2016-03-14

Ku fshihet Gabriel Garcia Markez?


Shkrimtari Gabriel Garsia Markezi ( 6 Mars 1927 - 17 prill 2014) me bashkëshorten Mercedes / Foto: Getty Images"

Ardi Stefa


Problemi me autobiografitë e shkrimtarëve të mëdhenj është i njëjtë dhe i njohur tashmë. Asnjëherë nuk e di se ku mbaron e vërteta dhe fillon realja. Asnjëherë nuk e di se kur e transferojnë realitetin dhe kur e shpikin. Asnjëherë nuk e di se kur zbulojnë vetveten dhe kur fshihen pas stilit të tyre personal për t’iu shmangur vetvetes së “zbuluar”. Asnjëherë nuk e di plotësisht se sa e ka zbuluar vetveten shkrimtari, deri në çfarë mase na e ka dhënë në pjatë shpirtin e vet. Shkrimtari që shkruan autobiografinë e vet, shndërrohet pothuajse në një hero të veprave të tij...

Aq më tepër kur bëhet fjalë për themeluesin e “realizmit magjik”, patriarkun e një lloj letërsie ku kufijtë ku ndahet realiteti nga fantastikja zhduken nga i vetmi ligj i saj, nga ligji i të rrëfyerit. Me të vërtetë, kjo është ndjesia e parë që të krijohet kur lexon autobiografinë e Gabriel Garsia Markezit. Duke folur për jetën e tij, për Kolumbinë ku u lind dhe u rrit, është njësoj sikur të rilexosh e të rilexosh, romanin e mrekullueshëm “Njëqind vjet vetmi”!

Kujtesa, kujtimet...

Kur lexon autobiografinë e Markezit “Rroj për të rrëfyer” një pyetje të vjen vetvetiu në mend: Në rast se nuk do të kishte shkruar “Njëqind vjet vetmi”, a do të fliste shkrimtari me të njëjtën mënyrë sikurse flet tani? Ose më tutje: Bota që përshkruan, bota e Kolumbisë, së pas e mesluftës, me varfërinë e tejskajshme, me jetën e trazuar politike, me kaçakët dhe diktaturat, a do të ishte e njëjtë me atë që përshkruan në faqet e autobiografisë së vet “Rroj për të rrëfyer”? Dhe vetëm titulli, nga kjo pikëpamje është shumë sinjifikativ e zbulues: Jeta e shkrimtarit identifikohet me rrëfimin e tij. Pulsi i kujtimeve është mënyra e tij. Markezi që na tregon autobiografinë e vet, mbështetet gjerësisht në rezervat e pasurisë së tij “markeziane”, në të gjitha ato ngjarje, në të gjitha ato episode që variojnë e luhaten ndërmjet ireales e absurdes, në përshkrimet e një realiteti që të imponon ekzistencën e saj për shkak se karakteri i saj ireal nuk dramatizohet, përballohet e trajtohet si fiziologjik, si një gjë e realitetit të përditshëm. Dhe natyrisht, është tepër familjar. Nëpërmjet faqeve të autobiografisë, Markezi duket se u vërteton miliona lexuesve të vet se botën e Makondos dhe të familjes Buendia, nuk e ka shpikur, nuk e ka krijuar. Thjesht e ka jetuar...

Familja ime ishte viktimë e gjithçkaje...

Sa mirë kuptohet filozofia e tij jetësore e letrare, vetëm nëpërmjet një paragrafi të autobiografisë së tij. “Shembulli për një shikim si ai që unë e ëndërroja aq shumë gjatë gjithë jetës sime, nuk duhet të ishte tjetër veç familjes sime, e cila asnjëherë nuk ishte protagoniste, dhe as viktimë e ndonjë gjëje. Ishte vetëm një dëshmitare e pavlerë dhe viktimë e gjithçkaje”...

Përmbysja

Thjesht gjërat nuk janë kaq të thjeshta. Megjithatë, distancat që ai mban nga moralizmi janë të qarta dhe të ndërgjegjshme: “Moralizmi, i cili na ka ofruar shumë shembuj rilindjeje në fillimet e tij, ka mbërritur në atë shkallë sa të shndërrojë në mbeturina akoma edhe çështjet e mëdha kombëtare, prej të cilave mundet të gjente rrugëdalje...”! Janë të njëjtat distanca që ndajnë jetën nga letërsia. “Realisti magjik” përmbys rregullin e artë të realizmit: Në qoftë se në moralizmin letrar tregimi e merr vlerën e vet prej tregimit të faktit që tregon jetën reale, Gabriel Garsia Markezi tregon se, është rrëfimi ai që iu jep të drejtë vlerave të jetës. A s’është më se klasike? Çfarë rëndësie do të kishte për ne “Zemërimi i Akilit” në rast se nuk do të ekzistonte Homeri?...

Jeta buron prej letërsisë

Gabriel Garsia Markezit i jemi borxhlinj për diçka tepër, tepër të rëndësishme. Në një epokë kur letërsia duket se vuante nga mungesa e oreksit, në një epokë kur letërsia dëfryese dhe sociologjia e urtë e shkrimtarëve e bënte atë gjithnjë e më transparente, më të lehtë e më të tejdukshme, d.m.th e bënte që të ngjante gjithnjë e më shumë me fantazmën e asaj që dikur ekzistonte, ndërkohë  që nga ana tjetër rezistencat formaliste e kufizonin marrëdhënien e tyre me lexuesin në një gogësitje të pafundme, Markezi me stilin e tij të mrekullueshëm barok e rimbushi me lëng, me thelb, e rimbushi me letërsi. Megjithatë pjesa më interesante e autobiografisë së tij është pjesa kur Markezi flet për laboratorin e tij krijues. Çfarë lexonte gazetari praktikant që ishte i detyruar të gjente çdo ditë nga një ide të re për shkrimet e tij, në mënyrë që të mund të jetonte? Folkner, thotë, dhe Xhojs dhe Malaparte. Dhe, megjithatë, siç thotë, për të shkruar “Gjethurinat”, të cilat një botues i madh në Buenos-Ajres ia ktheu mbrapsht, mendoi se i kishte ardhur fundi, se do të vdiste; shkrimtarët që i pëlqenin më shumë ishin ata amerikano-veriorë. Dhe si të kuptosh që Markezi është i sinqertë kur deklaron në autobiografinë e tij se ishte skllav i një perfeksionimi të rreptë, i cili e detyronte të përllogarisë paraprakisht se sa i gjatë do të ishte libri, numrin e faqeve të librit dhe të çdo kapitulli veç e veç? Po, një dëshmi e tillë është nga momentet më të sinqerta të librit të tij: “Besoja se kjo metodë përbënte kriterin e përgjegjshmërisë, sot e di se nuk ishte gjë tjetër veçse një frikë e natyrshme.” Profesionalizëm? Ndoshta. Gjithsesi mallëngjehem më shumë prej rrëfimeve të tij letrare, se sa prej përshkrimit të jetës në Kolumbinë e rinisë së tij, më tepër prej Markezit, që si lexues i thjeshtë e lexon librin “mbrapsht” për të depërtuar në “sekretet më të fshehta të strukturës së tij” dhe pranon se biblioteka e tij ishte gjithmonë një vegël pune, e cila i lejonte që të lexonte kapitujt nga libri i Dostojevskit dhe të gjente të dhëna e fakte për epilepsinë e Jul Qezarit, apo qoftë edhe për funksionimin e karburatorëve.

I gjallë...

Përfundimi? Nuk buron letërsia prej jetës, por jeta prej letërsisë, nga ky realitet i dytë që të lejon të shohësh si nga një pasqyrë magjike.

Dhe Markezi i “Jetoj për të rrëfyer” na drejton dhe përsëri tek Markezi i “Njëqind vjet vetmi”, një Markez i gjallë që duket se nuk ka asnjë lidhje me “Të fundmin e Mohikanëve”!... Markezin që vazhdon të mbrojë mbeturinat ideologjike të Kastros... Na drejton te Markezi i “Njëqind vjet Vetmi”, romanit plot me teprime gjeniale, me fantazinë moskokëçarëse, me potencën marramendëse figurative. Na drejton te Markezi i veprave me detaje madhështore dhe një kompozimi të rrallë. Te Markezi që shkroi romanin që ende nuk është shkruar deri më sot e që ndoshta as do të shkruhet ndonjëherë: Letërsi si reportazh i Krijimit, si rikujtesë magjike dhe si rebelim. Tek Gabriel Garcia Markezi, që me librin e tij të jep përshtypjen sikur është zanafilla e vet natyrës...

No comments:

Post a Comment

Situata në Dardani, është kthye me Albin Kurtin dhe Qeverinë e tij në atë të vitit 1999, pra epilogu i këtyre çështjeve është zero.

-                                             Nga Flori Bruqi Administrata  e  ish presidentit deri sotëm  Joe Biden kishte prioritet diçka ...