Nga Valeria Dedaj
Etapat kryesore të historisë së Shqipërisë do të tregohen me anë të mediumit kinematografik nëpërmjet retrospektivës së pasur, me 16 tituj filmash dokumentarë shqiptarë dhe 1 film artistik, që është konceptuar e grupuar në 5 programe, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar “Cinema Du Reel”, që organizohet në Qendrën Pompidou në Paris. Specialistja e Arkivit Qendror të Filmit, Eriona Vyshka, shpjegon rëndësinë e prezantimit të Shqipërisë në Paris, duke ndalur në secilën tematikë që trajtojnë filmat shqiptarë.
“Shqipëria e periudhës së shtetformimit përcjellë përmes kamerës së drejtuar nga Mandi Koçi me dokumentarin e parë prodhim krejtësisht shqiptar të vitit 1947. Viktor Gjika, kinopoema dokumentareske e vitit 1964 prezanton etapën e rindërtimit të vendit. Shkëlzen Shala me dokumentarin e realizuar në vitin 1974 mbi Tiranën e djeshme dhe të kohës, pra të ’74-ës. Regjisori Kujtim Gjonaj me thirrjen që i bën shoqërisë në vitin 1993 për të mos ngritur më mite pasi kanë shembur idhujt e vjetër”, thotë ajo.
“Zërat” e censuruar të kinematografisë shqiptare do të vijnë për publikun ndërkombëtar nëpërmjet kamerës së Viktor Stratobërdhës, me filmat e tij të shkurtër të viteve 1955-’56. Sipas Vyshkës, këta filma janë të veçantë në llojin e vetë, një pasqyrë e jetës reale të shoqërisë shqiptare të atyre viteve e që shprehin një kinema të çiltër e origjinale. Pas xhirimit të këtyre etydeve të shkurtra, Stratobërdha i kaloi në burg 20 vitet e tjera të jetës së tij.
Kamera e drejtuar nga Mithat Fagu do të na flasë për dhuruesit e jetës, dhuruesit e gjakut. Sërish një regjisor që e përdorë bukur syrin e tretë dhe realizon dokumentarë përtej atyre të zakonshmëve. Fagu u dënua më vonë për realizimin e tij “Në gjurmë të revolucionit tekniko-shkencor” film, i cili nuk mori dot formën e tij përfundimtare, por në Arkivin Qendror Shqiptar të Filmit ruhen elementet kryesorë të kësaj vepre. “E nuk mund të mungonte kamera e regjisorit Dhimitër Anagnosti në këtë retrospektivë të filmit shqiptar në Paris. Anagnosti vjen me premierën botërore të restaurimit të dokumentarit “Përjetësi’”, vazhdon Vyshka. Një restaurim i realizuar nga AQSHF vitin e kaluar. Ky dokumentar, një trajtim poetik dhe emocional të temës së të rënëve të Luftës Antifashiste, nuk është shfaqur për publikun e gjerë në Shqipëri, as në kohën e prodhimit të tij në vitin 1974, pasi është konsideruar të ketë një koncept regjisorial modern për kohën. Gjithashtu, pjesë e programit do të jetë edhe filmi tjetër ‘modern për kohën’ i Anagnostit, “Motive nga dita e diel”, 1974 ku regjisori luan shumë me planet detaj dhe muzikën xhaz.
Vendet e bukura turistike të Shqipërisë do të përcillen për publikun ndërkombëtar të “Cinema Du Reel” nëpërmjet dokumentarit të Mark Topallajt. Studentët e përzgjedhur nga Topallaj, vajzat më të bukura e djemtë më të pashëm të Tiranës na shoqërojnë në një udhëtim të mrekullueshëm nga Veriu në Jug të vendit e na njohin me historinë, traditat e peizazhet marramendëse. “Pikërisht fati i të rinjve protagonistë të filmit, diktoi edhe fatin e filmit, disa prej tyre u internuan nga regjimi e kështu filmi u detyrua të priste në raftet e Arkivit për ta parë sërish dritën e projeksionit vetëm në vitet dymijedhjetë”, thotë ajo.
Marrëdhëniet me ndërkombëtarët, zbulohen në programin e tretë nëpërmjet filmave të prodhuar në Shqipëri, nga kineastë të huaj, si dokumentari i realizuar në 1935 nga Walter Frentz, që njihet si fotograf i propagandës naziste, apo bashkëprodhimeve me rusët (Shqipëria 1945, Roman Karmen) dhe kinezët (Krah për Krah, Endri Keko, Ho Y Shen, 1964)
Pasoja - historia e risjellë”, është programi i katërt, i cili do të ritregojë historinë e shqiptarëve, këtë herë përmes 2 dokumentarëve të kohëve të fundit, nga dy regjisorë të brezit të ri të kineastëve; “Superballkan”, Fatmir Koci (1998) dhe “Pritja”, Roland Sejko (2015). “Këta dy filma janë të ndërtuar me materiale arkivore nga fondi filmik i AQSHF-së dhe tregojnë se si mund të përdoren materialet e vjetra për të rithënë historinë nga një këndvështrim tjetër”, shprehet specialiste e Arkivit të Filmit .
Loja e fëmijëve - Realiteti i Xhanfise Kekos, është programi i fundit i retrospektivës, dedikuar regjisores shqiptare. Studiuesve dhe kritikëve evropianë të filmit po u bën përshtypje gjithnjë e më shumë puna dhe arti i një gruaje regjisore. Këtë herë sillet Xhanfise Keko me filmin artistik “Kur xhirohej një film” dhe dokumentarin e shkurtër “Para shfaqjes”, ku gjithnjë në fokus vendos botën e pafajshme të fëmijëve.
“Në kuadër të retrospektivës së kinemasë shqiptare, do të mbahet edhe një tryezë e rrumbullakët ku kineastë dhe arkivistë do të diskutojnë se si imazhet e lëvizshme i dhanë formë dhe ende sot pasqyrojnë narrativën e historisë dhe shoqërisë shqiptare, dhe se si këto imazhe duhet dhe mund të ruhen, restaurohen dhe të ripërdoren për të kuptuar të tashmen”, përfundon ajo.
Cinema Du Reel 2015, fokusohet në thesarin që ruhet në AQSHF
Cinema Du Reel, festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar që organizohet në Qendrën Pompidou në Paris nga 18 – 27 mars 2016, i dedikon sivjet në edicionin e tij të 38-të, një program të veçantë kinemasë shqiptare, një retrospektivë të sjellë nëpërmjet dokumentarëve të fondit filmik të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Programi mbi kinemanë shqiptare, i titulluar Një histori përmes imazheve: Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në fokus, është kuruar nga Clarence Tsui, një nga programuesit e festivalit Cinema Du Reel, kritik filmi dhe studiues i kinemasë.
No comments:
Post a Comment