Nga Valeria Dedaj
Manjola Trebicka, vajza e aktorit të mirënjohur Roland Trebicka, pas koncertit në Tiranë, vazhdon që të mos ndalet as jashtë vendit. Kësaj here do të interpretojë në koncertin recital, në Francë, bashkëpunim me dy artistët shqiptarë; Blerta Zhegu, soprano dhe Idlir Shyti, violonçelist. Ata bëhen bashkë në koncertin “Vetëm zemra ime” në Katedralen Sainte Croix des Armeniens, më datë 22 mars.
Gjatë një rrëfimi për gazetën "Shekulli", pianistja Manjola Camuset Trebicka tregon gjithë rrugëtimin e saj artistik. Takimet e para me pianon ajo i ka pasur qysh fëmijë në kopsht. Edhe sot e kujton zushën, që e ka përgatitur për t'u bërë pjesë e Shkollës së Muzikës. Teksa na tregon për koncertet e para në skenë gjatë periudhës së Liceut Artistik, nuk lë pa përmendur dhe kushtet që ka hasur brezi i saj, ku ekzistonin dhe pamundësitë për të njohur artistë të njohur ndërkombëtarë. Gjatë periudhës studentore kujton provat në piano, që bënte mes plumbave dhe dëshirën për të mbështetur lëvizjen studentore. Pas diplomimit mundësitë, që iu dhanë pianistes nuk ishin edhe aq të lehta për t’u arritur. Megjithatë, nga konkurset ku do të merrte pjesë u njoh me profesorë të huaj, te cilët shihnin te kjo pianiste, një të ardhme premtuese. Por, për këtë ajo duhet që të ushtrohej dhe me mësime të tjera në piano, mësime këto, prej të cilave nuk ka hequr dorë as sot e kësaj dite.
Zonja Trebicka, si i kujtoni takimet e para me pianon?
Takimet e para me pianon kanë qenë gjatë periudhës që unë kam qenë fëmijë në kopsht. Mbaj mend një grua, jashtë mase të bukur, e cila quhej zysh Violeta. Ajo kishte flokë të verdha, që i mbante topuz. Ajo luante në piano dhe kishte ardhur në kopsht që të na bënte prova. Unë nisa që të kërceja dhe këndoja për festivalin e fëmijëve. Kujtoj se në atë periudhë u tha prindërve se:“Manjola ka vesh për muzikë. Do të ishte mirë që të futej në piano, të vazhdonte Shkollën e Muzikës”. Kjo ishte faza e konkursit për të hyrë në Shkollën e Muzikës. Më kujtohen mësimet e para në pianon “Petrof”. Kur dëgjoja Ardit Fejzon dhe Eglant Hasën, që luanin në piano, doja që të luaja edhe unë si ata. Ne ishim të vegjël dhe këmbët nuk na arrinin te pianoja, por i mbështesnim te kutia e boshatisur e shkumësave.
Më pas shkolla, çmimet dhe ngjitja e parë profesionale në skenë...
E mbaj mend që kam kaluar konkurse kur isha në shkollën“Kongresi i Përmetit”, por fatkeqësisht s’kam ruajtur asnjë diplomë nga ajo kohë. Ndërsa kujtimet më të shpeshta janë ato në lice, me profesor Petrika Trakon, me të cilin punonim jo vetëm gjatë vitit shkollor, por dhe gjatë verës, në mënyrë që të bënim një recital. Koncertet i bënim në sallën e madhe të Liceut Artistik. Këto janë kujtimet e para të koncerteve të vërteta ku salla ishte përherë plot. Ne dëgjonim njëri-tjetrin dhe për më të rriturit kishim shumë respekt, sepse mbyllja ekonomike dhe kulturore bënte që të adhuronim ata që ishin më të mëdhenj se ne. Nuk njihnim artistë të tjerë nëpër botë dhe pse kishim dëgjuar se ekzistonte Richer dhe disa pianistë të tjerë rusë. Brendel ishte gjerman, por nuk e njihnim edhe as që mund të dëgjonim një koncert në Youtube.
Mbaj mend se, fshehtas te “Rai uno” kur jepej çdo mëngjes, integrali i sonatave të Beethoven-it me Daniel Baren Boy, që dhe sot për mua mbetet një nga referencat kryesore. Pas Liceut recitalet bëheshin në Akademinë e Arteve.
Ç’ndodhi kur Shqipëria hyri në fazën e tranzicionit?
Unë kisha diplomën asokohe. Kam punuar për recital kur ishin grevat e studentëve, te salla Numër 1 e zyshës Anita Tartari. Gryka e topit vinte deri te dritarja, ndërsa unë vazhdoja të shkoja çdo mëngjes për prova, nga ora pesë e mëngjesit. Rrija shtatë orë, pesë orë studim në piano dhe në orën 12.00 shkoja në Qytetin Studenti për të mbështetur grevat e studentëve. Në atë kohë çdo gjë u pezullua, prandaj koncertin e kam bërë në fund të marsit.
Nga greva e studentëve çfarë mbani mend?
Kam qenë thjesht mbishtese e jashtme.
Më vonë ju u larguat nga Shqipëria. Përse e morët këtë vendim?
Ishte një rastësi. Në verën e vitit 1992 mbroja diplomën si pianiste në Akademinë e Arteve. Pas diplomës çdo ditë vazhdoja që të studioja. Mbaj mend që Akademia e Arteve ishte kontaktuar nga Ambasada e Francës. Profesoreshë ishte Zana Shuteriqi, e cila do të propozonte dy pianiste shqiptare që të merrnin pjesë në konkursin “Marguerite Long”. Unë studioja atje përditë, bashkë me një vajzë tjetër Arlinda Majollari. Ata na dhanë programin e fazës së parë të konkursit dhe ne për dy muaj e gjysmë duhet që të përgatisnim fazën e parë. Ambasada e Francës kishte rregulluar një bursë me të cilën nuk mund që të merrnin dy persona avionin, por shkuam me makinë deri në Durrës, me traget deri në Trieste, me tren në Zvicër, Vjen, deri në Paris. Udhëtimi zgjati dy ditë e dy net.
Në Paris kush ju është gjendur pranë?
Në Paris jemi pritur nga Inva Mula dhe Piro Çako, që në atë kohë ishin atje. Ata na çuan në një shtëpi me refugjatë shqiptarë. Të nesërmen shkuam në konkursin “Marguerite Long” dhe u shpërndamë nëpër familje që mbanin kandidatët e konkursit, që nuk kishin mundësi që të qëndrojnë në hotel. Kryetari i jurisë, Lorin Maazel, mundësonte që pjesëmarrësve t’u këshillohej dhe çka ishte më e mira për ta.
Juve çfarë u këshilluan, çfarë potenciali kishit?
Kur panë se kisha një lloj potenciali më këshilluan që duhet patjetër ta zhvilloja. Por duhet që të shkoja në Francë dhe të merrja mësime me profesorë francezë, për të njohur gjëra të tjera në shkollën pianistike. Më premtuan se do të më merrnin si nxënëse në shkollën “École Normale”.U ktheva disa muaj më pas, për një konkurs më pak të rëndësishëm, ku edhe mora çmim të parë. Në juri ishte një person, i cili më tha se nëse unë dëshiroja, fondacioni i tij mund që të më paguante banesën edhe një pjesë të studimeve. Ndërsa për pjesën tjetër duhet që të përpiqesha të fitoja vetë bukën e gojës.
Pranuat...
U ktheva në Tiranë me idenë që gjithsesi në shtator do të shkoja të studioja në Francë. Në 12 shtator të vitit 1993 nisa studimet në shkollën “École Normale” në Francë. Më pas në një konservator tjetër takova një profesoreshë, e cila më ndihmoi. Merrja mësime dhe mundohesha që të punoja për të përballuar jetën time. Me njohjet njëra pas tjetrës, nga një koncert më propozonin një tjetër. Edhe kështu filloi para 23 vjetësh jeta në Francë.
Gjatë 23 vjetëve, cilin moment të karrierës suaj artistike do të veçonit, si më të vështirin dhe si majën e arritjeve?
Nga ana artistike ka më tepër momente të vështira, sesa maja. Sado që publiku të duartroket, mendoj se një artist me ndërgjegje të pastër, ose një artist i vërtetë momentet e jashtëzakonshme të komunikimit me publikun apo me Zotin i ka shumë të rralla. Flas për instrumentistët në përgjithësi, edhe për pianistët. Prandaj çdo ditë ulemi dhe studiojmë pas çdo koncerti. Ndërsa publiku duartroket ne bëjmë një retrospektivë edhe themi: “Aaa ky moment këtu, ky moment aty”. Duhet që të gjitha kushtet të mblidhen që të ndodhë diçka e jashtëzakonshme.
Në çfarë vendi kemi dëshirë të luani më tepër?
Në përgjithësi në një kishë apo në një katedrale, sepse në këto vende ka një histori të veçantë. Pavarësisht se në Francë të gjitha kishat janë katolike, ato janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Muret e brendshme, tablotë e vjetërsuara me kohën, sikur të transmetojnë një pjesë të historisë. Dua apo nuk dua unë bëhem pjesë e asaj historie. Komunikimi me publikun është më ndryshe në këto vende, sesa kur luan në një sallë bashkiake, kulturore etj. Në një muze, kishë apo katedrale është e pamundur të luash keq. Është një lloj qetësie ku shprehesh në paqe.
Bashkëpunimet me artistët shqiptarë nuk ju kanë munguar. Kam parasysh sopranon Inva Mulën, apo edhe Ermonela Jahon...
Inva është një person shumë i dashur për mua. Është një mike shumë e mirë. Ermonelën e njoh shumë pak, kemi pasur një takim në të cilin menjëherë shpirtrat tanë fuzionuan bashkë. Funksiononim njëlloj, ishim njëlloj. Kishte diçka që na lidhi, pasionet, mendimet. Ideja për një bashkëpunim artistik mes nesh ka lindur nga kjo lloj afërsie me njëra-tjetrën. Ndërsa Invën e njoh qysh para se të largohesha nga Tirana. Inva është një mike shumë besnike. Ajo nuk i harron kurrë miqtë e saj të vërtetë, në çfarëdolloj momenti që mund t’i shkruash apo t’i telefonosh, në çdo vend të botës që të jetë ajo përgjigjet përherë. Ruaj shumë kujtime me të.
Dhe së fundmi, para pak kohësh interpretuat një koncert recital në piano në TKOB, çfarë ka ndryshuar nga Tirana e para 23 viteve?
Pashë se gjërat janë më të acaruara, më me zjarr. Sigurisht them se jemi në një periudhë ku duam që gjërat të ndryshojnë. Ndryshimi bëhet gjithmonë me dhimbje, mendoj se ka ndryshime për të bërë, në statuse, në ligje dhe në mentalitete. Por do të shkojë për më mirë edhe më mirë, sepse duke qenë se ka artistë që kthehen nga vende të ndryshme, mendoj se do të ketë vetëm gjëra pozitive. Vetëm se, nga momenti që e mbjellë lulen deri në momentin që gonxhja e lules do të çelë kalon një kohë e gjatë. Duhet durim, por duhet edhe që të shërbesh, të jesh i kujdesshëm që gjërat të mos degradojnë.
Biografia
Manjola Trebicka kreu studimet në Shqipëri, ku mori medalje të art pas mbarimit të Liceut Artistik nga Ministria e Arsimit, si dhe u diplomua me titullin "Pianiste" në vitin 1992 në Akademinë e Arteve në Tiranë. Më pas, të njëjtin vit merr pjesë në konkursin e madh ndërkombëtar pianistik "Margerite Long". Është vlerësua me çmime të ndryshme në konkurse pianistike në Francë dhe ka filluar punën në Shkollën e Legjionit të Nderit në vitin 1997. Ajo ushtron mësimdhënien në piano. Ka krijuar klasën e Muzikës së Dhomës, punon me shoqërimin e korit, këngëtarëve e instrumentistëve të shkollës. Ndërkohë vazhdon aktivitetin koncertor në solo, duo, muzikë dhome me pjesëmarrje në festivale e koncerte. Në vitin 2004 ka regjistruar një CD me integralin e baladave të Shopenit. Paralelisht aktivizohet në koncerte bamirësie për shoqatat karitative, spitalet dhe luftën në Kosovë. Me urdhërin e Kryeministrit francez Manuel Valls, pianistja shqiptare u vlerësua me titullin e "Kalorëses së Palmës Akademike", për kontributin e saj në transmetimin e vlerave të artit, kulturës dhe edukimit. Para pak kohësh çmimi iu dha në ambientet e Legjionit të Nderit. Ky çmim është krijuar nga Napoleon Bonaparti në vitin 1808 dhe u akordohet personaliteteve të shquara në Francë.
No comments:
Post a Comment