Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/10/21

“Grekët po financojnë partinë e re që po krijon Ben Blushi”(Del gjethi i ri, ndërron dhe gjaku)



Enkel Demi hedh dyshime që partia e Ben Blushit që do të krijohet në muajin nëntor do të financohet nga qarqet greke.
Në një shkrim në portalin e tij 27.al “Ja pse ja vlen ta shesësh Çështjen Çame”, Demi nuk ia përmend emrin Blushit dhe partisë së tij Lista, por flet për një forcë të re që do krijohet brenda të majtës.
“Megjithatë, nuk është koha e pathosit, fjalimeve apo shkrimeve patetike me fill patriotik, as publikimit të vargjeve të poetëve, thirrjes “O sa mirë me qen’ shqiptar!”. Është koha e llogarive të imëta elektorale. Duhet thënë në radhë të parë haptas e pa kurrfarë droje që asnjë qeveri nuk vjen dot në pushtet në Tiranë, nëse më parë nuk merr përkëdhelitë e Athinës. Kjo shpjegon përse Lulzim Basha dhe Gent Strazimiri, kur shkojnë në Shtetet e Bashkuara e kanë me merak të madh të takojnë në odën e ngrohtë lobin grek që aspiron ndarjen e Shqipërisë me projektin e Vorio Epirit”, shkruan Demi.
Sipas tij “Kjo shpjegon që tashmë me financime të drejtpërdrejta greke po themelohet një parti e re brenda së majtës, e cila synon të çajë votën që mban qeverinë në këmbë dhe më pas të themelohet një pol i tretë që është ngjizur dhe gjeti mbështetjen e duhur tek fqinjët tanë. Pas festave të fundvitit, ku kryeministri do bëjë sallore sërish bulevardit sa tek shtëpia e tij, sa tek Kryesia, mund të parashikojmë një krizë politike pranverore. Prilli është gjithmonë muaj i mirë për ngritjen e aleancave të reja. Del gjethi i ri, ndërron dhe gjaku”.

Dr. Bernard Kouchner është një politikan francez: Kam njohur Rugovën dhe Berishën, nuk është e njëjta gjë…


Bernard Kouchner është një politikan francez, në të shkuarën ka qenë ministër shëndetësie dhe ministër i punëve të jashtme. Në vitet 1999-2000, ka pasur postin e kryeadministratorit të Kosovës. Mbrëmjen e sotme, vjen në një intervistë ekskluzive për emisionin ‘Opinion’ në TV Klan.
Desada Metaj: Cilat janë arsyet që ju pranoni të merrnin një çmim nga UET dhe të riktheheni në Tiranë? 
Kouchner: E kam pranuar që prej shumë vitesh dhe këtë herë më morën kaq përnjëherësh dy ambasadorët, thuajse më sollën përdore, si ambasadori francez në Tiranë, ashtu edhe ai shqiptar. Jam i gëzuar që kam ardhur këtu. Ajo që më mërzit është se… kam njohur Rrugovën, kam njohur Berishën, nuk është e njëjta gjë. E kam njohur më parë, ai ka kryer studimet tek Miljez dhe para se të bëhej një politikan i rëndësishëm këtu. E njoh edhe kryeministrin dhe ndiej keqardhje, ndonëse vendi ka ndryshuar, politika është më qartë, prezantimet politike janë normale, pasi këtu nuk flitet mjaftueshëm. E njëjta gjë ndodh edhe në Francë. Do të vijë dita që njerëzit inteligjentë si ata të kenë projekte të përbashkëta.
sigurisht do të ketë të majtë dhe të djathtë sepse duhen të paktën dy parti që demokracia të funksionojë, jam dakord, por dialogu duhet të jetë i vazhdueshëm. Këtu dialogu nuk është i vazhdueshëm. Kjo është fatkeqësi. As në Francë nuk është i tillë. Megjithatë vendi ka evoluar, është më i hapur,  shqiptarët kanë qenë të frikshëm gjithandej. Pandehnin sikur ishin terroristë, mafia. Ky imazh ka ndryshuar, marrëdhëniet me Italinë janë të mira, me Francën të shkëlqyera. Nuk mund të themi se gabuam… Enver Hoxha vdiq, për fat të mirë, se nuk mund të ishte i përjetshëm.
Ne duam që gjërat të bëhen shpejt, duam rezultate të menjëhershme.
Në Kosovë, në fund të një dite të gjatë pune, natën vonë, rreth orës 2 apo 3 kishte restorante ende hapur ku hanim një sallatë, ka qenë shumë e keqe, bënim bilancet dhe kuptonim sa shumë kishim punuar, sa shumë ishim përpjekur dhe ishim të kënaqur.
Kur largohesh, kupton që ka ende probleme dhe asgjë nuk është e përkryer.
periudha që i dha fund regjimit tiranik, komunizmit, por nuk i ka dhënë fund dhunave të tjera, tregon që është më mirë, evolucioni është bërë. Vendi është i hapur. Shqipëria ka një bregdet të mrekullueshëm në detin Adriatik, dua një shtëpi në bregdet, hapni fjalën që dua të blej tokë në bregdet.
Nuk është aspak keq. Nuk është shpërblyer gjithë ajo vuajtje, por evolucioni është i dukshëm. Shikoni Rusinë, ka plot gjëra për të thënë për Putinin, për oligarkët, por megjithatë gjërat kanë ndryshuar.
Ndër të tjera, po e përsëris, jo për t’ju dekurajuar, madje uroj që të jeni pjesë e Evropës së bashkuar, sikurse uroj që Evropa e bashkuar të jetë më politike, më federale dhe e aftë për të pritur emigracionin, njerëzit që vdesin në Mesdhe. Ne nuk qemë të aftë ta bëjmë këtë, për fat të mirë Znj.Merkel e shpëtoi duke i mbajtur vetë kostot nderin e Evropës.
Por duke mos patur forcën për të shpëtuar këta njerëz që braktisin vendin e tyre duke u larguar prej luftës me familjen dhe fëmijët e që vijnë të vdesin tek ne, para syve tanë, ne plazhet tona, nuk është gjë e mirë për Evropën. Uroj që futja juaj në Evropë të sjellë më shumë romantizëm dhe humanizëm.
Desada Metaj: Shqiptarë ju duan shumë dhe ky titull është një shenjë.
Jam i lumtur dhe i nderuar që shqiptarët më duan, edhe unë i dua. Edhe kosovarët i dua.
Ambienti në universitet më duket i mrekullueshëm. ju keni bërë universitet privat, ne francezët jemi njerëz të shtetit, universitetet janë publike. Nuk do ishte keq edhe për ne që universitete tona të përshtaten me kohën. Është një tradite që nuk e mohoj.
Ju me sa kuptoj imitoni universitet amerikane, sigurisht Harvardi është me mirë.
Universiteti juaj kishte një atmosferë të ngrohtë mbrëmë, kishte 500 apo 1 mijë persona, këtë nuk e di mirë sa. Keni një arsim që është i hapur drejt modernizimit.
Pastaj gratë shqiptare janë kaq të bukura, zonjë, dhe janë të lira. Unë mbaj mend ato gratë e mbledhura kruspull në ato vitet e hershme, edhe pse komunizmi kishte bërë diçka në emancipimin e grave. keni një rini të mrekullueshme. Në Universitetin Evropian të Tiranës dhe jam shumë krenar për titullin Honoris Causa ishte vërtet një ambient i gëzueshëm.

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta-Shpëtim Idrizit të PDIU-së : Mos bëj fushatë me çështjen çame, nuk isha për negociata në Greqi

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta i ka kthyer përgjigje nënkryetarit të parlamentit të cilin e ka në koalicion, Shpëtim Idrizit të PDIU-së, lidhur me çështjen çame. Meta u kritika se nuk mbajti qendrim ndaj grekëve për çështjen çame. Por sot, teksa fliste në parlament, Meta tha se “nuk ishte në Greqi për negociata por për një vizitë zyrtare”.
“Kam dëgjuar këtu që nuk është ngritur çështja çame. Dua të shpreh keqardhjen time sepse theksohet këtu se unë jam shprehur që çështja çame i përket të shkuarës. Unë jam shprehur në mënyrë shumë të qartë që në historinë e marrëdhënieve mes 2 popujve ka edhe disa plagë, të cilat dhembin edhe kur i përkëdhel jo më kur i shpon, ashtu siç ndodh në trupin e secilit prej nesh. Kam thënë në mënyrë të qartë që këto plagë duhet t’i shërojmë me qetësi me shumë kujdes”. Më tej, Meta shprehet se “ligji i luftës është ende në fuqi, që është fare paradoksale sepse ne jemi të dyja vende anëtare të NATO-s dhe Greqia e ka mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”.
Ai tha se duhet të heqim dorë nga përpjekjet për të kthyer çështje të tilla në shërbim të fushatës elektorale.
“Kanë fushata elektorale në Greqi dhe në Shqipëri dhe shpesh herë klima që krijohet vë në pozitë të vështirë qeveritë. Na duhet një klimë më konstruktive këtu me njeri-tjetrin përfshirë dhe marrëdhëniet me Greqinë dhe të heqim dorë nga përpjekjet për të kthyer çështje të tilla në shërbim të fushatës elektorale”, u shpreh Meta.

‘Çështja çame’ ndez politikën shqiptaro-greke dhe Evropiane

Vizita e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, i shoqëruar edhe nga një delegacion me deputetë shqiptarë në Greqi është bërë dje objekt i një debati të gjallë në sallën e parlamentit.
Të gjithë deputetët e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet kanë ngritur shqetësimin e tyre ndaj qëndrimit që kryeparlamentari Meta mbajti gjatë takimeve zyrtare me drejtuesit më të lartë shtetëror të Greqisë lidhur me çështjen “çame”.
Në fjalën e tij kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi duke iu referuar pikërisht masakrave të grekëve ndaj popullsisë çame u shpreh se gjenocidi, ndaj kujtdoqoftë nuk i përket kurrë së shkuarës, por të sotmes.
Gjithsesi ai është shprehur i gatshëm që në emër të çamëve t’i falë grekët, nëse këta të fundit do kërkojnë falje për atë që kanë bërë shumë vite më parë.
Të premten, kreu i LSI, Ilir Meta tha se kjo çështje nuk do të ndikojë tek koalicioni.
Ndërkohë ky koleksion me foto është publikuar nga studiuesi Robert Elsie.
“Çamët, të njohur në greqisht si Tsamides, janë shqiptarë të cilët banojnë në pjesën më jugore të trevave shqipfolëse. Krahina e tyre, Çamëria, është një zonë malore në kufirin greko-shqiptar.
 Pjesa më e madhe e Çamërisë ndodhet në rajonin e Epirit grek, i cili përfshin pak a shumë prefekturat e Thesprotisë dhe të Prevezës, por Çamëria përfshin edhe pjesën më jugore të Shqipërisë, d.m.th. zonën e Konispolit.Kur forcat greke morën Çamërinë dhe Epirin gjatë Luftës Ballkanike të vitit 1912, çamët përfunduan papritmas në Greqi, të shkëputur nga pjesa tjetër e Shqipërisë. Me tërheqjen e forcave gjermane nga Greqia në verë dhe në fillim të vjeshtës të vitit 1944, rajoni ndodhej në fazën e parë të një lufte të përgjakshme civile. Për të siguruar bregdetin jonian për furnizimet e tyre ushtarake, forcat britanike lejuan që njësitë e një komandanti vendas grek, gjenerali Napoleon Zervas (1891-1957), të pushtonin rajonin. 
Zervasi, themeluesi dhe udhëheqësi i Lidhjes Kombëtare Republikane Greke (Ethnikós Demokratikós Ellenikós Sýndesmos – EDES) u bë i njohur për spastrimin brutal etnik të shqiptarëve të Çamërisë nga qershori 1944 deri në mars 1945. Njerëzit e tij i shikonin çamët si bashkëpunëtorë të italianëve dhe të gjermanëve, dhe kërkonin të merrnin hak. 
Gjatë sulmeve të tyre, gjetën vdekjen disa mijëra burrë, gra dhe fëmijë në Çamëri. Më 27 qershor 1944, forcat e Zervasit hynë në qytetin e Paramithisë dhe vranë rreth 600 çamë myslimanë – burrë, gra, dhe fëmijë – në një kërdi të paparë. Shumë viktima u përdhunuan dhe u torturuan para se të thereshin. Një batalion tjetër i EDES-it pushtoi Pargën të nesërmen ku u vranë 52 shqiptarë. Me 23 shtator 1944, fshati i Spatarit të Filatit u plaçkit dhe 157 persona u vranë.
Shumë gra dhe vajza u përdhunuan, dhe u kryen shumë krime të tjera të llahtarshme. Menjëherë pas këtyre ngjarjeve, tërë popullata çame, e pambrojtur dhe e tmerruar, mori arratinë dhe iku për në Shqipëri për të shpëtuar. Sipas përllogaritjes së shoqatës çame të Tiranës gjatë sulmeve të viteve 1944-1945, u vranë gjithsej 2,771 civilë shqiptarë.Spastrimi i çamëve myslimanë të Greqisë në fund të Luftës së Dytë Botërore shënoi përfundimin e një kapitulli të dhimbshëm të historisë çame dhe fillimin e një tjetri.
 Vendi ku arritën çamët e rraskapitur dhe të uritur, pra Shqipëria, ishte pushtuar pak kohë para ardhjes së tyre, nga Enver Hoxha (1908-1985) dhe forcat e tij komuniste. Udhëheqësit e rinj marksistë nuk u treguan shumë mikpritës apo tërësish të predispozuar për të ndihmuar bashkatdhetarët e tyre çamë. Megjithatë, çamëve iu dhanë status si refugjatë dhe u lejuan të qëndronin në Shqipëri.
Çamët morën ndihmë jo nga regjimi i Enver Hoxhës, por nga Administrata e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Rehabilitim (United Nations Relief and Rehabilitation Administration, UNRRA), e cila shpërndau çadra, ushqim dhe ilaç në kampet e mjeruara çame në Vlorë, Fier, Durrës, Kavajë, Delvinë dhe Tiranë. Gjatë viteve pas Luftës së Dytë Botërore, Komiteti Antifashist i Emigrantëve Çamë bëri fushatë për kthimin e çamëve në vendlindjen e tyre. Duhet theksuar se shumica e tyre nuk donin të rrinin në Shqipëri, veçanërisht duke marrë parasysh spastrimet e tipit stalinist që po zhvilloheshin aty. Komiteti mbajti dy kongrese në vitin 1945, një në Konispol dhe tjetri në Vlorë. 
Komiteti hartoi memorandume dhe dërgoi telegrame në mbështetjen e qëllimeve të tij. Në vitin 1946, Përfaqësuesi i Shqipërisë ngriti çështjen çame në Konferencën e Paqes të Parisit, por të gjitha veprimet rezultuan të pafrytshme.

 Përpjekjet për të internacionalizuar çështjen çame ranë kryesisht në vesh të shurdhër. Për vite më radhë, çamë vazhduan të shpresonin se situata politike do të qetësohej dhe se ata do të mund të ktheheshin në Greqi. Por kjo nuk u bë. Edhe sot, në shekullin e 21-të, çamët e moshuar që kërkojnë të hyjnë në Greqi për një vizitë kthehen në kufi nga zyrtarët kufitarë grekë. Pasaportët e tyre stampohen me persona non grata ose madje grisen para syve të tyre.
Fotografitë e këtij koleksioni janë bërë në vitin 1945 në kampet e refugjatëve çamë në Shqipëri nga antëtarët e Administratës së Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Rehabilitim (UNRRA). Ruhen në Arkivin e Kombëve të Bashkuar,” shkruan Elsie.

Published On: 14 Tetor, 2016 Debate / Shqipëria | Ilir Meta, “Kali i Trojës” i Greqisë në politikën shqiptare, ja çfarë i dhuruan për kundërvënie ndaj Ramës. Manjani në kongresin e SYRIZA-s

Ilir Meta është thirrur në vizitën e tij të sforcuar në Athinë me urgjencë për t’i dhënë një “dorë” qeverisë dhe politikës greke pas “shok”-ut  që pësoi nga deklarata e komisionerit të BE Johhanes Hahn se çështja çame është futur në axhendën e BE si një negociatë mes palëve Shqipëri-Greqi dhe mund të përfshihet në progres-raport.
Pikërisht deklarimi i Hahn se kjo çështje tashmë është në tavolinën e kancelarive evropiane për zgjidhje do apo nuk do Greqia, e ka vënë politikën greke dhe qeverinë greke përballë faktit të kryer: Herët apo vonë kjo çështje do të zgjidhet.
Tani nuk flitet më për pengim të zgjidhjes së kësaj çështjeje, tani flitet se kujt i duhet dhënë “dafina” e fitores. Dhe dhelpëria greke punon “sahat” në këto raste. Duke qënë se Rama-Bushati janë ata që kanë bërë publikisht gjithë punën për zgjidhjen e çështjes çame, për herë të parë është futur në program qeveritar, dhe që e kanë kërkuar në të gjitha takimet deri në BE, duke e bërë axhendë të institucionit më të lartë evropian, politika greke nuk do kurrsesi që zgjidhja të shkojë te Rama dhe të forcohet sipas mendësisë së saj, në sytë e shqiptarëve dhe në sytë e ndërkombëtarëve.
Që fitorja ti shkojë PDIU dhe Idrizit as që mendohet nga politika greke, pasi e quan parti fashiste dhe është sipas saj tërë strumbullari që kjo çështje u vu në rrugën e zgjidhjes. Në këtë mënyrë është gjetur filogreku Ilir Meta që të “rrëmbejë” sipas politikës greke kurorën e fitores thjeshtë me një vizitë të stisur treditore pas lëshuar asnjë deklaratë për çështjen çame madje as duke e përmendur. Dhe “oferta” ka ardhur. “Burimet” e mediave, lajme të hedhura në treg nga Meta bëjnë me dije se kryeministri Alexis Tsipras ka bërë gati amendamentin për heqjen e ligjit të luftës së Greqisë me Shqipërinë, që qëndron këtu e mbi 70 vite në fuqi, pavarësisht se jemi vende anëtare të NATO-s, pavarësisht se Greqia është anëtare e BE dhe Shqipëria kandidate për në BE. Dhe ky skenar materializohet dhe me pjesmarrjen e LSI në kongresin e Syrizas, partisë së Tsipras, kryeministrit grek.
Kështu anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe njëkohësisht ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ndodhet në Athinë ku do të marrë pjesë në punimet e Kongresit të dytë të SYRIZA-s. Manjani do të marrë pjesë në kongresin që do të zhvillojë punimet në dy ditë, ndërsa ftesa i është dërguar nga kryeministri i Greqisë, Tsipras. Në kongres, Manjani do përshëndesë në emër Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ende mbetet mister nëse ka ftesë dhe për PS si parti e majtë dhe anëtare me të drejta të plota të Internacionales Socialiste dhe të Partive Socialiste Evropiane. Por prapa kësaj “dashurie” mes Metës dhe politikës greke qëndron kundërvënia ndaj kryeministrit Edi Rama, i vetmi kryeministër në këto 25 vite që ka qënë përballë kësaj politike pas asnjë lloj shenje kompleksiteti dhe inferioriteti.
Dhe pikërisht media ka zbardhur “negociatat” mes kryeminstrit grek, Alexis Tsipras dhe kreut të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta në Athinë, ku këtij të fundit i është ofruar dhënia e disa koncensioneve vetëm me kushtin e shkatërrimit të PDIU-së. Tsipras ka hapur thesin për të ulur çmimin e patentave për emigrantët, si dhe të japë shtetësi nëse do të zhduken nacionalistët. Ndërkaq, ministri Jashtëm Ditmir Bushati, i cili ishte i ftuar në Top Story e cilësoi si të padrejtë heqjen e barazisë nga ana e Athinës mes PDIU-së dhe Agimit të Artë, në prezencë edhe të kryetarit të Kuvendit Ilir Meta.
“Unë nuk kam dëgjuar gjuhë raciste ndaj fqinjëve tanë në Parlamentin tonë. Asnjë deputet në sallën e Kuvendit tonë nuk ka propozuar ndryshim kufijsh. Sot në Parlamentin shqiptar u fol për ndjesë, u fol për obelisqe, rëndësinë e respektit për të rënët”, tha Bushati.
Lidhur me çështjen çame, Bushati tha se ajo është një dhe e vetme, por brenda mazhorancës ndryshojnë mënyra si artikulohet në varësi edhe të pozicionit që ka gjithsecili. Ai tha se prania e PDIU-së në koalicionin qeverisës nuk cënon qëndrimin e Shqipërisë për çështjen çame, madje e motivon edhe më tej atë. Sa i takon marrëveshjes për varrezat e ushtarëve grekë, Bushati u shpreh se qeveria shqiptare njeh atë që është nënshkruar nga ish-Qeveria Berisha, megjithëse e konsideroi si difektoze. Ministri i Jashtëm, Bushati konfirmoi se formalisht në Greqi është në fuqi një ligj lufte, që edhe vetë Athina e ka njohur përmes një letre dërguar Tiranës vite më parë, ndërsa tha se nuk ishte në dijeni të diskutimeve Meta-Tsipras për këtë çështje.
“Ligji i luftës nuk është një çështje e ezauruar as me traktatin e miqësisë në vitin 1995 dhe as me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por nuk është e vërtetë. Pala shqiptare i ka kërkuar qeverisë greke që të shprehet për këtë çështje dhe ka marrë një letër që konfirmon se dy vendet janë formalisht në luftë”, tha Bushati.
Kreu i diplomacisë shqiptare tha se ky ligj ka efekte të drejtpërdrejta mbi çështjet pronësore dhe një sërë efektesh të tjera zinxhir që lidhen me të. Por në një lidhje të drejtpërdrejtë me Athinën u tha se kryeministri Tsipras në takimin me Ilir Metën i është shprehur i gatshëm të dërgojë tek Presidenti Pavllopulos një amendament, i cili do të shfuqizojë ligjin e luftës edhe formalisht. Burimet thanë për “TCH”, se në këtë takim, është rënë dakord se abrogimi i ligjit të luftës është një domosdoshmëri, që do të çlirojë energji pozitive në marrëdhëniet dypalëshe.
Ministri Bushati tha se nuk ishte në dijeni të një lëvizjeje të tillë. “Nuk më ka njoftuar njeri për këtë çështje. Nuk kam asnjë informacion dhe asnjë konfirmim, as nga ambasada që të vërtetoj këtë tezë”, tha ai.
Bushati ka mohuar se qeveria e sotshme për shkak të koalicionit me PDIU ka një marrëdhënie të ngrira me Greqinë. Sipas Bushatit, mazhoranca e sotme ka marrëdhënie intensive në të gjitha nivelet, ndryshe nga qeveria e shkuar e cila sipas ministrit, në dy vitet e fundit të mandatit nuk pati asnjë komunikim me qeverinë greke. Duke iu referuar vizitës së kreut të kuvendit, Ilir Meta në Greqi dhe reagimet e deputetëve të PDIU pas kësaj vizite, Bushati u shpreh se secili nga të dy politikanët ka mbajtur pozicionin e vet sa i përket çështjes çame; Shpëtim Idrizi si kryetar i një partie që këtë çështje e ka të qenësishme, ndërsa Meta shkoi në Greqi si kryetar i Kuvendit dhe mbajti qëndrim nga kjo pozitë. Ndërkohë ai sërish ka këmbëngulur se vizita e Ilir Metës në Athinë ishtë një vizitë parlamentare në krye të një delegacioni të gjërë parlamentar dhe jo një vizitë negociuse, aq më tepër që nuk mund të shpjegohet sipas tij se për çfarë duhet negociiuar nga Meta.

Kush gënjen Ilir Meta apo Alexis Tsipras për abrogimin e Ligjit të Luftës?



Nga Arben Llalla

Pas kritikave të mëdha si majtas, si djathtas rreth vizitës plot mjegull që kreu në Greqi kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i shoqëruar nga një grup deputetësh minoritarësh e filo grekë, në media hidhet shashka e radhës. U tha se kryeministri i Greqisë Alexis Tsipras i paska premtuar Ilir Metës se do të çojë të abrogojë tek kryetari i Republikës së Greqisë, Prokopis Pavlopulos Ligjin e njëanshëm të Luftës. Nëse është deklaruar se Tsipras do e dërgojë të abrogojë tek kryetari i shtetit Pavlopulos këtë ligj famëkeq, këtu kemi me një gënjeshtër të trashë, sepse Presidenti grek nuk ka kompetenca për heqjen e Ligjit të Luftës pa e votuar në fillim Kuvendi i Greqisë. Në 28 gusht 1987, qeveria e Andrea Papandreut bëri gati një ligj për të shfuqizuar Ligjin e Luftës dhe e dërgoi atë për ta votuar Kuvendi i Greqisë. Megjithëse kryeministri Andrea Papandreu kishte shumicën e votave në Kuvend deputetët e PASOK nuk e votuan heqjen e Ligjit të Luftës me Shqipërinë më 1987 dhe e lanë zvarrë pa e shqyrtuar. Pra, në rastin në fjalë kryeministri Tsipras duhet ta dërgojë në Kuvend këtë Ligj për t’u votuar dhe më tej, pasi të jetë votuar kalon për nënshkrim të thjeshtë tek Presidenti Prokopis Pavlopulos. E gjithë ajo propagandë e mediave të Tiranës, të cilat janë urdhëruar nga Iliri Meta dora vetë që të shpikin një lajm se gjoja paska marrë garanci nga Aleksis Tsipras që do e dërgojë abrogim tek Pavlopulos, është një gënjeshtër e kulluar. Edhe sikur Tsipras ta dërgojë të abrogojë Ligjin e Luftës tek kryetari shtetit, ai nuk do e nënshkruaj, për arsyen që rrëfehet pak më poshtë. Por edhe sikur kryeministri Tsipras t’ja paraqesë për votim Kuvendit të Greqisë, përsëri deputetët grekë do shprehen që ky Ligj mos të hiqet, por të qëndrojë si hije e zezë mbi kryet e miqësisë greko-shqiptare. Në Kuvendin e Greqisë SYRIZA ka 144 deputetë, kurse aleatët e tyre në qeveri, nacionalistët e ANEL kanë 9 deputetë. Më këtë konfigurim kaq të brishtë që ka shumica e Tsipras është e pamundur që të gjendet shumica e votive për të abroguar Ligjin e Luftës. Edhe nëse kjo ndodh kryetari i shtetit, Prokopis Pavlopulos i përket klanit politik nacionalist ekstremist grek, gjë që vërtetohet nga shumë foto-fakt që do i botoj së shpejti në 27.al Është mirë që kryetari i Kuvendit dhe i LSI Ilir Meta mos të shpikë lajme rreth vizitës së tij në Greqi, por të tregojë diçka për takimin me disa politikanë pensionistë grekë, të cilët punojnë natë e ditë për të ngritur varre boshe greke në jugun e Shqipërisë. Besoj se Iliri Meta për shpikjen e gënjeshtrës së ëmbël për heqjen e Ligjit të Luftës ka patur parasysh thënien e Niçes: “Në raste të caktuara është më mirë një gënjeshtër e ëmbël se sa një e vërtet të hidhur”. Por Niçe këtë thënie e ka thënë për marrëdhëniet dashurore midis një djali dhe një vajze dhe jo për marrëdhëniet e tensionuar që ekzistojnë mes dy vendeve, Greqisë e Shqipërisë.

Diplomacia greke ka paralajmëruar Shqipërinë të tregohet më e kujdesshme lidhur me çështjen çame


Diplomacia greke ka paralajmëruar Shqipërinë të tregohet më e kujdesshme lidhur me çështjen çame, pasi sipas ministrit të Jashtëm, Nikos Kotzias, Greqia është shumë herë më e fortë se Shqipëria, duke përmendur këtu dhe sistemet e mbrojtjes apo ato të sigurisë.
“Greqia ia kalon në të gjitha drejtimet. Ka dhjetëfishin e GDP-së, sisteme të shumëfishta mbrojtjeje dhe sigurie, shumëfish forcë ekonomike. Ata janë të varur sa i përket ekonomisë, remitancave të emigrantëve, investimeve, tregtisë. Kemi edhe përfaqësim asimetrik në arenën ndërkombëtare. Ndaj është mirë që të bashkëpunojnë, të bëhen realistë dhe të ndihmojnë në krijimin e marrëdhënieve të përfitimit të përbashkët. Të zgjidhim çështjet e hapura bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe traditën europiane”, ka thënë Kotzias.
Kotzias është ndalur dhe te qeverisja e Partisë Socialiste me Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet.
“Fakti që ata qeverisin me partinë e çamëve i ka detyruar të adoptojnë pjesë së axhendës së kësaj partie, siç janë çështjet e çamëve që kryen krime lufte në Greqi, që janë dënuar njëherë e mirë nga gjykatat greke. ‘Çështja çame’ i intereson kësaj pjese të çamëve dhe jo 160 mijë apo më shumë çamëve shqiptarë, që s’kishin dhe s’kanë asnjë lidhje me Greqinë dhe krimet e asaj periudhe. Gabimi i dytë është se, pas vitit 2008, për shkak të krizës, dikush e nënvlerësoi Greqinë dhe mendoi se mund të bëjë lojëra në kurriz të saj”, deklaron më tej ministri i Jashtëm grek.
Kryediplomati grek ka pohuar gjithashtu se, në Shqipëri ka zëra realë që duan të imponojnë marrëdhënie të mira mes dy vendeve, por sërish, duke kujtuar forcën e Greqisë në rajon, Kotzias ka theksuar se ata janë përgjegjësit më të mëdhenj për të zgjidhur problemet, pa praninë e palëve të treta. Edhe në këtë rast, kreu i diplomacisë greke paralajmëron Shqipërinë.
“T’i zgjidhim problemet me vendet që aspirojnë të aderojnë në Europë, përpara se të fillojnë negociatat me Bashkimin Europian. Shpresoj ta kuptojnë se kjo është në interes të tyre”, ka thënë Kotzias.
Nikos Kotzias është ndalur dhe te deklarata e komisionerit Hahn, duke e akuzuar atë se ka publikuar pa asnjë autorizim katalogun e negocimeve, si dhe ka kërkuar të negociohet një çështje, që sipas Greqisë nuk ekziston.

 

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...