Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/09/22

Vrasja e kolonel Ahmet Krasniqit,humbje e madhe për Kosovën

Vrasja e kolonel Ahmet Krasniqit, flet kushëriri i parë

Kolonel Ahmet Krasniqi, u vra në mes të Tiranës, diku në zonën e ish-shtëpisë së Partisë, në 21 shtator të vitit 1998, pak para mesnate. Sivjet bëhen 15 vjet nga vdekja e tij, e familjarët kërkojnë përgjegjësit e atentatit . Aziz Krasniqi kushëriri i parë i Ahmet Krasniqit, përmes një interviste për "Gazetën Shqiptare", rrëfen detaje nga jeta e tij dhe përplasjet brenda politikës kosovare në ato vite.

Sivjet bëhen 15 vjet nga vrasja e ish-ministrit të Mbrojtjes Z. Ahmet Krasniqi i ekzekutuar në Tiranë, sa ju ka lënduar vdekja e tij?
Krasniqi: Vrasja e tij na ka lënduar shumë për faktin se është vrarë në shtetin amë, siç e kemi ditur dhe shumica e shqiptarëve të Kosovës të tillë e dinë ende. Në Tiranë Ahmeti nuk ishte ilegalisht, të gjitha institucionet e shtetit shqiptar e kanë ditur, pasi ai banonte në Tiranë dhe ajo banesë kishte adresë. Aty ishte me mision dhe ai mision ishte çlirimi i Kosovës.

Si e kujtoni momentin e vrasjes se tij, kush jua tha e ku ndodheshit?
Krasniqi: Ishte 22 shtatori 1998, ishim në një ofensivë serbe, që e kishte kapluar tërë rrezen e Qyqavicës. Kanë qenë lajmet e orës 13:00, kur morëm lajmin e vrasjes së Kolonel Ahmet Krasniqit, ishte një lajm shumë i kobshëm për ne si familje dhe një ndër ligësitë më të rënda që mund t’i bëheshin familjes sonë, kur dihet fakti sa ka dhënë kontribut familja jonë për një Shqipëri të Madhe dhe ku ishte vrarë.

Po familja e të ndjerit si e mësoi lajmin?
Krasniqi: Familja e Ahmet Krasniqit nuk e di si e mësoi lajmin e vrasjes, sepse në atë kohë nuk kemi pasur mundësi komunikimi, por mendoj që ka qenë lajmi më i rëndë që mund të prisnin.

Kemi dëgjuar se në varrimin e z. Krasniqi nuk ishin prezentë krerët e UÇK-së, madje kishte pak pjesëmarrje, pse kështu?
Krasniqi: Për krerët e UÇK-së që rrinin në Tiranë nuk di, por di se Komandanti i UÇK-së të Shtabit të Qyqavicës (Shtab i dytë në Kosovë, pas atij të Likofcit) Hashim Krasniqi nga Zhilivoda kishte biseduar disa herë me Ahmetin në telefon nga Qyqavica në Tiranë: Hashimi në varrim nuk ka mundur t’i shkojë, sepse atëherë ishte ende luftë, por për ta nderuar te varri i ka shkuar në disa përvjetorë. Herën e fundit ka qenë më 21 shtator 2012. Besoj shumë që për 15-vjetorin, nëse jo të gjithë, shumica e ushtarëve të UÇK-së së vendlindjes së Ahmet Krasniqit, me në krye komandantin e atëhershëm, Hashim Krasniqin, do t’i shkojmë për t’i bërë homazhe aty ku është i varrosur, te varrezat e Sharrës, në Tiranë.

Çfarë kontributi real ka pasur z. Ahmet Krasniqi në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës?
Krasniqi: Atëherë nuk e kam ditur, sepse nuk kam pasur kohë të hulumtoj, pasi edhe vetë kam qenë ushtar i UÇK-së, por më vonë nga shkrime dhe dëshmi të ndryshme kam mësuar se kontributi i tij ishte i madh. Ahmet Krasniqi e ka furnizuar UÇK-në me armatime, me para për nevoja të luftës dhe me shumë ushtarë.

Në kohën që u vra Ahmet Krasniqi në Tiranë u përfol edhe varianti që ekzekutimi kishte shkak tregtimin e paligjshëm të armëve me të cilën ai merrej?
Nuk është e vërtetë, ajo është dezinformatë e propagandë e njerëzve dhe politikave pro serbe.

Në lundrimet tona përmes informacionit kemi lexuar se disa e quanin z.Ahmet tradhtar, pse e gjithë ajo luftë kundër tij?
Krasniqi: I kam lexuar edhe unë dhe të gjithë anëtarët e familjes. Këto akuza na kanë goditur shumë, po aq sa edhe vrasja e tij. Të gjithë atyre zë korbave, që me shpalljen e Ahmet Krasniqit tradhtar mundohen ta arsyetojnë vrasjen e tij, le t’u mbetet për turp një cilësim i tillë. Atyre Ahmeti ende po u shërben si kurban, për luftën politike, siç u ka shërbyer titistëve familja e Aziz Zhilivodës. Si ka mundur të ishte tradhtar Ahmet Krasniqi, i biri i Hajriz Krasniqit, të cilin titistët ia kishin mbytur babën duke e rrahur me dru? Si mund të jetë tradhtar Ahmet Krasniqi, nipi i Aziz Zhilivodës, i cili me luftën e tij u kishte shkaktuar titistëve probleme për një Shqipëri etnike. Si ka mundur të ishte tradhtar Ahmet Krasniqi, kur i vëllai, me rastin e demonstratave të famshme të vitit 1981, u burgos dhe u dënua me burg nga UDB-të e devotshëm titistë? Dhe në fund, si mund të ishte tradhtar Ahmet Krasniqi, pjesëtari i Lëvizjes Kombëtare të patriotit Metush Krasniqi, ku bënin pjesë edhe Sabri Maxhuni (Novosela), Jusuf Gërvalla, Shefqet Jashari-Strofci, etj.

Krasniqi ka qenë kolonel i APJ, mos ka ndikuar kjo në përcaktim?
Krasniqi: Të gjithë oficerët e UÇK-së kanë qenë oficerë karriere të APJ-së, madje edhe dy komandantët e saj; Bislim Zurapi e Agim Çeku. Nëse të qënurit oficer i APJ-së ka qenë referenca për tradhtar, atëherë qenka dashur të pushkatohen edhe këta që i përmenda dhe të gjithë tjerët. Haptas, deri sot, asnjë institucion as i Kosovës, as i Shqipërisë nuk e ka cilësuar Ahmet Krasniqin tradhtar. Nuk kam lexuar asnjë herë që me ndonjë komunikatë, as Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ta ketë shpallur Ahmet Krasniqin tradhtar. Përkundrazi, ish-kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e ka shpallur hero të Kosovës. Pas këtij akti, në shtyp u paraqitën dy zë korba që krrokatën kundër Ahmetit. Njëri nuk po ndalet ende, e ai është Ibrahim Kelmendi. Vitin e kaluar, pasi Milaim Zeka, në faqen e internetit "Presheva Jonë" thotë se të gjithë krerët e atëhershëm dhe të tashëm të Shqipërisë i dinë emrat e atyre që e vranë Ahmet Krasniqin, jep edhe një informacion tjetër kur thotë: "Në fund të fundit kemi edhe informacione e dëshmi të tjera rreth kësaj vrasjeje, ku autori Ibrahim Kelmendi në librin e tij të fundit shpjegon, duke thënë se "unë kam intervistuar ushtarin i cili ka ekzekutuar Ahmet Krasniqin…". Kur në FB në faqen e Ahmet Krasniqit, Iliriani, nipi i Aziz Zhilivodës, në cilësinë e administratorit të faqes, e postoi këtë informacion, papritmas u kyçën të dy edhe Milaim Zeka edhe Ibrahim Kelmendi, pas sharjesh e fyerjesh reciproke, Ibrahim Kelmendi vazhdoi me fyerje duke thënë, se "i vinte keq që nuk e ka pasur atë privilegj të vriste vetë Ahmet Krasniqin dhe sikur ta dinte vrasësin, si atëherë edhe sot, do t’ia bënte tapi tokën e babës". Në këtë reagim të Ibrahim Kelmendit reagoi një nofkë, që e shënoi emrin dhe mbiemrin e vrasësit të mundshëm, i cili, sipas një artikulli që ekziston në faqen e Ylli Polovinës, ky atentator qenka vrarë pas shpine nga të vetët! Ja se si e përshkruan Ylli Polovina atentatorin e mundshëm: "Ky ishte nga një qytet me emër të mirë nga Kosova. Deri atëherë njihej si njeri i mirë, por që më pas iu dha shumë pijes. Shumë muaj më pas nga mesnata e 21 shtatorit 1998 do të vritej. Gjendej në një betejë me milicinë e ushtrinë serbe, por plumbin e mori në shpinë".

Cili është ushtari i dytë, i gjallë?

Krasniqi: Ne familja e Ahmetit nuk e dimë. Ndoshta e di Ibrahim Kelmendi, pasi sipas Milaim Zekës, ai e paska bërë edhe një intervistë me atë ushtar dhe figuruaka në një nga librat e tij.

T’u kthehemi pak viteve në kohë. Në vitin 1991, z.Krasniqi dezertoi nga APJ dhe iu bashkua Gardës Kombëtare Kroate. A është e vërtetë që komandanti furnizoi me armë kroatët për të mbrojtur çështjen e tyre për çlirim?

Krasniqi: Nga ajo intervistë, edhe ne familjarët e Ahmetit kemi mësuar shumë gjëra, – nëse e keni fjalën për intervistën që e ka përkthyer nga kroatishtja Sefedin Krasniqi… Pra në vitin 1991, siç dihet tashmë botërisht, ai kishte dezertuar, në fakt ishte burgosur në Rjekë të Kroacisë dhe ishte dërguar në burg në Beograd. Kur serbët e kishin dërguar në front në Kroaci, ai kishte dezertuar dhe ishte kthyer në Kosovë, pastaj ilegalisht në Shqipëri te axha i vet, apo gjyshi im, Aziz Zhilivoda në Elbasan. Derisa Gardës Kroate i kishte bërë shumë shërbime, nuk iu kishte bashkuar kurrë, sepse siç thashë, APJ e kishte burgosur; pikërisht gjenerali Çad, me kombësi sllovene, që kishte luftuar për ruajtjen e Jugosllavisë. Të gjithë e dinë se Ahmet Krasniqi ishte kundër kyçjes së ushtarëve dhe oficerëve shqiptarë në Gardën Kroate gjatë luftës. Me këdo që më ka rastisur të bisedoj, ai i kishte këshilluar ushtarët shqiptarë të dezertonin dhe të ruheshin për çlirimin e Kosovës.

A njihet në Kroaci ky nder le ta quajmë, që një shqiptar u bëri kroatëve?
Krasniqi: Sa di unë, ky nder nuk i njihet nga institucionet kroate, por nga komandantët e Gardës Kroate, me të cilët kishte bashkëpunuar dhe të cilëve u kishte ndihmuar. Në Gospiç dhe Likë, Ahmeti është shumë i respektuar. Këtu vlen të përmendet Dr. Drazhen Jerkoviq, i cili ishte tronditur kur kishte dëgjuar për vrasjen e tij në Tiranë. Kjo intervistë gjendet në shumë faqe interneti.

Në një intervistë të atyre viteve që kemi lexuar nga i ndjeri, ai shkruante se gjenerali që e arrestoi dhe burgosi, jetonte i lumtur në Rjekë, ndërsa z.Ahmet Krasniqi, për-veçse ia morën shtwpinë në Gospiç me gjithë çka kishte, i morën dhe atë në Rjekë?
Krasniqi: Po, Ahmet Krasniqi, po edhe ne, si familje e Aziz Zhilivodës për të gjithë pushtetarët në ish-Jugosllavi, padyshim që kemi qenë kurban për qërimin e hesapeve në mes pushtetarëve. Besa edhe në Shqipëri, gjyshi im, ndjesë pastë, që para pak ditësh mbushi 19 vjet që u shua, nuk kaloi më mirë edhe me enveristët. Pasi babi im i ndjerë, Fak Krasniqi, e siguroi "Dosjen e Aziz Zhilivodës" dhe gjykimin e tij në Shqipëri, jam tronditur kur e kam lexuar se nëpër të njëjtën rrugë monstruoze kemi kaluar edhe ne pjesëtarët e tjerë në Kosovë. Më besoni, ne fëmijët e familjes së Aziz Zhilivodës, kurrë nuk kemi guxuar të dalim e të luajmë me moshatarët tanë, sepse prindërit tanë kishin frikë se mos kalonte ndonjë patrullë e milicisë së asaj kohe dhe na pyeste apo provokonte diçka… Ndërsa gjenerali Çad ishte slloven, nuk mund të bëhej kurban aq lehtë sikur Ahmet Krasniqi dhe shumë oficerë e ushtarë shqiptarë nëpër ish-republikat jugosllave që ktheheshin në arkivole qysh nga viti 1981.

Mund të na flisni pak për vitet e emigrimit në Austri, me çfarë u mor atje?
Krasniqi: Ahmet Krasniqi nuk ka emigruar kurrë në Austri, atje ishte transit për Gjermani, pasi e kishte këshilluar Aziz Zhilivoda të shkonte atje dhe nga atje t’i fillonte përgatitjet për luftën çlirimtare të Kosovës. Pasi i kishte dështuar kalimi në Gjermani, kthehet në Kroaci dhe zhytet në varfëri e mjerim të thellë.

Vite të vështira pasuan jetën e ish-ministrit derisa ai u detyrua të shiste perime në Rovinj; a bisedonte me ju në atë kohë, si ndihej…?
Krasniqi: Unë në atë kohë kam qenë i ri, por nga shkrimet dhe shumë dëshmi kam mësuar që, nga viti 1994, Sefedin Krasniqi kishte ia kishte arritur të bënte një kontakt, dhe atë, me porosinë e babit tim, Faik Krasniqit dhe kushëririt, Shefqet Krasniqit. Ndërsa në vitin 1996, Ahmet Krasniqi, nga Gjermania, pasi e viziton të vëllain, Behxhetin, shkon në Zvicër te Sefedin Krasniqi, i cili e vë në kontakt me njeriun që Ahmetin e kishte anëtarësuar në Lëvizjen e Metush Krasniqit, pra Shefqet Jashari Strafci. Para se të kthehej për Kroaci, kontakton me ministrin e Informatave të Qeverisë "Bukoshi", Xhafer Shatrin, i shoqëruar nga Hilmi Nebihi.

Sa i lidhur ishte komandanti me Kosovën dhe cilat ishin përpjekjet e tij për të kontribuar në çlirimin e Kosovës?
Krasniqi: Komandanti ishte i lidhur me Kosovën gjithë jetën. Tani vonë kemi mësuar se kur dezertoi nga APJ dhe erdhi në Prishtinë, atë e kishte pritur në takim Dr. Fehmi Agani, pikërisht për organizimin e luftës në Kosovë. Ahmet Krasniqi, kurrë nuk e kishte harruar Kosovën, sepse në APJ e kishte udhëzuar të regjistrohej babai im, Faik Krasniqi dhe patrioti i madh, Metush Krasniqi. Jam i bindur se për atë periudhë, nga të gjallët, askush nuk di më mirë të flasë për Ahmet Krasniqin sesa Sabri Maxhuni- Novosella dhe Shefqet Jashari – Strofci.

Krasniqi u emërua ministër i Mbrojtjes së Kosovës në qeverinë e Bukoshit; si i erdhi ky emërim?
Krasniqi: Këtë pyetje duhet ta dijë Qeveria "Bukoshi" dhe vetë Bukoshi. Megjithatë, të gjithë kolegët e tij janë shprehur se Ahmet Krasniqi ishte ushtaraku më i zotë nga të gjithë ushtarakët shqiptarë që ishin shkolluar dhe kishin shërbyer në ish-APJ.

Si përfundoi në Tiranë Ahmet Krasniqi?
Krasniqi: Në Tiranë kishte shkuar nga Zvicra për të organizuar ushtrinë e Kosovës dhe formoi Ministrinë e Mbrojtjes. Të gjitha brigadat që i përgatiti për luftë, dhanë betimin në Tropojë. Ka pasur një marrëveshje që njihet si Marrëveshja e Oslos, mes Ministrisë së Mbrojtjes, Adem Demaçit dhe Xhavit Halilit, për organizim të përbashkët të luftës. Aty u vendos nga Bukoshi që Krasniqi ta drejtonte luftën nga Tirana, për të bërë organizimin e luftës në bazë të Marrëveshjes së Oslos, ku prej andej bëri organizimin e ministrisë dhe tre brigadave, 134, 131 dhe 138. Pas disa muajsh ndryshuan situatat; edhe pse ai vetë personalisht i ka dhënë ndihma Shtabit të Përgjithshëm, filluan gjërat të përkeqësohen për të, aq shumë, sa erdhi deri ekzekutimi i tij. Ahmeti pati edhe përplasje me Bukoshin, i cili ndërpreu furnizimin e ushtrisë me mjete, duke i thënë atij: "Nëse nuk mi plotëson kushtet për luftë ku mos të ngelë më këmbë shkjau në Kosovë, unë s’do marr pjesë." Si çdo luftë e bërë në trojet shqiptare, edhe këtu pati përplasje mes forcave, ku Ahmet Krasniqi ishte vetëm viktimë.

Pra ju po thoni që ka pasur përplasje mes Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe Bujar Bukoshit atëherë kryeministër?
Krasniqi: Po, ka pasur përplasje mes tyre, por këtu është ajo kutia e Pandorës, që me t’u hapur ajo, shumë sene do dalin në shesh. (Vijon nesër)

Shteti shqiptar të jap llogari institucionale për vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit


Shteti shqiptar të jap llogari institucionale për vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit

Dje u bënë  18 vjet që nga vrasja e ish Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqi.

Vrasja e Kolonel Ahmet Krasniqit, përbën një nga vrasjet më enigmatike të kohës së luftës. Ish ushtaraku Fuad Ramiqi, ka folur gjatë një interviste rreth vrasjes së Kolonel Ahmet Krasniqit, dhe ndalesës që agjentët e Ish Shërbimit Informativ shqiptar, ia kishin bërë pak para se të arrinin në Kukës.

ahmet-krasniqi

SHISH-i dhe SHIK, i Kosovës, janë përmendur gjithmonë si fajtorët kryesore për vrasjen e Kolonel Ahmet Krasniqit. Madje, njerëzit e afërt të kolonelit vazhdimisht kanë folur për mënyrën se si ai trajtohej kur shkonte në Shqipëri.

Në Shqipëri, përkatësisht në Tiranë edhe u vra kolonel Ahmet Krasniqi, në vitin 1997.

Kjo vrasje si edhe shumë të tjera të personaliteteve të njohura të LDK-së nuk janë zbuluar ende.

Skender Zogaj, i cili është një nga bashkëpunëtorët e hershëm të kolonel Ahmet Krasniqit, ka thënë  se Kolonel Ahmet Krasniqi, është vrarë për ta penguar bashkimin e forcave luftarake profesionale dhe institucionale të Kosovës.

“Koloneli Ahmet Krasniqi është vrarë për ta penguar bashkimin e të gjitha forcave luftarake dhe zhvillimin e mbarë të luftës çlirimtare në organizimin institucional të Republikës së Kosovës, që Ministri i Krasniqi me përgatitje të larta profesionale e me përvojën e fortë luftarake, e shpreh duke strukturuar Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, (FARK), që ishte një forcë e mirëfilltë ushtarake dhe si e tillë, po i nxirrte nga loja bashibozukët dhe grupet e mafioze që luftës iu kishin rrekur për qëllime përfitimesh materiale”, ka deklaruar Zogaj.

Zogaj, bënë përgjegjës pasardhësit e Diktatorit Enver Hoxha për vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqi.

“Grupet ilegale kriminale dhe mbeturinat e kuqe ideologjike marksiste-leniniste kosovare ishin krimba të shkëlqyer për sigurimcat e Enver Hoxhës, të cilët iu rrekën gjuetisë dhe, rezultat i tyre është edhe vrasja e Kolonelit Ahmet Krasniqi, ministrit të luftës, dhe krye strategut luftarak, sipas planeve të të cilit janë zhvilluar aksionet më kryesore luftarake nga Kosharja e deri në Loxhe, Pashtrik, etj”, ka thënë ai.

Zogaj ka theksuar se bashkëpunëtoret e afërt të Ahmet Krasniqit do të duhet të fillojnë të guxojnë të flasin dhe të tregojnë se, Ahmet Krasniqi ishte Dudajevi shqiptar, më i përgatituri ushtarak që mund ta ndalonte Serbinë.

“Prandaj, këlyshët e Serbisë, ndër ta edhe langonjtë shqiptar të SHISH-it dhe të shërbimeve sekrete antishqiptare, për ta ndaluar e kishin vetëm një mundësi, që ta vrisnin. Dhe, u vra, natën, ashtu siç vrasin të mjerët”, ka thënë ai.

Sipas Skender Zogajt, dosjet nuk mund të hapen sepse, zbardhja e vrasjeve, do të nxirrte në shesh fytyrat e zeza të kriminelëve, që e kanë vra Kolonelin dhe shumë djemtë të tjerë të zgjedhur të atdhetarisë së vërtetë.

“Fuad Ramiqi ka qenë njëri nga bashkëpunëtorët e afërt të Kolonelit dhe, siç e ka dëshmuar, Ahmet Krasniqi është ndjekur dhe ndaluar disa here, edhe është çarmatosur, ndërkohë që, disa kone kosovare rreth Kudusi Lames, Fatos Klosit, Sabit Brokajt etj. endeshin me patllake dhe kidnaponin njerëz nga porti i Durrësit e deri në Kukës dhe, grumbullonin harraqe për vete dhe për padronët e tyre. Këta njerëz janë ende të fuqishëm dhe aktivë në Kosovë e enë Shqipëri, kështu që, dosjet nuk mund të hapen sepse, zbardhja e vrasjeve, do të nxirrte në shesh fytyrat e zeza të kriminelëve, që e kanë vra Kolonelin dhe shumë djemtë të tjerë të zgjedhur të atdhetarisë së vërtetë. Por, zbardhja ka me ndodh, sepse Ahmet Krasniqi është heroi i dashur i shqiptareve dhe i kujtesës së tyre të përjetshme historike, bashkë me Presidentin Ibrahim Rugova dhe heroin legjendar Adem Jashari”, ka thënë ai.

Kurse, sipas njohësit të çështjeve të inteligjencës Fadil Kajtazi, nuk ka dyshim se struktura të shtetit shqiptar të vitit 1997 janë të përfshira në vrasjen e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës kolonel Ahmet Krasniqi.

“Dhe pyetja normale që duhet të shtrohet në këtë rast është: Pse këto struktura i bën diversion Kosovës në ditët më kritike? Përgjegjja në këtë pyetje komplekse natyrisht se është e thjesht nëse ipet nga këndëvështrimi i gjendjes dhe kohes. Dhe kjo përgjegjje është se: vrasja ishte sajuar nga agjentura influente serbe, e cila kishte për detyrë të sabotonte ngritjen profesionale të Ushtrisë së Kosovës. Dhe vrasja e një profesionisti në kulmin e luftës dhe vendosja në krye të ushtrisë të dikujt që nuk është profesionist, apo nuk është adekuat, dëshmohet historikisht nga e kaluara e historisë së luftrave të popujve të ndryshem”, ka thënë Kajtazi.

Por, sipas tij, rënia në këtë grackë të shtetit shqiptar, është diçka që nuk justifikohet dhe që perspektives së Kosovës i ka venitë ardhmërinë politike.

“Sikur shteti shqiptar të mos “binte” ne këtë grackë të sajuar nga agjentura influente serbe, dhe ta mbronte kolonel Ahmet Krasniqin dhe shtetin ekzistues të Kosovës, ngjarjet do të rridhnin ndryshe; serbët do të përgjakeshin në front, nuk do ta kalonin luftën vetëm me 490 të vrare; nuk do të kishte gjykatë të Hagës për UÇK; nuk do të kishte Plan të Atisarit; Kosova do të kishte ushtri të rregullt; etj etj… Dhe Ministri i Mbrojtjes Ahmet Krasniqi në asnjë variantë nuk do të akuzohej për përfshirje në vrasje politike të shqiptarëve, për dëmtim të buxhetit të Kosovës për 30 milion euro dhe për transaksione të pa ligjshme me persona të nacionalitetit serb të dyshuar si pjestar të shërbimeve serbe. Aferim shtetit tonë të dashur Amë!”, ka thënë ai.

Ndërkaq, sipas analistit Gazmend Islami, për të zbardhur vrasjen e Ahmet Krasniqit, duhet që institucionet e vendit, gjegjësisht, Kryeministria në mënyrë institucionale të kërkoj nga shteti shqiptar që të jepen dosjet e asaj nate.

“Pra, sepse me vrasjen e Ahmet Krasniqit kanë marr pjesë SHIK-u, SHISH-i e gjithashtu të implikuar kanë qenë edhe Qeveria në ekzil e Bujar Bukoshit. Ahmet Krasniqi ishte një forcë unifikuese i cili donte t`i bashkonte fuqitë ushtarake në Kosovë, pra shihej si një kërcënim për Qeverinë e Bukoshit, Mendoj që vrasjen e ka kryer shteti shqiptar dhe besoj se këtu nuk kemi as çka dyshojmë. Shteti i Kosovës duhet që në mënyrë institucionale, Qeveria e Kosovës duhet të kërkoj nga shteti shqiptar të gjitha dëshmitë dhe dëshmitarët që kanë qenë aty, dhe ata që kanë kërkuar armatosjen e truprojave të tij. Prandaj shihet se në vrasjet e tyre janë të implikuara dy qeveritë. Qeveria, Qeveria në ekzil e Kosovës dhe Qeveria e Tiranës, pra SHISH. Është mëkat që të mos zbardhet kjo vrasje”, ka thënë ai.

Ndërsa, sipas analistit Faik Krasniqi, tash që kemi edhe dëshmitarë siç është z. Fuad Ramiqi, vrasja e kolonel Ahmet Krasniqit mund të ndriçohet fare lehtë.

“Jo vetëm vrasja e tij por të zbardhen të gjitha vrasjet e para dhe pasluftës me motive politike. Me këto çështje duhet të merren organet e drejtësisë të Kosovës. Në të kundërtën duhet t’i bëjnë kërkesë Gjykatës Speciale që ajo të merret me vrasjet për motive politike, sepse ajo Gjykatë është themeluar eksluzivisht për krime të supozuara të luftës, dhe gabohet dikush nëse mendon që ajo do t’i trajtoj edhe vrasjet politike dhe krimet ekonomike, por duhet bërë një kërkesë nga organet e drejtësisë së Kosovës kësaj Gjykate, meqë prokurorët dhe gjykatësit tanë nga frika ose shumica prej tyre janë pjesë e këtij klani dhe nuk po guxojnë të zbulojnë asnjë rast që janë të implikuar shefat e tyre”, ka thënë ai.

Kolonel Ahmet Krasniqi, u vra më 21 shtator të vitit 1998, pak para mesnate.

******


Cikël poetik nga Skënder Zogaj



Skënder Zogaj lindi më 23.01.1950 në katundin Lladroc të komunës së Malishevës. Shkollën fillore dhe gjimnazin i ka mbaruar në Prizren, ndërsa studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Prishtinë dhe në Tiranë.
Punën e ka nisur si mësimdhënës i gjuhës shqipe në shkollën tetëvjeçare të Carrallukës dhe në gjimnazin “Naim Frashëri” të Malishevës (1972-1974). Në shtator të vitit 1974 kalon në Prishtinë dhe i përkushtohet gazetarisë: redaktor përgjegjës në gazetën e studentëve “Bota e re” (1974-1978); gazetar e redaktor në gazetën “Rilindja” në Prishtinë dhe në Tiranë (1987-1997).
Skënder Zogaj është ndër themeluesit e parë të LDK-së dhe bartës i shumë detyrave me përgjegjësi të kësaj partie në nivel lokal dhe qendror: Themelues i Degës së Parë të LDK-së në Kosovë ( Degës së LDK-së në Fushë Kosovë) dhe kryetari i parë i saj (1990-93), përfaqësues i Zyrës së Republikës së Kosovës në Tiranë (1993-1995). Në zgjedhjet e para të lira dhe demokratike në Kosovën e pasluftës, që mbahen në vitin 2000, për dy mandate radhazi u zgjodh kryetar i Komunës së Fushë Kosovës (2000- 2008), e pastaj Këshilltar Politik në Ministrinë e Pushtetit Lokal në Prishtinë (2008-2010).
Krahas gazetarisë dhe angazhimeve politike, intensivisht është marrë edhe me krijimtari letrare dhe publicistike. Ka të botuara librat:
“Zogu i ekspozitës” – poezi për të rritur, “Rilindja”, Prishtinë 1983
“Merrmë vëlla përdore” – vjersha për fëmijë, “Naim Frashëri”, Tiranë 1994
“Ora e qoftëlargut” – poezi për të rritur, “Eurorilindja”, Tiranë 1996
“Adresa e dallëndyshes”- vjersha për fëmijë, botoi “Eurorilindja”, 1999.
“ Jusuf Uka Bregu” – monografi, “Faik Konica”, Prishtinë, 2004.
“Mali i tejdukshëm” – poezi për të rritur, “Spektri”, Prishtinë, 2005.
“Puthjet e puhisë” – vjersha për fëmijë, “Vatra”, Prishtinë, 2007.
“Lacrima durerii” (Loti i dhembjes), poezi në gjuhën rumune,”Albanezul”, Bukuresht, 2011.
Krijimet poetike të Zogajt janë përkthyer dhe botuar në shumë gjuhë botërore, dhe është përfshirë në 18 antologji të poezisë bashkëkohore shqipe.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i Shoqatës Mbarëkombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë dhe të Rinj me seli në Tiranë.




EKLIPSI

Përsëri në shpatull të dashit
hëna e përgjakur
dhe Gjeli me drapër në qafë
në gosti zvarranikësh...

Lavjerrësi lëviz me mëri
Nëpër hieroglife.

Nofulla profane
Në boshllëkun e relikteve
Shqyen mish dallëndyshesh.

Të kalbur akrepat e orës
Sillen mbrapsht
Na vraftë Zoti!
U bëmë gazi i kërmijve.


ASGJËSIMI I SHPIRTIT

Më zuri nata
duke i numëruar yjet,
këta çiliminj të uritur
të moshës sime -
dymijë vjet drite në pritje
nën degët e ullirit
të pikëlluar...

Në forcën e syve
është skamja e fjalëve
që s’kanë ku ta zbrazin vrerin.

Të mjerët ne,
u mbushëm me zbrazëti formash
e trajtash të çrregullta
dyshimi e makthi.

Pluhuri i verdhë nga qepallat
frekuenton harkun e tehut të thikës
në drejtim të syve.

Zogjtë të uritur bien në gjumë
në gojë zvarranikësh
duke mallkuar
në emër t’atit e t’birit e t’shpirtit
të djallit.


PENGU I VARREVE

Po lëvizin gurët e varreve,
frymën e kohës së keqe
e nxjerrin përjashta
palcës.

Të vdekurit flasin
për orën
të kurdisur mbrapsht
brenda zemrës.

Vetulla e thinjur e Kosovës
bisht sorre
mbi varre dëshmorësh anonimë.


EROZIONI

Gjithçka në rrëshqitje
brenda nesh bërlyket thiu i egër
dhe s’gjendet i’ djalë s’ame
me na e nxjerrë nga gjaku
t’birin e kurvës.

O Zot,
sa larg nesh qëndron ti
dhe na shikon me habi -
nën këmbë -
si na tkurret toka,
mbi kokë -
si na nxihet qielli.

Oi, oi, oi...!


REFUZIMI

Ika se po më zihej fryma
prej gomarësh jeshilë.

O Zot, ç’groteskë e ndyrë!
Nga palljet në erë
Toka kundërmon erëbajgë.

Mbajeni vath në vesh!

Janë të farës së magjupit,
që kur u bë mbret
vrau babën e vet.


POROSIA

Në kurorën e lules
koka e gjarprit
ligjëron për mëkatet
e pjalmit...

Nuk është mirë
kaq pamëshirshëm
ta vrasim vetveten.

Hija e trupit
aq e heshtur e gazmore
rreth qafës
po na e ngushton lakun.

Ezopi shqiptar Ferit Lamaj



Ferit Lamaj u lind në Korçë më 6 janar 1955. Kreu studimet e larta për gjuhë-letërsi shqipe në Tiranë. Lamaj është nje nga fabulistet me te mire shqipetare. Ka publikuar mbi 65 libra, në faqet e të cilëve renditen mbi 3500 fabula.

Image result for ferit lamaj

Disa nga titujt e librave: “Në verë dhe në dimër”; “Në kopshtin zoologjik”; “Tosi me fustan”; “Kush e hëngri mjaltin?”; “Gjelkokoshi zgjon derrkucin”; “Bilbili dhe gjinkalla”; “201 fabula”; “Dhelpra doganiere”; “Dhelpra e Trojës”; “Kafshët flasin”; “Bubi, beci dhe kaleci”; “1111 fabula”; “Papagalli pinguin”; “Një deve pranë Eifelit”; “Derri me tri këmbë”; “Fabula erotike”; “Gërvisht e gërvisht”; “Mikrofabula”; “Lakuriqi lakuriq”; “Miss Dhia”; “Mbreti xhuxh”; “Gici dhe polici”etj.

Fabulat e Ferit Lamajt janë përkthyer e botuar në disa gjuhë: anglisht, frëngjisht, spanjisht, italisht, greqisht e rumanisht. Krijimtaria e tij është ekranizuar në albume fabuleske nga TV shqiptar, nën interpretimin e aktorëve Kadri Roshi, Margarita Xhepa, Lazër Filipi e Roland Trebicka.

Është hartues i përmbledhjes antologjike të fabulës shqiptare si dhe fitues i mjaft çmimeve kombëtare e ndërkombëtare, ku spikatin: çmimi i parë në konkursin kombëtar të 45-vjetorit të Çlirimit (1989); çmimi "La Fonten" nga Ambasada Franceze në Tiranë (1995); çmimi “Libri më i mirë për fëmijë në gjuhën shqipe” (Maqedoni, 1996); çmimi i Karrierës (1996); medalja e argjendtë në konkursin ndërkombëtar "Il faro d'Argento" (Itali, 1998); medalja e argjendtë nga Biblioteka Ndërkombëtare e Poezisë (SHBA, 2002); medalja “Naim Frashëri i argjendtë” akorduar nga Presidenti i Republikës (2005); lista e Nderit e IBBY-t (Kinë, 2006).

Ka studiuar e hulumtuar në fushë të fabulës në Greqi, Itali, Francë, Gjermani, SHBA, Bullgari, Rumani, Zvicër, Austri, Egjipt, Maqedoni, Kosovë, Mali i Zi, Çeki, Kinë.

Është anëtar i Shoqatës Botërore të Fabulistëve si dhe i Shoqatës Ndërkombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj.

Image result for ferit lamaj poezi

Dhelpra dhe fiqte, Ferit Lamaj

Është privilegj për letërsinë e sotme shqiptare dhe, sidomos atë për fëmijë, që i ka ardhur një talent i fuqishëm, Ferit Lamaj. Ta transplantosh realitetin e jetës në art me figura përrallore duhet mjeshtëri e rrallë dhe këtë mjeshtëri fabulistit Lamaj, si një filozof i kohës, e zotëron më së miri.

"Është privilegj për letërsinë e sotme shqiptare dhe, sidomos atë për fëmijë, që i ka ardhur një talent i fuqishëm, Ferit Lamaj. Ta transplantosh realitetin e jetës në art me figura përrallore duhet mjeshtëri e rrallë dhe këtë mjeshtëri fabulistit Lamaj, si një filozof i kohës, e zotëron më së miri."
Akademik Prof.Dr. Bedri Dedja

"Ferit Lamaj është më origjinali e më i begati ndër fabulistët shqiptarë. Njeriu mund të shkruajë tërë jetën dhe të mos arrijë të botojë as njëqind pjesë nga kjo sferë e mençurisë njerëzore. Ndërsa Ferit Lamaj të habit me begatinë krijuese në këtë fushë."

Dritëro Agolli

"Fabulisti Ferit Lamaj është padyshim zëri më virtuoz i fabulës shqipe. Si një mjeshtër e akrobat i fjalës, Lamaj, vargun fabulesk, këtë zhanër të hershëm letrar e sjell në skenën e kohës përmes mençurisë filozofike dhe një arti befasues e të qëndisur metaforik."

Roland Trebicka

"Më kanë pëlqyer përherë fabulat e Ferit Lamajt, këtij Ezopi shqiptar. Kam patur kënaqësinë e rrallë të interpretoj në moshën 75-vjeçare në një film televiziv pjesë nga krijimtaria fabuleske e Lamajt. Më duket se jam rilindur. Faleminderit, Ferit!"

Kadri Roshi

Image result for ferit lamajImage result for ferit lamaj

LULEDIELLI DHE KALLAMI



Coi diskun lart, nga qielli,
edhe foli luledielli:
“Une bej fara, mik vellai!
dhe nga farat une nxjerr vaj,
dhe me vajin ne tigan
une skuq peshkun, more xhan!
po ti c’ben, o gjatovine?”
dhe i shkel kallamit syne.
“C’bekam une?! Qysh se di?!
une ze peshkun, qe skuq ti…”

MIUSHI NE BIBLIOTEKE



Dhe miushit sec iu tek,
shkon te nje biblioteke.
Ne banak zonjes i flet:
– Nem nje liber a gazete!

U ngrys zonja ne fytyre.
– O miush. Gabim ke hyre.
pasi librat ti, – i tha, –
s’i lexon, porse i ha!…



*******************

Image result for ferit lamaj


Bisedë me fabulistin e shquar shqiptar, tepelenasin Ferit Lamaj

Bisedoi Keze Kozeta Zylo

Që prej shekujsh rron e thëna:/ “Qengj i urtë pi dy nëna”. /Por nuk dini më të renë:/ “Pi servili gjithë kopenë!” (F.Lamaj)

Si prezantim për Fabulistin Lamaj po sjellë vetëm vlerësimin e Artistit të Popullit Kadri Roshi i cili thotë: “Më kanë pëlqyer përherë fabulat e Ferit Lamajt, këtij Ezopi shqiptar. Kam patur kënaqësinë e rrallë të interpretoj në moshën 75-vjecare në një film televiziv pjesë nga krijimtaria fabuleske e Lamajt. Më duket se jam rilindur. Faleminderit, Ferit”!

Ju jeni një ndër fabulistët tepër seriozë edhe pse fabulat nuk mund të konceptohen pa humorin, ironinë tallëse, sarkazmën therrëse, kur keni filluar të shkruani fabulën e parë dhe cila është konkretisht, çfarë ju motivojnë më shumë në shkrimin e fabulave?


Mëse e vërtetë. Humori ironizues, sarkazma, paradoksi, alegoria kanë qenë veçori karakterizuese të zhanrit fabulesk qysh në kohët ezopiane e më pas me Fedrin, La Fontenin, Krillovin, Trilusën, për të ardhur gjer në ditët tona.
Image result for ferit lamaj
Me fabulën jam dashuruar herët, në vitet ’70. Sapo kisha kryer studimet e mesme dhe bashkëpunoja me revistën e mirënjohur satiro-humoristike “Hosteni”. Fabula e parë e botuar titullohet “Fleta e pemës”, një krijim katërvargësh.

Konciziteti në krijimtari më ka pëlqyer e tërhequr vijimësisht. Pak vargje, pak radhë, por që të shpërfaqin qartë e saktë mendimin dhe idenë artistike.

Motivimi në fabul është vetë përditshmëria që jetojmë, kohë e mbarsur prej vesesh e fenomenesh regresive. Kafshët e shpendët veprojnë, gjestikulojnë, tingullimitojnë, grinden, dredhojnë, kacafyten, përleshen, gërvishten e gjakosen, fitojnë e munden. Por a nuk ndodh kështu edhe me njeriun? Morali kryesor, jo i një fabule të veçantë, por i të gjitha fabulave, nga më e hershmja deri te e pashkruara ende, është ky: “Në këtë botë të trazuar me virtyte e vese kafshët kanë gojë e flasin. Por ato flasin që të dëgjojmë ne, njerëzit. Ato flasin përmes artit të qëndisur metaforik.”

Qëllimi finalizues stilistik është pikërisht goditja, fshikullimi i vesit dhe stimulimi i virtytit. Të ndihmojë sadopak në korrigjimin e balancës ves – virtyt.

Fabulat tuaja janë tepër të dallueshme sepse të japin kënaqësi estetike, larg moralizimeve dhe shumë prej tyre mësohen përmendsh, konkretisht fabulën që kam përzgjedhur më lart është më se e përdorshme kur lypet nevoja në mjedise të ndryshme, edhe pse ju e keni zgjeruar me dy vargje më shumë kohët e fundit mos gaboj?
Image result for ferit lamaj
Fabulat e bukura dhe të arrira artistikisht ngelen gjatë në trurin e vëmendshëm të lexuesit, ndaj edhe mësohen përmendsh. Fabula është magjike, të ngjizet në shpirt, të pushton. Të josh me përjetësinë e saj. Fabula bën çudira. Të ledhaton, por edhe ta ngul. Fabula ndjek jetën. E lufton vesin shoqëror përmes groteskut, lakonizimit, befasisë e mbi të gjitha, me filozofinë e saj. Fabula është filozofike.

Fabula është pronë e të gjitha moshave dhe profesioneve. Le të perifrazoj shprehjen e shkrimtarit Dritëro Agolli në përathënien e një libri tim: “Fabulën e do edhe gjyshi, edhe nipi, edhe shkencëtari, edhe bariu. Prandaj fabula ka jetë të gjatë në gjirin e lexuesit.”

Image result for ferit lamaj

Artistë të Popullit dhe shumë personalitete të kulturës dhe artit ju kanë vlerësuar maksimalisht, por Kadri Roshi e ka më të spikatur duke ju quajtur Ezopi shqiptar, si ndiheni përballë vlerësimit maksimal nga këto personalitete?

Nuk ke si të mos ndihesh mirë, kur njerëz të shquar të artit dhe të letërsisë të përkrahin shpirtërisht e çiltërsisht me vlerësimet e tyre. Kadri Roshi, Roland Trebicka, Bedri Dedja, Dritëro Agolli, Margarita Xhepa, Astrit Bishqemi etj. kanë qenë jo vetëm dashamirës sqimatarë të fabulës sime, por edhe nxitës e inkurajues të zellshëm për ta përvijuar më tej misionin jo pak të vështirë, por aq të këndshëm të këtij zhanri.



Ndërkohe Ezopi ka qenë skllav, por ju si jeni ndjerë si shkrimtar, fabulist gjatë sistemit komunist dhe postkomunist?

Image result for ferit lamaj

Të shkruaje fabula para viteve ’90 s’ishte dhe aq e lehtë, ndaj edhe fabulistët e ahershëm thuajse numëroheshin me gishtat e njërës dorë: Nonda Bulka, Spiro Çomora, Tonin Miloti, Gjikë Kurtiqi, Jani Duri. Duhet të ishe mjaft i vëmendshëm në thumbimin artistik, pasi mund të të kthehej në bumerang. Më kujtohet si sot porosia e satiristit të shkëlqyer Dionis Bubani, teksa shkelja për herë të parë ne redaksinë e Hostenit: “Duhet të mendohesh mirë, djalosh, para se t’i hysh shkrimit të humorit e të fabulës. Është thikë me dy presa.”

Nëse para ‘90-s kishte rrallësi fabulistësh, pas ’90-s autorët e fabulave mbinë si kërpudhat pas shiut. Dhjetëra të tillë shkruajnë fabula, më së shumti krijime pa nerv artsistik, pa gjetje inrtiguese, pa humor origjinal e të qenësishëm. U kalua nga skaji në skaj. Liria e të shprehurit i çeli udhë mediokritetit, vargëzimit kilometrik, bejtes së mirëfilltë. Vërtet sot nuk të pengon kush të satirizosh fort me armët e mprehta të humorit, madje shumë lart, por kjo s’do të thotë që të bjerresh, të varfërohesh në ngjyresat stilistike.

Image result for ferit lamajImage result for ferit lamaj

Çfarë ka ndikuar më shumë nëshkrimin e fabulave dhe cila është kultura konkrete që ju keni marrë gjatë studimit në cikle të ndryshme shkollore?



Në formimin tim si fabulist natyrshëm ka ndikuar kultura letrare humoristike shqiptare dhe ajo botërore. Jam rritur në një kohë kur libri dhe sporti qenë të vetmit mjete argëtimi të moshës. Fillimisht e kam shfaqur talentin në rrethin letrar të pallatit të pionierëve, të cilin e drejtonte shkrimtari dhe studjuesi Rinush Idrizi. Më tej, gjatë viteve të shkollës së mesme dhe sidomos asaj të lartë për gjuhë-letërsi, kam bashkëpunuar me shtypin letrar të kohës, revistën “Hosteni’, gazetat “Drita” e “Zëri i Rinisë”.

Çarja e kufijve ideologjikë e fizikë me botën natyrisht solli ballafaqimin e kulturave dhe të llojeve letrare. Kësisoj edhe të fabulës. Kam marrë pjesë në shumë veprimtari, kongrese e konferenca letrare, por edhe në trajnime në fushë të fabulës. Kam prekur, si të thuash, përbotshmërinë e fabulës në vende të ndryshme, si në Itali, Gjermani, SHBA, Greqi, Francë, Egjipt, Bullgari, Rumani etj.

Image result for ferit lamaj

Fabulat tuaja janë ekranizuar në TV të ndryshme, ekrane etj, nga artistë të shquar, cilat jane disa nga kujtimet më të spikatura më këta aktorë pas intepretimit të fabualave të ndryshme?

Image result for ferit lamaj

Aktorët janë miqtë e mi më të mirë, bashkëpunimet me ta kanë qenë mjaft të frutshme. Fabula ka marrë forcë shumëfishuese nën zërin e magjishëm të mjeshtrave të skenës dhe të ekranit K. Roshi, R. Trebicka, M. Xhepa e L. Filipi. Kujtimet me ta përgjatë ditëve të filmimit do të mbeten të pashlyera në kujtesën time. Por le të përmend vetëm çastet e mbrëmjeve në Divjakë, me të paharrueshmin Kadri Roshi. Më thoshte: “Ferit, fillo të recitosh fabulat që do të kemi nesër në sheshxhirim.” Përskuqesha nga turpi: “Unë të recitoj përpara Jush?!”. “Mos humb kohë, – insistonte, – dua të prek shpirtin tënd, se je krijuesi i fabulave. Dua të marr nga shpirti yt. Nuk më lejohet të turpërohem tani, në moshë të thyer.”

Image result for ferit lamaj

Cilat janë librat e botuar në shqip, gjuhë të ndryshme dhe çmimet ndërkombëtare që keni marrë?



Librat e botuar janë shumë, plot njëqind. Libri i parë, i botuar në vitin 1977, titullohet “Në verë dhe në dimër”. Vetëm këtë vit janë botuar 5 libra, më i fundit prej tyre, “Masterchef” në 4 gjuhë të huaja (anglisht, frëngjisht, italisht, spanjisht).
Image result for ferit lamaj
Si librin më të suksesshëm do të veçoja “Dhelpra e Trojës”, që ka patur 3 ribotime e së shpejti do të ripublikohet. Botimet fabuleske kanë qenë të larmishme edhe përsa i përket formës. Vitet e fundit lexuesi ka mirëpritur variantin e formatit të vogël “Fabula xhepi 1, 2, 3, 4”. Këtë vit rezultuan gjithashtu me sukses edhe fabulat e shkruara si kartëvizita, të ndërfutura në kopertinën-kuti.

Çmimet kombëtare e ndërkombëtare kanë qenë të vijueshme, ku do të veçoja ato të fituara në Itali, Kinë, çmimin “La Fonten” të akorduar nga Ambasada Franceze, etj.

Image result for ferit lamaj

Cilat janë disa nga momentet më të bukura dhe më të dhimbshme gjatë krijimtarisë suaj?



Krijimi vetë është moment i i bukur, por i dhimbshëm. Çastet e kapjes së idesë, të stërholljes, të gjetjes së figuracionit stilistik janë plot magji e kënaqësi, por edhe aq të stërmundimshme. Të vërtitet në mendje një tallaz i fuqishëm deti, të cilin duhet ta qetësosh e ta ledhatosh si një krijesë të bindur.

Ndërsa për t’iu përgjigjur më drejtpërdrejt pyetjes tuaj, çasti më i bukur është sjellja e një libri të ri fabulesk në jetë, ndërsa çasti më i dhimbshëm është ikja e një njeriu të mirë nga kjo jetë.
Image result for ferit lamaj
Në vitin 2000, në Tepelenën tonë, Shtëpia e Kulturës organizoi një veprimtari për krijimtarinë time letrare, ku morën pjesë edhe miqtë e mi: Kadri Roshi e Steve Williams,

përkthyesi i fabulave. Mes të tjerash, në skenar qe futur edhe spektakli “Mis Kafshët”. Në skenë, me fashën përkatëse, hyn Mis Dhelpra, e cila ishte një dhelpër e gjallë. Kënaqësi e rrallë për të gjithë auditorin. Nuk do ta harroj kurrë.

Image result for ferit lamaj

Ju jeni me origjinë nga Tepelena, Tepelena poetike do ta quaja sepse jane disa poetë të mirënjohur në mbarë trullin shqiptar duke filluar me poetin më të vjetër nga mosha Agim Shehun dhe për më tepër nuk ka qenë rastësi që një poet botëror si Bajroni u përul përballë kalasë, u magjeps me natyrën dhe mikpritjen e Ali PashëTepelenës, sa është frymëzuese ky qytet magjik për ju?
Image result for ferit lamaj
Sot s’përbën më ndonjë çudi e s’hyn në gjërat e rralla, që kafen e mëngjesit mes miqsh e shokësh ta shoqërosh, jo vetëm me të kthjelltin “ujë Tepelene”, por edhe me të mençurën “poezi Tepelene” apo me sarkastiken “fabul Tepelene”. Tepelena, ky qytet i vogël buzë Vjosës e rrëzë kalasë së Ali Pashait, ta lëmë mënjanë modestinë, shquhet edhe për numrin jo të vogël të poetëve dhe fabulistëve për metër katror. Në burimet, krojet, puset e çezmat tepelenase kanë pirë ujë dhe kanë freskuar muzën e tyre krijuese poetë e fabulistë të tillë si: Agim Shehu, Petrit Ruka, Ilirjan Zhupa, Qazim Shemaj, Novruz Shehu, Izet e Rezo Çulli, Kozeta Zylo, Shkëlqim Hajno, Pandeli Koçi, Ilia Laska e të tjerë. Qyteti, por edhe Izvori e Rabija, fshatrat ku kanë lindur prindërit e mi, më kanë frymëzuar, më kanë dhënë polenin e parë fabulesk. Që i vogël, tok me vëllezërit e mi, shkoja për verim në fshat, ku mahnitesha e përshtatesha në çast mes jetës baritore. Një pjesë leksiku dhe terminologjie labe në krijimet e mia është pikërisht frut i përvojës akumuluese të moshës fëminore në ato zona. Falë edhe mençurisë së spikatur të njerëzve dhe traditave aq të pasura e të vyera të tyre. Kam parasysh sidomos dasmat: nuset me duvak mi kalë, burrat mysafirë që tërhiqnin për rripi qengjin apo kecin, gratë me tepsi bakllavaje a revanije mbi kokë dhe ne fëmijët që fluturonim nga gëzimi.


Përgatiti : Flori Bruqi 

Cikël poetik nga Nexhat Çoçaj



Nexhat Çoçaj lindi më 02 02. 1964 në Gjonaj të Hasit, ku nisi shkollimin fillor, ndërsa e përfundoi në Ferizaj, ku kreu edhe arsimin e mesëm në Ferizaj. Në vitin 1991 kreu Fakultetin Filologjik në Prishtinë, ndërsa nga viti 1994 ndoqi studimet pasuniversitare. Gjatë kohës së studimeve, nisi punën si gazetar, më pas punoi edhe si mësues në shkollën tetëvjeçare dhe në shkollën e mesmen vendlindje.
Gjatë luftës së UÇK-së, nga marsi i vitit 1998 u inkuadrua në UÇK deri në përfundim të luftës. Për disa vite më pas ishte sekretar i OVL , dega në Has. Që nga viti 2008 punon në Drejtorinë Arsimore në Prizren, ndërsa nga viti 2011 është drejtor i këtij institucioni. Përveç gazetarisë, që nga koha e studimeve merret edhe me krijimtari letrare dhe studime në fushën e etnologjisë.
Rrugën e krijimtarisë letrare si poet e nisi që në vitet e shkollës fillore, sa ishte nxënës në Ferizaj, ku botoi poezitë e para në vitin 1978/79, ndërsa në vitin 1983, u prezantua në përmbledhjen poetike për fëmijë me titull “U këndojmë dëshmorëve”, për të vazhduar më pas edhe me prozë dhe punime shkencore.
Më 19 dhjetor 2014, në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë, mbrojti titullin e “Doktorit të Shkencave” me temën “Zonat e ndërmjetme etnografike në Kosovë”.

Deri më sot ka botuar këta libra:

- “Kloni” (roman), 1997;
- “Nuipsi” (roman), 1999;
- “Bartësit e lirisë” (biografi për Dëshmorin e Kombit, Haxhi Hoti), 2000;
- “Shpresa” (roman), 2002;
- Shtigjeve të lirisë (kuis për dëshmorët, katër ribotime, 2004, 2007, 2009 dhe 2011);
- “Kukurimi” (roman), 2008;
- “Rrugëtimi” (poezi), 2009;
- “Lindjet e pavdekshme” (poemë), 2009;
- “Gjeneralpampersa” (roman), 2010;
- “Kam takim me vdekjen” (roman), 2010;
- “Piknik në Pashtrik” (drama për fëmijë), 2011;
- “Jeta” (roman), 2011;
- “Lufta për të mbetur njeri” (roman) 2015;
- “Petriti i shkrepave” (monografi për Heroin e Kombit, Remzi Ademaj), 2011;
- “Hasi - enciklopedi etnokulturore”, vëll. VI, 2011;
- “Hasi - enciklopedi etnokulturore”, vëll. V, 2012;
- “Hasi - enciklopedi etnokulturore”, vëll. IV, 2012;
- “Hasi - enciklopedi etnokulturore”, vëll. III, 2013;
- “Hasi - enciklopedi etnokulturore”, vëll. II, 2014;






ËSHTË TERR APO DRITË?!

Zgjohem në mëngjes
Mbështillem me terrin e ditës
Përpiqem të vjell
Gjellën helm të servuar në shtyp.

Në vend të kafesë
Pi një apaurin
Që të mos verbohem
Që të mos shurdhohem
Që të bëhem imun
Ndaj atyre që do t’i takoj
Me gojën e stërmbushur
Me sharje
Për ata që lindën për ne
Për ata që u flijuan për ne.

Por, terri është terr
Dhe me te do të shkojnë në ferr
Të gjithë ata që vjellin helm
Për gjakun
Për bajrakun
Është terr apo dritë
Këtë do të na tregojnë fëmijët
Sot apo një tjetër ditë.



VOTA

Kush është për?
Faleminderit!
Kush është kundër?
Faleminderit!
Kush abstenon?
Faleminderit!

Merrni tash shamitë
Dhe vajtoni me lot
Për këtë që votuat!



SHTIGJEVE TE PASHTRIKUT

Shtigjet e Pashtrikut
Hekurosin rrudhat e padrejtësive
Jetës për t’i dhënë ngjyrë

Shtigjet e Pashtrikut
Vullkan i trazuar
Mbështjellë me eshtra
Që pikojnë gjak
Nëpër stinët e ferrit

Shtigjet e Pashtrikut
Gurët e djegur
Dëshmitarë të betejave
Ku u shurdhuan
Ninullat e foshnjave në djep
Ku u verbuan krushqit
Në prag të shtëpisë
Dhe mbetën të pagojë

Shtigjet e Pashtrikut
Me prush të ndezur flakë
Hekurosin rrudhat e padrejtësisë
Me plagë të prushta
E eshtra që kullojnë ende gjak
Nëpër të cilët po piqet liria.



BARTËSVE TË ZJARRIT

Kur e thanë - bartësve të zjarrit
Pse po bartin zjarrin në shpinë
Ata njësoj si Prometheun thanë:
Për ta filluar jetën njerëzimi

Kur u thanë – bartësve të zjarrit
Se mund të digjen në flakë,
Ata thanë :
Ari merr shkëlqimin vetëm në zjarr

Kur u thanë - bartësve të zjarrit
Zjarri mund t’i lë pa sy,
Ata thanë:
Zjarri i shkrinë kufijtë

Kur u thanë - bartësve të zjarrit
Se zjarri ua servon arratinë
Ata thanë:
Zjarri e përflakë lirinë lirin.

Kur u thanë - bartësve të zjarrit
Të pendohen për përhapjen e flakës
Ata thanë:
“Jo” edhe sikur të digjeshim në të.



PJETËR BOGDANIT

Në kishëza të Hasit
M’u bë se e pashë Bogdanin
“Të veshur me diell
Të mbathur me hënë”
Duke i kërkuar hasjanët
E përflakur nëpër botë
Me gunë të gjatë krahëve
Shtrëngonte hartën e gurit
Kur u bind se kot lexonte
Vendet s’i gjente
Ashtu si ia donte zemra
Filloi të villte vrer të zi futë
Dhe ashtu i sëmurë
U nis për në Prishtinë
Me hartën e gurit
Mbështjellë nën gu(r)në
Tash pas treqind vite
Të dëshmojë për çelbjen
E gurit të megjës në Pashtrik



HASI

flaka
në zemër të Prushnikut
që s’mungoi mbi kokë
ta shaloi guximin
ta shndërroi terrin në dritë

jetëvdekja
roje në shtigjet e përgjakura
kaliti gatimet e barutit
e përhapi kushtrimin

djersa e botës
derdhej shpatijeve tua
për të gjetur shtegun
e plagëve për shërim

Has i thatë
të quan ata që s’ta panë
thikën në kurrizin tënd
të larë me gjak
gjatë gjithë kohës
sa ishte roje flake
e bjeshkëve të Dukagjinit



PLAGA

Kur e fola fjalën e parë
e thash të plagosur
dhe i plagosur u rrita

Kur i mësova shkronjat
i lexova të plagosura
dhe për plagë shkrova

Kur u rrita
e mësova diagnozën e plagëve
dhe me plagë u ushqeva

Kur flas për plagën
ajo merr ndëshkim
dhe zbehet para syve të mi
e jo si në mote-si në fëmijëri
ajo sot kurohet me dinjitet
më nuk është plagë
se tani është shtet



LAKIMI I EMRAVE

Nëpër shpatijet e Pashtrikut
Lakohen emrat e bartësve të lirisë

Sa herë që zbresin maleve
Të ngarkuar me zjarr
E ruajnë të paprekshme
Mbaresën - tarë

Pas kushtrimit
Emri kurbet(ç)arë
U shndërrua në luftëtarë
Nga qytetarë në atdhetarë
Nga luftëtarë në çlirimtarë

Nën tingujt e krismave
Lakimi i emrave i thyen rregullat
Dhe na jep emra të rinj
Me kuptim pavdekësie
Nga emrat dashuri (për) atdhe
Del emri dëshmor
Nga emri robëri
Lind emri liri
Që për ta lakuar edhe më tej
Duhet përgjegjësi!~



MALLKIMI

Ai që flet kundër gjakut të vet
Dhe mohon sakrificën e të rënëve
Ju thaftë goja e foltë veç me gishta
Dhe ata mos i bëfshin punë

Ai që e sheh ardhmërinë
Të ngritur me shpifje
Ju shterrtë syri i djathtë e me të majtin
Mos e paftë kurrë pjellën e vet

Ai që i shton jatak të pabesit
Që ia zë pritën gjakut të vet
Mos i leftë as djalë as çikë në vatër
E ju mbushtë oborri me thera

Ai që nënshkruan marrëveshje
Me sunduesin e gjakut të vet
Ju thaftë ajo dorë
E tjetra mos i bëftë punë as ujë me pi

Ai që hedhë valle me djallin
Për ta ushqyer unin e injorancës
Mos e bëftë asnjë hap për gëzime
Veç për kob marrtë udhë



KRUMA

Si në legjenda tingëlloi historia jote
Para se të lidhej për guri
Lundra e ëndrrave të Kosovës

Prefektura e Kosovës –djep i trimërisë
Për konviktorët e përndjekur
Për planet e përhapjes së dritës
Për shoqërinë “Shkëlzeni”
Që dhembjet dhe plagët shëroheshin
Me tinguj të melodive malësorçe
Për Dërrasat e teatrit të Krumës
Që Kosova nisi marshutën në ty

Për pesë vite prefekturë
Ti Krumë Kosovës sa i shërbeve
Në secilën ditë
Vetëm fitoret i numërove

Pas 77 vitesh jetë me gur në shpinë
Vaji i Kosovës sërish
Ta gjeti derën Kërmë
Dhe ta mbushi shtëpinë
Dhe ti as pas kaq shumë kohe
Nuk kishe ndryshuar
Bujarinë dhe mikpritjen

Trashëgim nga Prefektuar
Prapë u sakrifikove
Baraz me Kosovës
Dhe ti u bombardove
Dhe arat tua u mboll me mina
Dhe varret tua u mbushën me trima

Para 77 vitesh ti Kosovën e përfaqësove
Në çdo skaj të Shqipërisë
Tash në fund të shekullit
jatak i Shtabit të UÇK-së

Ti Krumë e trimave
Që e shoqërove Kosovën
Në çdo hapërim
Ti do të mbetesh për mua
Prefektuara e parë e vendit tim

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...