Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/10/19

Sherri Kosovë- Shqipëri, pasojë edhe e delirit totalitar të Edi Ramës



Nga Fatos Lubonja



Vizita e Ramës në Serbi ka ngritur një sherr midis Kosovës dhe Shqipërisë, të paprovuar deri më sot në historinë dypalëshe. Reagimi i parë ishte ai i politikanëve dhe intelektualëve kosovarë (ku spikati deklarata e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj) se Shqipëria nuk mund të përfaqësojë Kosovën në Beograd, sikurse ka vepruar Rama. Nga Tirana, në vend të një analize nëse është e vërtetë se ka ndodhur kështu, dhe a duhet të ndodhte kështu, u hodhën sulme ndaj kosovarëve ku dominoi akuza se këta duan një Kosovë më vetë, jo të bashkuar me Shqipërinë. Të dyja palët hodhën benzinë pa ngurrim në një zjarr të kryqëzuar dhe shumë kontradiktor. Cilat janë shkaqet më të thella të këtij sherri? Thënia e Oscar Wilde-it se e vërteta nuk është kurrë e pastër dhe asnjëherë e thjeshtë i shkon shumë të vërtetës së shkakut të kësaj situate. Po përpiqem megjithatë të jap një këndvështrim.
***
Në thelbin e sherrit mendoj se qëndron fakti se ne vazhdojmë të vuajmë kontradiktën midis kulturës së trashëguar totalitare të partisë-shtet dhe sistemit demokratik që kemi instaluar, që i ka ndarë shoqëritë tona në shumë parti. Vetë koncepti “parti” në demokraci nënkupton një pjesë, kurse, sipas kulturës totalitare të trashëguar, partia/pjesa, paradoksalisht, përfaqëson të tërën. Sherri, pra, erdhi si pasojë e rrekjes së Ramës për të përfaqësuar në Beograd të tërën, ndërkohë që është një pjesë, që, për shkak të mendësisë totalitare, nuk e ka vetëdijen se është pjesë. Por edhe për shkakun se pjesët që e kundërsulmuan përdorën të njëjtën gjuhë. Por s’mund të mohohet se ai është kryeprotagonisti i sherrit.
Në shkrimin “Gjuha e trefishtë e Edi Ramës dhe flamuri si cohë toreadori” (Panorama, 6 prill 2015) kam komentuar paradën me shqiponjë dhe bashkim kombëtar që bëri Rama në Pallatin e Kongreseve me rastin e takimit të dy qeverive. Mes të tjerash aty kam konstatuar faktin se gjuhës së dyfishtë -nacionaliste për konsum të brendshëm dhe europianiste për konsum të jashtëm – Kryeministri i ka shtuar, së fundi, edhe një gjuhë të tretë: atë për kosovarët, duke u paraqitur edhe si babai, mbrojtësi apo përfaqësuesi i kosovarëve. Te thellimi i kësaj tendence delirante duhet kërkuar rrënja kryesore e sherrit. Por pa harruar se në ato fillime, që pasuan edhe ndeshjen e futbollit në Beograd, Rama nuk u sulmua kështu nga kosovarët, përkundrazi u duartrokit. Pse kësaj here prodhoi këtë reagim? Së pari, sepse vjet e parvjet Rama ka përdorur shumë më tepër një gjuhë antiserbe, nacionaliste të bashkimit, duke venë në fasadën e Kryeministrisë edhe flamurin e Shqipërisë së madhe që valëviti droni në Beograd, e cila ka shumë më pak kundërshtarë në Shqipëri dhe Kosovë, kurse sivjet përdori gjuhën europianiste, për nevojën e dialogut, paqes e bashkëpunimit me serbët. Së dyti, sepse kësaj here i injoroi thuajse plotësisht liderët kosovarë në tentativën e tij për t’u paraqitur si baba i tërë shqiptarëve të Ballkanit.
Në fakt, nëse ka politikan që harron se është pjesë dhe pretendon se është e tëra, që qëndrimin që i duhet për momentin e paraqit, me arrogancë madje, si qëndrim i së tërës, ky është Edi Rama. Në këtë aspekt ia kalon edhe Berishës i cili, p.sh., ka qenë gjithnjë i kujdesshëm që liderëve kosovarë t’u linte hisen e tyre të pushtetit. Ndërsa Rama, vini re, shkoi në Beograd jo vetëm si përfaqësues i shqiptarëve edhe i kosovarëve, jo vetëm i (shumë) nacionalistëve edhe i (pak)kozmopolitëve, jo vetëm i atyre (shumë) që janë për bashkim kombëtar edhe të atyre (më pak) që janë për një Kosovë të mëvetëshme, por edhe si përfaqësuesi i gazetarëve dhe intelektualëve kritikë shqiptarë. Libri i tij “Kurbani” do t’i “prezantojë publikut serb ngjarjet kulturore, politike dhe sociale në Shqipëri” (tha botuesi i tij Veran Matiç), “vizionin e tij të transformimit demokratik dhe modernizimit përballë vizionit autoritar të rivalit të tij Sali Berisha.”(është shprehur Shkëlzen Maliqi për Danas).
Edhe në regjimet komuniste zor se do të ecte, pa kërcitur keqas, kjo karrocë e mbingarkuar, jo më sot. Prandaj, ashtu siç kërciti në veshët e gazetarëve pretendimi i informimit të serbëve për realitetin shqiptar nëpërmjet “Kurbanit”, ashtu dhe kërciti në veshët e politikanëve kosovarë pretendimi i tij për të bërë shiun edhe diellin e Kosovës, nacionalistin antiserb dje dhe europianistin që citon Andriçin sot.
***
Me këtë nuk dua të them se kryeministri duhet të shkonte në Beograd si kryetar partie/ pjese; as se duhet të fliste me gjuhën nacionaliste me të cilën iu drejtua Vuçiçit para dy vjetësh. Dua të them se duhet të shkonte me një qëndrim koherent dhe, mbi të gjitha, si politikan i një shteti demokratik. Me koherencë kuptoj përdorimin e një gjuhe të vetme, si për shqiptarët e Shqipërisë, si për të huajt, si për kosovarët. Me “demokratik” kuptoj gjuhën e kryeministrit të një vendi demokratik dhe jo autokratik, çka do të thotë të një kryeministri që e ka vetëdijen se ka dalë nga një forcë politike që është pjesë, dhe se në vendin e tij ka pjesë të tjera që nuk do të flisnin njëlloj si ai, po të takoheshin me një kryeministër të huaj. Vetëdije që do të duhej t’ia kushtëzonte gjuhën, mënyrën e tij të të shprehurit ashtu që, edhe pa prezencën e tyre, këto pjesë të kishin zë në Beograd. Kurse ai duket sheshit se nuk e ka këtë vetëdije. Ai foli me një gjuhë absolutiste dhe të kundërt me gjuhën që ka përdorur para dy vjetësh po vetë, jo vetëm në emër të të gjithë shqiptarëve të Shqipërisë, por edhe në emër të shqiptarëve që kanë qeveri tjetër, histori tjetër me Serbinë, që kanë parti me qasje të ndryshme brenda vet, siç është Kosova.
***
Dhe këtu dalim te problemi i kulturës politike totalitare që kemi trashëguar dhe nevojës për ta ndryshuar atë, nëse duam të jetojmë në demokraci.
Në realitetin tonë, si në Shqipëri dhe në Kosovë, nuk mund të mos konstatosh grupe njerëzish me prirje më nacionaliste apo më europianiste, që janë për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën apo për dy shtete, më antiserbë apo më të hapur për dialog me serbët, që janë më eurocentrikë apo më euroskeptikë, më të djathtë për sa u përket politikave ekonomike apo më të majtë, më konservatorë për sa i përket moralit apo më progresistë, me frymë fetare apo me frymë laike. Disa syresh më afër ekstremeve dhe të tjerë më të moderuar. Ndërkaq, ajo që ndodh për shkak të trashëgimisë totalitare është prirja e partive ekzistuese për t’i përfaqësuar vetë të tëra këto prirje që ekzistojnë në shoqëri, në funksion të një pushteti gjithëpërfshirës e gjithëpërfaqësues. Si rrjedhojë, këto parti sillen edhe si përjashtuese të të tjerëve.
Pikërisht prej kësaj kulture tek ne vazhdon të mbisundojë koncepti i fitores mbi tjetrin, i shuplakave që i japim tjetrit. Kjo kulturë i bën politikanët tanë të flasin në emër të të gjithëve me arrogancë sepse të mundurit për ta nuk kanë gojë. (Prandaj Rama përdori të njëjtën gjuhë edhe kur tentoi të miklojë shqiptarët duke u thënë se ne e kemi fituar kundër Serbisë). E pra, në një shoqëri demokratike partitë dhe politikanët duhet të ndahen nga kjo kulturë. Partitë tona duhet të sillen si përfaqësuese të pjesëve, si shprehëse të vizioneve dhe interesave të tyre, duke dialoguar me njëratjetrën në një proces pa fund që çon drejt përmirësimit të jetës shpirtërore dhe materiale të të gjithëve. E sipas këtij koncepti, në demokraci nuk mund të ketë humbës dhe fitues, por një pjesë që, falë zgjedhjeve, merr detyrën që të qeverisë në emër të interesave të të gjithëve dhe që, për ta bërë sa më mirë këtë punë, ka nevojë për dialogun dhe konfrontimin e vazhdueshëm me pjesët e tjera, për kritikën e oponencën e tyre, ashtu sikurse ka nevojë edhe për mediet e lira, shoqërinë civile. Dhe jo ta konceptojnë demokracinë si një ditë të vetme zgjedhjesh pas së cilës fituesi merr gjithçka dhe humbësi del nga skena e vendimmarrjes.
Po nuk hyri kjo kulturë politike në Shqipëri e Kosovë, do të vazhdojmë të shohim parti/pjesë që, duke u sjellur sikur përfaqësojnë të tërën dhe të vërtetën e vetme, do të përdorin çdo mjet për të asgjësuar pjesët e tjera me pasojat tragjike që po shohim përditë.

Debati “Lolita”/ Elton Deda: Si i njoh Erjon Veliajn dhe Ajola Xoxën


Frikës që ka pushtuar ndjekësit dhe administratorët e një prej faqeve më popullore shqiptare, duket se nuk i ka shpëtuar as kantautori Elton Deda. Në një postim në facebook, ai merr në mbrojtje si çiftin Veliaj të cilët akuzohen nga blogu “Lolita” për censurë, po ashtu dhe këtë të fundit e mbron, duke thënë se e tërheq dhe i duket interesante për frymën që përcjell.


Ja reagimi i Elton Dedës për çështjen e nxehtë që ka përfshirë botën virtual, atë të mbylljes së Lolitës:

“Kam disa dite qe shoh postime te nje nga te paktat faqe virtuale te dashura per mua, te “Lolita”, faqe e cila eshte ne opozite me gjithshka. Pretendimet e Lolites jane qe faqja po sulmohet per ta mbyllur ne baze te reportimeve qe sipas saj vijne nga Erjon Veliaj dhe se fundmi nga Karlo Bolino.

Erjonin dhe Ajolen i njoh personalisht dhe pervecse miresise dhe jo-kapadiellekut me rezulton nje ngrohtesi miqesore qe kurre ska pat lidhje me interesa financiare (pervec dy sponsorizimeve edhe ato te cunguara per aktivitetet e Rockstock).

Nga ana tjeter, ne faqen e Lolites, kam gjetur nje super cinizem gati gati sublimo-artistik te cilin qe ne momentin qe e kam ndjekur me eshte dukur Art me vete (pasi edhe misioni i Artit eshte oponence per cdo rregjim i kujtdo qofte ai).

Pa marre vullnetin personal te gjykoj ne vertetesine e pretendimeve per sulm po prezumoj qe eshte e vertete. Pra qe Erjoni po ben c’eshte e mundur ta mbylle kete faqe. Ne kete rast komuniteti i kujton ketij te fundit, qe jetojme ne nje bote te lire ku secili mund te shprehet lirshem dhe pa teklif, ashtu sic i takon nje sistemi demokratik.

Ne rast se Lolita ka frustrim dhe shpif, Erjoni duhet ta padise ne gjykate per cenim morali apo prishje te imazhit publik. Mesa shoh une, asgje nuk ka ndodhur nga me te sipermet. Po prezumoj qe Lolita ka te drejte (dhe jam i bindur qe ka dicka qe nuk shkon ketu), ne kete rast KURRE nuk mund te sulmosh nje faqe virtuale qe mendon alternativisht se dikush, qofte ky kushdo.

Jeta na ka treguar qe persona te ndershem, nuk kane probleme te fshihen, te hedhin gure pas shpine apo te bejne raprezalje te fjales se lire. Lolita DUHET te vazhdoje misionin e vet, ashtu sic e kane vendosur administratoret e kesaj faqeje dhe Erjon Veliaj misionin e tij ashtu sic e kane votuar zgjedhesit e tij.

Ky eshte nje status personal qe fatkeqesisht ne kete situate, ka nje dashamiresi per te dy subjektet qe do deshiroja shume te ishin ne harmoni me njeri tjetrin. Por do zgjidhja cinizmin si artist permbi dhunen ( nese eshte e faktuar), duke menduar qe jemi njerez te lire te themi ato qe mendojme. Askush nuk duhet te kete frike, ndersa reagimi dhunshem ne demokraci eshte blasfemi. Nuk ka asgje te keqe te kritikosh “kokat e kombit”, pasi pak dush i ftohte u ben mire.

Askush s’eshte perfekt, as personazhet e Lolites as faqja vete. Ama, te ndjesh kaq represion dhe lufte per ti mbyllur gojen nje faqeje super simpatike dhe super njerezore-hallexhinjsh, duhet te reagosh. Nje kenge e grupit tim ka nje titull “Na lini te jetojme”! Kjo nuk eshte nje lutje por nje vendim. Secili te mbaje vendin e vet dhe do jetojme te gjithe!”

Keti Bazhdari:Tirana, Prishtina, Beogradi, bizantizmi…


Nga Keti Bazhdari

Më këtë multifjalë dua të përmbledh cdo përpjekje të dëshpëruar të ditëve të fundit, për të vënë në qendër të goditjeve skuthe vizitën e kryeministrit Edi Rama në Serbi. Në fakt, në vazhdën e vizitave më me rëndësi për rajonin, kjo qe më e arritura! E shkelqyeshme dhe sfiduese ndaj eksitimit të qarqeve të vjetra të errësirës, të pushtuar nga paniku i asimilimit. Nëse ka dicka që injoranca i tmerret, është pikërisht asimilimi në përballjen pa kufinj me logjikën, në fushë të hapur, aty ku s’ngre dot barrikada përcarjesh etnike, fetare me retorika konfliktuale.

Streha më e lakmuar e injorancës është konflikti. Historia i kushton faqe të tëra mrrokllave, që i janë servirur e i serviren përditë njerëzve, nën petkun e idealeve, vetëm e vetëm që të mbahet gjallë një konflikt. Imagjinoni tani Ballkanin, ish zemrën bizantine të Europës për 1100 vjet, mbushur me histori fatale intrigash e sundimi tiran, me logjikë vëllashitëse e emocione vëllavrasëse, me marrëzi instiktesh të pakontrolluara që njohin vec një zot; Luftën (tamam ambjenti për t’i kushtuar vëmendje e kohë të tepërt protokollit të pragjeve diplomatike!)Enverista, fashista, pseudonacionalista, që thërrasin vdekje për një gardh.

Hiqen si liderë të fortë, të vendosur, para të vetëve, po kur vjen puna për përballjen reale kompleksohen dhe sillen si minj zyrash. Të aftë deri në delir, vetëm për të manipuluar instiktet e një turme, sfiliten në kontrastin e parë të performancës kundrejt pritshmërive që kanë zgjuar. I tregojnë armikut shaminë e bardhë nën tryezë dhe shmangin cdo përballje tjetër duke fabrikuar intriga të gatshme, me përmbajtje ekstremiste, për të justifikuar paaftësinë, tamam si ata frikacakët, që të hapin veshët duke bërë si trima. Në fakt fitorja më e madhe ndaj kundërshtarit nuk është shmangia, biles as goditja, sepse edhe ajo një ditë do të kthehet, por c’armatosja. Edi Rama bëri fiks këtë.

Në më pak se dy vjet hapi dyert e kullave të gurta që mbanin të izoluar komunikimin me serbët, si dhe spostoi vëmendjen përtej armëve. Kjo jo për të nënshtruar, as për tu nënshtruar, po për të treguar se inteligjenca dhe formimi janë kyce në menaxhimin e konfliktit, si cilësi pa origjinë, fe e krahinë dhe se agresiviteti lind kur s’ka argument. S’ka njeri që të mos ketë vënë re kësaj rradhe tonet e moderuara të z.Vucic, si dhe c’kompleksimin e tij për të diskutuar mbi tema, që ende vijnë era barut. Për ata që e kuptojnë edhe ata që s’duan, kjo është në interesin e të gjithëve ne, që jetojmë në këto troje. Askujt s’i intereson një luftë e re ballkanike me përjashtim të 2-3 partive, përfaqësuese të një grusht naivësh. Europa dhe bota po shkojnë drejt heqjes së kufinjve dhe ne s’do i mbajmë për hatër të kauzës së këtyre.

Nën patronazhin e shprehur qartë nga perëndimi, Rama dhe Vucic po i prijnë një Ballkani të cliruar nga komplekse obskure, shekullore, alla “madre Rusia”, me muzhik e opinga. Dhe fati jonë si shqiptarë, të kemi për kryeministër një njeri, i cili përmbush gjithë parametrat për të marrë rolin e kryearkitektit gjeopolitik në pjesën më të trazuar të Ballkanit. Nën këtë logjikë, sot nuk ka shqiptarë Shqipërie e as Kosove, që të mos ndjehej i përfaqësuar me Edi Ramën, por për disa, vala vjen më vonesë dhe për cudi këta janë të parët që vënë tellallin dhe pa diskutim, të parët që harrohen. Ajo cfarë ngelet, është aspirata dhe angazhimi për një Europë pa kufinj e barriera inferioriteti, etnike e fetare, ku diferencën ta bëjnë kulturat dhe jo prapambetja.

Ja argumentet shkencore – sociologjike, ku gaboi Edi Rama!

Nga Fadil Maloku

Ajo çka, unë mendoj ka të bëjë me përgatitjet, që është dashur z. Rama t’i bëjë, para se me u nis për në Beograd. E kjo nënkupton, që prapa kësaj odisejade, ta ketë edhe një; Projekt të përpunuar (nga ekspertet nga Shqipëria dhe Kosova), një agjendë më të vëmendshme (sociale, politike, ekonomike, e strategjike) me vete, apo të paktën një mendim, përvojë apo gjykim të njerëzve që dinë se si”frymon” Serbia dhe diplomacia e saj djallëzore! Çfarë nënkupton një Projekt paraprak gjithëkombëtar (te cilin Edi Rama është dashur ta ketë nën sqetull në Beograd, e që i mungoi!), i dizajnuar nga gjitha kokat e dijes shqiptare, andej e këndej kufirit? A pati nën sqetull Edi Rama, ndonjë Projekt (të paktën ideor?!) me veti në Beograd? Projekti për mendimin tim, do të duhej të shtrihej në dy rrafshe:

A/Njërin, siç e quaj unë të brendshëm dhe që ka të bëjë me proceset, problemet, dilemat, sfidat dhe mënyrën se si ne së bashku me shtetin shqiptar, Shqipërinë duhet të sinkronizohemi në kuptimin e formimit të një qëndrimi të vetëm dhe unik në përballje me proceset tjera globale, e thënë më qartë proceset aktuale dhe në perspektivê (dez)integrative evropiane.

B/Rrafshi tjetër që kërkon padyshim një agjendë dhe përkushtim tjetërfare, edhe për faktin se kriteret dhe standardet nuk i caktojmë ne por institucionet në ngritje të BE-s.

Ndërkaq, çështja më e rëndësishme në gjithë këtë debat (që kujtoj në kohë dhe moment të duhur duhet të bëhet edhe publik), ka të bëjë me dilemën se;

1.A duhet ta shpejtojmë ritmin e proceseve në fjalë?

2.A janë pengesa serioze, mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga ana pesë vendeve evropiane në këtë rrugëtim?

3.A kemi mjaftë kapacitete administrative për t’i përmbushur të gjitha obligimet dhe kriteret strikte teknike të parapara nga BE-ja?

4.A ka ide se si duhet të gjendemi në rast se ky projekt integrues dështon, cilat opsione dhe plane rezervë duhet t’i ketë në tavolinë Kosova?

5.A ka debat se duhet të hyjmë si Kosovë apo si të bashkuar (me Shqipërinë) në një shtet në BE?

6.Çka e pengon debatin e kësi sojit në nivel politikë, cilat janë ato pengesa lokale dhe sosh globale?

7.Çfarë kapacitetesh politike, ekonomike, sociale e kulturor duhet të ndërtohen në ndërkohë?

8.A ka përllogaritje se është më mirë të integrohemi ndaras si dy shtete apo si një shtet i vetëm unik në Ballkan?

9.Kush duhet t’u paraprijë këtyre proceseve të brendshme integruese midis dy shteteve aktuale?

10.A janë elitat politike, ato ekonomike apo ato kulturore, që duhet ta artikulojnë dhe bartin këtë proces?

11.Sa kohë merr i gjithë ky Projekt?

12.Çfarë kostoje ka i gjithë ky projekt i integrimit të brendshëm?

13. Cili është destinacioni final i gjithë këtij Projekti?

14.Në këtë rrugëtim të integrimit të brendshëm a ka dhe cilat janë ato sfida të cilat në bazë të një eksplorimi empirik mund të bëhen pengesa të pa kapërcyeshme në proceset tjera integruese evropiane?

15.Pastaj, cilat interesa lokale përputhen me interesat globale dhe si mund t’i materializojmë në nivel gjithëkombëtar këto interesa, në mënyrë që të mos përsëritet sindromi historik i ngecjes dhe anatemimit nga të tjerët?16.Cilat potenciale ushtarake, duhet ta fuqizojnë idenë sigurisë dhe mbrojtjes së …17.Me çfarë agjende: politike, ekonomike, ushtarake e kulturore duhet t’i joshim dhe afrojmë interesat e lidershipit botëror në këtë pjesë të Ballkanit?18.A duhet të kemi edhe planin B-e, në rast të kontestimit të këtij Projekti (mbarë)kombëtar?…19.Në rast se plani B dështon, cila është alternativa rezervë?

E një milion pyetje, çështje e dilema që lipsen të kenë përgjigje të duhur, në momentin e duhur dhe vendin e duhur, ne Projektin ideor, të cilin s’e kishte nën sqetull Edi Rama, e as një politikan andej dhe këndej kufirit…!

Pikëvështruar nga sa u parashtrua më sipër, zgjidhjet duhet të elaborohen në këto korniza:

1. Një shtet unik shqiptar
2. Një shtet të përbashkët federativ, apo
3. Një shtet me fillesa konfederale

Ku është roli i intelektualeve në gjithë ketë rrëmujë?

Intelektualët e vërtetë shqiptar, në situatën e tanishme, kur kombi dhe shteti kanë filluar të shkërmoqën nga aferat korruptive, madje edhe të stërkeqen nga iluzioni i hedonizmit të elitave aktuale politike… nuk duhet të synojnë aq shumë; as fuqi, as nam e as prestigj por, reformë, ndryshim, dhe emancipim të njëmendët për kombin, shtetin dhe vendin e vet.

Intelektualët nuk duhet të posedojnë mendje dhe imagjinatê përvetësuese e analitike (siç bënë zakonisht inteligjenca!), por sish kritike, imagjinatave e kreative…Madje, edhe pragmatike e praktike. Ata në fakt, duhet të angazhohen dhe t’i transformojnë proceset jetike për kombin, e shtetin. Ngase, e kanë licencën arsimore, e njohin “frymëmarrjen” e (pa)natyrshme të shoqërisë, e kanë si më thjesht, dijen dhe “dosjen” e dobësive për vetën tonë! Pra, ata do të duhej të paktën të “preknin” dhe matnin pulsin funksionalizus të çështjeve dhe temave largpamëse, që ekspertët dhe menaxherët e innxhinieringut s’i nuhasin dot. Me një fjalë, inxhinieringu intelektual shqiptar, edhe në ditët e sotme të fillim teEdi Rama ka të drejtë të flas për Kosovën, por, duhet ta konsultoj online atë!Pse Edi Rama, nuk konsultoj askënd nga Kosova?A shkoj, Edi Rama, në Beograd, me gjithë këtë përgatitje paraprake, apo mori rrugën me duar ne xhepa dhe “avokoj” për Kosovën dhe gjithë shqiptaret, ashtu siç e paraqiti makineria shtetërore, dhe tani sejmenët e Tij, në sytë e publikut gjithëshqiptar?Përgjigjen, ia lë secilit lexues që me “kaçikun”e vetë ta gjykojë.

Si e sheh Edi Rama bashkimin midis Shqiptarëve (si komb) të Shqipërisë dhe Shqiptarëve te Kosovës? Si dy shtete apo si dy kombe?

Duke u nisur nga një konstatim tipik sociologjik, se shoqëritë shqiptare (ani pse, të “rritura” ndaras në këto njëqind vitet e fundit!) andej e këndej kufirit në një mënyrë kanë filluar të bëhen pak a shumë “shoqëri lejuese”(permissive society), me faktin se, ndaras (shqiptarët e Shqipërisë nga ata të Kosovës) dhe në mënyrë konstante kanë pranuar, rindërtuar, thithur, dhe kultivuar vlera dhe norma socio-kulturore të sistemeve përkatëse socialiste, nuk nënkupton, se tashmë ato janë vënë para dilemës “hamletiane”, se nëse duhet secili entitet etnik, por edhe kulturor të kultivoj veçantitë e reja globalizuese, tëcilat në fakt parapërgatitën situata dhe fakte të reja për një komb te ri!

Sintagma e “shoqërisë lejuese”, këtu përdoret, jo për të krahasuar formën e këtij ndryshimi, por për të ilustruar mënyrën specifike të zhvillimit të këtij procesi dhe kësaj dukurie sociale në shoqërinë gjithëshqiptare. Ngaqë, ani pse, rrethanat mentaliteti, etnopsikologjia dhe kultura sociale e sidomos kultura, u zhvilluan, rindërtuan ne rrethana dhe sisteme pak a shume dalluese ideologjike, prapë se prapë, s’kemi argumente të fuqishme shkencore sociologjike që na orientojnë në drejtim të krijimit te argumenteve te mjaftueshme sociologjike për “kombin kosovar”

Ky proces i deklinimit nga sjellja normuese e trashëguar dhe shekullore, e shqiptareve te Kosovës nga identiteti kombëtar, duket edhe me tej s’mund të vetëmjaftoj as si brumë fillestar për të filluar krijimin e një “kombi kosovar”.

Ja arsyet:

Sepse, argumenti i ndarjes se padrejte qindra vjeçar (1913, aneksimi i dhunshëm nga ana e Serbisë) gjatë “periudhave okupuese” (postotomane e postsocialiste) e as “patriotizmi kushtetues”, nuk janë argumente të qëndrueshme dhe të mjaftueshme, për ta dizajnuar kornizën e një kombi të ri të vetëemëruar si “komb kosovar”!?

Kur është në pyetje tipizimi përmes grykës së teorisë së permisivitetit, duhet të ndalemi dhe të gjykojmë, patjetër me logjikën e përvojës dhe memories sonë historike, ngase, kështu kuptojmë se dallimet sipërfaqësore, në esencë të pamjaftueshme për t’u krijuar ky farë “kombi kosovar”!!?

Anipse, ithtarët e tij, pretendojnë qe konditat për ketë komb te ri, u “rindërtuan” gjatë emalimit në socializmin vetëqeverisës dhe atë stalinist, s’bashku me bashkëjetesën e kujtesës se brumosur në: mitet, territorin, gjuhën, historinë, kulturën, etnopsikologjinë, mentalitetin,…etj.

Realistët, teorinë e procesit te permisivitetit, mund ta shohin si diçka të mirë dhe pozitive, sepse, ajo e shpejtoj realisht një tjetër proces, pra, atë të vetënjohjes (te ne kosovarët p.sh.) për rrënjët, etnopsikologjinë, mentalitetin, gjuhen, por, pse jo edhe “patriotizmin kushtetues”. Në anën tjetër, moralo-tradicionalistët (në fakt, nacionalistët, e turbonacionalistët), këtë fenomen mund ta perceptojnë dhe përjetojnë si diçka që sjellë rreziqe dhe arratisje hipotetike nga identiteti kombëtar, pastaj kokëçarje me shtetin ame, si edhe një lloj identifikim të tepruar me vlerat dhe trendi aktual që po futët nga të gjitha anët, duke rrezikuar kështu identitetin e shqiptarëve, andej e këndej kufirit…!

Andaj dilema kosovar, apo shqiptar është dilemë vetëm hipotetike, që disa njerëz po mundohen ta favorizojnë si dilemë dhe kërcënim identitar…! Shqiptarët, ishin, janë dhe do mbetën vetëm shqiptarë!

Deputeti Ben Blushi i përgjigjet Edi Rames duke e krahasuar ate me qen…

Deputeti Ben Blushi reagoi pas deklaratës që kryeministri Edi Rama, bëri për largimin e tij dhe akuzat e forta të tij lëshuar në adresë të qeverisë.

“Paska folur Edi Rama per romanet e mi! Kur shkrimtaret merren me qente, qente merren me Librat!”- shkruan Blushi në një postim në profilin e tij në Facebook.

Një ditë më parë, Edi Rama ironizoi librat që kishte shkruar Ben Blushi gjatë kohës që ka qenë kryetar Rama.

“Meqë ka ikur nga partia mund të thyej heshtjen por për të thënë shumë thjesht, Ben Blushi ka patur dy kryetarë në parti Fatos Nanon dhe mua.Me Fatos Nanon u bë nja tre herë ministër dhe s’bëri asnjë punë. Me mua s’bëri asnjë punë por bëri nja tre libra, romane. Dhe e vetmja gjë që unë do t’i sugjeroja nëse do kisha mundësi do ishte që tani që është akoma me këtë mllefin atomik ndaj PS-së, të bëjë edhe një libër tjetër, një roman sepse kur të bëjë partinë e tij s’do bëjë më as punë dhe as romane. Kështu mendoj unë për Ben Blushin”, tha Rama.

UNESCO trondit Izraelin: Njeh vendin e shejte vetëm me emrin arab dhe jo izraelit

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Kulturën ka miratuar një rezolutë të debatueshme, e cila nuk njeh asnjë referencë të lidhjeve hebraike me një ndër vendet më të shenjta në Jeruzalem.

Bordi ekzekutiv i UNESCO-s miratoi rezolutën e sponsorizuar nga arabët, e cila i referohet në vazhdimësi Malit të Tempullit, siç e njohin hebrenjtë, vetëm me emrin islamik të Haram al-Sharif, siç e njohin myslimanët. Ky vend është i shenjtë edhe për judaizmin.

Rezoluta shkaktoi irritimin e Izraelit, i cili ngriu bashkëpunimin me UNESCO-n që prej javës së kaluar. Qëllimi i kësaj lëvizjeje, siç është theksuar në tekstin e rezolutës, është “ruajtja e trashëgimisë kulturore të Palestinës dhe karakterit dallues të Jeruzalemit Lindor”.

Rezoluta kritikon gjithashtu aktivitetet e ndërmarra nga Izraeli në vendet e shenjta në Jeruzalem apo në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Irritimin e Izraelit thuhet se e ka shkaktuar fakti, sesi rezoluta i referohet me emrin arab vendit të shenjtë. E ndërsa pranon “rëndësinë e qytetit të vjetër të Jeruzalemit dhe mureve të tij për të treja besimet monoteiste”, dokumenti i referohet atij vetëm me emrin “al-Aqsa Mosque” apo “Haram al-Sharif”.

Mali i Tempullit, siç njihej deri më sot, është vendndodhja e dy tempujve biblikë hebraikë dhe rrethohet nga Muri Perëndimor, i nderuar nga hebrenjtë si pjesë e murit origjinal mbështetës të kompleksit të tempullit.

“Haram al-Sharif” është gjithashtu vendi, nga ku myslimanët besojnë se Profeti Muhamed u ngjit për në parajsë, si dhe konsiderohet si vendi i tretë i shenjtë për nga rëndësia në fenë Islame.

Kreu i bordit ekzekutiv të UNESCO-s, Michael Worbs tha të premten se do të dëshironte më shumë kohë për të arritur një kompromis. “Është diçka e jashtëzakonshme ajo çfarë ndodhi dje dhe më vjen vërtet keq për të”. Të martën, ambasadori izraelit në UNESCO, Carmel Shama Hacohen, akuzoi palestinezët se po bëjnë “lojëra”. “Ky është vendi i gabuar për të zgjidhur problemet mes vendeve dhe popujve”, tha ai për agjencinë e lajmeve “AFP”.

Por, zv.ambasadori palestinez në UNESCO, Mounir Anastas mirëpriti miratimin e rezolutës, duke thënë se kështu shpreson që të ushtrohet më shumë presion ndaj autoriteteve izraelite për të “ndalur shkeljet e tyre”, veçanërisht sa i përket gërmimeve në vendet brenda dhe jashtë Jeruzalemit të Vjetër

Austri, qeveria vendosi të mos e shemb shtëpinë ku u lind Hitleri


Ministri i Brendshëm i Austrisë, Wolfgang Sobotka, ka tërhequr planet për shkatërrimin e shtëpisë, në të cilën ka lindur Adolf Hitleri më 1889.

Ai ka thënë se një komunitet ekspertësh ka vendosur se shtëpia duhet të shkatërrohet.

Por, komiteti këmbëngul që jo, duke thënë se shkatërrimi “do t’i vinte afër mohimit të historisë naziste në Austri”.

Sobotka tha të martën se shtëpia “do të konvertohet, në mënyrë që të mos jetë e njohur më tutje”. Ai tha se arkitektët do të ftohen për të paraqitur propozimet për konvertimin e shtëpisë.

Hitleri ka lindur në një dhomë në katin më të lartë të një ndërtese në Braunau am In, pranë kufirit Austri-Gjermani, më 20 prill, 1889.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...