2016-08-03

Mbrojtja e gjuhës shqipe-një urgjencë e kohës

Mbrojtja e gjuhës shqipe-një urgjencë e kohës
Shënime për librin “Urgjenca gjuhësore”, shkruar nga Prof. dr. Gjovalin Shkurtaj
Nga Sejdo Harka
Akademiku Gjovalin Shkurtaj, ky emër i njohur i letrave shqipe, është një nga mbrojtësit më të zellshëm të pastërtisë së gjuhës shqipe. Ai tërë jetën ja ka kushtuar punës për zhvillimin, pastrimin dhe pasurimin e mëtejshëm të saj. Krahas veprimtarisë së tij të drejtpërdrejtë si pedagog e mësimdhënës i gjuhës shqipe në Universitetin e Tiranës, ai ka bërë dhe vazhdon të bëjë me pasion një punë të madhe për hulumtimin, studimin dhe botimin e shumë shkrimeve, studimeve dhe librave me vlerë të madhe, jo vetëm për qarqet akademike dhe shkencore, por dhe për lexuesin e gjerë, brenda dhe jashtë vendit. Libri më i ri i Prof. Dr. Gjovalin Shkurtajt, i cili ka dalë në qarkullim kohët e fundit, titullohet “Urgjenca gjuhësore”. Ky libër, në të vërtetë, është një thirrje e hapur që tingëllon si një kambanë e fuqishme alarmi, që tenton të zgjojë nga gjumi dhe plogështia, jo vetëm shtetarët, politikanët dhe krijuesit e të gjitha fushave të jetës, por dhe gjithë shqipfolësit, për ta ruajtur pasuruar dhe zhvilluar më tej gjuhën shqipe. Që në fjalët paraprijëse të librit, autori trajton me kulturë e guxim problemin e zhvillimit dhe të ruajtjes së pastër të gjuhës shqipe nga fjalët e huaja e të panevojshme. Në këtë libër autori vlerëson lartë punën e madhe që kanë bërë Rilindësit tanë të mëdhenj N. Frashëri dhe K. Kristoforidhi dhe vazhduesit e tyri si: Gj. Fishta, Ndre Mjeda dhe E. Koliqi, E. Çabej dhe A. Kostollari, I. Kadare dhe D. Agolli…Bilbili i gjuhës shqipe, Naim Frashëri, edhe në ato kohë, kur disa pseudo-shqiptarë e kishin për turp të flisnin shqip, shkruante: “Shqip të flasim përherë, fjeshtë e të papërzjerë”. Ndërsa Gjergj Fishta, për ata që e nënvlerësojnë gjuhën shqipe, shkruan: “Pra mallkue nja i bir shqiptari, që përbuz këtë gjuhë hyjnore/e në gjuh të huaj kur s’ashtë nevoja/flet e t’vetën len mbas dore”(8). Kurse gjuhëtari i shquar kosovar, Akademiku Idriz Ajeti thekson se “Pa një gjuhë të pastër, s’ka as ide e mendime të larta”. Në këtë libër, Gjovalin Shkurtaj qorton maninë  e disa pushtetarëve, politikanëve, studiuesve dhe krijuesve të fushave të ndryshme, të cilët për t’u dukur si modernë e të ditur, në vend të fjalëve të gjuhës shqipe përdorin fjalët e huaja. Është e vërtetë që të gjithë jemi të pushtuar nga mania për t’u dukur modernë. Por e keqja është se disa prej tyre, me fjalën “modern” nënkuptojnë përdorimin me vend e pa vend të fjalëve të huaja, aq sa vlera e një studimi, shkrimi apo libri është matur me sasinë e fjalëve të huaja të përdorura në to, edhe kur për zëvendësimin e tyre ekzistojnë fjalët  e bukura të gjuhës shqipe. Kjo garë e heshtur ka sjellë lumenj të turbullt me fjalë të huaja, jo vetëm të dëmshme për gjuhën tonë, por dhe të pahijshme e të papranueshme, veçanërisht në emisionet humoristike televizive. Banalizimi dhe huazimet, gabimet e shumta drejtshkrimore dhe përdorimi i keq i shenjave të pikësimit në medjen e shkruar dhe atë elektronike, thekson Prof. dr . Ali Jashari, e kanë bërë aq të vështirë kuptimin e tyre, saqë për t’i “përkthyer”, duhen përdorur disa fjalorë në gjuhë të ndryshme të botës. Është kjo një nga arsyet që Gj. Shkurtaj, ruajtjen e gjuhës shqipe nga vërshimi i fjalëve të huaja e trajton si një urgjencë të vërtetë kombëtare, sepse sa më shumë të vazhdojë papërgjegjshmëria për mbrojtjen e saj nga “agresioni” i gjuhëve të ashtuquajtura të mëdha, aq më e vështirë do të jetë puna për mënjanimin e ndryshkjes dhe asimilimit të saj prej tyre.
 -Të jesh pjesë e familjes së madhe të gjuhëve indo-europiane-theksonte gjuhëtari ynë i madh E. Çabej-nuk do të thotë të gjunjëzohesh, e aq më keq të asimilohesh prej tyre, sepse gjuha është tipari kryesor i mbijetesës së një kombi. Gjuha shqipe, thekson I. Kadareja, është njëra nga tri gjuhët më të vjetra të botës, që i ka rezistuar në shekuj asimilimit të saj nga gjuhët e huaja. (187)Por kjo nuk do të thotë se rreziku për asimilimin dhe ndryshkjen e saj ka mbaruar. Ajo vazhdon të gërryhet e dëmtohet herë nga padia e herë nga nënvlerësimi, herë nga mania për t’u dukur “modern” e herë nga papërgjegjshmëria. Për ta ruajtur dhe pasuruar më tej gjuhën shqipe, Gj. Shkurtaj rithekson disa rrugë, të cilat janë:Formimi i fjalëve të reja me burimin e shqipes si p.sh. “qëndrueshmëri”, “përuroj”; përdorimi i fjalëve dhe frazave të reja të marra nga goja e popullit si: “gërryerje”, në vend të fjalës së huaj “erozion”, gërryerës në vend të fjalës së huaj “eroziv”; aktivizimi i fjalëve të vjetra, që kanë zënë vend me kohë në leksikun e shqipes, si fjala “nismë”, në vend të fjalës së huaj“iniciativë”. Në këtë libër autori thekson se gjatë 25 viteve të fundit, përpjekjet e shtetit dhe të gjithë shoqërisë për ruajtjen e pastërtisë së gjuhës dhe zhvillimin e saj të mëtejshëm, janë minimizuar, për të mos thënë janë kthyer mbrapa. Disa nga arsyet janë këto:Rikthimi i disa fjalëve të huaja që me kohë ishin zëvendësuar me sukses; papërgjegjshmëria e shtetarëve dhe politikanëve, studiuesve, gazetarëve dhe krijuesve të fushave të ndryshme që, me ngathtësinë dhe paaftësinë e tyre, po e mbytin gjuhën tonë me fjalë shprehje dhe ndërtime morfologjiko-sintaksore të huaja. Është fatkeqësi, që sot edhe televizionet  kombëtare me emisionet e tyre të mëdha, janë mbytur me emërtime të huaja si “Top Channel”, “Klan” “Big Brother”…Kush ka rendur nëpër rrugët, lokalet dhe hotelet e qyteteve të vendit tonë dhe nuk e ka ndjerë veten të huaj në vendin e vetë, kur në emërtimet e tyre nuk ka parë asnjë fjalë shqip. Sot padrejtësisht edhe fjalë të vjetra latine si “Kuvend”, që kanë zënë vend me kohë në leksikun tonë, po zëvendësohen me fjalë të reja të huaja si “Parlament”, “Kryeparlamentar” etj.. Kjo tregon se gjuhën tonë po e dëmton rëndë orteku i fjalëve të huaja , të ashtuquajtura “modern”, si “sharm”në vend të fjalës shqipe “hir”, “destruktiv”, në vend të fjalës shqipe”shkatërrim” etj. Siç duket , thekson autori, sot shqipen po e kërcënon rreziku i një shqipanglitalishteje të prekura nga vërshimi i tepruar i anglicizmave dhe italianizmave. Prandaj, vazhdon ai më poshtë: “Nëse nuk duam që një shqipe e përçudnuar të përçudnojë edhe mendjen e shqiptarëve, duhet që shteti dhe gjithë shoqëria jonë e qytetëruar të shkundet nga letargjia dhe të dalin nga mjegullnaja e kësaj amullie që rrezikon të na kaplojë…Huazimet duhet t’i pranojmë nga halli dhe jo nga malli”. (14) Gjuha shqipe sot dëmtohet nga shpërfillja e shtetit, shoqërisë dhe individit. Ka gati një çerek shekulli, që jo vetëm botimet e shfrenuara, por dhe ligjet e shtetit kanë mbetur jashtë korrektimit dhe redaktimit profesional, sipas drejtshkrimit dhe normave të gjuhës letrare kombëtare. Ligjet dhe udhëzimet janë mbushur me fjalë të huaja. Mungon kodi zyrtar i komunikimit. Ka ligje që janë të mbushur me fjalë shumëkuptimëshe me ngjyrime emocionale, në një kohë që dihet se gjuha e ligjeve, thekson autori, duhet të jetë e ftohtë si vdekja dhe e njëjtë për të gjithë. (27) Shtrembërimet më të mëdha të gjuhës letrare shqipe sot i hasim në medien e shkruar. Në shtypin e ditës sot vërehen jo vetëm gabime ortografike, por dhe struktura të gabuara morfologjike dhe sintaksore. Ndërsa medien e sotme elektronike, fatkeqësisht po e mbulon “bloza e zezë”e fjalëve të ndyra e vulgare, të papranueshme për një shoqëri demokratike e të civilizuar. Edhe emrat e huaj në kontekstin e gjuhës shqipe shkruhen gabim. Ata nuk mund të shkruhen si në gjuhët e huaja përkatëse, por me mbaresat tipike të emrave në gjuhën shqipe, sepse ndryshe vështirësohet kuptimi i tyre në fjali. Vlera të veçanta merr ky libër, jo vetëm sepse ai jep rrugët e ruajtjes dhe pastrimit të gjuhës shqipe, por dhe se nëpërmjet një fjalorthi, që zë një vend të rëndësishëm në të, ndihmon për ruajtjen dhe pasurimin e mëtejshëm të gjuhës shqipe. Në këtë fjalorth autori paraqet, jo vetëm fjalë të veçanta, por dhe çerdhen e plotë të fjalëve të huaja, të cilat i zëvendëson me fjalët e brumit të shqipes. Kështu, fjalët e huaja, si: “konsulent”, “konsultim”, “konsultohem”, i zëvendëson me fjalët përkatëse të gjuhës shqipe: “këshillues”, ”këshillim”, “këshillohem”.
Për gjuhën shqipe, shkruan E. Çabej, është e rëndësishme jo vetëm lufta për ruajtjen e saj nga “pushtimi” prej fjalëve të huaja, por dhe nga puritanizmi, si dukuri konservatore, që e mbyll atë në vetvete, duke përjashtuar absolutisht huazimet, edhe aty ku nuk ekziston fjala përkatëse shqipe. Do të ishte marrëzi, thekson më poshtë autori, nëse do të bënim përpjekje për të zëvendësuar edhe fjalë të tilla të huaja si “qytet”, “shëndet”, “analizë”, “skenë”, të cilat kanë zënë vend me kohë në leksikun e gjuhës shqipe. Me vlerë për gjuhën e sotme shqipe janë dhe ndërkombëtarizmat dhe fjalët që emërtojnë mjetet dhe dukuritë e reja të elektronikës së sotshme moderne.
Së fundi, mund të themi se libri “Urgjenca gjuhësore”, shkruar nga gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj, është jo vetëm një vepër me vlera të papërsëritshme për problematikën që trajton, por dhe tepër i domosdoshëm bibliotekat dhe tryezat e punës së të gjithë shqipfolësve, kudo që punojnë dhe jeton, veçanërisht në ditët e sotme, kur gjuha shqipe sulmohet nga të gjitha anët dhe mbrohet shumë pak nga ne. Ky fakt i hidhur shtron para shtetit, strukturave të tij dhe gjithë shoqërisë detyra urgjente për mbrojtjen dhe pasurimin e pandërprerë të gjuhës sonë. Në një kohë kur dhe kombet e mëdha luftojnë me fanatizëm për mbrojtjen e gjuhës së vet, atëherë, thekson më poshtë autori, ne si komb i vogël duhet të luftojmë dyfish. Prandaj, që gjuha shqipe të “shërohet”nga “kafshimet dhe gërryerjet”, duhet kuruar me urgjencë. Këtë libër, me vlera të veçanta për të gjithë shqiptarët, autori e mbyll me këtë sentencë të bukur kuptimplote:”Që ta mbrojmë shqiptarinë dhe të mbetemi shqiptarë të përjetshëm, duhet ta mbajmë të gjallë gjuhën e bukur shqipe, e cila është në fakt vetë “palca” e kombit tonë”.

Revista Amerikane: Aventura autentike në kufirin Kosovë-Shqipëri

Revista Amerikane: Aventura autentike në kufirin Kosovë-Shqipëri
Një revistë amerikane e quajtur “Paste Magazine”, ka udhëtuar drejt Kosovës, e nga një eksperiencë e kthyer me mbresa, gazetarët kanë realizuar një artikull. Ata janë shprehur se: “Jemi të tërhequr nga një fshat i largët në perëndim të Kosovës, me ngjyra fluoreshente, tingujt e një daulle ndaluan gjurmët tona. Ne kthehemi dhe shohim një njeri të vjetër, pjesë e një komuniteti lokal rom i cili ka dalë për të na mbush me gëzim”.
“Amerikanë, po?” Pyet ai. Ne jemi një grup i përzier i amerikanëve, kanadezëve dhe brazilianëve, por ne nuk e korrigjuar atë. “Mirë se vini dhe ju uroj një qëndrim të këndshëm në Kosovë”,- ju tha burri turistëve.
Më tej në shkrim citohet se: “Ne shikojmë një vend me traktorë dhe gratë që kullosin lopët, por ne jemi përshëndetur ngrohtësisht çdo herë me një buzëqeshje dhe një valle. Ne jemi të ftuar këtu … dhe në Malësinë-ose malësitë e Kosovës perëndimore dhe veriore të Shqipërisë. Turizmi është në rritje në këtë cep të qetë të botës, jo vetëm për shkak të vendndodhjes së saj ideal midis Ballkanit por edhe për shkak të mundësive që ofron rajoni. Ofron përjetime të mikpritjes tradicionale që daton prej shekujsh”.
Turistët kanë mbetur të befasuar siç nënvizohet në shkrim nga kati i fundit i një ndërtese, e cila sipas tyre paska shërbyer si vend për dasma, funerale, procedura ligjore, shkollë, etj.  Shumë prej kullave historike të Kosovës u shkatërruan në fund të viteve 1990, ose janë përkeqësuar për shkak të mungesës së kujdesit, por disa prej tyre kohët e fundit janë restauruar dhe përdoret si shtëpi pritëse.
Sali Shoshi ka bërë punën e tij për të siguruar që traditat e rajonit të mos humbin. Një arkitekt i cili ka punuar në ruajtjen e kulturës për 15 vjet, Shoshi kohët e fundit vendosi të bashkohet me pasionet e tij për trashëgiminë e Kosovës dhe pamjen e saj mbresëlënëse natyrore duke filluar me marrëveshjet me kompaninë e tij të turizmit aventurë, Catun. Një nga udhëtimet e tij më të njohura, është që sjell me biçikletë vizitorët në shtëpinë e Isuf dhe Kumrije Mazrekaj.
“Shumë njerëz në këtë fushë kanë jetë tradicionale”,- shpjegon Shoshi, duke treguar për një dokumentar të vitit 1976 që portretizon jetën e përditshme të një familjeje 117-anëtarësh në fshatin perëndimor të Nivokaz. “Duke sjellë vizitorë që njihen me ushqimin dhe kulturën e popullit shqiptar këtu, ne mund ti ndihmojë për të ruajtur traditat e tyre dhe për ti ndihmuar ata të fituar një jetesë në mënyrë të qëndrueshme”.
Shkrimi mbyllet duke prezantuar këtë vend të Ballkanit dhe duke i bërë thirrje turistëve që të vizitojnë Kosovën dhe Shqipërinë. “Malësia është e përshtatshme për aeroportet ndërkombëtare në Prishtinë dhe në Tiranë. Aeroportet ofrojnë një shumëllojshmëri të fluturimeve të rregullta nga destinacionet e tjera të Ballkanit, si dhe në Europën Perëndimore. Rajoni mes Kosovës dhe Shqipërisë mund të mbulohen në tre orë me makinë”.

Letërsia shqipe në emigracion

Letërsia shqipe në emigracion
Nga Fatime Mënalla

Kur ke dashuri për “germat” e gjuhës tënde, nuk është e rëndësishme largësia që të ndanë prej tyre…Jo shpesh ndodh që në një qytet tjetër, në një vend tjetër  në atdheun tënd të mblidhesh e të diskutosh për vargjet, për poezinë. Pak ditë më parë në qytetin e Selanik u zhvillua një mbrëmje letrare, ku në fokus ishte promovim i letërsisë shqipe që jeton e zhvillohet në këtë qytet.
Pritshmëria i kalojë kufijtë, lexuesit shqiptarë dëshmuan se dashuria për librin vijon të jetë prezente në jetën e tyre, edhe pse jetojnë në një vend ku nuk flitet shqip. Ky eveniment tregoi se dashuria e popullit shqiptar për librin është e madhe, e kjo vërtetohet nga krijimtaria që rritet e zhvillohet në emigracion. Organizata “Jeta” së bashku me lidhjen e shkrimtarëve “Dega e Blertë” në Selanik, improvizoi pak ditë më parë një “shtëpizë” libri, ku mes atdhetareve u promovuan dy libra që e kanë parë dritën e botimit pak kohë më parë. Bëhet fjalë për vëllimin me poezi “Nesër do të jemi më të mirë” të autorit Dhimitër Nica dhe “Ju ruajta për gëzimin e zemrës sime” të autores Kristina Demiri Dojce. Në “shtëpizën” e librit nuk munguan edhe komentet për poezinë, por jo vetëm.
Sakaq, në mbrëmje nuk munguan edhe pjesë të lexuara nga krijimtaria e tre autorëve të tjerë si: Anila Rezhda, autore e librit me tregime “Prekja”, Mimoza Berisha autore e vëllimit me poezi “Fli të bëhet natë”, Petros Kume me librin “Ti, që quhesh grua”.
Veprimtaria letrare
Mimoza Berisha është një vajzë e re që dëshmon se penda e tutuar nga një grua bëhet më e fuqishme dhe më sensitive, gjithashtu. Në vëllimin me poezi “Fli të bëhet natë”, autorja dëshmon qartazi dëshirën dhe ndjenjën që ka një femër për vendin e saj, për germat e saj. Në vargjet e saj lexuesi gjen veten, e shpesh herë vallëzon me valët e mëdha të jetës së një gruaje emigrante. “Fli, fli i dashur, mbylli sytë, të bëhet natë…! Dita s’po na do, po na ndjek me gurë, na paska inat…! Fli, fli të bëhet natë.” Autorja preferon të flejë, të flejë sërish sepse kështu “dashuria” e saj do të jetë aty.  Gjatë mbrëmjes letrare vetë autorja e “Fli të bëhet natë” bëri me dije se shumë shpejt do të botojë librin e saj të dytë me poezi. Kristina Demiri Dojce është një mësuese e hershme e gjuhës shqipe, ajo është një figurë e rëndësishme e arsimit shqiptarë ndër vite.
Nëna Kristina, ashtu siç e quan ajo veten për të gjithë është një grua me pasion dhe me dëshirë të madhe për të ecur para. Vëllimi me poezi “Ju ruajta për gëzimin e zemrës sime” nuk është i rastësishëm. Ajo dëshiron t’i thotë çdo gruaje që të luftoj me peripecitë e jetës dhe të dijë t’i dali para edhe të pamundurës. Lidhja e saj me poezinë është e hershme, që në adoleshencë. E megjithëkëtë vëllimi i saj me poezi ka vetëm pak ditë që ka dalë në dritën e botimit.
Ajo e ka cilësuar këtë libër si fëminë e saj të parë, pasi sipas saj rruga e krijimtarisë së saj ka plane për të ardhmen. Tashmë ajo është duke punuar për një libër tjetër, kësaj here në prozë.
Dhimitër Nica është një poet që jeton e ushtron aktivitetin e tij prej shumë vitesh në vendin helen. Vlera dhe cilësia e vargut zë vend të rëndësishëm në krijimtarinë e autorit. Vëllimi me poezi “Nesër do të jemi më të mirë” është i treti për nga radha e krijimtarisë së tij letrare. Siç duket nga titulli, libri është një tërheqje pozitive, aty duket se vullneti ynë për të qenë njerëz më të mirë është një dëshirë e pakusht. Tematikat e poezisë së Nicës janë të shumëllojshme, por ajo që vlen të theksojmë është se temat që godasin janë ato që lidhen më aktualitetin e atdheut. Autorin e shqetëson gjendja aktuale politike në të cilën katranoset çdo ditë e më shumë, atdheu i tij; Shqipëria. Por gjithashtu, autori shkruan edhe për tematika të tjera që duken kaq të thjeshta në pamje, por që kanë një rol të rëndësishëm në detajet e jetës së një shqiptari që jeton në emigracion.
Anila Rezhda është një gazetare dhe përkthyese e larguar shumë herët nga vendi i saj. Dëshira për një jetë më të mirë dhe ambicia për dije e detyrojë atë të lërë familjen e të largohej për në shtetin grek, i cili ato kohë ishte shpëtim për çdo shqiptarë. Pasi përfundoi studimet në “Univeristetin Aristotelus”, vajza e re shqiptare kërkojë me vendosmëri dëshirën për të ecur para. Pas shumë vitesh në emigrim ajo vendosi që peripecitë e jetës t’i hedhë në letër.
Libri me tregime “Prekja” u botua më 2007 në Tiranë dhe u promovua pikërisht në kryeqytet, në vendin ku Nila u rrit dhe kaloi vitet më të bukura fëmijërisë. Tregimet janë të fokusuar në ndjenjën e shpirtit të çdo gruaje që vendos ta përballoj jetën e vetme. E vetme jo fizikisht, por e vetëm në vendime dhe në arritjet e saj profesionale.  Tregimi “Kapelja” që ndodhet mes faqeve të këtij libri është ndoshta, pjesa më prekëse e prozës së Rezhdës.
Ajo tregon dëshirën dhe mungesën e mundësive të një vajze të re shqiptare kundrejt të rinjve grekë, të cilët bridhnin rrugëve me lekët e prindërve. Po kështu, një tjetër vëllim poetik ishte i pranishëm në mbrëmjen letrare selanikëse. Poezia melodike e poetit Petros Kume, bëri që gratë të mbanin frymën dhe të dëgjonin përshkrimin që ai i bënte asaj; gruas.
Vëllimi poetik “Ti, që quhesh grua” ndjek rrugën e përshkrimit të dashurisë, e ku ka përshkrim më të bukur për dashurinë sesa femra. Autori jeton dhe ushtron veprimtarinë e tij në Korfuz, por dashuria për librin bëri që vepra e tij letrare të ishte e pranishme në Selanik.
“Fryma” letrare në emigracion
Nuk janë të pakta rastet kur emigranti trajtohet si i huaj edhe në vendin e tij. Mungesa e përkrahjes së kësaj kategorie bënë që shumë herë shqiptarët të mohojnë origjinën e tyre, duke e quajtur vetën grekë. Pse?! Është pikërisht mungesa e mbajtjes së kulturës sonë kombëtare gjallë. Kjo vjen për arsye të ndryshme, që kanë njëmijenjë këndvështrime. Këta autorë, janë një dritë e re jeshile e mbajtjes gjallë të kulturës sonë kombëtare. Ata çdo ditë ushqejnë me vargjet e tyre bashkatdhetarët e tyre, duke zgjuar tek ta dëshirën e pranimit të vetvetes.
Germat e tyre na tregojnë se, edhe pse jetojmë larg ne përsëri mund ta zhvillojmë pasionin tonë, shpirti artistik vijon të jetë refren krijimtarisë së tyre. Aktivitetet të kategorive të ndryshme bëjnë që shqiptarët të mblidhen, e të diskutojnë mes tyre më furishëm rreth mbajtjes gjallë të identitetit të tyre. Janë pikërisht këta autorë që meritojnë një falënderim të madh sepse me pasionin e tyre frymëzues, na bëjnë ne këta që jemi; të vërtetë.

Çamëria, kulti estetik i popullit të ndaluar

Çamëria, kulti estetik i popullit të ndaluar
Nga Dukagjin HATA

Shpirti çam, si një bekim i ardhur portës së shekujve të dhimbjes, trazuar endjeve biblike, hijes së legjendave e baladave të ngritura në himn, shenjave të lëna në kohë nga apostujt e fjalës poetike, ka lënë gjurmë në eterin e vijave të fatit kolektiv të shqiptarëve të Çamërisë e këto gjurmë na çojnë në një rrugëtim tjetër, rrugëtimi i lexuesit, që përcillet me busullën e të pathënave në lëkurën e fatit shqiptar. Në këto shenja, që nga hapësirat e shpirtit kolektiv deri tek individualitete krejt të përveçme të botës çame e jo vetëm të saj, gjallon lëkura e dashurisë dhe brengës, mallit dhe idilit romantik, ikjes dhe kthimit në kufijtë e pamundësisë, endja dhe shthurja e pëlhurës mitike në kontekstet e një Itake, që sa më shumë kohë kalon nga ndarja fizike me të, aq më shumë bëhet e pranishme, deri në ulërimë, dëshira e kthimit dhe përmbushjes së amanetit të gjenezës.
Këto përjetime të qasen si ndjesi kompleksive të unit teksa lexon poemthin “Udhë e përditshme” të poetit çam Hekuran Halili, një udhëtim metafizik në kohën e çakërdisur të një populli të ndaluar nga dhuna dhe spastrimi entik greko-zervist. Autor i një libri me tregime rrëqethëse dhe i disa përmbledhjeve poetike mbresëlënëse për fatin e shqiptarëve të Çamërisë, Halili në këtë poemth, me një gjuhë të kondesuar, ku metafora dhe simboli veshin me petkun e mesazheve të forta vargjet dhe strofat, përcjell tragjedinë e një toke të mohuar, drejt së cilës, për shkak të disa rrethanave, që kanë shkuar në të kundërt të kohës së shqiptarëve, udhëtimi duket i pamundur.
Analogjia, si pjesë e diskursit krahasues, ku seliten imtësitë dhe dalin në pah dallimet dhe përbashkësitë, na çon në shtegtime të tjera poetike, të atij soj, që tashmë kanë hyrë në analet e mendimit estetik e më gjerë, si bie fjala poezia epistolare “Baladë çame” e shtegtarit të vetmuar të Golgotës, Bilal Xhaferi. Por janë dhe dhjetëra përcjellje të tjera poetike, që poetët e të gjitha trevave të shqiptarisë i kanë bërë çështjes çame, e cila tani, më tepër kurrënjëherë më parë, po kthehet në një temë dite për shkrimtarët, poetët dhe letrat tona kombëtare në përgjithësi. Veçmas, me zërat e tyre origjinalë dhe plot kumte gjithëkohore, vijnë poetët e Edenit të braktisur, Namik Mane, Bedri Myftari, Abaz Veizi, Shefki Hysa etj, bardët çamë të dashurisë së kryqëzuar nën delirin apokaliptik të mizorisë. Hekuran Halili, njëri prej tyre, e ka përcjellë fatin dhe fatalitetin çam në poezinë dhe prozën e tij kualitative, me përmasat e saj reale dhe transfigurime të befta estetike.
Nëse tek “Baladë çame”, poeti ngre në kult dramatikën e ikjes,  klithmën e një braktisje tragjike, të pa fat, tek poemthi “UDHË E PËRDITSHME”,  tek Hekuran Halili, pasardhësi po çam i shkrimtarit të ndaluar, gjejmë glorifikimin e ankthit ekzistencial të mbërritjes, makthin e një pamundësie “në  udhën drejt një vendi që kurrë s’e mbërritëm”, siç shkruan poeti.
Kulti i mbërritjes, që poetët herë e quajnë herë “Itakë”, herë “Tokë e Premtuar” etj., ka kohë që udhëton në poezinë shqipe, qoftë në poezinë e traditës, qoftë në atë të re, që po krijohet në këtë kohë të çlirimit të madh të gjithçkaje e veçmas të letrave tona, ku muret e paradigmave të stisura jashtëestetike po bien një nga një.
Kjo pikëmbërritje, që në rastin e mesazhit të popullit çam merr trajtat e një destinacioni kolektiv, vjen tek poezia e Halilit si një klithje që sjell me vete një botë të trazuar ndjesish dhe emocionesh, rendjet dhe befjet e poetit në kërkim të rrënjëve të tij. Në këtë kërkim, mbi pirgje kockash e gjaku, gjenocidi dhe barbarie, poeti përzien e shkrin në një unin e tij ankthioz dhe kauzën e një populli të kalvarizuar.
Në rrugëtimin drejt rrënjëve, poeti ndesh muranat e përgjakura të një historie të keqkuptuar, mizorinë e atyre që, pasi ia vranë njerëzit e fisit dhe gjakut dhe ia bllokuan udhët e kthimit, tani po bëjnë çfarë është e mundur që t’ia kthejnë këtë kthim në një mision të pamundur.
Poeti e përcjell trazimin tragjik të popullit biblik çam me nota të forta dhimbjeje dhe denoncimi, duke na ftuar të bëhemi pjesë e mesazhit të tij, për të zgjuar kohën dhe bashkëkohësin e fjetur.
Hekuran Halili e rimerr dramën e rëndë të popullit të ndaluar çam dhe e përcjell me ngarkesa emocionale në vargje të veshur me këmishën e dhimbjes dhe shpresës, të atij dyzimi dhe ankthi substancial, që përbëjnë shtratin historik dhe të përditshëm të një realiteti makthioz, ku vërtitet kërkimi i Edenit të mohuar shqiptar, duke lypur: “udhën e dhimbjes së vatrës pa zjarr lënë,/udhën e eshtrave mbi udhë mbetur,/udhën ku rënkon një shpirt e qan një Nënë…”
Nëse Bilal Xhaferi tek “Baladë çame” rikrijoi brengën kolektive në kohën kur atdheu ishte më pak atdhe se kurrë dhe më shumë demon se kurrë, për shkak të demonëve që e manipulonin, Hekuran Halili, në një kohë tjetër,  ndërton një urë drejt të pamundurës, e cila, për sa kohë që ekziston shpresa e kthimit, duket se kjo e pamundur i ka humbur të gjitha justifikimet dhe alibitë.
Tek poemthi i Halilit, udhëtimi drejt Çamërisë është një udhëtim fizik e mental, psikik e shpirtëror, real dhe virtual, qartësisht i prekshëm dhe flu e trashendent në të njëjtën kohë, pasi në kuptimin e etjes për të arritur në tokën e të parëve, tentativa e poetit shkon drejt një apoteoze mistike.
Ka çaste makthi, udha bëhet kufomë,/kufoma bëhet udhë nën një qiell të trishtuar,/i trishtuar si unë, – gur i rëndë./Ka çaste që mezi çaj stivat e kujtimeve,/të rënda më shumë se plumbi,/se me plumb janë zënë…
 Udha e përditshme, e për çdo çastshme, e gjithë kohëshme e poetit, është një udhë që shkon drejt thelbit ekzistencial të kohës dhe historisë, drejt udhës së “dhimbjes së vatrës pa zjarr lënë,/udhës së eshtrave mbi udhë mbetur”, për t’u takuar me vetveten e tij autentike, me atë çfarë përbën gjenezën dhe të ardhmen e tij,  në përballjen me “mundimin e dhimbjeve buzëplasura”.
Përditshmëria drejt Çamërisë për poetin, së pari, është një qasje e mendimit-“Përditë, të gjitha mendimet më marrin përdore,/e bashkë bëjmë të njëjtën udhë”; më pas, një udhëtim fizik i pamundur: “Unë eci pa u frikësuar se do humb udhën e nisur/duke përtypur mundimin e dhimbjeve buzëplasura”, për të vazhduar më tej me ballafaqimin me historinë, me kauzat e përgjakura dhe mitologjinë antishqiptare të kthyer në sindromë veprimi, që ende sot mëkon helmin e zi të shpifjes dhe makthit për popullin shqiptar të Çamërisë.
Imazhi dantesk që të përfton leximi i “Baladës çame” të mbetet në mendje për një kohë të gjatë; të duket sikur po vështron një prag-apokalips, që si një gjëmë e rëndë vërtitet në trojet epiriote, duke lënë prapa rënkim dhe shkretim:
“Në kullotat e braktisura kullosin rrufetë. /Ullishtet e pavjelura gjëmojnë si dallgë/nëpër bregore. /Dhe kudo toka çame, /mbuluar nga retë, /rënkon e mbytur në gjak e lot, /e mbetur shkretë, /pa zot. /Na e tregojne drejtimin plumbat, /na e ndriçojnë rrugën flakë, që gjithë /tokën kanë përpirë”…
Në poezinë e Halilit distanca më e madhe në kohë duket se i ka shuar flakët, por ankthi dhe vuajtja është akoma më e madhe, më klthëse; dhimbja ulëritëse sjell me vete tragjizmin e një udhëtimi të mohuar “në tise të muzgëta pastrimesh etnike”, udhëtim që, sipas poetit, “rrit zemrën, shkund ëndrrat nëpër erë,/i nis para vetes, për t’i bërë lajmëtare biblike”…
Lirizmi dhe tragjizmi pleksen fort në shtjellën e modernitetit poetik, magjia e fjalës plekset me freskinë e figurës dhe konkretësinë e imazhit, ritmit të brendshëm dhe strukturës poetike i përgjigjen gjendje dehëse e trallisëse, që të shkundin fort e të bëjnë të mendosh për fatin e tokës çame dhe të popullit martir çam, sot në këtë epokë të globalizmit dhe integrimit global.
Për poetin, Çamëria është dashuria e kryqëzuar nga barbaria, po aq sa nga barbaria e vjetër, nga një barbari e re, moderne, e veshur me petkun festiv të BE-së e rishtas ajo, dashuri e dheut mëmë të humbur, nuk rresht asnjëherë së kërkuari bijtë e saj të ikur, varret e saj të shpërngulur. Është dhimbja e shpirtrave të trazuar që shtegtojnë në kohë, që e çon poetin çdo ditë nëpër të njëjtën udhë, nëpër të njëjtat imazhe, nëpër të njëjtin makth kalvari, por çdo ditë me një shpresë të re se mbërritja, dikur do të jetë e mundur. Është kredoja shpirtërore e birit për nënën, që e nis poetin drejt zbulimit të kultit të vendlindjes, kultit të një dashurie të lënduar, por që vazhdon të ushqejë me nektarin e saj rrënjët e jetës, gjenezës dhe vazhdimësinë.

Historia e lavdishme të Pirros së Epirit

Historia e lavdishme të Pirros së Epirit
Pirro ishte mbreti i Epirit në mes të vitit 306 dhe 302 p.e.s. dhe një herë në mes të 297 dhe 272 p.e.s. Thirrej “shqiponjë” nga ushtarët e tij.
U bë i famshëm kur në vitin 280 p.e.s. kaloi ngushticën e Otrantos me 20 000 këmbësorë, 3000 kalorës dhe rreth 200 elefantë, për të luftuar kundër Romës, e cila rrezikonte qytetin e Tarantos. Në krye të ushtrive të përbëra nga molosët, thesprotët dhe kaonët, Pirro arriti fitore me sakrifica kundër ushtrive romake.
Në kulturën perëndimore sot shprehja “Fitorja e Pirros” nënkupton një fitore me sakrifica të mëdha.
Pas fitoreve të mëdha kundër ushtrive maqedonase dhe romake, ai është konsideruar si një nga komandantët më të mirë në histori dhe është krahasuar Aleksandrin e Madh dhe Hanibalin.
JETA E HERSHME
Historiani grek Plutarku, shkruajti një nga biografitë e jetës së Pirrosprevieë-4629dhe shumë nga informacionet që kemi për gjeneralin e madh vjen nga kjo vepër. Sipas tij, karakteristikat e Pirros më shumë të ngjallnin frikë se sa të jepnin ndjenjën e madhështisë karshi tij.
Pozicioni i Pirros si trashëgimtar i fronit molosian të Epirit u vu në rrezik serioz pothuajse që nga lindja e tij, kur në vitin 319, Kasandri, mbret i Maqedonisë, përmbysi të atin e tij. Pirro u detyrua të kërkonte strehim në Iliri, ku ai ishte i mbrojtur nga Glauku. Në vitin 306, Pirro ishte i aftë të rikthehej në Epir duke pretenduar të drejtën e tij të lindjes. Megjithatë, mbretërimi i tij si i mitur ishte i shkurtër dhe ai edhe një herë u detyra të ikte nga atdheu i tij në vitin 302.
LUFTRAT E SUKSESSHME
Pirro luftoi për të zgjatur kontrollin e perandorisë së Aleksandrit dhe gjatë kohës që luftoi për Demetriosin e Maqedonisë, ai u përfshi në betejën e Ipsos në vitin 301. Pastaj si pjesë e një ujdie mes Dhimitrit dhe Ptolemeut të I, Pirro iu dha këtij të fundit si peng dhe u dërgua në Aleksandri. Pirro u lejua të rikthehej në Epir në vitin 297 para erës sonë. Më pas pasi eliminoi bashkë-sundimtarin e tij Neoptolemin, Pirro filloi të marrë kontrollin e fatit të tij.
Pirro e bëri Dodonën qendrën e tij fetare dhe ndërtoi një teatër të madh me 17 mijë vende dhe ai gjithashtu organizoi lojërat olimpike çdo katër vjet, festivalin e Naias në nder të Zeusit. Pirro e zgjeroi mbretërinë e tij në Ilirinë e Jugut dhe mori disa provinca që kufizonin Maqedoninë. Në vdekjen e gruas së tij Antigonës, Pirro lidhi martesa me rëndësi diplomatike, me të bijën e Agatokles, tiranit të Sirakuzës dhe me vajzën e Audoleon, sunduesit të Paeonias. Një aleancë me Bardhylin, mbretin e Dardanisë, forcoi pozicionin e tij edhe më tej.
Më pas, duke bërë fushata kundër Demetrios, Pirro ishte i aftë të fitonte besimin e ushtrisë maqedonase dhe kështu themeloi veten si sundues i Maqedonisë me aleatin e tij Lisimak në vitin 288. Situata vazhdoi vetëm disa vjet, pasi ambiciozi Lisimak e nxori Pirron jashtë Maqedonie në vitin 284.
PIRRO KUNDËR ROMËS
Pirro e rivendosi reputacionin e tij si komandant i madh nëpërmjet fitoreve kundër fuqisë së madhe në rritje të Mesdheut- Romës. Të dyja vendet hynë në konflikt pas planeve ambicioze të Pirros për të ndërtuar një perandori që përfshinte Kolonitë e vjetra greke që ishin të përhapura gjithandej nëpër jug të Italisë deri në Siçili.
Në fund, ashtu si xhaxhai përpara tij, Pirro iu përgjigj thirrjes për ndihmë nga Taras e vendosur në gadishullin italian. Qytetit ishte nën sulm romak dhe kështu Pirro kaloi Adriatikun me ushtrinë e tij me 25 këmbësorë në vitin 280. Duke marrë me vete 20 elefantë lufte dhe një forcë kalorësie prej 3000 vetash, Pirro korri fitore në Heraklea dhe Ausuculum (Askoli sotëm) në vitin 279-280.
Në këto beteja Pirro solli disa risi.
Duke ditur dobësinë në falangën tradicionale greke dhe kishte vështirësi në mbajtjen e formimin e saj, sidomos në tokë të ashpër, ai përdori trupat lokalë për të mbushur boshllëqet.
Përveç heshtave të mira dhe mburojave të forta, një tjetër shtesë në mënyrën greke të të luftuarit që Pirro e prezantoi më vonë ishte përdorimi i shtizave nga kalorësit të cilat në masë të madhe rritën lëvizshmërinë dhe potencialin e ushtrisë së tij.
Fitoret megjithatë erdhën me një kosto të lartë në jetën e fitimtarëve dhe këto beteja ishin vendimtare.
Një rezultat pozitiv i fitoreve të Pirros ishte se ai fitoi shumë aleatë të rinj në mesin e fiseve në jug të Italisë, veçanërisht Bruttians, Lokroi, Lucanians, Samnites. Mbreti epirot qëndroi në Itali edhe kur froni i Maqedonisë edhe një herë mbeti bosh pas vdekjes së Ptolemeut. Ndërsa Pirro e ktheu vëmendjen në një kërcënim të ri kartagjenasit.
PIRRO NË SIÇILI
Vendimi i Pirros për të qëndruar në Itali dhe për të ndihmuar Sirakuzën provoi të ishte zgjidhje e zgjuar kur ai u bë mbret i Siçilisë. Megjithatë, në një fushatë të gjatë kundër Lilybaeum në bregun perëndimor të ishullit, kërcënimi nga Kartagjenasit u bë edhe më i theksuar, pasi ata nuk ishin të përgatitur që t’ia linin fushën Pirros.
Pasojat e kësaj ishin se mbreti epirot u bë edhe më tiran në pjesët e ishullit që ishin nën kontrollin e tij. Kjo me kalimin e kohës provokoi rebelim dhe Pirro iku përsëri në tokën italiane. Këtu komandanti u takua me armiqtë e vjetër, Romakët, dhe kësaj radhe ai humbi në betejën Maleventum në vitin 275. Me ushtrinë e tij të copëtuar, dhe humbjen e shumicës së elefantëve, ishte koha që Pirro të largohej nga Italia.
RIKTHIMI NË GREQI DHE VDEKJA
Pirro lundroi për në Greqi pasi kishte humbur 2/3 e ushtrisë së tij të cilën e kishte ndërtuar në Itali. Pas një plaçkitje të shkurtër në Maqedoni në vitin 273, ai ndërtoi bazën e tij në Peloponez nga ku shpresonte të rrëmbente fronin e Maqedonisë nga Atigonas II. Megjithatë, Sparta, e ndihmuar nga llogoret mbrojtëse, qëndroi kokëfortë ndaj sulmeve të tij edhe pse ai u ndihmua nga ish-mbreti Spartan në mërgim Kleonimus. Pra në vitin 272, Pirro u kthye në veri të Argos, ku shpresonte të takohej me Antigonas në fushë. Por përpara se të ndodhte kjo, Pirro u vra në një incident të çuditshëm në qytetin e Argos, kur një grua e vjetër i hodhi nga çatia një tjegull në kokë.
Sipas Plutarkut, gjenerali i madh Hanibali e cilësonte Pirron si komandanti më i madh në botë që ai e kishte parë dhe e renditi atë menjëherë pas Aleksandrit të Madh, ndërsa veten të tretin pas Pirros së Epirit.
Dhe për të mbyllur më thënien e Plutarkut: “Opinioni i përgjithshëm për Pirron ishte: ai kishte një përvojë të madhe luftarake, të guximshme, por kishte dhe trimëri e vlera personale, nuk kishte asnjë të barabartë me të në mesin e mbretërve të kohës

Zbulohet një ditar i panjohur i Vaclav Havelit

Zbulohet një ditar i panjohur i Vaclav Havelit
Një ditar i panjohur i ish-presidentit çek, Vaclav Havel, i cili përshkruan qëndrimin e tij pesëmuajsh në burg në vitin 1977, është gjetur në Republikën Çeke, bën të ditur gazeta Lidove Noviny.
Ditari është gjetur nga nipi i shkrimtarit Zdenek Urbanek, mik i Havelit.
“Fillimisht kam menduar se është ditari i gjyshit tim, sepse ata kishin dorëshkrim të ngjashëm”, ka thënë David Dusek, i cili ka gjetur ditarin derisa ka pastruar banesën.
Ditari i Havelit përmban reflektime mbi kohën sa ka qenë në burg dhe ide për drama.
Ditari do të publikohet si libër në muajin tetor, për të përkuar me ditëlindjen e 80-të Havelit.
Havel, dramaturg dhe aktivist politik, ka vdekur në vitin 2011.
Ai është burgosur nga regjimi socialist, pasi ka bashkëhartuar dhe nënshkruar Kartën 77, një peticion që i bënte thirrje Çekosllovakisë së atëhershme të liberalizonte dhe të respektonte të drejtat civile.
Pas rënies së komunizmit në Evropën qendrore dhe lindore në vitin 1989, Havel është zgjedhur presidenti i parë i Çekosllovakisë.

The Guardian: “Enver Hoxha ende ka një hije në Shqipëri”

The Guardian: “Enver Hoxha ende ka një hije në Shqipëri”
Në kuadër të sezonit turistik, mediat ndërkombëtare i kanë kushtuar rëndësi Shqipërisë dhe kanë shkruar artikuj për vendin tonë, duke e rekomanduar si një ndër destinacionet ideale për pushime. Këtë herë, gazeta “The Guardian”, ka zbritur në vendin e Shqiponjave për të prezantuar për lexuesin e saj, kohën komuniste dhe vendet që tashmë shërbejnë si pika kryesore turistike. Ja çfarë shkruan gazeta: “Bunkerë nga epoka e pasluftës ende janë një peizazhi mbeturinave në Shqipëri dhe në kryeqytet, janë hapur për publikun e kaluara komuniste”.
4965
Më tej më shkrim thuhet se; Shqipëria ka plazhe të mrekullueshme, sidomos luginat e thella, dhe është e pasur ende pas 25 vitesh të rënies së regjimit, ku me dhjetëra mijëra bunkerë ekzistojnë ende. Një detaj ky që shumë media ndërkombëtare marrin inspirimin për të shkuar e për ti realizuar një reportazh. Por ironia nuk mungon kur bëhet fjalë pikërisht për bunkerët, ku nënvizohet se: “Ato janë ndërtuar për t’i bërë ballë pushtuesit të cilët kurrë nuk erdhi”.
1995
Një tjetër element është dhe Bunk’Art, një bunker i madh i ndërtuar në periferi të kryeqytetit të Tiranës, që shërbente për akomodimin e Hoxhës dhe miqve të tij në rast sulmi.
1856
Disa nga dhomat janë përdorur për të treguar historinë e kohëve të diktatorit përmes fotografive, objekteve dhe dokumente. Dhomat e tjera janë përdorur për art por shumica janë të zhveshura. Në zemër të bunkerit është një sallë e kuvendit, i projektuar për qeverinë e Hoxhës por tani përdoret për koncerte të xhazit.
4965
Të gjithë këtë pamje, gazeta e cilëson si një dalje në dritën e diellit, e ku po merr frymë të freskët mirënjohëse.
Bunk’Art do të bashkohen së shpejti me pika të tjera të fshehta, të kthyera në vende turistike. Shtëpia e Gjetheve në qendër të Tiranës, ishte për policinë sekrete të Sigurimit, zemra e rrjetit të përgjimeve të regjimit. Muzeu ka në plan për të strehuar një koleksion të pajisjeve të spiunëve të luftës, dhe valixhet me kamera të fshehta.
Disa qindra metra larg është bunker i madh në qendër të qytetit, në sheshin Skënderbeu. Ajo përdoret për të lidhur të gjitha ministritë dhe do të hapet për publikun në fillim të vitit të ardhshëm.
1995
Gazeta reportazhin e saj e mbyll me një fjalë: “Hoxha ende ka një hije këtu”.
Burimi: The Guardian

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...