Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/06/05

Serbia kërcënon Kosovën: Ushtria do të thyejë paqen



Serbia kërcënon Kosovën: Ushtria do të thyejë paqen (Video)
Kosova aktualisht nuk mund të krijojë një ushtri të vërtetë të armatosur siç duhet, përveç një force të gatshme sigurie që shërben për ndërhyrje humanitare. Kjo forcë nuk zotëron armë reale lufte, maksimumi, pistoleta shërbimi.
Me mbylljen e protektoratit ndërkombëtar, Kosova do të krijojë Forcën e Armatosur dhe për këtë janë bërë gati të gjtihë aktet ligjore dhe nënligjore. Por Beogradi e kundërshton fort këtë akt, duke paralajmëruar për një destabilizim të situatës.

"The Guardian": Ja përse shqiptarët kërkojnë azil në Britani

"The Guardian": Ja përse shqiptarët kërkojnë azil në Britani
“Historitë e rregullta në lidhje me ardhjen e emigrantëve të paligjshëm shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar e kanë fillesën në dhjetor të vitit 2010, kur BE i lejoi ata që të udhëtojnë në të gjithë zonën Shengen pa viza”. Kështu shkruan prestigjiozja “The Guardian” në lidhje me fluksin në rritje të refugjatëve shqiptarë që sipas saj, përbëjnë një nga grupet më të mëdha të emigrantëve të paligjshëm në Britaninë e Madhe.
Zyrtarisht, Mbretëria e Bashkuar është shtëpia e rreth 20 mijë shqiptarëve. Por një pjesë e madhe e atyre që kanë shkelur kufirin britanik, kanë pretenduar të jenë kosovarë që i kanë ikur luftës në Jugosllavi. Mbretëria e Bashkuar është destinacioni i fundit për të rinjtë shqiptarë, të cilët vijnë nga një vend ku 70% e popullsisë është myslimane dhe kodi mesjetar i Kanunit ka ndikim në zonat rurale, shton gazeta britanike.
"Gjakmarrjet janë të njohura nga Komisioni Evropian, si një nga faktorët nxitës më të zakonshëm që i shtyjnë shqiptarët drejt azilit në vende të BE-së, së bashku me një sërë arsyesh të tjera si privimi, papunësia, diskriminimi dhe qasja e dobët në kujdesin shëndetësor, përfitimet sociale dhe arsimit”, shkruan "The Guardian".
Shqiptarët që pretendojnë azil në Mbretërinë e Bashkuar përmendin rregullisht gjakmarrjen si arsye që i pengon të kthehen në shtëpi. Në vitin 2008, ka pasur 173 kërkesa për azil në Britani të Madhe nga shtetasit shqiptarë. Deri vitin e kaluar kjo shifër u rrit në 1,809. Pothuajse të gjitha kërkesat u refuzuan.
Agoni, një shqiptar 18-vjeçar, udhëtoi nga Spanja në Mbretërinë e Bashkuar: “Babai im kishte një problem me mafien në Shqipëri. Mafia i kërkonte babait tim të paguante një gjobë, por ai nuk kishte para. Unë kam qenë i frikësuar për jetën time, kështu që kjo është arsyeja pse unë u largova nga Shqipëria. Lash familjen time dhe u nisa për në Spanjë, të filloja një jetë të re. Kam takuar dikë në Spanjë që kishte lidhje me një grup shqiptarësh që ndihmojnë njerëzit për të shkuar në Britani të Madhe. Ju duhet t’i paguani atyre një shumë prej 6 mijë paund. Nëse ju nuk i keni këtë shumë, të thonë që të punosh për ta”.

MIMOZA SELMANI:Shteti i Gjunjëzuar Para Krimit të Organizuar!

Vajza e Bedri Selmanit zbulon detaje për Hotel Victory-n

Mimoza Selmani, e bija e Bedri Selmanit, në faqen e saj në facebook ka shkruar gjerë e gjatë, duke zbuluar detaje për Hotel Viktory-n.

Ja postimi i saj i plotë

Shteti i Gjunjëzuar Para Krimit të Organizuar!

Vajza e Bedri Selmanit zbulon detaje për Hotel Victory-n

MIMOZA SELMANI

Dua t’i them disa fjalë për Hotel Victory-n për të gjithë ju që keni punuar apo jeni shërbyer në biznesin tone.
Vitin e kaluar në Hotelin tonë kanë ardhë dy zyrtarë të AKP-së në Hotel dhe kanë kërkuar takim me babain tim Bedri Selmani në cilësinë e investitorit, si dhe me mua në cilësinë e Menaxherës Gjenerale. Në takimin tonë, zyrtarët kanë thënë që kanë ardhë të na njoftojnë që Auto Prishtina si ndërmarrje shoqërore do del në likuidim dhe kështu ne duhet të takohemi si investitorë me Menaxhmentin e AKP-së, të i njohim se çfarë të drejta kemi si investitorë në këtë proces pasi ne kemi pasë marrëveshjen që nga viti 2000 me ndërmarrjën shoqërore ku thuhet në pikën e parë:

1. “Investitori Bedri Selmani si dhe ndërmarrja Auto Prishtina bashkohen me qëllim të afarizmit të perbashkët, ne raportin, ku investitori ofron mjetet financiare, kurse ndërrmarja punën dhe objektin.”

2. Si dhe pika 6 e kontratës ku thuhet: “Qështja e pronësisë mbetet e pandryshuar nga gjendja e tanishme, deri në aprovimin e ligjit mbi privatizimin nga institucioni përkatës. Të drejtat e investitorit janë të patjetërsueshme duke njohur të drejtën mbi mbrojtjen e investimeve dhe ndikimin e tij në tërë afarizmin e ndërmarrjes.”

Duke e pasë parasysh AKP-ja që në bazë të kësaj kontrate ne kemi regjistrimin në ARBK me ndërmarrjen shoqerore, N.P.SH (ndërmarja private shoqërore) AUTO PRISHTINA-AUTO KOSOVA, ku lloji organizativ është ortakëri e përgjithshme, na ftuan të marrim pjesë në procesin e likuidimit.

Gjatë bisedës tonë më kujtohet kur babai i tha “ne patjetër që do marrim pjesë ne likuidim se kjo edhe parashihet me marrëveshjen që ne kemi me ndërmarrjen shoqërore, por dua të ju pyes diçka, a jeni të vetëdijshëm sa shumë e keni dëmtuar buxhetin e shtetit me shkatërrimin e korporatës Kosova Petrol, ku AKP-ja nuk ka pas ingerenca dhe kjo është vërtetuar nga disa aktgjykime të Gjykatave ne Kosove?”

Ndër ta i skuqur drejtori i zyrës rajonale te AKP-se z.Ardian Berisha tha: “Po Profesor, këta jon mundu me të demtu ty, po a po e sheh që ty po të bjen më mirë se e ki kontratën aq të vlefshme sa që po dëmshpërblehesh me miliona euro në Washington. Unë e kom pas një përshtypje Profesor që tërë këtë dëm që t’a kanë bo ti ke me i dërgu gjithë politikanët për t’a ndalë këtë proces, edhe tërë zyrja jemi habitë që je i vetmi njeri që e ka dëmtu AKP-ja e që ka luftu me forca të veta, pa asnjë intervenim politik.”

Gjatë asaj jave unë dhe babai shkuam në takimin e dytë në AKP në lidhje me procesin e likuidimit, ku unë insistova të bëjë inçizim të bisedës pasi nuk kisha as edhe të vetmin besim në këtë institucion të kapur nga krimi i organizuar. Propozimi i Autoritetit të Likuidimit ishte, të ndërpritet marrëveshja që ne kemi, të bëhej marrëveshja e re ku ne do hynim si qeraxhi, që për neve nënkuptonte që do humbnim gjithë të drejtat investuese që i kemi tash e 16 vite. Zyrtarët e tyre thanë, po kjo marreveshje do vlen vetëm deri të likuidohet mandej ju merrni pjesë në likuidim dhe shqyrtohet kërkesa juaj. Kjo lojë e tyre ku donin të na bindnin në mënyrë dinake që të humbim të drejtat tona, sigurisht që nuk ju shkoj me babin i cili është Doktor Shkence në marrëdheniet ekonomike ndërkombëtare, dhe ka ligjëruar me vite të tëra këtë lëndë.

Babi i tha, “Ne nuk kemi nevojë për marrëveshje të re, se ne s’jemi qeraxhi në atë pronë, ne jemi investitorë të njohur me kontratë, si dhe ajo kontratë njeh procesin e likuidimit, prandaj me të njejtën marrëveshje ne do futemi në proces të likudimit.” Ndërkohë në rrjedhë të kësaj bisedës babai i tha “Pse po dilni në media dhe po mashtroni opinionin kinse ne jemi uzurpator, ju e keni kontraten time nuk është korrekte të mashtroni në këtë mënyrë prapa emblemës së institucionit”, Ushtruesi i zv.drejtorit menaxhues Avni Jashari i tha “O zotëri kush ka thënë që ju jeni uzurpator, me qenë ju uzurpator ne nuk ju kishim ftu me diskutu sot këtu, se ne nuk takohemi me uzurpator. Ne jemi taku me juve pasi që investimet e juaja edhe mos m’i njoftë ne, ato shihen prej rrugës e smundet askush me i mohu.”

Takimi perfundoi pa sukses pasi ne nuk pranuam ofertën e tyre të na ndryshonin marrëveshjen, dhe pas kësaj me muaj të tërë kemi pranuar letra të AKP-së për me hy në marrëveshje të qerasë. Secilës prej tyre jemi pergjigjë që ne nuk do bëhemi qeraxhi, kur jemi investitorë. Sigurisht aplikacionin tonë për likuidim, Autoriteti i Likuidimit e refuzoi, në të cilën arsyeja e refuzimit është që AKP-ja ka të drejtë të refuzoj kerkesa me Ligjin për AKP-në. Por, aty thuhet se kemi të drejtë ankese në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme. Ne dërguam ankesën me gjithë faktet juridike në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, ku ende nuk kemi asnjë vendim.

Në Shkurt të këtij viti, del lista e uzurpatorëve, ku AKP-ja kishte listuar 13 herë emrin e babait tim, në menyrë jo vetëm që t’a njollosin si uzurpator, por t’a shpallin si “enemy of state” që publiku të tmerrohet se si ky njeri paska keqpërdorur pronën publike tërë këto vite.

AKP-ja, institucioni që kishte mbi 70 vepra penale mbi bazë të korrupcionit, mitosë, besa edhe vrasjeve, kishte shpallë luftë ndaj babait tim, që kurrë në jetë nuk ka pas as edhe me të vetmën vepër penale apo jashtëligjore.
Ne kemi ftuar organet e shtetit të hetojnë atë listë, kemi bërë kallëzime penale tash e dy vite, Prokuroria, Zyrja e Krimeve Ekonomike besa edhe Ambasada Amerikane janë te vetëdijshme që ne tash e dy vite kemi japë prova të vazhdueshme që dëshmojnë që ky organizim i AKP-së ndaj bizneseve tona familjare është krim i organizuar ekonomik.

Gjatë kësaj jave, ku kishin planifikuar t’a merrnin Hotelin Victory, AKP-ja ishte në hall të madh. Ata me ngulm deshironin të krijonin spektakël në plaçkitjen e Hotel Victory-së, por nuk kishin asnjë dokument nga asnjë institucion vendimmarrës. Nuk kishin as aktvendim të gjykatës, nuk kishin as urdhër të Prokurorisë, nuk kishin as edhe një dokument të cilin do mund të ma tregonin si arsyje për t’a liruar pronën.

Kështu një ditë para se të hynin, na ftuan në takim në AKP. Në atë takim morrëm pjesë unë, Menaxherja Ekzekutive Leonora Selmani si dhe avokati ynë. Drejtori i ri menaxhues i AKP-së z.Ekrem Hajdari, na tha që është në ditën e dytë të punës së tij dhe nuk e njeh mirë problematikën tonë me AKP-në, por na kishte ftuar të na lus t’a lironim pronën pa asistim të policisë, sepse tha “ ju jeni më specifik në atë listë duke e marrë parasysh kredibilitetin e babës tuaj si dhe familjes tuaj, po duam me menaxhu atë situatë në mënyrë të qetë pastaj ju pritne vendimin e Gjykatës dhe nëse i’u njihet e drejta ktheheni në pronë.”

Ndër ta unë i thashë: “Policia është në shërbim timin si qytetare aq sa është në shërbim të tuaj si institucion.

Prandaj policinë e shtetit nuk mund t’a përdorni për qëllime të juaja, si dhe Prokuroria është distancuar nga veprimet e juaja duke thënë që ky veprim është vetem i AKP-së e jo i joni sepse ne mirremi vetëm me pronat e shitura që i konsiderojmë të uzurpuara. Prandaj, ju nuk mund te hyni në pronen tonë, pa e shqyrtu Dhoma e Posaçme kërkesën tonë për likuidim. Pse tërë kjo nguti Zotëri? Të presim vendimin e Gjykatës, të mos paragjykojmë vendimin e Gjykatës. Ka shumë mundësi që Gjykata vendos edhe kundër neve, ne atëherë e lirojmë pronën dhe vazhdojmë të ndjekim rrugët tona tjera ligjore.”

Z.Hajdari tha: “ O kupto që është vendim i prerë me hy na në atë pronë, vetem po dojmë me ju lutë me hy pa polici se spo du unë me hy në atë formë te ju, po du me menaxhu këtë situatë.”

Unë: “Vendim i kujt i prerë Zotëri? I porositësve të pronës përmes zyrtarëve tuaj të kapur?”

Z.Hajdari: “Vendim i prerë i bordit të AKP-së.”

Unë:” Zotëri, AKP-ja është organ administrativ, Policia e shtetit është organ ekzekutiv. Asnjëra si institucione nuk jeni organe vendimmarrëse mbi të drejtat pronësore. Vetëm Gjykata mund të vendos se a kemi ne të drejtë apo jo.

Policia ekzekuton vendime të Gjykatës, jo të AKP-së. Prandaj, të presim vendimin e Gjykatës, mos e përdorni policinë e shtetit me asistu në krim ekonomik. Mos e poshtëroni uniformën e shtetit, siç e keni poshtëruar shumë herë.”

Z.Hajdari, për dallim nga zyrtarët të tjerë në AKP e pashë që ishte i ri, I kishin vendour patatën e nxehtë në duar pa pas asnjë informatë mbi situatën, dhe me qëllim të mirë u mundua t’a zgjidhte një situatë që nuk ishte në duar të tij. Ndërsa z.Avni Jashari, kryekrimi i këtij insitucioni u skuq gjatë tërë kësaj mbledhje, sa në fund doli i nervozuar dhe ndezi një cigare duke mos pasë ftyrë as për të na thënë ditën e mirë. Vlen të thuhet se tërë kjo bisedë është e inçizuar.

Unë: “Z.Hajdari, në rregull, ma jep një dokument në të cilën thuhet se jeni të urdhëruar ju si AKP nesër të hyni në Hotel Victory?”

Z.Hajdari: “Bordi ka vendosur, ne po zbatojme urdhërin.”

Aty e pash qartë që urdhëri ishte verbal, nuk kishin as edhe të vetmin dokument. Prej aty u nisa drejtë e në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksander Lumezi. Rojet poshtë thane nuk është ketu dhe nuk kthehet, thash në rregull të lutem i thuaj Zëvendëses së tij znj.Sevdie Morina të cilën e kemi takuar dje qe çështja është urgjente dhe më duhet të raportoj mbi disa ndodhi. Njëri nga rojet tha, në rregull, ndërsa tjetri ja bëri me sy duke thënë “O krejt kanë dale nuk janë këtu dhe nuk kthehen.”

Vlen të thuhet, që një ditë më hëret znj. Sevdie Morina, na tha mua dhe motrës sime Leonores, “Ne pa i shqyrtu me prokurorinë Lumezi të drejtat e juaja nuk do lejojmë asnjë akcion të ndërrmiret.”

Unë i thashë: “Znj, Sevdie ne jemi biznes familjarë, të vetmën mbrojtje që e kemi janë institucionet ligjore të vendit tonë, ju lutem mos lejoni të shkatërrojnë Hotelin Victory, siç kane bërë me Kosova Petrolin.”

Znj Sevdie: “Vazhdoni të besoni në institucionet e vendit, unë patjetër do bisedoj me Kryeprokurinë, dhe ju ftojmë në takim.”

E pash që dje ndonjë telefonatë ju kishte bërë me dije edhe Kryprokurorisë që duhet të jeni zënë gjithë ditën. Duke hy në veturë, pashë prokuroren znj.Laura Pula, I thashë ju lutem prokurore a mund t’a lajmëroni znj.Sevdie Morina që të më pranoj në zyre pasi e kemi çështjen urgjente. Ajo me arrogancë u përgjigj“Kadale smundet krejt Kosova me u marrë me juve, a pe sheh që është zënë.”

Në mllefin tim shkova në Task Force, kërkova takim urgjent me Komandantin e Task Forces, sepse ai ishte në dijeni për këtë krim ekonomik ndaj neve tash e dy vite. Thanë: “Vajza e Bedriut je a? O shumë po na vjen keq, po nuk kthehet deri të Henen. Shko te krimet ekonomike, te z.Nazim Sahiti, ai e ka lënden e uzurpimeve.”

U nisa te z.Nazimi, në ndërkohë rrugës e thirra Ambasadën Amerikane, bisedova me z.Kevinin i cili e kuptoi gjithë shqetësimin tim dhe më tha sikur të ishe shtetase amerikane, kurrë nuk do lejonim që të hynin në pronën tuaj në këtë mënyrë. Por, të lutem të kesh durim, sepse Ambasada do e percjellë se si do trajtohet rasti juaj pasi keni bërë kallëzim penal. Ne kemi bashkëpunim shumë të mirë me Policinë e Kosovës, vetëm mbaju ne do përcjellim gjithë situaten.”

Z.Nazimi më pranoi në zyre, një herë u soll me arrogancë, pastaj kur i dhashë gjithë dokumentacionin i thashë: “Kopjoj të lutem dua t’i kesh si prova, këtu ke marrëveshjen tonë të vitit 2000 në bazë të cilës shfrytëzojme pronën, e ke regjistrimin e ARBK, aplikimin në likuidimin, lënden në Dhomë të Posaçme, si dhe investimet e audituara nga Deloitte.”

Z.Nazimi i morri të gjithë dokumentet, dhe e bëri një telefonatë shumë të gjatë, edhe pse doli në korridor munda me ndëgju “O Armend, krejt dokumentet i kanë, cka me bo tash na?” U kthy në zyre dhe më tha: “Mimoza krejt po të kuptoj, edhe krim nëse po bojnë AKP-ja, kuptomë që jom i obligum me ligj me i asistu!”

Unë: “Z.Nazim ti me ligj je i obligum me ekzekutu urdhëra të Gjykatës, jo urdhëra verbale të AKP-së. Të lutem mos e poshtëro uniformën e shtetit, të lutem mos e gjunjëzo policinë para krimit, të lutem prite vendimin e Gjykatës.”
Z.Nazim: “A e pe vetë që u mundova me ndalë, është urdhër i prerë.”

Shkova në zyre, qëndrova aty deri vonë, kujtova gjithë mundin shumë vjeçar të familjes time në këtë biznes,kujtova gjithë mysafiret që e shpallën hotelin tonë “Landmark of Prishtina”, “Hotel of Independence”, duke filluar nga z.Javier Solana, znj.Madeline Albright, Keshilli i Sigurimit -OKB, Ambasadat, Organizata te huaja nga me te ndryshmet, Kompani te njohura te aviacionit si Austrian Airlines, Croatian Airlines e gjithë mysafirët që me vite me rradhë u shërbyen në Hotelin tonë.

Ditën tjetër, erdha herët në zyre, punëtorët si gjithmonë kishin ardhur në punë me pozitivitetin dhe zellin që i karakterizonte, të përgaditur për rezervimet e seminareve, konferencave dhe fjetjeve që kishim atë ditë.

Ora ishte 9:20, kur i pashë forcat speciale të policisë së Kosovës në objekt. Kërkova një dokument mbi të cilin kishin të drejtë të hynin në Hotel Victory. Më tha të lutem bisedo me zyrtarët e AKP-së, ne vetëm po asistojmë. Dola të bisedoj me zyrtarin e AKP-së, Taulant Tahirsylaj, që belbëzonte dhe dridhej kur unë i thashë të me japë dokumentin, ndërsa ai i shkreti kishte ardhur me një fletore e më tha: “Ju e dini në takim ju kemi tregu që është urdhër i AKP-së.”

Dy punëtorë të Hotelit që kishin qenë brenda duke i marrë gjërat e tyre personale, dolën dhe më thanë “Mimozë, brenda në Hotel po përlahen ashpër Policia e Kosovës, po i thojnë njëri-tjetrit që a e dini që kemi ardhë pa asnjë letër, për pesë minuta kanë të drejtë me na qitë jashtë, e veq sa s’u rrahën mes veti.”

Dje, shteti u gjunjëzua para krimit të organizuar, Policia e Kosovës u përdorë për të asistuar krimin. Dje u shkelën të drejtat themelore të njeriut, dje u shkel Kushtetuta e Kosoves, dje u hy në pronë private me urdhër verbal, pa asnjë dokument. Dje dëshmuat që Kosova nuk ka shtet ligjor, po shtet të kapur nga pushteti!

Dje perpos Policisë së Kosovës, rreth Hotelit filluan të sillen xhipat e zi të porositësve të kësaj prone. Sigurt ishin të kënaqur me shfaqjen që kishin porositur. Ne e dimë kush jeni, por së shpejti e gjithë Kosova do e kuptoj se kush jeni, se kush e gjunjëzoj dje shtetin tone, për shkak që e kishin mbështetjen e pushtetit i cili tashme i kishte bere pazaret e veta politike.

Ne do ju luftojmë deri në fund dhe do ju demaskojme ashtu sic thuhet ne premtimin e drejtësisë: “Cfarëdo që bëhet në terr, do të del në dritë.”

Çështja Çame, plagë e dhimbshme në trupin e kombit shqiptar,- peshë e rëndë në ndërgjegjen e kombit grek



NGA GJON BUÇAJ/


Ju falënderoj për nderimin që i keni ba Federatës Panshqiptare të Amerikë “VATRA” me ftesat bujare Kryetarit të saj të Nderit, zotit Agim Karagjozi dhe mue, për të marrë pjesë në këtë Kongres. Kam kenaqsinë të jem sot mes jush dhe t’ju sjell përshëndetje të përzemërta, si nga zoti Karagjozi me keqardhjen që nuk mund të vinte për shkak të moshës, ashtu nga Kryesia dhe nga antarët e VATRËS, bashkë me urimin që Kongresi i juej të dali me suksese në dobi të interesavet kombëtare.

Partia e juej, si entitet politik i intergruem në sistemin elektoral, ka antarë e mbështetësa të ndryshëm, megjithatë ajo identifikohet si subjekt çam. Prandej programi i juej konsiderohet, vetëvetiu, me detyrë të dyfishtë, atë të angazhimevet për trajtimin e çashtjevet kombëtare në përgjithësi, si dhe detyrën e përpjekjevet për zgjidhjen e Çashtjes Çame në mënyrë veçantë.

Mbi këto detyra, mue si përfaqsues i VATRËS, të cilën kam nderin aktualisht t’a kryesoj me vetëdijen e përgjegjësisë së randë, që e ndaj me bashkëpuntorë dhe me këshilltarë dashamirës, më përket të sjell para jush këtu sot, në vija të shkurta, disa nga mendimet dhe brengat kryesore të saj.

Në vorbullën politike të këtyne 25 vjetve të tranzicionit të pambarim, dallohen me dritë dy arritje të mëdha: ndërtimi i “Rrugës së Kombit” dhe anëtarsimi i Shqipnisë në NATO. Por vërehet mungesa e madhe e disa realizimeve të randësishme, mungesë që pengon shkëputjen nga trashigimia e randë e diktaturës komuniste, si edhe perforcimin e pozitës ndërkombëtare të Shqipnisë dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të saj. Realizimet e mungueme janë kryesisht: dënimi i krimeve dhe i kriminelëve të komunizmit, hapja e dosjeve të Sigurimit dhe Ligji i Lustracionit, damshpërblimi dhe integrimi i shtresës së ish të përndjekunve politikë, kthimi i pronës së konfiskueme te i zoti legjitim, lufta e njimendtë kundër korrupsionit, reforma e sistemit gjygjësor dhe atij zgjedhor, e tjera. Si rrjedhim, ka ardhë rritja korrupsionit, rritja e papunësisë, thellimi i vorfnisë dhe krijimi i kulturës se krimit. Largimi i mija familjevet pa shpresë, drejt fatit të pasigurtë, asht padi e randë kundër sistemit që burgosë fukaranë për vjedhje të energjisë elektrike për të ba darkën, ndërsa mbron dhe mban në gji kriminela të njohun dhe hajna milionash.

Kongresi i juej po zhvillohet në nji kohë kur klasën politike shqiptare e presin vendime dhe veprime të nji randësie jetike për të ardhmën e Shqipnisë dhe të kombit shqiptar në përgjithësi. Rrethanat ndërkombtare janë të favorshme për shqiptarët sot ma shumë se sa ndonji herë tjetër në të kaluemen. Prandej elita politike aktuale e ka për detyrë sublime të angazhohet me përkushtim maksimal, për t’a shfrytëzue këtë fat para se të kalojë, për përparimin e vendit dhe për zgjidhjen e problemeve të kombit tonë të ndamë padrejtësisht në gjashtë shtete ku, jashtë Shqipnisë e Kosovës, shqiptarët sundohen nga të huejt që u mohojnë edhe të drejtat ma elementare.

Gjeneratat e ardhshme do t’a gjykojne eltën e sotme, nuk do të pyesin sa pasuni grumbullove, sa mjeshtri tregove në blemjen dhe manipulimin e votës, por do të pyesin se çka bane për atdheun e për kombin kur e pate në dorë. Mirëpo për të qenë në gjendje me i dalë zot efektivisht kësaj detyre, klasa politike duhet urgjentisht të bajë nji këthesë të domosdoshme që e imponon interesi jetik i kombit. Ma mirë vonë se kurr!

Asht fat i madh që miqt tanë, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkueme, po angazhohen seriozisht me e ndimue Shqipninë që t’a bajë këtë këthesë historike realitet, tue fillue me reformën e sistemit gjygjësor. Ambasadori Lu ka thanë nji të vërtetë shpresëdhanëse: “Reformën në drejtësi nuk e duan ministrat dhe deputetët kriminelë”. Te çohen më kambë kriminelat që e pengojnë reformën! …. Askush nuk ngrihet, prandaj reforma do të kalojë, sepse pengimi i saj asht krim dhe kush e pengon asht kriminel.

Për nji njeri, i cili vjen mes nesh me pasion të sinqertë për të mirën tonë, si Ambasadori Donald Lu, nuk mund të ketë vi të kuqe, por mireseardhje. Ai vjen për t’a ngritë dhe nderue sovranitetin e shqiptarëvet, jo për ta cenue, prandej le t’i jemi thellësisht mirënjohës.

Nji tjetër problem i të gjithë shqiptarëvet që pret zgjidhje tash ma se 70 vjet, asht Çashtja Çame, nji plagë e dhimshme në trupin e kombit shqiptar, por edhe nji peshë e randë në ndërgjegjen e kombit grek. Si entitet çam dhe si forcë politike, juve ju përket të kordinoni dhe të harmonizoni aktivitetet dhe të shtyni shtetin dhe qeverinë shqiptare që të angazhohen për të drejtat legjitime te Çamëvet, pranë shtetit grek dhe pranë autoritetevet përkatëse ndërkombëtare. Edhe na jemi të gatsheëm, si gjithmonë, t’a ndimojmë dhe t’a përkrahim cashtjen pa kursim, me mënyrat dhe mubndësitë që ka Vatra.

Greqia dhe Shqipnia, dy shtete kufitare me fate të ndërlidhuna, kanë nevojë të përbashkët për paqë dhe marrëdhanjë të mira fqinjësie, mbi baza të drejtësisë dhe të respektit reciprok. Por nuk mund të ketë marrëdhanje të tilla as paqë, pa zgjidhjen e drejtë të problemit çam. Kjo temë ngritet lart në rendin e ditës të shqiptarëvet në këto dit që Tirana do të presë ministrin e jashtëm të Greqisë. Fatkeqsisht parapamja për bisedime produktive nuk asht optimiste, tue pasë parasyshë deklaratat e ministrit Kotzias, me pretendime absurde në dam të Shqipnisë. Pala shqiptare duhet t’a kryejë detyrën me korrektesë por me vendosmëni për kërkesat çame që mbështeten në të drejtat njerzore dhe në normat e konventavet ndërkombtare të nënshkrueme edhe nga shteti grek. Mbajtja e gjendjes së luftës me Shqipnine nuk asht vetëm absurditet i Greqise, por edhe nji abnormalitet i papranueshëm në mes dy shtetevet antare të NATO-s. Prandej Greqia t’a hjekë këtë status menjiherë, ose të paditet juridikisht në Forumin përkatës.

Sado që synojmë integrimin në Europë, nuk mund t’u nënshtrohemi shantazheve në dam të interesave kombtare, edhe pse të vonohemi. Këtë qendrim, simbas mendimit tone, duhet të mbajnë Shqipnija edhe Kosova. Le t’urojmë dhe të punojmë të gjithë së bashku për zgjidhjen e drejtë të Çashtjes Çame dhe për dit ma të mira për popullin tonë të lashtë e fisnik!


ANTON ÇEFA, POETI I KULTIT HYJNOR TË FJALËS


1 anton Cefa (2)


NGA DALIP GRECA*/

Poeti vjen i plotë në botimin antologjik “Flatrime me krahë të preme”/

Poeti, studiuesi, kritiku, gazetari Anton Çefa, vjen i plotë si poet në një vëllim poetik me titullin metaforik ”Flatrime me krahë të preme”, botim i “OMBRA GVG”.

Antologjia dëshmon dhe na risjell provën se Anton Çefa është nga ata poetë që në kohën e ngricave ideologjike e ndryni poezinë brenda vetes, bashkëjetuan së bashku në honet e heshtjes dhe ajo, poezia, ia mbajti ngrohtë shpirtin në dimrat e acartë, për të kënduar në stinën e pranverës së vonë të moshës së vet.

Poeti përjetoi në rininë e vet absurdin e “këngës së pakëndueme”, kur poezia e tij e ndrydhur brenda vetes sfidoi rregullat e ngurta.Në një vështrim sipërfaqësor, ai i ngjan “Bylbylit të mbyllur në kafaz” të shkodranit të shquar Mjedja.
Ashtu siç sqaron vetë poeti në përcjelljen lakonike të këtij botimi antologjik, pjesa më e madhe e poezive janë shkruar në kohën e diktaturës, por nuk u botuan në atë kohë për të pritur një kohë me dritë, ku poezia e tij të mos i nënshtrohej rregullsive të ngurta. Pra ai këndoi në kohën e diktaturës, por këndoi nën zë, këndoi me vete dhe për vete, këndoi ashtu siç dëshironte ai, jo siç diktonte koha që vriste shpirtrat e lirë.Ishte koha që priste flatrat për t’i bërë të pamundur flatrimet në qiejtë zymtë. Ashtu si Shkodra e tij antikomuniste, që ai e ka dashtë edhe “pse nuk flirtoi me qiejtë e ndytë”, të dy ndjehen krenarë për sfidën. As poeti nuk flirtoi.

Na ndihmon për të pereceptuar hershmërinë e poezisë së Antonit, ndrydhjen e saj në honet e heshtjes, përcjellja e mikut të tij të vjetër, nën kujdesin e të cilit botohet ky vëllim antologjik, Ferik Ferra, i cili tregon mbijetesën e poezisë së Antonit, që në mes vitet ’50 të shekullit të kaluar. Ferra shkruan: ”Vera e vitit 1955 na ndau. I lamë njeri-tjetrit si kujtim nga një poezi, të cilën Antoni e kujton vetëm në disa vargjet e fundit.”

Miku i vjetër tek përcjell me shumë dashuri krijimtarinë e kolegut të tij, poet, në kohëtakimin e vonshëm, konstaton:

Dora e poetit kishte prerë e qepur me dorën e mjeshtrit, petkun poetik me një linjë koncize dhe elegancë mahnitëse, duke dhënë nëpërmes ekstratit të ngjeshur, pikërisht fjalën, që është e para në belbëzimet e njeriut.
E peshon si guri fjala

E ma tepër se guri.

Çefa e kujton kohëndarjen me mikun e tij Ferra përmes vargjeve të mallit dhe ftillesës:
Ishte një kohë e largët

E pakohë

E fjala e pafjalë,

Kur u ndamë s’na panë…

Ishte kohë e pafjalë. Mjafton ky varg për kohën e absurdit, kur me ligj qe shpallë ndalimi i fjalës e heshtja ishte “kapak florini”.Ishte koha e rinisë së poetëve, që u digjej shpirti nga metaforat e vargjet, por fluturimi qe i ndaluar dhe krahët të prerë, flatrimi fare i pamundur:
Na rreshkej etja në gjak,

Për fluturim

Por s’kishte qiell,

Kur u ndamë…

(Poezia për një tubëz “Diell të vështirë”)



Poeti Çefa bashkë me poezinë e vet jetoi vetëveten në honet e heshtjes, ku thirrjes së tij askush nuk i përgjigjej në humëbëtirën kallkan:’
Në Honin e zaneve

E të emnave


Thërras
E nuk përgjigjet asnjeri


“Njeri”…

Në kohën e shkuar të ndalimit të fjalës, poeti e sheh veten rob të errësirës, si një cung i ngujuem diku/ në hapsinën e pafund të një nate…

Ndjehet shumëfish rob,-rob i errësinëns dhe shpirtit; i gjakut dhe fjalës, që ishte peng i kohës të fjalës së ndaluar.
Poeti në misionin e tij poetik ishte shtegtar i vjetër drite, por ndjen dhimbje që misioni i mbeti peng i kohës, nga që e degdisën shtigjeve të errëta.Poeti vetërrëfehet:
Isha shtegtar i vjetër drite,

Po më dorzuen shtigjeve të errta

Të vuej urinë e shpirtit

Më dënuen…

Poezitë e kohës së ndaluar përshkohen nga dhimbja e trishtimi.Siç konstatojnë stuiduesit e fenomenti Çefa, ai sjell përngjasime me fenomenin e lirikut të famshëm, Lasgush Poradeci, që kaloi në harresë totale, që të mos flirtonte me të keqen. Kjo s’ka qenë e lehtë për t’u realizuar se poeti nuk ishte në gjumë letargjik, që befas një ditë u zgjua dhe nisi këngën e ndërprerë poetike. Ai pagoi koston e heshtjes, gjakosi shpirtin nga dhimbja. Kjo nuk është pak për një poet.Poezia nuk është vetëm fjalë, poezia është vuajtje, që të djeg shpirtin në çastin shpërthyes, në kohëshkrepjen e blicit të ndjenjës. Sintezë e asaj kohe vuajtjesh poetike është poezia me titull ”Varrosja e fjalës”:
Në qelinë e heshtjes kam varrosun veten

Me heshtjen e varrit kam mbulue fjalën

E gjatë kjo natë e zymtë, e gjatë!

Në gojën e kohës sonë

Pëlhurë kanë thurur marimangat.

Baj të iki prej vetes sime, s’mundem.

Rrekem të lëshohem vrap pas vetes, rrëzohem.

Në natën e kobit më ka humbun emni,

Mbi kobet e natës nuk munda ta ngre dorën.

Antoni nuk ka mni ndaj Atdheut, përkundrazi, e dashuron atë dhe në mërgimin e largët, thur këngët e dhimbjes dhe të krenarisë për Shkodrën e dashur, për Atdheun që gjendet përtej horizonteve.

Poezia e tij na sjell në kujtesë shkodranët e mëdhenj të mërguar, që i kënduan Shkodrës loce, Drinit, Bunës, Cukalit, Rozafës hyjnore, paçka se kënga e Antonit është më konkrete, ai këndon shtëpisë së vjetër, kumbullës në fund të kopshtit, në degët e së cilës, ai metaforikisht” var përgjithëmonë/ Buzëqeshjen e fëminisë”. Antoni nuk nis nga bregu i Atlantikut drejt Shkodrës, dallëndyshen, që t’i çojë falmeshëndet e t’i sjellë lajme nga Atdheu. Ai nuk e sheh zogun shtegtar-dallëndyshen, si ljamdërgues a lajmsjellës, dallëndyshen e trajton fisnikërisht si mbartëse e lirisë së fjalës:

“E(dallëndyshja) me skjep shkruen mbi tokëne zezë me hjeroglifet e gjuhës së dallëndyshave lirinë e fjalës e të gjitha të drejtat e fisit të saj”.

“Përtej horizontit të dhimbjes”, është poezi që i përkushtohet të birit, me emrin autokton, Labeat. Çefa ka endur nën një pëlhurë metaforike dhimbjen përcjellse:

Muzgu përtyp thërmijat e fundit të dritës

Të nji dielli në perëndim.

Kujtesa kufomën e lirisë

Së vdekun prej kohësh.


Djali më pyet….

Atje është horizonti i dhimbjes,

Bir,
Përtej ati horizonti

Asht’ Atdheu…

Ka diçka arbëreshe në thelb kjo poezi që të sjell ndër mend zakonin më shumë se pesë shekullor të “Gjakut të arbërit” që kapërcyen Adriatikun në shekullin e ikjes dhe kur u lindnin fëmijët, i drejtonin me vështrim kah deti dhe u tregonin Atdheun. Poeti Çefa bën të njëjtin rit në mënyrë poetike, duke pasur si konvencion orientues gjeografik, pa limit distance, horizontin e largët, pas të cilit “Asht Atdheu”.

Në një tjetër poezi ”Mall Shqipërie”, ndjenja e mallit është më e drejtëpërdrejtë:
Dallgët të çapërdisuna,

Të turbullta e të zymta Atlantiku

Urë kujtese

Për buzëqeshjen e urtë e të kristaltë

Të valëve të Adriatikut,


Ku gjithnji lundron

Si barkë me vela të bardhë

Hija e trëndafiltë e nji malli.

Në këngën poetike të drejtëpërdrejtë drejtuar qytetit të tij të dashur, Shkodrës, poeti Çefa, derdh të gjithë majanë e fjalëve dhe të stilistikës duke gatuar një poezi malli e dhimbjeje bashkë:
Shkodrës
Të kam pa me synin e të gjitha qosheve

të rrugëve

E tinzisht

Të kam joshë çdo lakmi dëshire

E dridhje zani.

……………………………

Ende më vjen e mbytun

E me një ritëm të çuditshëm


Jehona e hapave të lirë

(Jehonë hapash të dikurshëm)

Mbi kalldramat tua të mëndafshta

(e të butë si tapete)

E më duket se në këto shtjella ajri

Po zvargen ende tingujt e ëmbël

Të kumbonëve

Që shpallshin paqën e njeriut të mirë.

Të kam dashtë gjithmonë

Por ma tepër e ma

Pse nuk flirtove me këta qiej të ndytë.

Mjafton vargu i fundit për të zbuluar krenarinë e poetit për qytetin e disidencës komuniste, që nuk flirtoi, nuk u nënshtrua, por sfidoi, duke pranuar ndëshkimin.

Në këtë botim antologjik, vihet re se ka një shkrirje shtresore të krijimtarisë së Çefës.Antologjia ka shtresëzim kohor; poezitë e kohës së ndaluar dhe poezitë e shkruara në liri.

Anton Çefa është një zë i veçantë, që ka tërhequr vëmendjen e shumë sutudiuesëve dhe kritikëve të poezisë, të cilët edhe pse kanë mendime të ndryshme, bashkohen në një pikë të përbashkët:Poeti Çefa, është unikal në poezinë e vet dhe, gegërishtja e ëmbël, i ka dhënë muzikalitetin fjalëve të përdorura me racionalitet nga poeti, që nuk shpërdoron me të drejtën e të shkruarit.Ai është mjeshtër në stilin e vet të rrëfimit poetik, e punon me durim fjalën, e lëmon me dashuri, ka një leksik tepër të pasur, zotron një minierë të pasur figuracioni stilistiko-letrar.

Për poetin Ferik Ferra, poezia e Antonit, është e ngjeshur, e ëmbël, me efekt ”shpërthyes”, ka pak materie, por materie që peshon rëndë.

Poezia e Çefës njihet nga larg se vjen prej Shkodre, prej metropolit të poezisë shqiptare. Elementët metrikë të gjetur, sidomos metaforat, por edhe të gjithë figurat e tjera poetike, të thurura me art të vërtetë, si ato të elementit epik dhe ato të elementit lirik, i japin poezisë së Antonit, një kostum origjinal, që vetë ai ia ka qepur mjeshtrisht, dhe që duken se qëndrojnë pa defekte në trupin e përgjithshëm të antologjisë së tij poetike.

Për Dëfrim Canin, redaktorin e antologjisë poetike “Flatrime me krah të preme” Anton Çefa kategorizohet si poet i tri dimensioneve:poeti i zotësive linguistike, poeti i formimit stilistikor dhe i mjeshtrit simbolik.

Vështrimi teoriko-letrar që i ka bërë poezisë së Çefës, studiuesi e kritiku Cani, është një këndvështrim profesionist i një njohësi të thellë të poezisë.

Cani konstaton të veçantën e poezisë së Çefës, duke u fokusuar në mjeshtrinë krijuese, në zotësinë e tij për ta përdorur fjalën si mjeshtër i fjalës, në tingëllimin poetik të togfjalshave, të gatuar në magjen e gegërishtes: ”Pellgje heshtjesh”,”skaji i msheftë i fjalës”,”në skajin e msheftë të mllefit”, “si kufomat në vorrin e përbashkët”,”rob i errësinës”,”Honeve të heshtjes”,”mbi vorrin e pritjes”,”fjala u ba dhimbje”,”shteg i ujkut”, ”zakone shpendësh”, “rrgalla e fjalëve”,”krrokamat e korbave”-me gjuhën e Canit do të shpreheshim”Ja me këtë situatë të ngarkuar simbolike dhe stilemore, metaforike dhe stuhi poetike është mbjellë e gjithë poezia e Anton Çefës.”

Me shumë interes është vëzhgimi që i bën Cani (jo vetëm ai) pranisë së gurit në poezinë e Çefës, ku ai konstaton një të vërtetë poetike të pamohueshme:”Anton Çefa-një poet i çuditshëm, me një “ngarkesë” të madhe njohjeje mbi shpinën e poezisë së tij, arrin të komunikojë përmes kumteve të gurit. Është një lëndë e çuditshme prej nga “merret vesh” se ara e fjalëve ka qenë e vogël për poetin, se ai ka derdhë dialogë me baladën e vetmisë, sepse është njeriu tipik, poeti “i pabindur”, i cili ushqeu bisqe në trungun e gjuhës së Buzukut, Budit, Bardhit, e Bogdanit.
Edhe për Ledia Dushin, figura më e përdorur është guri sepse në të ngrihet dhe shkrihet shpresa.

Për Ledian, poezia e Antonit të jep shkak të besosh se vetë poeti u rrëzua në honin e ëndërrës, por ëndrrën e shkroi.Ai vuan siç vuan një shpirt që ndjen dhe lëshon thirrjen:”Kur do të vijë dita të dal e të thërras pa frigë emnin tim në kupë të qiellit”?

Antoni bashkë me poezinë e tij jetoi kohën e ngricës së gjatë, kohën kur ”Hana fshin njollat e përgjakta me shtupa re të murme e i lanë me reflekse valësh”…

Një studim të thellë i ka bërë poezisë së Çefës, shkrimtari, studiuesi, kritiku dhe publicisti me zë në fushën e letrave shqipe dhe rumune, Dr. Ardian-Christian Kycyku. Ai nuk e identifikon poezinë e Antonit me atë llojë letërsie që pas rënies së Murit të Berlinit, u klasifikua si letërsi e burgosur, me gjithë thelbin e ngjashëm që ka me atë llojë letërsie. Për librin e parë, “Dritarja e një britme”, Kyçyku thotë se është në fakt, britma e njërës prej dritareve të shqiptarisë, është njëri nga ata pak vëllime fatlume që arritën të vetmohohen, kur fjala e lirë ndalohej dhe të çlirohej nga shabllonet, kur fjala rifitoi të drejtën të thuhet.

Për Kyçykun poezia e Çefës ka një muzikalitet dhë ëmbëlsi të pazakontë. Vetiu ajo ia del mbanë të tretë kufijtë e thepisur mes kohërave dhe dasive kalimtare dhe të ngrejë një folezë krejt të vetën në atë hapësirë të shpirtit njerëzor, ku poezia është njëherazi edhe muzikë, edhe lutje, edhe mall për stinët e shpirtit, edhe mall për trojet e hyjve, edhe ritual pavdeksimi të ngadaltë.

Një këndvështrim të veçantë ka për poezinë e Çefës edhe studiuesi e publicisti Idriz Lamaj, i cili konstaton se “edhe aty ku shprehet dhimbja, e cila zen vend të veçantë në poezinë e tij, …shihet se Çefa ka gjithnji nektarin e trashëgimisë mijëvjeçare shpirtnore të botës iliro-shqiptare dhe me të ka arritë përsosjen e artit poetik dhe ka ruajtur dinjitetin edhe shpirtin e tij.”

Krahas të tjerave poeti, studiuesi, përkthyesi dhe kritiku Gjekë Marinaj, vë re se “Gjuha gegënishte letrare e Çefës të mahnit me pasurinë dhe muzikalitetin që mban në vetevete.”

Nga ana e tij, kritiku Ilir Seci, konstaton se poezia e Çefës është një risi, sa i përket rrethit tematik, sferës së preokupimeve dhe angazhimeve artistike, poezi e cila kryekreje ndërton një profil të mëvetësishëm në krijimtarinë shqipe.

Duke hyrë në thelbin e universit poetik të Anton Çefës, studiusi dhe publicisti, Dr. Ardian Ndreca, shkruan se “Gjallina e figurave, metaforat e lëvizshme e, mbi të gjitha, poeticiteti i vërtetë që rrin në kapërcyell të nevojës filozofike për me shpreh intimitetin e qenjes ”njeri i lirë”, e bajnë transparent shikimin aktual dhe retrospektiv të poetit dhe i japin vargut të tij, dije e paqe.”

Për t’ia lënë lexuesit që t’i zbulojë të gjitha të fshehtat e antologjisë poetike të Anton Çefës, sjellim në vëmendje faktin se shumë nga poezitë e reja , që botohen për herë të parë, kanë një realizim të përsosur poetik, ku ndjenja dhe figuara, gatuajnë mallin, dhimbjen, por dhe dashurinë. Madje, erotika e Anton Çefës, meriton një vështrim të veçantë, ndërsa poezitë e pikëllimit dhe të kujtimit, si ”Te varri i vëllaut”- Tishit; “Asaj që yllson”-nanës, “Mos pini ujë në hurdhat e kohës”-Në kujtim të babës, janë poezi antologjike, që meritojnë zbërthim varg mbas vargu.

* Marrë nega libri i sapo botuar i Autorit Anton Çefa”Bardhësi me zdritje bore”


HIRET E LETERSISE MODERNE SHQIPE

1 Ilir Levonaj Libri

Shumë nga vendet ish diktatoriale, i kanë të pashlyeshme nga kujtesa vërshimin e masave në sheshet publike, rrëzimin me kollajllëk të miteve paradoksale, duke dëshmuar ndarjen nga një e kaluar e errët. Era e qarkullimit i shërben etjes për tu njohur. Por edhe të drejtës universale për tu dashuruar, sepse frymëzimet janë si era, nuk njohin kufijtë e telave me gjemba. Ngadonjëherë ne gjëndemi në beft, për arsyen e thjesht se zbulojmë të përbashkëta, ngjajshmëri, pikëpjekje të habitshme. Vetëm përmes letërsisë arrijmë të kuptojmë se qëllimi i masave është kultivimi dhe ruajtja e paqes shpirërore. Le të shikojmë disa shembuj nga ky univers shpirtëror. Ja si shkruan një poet rumun, Nikita Stënesku:

Unë jam A

Petalja e britmës.

Ti je U

Lulja e ftohtë.

Nëse do të bëjmë një ndërkëmbim, nëse do t’i zëvendësojmë gërmat me ngjyrat, do të përftonim Sonetin e ngjyrave të francezit Artur Rembo (Arthur Rimbaud). Sidoqoftë vini re një tjetër krahasim, Ana Blandiana po nga Rumania.

Sa do të doja

Të ishte gjithçka e përkryer.

Si një bimë.

Jo shumë larg prej saj në Kosovë, poetja shqiptare Flora Brovina shkruan:

Në heshtjen time je shpresë,

Bimë – për tokën e tharë.

Konvencialisht bima për poetët ballkanikë paraqet përkryerjen, ajo është model i harmonisë natyrore, shpresë e përtëritjes, simboli i mbijetesës. Në tekstin e Blandianës, idioma Sa do të doja/ të ishte gjithçka e përkryer, mbyllet me krahasimin, Si një bimë. Pra, me modelin e harmonisë natyrore, shpresën e përtëritjes, mbijetesën. Kurse në vargjet e Brovinës, pavarsisht zhvedosjes, vini re se si bima lidh shpresën për tokën e tharë. Përftimi, njeri e tokë njejtëzuar, bimë e shpresë po ashtu. Nëse e para, (Blandiana) e përfytyron, e dyta (Brovina) e ka dëshmuar.

Poezia e ka ndjekur qëmoti njeriun dhe është përsosur me ‘të, duke ia motivuar edhe jetën. Pra ato kanë ecur dorë për dore dhe gjithmonë janë prirur të kenë fate të përbashkët, pavarsisht mos përputhjeve kohore. Njësoj kanë provuar lavdinë dhe persekutimin duke dëshmuar një potencial univarsal me taban abstraktsionist dhe tepër real. Baza e letërsisë është folklori e po të vërejmë me kujdes nuk është e vështirë për të kuptuar qënësinë e fantastikes tek ajo. Sado që me kalimin e kohëve kemi përftesa të reja letrare, fryma e folkut është e ngjizur në ‘të, sepse gjenetikisht ne jemi bimë. Me pjesën e padukshme të rrënjëve, (folkut) me pjesën e dukshme (trupi) dhe pjesën e pritshme (frutin). Rasti më i përkryer në letërsinë bashkohore shqiptare është Dritëro Agolli. Shihni disa vargje prej tij për ta patur më qartë gjëndjen:

Kjo këngë kalon në heshtje për njerëz të tjerë

Ashtu siç kalojnë akrepat e orës,

Po mua shpirtin ma josh përherë

Manushaqe e prillit në mes të dëborës.

Jo vetëm përngjeshja me këngën popullore, por edhe metrikisht kadenca ka ritmin e vargut popullor. Po le ti kthehemi çështjes tonë marrëdhënies duale, poezi e krijues. Në këtë dualitet ajo (poezia) nuk e ka për gjë ndonjëherë dhe ta braktisë poetin. Sepse ajo është hyjnore, eterike. Pikërisht këtë tekë të sajën shfrytëzuan diktaturat. Ndërsa ajo e braktis për të ndjekur fatin e vet, lind ngërçi ku poeti kthehet në beft, ai përdhoset, vuan, vritet. Brënda kësaj teke ajo jeton hyjninë, në një abstraksion çudibërës të lirisë së saj absolute, kurse poeti mbetet rob i saj. Shembujt nuk mungojnë ato u shpeshtuan në kohën e diktaturave duke u kthyer në makthe sociale prej alogjizmës së proletariatit në kohërat e çudisë kolektive. Ti Shën Mari dhe prostitutë, do e cilësojë poeti Visar Zhiti, pikërisht sepse ajo të magjeps dhe të braktis. Po nga ana tjetër ne theksuam më lart fatin e përbashkët e gati të pashmangshëm që domethënë se në një farë mënyre vjen edhe çasti kur rendi i takon asaj (poezisë). Lehtësia me të cilën ajo jepet për tu keqpërdorur, duke u kthyer në mjet të propagandës dhe eksperimentit, me një naivitet unik që i përket vetëm sojit të saj. Kjo është tragjike dhe sado si e tillë, është absolutisht e pashmangshme për faktin e masës së pamatë që ajo gëzon. Për rrjedhojë e shohim atë t’i prijë propagandës dhe patriotizmit, herë nën një diktature dhe herë nën një rilindje kombëtare. Ne afërmendësh që nuk merremi me firot siç edhe thamë më sipër, masa e saj është kaq e madhe sa absolutisht mund ta konceptojmë me universin. Në çdo krahasim që mund të sjellim do vërejmë se prirjet duale poetike janë të mbarsura me një lloj atmosfere gazmente të një fytyre në përfytyrim.

Të shohim edhe një shembull. Eshtë një vjershë e Xh. Ungaretit, (Giuseppe Ungaretti) me titull Ushtarët.

Si në vjeshtë,

majave të pemëve,

si gjethet.

Ky krahasim është gjithë poezia. E tillë, e ankthshme është gjëndja e ushtarit në luftë. Si gjethja e pemës në vjeshtë. Bie sot, bie nesër. Gjithnjë në funksion të gjëndjes poeti shqiptar Visar Zhiti shkruan:

Gruaja e të burgosurit

është pemë

buzë humnerash.

Vini re edhe një poet tjetër shqiptar, Xhevahir Spahiu:

Në dorën time

një gjuhëzë lisi diçka pëshpërit.

Jeta

si fleta?

Si fleta do ti iki dhe unë

një ditë.

Në të tri rastet njeriu jeton i varur nga ankthi. Një gjëndje e nderë, e cila të krijon një lloj vakumi shpirtëror. Gjëra të jetës që finesa poetike i thotë me një buzagaz konstatues e paralajmërues. Dhe vjen një ditë kur këto motive artistikisht të krahasueshëm nën një ritëm elokuent, përbëjnë strofa e paragrafë që plotësojnë njera-tjetrën. Ty të duket sikur po lexon një poezi me fillim të thellë dhe fund tmerrësisht të largët.

Këto paralele poetike mund t’i hasësh edhe në prozë. Kësaj here poezia qëndron tek fabula, duke e ushqyer atë brenda një ritmi a kadence pa të cilin subjekti nuk mund të jetë argëtues. Një paralele mund ta bëjmë për dy shkrimtarët e mëdhenj të letërsisë botërore, Nagip Mafuz, (Nagip Mahfouz) me E bekuar qoftë mbrëmja jote dhe Gabriel Garsia Markes (Gabriel Garcia Marquez) me Dashuri në kohërat e kolerës. Në të dy versionet fabula është një dashuri e penguar në rini e cila kurorëzohet në një moshë të vonë si pleqëria. Gjithsesi krahas këtyre konstatimeve e theksoj se reçensionet apo komentet, portret reportazh nga jeta si një idomë e gjallë, esetë, apo vështrimet eseistike, janë thjesht përpjekje për të përcjellë krijimtarinë e miqve. Ata të botës së artit.Qershor, 2008


KUJTONI ZONJEN BEDRIJE ASHIKJA !

Nga Fritz RADOVANI:




BEDRIJE ASHIKJA

1976 DOSJA E PAMBYLLUN...

■Konvikti “Malet tona” në Shkoder ishte kthye në hetuesi, mbasi ishte pranë spitalit të Shkodres, në fund të rrugës së Shtëpisë së Kulturës. Hetuesit kriminel nuk kishin interes me mbyllë Dosjet tri ditët e para të torturave, prandej, u duhej afer spitali. Pastrimet e zyreve i banin me vajzat ose gratë e arrestueme që nuk ishin aq pak nder ato qeli.

■Në Shkoder kam pasë fat me njoh Martirin Loro Vata, i cili ka jetue deri në vitin 1999, dhe prej Tij mësova ngjarje të sakta që ishin të varrosuna në thëmelet e atij konvikti...
Në vitin 1946, pak ditë mbas arrestimit Loro Vata dergohet në hetuesinë “Malet tona”. Aty merrej në pyetje nga një katil i njohun i hetuesisë, Fadil Kapisyzi. Edhe qelia ku ishte i pranguem Loro, ishte pranë dhomës ku Fadili, merrte në pyetje të arrestuemit.
Shpesh terroristët masakronin nga dy vetë bashkë. Një natë Fadili kishte marrë në zyre të vet edhe një monster si veten Dul Rrjollin, dhe po torturonin një nga Klerikët Katolik.

■Ishin ditët e para të Dhjetorit 1946. Aty nga ora 8 e mjesit Duli kishte hapë një qeli aty pranë Loros, ku ishte e prangueme zonja Bedrije Ashikja, motra e Ahmet Ashikës, rreth moshës 24 vjeç, së ciles i kishin pushkatue Burrin, dhe kerkonin me e dënue edhe këte. Flitej se Fadili kishte një lidhje të largët kushrinije me Bedrijen, dhe per këte arsye ai shpesh e merrte Bedrijen me pastrue dhomat e hetuesisë... Pak minuta mbasi Bedrija po pastronte dhomen e Fadilit, u ndigjue një virrmë e fortë, që u këput pa u kuptue pse...

■Nuk vonoi pak kohë dhe mërrijti Dul Rrjolli, i cili mbasi e pyeti: “Pse e preke thesin, a të thashë, se mbas derës mos pastro... moj e poshter...” dhe vazhdoi, tue terhjekë rrëshanë Bedrijen, dhe tue e sha me fjalorin e njohun të tyne, derisa e holli në qeli... Mërrijti aty edhe Fadili, dhe vazhdoi edhe ai si Duli. Në fund e porositi: “Guxo e tregoi kujt se shka ke pa, se edhe ty do të kalbi në një gropë me te, moj ..!”

■Atë natë ishe i sigurtë se na pergjojnë, tha Loro, prandej, as nuk i dhashë Bedrijes fare sinjal per me marrë vesht shka ngjau atëditë, në zyren e Fadilit...
Të nesermen heret më zgjoi vetë Bedrija: “Loro, a e di shka ka ngja dje në zyre të hetues Fadilit?” – Unë, i pergjegja jo! Po në të vertetë, gjatë natës, veshtrova nga oborri dhe, aty nga e vona, disa roje hapne një gropë, dhe hollen aty një thes ngjyrë kafe të mbyllët mu tek qerrshija brinjë murit të hetuesisë... Kuptova se dikush kishte vdekë në tortura!

■Bedrija i kishte tregue, se gjatë torturave me korrent elektrik, Fadilit dhe Dulit u ka mbetë i vdekun  në dorë At Bernardin Palaj, dhe ashtu me tela nder veshë e kishin ba si thes në zhgunin e vet. Unë pa dijtë gja, tue pastrue mbasdere, kur e pashë vrrita dhe më ka ra të fikët... Ka ardhë Duli dhe më ka hjedhë ujë, e kam ardhë në vete. Gjithë diten jam qenë e tmerrueme, as nuk më ka kalue buka... Një tmerr me e pa Fratin ashtu!!

■E mbytja e At Bernardin Palaj në torturë, vazhdon mos me e shkrue si kje e verteta!
Leni “përrallat me mbret”... dhe, shkrueni të verteten! Kështu leni pa u dekorue Fadilin!
At Bernardini nuk ka vdekë as nga telat e ndryshkin as nga tetanozi! Ate e keni mbytë!
■HAPNI DOSJEN “Bedrije Ashikja”!..

■Fjalët “REVOLUCION KULTURAL” donin me thanë: “Shpërftyrim i njeriut”!
Sigurisht, kjo jo, per të gjithë!

■Heroina Bedrije Ashikja, mbasi bani shumë vjetë burg, nuk i mjaftoi komunistëve vuejtja e Saj sa e sa vjeçare, duhej interrnue fatzeza në Hajmel... Ishte thirrë nga Sigurimi per me “deponue” per Imzot Ernesto Çoben, në një mbledhje të lagjes së Saj, se: “Ishte pa nga dritaria e Mark Berishës, karrshi Kishës së Madhe, ku shpesh aty shkonte edhe Xhemal Dini dhe Angjelin Kumrija, me “ndonjë agjent” tjeter, dhe survejonin kush hyn e del në Argjipeshkvijë... Një mbasdreke kishin pa edhe Bedrije Ashikën, që nuk mohonte se asht kenë tek Imzot Ernesto Çoba. Sigurimi i kerkonte Asaj me deponue tjera fakte që nuk ishin asnjë të verteta. Bedrija ua preu shkurt: “Këto që thoni ju, kerkoni atje ku jeni mësue, po jo tek unë, mbasi unë kam shkue me i lypë ndihmë 1000 lekë (të vjetra), se nuk kishe pare as me marrë buken, dhe Imzot Çoba mi ka dhanë. Tashti, ju kerkoni që unë “edhe ti shpifem Atij, që më bani nder... A jeni në vete ju, që e kerkoni këte?!”

■Në mbledhjen e lagjes zonja Bedrije nuk u mjaftue me aq sa i tha në zyren e Sigurimit, po me një guxim të paharrueshëm, Ajo ua perplasi per surrat veprat dhe moralin e tyne, me të cilët, ata kanë shkatrrue Shkodren dhe Rininë e Saj...  

■Fatkeqsisht, zonja Bedrije Ashikja e mbylli jeten me një smundje të randë “harrese”, që ndoshta, shpesh asht edhe per t’ Ua pasë zili Atyne fatzezëve që sakrikuen aq shumë!
HAPNI DOSJET !

■Figura të Mëdha dhe të nderueme, duhen kujtue!

Një nder Ata... asht edhe zonja Bedrije Ashikja!   

            Melbourne, Qershor 2016.





Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...