2016-03-14

"Qerrja e dritës", libri i parë artistik shqiptar për Nënë Terezën

Screenshot_1Sazan Goliku

Bota ka shkruar e shkruan shumë për Nënë Terezën, këtë personalitet të famshëm të humanizmit bashkëkohor, por libri i parë artistik për të është romani “Qerrja e dritës” i shkrimtarit të njohur Ibrahim Kadriu nga Karadaku, që jeton në Prishtinë. Ky roman është botuar dy herë në Prishtinë e dy herë në Tiranë dhe është pritur me konsideratë nga lexuesit dhe mendimi kritik. Me përvojën e pasur si shkrimtar e publicist Ibrahim Kadriu ka mundur të krijojë librin “Qerraja e dritës” si një biografi të letrarizuar, që më saktësisht duhet të quhet roman biografik, sepse në strukturën e librit gjejmë të gërshetuara mjeshtërisht elemente romaneske, po që në asnjë rast nuk e cenojnë vërtetësinë e fakteve e të dhënave të tjera historike që hedhin dritë mbi biografinë e Nënë Terezës, vajzës shqiptare Gonxhe Bojaxhiu që u bë nëna e botës, “se ajo gjithnjë vazhdon të shërojë dhembjet kudo në botë”.

Autori, me pikësynim të caktuar i ka kushtuar vëmendje të veçantë familjes së Gonxhes, marrëdhënieve të prindërve të saj me bashkëqytetarët, fisnikërinë e altruizmin e të atit Kolë Bojaxhiut e të ëmës, Dranes. Krahas theksimit të kësaj tradite familjare, në libër pasqyrohen edhe idetë atdhetare të kësaj familjeje, të cilat e ndjekin Gonxhen pas në rrugëtimet e shumta nëpër botë në formën e mallit e dashurisë për njerëzit e saj dhe qytetin e vendlindjes, po sidomos me krenarinë e të qenit shqiptare. Autori lë të kuptohet se janë pikërisht atdhedashuria e qëndrimet burrërore të Kolës që çuan në vdekjen e tij tragjike.

Historia e Kosovës dhe e viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi flet për shumë e shumë vrasje të pabesa me helm, tortura e plumb të personaliteteve shqiptare, që në një mënyrë ose një tjetër kanë kundërshtuar politikën shkombëtarizuese të shovinistëve serbë. Në libër vend qendror zënë (dhe kjo është e kuptueshme për një vepër biografike) njerëzit e familjes së Gonxhes, po njëkohësisht hyn e dalin edhe personazhe të tjera sa të rëndësishëm, aq dhe të zakonshëm, po gjithsesi këta janë në funksion të sfondit historik, po dhe që kanë luajtur rol në ecurinë e ngjarjeve të familjes Bojaxhiu e të Nënë Terezës. Duke i mëshuar idesë së edukimit familjar që ka kushtëzuar e përcaktuar botëkuptimin e botëndijimin e mëvonshëm të bamirëses sonë, autori ka përtërirë si ritual didaktik në kujtesë të Gonxhes këshillat e nënë Dranes.

“Mundohu të zbulosh shpirtin e njeriut” është një nga këto këshilla. Dhe jeta vërtetoi se kjo vajzë, duke njohur e dashur deri në vetmohim shpirtin njerëzor, u shndërrua e tëra në mirësi. Në rrugën e saj të gjatë të humanizmit, ajo kishte për ideal mirësinë dhe e vuri në jetë këtë ideal me një vullnet mbinjerëzor dhe me një përkushtim thellësisht njerëzor edhe pse i veshur me një petk fetar, që gjithsesi harmonizohet me humanitetin e këtij ideali. Shtegu për të hyrë në zemrën e të mjeruarve e të pafatëve e çoi Nënë Terezën te ideja se “për të kuptuar mirësinë, për t’i kuptuar mirë të varfrit, nga ne lypset të jetojmë si ata, në varfëri”.

Kjo moto nuk është një lloj asketizmi shterp, po kulm humaniteti e moraliteti, që ajo e zbatoi tërë jetën e vet të mbushur me një veprimtari, që s’e njihte lodhjen, pushimin, tërheqjen. Dashuria e pashuar për vendin e vet, krenaria e trashëguar nga fisi i vet që e bën të mos i frikësohej vuajtjeve e vdekjes, trimëria për t’i dalë në mbrojtje çdo të pambrojturi dhe për të kapërcyer çdo pengesë në rrugën e saj drejt njeriut, janë pasqyra që reflektojnë karakterin legjendar të nobelistes sonë. Pikërisht në këtë drejtim është dalluar edhe pena e Ibrahim Kadriut si shkrimtar. Për të thyer monotoninë e rrëfimit kronologjik, autori ka ndërkallur në libër edhe rrëfime me karakter psikologjik e lirik të personazheve të ndryshëm, po dhe përsiatje me nuanca filozofike për raportet ekzistenciale të njeriut me luftërat e pushtimet, me rrethin e ngushtë e të gjerë shoqëror etj. Duhet theksuar se libri “Qerrja e dritës”, duke qenë në thelb moral, nuk moralizon, duke qenë plotësisht historik, është në radhë të parë thellësisht artistik. Kuptimi metaforik i titullit “Qerrja e dritës” na sugjeron, njëherëshi unitetin e jetës dhe të ëndrrës, të tokësares dhe ideales.

No comments:

Post a Comment

Pasi doli nga SPAK ku ishte për të zbatuar masën e detyrimit me paraqitje Lideri i demokracisë shqiptare dhe Kryetari i PD-së Prof.Dr.Sali Berisha publikoi të tjera përgjime të dosjes “Toyota Yaris’

                          Kërko brenda në imazh                         Shkruan:  Flori Bruqi,PHD Ish-kryeministri dhe njëherësh kryetari i ...