të Përgjithshëm të FNÇ, ishte kryekuestor i Tiranës; Omer Nishani, kryetar i KP të FNÇ ishte anëtar i Asamblesë fashiste; Spiro Moisiu ishte pjesë e ushtrisë; Enver Hoxha dhe bashkëshortja e ardhshme e tij punuan si mësues; Bedri Spahiu u bë xhandar; Qemal Stafa, Kristo Frashëri e të tjerë shkuan për studime në Italinë fashiste, se moshën e studimeve kishin. Në listën e kolaboracionistëve mund të futen dhe këta emra komunistësh: Manol Konomi, Frederik Nosi, Gaqo Floqi, Nevzat Haznedari, Myftar Tare, të cilët më vonë ishin njerëzit më aktivë – si gjyqtarë, hetues, prokurorë – në dënimin e“kolaboracionistëve”.
Në etiketimin e kundërshtarëve politikë si kolaboracionistë, komunistët shqiptarë u favorizuan edhe nga politika e britanikëve, të cilët bashkëpunuan me çdo lloj diktatori e krimineli për të arritur qëllimet e tyre. Për britanikët, Stalini e të ngjashmit, të cilët ishin në anën e tyre, ishin aleatë, kurse aleatët e kundërshtarit i etiketuan “kolaboracionistë”. Kjo lloj propagande shkaktoi mijëra viktima të pafajshme në Shqipëri.
Në nivel evropian, kolaboracionisti më i madh gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte Stalini, me marrëveshjen që bëri me Hitlerin në gusht 1939, një javë para nisjes së luftës së përgjithshme. Sikur Gjermania të mos kishte marrë garanci se nuk do të sulmohej nga Bashkimi Sovjetik, ajo mund të mos e kishte sulmuar Poloninë në 1 shtator. Evropa u zhyt në luftë nga garancia që Stalini i dha Hitlerit.
Stalini nuk u fut në luftë për të mbrojtur “aleatët”, por sepse u sulmua nga Hitleri. Deri në 22 qershor 1941, Bashkimi Sovjetik kishte bërë vetë pushtime. Një nga vendet që pushtoi, pas marrëveshjes me Hitlerin, ishte Polonia lindore, ku kreu edhe një nga masakrat më të mëdha të Luftës së Dytë Botërore, atë të Katinit (1940). Pas pushtimit të Polonisë, Britania e Madhe dhe Franca i shpallën luftë vetëm Gjermanisë, kurse në fund të luftës, gjithë Poloninë ia dorëzuan Bashkimit Sovjetik. Ku ishte morali i luftës në mbrojtje të Polonisë? Ajo u sakrifikua për të kaluar – me ndihmën e “aleatëve” – nga një pushtim nën një pushtim tjetër.
Kur u futën në luftë, Britania dhe Franca nuk mbrojtën askënd, veç interesave të tyre. Veprimtaria e misioneve “aleate” në Shqipëri u zhvillua sipas të njëjtës logjikë. Pasi mbaruan punë, ata u kthyen shpinën shqiptarëve. Aleatët e përdorën ushtrinë partizane si prezervativ, për të shmangur kontaktin e drejtpërdrejt me armikun.
Pavarësisht se shqiptarët nuk bënë ndonjë luftë kundër italianëve, presioni i vendasve i nxiti ata të bashkonin trojet shqiptare në një shtet të vetëm. Sado i përkohshëm bashkimi, kjo ishte një aspiratë e fuqishme për shqiptarët (pavarësia e Kosovës 65 vjet më vonë vetëm sa e konfirmon fuqinë dhe drejtësinëe kësaj aspirate). Kur erdhën gjermanët në Shqipëri, gjërat shkuan edhe më mirë: shqiptarët ruajtën shtetin etnik dhe ishin të pavarur. Pritja që iu bë gjermanëve më 1944 nuk ishte më antikombëtare se pritja që shqiptarët u ofruan forcave të NATO-s në 1997; të dyja ushtri të huaja ishin. Madje, ushtria e huaj në 1997 erdhi me ftesën e politikanëve shqiptarë, të cilët askush nuk i ka akuzuar ende si kolaboracionistë.
Sa për “aleatët” që vriste Hitleri, shqiptarëve u mjaftonte të tregonin të njëjtën ndjeshmëri që treguan “aleatët” për shqiptarët që u vranë gjatë pushtimit fashist të Shqipërisë. Kaq ishte e mjaftueshme për të qenë të barabartë me ta. Broçkullat e komunistëve për aleancë në mbrojtje të koalicionit etj. janë idiotësira, sepse humanizmi i komunistëve u shfaq i plotë gjatë masakrimit që ata i bënë popullit të tyre kur morën pushtetin.
Megjithatë, Balli Kombëtar nuk i përmbush parametrat e një organizate kolaboracioniste as sipas përkufizimi të komunizmit. Përderisa komunistët u ulën me ballistët dhe bënë Marrëveshjen e Mukjes, pa përmendur kurrfarë kolaboracionizmi të BK me italianët, të gjitha akuzat e mëvonshme ishin false.
Bashkëpunimi me gjermanët është një gënjeshtër edhe më vulgare. PKSH e mori vendimin t’i hapte luftë BK-së në konferencën e Labinotit, 4-8 shtator 1943, disa ditë para se gjermanët të vinin në Shqipëri. Akuzat që bëhen për një dokument të Mid’hat Frashërit, në të cilin ai urdhëronte për pezullimin e luftës kundër gjermanëve, ai e bëri këtë për shkak të luftës vëllavrasëse që kishin hapur komunistët. Bashkëpunimi i çetave të veçanta, si ajo e Aziz Biçakut, më vonë, ishte i detyruar. Ai bashkëpunim nuk ishte më i pamoralshëm se bashkëpunimi që britanikët bënë me sovjetikët, vetëm se rezultoi humbës. Sikur luftën ta kishte fituar Gjermania, Shqipëria do të kishte qenë shtet etnikisht i plotësuar, një vend demokratik dhe ekonomikisht i suksesshëm. Fati i Britanisë së Madhe, i Francës, i Italisë dhe i të gjitha të tjerave, që mund të binin në sundimin nazist, duhet t’u interesonte paraardhësve tanë (e neve kur i gjykojmë sot) aq sa u interesoi “aleatëve” fati i shqiptarëve në 7 prill 1939 dhe nga 28 nëntori 1944 e deri më 8 dhjetor 1990.
Marrëzia e Kristo Frashërit shkon deri aty sa e konsideron gjë të keqe vrasjen e komunistëve nga ballistët, ngaqë e ka qëllim të nxijë edhe anët e mira të veprimtarisë së Ballit. Sikur Balli Kombëtar t’i kishte vrarë të gjithë komunistët, rezultati do të kishte qenë shpëtimi i Shqipërisë nga qindra mijëra vrasje, burgime, internime dhe gjysmë shekulli varfëri, luftë klasash e poshtërim kombëtar.
Komunistët ishin për Shqipërinë po aq të dëmshëm sa edhe Esad Toptani, veçse askush deri tani (përjashto një artikullin tim në revistën “Shenja” dhe gazetën“Standard”) nuk e ka bërë lidhjen e veprimtarisë së tij në Luftën e Parë Botërore me veprimtarinë e komunistëve gjatë Luftës së Dytë.
Në Luftën e Parë Botërore shqiptarët u rreshtuan në anën e Boshtit. Nuk e bënë këtë ngaqë ishin kolaboracionistë ose tradhtarë, por sepse aleatët e natyrshëm të tyre ishin Austro-Hungaria dhe Gjermania. Në fund, shqiptarët u renditën në anën e të mundurve, por nuk humbën asgjë. Shqipëria, një shtet më i dobët se në fund të Luftës së Dytë Botërore, i ruajti kufijtë e 13-ës dhe në 1920 u anëtarësua në Lidhjen e Kombeve. Në Luftën e Parë Botërore kishte një grup shqiptarësh që u rreshtuan me palën fituese. Ata përfaqësoheshin nga Esad Pashë Toptani, veprimtaria e të cilit ishte në dëm të interesave kombëtare.
Esad Pashë Toptani u kishte premtuar serbëve (e më vonë jugosllavëve) një marrëveshje identike me atë që Enver Hoxha firmosi në vitin 1946 me Beogradin. E organizuar dhe e drejtuar nga jugosllavët, qëllimi i PKSH-së dhe i Luftës Nacional-Çlirimtare ishte përmbushja e marrëveshjes së jugosllavëve me Esad Pashë Toptanin.
Komunistët pretendojnë më kot se janë fitues. Në Shqipëri, të gjithë dolën të humbur nga lufta. Udhëheqësit e Ballit u mundën dhe e mbyllën jetën në emigracion, në burgje ose para togës së pushkatimit. Udhëheqësit e komunistëve u zhytën në krim dhe në llumin e historisë. Britanikët, indirekt sponsorët e terrorizimit komunist në Shqipëri, u larguan me 50 franga ari borxh te Abaz Kupi.
Kritikat ndaj Mid’hat Frashërit
Kristo Frashëri shfaq një urrejtje patologjike ndaj Mid’hat Frashërit. Me artikujt dhe intervistat e tij duket sikur ai e ka mision frenimin e procesit të rivlerësimit të kësaj figure shndritëse në historinë e Shqipërisë. Meqenëse për të realizuar sipërmarrjen e tij i mungojnë faktet, atëherë Kristo Frashëri është i detyruar t’i bëjë gjithë interpretimet historike bazuar në gabime të njohura të logjikës. Në fillim po jap disa citime të tij nga intervista në “Shqiptarja.com”, 26 tetor 2012, më pas sqarimet.
Citimi 1: “Çurçilli ka thënë: “Mjerë bota sikur ta fitojë luftën nazizmi. Dotë hyjë në një skllavëri të përjetshme. Kush e di se sa kohë do të shkojnë që të shërohet, sepse ai është një kriminel që kërkon të zaptojë botën”.
Citimi 2: “Lufta fitohet me pushkë”.
Citimi 3: “Komunizmi nuk luftohej duke bashkëpunuar me gjermanët, por duke luftuar kundër gjermanëve”.
Citimi 4: “Mid’hat Frashëri… ka përgjegjësinë që e çoi Shqipërinë në diktaturën komuniste”.
Me citimin 1, Kristo Frashëri kërkon të legjitimojë si të drejtë luftën partizane bazuar në gabimin e logjikës që quhet argumenti i autoritetit (argumentum ad verecundiam). Duke përdorur emrin e Çurçillit (autoriteti), ai mundohet që të kriminalizojë çdo mendim ose veprim që nuk përputhet me të. Ai kërkon ta prezantojë luftën kundër Hitlerit si një detyrim absolut të shqiptarëve, madje gjithë botës, sepse kështu mund të akuzohet si tradhtar Mid’hat Frashëri. Organizata që udhëhiqte Mid’hat Frashëri e kufizoi luftën kundër gjermanëve, ngaqë ajo u godit nga mbrapa krahëve prej ushtrisë partizane, megjithatë le të merremi me gabimin logjik të argumentit. Ajo që thotë Çurçilli (nëse e ka thënë) nuk është as fakt, as përkufizim shkencor, ajo është thjesht një deklaratë verbale. Fakt është që luftën e fitoi Çurçilli dhe gjysma e Evropës u zhyt në skllavëri. Fakt është që Shqipëria mbeti në gjysmën e skllavëruar. Fakt është që Shqipëria vuajti më shumë nën pushtetin komunist sesa gjatë pushtimit nazist. Fakt është që çifutët në Shqipëri u trajtuan më keq nga regjimi komunist sesa gjatë pushtimit gjerman të vendit. Bazuar në këto fakte, të gabuar rezultojnë ata që bënë aleancë me aleatët (po e marr të mirëqenë që bënë, për hir të argumentit, por komunistët nuk bënë kurrë marrëveshje me aleatët).
Citimi 2 përdoret nga Kristo Frashëri për të thënë se lufta ishte e vetmja rrugë që mund të zgjidhnin shqiptarët gjatë luftës. Figuracioni i tij është i gabuar. Hitleri luftoi me pushkë, me tanke dhe avionë më modernë se kundërshtarët e tij dhe në fund humbi. Komunistët i kushtojnë rëndësi luftës, sepse ai është momenti kur ata hynë në historinë e Shqipërisë, ngaqë deri atëherë kishin qenë shtresa më e varfër dhe injorante e shoqërisë. Mirëpo, lufta e tyre ishte kriminale, ata u bënë vegël e të huajve, të cilët më vonë e zhytën Shqipërinë në skllavëri gjysmëshekullore. Me luftë Shqipëria nuk mundte dot as Italinë dhe as Gjermaninë. Bota e la të vetmuar Shqipërinë në 1939-ën. Qëndrimi pasiv i shqiptarëve në luftë ishte i justifikuar dhe juridikisht nga statusi asnjanës që fuqitë e mëdha i kishin përcaktuar në Konferencën e Londrës, 1913. Mid’hat Frashëri nuk i qëndroi besnik pasivitetit, por edhe sikur ta kishte bërë këtë, nuk do të kishte bërë asgjë kriminale që ta fajësonte një personazh moralisht i kalbur si Kristo Frashëri.
Citimi 3 nuk ka nevojë për shpjegim të gjatë. Nëse komunistët nuk luftoheshin duke qëlluar kundër tyre, por kundër gjermanëve, atëherë duhet të jetë e vërtetë që policia nuk duhet t’i luftojë kriminelët duke arrestuar ose duke vrarë kriminelët, por duke arrestuar ose duke vrarë kalimtarët e rastit në vendin e ngjarjes.
Citimi 4 është komplet një idiotësi. Gjatë intervistës Kristo Frashëri konfirmon që Mid’hat Frashëri e urrente komunizmin, “dhe me të drejtë e urrente, s’po them se nuk kishte të drejtë” (fjalët në thonjëza janë të K. F.), pastaj vazhdon ta bëjë përgjegjës për vendosjen e diktaturës. Me një citim nga Çurçilli mund të pohojmë se ai e urrente patologjikisht Hitlerin. Kur Gjermania pushtoi Bashkimin Sovjetik, Çurçilli u shpreh: “Nëse Hitleri do të kishte pushtuar Ferrin, unë do të bëja të paktën një deklaratë në mbështetje të Djallit në Dhomën e Komuneve”. Djalli ishte Stalini. Kjo logjikë i shfajëson të gjithë ata shqiptarë që bashkëpunuan me gjermanët kundër komunistëve, sepse thjesht bënë aleancë me Djallin kundër komunistëve, të cilët i urrenin në mënyrë patologjike. Jo vetëm kaq, koha vërtetoi se urrejtja e tyre ishte e justifikuar. Komunizmi rezultoi një regjim kriminal.
Në intervistë, Kristo Frashëri nuk i fajëson komunistët në asnjë rresht për diktaturën. Kjo heshtje e tij e zbret debatin në nivele qesharake. Pyetja që ai meriton t’i bëhet, gjendet në një skeç humoristik: “Po ata që vodhën lopën nuk kishin asnjë faj, zoti Kristo?”
Fajin për këtë lloj gjykimi që shfaq Kristo Frashëri e ka metodologjia marksiste-leniniste, për përdorimin e së cilës ai krenohej në autoreferatin me anë të të cilit kërkoi, herën e parë, gradën e doktorit të shkencave.
Mid’hat Frashëri e urrente komunizmin. Fakti që komunizmi rezultoi në diçka të urryeshme konfirmon largpamësinë e tij. Gjithashtu, kjo bën edhe dallimin mes diturisë, të përfaqësuar nga Mid’hati, dhe injorancës, të përfaqësuar nga komunistët. Mid’hat Frashëri e njihte mirë historinë e Ballkanit dhe nuk e kishte të vështirë ta merrte me mend ç’do të ndodhte në Shqipëri, nëse do ta merrnin pushtetin komunistët shqiptarë të udhëhequr nga jugosllavët. Fakti që koha i dha të drejtë, duhet të na shtyjë të kërkojmë që monumenti i tij të vendoset në qendër të Tiranës, jo të vazhdojmë të hedhim baltë mbi figurën e tij. Studimi i Mid’hat Frashërit “Shqiptarë dhe sllavë” pati një ndikim të madh në favor të shqiptarëve në Konferencën e Paqes pas Luftës së Parë Botërore. Vetëm me atë libër ai është historiani shqiptar i parë i nivelit evropian.
Atë që do të bënin komunistët, ai e kishte parë të realizuar një herë. Esad Pashë Toptani bëri aleancë me serbët dhe pretendonte se kishte luftuar në krah të aleatëve, por në fund u vra si veprimtar në dëm të Shqipërisë. Dhe një detaj: Mid’hat Frashëri është i pari autor që ka bërë publike pjesë nga marrëveshja e Esadit me jugosllavët, në artikullin “Chi e que Esat?”, botuar në Paris më 1920. Komunistët zgjodhën të ndiqnin veprën e Esad Pashë Toptanit.
Komunistët pretenduan se luftuan në krahun e aleatëve, pastaj, kur erdhën në pushtet, bënë marrëveshje me Jugosllavinë, e cila e ktheu Shqipërinë në republikë të shtatë të federatës sllave. Shefqet Vërlaci dhe “kolaboracionistët” e tjerë nuk bënë asgjë më shumë me italianët në 1939-ën.
Ajo që Kristo Frashëri e quan urrejtje patologjike të Mid’hat Frashërit është njëra anë e medaljes. Ana tjetër e saj është dashuria e tij për Shqipërinë. I lindur në Janinë, ishte e natyrshme që dashuria e tij të ishte për Shqipërinë etnike. Kristo Frashëri ka lindur në Turqi, ku ka jetuar deri nëmoshën 7-vjeçare, kështu që ai nuk ka asnjë mundësi ta kuptojë dashurinë “patologjike”të të tjerëve për atdheun, sepse kujtimet e fëmijërisë, oazin më të lumtur të kujtesës, e ka të mbushur me imazhe të një vendi tjetër. Ai ka ardhur në Shqipëri pas traktatit të Lozanës për shkëmbimin e popullsive mes Turqisë dhe Greqisë. Ndoshta ai ka ardhur në Shqipëri për t’u strehuar si një ortodoks, jo si Mid’hat Frashëri, që erdhi se ndihej shqiptar.
Çështja e origjinës së komunizmit në Shqipëri
Në vitin 2006, Kristo Frashëri botoi librin “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH-së, 1878-1941”, me të cilën është përpjekur ta integrojë veprimtarinë e PKSH-së si një zhvillim të natyrshëm në historinë e Shqipërisë dhe jo si kancer i futur në gjakun e saj nga jugosllavët. Ai kritikon si “panegjiristët e dikurshëm”, “të cilët për dekada me radhë kanë propaganduar se PKSH-në e themeluan komunistët shqiptarë të udhëhequr nga Enver Hoxha”, ashtu edhe “kundërshtarët e saj, të cilët nuk u njohin asnjë meritë komunistëve shqiptarë, por ngulin këmbë që PKSH-në e formoi Partia Komuniste eJugosllavisë”. Ai vetë hiqet sikur nuk ka qenë pjesë e “panegjirikëve të dikurshëm”.
Nga njëra anë Kristo Frashëri kritikon punën e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste dhe nga ana tjetër vazhdon punën e tij të lënë në mes për shkak të rënies së regjimit komunist. Instituti shkroi një histori që e konsideronte krijimin e PKSH-së si meritë të Enver Hoxhës; Kristo Frashëri ka shkruar një histori që e paraqet krijimin e Shqipërisë si meritë të të majtëve.“E majta”, e përdorur prej tij, është një eufemizëm për “komunistët”.
Kristo Frashëri shkon deri aty sa konsideron përfaqësues të së majtës Sami Frashërin. Sipas tij, rilindësi shqiptar kishte “një konsideratë të madhe për idetë socialiste”. Ai i referohet për këtë një artikulli të Sami Frashërit, duke shkëputur prej tij disa citime që në tekst nuk kanë rolin që u jep Kristo Frashëri. Artikulli i Sami Frashërit, i botuar i plotë në fund të librit “Historia e të majtës…”, është një lloj shpjegimi për konceptet socializëm dhe pronë e përbashkët. Ajo që mund të thuhet për bindjet e autorit, duke e bazuar në këtë artikull, është se ai tregohet tolerant për diskutimin e ideve socialiste, por jo se është pro tyre. Me logjikën e Kristo Frashërit, të gjithë shqiptarët janë komunistë, sepse ata tolerojnë ekzistencën e partive komuniste dhe diskutimin e ideve të tyre. Sami Frashëri ka shkruar një traktat politik për Shqipërinë, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet”, dhe në të s’ka asnjë rresht socializmi. Madje, aty ka tregues për një formim konservator(d.m.th. të djathtë) të tij, për sa i përket rolit të qeverisë në jetën e qytetarëve: “M’i lumtur i vëndevet në botët ësht’ ay tek ndjehetë fort pak dor’e qeverisë. Sa të mundetë, qeverija të mos ketë të bënjë drejt për drejt me vëndeset (organet lokale)” (kapitulli: Katundaritë). Në fakt, Sami Frashëri mund të konsiderohet më shumë një mendimtar parademokratik, në traktatin e tij nuk flitet fare për partitë politike.
Me sa duket, Sami Frashëri është keqkuptuar dhe ai u detyrua të shkruante një artikull të dytë, të cilin Kristo Frashëri e ka ribotuar të plotë, ku bëntë qartë pozicionin e tij kundër ideve socialiste. Me Sami Frashërin në këtë rast ka ndodhur pak a shumë ajo që ndodhi me Branko Merxhanin në vitet ‘30. Është i njohur artikulli i tij “Pse nuk jam marksist”, por pak i dinë shkaqet pse u shkrua ai artikull. Rrethanat janë këto: nga shërbimi i fshehtë i mbretit, Branko Merxhani dyshohej si komunist dhe emri i tij i pari në listën e komunistëve të Tiranës (Standard, 14 qershor 2012). Ka shumë mundësi që ai e ka shkruar artikullin e falshëm, pasi i është bërë i njohur në njëfarë mënyre mendimi i shërbimit sekret.
Në rastin e Sami Frashërit nuk kemi informacion shtesë, veç dy artikujve. Në rastin e Branko Merxhanit kemi gjithë jetën e tij: ai u largua nga Shqipëria dhe nuk u kthye më kurrë, pavarësisht se në pushtet erdhën komunistët e pavarësisht se shërbimi sekret i mbretërisë e llogariste për komunist.
Kristo Frashëri shkon deri aty në marrëzinë e tij, sa përgojon si socialist edhe Faik Konicën, i cili ka një veprimtari të qartë antikomuniste.
Historianët që i kërkojnë rrënjët e të majtës në Shqipëri më tej se Haxhi Qamili, thjesht bëhen qesharakë.
Çështja e profesionalizmit të Kristo Frashërit
Kristo Frashëri meriton pak biografi që të kuptohet qartë personaliteti dhe formimi i tij. Ai ka lindur në Turqi në 1920, familja e tij erdhi në Shqipëri në 1927. Deri në 1942 ishte student në Italinë e Duçes, në Fakultetin Ekonomik. Në tri vitet e para të pushtimit fashist, ka prova të mjaftueshme që ai jo vetëm nuk e ka kundërshtuar atë, por madje është munduar të përfitonte prej pushtimit, duke shkuar për studime në Itali. Fashistët e arrestuan, kur kuptuan se ai ishte komunist. Nëse fashizmi pati ndonjë anë të mirë, kjo ishte luftakundër komunizmit.
Pas luftës, Kristo Frashëri pretendon se iu mohua e drejta e vazhdimit të studimeve të larta. Në 1945, Kristo Frashëri ishte dëshmitar në Gjyqin Special. Në një artikull (“Standard”, 22 shkurt 2012), ai pranoi që kishte qenë në listën e dëshmitarëve, por, gjithnjë sipas tij, nuk shkoi sepse “ndodhej në Shkodër në radhët e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare dhe nuk siguroi dot lejen përt’u paraqitur para trupit gjykues në Tiranë”. Ai mbrohet se nuk ka dëshmi të tij në dosjen e Gjyqit Special, por mungesa e dëshmisë nuk është provë. Anastas Plasari, një shërbëtor i fashizmit dhe komunizmit, ishte një dëshmitar tjetër i thirrur nga Gjyqi, i cili nuk shkoi. Ai dërgoi një dëshmi të shkruar, e cila nuk ndodhet në dosje, por një pjesë e saj është cituar nga prokurori në seancën e Terenc Toçit. Arben Puto (ai që më vonë u bë historian) nuk rezulton i thirrur dëshmitar në Gjyqin Special, por ekziston një deklaratë e tij që dëshmon kundër disa të pandehurve. Kjo dëshmi nuk është gjetur në dosjen e gjyqit, por diku tjetër. Arben Puto nuk e ka mohuar këtë dëshmi. Shkrimi, në fakt,vërtetohet që është i tij edhe nëpërmjet dokumentesh të tjera. Nuk është çudi që dëshmia e Kristo Frashërit të jetë hequr më vonë, e Kristo Frashëri ka punuar goxha kohë në arkiva. Megjithatë, edhe nëse dëshmia e tij nuk është hequr nga arkivat, por mungon, sepse ai nuk ka shkuar të dëshmojë për shkak të arsyes që jep, veprimtaria e tij ka qenë edhe më kriminale, sepse dihet që ushtria në Shkodër vriste, burgoste dhe internonte banorët e zonës. Për këto krime botova një seri artikujsh vitin e kaluar, shkurt-mars, në gazetën“Standard”.
Biografia e Kristo Frashërit ka shumë kundërthënie. Në një variant thuhet se iu mohua e drejta të vazhdonte studimet e larta, por u lejua të regjistrohej në Institutin e Lartë Pedagogjik, 1951, në degën e Historisë në kursin e mbrëmjes. Kristo Frashëri nuk ekziston në amzën e Institutit për vitet 1951-55. Në dokumentet e Institutit s’ka gjurmë që ka pasur edhe kurse të mbrëmjes, por edhe nëse ka pasur, merret me mend sa serioze ka qenë. Në 1952, kur ai pretendon se ishte ende në vitin e parë të Institutit (vitit shkollor 1951-52), Kristo Frashëri u “inkuadrua”, sipas një varianti të biografisë tij, si punonjës shkencor në Institutin e Shkencave. Pra, ai është punësuar si shkencëtar, ende pa mbaruar qoftë edhe një kualifikim fillestar profesional.
Në një variant tjetër biografie, e shkruar me rastin e mbrojtjes së doktoraturës, Kristo Frashëri rezulton se ka mbaruar studimet e larta në vitin 1955, në Fakultetin e Historisë në Institutin e Lartë Pedagogjik. Ky variant gjendet edhe në biografinë e Kristo Frashërit në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, vëllimi i parë. Në po atë Fjalor, vëllimi dy, faqe 1028, zëri për Institutin është në këtë formë: “Instituti i Lartë Pedagogjik dyvjeçar”. Pra, në një institut dyvjeçar nuk studiohet për katër vjet, nëse një klasë nuk bëhet për dy vjet.
Në biografitë e Kristo Frashërit thuhet se “ka dhënë një ndihmesë të shquar në veprimtarinë e tij 40-vjeçare kërkimore shkencore”, ose “kam dhënë leksione për 34 vite”, ose “jam autor i më tepër se 90 punimeve shkencore”, por doktoraturën, dëshmi e kualifikimit profesional më të lartë, ai e ka marrë (përherë të parë) në 24 prill 1990, në moshën 69-vjeçare, pasi kishte dalë në pension. Marrja e doktoraturës në moshën e pensionit është e ngjashme me kualifikimet e një shoferi që gjithë jetën i jep i makinës pa e marrë patentën.
Njëri nga oponentët e doktoraturës së Kristo Frashërit, nga tre gjithsej, ishte një nga informatorët e Gjyqit Special, Arben Puto.
Më paradoksalja është kjo: në 12 shkurt 1994, Kristo Frashëri i bëri kërkesë Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë “për të riafirmuar gradën shkencore Doktor i Shkencave që më është dhënë nga Komisioni i Lartë i atestimit në vitin 1990 si dhe titullin shkencor Profesor, që më është akorduar nga po ai komision në vitin 1991, me lutje që pasi ta shqyrtoni, ta përcillni më lart, në Komisionin Qendror të Atestimit, për miratim”.
Në 10 janar 1995, Kristo Frashëri kishte sërish titullin “Profesor”, nga Fakulteti i Historisë, i firmosur nga dekania Valentina Duka. Në përmbajtjen e vendimit thuhet se Kristo Frashëri “është diplomuar për histori dhe gjeografi nga Instituti i Lartë Pedagogjik Tiranë më 1952”. Dega Histori dhe Gjeografi nuk ka ekzistuar në Institutin e Lartë Pedagogjik 2-vjeçar. Historia ishte degë më vete, kurse Gjeografia ishte bashkë me Biologjinë.
Në dosjen e doktoraturës së Kristo Frashërit gjendet edhe një recensë e Luan Omarit, i cili njihet që ka mbaruar për drejtësi në Beograd, dhe jo histori. Ajo mban datën 13 korrik 1990 dhe këtë paragraf përmbyllës: “Për të gjitha këto mendoj se shoku Kristo Frashëri me punimin e paraqitur meriton plotësisht gradën e “Doktorit të Shkencave”, gradë të cilën do të kishte mundur ta mbronte, sipas mendimit tim, edhe me punime të tij të mëparshme”.
Punimi i doktoraturës ishte “Lidhja shqiptare e Prizrenit dhe lufta e saj për mbrojtjen e tërësisë së trojeve shqiptare”.
Ja një fragment i autoreferatit të Kristo Frashërit për kërkimin e gradës “Doktor i Shkencave”: “Studimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është bërë në bazë të metodologjisë marksiste-leniniste, duke u mbështetur në vlerësimet që klasikët e socializmit shkencor, Marksi, Engelsi, Lenini dhe Stalini, kanë dhënë mbi krizën lindore të viteve ‘70 të shekullit të kaluar dhe në mënyrë të veçantë në vlerësimet e çmuara që ka dhënë shoku Enver Hoxha dhe shoku Ramiz Alia mbi Rilindjen Kombëtare Shqiptare në përgjithësi dhe mbi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit në veçanti.
Nga veprat e klasikëve të marksizëm-leninizmit, ndihmë të veçantë kanë dhënë punimet e K. Marksit dhe F. Engelsit “Në lidhje me çështjen lindore”, “Kombësitë në Turqi”, “Ç’do të bëhet me Turqinë evropiane”, “Ngatërresat ruso-turke” etj., në të cilat ata kanë analizuar karakterin e ngjarjeve ndërkombëtare dhe ballkanike, në vorbullën e të cilave u përfshi edhe Shqipëria në vitet ‘70 të shekullit të kaluar. Po ashtu ndihmë na kanë dhënë edhe veprat e V. I. Leninit “Mbi të drejtën e kombeve për vetëvendosje” dhe të J. V. Stalinit “Marksizmi dhe çështja nacionale”.
Ndër shkrimet e shumta që dolën nga pena e shokut Enver Hoxha do të theksojmë rëndësinë e veçantë që kanë për studimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit fjalimet “Populli ynë ka trashëguar një kulturë të madhe me tradita përparimtare” (1961), “Për revolucionarizimin e mëtejshëm të shkollës sonë”(1968), “Të ngrihen në një shkallë më të lartë shkencat që studiojnë historinë, gjuhën dhe kulturën tonë kombëtare” 1983 dhe posaçërisht shënimet “Disa mendime për rilindësit” që mbajti më 1978 me rastin e njëqind vjetorit të themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Nga shkrimet e shokut Ramiz Alia vlerë të veçantë ka sidomos fjala e tij mbi LSHP mbajtur në 1978”.
Nipi i Enver Hoxhës, Luan Omari, shkruan pothuajse të njëjtën gjë për metodologjinë e përdorur nga Kristo Frashëri: “Në bazë të metodologjisë marksiste-leniniste autori e ka trajtuar historinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në dy aspektet themelore të veprimtarisë së saj…”
Shumica e fakteve të përmendura në këtë pjesë të artikullit, në lidhje me kualifikimet e Kristo Frashërit, gjenden në AQSH: F. 800, V. 1965, D. 383, Fl.1-250. Nëse Kristo Frashëri i vë në dyshim, mund t’i bëj një album mefaksimilet e tyre.
Mbyllje
Nga ky artikull nuk pres që Presidenti i Republikës t’i kërkojë Kristo Frashërit të rikthejë titullin “Nderi i Kombit”. Nuk pres as që këshillat bashkiak të Tiranës, Fierit dhe Peshkopisë t’i heqin titullin “Qytetar Nderi”. Nuk pres as që Ministria e Arsimit të pastrojë tekstet e shkollës nga fotot e tij. Nuk pres as që Akademia e Shkencave t’i heqë titullin “Akademik”. Nuk pres që prokuroria ta marrë Kristo Frashërin në pyetje në lidhje me deklaratën e pavarësisë ose që ta padisë për fshehje të krimit. Dhe as që më shkon në mendje se mediat (përveç gazetës “Standard”) do të fillojnë ta trajtojnë Kristo Frashërin si një falsifikator të historisë.
Megjithatë, unë s’kam dyshime cili është fundi i kësaj marrëzie kolektive që nderon me madhështi një personazh kaq vulgar sa Kristo Frashëri. Kjo që kemi para syve, është faza e parë e një historie të përsëritur. Ka pasur një kohë në Shqipëri, jo shumë larg nga e sotmja, kur titujt e nderit hidheshin si oriz dasme mbi kostumin kriminal të Enver Hoxhës, Koçi Xoxes, Miladin Popoviçit e shumë të tjerëve. Enver Hoxha ishte shpallur dy herë “Hero i Popullit”. Megjithatë, ja ku jemi, të gjithë kanë përfunduar, së bashku me titujt që merrnin e institucionet që ua jepnin, në koshin e plehrave të historisë.

Si manipulonte politika serbe e ditës me emrin e Milosh Kopiliqit?!

Shkruan, Prof. Dr. Jahja Drançolli
KOPILIQI Milosh-KOBILIQ-OBILIĆ. Burimet historike zyrtare të zbuluara hedhin dritë më tepër për aspekte onomastike sesa për personalitetin historik të Milosh Kopiliqit. Këtej, njëfarë, Kopil Boja(noviq) i fshatit Çabiq, është regjistruar në krisobulat e Deçanit (1330); emri Kopil përmendet në krisobulën Banjskës (1313). Në Raguzë jetonte familja Kobiliq (1390), dhe pjesëtari i quajtur Pribislav Kobiliq (1417). Një qytetar tjetër, po ashtu raguzan mbante emrin Milosh Stanishiq Kobiliq (1433). Në Trebinje, jo larg Raguzës jetonte familja bujare Kobilaçiq (shek. XIV-XV). Është e njohur se sipas një Defteri osman të vitit 1455 përmendet fshati Kopiliq i Drenicës, respektivisht, Kopiliqi i Epërm e Kopiliqi Poshtëm.
Dokumenti vetëm zyrtar i kohës, letra e komunës së Firencës (20 tetor 1389), për vrasës të sulltan Muratit i konsideronte dymbëdhjetë bujarët, që ishin betuar për ta kryer vrasjen (“Felices et ter quaterque felices duodecim illa procurum jurata manus qui turmas hostium perrumpentes,[…], ad Lamorathi”). Kjo është dëshmi e vetme e burimeve zyrtare, që mund të merrën në konsideratë për të bërë rekonstruimin e historisë së Milosh Kopiliqit dhe përkatësisë së tij etnike. Historianët e shek. XV, në anë tjetër, edhe pse e përmendin Betejën e Kosovës (1389) nga distanca e madhe kronologjike, nuk e përmendin fare emrin, ose vetëm e përmendin pjesërisht një vrasës anonim të sulltan Muratit I. Këtej, K. Filozof, një biograf i despotit të Rashës, St. Lazareviq, jo vetëm që nuk përmend emrin e sulltanit, por as emrin e vrasësit të tij (rreth 1431). Kronistët bizantinë, Halkokondili (1463) dhe Dukas (1460/70), ia përmendin vetëm emrin: Μηλοης, Μiloes.
Nga fundi shek. XV, burimet tregimtare dhe letrare do ta përmendin emrin e plotë të Milosh Kopiliqit. Emri i plotë i tij, “Biliş/Beleş Küb-ila, zë fill si pari në “Historinë e dinastisë Osmane“ (1484). Kjo trajtë osmane, pas një shekulli zuri fill të imponohet më pastaj edhe në traditën arbërore, serbe, italiane, gjermane, etj. Trajtën e italianizuar, “Milos Cobilichio, capetanio de Lazaro”. Po kështu, “Milosso Cobilichio”, por në cilësi të perandorit të Mezisë, e zë ngojë Marin Beçikemi (1502/3). Nën ndikimin e historianëve arbër e dalmatë, kjo trajtë paraqitet edhe te humanistët italianë: “Meloe/Michele i quajtur ndryshe Milosso Cobilichio”. Ndërsa te gjermanët paraqitet: “Myloni Chable” (1502); “Milosch Khabilouitz” (1531). Trajtën sllave “Miloš Kobila” e gjejmë në dorëshkrimin e Kostandin Mihalit të Novobërdës (rreth 1497). Apelativ identik mund të ndeshet te murgjët serbë, Milosh Kobiliq (1597/98).
Burimet e përmendura, qofshin ato zyrtare ose tregimtare e letrare, do të mundësonin për të parë se si është bërë shndërrimi i mbiemrit Kopiliq-Kobiliq në Obilić nga studiuesi, P. Julinac (1765) dhe V. Karadžić (1818). Albanologët F. Miklosich dhe Petar Skok kanë këmbëngulur se emri Kopiliq është me prejardhje shqipe. Etimologjia e emrit të fshatit Kopiliq i Drenicës sipas Petar Skok është rrezultat e kompozitës së emrit Kopil me prapashtesën iq. D. Kostić, konsideron se atdheun e Milosh Kopiliqit duhet kërkuar në anën ku serbët jetonin që nga vendosja në simbiozë me elemente të lashtë ballkanik “romano-vlleh dhe trako-arbëror”, në këtë kontekst “me anën e etimologjisë popullore forma e vjetër Kopiliq u spostua në formën Kobiliq”.

MEHMET SHEHU – ENVER HOXHËS: BILAL XHAFERRI GODET EGËR DHE NË MËNYRË TË POSHTËR ISMAIL KADARENË DHE VIJËN E PARTISË NË ART E LETËRSI

Shkrimtari kritikon Kadarenë për romanin “Dasma”, persekutohet nga regjimi komunist
Bilal XhaferriNjë ndër figurat më të shquara të letrave shqipe është Bilal Xhaferri. Ai njihet si një antikomunist, që ka dalë hapur kundër regjimit. Është një personazh shumë i rrallë dhe i veçantë për llojin e tij. Për këtë njeri është folur shumë pak në Shqipëri, por fama e tij është e njohur edhe përtej kufijve të Sipërisë. Për të folur për këtë figurë të shquar të letrave shqipe në studion e Nebil Çikës, në emisionin “Rrno për me tregue”, ka qenë i ftuar Shefki Hysa, kryetari i shoqatës “Bilal Xhaferri”, publicist dhe shkrimtar i njohur. Gjithashtu Namik Mana, shkrimtar, njeri i afërt me Bilal Xhaferrin.
– Normalisht nuk mjafton koha jonë për të folur për një figure si Bilal Xhaferri. Për ti dhënë opinionit publik atë çka përfaqëson ky njeri, kjo figurë e letrave shqipe, e popullit shiqtar. Vjen nga një familje e madhe, nga një familje nacionaliste jo vetëm në Çamëri, por dhe më gjer. Mund të na thoni diçka më tepër për këtë familje, si një qendër e lëvizjes kombëtare shqiptare?
Shfki Hysa – Dihet që Bila Xhaferri ishte nip i Hasan Tufinës. Një dijetar i shquar, me të cilin është krenuar jo vetëm Shqipëria, por dhe perandoria turke. Ka qenë rektori i parë i Universitetit të Stambollit. Familja e tij ka qenë një nga familjet më të persekutuara në kohën e komunizmit. Babai i Bilal Xhaferrit u pushkatua nga regjimi komunist. Ai ishte kundër qëndrimeve të forcave greke, kundër dhunës që ato ushtronin me në krye Napolin Zervën. Para vitit 1922 janë edhe pjesë si Çamëria, duke filluar me Konispolin, Markatin, pa u shtrirë deri në Krumovë, që u sulmuan nga forcat greke. Kjo është arsyeja pse ishte një familje kaq e madhe nacionaliste. Ndaj prej këtij qëndrim antishovinist grek partizanët grekë u kërkuan partizanëve shqiptar që të arrestonin babain e Bilal Xhaferrit dhe ta pushkatonin. Partizanët zbatuan këtë lloj urdhri të fshehtë dhe e dënuan pa gjyq. Kjo ka qenë një nga aktet më kriminale të komunistëve shqiptarë. I ati i Bilalit i ndihmonte trupat nacionaliste me ndihma monetare dhe me strehim. Madje, ai ka ndihmuar edhe njerëzit e varfër grekë që ishin në krahinat e Çamërisë. Fakti që ai ishte nacionalist e bënte atë kriminel nga komunistët.
– Zoti Mana, sa ndihej krenar Bilali për origjinën e tij. Ju keni qenë edhe mik i afërt i tij?
Namik Mana – Ai ndihej shumë krenar për këtë origjinë. Në të gjitha shkrimet e tij ai ka vënë emrin e babait të tij. Ai emrin e ka Bilal Hoxha dhe në shkrimet e tij vuri emrin Bilal Xhaferri.
– A dihej kjo në rrethet letrare ose në rrethet politike?
Namik Mana – Natyrisht që dihej origjina e tij. Unë di një rast. Dhimitër Fullani ka qenë zv.drejtor i ndërmarrjes botuese dhe i kanë thënë Bilalit për një vjershë. Për vjershën që flet për betejën e Torviollit, ku thuhet se një djalë pas betejës del dhe kërkon trupin e babit të tij. Ata i kanë thënë që mos të e shkruante këtë vjershë, pasi e dinin që ai fliste për varrin e babait të tij. Por as sot e kësaj dite nuk dihet se ku është trupi i babait të tij. Por ishte talenti i Bilalit që u bë një vesh shurdh dhe një sy qorr. Ai e ka ngritur në piedestal emrin e babait të tij.
– Përveç kësaj historie për babain dhe familjen e tij nga inserti që pamë pak më parë vumë re se ai ka pasur një jetë të vështirë. Që në moshë të vogël e futën në punë, i vunë pengesa për tu arsimuar…
Namik Mana – Bilali ngeli vetëm me gjyshin e tij të verbër. Ai ishte pa sy. Bashkë me gjyshin ai kishte edhe tri motra më të vogla. Në moshën 12-vjeçare ai shkon në Sarandë dhe punon si korrier. Ai bëri një shkollë njëvjeçare për gjeometër. Veprat e tij ai i ka shkruar nëpër vendet që ka punuar. Në një vjershë që ai ka shkruar në fermë thuhet “tërë verës prashita me shat, / tërë verës diellin e mbajta mbi kurriz”. Që në vjershat e para u dallua talenti i tij i madh për të shkruar poezi, megjithëse pati një jetë shumë të vështirë.
– Në dokumentet e partisë komuniste, në dokumentet e lidhjes së shkrimtarëve që unë kam gjetur, thuhet që ai ka pasur një jetë shumë të vështirë, që nuk e lanë të shkollohet. Sa ndikonte kjo në formimin e tij, në krijimtarinë e tij?
– Vështirësitë që u dalin talenteve, i japin ushqim. Ai shkruante me një formë tepër artistike. Atij i ngarkuan një herë të bënte një reportazh për klasën punëtore. Kur e bëri, ia dha Vath Koreshit që ta lexonte, pasi ai ia kishte lënë si detyrë. Ai ka qenë një nga reportazhet më të bukura të asaj kohe.
– Si u zbulua si talent Bilali? Është një pyetje për të dy ju zotërinj.
Namik Mana – Bilal Xhaferri shkruante shkrimet e tij dhe i çonte për botim nëpër gazeta dhe revista të kohës. Asnjë nuk e njihte atë personalisht për shkrimet që kishte shkruar. Kur iu botua romani “Rrugë dhe fate” në 1963, u bë i njohur talenti i tij për letrat. Gjithsesi, nuk duhet harruar që ai gjithë kohës ka qenë rrugëve. Nuk ka pasur një vend të caktuar që të qëndronte dhe ti përkushtohej talentit të tij. Kur ai erdhi në Durrës, punonte në Shijak. Në një mbledhje të shkrimtarëve në atë kohë vjen Dashnor Mamaqi dhe thotë se “në rrethin e Shijakut është një shkrimtar shumë më i talentuar se ju”. E kishte fjalën për Bilalin.
Shefki Hysa – Në strukturën e komunistëve ka pasur edhe njerëz shumë të mirë, që ishin të detyruar të qëndronin në ato struktura. Një ndër ta është edhe shkrimtari i talentuar Vath Koreshi. Ky ka qenë i pari person që ka botuar poezitë e Bilal Xhaferrit. Një nga kritikët tanë të kohës së komunizmit, Dalan Shapllo, ka ndikuar shumë për ngritjen e figurës së Bilal Xhaferrit. Por më së shumti ai u ngrit nga talenti i tij i madh për letërsinë. Krijimtarinë e tij filluan ta pëlqejnë menjëherë edhe njerëzit e komunizmit. Miti i Bilal Xhaferrit u krijua nëpërmjet djersës së tij. Ai shkonte nëpër redaksi shumë rrallë për të dërguar shkrimet e tij dhe njerëzit habiteshin me shkrimet e tij. Kur prezantohej me krerët e redaksive të asaj kohe, ata habiteshin. Thoshin “si ka mundësi që një njeri me kaq pak klasë shkollë të shkruaj kaq bukur”. U dukej një lloj absurdi dhe iu imponua që ata të pranonin krijimtarinë e tij. Gjithashtu Bilali iu shmang me shumë zgjuarsi censurës komuniste. Ai evokonte lavdinë e kohës së shkuar.
– Edhe në ato pak shkrime që i janë botuar Bilal Xhaferrit vihet re një lloj krijimtarie ndryshe nga shkrimet tjera të asaj kohe, nuk e kuptonin personat e censurës së komunizmit këtë ndryshim?
Shefki Hysa – Njerëzit e komunizmit e dinin shumë mirë origjinën e tij, por nuk i bënë asgjë. Kjo pasi ai i imponoi nëpërmjet talentit letrar që edhe ta pëlqenin krijimtarinë e tij. Gjithashtu ai nuk e kishte shfaqur disidencën e tij hapur. Nëpërmjet një kamuflazhi figurativ që ai përdorte në veprat e tij, nuk u dallua direkt disidenca e tij. Revokimi që u bënte figurave të lashtësisë, siç bëri me Skënderbeun, ishte e pranueshme edhe për komunizmin. Por ai e bëri në një formë tjetër, në një formë shumë më të pranueshme edhe për njerëzit e thjeshtë. Ai u thoshte njerëzve të thjeshtë se stërgjyshërit tani ishin shumë më ndryshe se komisarët komunistë.
– Shefki, kjo lloj dashamirësie ka zgjatur shumë pak. Rreth katër vjet. Mehmet Shehu i ka çuar një letër diktatorit Enver Hoxhës për Bilal Xhaferrin. Pra, siç shihet, me Bilal Xhaferrin janë marrë edhe majat më të larta të diktaturës, kryeministri dhe vetë diktatori. Në letër thuhet “biri i një çami që ne e kemi pushkatuar”. Duket një lloj cinizmi, sikur nuk kishte të bënte me një shqiptar. Duket si një racizëm. Sa ka ndikuar origjina çame në persekutimin e tij?
Letër nga Mehmet Shehu
Shoku Enver,
Më ranë në dorë këto dy materiale, të cilat po jua dërgoj që ti lexoni, po patët kohë.
1. Një “artikull” me titull “Luftëtarë artizanë të artit”, shkruar nga Qani Çollaku (i vëllai i Reshit Çollakut) dërguar redaksisë së “Zërit të popullit” për botim.
2. Një material “Diskutim mbi romanin “Dasma”, që është diskutimi i Bilal Xhaferrit në mbledhjen që u organizoi këto ditë Lidhja e Shkrimtarëve për të marrë në shqyrtim romanin e Ismail Kadaresë me titull “Dasma”.
“Artikulli” i Qani Çollakut është një sulm i egër, i shfrenuar dhe i hapët kundër vijës së Partisë në art e letërsi dhe kundër vetë Partisë. Qani Çollaku është armik i njohur i Partisë. Ka qenë mësues, është demaskuar e hequr nga puna si mësues në Berat, por tash na qenka prapë mësues në Pogradec! Thuhet se ka hedhur votën kundër Frontit në zgjedhjet e fundit. Mendoj që, duke përdorur këtë material, të mbledhim mësuesit e Pogradecit, ta demaskojmë gjer në fund dhe ta çojmë në gjyq (me dyer të mbyllura), sepse me këtë material i ha gjer 15 vjet burg, ose ta internojmë në fermën e Lushnjës, ku të punojë me kazmë. Është jashtëzakonisht i poshtër!
“Diskutimi” i Bilal Xhaferit është gjithashtu një sulm kundër Partisë, por i tërthortë – godet egër dhe në mënyrë të poshtër Ismail Kadarenë drejtpërdrejt dhe nëpërmjet tij godet rëndë dhe vijën e Partisë në art e letërsi. Ky “shkrimtar” është i biri i një çami, të cilin ne e kemi pushkatuar si kriminel lufte, ka bërë shkollë vetëm 7-vjeçaren a të mesmen, pastaj organet tona nuk e kanë lejuar të vazhdonte më tej studimet dhe tash punon si punëtor krahu në fermën e Sukthit. Ka talent si shkrimtar, ka studiuar vetë dhe gjuhë të huaja, shkruan shumë, i ka dërguar Lidhjes së Shkrimtarëve shumë shkrime, por nuk i janë botuar, si bir armiku dhe sepse shkrimet e tij kanë përmbajtje armiqësore. Më kanë thënë se i kanë botuar një roman dhe e kanë popullarizuar bile dhe me fletë volante në stadium në një lojë futbolli dhe se Dhimitër Shuteriqi e paska propozuar për tu futur në Lidhjen e Shkrimtarëve, ku u shqyrtua romani i Ismail Kadaresë. Është enigmë: ai dihej se ishte bir armiku dhe vetë me qëndrim të poshtër, por ja që mori pjesë në diskutim para qindra intelektualëve dhe foli kundër vijës së Partisë! Në atë mbledhje ndodhej edhe Thoma Deliana, Fadil Paçrami e të tjerë, dhe Fadili, Dhimitri e shumë të tjerë e goditën si provokator. Por fakti është që ai mundi të fliste. Kush e pruri në mbledhje? Nuk dihet! Dihet që dhe Qamil Buxheli “ka punuar” për shumë kohë në Sukth.
Është interesant se si Qani Çollaku, ashtu dhe Bilal Xhaferi, megjithëse njëri në Pogradec e tjetri në Sukth, në ato që shkruajnë të dy u referohen: Majakovskit, Kafkës dhe Heminguejit. Mejtoj që çështjen e Bilal Xhaferit ta çojmë gjer në fund për të gjetur dhe shokët e tij midis Lidhjes së Shkrimtarëve, pastaj ta demaskojmë si duhet po në atë mbledhje ku ka folur e ta internojmë.
më 8.4.1968
Mehmeti
– Kjo është një letër e shkruar nga Mehmet Shehu 36 vjet më parë kundër dy shkrimtarëve: njëri Qani Çollaku dhe tjetri Bilal Xhaferri, që kanë kritikuar rëndë veprën e Ismail Kadaresë “Dasma”. Letra i drejtohet Enver Hoxhës dhe në fund të saj kërkohet demaskimi dhe internimi i Bilal Xhaferrit.
Namik Mana – Një nga arsyet se pse ai u persekutua është origjina e tij çame. Goditja e parë që i erdhi atij ishte bllokimi i veprave për Çamërinë. Pas kësaj edhe redaksitë filluan të botojnë gjithnjë e më pak veprat e tij. Vetë “Balada çame” është një lloj rizgjimi i çështjes çame. Nuk është vetëm vepër poetike, por dhe historike.
Shefki Hysa – Poezia “Balada Çame” ishte një ndër kryeveprat e Bilalit. Me botimin e kësaj vepre ai zgjoi zilinë dhe censurën keqdashëse të regjimit komunist. E gjithë lufta që ai pati me komunistët filloi me botimin e librit “Lirishta e kuqe”. Ky libër kishte poezi shumë të mira, por nuk e kishin frymën e partisë komuniste. Është diçka tepër komike. Përpara se ti botohej libri, iu kërkua nga redaksia si parakusht që ti botohej një poezi për komunizmin, për Partinë. Në atë kohë Bilali e bëri një poezi dhe iu botua libri. Po kur shkoi në Komitetin Qendror, iu mohua e drejta për të qarkulluar librin. Kjo sepse, pasi botohej një libër, merrej leja që ai të qarkullonte nëpër biblioteka.
– Do të kalojmë në një çështje tjetër. Flasim për romanin “Dasma” të Ismail Kadaresë. Ky roman pati një kritik të fortë nga ana e Bilal Xhaferrit, kritikë profesionale. Por ky roman u kthye në fatkeqësi të Bilal Xhaferrit.
Namik Mana – Romani i Ismail Kadares bëri jehonë shumë të madhe në gazeta dhe radio. U tha se do të dilte një libër për klasën punëtore. Ishte bërë shumë propagandë për këtë libër. Unë me Bilalin e lexuam këtë roman, por ai pati guximin ti dilte kundër këtij romani.
– A diskutuat me Bilalin se çfarë do të thoshte ai për këtë vepër?
Namik Mana – Bilal Xhaferrit nuk i bënë ftesë. Ai ishte anëtar i lidhjes. Ai merr ftesën e një poeti të kohës dhe ikën e bën një diskutim të romanit. Kur u kthye, më tha se nuk kishte ndonjë gjë me Ismail Kadarenë personalisht, por vepra e tij ishte me të meta. Mbas Bilalit e kritikoi edhe një student veprën Kadaresë.
– Nga biseda që keni bërë me Bilalin, ju ka thënë se kush e sulmoi atë? Si u zhvillua ajo mbledhje?
Namik Mana – Unë nuk mund të them asgjë se çfarë ka ndodhur në mbledhjen e Lidhjes së Shkrimtarëve. Unë mund të flas për atë që ka ndodhur pas saj, pasi nuk kam qenë atje.
– Çfarë ju tha Bilali për mbledhjen, si e perceptoi ai atë?
Namik Mana – Ai prapë ishte shumë koshient për atë që kishte thënë. Më shumë keq i kishte ardhur kur i kishte folur keq dhe Ismalil Kadareja. “U bërë dhe ti Bilal të çohesh dhe të flasësh!” – i kishte thënë Kadareja. Ai nuk kishte asgjë personale me Ismailin, por me veprën e tij. Për faktin që kishte bërë shumë bujë ky libër, nuk u prit mirë nga organet e komunizmit kjo kritikë. Pas asaj mbledhjeje filluan ta kontrollojnë Bilalin në çdo hap që bënte. Nuk kaloi as një muaj dhe atë e sollën në Hamallaj, ku isha dhe unë.
Shefki Hysa – Bilali mbajti një qëndrim parimor. Bota e brendshme e tij nuk mund ta pranonte një vepër të tillë, ku gruaja shqiptare dilte pa dinjitet. Ndërsa Bilali kishte mendim tjetër për gruan shqiptare. Për atë gruaja shqiptare ishte shëmbëlltyrë e Norës së Kelmendit, e Teutës, mbretëreshës ilire. Të gjitha këto heroina shqiptare ishin pasqyrimi i gruas shqiptare për Bilalin. Pasqyrimi që i kishte bërë Ismail Kadareja nuk mund të pranohej kurrsesi nga Bilali.
– Një shkrimtar vlerësohet nga vepra e tij. Në këtë rast Bilali dhe kushdo tjetër gjykoi se kjo vepër e këtij shkrimtari ishte e dobët. Pra, vlerësohet ky guxim që pati Bilali për të folur kundër një ikone të realizmit socialist, siç thoshte edhe Mehmet Shehu te letra. Pra, siç e thotë Mehmet Shehu, “duke goditur Ismail Kadarenë ka goditur vijën e Partisë”. Si vazhdoi më vonë historia e Bilalit?
Namik Mana – Që mbas asaj dite Bilali merret dhe internohet. U bë një mbledhje e Lidhjes së Shkrimtarëve në Durrës dhe Rita Marko e kritikon ashpër Bilalin. Ai përjashtohet automatikisht nga Lidhja. Ai i tha se ishte një pseudoshkrimtar. Atëherë Bilali nxori shpatullën e tij dhe i tregoj shenjat që i ishin krijuar duke mbajtur shinat në kurriz. “Unë ditën mbaj shinat në kurriz dhe natën shkruaj. Si mund të jem një pseudoshkrimtar?” – i tha Bilali. I gjithë propozimi që ishte bërë në letrën e Mehemet Shehut u realizua në mbledhjen që u zhvillua në Durrës nga Rita Marko.
-Diskreditimi që iu bë në atë mbledhje u bë nga kjo kritikë apo iu gjet ndonjë material tjetër?
Namik Mana – Në atë mbledhje u ngrit Rita Marko dhe e kritikoj hapur Bilalin vetëm për veprën e Kadaresë. Madje, kritikoi edhe drejtorin e ndërmarrjes ku punonte Bilali, pasi e mbante mirë atë. Drejtori ishte një shkrimtar i ri dhe i pëlqenin shkrimet e Bilalit. Ishte një lexues i veprave të tij.
– A përndiqej nga Sigurimi i Shtetit gjatë kohës së internimit?
Namik Mana – Bilali punonte nëpër fusha duke prashitur rrushin. Atë e dënuan më 1000 lekë dhe i mbanin çdo muaj nga 100 lekë. Por në atë kohë një shumë e tillë parash ishte shumë e madhe. Këtë gjobë ia vunë me pretekstin se ai nuk kishte dorëzuar shtëpinë ku kishte banuar më parë. Kjo ishte një absurditet, pasi atë e internuan dhe nuk i lanë kohë që të bënte të tilla procedura.
– Mendoni se jeta e Bilalit ishte e rrezikuar seriozisht nga këta armiq që i kishin vënë pas? Ndonjë rrezik që e detyroi të arratisej jashtë vendit?
Namik Mana – Bilali e dinte shumë mirë që përndiqej nga Sigurimi i Shtetit. Të gjithë e dinin atë kohë se, kur të vihej Sigurimi nga pas, çdo gjë mund të ndodhte. Kur ishin të internuar në Hamallaj, Bilali takon një grua, që ishte mësuese në Sukth. Atë e kishte caktuar Sigurimi që të përgjonte Bilalin. Ajo i thotë vetë Bilalit se e kishin caktuar për ta përgjuar.
– Ishte ndonjë presion që i bënin apo ndonjë provokim?
Namik Mana – Ishte një provokim që i bënin Bilalit që të shikonin se çfarë qëndrimi do të mbante ai. Edhe arratisja e tij është kurdisur nga vetë ai dhe ne personat që kishte afër.
– Si është arratisur Bilal Xhaferri?
Namik Mana – Përpara se të arratisej, ai bëri një fejesë me një vajzë në Sarandë. Mbasi u fejua, erdhi në Durrës për të punuar. Punoi disa kohë dhe më pas iku me pretekstin se do të martohej me vajzën që ishte fejuar në Sarandë. Ai shkoi në degën e Durrësit që të merrte leje se do të martohej, pasi, kur internoheshe në atë kohë, nuk lejohej që të lëvizje nga vendi që ishe i internuar.
– Ju e dinit që Bilali do të arratisej?
Namik Mana – E dinim shumë mirë, madje ne kontribuuam në para që ai të arratisej jashtë vendit. Kishte njohur një person, që i kishte garantuar se do ta dërgonte në Greqi.
– Shefki, ju keni qenë në Konispol në kohën kur ai ka ikur në Greqi. Keni studiuar edhe jetën e Bilal Xhaferrit. Si është arratisur ai në atë kohë, kur kufijtë ishin të stërkontorlluar?
Shefqi Hysa – Ai ishte shumë i vendosur për tu larguar nga Shqipëria. Nuk mund të rrinte, pasi e dinte që do ta arrestonin. Ai sajon një fejesë. Madje mori pjesë edhe në një festë që u organizua në Sarandë dhe bëri të ditur se do të martohej. Të nesërmen, pasi mbaroi festa, iku në vendlindjen e tij. Shkoi në Janier, në kufi me Greqinë. Në këtë zonë kufiri ishte më pak i kontrolluar, pasi presupozohej se ishte një zonë besnike e Partisë dhe nuk do të largohej as një njeri. Bilali, duke qenë i zonës aty, e njihte mirë rrugën për tu arratisur. Kështu së bashku me kunatin u arratisën për në Greqi. Në kufi ai la një letër, e cila është gjetur edhe te dosja e tij. Në të thuhej se largohej nga Shqipëria pasi sistemi komunist ishte shumë i papranueshëm dhe diskriminues. Pasi kaloi kufirin, ai ndenji në Janinë për gjashtë muaj në kamp internimi.
– Shumë e dhimbshme kjo histori! Një çam që ikën në Greqinë e asaj kohe, disa vjet mbasi kishte ndodhur masakra e shovinizmit grek!
Shefki Hysa – Pikërisht këtu ndodh edhe tragjedia më e madhe e jetës së Bilal Xhaferrit. Kur largohet nga atdheu, merr një qëndrim tjetër. Po të shohësh ciklin e botimeve që ka shkruar në Janinë, shihet një hije trishtimi. Ai e dinte se, po të bëhej me dije nga forcat greke se cili ishte, do të përfundonte më keq se në Shqipëri. Ndaj ai shkon në zyrat e OKB-së në Greqi dhe kërkon që të largohet në SHBA. Për gjashtë muaj ai ikën dhe shkon në SHBA.
– Shefki, ju ishit një ndër organizatorët kryesorë për sjelljen e eshtrave të Bilal Xhaferrit në atdhe së bashku me presidentin e asaj kohe, Sali Berisha. Është një amanet i mbajtur i Bialit kthimi në atdhe. Si e kujtoni këtë ngjarje?
Shefki Hysa – Në radhë të parë është për tu falënderuar ish-presidenti Berisha dhe Pjetër Arbnori për kontributin që dhanë për kthimin e eshtrave në atdhe. Duke qenë një disident, ndihmoi jashtëzakonisht shumë për këtë përmbushje. Duke qenë anëtar i parlamentit, ai u përkushtua shumë për gjetjen e fondeve.
– Jemi në kohë demokracie. Figura e Bilal Xhaferrit duket e vakët në librat shkollorë dhe në medie. Mendoni se përplasja që pati me Ismail Kadarenë pengon në promovimin e tij si shkrimtar në letërsinë shqipe sot?
Namik Mana – Nuk besoj se është kjo. E para, Bilal Xhaferri është çam, por nuk i përket Çamërisë, po të gjithë Shqipërisë. Nuk mund të them se në çfarë pozicioni mund ta vesh atë.
– Për çarsye nuk e pranojnë sot Bilal Xhaferrin si shkrimtar të talentuar?
Shefki Hysa – Janë disa arsye. E para është se vazhdon trashëgimia komuniste e letërsisë. Janë disa ikona të komunizmit që e mbajnë veten e tyre në piedestale dhe nuk e lejojnë Bilalin që të ngrihet në piedestal. Në qoftë se do të bëjmë një krahasim të letërsisë së Bilal Xhaferrit me letërsinë ekzistuese, do të shohim se ndryshon si nata me ditën. Është shumë më e pasur letërsia e Bilal Xhaferrit. Është një letërsi tejet brilante, që shkon direkt e në zemër, që pëlqehet shumë nga lexuesi.
– Namik, në kontekstin historik a vazhdon ende persekutimi i Bilil Xhaferrit?
Namik Mana – Po. Në Kosovë vlerësohet shumë herë më tepër figura e Bilal Xhaferrit sesa në Shqipëri.
Shefki Hysa – Vazhdon pasi në letërsinë shqiptare ekziston vetëm një poezi të tij. Vetëm “Balada çame”, ekziston në tërë tekstet e letërsisë shqipe. Madje, as në orët letrare nuk përmendet figura e tij.
– Zoti Shefki, ju si kryetar i shoqatës a keni bërë ndonjë përpjekje për ta futur figurën e tij në tekstet e letërsisë shqipe?
Shefki Hysa – Disa herë zyrtarisht jemi marrë me Ministrinë e Kulturës dhe Arsimit për të futur disa shkrime të Bilal Xhaferrit në librat shkollorë. Na kanë dhënë një përgjigje pozitive, por është zvarritur shumë. Mund të them se kështu po ndodh me Kasem Trebeshinën, Pjetër Arbnorin etj.
Siç e ka thënë edhe vetë Bilali, ai është shkrimtari i njohur i të panjohurve.
Namik Mano – Bilali është një shkrimtar çam. Figura e tij po vlerësohet më shumë në Kosovë sesa në Shqipëri. Kjo për arsye se kanë pasur të njëjtin fat.
Marre nga libri  “Zerat e Mbijeteses ” Nebil Cika i riu

Universiteti i Durrësit i themeluar rreth vitit 1380, i pari i këtij lloji në Ballkan!

Shkruan, Prof. Dr. Jahja Drançolli
Në fillim të viteve 90-të në shtypin ditor të Kosovës, si dhe në revistën Buletini i Fakultetit Filozofik (1993), kishte parë dritën një studim imi me titullin, Universiteti i Durrësit (së bashku me burime e literaturë referente), që ishte rezultat i punës së gjatë hulumtuese jo vetëm në arkiva publike italiane dhe kroate, por edhe në ato kishtare të urdhrit Dominikan, urdhër ky që kishte themeluar Universitetin e Durrësit rreth vitit 1380. Rezultati është pritur jashtëzakonisht mirë në botë. Këtej, në Kroaci, nga mjetet e Kuvendit të Kroacisë janë ndarë rreth 10.000 euro që studimi në fjalë, i shoqëruar me rezultate të tjera, të shohin dritën në librin monumental, Arbërit ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes gjatë Mesjetës (Arbers between West and East during Middle Ages, Zagreb, 2008). Libri është distribuar kryesisht në librari europiane.
Janë dy arsye pse jam duke e riaktualizuar sërish çështjen në fjalë, tashmë të përqafuar nga pjesa e madhe e shkencës serioze europiane, e sidomos të asaj kroate e kosovare.
Arsyeja e parë është se Universiteti i Zarës, kohë më parë, në web faqën universitare (anglisht dhe kroatisht) ka postuar historikun e universitetit, që përputhet plotësisht me rezultatet shkencore të cilat provojnë fuqishëm ekzistimin e Universitetit të Durrësit për të parin e këtij lloji në Ballkan. Ky rezultat, tashmë i provuar fuqishëm edhe nga shkenca e historisë kroate, ishte refuzuar nga një pjesë e historiografisë së Shqipërisë politike me prirje mediokre nga medievalistika. Fatëkeqësisht, në mesin e tyre ka pasur dhe ka emra të shquar, të cilët me ndonjë puthadorë mediokër/e nga Kosova, jo vetëm që refuzuan botimin e këtij zbulimi në projektin Historia e Popullit Shqiptar: Ilirët, Mesjeta… (Akademia e Shkencave e Shqipërisë-Instituti i Historisë, Tiranë: 2002), por e shpallën Universitetin e Durrësit, si të paqenë. Një fushatë e përafërt është zhvilluar pothuajse në intervale të njejta me zbulimin e origjinës Hasiane të Skënderbeut. Fatbardhësisht ky rezultat në vitet e 50-ta, pjesërisht qenka provuar edhe nga më i madhi historian shqiptar, Aleks Buda. Me rastin e fushatës së zhurmshme, ndonjë prej tyre, autorin (J. Drançolli) e kishte marrë në spikamë në stilin e humorit: “autori i këtij ‘zbulimi’ duke lexuar se durrësakët e kanë besuar ‘zbulimin’ e tij, tani edhe vet siç më kanë thënë, beson me të vertetë se Durrësi ka pasur universitet në shekullin XIV” (Historiografia shqiptare në tranzicion, Tiranë, 2006, f. 73). Mos të flasim për diferencime nga tubimet shkencore, që mbaheshin në Shqipëri (ndonjëherë edhe në Kosovë), vetëm pse Universiteti i Durrësit ishte zbuluar nga një kosovar, dhe jo nga ndonjë prej strukturave të mykura të historiografisë enversite, të cilat trevat shqiptare jashtë Shqipërisë Politike i kanë përjashtuar nga versioni më i ri i Historisë së Popullit Shqiptar (Antika, Mesjeta…, Tiranë: 2002). Mesazhi është i qartë, duhet ditur se çdo gjë nisë dhe mbaron me Shqipërinë Politike të djeshme dhe të sotme, dhe në këtë kontekst, kthesat më të mëdha janë bërë në Shqipëri vetëm në periudhën komuniste. Do të ishte paradoksale për recidivët e djeshëm dhe të sotëm të komunizmit shqiptar, që kishin masakruar, mbytur dhe internuar mijëra intelektualë të klerit (jo vetëm katolik, por edhe musliman dhe ortodoks), ta pranojnë Universitetin e Durrësit, pikërisht si rezultat të këtij kleri nga pjesëtarët e Urdhrit Dominikan, që aktualisht në këtë vit kudo në botë është duke shënuar 800-vjetorin e themelimit të urdhrit në fjalë.
Arsyeja e dytë është që dashamirësit e shkencës dhe kulturës tonë më në fund t’i gëzojmë edhe më ndonjë sihariq, që afirmon vlerat tona shkencore e kulturore gjatë Mesjetës, kulturë kjo që ka reflektuar gjithandej Mesdheut dhe Europës përgjithësisht.
Për të parë zhvillimin historik të Universitetit të Durrësit (rreth vitit 1380), i cili për shkaqe të sulmeve osmane ishte tërhequr në Zarë për të themeluar atje Studium Generale ose Universitetin e Zarës me REKTOR TË PARË, GJON DURRËSAKU (në vitin 1396), përveç studimit tim që është botuar shumë kohë më parë, duhet shikuar për verifikim web faqën e Universitetit të Zarës, të postuar në anglisht dhe kroatisht . Nga e gjithë ajo që u tha më sipër, e quaj me vend ta përkujtoj sentencën e famshme të shkenctarit më të madh të epokës së Humanizmit dhe të Rilindjes, Galile Galileo: “Eppur si muove”/”Megjithatë, po lëvizë”.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës,Shpend Maxhuni dhe Lorenz Caffier diskutojnë për luftimin e krimit të organizuar dhe terrorizmit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni me stafin e lartë të PK-së, ka pritur në një takim ministrin e Brendshëm të Landit të Mecklenburg-Vorpommern të Republikës Federale të Gjermanisë, Lorenz Caffier, po ashtu i shoqëruar nga stafi i tij.

Image

“Shpend Maxhuni fillimisht falënderoi për vizitën ministrin nga Gjermania dhe njëkohësisht gjatë takimit paraqiti një prezantim rreth historikut, organizimit, aktiviteteve dhe objektivave të Policisë së Kosovës. Përveç tjerash temë e këtij takimi ishte edhe bashkëpunimi policor ndërkombëtar, migrimi ilegal, luftimi i krimit të organizuar dhe terrorizmit”, thuhet në njoftim.
Image
Më tej Maxhuni njoftoi ministrin Caffier, se Policia e Kosovës tashmë ka dëshmuar veten se është e përgatitur të jetë pjesë e të gjithë mekanizmave ndërkombëtarë policorë, si: INTERPOL-i, EUROPOL-i etj., e cila do të ndikojë edhe më pozitivisht në parandalimin, luftimin e kriminalitetit, si në vend, rajon dhe më gjerë dhe se kjo mbetet ndër objektivat kyçe të PK-së, ku njëherit u kërkua edhe përkrahja në këtë drejtim edhe nga vetë ministri Lorenz Caffier.
Nga ana e tij  Lorenz Caffier falënderoi Policinë e Kosovës, në këtë rast drejtorin Maxhuni për pritjen dhe njëkohësisht premtoi se do të angazhohet në mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj Policisë së Kosovës, duke përfshirë edhe përkrahjen e inkuadrimit në mekanizma ndërkombëtarë.
Image
Gjatë takimit, i cili u realizua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, Maxhuni dhe Caffier u zotuan për bashkëpunim të ndërsjellë në mes veti si dhe avancimin e përbashkët në fushën e parandalimit dhe luftimit të krimit të organizuar, migrimit ilegal dhe terrorizmit./Indeksonline/




Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...