Sopranoja shqiptare Dëshira Ahmeti-Kërliu
Nga Flora Nikolla
Për Dëshira Ahmeti Kërliun, Dibra qyteti i saj i lindjes, qytet i njohur për kulturë, emancipim, tradita qytetare, është qyteti piktoresk i të gjitha stinëve të vitit, me bukuri natyrore që zbukurojnë çdo moment të jetës, rrethuar me male të larta, me gjelbërim të rrallë me ajër të pastër, liqenin e bukur dhe lumenjtë Radika dhe Gajri. Ky qytet i fali artistes së njohur, dashuri dhe ngrohtësi nga njerëzit që jetojnë këtu, qytetarë që çmojnë kulturën dhe artin, që kur nisi të këndojë në skenë nga klasa e parë kur u mbështet me fjalët më të bukura. Dëshira sot soprano e njohur, vendin e saj vazhdon ta këtë pikën frymëzimi në punën e saj si artiste. Ëndrra e saj në fëmijëri ishte muzika dhe këndimi! Dëshira Ahmeti Kërliu, nisi Akademinë e Arteve të Bukura në klasën e pedagoges së njohur znj. Nina Mula. Edukimi i saj i dha forcë për të ecur përpara për të ndjekur rrugën e vështirë të artit por dhe me të bukurën e saj.
Me një karrierë të realizuar fillimisht në Shkup në skenën e Operës dhe Baletit të Maqedonise, si soliste e roleve kryesore, me një mori koncertesh te organizuar në Evropë, Dëshira do të lidhte jetën e saj me Nju Jorkun, ku vazhdoi klasat me përgatitje të vokalit të saj në audicione të ndryshme dhe tani është në fazën përfundimtare. Ajo thotë pa frikë se mund të konkurroj në axhendat e këtij vendi për një angazhim më të madh të sajin profesional, me specializimin e vokalit me vepra botërore me emra të njohur të muzikës amerikane si Neil Goran dhe Francis Keeping. Pas suksesit dhe bashkëpunimit të saj në 100-vjetorin e Pavarësisë në Tiranë dhe në Shkup me sopranon e madhe Inva Mula, ajo, tani po organizon një koncert të madh në Nju Jork në një nga sallat më prestigjioze të Manhatanit.
Koncerti i cili do të organizohet më 26 mars, me një orkestër simfonike do sjellë në skenë këngët më të bukura që i këndohen Atdheut për komunitetin shqiptar në SHBA. Ajo thotë se dhe ky projekt është mjaft i guximshëm dhe shumë i vështirë për tu realizuar në një vend si Amerika ku deri më tani ahkush nuk e kishte ndërmarrë një nismë të tillë.
Ju keni lindur në Dibër të Maqedonisë, një zonë e pasur në tradita dhe kulturë, Çfarë do tëkujtonit nga vendlindja juaj?Unë vij nga një qytet shumë i njohur për shqiptarët kudo që janë, qyteti i Dibrës i cili njihet për kulturë, emancipim, traditat qytetare. Ai është qyteti piktoresk i të gjitha stinëve të vitit, me bukuri natyrore që të zbukurojnë çdo moment të jetës, rrethuar me male të larta, me një gjelbërim që rrallë e gjen në qytete të tjera, ajër të pastër, liqenin e bukur natyral si dhe lumenjtë Radika dhe Gajri të cilat sa herë i viziton gjen më shumë bukuri që nuk mund të krahasohet! Ky qytet më fali shumë dashuri nga të gjitha që përshkrova por dhe ngrohtësinë nga njerëzit që jetojnë në ketë vend, qytetarë që çmojnë kulturën dhe artin, ata të cilët që në hapat e para si fëmijë, kur unë nisa të këndojë në skenë nga klasa e parë fillore u mbështeta me fjalët më të bukura të cilat sot e kësaj dite më tingëllojnë aq bukur. Unë i mbaj në kujtesën time për t’i ruajtur gjithë jetën. Unë e dua vendin tim, më mungon dhe kudo ku jam frymëzimin për punën time si artiste e gjej tek ai vend.
Në vitin 1994 ju nisët të studioni në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë në degën e kantos në klasën e profesoreshës së njohur sopranos Nina Mula, Si do ta cilësonit shkollën shqiptare të kantos ashtu edhe profesoreshën Nina Mula?Ëndrra ime si fëmijë dhe më pas duke u rritur ishte vetëm muzika, këndimi! Unë nuk do mund ta paramendoja jetën time pa muzikën. Pa artin, jeta ime nuk do ishte aspak e plotësuar. Pas mbarimit të shkollës së mesme në qytetin tim, mora rrugën e studimeve në Tiranë, në qytetin e ëndrrave, në qytetin që e shikonim në televizor dhe krijonim imagjinatën tonë si mund të ishte jeta atje. Pra Tirana, është qyteti i dytë më i dashur pas Dibrës, dhe vështirë se mund t’i zëvendësoje këto dy qytete me ndonjë tjetër. Artistët shqiptarë i dëgjoja me vëmendje dhe interesim nga ekrani dhe radio, duke ua imituar zërin e bukur të shkolluar në Akademitë më të fuqishme të Ballkanit por edhe më gjerë. Kështu nisa Akademinë e Arteve të Bukura si e quanin në vitet 1994-98, kur fillova studimet në klasën e pedagoges më të njohur znj. Nina Mula. Mund të them që ëndrra ime u bë realitet kur u futa në këtë Akademi në klasën e zyshës më të dashur dhe më të respektuar e cila me shumë përkushtim dhe kënaqësi e bënte punën e saj si pedagoge. Ajo ishte një grua e rrallë dhe kam pasur fat të jem në klasën e saj,të fitoj shumë nga dija dhe eksperienca e punës qe ajo bënte me bagazhin e saj si artiste e madhe e skenës të Teatrit të Operës në Tiranë. Edukimi i saj më dha forcën për të ecur përpara dhe për të ndjekur rrugën e vështirë të artit por dhe atë me të bukurën e saj. I jam shumë mirënjohëse dhe falënderuese kësaj pedagogeje dhe njëkohësisht të gjitha zyshave të cilat na kanë përkrahur në saxhot e kantos që ne kishim në ato vite, provimet dhe diplomën qe mbrojta në vitin 1998. Me plot kuptimin e fjalës shkolla e Tiranës, Akademia e muzikës është në një nivel shumë të lartë dhe të gjithë pedagogët e saj janë shumë të përkushtuar me studentët dhe me sukseset e tyre. Ne kemi arritur të mburremi për arritjet e shumë artistëve të njohur që sot janë ngjitur në majat e skenave botërore.
Ç’do të thotë të jesh soprano?Të jesh soprano në skenë është një profesion magjik,është shumë i bukur, është një ndjenjë që nuk përshkruhet me fjalë por dhe një përkushtim dhe përgjegjësi e madhe për ato momente që duhet të dalë gjithçka nga thellësia e shpirtit, duhet kënduar me ndjenjë, përgatitje maksimale si profesioniste dhe shumë e shumë të tjera që plotësojnë figurën e artistit. Pra unë nuk di nëse do kisha menduar të bëj ndonjë profesion tjetër, nuk di për cilin mund të thosha se mund ta bej, përveç asaj që të mësoj fëmijët dhe studentët e mi në të ardhmen, pra si pedagoge.
Cilat ishin arsyet që u vendosët në Nju-Jork?Unë kam ardhur në Nju Jork shumë shpesh sepse gjyshja ime jeton bashkë me dajat e mi në Konektikat, një shtet i zhvilluar në SHBA dhe kuptohet që unë pa të e kam të vështirë të jetoj me shume kilometra larg. Por arsyeja qe unë mbeta për dy vite me radhë në këtë vend, ishte ardhja ime me një koncert recital në qendrën për kulturë të Maqedonisë në NYC, të organizuar nga Ministria e Kulturës e Maqedonisë. Në atë koncert kishte të ftuar dhe muzikantë amerikane, dirigjentë dhe producentë të cilët më dëgjuan dhe u pëlqeva. Më pas vazhdova klasat me përgatitje të vokalit tim për audicione të ndryshme në Nju-Jork dhe tani jam në fazën përfundimtare. Mund të them pa frikë se mund të konkuroj në axhendat e këtij vendi për një angazhim më të madh timin në profesion. Pra jam duke bërë një specializim të vokalit dhe veprave botërore me emra shumë të njohur të muzikës amerikane si Neil Goran dhe Francis Keeping.
Si u përballët me jetën në Nju-Jork?Jeta në Nju-Jork nuk është e lehtë në fillim ashtu si është e njohur për shumë emigrantë që vijnë dhe përballen me kushtet qe te ofrohen ne fillim. Por unë pata fatin të kem përkrahje nga bashkëshorti im, i cili e njihte mire vendin ku kishte vite me radhë që kishte jetuar dhe vepruar si artist dhe kishte miq dhe shoqëri të cilët ishin shumë të ngritur në profesionin e tyre dhe bizneset që zhvillonin. Ndaj përkrahja jonë nga ata ka qenë maksimale dhe mund të them që isha pak sa më e ledhatuar në këtë drejtim. Por sigurisht qe edhe gjyshja ime dhe dajat të cilët kishin një jetë në Amerikë, më kanë përkrahur.
Cilat janë planet tuaja më të afërta?Pas suksesit dhe bashkëpunimit tim me sopranon e madhe Inva Mula, tani po organizoj një koncert të madh në Nju Jork në një nga sallat më prestigjioze të Manhatanit. Me një orkestër simfonike do sjellë në skenë po atë emocion qe dhuruam nga interpretimi i sopranos Inva Mula në Shkup dhe Tiranë këngët më të bukura që i këndohen atdheut dhe për komunitetin shqiptar në SHBA që të mund ta shijoj këtë program të bukur,gjë të cilën nuk e kanë realizuar më parë. Përsëri mund të them se edhe ky projekt është mjaft i guximshëm dhe shumë i vështirë për tu realizuar në një vend si Amerika ku deri më tani askush nuk e kish ndërmarrë një iniciativë te tillë.
Në SHBA ka një komunitet të konsiderueshëm shqiptarësh. Sa të integruar e shihni këtëkomunitet në jetën amerikane?Komuniteti shqiptar në Amerikë është një nga komunitetet që ka arritur të jetë shumë i suksesshëm në pothuajse të gjitha drejtimet e jetës. Ata kanë zhvilluar biznese të mëdha, kanë punësuar mjaft shqiptarë që kanë emigruar, pra ndihmojnë shumë njëri-tjetrin. Pra janë punëtore të mëdhenj, janë të zgjuar dhe shumë ambicioz. Dhe çka është më e rëndësishmja janë shumë patriotë. Pa komunitetin shqiptar në SHBA, shumë punë politike ne vendin tonë do të ishin më të ngatërruara seç janë dhe kanë qenë.
Po gruan shqiptare, si e shihni në këtë komunitet?Gruaja shqiptare në këtë vend, si emigrante ka pasur zhvillim të madh, dhe pa frikë mund të krahasohet me gruan amerikane në shumë fusha. Kemi gra të cilat kanë përparuar shumë me arsimimin e tyre, studimet të cilat i kanë mbaruar në Amerikë dhe janë nëna të dalluara për fëmijët e tyre që vitet e fundit tregojnë mjaft interesim në shkollimin e tyre, avancimin ne biznese si femra të cilat i udhëheqin ata.
No comments:
Post a Comment