Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/10/23

“Viti i Dritëroit”, 85 fakte nga jeta e tij në 85-vjetorin e lindjes



Nga Alma Kodra


Ky vit shënon 85-vjetorin e lindjes së poetit të madh ndaj dhe aktiviteti i sotëm çeli “Vitin e Dritëroit”, i cili do të përfshijë një sërë aktivitetesh artistiko-kulturore, konferencash shkencore që do të zhvillohen përgjatë gjithë vitit 2016.

Dritëro Agolli është një nga ata që i ka dhënë emrin kohës dhe jo koha emrin atij. Patriarku i letrave shqipe mbush këtë vit 85 vjeç. Ja 85 fakte nga jeta e patriarkut të letrave shqipe, që nga dëshira e tij e parë për t’u bërë veteriner, poezitë e para të botuara në “Zërin e Rinisë”, studimet në Shën Petërburg, familja, por edhe “bëmat” e kohës pa të cilat një njeri si Agolli nuk mund të imagjinohej.

driteroagolli_0008


85 fakte nga jeta e Dritëro Agollit:

1. Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931, në fshatin Menkulas të Devollit, në Korçë.

2. Agolli 16 vite të jetës i ka kaluar në fshatin Menkulas, 4 vite në Gjirokastër kur ishte gjimnazist, 4 vite në Shën Petërburg (atëherë Leningrad) të Bashkimit Sovjetik.

3. Që nga mosha 25 vjeçare jeton në Tiranë, në katin e tretë të një apartamenti në Rrugën e Dibrës. Deri në vitin 1991 ka qenë komshi me shkrimtarin tjetër të madh, Ismail Kadare, në pallatin e shkrimtarëve.
Image result for dritero agolli librat
4. Në moshën 9-vjeçare përfshihet në Luftën Nacional Çlirimtare. Merr detyrën si korrier i çetave partizane. Një përvojë që Agolli e përmend shpesh në kujtimet e tij.

dri25. U martua për të dytën herë në moshën 34-vjeçare me Sadijen, më 4 tetor të vitit 1965, me të cilën ka dhe dy fëmijë, Artanin dhe Elonën.

6. Me Sadijen u njoh në dasmën e Ismail Kadaresë me Helenën, në vitin 1963, në shtëpinë e Kadaresë. Agolli pyet pedagogun e Letërsisë, Naum Prifti, për vajzën që studionte për Letërsi në Universitetin e Tiranës.

7. Për herë të parë u martua gjatë kohës që ishte me studime, me rusen Nina, në vitin 1956, kur ishte 25 vjeç. Martesa zgjati shtatë vite, derisa Shqipëria prishi marrëdhëniet me Rusinë. Nga martesa e parë Agolli ka një djalë, Arjanin, i cili jeton në Rusi.

Image result for dritero agolli librat

8. Në Rusi, Agolli u kthye pas 31 vitesh që nga ndarja e tij me gruan e parë. Udhëtimin e tij në Shën Petërburg e bëri në vitin 1991, kur mes Shqipërisë dhe Rusisë nuk kishte më sistem komunist.

9. Ditëlindja e Dritëro Agollit përkon me rilindjen e një tjetër gjiganti të letrave shqipe. Më 13 tetor ka lindur Millosh Gjergj Nikolla. Në të njëjtën datë, 20 vite më pas, lindi dhe Dritëro Agolli.

10. Rruga krijuese e Agollit nis në bankat e gjimnazit “Asim Zeneli” në Gjirokastër, ku boton në shtypin e kohës poezitë e para të ndikuara nga autorët e Rilindjes dhe folklori shqiptar.

11. Veprën e parë, Agolli e botoi në vitin 1958. Është vëllimi i parë me vjersha “Në rrugë dolla”, i cili u prit mirë nga kritika e kohës. Më pas, sprova e dytë letrare është përsëri me poezi, vëllimi “Hapat e mia në asfalt”.

12. Pas përfundimit të gjimnazit në Gjirokastër, Agolli bëri kërkesë për të vazhduar shkollën e lartë për Zooteknikë. Siç thotë vet Agolli, edhe pse kishte botuar poezitë e para, mendonte se letërsia mund të zhvillohej vetë dhe duke ndjekur rrugë të tjera në jetë.

13. Kërkesa për të ndjekur studimet për Veterinari i dërgohet ministrit të Arsimit, Karahman Yllit, i cili e kishte fiksuar emrin e poetit të ri. “Ky djalë ka botuar vjersha, ndaj nuk ka për të studiuar për Veterinari, por të shkojë me studime për Letërsi”, kanë qenë fjalët e ministrit që i ndryshuan rrjedhën e jetës Agollit.

14. “Para se të bëhesha student, kur isha nxënës, ëndërroja të bëhesha veteriner, sepse më pëlqenin shumë kafshët. Unë mbaja një manar, një sheleg manar dhe ai flinte me mua, unë flija në atë shtrojën me dërrasa, ndërsa ai flinte poshtë nën mua. Nuk më ndahej kudo që shkoja. Më kujtohet, kisha një kalë në shtëpi, shumë të mirë. Edhe në dasma shkoja me të; ne djemtë shkonim në to se kush do t’ia çonte shaminë e nuses i pari në vatrën ku martohej dhe këtë punë bënim me kalin e shpejtë. Një mbrëmje kali ishte shtrirë në haur. Mua më dukej sikur qante, dhe qante vërtet. Vete në shtëpi dhe them se kali po qan. “Jo mor, – më thanë, – se nuk shtrihet kali, ai edhe kur fle, fle në këmbë”. Vajtëm të gjithë dhe vërtet kali ishte shtrirë, na pa një herë të fundit dhe vdiq. Kjo më ka mbetur merak dhe prandaj kërkova të bëhem veteriner kur mbarova gjimnazin”, ka thënë Agolli në një intervistë për dëshirën e tij për t’u bërë veteriner.
Image result for dritero agolli librat
15. Momentet më të hidhura të jetës së tij, Agolli i kujton me shkrimet që ka lexuar nga autorë të ndryshëm pas viteve 1990 në adresë të tij. Por hidhërimi ka qenë më i madh kur autorët janë miqtë e tij të dikurshëm apo njerëz që i ka ndihmuar në krijimtarinë letrare.

16. Në Kongresin IV të Komitetit Qendror, Agolli kalon një nga momentet më kritike. I duhej të bënte autokritikë si kryetar i Lidhjes dhe të sqaronte arsyet se përse pinte dhe ndonjëherë fliste “pa menduar”. Një pozitë jo e këndshme kjo për shkrimtarin që njihej si një karakter rebel.

17. Në Kongresin X të Partisë së Punës, Agolli bëri dhe kthesën më të madhe të karrierës së tij politike teksa u rreshtua në forcat progresiste. Një veprim që i kushtoi shumë në sytë e komunistëve që kërkonin të mbanin me fanatizëm sistemin.

18. Dritëro Agolli ka marrë dhe kërcënime me vdekje pas vitit 1991. Ishte pikërisht fjalimi i Kongresit X të PP-së që solli mërinë e komunisteve ndaj shkrimtarit. Në adresë të tij u dërguan letra kërcënuese për të personalisht dhe familjen e tij.

19. Në vitin 1991, Agolli ka ndenjur i izoluar tre muaj në shtëpinë e tij në Rrugën e Dibrës, për arsye sigurie. Ministria e Brendshme vuri roje në pallatin e tij pas sinjalizimeve për ndonjë sulm të mundshëm nga huliganë.

Image result for dritero agolli librat


20. Dritëro Agolli ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve për 19 vjet. Ai u emërua në vitin 1973 dhe u tërhoq nga ky post më 31 janar 1992.

21. Gjatë kohës së komunizmit, Agolli ka mbajtur këto detyra, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe deputet në disa legjislatura.

22. Dritëro Agolli ka qenë që në vitet ‘90 anëtar i Partisë Socialiste, duke dhënë një kontribut të veçantë në reformimin e kësaj partie. Agolli ka qenë deputet i Partisë Socialiste që nga viti 1992 deri në vitin 2001. Ai ka qenë gjithashtu edhe anëtar i kryesisë së kësaj partie për vite më radhë.

23. Për herë të fundit Agolli ka qenë deputet i Parlamentit për gjashtë muaj në vitin 2005. Pas largimit të deputetit të PS-së, Bardhyl Agasi, Agolli zëvendësoi atë.

24. Agolli kujton si momentet më të lumtura të jetës së tij studimet në Rusi, daljen e librit të parë në botim më 1958, martesën me Sadijen në 4 tetor 1963, si dhe botimin e veprave të tij në gjuhë të huaja.

25. Agolli është zgjedhur deputet për 30 vjet me radhë edhe në kohën e diktaturës, edhe dhjetë vjet në kohën e tranzicionit. Në Parlament mbahet mend për urtësinë dhe fjalimet brilante në podiumin e Kuvendit.

26. Romani “Komisari Memo” është një nga librat e Agollit që është bërë film me titullin “I teti në bronz”. Ky film është shfaqur edhe në Kinë, ku është pritur mjaft mirë nga publiku kinez.

27. Dritëro Agolli ka thyer edhe parimin se vetëm pas vdekjes bëhesh legjendë. Ai që tani është një legjendë e letrave shqiptare, në këtë mënyrë shkolla 9-vjeçare në fshatin e tij të lindjes, Menkulas, që tani mban emrin e tij.

Image result for dritero agolli librat
28. Por jo vetëm shkollat mbajnë emrin e Dritëro Agollit. Tashmë në Tiranë një shtëpi botuese ka pikërisht emrin e Agollit. Shtëpia botuese quhet “Dritëro” dhe është ndër shtëpitë botuese më të mira në Tiranë.

29. Dritëro Agolli ka shkruar edhe tekste këngësh, madje duke marrë edhe çmime. Një ndër çmimet ishte ai i vitit 1971, kur këngëtarja Alida Hisku, 14 vjeçe, në festivalin e 10-të merr çmimin e dytë me tekstin e Dritëro Agolli “E Paharruara”.

30. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm shkrimtari i madh, Dritëro Agolli, veç çmimeve të tjera, është vlerësuar edhe me titullin e lartë, “Nderi i Kombit”.

31. Shkrimtari i njohur shqiptar, Dritëro Agolli, është shpallur “Qytetar Nderi” i Tiranës në vitin 2003. Ceremonia është zhvilluar me rastin e përvjetorit të ngritjes së flamurit në Tiranë dhe çmimi iu dorëzua nga kryebashkiaku Edi Rama.

dri332. Dritëro Agolli është fitues i katër çmimeve të Republikës dhe i disa çmimeve vjetore në letërsi. Dritëro Agolli është anëtar i Akademisë së Firences “Muzat” në Itali. Përveç qytetit të Tiranës, ai është “Qytetar Nderi” edhe i qyteteve të Korçës, Gjirokastrës etj.
Image result for dritero agolli librat
33. Nuk numërohen vlerësimet që i janë bërë legjendës së letrave shqipe. Ndër më të qëlluarit është vlerësimi i Fransua Nurisjes, i cili ka thënë se, “Agolli është Kafka, me pak më shumë diell”. Ndërsa Alen Boske shkruan për të se, “Shqipëria na zbulon një autor me përmasa të mëdha… Dhe dinamiti mbulohet me petale. Një autor që meriton famë evropiane”.

34. Dritëro Agolli e Ismail Kadare kanë qenë të përfshirë në Fjalorin Enciklopedik që në vitin 1985. Por ata ishin një përjashtim i jashtëzakonshëm në vitin e hershëm 1985! Pasi që të përfshiheshe në Fjalorin Enciklopedik, në ato vite duhej të mos ishe më në jetë.

35. Dritëro Agolli cilësohet si një nga shkrimtarët më të mirë të të gjitha kohërave në letërsinë shqipe. Jo vetëm në antologjinë shqiptare, por ai tashmë është i përfshirë në antologjitë e disa vendeve të botës.

36. Dritëro Agolli u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për poezinë. Ai synoi një poezi më të përveçme, me më shumë individualitet. Është i pari që krijoi poezinë e “un-it”, përkundër poezisë së “ne-ve”, që shkruhej në atë kohë “për të bashkuar masat”.

37. Dritëro Agolli ka punuar për 15 vjet me radhë si gazetar i gazetës “Zëri i Popullit”. Më pas ai kaloi si shkrimtar i lirë i inkuadruar edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Image result for dritero agolli librat
38. Gjatë gjithë karrierës së tij artistike, Dritëro Agolli ka lëvruar këto gjini të letërsisë: poezinë, poemën, tregimet, novelat, romanin, dramën, skenar filmi, reportazhin, kritikën, analizën dhe raportin e lajmit.

39. Agolli filloi të shkruaj vjershat e para i frymëzuar nga Naimi dhe Çajupi, vjersha të cilat u botuan në 1947 në gazetën “Rinia”. Për poezinë e parë të botuar ai shprehet: “Im atë e kish prerë pjesën e gazetës ku ishte botuar poezia, e kish vënë në kutinë e duhanit dhe mburrej në fshat: Ja ky është poeti im”.

40. Libri “Shkëlqimi dhe Rënia e Shokut Zylo” është vepra që veç famës i solli dhe jo pak andralla autorit. Një vit pas daljes së tij, Mehmet Shehu i thotë Agollit se, “me atë libër na ke shkatërruar administratën”.

41. Dritëro Agolli është nga ata shkrimtarë që nuk e ka braktisur asnjëherë të shkruarën me dorë. Ai nuk ka përdorur kurrë makinë shkrimi dhe të njëjtën gjë ka bërë edhe bën edhe me kompjuterin.

42. Dritëro Agolli nuk mban numër personal celulari. Ai vazhdon të përdorë numrin fiks të “Albtelekomit”. Ndërkohë në disa raste flet me numrin celular që mban bashkëshortja e tij, Sadija.

43. Dritëro Agolli është shkrimtari që ka bërë poezi për këto kafshë dhe insekte: kecat, dhentë, dhitë, maçoku, qeni, kali, lejleku, rabecka, pleshtat. Agolli është shkrimtari që ka bërë poezi për këta njerëz të familjes: gruan, babanë, nënën, djalin. Agolli u ka bërë poezi njerëzve që kanë pasur këto profesione:berberi, biznesmen.
Image result for dritero agolli librat
44. Dritëro Agolli është i pari që ka futur në fjalorin e përditshëm të shqipes fjalën pijetar, duke e zëvendësuar fjalën pijanec. Të ishe pijetar, do të thoshte të ishe një njeri që ta doje pijen, por të mos bezdisje të tjerët.

45. Një nga historitë më të famshme të treguara për pijet është ajo kur gënjeu Sadijen sikur i kishte ardhur një shkrimtar turk me emrin Moskat Kanella dhe i duhej të ikte dhe ta shoqëronte. Në fakt kishte ardhur dy litër raki “Moskat” që do ta shoqëronte me kanellë.

46. Një histori tjetër me pije është kur me një kolegun e tij garoi se kush pinte më shumë konjak.

47. Në vitin 2005 ai është propozuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve për të qenë kandidat për çmimin “Nobel”. Por nuk ka pranuar të jetë kandidat. Sipas tij, Ismail Kadare është i vetmi shqiptar që duhet të jetë kandidat dhe që duhet ta fitojë këtë çmim prestigjioz.

48. Frazat më të goditura që Dritëro Agolli ka dhënë për shtypin pas ‘90-s janë: “Nëse PS është kënetë, ti Fatos je bufi i kënetës”; “Shqipëria tani është me dy shtete”.

49. Dritëro Agolli është shprehur se një nga ata që mund të futeshin në ambasadat e huaja në 2 korrik 1990 ishte edhe i biri i tij, Artani. Ai e kishte kundërshtuar këtë vendim duke i thënë se, nëse do të futej atje, ai do të mbyllej në një shpellë të thellë.

dri450. Agolli apo Kadare? Për më shumë se 50 vjet, fansat janë ndarë më dysh. Porse, siç thotë vetë Agolli, asnjëri nuk mund të ndahet dot nga tjetri. Sipas tij, nuk duhet të ketë më pyetje kush është më i madh e kush më i vogël, kush ka qenë më i përkrahur e më pak i përkrahur. Agolli ka treguar në një intervistë se kryeministri Mehmet Shehu u është drejtuar të dyve: “Ju jeni dy shkrimtarët kryesorë të vendit dhe jeni si dy qe që lëroni tokën. Ne, herë ngacmojmë njërin e herë tjetrin me hosten, në mënyrë që puna të shkojë mbarë”.
Image result for dritero agolli librat
51. Miqësia e dy korifenjve të letërsisë shqipe, Dritëro Agollit dhe Ismail Kadares, zë fill në gjimnazin e Gjirokastrës në vitet 1950. Agolli ishte dy vite shkollore më i madh se Kadare, por bashkë bënin pjesë në rrethin letrar të shkollës, ku dhe i recitonin vjershat njëri-tjetrit.

52. Agolli së bashku me Kadarenë janë dy krijuesit që e ngritën letërsinë në nivelin e asaj ndërkombëtare. I përkasin brezit të shkrimtarëve të viteve 1960, që shpëtuan letërsinë nga dogmatizmi i realizmit socialist.

53. Veprat kryesore të Dritëro Agollit janë shkruar gjatë viteve të diktaturës. Megjithatë, edhe pse nën skematizmin e kohës, romanet tij kapin tema universale dhe janë të vlefshëm për të gjitha sistemet dhe të gjitha kohërat.

54. Dritëro Agolli është ndër të paktët krijues dhe njerëz të artit që e ka të qetë ndërgjegjen me të kaluarën e tij. Është i vetmi që pas rënies së komunizmit, e pranon se ka qenë komunist dhe ka punuar për komunizmin.

55. Dritëro Agolli rendit dy shkrimtarë turq si miqtë e tij më të mirë të huaj. I pari, Jashar Qemal; si dhe shkrimtari satirik, Azis Nesin.

56. Karakteristika më e veçantë e Dritëro Agollit është thjeshtësia me të cilën komunikon, ulja në tavolinë, biseda e thjeshtë dhe mikpritja në shtëpi. Dhoma e ndenjes së tij është kthyer shpesh në dhomë bisedash mes miqsh, dashamirës, gazetarësh, por edhe njerëz të thjeshtë që kanë dashur vetëm ta takojnë.
Image result for dritero agolli librat
57. Dritëro Agolli është i vetmi shkrimtar që pas vitit 1990 e ka takuar një personazh real, të cilin e ka pasur personazh në libra dhe në filma. Bëhet fjalë për Sejfi Protopapën, i cili është personazhi real i Sali Protopapës në romanin “Komisari Memo” dhe në filmin “I teti në bronz”.

58. Dritëro Agolli ka marrë cilësime të tilla nga politikanë, analistë dhe gazetarë: Patriarku i PS-së, mendimtari i të majtës, shkrimtari politikan.

59. Për kritikën letrare, Agolli renditet në panteonin e letërsisë shqipe. Nëse në poezi Kadareja krijoi “Shqipërinë tjetër” që vinte nga lashtësia. Agolli gjatë viteve të diktaturës tregoi “Shqipërinë alternative”. Në krijimtari epiko-lirike që dallon nga pjesa tjetër e letërsisë së realizimit socialist.

60. Gjatë krijimtarisë letrare, në të gjithë veprën e Agollit vihen re shtatë tipare kryesore në të cilat mbështetet arti i tij. Kulti i tokës dhe i bukës, shenjtërimi i njeriut dhe natyrës, raporti personal me botën, miti i atdheut, historia e të parëve, zhgënjim për kohën dhe humbjen e saj, dhe e ardhmja optimiste.

61. Agollit nga censura komuniste i janë ndaluar tre libra. I pari ka qenë “Zhurma e erërave të dikurshme”, në vitet 1960, drama “Mosha e bardhë” në vitet 1980 dhe një seri tregimesh në revistën “Nëntori”. Dy të fundit janë ndaluar gjatë kohës që ishte kryetar i Lidhjes. Ai e botoi librin “Zhurma e erërave të dikurshme”, në vitin 1964, por vetëm një vit më pas ky libër u hoq nga qarkullimi dhe Agolli u kritikua, pasi me këtë libër e paraqiste me pesimizëm realitetin komunist.

62. Në një intervistë të dhënë për median shqiptare, Agolli ka thënë që nga librat që ai nuk do t’i harrojë kurrë janë “Zhurma e erërave të dikurshme”, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” dhe librat me poezi “Pelegrini i vonuar”, “Në mesditë”, “Udhëtoj i menduar”, etj.

63. Gjeniut të letrave shqipe i është bërë edhe një bust. Shoqata e Devollit ka çelur në Menkulas një dhomë-muze, ku ka një kënd të veçantë edhe për bustin e tij. Busti është bërë nga skulptori i njohur, Mumtas Dhrami.

64. Nga romanet e Agollit janë bërë një sërë filmash artistikë. Ndër filmat më të mirë janë “I teti në bronz” (romani “Komisari Memo”), “Njeriu i mirë”, “Apasionata”, “Njeriu me top”.

65. Shkrimtari i shquar, Dritëro Agolli, veç poezive, romaneve, tregimeve, ka shkruar edhe skenarë filmash. Filmi i parë për të cilin ai përgatiti një skenar dhe nuk shndërroi një krijim letrar në skenar ishte “Horizonte të hapura”.

66. Agolli, i cili është edhe autor i një sërë skenarëve për dokumentarë, ka megjithatë edhe një poemë që ka shërbyer si skenar për një dokumentar shqiptar me regji të Endri Kekos. Bëhet fjalë për “Partizanin Meke”, i punuar në një formë të cilën Dritëroi e quan origjinale dhe që ishte gjysmë film artistik dhe gjysmë dokumentar.
Image result for dritero agolli librat
67. Librat me poezi dhe poemat më të njohura të Agollit janë: “Në rrugë dola”, “Hapat e mia në asfalt”, “Shtigje malesh dhe trotuare”, “Devoll-Devoll”, “Mesditë”, “Baballarët”, “Nënë Shqipëri”, “Fjala gdhend gurin”, “Udhëtoj i menduar”. Pas 1990-s “Pelegrini i vonuar”, “Lypësi i kohës”, “Njerëz të krisur”, “Vjen njeriu i çuditshëm”, “Lutjet e kambanës”, “Fletorkat e mesnatës”, etj.

68. Dy janë dramat më të njohura të Dritëro Agollit. “Mosha e bardhë”, e cila u ndalua nga botimi gjatë diktaturës, si dhe drama “Fytyra e dytë”.

69. Shkrimtari që vuajti nga censura në diktaturë, në intervistat që ka dhënë në shtyp thotë se ka një tjetër censurë për krijuesit jo më pak të rrezikshme sesa e parë: “Censura e parasë”.

70. Agolli arriti sukses fillimisht si poet i tokës. Përmbledhjet e hershme me poezi “Në rrugë dola”, 1958; “Hapat e mia në asfalt”, 1961; dhe “Shtigje malesh dhe trotuare”, 1965; e paraqitën atë tek lexuesit si një poet lirik të sinqertë dhe të talentuar të tokës, dhe që tregoi teknikë mjeshtërore në vargjet e tij.

71. Agolli u cilësua si novator i poezisë shqiptare në gërshetimin që i ka bërë folklorit me poezinë moderne, duke sjellë perla lirike të gjuhës shqipe. Ndërkohë risi jo pak të rëndësishme Agolli solli dhe në metrikën e vargut.

dritero72. Poezitë më të njohura të Dritëro Agollit janë, “Kur të jesh mërzitur shumë”, “Kur një mëngjes”, “Ëndërr e prerë”, të cilat dihen përmendësh nga shumë vetë. Ndërsa poemat më të vlerësuar janë “Poemë për babanë dhe për vete” dhe “Devoll-Devoll”.

73. Agolli në poezitë e tij është ndikuar dhe nga poetët rusë si Lermontov, Esenini, Pushkini etj. Kjo pas studimeve që bëri në Shën Petërburg, ku mori dhe bazat e letërsisë bashkëkohore.

74. Reportazhet e Agollit gjatë kohës që punonte si gazetar janë përmbledhur para viteve 1990 në një vëllim të veçantë. Si në çdo gjini tjetër të krijimtarisë letrare edhe këtu Agolli tregon një finese të veçantë dhe një mjeshtëri të rrallë.

75. Në veprat e një shkrimtari ka gjithmonë diçka për të rishikuar. Mirëpo dhe këtu Agolli bën ndryshim. Në ato të pakta ribotime që ai u ka bërë veprave pas 1990-s, nuk ka ndryshuar asgjë nga ato që ka shkruar gjatë diktaturës.
Image result for dritero agolli librat
76. Në vitin 2007 një vëllim me poezitë e Agollit është përkthyer dhe në rusisht. Vepra përmbledh poezitë e tij më të mira dhe titullohet “Nga vjen kjo muzikë”. Është përkthyer nga miku i tij gjatë kohës që ishte student në Shën Petërburg, Ilia Fonjakov.

77. Dritëro Agolli është një ndër rastet unikalë të krijuesve që edhe pas viteve të rinisë vazhdon të shkruajë poezi. Ndërkohë që zakonisht pas viteve 30, krijuesit letrarë i përkushtohen prozës. Agolli vazhdon të shkëlqejë në të dyja gjenitë.

78. Për herë të parë Dritëro Agolli është takuar me Sali Berishën kur ky i fundit ishte ende fëmijë. Agolli kishte bujtur në kullën e të atit të Berishës në Viçidol të Tropojës, si shok i vëllait të Berishës. Ndërkohë më vonë koha i takoi përsëri në formacione të ndryshme politike.

79. Dritëro Agolli është i njohur dhe si përkthyes. Ka përkthyer nga anglishtja poezitë e poetit Robert Bërns dhe nga frëngjishtja poezitë e poetit Pol Elyear, i cili ka dhe disa poezi për Shqipërinë.

80. Ndërsa veprën më të madhe në përkthim Agolli e ka nga rusishtja. Botimi voluminoz, “Shekulli i artë”, është një nga më të arrirët artistikisht. Agolli ka përkthyer poetët më në zë të shekullit të 19-të në Rusi, si Pushkin, Ahmatova, Bllok, Lermontov dhe shumë të tjerë.

81. Një vit më parë u botua libri “I përndjekuri i dashurisë”, një përmbledhje e poezive më të bukura të dashurisë, të shkruara që nga viti 1960 e në vijim nga shkrimtari Dritëro Agolli. Ky libër erdhi jo vetëm si mungesë e një përmbledhje të tillë, por si një dëshmi se poeti i madh Dritëro Agolli ka shkruar më shumë poezi dashuri se cilido tjetër poet bashkëkohor shqiptar.
Image result for dritero agolli librat
82. Në poezitë e dashurisë së Dritëro Agolli gjen të ndërthurura: përmasat e emocionit; dashurinë e pafat që përjeton drama dhimbjesh; zbërthimin e gjendjes shpirtërore; përplasje emocionesh në momente të kundërta; gjuhën e ironisë në përshkrimin emocionues të dashurisë e mbi të gjitha, ndërthurjen e dhembshurisë dhe himnizimit të figurës së femrës, si qenia më hyjnore në këtë botë.

83. Para pak ditësh Dritëro Agolli i ka rrëfyer gazetarit Ilir Kadia çastin më të vështirë të jetës. Dhe këtë rrëfim, Kadia ka dashur ta ndajë me miqtë e tij në Facebook, ku ai shkruan: “Sapo e pyeta Dritëroin: cili ka qenë çasti më i vështirë në jetë për ty o Dritëro? E zhyti kokën në re një copë herë të gjatë dhe më tha: Kur isha i vogël fare, gjyshi më bëri një qerrkë me dy rrota dhe një bosht të gjatë! Unë nuk e pëlqeva dhe e mora e përplasa në tokë. Qerrka u thye! “Po pse o Dritëro?! Shiko si i vrava gishtat për ty një muaj të tërë!”-më tha gjyshi i mërzitur shumë…”

84- 50 vjetori i martesës me Sadien dhe shkëmbimi i unazave në moshën 84 vjeçare.

85- Botimi surprizë i përmbledhjes me poezi të pabotuara të Dritëroit 85-vjeçar.

At Gjergj Fishta 23 Tetor 1871- 30 Dhjetor 1940





Nga Kastriot Marku*




At Gjergj Fishta O.F.M. ishte padyshim intelektuali autoritar më imponues i kulturës shqiptare për më se një gjysëm shekulli. Kritika dhe studimet për Fishtën dhe veprën e tij kanë një histori mbi 100 vjeçare. Autori dhe vepra e tij kanë kaluar përmes një rruge ku nuk kanë munguar lavdërimet e sharjet. Parë në aspektin vëllimor ajo padyshim që përbën korpusin më të madh të shkruar për një autor shqiptar. Studiues të vjetër e të rinj, bashkohës e pasardhës, tradicionalistë e modernë kanë dhënë ndihmesën e tyre, duke shpenzuar kohë për Fishtën, pavarësisht cilësisë së saj.



Fotoporteti

At Gjergj Fishta (23 Tetor 1871- 30 Dhjetor 1940)

Sidoqoftë kritika e periudhës 1944-1990, si rrjedhojë e mungesës në qarkullim të veprës për këtë autor përbën një paradoks më vete, sepse ajo ka nxitur edhe vlerësime të gabuara dhe në mjaft raste tendencioze dhe dashakeqëse. Personaliteti kulturor i Gjergj Fishtës na shpërfaqet kështu në dy pamje krejtësisht të kundërta: pamja e parë e vlerësimit sa qe gjallë, në gjysmën e parë të shekullit të XX me autorë si: Lasgush, Poradeci, Eqrem Çabej, Henrik Lacaj, Kostaq Cipo, Mark Gurakuqi, Maksimilian Lambertzi, Mark Ndoja, Jolanda Kodra, Mark Harapi, Norbert Jokli, Pashko Gjeçi, Namik Resuli, Fulvio Kordignano, Gjergj Kuka (alias Stefan Shundi), Kolë Kamsi, të cilët ftilluan hullinë e studimeve për veprën e Fishtës, kritikë kjo analitiko-sintetike e cila veçohet për cilësime pozitive, e që do të vijojë këtë hulli gjatë periudhës së ndalimit, por tashmë jashtë kufijve shqiptarë me Ernest Koliqin, Namik Resulin dhe Arshi Pipën, të cilët vinin prej kritikës bashkëkohëse me veprën e Fishtës para vitit 1944, së cilës iu shtuan Martin Camajn, Giuseppe Gradilone, Jiuseppe e ndonjëtjetër, si dhe një pamje tjetër e dytë, ajo e ekskomunikimit përgjatë gjysmës së dytë të këtij shekulli, ndërkohë që poeti tashmë i kundronte të dy gjykimet nga Jeruzalemi Qiellor. Sidoqoftë poeti kishte parashikuar qetësisht aty në fund të Lahutës ndërsa i drejtohej Zanës së tij të frymëzimit duke i thënë:

“Veç se po, moj bjeshkatare

Krah m’krah bashkë na tue këndue

Ndërtue kemi ‘i pomendare

Rr’fe as mot mos m’e dermue.”

E njimend rrufetë e lëshuara përgjatë 45 viteve nuk e thanë lisin Fishtë, i cili i binte lahutës nën mriz në vallen tipike shqiptare. Fishta megjithëse në pikëpamje letrare ishte shkrimtar, vlerësimet për të u mbështeten mbi argumnentime jashtëletrare. Vlerësimi për të nuk u bazua në analizën shkecore të veprës, por mbi bazën e ideve dhe mesazhit që përcillte vepra e tij dhe mbi të gjitha sepse ai ishte klerik.

Gjergj Fishta u bë shembull se si një njeri i përmasave unikale të botës shqiptare, të përgojohej, shahej e fajësohej në mënyrat më absurde e më të pamoralshme, me justifikimet më bajate e më antishkencore, sa edhe një njeri i zakonshëm do ta humbte drejtpeshimin e gjykimit nëse do të ndeshë në shkarrashkrimet e historianëve dhe kulturologëve të kooperativave socialiste të periudhës 1945-1990. Fishta përfaqëson shqiptarin fenomenal, njeriun, klerikun, poetin, dramaturgun, publicistin, oratorin, filozofin, estetin, kritikun, përkthyesin, pedagogun, sociologun, gazetarin dhe botuesin, politikanin dhe diplomatin, e mbi të gjitha atdhetarin e klasit të parë, i cili do t’i mungonte për 45 vjet me radhë leximeve e studimeve, por do të jetonte në mendjet dhe kujtesën e ish nxënësve, bashkëkohësve të shkolluar apo analfabetë, të cilët ia dinin poezitë përmendsh. Filologjia zyrtare shqiptare mbi të gjitha i hyri në hak Fishtës shkrimtar. Ajo çfarë ngjau me Fishtën, dëshmon më së miri se si një popull i tërë bjerret në tëmthin e tij, pa ditur se kështu me gjithë përjagien që i ka bërë vetvetes, prapë ka mundësinë t’i rikthehet vetvetes për t’u imunizuar nga virusi që kishte injektur vetes. U lavdëruar dhe i përçmuar, i dashur dhe i urryer, i marrë në konsideatë, dhe i keqtrajtuar, Fishtës i bie të jetë shkrimtari më i lexuar, më i kërkuar dhe më i dashur, por që në mënyrë krejt të çuditshme u mohua kategorikisht. Ai përjetoi dy skaje të kundërta vlerësimi. Zhvlerësimi që i bëhej nga kritika ideologjike dhe vlerësimi nga brezi i shkollarëve të cilët do ta citonin pa ditur asgjë, pa lexuar asgjë prej tij. Mungesa e leximit dhe receptimit publik të veprës letrare sikur e përforcoj edhe më tej mitin Fishtë. Fishta nuk kishte dhe nuk ka as sot nevojë të mbrohet prej asgjëje se vepra e tij letrare është vetmbrojtur falë vlerave estetike të cilat ajo i mbart. Kthimin e Fishtës Plasari do ta kërkonte “jo duke i dhënë Fishtës vendin që i takon, por duke i kthyer historisë së letërsisë atë çka i mungon“.

Kritika jonë dhe në veçanti ajo mbi Fishtën përgjatë periudhës 1945-1990, ka qenë propagandë, pra krejt fiktive. Fishta është shenjtëruar (këtu mund të fusim rrethet, qarqet, mjediset e letrare të afërta të tij) dhe ekskomunikur kundërshtarët e tij politikë për interesa të caktuara pa argumente. Në të dy rastet të vërtetat dhe të pavërtetat kanë krijuar mitin Fishtë. Miti Fishtë ka qenë pengesë serioze për njohjen dhe vlerësimin real të veprës së tij letrare. Ky mit filloj të ngrihej fill pas Kongresit të Manastirit, ku françeskani shkëlqeu me oratorinë e tij në përfaqësinë e shoqërisë Bashkimi e që në Kongres qe kryetar i komisionit të alfabetit, alfabet i cili më pas fitoj në praktikën shkrimore si propozim i kësaj shoqërie. Jo rrallë kjo ka ndodhur për shkak të mosnjohjes së veprës së tij letrare, ose pamundësisë së qasjes shkencore të kritikës që është marrë me të, prandaj ky mit ka vazhduar gjatë dhe vazhdon të bëjë jetën e tij aktive edhe në studimet e pas 90-ës. Vepra e Fishtës pati receptim jo të zakonshëm jo vetëm në Shqipëri, por edhe ku jetonin shqiptarë si në Vjenë, Boston, Bukuresht, pra edhe në metropolet ballkanike, europiane madje edhe amerikane. Argumenti dhe kundërargumenti tek Fishta janë një rast tejet i pazakontë. Edhe përkundrejt njohjes dhe receptimit të pazakontë të veprës së Fishtës, edhe përkundrejt kritikës e cila me Fishtën u bë aktive, herë lavdëruese e sipërfaqësore e jo thelbësore e bazuar në tekstin dhe vlerat reale të saj, përkundrejt intelektualëve dhe strukturave institucionale kulturore, çështja e vendosjes së Fishtës në majën e hierarkisë së letërsisë shqipe mori natyrë debati. Vepra e Fishtës mbijetoi edhe përkundrejt rënies se strukturave socio-kulturore që e mbajtën Fishtë poetin më të madh shqiptar, të cilat duhet ta pranojmë realisht se paten një shkallë jo të vogël subjektiviteti gati imponues, jo aq kritiko-letrar sa moralizues dhe ideologjik.

At Gjergj Fishta lindi më 23 tetor 1871 në fshatin Fishtë të Zadrimës prej prindërve Ndokë Simon Ndoci dhe Prenda e Lazer Kacit prej Kotrri. Ndër tre djem e nji vajzë që patën, Zefi ishte më i mbrami. Shtëpia e tyre ndodhej jo larg themeleve të vjetra të një kuvendi të françeskanëve. Në regjistrin e famullisë do të shënohej me Emrin Zef. Pagëzimin ia dha italo-shqiptari arbëresh, At Leonard de Martino (1830-1923), i cili atëbotë ishte meshtar në Troshan. Sinjifikativ është fakti se At De Martino, ndërsa do t’i lagte kryet me ujin e pagëzimit këtij djaloshi, ndoshta do ta parandiente se tashmë po pagëzonte njëherësh një nxënës të ardhshëm të varrëve të Jezusit, gjurmëve të Shën Françeskut, por edhe një nxënës, i cili do t’ia kalonte edhe atij vetë në letërsi. “Harpa leonardiane i epte drunin “Lahutës” fishteane”. Ashtu sikurse ishte zakon ndër djemtë e fshatit të Zadrimës, Zefi i vogël shkonte pas të rriturve për të ruajtur bagëtinë. Ishte i shkathët, simpatik, mjaft inteligjent ndërsa kishte dhe përkujdesjen e të dy vëllezërve dhe motrës, që ishin më të rritur. Menjëherë Zefi, për cilësitë e mira që kishte, ra në sy të Atë Marian Pizzochini nga Palmanova, (Udine), i cili kërkoi nga prindërit e tij ta shkollonte djalin. Prindërit nuk e refuzuan dëshirën e fratit. Meqë në fshatrat aty përqark nuk kishte shkollë dhe Kolegji nuk ishte hapur ende, e dërgoi me shpenzimet e veta në Shkodër në shkollën fretnore. Ai kujtonte se edhe aty ishte midis “miqve” të At Leonardos e At Marianit ashtu me zhgun, me litarin e bardhë lëshuar brezit, këmbëzbathur në sandale. Françeskanët kishin hapur shkollën e tyre që në vitin 1861 në Shkodër. Në teatrin e tyre në vitin 1880 do të shfaqnin dramën Nata e Këshndellave të At Leonardo de Martinos, duke shënuar kështu fillimet e teatrit dramatik në Shqipëri, Fishta ra në sy për rezultatet shumë të mira dhe u dallua ndër të parët e shkollës.

Aso kohe Provica Françeskane kalonte një periudhë të vështirë sa i takon formimit të klerit vendas. Misionet e saj mbaheshin në këmbë falë fretërve të huaj. At Marjani Pizzochini kishte shërbyer edhe në Kosovë si famullitar, bile atje njihej si “Marjan Pasha”, kjo falë punës dhe autoritetit që kishte. Tashmë duke qenë se ishte prefekt i misionit të Epirit dhe duke patur mbështetjen edhe të Gjon Pjetrit nga Bergamo, prefekti i misionit të Kastratit menduan të themelojnë një Kolegj për të rinjtë shqiptarë. Në vitin 1880 në Troshan afër vendlindjes së Fishtës, françeskanët në kuvendin e tyre hapin Kolegjin e tyre nën drejtimin e Atë Marianit e At Giampiero. Zefi i vogël në moshën 11-vjeçare, nga Shkodra rikthehet kalon aty, tashmë jo si bari, por si nxënës, duke u shënuar kështu një ndër nxënësit e parë të kësaj shkolle. Në këtë kohë i shfaqen dhimbje në zemër, sa etërit françeskanë e dërgojnë menjëherë në Raguzë (Dubrovnik) të Dalmacisë (Kroaci) për shërim. Pasi kthehet prej andej, vijon sërish mësimet në Troshan, por sikurse mund të merret me mend, në këtë shkollë ishte ende herët për të pasur standarde arsimore të mjaftueshme për formim në shkenca, sikurse kërkonin françeskanët, prandaj drejtuesit e kolegjit me miratimin e Gjeneralit të Urdhërit të Françeskanëve At Bernardinit prej Portogruaro vendosin që t’a dërgojnë për studime të mëtejshme në filozofi e teologji në Bosnje. Bosnja në këtë kohë sapo kishte fituar pavarësinë nga Turqia dhe katolikët e veçanërisht Urdhëri françeskan kishte arritur t’i mbijetonte pushtimit turk, gjë që studentët shqiptarë e kuptonin më mirë se kushdo pasi kishin kaluar të njëjtat peripeci. Në Bosnje françeskanët kishin një histori të mirë tradicionale të tyre me kisha, famulli, kuvende, kolegje e seminare. Pas 5 vitesh studime në Troshan, Zefi u nis vetë i shtati më 1886 së bashku me At Ejëll Paliq, At Severin Lushaj, At Pjetër Gjadri, At Loro Mitroviç, At Bonë Gjeçaj dhe At Pashko Bardhin. Vitin e parë të provës e kryen në kuvendin e Guca-Gora afër Travnik-ut, çka me këtë rast sipas traditës së fretërve ndërron emrin e mëparshëm të pagëzimit Zef dhe tashmë do të quhet e njihet Gjergj. Studimet e filozofisë i ndoqi në Kuvendin Sutiska, ndërsa ato teologjike në Kuvendin e Livnos. Lexonte klasikët grekë e latinë Dante Alighieri (1265-1321), Carlo Goldoni (1707-1793), Vittorio Alfieri (1749-1803), Alessandron Manzoni (1785-1873), Giosue Carducci (1835-1907), Giovanni Pascoli (1885-1912) etj. Sikurse dëshmon biografi i parë i jetës së Fishtës, njëkohësisht edhe koleg i tij At Pashk Bardhi. Fishta kishte një dhunti, e cila e dallonte nga të tjerët. Ai shpenzonte pak kohë në përgatitjen e mësimeve, pasi mjaftonte një lexim i vetëm që ai t’i riprodhonte gati krejt përmendësh. Profesorati i zgjedhur që kishin ardhur nga Roma dha vlerësime maksimale për studentin. Lexonte poetët kroatë Grga Martic (1822-1905), nga Bosnja, Andrij Kacic (1704-1760), nga Dalmacia (të cilët edhe i adhuronte), Petrovic Njegosh Petar (1813-1851) “Gorski vijenac”, Ivan Mazuranic (1805-1888). Në këtë kohë ai zë miqësi të ngushtë me poetin lirik kroat Kranjçeviç Silvije Strahimir (1865-1908), respekti dhe dashuria e të cilit bëri që ai t’i kushtonte në shenjë mirënjohje në vitin 1892 edhe një poezi në italisht. Që në Bosnje nis’i ushtrimet e tij të para poetike, të cilat i ruajti At Pashk Bardhi. Fishta dallohej në sprovat e hartimeve në punimet filozofike, teologjike e letrare vjetore në gjuhët latine, italiane dhe kroate. Sikurse kudo edhe në mjediset religjioze xhelozia etnike sllave nuk kishte si të mos gëlonte e ziente edhe ndaj Fishtës dhe bashkëvëllezërve të tij, ndaj Gjergji reagoi së bashku me bashkëvëllezërit e tij përmes një proteste, organizuar nga studentët shqiptarë të Fakultetit të Teologjisë të Livnos. Fishta bile ideoi krijimin e një shoqërie të vogël letrare-artistike, e cila do të mund zhvillonte e të ruante traditat dhe vlerat më të mira të kulturës shqiptare. Në një letër, e cila mban datën 2 shtator 1892, ndër 10 nënshkruesit ishte edhe emri i fra Gjergjit. Fishta dallohej në festat familjare dhe argëtime, por edhe në hartime të lira dhe ato shkollore që dëshmonin për prirjen e tij për të shkruar. Pasi kreu studimet e larta për filozofi e teologji shkëlqyeshëm, në vitin 1893 kandidati për meshtar kthehet me të (gjashtë) shtatë sivëllezërit e tij në Shqipëri, tashmë i formuar e me kulturë gjuhësore në disa gjuhë (latinisht, italisht, kroatisht, frëngjisht e gjermanisht), me njohuri mbi muzikën, artet figurative) etj. Të dielën më 25 shkur 1894 në moshën 23 vjeçare, ngre (celebron) Meshën e parë në kishën e Troshanit ende pa e mbushur moshën e lejuar, e cila duhej të ishte 24 vjeç, gjë që për ta bërë këtë, duhet të ketë kërkuar leje të veçantë për shugurimin meshtarak. Kështu mundi të plotësojë dëshirën për të kremtuar meshën e tij të parë, përpara bashkëfshatarëve të tij, shokëve e miqve me të cilët ishte rritur. Tashmë Zefi i vogël i dikurshëm, Gjergji, po i kushtohej altarit të Hyjit dhe të Atdheut, që do të bëheshin kredoja e jetës së tij. Meshtari i saposhuguruar emërohet mësues në Kolegjin e Troshanit, bash aty ku pat marrë mësimet e para. Të dielave ai mbulonte me shërbim meshtarak kishën famullitare të Dom Lleshit (Zojës Nunciatë) në Lezhë (në të cilën shërbeu si kabelan (1896-1897), e cila mban si vit të ndërtimit të saj vitin 1240, vit në të cilin thuhet se aty kishte ardhur vetë Shën Françesku dhe se aty ai kishte themeluar bashkësinë e parë françeskane. Në vitin 1899 Fishta caktohet famullitar i përkohshëm në famullinë e Gomsiqes (Pukë), e cila asokohe ishte nën juridiksionin e abacisë së Mirditës, që administrohej nga Imzot Prend Doçi, me të cilin krijoi një miqësi të veçantë. Detyra e famullitarit i jepte mundësinë që të ishte vazhdimisht në kontakt me grigjën e tij shpirtërore dhe në këtë mënyrë të prekte me dorë e të kundronte për së afërmi cilësitë morale e shpirtërore të banorëve të këtyre maleve, doket, gjuhën idiomatike shpesh enigmatike, bujarinë, nderin, besnikërinë, trimërinë, urtësinë, krenarinë drejtësinë, varfërinë ekonomike, mungesën e shkollimit, hakmarrjen, dëshirën për të qenë të lirë, të cilat do të preknin mendjen e meshtarit të ri. Me syrin e një psikologu, vëzhgues deri në imtësi, Fishta do të grumbullonte visarin gjuhësor, i cili do të ishte brumi me të cilin do të gatuante më pas veprën e tij letrare. Në Gomsiqe “…Fishta do të njohë deri edhe skutat ma t’thella, njerëzit që u bindeshin normave juridike të Kanunit, Kodit Zakonor të Shqiptarëve ku asht pasqyrue shpirti i vërtetë i rracës.” “Në Gomsiqe, koloriti i gjuhës së Zadrimës, u fuqizue tek Fishta me thelbin e të folmes malsore…“.

Po këtë vit, pra më 1899, falë miqësisë dhe admirimit që krijoi tek abati Prengë Doçi, një nga personalitetet intelektuale më të kulturuara të kohës, ky i fundit e ftoi si bashkëthemelues të shoqërisë Bashkimi, dhe së bashku me Dom Dedë Kolecin, Dom Ndoc Nikajn, Atë Pashk Bardhin, Atë Ambroz Marlaskajn, Luigj Gurakuqin etj. Fishta gjithashtu do të ishte një ndër anëtarët më aktivë të shoqërisë. Kundruar nga këndvështrimi letrar “Kur më 1899 themeloi Shoqninë Letrare “Bashkimi” së bashku me abatin dinamik të Mirditës, Imzot Preng Doçi, At Gjergj Fishta i zotnonte të gjitha nivelet e komunikimit në gjuhën shqipe, nga modulimet e ambla dhe eufemizmat e të folmes femnore, në tonin therës dhe satirik të bejtexhijve, deri në të folmen madhështore të zonave alpine.”

Në vitin 1899 i vritet i vëllai për gjakmarrje, çfarë u bë shkak që ai të shfryhet mbi këtë fenomen në poezinë Gjaksorëve, ndërkohë që dhimbjen për humbjen e të vëllait, meshtari françeskan do ta falte për hir të Krishtit, duke marrë përsipër faljen e gjakut dhe duke lidhur të dy familjet në kumbari të krishterë. Sipas Marin Sirdanit “Kurë ishte At Fishta ende Meshtar i ri, i mbyten njanin vllà, pa kurrfarë fajit, po pak minuta mbasi kishte dalë prej odës së tij. Veç nji Zot e din se sa iu dhimbët ai vllà qi e kishte dashtë si sytë e ballit. Me gjith këta, ky e fali mejherë gjaksin e pashpirt, e bàni çëmos deri sa e detyroi të vetët jo vetëm me e falë, por edhe me u miqasue ato dy shpi nder veti me nji lidhni shèjte, me kumari,…“. Të njëjtën gjë na e konfirmon më pas edhe At Daniel Gjeçaj.

Viti 1989 shënon edhe fillimin e krijimtarisë letrare të Fishtës, e cila nis e publikohet së pari në revistën Albania të Faik Konicës, por gati e gjitha me pseudonime. Po ashtu do të botojë edhe në perkohshmen Elcija (mâ vonë: Lajmtari) i zemres së Krishtit.

Në vitin 1902 emërohet sekretar i Komisariatit të Misionit Françeskan si dhe drejtor i shkollës françeskane në Shkodër. Si i pari drejtor shqiptar i kësaj shkolle, Fishta vendos në programin mësimor në vend të gjuhës italiane, gjuhën shqipe në të gjitha lëndët mësimore. Kujtojmë këtu se gjuha shqipe përdorej në këtë shkollë, por lëndët e tjera mësoheshin në gjuhën italiane, kjo për arsye të mungesës së teksteve në gjuhën shqipe. Ky akt, për kohën në të cilën flasim, ishte guxim i madh, madje një rrezik. Fishtës ju desh një punë jo e vogël që të hartonte tekste, të jepte mësimet me shënime duke i shumëfishuar me shkrim në orët mësimore. Mësues të shkollës kishte të njohurit Logoreci, Paluca, Kodheli etj. Më 1911 u festua 50-vjetori i hapjes së saj, dhe me këtë rast u bë një aktivitet kulturor, në të cilin nuk munguan me pjesëmarrjen e tyre autoritetet zyrtare, fetare, shërbimit diplomatik, (konsullatës austro-hungareze), dhe shumë anëtarë të bashkësive të tjera fetare myslimane dhe ortodokse. Programi i këtij aktiviteti ishte përgatitur prej vetë Fishtës.

E thirrur prej të gjithëve në Shkodër si shkollë kombëtare, me 24 mars 1912, Shkolla Françeskane u nderua nga qeveria turke, e cila duke parë përgatitjen e nxënësve të saj kërkoi sugjerime për mësues të rinj që kishin kryer këtë shkollë, çka ishte meritim i posaçëm i Fishtës. Në verën e vitit 1902, gjatë pushimeve të verës Fishta shkonte në Rrapshë të Hotit për të zëvendësuar famullitarin e atij fshati, Atë Leonard Gojanin, e aty frati do të njihej e të lidhte miqësi me atë që do të ishte një ndër protagonistët kryesorë të Lahutës së Malcisë, plakun Marash Uci. “Kënaqej poeti, tue veshtrue kallximet e kreshnikut të maleve mbi lufta, në të cilat ai vetë kishte pasë marrë pjesë si i ri. Përleshja te Ura e Rrzhanicës iu ngul Fishtës në tru dhe, pa u largue nga ambienti i ushtarëve me çakçirë e kapuç të bardhë në krye, u vu ta përshkruej, ashtu si e kishte ndigjue nga luftëtari.” Në vitin 1904 Atë Pashk Bardhi, ndërsa jepte mësimin e gjuhës shqipe në Borgo Erizzo (Zara, Dalmaci) (Kroaci) dhe ishte kthyer në Shkodër për pushime, merr prej Fishtës për të lexuar dorëshkrimin e disa këngëve dhe pasi dha pëlqimin për to, vendosi t’i botonte. Do të ishte Faik Konica, botuesi i revistës Albania dhe njëkohësisht miku i tyre i përbashkët, si dhe ndihma financiare e Ministrisë së Jashtme Austro-Hungareze, të cilët do të kontribuonin në botimin me titullin: Lahuta e Maltsiis-Kangë Popullore I -Marash Utsi. Do të ishte kjo sprova nismëtare, që do t’i jepte edhe famën Gjergj Fishtës. Edhe pse u botuan pa emër, Fishta mori urime e lavdërime nga shumë miq, intelektualë shqiptarë brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe nga albanologë të huaj.

Fishta tashmë ideonte një sipërmarrje kulturore, ku padyshim zërin kryesor do ta zinin Prengë Doçi, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjedja, Shtjefën Gjeçovi, Pashk Bardhi, Pal Dodaj, Aleksandër Xhuvani etj. Dinjiteti meshtarak dhe përvujtnia rregulltare nuk e penguan të luante rolin që duhej në skenën kulturore të kryeqendrës së Veriut, Shkodrës. Nuk ishte aspak e lehtë të përballonte tashmë xhelozitë, dhe Fishtës armiqtë dhe kundërshtarët për fatin e tij të keq, nuk i munguan as prej botës së jashtme, as prej klerit, as prej civilëve. Ky do të ishte shkak që Fishta të transferohej sërish në Gomsiqe.

Në vitin 1906 Luigj Gurakuqi do t’ia kushtonte Fishtës veprën e vet Vargnimin n’ gjuhë Shcype, e cila është metrika e parë në gjuhën shqipe. Dy vjet më pas, më 15 shkurt 1907, së bashku me Shtjefën Gjeçovin, themeloi të parën bibliotekë shkollore në Shqipni, duke grumbulluar gjithfarë librash. Po këtë vit pranë shkollës fretnore ngre një trupë teatrale amatore, në të cilën së pari do të vërë në skenë pjesët e veta dramatike, si dhe përshtatjet nga gjuhët e huaja, duke vënë kështu një tjetër gur themeltar në kulturën kombëtare. Po këtë vit ai arriti të botojë pjesën e dytë të Lahutës me titullin Vranina, në të cilën protagonisti ishte sivëllai i Marash Utsit, Oso Kuka.

Në vjeshtën e atij dimri Fishta hap kurset e natës për të rritur, për të mësuar shkrim e këndim dhe më pas krijon një shoqëri bamirësie për fëmijët e varfër, për të cilët siguron ndihma të ndryshme ushqimore dhe veshmbathje. Ky do të ishte një nga shembujt e dashurisë së krishterë të të varfërit të Shën Françeskut në mision. Po këtë vit arrin të botojë në Sarajevë përmbledhjen satirike Anzat e Parrnasit, të cilën Fishta ua kushton “mikrobeve të Kombit” asaj frotës së shqiptarëve të shitur, pa ndërgjegje e moral mbi të cilët Fishat lëshon pa mëshirë ironinë dhe sarkazmin e tij gjegjës e therës. Po këtë vit, publicistika e tij do të shënojë një hop tjetër të tij me “Komsija e Kleri Katolik”. Një përgjigje drejtuar Hilë Mosit, i cili në një fletore të kohës kishte botuar një artikull në të cilin polemizonte me Klerin Katolik dhe veçanërisht me françeskanët.

Në nëntor 1908 mblidhet Kongresi i Manastirit. Fishta së bashku me Luigj Gurakuqin mori pjesë atje si përfaqësues i Shoqërisë Bashkimi, ku dhe mbajti ligjëratën “Për alfabetin latin”, që i dha udhëzgjidhje marrëveshjes për alfabetin. Aty “Fjala plot kuptim, logjika dhe oratoria e françeskanit të Shkodrës, që e bante Fishtën të dallohej ndër të tjerë, edhe në këtë mjes bani që nga 52 anëtarë të Kongresit të fitonte për vete 49 zaje posi kryetar i komisionit, të ngarkuem për studim të alfabetit. Qe një triumf për fratin e përvujtë“. Sipas Karl Gurakuqit: “kongresi e pau t’udhës të caktonte poetin kombëtar Gjergj Fishtën ma fort në shenj nderimi dhe çmimi për veprat poetike që i pat falë popullit“, ndërsa për Tomor Osmanin përveç kësaj ishte ai u zgjodh edhe për: “erudicionin e thellë, kulturën e gjërë, forcën e fjalës, mendjen e mprehtë dhe logjikën e fortë“. Ditën e dytë të Kongresit të Manastirit Gjergj Fishta mbajti një fjalim të zjarrtë për vetitë e mira të shqiptarëve dhe për nevojat e tyre. Fjala e Fishtës në Kongres sipas shtypit të kohës bëri për vete të gjithë delagatët, mjafton të sjellim këtu një letër të Pashk Bardhit dërguar Shtjefën Gjeçovit, në të cilën i shkruan se fjalimi i Fishtës “kishte ba me qa shumë kongresista dhe mbas fjalimit nji hoxhë toskë e ka marrë në grykë me lot për faqe“.

Fishta tashmë ishte bërë një personalitet publik i veçantë në jetët e qytetit të Shkodrës, por edhe të të gjithë Shqipërisë, përmes njohjes dhe bashkëpunimit me intelektualët më të njohur, predikimeve, konferencave, fjalimeve publike etj. Jeta publike kishte bërë që ai të merret e të trajtojë edhe çështje politike. Në të gjitha qeveritë shqiptare prej vitit 1912 e deri sa vdiq, ai qe përfaqësuesi i vërtetë i shqiptarit dhe i etnisë, kampion i mbrojtjes së të drejtave të popullit të vet. Françeskanizmi shqiptar falë kontributit të Fishtës do të ishte ai që njihet. Ai ishte ndër patriarkët e riorganizimit të Provincës. Në cilindo pozicion pune, famullitar, drejtor shkolle, bibliotekar, botues, sekretar province, guardian, definitor, kustod, e Ministër Provincial ai ishte shembulli i njeriut të përkushtuar, “…një avokat i përbetuar i integrimit të Shqipërisë në kulturën perëndimore të krishterë.”

Thotë At Anton Harapi, një prej kulturologëve më të shkëlqyer shqiptar, në artikullin “Shqiptari i Madh”, në rastin e një botimi përkujtimor mbi jetën dhe veprën e Fishtës, më 1943: “Kam ndollë vetë aty, kur nji ditë, nji shqyptar këthefit të vjetër, tue ankue për do shpërdorime të nierëzve të Shtetit me A. Gjergjin, dote disi me përfundue, se së ka Shqypni. Fishta don t’ia spjegojë punën, se njerzt e Shtetit nuk janë Shqypnija, edhe plaku, per me i diftue se kishte mbetë i bindun, i thotë: Po na se kemi dijtë, more zotni…veç prej jush e kemi xanë shka asht Shqypnija!”

Po këtë vit ai nis të lexojë dhe njëkohësisht të studiojë me kujdes e vëmendje veprat e Shekspirit e Molierit. Vitin pararendës ai kishte ngritur një teatër të vogël, i cili vijonte ashtu që me nismën e De Martinos. Kështu ai vë në skenë: Gjokë Tarçuku ase mjek përdhuni, I ligu për mend, Dredhitë e Patukut, përshtatur sipas Molierit. Lexon Heinrich Heine (1797-1856).

Fishta pati bashkëpunim me motrat Stigmatine, të cilat kishin ardhur në Shqipëri në vitin 1879. Ato pasi kishin hapur në Shkodër shkollën e tyre për vajza (1876), arritën që më 1925 ta kthejnë në shkollën e tyre (e cila mori emrin Normalja e Stigmatineve), ortake të denjë të gjimnazit Illyricum, e cila do të edukonte të rejat e të tre besimeve. Duhet të merret me mend roli i françeskanëve dhe i motrave stigmatine në këtë nismë, ngaqë dihej gjendja e rëndë e femrës shqiptare, e cila lindej, martohej, lindte fëmijë, punonte e vdiste si qenie e dorës së dytë në krahasim me burrin. Ajo ishte e përjashtuar nga jeta publike, sepse ndikimi i presionit politiko-kulturor përgjatë shekujve të pushtimit osman, kishte lënë gjurmët e tij. Në këtë kuptim ndihmesa e bijve dhe bijave të Shën Françeskut ishte e madhe. Gjithashtu në vitet 1908-1909 shkruan melodramat Sh’ Françesku i Asizit, e cila u shfaq me rastin e 700-vjetorit të Urdhërit Françeskan (1209-1909), e që u botua në vitin 1912, Odisea, Ifigenija n’Aulli dhe Kryepremja e Shën Gjonit.

Po në vitin 1909 boton në Zara Pika voeset, Shtypshkroja Vitalini, një përmbledhje lirikash fetare, vepër së cilës më vonë do t’ia ndryshojë titullin në Vallja e Parrizit, por që kështu në botimin e parë ia kushton Luigj Gurakuqit. Disa prej këtyre poezive, origjinale si dhe përkthimeve, qenë publikuar në revistën e etërve jezuitë Elçija e Zemrës t’Jesu Krishtit. Në vitin 1911, më 19 dhjetor, me rastin e 50 vjetorit të hapjes së shkollës françeskane nis të shkruajë dramën Juda Makabe, të cilën e përfundon vetëm pas tre vjetësh, por këtu në këtë përvjetor u shfaq melodrama Shqyptari i qytetnuem, prej së cilës dilte mesazhi i Shqipërisë së lirë, çka shkaktoi entuziazëm e brohoritje tek të ftuarit. Justin Rrota kujton se “N’atë rasë, nepër dritën e llampavet, prej korit së kangtorìs pàsh, ke burra me mustakë e pleqë me thìja, të përmalluesm, kjajshin si fëmija. Po këtë vit falë autoritetit që kishte dërgohet nga qeveria turke në Podgoricë së bashku me Imzot Jak Serreqin dhe Dom Luigj Bumçin (1872-1945), (më vonë u bë ipeshkëv i Lezhës), si ndërmjetës për arritjen e marrëveshjes së paqes midis Portës së Lartë të Stambollit dhe malësorëve kryengritës të Malsisë së Madhe dhe të Mbishkodrës që u ngritën kundër xhonturqve. Më këtë rast një vit më pas dekorohet nga Sulltani me dekoratën Mearif për shërbime paqeje dhe humaniteti. Më 28 janar 1912, Klubi Gjuha Shqype në pallatin ipeshkvor në praninë e Imzot Jak Serreqit, përmes kryetarit të saj Ndoc Çobës, i cili më këtë rast mbajti edhe një ligjëratë mbi veprimtarinë e tij, i dhuroi Fishtës një kurorë argjendi për merita në krijimtarinë letrare dhe po këtë vit ai dekorohet dhe nga Mbretëria Austro-Hungareze me medaljen Ritterkreuz (1912), për kontributin kulturor në Shqipëri, sikurse e përmendëm nga Turqia u dekorua me dekoratën Mearif (1912), qyteti i Beratit i dërgoi një pupël ari (pendë) (1913), Piu XI Medaglia di Benemerenza (1925), Urdhëri françeskan Lector Jubilatus (1929), Greqia Phoenix (1931); qeveria italiane e bëri anëtar të saj, Academico d’Italia më 1939.

Miqtë e tij të ngushtë do të ishin Imzot Prengë Doçi, Luigj Gurakuqi, Faik Konica, At Pashk Bardhi, At Anton Zanoni S.J, At Pal Dodaj etj. Nga tetori 1912 deri në fund të prillit 1913, kohë kur Shqipëria gjendej në prehër të pavarësisë së saj, dhe kur Imzot Nikoll Kaçorri dhe Luigj Gurakuqi mbanin në kontakt gjithë zhvillimin e ngjarjeve, për rreth shtatë muaj Shkodra u rrethua nga ushtria malazeze dhe kështu Fishta me Imzot Jak Serreqin arqipeshkvin e Shkodrës, Ndre Mjedën, Bernardin Shllakun ipeshkvin e Pultit e të tjerë u strehuan në Kuvendin e Arrës së Madhe. Më 12 qershor Fishta ngre flamurin kombëtar në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, që dëshmon se edhe Shkodra u bashkua me Shqipërinë pas muajve të gjatë të rrethimit malazez.

Në tetor të vitit 1913 në prag të përvjetorit të parë të Pavarësisë, Fishta themelon të përkohshmen Hylli i dritës një nga revistat me të mira në historinë e shtypit shqiptar. Ja si shkruhej në editorialin e parë të saj “Perlimi ase programi i së përkohshmjes sonë, s’àsht tjetër veç t’torvatunt për lulzim t’Fesë e t’Atdheut, për t’marë t’Familjes e të zhdrivillimit t’Dijes në Shqypni, shka àsht njà për njà si me thànë për gjytetni e përparim të vërtetë t’komit Shqyptar”. Këtu tek kjo revistë Fishta do të tregojë një tjetër cilësi të formimit të tij kulturor; publicistikën e tij. Do të jenë me dhjetëra artikujt letrarë, politikë, pedagogjikë e polemikë që do t’i japin një tjetër përmasë personalitetit të tij. Hylli i dritës pas numrit të saj të dhjetë, kur Fishta botoi artikullin e famshëm “Nji komedi e pandershme e XX-ës qindvjetë”, në korrik 1914, u ndërpre nga autoritetet ndërkombëtare (Komisioni i Kontrollit) sepse Fishta e dënoncoi hapur për pandershmëri dhe pabesi hipokrizinë dhe intrigat diplomatike që bëheshin në kurriz të shqiptarëve. Për pasojë drejtori i saj u padit në Romë prej qeverisë ndërkombëtare si njeri i rrezikshëm për qetësinë e vendit dhe u dënua nga koloneli anglez G. Philipps me 20 muaj burgim në Maltë. Fishta iku fshehtas në Gomsiqe, tek Atë Shtjefën Gjeçovi, më pas në Vig, ku ishte Atë Pashk Bardhi e më në fund në Troshan, ku shërbente Atë Pal Dodaj, sepse vetëm atje mund të ishte jashtë juridiksionit të ndërkombëtarëve, të cilët administronin vetëm Shkodrën. Për fatin e Fishtës shpërtheu Lufta I Botërore dhe ai doli jashtë vëmendjes. Më 28 Nëntor 1913 u kremtua festa kombëtare, natë në të cilën u lidhën simbolikisht me drita kandilash, minarja e xhamisë së Fushë-Çelës me kambanoren e kishës së Gjuhadolit. Gjatë kësaj kohe u desh ndërmjetësia e Imzot Serreqit, Imzot Bumçit e Imzot Kolecit që internimi të pezullohej. Filloi edhe Lufta e Parë Botërore dhe çështja e Fishtës sikur u harrua, sepse ndërkombëtarëve u desh të merreshin me të tjera gjëra më të rëndësishme. Janari i vitit 1916 e gjen Shkodrën sërish të pushtuar, kësaj here nga austro-hungarezët, tashmë jo për ndonjë përfitim territorial, por më tepër për justifikim strategjik. Ky vit do të shënojë tre ngjarje të rëndësishme për Fishtën: Themelimin e revistës Posta e Shqipënisë, instalimin e shtypshkronjës françeskane, si dhe krijimin e Komisisë Letrare të Shkodrës.

Më 3 gusht 1916 Luigj Gurakuqi së bashku me Rajko Nachtigall, Gjergj Pekmezin etj, themelon Komisinë Letrare qëllimi i së cilës ishte zhvillimi i arsimit dhe i literaturës së gjuhës shqipe, e që kjo e pjekun, të bahej gjuhë e përbashkët”. Komisia Letrare e Shkodrës hodhi bazat e drejtshkrimit bazuar mbi të dy dialektet e shqipes, si dhe punoi për një terminologji të re për administratën shqiptare. Këtij institucioni ia shtonin vlerat personalitete të tilla si: Ndre Mjedja, Mati Logoreci, Hilë Mosi, Aleksandër Xhuvani, Karl Gurakuqi, Ambroz Marlaskaj, Vinçenc Prennushi etj. Po këtë vit më 5 dhjetor 1916 del numri i parë i gazetës Posta e shqypnis shqip – gjermanisht, e cila doli dy herë në javë për dy vjet me radhë deri më 23 nëntor 1918 (gjithsej 89 numra), dhe punën e drejtorit për pjesën shqipe e kreu Atë Gjergji, i cili botoi aty afro 37 artikuj. Gazeta sipas Fishtës ishte “themelue për Kombin Shqyptar; veç po, artikuj kanë me u botue edhe gjermanisht, qi edhe dheu i jashtëm të dijë do punë tona, për të cilat Kombi mundet me pasë interesë…”. Theksojmë se sikurse Hylli i dritës, edhe Posta e Shqypnisë u mbyll nga ana administratorit francez të Shkodrës vetëm 5 ditë përpara se të kremtohej Festa Kombëtare e Pavarësisë, për shkak të disa artikujve polemikë të Atë Gjergj Fishtës. Sidoqoftë françeskanët organizuan një protestë në mbrojtje të trojeve shqiptare të mbetura jashtë kufijve politikë shtetërorë. Në vitin 1916 Fishta sjell në Shkodër shtypshkronjën, e cila do të marrë emrin Shtypshkroja Françeskane, pra françeskanët tash e mbas do të kenë shtëpinë e tyre botuese. Kujtojmë këtu se botimet e deritashme u bënë në shtypshkronjën “Nikaj”. Më 1917 Kryeipeshkvi i Shkodrës e merr Fishtën së bashku me Imzot Bumçin si pjestar të grupit negociator mes qeverisë dhe malësorëve. Në vitin 1918 qyteti i Beratit i dërgon poetit një pendë ari, në shenjë mirënjohje për ndihmesën e tij në kulturën letrare shqiptare. Me përfundimin e Luftës së Parë Botërore, ushtria austro-hungareze tërhiqet nga Shqipëria dhe sërish del në pah çështja e kufijve territorialë. Kryetari i qeverisë së Durrësit Turhan Pashë Përmeti kryeson delegacionin shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris në prill të vitit 1919, në përbërje të të cilit janë edhe Imzot Luigj Bumçi, Luigj Gurakuqi, Mehdi Bej Frashëri, Dhimitër Berati, Mehmet Konica, Mustafa Kruja dhe Dr. Turtulli. Turhan Pashë Përmeti në kushtet e paraqitjes në diplomacinë e regjur europiane, duke njohur deri diku pazotësinë e tij të komunikimit në gjuhën shqipe, si dhe këshillimet e miqve të tjerë, sidomos të Faik Konicës, emëron me zgjuarsi e taktikë diplomatike Imzot Bumçin kryetar delegacioni ndërsa Fishta është sekretar. Gjatë rrugës për në Paris Fishta ndalet edhe në Romë së bashku me Imzot Bumçin, ku edhe u pritën në një audiencë nga Papa Benedikti i XV. Materialin në konferencë të mbajtur në Universitetin e Parisit të shkruar në frëngjisht nga Fishta e lexoi Imzot Bumçi. Bie në sy në këtë studim përgatitja e gjithanshme historike, kulturore, etnografike, ndërtimi stilistikor në pikëpamje letrare gjë që mbetet ende edhe sot një model i ndërtimit të një esejeje apo shembull oratorie. Kështu në saj të aktivitetit diplomatik të Imzot Bumçit dhe At Gjergj Fishtës më 30 gusht 1919 Shqipërisë i njihej Pavarësia dhe më 19 dhjetor 1920 Shqipëria më së fundi pranohet anëtare në Lidhjen e Kombeve. Provinça Françeskane falë një brezi intelektualësh të Urdhërit me emra të tillë si: Atë Pashk Bardhi, Atë Shtjefën Gjeçovi, Atë Gjergj Fishta, Atë Vinçenc Prennushi, Atë Anton Harapi, Atë Marin Sirdani, Atë Pal Doda, Atë Ambroz Marlaskaj, Atë Martin Gjoka, Atë Justin Rrota arrin më 5 shkurt 1920 të zgjedhë të parin Provinçial shqiptar, Atë Pal Dodën.

Duke qenë se Austro-Hungaria kishte hequr dorë nga Protektorati Kulturor mbi katolikët, Selia e Shenjtë mori në duar tashmë vetë katolicizmin në Shqipëri. Kështu Papa Benedikti XV, më 12 nëntor 1920, emëron Ernesto Cozzi-n Delegat Apostolik për Shqipërinë, 35 ditë përpara se se Lidhja e Kombeve ta njihte Shqipërinë si shtet sovran, që do të thotë se Vatikani realizoi i pari njohjohen diplomatike de facto të vendit tonë. Më 1921 ridel pas 7 vitesh revista Hylli i Dritës në rrugën e ndërprerë, ndërkohë që aktivitetin e tij botues, qoftë letrar, qoftë publicistik, Fishta e zhvillon në revistën Zani i Shna Ndout dhe sikurse e cekëm edhe mëparë tek gazeta Posta e Shqypnies. Ndërkohë shkolla publike ishte një projekt i ri që Fishta me shokë e kishin gjithnjë në mendje. Niveli i deritashëm nuk ishte i mjaftueshëm prandaj duhej një shkollë një gjimnaz klasik. Duheshin siguruar ndërtesa, orenditë, paisjet dhe mjetet didaktike shkollore, personeli i duhur, leja prej autoriteteve kishtare e zyrtare. Fishta së bashku me Provinçialin e ri shkojnë në Romë dhe takojnë Kryetarin e Urdhërit dhe priten për të dytën herë në audiencë nga Papa Benedikti XV, i cili u dha një shumë prej 100 000 liretash, ndërsa Kuria Gjenerale u jep një hua me lehtësi shlyerjeje, ndihma të cilat i ndihmuan për hapjen e shkollës publike me emrin tashmë të njohur Illyricum me nxënës të të tre besimeve, katolikë, myslimanë dhe ortodoksë. Ndërtesa e blerë u bekua ditën e Shën Françeskut më 4 tetor dhe mësimin e filloi më 10 tetor të vitit 1921. Në 64 vitet të jetës së saj fillestare, ndër të cilat 22 vite si gjimnaz, duke i hequr periudhën 3 vjeçare 1933-1936 të pezullimit, kjo shkollë i ka dhënë Kishës 4 ipeshvinj, 110 meshtarë, 10 provincialë, 125 fretër. Më 6 qershor 1921 në zgjedhjet e para demokratike Shkodrën e përfaqësojnë në Parlamentin e parë shqiptarë si deputetë Ndre Mjedja, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi e Hilë Mosi. Fishta në fillim zgjidhet anëtar e më vonë kryetar i komisionit të buxhetit, anëtar i komisionit të arsimit dhe në gusht të atij viti zgjidhet nënkryetar i Parlamentit. Fishta sipas Ernest Koliqit: “Si françeskan nuk pati kurrë ndonji previlegj vetiak dhe as nuk pranoi me pasë ndonji përfitim për aktivitetin e tij në shërbim të çështjes kombëtare. Rroba fetare e përjashtonte prej çdolloj trajtimi të veçantë apo pjesmarrje në pushtet. Pasi niset në fund të shkurtit 1922 nga Liverpuli, Fishta pas një udhëtimi 12 ditor me anije, arrin më 8 mars në New York në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vizitë të cilën ai na e përshkruan mjaft bukur nga New-Yorku në një letër drejtuar At Jutin Rrotës, e cila mban datën 11 mars 1922. Duhet theksuar se Fishta nuk ishte i ngarkuar aspak prej qeverisë shqiptare për këtë mision, por intelektuali i këtij formati sikurse ishte ai, e shihte si detyrim qytetar të shenjtë të interesohej për fatin dhe dinjitetin e kombit të tij. Kështu senatorët katolikë pas takimit me Fishtën më 8 maj, me ndikimin e tyre në senat, mbështeten njohjen zyrtare të Shqipërisë. Për këtë na vjen në ndihmë një letër që Fishta i dërgoi sivëllait të tij At Pal Dodës “Ndërkaq vizita eme në Washington ka pasë si përfundim njohjen e Shqypnisë prej anës së Shteteve të Bashkueme të Amerikës. Të gjitha përpjekjet e maparshme të Qeverisë sonë, si ato të “Vatrës”, s’kanë pasë sukseç…Qenë Senatorët katolikë, të cilëve ua paçë paraqitë çashtjen sidomos në pikëpamje fetare, ata qi me ndërhimje të veta xuerën njohjen zyrtare të Shqypnisë nga Qeverija amerikane”. Faik Konica në përgjigje të një letre që Fishta i kishte dërguar, i shkruan nga Bostoni këtij të fundit: “Ju falem nderit për letrën e bukur që më dërguat. Kini lënë nër Shqipëtarët e këtushëmë nji kujtim lartësie dhe drite, që kà shuar gjithë moskuptimiet e shkuara”. Ndërkaq duke u kthyer nga Amerika, Fishta i shkruan At Pal Dodës se është duke shkruar një poemë satirike. Është fjala për poemën Gomari i Babatasit, vepër e cila u botua në dhjetor 1923, me të cilën shënoi pjekurinë e tij të plotë artistike. Po këtë vit del gazeta Ora e Maleve, që u bë shkolla e gazetarisë shqiptare, në të cilën kontribuan oratoria e Dom Lazër Shantojës, mençuria e Luigj Gurakuqit, pena ledhatuese dhe e ëmbël e Vinçenc Prennushit, studimet e holla të Anton Harapit, Nush Topalli, Ernest Koliqi, Karl Gurakuqi, Bernardin Palaj etj. Për këtë gazetë Ernest Koliqi shkruan: “Dihet se Ora e Maleve, e nisun ma s’forti me qellime kulturore, pat menjiherë nji zgjanim të papritun politik edhe u ba organi i nji grupi qi përfshinte në gjinin e vet fuqit fetare, shoqërore dhe ekonomike të Shkodrës unji dhe krejt krahinës së saj. Grupin e kryesonte Luigj Gurakuqi. Shkodra nuk njofti kurr stinë ma të lulzueshme me mugullime qellimesh e vullnetesh për nji përparim të njimendtë qytetnuer. Shkodranët pa dallim besimesh, klasash shoqnore, kulturash, me lagje të qytetit e me katunde e me male kreshnike,,, mblidheshin tok rreth Gurakuqit, -Bashkqytetarit zemër-madh e mende-ndritun, qi dinte me pajtue në shkrime në sjellje e në veprimtari ndertuese tharme jetike të traditave të shëndosha me nevojët e kohës moderne. Ai kalonte udhës i përsjellun gjithkund nga nji tubë djelmoshash e grat nga dyert e oborreve me fëmij në krah e reshëshin me nji breshën bekimesh. Kalonte si profet i rrethuem nga nderimi dashunuer i mbarë nji populli.” dhe vijon: “Prej frymzuesavet qi ishin Emzot Mjedja, Gurakuqi, Patër Gjergji, prej bashkëpuntorvet të shquem si At Antoni, Shuk Gurakuqi, Kolë Kamsi, At Bernardin Palaj, prej redaktuesavet të rendomtë qi ishim Dom Lazri dhe unë e deri ke shtypshkruesat me Gjon Shqipnin ne krye e Tom Laca, shpërdas e shitës i fletores, kjo njehej si nji gja qi ishte pjesë e sejcilit prej nesh, pjesë e shpirtit dhe e jetës s’onë.”

Ndërsa At Zef Pllumi kujton nga At Anton Harapi: “Kur kam nxjerrë “Orën e Maleve”, përveç kolegut tim Dom Lazër Shantojës, nuk kam pasë asnji njeri që të më përkrahë e të më japë ndihmë. Po, edhe miku im Nush Topalli, më ka pague shpenzimet për botimin e tre numrave të parë“.

Në votimet për Kuvendin Kushtetues në dhjetor të vitit 1923, Fishta së bashku me Fan Nolin dhe Luigj Gurakuqin përfaqëson Opozitën, por nuk qe e thënë sepse qeveria nuk zgjati as një vit, për shkak se Ahmet Zogu përmes Partisë Popullore vjen në pushtet më 24 dhjetor 1924. Burgosen Ndre Mjedja, Lazër Shantoja, Anton Harapi, Bernardin Palaj, Klement Miraj; Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi detyrohen të largohen nga Shqipëria dhe Fishta për të njëjtat arsye largohet gjithashtu në Itali, ku qëndron pranë Urdhërit Françeskan, ku pas kurimit me kujdes të ekspozimit në pavionin shqiptar në Romë më 1925, u dekorua nga Papa Piu XII, e jo sikurse është shkruar në ndonjë rast për shërbime klerikale. Hylli i dritës preu frymën përdhunshëm edhe një herë tjetër pas ndalimit të vitit 1914. Por, penda e poetit nuk heshti. Më 1924 botohet për së dyti Mrizi i Zanave dhe në vitin 1925 Vallja e Parrizit (botimi i dytë), Ifigjinia n’Aulli, Sh. Luigj Gonzaga (1927), Shqyptarja e gjytetnueme, e cila u shfaq në vitin 1929, dhe në revistën Leka, Mojs Golemi i Dibrës e Deli Cena. Në janar 1930 (këtu incidenti me Portland Cementi (142, 159, 164, 165), nis sërish pas një ndërprerje prej pesë vjetësh, Hylli i dritës, drejtimin e së cilës Fishta ua besoi sivëllezërve të tij. Po më 1930 emërohet nga Urdhëri Françeskan Lector Iubilatus honoris causa. Në vitet 1930 Fishta përfaqëson Shqipërinë në Konferencat Ballkanike në Athinë, (1930), në Stamboll, (1931), ku ai është anëtar i delegacionit së bashku me Mehmet Konicën dhe më 1932 në Bukuresht. Më 1930 ftohet dhe pranohet anëtar i Bashkimit Ndërkombëtar të Poetëve në Nju Jork, në të cilin merrnin pjesë shkrimtarë nga rreth 60 shtete të ndryshme të botës.

Image result for kastriot marku
*Kastriot Marku ka lindur më, 30 shtator 1970 në fshatin Skuraj të rrethit Kurbin. Ka kryer studimet e larta për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi"; studimet e Thelluara Pasuniversitare në Universitetin e Tiranës, ndërsa ato Doktorale (Dr. Ph.) pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike (QSA), në Tiranë. Ka bashkëpunuar me rreth tridhjetë organe të shtypit të përditshëm dhe atij periodik ; shkencor e letrar si shqip apo të huaj, brenda apo jashtë vendit si : Rilindja Demokratike, Shekulli, Mësuesi, Gazeta shqiptare, Shqiptarja.com, Koha Jonë, Republika, Gazeta 55, Tema, Kurbini, Kisha dhe jeta, Drita, Koha javore, Bota sot, Zëri i Kosovës, Kumona e së Diellës, Orana, Kuq e Zi, Miqësia/Amicizia, Emathia, Revista Pedagogjike, Jeta Arbëreshe, Fjala Hyjnore, Hylli i Dritës, Res Albanica, Studime mbi artin, Malësia, Haemus Plus, Jeta e re etj., me mbi 100 artikuj të ndryshëm për letërsinë dhe kulturën shqiptare, si dhe ka marrë pjesë në disa konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare..


Poezi:

Përhumbje, (poezi), Camaj-Pipa, Shkodër 2000.

Studime letrare:

Kritika dhe studimet letrare shqiptare në revistën “Hylli i dritës„ (1913-1944), (studim), Camaj-Pipa, Shkodër, 2000.

Studime historike:

1. Arsimi në Gallatë, Chaminade, Lezhë, 2005.

2. Kishat e Kurbinit. (Kishat dhe organizimi kishtar në Kurbin), Geer, Tiranë, 2008.

Komploti i gjuhës: Kostallari e Shuteriqi si e rrëzuan Çabejn


arshi-pipashkoder


Nga Arshi Pipa

Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe, është përmbyllësi i fazës së parë të politikës së ShNjL-së. Faza e dytë, do të ishte ajo e konsolidimit dhe e rregullimit, e rritjes dhe e “spastrimit”. Zgjati 12 vjet për të ardhur botimi i Rregullave të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1967), gjë që shënoi edhe fundin e fazës së dytë. Njëmbëdhjetë vjet për të hartuar rregullat drejtshkrimore të një gjuhe, kriteret kryesore të të cilave ishin përcaktuar në manifestin drejtshkrimor të 1956-ës, mund t’i duken dikujt një periudhë e gjatë…

Një kronologji rreth procesit të GjNjL-së

Njeriu mëson mjaft rreth këtij procesi, nga raporti i mbajtur prej Kostallarit në Kongresin e Drejtshkrimit. Ky proces ka filluar qysh më 1951 me botimin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe nga një grup i ngarkuar prej tre autorësh: Xhuvani, Cipo dhe Çabej, grup ky i përbërë nga dy prej gjuhëtarëve më me influence dhe prej të vetmëve gjuhëtarë në vend me reputacion ndërkombëtar. Xhuvani e Cipo, elbasanas, nga Shqipëria e Mesme, kishin marrë pjesë në Frontin Antifashist, një front mbështetës ky i organizuar prej Partisë, kurse Çabej nuk kishte marrë pjesë. Kështu pra, grupi ishte krejt përfaqësues nga ana politike, në një kohë kur Shqipëria, pasi ishte prishur me tutelën jugosllave, po jetonte një eufori nacionaliste, që preku vetë udhëheqësit komunistë (më 1948 PKSH e ndërroi emrin dhe u bë PPSH). Cipoja kishte botuar tashmë Gramatikën Shqipe (1949), të shkruar në toskërisht dhe ai vetë për njëfarë kohe kishte qenë edhe ministër i Arsimit. Politbyroja e dinte se ai ishte protoskë. Por ata e dinin gjithashtu se Xhuvani nuk ishte dakord me planin e tyre. Por ata e kishin varur besimin te Çabej, që ishte toskë. Por, megjithatë, ai u rreshtua me Xhuvanin. Rezultati ishte një sistem i reformuar drejtshkrimor në dy variante, gegërisht e toskërisht, “të cilët ishin në rrugën e afrimit”. Nga pikëpamja shkencore kjo ishte, në fund të fundit, zgjidhje e drejtë dhe e arsyeshme. Partia u zhgënjye dhe reagoi me mbledhjen e dy konferencave kombëtare. Konferenca e parë (janar 1952) e mori në shqyrtim gjuhësinë shqiptare në dritën e veprës së Stalinit Marksizmi dhe Gjuhësia, kurse e dyta, (shtator 1952) u fokusua në çështjen e gjuhës kombëtare letrare shqipe.

Rezultatet e konferencës së dytë, u publikuan në Buletinin për shkencat shoqërore IV 1952. Buletini hapet me një raport të gjatë (fq.3-66) “Mbi gjuhën kombëtare letrare shqipe” të Dhimitër S. Shuteriqit, më vonë Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë. Megjithëse vetë ishte gegë (nga Elbasani), Shuteriqi qe pionieri që avokatoi çështjen e GjNjL-së të bazuar te toskërishtja në shkrimet e tij, të cilat përfshinin vjersha për Partinë dhe liderin e saj, Hoxha.

Teza e Shuteriqit është se, duke filluar me periudhën e Rilindjes (1872-1912), toskërishtja letrare ka dominuar mbi gegërishten letrare. Këtë ai e provon me statistika të nxjerra prej Bibliographie Albanaise (1912) të Legrandit për periudhën 1800-1877, si dhe prej veprës së Guys me të njëjtin titull (1938) për periudhën 1900-1910. Statistikat e tij tregojnë se nga një total prej 282 librash dhe të tjera botime të veçanta, 177 (63%), janë toskë (përfshi këtu edhe arbëreshët) dhe 105 (37% prej të cilëve 32% në shkodranishte) janë gegë. Ai specifikon se, prej 105 titujve gegë, 59 janë letërsi fetare (dmth, katolike) në krahasim me 29 botime fetare (myslimane e ortodokse), nga 177 tituj toskë. Ai nuk jep asnjë shembull për periudhën 1900-1944, duke u kufizuar vetëm në statistikat që kanë lidhje me shtypin: prej 177 gazetave, 51% janë toskërisht dhe 27% në gegërisht (12% në shkodranishte) pjesa që mbetet, 22%, janë në të dy dialektet. Një tjetër argument kishte lidhje me numrin e shkollave fillore. Sipas statistikave zyrtare, më 1938, Shqipëria kishte 643 shkolla të tilla, prej të cilave 377 gjenden në Jug dhe 266 në Veri, me një total prej rreth 520 000 nxënësish. Nga kjo sasi, përafërsisht 300 000 janë jugorë dhe vetëm 220 000 veriorë (57% me 43%). Në të njëjtin vit, numri i analfabetëve ishte përafërsisht 291 000, prej të cilëve rreth 125 000 ishin toskë dhe 166 000 gegë (43% me 57%).

Po të nisemi të gjykojmë prej këtyre të dhënave, mund të bihet dakord me përfundimin e Shuteriqit: “Si gjuhë e shkruar, dialekti ‘toskë’ ishte më i përhapur”. Por statistika e tij merret vetëm me periudhën më të vonë të historisë shqiptare, një periudhë që shkon prapa një shekull e gjysmë për sa u përket statistikave për gazetarinë dhe tre çerekë shekulli për sa i përket letërsisë. Letërsia shqipe fillon me Mesharin e Buzukut të botuar më 1555 dhe ka vazhduar për gati dy shekuj me një seri veprash të Budit, Bardhit e Bogdanit, me autorin e Kuvendit të Arbnit, Da Leçen e Kazazin, të cilët formojnë një traditë shkrimi gegë e katolike, ku i vetmi përjashtim është uniti Lekë Matrënga. Pse Shuteriqi e shpërnjeh kryekëput gjithë këtë traditë letrare? Për shkakun se kjo traditë është fetare? Po ne shohim se letërsia fetare është përfshirë në njehsimet e tij për periudhën e Rilindjes. Atëherë, në qoftë se Buzuku, Budi e Bogdani shkruan letërsi fetare, Bardhi hartoi të parin fjalor të shqipes, kurse Da Leçe përpiloi të parën gramatikë të shqipes, asnjëra prej tyre vepër me karakter fetar. Me zgjedhjen e periudhës së Rilindjes si suazë reference historike, na duket se Shuteriqi e ka kthyer nacionalizmin në kriter kryesor të zgjedhjes së tij. Mos vallë i përjashtoi shkrimtarët më të hershëm me arsyetimin se katolicizmi ishte diçka mbikombëtare? Por Budi, Bardhi e Bogdani ishin nacionalistë, madje, në njëfarë kuptimi ata mund të thirren si etër të nacionalizmit shqiptar. Në fund të fundit, diskriminimit që u bën Shuteriqi shkrimtarëve katolikë të hershëm, mund t’ia kërkojmë shkakun tek diçka që ata të gjithë kanë të përbashkët, dmth, qenia e tyre, përveçse gegë e katolikë, edhe priftërinj.

Një arsye tjetër e sjellë prej Shuteriqit në favor të toskërishtes, është se ky dialekt ka një gjuhë letrare, kurse gegërishtja ka dy. Për rrjedhojë “idiomat gegë patën zhvillim letrar. Por si gjuhë ‘e shkruar’ ato nuk luajtën rolin kryesor në zhvillimin e kulturës së re”. Në qoftë se Shuteriqi me “kulturë të re” kupton kulturën socialiste, thënia e tij ka brenda një kundërthënie për faktin se Migjeni, i konsideruar prej vetë “kulturës së re”, si i pari poet socialist shqiptar, shkruante gegërisht. Por Shuteriqi kishte natyrisht të drejtë kur thotë se toskërishtja letrare është më e unifikuar se gegërishtja letrare, e cila ekziston në dy variante: shkodranishte dhe elbasançe.

Po, gjithsesi, sa i rëndësishëm është ky dualitet? Diferencat mes dy varianteve janë minimale dhe, çfarë është edhe më e rëndësishme, ka ekzistuar prirja për t’i eliminuar ato. Mandej, as toskërishtja letrare nuk ishte krejtësisht e unifikuar (siç e provon vetë procesi i formimit të ShNjL-së), edhe pse ishte diçka më e unifikuar se gjegjësja e saj gegë. Por kjo nuk mund të ishte arsyeja vendimtare që të parapëlqehej e para ndaj së dytës. Shuteriqi vetë e pranon se “shkalla e zhvillimit të dy dialekteve është pothuajse e njëjta”. Dhe pastaj shton: “A mund të themi sot se njëri dialekt i shqipes është më i përparuar se tjetri, dmth, më i pasur në leksik dhe më i përkryer në sistemin gramatikor? Për sa kemi njohuri ne sot mbi gjuhën tonë, mendoj se një gjë e tillë nuk mund të thuhet”. Raporti i njëanshëm dhe plot kundërshti i Shuteriqit hasi në rezistencë të fortë. Në fjalën e tij Xhuvani theksoi se “të dy dialektet kanë ndikuar të njeri-tjetri, duke ecur së bashku si dy qe në një zgjedhë”. Ai e gjente gramatikën toske më konservative, kurse leksikun gegë më të gjerë. Ai theksoi se disa gjuhë ballkanike, si psh, rumanishtja e serbokroatishtja, e kryen unifikimin e tyre pas një procesi evolucionar, përkatësisht, dy e tre shekujsh, kurse greqishtja vazhdon të jetë e paunifikuar. Që një dialekt të bëhet gjuhë kombëtare letrare, ky dialekt duhet të arrijë e të depërtojë të gjitha shtresat e popullatës, gjë që kërkon një proces shumë brezash. Ai e quajti përdorimin e një abetarje toske nga shkollarët gegë si “antipedagogjike” dhe, madje, “antifiziologjike”, për sa kohë që kjo gjë e dhunon aparatin e tyre të të folurit për t’iu përshtatur një fonetike për të cilën nuk është gatuar. Më në fund, ai e quajti projektin e Shuteriqit për një ndryshim revolucionar në zhvillimin e gjuhës si në kundërshtim me tezën e Stalinit, se gjuhët nuk pranojnë përmbysje të papritura.

Çabej e quajti të gabuar vetë konceptimin e GjNjL-së. Sipas tij, zgjidhja shkencore e çështjes së gjuhës kërkon realizimin e dy detyrave paraprake: mbledhjen e materialit gjuhësor dhe studime të avancuara gjuhësore. Ai vuri në dukje se nuk ekzistonte ende një fjalor përfshirës i shqipes, që të përmbante fjalët që përdoren në të gjitha krahinat e vendit plus diasporën. Mungonte gjithashtu një fjalor etimologjik i shqipes, atlasi linguistik, një regjistër sistematik për toponimet; mungonin monografi për gjuhën e autorëve të vjetër, përshkrime monografike për të paktën dialektet më kryesore, një histori e gjuhës shqipe, një gramatike historike e po asaj monografie që evidentojnë shkallën e ndikimit të gjuhëve të huaja mbi shqipen. Kur erdhi te çështja nëse gegërishtja letrare duhej t’i nënshtrohej toskërishtes letrare, ai tha: “…Nga pikëpamja letrare, nuk shoh ndonjë hata te fakti se jo të gjithë shqiptarët e shkruajnë gjuhën e tyre me të njëjtën mënyrë. Lulëzimi i letërsisë antike greke ka ndodhur në kohën e dialekteve”. Formula e Çabejt ishte “diversitet në unitet”; rekomandimi i tij: “afrim i vijueshëm i të dy dialekteve në të shkruar” . Ai përfundoi duke thënë se problemi i gjuhës kombëtare letrare “është i pazgjidhshëm, për sa kohë që dialektet e shqipes, nuk janë studiuar mirë “. Kritika e Çabejt ishte një rrëzim i pakompromis i projektit të ShNjL-së, ku strumbullari i argumentimit të tij ishte se agjencia e GjNjL-së, e ngutur për realizimin e projektit të saj, po mprehte karrocën para kalit.

17 studiues dhe shkrimtarë (11 gegë e 6 toskë) morën pjesë në debat. Gjuhëtari Domi shprehu rezervë rreth projektit të bashkëqytetarit të vet. Dy gjuhëtarë të tjerë gegë, Dodbiba dhe Myderrizi, e hodhën poshtë komplet. Shkodra ishte e përfaqësuar prej tre historianësh të gjuhës: Zamputi foli kundër projektit; Ashta dhe Kastrati iu shmangën çështjes. Poeti më i mirë i Shqipërisë së asaj kohe, Siliqi, ishte mohues; dhe po i tillë qe edhe i vetmi dramaturg i kohës, K.Jakova (të dy shkodranë). Prej atyre që e mbrojtën projektin, Spasse dhe Varfi, ishin shkrimtarë, Z.Sako folklorist. Një tjetër shkrimtar toskë, J.Xoxa, qëndroi neutral. Përfundimi: 9 diskutantë, të gjithë gegë me përjashtim të Çabejt, u shprehën kundër projektit; të pestët, që ishin pro qenë toskë, përveç S.Kodrës.

Kur erdhi puna për t’u hedhur në votë, konferenca miratoi rezolutën, sipas së cilës, të gjitha botimet ishin bërë në toskërisht. Pas një viti, një tjetër Konferencë Kombëtare për Drejtshkrimin, rekomandonte “thellimin e mëtejshëm të procesit të unifikimit drejtshkrimor”, i cili nënkuptonte që shqipja letrare duhet të bazohej në variantin drejtshkrimor toskë. Fati i letrarishtes gegë po zgjidhjes me dy variante. Fjalori i Cipos (1954), pasqyron konkretisht rezultatet e debatit lidhur me çështjen: fjalori është shkruar toskërisht, por përmban, siç e kemi parë, një numër të madh fjalësh në dy variantet dhe, madje, frazeologji gegë. Megjithatë, ai sanksionon hegjemoninë e toskërishtes, e cila vazhdoi për gjithë dekadën që vinte pas.

Por udhëheqja nuk ishte e kënaqur me hegjemoninë e toskërishtes letrare. Ajo çfarë kërkonte ajo ishte asgjë më pak se shkallmimin e gegërishtes letrare, madje, shuarjen krejt të gegërishtes si dialekt.

Më 1956, doli në dritë edhe një tjetër Drejtshkrim i Gjuhës Shqipe, këtë herë i hartuar prej një grupi katër vetash: Xhuvani, Çabej, Domi e Kostallari. Cipoja kishte vdekur ndërkaq. Një tjetër militant, Domi, edhe ky nga Elbasani, i kishte zënë vendin. Grupit iu bashkua edhe një leksikograf i ri, Kostallari. Ai ishte komunist, njeri i Partisë brenda një grupi pa parti. Roli i tij ishte të transmetonte atje diktatin e Partisë. S’ka asgjë për t’u çuditur që anëtarët e tjerë, shto këtu edhe Xhuvanin, edhe Çabejn, u topitën. Nëse atyre nuk u kishte rënë në vesh se çfarë e kishte gjetur Polivanovin, ata mund ta merrnin me mend. Kostallari e përshkruan veprën drejtshkrimore me një shënim në të: “zgjidhjet për dy variantet u reduktuan në mënyrë të ndjeshme”.

Kështu, pra, Partia e fitoi betejën madhore ideologjike. Kishte zgjatur rreth pesë vjet, periudhë kohe e papërfillshme kjo për të, po të kemi parasysh se të dy dialektet kanë qenë zhvilluar krah për krah, edhe pse jo krejt në përputhje, për më shumë se dhjetë shekuj, kurse tradita letrare me dy variante ka një histori të paktën pesëshekullore. Kostallari ka të drejtë kur thotë se Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe është përmbyllësi i fazës së parë të politikës së ShNjL-së. Faza e dytë do të ishte ajo e konsolidimit dhe e rregullimit, e rritjes dhe e “spastrimit”. Zgjati 12 vjet për të ardhur botimi i Rregullave të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1967), gjë që shënoi edhe fundin e fazës së dytë. Njëmbëdhjetë vjet për të hartuar rregullat drejtshkrimore të një gjuhe, kriteret kryesore të të cilave ishin përcaktuar në manifestin drejtshkrimor të 1956-ës, mund t’i duken dikujt një periudhë e gjatë. Kostallari shpjegon se ideja për një drejtshkrim mbi një variant nuk kishte qenë punë e lehtë për t’u realizuar. Ai veçon dy faktorë: “Së pari, vetë gjuha letrare me ritmin e saj të pashoq, i përcaktoi më qartë prirjet e saj themelore të zhvillimit”. Kësaj i thonë se unifikimi i drejtshkrimit ishte thjesht hapi i parë për unifikimin e gjuhës, diçka e cila nuk mund të kryhej brenda një apo dy vitesh. “Së dyti, duke përvetësuar gjerësisht metodologjinë marksiste, gjuhësia jonë depërtoi më thellë në njohjen e strukturës dhe historisë së shqipes bashkëkohore: disa nga problemet kyçe të saj u trajtuan në analiza të hollësishme monografike me gjuhën letrare e normat e saj si bosht qendror”. E kemi paksa të vështirë për ta kuptuar sesi “përvetësimi gjerësisht i metodologjisë marksiste” mundet “të depërtoje më thellë në njohjen e gjuhësisë”. Ajo që të lë pa mend në këtë frazë është “gjuha letrare e normat e saj” një lapsus calami tipike që na zbulon, se ndërmarrja e ShNjL-së, nuk priti botimin e rregullave drejtshkrimore që të pohohej si e tillë. Fjalori i 1954 si dhe manuali drejtshkrimor i dhanë tashmë gegërishtes letrare një goditje vdekjeprurëse dhe funerali i saj pa ceremoni do të ishte një çështje kohe. Gjuhëtarët e rinj komunistë, që e kishin mësuar metodologjinë marksiste-leniniste në Bashkimin Sovjetik, ndër ta edhe Kostallari, mund të punonin tani e prapa me nge e t’i përkushtoheshin me përshkrime monografike nëndialekteve gegë e toskë, punë e padëmshme kjo, po qe se do të ishin të kujdesshëm e me të njëjtën frymë, Kostallari shton se gjatë fazës së dytë, shumë kujdes iu kushtua mbledhjes sistematike të leksikut dhe frazeologjisë, si dhe mjeteve për “pasurimin e tij”. Ky i fundit ishte specialitet i Kostallarit.

Pjesën tjetër ne tashmë e dimë, dmth, se çfarë ngjau pas botimit të rregullave drejtshkrimore. Mund ta quajmë këtë fazë të tretë, si faza kostallariane, ku ai po ngrihej shkallë-shkallë në statusin, të cilin dikur e gëzonte Marr-i në Bashkimin Sovjetik. Te një artikull që kam shkruar në shqip, Kostallarin e kam quajtur marrist dhe, madje, e përshkrova si Marr të Shqipërisë. Por Kostallari ka shkruar një artikull të gjatë, në të cilin përshëndet dënimin e Marrit prej Stalinit. Mos vallë i kisha rënë në qafë kot kolegut tim të nderuar?

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...