Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/07/07

Në një artikull për Shqipërinë, kryebashkiaku promovohet si pasardhës i Ramës si kryeministër

Gjiganti britanik, BBC, në një reportazh kushtuar Shqipërisë, për proceset e integrimit të titulluar “Ne nuk duam të jemi jashtë BE-së”, të gazetarit Andrew Hosken, nuk harron të lançojë dhe kryebashkiakun Erjon Veliaj, si një pasardhës të Edi Ramës. “Kryebashkiaku socialist i kryeqytetit shqiptar, Erjon Veliaj, i cili shihet gjerësisht si një kryeministër i ardhshëm, shprehet se Europa nuk mund të ndërmarrë me Rusinë ‘një politikë të fortë’ (matje forcash) me bomba dhe me aeroplanë”. Ndërsa Veliaj, i cili është zgjedhur jo rastësisht të pyetet mbi të ardhmen e BE-së, thotë: “Është fuqia e butë që e bën Europën atë që është. Nuk ka asnjë avantazh të të jetuarit në një geto dhe Ballkani Perëndimor është një geto e rrethuar nga Bashkimi Europian… T’i thuash dikujt që është në epiqendër të jetës publike europiane se jeta është më e mirë në stolat e pasmë të Europës dhe larg vendimmarrjes, kjo kërkon shumë besim”. “T’i thuash dikujt që është në epiqendër të jetës publike europiane, se jeta është më e mirë në stolat e pasmë të Europës dhe larg vendimmarrjes, kjo kërkon shumë besim”, shton Veliaj. Kurse gazetari e sheh Shqipërinë në këtë këndvështrim.
“Që prej rënies së regjimit në vitin 1991 dhe me ardhjen e demokracisë, Shqipëria ka luftuar për të trajtuar të shkuarën e saj komuniste. Politikanët e korruptuar, madje edhe gjyqtarët, kanë penguar rrugën e integrimit në pjesën tjetër të Europës. Edhe një numër ish-komunistësh kanë arritur të mbijetojnë në pushtet. Shqipëria e sheh anëtarësimin në BE si shenjën më të fuqishme se dekada të tëra izolimi kanë marrë fund”, shkruan gazetari.

2016/07/06

Ringjallja e Sterjo Spasses



Im atë, Sterjo të Ilinden Spasse!

(ese )


Nga Përparim Hysi

Çdo monografi që shkruhet për iks autor, ca më tepër kur kjo monografi promovohet, unë e quaj
ringjallje. Dhe mos e merrni si një metaforë, por si një ndodhi të bukur. Një ndodhi të bukur që nuk e shpika, po e përjetova. Pra isha në një"përjetim" të tillë dhe, çudia që nuk më çuditi hiç, qe fakti shumë domethënës: u ngjall, pas vdekjes, një nga prozatorët më në zë të Letërsisë Mbarëshqiptare, u ngjall STERJO SPASSE!


* * *
Nëse dyshoni në këto që po shkruaj, them që dyshimi është i kotë. Fare i kotë. Po të shihnit pjesëmarrësit e këtij riti kaq çudibërës, tak dhe do kthjelloheshit dhe do më jepnit të drejtë mua, që nuk po bëj gjë tjetër, por po sjell para jush, vetëm ca momente të atij akti kaq madhështor dhe pak të rrallë. Them kështu, se nuk ndodh me këdo. Monografia "Im Atë, Sterjo!" është shkruar nga i biri i Sterjos, Ilindeni, dhe është shkruar me aq dashuri dhe saktësi, sa, pas leximit, rri i mbresuar nga impresione të mëdha që nuk të lënë të flesh gjumë rehat. Pse është shkruar kështu, monografia bëhet aq e prekshme sa, edhe po nuk e pate njohur autorin, por dhe nëse nuk ke dëgjuar hiç për të, pas leximit të vjen e të fiksohet portreti i tij disaplanesh: si shkrimtar me një prozë aq të "përtypshme" për çdo stomak; si bashkëshort: model dhe i papërsëritshëm; si prind? Për t'u vënë në kornizë në një pavijon ku "lektorët" kanë se ç'leksion të mbajnë dhe mbi të gjitha: si shok e mik. Lista e gjatë e shokëve dhe miqëve të tij, flet për një NJERI që sot duhet vendosur në muze, për t'ua treguar brezave. Sidomos, duke filluar nga "brezi i sotëm" që po jeton të "ftohtët polar" të shoqërisë shqiptare.
* * *
Auditori ku u zhvillua kjo ceremoni aq e bukur, qe holli i Universitetit EUROPIAN . Ligjëratës kryesore e mbajti ZONJA NATHANAILI që duke vlerësuar një prozator të mizurës së STERJO SPASSES, me fjalën e saj elokuente diti të "freskojë" atë mjedis të nxehtë që, po t'i shtoje atë të nxehtë afrikan të ditëve të prapme të qershorit, bëhej dyfish i nxehtë. Ky "freskim", mandej, u thellua me ligërata aq shkencore të Doktor Sadik Bejko dhe Doktor Myzafer Berberi.
Si njëri dhe tjetri, kishin zhbiruar deri në qelizë çdo shkrim të Sterio Spasses dhe auditori u bë sy e veshë. Shkrimtaraja dhe përkthyesja, Meri Lalaj, tregoi në auditor se si shihej autori i "ringjallur" në rininë studenteske të viteve '60-70-të.
Por nuk qe vetëm kaq. Pjesëmarrësit qenë o bashkëmoshatarë të Sterio Spasses, o ca më të vonë. Sado që promovimi u bë në këmbë ( për ta bërë si në Evropë), pjesëmarrsit e shumtë ( mua m'u duk se më i "riu" isha unë që jam shtatëdhjetë e tre bukësh veç byreqeve që kam ngrënë), e përjetuan "ritin e ringjalljes" të prozatorit të madh dhe mikut të të gjithëve: STERJO SPASSE!
* * *
Dhe unë fola në këtë ceremoni, por, nëse tani po bëj këtë ese, këtë e bëj me qëllim për të folur pak më gjatë për Sterjo Spassen. Kurrë nuk flas me letër dhe kështu veprova dhe aty. Fola për Sterjon jo si shkrimtar, por për Sterjon si mësues; për Sterjon, atë maqedonasin nga Gllomboçi i Prespës së Vogël që, veç si shkrimtar, ka dhënë një kontribut me vlerë si autor tekstesh për nxënësit e shkollës 7-vjeçare e të mesme, më vonë. Më bëhej sikur e kisha në dorë edhe librin e gjuhës shqipe, por dhe librin e stilstikës, për mos shkuar më tutje. Fola për Sterjon se qe bërë proverbial qoftë dhe tek njerëz me dy gramëshkollë. Nuk ka se si tingëllon më bukur, kur dëgjon një dialog të tillë:- Pse? -Ohu, po psenë nuk e ka gjetur Sterjo Spasse!!! Vetëm kaq, do të mjaftonte që t'ia vlente një ringjallje e tillë. Ia vlente një "meshë" për të dhe, me të vërtetë, qe një "meshë e bukur".
Natyrisht, kur mora fjalën time, kisha shumë për të thënë. Por, sipas vendit, bëhet dhe kuvendi. Në atë "kuvend", me gjithë respektin që kisha për auditorin dhe organizatorët e këtij promovimi, ndjeva të më rrinin pak "rrobat ngusht", tek pashë pjesëmarrësit që të gjithë në këmbë dhe, u detyrova, t'u bija fjalëve dy hunj e një purtekë. U largova me një premtim. Diçka më tepër do shkruaja. Ndaj atë që nuk e bëra atje, po e bie sot me këtë shkrim timin modest.
* * *
Sterjon e kam njohur qysh kur ka qenë normalist, përmjet shkrimeve dhe, veç tjerash, nuk kam lënë shkrim apo vepër të tij pa lexuar: "Afrëdita","Afërdita përsëri në fshat","Ata nuk ishin vetëm"."Të fala nga fshati" për mos vazhduar me korpusin e romaneve për "Rilindësit e Co... Ka qenë dhe është një shkrimtar që lexohet me ëndje. Nëse ka një varg "Afërditash" në Shqipëri, nuni them është Sterjo Spasse. Edhe kaq nuk do ishte pak. Por më prekëse e bën para meje (dhe jo vetëm para meje), Sterjo Spassen si familjar. Më gjeni kund tjetër që një shkrimtar i madh të ketë dhe të pleqërojë me një bashkëshorte krejt analfabete si STERJOVICA aliaz NIKOLINA. Më gjeni kund një si Sterjo SPASSE që për 12-vjet pasmaretese, sakrifikon për familjen e madhe në Gllomboç. NIKOLINA (enkas e shkruaj në çdo gërmë me të madhe) del një zonjë që të rralla i ka shoqet. Shtëpia e Sterjo Spasses aty tek rruga "Him Kolli" kthehet në një "hotel" pa doganë. Ndodh kështu se pranë zemërmadhit,STERJO SPASSE, qëndron një ZONJË FISNIKE E BUJARE që quhet NIKOLINË. NJë simbiozë e bukur dashurie apo një çift i lumtur dhe i veçantë.
* * *
Në këtë "hotel pa para" vinë tërë presparët e largët dhe tërë miqtë e shumtë të STERJOS dhe të STERJOVICËS. Ky altruizëm nuk është libressk dhe as "rrëshqitje pene", por një realitet i prekshëm dhe shumë sinjifikativ. Në "hotel as kishte dhe as mbarohej" si në ato përrallat popullore dhe, për çudi, hapësira e ngushtë zinte e zgjerohej nga bujaria e të zotërve të shtëpisë.
Por, tek do flisja për Sterjo Spassen, nuk kisha si mos e veçoja nga gjithë shkrimtarët e tjerë (të vdekur e të gjallë), për miqësinë e gjërë e të sinqertë që mbante jo me një e dy, po me përmbi dhjetë e ca shrkimtarë apo artistë. Vargu i tyre është i gjatë dhe i biri, Ilindeni, i ka portretizuar më së miri ata. Aty në "Kasollen e Xha Tomit" nga duarët e STERJOVICËS, NIKOLINË kanë gjetur strehën e ngrohtë, një "aradhë e tërë shkrimtarësh", si: Ziaudin Kodra, Nonda Bulka, Mitrush Kuteli, Mahir Domi, Fatmir Gjata, Llazar Siliqi, Zisa Cikuli, Nexhat Hakiu ,Vedat Kokona,Spiro Çomora, Nasho Jorgaqi,Zisa Cikuli...dhe lista vazhdon: me presparë, me korçarë, me të njohur të vjetër e të rinj. Tek shkruaj me mirënjohje për të gjithë ata, nuk kam se si mos veçoj dhe mikun tim të ndjerë, të paharruarin, Mustafa Greblleshi. Ai më fliste veçarrisht për këtë miqësi. Mustafa Greblleshi është njeriu që më ka dhënë shkrepsen dhe më ka ndezur zjarrin për t'u ngrohur me letërsinë. Librin e parë (unë qaja tek e lexoja) që kam lexuar qe "Gremina e dashurisë" dhe autori,aso kohe, më dukej qiellor. Kur u rrita, për çudi, këtë "qiellorin" e gjeta në tokë. Sado që pompa e bojës mbi kurriz ia kish vrarë shpatullat, të imponohej me atë bust atleti. Qe fati i bardhë që Mustafa Greblleshi të ishte vetdora, vëllai i profesoreshës ime të nderuar, Vjollca Omari dhe në shtëpinë e saj, në Fier, e takova këtë qiellori. Ishte me të bukurën, Rushi! Rushi si HIRUSHE! Qiellori kishte gjetur qiellin e tij. Por, pikërisht, ky shkrimtar kaq i bukur, kish provuar burgun dhe tani, në epokën e "ndritur" të partisë, punonte bojaxhi.
* * *
Nuk e solla kot, pak më gjatë, të ndjerin Mustafa. E solla enkas: për t'u thënë të gjithëve se "Kasollja e xha TOMIT" ku qeversinit SPASSE dhe STERJOVICA as që pyesnin për dallimet klasore. Aty do gjeje dhe Manush Peshkëpinë që e pushkatuan kot fare; do gjeje Nexhat Hakiun atë "lirikun" e bukur që "vranë si në gjumë"; do gjeje atë PETËR ELEZIN; shpatarakun që varrin donte në SHpat; gjeje Nondan aq "ikonjito" me biçikletë që tek sillte "libra të ndaluara". ngjante me ata ilegalët e kohës së luftës që gjitnin trakte nëpër mure; gjeje Mahir Domin e pafjalë; Fatmir Gjatën që nuk u "tregua trim" nga një provokim i hapur... gjeje... epo kë nuk gjeje. Bohemët kishin gjetur "kishën" ku faleshin. Edhe "nuni" STERJO, por dhe "nunesha" STERJOVICË i priste, si gjithmonë, me buzë të qeshur.
Sa momente prekëse të kësaj miqësie të sinqertë gjen në monografi. Dhe më prekës bëhesh, kur sheh Sterjon në momente kur ndahet me këta miq. Ka një përjetim emocional dhe, tek sheh lotët që rrjedhin për njërin apo tjetrin, tak përlotesh dhe vet.
* * *
Natyrisht, në këtë monografi kaq voluminoze, nuk ke se si mos përjetosh dhe ato çaste gëzimi apo dhe hidhërimi të SPASSEVE si familjar. Pena e të birit, Ilindenit, ka rrëshqitur pak me gjakftohtësi duke na sjell parasysh një prind dhe një gjysh të dashur aq sa nuk gjen një të dytë. Tek e shoh këtë monografi, pak më thellë, në optikën time fiksohet mendimi se, deri më sot, nuk ka një monografi kaq cilësore sa kjo e Ilindenit, për të atin e tij, STERJO. Duket sikur pema ka rënë nën pemë. Por, për t'u shprehur edhe ca më saktë për Profesor-Doktor Ilinden Spasse, më duket se do isha më i drejtpërdrejtë, po të thosha: " ILOJA ia ka zgjatur hijen babait". Më tej, komentet janë të tepërta.

Tiranë, 5 korrik 2016

Ali Asllani, dritëhijet dhe vepra e rrallë “Mbreti ynë”, 1935, që mori në qafë lirikun e madh

50 vjetori i vdekjes së poetit Ali Asllani


Image result for ALI ASLLANI


Ali Asllani, dritëhijet dhe vepra e rrallë “Mbreti ynë”, 1935, që mori në qafë lirikun e madh


Studim


MSc. ALBERT HABAZAJ/ studiues*

Kemi plot 50 vjet pa e parë me sy Ali Asllanin. Po bëhen 80 vjet pa i parë më të ribotuara në libër 8 vjeshërimet e para të poetit elegant, përkthyesit brilant, atdhetarit të zjarrtë, diplomatit largpamës, pushtetarit punëmbaruar, politikanit shqiptar, qytetarit aristokrat e dashnorit të vesuar të poezisë, Ali Asllani. (Bëjmë fjalë për vjershat e botuara, jo ato të pabotuarat, që s’i pamë kurrë). Ali Asllani u lind në Vlorë, me baba Asllan Sulejmanin nga Vajza e Lumit të Vlorës, Labëri dhe nënë Hyrie Meminaj nga Trevllazri i Topalltisë 28 nëntor 1884. [Studiuesi Bardhosh Gaçe paraqet datëlindje të poetit 20.11.1882, ndërsa kritiku Mark Gurakuqi nëntorin e vitit 1883, mbështetur në bisedën e bërë me xha Aliun, në Tiranë, më tetor 1960]. Mbylli sytë në Tiranë, më  20 dhjetor 1966, në moshën 82, 83 apo 84 vjeçare. Në Vajzë e kaloi fëmijërinë poeti, tek të afërmit nga baba, se, kur qe 6 vjeç e la i ati, e, kur u bë 9, i iku dhe nëna …Tipik qe Ali Asllani, i ngjashëm me vetveten. Aqsa emër i përveçëm dhe i veçantë në letrat shqipe, aq dhe figurë komplekse me qëndrime kontradiktore. Veçse gjithmonë një fisnik i klasit të lartë. Dhe ishte 51, 52 apo 53 vjeç kur botoi libërthin e tij të parë në shtypshkronjën “Atdheu”, Vlorë …


Edhe në kohën e kaluar, tek-tuk, janë botuar libra me poezi të Ali Asllanit. Por, si të thuash, qe gjetur një “status quo”. Edhe sipërorët e ububushëm të kohës “as i bënë, as u bëri zhurmë”[1]. Marrëveshje e dëshiruar apo e detyruar Poet - parti shtet: “Mos më nga, mos të ngas!”, këtë veç e hamendësojmë, se s’mund ta dimë të saktën. Po kush është ai njeri, që s’e do qetësinë në jetë, që nuk e ka tendencën e një jete të rehatshme?! Edhe pse plak, Ali Asllani mbahej pastër e bukur dhe një ditë s’e hiqte kravatën nga jaka e këmishës, sikur të ishte ende ambasador në Europë (siç qe në kohën e Zogut) apo Sekretar i Përgjithshëm i Ismail Qemal bej Vlorës (në kohën e Pavarësisë). Biografia politike, diplomatiko-shtetërore e “Bilbilit të Vlorës”, siç e quanin miqtë poetin e Labërisë, tashmë njihet nga lexuesi shqiptar, prandaj nuk e shikojmë të arsyeshme ta trajtojmë në këtë punim.
Poezia e tij ka qenë përherë e frymëzuar, me ndjenja të holla e të larta, e sinqertë, e dashur, sociale, sa autoktone, aq universale. Përherë binte era trëndelinë, zbukuruar natyrshëm me ngjyrën e lirisë. Në luhatjet që ka pasur gjatë jetës, nuk ka asgjë oportuniste përveç iluzioneve të zakonshme, që mund të ushqehen në çaste të caktuara të historisë nga cilido qoftë. Portreti poetik i Tij është diellor, veç jo si ai dielli i nxehtë që të djeg, por si një diell i ngrohtë, që të shëron xhanin me vargjet e tij më të mira. Dhe e fshehim akoma, se paska dritëhije në udhëtimin politik të xha Aliut?!… Dhe i themi me gjysmë zëri apo fshehurazi, me pësh-pëshe e cepeve si ato gratë e liga?! Bëjmë mirë apo i bëjmë mirë poetit kështu? Patjetër, jo. Na vjen në ndihmë dhe na kthjellon mendimin vërejtja e studiuesit, poetit dhe përkthyesit të paharruar Jorgo Bllaci, kur shkruan: “Në disa parathënie e pasthënie të librave të tij, botuar pas vitit 1962, si dhe në disa monografi, më ka rënë në sy pasaktësi (të mos them dashakeqësi) për qëndrimin e poetit ndaj okupatorit fashist thuhet se gjatë kohës së Luftës Nacionalçlirimtare, ai ishte anëtar i Këshillit të Naltë të Shtetit. Në fakt, këtë emërim e ka marrë para zbarkimit të trupave fashiste në trojet tona. Vërtet emri i tij figuron në listën e atij këshilli, madje edhe në atë të dërgatës që do t’i shpinte Viktor Emanuelit në Romë kurorën e Skënderbeut, por vetë ai, në shenjë proteste ndaj pushtimit, u tërhoq nga jeta politike, braktisi kryeqytetin dhe vajti në fshatin e prindërve të tij, në Vajzë të Vlorës”[2]. Dhe atje, në Vajzë, në fillim të vitit 1942, xha Aliu shkroi “Hakërrimin” aq tronditës, më të fuqishmin krijim që qe shkruar gjatë Luftës, të cilën ata të “nacionalçlirimtares” e shpërndanë me traktet e tyre. Por, pas Çlirimit xha Aliu s’kish as “triskë fronti”, as shtëpi, as pension. Me pak të ardhura që nxirrte nga përkthimet në Institutin e Shkencave rronte, veç nuk ulej.
Ai e adhuronte poezinë e Fan Nolit, sepse e vlerësonte shumë “Viganin liberator” për forcën e ndjenjave, mjetet stilistike të një mjeshtërie të përsorur, edhe për poezitë me motive biblike, për sistemin stilistiko-figurativ alegorik. Ali Asllani e çmonte Theofan Stilianin sidomos për diturinë, që, siç do ta vlerësonte më vonë Kadareja, qe “Kryeministri më i kulturuar evropian, në vendin më të prapambetur”[3]. Poeti lab i dinte përmendësh dhe i recitonte me dëshirë kryeveprat e Nolit: “Elegji për Luigj Gurakuqin”, “Himni i Flamurit”, “Elegji për Bajram Currin”, ndërsa vjershën “Tomsoni dhe kulçedra” e citonte shpesh si kulm të forcës dhe muzikalitetit të fjalës shqipe. Noli, me pseudonimin Rushit Bilbil Gramshi, kishte përkthyer Rubairat e Kajamit). Asllani kishte kulturë të gjerë dhe ia kishin nevojën në të tri kohët që jetoi (të Ismail Qemalit, të Zogut, të Enverit). Qe mik i Gjergj Fishtës homerik e Lasgush Poradecit kozmogonik, i nobelistit indian Rabindranath Tagore dhe klasikut të poezisë greke Kostis Palamas. Ai e kishte shumë qejf poezinë persiane, sidomos rubairat e Omar Khajamit (Hajamit) i përpinte, saqë kuptohet ndikimi dëshiror nga liriku magjepsës i vendit të trëndafilave (Persia, Irani i sotëm). Lexohet patjetër ndikimi nga lirika popullore shqiptare, sidomos nga poezia gojore e trevës së Lumit të Vlorës nga kishte origjinën, jo vetëm në motivet labërishte. Edhe dimensioni lindor i rubairave të Omar Khajamit, që vjen si reminishencë me musht, i rri bukur vargut të freskët të Ali Asllanit. Por Asllani nuk imiton majmunërisht si ndoca poetucë liliputër të kollarepsur e që fryhen si kokoshat e vitit të ri, të shkretët…
Vjershat dashurore - erotike, që ka krijuar pena e shpirtit të tij si modeli i Princit të Kaltër Lirik, kënga e popullit i ka në gjirin e saj si thesar shpirtëror. Qytetarët i dinë përmendësh këngët e Ali Allanit, të rinjtë i përdorin si citate dashurie, ndërsa të plagosurit nga dashuria si receta shërimi. Në Vlorë dhe në Labëri të thonë se dashuria e ka selinë në vargjet e Ali Asllanit… Po ai valëzim baladesk i fjalës poetike, po ajo frymë e ëmbël mitike që të shkrin e të njëson me shpirtin aliasllanian a nuk është vetë dashura e jetës e për jetën, të dashur deri në qelizë? Prof. Aurel Plasari ka pikasur se poeti lab “edhe në poezinë politike apo dhe në atë atdhetare u bie fort notave erotike”. Por, ç’t’i bësh? S’i ndalon dot vargjet e tij që t’i dinë dhe një tufë nga këta horrat e zuzarët që kemi në krye, që janë bërë si derra e dosa, por fare të padobishëm për integrimin europian e qytetar të Shqipërisë tonë të dashur e hallemadhe nga zorzopët e drejtimit. Duke u ruajtur se mos biem në eufuizëm, gjykojmë se sikurse Gëte shkonte aq mirë letrarisht me Shilerin edhe Ali Asllani me Lasgushin “në sojin e vet rri i rinuar harmonishëm, si një disktik që secili ka shok veten”[4], siç bën bukur cilësimin studiuesi dhe poeti Agim Shehu. Ka raste që na vijnë paralele drite nga Gëte për Ali Asllanin. Sinqerisht, na krijohen ca paralele të largëta e të zbehta midis gjeniut Gëte të Gjermanisë së madhe dhe grimcëzës gjeniale Ali Asllani të Shqipërizës së vogël: 83 vjeç qe Gëte kur mbylli sytë. Më 1785 ftohet nga dukesha e Vajmarit dhe i biri Karl Augusti. U bë poet oborri dhe funksionar i lartë i këtij oborri, ministër shteti. I një shteti që bëri kushtetutë. Johann Wolfgang von Goethe (Gëte, 28 gusht 1749-22 mars 1832) lidhi një miqësi të ngushtë letraro-diturore me Johann Christoph Fridrich von Schiller (Shiler, 10 nëntor 1759-9 maj 1805). Gëte dhe Shiler, në fillim të jetës letrare u vunë në ballë të lëvizjes iluministe romantike “Stuhi dhe vrull”. Ata bënë epokë në letërsinë gjermane. Por, edhe këtu në Shqipërizën tonë të vockël, një Ali Asllan i madh iku 83 vjeç. Edhe ai i shërbeu mbretit dhe u bë poet oborri. I një shteti që bëri kushtetutë. Ndër të metat e shumta që ka Zogu, mbarëpranohet pozitivisht që bëri kushtetutë. Edhe Asllani njohu një lirik të përvëluar zemrash, zotni e aristokrat i lartë. Ai ishte Lasgush Poradeci (Llazar Sotir Gusho, 27 dhejtor 1899-12 nëntor 1987). Pati miqësi të mirë vlonjati me pogradecarin dhe koha i klasifikoi si dy lirikët më të mëdhenj të poezisë shqipe, duke e tejkaluar kohën që jetuan. Edhe sot pëlqehen po aq sa në vitet ’30, kur shkëlqyen. Ali Asllani, ashtu siç qe në fillimet iluministe dhe romantike, rrojti romantik dhe romantik vdiq, “or tungjatjeta! Amore felicita!”. Femrën e donte të shëndetshme e plot hire, dashurinë pa moshë. Për xha Aliun, njërin nga qytetarët e parë të Republikës sonë të Letrave, i papërsëritshmi Fatos Arapi më ka thënë: “Ali Asllani është gjurmë ku shkel vetëm suferina shqiptare”. Dhe vërtet, korpus madhështor me vlera është vepra e Ali Asllanit në Republikën e Letrave Shqipe, se është një nga poetët më të mëdhenj të letërsisë shqipe, ashtu sikurse e kanë vlerësuar studiuesit seriozë.
Qëndrimin ndaj rilindasit realist të Letërsisë shqipe të kohës që jetoi e përcakton drejtë prof. Muzafer Xhaxhiu: “… vepra poetike e Ali Asllanit (me ndonjë përjashtim të rrallë) është gjykuar së prapthi, nuk është parë me objektivitetin e duhur, sidomos pas vitit 1944, ajo i është nënshtruar “analizës” me tendenciozitet politik ideologjizues”[5], që bëri të shmangej gjithë ai emër fisnik i letrave shqipe, deri në mospërfillje. Miku im, Ferdinant Sulaj, nip i Poetit, duke pirë kafe buzë detit, para nja 15 ditësh, na thotë: “Harrimi, indiferenca dhe lënia në hije janë goditje më e rëndë se çdo dënim çfarëdo, ngaqë dënimi publikohet, merret vesh dhe interpretohet, kurse këta tregues përmbledhin ndalimin e botimit e përndjekjen, sepse, në fund të fundit, Ali efendiu, - siç i flisnin më të mëdhenjtë në shtëpitë tona dhe në odat e Vlorës - shihej me sy të shtrembër, apo jo? Megjithatë, këto rrethana nuk e penguan elitën e poetëve shqiptarë, me Dritëroin, Jorgo Bllacin, Kin Dushin, Drago Siliqin, Dalan Shapllon, Nasho Jorgaqin e miqtë e mirë të letrave që ditën kur vinte Ali Asllani në klubin e Lidhjes ta kthenin në ditë feste e gëzimi letrar, sepse humorin, qytetarinë, fjalën, sqimën liriku aristokrat i kishte magjike”. Si duket, Ali Asllan = magnetizim.
Ndërsa, në kohën e sotme janë bërë botime e stërbotime, duke pretenduar se publiku po njihet me veprën e plotë letrare të tij. Megjithë reklamimet e bëra aq bujshëm, poeti, diplomati dhe atdhetari i madh i vargut elegant dhe i veprimit qytetar, ende s’është thënë e lexuar i tëri.
Do të ravijëzojmë sadopak çështjen se përse Ali Asllani ende s’është lexuar i tëri. Përgjigja e parë që na vjen ndoresh është se ai patjetër s’është botuar i tëri. Më moshatarët në Vlorë thonë se, ende nuk po e shohim atë Ali Asllan që kemi njohur, që na kanë rrëfyer të parët tanë; ata, të cilët e kanë njohur vërtet të plotë atë, emrin, bëmat dhe veprën letrare të tij, lënë shkruar. Në poezitë e xha Aliut, ku spikat furishëm shpirti atdhetar trazuar bukur dhe me finesë me ndjenjën poetike, vërejmë se vjershërimet romantike i ka entuziaste dhe s’bën t’u futësh gërshërë e t’i qethësh, (aq më tepër sot, kur kemi veshur poture moderniciteti dhe gunë të qytetarisë demokratike). Është i turpshëm dhe i pamoralshëm gjesti i “bllokimit” që i bëhet asaj pjese të krijimtarisë letrare të Lirikut të madh të Labërisë, Vlorës dhe Shqipërisë, e cila, nga “pronarët” e shkrimtarisë shqiptare, ende gjykohet si letërsi dekadente e “pa partishmëri proletare” (sot kupto: interes ose para). Poeti ka krijuar si i ka ardhur muza, ato i që ka ndjerë shpirti. Ai ka shkruar për ndjenja, mendime, vende, njerëz, ngjarje, edhe për persona, që me bëmat e tyre “pozitive” apo “negative”, patjetër janë futur në fondin e historisë së popullit shqiptar, por  nga të pasmit e vertikalitetit drejtues u trajtuan si personazhe historikë të liq, të zinj, jo të mirë, të kuq. Hajde, dakort për dje, po sot, një çerek shekulli demokraci?!...Është thënë e shkruar që A. Asllani ka shkruar vjersha që në moshë të re, por u bë i njohur me poemën “Hanko Halla”, që e botoi në vitin 1942 (në fakt poema është shkruar në vitin 1929 dhe botimi i parë i saj është bërë në vitin 1932). Në librin “Studime për letërsinë shqiptare” (1988), gjatë analizës që i bëhet poemës së Musarajt “Bujku i Hanko Hallës” (vb. 1934) shkruhet: “Në këtë poemë për herë të parë Shevqet Musaraj ka përdorur gjerësisht gjuhën, frazeologjinë, sinkaksin poetik dhe vargun popullor, vërtet sipas modelit të përpunuar prej Ali Asllanit, po të pasuruar e të përshtatur temës së veprës dhe tipit që është vënë në qendër të saj”[6]. Edhe në disa libra të lirikut vlonjat apo kushtuar atij (që panë dritën e botimit pas viteve 1990-të) jepet e paplotë bibliografia e botimeve të autorit. Por, specialistët e fushës në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, njerëzit e arsimuar dhe të specializuar për katalogimin e librit e bëjnë mirë punën; atë që u takon, që duhet të bëjnë, e bëjnë detyrën me korrektesë shkencore. Gjykojmë se një studiuesi të veprës poetike të Ali Asllanit, mund t’i vlejë informacioni i mëposhtëm, të cilin po e paraqesim vërtetësisht, (dhe e ndjejmë si detyrim, mundësi dhe kënaqësi), meqenëqë kemi arsimimin e specializimin në fushën e shkencës së Bibliotekonomisë. Numri i regjistrimeve të gjetura në faqen elektronike të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë në Katalogët Online për autorin Ali Asllani është 17 dhe numri i regjistrimeve të shfaqura është 17. Dhe konkretisht, nga vepra letrare e botuar e Ali Asllanit, në Bibliotekën Kombëtare janë regjistruar këto njësi bibliografike:
1. “Mbreti i ynë”: vjersha; Vlorë, Shtypshkronja "Atdheu", 1935, 10 faqe, (4 kopje);
2. “Mbreti i ynë”: vjersha për zogun; Vlorë, Shtypshkronja "Atdheu", 1936, 10 f., (3 kopje), [Libri që kam unë (i vitit 1936) ka 12 faqe];
3. "Hanko Halla": Tiranë; “Kristo Luarasi”, 1942, 54 f., (5 kopje);
4. Vidi vidi pullumbeshë dhe Hanko Halla”: vjersha, paraqitur dhe red. nga Razi Brahimi, Tiranë: “Naim Frashëri”, 1960, 144 f. (18 kopje);
5. “Shqipëria kryezonjë”: vjersha; Tiranë, “Naim Frashëri”, 1962, 63 f., (5 kopje);
6. Vajzat dhe dallëndyshet Tiranë, “Naim Frashëri”, 1964, 83 f., (7 kopje); [libri ka red. Donika Omarin, por nuk është shënuar në përshkrimin bibliografik të katalogut të Bibliotekës Kombëtare, Tiranë];
7. “... Ku merr zjarr rrufeja: vjersha të zgjedhura dhe "Hanko Halla", [përmbledhje, (antologji)]; Tiranë: “Naim Frashëri”, 1966, 211 f., (5 kopje);
8. [Poezi]; [Titulli i serisë: Poezia shqipe]; Tiranë, “Naim Frashëri”, 1975, 89 f., 1 fletë portret, (4 kopje);
9. “Vepra”, zgjodhi dhe përgatiti: Kajtaz Rrecaj, red. Fahredin Gunga; Prishtinë, Rilindja [(Ky titull përbëhet nga V. 1: Poezi; V. 2 Poezi. Jeta dhe vepra): Vepra 1, 1984, 187 f., me 1 fl. portr., (3 kopje);
10. Vepra 2: Poezi. Jeta dhe vepra, 1984, 221 f. me 1 fl. portr. dhe  bibliografi], (3 kopje);
11. “Poezi të zgjedhura”, përgat.: Jorgo Bllaci, red.: Jorgo Bllaci, Bardhosh Gaçe; Tiranë: “Naim Frashëri”, 1996, 209 f., me il., (5 kopje);
12. “Vidi-vidi pëllumbeshë”: poezi të zgjedhura; red. Bardhosh Gaçe, Tiranë, Toena, 1999, 294 f.; (Titulli i serisë: Kambana. Poezia e zgjedhur shqipe), (4 kopje);
13. “Hanko Halla”: poezi të zgjedhura, përgat. për shtyp: Përparim Xhixha, Tiranë: Mësonjëtorja e parë, 1999, 142 f., 1 fl. port., me parathënie një esse e Fatos Arapit "Kohët dhe poeti", (5 kopje);
14. “Këngë të dashurisë”: poezi, red. Xhevahir Lleshi, Tiranë: Uegen, 2004, 84 f., (5 kopje);
15. “Hanko Halla”: poemë, red. Xhevahir Lleshi, Tiranë: Uegen, 2004, 48 f., (5 kopje);
16. “Hanko Halla”: poemë, Tiranë: “Naim Frashëri”, 2006, 94 f., (5 kopje);
17. “Vepra e plotë poetike”, përg.: Nasho Jorgaqi, Ardian Klosi; Tiranë: K & B, 2011, 381 f.; kopert. mbi aut. - dy fjalë në hyrje: f. 11-13 nga përgatitësit, (5 kopje).
Ndër studimet e reja kushtuar veprës së tij kujtojmë 3 monografitë e përgatitura nga prof.dr. Bardhosh Gaçe:
1. “Ali Asllani, liriku i madh i poezisë shqipe”, Tiranë, Eurorilindja, 1998, 39 f.];
2. “Ali Asllani në kujtimet dhe studimet letrare”, red. Nasho Jorgaqi, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1997, 302 f.;
3. “Ali Asllani në kujtimet dhe studimet letrare”: ribot. i ripunuar, Tiranë, Toena, 2006, 440 f.;
- përmbledhjen “Ali Asllani, princi i lirikës shqiptare: konferenca shkencore”, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Akademia e Shkencave, Tiranë, Universiteti Teknologjik “Ismail Qemali”, Vlorë; Tiranë, Maluka, 2007, 164 f.;
- si dhe monografinë e autorit Shkëlqim Zotaj: “Tipologjia e lirikës së Ali Asllanit”, sprovë letrare, red. Bardhosh Gaçe, Tiranë, Globus R., 2007, [164 f.] 
Ndërkohë, që vërejmë se vepra e plotë, (ajo e plota fare, jo ajo që reklamojnë botuesit e derisotëm) e Ali Asllanit ende nuk është botuar as sot, një gjysmë shekulli pas vdekjes së Tij. Nuk njihet deri në fund vepra e tij apo ende sundon mentaliteti? Pse? Nga kush paskemi frikë xhanëm? Vuakemi nga komplekset e së kaluarës. Na mundoka mirëfilli apo s’e pranokemi dot hapësirën e pastër, të kaltër, të bukur, të mirë e të dobishme të demokratizimit qytetar të vetvetes, të shpirtit tonë, vetëdijes sonë, fjalës së folur dhe  sidomos asaj së shkruarës. Pse, o, kaq keq na paska kompromentuar e deformuar pjesa e poshtme e letërsisë ideologjike socrealiste, me kornizat e shkrimit bardhë e zi, me funksionimin e skemave të krijimit në rresht?! Me çfarë sonde u dashka larë stomaku i këtij lloj mendimi të indoktrinuar që na paska pushtuar materien dhe ndërgjegjen tonë segmentare, saqë nuk u çliruakemi dot?! Apo, mos vallë duam vetë të vuajmë nga ky lloj pushtimi?! Akoma vetëm poetët partiakë me poezi partististe do të promovojmë? (Sot: parti = interes+para). Kujtesa e leximit në këtë situatë po na sjell në ekran të vështrimit studimor thënien famëkeqe e me flamë të Leninit: “Poshtë letrarët pa parti!” Botojeni, ore të mjerë, poetin siç ka shkruar! Pse e censuroni kaq rreptë? Ç’keni ju?! Është stafeta e brezave që e gjykon veprën e tij. Është koha që i vë notën poetit për krijimtarinë letrare, në të cilën ka shprehur në mënyrë figurative mendimet, idetë e ndjenjat me anë të fjalës së bukur. Është përsëri koha që i vë notën poetit për nivelin artistik, morfologjinë poetike, rregullat e metrikës, stilin apo dhe stilistikën e gjuhës poetike të autorit, ritmin, përdorimin e mjeteve të ndryshme të përforcimit të shprehjes së fjalës, deri tek përdorimi i veçorive akustike të asaj fjale aq të ëmbël. Ali Asllani krijimtarinë letrare e ka tërësisht në formë vjershe dhe ajo na rrëmben, na bën për vete. Ka një bukuri magjepse, si ndër pak autorë. Asllani është një poet shqiptar që u lind, jetoi, luftoi, punoi, ndërtoi, udhëhoqi, gaboi, dashuroi, u plak e vdiq për Shqipëri dhe në Shqipëri. Ai donte një Shqipëri të mirë, me emër, me dinjitet, qytetare, të dashur, të bukur. Kjo vihet re në çdo vjershë të autorit e prandaj lajtmotivi i veprës së Tij letrare ngelen vargjet brilante: “Vlorën edhe Vlorën/ thelp e kam në zemër,/ ditën e kam dritë,/ natën e kam ëndërr…[7] Ai është gjitholog i vërtetë dhe një bilbil i bukur i poezisë shqiptare. Krijimtaria e Ali Asllanit, për veçoritë që ka, për individualitetin, tipiken, kontekstin, nëntekstin, këndvështrimin e trajtimit si poezi e rrethanave apo qëllimore, si art i Ali Asllanit mund të jetë shumë bukur një shkollë letrare për shkrimtarët e tjerë, një shkollë e mjeshtërisë artistike. Po atëhere, përse nuk botohet i plotë Ali Asllani? Se ka shkruar për Zogun? Edhe?!... “Ku është problemi”?! ... Ai, po ashtu, ka shkruar poezi të mrekullueshme dhe për Perlat Rexhepin, (njërin nga 3 heronjtë e Shkodrës, që, bashkë me Branko Kadinë dhe Jordan Misjen, ranë në përpjekjen legjendare më 22 qershor 1942 kundër fashistëve në Shkodër). Poezia “Perlat Rexhepi” e Ali Asllanit me 5 strofa 4 vargëshe, me rimë melodioze të kryqëzuar abab, është e dashur, frymëzuese, ka gjuhë të sinqertë e burrërore, vargje të mbrujtura me thekse shumë prekës, një gjashtërrokësh të thjeshtë e magjik, nota retorike, ku ngrihet i gjallë e madhështor portreti i bashkëfshatarit të tij - dëshmor lirie në përfytyrimin e lexuesit. Edhe për Vajzën (vendlindjen e tij), edhe për Vlorën, edhe për Labërinë, edhe për Shqipërinë ka shkruar me shpërthime romantike, herë me nota iluministe e himnizuese, herë me ngjyra realiste. Ai është qejfli në varg, qejfli në jetë, i ndezur në vargje siç qe në jetë, i pastër në vargje, siç qe një jetë. Qibar në çdo gjë, siç e njohin në Vlorë dhe Sovran i fjalës. Ai është Këngëtari i Lirisë. Madje, edhe nga personalitete politike të regjimit të kaluar ai është cilësuar KËNGËTARI I LUFTËS SË VLORËS, sepse i tillë ishte, sepse ai dhe askush tjetër e bëri Himnin e Luftës së Vlorës, atë këngë solemne kushtuar asaj beteje çlirimtare me dobi kombëtare, këngë që mbahet si simbol i asaj ngjarjeje të shënuar. “Vlora - Vlora” e Ali Asllanit u muzikua nga Thoma Nasi, vatrani atdhetar, i cili erdhi me bandën muzikore “Vatra”, që nga Amerika, se e thirri gjaku, kocka, zëri i të parëve, e kërkoi mëmëdheu, bashkë me trimat. Dhe kështu, vjersha e poetit, kryekatundarit, kryebashkiakut vlonjat u bë një vepër muzikore lirike, me përmbajtje patriotike, që këndohej jo vetëm nga kori, por nga gjithë luftëtarët e Njëzetës.
Le të kthehemi tek “dregëza” e xha Aliut, tek ajo kleçka në biografi, që ende mundoka keq botuesit tanë të shqyer (më falni … të shquar…). I thonë dhe rapsod ca nga këta kritikët tanë profanë me fasadë kollaresh a mjekrash të ditura. U duket se e zbresin nga piedestali, por s’e luptojnë që kohë e kohëra kalojnë e Ali Asllanit vetë vepra e tij e tejkohshme, e fuqishme e aktuale e bën profét të bardhë të artit të fjalës. Po çfarë thotë Ali Asllani në ato vargjet e pa njohura sot e 80 vjet, xhanëm? Nga leximi i libërthit kuptojmë se poeti (në atë kohë 51, 52 apo 53 vjeçar) ka krijuar 202 vargje, të thurura përkatësisht në vjershat “Zog i Parë”, “Fat’ i yn’ i mir’ udukë”, “Rreth Mbretit gjith vëllezër”, “Ka më tepër duf shqiponja, se kur fryn e vetëtinë”, “Me ty jemi”, “Mbani kokat atje sipër, ku mer zjarr’ e flak’ rrufeja”, “Në Atdheun e Shqiponjës” dhe “Flamurit kombëtar”, që janë vjersha lirike madhështore, ku lavdëron e himnizon mbretin e vendit në ato vite. Ali Asllani është shfaqur një zë i vërtetë i kohës që jetoi dhe vjen tek ky libërth siç qe, zëri i kohës së tij. Nuk mund të dilte nga koha dhe personazhet e asaj kohe që jetoi, (se e punësoi, e vlerësoi, e kënaqi, e joshi, e ndëshkoi, e shqetësoi dhe prapë e nderoi). Ky pra është Ali Asllani. Ka përdorur gjuhë romantike, lëvdata të tepruara dhe i ka bërë ca lajkatime të tepruara Zogut?! Po, i ka bërë. Është poet ai. Dhe poeti njeri është. Njeri i ndjeshëm, si të tjerët (më pak a më shumë - tjetër gjë), por që mund ta shprehë edhe artistikisht në vargje ndjesinë që ka. Ashtu e ka ndjerë. Ashtu i ka ardhur. Ashtu i paskej thënë, si duket, kali me fletë i Pegasit, kur poeti i hipi dhe u pa nga të tjerët për herë të parë më 1935 - ën me zërin e tij më vete, jo në kor me të tjerë. Nga Nexhat Hakiu mësojmë se vjershat e para A. Asllani i ka shkruar turqisht, kur ishte nxënës në gjimnazin e Janinës, [pas viteve 1898], sidomos në vitet 1902 - 1903 në të përkohshmet: “Malumat” (“Dituria”-Stamboll) “Mysaver fen e edep”, (“Përfytyrimi i shkencës dhe edukatës”, “Baballëk”, që dilte në Konjë[8], etj. Ndërsa, nga vjershat fillimtare poeti nis t’i botojë aty nga vitet 1913-’14. Në vitin 1914, kur ishte internuar në Itali hartoi një poemth me karakter patriotik, që mund të merret si pikënisja e veprimtarisë së tij letrare në gjuhën shqipe. Janë më tepër se 53 vjersha të shkruara me frymë patriotike, por shumica nuk e panë dritën e botimit. Ai botoi në shtypin e kohës në gjuhën shqipe krijimet “Mir’se ardhët” e “Marshi i Vlorës”, gazeta “Mbrojta Kombëtare”, Vlorë, 28 Tetor 1920; “Vjersha për shkollarë”, revista “Minerva”, nr. 1, 1932 (të vetmet për të vegjël që ai botoi). Në vëllimin “Vajzat dhe dallëndyshet” janë botuar fragmente nga poema didaktike “Kujtime të vjetra” (97 vargje në 5 kre) me shënimin në fund të faqes: “Poema “Kujtime të vjetëra”, prej së cilës botojmë disa fragmente, është shkruar në vitin 1921 në formën e këshillave për brezin e ri, i cili duhej ta shihte çdo gjë nën prizmin e interesave t’atdheut dhe të mos binte në kurthin e të liqve dhe armiqve”[9]. Po në këtë vëllim është botuar vjersha “Një flamë(një spiuni) me shënimin fundor: “Vlorë, 1917”.[10] E famshmja “Hanko Halla” u botua pjesë-pjesë në “Kosova”, nr. 1, 2, 3, maj 1932, Kostancë, Rumani (shkruar në Sofje, 1929), bot. i plotë i poemës: revista “Shkëndija”, nr. 24-25/ 1942); në vitin 1932 “Në Atdheun e Shqiponjës”, gazeta “Besa”, nr. 1273, viti 1935, etj.
Sipas M. Gurakuqit, në vitin 1932 do të gjejmë vjershën e parë të Asllanit kushtuar Zogut, titulluar “Mbreti ynë” (shih: “Besa”, 1932, viti II, Nr. 435, f. 2) botuar edhe në “Minerva” (shih: “Minerva”, 1932, nr. 2, f. 1). Një vjershë me të njëjtin titull do ta gjejmë prapë te “Minerva” dy vjet më vonë (shih: “Minerva”, 1934, nr. 23-24, f. 3), ndërsa më 1935 me të njëjtin titull do të botojë një libër. (shih: “Ali Asllani “Mbreti ynë”, Vlorë, shtyp. “Atdheu”, 1935). Ai vijon të botojë disa vjersha me karakter patriotik dhe shoqëror. Kështu më 1933 në “Minerva” boton vjershën “Zonjat hedhin valle” (shih: “Minerva”, 1933, Nr. 12-13, f. 8). Po në këtë revistë “Soirèe” (Festë) (shih: “Minerva”, 1933, Nr. 6, f. 14), në “Besa” vjershën “Flamurit kombëtar” (shih: “Besa”, 1933, viti III, nr.715, f. 3). Një pjesë të poemës së tij të dëgjuar “Hanko Halla” e botoi së pari në revistën “Minerva” më 1933 (shih: “Minerva”, 1933, Nr. 10, f. 4) e po në këtë vit, në të njëjtin organ, do të botojë një pjesë tjetër. Ali Asllani do të bashkëpunojë edhe në organe të tjerë, si “Ilyria” (vjersha “Ismail Qemali”, 1935), “Kombi” (vjersha “Gjoni”), “Bota e Re”, “Vatra shqiptare”, “Tomorri i Vogël”, Fryma”, “Revista Letrare” etj.
Në librin me poezi të zgjedhura “Vidi-vidi pëllumbeshë”, (1999) gjejmë krijime: nga cikli i lirikave të dashurisë si “Vajzat heqin valle”, e cila ka në fund shënimin 1929 dhe vjersha e gjatë “Vajza Shqiptare”, qershor 1930; nga cikli i poezive patriotike “Ç’do të thotë patriot?”, 1916; “Dëshpërim dhe shpresë”, 1918; “Buza ime kur do qeshë?”, 1918; “Do na bënet Shqipëria? (Si përgjigje pyetjes që bëri Halim Xhelua)”, 1919; “Sazani”, 1919; vjersha e gjatë “Ismail Qemali”, 1919, poema “Fejzo Xhafua”, 1919; “Unë dhe bota”, Vlorë, korrik 1919; “Vlora, Vlora! (Pjesa I - para luftës)”, 1919; “Vlora, Vlora! (Pjesa II - pas luftës”, 1920; “Mir’se ardhët” Vlorë, shtator 1920; “Këngë”, 1921; “Për dëshmorët”, 1922, “Ah, ky vënd…”, 1924 dhe “Mbani kokat sipër ku merr zjarr e flak’ rrufeja”, 1935; nga cilki i poezive shoqërore (satirike) “Një flamë (Një spiuni)”, 1917; “Ja programi im është ky”, nuk ka vit të shkruar, por shënimin “Kjo vjershë është shkruar me rastin e zgjedhjeve të deputetëve  në kohën e Zogut” (shih: f. 164) dhe poema e gjatë “Dasma shqiptare”, Sofje, qershor 1928.
Në librin “Vajzat dhe dallëndyshet”, botuar pas çlirimit është edhe poezia “Flamuri kombëtar[11] me 27 vargje dhe 7 thyerje vargfundorësh me fjalë 2-3 rrokëshe. Poezisë i është bërë një dush i mirë, duke i pastruar strofat ku përmendet Zogu. S’do mend shumë të kuptohet që poezia është qethur mirë e mirë nga vargjet e strofat me Mbret, sepse në botimin e vitit 1936 kjo vjershë ka 50 vargje[12].
Kritiku Mark Gurakuqi na ka lënë një ndër botimet më serioze për jetën dhe veprën letrare të Ali Asllanit, studim monografik (me gjithë ndonjë rezervë që mund të kemi, e cila do të dalë në vijim të kësaj trajtese). Ai shkruan “Një ndër krijimet ma të mirë poetike patriotike të Ali Asllanit asht vjersha “Mbani kokat atje sipër, ku merr zjarr e flak’ rrufeja!” (Asht vjersha e besimit, e bindjes se për Shqipninë do të vijnë ditë të bukura, edhe për ata që i kanë zemrat e plagosuna nga lufta, burgjet, “kurbetet e flamosura”. Këndej del edhe thirrja e poetit: “Pra të gjith’ për njëri-tjetrin dhe me bindje të patundur,/ Rreth flamurit të pandarë, rreth atdheut të pamundur,/ Të patundur, të pamundur, as nga era as nga reja,/ Mbani kokat atje sipër, ku merr zjarr e flak’ rrufeja!”[13]. Ky variant është botuar dhe në poezinë me të njëjtin titull në vëllimin me poezi të zgjedhura të vitit 1996[14]; po ashtu, pa asnjë ndryshim edhe në botimin tjetër vijues me poezi të zgjedhura të vitit 1999[15]. Kjo poezi është botuar edhe tek libërthi “Mbreti i ynë” me po të njëjtin titull: “Mbani kokat atje sipër, ku mer zjarr’ e flak’rrufeja”, por në 12 vargje. Në të dy botimet poezia ka 16 vargje dhe në fund të faqes vitin [e botimit] 1935. Në botimet e 1996-ës dhe 1999-ës strofa e parë: “Kurse dimri bën të tijat, faq’ e dheut ngelet keq,/ kurse dega, fleta thanen [thahen është në bot. e v. 1935[16]], çdo gjë vuan e çdo gjë heq!/ si një dorë, dor’ e zotit [në origjinal është shkruar me shkronjë të madhe: Zotit], ajo dor’që s’ka të dukur,/ dalngadalë, nënë tokë, përgatit behar’ e bukur[17] pothuaj nuk është ngacmuar. Strofa e dytë me vargjet 5-8 në botimet e 1996-ës dhe 1999-ës vjen në formën: “po ashtu dhe këtë ditë, ku gjith’ bota u goditë/ dor’ e bardh, e patriotve pa dyshim që përgatitë,/ përgatit një dit’ të bukur, një të arthme më të pasur!/ ku do qesh’e do dëfrej edhe zemra më e plasur![18]”. Në variantin e parë, që përbën strofën e dytë të vjershës, është shkruar kështu nga Ali Asllani: “Po ashtu dhe këtë ditë, ku gjith’ bota u goditë/ Dor’ e bardhë e Zogut t’Parë pa dyshim që pregatitë,/ Pregatit një dit’ të bukur, një të arthme shum’ të pasur!/ Ku do qesh’e do dëfrejë, edhe zemra më e plasur.[19]Është shtuar në të dy rastet një strofë, vendosur e treta në trupin e poezisë dhe pikërisht vargjet 9-12 “ku do qesh e do dëfrej’ajo nënë dhe ajo…haj!/ ajo nuse shamizezë rreth govatës laj’ e qaj’,/ rreth govatës laj’ e qaj’ me ca halle e plagosur,/ me ca halle, me ca burgje, me kurbete të flamosur!”. Duke u bazuar tek kjo strofë (e shtuar) M. Gurakuqi komenton poezinë patriotike të Asllanin, siç e sipërcituam (shih referencën 13). Por, në dy botimet e para, të viteve 1935-‘36 kjo strofë nuk është ...

Strofën e tretë dhe të fundit e vjershës, në botimin e parë, e lexojmë me këto vargje të Ali Asllanit: “Pra të gjith’ për njëri-tjetrin dhe me bindje të patundur,/ Rrotull Mbretit të pa ndarë, rreth’ Atdheut të pa mundur,/ Të pa tundur’ të pamundur, as nga era as nga reja,/ Mbani kokat atje sipër, ku merr zjarr e flak’ rrufeja!”[20]. Në botimet e viteve 1996 dhe 1999 kjo strofë vjen në variantin që përmendëm nga kritiku Gurakuqi dhe nuk e quajmë të nevojshme ta përsërisim.
Në librin me poezi të zgjedhura “Vidi-vidi pëllumbeshë”, (1999), siç vëmë re, është botuar dhe poezia “Mbani kokat sipër ku merr zjarr e flak’ rrufeja”, në 16 vargje me 3 strofa, e cila është gjetur e gjashta në ciklin 8 vjershor të libërthit “Mbreti i ynë”, po me titullin “Mbani kokat sipër ku merr zjarr e flak’ rrufeja”, 1935, por me 3 strofa katërvagjgjëshe=12 vargje. Në botimet e viteve 1935-‘36 nuk gjendet strofa e tretë që është shtuar në botimin me poezi të zgjedhura të vitit 1999. Vargu 6, strofa 2 (1936) është “Dor’ e bardhë e Zogut t’Parë, pa dyshim që pregatitë” (shih: bot. cit., f. 7), ndërsa po ky varg i kësaj strofe (1999) bëhet “dor’ e bardh, e patriotve pa dyshim që përgatitë” (shih: bot. përkatës, f. 146); pra është zëvendësuar emri i përveçëm Zog i Parë me emrin e përgjthshëm patriot. Vargu 10, strofa 3 (1936) është “Rrotull Mbretit të pa ndarë, rreth’ Atdheut të pa mundur” dhe bëhet “Rreth flamurit të pandarë, rreth atdheut të pamundur” (shih përkatësisht librat në faqet e sipërcituara). Në botimin e vitit 1999 është përfshirë vjersha “Flamuri Kombëtar”, f. 93 - 94, por pa vit botimi. Ka 27 vargje  në 8 strofa, kurse në botimin e v. 1936 ka 50 vargje në 16 strofa. Pra, në botimin e vitit 1999  vjersha vjen e qethur mirë, e përgjysmuar, ku, patjetër, gërshëra ka  hequr emrin e Zogut dhe vargjet idilike kushtuar atij nga autori, ato vargje ku fluturimet romantike asllaniane nuk mbajnë më fre: “Me një fat të bardhë borë,/ Më të bardh’ nga bor’ e malit;/ Bashk’ me ZOGUN me kurorë,/ Me një yll në mes të ballit”. […]
Pezmatueshëm, shtrojmë pyetjen: Akoma do të ecim me metodën e realizmit socialist, karakterin klasor të letërsisë, revolucionarizimin e mëtejshëm e të gjithanshëm të jetës së vendit, luftën dhe përpjekjet e masave punonjëse për kapërcimin e vështirësive të shkaktuara nga bllokada armiqësore, dënimin e njëzëshëm nga masat punonjëse të armiqve dhe tradhëtisë revizioniste, vizatimin e njeriut të ri muskuloz, heroik e vetëm me anë pozitive e me të tjera e të tjera lodhësira të tilla zverdharake e të bezdishme?! E pra, pse?! Se i ka shkruar ditirambe Zogut?! I ka thurur ode?! Po njihet ditirambi në letërsi. Është i ngjashëm me oden. Qysh në lashtësi, në Greqinë e Vjetër këndoheshin këngë korale, të gëzueshme e plot gjallëri për nder të Dionisit, perëndisë së rrushit e të verës. Edhe odet, si vjersha lirike a këngë solemne, me frymë të ngritur, që u kushtohen ngjarjeve historike të shënuara a njerëzve të shquar ose që shprehin me forcë ndjenjat e dashurisë, të nderimit, të gëzimit, të miqësisë, etj., janë përdorur për të shprehur diçka të rrallë, ndjesore sipërore, një mirënjohje të veçantë. Njihet dhe poezia e angazhuar. Pse gjeniu gjerman Gëte a nuk qe poet oborri i Weimarit? A nuk i ka thurur ditirambe ai dukës Carl-August [në fund të shek. XVIII (vitet 1775 e më pas)]? Por, në Vajmar Republika e parë Gjermane nxori kushtetutën e saj, ndërsa sot Vajmari njihet si kryeqytet i kulturës europiane. Mos të ikim tutje. Noli a nuk i ka kënduar ditirambe Skënderbeut?! Po të quajturat rapsodi të Lasgushit apo kënga e popullit tonë për Ismail Qemalin a nuk janë ditirambe?! Vetë vjersha e gjatë e Ali Asllanit kushtuar “Plakut profit” a nuk është e tillë?! Dritëroi e Kadareja a nuk i kënduan himne e ditirambe Enverit?! (Nuk po merremi me kakarisjet letrarucka që u lëpihen këtë çerekshekullin e fundit karagjozopolitikanëve tanë, jo vetëm të nivelit të sipërm, por edhe atyre më minorë, por të trashë nga qeseja dhe gjëmat që të bëjnë …). Gjithsesi, ky realitet shkrimor nuk ua ul vlerat dhe lartësinë letrare, që kanë fituar me penë e dinjitet krijues. “Bota, fatkeqësisht është reale”, shkruan Jorge Luis Borges. Pse u dashkan mohuar të vërtetat? Aq më tepër në letërsi. Poeti është pena artistike e kohës, është zëri i saj i zbukuruar me figura letrare. Bota ka kënduar dhe këndon ditirambe. Dhe do të këndojë. Edhe të pamerituara. Jetëgjatësia e tyre, udhëtimi që bëjnë në kohën e nesërme është treguesi konkret i vlerave artistike dhe estetike, apo dhe atyre morale, atdhetare, qytetare e universale të këtyre lloj krijimeve letrare, (të merituara apo të pamerituara). Ndërkohë, 76 vargjet sarkazmatike të “Hakërrimit” të tij të fuqishëm: “Hani, pini e rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,/ të pabrek’ u gjeti dreka, milioner’ ju gjeti darka!/ Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,/ gjersa populli bujar t’ju përgjgjet: peqe, lepe!/...Hani, pini e rrëmbeni, është koha e çakenjvet;/ hani, pini e rrëmbeni, ësht’ bot’ e maskarenjvet/…Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,/ dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’/…Ja, ja grushti do të bjeri përmbi kokat e zuzarëve,/ koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqiptarëve!... [1942] janë si 76 vetëtima titanike për pushtetarokaragjozët e sotëm, që nuk i reciton vetëm Reshat Arbana, Mirush Kabashi, Bujar Asqeriu apo Vaso Godo, por mbarë shqiptarët, të 10 miljonët!
Burimi i frymëzimit poetik dhe prodhimi letrar origjinal, autentik i Ali Asllanit përbën një rast unikal të krijuesit shkëlqimtar dhe të pashtershëm, që di si ta shfrytëzojë gurrën popullore, që di ta përzgjedhë ujin e kulluar folkorik, që di ta pijë, që di si dhe sa të pijë, me synimin që t’i bëjë mirë për shëndetin letrar të tij dhe të shqiptarëve. Krijimtaria e tij është bio labe, bijë letrare e natyrës shqiptare, e pastër, e virgjër, si ajo. Gjuha e tij lokale, kur shpërthen nga pena e mjeshtrit, merr përmasa universaliteti. Asllani është vështrirë të përkthehet në gjuhë të huaja, për të mos thënë që mund të jetë poeti i vetëm shqiptar, që më bukur se në shqip s’tingëllon në asnjë gjuhë tjetër të botës. E kush mund ta përkthejë, fjala vjen, vargun e tij: “Gugu-gugu guguftu!”, etj., etj. Se ka atë visar fjale, se përdor ato idioma të rralla si thesare shpirti, se ka atë magji arti, muzikalitet e fuqi vargu, lartësisht të bukur në thjeshtësinë dhe spontanitetin befasues të të krijuarit, ndaj Ali Asllani është ALI ASLLAN. Edhe ironinë e ka të bukur, jo fyese. I shkon, se di kur, ku, në ç’masë dhe për ç’efekt ta përdorë. Ai të kënaq shpirtin e të shëron xhanin në shqip. Si ai. Ku të gjendet një Fan Nol i Ri, që, ashtu si Noli i madh pruri në shqip Kajamin, Shekspirin, Servantesin e viganë të tjerë të letrave të globit, ta japë në gjuhë të huaja Ali Asllanin me tërë madhështinë e ndritshme të artit poetik që na la trashëgim si një shufër e rrallë floriri në letrat shqipe?!

*) Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Fasalchi”,
                    Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA






[1] )Shehu, Agim: “Nënshtetas i mbretërisë së lirikës”, shih: Gaçe, Bardhosh, “Ali Asllani në kujtimet dhe studimet letrare”, Tiranë, Toena, 2006, f. 111.

[2] ) Bllaci, Jorgo: “Miku i të gjithëve, Ali Asllani”, shih: “Ali Asllani në kujtimet dhe studimet letrare”, vep. e cit., f. 103-104.
[3] ) Hamit, Sabri: “Letërsia moderne shqiptare”, Tiranë, Alb-ass, 2000, f. 311.
[4] ) Shehu, Agim: “Nënshtetas i mbretërisë së lirikës”, vep. e cit., f. 113.
[5])  Xhaxhiu, Muzafer, “Kush është Ali Asllani”, po aty,  f. 77.
[6] ) “Studime për letërsinë shqiptare”, Pj. 2, Tiranë, Akad. e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Inst. i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, 1988, f. 398.
[7] ) Asllani, Ali; “Poezi të zgjedhura”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1996, f. 39.
[8] ) Hakiu, Nexhat; “Shkrimtarët shqiptarë, prej Lidhjes së Prizrendit deri sot [v. 1930]”, “Ali Asllani” Tiranë, Botim I Ministris’ Arsimit, 1941, XIX, Pj.2,  f. 326-327.
[9] ) Asllani, Ali; “Vajzat dhe dallëndyshet”, Tiranë, “Naim Frashëri”,1964, f. 13.
[10] ) Asllani, Ali; “Vajzat dhe dallëndyshet”, vep. e cit. f. 41.
[11] ) Asllani, Ali; po aty, f. 49-50.
[12] ) Asllani, Ali; “Mbreti i ynë”, “Atdheu”, 1936, [f. 10-12].
[13] ) Gurakuqi, Mark; “Jeta dhe vepra letrare e Ali Asllanit”, studim monografik, shih: “Ali Asllani në kujtimet dhe studimet letrare”, vep. e cit., f. 235.

[14] ) Asllani, Ali; “Poezi të zgjedhura”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1996, f. 49.
[15])  Asllani, Ali; “Vidi-vidi pëllumbeshë”: poezi të zgjedhura; Tiranë, Toena, 1999, f. 146.
[16] ) Asllani, Ali; “Mbreti i ynë”, “Atdheu”, 1935, [f. 7].
[17] ) Asllani, Ali; “Poezi të zgjedhura”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1996, f. 49; Asllani, Ali; “Vidi-vidi pëllumbeshë”: poezi të zgjedhura; Tiranë, Toena, 1999, f. 146.

[18] ) Asllani, Ali; “Poezi të zgjedhura”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1996, f. 49; Asllani, Ali; “Vidi-vidi pëllumbeshë”: poezi të zgjedhura; Tiranë, Toena, 1999, f. 146.
[19] ) Asllani, Ali; “Mbreti i ynë”, “Atdheu”, 1935, [f. 7].
[20] ) Po aty.

Eshref Ymeri: Një përkthim me një shqipe të shpifur

eshref ymeri

Tek po shtegtoja nëpër faqet e internetit, rastësisht hasa në një material me titull:

“Gjermani kërcënon: Du ju heqim statusin e vendit kandidat”.

Materiali ishte botuar në faqen e internetit të gazetës “Mapo” të datës 29 qershor 2016.

Menjëherë më bëri përshtypje shprehja në fillim të titullit “Gjermani kërcënon”, sepse ajo i kall drithërimën lexuesit se i kujton vitet e Luftës II Botërore, kur Hitleri gjithandej kërcënonte vendet e Evropës Perëndimore për t’i pushtuar

Por më e çuditshmja është se në vend të shprehjes “Do t’ju heqim statusin…”, është shkruar “Du ju heqim statusin…”. Kjo është e turpshme për një gazetë që e mban veten për serioze në raport me lexuesit e saj. Është e pahijshme për pronarin e gazetës, për kryeredaktorin, për redaktorin dhe për korrektorin, nëse një i tillë figuron ose jo si i punësuar në redaksinë e saj. Kjo është një mungesë e theksuar respekti për lexuesit dhe një shëmtim flagrant i gjuhës shqipe.

Në intervistën që i është marrë Kryetarit të Komisionit për Çështjet Evropiane në Bundestag, zotërisë Krichbaum, nuk thuhet absolutisht se kush është intervistuesi dhe kush është përkthyesi i kësaj interviste. Kjo duhet bërë e ditur, në mënyrë që lexuesit ta mësojnë se përkthyesi na paska qenë një copë injoranti që ka turpëruar faqen e gazetës “Mapo”. Por edhe nëse përkthimi ështe bërë përmes “Google”, situata bëhet edhe më e rëndë: kryeredaktori dhe redaktori e paskan marrë intervistën drejtpërdrejt nga përkthimi dhe, sikur të kishin të bënin me ndonjë bagazh hesapi, e paskan rrasur në faqet e gazetës, pa kurrfarë kontrolli.

Në përgjigjet që ka dhënë zotëria i nderuar Krichbaum, hasen mjaft fjali të shëmtuara, të cilat lexuesin e revoltojnë dhe e mbushin me maraz. Po citoj vetëm disa prej tyre:

Nese nuk gjendet kompromis reforma nuk do i jape drejtesine te pavaruar.

Kjo eshte e qarte per peicesurat e perzgjedhjes per keshillat e larte…

Ne ju mbeshtesim ne te gjitha ceshtjet, ne jete kuader moret statusin kandidat.

Zbatimit i ligjeve qe te vijne investitire dhe shqiperia te behet e besueshme.

Por, për çudi, po këtë titull të shëmtuar të intervistës në fjalë, e kanë të botuar edhe tri faqe interneti: “Piruni Media”, “Opinion”, “Opozita.Com”.

Vetvetiu lind pyetja:

Si është e mundur të lejohet botimi i një shëmtire të tillë në faqet e një gazete të njohur dhe të fyhet deri në këtë shkallë gjuha shqipe, të cilën e kemi pasuri me vlera të jashtëzakonshme kombëtare?

Botimi i kësaj shëmtire e ka burimin te tallja e politikës shqiptare me këtë pasuri kombëtare. Me sa kam informacion, në sirtarët e Kuvendit ka zënë myk Projektligji për Gjuhën Shqipe, i cili ka dhjetë vjet që prehet atje. Dhe kryetarët e Kuvendit, që hipin e zbresin nga kolltuku, nuk e kanë çarë kokën absolutisht ta shtrojnë për diskutim dhe ta kthejnë në ligj me kërkesa të rrepta për mbrojtjen e pastërtisë së gjuhës shqipe dhe të normave të saj si gjuhë e njësuar.

Hesht Qendra e Studimeve Albanologjike, hesht Akademia e Shkencave për moskalimin në Kuvend të këtij Projektligji, heshtin profesorët, të cilët janë specialistë të gjuhës shqipe dhe atë e kanë lëndë mësimi për studentët në universitet. Heshtin politikanët-deputetë për mbrojtjen e gjuhës shqipe nga ndotje të tilla flagrante, se jo pak syresh e bëjnë pis me fjalë të huaja, krejtësisht të panevojshme.

Gazeta “Mapo” duhet t’u kërkojë ndjesë publike lexuesve të saj pë fyerjen e rëndë që i ka bërë gjuhës shqipe me botimin e kësaj interviste me një leksik të përçudnuar.

Kolumbus, Ohajo

05 korrik 2016


************

E perkkrah plotesisht shkrimin e Profesor Ymerit per shperfilljen e gjuhes shqipe nga hallka kyçe dhe persona te rendsishem. Kjo me ngjanë, sikur eshte ringjallur nga Janullatosi dhe partneret e tij, perbuzja qe i kane bere gjuhes shqipe gjuhet e shpallura te shenjta nga Perandorite qe ne gjuhen e tyre kane pas perkthyer dogmat perkatese me mite te shenjta. Me duket sikur kjo eshte vazhda e shkombtarizimit te Shqiptareve, qe filloi me luften klasore kunder prones private, me grisjen e Marreveshje se Mukjes.

Akt ky, qe vendosi proletrizimin Bolshevik-leninist te pronareve ne teresi dhe pronreve-fshatare ne veçanti.

Me respekt

Prof.Dr.Vedat Shehu





Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...