Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/05/21

Pajisja e përgjimit, Prokuroria: Letra e Pansës, nuk konsiderohet provë



Prokuroria e Tiranës vlerëson se letra e ish – Drejtorit të Policisë Italiane, Alessandro Pansa, në formën e mbërritur në Prokurorinë Shqiptare nuk mund të konsiderohet si material procedurial.
Burime pranë Prokurorisë bëjnë me dije se kjo letër nuk ka firmë, vulë dhe datë, si dhe nuk ka të përcaktuar se me çfarë cilësie e ka shkruar Pansa, letrën e përcjellë nga Ambasadori i Italisë në Shqipërisë.
Sipas të njëjtave burime, organi i akuzës mësohet se ka kërkuar informacion nga “Interforce”, nëse letra e dërguar nga ish-drejtori, është dërguar në cilësinë e eprorit më të lartë.
Sipas Prokurorisë, në letrën e dërguar nga ish – kreu i policisë italiane, nuk gjenden përgjigjet mbi informacionin e kërkuar nga akuza shqiptare.
Prokuroria mësohet se është në pritje të informacionit të kërkuar nga “Interforce”.
Një ditë më parë Televizioni Klan zbuloi letrën e ish – shefit të policisë italiane, drejtuar Kryeprokurorit Adriatik Llalla lidhur me paisjen e përgjimit IMSI Catcher. Në të sqarohej se, pajisja e shumëpërfolur për përgjime telefonike në Shqipëri nga Policia Shqiptare, nuk ka mundur të bëjë asnjë lloj përgjimi. S’ka përgjuar as telefonata, mesazhe apo komunikime në internet.
Në letër thuhej se paisje ka qenë gjithnjë nën kontrollin e autoriteteve italiane dhe është përdorur për trajnim të efektivëve të Policisë Shqiptare.

Parashutë italiane për Sajmir Tahirin, Edi Ramën dhe përgjimin. Italianët kujtojnë “imunitetin”. Europol ndryshon njoftimin

 Ka qenë ditë e mirë për qeverinë shqiptare. Sidomos për kufizat e inkriminuara mediatikisht të saj, ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri dhe kryeministrin Edi Rama. Lajmi i parë i mirë erdhi nga televizoni Top-Channel, i cili ishte shërbyer me një letër të drejtorit të Policisë italiane, për pajisjen përgjuese. Nëse një ditë më parë, analisti Andrea Stefani bënte pretencën apo avokatin në “Dita” kur pyeste pse nuk flet Interforza, Top-Channel jep verdikitin kur shkruan se “debati u mbyll”.
Çfarë thotë letra e drejtorit të Policisë Italiane?
“Në letrën dërguar Adriatik Llallës, Drejtori Përgjithshëm i Policisë italiane, Alesandro Panza, konfirmon atë që tha ministri Tahiri se marrëveshja për trajnimin e policisë shqiptare për këtë pajisjes, është firmosur në datën 9 qershor të vitit 2007 nga ministri i asaj kohe i Punëve të Brendshme, sot Presidenti i Republikës, Bujar Nishani”, nis raportimin TCh. Një përpjekje për të shpëtuar ministrin që u mek në Komisionin e Sigurisë dhe i cili fare mirë, nëse kishte dijeni për këtë letër, nuk kishte pse të shqetësohej. Këtu:

pjesë nga fjala e ministrit dje në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, ku nuk duket fare kjo shpresë për mbylljen e debatit. Më tej në letrën që i drejtohet Prokurorit të Përgjithshëm kryepolici italian sqaron se: “Është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në luftën kundër kriminalitetit, mes Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë. Artikulli i tretë i kësaj marrëveshjeje parashikon që palët të bashkëpunojnë, mes të tjerash, në aktivitete të fokusuara në formimin dhe trajnimin në luftën kundër kriminalitetit në të gjitha format e saj. Me vënien në zbatim të kësaj marrëveshje, në 11 mars të 2016 janë nisur në Tiranë dy operatorë të specializuar nga forcat e policisë italiane me detyrën për të zhvilluar aktivitete ne për trajnimin e policisë lokale. Në këtë pikë, personeli italian merr me vete, për aktivitet stërvitore të cituara, një autoveturë me në ekuipazh një aparaturë të quajtur ‘IMSICATCHER’, modeli Vortex i prodhuar nga kompania Ercom, e instaluar në brendësi të makinës. Ky aset stërvitor rezulton i konfiguruar në mënyrë të tillë që mos të ketë mundësi të zhvillojë asnjë aktivitet gjurmues, as trafiku zanor, as tekst mesazhe. Ky konfigurim, i cili nuk është i modifikueshëm nga operatori, nuk lejon as gjurmimin e trafikut të datave”, raportoin televizioni në fjalë që referon se “pajisja është futur nga një port. Operatorët e forcave të policisë italiane, qe kanë sjellë me vete aparaturën me qëllimet e sipërpërmendura, janë pritur në portin e Durrësit nga zyrtarë të policisë shqiptare”. Aparatura trajnuese ka qënë gjithmonë në zotërim të operatorëve italianë dhe e ruajtur, kur kjo nuk përfshihej në aktivitete formuese dhe trajnuese, në zyrën ndërlidhëse italiane në Shqipëri, në brendësi të Ambasadës Italiane në Tiranë. Me këtë pajisje janë trajnuar 5 operatorë të policisë shqiptare, me aktivitete të zhvilluara në qytetet e Tiranës, Elbasanit dhe Vlorës, dhe se sipas tij, aktiviteti trajnues nuk do të mund të kishte mundësi të kryente shkelje të asnjë lloji, nga personeli i policisë italiane i punësuar”.
Deri këtu pala italiane ka marrë përsipër çdo gjë për të cilën është akuzuar ministri i Brendshëm, i cili nuk i pati për asnjë çast argumentet në fjaë. Arsyen e di mirë vetë ai. Në finale, letra jep edhe epilogun interesant: “Gjithsesi, në fund policia italiane i kujton Prokurorisë shqiptare se në zbatim të marrëveshjes, ajo gëzon, në bazë të artikullit 8, imunitet nga juridiksioni civil, penal dhe administrative për çdo veprim të bërë në ushtrimin e funksioneve të tyre(http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=326994#k1). Për të gjitha këto do të duhet të japë përgjigje Prokuroria e Përgjithshme e cila ka hapur hetimin penal. Dhe do të jetë përfundimi i këtij hetimi, vetëm ai, që do MBYLLË DEBATIN. I cili meqë ra fjalë është një mundësi e mirë për opozitën që të negociojë diçka, siç ndodh përherë.
Nisur nga raportimet e djeshme në Komisionin e Sigurisë, hetimi ka nisur nga informacionet e përcjella nga SHISH, që ka referuar siç tha Visho Ajazi, hyrjen e një pajisjeje të paregjistruar. Edhe sikur raportimi verbal i Ajazit të jetë i tillë vetëm për të provokuar këtë skandal, hapja e hetimeve nga Prokuroria, provon formalisht padijeninë për ekzistencën dhe operimin e kësaj pajisjeje. Për të cilën, siç kujton policia italiane, “në bazë të artikullit 8, imunitet nga juridiksioni civil, penal dhe administrative për çdo veprim të bërë në ushtrimin e funksioneve të tyre”. Deri atëherë do të duhet të pritet përfundimi i hetimeve nga organi i akuzës.
Europol me dy njoftime për rastin “Balili”
Këtu: http://www.respublica.al/2016/05/17/europol-asnjë-rol-i-policisë-shqiptare-në-hetimin-e-trafikut-ndërkombëtar-të-drogës-ku, është lajmi i publikuar më 17 maj për operacionin e Europol për kapjen e 17 të dyshuarve për trafik droge. Siç shihet në screen shotin e njoftimit, SHQIPËRIA, pra POLICIA SHQIPTARE, NUK FIGURON NË NJOFTIM. (foto). Sot në Parlament, kryeministri Edi Rama, u kapardis si kaposhi në thekër kur bëri thirrje për “update informacioni” të Europolit, i cili në të njëjtin njoftim, sot ka përfshirë edhe Shqipërinë. Duke qenë se fotoja e njoftimit të parë disponohet dhe mund ta shohë kushdo dhe se në njoftimin e UPDATE-UAR https://www.europol.europa.eu/content/17-detained-operation-against-alba..., Europol, nuk lajmëron për ndryshimet në tekst, mund të pyesim: çfarë ka ndodhur që Europol befas u ftillua për rolin mbështetës të Shqipërisë? Mos vallë edhe këtu kanë dhënë një dorë miqtë italianë, që sipas artikullit 8, apo ndonjë të ngjashmi, KANË IMUNITET? Atë imunitet që se gëzon dot më asnjë këtu brenda? Për këtë përgjigje me siguri duhen analistë seriozë që njëkohësisht dinë të bëjnë pyetje të vështira,  por fakt është se Europol ka ndryshuar njoftimin, njësoj si ndryshohen komentet – që fshihen – në profilin e Facebook të Edi Ramës.

Përgjimi/“Top-Channel” “mbylli debatin”, “Tv Klan” e hap. Prokuroria: Letra e Pansas pa vulë, pa datë dhe nuk i përgjigjet pyetjeve të bëra

Edicioni i djeshëm kryesor i televizionit kombëtar “Top-Channel” u hap me këto fjali: “Policia italiane ka mbyllur debatin për pajisjen përgjuese. Në një letër që drejtori i saj Alesandro Panza i çon Adriatik Llallës përmes Ambasadës italiane, konfirmon se pajisja nuk është përdorur për asnjë lloj përgjimi dhe se ka qenë gjithmonë në zotërim të palës italiane vetëm për qëllime trajnimi...”. e më pas vazhdonte historia e një letre të një ish-drejtori të Policisë italiane, që ia ka dërguar Adriatik Llallës, përmes ambasadës italiane në Tiranë. Të shihet me kudjes hapja e tesktit: “Policia italiane ka mbyllur debatin për pajisjen përgjuese”. Dhe pak më poshtë, analiza tjetër me përputhje: “Në letrën dërguar Adriatik Llallës, Drejtori Përgjithshëm i Policisë italiane, Alesandro Panza, konfirmon atë që tha ministri Tahiri se marrëveshja për trajnimin e policisë shqiptare për këtë pajisjes, është firmosur në datën 9 qershor të vitit 2007 nga ministri i asaj kohe i Punëve të Brendshme, sot Presidenti i Republikës, Bujar Nishani”( http://www.respublica.al/2016/05/19/parashutë-italiane-për-sajmir-tahirin-edi-ramën-dhe-përgjimin-italianët-kujtojnë-).
Shihet pra se ka një nevojë të ngutshme që kjo çështje të mbyllet sa më shpejt. E me sa duket edhe pala italiane e ka këtë nevojë, sa kohë ka sajuar një letër, e cila bazohet nga ajo që Pansa ka thënë në Ministrinë e Jashtme të Italisë. “TV Klan” raporton sot se Prokuroria shqiptare nuk e klasifikon si provë letrën e Pansas, pasi ajo është pa vulë dhe nuk përcakton statusin apo cilësinë e autorit që referon amabasada. Letra shoqërohet edhe me një parafrazim sqarues nga ambasadori italian Cutillio. “Burime pranë Prokurorisë bëjnë me dije se kjo letër nuk ka firmë, vulë dhe datë, si dhe nuk ka të përcaktuar se me çfarë cilësie e ka shkruar letrën e përcjellë nga Ambasadori i Italisë në Shqipërisë. Sipas të njëjtave burime, organi i akuzës mësohet se ka kërkuar informacion nga “Interforce”  nëse letra e dërguar nga Pansa është dërguar në cilësinë e eprorit më të lartë. Sipas Prokurorisë, në letrën e dërguar nga ish – kreu i policisë italiane, nuk gjenden përgjigjet mbi informacionin e kërkuar nga akuza shqiptare. Prokuroria mësohet se është në pritje të informacionit të kërkuar nga “Interforce”, raporton “TvKlan”(http://tvklan.al/web/pajisja-e-pergjimit-prokuroria-letra-e-panses-nuk-k...). 
Duke qenë se kjo është çështje e rëndësishme, edhe ne po bëjmë tonën pyetjen e analistit Andrea Stefani: “Pse nuk flet Interforza”?
PS: Në foto, letra që ka raportuar Tv Klan.


Mjegulla e përgjimeve

Qeveria, madje më shumë se kaq, Shteti, ka nisur gjuetinë e ujqërve. Po e bën këtë pa zhurmë, duke vëzhguar, duke llogaritur, e duke marrë shënim gjurmët që po lihen. Shteti është i sofistikuar: kësaj radhe parlajmëron aplikimin e represionit në ligjëratë të zhdrejtë. Dhe nuk e ka nisur keq.

Si fillim është konstatuar Mjegulla. Mjegulla e përgjimeve, pas së cilës dhe për shkak të së cilës ujqërit kanë nisur të grumbullohen e gjallërohen. Kjo padyshim është mënyrë e zgjuar, perspektivë dinake, që tregon se në ndryshim nga sa u tha në Parlament së fundmi, mes radhëve të fyejve dhe karabushëve profesonistë të Rilindjes, ka nga ata që mendojnë. Nga ata që premtojnë ta nxjerrin breshkën e kërrusur qeveritare nga bataku i viktimës dhe i mbrojtjes, në aradhë sulmuese. Siç mund të pritet me ligjin në dorë, në mendje dhe në zemër. Ja një fragment nga kjo prozë e re politike: “Sot, Tirana zyrtare është pothuajse e pastruar nga mjegulla e përgjimit si dhe……nga njerëzit politikisht seriozë që dhe “përgjojnë” edhe “përgjohen”.

Aferim! E kemi të pastër qeverinë, ndrin, ndaj edhe duhet ta ulim kurrizin, apo edhe t’i lëmë shkrepëtimat e mendjes, e t’ia puthim dorën e t’ia këndojmë me mall iradenë.

“Por……është mjegulla ajo që prodhon njerëz “kaq politikisht seriozë”, apo janë njerëzit “kaq politikisht seriozë” ata që prodhojnë këtë mjegull ??? Këtë nuk po mundemi ta gjejmë ende”, thuhet në dorëshkrimin, që ngjan këtu si apokrif. Pasi ne populli, kemi bërë tonën prej kohësh atë thënien e mençur se “është sistemi që korrupton njerëzit dhe jo njerëzit që korruptojnë sistemin”, ndaj nuk na mbetet që këtë parafrazim ta lexojmë si metaforë. Pasi përndryshe do të na dukej si një çartje për të zhdukur Mjegullën, me të cilën njeriu dialogon. Qoftë duke admiruar heshtjen dhe padukshmërinë e saj, qoftë duke u ndruajtur nga të papriturat e saj. Nuk është gjë e mençur që për të kuruar frikën e dikujt të rendet në zgjidhje revolucionare. Ose më saktë, radikale.

Me këto zgjidhje nuk kemi parasysh largimin e ndonjë nëpunësi që së fundmi ka krijuar probleme dhe ka prishur nervat e atyre që rrinë në kodrinat majë kënetës shqiptare. Pasi detyra e këtij nëpunësi, PËRGOJUAR shpesh edhe për atributet dixhitale, mundet që të jetë ambicie apo objektiv i hershëm i atyre që e kanë kaq për zemër ligjin dhe sidomos Shqipërinë.

Duhet davaritur mjegulla që të gjendet drejtimi i duhur. Dhe ka nga ata që e kanë gjetur, madje po e shesin jo keq “raison d’etat” me prozën e shantazhit:

“Veç një gjë e dimë fort mirë. Spiunimi dhe spiunët që dëgjojnë e përgjojnë për Shtetin e sigurinë e tij, nuk po na hyjnë më në punë, në Shqipërinë tonë. Zanati i tyre pothuaj ka mbaruar profesionalisht dhe ligjërisht. Tashmë punën e tyre po e bëjnë televizionet, gazetat dhe gazetarët e tyre interceptues. Spiunimi dhe spiunët, që duhet të dëgjojnë e përgjojnë për Shtetin dhe sigurinë e tij, me sa pamë e dëgjuam nuk paskan PËRGJUAR sipas Ligjit, por thjesht kanë PËRGOJUAR …. sipas Ligjit. Ka ardhur Ora që prodhuesit e News-eve të “përgjimit”, “përgjuesve” dhe “të përgjuarve”, të zbulohen e të japin llogari përpara Ligjit”.

Ky është paragrafi i duhur, sanksioni, që pason dispozitën morale që kacavirret në rreshtat e mësipërm. Është një sanksion që vjen me përrallën “Na ishte njëherë Shteti”, ose “Ah sikur të kishim shtet”. Pasi kërcëllitja e dhëmbëve ndaj Orave dhe Njuzeve, gazetarëve dhe interceptorëve, po lidhen me shtetin, që, të na falë lexuesi, nuk dihet pse këtu në mënyrë implicite barazohet me dekonspirimin e vrimës së brekëve të dikujt që desh pa bëri atë që bëri. Imazhi flet sa një mijë fjalë.

Por gjithsesi është mirë që dikush kujtohet e flet për Shtetin, që na thotë se Shtet ka, e jo se “Ne do bëjmë shtet”. Pasi, për ta shprehur me kryefjalën e dorëshkrimit të mësipërm, apo me frymën e tij, kjo parrullë e dytë, pra që “Do bëjmë shtet”, implikon se shtet nuk ka. Ndaj edhe shqetësimi për gazetarë e interceptorë, është Përgojim i pastër, si prej zanatçiu.

Dhe në fund ndoshta është me vend të kujtojmë se kjo punë funksionon si puna e duhanit për arabët, që e nisën se ua ndaluan. Autori mund ta dijë shumë mirë se hapja është rruga më e mirë për të davaritur mjegullën. Ajo hapje që ekzistonte natyrshëm në vitet 1997-2005, një hapje që ka kosto, por e bën të pavlefshëm Përgjimin e Përgojimin.

Belaja e përgjimeve ...






"Ç'na polli belaja me këtë të përgjimit shefo!" "Varja mor. Shyqyr që kaloi Nishani ligjin për regjistrimin e emigrantëve se andej do kemi nevojë për antena. Pa kjo do harrohet"





Saje, kujtohu njëherë mirë! Mos ke përgjuar edhe Ramën gabimisht dhe po ta bën ai këtë punë tani? Se sikur po rri shumë pa folur ai!



Koço Kokëdhima nuk është më deputet.

Koço Kokëdhima nuk është më deputet. Gjykata Kushtetuese ka vendosur t'i heqë mandatin duke i dhënë të drejtë ankesës së opozoitës se deputeti kishte papajtueshmeri, pasi kishte përfituar fonde publike.



Vendimi është marrë paraditen e së hënës. Parlamenti e dorëzoi kërkesën për papajtueshmërinë ose jo të mandatit të Kokëdhimës pasi Gjykata Kushtetuese e detyroi të respektonte procedurën kushtetuese. Fillimisht mazhoranca e refuzoi kërkesën e opozitës për ta çuar mandatin e Kokëdhimës në Kushtetuese. Por më pas opozita e ankimoi në këtë Gjykatë dhe ajo i dha të drejtë. Kokëdhima do t'i humbasë të gjitha funksionet që gëzon edhe në parti si deputet. Kokëdhima u akuzua nga opozita se përfitoi fonde publike pas zgjedhjes si deputet i Partisë Socialiste në vitin 2013.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës i jep fund përballjes ligjore për pronësinë e tokave nga Manastiri i Deçanit

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dy vendimeve të 12 qershorit 2015, që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit me pronat e kontestueshme në Deçan, ka reaguar kryetari i kësaj komune Rasim Selmanaj.
Ai vendimin e Kushtetueses për dhënien e 25 hektarëve tokë manastirit të Deçanit, prona publike të ndërmarrjeve publike “Apiko” dhe “Iliria” e ka cilësuar si tradhti e turp .

Kryetari i Deçanit, Rasim SelmanajRasim Selmanaj në një postim në Facebook, ka shkruar se ky vendim kur nuk do të pranohet dhe zbatohet për deri sa ai është kryetar i Deçanit, raporton lajmi.net.
“Turp e tradhti e Gjykatës Kushtetuese ndaj interesave të vendit e të popullit! Ndërhyrje politike dhe shkelje e ligjit e drejtësisë! Turp! Kurrë ky vendim s’ka me u pranuar e as zbatuar nga Komuna që unë e drejtoj! Manastiri nuk mund të behët pronar i këtyre pronave! Qytetarët e Deçanit dhe unë personalisht do ta kundërshtojmë fuqishëm këtë vendim politik dhe të turpshëm”, ka shkruar ai.






Vendimi i Kushtetueses i politik dhe i dëmshëm për qytetarët
Vendimi i Kushtetueses për njohjen e pronësisë së manastirit të Deçanit mbi pronat e ndërmarrjeve publike APIKO dhe ILIRIA, është vendim politik dhe i dëmshëm për qytetaret e Deçanit, ngase është vendim që pengon zhvillimin ekonomik të kësaj komune dhe nxit urrejtjen ndër nacionale dhe ndër fetare. Ne, jemi kundër çdo vendimi politik që është në kundërshtim me interesat e qytetarëve, kundër zhvillimit të komunës sonë. Përgjegjësia për vendimet e këtilla politike dhe të “fëlliqta”, bie mbi institucionet tona, qofshin komunale dhe qendrore, e mbi gjitha mbi kryetaren e Gjykatës Kushtetuese Arta Rama dhe anëtarëve tjerë që ishin në përkrahje të këtij vendimi. Reagimi aq i shpejt i Hashim Thaçit, në përkrahje të Kushtetueses, tregon pafytyrësinë e tij dhe fakti më i mirë se interesi i tij politik është mbi interesat kombëtare dhe qytetare.



Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka dhënë fund debatit 16 vjeçar mbi pronësinë e Manastirit të Deçanit. Në një vendim të publikuar në faqen e saj online, gjykata konstaton papajtueshmërinë me Kushtetutën të vendimeve të “Kolegjit të Ankesave të Dhomes së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosoves për çështje që Lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit”.

Palë kërkuese në këtë proces ka qenë Manastiri i Deçanit që ka fituar kështu edhe pretendimin se në trajtimin juridik të kërkesave të tij është shkelur parimi kushtetues i barazisë para ligjit dhe atij për një proces të paanshëm gjyqësor. Lajmit i është dhënë vend edhe nga agjencia shtetërore serbe e lajmeve, Tanjug, që citon edhe një deklaratë të Dioqezës së Rashkës në Prizren, e cila “shprehu kënaqësinë për fundin e konfliktit ligjor” dhe ka vlerësuar kompetencën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. “Vendimi ka rëndësi të veçantë për mbështetjen dhe jetën e Manastirit të Deçanit, një sit që mbrohet nga UNESCO, dhe për të ardhmen e komunitetit të manastirit. Në të njëjtën kohë, ai përfaqëosn një hap domethënës inkurajues, që tregon se edhe në kohë të vështira si këto që jetojmë, është e mundur të mbrohen të drejtat dhe interesat vitale në Kosovë-Metohi”, shkruan “Tanjug”, duke iu referuar deklaratës së Dioqezës(http://tanjug.rs/full-view_en.aspx?izb=247557).

Në një plan më të gjerë, vendimi i Gjykatës dhe pranimi i saj është në thelb njohje e sovranitetit të Kosovës dhe funksionimit të shtetit të saj mbi parimet e të drejtës. Ndaj ngjan pak e pavend që ndërkohë që duartrokitet ky vendim, që rikonfirmon atributet e shtetit të Kosovës, si realitet që nuk zhbëhet më, lufta e pakuptimtë diplomatike e Serbisë, e cila shpallet edhe si mbrojtëse e ortodoksisë në Kosovë, vazhdon ende.

Sa për regjimin e pronësisë së Manastirit të Deçanit ai ka këto momente kryesore që gjykata i ka sjellë në vështrim të gjykimit të vet:

Në vitin 1946, me vendim të Këshillit Ekzekutiv Popullor i Rrethit Kosovë-Metohi, bazar në ligjin “Për reformën Agrare dhe Kolonizimin e Brendshëm të Serbisë”, vendosi shpronësimin e Manastirit me disa ngastra toke.
Në vitin 1995, qeveria e Serbisë lidhi marrëveshje mbi Dhurimin me Manastirin e Deçanit, që i kthente këtij të fundit një pjesë të tokës së konfiskuar.
Në vitin 2000, dy ndërmarrje shtetërore, “Iliria” dhe “APIKO” bënë padi përmes së cilës kërkonin anullimin e Marrëveshjes së Dhurimit.
Në vitin 2008, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës, përjashtoi qeverinë e Serbisë dhe Komunën e Deçanit si palë në proces, duke lënë vetëm Manastirin.
Të gjitha këto hapa të mësipërme janë konfirmim i qartë i shtetësisë së Kosovës, pranuar nga Beogradi që vazhdon akoma të luajë kartën absurde të pretendimeve për Kosovën.

Deputetja e AAK-së: Deçani nuk ka toka për të falur!


Deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu e ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për falje të pronave të Deçanit duke e konsideruar si vendim politik dhe të turpshëm.
Ja reagimi i plotë i Haxhiut:
“Vendimi i Gjykatës kushtetuese për faljen e pronave te Deçanit është parasegjithash vendim politik dhe si i tillë krejtësisht i papranueshem ! Fatkeqesisht është vendim i turpit të cilin e perfaqeson Kushtetusja e ngulfatur nga Hashim Thaci e Isa Mustafa .Deçani dhe qytetarët e tij nuk kan prona per te falur !
T.H”

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...