Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni me stafin e lartë të PK-së, ka pritur në një takim ministrin e Brendshëm të Landit të Mecklenburg-Vorpommern të Republikës Federale të Gjermanisë, Lorenz Caffier, po ashtu i shoqëruar nga stafi i tij.
“Shpend Maxhuni fillimisht falënderoi për vizitën ministrin nga Gjermania dhe njëkohësisht gjatë takimit paraqiti një prezantim rreth historikut, organizimit, aktiviteteve dhe objektivave të Policisë së Kosovës. Përveç tjerash temë e këtij takimi ishte edhe bashkëpunimi policor ndërkombëtar, migrimi ilegal, luftimi i krimit të organizuar dhe terrorizmit”, thuhet në njoftim.
Më tej Maxhuni njoftoi ministrin Caffier, se Policia e Kosovës tashmë ka dëshmuar veten se është e përgatitur të jetë pjesë e të gjithë mekanizmave ndërkombëtarë policorë, si: INTERPOL-i, EUROPOL-i etj., e cila do të ndikojë edhe më pozitivisht në parandalimin, luftimin e kriminalitetit, si në vend, rajon dhe më gjerë dhe se kjo mbetet ndër objektivat kyçe të PK-së, ku njëherit u kërkua edhe përkrahja në këtë drejtim edhe nga vetë ministri Lorenz Caffier.
Nga ana e tij Lorenz Caffier falënderoi Policinë e Kosovës, në këtë rast drejtorin Maxhuni për pritjen dhe njëkohësisht premtoi se do të angazhohet në mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj Policisë së Kosovës, duke përfshirë edhe përkrahjen e inkuadrimit në mekanizma ndërkombëtarë.
Gjatë takimit, i cili u realizua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, Maxhuni dhe Caffier u zotuan për bashkëpunim të ndërsjellë në mes veti si dhe avancimin e përbashkët në fushën e parandalimit dhe luftimit të krimit të organizuar, migrimit ilegal dhe terrorizmit./Indeksonline/
No comments:
Post a Comment