Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/07/07

Maria Magdalena, Ungjilli i mëkatares dhe festa e Shënjtes

“Gruaja e Birit të Zotit është Miriami nga Magdala. Mësuesi e donte Miriamin më shumë se dishepujt e tij. Shpesh ai e puthte në buzë. Dishepujt  e shikonin se ai e dashuronte Miriamin dhe i thanë: “Përse e do më shumë sesa ne të gjithë?..
Luan Rama
Nga Ungjilli i Filipit, apokrif.
S’ka pak kohë që një dekret i Vatikanit u nxor për të kremtuar ditën e Shenjtes, Maria Madalena, ithtares së flaktë që e dashuronte aq shumë Jezusin. Dekreti i Vatikanit shkruante se data e 22 korrikut do të hyjë tashmë në kalendarin roman të festave të Vatikanit dhe se “kjo bëhet në një kohë kur kisha po reflekton gjithnjë e më shumë për dinjitetin e gruas; se shenjtja Mari e “donte shumë Krishtin dhe se Krishti e donte jashtëzakonisht atë”; se “ajo shihet si një model i gruas në shërbim të Kishës”. Ky dekret na rikthen në një refleksion të shumhershëm rreth mëkatares Maria Magdalenës dhe historisë së saj. Çfarë dimë ne për të?
Ky personazh i botës kristiane, që përmes shekujve ka ngacmuar aq shumë fantazinë e letrarëve dhe artistëve, vazhdon të jetë një personazh kontradiktash e “betejash” historike, veçanërisht midis Vatikanit dhe atyre historianëve që kur ndeshen me fakte të reja të historisë së vjetër, duan t’u japin atyre vlerën që kanë, edhe pse doktrinat e kanë vulosur në një farë forme fatin e tyre.
Maria Magdalena është padyshim një personazh tërheqës dhe ndoshta po aq tërheqës sa dhe fytyrat plot hir të një Isabelle Adjani apo Juliette Binoche që e kanë interpretuar atë. Duke udhëtuar në Izrael, në brigjet e liqenit të Tiberiadës, (Genesaret), rreth të cilit ndodhen shumë vende historike që lidhen me lindjen e Krishterimit, qyteza e vjetër Magdala, më ka rikujtuar menjëherë imazhet e Maria Magdalenës që kemi parë në filmat e realizuar vitet e fundit, dhe jo vetëm në atë të Martin Skorcezes në bazë të romanit të shkrimtarit grek Kazanzaqi, Tundimi i fundit i Krishtit, apo filmi tjetër po amerikan Pasioni i Jezu Krishtit i Mel Gibson, por dhe një nga filmat e këtyre viteve të fundit me aktoren franceze, Juliette Binoche, i cili ka trajtën e një hetimi rreth asaj çka ndodhur dymijë vjet më parë. Vallë çka ndodhur vërtet? Kush ishte kjo grua që do të hynte aq shumë në kujtesën e njerëzimit të erës sonë?
Pikërisht kur je në Magdala, çdo turist mendon menjëherë rreth asaj figure që ka mbetur si një nga figurat më simpatike të gjenezës kristiane. Magdala në hebraisht do të thotë “e mrekullueshme” dhe po kështu quhej dhe kështjella e dikurshme, (sot në rrënoja), që siç na thoshte një ciceron, dikur quhej Magdalum. Peizazhi është gjithnjë i gjelbër dhe i paqtë, ku në një qiell blu nderen ca re të bardha. Që andej rruga ngjitet drejt Nazareth-it, ku është ende ajo shpellë e vogël në kishën e Virgjëreshës Mari, nënës së Jezusit. Tregimet dhe legjendat thonë se Maria e Magdala, apo Maria Magdalena siç do të quhej ajo më vonë, kaloi këtu një rini plot qejfe, por me shfaqjen e Jezusit në ato anë, ajo i kërkoi profetit të ri hebre t’i largonte demonët që kishte në shpirt. Jezusi ia hoqi, dhe ajo iu përkushtua atij dhe e ndoqi në rrugën e tij, nëpër Galile e Jerusalem, gjer në ditën kur ai do të kryqëzohej. Në tregimet biblike kujtohet gjithnjë se pas varrimit të Jezusit, ku ishte dhe Maria Magdalena bashkë me nënën e tij Virgjëreshën Maria, ajo u kthye në shtëpi. Të nesërmen, meqë ishte e shtunë, “sabbat”, dhe sipas ligjit hebraik nuk punohej, ajo shkoi për te varri i Krishtit ditën e parë të javës, që t’i parfumoste trupin që do të balsamosej. Por kur shkoi atje, vuri re se guri i varrit, pranë kopshtit, ishte hequr. Ajo filloi të qante dhe e tronditur u kthye të dilte nga shpella kur papritmas, vështroi para saj vetë Jezusin, i cili i tha:
– “Grua, pse qan dhe kë kërkon?
Një çast ajo kujtoi se ishte kopshtari fqinj dhe i tha:
– “Nëse je ti ai që e ke hequr trupin, më thuaj se ku e ke vendosur që të mund ta marr”.
Por ai i tha vetëm një fjalë: “Mari!”
Duke njohur vetë Shpëtimtarin, ajo i thirri:
– “Im zot!” – dhe iu hodh në këmbë ta pushtonte.
– “Mos më prek,- i tha menjëherë Jezusi, – sepse ende nuk jam ngjitur tek im Atë, por shko dhe gjej vëllezërit e mi dhe thuaj se do të iki tek Ati dhe Zoti im, sepse ai është gjithashtu Ati dhe Zoti i tyre…
Kështu Maria Magdalena vajti te dishepujt e Jezusit dhe u tha: “Pashë Zotin dhe ja se ç’më tha!”
Shumë historianë mendojnë se pas kryqëzimit të Krishtit, Maria Magdalena ndoqi Virgjëreshën Maria dhe Shën Gjonin për në Efez, ku kishte një komunitet të organizuar kristianësh dhe ku më vonë edhe vdiqën. Të tjerë studiues pohojnë se ajo shkoi bashkë me të vëllain e saj, Lazar, dhe të motrën Marta, duke iu drejtuar jugut të Francës. Me të zbarkuar diku pranë Marsejës, në vendin që më pas do të merrte emrin Saints Maries-de-la-Mer, (Shënjtet Mari të Detit), thuhet se ajo kishte filluar të predikonte për misionin e Jezusit në turmat e njerëzve dhe pastaj ishte mbyllur në një shpellë në Saint-Baume, duke pritur ikjen në botën e përtejme. Legjenda thotë se që andej, (në Saint-Pilon), ajo ngrihej në qiell përmes engjëjve që të takonte burrin hyjnor. Disa kronistë mesjetarë, ndër të cilët dhe historiani Joinville, i kohës së Louis IX, (Shën Louis, vdekur në 1271), shkruajnë për transferimin e eshtrave të saj nga Saint-Maximin, apo Aix-en-Provence, në kishën e madhe të Vezeley-it, në një kodrinë të lartë e të gjelbëruar të Bourgogne-s. Por sidoqoftë jo pak historianë dhe specialistë të doktrinës kristiane kanë pyetur: Si ishte e mundur që pas kryqëzimit të Krishtit, nga krerët e kishës së re nuk u fol më për Marinë? Çfarë kishte ndodhur? Disa historianë kanë shkruar rreth krijimit të dy grupeve ithtarësh në ato vite pas kryqëzimit të Jezusit: atyre rreth apostullit Pjetër, i cili mori përsipër vazhdimin e veprës së Jezusit dhe grupit të ithtarëve të Maria Magdalenës. Dhe nga kjo kundërvënie, duket se ishte Maria ajo që e humbi “betejën”. Por megjithatë, ungjijtë e mëpasshëm, veçanërisht ata gnostikë nuk e harruan figurën e saj. Ç’kishte ndodhur vërtetë midis asaj dhe Jezusit?
Ungjilli i mëkatares
Ungjilli  i Maria Magdalenës bën pjesë ndër ungjijtë dhe dokumentet e vjetra biblike të gjetura në vitin 1945 në shkretëtirën e Egjiptit të Sipërm, përgjatë Nilit, në Jabal al-Tarif dhe që më pas, për nga pasuria e dokumenteve dhe ekzistencën e tij diku pranë e një manastiri të vjetër kristian, do të quhej “Biblioteka e Nag Hammadit”. Ai është i shkruar në gjuhën kopte, gjuhë e kishave dhe manastireve të para kristiane në Egjipt, (ato vareshin nga qendra kristiane e famshme e Aleksandrisë), gjuhë që vjen nga fjala “qibt”, e cila është një kontraksion i fjalës së vjetër greke Aigupos, pra Egjipt. Atëherë ungjijtë(Lajm i Mirë) kopjoheshin nga murgjit, dhe ky ungjill si shkrim i përket shekullit të V, edhe pse origjinali i tij ishte i shekullit të II, pra rreth vitit 150 të erës sonë. Meqë në shekullin IV, u vendos përafërsisht se cilët do të ishin ungjijtë e doktrinës kristiane, zyrtarë, këta ungjij gnostikë u groposën, u dogjën, u asgjësuan ose dhe kur ishin të fshehur nuk u kopjuan më nga murgjit në “scriptoria”-t e tyre, nga frika e reprezaljeve. Ky ungjill që vinte nga zona e Achmin, ishte blerë në Kajro dhe ishte futur në Departamentin e Egjiptianologjisë në Muzeun e Berlinit, nën kujdesin e profesorit gjerman Carl Schmidt.
Ungjilli i Maria Magdalenës, i shkruar mbi papirus u gjet me fletë që i mungonin (faqet 1 deri në 6 dhe faqet 11 deri në 14). Çdo fletë përmban 21, 22 ose 23 rreshta. Deshifrimi i këtij ungjilli padyshim ishte i vështirë për faktin e këtyre mungesave, që shpesh specialisti i fushës duhet të imagjinojë për t’i interpretuar dhe për t’i dhënë koherencë gjithë tekstit. Megjithatë, Maria, (apo Myriam, siç quhej atëherë në hebraisht), shfaqet në këtë ungjill si një e afërt e Jezusit, një “konfidente” e tij, pasi Jezusi i thotë asaj gjëra që nuk ua thotë të tjerëve, apostujve të afërt të tij. Ja pse mjaft studiues të historisë së Kristianizmit kanë parë në të hipotezën se ajo mund të ishte dhe gruaja e tij. Por a ishte në të vërtetë? Në ungjijtë kanonikë, që përbëjnë thelbin e doktrinës kristiane që nga shekulli i IV, kur u vendosën tekstet themelore të Testamentit të Ri, ajo përmendet si dëshmitarja e parë në Ringjalljen e Krishtit (Christos, që vinte si përkthim nga fjala hebraike Messiah, Mesia.)
Në Ungjillin e Markut dhe në Ungjillin e Mateut, këta dy apostuj flasin për lotët dhe ankthin e saj, por asnjëherë nuk hidhen idetë e ndonjë lidhjeje më të afërt me Jezusin. Madje, ajo është parë gjithnjë si mëkatarja e çliruar nga 7 demonët e këqij nga shpëtimtari Jezus dhe që më pas e ndoqi Shpëtimtarin dhe që në darkën e fariseut Simon në Galile; se ishte ajo që i parfumosi kokën me parfum të shtrenjtë për të cilin na u ankua dhe Juda (në tekste të tjera ajo i lau këmbët dhe ia fshiu me flokët e saj). Në ungjijtë e tjerë, Maria përmendet kur zbulon varrin bosh të Krishtit, e shoqëruar me gra të tjera, pasi ato do të shkonin t’i bënin shërbime trupit të tij. Nga ana tjetër, Marku dhe Luka, dy nga besnikët e Jezusë, shkruajnë se “Maria Magdalena e ka shoqëruar Jezusin në udhën e tij në Galile e madje ajo e kishte ndihmuar me para”. Por në Ungjillin e Tomës, shkruhet diçka akoma më interesante, që tregon për lidhjen Jezu-Mari: “Simon Pjetri u tha atyre: Të largohet Maria nga ne, sepse gratë nuk janë të denja për jetën!” Por Jezusi tha: “Unë do ta mbaj që ta kthej atë në mashkull, që edhe ajo të bëhet një shpirt i gjallë, pasi çdo grua që bëhet burrë do të futet në mbretërinë e engjëjve”. Sigurisht, në shpjegimin mistik shpirti atëherë ishte i lidhur gjithnjë me seksin mashkull dhe se në “Ungjillin e Tomës” bëhet fjalë më shumë për një “bashkim shpirtrash”, por a ishte vetëm kështu? Përse Jezusi nguli këmbë ta merrte me vete në botën e përtejme, gjë të cilën nuk e bëri për dikë tjetër?…
Ungjilli i Maria Magdalenës ndahet në dy pjesë. Në pjesën e parë, mësojmë se pas Ringjalljes, Jezusi u tha apostujve që të përhapin ungjillin dhe pasi i bekon ata, ai largohet. Ikja e tij (në këtë ungjill) i trishton apostujt, por Maria i ngushëllon ata dhe i nxit të mendojnë për ato çka u tha ai. Meqë Jezusi ishte takuar veçmas me Marien, apostulli Pjetër i kërkon asaj t’u tregojë se çfarë i kishte thënë Jezusi. Në pjesën e dytë, ajo u tregon për ëndrrën që kishte parë. Pastaj Pjetri dhe Andrea i bëjnë pyetje dyshuese në lidhje me ëndrrën. Apostujt fillojnë të dyshojnë dhe janë të pakënaqur. Nga fundi i tekstit dhe i bisedës mes apostujve, apostulli Levi, u thotë apostujve të tjerë se “Jezusi e donte Marien më shumë sesa ne”.
Padyshim që ky ungjill, si shumë ungjij të tjerë apokrifë, kryesisht gnostikë, e tregon historinë në mënyrë të lirshme, pa qenë i detyruar të censurohet nga dikush, në një kohë kur korrente të ndryshme brenda Kristianizmit ishin tolerante ndaj njëra-tjetrës, pasi armiku i tyre ishte kryesisht persekutimi romak, por dhe grindjet me hebrenjtë. Sigurisht, këtë ungjill nuk e ka shkruar Maria Magdalena, edhe pse quhet kështu që në fillim të këtij dorëshkrimi. Ai është i shkruar nga një skrib që ne nuk e njohim, padyshim një murg anonim, siç ndodhte zakonisht në atë kohë, kur ungjijtë merrnin emrin e njërit apo tjetrit apostull. Padyshim çështja themelore që diskutohet nga historianët është: A ishte Maria Magdalena e dashura apo gruaja e Jezusit?…
Maria në Ungjillin e Filipit
Bashkë me Ungjillin e Maria Magdalenës, në “Bibliotekën e Nag Hammadi”-it ishte dheUngjilli i Filipit, i cili bën pjesë në kodikët gnostikë dhe ishte ndër kodikët më të plotë të dorëshkrimeve të gjetura nga fellahët egjiptianë. Profesori dhe specialisti francez, Jean-Yves Leloup, në librin e tij L’Evangile de Philippe, na jep të plotë tekstin e këtij ungjilli për ta vlerësuar çdokush se çfarë është shkruar në të. I përbërë nga 150 fletë, ky ungjill apokrif, (që nuk është kanonik, pra i pranuar nga Kisha Kristiane), është në një format papirusi prej 28,3 cm me 28 cm, si dhe me një tekst të shkruar në një gjerësi 12,5 cm. Leloup thekson se ky ungjill, është një dëshmi e jetës dhe e mësimeve të Krishtit në atë kohë. “Ky ungjill na lejon të zbulojmë tek Ai një figurë tepër njerëzore dhe të lirshëm ndaj burrave dhe grave.”
Siç dihet, Filipi ishte një nga apostujt e afërt të Jezusit. Emri Filip në greqishten e vjetër do të thoshte “ai që do kuajt”, dhe ky apostull përhapi krishterimin në zonën rreth Detit të Zi, gjersa më në fund u martirizua dhe u kryqëzua në Hieropolis, siç na e dëshmon këtë fakt vetë Eusebe i Cesaresë, (port që në kohën e Çesarit quhej Ptolemeis) dhe që ishte kronisti i parë i historisë së Krishterimit, duke shkruar një histori me shumë vëllime. Që në faqe të parë të këtij ungjilli të vështirë e mistik, shkruhet:
“Në fillim YHWH(Jahve – Zoti) krijoi njeriun në imazhin e tij
Burrin dhe gruan Ai krijoi.”

Ajo që bie në sy në këtë ungjill është se lidhur me raportet e Jezusit dhe të Maria Magdalenës, ky ungjill shkon shumë larg. Në ungjill shkruhet në mënyrë direkte se “Myriam për të ishte një motër, një nënë dhe grua, (koinonos)”. Në faqen 65 të këtij ungjilli mund të lexosh gjithashtu: “Gruaja e Birit të Zotit është Myriami nga Magdala. Mësuesi e donte Myriamin më shumë se dishepujt e tij. Shpesh ai e puthte në buzë. Dishepujt  e shikonin se ai e dashuronte Myriamin dhe i thanë: “Përse e do më shumë sesa ne të gjithë? Dhe Mësonjësi u përgjigj: “Përse të mos ju dua më shumë se atë?… Po kështu në këtë ungjill shkruhet: “Ishin tre veta që ecnin me Zotin: nëna e tij, Maria, motra e saj dhe Magdalena, ajo që quhej koinonos. Motra, nëna dhe gruaja (koinonos) e tij, secila prej tyre ishte Mari, (pra quhej Maria)”. Edhe pse profesori amerikan Bart D. Ehrman në librin e tij E vërteta dhe trillimi në librin Kodi Da Vinci, i referohet gjatë Ungjillit të Filipit, dhe ai e vë në dyshim përkthimin e fjalës koinonos, duke tentuar t’i japë kuptimin e një “bashkëpunëtoreje të afërt”, ndryshe nga specialistë të tjerë që në rrënjën e kësaj fjale sipas gjuhës së asaj kohe, kuptohej raporti i lidhjes seksuale. Por sidoqoftë, për pasazhin ku thuhet se “Jezusi e puthte atë në buzë”, Bart D. Ehrman nuk ka ç’të thotë. Madje dhe një fragment tjetër i këtij ungjilli është problematik, pikërisht në një faqe ku papirusesh të grisura dhe kjo e bën të vështirë interpretimin e tij. Por kushdo mund të gjykojë rreth këtij pasazhi:
“E shoqja (vend i grisur i papirusit) Maria Magdala (grisur) më shumë (grisur) dishepuj (grisur) e puthi atë (grisur) në (grisur)…”
Me sa duket specialistët mendojnë se Jezu ka qenë diku dhe ka puthur Marien, por se ku ka ndodhur kjo dhe në ç’rrethanë, kjo gjë nuk shpjegohet nga teksti konkret.
Sidoqoftë bëhet fjalë gjithnjë për një hipotezë, por disa pikëtakime të tilla, në disa ungjij të shekujve II dhe III pas erës sonë, hedhin për diskutim një variant tjetër të marrëdhënieve të Jezusit me Maria Magdalenën. Sigurisht, Dan Brown në librin e tij sensacional Kodi Da Vinçi, edhe pse mundohet të tregojë histori përmes një pene historiani, ky libër nuk përbën një libër historik, madje shpesh ai është me pasaktësi të mëdha dhe elementare, duke spekuluar rreth marrëdhënieve Jezus-Mari dhe Parësisë së Sionit. Por sidoqoftë, edhe ai i referohet kësaj marrëdhënieje, duke u mbështetur pikërisht në zbulimin e këtyre ungjijve gnostikë: Ungjilli i Marie Magdalenës dhe Ungjilli i Filipit. Për këtë lidhje të veçantë, Dan Brown në fakt është mbështetur te një roman tjetër i botuar para tij, Gjaku i shenjtë Graal, ku përshkruhet historia e Maria Magdalenës që kishte një fëmijë me Jezusin.
Kjo histori, ka qenë e përhapur veçanërisht në Europën Perëndimore. Madje në libra të ndryshëm historikë i referohen kësaj legjende të ikjes së Marie Magdalenës nga Jerusalemi pas kryqëzimit të Krishtit, bashkë me fëmijën e saj, vajzën Sarah, të cilën e lindi më pas. Por kushdo mund të pyesë: a kishin ndonjë interes të veçantë këta skribë, shkronjës dhe hartues ungjijsh, (që i bëjnë himn Jezusit dhe misionit të tij që në shekullin e II dhe të III), të flasin nga ana tjetër për një marrëdhënie burrë-grua? Sigurisht që jo. Por sidoqoftë në një mjegull dymijëvjeçare është e vështirë të thuash me bindje se çka ndodhur realisht dhe si?
Pyetje kryesore mbetet gjithnjë: a ishte i martuar Jezusi?
Disa specialistë perëndimorë, kryesisht francezë, pohojnë se ai duhej të ishte martuar ose të paktën të ketë qenë i fejuar, pasi sipas zakonit hebraik, “një hebre që nuk martohej bënte një krim”. Akoma më shumë që ai ishte një rabin, (RaBBi), që predikonte në sinagogë, dhe ligji hebraik thoshte se nuk mund të predikonte në sinagogë një rabin i pamartuar. Vetë ungjijtë thonë se Jezusi predikonte nëpër sinagoga. Lidhur me gjendjen e tij, nëse ishte i lidhur me një grua apo jo, në mënyrë të tërthortë e shkruan dhe vetë Shën Gjoni në ungjillin e tij, përmes një historie që i ndodh Jezusit. Dhe ja si ndodh: “Tri ditë më vonë kishte një dasmë në Kana të Galileut. Nëna e Jezusit ishte atje. Dhe Jezusi ishte ftuar. Meqë vera mbaroi në tavolinë, nëna i tha Jezusit: “S’ka më verë”. Ai tha:“Grua, çfarë ka midis teje dhe meje? Ora ime ende s’ka ardhur!” Pastaj nëna e tij u tha atyre që shërbenin: “Bëni si ju thotë ai”. Por aty ishin gjashtë vazo të mëdha që shërbenin për purifikimin e hebrenjve. Jezusi tha: “Mbushini këto me ujë”. Dhe ata i mbushën gjer në grykë. “Çojini tek ata që drejtojnë tavolinat”. Dhe ata i çuan. Ai që shërbente, e provoi ujin dhe pikasi se ishte shndërruar në verë, pa e ditur se nga vinte kjo verë, ndërkohë që ata që e sollën e dinin. Ai i thirri burrit që martohej dhe i tha: “Çdo njeri shërben në fillim verën e mirë dhe pastaj kur të tjerët pihen, shërben atë të rëndomtën. Ndërsa ti ke po atë verë gjithnjë”… Kjo që ndodhi në Kana të Galileut ishte mrekullia e parë që bëri Jezusi”.
Fati i Ungjijve apokrifë
Ungjilli i Maria Magdalenës bën pjesë në ungjijtë apokrifë, të cilat kisha kristiane i ka lënë jashtë që në kohën kur ajo u organizua si një kishë e vërtetë. Në ekzistencën e ungjijve gnostikë një shpjegim na e jep dhe vetë historia. Siç u përmend më parë edhe rreth Ungjillit të Judës, në shekujt II dhe III të erës sonë kishte një liri të madhe mendimi. Pas shkrimeve të para të Shën Palit rreth Jezusë dhe përhapjes së misionit të tij për shpëtimin e Njerëzimit, u shkruan ungjijtë e Markut, Mateut, Lukës dhe Gjonit e më pas Ungjilli i Pjetrit, Ungjilli i Tomës, Ungjilli i Filipit etj., ashtu siç do të shkruhej dhe Ungjilli i Maria Magdalenës. Pas Romës, një qendër e fuqishme e Kristianizmit ishte Aleksandria si dhe Antioche, në brigjet e Detit Mesdhe. Por Roma dhe Aleksandria ishin në konkurrencë me njëra-tjetrën dhe Aleksandria si të thuash ishte qendra e gnostikëve. Sidoqoftë, të gjithë këta ungjij të shkruar, me pak ndryshime, i bënin jehonë jetës së Krishtit dhe veprave të tij. Misioni i tij është gjithnjë shpëtimtar dhe ai i sakrificës për dashurinë njerëzore. Por një ngjarje e madhe bëri që feja e re kristiane të merrte një drejtim tjetër: ardhja në fuqi e perandorit Konstantin.
Atëherë ekzistonin dy perandori të ndara: njëra në Perëndim, ajo e Romës dhe tjetra në Lindje, ajo e Kostandinopojës. Por kur dy perandorët, Konstantini dhe Maksiminiani i Romës hynë në luftë dhe kur Konstantini marshonte drejt Romës, atje në urën e Milvianit mbi lumin Tiber, atij iu shfaq një shenjë e mbinatyrshme dhe pastaj shenja e Kryqit. Pikërisht në këtë moment ai tha: ”Me këtë shenjë unë do të sundoj!” Shenja e kryqit i ishte shfaqur bashkë me dy germa: X dhe P. Ai thirri këshilltarët e tij dhe i pyeti ata se çfarë donin të thoshin ato shenja. Dhe ata i thanë se ato ishin shenjat e emrit të Jezu Krishtit. Atëherë ai vendosi që ta bëjë Krishterimin fe të perandorisë së tij. Por që të bëhej kjo duhej krijuar doktrina kristiane.
Në fillim të shekullit të IV, në Aleksandri jetonte një mësues me famë dhe mjaft popullor që quhej Arius. Ai u përpoq ta zgjidhte problemin e identitetit të Jezusit me tezën se vetëm ai ishte Ati Zot. Një nga kundërshtarët e Ariusit ishte një dhjak i ri i kishës së Aleksandrisë i quajtur Athanas. Pikërisht ai do të fitonte në këtë betejë doktrine. “Athanasi dhe bashkëfetarët e tij, – siç shkruan dhe Bart D. Ehrman, – ngulmonin në përcaktimin paradoksal të kushtit të Jezusit si hyjni, por që ishte ende njeri. Por ai ishte nga i njëjti thelb si Ati Zot. Kjo dhe çoi në doktrinën e Trinisë ku janë tre individë që përbëjnë Zotin, të barabartë. Perëndia është një dhe shfaqet në tre individë.”
Në atë kohë ishte ende dyshimi që Jezusi, Zoti ynë, ishte dhe njeri dhe Zot, hyjni, siç shkruante dhe martiri kristian Ignatiusi (Lindur në vitin 110) i Antioche-s, në Letrën drejtuar efesianëve”, (“Jezusi është një mjek prej mishi e fryme, i lindur dhe i palindur, Perëndia, dora vetë, fillimisht i vuajtur dhe më vonë përtej vuajtjes”). Në vitin 325, perandori Konstantin urdhëroi mbledhjen e koncilit të Nikesë, (Nice), pranë Nocomedie-s, ku ishte rezidenca e tij, në një kohë kur Konstantini kishte vendosur pushtetin dhe mbi Perandorinë romake. Aty Jezusi u cilësua Zoti i vërtetë dhe ata peshkopë që nuk pranuan ta firmosnin dokumentin final, u shkishëruan. Ky koncil që mblodhi qindra peshkopë të ardhur nga qendrat e kishave kristiane, (edhe pse në grindje me njëra-tjetrën), në vija të përgjithshme përcaktoi tekstet zyrtare të kishës kristiane, duke lënë jashtë ungjijtë apokrifë që e tregonin Jezunë si shumë “njeri”. Ky do të ishte dhe fati i Ungjillit të Magdalenës, i cili s’do të përmendej më dhe do të humbte në errësirën shekullore, edhe pse imazhi i Maria Magdalenës në Mesjetë, pati adhurues të mëdhenj në të gjithë Europën. Sot, ky ungjill na jep një imazh të ri rreth Jezusit dhe jetës së tij, por për doktrinarët e Krishterimit të sotëm, përbën padyshim një lloj blasfemi. Historianët le të gjykojnë.

Vizatimi i Enver Hoxhës, në Muzeun e Luftës së Ftohtë

Veprat e Maks Velos, pjesë e koleksionit të Wendy Museum në SHBA/ Në Shqipëri ende nuk kemi një muze të diktaturës. Edhe pavijoni i socializmit në Muzeun Historik Kombëtar është shumë i varfër dhe nuk përcjell elementet që duhet të ketë një pavijon në vendin që jetoi një nga diktaturat më të egra në Ballkan. Galeria Kombëtare e Arteve nuk e ka një sesion me dëshmitë e periudhës së komunizmit…
Në vitet 1990-1993, kur diktatura kishte rënë, Maks Velo do të hidhte në telajo apo vizatime gjithë sëndukun e kujtesës. Pamje të trishta që kujtesa i kishte ruajtur në një cep të saj, duke koleksionuar gjithë kohët në dhomën e ftohtë të burgut të Spaçit, fytyrat e miqve që kishte njohur aty, portrete burrash veshur me kapotën e trashë pas të cilëve fshihej hija e pushtetit. “Mendoj se kjo seri është realizuar brenda meje shumë kohë përpara se ta ktheja në një vepër, atëherë kur isha në burg në vitet 1978-1986. Ato kishin ardhur në formën e imazheve në mendjen time kohë më parë, dhe tashmë vetëm duhet t’i hidhja në letër. Kur e realizova serinë e burgut, atëherë u ndjeva i çliruar. Ndjeva të njëjtin çlirim si ditën kur u lirova nga burgu i Spaçit. Është një seri që tregon dhunën, por dhe investigon krimet e bëra gjatë komunizmit”. Kjo fjali e Maks Velos qëndron bri tablosë “Diktatori” e cila tashmë është pjesë e koleksionit të veprave të Luftës së Ftohtë në Wendy Muzeun e Luftës së Ftohtë në SHBA. “Është një skelet me kurorën e mbretit. E kam menduar si një njeri që synonte dhe e arriti mbretërinë pasi vdiq. Komunizmin e ktheu në një mbretëri”, thotë Velo.
Shqipëria zë një vend të veçantë në koleksionin e një prej muzeve më të mëdha të artit, përfaqësuar nga një artist si Velo, ku ruhen 75 mijë vepra për artin gjatë Luftës së Ftohtë në Europën Lindore.
Kjo, pasi për drejtoreshën e këtij muzeu, Donna Stein, imazhet që vijnë nga veprat e Velos janë po aq tronditëse sa diktatura. Në një letër drejtuar artistit shqiptar, Stein thotë se “veprat e tua do t’i japin mundësi publikut amerikan të njihen me krimet në burgjet komuniste gjatë Luftës së Ftohtë, por ajo çfarë është më e rëndësishmja është mënyra sesi arti mund ta tregojë tragjiken, duke e kthyer eksperiencën në një dëshmi që do t’i vlejë historisë”. “Hija e vizatimeve të tua është kaq ekspresive dhe emocionale”, thotë Stein, duke nënvizuar faktin se si një përvojë personale mund të kthehet në një dëshmi kolektive përmes gjuhës së artit. Kuratorja e Wendy Museum po shqyrton veprat e Velos për mënyrën sesi do t’i ekspozojë. Një prej veprave që ndodhen në këtë muze titullohet “Pushkatimi”. Ky vizatim është ndoshta një nga veprat më të rënda për nga ndjesitë që përcjell, realizuar me elegancën e një artisti që di të ruajë raportin mes personales dhe artit, siluetat e njerëzve që po i dorëzohen vdekjes, vijnë si një stinë e cila nuk duhet të përsëritet në jetën e një vendi. Maks Velo jo vetëm vizaton, por edhe përcjell mesazhe dhe filozofi, duke i kthyer vizatimet e tij në një homazh për të shkuarën njëkohësisht dhe në një akuzë ndaj saj. E errët është dhe vepra tjetër, e cila risjell në kujtesë gjithë kohën e kaluar në burgjet e komunizmit, duke u futur në psikikën e një ish të dënuari politik. Tre veprat e dhuruara Wendy Museum nga Velo janë si një lexim i një kohe, për të kuptuar jo vetëm diktaturën shqiptare, por komunizmin me të cilin u përballën shumë vende të ish-Lindjes. Në vitet 1989-1995, piktori Maks Velo (1935) krijoi ciklin e vizatimeve mbi jetën e burgut politik në Spaç. Velo i ka rikrijuar vitet e burgut në disa forma. Tregimet e tij të burgut janë një tjetër mënyrë për të ruajtur të shkuarën, ku artisti tashmë si shkrimtar, ndërton përmes historive, tablo të gjalla të raporteve njerëzore në ish-diktaturë.
Ndërsa shumë vende, jo vetëm në Perëndim, vazhdojnë të ruajnë dhe të shfaqin interes ndaj së shkuarës, duke ndërtuar muze, apo sesione koleksionimi brenda tyre, në Shqipëri ende nuk kemi një muze të diktaturës. Edhe pavijoni i socializmit në Muzeun Historik Kombëtar është shumë i varfër dhe nuk përcjell elementët që duhet të ketë një pavijon në vendin që jetoi një nga diktaturat më të egra në Ballkan. Galeria Kombëtare e Arteve nuk e ka një sesion me dëshmitë e periudhës së komunizmit, duke bërë që ky lloj arti i krijuar nga artistë që ishin dëshmitarë të kësaj periudhe të ruhet nga vetë artistët dhe të shihet më shumë në galeri apo muze ndërkombëtarë.
Maks Velo është një nga artistët më dominues në skenën e artit në Shqipëri. Veprat e tij janë jo vetëm frymëzuese për një kohë të re, por dhe një shërbim shumë i mirë ndaj kujtesës sonë historike.

SHQIPTARËT… Përballë pasqyrës së dy bredharakëve

Rreth librit udhëpërshkrues të Jan & Kora Gordon, nëpër Shqipërinë e verës së vitit 1925
Nga Arta MARKU
berdharaketE përfytyrova ulur mbi një stol të vogël, para një kavaleti, me paletën e bojërave në dorë. Por mund të ketë qenë edhe thjesht një bllok vizatimi mbi të cilin skiconte me laps ndonjë perspektivë rruge me kalldrëm dhe avlli të larta shtëpish prej nga dallohen majat e pemëve frutore. Tekefundit çfarë kam më të lehtë të marr me mend është rezultati, bardhezi apo me ngjyra, për shkak të imazheve të pikturave të saj që gjenden në libër (Dy bredharakë në Shqipëri, shënime udhëtimi, Jan & Cora Gordon, përkth. E. Frashëri, botimet Jozef). Por mund të përfytyroj gratë vendase që e kanë rrethuar piktoren e huaj, kalimtare të rastësishme që nuk i bëjnë dot ballë tundimit për të ndaluar e marrë vesh diçka më shumë. Një grua që pikturon mu në mes të rrugës! Nuk është një pamje që i shfaqet syrit përditë. Është ngjarje që duhet shënuar. E pastaj kushedi se për sa kohë të gjatë do të shndërrohet në një temë bisede mes fqinjash. Aq të gjatë madje sa, me shumë gjasë, do t’ua kalojnë vajzave e vajzat vajzave të tyre, historinë e gruas, ardhur nga një vend i largët, që hapte letrat në mes të rrugës e ia niste të vizatonte ç’i shihte syri. Qe një ngjarje pra, në jetët e tyre të rrafshëta, ku gjërat që duheshin bërë gjatë ditës ishin të përcaktuara qysh më parë, e brez pas brezi nuk ndryshonin.
jan-cora gordon…Ishte kapërcyelli i çerekut të parë të shekullit XX. Ishte vera e vitit 1925, kur Cora Gordon me të shoqin, vendosën të merrnin rrugën nga ishulli i madh në perëndim të Europës ku jetonin, të kaptonin detin e pastaj përmes kontinentit të bënin përpara drejt lindjes… derisa të mbërrinin në Shqipëri. Atë fillimshekulli tashmë ishte zakon i konsoliduar që Ballkani të përfshihej në itinerarin e Grand Tour-it të famshëm. Kështu ishte edhe për Jan dhe Cora Gordon-in, udhëtarë të sprovuar për më tepër. Ata i kishin rënë sakaq kryq e tërthor Europës dhe shënimet e tyre të udhëtimeve, i kishin botuar. “Dy vagabondë në Spanjë”, “Dy vagabondë në fshatin francez”, “Dy vagabondë në Suedi”, “Dy vagabondë në Ballkan”… ishin sakaq në librari me emrat e Gordon-ëve mbi kopertinë, e tani radhën e kishte Shqipëria. Pse jo, tekefundit, Edith Durham-i i kish botuar librat e saj për këtë vend dhe intriga ishte bërë e parezistueshme. Ndoshta ishte koha për ta vërtetuar vetë: a kishte të drejtë Durhami? Madje mund të shkohej edhe më larg në kohë për të gjetur nxitje: a thua të ishte ky vend aq romantik e ekzotik sa Lord Bajroni kishte thënë më se një shekull të shkuar? Përfundimisht Gordon-ët nuk patën asnjë ndërdyshje teksa u ngarkuan me kavaletin portativ, telajo e letra, me bojëra e lapsa, me veglat e tyre muzikore, me baulen me gjërat e nevojshme dhe një pasdite të nxehtë vere, e gjetën veten duke zbritur nga një anije, në Portin e Durrësit, e prej aty drejt e në Tiranë… “Vagabondët” ishin sërish në rrugë…
Sot, gati një shekull pas vizitës së britanikëve, dhe botimit të shënimeve të tyre në gjuhën angleze, libri ka ardhur në shqip nga Edgar Frashëri me titullin “Dy bredharakë në Shqipëri”, sipas zgjedhjes së përkthyesit për ta paraqitur fjalën vagabond. Epo Gordon-ët nuk ishin vagabondët sipas kuptimit që fjalori i shqipes ofron. (“Dy endacakë në Shqipëri” e ka përkthyer titullin Afrim Karagjozi në një përmbledhje që i bën, mes të tjerash, edhe shënimeve të Gordon-ëve, të botuar në librin e tij zonjat angleze në Shqipëri, botimet Skanderbeg Books). Por te varianti i Edgar Frashërit dua të rrimë, pasi përkthimit të tij i jam referuar, i vetmi variant i plotë i librit të Gordon-ëve, i botuar në gjuhën shqipe. Ndaj le t’i quajmë, siç edhe përkthyesi në shqip ka vendosur t’i quajë, bredharakë…
Pra, ndoshta më mirë: bredharakët ishin sërish në rrugë!
Çfarë ata gjetën në rrugëtimin e tyre disamujor, na shfaqet ne shqiptarëve si një lloj pasqyre që na vihet përpara e ku herë njohim tiparet tona, të cilat shpesh na bëjnë të buzëqeshim apo të befasohemi nga përkimi, e tjetër herë, pse jo, të zhgënjehemi nga mospërputhje të mundshme mes mënyrës sesi ne e shohim veten dhe mënyrës sesi na shohin të tjerët.
Autorët duken të ftohtë, ndryshe e thënë, të aftë për të rrëfyer drejt çfarë shohin e dëgjojnë, të pandikuar. Por me gjasë, diku-diku emocionet i pështjellojnë edhe ata, dhe ndonjë inat i vogël, i bën të shfryjnë, ku ta dish, ndonjë mllef a ndonjë pakënaqësi të rastit. Por mund të jetë edhe një moskuptim nga ana e tyre. Apo, mos ndoshta gjithsecili lexues shqiptar kështu do të mendonte, kur ndonjë koment për shqiptarët nuk i shkon shumë për shtat? E vështirë të thuhet. Por le t’i kthehemi momentit kur ajo, Cora Gordon pra, ka hapur kavaletin, apo bllokun e madh me letra vizatimi dhe skicon peizazhin para të cilit ka qëndruar…
Është një çast kundrimi para pasqyrës. Jemi ne, shqiptarët, dhe në sipërfaqen prej argjendi përballë, spikat një nga tiparet tona, tipike, shqiptare…
***
Cora pikturon e rrotull saj një tufë grash. Padyshim një punë i ka detyruar të kapërcejnë portat e oborreve. Ama një çudi e paparashikuar, i ka bërë të mos kthehen menjëherë, me të mbaruar. Një figurë e çuditshme është aty përtej, një grua për më tepër. Nuk është se ato janë të tronditura nga vizatimi a piktura. Nuk është koha e Edward Lear-it që mbërriti në Shqipëri në mes të shekullit XIX, kur shqiptarët, të terrorizuar nga “vjedhja” që ai i bënte rrethepërqarkut, e gjuanin me gurë. Kanë kaluar 75 vjet nga ajo kohë, dhe kushdo është i lirë të vizatojë. Por, siç thuhet lart e poshtë, kjo grua e ka diçka që nuk shkon. Diçka që të çudit, përpos faktit që pikturon në mes të rrugës, diçka së cilës vështirë t’i japësh përgjigje e për pasojë e lë kureshtjen therëse. Ajo grua e ka një burrë. Është i shoqi, me të cilin ka ardhur nga përtej detit. E megjithatë, në vend që të ketë një fëmijë në krahë apo përdore, ajo ka thjesht penelin dhe përqendrimin te kuadrati i letrës që duhet mbushur. Kurse gratë duan ta shuajnë kureshtjen me çdo kusht:
-Ai atje tutje është burri? Ju jeni të martuar? Sa vjet keni që jeni të martuar? Dhe ai, burri, është në rregull? Dhe ju sërish nuk keni fëmijë?! Po pse kështu!?
E njëjta pyetje rreth së cilës sillen e përsillen, sepse gratë duan me çdo kusht të kuptojnë se si është e mundur që një grua e martuar nuk mendon të mbushë prehrin me fëmijë, por thjesht dhe vetëm të marrë rrugët me të shoqin e të zbulojë vende të largëta. Ku janë fëmijët!? Ku janë djemtë për më tepër?! Trashëgimtarët?!
Shqiptarët kureshtarë? Ndoshta është krejt e natyrshme, njerëzore gjithsesi, të bëhesh kureshtar për gjëra që janë larg mënyrës tënde të të funksionuarit. Epo është, si të thuash, kureshtje për të panjohurën, për botët e paeksploruara, planetët e largët, kozmosin, galaktikat, për faqen e pasme të hënës… Ama kureshtja e shqiptarëve është edhe në nivele të tjera. Jo thjesht për të marrë vesh se si është e mundur që ekzistojnë njerëz që duken ndryshe nga ata. Ndryshe në pamje, veshje apo në sjellje, njerëz që jetën e ndërtuakan në mënyra krejt të pazakonta. Sepse shqiptarët janë kureshtarë edhe për të ditur edhe se çfarë ndodh përtej derës.
Përtej një dere që nuk është e tyrja. Përtej derës së një dhome hani, ku burrë e grua nga Anglia duan të çlodhen pas varavingove të gjata të një dite. E çfarë presin të shohin?! Për anglezët qe një befasi e paimagjinuar që fasha e dritës që hynte nga jashtë, prej poshtë derës së dhomës, u bllokua papritmas. Akoma më e paimagjinueshme ishte të shihnin, me të hapur derën, një burrë të shtrirë sa gjerë gjatë, me shpresën absurde për të parë përtej. Hëm. Mirë se erdhët në Shqipëri! Apo ndoshta e kishin marrë vesh tashmë, qysh më parë? Në një han tjetër, ku kishin bujtur disa ditë të shkuara, një dritare e vogël, e cila për të izoluar dy kthina fjetjeje ishte lyer me bojë vaji, qe gërvishtur diku, aq sa për të lejuar syrin për të vëzhguar lehtësisht çfarë ndodhte në anën tjetër.
Dhe kureshtja vazhdon. Nga dita në ditë një kureshtje e padëgjuar më parë, nga qyteti në qytet një sjellje e re kureshtare.
***
Dy bredharakët kanë një vëzhgim të mprehtë. Tekefundit për të vëzhguar kanë ardhur. Por, sidoqoftë, nuk ka si i shpëton vëmendjes, diçka që haset për herë të parë, një sjellje, një veprim a një qëndrim, me të cilin kurrë s’je hasur. Kësisoj edhe për Gordon-ët, ishte një herë e parë ballafaqimi me mënyrën se si këta njerëz, që i takuan në verën e vitit 1925, i shihnin të huajt. Oh, çfarë avantazhesh kishte në Shqipëri të qenët i huaj!Avantazhe të jashtëzakonshme.
Jemi sërish mu përpara pasqyrës, duke kundruar veten e duke e njohur mirë. A nuk ndodh edhe sot e njëjta gjë? A nuk është ende sot, në shekullin XXI, një avantazh i jashtëzakonshëm të jesh i huaj në Shqipëri? Jan dhe Cora Gordon nuk do ta kishin pasur të lehtë rrugëtimin e tyre nga Durrësi në Tiranë, po të kishin qenë thjesht shqiptarë. Nuk po flasim për rrugët e shkalafitura nëpër të cilat fluturonte brinjëthyes Fordi-taxi, se fundja jemi në vitin 1925, por çështja është vetëm se sa vetë do të mbante brenda ky automobil… Me siguri aq shumë sa mbanin edhe furgonët e linjave qytetëse a ndërqytetëse të viteve ’90 a fillimviteve 2000, ku nuk kishte një centimetër katror të lirë e ku udhëtarëve s’u mbetej veç të mjaftoheshin me të vetmin avantazh që, duke qenë aq ngjitur, nuk do të vriteshin nga frenimet e papritura, apo rëniet në gropa. Pra, nëse Fordi që çoi Gordon-ët nga Tirana në Durrës nuk u tejmbush në atë mënyrë, me pasagjerë të panumërt që do t’i hipnin sipër pa vramendje njëri-tjetrit, ndodhi për të vetmen arsye se në ndenjëse ishin rehatuar dy të huaj. E pastaj, sërish pse ishin të huaj, ata patën fatin të priteshin gjithandej si mysafirë të dorës së parë apo të gjenin vendet më të mira të mundshme hoteleve. Madje ia dolën të gjejnë dhomë fjetjeje edhe në Tiranën e tejmbushur me deputetë, të cilët për shkak të Parlamentit që kishte seancë, i patën bllokuar hotelet e nuk kishin lënë shtrat të lirë… Do ta kishin gjetur gjithsesi edhe sikur shoqëruesit t’i duhej të zhdëpte në dru hotelxhiun… sepse ishin të huaj.
***
A do të thotë sa më sipër se e kundërta është e vërtetë? Pra: a do të thotë që duke pasur konsideratën më të lartë për çdo të huaj, shqiptarët kanë një mungesë të theksuar konsiderate për veten? Jo për veten mirëfilli, por për shqiptarët në përgjithësi. Për shqiptarët e tjerë, domethënë, gjithnjë duke e përjashtuar veten. Po, edhe kjo është e vërtetë! Kështu thonë Gordon-ët, por me ta lexuar prej tyre kujtohesh që ky është tipari tjetër që ti e sheh në pasqyrë dhe ia njeh vetes. “Brenda tri ditësh, – lexohet e zeza mbi të bardhë në librin Dy bredharakë në Shqipëri – në secilën bisedë ose intervistë që patëm me këdo, na thoshin në konfidencë se Shqipëria ishte një vend i mjerë që kishte kryesisht banorë të neveritshëm. Secili përpiqej të linte të kuptohej se ai vetë kishte një shpirt mbi nivelin e bashkatdhetarëve të tij dhe se ne, si ardhacakë të një sfere më të lartë, nuk duhej ta gjykonim atë nga vogëlsirat përreth… “Ju edhe unë”, dukej sikur theksonin, “jemi vëllezër të ndriçimit të mendjes, të gjithë të tjerët janë të varfër dhe llum” …Ky lloj vetëzhvleftësimi pothuajse i pandryshueshëm, u bë gati universal”…
Shenjë inferioriteti, tipike shqiptare? Me gjasë. Le t’ua lëmë psikologëve interpretimin.
***
Dy bredharakët në Shqipëri, s’bëjnë tjetër veç dëshmojnë, dhe shihet se nuk e kanë aspak gabim, tek flasin për hollësi tipike dhe individualitete me të cilat janë hasur, gjatëbredhjeve të tyre.
Për shembull, a nuk është e vërtetë që të huajt në Shqipëri nuk e vrasin mendjen të flasin shqip? Është pothuaj e panevojshme për ta. Janë shqiptarët që i flasin gjuhët e tyre. Edhe kur nuk është pikërisht ashtu, shqiptarët do të përpiqen gjithsesi të shmangin të folurit shqip. Gordon-ët kishin studiuar pak shqip para se të niseshin, kishin marrë mësime nga një student shqiptar. Madje, kishin hartuar edhe fjalorthin e tyre. Por pak u hyri në punë, sado e çuditshme të duket. Ndoshta do të ishin marrë vesh më mirë nëse shqiptarët do të kishin folur shqip me dy anglezët. Por zgjedhja ishte tjetër. Jo se flitej anglisht kudo nëpër Shqipëri. Aspak. “Mbi ne – shkruajnë Gordon-ët – lëshonin fjali ku përziheshin pa lidhje fjalë nga gjermanishtja, bullgarishtja, italishtja, serbishtja, greqishtja, rumanishtja, gjuha amerikane dhe bile turqishtja. Nganjëherë disa gjuhë të përziera në një fjali. Njerëzit që dinin një ose dy fjalë në gjuhë të huaj, e përsëritnin atë me këmbëngulje duke i kaluar kufijtë e arsyes, kurse ata që ishin të paditur, nxitonin të kërkonin ndihmë te ndonjë poliglot i pakuptueshëm, ndërkohë që po të flisnin në gjuhën e vet, me pak mundim, mund të merreshim vesh shumë kollaj”.
Sërish, ne para pasqyrës dhe ky është rregull në librin Dy bredharakë në Shqipëri.
***
Padyshim ka edhe përjashtime nga rregulli, që ndoshta me shumë gjasë, siç ndodh rëndom, s’bëjnë veç përforcojnë rregullin. E megjithatë, duhen përmendur edhe përjashtimet, rastet e herëpashershme, apo të rrallëhershme, kur Gordon-ët nuk thonë çfarë ne presim. Madje thonë diçka që jo vetëm s’na ka shkuar në mendje, por mbi të gjitha, diçka që edhe po ta mendojmë gjatë, nuk tingëllon si e saktë. Imazhi në pasqyrë është disi i turbulluar dhe, ka të ngjarë, nuk na përket. Ndoshta, ndonjëherë Gordonët ngatërrojnë varfërinë me mungesën e mikpritjes. Tjetër herë disa rregulla të vendosura e të ruajtura brez pas brezi, u duken abuzive, ndërsa s’janë veç të kushtëzuara nga nevoja për mbijetesë… E tek-tuk, pse jo, të huajt hasin me diçka që negativiteti mund të paraqesë. Fundja njerëz janë edhe shqiptarët e si të tillë, shfaqen në shumëformësinë e tyre.
Në fakt, Gordon-ët nuk i gjejmë ekstremisht të mrekulluar, sikurse, sa për të dhënë një shembull, amerikania Roze Wilder Lane duket në një letër që i shkruante së ëmës. Në paragrafin ku ajo përshkruan shqiptarët nuk ngurron aspak të thotë: “Ata (shqiptarët)kanë trupa të mahnitshëm, duar e këmbë të ndërtuara bukur hollë, me thonj të përkryer në formë bajameje, fytyra të zgjuara, të këndshme, të gjalla, aq të pashme sa nuk ta përshkruaj dot…” Jo, Gordon-ët nuk entuziazmohen kësisoj. Por, nga ana tjetër, janë fort të bukur një pjesë e mirë e burrave shqiptarë të pikturave të tyre…
Për hir të objektivitetit që ia kanë vënë vetes qëllim qysh në krye të herës, nëse diçka i magjeps veçanërisht, padyshim që e shënojnë në libër. Për shembull ata thonë se Gjirokastra ishte një mrekulli befasuese… një qytet i veçantë që ia vlen të përshkruhet… sepse nuk mund të ketë qytet tjetër në botë si Gjirokastra.
Diku tjetër, për befasinë tonë, Gordon-ët shkruajnë: “Zëri natyral i shqiptarëve është i fuqishëm dhe bindës. Do të ishte çudi nëse, në të ardhmen nuk do të kemi nga Shqipëria, këngëtarë të mëdhenj të operës.” E pra, ja ku është, sërish në këtë pikë, pasqyra ku shihemi, me sipërfaqe veçanërisht të kthjellët dhe imazhi ynë në të veçanërisht identifikues… Ndërsa përfytyrimi na çon në skenat e mëdha bashkëkohore të operave të Europës, ku ngjiten triumfues soprano e tenorë shqiptarë…
***
E pra, në pasqyrën që na vënë përpara Gordon-ët, ne shohim veten, pothuaj përpikërisht ata që jemi. Të paraqitur saktësisht, falë ftohtësisë së përshkrimit mbi të gjitha, nga dy bredharakët anglezë.
Me shumë gjasë, të paktën sa herë flitet për karakterin dhe mendësinë shqiptare, pasardhësit e tyre sot do të kishin shkruar të njëjtin libër për shqiptarët, duke vijuar të jenë, pasqyrues…

Bajram Peçi : Në hapësirat e natyrës vrasëse, Xhek Londoni përçon forcën e njeriut

Xhek LondonBota letrare është e mbushur plot me krijime shkrimtarësh, ku mbresat e forta të udhëtimit të tyre i kanë shndërruar në kryevepra. Shumicën i bashkon një fill: njohja e jetës. “Unë mund të shkruaj vetëm ato që kam jetuar”, i përgjigjej Heminguej një gazetari që e intervistonte. Për çfarë provoi në këto udhëtime, përmes krijimtarisë letrare nobelisti ia solli lexuesit fare pranë Spanjën, Afrikën, detin, gjuetinë, Italinë dhe dashurinë. E bëri t’i përjetonte ato. Një tjetër syresh, Jashar Qemal, ka qenë një mjeshtër i përshkrimeve. Ai kishte punuar që fëmijë si bujk, lëroi tokën, ishte rojtar ujërash, u bë traktorist, këpucar e rojtar biblioteke, nga ku u largua për t’u bërë shkrimtar. Pa shkrimet e tij, turqit dhe bota do t’i kishin të panjohura përshkrimet për pllajën me gjembaçe, fushën me pambuk të Çukur-Ovasë dhe Anadollin me njerëzit e saj të thjeshtë e të varfër. Një tjetër shkrimtar, Gollsuorthi, mbresat e udhëtimit i lidh me lirizmin e thellë dhe botën shpirtërore. Tek udhëtimi në Gjermani, ai i gjen protagonistit të tij, Forsajtit, dashurinë e një vajze hungareze, që pati pakujdesinë të donte një anglez, pa e ditur se ishte një aristokrat, i cili “…nuk i duronte dot aromat” e që do i largohej në panik, duke ngjallur neverinë e lexonjësit për “udhëtarin” që donte të ndihmonte revolucionin hungarez.
Mbi shembujt e sipërm të udhëtarëve dhe të tjerë, nëse do sillja, pa droje se mund të gaboja, në krye do rendisja Xhek Londonin. Ai spikat me talentin dhe veçorinë e tij të përshkrimit të udhëtimeve që në moshë fare të re. Ishte përpos se 17 vjeç kur fitoi çmimin e parë të shpallur nga një gazetë e San Franciskos, me tregimin, “Tufani në brigjet e Japonisë”. Janë të rrallë ata krijues që mund t’i afrohen këtij talenti të madh për rrugët që përshkoi në jetë dhe udhëtimet që bëri.
E filloi jetën e pavarur, duke qenë ende fëmijë. 11 vjeç shiste gazeta, 14 vjeç u fut punëtor në një fabrikë konservash. Më pas, ilegalisht, peshkonte guaska në gjirin e San Franciskos; hyri marinar në një anije peshkimi, lundroi në hapësira detare pa fund dhe gjuajti arinj të bardhë në detin e Beringut; punoi si punëtor krahu në një fabrikë jute; u end i vetmuar poshtë e lart Amerikës, nga oqeani Paqësor në oqeanin Atlantik, nga Florida në Kanada, si endacak, në këmbë dhe nëpër çatitë e vagonëve të trenave, u burgos në Kanada se u gjet i papunë dhe i pastrehë. Pas burgut provoi, për pak dollarë, deri boksierin në ringje. Kur shpërthyen ethet e arit në Alaskë atë e gjetën te të njëzetat. Pas mijëra njerëzve që nxitonin t’i jepnin fund varfërisë në kërkim të minierave të metalit të çmuar, ishte një vit më pas edhe Xhek Londoni. Në Klondiak përjetoi aventura të rrezikshme, u sëmur nga skorbuti dhe pas një viti u kthye në San Francisko. Deri këtu, 21 vjeç, përpos tregimit të cilësuar më sipër, nuk kishte bërë gjë tjetër, madje as shkollën s’e kishte kryer.
Xhek London, gjatë një viti që qëndroi në Alaskë nuk u pasurua, përveç sëmundjes së skorbutit, fitoi pasurinë e madhe të përvojës së udhëtimeve dhe të njerëzve. Ishte Klondiaku dhe Jukoni që e zbuloi atë si shkrimtar. Tregimet e Veriut më së shumti nuk kanë heronj njerëz, mungojnë personazhet. Heronjtë e këtyre tregimeve janë qentë dhe ujqërit dhe tek-tuk, ndonjë udhëtar mes borës e akullit, ndonjë kërkues ari, fill i vetëm në shkretëtirën pa anë e fund të acarit vrasës. Në ndonjë tregim i ndodhet pranë edhe ndonjë shok, një sajë dhe një qen për ta tërhequr. Në brendi të një natyre të ashpër, ata gjurmuan viset e arit përpjetë rrëkeve të shumta që derdheshin në Jukon. Te tregimet e tij mëson të gjuash peshk e shkurta, mëson se si ndizet zjarri në kohën e stuhisë, të gatuash, të thash rrobat e qullura, të kujdesesh që zjarri të mos fiket, të mbledhësh shumë dru rreth zjarrit, sepse do të duhet, sapo nata të bjerë, që të luftosh me ujqërit, të shohësh se si tronditesh kur nga lopata e nxjerrë prej rrymës së ujit shkreptinë disa grimca të arta, të ndiesh personazhin që t’i merret fryma nga tronditja dhe, pasi janë mbuluar me rreckat e batanijes së nxjerrë nga saja, e sheh personazhin të ëndërrojë kthimin e tij në Oklend me arin e gjetur dhe se do martohet me Mejbëll Epllëgartin. Betejat e qenve mes tyre për ushqim, betejat e njeriut me ujqërit, për të mos u bërë ushqim, dhe betejat e kërkuesve të arit me natyrën e egër, në tregimet e shkrimtarit t’i sjellin vendet e largëta fare pranë, aq sa ndien dridhmat e të ftohtin e akullt. Këto hapësira të panjohura, armiqësore me njeriun dhe njerëzit e guximshëm që dinë t’i kapërcejnë rreziqet, të tërheqin e të ngërthejnë në ethet e endacakëve të tregimeve të tij, që përballojnë armiqësinë e natyrës së egër. “…por s’ka gjë më të lemerishme se heshtja e bardhë me atë ngurosjen e saj të akullt. Çdo lëvizje ngrin në vend; sipër kokës nuk ke asnjë re; dëgjohet vetëm një pëshpëritje, tingulli i zërit tënd të lebetit… Në hapësirat e shajnishme të botës së vdekur lëviz kokrriza e vetmuar e rërës, një njeri. Vetë guximi i tij i duket diçka e kobshme” (Nga tregimi “Heshtja e bardhë”). Kushdo që nga qytetet e ngrohta e të pasura amerikane, i lexonte tregimet e këtyre vendeve të panjohura që talenti i gjeniut i sillte në periodikët, digjej nga dëshira të ishte protagonist, të ndodhej atje, mes natyrës së egër apo pirgut të metaltë të arit, që i braktisur zverdhon në shkëlqimin e diellit, diku në një skutë të humbur të pyllit te “Kushtrimi i të parëve”.
Biografët e tij na ndërmendin se ai mbërriti në shtëpi pa një dysh në xhep, por ai fitoi nga “ethja e arit” dhe udhëtimet, tërë njohuritë për atë botë të egër, të cilën ia dha njerëzimit në formën e tregimeve të jashtëzakonshme, të paarrira më, të shkruara me një gjuhë të thjeshtë, të këndshme e tërheqëse. Kush fillon t’i lexojë, patjetër do t’i mbarojë, por s’do t’i heqë dot nga dora. Bota nuk njohu më pas askënd, zoologë, shkrimtarë apo psikologë qensh, që të njihte dhe përshkruante kaq thellë e në brendi natyrën e mikut të njeriut, qenin, dredhitë e përleshjet e tyre, natyrën e udhëheqësit në krye të slitës, sivëllezërit e tyre, ujqërit dhe luftën për ekzistencë në zbrazëtirat e pyjeve halore. Mbi të gjitha, në “vendin e ngricës” ku gjeniu e çon lexuesin, mëson se ç’gracka të shumta është e zonja të thurë natyra, për t’i treguar njeriut se sa lehtë arrihet asgjësimi i tij.

Historiani turk fyen Skënderbeun, reagime të forta kundër tij

Talha Ugurluel - historiani turk kunder SkenderbeutTalha Ugurluel - historiani turk kunder Skenderbeut
Kanë shkaktuar reagime të forta fjalët e historianit apo ciceronit turk, Talha Ugurluel, i cili gjatë një shëtitjeje në prill të këtij viti në Shkodër dhe muze, memorialin e Skënderbeut në Lezhë ka denigruar figurën e heroit tonë kombëtar, madje duke e krahasuar atë me terroristët e Partisë Komuniste kurde.
“Vetëm Skënderbeu e tradhtoi Perandorinë Osmane dhe doli në mal. Jetoi si një plaçkitës dhe vdiq. Atë njeri e pagëzoi dhe Papa. Flamuri i tij sot është flamuri i Shqipërisë. Sot, ai tregohet si lideri më i madh i shqiptarëve. Skënderbeu ka jetuar për shumë vite në malet e Krujës, ka qenë bandit dhe kusar. Ka sulmuar rreth 30 herë ushtrinë e Perandorisë. Sot disa nacionalistë shqiptarë e hiperbolizojnë këtë gjë. Zbriste nga mali me disa ushtarë të vet, vriste burra, gra, fëmijë të pambrojtur dhe ikte. Këtë, ai dhe ata e quajnë si luftë ndaj osmanllinjve. Jo, është njësoj me atë që bëjnë terroristët kurdë sot në vendin tonë, të cilët vrasin 2-3 vetë dhe kujtojnë se çfarë kanë bërë. Ai ka bërë të njëjtën gjë si PKK, sulmo nga mali dhe ik, sulmo dhe ik”, ka thënë turku.
Historiani turk ka marrë pjesë në një udhëtim të një grupi shtetasish turq në Shqipëri. Video me komentet negative është hequr nga “Youtube” për shkak të gjuhës së përdorur, ndërsa një peticion për shpalljen e tij non grata në Shqipëri është në proces e sipër. Talha Ugurluel është i njohur në vendin e tij, sepse udhëtonte në vendet që kanë qenë të pushtuar nga ish-Perandoria Osmane dhe tregon historinë e tyre sipas një varianti shumë fyes.
Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj, ka reaguar pas deklaratave të historianit turk. Gjatë një deklarate për mediat, Frrokaj ka dënuar aktin e historianit turk, duke deklaruar se duhet të distancohemi nga ngjarje të tilla. Sipas tij, këto qëndrime janë dashakeqëse, pasi çdo popull ka heronjtë e vet që duhen respektuar, pavarësisht përkatësive fetare. Në të njëjtën linjë për ngjarjen ka qenë edhe Myftina e Lezhës. Imami i xhamisë së qytetit, Mois Shehu, tha se Komuniteti Mysliman distancohet nga akte të tilla, duke deklaruar se është e pafalshme që të fyhet një hero kombëtar siç është Skënderbeu.

Pesë autorë shqiptarë do përkthehen në gjuhë të huaj

Fatos Kongoli, Luljeta Lleshanaku, Stefan Çapliku, Ridvan Dibra dhe Bashkim Shehu janë fitues të fondit të përkthimit


Ratos Kongoli

Pesë autorë shqiptarë janë përzgjedhur nga Ministria e Kulturës për t’u mbështetur financiarisht për t’u përkthyer në gjuhë të huaj. Bashkim Shehu, Mira Meksi, Ridvan Dibra, Luljeta Lleshanaku dhe Stefan Çapaliku janë autorët fitues të fondit të përkthimit letrar nga gjuha shqipe në gjuhë të huaj që u hap vetëm pak kohë më parë. Qëllimi i këtij fondi është promovimi i letërsisë shqipe jashtë vendit, përmes disa veprave të rëndësishme të saj”. Nga 10 aplikime të shtëpive botuese të huaja, u përzgjodhën 6 prej tyre të cilët kaluan fazën e seleksionimit nga kolegjiumi dhe më pas nga ekspertët e fushës së përkthimit.Krahas emrave të përkthyesve fitues, si dhe të shtëpive botuese të huaja, kemi kënaqësinë të shohim gjithashtu të përzgjedhur emra shkrimtarësh dhe poetësh nga më të rëndësishmit e letërsisë shqipe”, thuhet në njoftimin zyrtar të ministrisë. Për të përkthyer këto vepra është vënë në dispozicion një fond prej
Luljeta Lleshanaku


2.000.000 lekësh. Romani “Angelus Novus” i Bashkim Shehut do të përkthehet në gjuhën spanjolle nga Esperanza Roces, dhe do të botohet nga shtëpia botuese “Ediciones Siruela”. Personazhi i gjithëpranishëm i këtij romani është Historia, e cila me fuqinë e saj të përbindshme e të verbër, sjell shkatërrimin e jetëve të panumërta. Përballë Historisë, pohohet tragjikisht vlera e papërsëritshme e çdo historie të veçantë njerëzore.


Është një nga temat e parapëlqyera të këtij autori, dhe në romanin “Angelus Novus” gjejmë një trajtim më të thelluar të saj. Romani “Legjenda e vetmisë” me autor Ridvan Dibrën do të përkthehet nga Evelyne Noygues në gjuhën frënge dhe do të botohet nga botimet “La Ver a Soie”. Në këtë libër autori shpërfill qëllimshëm nihilizmin e dyshimin e tejkaluar modern, por edhe ironinë e lojnat e shumë – përsëritura postmoderne. Një libër, në dallim prej të tjerëve para tij, sa më “jashtë meje”, sa më impersonal e objektiv. Një libër që, qëllimshëm, t’i lërë mënjanë “artificet kompozicionale”, duke respektuar deri në adhurim burimin e parë, domethënë legjendën. Një libër që t’i kundërvihet postulatit të Xh. Kallerit se “epika rrëfen ngjarje, kurse lirika tenton të jetë vetë ngjarje”, duke synuar një “epikë” që të rrëfejë ngjarje e, njëkohësisht, të jetë vetë ngjarje. “Një libër që të mbështesë bindjen time estetike se “Arti nuk është i thjeshtë, sepse dëshiron të jetë i thjeshtë, por sepse dëshiron të jetë art”, duke perifrazuar kësisoj e, njëkohësisht, duke kundërshtuar Donald Barthelmin (njërin prej etërve të tregimit post–modern amerikan). Sepse unë vazhdoj t’i besoj Platonit kur thoshte: “Bukuria e stilit, harmonisë, madhështisë dhe e ritmit të mirë varet nga thjeshtësia.
Stefan Capaliku

“Një synim i tillë (ndoshta fort ambicioz) rreket të mbërrijë edhe ky teks”, shkruan Dibra për këtë vepër. Libri “Iluzione në sirtar” i Fatos Kongolit do të përkthehet në gjuhën italiane nga Caterina Zuccaro dhe do të botohet nga Rubbetino Editore. I ndërtuar mbi dy motive të ndërthurura, jeta e shkrimtarit dhe rruga e tij e vështirë drejt letërsisë, ky “pothuajse roman”, me personazh qendror vetë autorin, na sjell pamje të papërsëritshme epokash, të djeshme dhe të sotme. Dhe një varg protagonistësh të letrave shqipe, të kulturës, arteve dhe politikës etj. Ashtu siç i ka njohur autori, që nga fëmijëria e hershme e deri më vonë, në kohë të qeta dhe të trazuara, gjatë periudhës së diktaturës e pas saj.

Bashkim Shehu
Është një autoportret origjinal dhe i sinqertë. Për herë të parë, Kongoli u kthehet këtu disa episodeve nga më të rëndësishmet dhe traumatiket në jetën e tij. Një libër i veçantë, i pari në letrat e sotme shqipe, ku autori kërkon të shohë thellë në vetvete, për t’i bërë më të kuptueshëm librat e tij përmes zbërthimit të vetvetes. Përmbledhja poetike e Luljeta Lleshanakut do të përkthehet në gjuhën sllovake nga Lucia Paprckova, dhe do të botohet nga Občianske Združenie VLNA. “Triologjia Albanica” e Stefan Çapalikut do të përkthehet në frëngjisht nga Anna Couthures dhe do të botohet nga Maison D’Europe et D’Orient.

Ndihmëssekretarja e Shtetit amerikan Victoria Nuland vjen më 10 korrik 2016 në Kosovë , notë proteste nga qeveria malazeze

Victor Nuland

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të dërgojnë në Kosovë më 10 korrikun e ardhshëm ndihmëssekretaren e Shtetit, Victoria Nuland, për të zgjidhur ngërçin politik që e ka kapluar vendin prej një viti, për shkak të demarkacionit me Malin e Zi. Departamenti Amerikan i Shtetit vlerësoi vjet se vija kufitare me Malin e Zi, është në përputhje me Kushtetutën e vitit 1974 dhe Pakon e Ahtisaar-it. Por opozita e ka kundërshtuar kufirin e caktuar nga qeveria kosovare dhe e ka bërë të qartë se nuk do të lejojë që të ratifikohet demarkacioni në Kuvend. Nga ana tjetër, Bashkimi Europian bëri me dije se pa u ratifikuar akordi, nuk do të ketë liberalizim të vizave për kosovarët. Një temë tjetër që ka sjellë përplasje është edhe asociacioni i komunave me shumicë serbe. Për shkak të tensioneve të mëdha, hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend dhe protestave në rrugë, nga tri partitë opozitare, vendi ka mbetur në ngërç institucional. Qëndrimi i SHBA-së, pasi analizoi procesin e caktimit të kufijve mes dy vendeve ishte: “Pas shqyrtimit të hartave nga vitet 1940-ta e deri më tani, përfshirë këtu edhe ato që janë shfrytëzuar nga komisioni për demarkacionin e kufirit, Departamenti Amerikan i Shtetit ka përcaktuar se kufiri i shënjuar së fundmi është në përputhje të ngushtë me Kushtetutën e vitit 1974. Kufijtë që ne i kemi përshkruar që nga viti 2008, përputhen në detaje me kufirin e propozuar në vitin 2015”. Ndërkohë dje, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Integrimit Europian në Malin e Zi, i dërgoi një notë proteste Kosovës, pasi deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje vendosën flamurin e Shqipërisë dhe tabelën me mbishkrimet “Republika e Kosovës” dhe “Mirë se vini”, sipas tyre, në territorin e Malit të Zi. Podgorica i tërhoqi vërejtje Prishtinës që në të ardhmen të ndalojë aktivitete të tilla, sepse me to po sfidon marrëveshjen e arritur për përcaktimin e vijës kufitare të nënshkruar në Vjenë në vitin 2015. Por në një reagim në profilin e tij në “Facebook”, zëdhënësi i VV-së u shpreh se qeveria e Kosovës duhet të reagojë në lidhje me këtë çështje, e jo të struket e të shajë opozitën. “Mali i Zi i merr Kosovës mbi 8 mijë hektarë territor. Qeveria jonë e lodhur e pranon pa hezitim. Mali i Zi është futur brenda territorit të Kosovës për të hequr tabelën e Republikës së Kosovës. Qeveria jonë e lodhur s’thotë asnjë fjalë. Mali i Zi dërgon notë proteste te qeveria, sepse disa deputetë të Republikës vendosën tabelën aty ku duhet të jetë. Qeveria jonë e lodhur struket dhe shan opozitën”.

Flori Bruqi, e pasqyruar në shtatëdhjetë libra të botuar deri tani, për çka ai duhej nderuar me medaljen më të lart “Nderi i Kombit”.

  Akademik Prof.dr.Eshref Ymeri, PHD Prof. dr. Flori Bruqi, me “Diademë Letrare V” Akademik PHD, Eshref Ymeri Vitin e kaluar, Shtëpia Bo...