Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/03/14

Pse ndodhi 4 shkurti i vitit 1944 dhe cila ishte prapavija e ngjarjes?

Rishkrimi i historisë sonë është detyrim kombëtar dhe assesi nuk duhet të bëhet për t’i kënaqur ish-pushtuesit tanë, apo për t’i shërbyer nevojave dhe interesave partiake. Përkundrazi, rishkrimi i nevojshëm i historisë sonë kombëtare duhet të marrë për bazë vetëm faktet dhe dokumentacionin ekzistues të kohës, të analizoj rrethanat e ngjarjeve, të mbajë distancën profesionale dhe të jetë studim i thelluar në të cilin përshkruhet saktësisht realiteti i kohës. Vetëm si punim i mirëfilltë shkencor dhe përshkrim i saktë i ngjarjeve, teksti i ri e hedhë poshtë historinë e falsifikuar të kuadrove akademike të PPSH-së. Të dalura nga shkolla e sunduesve sllavokomunist të Tiranës, këto kuadro akademike përgjatë dekadave të tëra e instrumentalizuan ngjarjen e 4 shkurtit të vitit 1944 për interesa të sundimit diktatorial në Shqipëri, duke stimuluar përmes nxitjes së urrejtjes, përçarjen kombëtare mes shqiptarëve.  Pasuesit e tyre të sotëm mund t’i klasifikojmë edhe si historian të kohës së tranzicionit, për shkak se pjesa më e madhe e tyre është shkolluar dhe ka nxënë mësime nga literatura djallëzore e kohës së sundimit komunist. Të tillëve ju preferojmë të shohin një pjesë të së vërtetës për Titistët e parë. Të njihen me veprën e diktatorit dhe të punojnë që diktatura dhe falsifikimi i historisë të mos përsëritet më.
FacebookTwitterGoogle+

Masakra e Tivarit, si u vranë 8 mijë shqiptarë…

Shkruar nga Kreshnik Mersinllari në vitin 2010
Cili ishte roli i Miladin Popoviçit dhe përse heshti Ramiz Alia. Historia tragjike e mijëra burrave të tradhëtuar nga Enver Hoxha dhe banda e tij.
Shtabi Operativ i “Kosmetit” i urdhëruar nga SHS i UNÇJ-së me qëllim të shpërbërjes së bërthamës së qëndresës shqiptare në Kosovë, gjatë muajve mars-prill 1945 mobilizon me dhunë shqiptarët për t’i dërguar në frontin e dytë të ashtuquajtur të “Adriatikut” në veriperëndim të Jugosllavisë. Skenaristët e Masakrës së Tivarit, për dërgimin e mobilizuesve shqiptarë në pjesët veriperëndimore të Jugosllavisë, kishin zgjedhur rrugën Prizren – Kukës – Shkodër – Tivar – Dubrovnik – Rijekë. Për këtë front mobilizuan shqiptarët nga Vushtrria, Besiana (ish-Podujeva), Prishtina, Kaçaniku, Ferizaji, Gjilani, Lipjani, Shtimja, Theranda, Burimi, Peja, Gjakova, Rahoveci, Sharri, Prizreni.
Sipas kujtimeve të pleqve, që përjetuan këtë mobilizim të dhunshëm, të mobilizuarit shqiptarë, fillimisht janë tubuar nëpër qendrat e rretheve dhe ato komunale e pastaj, të organizuar në njësi ushtarake, të komanduara nga oficerë shqiptarë, kanë udhëtuar në qendrën e përgjithshme mobilizuese (në kazermat ushtarake) në Prizren. Pas sistemimit, shqiptarët e mobilizuar do të çarmatosen, me arsyetimin se armët do t’i marrin në Kroaci e Slloveni! Çarmatosja, atyre iu ka dhënë një sinjal të keq dhe me të drejtë ka lindur dyshimi në përgatitjen e ndonjë skenari shfarosës në prapaskenë. Kjo psikozë u thellua edhe më tepër, atëherë kur u çarmatosën edhe oficerët shqiptarë dhe për përcjelljen e tyre u ngarkua Brigada XXVII e divizionit 46-të serb e njohur për terrorizimin e popullit shqiptarë gjatë muajve të kaluar.
Marrëveshja UNÇ Jugosllave-UNÇ SHqipërisë: Brigada e III dhe e V nga Shqipëria për spastrimin e Kosovës nga çetat që bëjnë rezistencë
Në gjysmën e dytë të vitit 1944, derisa forcat aleate (amerikane-angleze-ruse) përparonin në të gjitha frontet e luftës kundër ushtrisë hitleriane, Shtabi Suprem i UNÇJ-së duke i shfrytëzuar rrethanat e krijuara, në fillim të shtatorit të atij viti Shtabin Kryesor të UNÇJ-së për “Kosovë e Metohi” e degradoi në Shtab Operativ dhe më 14 shtator ia nënshtroi Shtabit Kryesor të UNÇJ-së për Serbi. Dhe për çudi, në emër të Shtabit Operativ të “Kosmetit” do të nisin përgatitjet luftarake gjoja për çlirimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare a në të vërtetë SHS i UNÇJ-së kishte për synim ripushtimin e tyre. Në vjeshtën e atij viti, Shtabi Suprem i UNÇJ-së i drejtuar nga Josip Broz Tito, në emër të internacionalizmit, do të bëjë marrëveshje me ushtrinë e kuqe ruse, më pastaj me forcat bullgare dhe më 2 shtator 1944 edhe me SHP të UNÇ të Shqipërisë, për të zhvilluar operacione të përbashkëta ushtarake kundër forcave gjermane në Jugosllavi… Derisa ushtria gjermane tërhiqej nga shumë fronte të luftës, ideja e Shtabit Suprem të ushtrisë gjermane për forcimin e vijës së frontit në Ballkan, u bë e parealizueshme dhe në këto rrethana armata “E” gjermane, e cila ishte e dislokuar në Greqi, mori urdhërin që të tërhiqet nga ky rajon. Tërheqjen do ta bëjë nëpër Maqedoni, Kosovë dhe Sangjak, për të kaluar mandej në Mal të Zi, Bosnjë e Hercegovinë në drejtim të veriut. Armata “E” për çudi nuk u pengua (përkundër propagandës së bërë nga strategët e UNÇJ-së), por kaloi me shumë pak humbje në veri-perëndim të Jugosllavisë, ndërkohë që luftimet më të ashpra në Kosovë brigadat sllavokomuniste, do t’i zhvillojnë gjoja “kundër forcave të Mbrojtjes Kombëtare të Shqipërisë Etnike dhe bandave shqiptare që po mbretërojnë në Kosovë. Për të argumentuar këtë qëndrim, po i referohemi letrës së Miladin Popoviçit, të cilën në emër të KK të PKJ-së ua dërgoi të gjithë komisarëve politikë në Kosovë. Në letër ndër të tjera, M.Popoviç shkruan: “Edhe pse Kosovë-Metohia janë pa pushtues, ne nuk sundojmë në gjithë terrenin. Pengesa janë bandat e armatosura që përhapin shovinizëm. Tash kemi detyrë të patjetërsueshme spastrimin e Kosovës dhe të Metohisë nga këto banda. Bandat duhen likuiduar energjikisht dhe pa mëshirë. Tokat e atyre që nuk dorëzohen deri në afatin e caktuar do të konsiderohen të shtetit e këtë (konfiskim – vërejtja ime Sh.B) do ta bëjnë shtabet (e UNÇJ-së-vërejtja ime Sh.B). Në fshatrat që është bërë rezistencë duhen gjetur organizatorët dhe duhet dorëzuar gjyqit ushtarak, që do t´i gjykojë menjëherë e fshatarët t´i çarmatosë…” Sipas marrëveshjes, UNÇJ-UNÇSH, në fillim të tetorit 1944 në Kosovë do të futen Brigadat III dhe V të Korparmatës së I-rë të UNÇ të Shqipërisë. Më 17 tetor 1944 edhe Armata II bullgare u nis për Kosovë, ndërkohë që atje (Kosovë) dhe në viset e tjera etnike shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi, i kishin përfunduar përgatitjet për ofensivë, njësitet e Korpusit të 13-të të UNÇJ-së (Divizioni i 22-të, i 24-të, i 25-të dhe i 46-të serb), Divizioni i 41-të maqedon, brigada e 9-të malazeze dhe të gjitha brigadat e UNÇJ-së për “Kosovë e Metohi”. Operacionet ushtarake të këtyre forcave, filluan ofensivën pushtuese në tri drejtime: 1.Kurshumli – Përpallac – Podujevë – Prishtinë; 2.Lebanë – Medvegjë – Prishtinë; dhe 3. Bujanoc – Gjilan-Prishtinë.
Vendosja e administrimit ushtarak në Kosovë dhe mobilizimi i dhunshëm i shqiptarëve në mars 1945
Brigadat III dhe V të Korparmatës së I-rë të UNÇ të Shqipërisë ndihmuan vendosjen e administrimit ushtarak jugosllav
Në kohën kur forcat jugosllave zhvillonin operacionet më të përgjakshme në Drenicë, më 8 shkurt 1945, komandanti suprem i UNÇJ-së J.B.Tito me urdhër të veçantë nr.31 vendosi administrimin ushtarak në Kosovë. Për këtë vendim, Titoja më 7 shkurt në Beograd pati një takim me ushtarakët serb: Savo Dërleviçin, Gjuro Medenicën dhe Kërsto Filipoviçin, të cilëve iu foli për rolin që duhet ta luante Administrimi Ushtarak në Kosovë. Me këtë urdhër, i tërë pushteti në Kosovë do t´i kaloi një grupi të caktuar ushtarakësh serbo-malazez, të cilët do të ushtronin pushtetin politik, ekzekutiv dhe gjyqësor. Me këtë rast pasuan ndryshime në tërë strukturën e kuadrove komandues. Në krye të pushtetit ushtarak, përkatësisht të Shtabit të Ri Operativ u emrua ish-shefi i Armatës së I-rë kolonel Savo Dërleviç, duke e zëvendësuar Fadil Hoxhën, i cili mbeti zëvendës i tij. Shef i Shtabit u emërua nënkolonel Dushan Vukotiç (deri në atë kohë ishte zëvendëskomandant i Divizionit 46 jugosllav), shef i prapavijës u caktua Stevo Dobërkoviç (i dërguar nga shtabi qendror i Serbisë), ndërsa komisar politik u emërua nënkoloneli Gjuro Medenica. Më 10 shkurt 1945, kjo komandë bëri riorganizimin e tërësishëm të ushtrisë duke formuar Divizionin e artilerisë, të kalorësisë, të ndërlidhjes, grupin operativ të brigadave, Divizionin 46, 52 etj. Kjo makineri pushtuese ushtarake në Kosovë, duke i marrë të gjitha masat për “spastrimin” e terrenit nga “mbeturinat e fashizmit” dhe “kundërrevolucionarët” vrau e masakroi mijëra shqiptarë anë e këndë Kosovës. Veçmas pas vendosjes së regjimit ushtarak në Kosovë, për shtypjen dhe shpartallimin e elementeve kryengritëse, Shtabi Operativ i urdhëruar nga SHS i UNÇJ-së nisi mobilizimin e shqiptarëve për t’i dërguar në frontin e Trieshtës dhe Istrës (në veriperëndim të Jugosllavisë), ndonëse mobilizimi i shqiptarëve kishte filluar qysh në fund të dhjetorit 1944 (me dërgimin e tyre në frontin e Sremit, në veri të Serbisë). Më 11.03.1945 në Gjakovë u organizua një demonstratë e grave, kundër mobilizimit me dhunë të djemve, vëllezërve dhe burrave të tyre.
Rrugëtimi i përgjakur i eshaloneve (grupeve)
Vrasjet e para u bënë në mesnatën e 26/27 marsit gjatë një pushimi nën qiellin e hapur në Kukës
Eshaloni i parë që përbëhej nga 3.700 veta, u nis më 24.03.1945 dhe pas 5-6 ditësh arriti në Tivar, ku iu dorëzua reparteve të Divizionit të IX-të jugosllav. Gjatë rrugëtimit, derisa u dorëzuan në vendin e caktuar, të mobilizuarit u keqtrajtuan në mënyrë shtazarake nga kriminelët serbo-malazezë. Të mobilizuarit shqiptarë nga Tivari do të nisen për në Istri, ku fillimisht disa ditë do të ndalojnë për të pushuar në ujdhesën Çiovë afër Trogirit. Dhe ato ditë gjatë kalimit me një anije të vjetër, nga ujdhesa për në Trogirë, u mbytën rreth 65 veta, prej të cilëve 29 qenë vetëm nga Kaçaniku. Eshaloni i dytë i përbërë nga 4.700 veta, u nis dy ditë më vonë (më 26 mars) nën përcjelljen e forcave të Brigadës XXVII dhe më 30 mars në Shkodër iu dorëzua Brigadës X malazeze 6. Gjatë marshimit katër ditor në rrugën Prizren-Zhur-Kukës-Pukë-Shkodër, përkundër lodhjeve e rraskapitjeve të mëdha nga rruga e gjatë, të mobilizuarit u maltretuan e u rrahën dhe në shumë vende shumë prej tyre u vranë, gjatë kohës së pushimit, gjatë kalimit të lumejve apo gjatë tentimit të ndonjërit prej tyre për ta shuar etjen, në burimet e ujit.
Vrasjet e para u bënë në mesnatën e 26-27 marsit gjatë një pushimi nën qiellin e hapur në Kukës. Me këtë rast u vranë njerëzit më autoritativë nga radhët e të mobilizuarve, ishin eprorët e njësive ushtarake ata shqiptarë që komanduan gjatë marshimit nga qendrat komunale për në kazermat ushtarake të Prizrenit. Në mbrëmjen e 27 marsit ky eshalon arrin në Fushë-Arrëz dhe sipas një skenari të parapërgatitur mirë, xhelatët serbo-malazezë, gjatë kohës së pushimit (në mesnatën 27-28 mars) nën qiellin e hapur duke fjetur (në gjumë) vrasin mizorisht rreth 120-140 veta dhe kufomat e tyre u hodhën në një hendek.
Pas këtyre peripecive nga Shkodra nën përcjelljen e malazezëve – në mesditën e 1 prillit 1945 arritën në Tivar. Atë ditë të kobshëm rrugëve të qytetit shihej një mobilizim i ushtarëve serbo-malazezë, të cilët vështronin me përbuzje kolonën e gjatë të shqiptarëve. Kjo kolonë është ndaluar në qendër të qytetit (me urdhër) kinse për të pushuar dhe ndërkohë ndodhë një eksces në mes rojes dhe katër shqiptarëve, të cilët u penguan që të pinë ujë në një krua aty afër. Nga ky konflikt ushtarët e urdhëruar derdhin një breshëri plumbash në trupat e shqiptarëve, me ç’rast vriten disa prej tyre. Situata e tensionuar me qëllim (për ta filluar komplotin e përgatitur) e shtyu masën e shqiptarëve që të shtrihen për tokë, ndërkohë që ajo hapësirë ishte vënë në shënjestër të pushkëve dhe mitralozëve që ishin vendosur në çdo qoshe të rrugëve, dritare dhe tarracë të shtëpive e në shkëmbijtë e kodrave përreth. Gjatë muajve mars-prill 1945, përmes rrugës Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar (për në Frontin e Adriatikut) janë deportuar 16.423 shqiptarë nga Kosova, kurse rreth 4. 600 të tjerë u dërguan nga viset shqiptare të Maqedonisë. Ndërkaq, në janar 1945 për në Frontin verior (të Sremit) janë mobilizuar rreth 18.500 shqiptarë në përbërje të Brigadave të “Kosmetit” dhe 5000 të tjerë nga Maqedonia. Nga këto shifra rezulton se gjatë muajve janar-prill 1945, janë mobilizuar dhunshëm rreth 44.523 shqiptarë nga Kosova dhe viset e tjera etnike, për frontet e ashtuquajtura të “Sremit” e të “Adriatikut”.
Mobilizimi i bërësve të krimit për zhdukjen e krimit
Për të humbur gjurmët e kësaj vepre mizore, u mobilizuan të gjitha njësitë ushtarake serbo-malazeze, qytetarë e punëtorë të këtij nacionaliteti dhe me kamionë, vagoneta, qerre etj, gjatë tërë natës së ½ prillit i bartën kufomat dhe të plagosurit (bashkë!!!) dhe i transportuan në drejtim të Tivarit të vjetër, tek një vend (humnerë) në mestë shkëmbinjve të bregdetit. Kufomat e shqiptarëve fillimish u dogjën dhe pastaj u hodhën në humnerë, ndërsa pjesa tjetër do të varrosen…!!! Sipas burimeve arkivore rezulton se në Tivar, më 1 prill 1945 u vranë e u masakruan rreth 1700 shqiptarë, ndonëse nga kujtimet e dëshmitarëve që përjetuan këtë masakër, del se ky numër mund të jetë shumë më i madh. Kjo ngjarje tragjike për popullin shqiptar, edhe pse ndodhi larg opinionit të atëhershëm, ishte e qartë se u përgatit nga kreu i udhëheqjes jugosllave edhe pse më vonë Aleksandër Rankoviçi me kompani, këtë ngjarje do të përpiqet ta cilësojë si incident të rëndë të shkaktuar me fajin e vet shqiptarëve!
Barbarizmi i UNÇJ-së kundër popullit shqiptar
Gjatë këtyre operacineve të përgjakshme këto forca kryen krimet më të shëmtuara që njeh historia e njerëzimit, ndaj popullatës shqiptare, si dhe konfiskuan, plaçkitën, dogjën e shkatërruan pamëshirshëm pronat e tyre. Gjatë kësaj periudhe janë vrarë e masakruar në mënyrat më mizore 47.300 shqiptarë. Kështu, në:
1. Gjilanë janë vrarë 7854 veta,
2. Prishtinë 3.675
3. Drenicë 4.820
4. Mitrovicë 1.970
5. Pejë 3.540,
6. Ferizaj 1.260,
7. Podujevë 1.670,
8. Prizren 1.200,
9. Gjakovë 800,
10. Rahovec 750,
11. Suharekë 420,
12. Dragash 500,
13. Preshevë 690,
14. Shkup 1.450
15. Tetovë 4100,
16. Gostivar 715,
17. Kërcovë 490,
18. Sangjak (Jeni Pazar) 1.410,
19. Kumanovë 780
20. Tutin 900,
21. Bihor 3820,
22. Plavë e Guci 710,
23. Ulqin 515 dhe
24. Tivarë e Dalmaci 2.600 shqiptarë
Në këtë situatë e tërë pasuria e shqiptarëve të vrarë ishte konfiskuar, asgjësuar ose ishte plaçkitur nga kolonistët serbë, që qenë kthyer sipas direktivave të Byrosë Politike të KQ të PKJ-së.
Rrugëtimi (Prizren – Kukës – Shkodër – Tivar), lehtësia e forcave jugosllave për të kaluar në territorin shqiptar pa u shqetësuar
Rrëfimi i Azem Hajdinit, i mbijetuari i masakrës së Tivarit
Një rrëfim tronditës do të kujtonte Azem Hajdini shumë vite pas masakrës së Tivarit nga ku ai falë fatit i mbijetoi. Ja se si e kujton Hajdini atë marshim që do t’i çonte drejt vdekjes me mijëra shqiptarë.
Kështu të rraskapitur kemi vazhduar rrugën për në Pukë, ku atë ditë kemi arritur rreth orës 19.00 dhe na kanë vendosur në një luginë të rrethuar me pyje, kurse mbi ne vazhdimisht binte shi si rrëke. Në këto kushte, në periferi të Pukës e kemi kaluar natën. Të nesërmen shumë veta nuk kanë mundur ta vazhdojnë rrugën kurse mbi dhjetëra, mëngjesi i gjeti të vdekur. Kësisoj, radhët tona vazhdimisht zvogëloheshin, sepse një numër i shokëve tanë nuk mund t’i përballonte torturave, helmimit, urisë, veshmbathjes së dobët e sidomos frikës nga likuidimi fizik. Aq sa shtohej numri i të sëmurëve, njëkohsisht rritej edhe numri i të vdekurve sepse edhe ne, të rraskapitur, nuk ishim në gjendje më t’i mbanim për krahësh, sikurse vepruam një ditë më parë. Prej Puke, në rrethana si ato të deritashmet, vazhduam rrugën kurse kah ora 20.00 arritëm në vendin e ashtuqujtur “Ura e Zogut”, te një kanion i thellë nëpër të cilin rridhte ujë fare pak. Meqë urën e kishin shkatërruar fashistët italianë, transportimin tonë në anën tjetër të kanionit përpiqeshin ta organizonin përmes një vigu dhe njëlloj vagonete. Në atë vagonetë me qëllim i ngarkuan mëse 50 veta dhe natyrisht teleferiku i improvizuar u këput, kështu që të gjithë ranë në atë greminë të thellë. Disa prej tyre vdiqën kurse disa u lënduan rëndë e lehtë. Tentuam menjëherë t’i ndihmojmë, por na penguan përcjellësit duke na thënë se ata do t’i ndihmojë ushtria, kurse ne duhet të vazhdojmë kalimin nëpër atë vig të improvizuar. Mirëpo, duke e ditur fatin që na priste, refuzuam të vendosemi në atë vagonetë të ndrequr dhe pas shumë bindjesh e rezistencash u detyruan të na dërgojnë këmbë nëpër kanion për të dalë në anën tjetër të tij. Mirëpo, posa kaluam kanionin, sërish na urdhëruan të kthehemi poshtë dhe natën ta kalojmë nën qiellin e hapur. Edhe pse ishim të rraskapitur dhe qullë nga shiu, tërë natën jemi përpjekur t’i ndihmojmë shokët që mbetën gjallë e të lënduar nga rënia prej vigu. Po ashtu kujdeseshim edhe për disa shokë që i kishim bartur tërë ditën në lese të improvizuara, për krahësh apo në supe. Dikur kah mesnata na e kanë kumtuar urdhërin se duhet t’i identifikojmë të gjithë të sëmurët dhe të barten nja 50 metra larg gjoja për t’i dërguar në ndonjë spital të Shqipërisë për shërim. Mirëpo, të udhëhequr nga përvoja e hidhur që e patëm gjatë tërë rrugës, në këtë urdhër të shtabit e refuzuam kategorisht. Në mëngjes vërejtëm se një numër i shokëve që i kishim bartur dhe shumica e atyre që kishin pësuar lëndime pas rënies nga vigu kishin mbetur të vdekur, kurse na u pamundësua bartja edhe të disave që lëngonin nga sëmundjet. Posa u larguam nga ai vend ata i mblodhën në qerre dhe i çuan në drejtim të panjohur. Ne të tjerët vazhduam rrugën dhe arritëm në një vend afër Shkodrës ku duhej kaluar të ashtuquajturin “Vau i Spasës”. Edhe këtu, meqë ura ishte e shkatërruar, filloi transportimi ynë me një anije të improvizuar. Të mësuar nga përvoja me këso improvizimesh refuzuam të hipim në atë anije pa prezencën e ndonjë oficeri dhe të së paku dy-tre ushtarëve që na përcillnin. Shtabi, i cili ende nuk kishte kaluar “Vaun e Spasës”, pranoi kërkesat e parashtruara kështu që transportimi u bë pa ndonjë vështirësi të madhe. Mirëpo, edhe këtu në anën tjetër mbetën disa shokë të sëmurë rëndë, për fatin e të cilëve kurrë nuk jemi informuar. Në Shkodër arritëm rreth orës 16.00 më datën 30 mars 1945. Në të dy anët e rrugëve na pritën mijëra njerëz, shumica prej të cilëve duke na përshëndetur qanin, duke pëshpëritur “ku jeni duke shkuar”, “me siguri në ndonjë vend pa kthim”.!? Shumë prej tyre na ofruan bukë e veçmas ujë dhe këtu për herë të parë shuam etjen. Kjo nuk zgjati shumë pasi që shpejt e shpejt na vendosën në kazerma në një kodër bukur të lartë, emri i të cilës nuk më kujtohet, por e di se aty nuk kishte pasur ujë për pije. Por, për çudi, ne këtu veten e ndjenim pak më të sigurtë. Mirëpo, për fat të keq, këtu nuk na lanë të qëndrojmë gjatë. Dikur pas mesnate u nisëm në drejtim të Ulqinit, duke i lënë të sëmurët në mëshirën e ushtarëve serbë e malazezë. Në rrugë e sipër, jo fort larg Shkodrës, kolona jonë aty kah ora 3 pas mesnatës ka hasur në një eksploziv që shtrihej mjedisit të rrugës, në një gjatsi prej 10 deri 20 metrash. Me të ndezur të eksplozivit mes nesh u krijua një panik shumë i madh, por përnjëherë pasoi urdhëri që të mos lëvizim nga vendi. Mirëpo, nga frika shumë prej nesh u rrokullisën në të dy anët e rrugës e më pastaj filluan të shtënat e ushtarakëve me ç’rast u vranë dhe u plagosën shumë shokë tanë, kurse në mesin e tyre kam njohur Tafil Shabanin nga Kozhica. Pas nja 30 minutash na kumtuan se jeta jonë më nuk është në rrezik, duke thënë se, “kjo që ndodhi është vepër e reaksionarëve apo e diversantëve shqiptarë të Shqipërisë, të cilët hakmerreshin ndaj shqiptarëve kosovarë për masakrat dhe torturat që kinse paska bërë Xhafer Deva dhe regjimenti i ashtuquajtur kosovar”. Krejt kjo u bë sigurisht për të fshehur qëllimin e vet dhe për të nxitur urrejtjen vëllavrasëse në mes të shqiptarëve. Pas shumë kërcënimeve për ta heshtur këtë situatë jemi detyruar të nisemi dhe të vazhdojmë rrugën. Pos tre të plagosurve që na lanë t’i bartim, të sëmurët dhe të plagosurit e tjerë nuk lejuan t’i marrim me vete, por i ngarkuan në mjete të ndryshme transportuese dhe i dërguan në drejtim të Tivarit me qëllim që të mos bien në sy. Shokët e plagosur i kemi bartur mbi supe deri në një fshat, emri i të cilit nuk më kujtohet, por ishte me pullaze prej guri dhe me pak tokë të plleshme. Aty fshatrët na kanë dhënë kanata qerresh të punuara prej thuprave për t’i bartur të plagosurit dhe të sëmurët. Nga këto tortura dhe reprezalje që na bëheshin gjatë rrugës, sigurisht më vështirësi e kanë pasur ata që ndodheshin në fund të kolonës. Ata edhe kanë pasur mundësi të numërojnë më saktësisht viktimat e rrugës, por sigurisht se në këto rrethana pak kujt i ka shkuar ndërmend ta bënte këtë, nga se në çdo moment ekzistonte mundësia që edhe vet të bëhej viktimë e përcjellësve të tërbuar. Instinkti i vetekzistencës dhe rreziku që në çdo moment mund të likuidohej, nuk lejonte tjetër të mendohej por vetem si të shpëtohet jeta. Këtë gjendje psiqike e bënte edhe më të tmerrshme hasja gjatë rrugës në kufomat që binin në krye apo nga mesi i kolonës. Në këtë pjesë të rrugës sharjet dhe ofendimet si “viste zarobljeni, vodiqemo vas u llogor na prinudni rad”, “shoptarsku vam majku”, “osvetiqese crnogorska omladina”, etj., ishin “përshëndetjet” më të shpeshta që na i drejtonte masa dhe përcjellësit tanë, duke na provokuar vazhdimisht dhe duke na i shtuar reprezaljet. Edhe nëse ndonjeri ishte i gatshëm që nga revolti të reagojë duke ditur se ndoshta do ta paguajë me kokë, këtë nuk e bënte, sepse e dinte se pos tij do të pësojnë edhe shumë të tjerë. Zaten ushtarët serbë e malazezë mezi pritnin reagimin tonë më të vogël për të shtënë mbi ne. Kështu të lodhur e të rraskapitur nga rruga, uria e etja, e më tepër nga pasiguria, në gjendje të tensionit të lartë psiqik, e kaluam rrugën nëpër tërë territorin e Shqipërisë. Me të hyrë në kufirin e Jugosllavisë, afër Ulqinit na kanë urdhëruar që të ndalet kolona gjoja për pushim, kurse të gjithë të sëmurët dhe të plagosurit që ishin me ne, të ndahen në një vend të caktuar, gjoja për të evituar ndonjë epidemi të mundshme. Thanë po ashtu se ata të transportohen në ndonjë spital të Malit të Zi për shërim, por sipas të gjitha gjasave edhe ata i gjeti fati i njëjtë si shokët tanë të mëparshëm, kurse në vazhdim rrugën për në Tivar. Me të arritur në Tivar, dikund në mes të orës 12 – 13.00 në çdo skutë të qytetit diktohej një mobilizim i madh i ushtrisë dhe popullsisë të cilët me armë në dorë të drejtuar kah ne, na shikonin me përbuzje të madhe. Diktuam qartë komplotin dhe grackën që na ishte përgatitur. Shpirtrat tona virgjëresha u gjetën në shenjester të pushkëve dhe mitrolozëve që ishin vendosur në çdo qoshe të rrugëve, dritare dhe tarracë të shtëpive e shkëmbinjtë në kodrat përreth. Fitohej përshtypja se nga kjo bllokadë as zogu s’do të mund të fluturonte gjallë. Në qendër të Tivarit të ri, na kanë urdhëruar të ndalemi dhe të ulemi midis rrugës, gjoja për pushim. Në afërsi të rrugës kishte qenë një krua nga i cili ujë rridhte pa ndërprerë. Pasi që ishim shumë të etur, u morëm vesh që tre shokë tanë të prirë nga Sylë Gllobari të ngriten në këmbë dhe të apelojnë te një oficer që ishte afër çezmës për të na lejuar të pijmë ujë. Mirëpo, me të paraqitur të apelit, përnjëherë diktuam se oficeri u mërdhez dhe filloi piskamën e kërcënimin me fjalë ofenduese “shiptarsku vam majku” etj. Në momentin kur Syla me shokë u përpoq të arsyetojë kërkesën, përnjëherë oficeri ka urdhëruar ushtarët të vërsulen mbi të dhe të shtijnë me armë të zjarrta. Pos vrasjes së tyre, nga plumbat që kishin bredhur anash, u plagosën disa shokë tanë dhe një ushtar malazez. Pas kësaj tragjedie, ne mbetëm të shtangur në mes të rrugës, pa patur guxim të lëvizim apo të bisedojmë dhe me frikë pritnim se çdo të ndodhë me ne, pasi që na ishin drejtuar shumë tyta të armëve dhe bajoneta. Për një çast ushtria u tërhoq nja 50 metra largë nesh dhe zurën pozita më të sigurta – dikush pas shkëmbinjve, dikush pas shtëpive e disa sish edhe brenda tyre. Dhjetë apo pesëmbdhjetë minuta më vonë nga komanda e vendit arritën tre oficirë të lartë dhe shumë oficerë e ushtarë të tjerë. Ardhjen e tyre ne e pritëm me një fije shprese se në mesin e tyre do të gjendet ndonjë revolucionar apo komunist që do t’ i jepte fund këtyre torturave tona. Mirëpo, shpresa ishte e kotë, sepse njëri prej tyre zuri pozitë në një lartësi dhe filloi të na sulmoi e kërcënohet me fjalët “shiptarsku vam majku”, “sve qemo vas ubiti”, “samo minuti su u pitanju” etj. Nuk vonoi shumë dhe përmes altoparlanti na u komunikua se gjoja dikush prej nesh ka tentuar t’ia grabisë ushtarit të plagosur malazez revolen, andej kjo dhe kërkesa e organizuar për ujë u shërbeu si preteksti për ta kualifikuar si tentim kryengritje, për çka u kërcënuan me masa hakmarrjeje më drastike. Mirëpo, ne të gjithë mirë e dinim se ky është vetëm një trillim si bazë për një masakér me përmasa më të mëdha. Pas disa çastesh të heshtjes së varrit u ngrit në këmbë njëri nga shokët tanë për të cilin më vonë mësuam se ishte një i ri nga fshati Kozhicë, i cili pas konsultimeve me shokë ishte drejtuar kah oficieret me kërkesë dhe apel që t’u japin fund këtyre vrasjeve, maltretimeve dhe sjelljeve barbare. Por, pa u ofruar mirë, në të u vërsulën ushtarët malazezë dhe me armë dhe bajoneta që i kishin vu në pushkë e copëtuan, por si lakër. Të shtrënguar dhe të tronditur nga kjo skenë e tmerrshme patologjike, ne nuk dinim më çka të bëjmë, të flasim apo si të veprojmë. Të hutuar e me sy të zgurdulluar, vetëm shikonim para vetes dhe pritnim se çka do të sjellë secili çast e minutë i ardhshëm. Kur më nuk ngrihej askush në këmbë dhe nuk bënte zë, oficierët filluan të kërcënohen se një nga një do të na likuidojnë të gjithëve. Heshtjes sonë të mëtejme filluan t’u përgjigjen me tërbim. Urdhëruan që nga mesi i kolonës të ndahen 80 veta, të cilët i lidhën duart dhe i dërguan pas një ndërtese, e mëpastaj vetëm dëgjuam refallet dhe britmat e klithjet e tyre që u masakruan. Ndër shokët që unë i kam njohur, e që u pushkatuan në mesin e këtyre 80 vetëve, ishte edhe Abdyl Bislimi nga Kryshevci i Drenicës. Me të përfunduar të këtij akti mizor, meqë ne ishim në kolonë për katër, në gjatësi prej 5-6 kilometrash, e mundësia për shfarosje masive ishte më e vogël, na kanë urdhëruar të ngritemi në këmbë dhe të qëndrojmë në vend me duar të lidhura mbi kokë. Pas pak na kanë urdhëruar të ecim drejt një ndërtese të madhe trikatëshe, me një sipërfaqe prej afro 300 metra katror dhe me oborr të rrethuar. Ndërtesa ishte e rrethuar nga të tri anët me kodra shkëmbore, kurse oborri ishte me mure të lartë me rrethojë të hekurt, me maja të prehta, gjë që krijonte kushte shumë të volitshme për likuidimin e të gjithë neve pa marrë parasysh a gjendeshim në oborr apo në ndërtesë. Në të hyrë të oborrit të ndërtesës ishin vendosur nga 10-15 ushtarë në të dy anët e hyrjes të përgatitur me shufra hekuri në dorë. Secili prej nesh që hynte nëpër atë hyrje merrte goditje në kokë, gjoks apo shpinë me shufër hekuri dhe vaj halli për atë që nuk mund t’iu bënte ballë të rënave, sepse akzistonte mundësia çdo herë që të mbetet në vend. Ai që mbetej i shtrirë nga të rënat shkelej pa mëshirë nga turma që kalonte nëpër atë hyrje, pa pasur mundësi askush t’iu ndihmojë. Ishte e pamundur të kaloje nëpër atë hyrje të ngushtë e të mos marrësh goditje. Vetëm gjatë këtij akti, këtu në hyrje të oborrit, mbetën të shtrirë rreth 100 apo 150 veta. Shumica prej tyre edhe të vdekur. Ashtu të përgjakur dhe të rraskapitur nja 1000 veta që ishim në ballë të kolonës, na futën por si lopët në atë ndërtesë. Pasi që ndërtesa u mbush përplot, në oborr sipas një vlerësimi ngelën mbi 2200-2500, kurse në rrugë të gjerë 7-8 metra e të gjatë 80-100 metra, kanë ngelur të rrethuar 1.000-1.100 veta, por tani jo të rreshtuar, por grumbull. Kjo u bë për shkak se në këtë mënyrë bëhej likuidimi më i lehtë i tyre. Me të përfunduar të këtij aksioni, ushtarët e kapën Milazim Haxhiun nga fshati Tërnavc, me pretekst se ai qenka njëri prej atyre që ka tentuar t’ia marrë revolen oficierit malazez që u plagos ashtu siç përshkruam më herët. Edhe pse ky refuzoi akuzat, mbi trupin e tij para syve tanë u zbraz një shanzher i revoles. Edhe pse e dinim se xhelatët e pashpirtë po përgatitin masakër të paskrupullt ndaj nesh, i riu 17-vjeçar Ibrahim Koca nga fshati Polac i Drenicës së bashku me 7 shokë shkoi te komanda e shtabit, e cila ishte e vendosur në oborr dhe urdhëronte “udari majku vam shiptarsku neka znaju da je ovde Cerna Gora i da qemo sve do jednog zaklati…”, Për dy qëllime:
a) – të apelojë të ndërpritet masakra e mëtejme, sjelljet brutale, rrahjet në hyrje me shufra hekuri dhe
b) – t’u lejojnë t’u ndihmojnë shokëve të lënduar që kishin mbetur në hyrje të ndërteses nga të rënat që kishin pësuar.
Para se Ibrahim Koca ta kryente paraqitjen e kërkesave të përmendura, me urdhërin e komandantit, në të janë vërsulur shumë ushtarë, e kanë ngulur në bajoneta, e kanë ngritur lartë e pastaj e kanë gjuajtur në një shkamb për t’a parë më lehtë. Pastaj, me një fjalë në mënyrë mizore ia kanë pre hundën, veshët, krahët e kanë bërë copa-copa. Pas këtij akti shtazarak, shtabi dhe ushtarët janë tërhequr anash 100 deri 150 metra. Pas dhënies së sinjalit me një armë të rëndë të kalibrit të madh, përnjëherë nga të gjitha anët janë dëgjuar krisma. Rebeshet e armëve të ndryshme vinin drejtë nesh nga çdo skutë, oborr, shtëpi, shkëmb, dritare e pullaze të shtëpive. Shtihej me armë të zjarrit, si pushkë, automatik, mortajë dore, revole e çka tjetër jo. Kësisoj, brenda një ore, asnjë nga grumbulli i njerëzve, përafërsisht mbi 3 mijë veta që ishin vendosur në oborr dhe shesh, nuk mbeti në këmbë, kështu që rrethi i ndërtesës, oborri dhe sheshi u shndërruan në lumë gjaku që i përgjante një kataklizme të vërtetë.
Masakra e Tivarit, komplot i komunistëve shqiptarë për të vrarë forcat e djathta “reaksionare”
Për masakrën e Tivarit janë shkruar libra dhe kohëve të fundit janë shkruar shkrime nga shumë individë, por duket se akoma nuk është thënë qëllimi i vërtetë i saj. Komunistët shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë heshtën për shumë masakra që i bënë serbo-malazezet gjatë Luftës së Dytë Botërore. Teza të forta janë ngritur nga historianë të cilët e cilësojnë Masakrën e Tivarit si plan për të vrarë forcat e djathta, komplot ky midis Partisë Komuniste kosovare dhe Partisë Komuniste shqiptare që drejtohej nga Enver Hoxha. Asnjë masakër nuk ka guxuar të kalojë pa u dënuar, e sidomos ajo e Tivarit, e paparë ndonjëherë në historinë njerëzore. Tivari ka qenë tabu-temë në atë kohë. Po përse heshtën krerët komunistë të Kosovës, pse heshti Enver Hoxha me kompaninë e vetë komuniste, këtë nuk mund ta kuptojë logjika e shëndoshë, as sot dhe as kurrë. Rezoluta e Bunjajt (1943-’44) ka pasur për qëllim krijimin e Kosovës si njësi të Federatës Jugosllave. Por, në fakt në Bunjaj është aprovuar rezoluta në të cilën është thënë: “…arriti momenti i fundit për bashkimin e popullit shqiptar të Kosovës me Shqipërinë…”. Kjo rezolutë është e shkruar në gjuhën shqipe dhe në gjuhën serbo-kroate. Kjo rezolutë është dëshmi se lufta nacional-çlirimtare e Kosovës ka qenë luftë për bashkim me Shqipërinë. Kjo rezolutë ishte e ngjashme me idenë e forcave të djathta shqiptare si Balli Kombëtar, NDSH etj, për bërjen e një Shqipërie etnike dhe demokratike. Një muaj pas mbledhjes së Bunjajt politbyroja e PKJ-së i ka shpallur të pavlefshme këto vendime dhe kështu Kosova ka mbetur me dhunë si pjesë e Jugosllavisë me një autonomi tejet të zbehtë. Në letrën e politbyrosë të PKJ, dërguar Komitetit Krahinor të PK të Kosovës, të cilën e ka nënshkruar Millovan Xhillas, e me të cilën hidhen poshtë vendimet e Bunjajt, është edhe direktiva që orientimi për veprim në Kosovë është diskutimi i Xhavit Nimanit. Kështu, Xhavit Nimani vrante e kthjelltë për 45 vite në Kosovë dhe sot ka njerëz që e adhurojnë siç e adhurojnë edhe Enver Hoxhën, i cili më 1944 i dërgon 2 brigada të ushtrisë shqiptare për të siguruar Kosovën si pjesë të Jugosllavisë. Historiani prof.dr. Zekeria Cana në librat e tij “Ditari i Robërisë” 1998-1999 shkruan se në masakrën e Tivarit nuk u pushkatua asnjë gjakovar, sepse ata i shpëtoi Xhavit Nimani, i cili i nxori nga rreshti që ishin duke shkuar për pushkatim. Vetë kjo të bënë me dije se komunistët shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës e dinin se po ndodhte kjo masakër. Ata nuk reaguan duke menduar se me këtë akt makabër po vriten vetëm forcat e djathta “reaksionare”, me qëllim që pastaj komunistët jugosllavë dhe ata të Shqipërisë të marrin frymë më lehtë.

Titizmi dhe Enverizmi janë një bajgë e ndarë përgjysmë…

Faktet dhe argumentet shkencore janë “kokëforta” e të pathyeshme! Ato nuk mund të hidhen poshtë me propagandë partiake komuniste, fshehje të realitetit, kamuflim, gënjeshtër dhe përpjekje për të inicuar ripërsëritjen e revolucionit komunist.
Ndryshimi pozitiv në shoqërinë shqiptare është i lidhur ngusht me njohjen e së vërtetës si vlerë dhe synim. Njohja e mundëson vlerësimin objektiv, sepse ajo i hedhë në shportën e mbetjeve paragjykimet, supozimet dhe dyshimet. Rruga jonë drejt lirisë dhe bashkimit kombëtar trasohet përmes gatishmërisë së ballafaqimit me realitetin objektiv. Prandaj, Balli Kombëtar Demokrat kërkon nga Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, që:
  1. të dënojnë zyrtarisht krimet dhe gjenocidin e regjimit komunist në të gjitha trojet etnike shqiptare në Gadishullin Ilirik.
  2. të anulohen dhe të tërhiqen dekoratat e regjimit sllavokomunist të Enver Hoxhës për kriminelët e luftës, si:
    Aleksandër Rankoviq, i dekoruar me Urdhërin “Ylli Partizan”, kl. I.
    Milladin Popoviq, i dekoruar me Urdhërin e “Flamurit” dhe “Medaljen e Kujtimit”
    Gjeneral Major Svetozar Vukmanoviq-Tempo, i dekoruar me Urdhërin “Ylli Partizan”, kl. II. dhe “Medaljen e Kujtimit”
    Gjenerali Ivan Millutinoviq, i dekoruar me Urdhërin “Hero Kombëtar”
    Ivo Llolla Ribar, i dekoruar me Urdhërin “Hero Kombëtar”
    Ivan Ribar, i dekoruar me Urdhërin e “Flamurit”
    Eduard Kardel, i dekoruar me Urdhërin e “Flamurit”
    Bllazho Jovanoviq, i dekoruar me Urdhërin e “Flamurit”
    Radovan Zogoviq, i dekoruar me Urdhërin e “Flamurit”
    Dushan Mugosha, i dekoruar me Urdhërin e “Flamurit” dhe “Medaljen e Kujtimit”
    Gjeneral lt. Arso Jovanoviq, i dekoruar me Urdhërin “Ylli Partizan”, kl. I.
    Millovan Gjillas, i dekoruar me Urdhërin “Ylli Partizan”, kl. I.
    Gjeneral lt. Peko Dapçeviq, i dekoruar me Urdhërin “Ylli Partizan”, kl. I.
    Koloneli Velimir Stojniq, i dekoruar me Urdhërin “Ylli Partizan”, kl. I.
    Majori Konstandin Ivanov, i dekoruar me Urdhërin “Ylli Partizan”, kl. I.
    Gjenerali Velimir Terziq, i dekoruar me Urdhërin “Ylli Partizan”, kl. II.
    Koloneli Vojo Todoroviq, i dekoruar me Urdhërin “Ylli Partizan”, kl. II., me Urdhërin e “Trimërisë” dhe me “Medaljen e Kujtimit”
    Fadil Hoxha, i dekoruar me Urdhërin “Ylli Partizan”, kl. II., dhe me “Medaljen e Kujtimit”
    Nënkoloneli Mijat Vuletiq, i dekoruar me Urdhërin “Ylli Partizan”, kl. II.
    Majori Savo Stonoj, i dekoruar me Urdhërin “Ylli Partizan”, kl. II.
    Togeri Vlladimir Turin, i dekoruar me Urdhërin “Ylli Partizan”, kl. II.
    Vaso Strugar, i dekoruar me Urdhërin e “Trimërisë”
    Mishel Popoviq, i dekoruar me Urdhërin e “Trimërisë”
    Kapiten Niazi Dizdareviq, i dekoruar me Urdhërin “Ylli Partizan”, kl. III.
    Mehmet Hoxha, i dekoruar me Urdhërin “Medalja e Kujtimit”
    Elhami Nimani, i dekoruar me Urdhërin “Medalja e Kujtimit”
    Xhavit Nimani, i dekoruar me Urdhërin “Medalja e Kujtimit”
    Safete Nimani, e dekoruar me Urdhërin “Medalja e Kujtimit”
    Xhevdet Doda, i dekoruar me Urdhërin e “Trimërisë”
    Ymer Pula, i dekoruar me Urdhërin “Medalja e Kujtimit”
    Hajdar Dushi, i dekoruar me Urdhërin e “Trimërisë”
    Emin Duraku, i dekoruar me Urdhërin e “Trimërisë”
    Bije Vokshi, e dekoruar me Urdhërin e “Trimërisë”
    Xhafer Vokshi, i dekoruar me Urdhërin e “Trimërisë”
    Ramiz Sadiku, i dekoruar me Urdhërin “Hero Kombëtar”
    Majori Teodor Tomishek, i dekoruar me Urdhërin “Ylli Partizan”, kl. III.
    Viktor Kobol, i dekoruar me Urdhërin “Ylli Partizan”, kl. III.
  3. të inicojnë procesin e dekomunistizimit të shoqërisë shqiptare me shtrirje etnike
Nga partitë politike, shoqatat, klubet letrare, sportistët, artistët, mësimdhënësit dhe shoqëria civile shqiptare në trojet etnike; Balli Kombëtar Demokrat kërkon që të distancohemi kudo nga mbetjet e sistemit komunist, nga veprat tradhtare të klikës komuniste, nga hyjnizimi i rrejshëm i veprës së komunistëve, nga shërbëtorët e sotëm të komunizmit dhe nga të gjithë ata ose ato që provojnë të rehabilitojnë gjenocidin komunist dhe të legalizojnë sundimin e komunistëve për interesa të vëllazërisë ideologjike pansllaviste.

Vendi që zë Skenderbeu në Historinë e Shqipërisë

Shkruar nga Profesor Abas Ermenji
Ka disa emra njerëzish të mëdhenj që shoqërohen përgjithmonë me idenë e kombit ose të shtetit të tyre. Nuk mund të mendojmë, për shembull, Maqedoninë e dikurshme pa na u kujtuar njëherësh edhe Aleksandri i Madh, as Romën e vjetër, pa Jul Qesarin, as Shqipërinë tonë, pa Skënderben.
Për të kuptuar shkakun e këtij shoqërimi idesh, duhet të dimë më parë se ç’është kombi, ose shteti. Që të dy janë një bashkësi kulturo-gjuhësore, sidomos kombi, dhe politiko-ekonomike, sidomos shteti, ku individët qëndrojnë të lidhur me ndjenja e me interesa si në një familje të madhe. Sa m’i fuqishëm të jetë shteti, sa m’i lartë të jetë kombi nga kultura dhe traditat historike, aq m’e fortë është edhe ndjenja që i lidh individët me të. Kështu që, komb, shtet a çfarëdo grupi qoftë, bëhen si një qenie ideale; dhe emri i atij njeriu që, në një periudhë të historisë a në disa rrethana të veçanta, i ka dhënë kësaj qenieje çfaqjen më të lartë, mbetet i lidhur me të në kujtimin e popujvet.
Kur flasim për Shqipërinë, e mendojmë si një njësi të bashkuar, sipas ndjenjavet kombëtare të sotshme, dhe na pëlqen t’a përfytyrojmë në formën më të mirë, në çfaqjen më të lartë të saj. Por, që nga Mesjeta e tëhu (domethënë qëkur Shqipëria quhet Shqipëri), n’asnjë çast tjetër historik nuk ka treguar kombi ynë aq forcë të bashkuar drejt një qëllimi të vetëm – dhe që hyri si faktor në historinë e përgjithshme t’Evropës – sa në kohën e Skënderbeut.
Studionjësit e psikologjisë dhe të sociologjisë e dinë se sa e fortë është ndjenja e grupit tek njeriu, në fundet e errëta të pavetëdijës. Njeriu është një qenie e gjallë që ka nevojë shpirtërore t’a ndiejë vehten pjesëtar i një grupi, domethënë i lidhur brendësisht me të tjerë njerëz që ndiejnë e mendojnë pak a shumë si ai, që kanë të njejtën gjuhë, të njejtën kulturë, të njëjtat zakone, të njëjtat interesa. Ndarja e njerëzve në grupe të ndryshëm – fis e krahinë, fe e kulturë, komb e shtet, parti e klasë etj. – e ka bazën në këtë ndjenjë instinktive, dhe jo vetëm në nevojën ekonomike siç mendojnë marksistët. Në kohët tona, megjithëse ndërhyrja e shumë faktorëve kulturorë, teknologjikë dhe ekonomikë i ka dhënë të tjera drejtime ndarjes ose bashkimit të njerëzve në grupe, ndjenja kombëtare mbetet akoma si një nga më të fortat.
Për ne Shqiptarët, figura e Skënderbeut zmadhohet ose zvogëlohet sipas vleftës që i japim kombit dhe ndjenjës kombëtare. Ka qënë një kohë – dhe mjaft e gjatë – kur emri i Skënderbeut ishte harruar pothuajse fare në Shqipërinë e sotshme. Shkaku ishte se njerëzit u grupuan rreth ndjenjës fetare ose krahinore – e njihnin vehten të Krishterë ose Myslimanë, Gegë ose Toskë, Dukagjinas a Kurveleshas – dhe jo bij të një kombi në kuptimin e sotshëm të fjalës. Gjatë asaj kohe, kujtimi i Skënderbeut jetonte tek Shqiptarët e Italisë, pikërisht sepse ata kishin mbetur me gjuhën, me ritin fetar dhe traditat e tyre si një grup kombëtar më vehte, i veçuar nga popullsia italiane që i rrethonte.
Kur ideja kombëtare rilindi për ne Shqiptarët në shekullin XIX, dolli menjëherë edhe figura e Skënderbeut si ati i kombit, si shprehja m’e lartë e sedrës kombëtare dhe e vleftës sonë trimërore. Të Krishterë e Myslimanë, Gegë e Toskë e njohën si hero kombëtar. Më në fund u shtrënguan t’a njohin edhe komunistët, megjithëse në fillim këta u treguan kundër çdo vlefte kombëtare, me qëllim që t’a gruponin popullin – e sidomos brezin e ri – rreth ndjenjës së proletariatit botëror. Mirëpo eksperienca ua provoi se këta vetë paskëshin qënë më të ngushtët nga mendja në tërë kampin e komunizmit ndërkombëtar. E panë se komunizmi titoist nuk ishte veçse një jugosllavizmë dhe desh t’i gëlltitte si i tillë. Provuan gjithashtu se edhe komunizmi rus nuk ishte veçse rusizmë dhe desh t’iu rripte lëkurën për interesat e veta. Nëqoftëse nuk janë prapa botës, duhet t’a kuptojnë se edhe konflikti kino-rus ka një shkak kombëtar ose gjeopolitik, dhe jo ideologjik siç duan t’a trumbetojnë ata. Përpara realitetit të sotshëm që po e shohin edhe të verbëtit, ideologjia marksiste-leniniste, si dogmë, e ka humbur përmbajtjen e saj. Agjentët e regjimit të Tiranës, kur flasin tani me ndonjë Shqiptar të jashtëm, i thonë në mirëbesim: “kërkon të na përpijë sllavizmi.” Sikur t’ua thoshte tjetërkush këtë fjalë, njëzet ose dhjetë vjet më parë, e dënonin me plumb.
Të vënë në këtë gjendje dhe të veçuar nga bota (mbasi Kina është tepër larg), komunistët janë kthyer në demagogjinë kombëtare. Prandaj figura e Skënderbeut, edhe për ata, duhet të zërë vendin qendror të historisë së Shqipërisë. Për t’u treguar më t’afërt me ndjenjën kombëtare të masavet, e kanë shpallur vit jubilar pesëqindvjetorin e vdekjes së Skënderbeut.
Përse gjithë ky çmim për Skënderben? Sikur t’a shikonim punën nga ana praktike, nga ana e mirëqenies (siç do të thoshnim sot), ai nuk iu solli ndonjë të mirë Shqiptarëvet të kohës së tij: burrat më të fortë u vranë, një pjesë e madhe e popullsisë u shua, një pjesë tjetër po aq e madhe u mërgua në dhe të huaj, qytetet u rrafshuan, fusha e fshatra u zbrazën, i tërë vendi u shkretua me zjarr e me hekur. A do të kishte mundur Skënderbeu të bënte një tjetër politikë me Turkun, politikë vasali, dhe njëkohësisht të siguronte mbajtjen e kombit shqiptar si një grup ethnik të bashkuar? Ashtu siç deshën të bënin mbretërit e Serbisë, pasi u mundën, dhe siç bënë Grekët e Fanarit pas rënies së Kostandinopojës?
Nuk na besohet kjo hipotezë. Sepse Shqiptarët nuk kishin një kulturë siç ishte helenizmi nëpër të cilin u mbajt kombësia greke, as bashkim kombëtar rreth një dinastie mbretërore siç e kishin Serbët. Këtë bashkim u mundua t’a bënte Skënderbeu nëpërmjet të luftës kundër Turkut. Gjer atëhere Shqipëria kishte qënë e copëtuar në një feudalizmë pa krye. As Thopiajt as Balshajt, që patën qënë shtëpitë princore më të mëdha, nuk kishin mundur t’a bashkonin të gjithë vendin. Përpara Skënderbeut si edhe në kohën e këtij, çdo feudal shqiptar, i madh a i vogël, e mbante vehten si zot në krahinën e tij dhe bënte politikën që i pëlqente, me Turkun, me Venetikun a me cilindo tjetër. Skënderbeu qëndroi në krye të tyre vetëm me anën e luftës: ndryshe s’mund t’ishte mbajtur. Grekët dhe Serbët kishin arritur me kohë n’ato dy njësime (unitete) pa të cilat s’ka shtet as komb që të qëndrojë i bashkuar: njësim kulturor dhe njësim politik. Kombësia greke kishte si bosht qendror kulturën helenike me Kishën Orthodokse dhe me kurorën mijëvjeçare të Bizantit. Kombësia serbe kishte edhe ajo Kishën e saj me liturgjinë sllavone dhe me një kurorë mbretërore prej tre shekujsh. Pra popujt e këtyre dy kombeve, edhe pasi e humbën pavarësinë politike, mbetën të lidhur me shpirt e me ndjenjë rreth boshtit fetaro-kulturor dhe traditës historike të tyre. Rreth këtij boshti e mbajtën bashkimin si kombe.
Kurse Shqiptarët nuk kishin as njësim politik as njësim kulturor, nëqoftëse me fjalën kulturë nuk kuptojmë vetëm gjuhën e folur dhe zakonet. Politikisht ishin të thërrmuar në krahina e principata, pa një dinasti qendrore. Një farë mbretërie shqiptare që pat krijuar mbreti i Napolit, Charles d’Anjou, më 1272, pat qënë e përkohshme dhe pa rrënjë të brendëshme. Nga ana fetaro-kulturore, Shqiptarët nuk kishin jo vetëm Kishë e liturgji në gjuhën e tyre por, me sa dimë, as letërsi të shkruar. Një popull që varet shpirtërisht nga qendra kulturore të jashtëme nuk mund të formojë kurrë njësim kombëtar në kuptimin e vërtetë të fjalës. Sikurse nuk mund të formojë njësim shtetëror ai popull që varet nga qendra politike të huaja. Kjo e shpjegon deri diku se përse një pjesë e madhe e Shqiptarëve u kthyen në myslimanë.
Duke mos pasur pra as bosht politik as bosht fetaro-kulturor të tyren, Shqiptarët s’kishin sesi të mbahëshin si njësi e bashkuar nëpërmjet kompromisesh me Portën e Lartë, siç bënë Serbët dhe Grekët. Bashkimin politik të Shqiptarëvet në një shtet të përqendruar u mundua t’a bënte Skënderbeu me grushtin e tij të fortë. Dhe e dimë se sa e vështirë qe kjo punë dhe se sa kokëçarje i solli.
Tani vjen një pyetje tjetër: mbasi lufta e Skënderbeut nuk i siguroi dot Shqipërisë një t’ardhme të pavarur, ose njësimin si komb, ç’vleftë kanë për ne trimëritë e tij përpara gjithë atyre humbjeve në njerëz e në mjete, përpara atij shkretimi që i solli vendit?
Përgjigjia e kësaj pyetjeje është pak si e vështirë. E para, sepse varet nga shkalla e vleftavet morale që njerëzia ka pranuar gjer më sot si kriter gjykimi. E dyta, sepse nuk dimë se ç’përfundim do të kishte pasur kombi shqiptar sikur të mos kish ndodhur qëndresa e Skënderbeut. E treta, sepse ne e mendojmë atë luftë pasi është bërë. Por kur ishte duke u bërë, kishte të tjera mendime, të tjera ndjenja, të tjera shpresa, sipas të cilavet vepronin Skënderbeu dhe Shqiptarët e asaj kohe. Mendohej e shpresohej, për shembull, në një kryqëzatë të përgjithshme evropiane kundër Turkut, në shpartallimin e Perandorisë Osmane prej grindjesh të brendëshme etj. Sidoqoftë, pa qënë nevoja t’a shikojmë këtë çështje nga disa anë që i përkasin filozofisë ose të kërkojmë shkaqet subjektive që e shtynë Skënderben n’atë luftë, do të mundohemi të japim një gjykim vetëm nga ana objektive e historisë së Shqipërisë nëse figura e Skënderbeut e meriton atë vend që i kanë dhënë gjer më sot Shqiptarët.
Thamë më sipër se Shqipëria nuk kishte arritur në njësimin kombëtar gjer në shekullin XV. Çdo princ a kryezot bënte politikën që i pëlqente, qoftë me Turkun, qoftë me të tjerë shtete fqinjë. Sikur të mos kishte dalë Skënderbeu, disa kryengritje do të kishin ngjarë prapë dhe do t’ishin shtypur, ashtu siç qenë shtypur ato të Gjon Kastriotit, të Gjergj Aranitit dhe të kapedanëve të tjerë. Vendi do të kishte rënë prapë, siç ra, nën Turkun. Nuk do t’ishin vrarë ndoshta aq burra, nuk do t’ishte shuar ndoshta aq popull, nuk do t’ishin bërë ndoshta aq shpërngulje, por nga ana tjetër nuk dimë sesi do të kishte përfunduar kombësia shqiptare.
Skënderbeu i dha jo vetëm një frymë heroike, po edhe një karakter kombëtar qëndresës shqiptare kundër Turkut. Dhe tronditja qe aq e madhe, sa që kujtimi i luftës së tij vazhdoi për disa kohë si një jehonë trimërore në malet e Shqipërisë dhe jetoi si një epope legjendare tek Arbëreshët e Italisë. Kur ideja kombëtare rilindi në shekullin XIX, u kuptua se Skënderbeu i kishte dhënë një bazë historike Shqipërisë, i kishte dhënë nyjen e kreut ku mund të lidhej filli i saj për në kohët moderne. Ndryshe – edhe sikur t’a zëmë se do të kishte pasur një ndjenjë shqiptare – historia e Shqipërisë do të paraqitej si një legjendë e çthurur, pa lidhje e pa krye, si një përrallë e venitur në mjegullirën e shekujve. Deri Evropa, me gjithë shtrembërimet e armiqve, nuk mundi t’ia mohojë historinë e tij kombit shqiptar, mbasi qëndresa e Skënderbeut kishte hyrë në historinë e përbotshme.
Që Shqiptarët, pa përjashtim, t’a kenë njohur Skënderben për hero kombëtar, duket se ka disa arësye të thella kombëtare dhe historike. Këto arësye do të mundohemi t’i vëmë në dukje gjatë këtij studimi.

Mbi artin poetik të Bilal Xhaferrit

Shkruan, Ilir Sefaj
Është evidente që poezia e Bilal Xhaferrit, arti letrar i tij në përgjithësi, qëllimshëm mbeti “larg” lexuesit, mirëpo kjo poezi ky art falë vlerave të vërteta që ngërthen në vete nuk do të mund t’i shpëtonte kureshtjes së lexuesit, përkundër barrierave ogurzeze që koha i kishte përgatitur poetit tonë.
Emri Bilal Xhaferri është sinonim i shkrimtarit më tragjik të shqipes. Jeta, këtij krijuesi i gatoi situata mjaft delikate që në fëmijërinë e tij, për të vazhduar pothuajse me të njëjtin avaz gjatë tërë rrugëtimit të tij në jetë dhe letërsi. Autor i emocionit të fortë, Bilal Xhaferri do të ballafaqohet me arratisje nga vendlindja, me vdekjen e të dy prindërve që në fëmijërinë e hershme, fat i njëjtë do ta përcjellë edhe në literaturë, ai u denigrua nga elita intelektuale e kohës për ta marrë mbase dënimin më të madh; iu mohua e drejta e botimit! Edhe pse të gjitha peripecitë që e përcollën në fëmijëri dhe në rininë e hershme ishin furtuna të vërteta, anatemimi i këtij krijuesi par excellence nga jeta krijuese ishte thyerja më e madhe që iu bë këtij doajeni të fjalës së shkruar, i cili për shumëçka do të mbetët i papërsëritshëm në letërsinë shqipe.
B. Xhaferri është poet lirik në kuptimin e parë të fjalës. Poezia e këtij krijuesi lindi si domosdo e rrethanave jetësore me të cilat u ndesh ky autor, dhe kjo poezi mbase mund të thuhet se i ngjan një ditari në vargje, i cili e përcolli rrugëtim jetësor të këtij poeti ndër më fatkeqit që njohu letërsia shqipe.
Ky fat, kjo rrethanë jetësore, asnjëherë nuk e largoi poetin tonë nga jeta krijuese, meqë pikërisht arti letrar ishte bërë terapia më e suksesshme e cila do të ndikojë në mbajtjen gjallë të këtij shpirti të trazuar, jeta e të cilit kishte rezervuar vetëm ‘trishtimin’.
Arti poetik i B. Xhaferrit u vlerësua mjaft që në shfaqjen e tij të parë, mirëpo ky art do ta ketë fatin e njëjtë me autorin e tij, dhe si rrjedhojë do të mbetët “larg” lexuesit të supozuar, meqë autori i këtij arti kishte bërë një “krim të madh”, ishte shprehur “më lirshëm se sa lejohej” në diskutimin që u organizua më 1968 për romanin “Dasma” të I. Kadaresë. Ky detaj nuk ka për qëllim të glorifikojë njërin dhe ta denigrojë tjetrin, mirëpo dihet mirëfilli se jeta e B. Xhaferrit pas kësaj ngjarjeje se paku në kuptimin jashtë-letrar të saj, mori tatëpjetën.
Sigurisht kjo paraqitje më shumë se për fatin jetësor të autorit, mëton të merret me poezinë e tij, mirëpo sikurse me të drejtë është thënë; krijimtaria e këtij krijuesi përgjithësisht, dhe poezia në veçanti mund të deshifrohet edhe si; “jetë konkrete, tokësore e reale” e Bilal Xhaferrit.
Poezia e këtij krijuesi në thelbin e saj është përkushtuese, e rastit, e rrethanës, por edhe e meditimit sigurisht, pra është poezi e ndjenjës e patosit, por edhe e imagjinatës. Ky autor me vargun e tij krijon, së paku në botën imagjinative të tij, gjeografinë shqiptare, dhe këtë gjeografi në të shumtën e vizaton më ngjyrat e saja më të trishta; Shqipëri 1976, Baladë çame, Natë çame, Atdheu, Kosova, etj.
Gjithsesi, Poezia si shkrim në rastin tonë është tejet e ndërliksur me emrin e B. Xhaferrit, dhe kjo ndërliksje është më e determinuar te ky autor sesa te secili autor tjetër shqiptar, ngase kur flasim për poezinë e tij, në të njëjtën kohë flasim për jetën reale, tokësore të autorit, dhe kur flasim për B. Xhaferrin si Njeri, është e pamundur të mos na kujtohet arti poetik, si shenjë e këtij emri…
Poezia e dhembjes
Arti poetik i B. Xhaferrit ashtu sikurse edhe jeta e tij “tokësore”, kërkon përqasje objektive e kompetente, dhe kjo poezi, ky art e shtron këtë kërkesë, mbase më rigoroze se herë tjetër, si domosdo e rrethanave tejet unike në të cilat u krijua.
Në jetën e tij “normale”, B. Xhaferri botoi poezitë dhe tregimet e tij të para në gazetat “Zëri i Rinisë”, “Drita”, në revistat “Nëntori”, “Ylli” etj., aty rreth viteve 1962-1963. Ca vite më vonë do ta botojë vëllimin me poezi “Lirishta e kuqe” (1967), libër ky i cili nuk qarkulloi edhe gjatë në mjediset intelektuale të kohës, ai u censurua dhe u ndalua nga sistemi. Pra, është kjo periudha kur autori ynë gëzoi “privilegjin” e të botuarit dhe të lexuarit në atdhe, them në atdhe meqë vendlindja, pra pjesa tjetër e atdheut, mbeti përgjithmonë plagë për autorin, i cili i këndoi me aq vrull, dhembje e trishtim Çamërisë:
Ylberi, si një përshëndetje e përlotur lamtumirë, U zhduk matanë largësive, Mbi kreshtat e flakëve, Nëpër shi…
(Baladë çame)
Për ta dhënë ndarjen përfundimtare me vendlindjen, e cila njëkohësisht shënon edhe humbjen e parë të madhe në jetën subjektive e objektive të poetit, ai humb një pjesë të atdheut, etnisë:
Ne, popull muhaxhir, ecim nëpër shi…
Lamtumirë, Çamëri!
(Baladë çame)
Kjo është klithma e dhembjes poetike të Bilal Xhaferrit, shenja e zisë personale: ai do ta humb atdheun pikërisht duke theksuar dhembjen për mungesën e tij; kurse në nivel tjetër është klithje për një tokë dhe një kolektivitet të humbur.(Sabri Hamiti)
Poezia e B. Xhaferrit është poezi e aktualitetit historik e shoqëror të kohës. Kjo poezi është rezultat i bredhjeve, i ecejakeve të autorit, shpirti i të cilit nuk do ta gjejë qetësinë as pas arratisjes nga Shqipëria, dhe kjo është drama e dytë për autorin, ai do ta humb edhe pjesën tjetër të atdheut për të mos u kthyer kurrë më në të gjallë të tij:
Ashtu të lash i shtrenjti vend Dhe rrugën mora për këtej Ku vallë më çon kjo rrugë e largët? Kur vallë sërish tek ti do kthej?
(Atdheu)
Ky autor me vargun e tij krijon gjeografinë shqiptare, ai i thur himn Kosovës pjesës tjetër të etnisë, rrafshit të lashtë të dukagjinëve, mirëpo Kosova e okupuar në penën e Xhaferrit trajtohet po ashtu dhembshëm sikurse Çamëria, matanë largësive:
Kosova –
Gjithnjë…ashtu
Janë këto tri pika të heshtjes e të dhembjes shpirtërore të poetit më jugor të shqipes, i cili me kaq dhembje e emocion i këndoi kësaj pjese të etnisë, ani pse kurrë nuk e kishte vizituar Kosovën:
Kosova –
Rrafsh i lashtë i dukagjinëve.
Kosova –
Me ndarje dhe nënndarje gjeografike
Me ndarje dhe nënndarje etnike,
Që nga ujërat e kulluara të Ohrit,
Gjer në errësirën e minierave të Mitrovicës,
Që nga kaltërsitë e brigjeve të Ulqinit,
Gjer në themelet e gjakut, në Qelekullën e Nishit.
(Kosova)
Kosovën e karakterizon numërimi informues e ndërtues i hartës letrare gjeografiko-etnike të Kosovës, aq më shumë i hartës vertikale, pra historike. Si e tillë, kjo vjershë mund të lexohet horizontalisht, si gjeografi letrare, e vertikalisht, si sistem letrar i ndërtimit të historisë së Kosovës. (Kujtim M. Shala)
Poezia Kosova e B. Xhaferrit, flet për gjendjen faktike të kësaj pjese nën okupim, pra poeti i esencave nacionale e kishte ndjerë në palcë dramën që luhej mbi popullin e Kosovës, e cila në penën e poetit merr përmasat e saja tragjike, për t’u përmbyllur në nihilizëm të thellë, ku në fakt gjendja shfaqet si tejet e pashpresë; Kosova, gjithnjë…ashtu.
Bilala Xhaferri i këndoi dhembshëm Çamërisë, me ngjyrat të tilla të errëta jep edhe aktualitetin kosovar, por cila është Shqipëria e Bilalit, poetit të etnisë (S. Hamiti):
Vend i vogël Kohë e vogël Rracion i vogël
(Shqipëri 1976)
Shqipëria e vogël është vend i errësirës së madhe, frikës…e mjerimit të madh, pra edhe kjo pjesë e etnisë jepet më ngjyrat e saja të zymta, ku dominon kontrasti; vend i vogël –errësirë e madhe, i cili krijon pamjen më ogurzeze të vendit në totalitarizëm ku çdo gjë rrezaton zi.
Bilal Xhaferri është ndër poetët i cili i këndoi me më së shumti mall atdheut të tij, të cilin e la matanë largësive për ta fituar përgjithmonë trishtimin në Amerikën e largët, ku edhe do ta japi frymën e fundit, për t’u rikthyer vetëm shumë vite me vonë, gjithsesi në arkivol në Sarandën e rinisë së tij e cila dikur i kishte dhënë rrugët…
Poezia e përkushtimit
Me poezi të përkushtimit duam të shënjojmë llojin. Poezia e Billa Xhaferrit në esencën e saj është përkushtuese. Muza e këtij poeti edhe kur i thur vargje Atdheut, edhe kur i dëshiron gjumë të ëmbël së motrës shquhet për intonacionin e saj ngritës, i cili flet për emocionin, pra për poezinë e ndjenjës siç do të mund të përkufizohej poezia e Xhaferrit.
Edhe pse poezia e këtij autori shquhet për diskursin e saj të pasur dhe të arrirë, si dhe stilistikën e pasur gjuhësore, në poezinë Fli e cila është njëra nga vjershat më të hershme të autorit, vargu i tij del paksa konvencional dhe i drejtpërdrejt pa ngjyrime të theksuara stilistike, mirëpo që gjithsesi vë në pah emocionin:
Fli, motra ime,
E vogla, e shtrenjta, motra ime,
Fli zemër
Gjumin e ëmbël!
(Fli)
Përderisa poezia e përkushtimit ka një referencë, pra ka një subjekt, vetëkuptohet se vjersha kushtuar motrës së vogël (Antikës), e cila siç mësojmë nga biografia B. Xhaferrit, ishte pikë e dobët në jetën e tij, flet për një diskurs tejet të përligjshëm, edhe pse në këtë rast emocioni “mbyt” stilin.
Si do që të jetë, është e vërtetë e pamohuar se nën formulimin poezi të përkushtimit, do të mund të renditnim disa nga lirikat më të spikatura të B. Xhaferrit: Ti lulëzon në peizazhet e trishta, Lule të vona, Rini uloke, Kushtim S.M. për dimrin vitit 1968-1969, Motrës sime Antikës, Ti je një pardesy etj.
Shpirti i trazuar i poetit, shfaqet në mënyrë e tij më hapur, pikërisht në lirikën Ti lulëzon në peizazhet e trishta të cilën për nga vlerat do ta konsideroja ndër më të arrirën në opusin krijues të këtij autori; në këtë poezi më bukur se asnjëherë tjetër poeti shfaq nostalgjinë për subjektin konkret, i cili përveç që kujton një kohë, një emocion, pasqyron edhe një situatë objektive e cila e forcon këtë emocion:
Te shtëpia jote pranë periferisë
Hidhet mbi lumë ura me parmak të drunjt.
Subjekti në kujtesën e lirikut mbetët ashtu si në takimin e parë, ani pse natyra përreth tij/saj ka marrë pamjen e një peizazhi të trishtë, ngase në kujtesën e artikuluesit ajo kohë, ajo rrethanë objektive ka ndërruar ngjyrat e saja; vetëm subjekti ruan pranverën në shpirtin e tij:
Tani lulet e shegëve janë shkundur të gjitha
Dhe kokrrat janë vjelur dhe flketët kanë rënë
Vetëm ti lulëzon akoma në peizazhet e trishta
Vetëm ti e ruan pranverën në shpirtin tënd.
(Ti lulëzon në peizazhet e trishta)
Poezia e Bilal Xhaferrit karakteristikë e së cilës është ndjenja, emocioni, në kuptimin e parë të fjalës, s’do mend se i rri larg figurshmërisë, pra kjo poezi ky varg të shumtave rrjedh ashtu drejtpërdrejt, dhe situatat konkrete konsumohen si të gjalla nga recipienti.
Nëse T. Elioti nuk e sheh poezinë si shfrenim emocionesh, por ikje nga emocioni, dhe po ashtu nuk e konsideron si shprehje të personalitetit, por ikje nga personaliteti, Bilal Xhaferri thur pikërisht poezinë e emocionit, mirëpo kjo nuk do të thotë se vargun e tij e dominon emocioni i “shfrenuar”, përkundrazi ky autor ka krijuar një individualitet të veçantë krijues, pra ky autor me vargun e tij ka plasuar biografemën e tij shpirtërore (Kujtim M. Shala):
Eja, trishtim,
O prehër i ëmbël që nuk më braktise kurrë.
O strehë e qetësisë sime,
O Ëndërrime të mia,
O gji i shpresës sime!
(Eja, trishtim)
Trishtimi për poetin tonë është si ajri, si buka. Pra kjo ndjenjë, me të cilën është “mbrujtur” shpirti i këtij krijuesi, si domosdo e rrethanave të tij jetësore, e këtij poeti ndër më fatkeqit që dha bota letrare shqiptare, perceptohet edhe si gji i shpresës, e strehë e qetësisë; dhe s’do mend se ky varg kjo poezi është më tragjikja që dha arti letrar i B. Xhaferrit; poetit, prozatorit e publicisti më fatprerë të letërsisë shqipe, i cili në penën e studiuesit A. Vinca kujtohet edhe si Ahasferi mitik.
Bilal Xhaferri, ky Ahasfer
Ahasferi mitik kishte refuzuar t’i ofrojë Jezuit prehje, dhe për këtë mëkat Zoti e kishte dënuar të bredhë nëpër botë për të mos e gjetur asnjëherë kuptimin e jetës.
B. Xhaferri nuk i ofroi prehje “Jezuit të letërsisë shqipe” në fjalimin e tij, dhe për këtë e mori dënim e njëjtë si Ahasferi. Bilali humbi në jetë, mirëpo fitoi në letërsi.
Sikurse u tha, poezia e B. Xhaferrit është poezi e shtegtimit të tij jetësor, e kundërshtisë, është poezi e ecejakeve, e bredhjeve e furtunave, e lektisjes shpirtërore. Vargu i këtij poeti është edhe pasqyra e tij shpirtërore, por edhe jeta e tij tokësore; “E tërë poezia e B. Xhaferrit është një Jetë në Letër”. (Kujtim M. Shala)
Objekt kryesor i frymëzimit të këtij poeti është malli për etninë, ai si asnjë tjetër poet shqiptar, me vargun e tij shpreh zjarrminë shpirtërore përballë furtunave të shumta me të cilat u ballafaqua Atdheu. Çdo ndarje është e rëndë, por asnjë si me Atdheun:
Pas shpinave tona përplas tufani Dyert e shkallmuara te shtëpive Dhe rrugët zgjaten e zgjaten në veri Ne, popull muhaxhir, ecim nëpër shi… Lamtumirë, Çamëri!
(Baladë çame)
Është kjo klithja e cila vjen nga thellësitë e poetit, është kjo ndarja fizike me Atdheun, mirëpo është ky edhe çasti kur etnia merr përmasat e diçkaje të shenjt, dhe shpirti i trazuar i poetit nuk do ta braktisë asnjëherë; Atdheu i ktheu shpinën Bilalit, por kurrë edhe Ai atij.
Pas shpinave tona përplas tufani
Dyert e shkallmuara të shtëpive…
Janë vargje të cilat japin përmasat e dramaticitetit që ndjen shpiri i poetit përballë kësaj katrahure kombëtare, situatë kjo e cila ngjallë emocione të forta dhembjeje si pasojë e një dite e cila paralajmëron asgjësimin, zhbërjen, arratisjen nga Çamëria, e cila do të kujtohet vetëm si tokë e braktisur.
Jo rastësisht them se Bilal Xhaferri ta kujton mitin e Ahasferit, meqë ky krijues nuk do të gjejë prehje as pas arratisjes nga vendlindja, fat i njëjtë do ta përcjellë edhe në Amerikën e largët, ngase shpirti i trazuar i poetit kurrsesi nuk do të mund të gjente prehje larg vendlindjes ani pse kjo e fundit ishte treguar tejet e pamëshirshme me birin e saj.
Atdheu në sytë e poetit ka mbetur i mbuluar nga errësira e zhbërjes, në mjegull, fati i të cilit do të jetë i turbullt dhe i pashpresë, ky është imazhi i fundit për Atdheun e braktisur:
E para mjegull e shtatorit
Porsi qefini të mbulojë
Sa shpejt nga sytë atdhe më humbe
Sa shpejt errësira të gllabërojë
(Atdheu)
Këto vargje japin ngjyrimet e theksuara personale të poetit, i cili ndarjen nga atdheu e përjeton shumë dhembshëm, ngase emri i tij ishte gjakim i atdheut, ishte mishërim i atdheut, dhe ky emër do të mbetet si shëmbëlltyrë e dashurisë së çiltër e pa hile për atdheun, i dashurisë platonike për tokën e nënës. Atdheu nuk do të braktiset kurrë nga mendja, zemra dhe shpirti i poetit, Njeriut Bilal Xhaferri, këtij Ahasferi të shekullit njëzet.
Epilog
Është evidente që poezia e Bilal Xhaferrit, arti letrar i tij në përgjithësi, qëllimshëm mbeti “larg” lexuesit, mirëpo kjo poezi ky art falë vlerave të vërteta që ngërthen në vete nuk do të mund t’i shpëtonte kureshtjes së lexuesit, përkundër barrierave ogurzeze që koha i kishte përgatitur poetit tonë.
Vepra e plotë e këtij krijuesi do të kontaktojë lirshëm me lexuesin shqiptar vetëm pas rënies së sistemit totalitar në Shqipëri, dhe kjo vepër ky art doemos se u përqafua mjaft mirë nga lexuesi ynë, ngase në këtë vepër më mirë se asnjëherë tjetër u pasqyrua jeta reale e njeriut tonë në një periudhë mjaft komplekse, periudhë kjo e cila ende është në fillimet e deshifrimit të saj.
Krijimtaria artistike e B. Xhaferrit është unike në shumë pikëpamje, kjo vepër është rezultat i fatit jetësor të autorit tonë, fatit tragjik të poetit e krijuesit disident i cili për asnjë moment nuk do të bëjë kompromise me demonët e kohës së tij të cilët i thurnin himne gjendjes së mjerueshme të vendit.
Poezia e B. Xhaferrit është edhe dëshmi e një kohe para së gjithash, është fotografia më e pastër e cila flet më së mirë për një periudhë mjaft delikate të ekzistencë së njeriut tonë, mirëpo që shikohet prej prizmit të shpirtit të njeriut të ndjeshëm, fati i të cilit ishte aq i lidhur me fatin e vendit të tij.
Bilal Xhaferri është njëri nga krijuesit ende të pazbuluar sa duhet, përkundër interpretimeve jo të pakta që i janë bërë veprës së tij, ngase kjo vepër e cila është edhe gjakim i autorit ka mundësi të shumta interpretimi, dhe kjo mundësi përqasjes kundrejt veprës së tij, çdo ditë e më shumë do të lerë hapësirë për të zbuluar vlerat e vërteta letrare e artistike të poetit e Njeriut më tragjik të letërsisë shqipe, i cili kësaj të fundit i dha vlera tejkohore…

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...