2016-11-02

“PSE NA VRATË O VËLLAZËN SHQIPTARË?”


Lumturimi i heronjve martirë të Kishës Katolike dhe të kombit shqiptar të shtunën që vjen, shënjtërimi i bijës së kombit Nënë Tereza fillim shtatorin që kaloi dhe emërimi kardinal nderi i Dom Ernest Troshanit kohët e fundit, janë një njohje nga ana e Vatikanit e vuajtjeve çnjerzore dhe e shfarosjes së një numri të madh të viktimave të pafajshme të regjimit komunist në Shqipëri. /

1 Frank shkreli (2)

Nga Frank Shkreli

Siç është njoftuar tanimë nga Vatikani si edhe nga Kisha Katolike Shqiptare, ceremonia e lumturimit të 38-martirëve katolikë do të celebrohet në Katedralen “Shën Shtjefni” në Shkodër më 5 nëntor 2016. Aktivitete të ndryshme kulturore dhe fetare prej pothuaj një jave, po i paraprijnë ceremonisë solemne. Ceremonia fetare do të kryesohet nga përfaqësuesi i posaçëm i Vatikanit, Hirësia e Tij Kardinali i Kongregatës për Çështjen e Shenjtërve, Angelo Amato. Në këtë ngjarje historike për Shqipërinë dhe shqiptarët do të marrin pjesë zyrtarë të lartë të Kishës Katolike nga Europa dhe mbarë bota. Në një shënjë ringjalljeje të Kishës Katolike shqiptare, do të jenë të pranishëm në ceremoni mbi 300 meshtarë nga të gjitha trojet shqiptare në Ballkan si dhe nga diaspora. Në shënjë simbolike të unitetit kombëtar janë ftuar të marrin pjesë në këtë ceremoni edhe udhëheqsit më të lartë politikë dhe shtetërorë të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës. Kisha do të jetë e hapur për të gjithë pa dallim dhe përveç mediave të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare që do të mbulojnë këtë ngjarje, pritet që i gjith ky kremtim të transmetohet aty për aty nga televizioni publik shqiptar, TVSH.

1-lumnimi2
Lumturimi i këtyre heronjve martirë të Kishës Katolike dhe të kombit shqiptar të shtunën që vjen, shënjtërimi i bijës së kombit Nënë Tereza fillim shtatorin që kaloi dhe emërimi kardinal nderi i Dom Ernest Troshanit kohët e fundit, janë një njohje nga ana e Vatikanit e vuajtjeve çnjerzore dhe e shfarosjes së një numri të madh të viktimave të pafajshme të regjimit komunist në Shqipëri. Këto tre vendime historike të Vatikanit ndaj Kishës Katolike shqiptare, në të vërtetë, janë një njohje edhe nga mbarë bota e dhunës dhe e shkeljeve që i janë bërë këtij kombi të vogël për pothuaj një gjysëm shekulli nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, pa dallim feje ose krahine, megjithëse proporcionalisht, kleri katolik e pësoi rëndë nga ky regjim duke pasur numrin më të madh të viktimave.

Në të vërtetë, me njohjen dhe me kurorërzimin e heroizmit fizik dhe shpirtëror të këtyre klerikëve katolikë shqiptarë duke i shpallur të lumtur, Kisha Katolike si një institucion botëror, siç thuhet edhe në një njoftim të Radio Vatikanit, akordoi këtë njohje të merituar jo vetëm martirëve katolikë, por është njëkohsisht edhe një shënjë simbolike mirënjohjeje nga ana e Vatikanit për të gjithë ata burra, gra, pleq e fëmijë, të cilët, si pasojë e një ideologjie ateiste, krejt të huaj për botën shqiptare, u dënuan padrejtësisht gjatë pothuaj një gjysëm shekulli, duke pësuar si pasojë torturat nga më çnjerëzoret që kishte njohur shekulli i kaluar. Si të tillë, këta të lumtur nuk i përkasin vetëm Kishës Katolike por janë edhe heronjë të Kombit shqiptar, të cilët trimërisht, në heshtje dhe plot dinjitet i qëndruan dhunës së bishës së kuqe komuniste sllavo-aziatike të imponuar mbi shqiptarët. Ata ishin dhe janë simbol i qëndresës kombëtare — atëherë dhe sot — ndaj të keqes që i është kanosur këtij kombi të vogël të shumë-vuajtur, i përbuzur dhe i sulmuar gjithmonë nga të huajt, por i cili dijti që përballë sfidave të mëdha historike gjatë shekujve të ruante vlerat dhe virtytet më të larta njerëzore, traditën, gjuhën dhe kulturën, jo vetëm në fushën fetare por edhe atdhetare.

Por megjith këtë histori të tmerrshme dhune, madje edhe sot 25-vjetë post-komunizëm, në nivelet më të larta të institucioneve të qeverisë dhe të shtetit shqiptar, ka ende individë, përfshirë pseudo-historianë dhe grupe të ndryshme të shoqërisë, të cilët vazhdojnë të fshehin të vërtetën dhe ex-catedra arsyetojnë gjithnjë viktimizimin e këtyre të pafajshëmve dhe të tjerëve si këta se gjoja, sipas tyre, ata kanë na paskan bashkpunuar me pushtuesin dhe si rrjedhim i meritonin mundimet dhe vuajtjet dhe asgjë më pak se zhdukjen e tyre fizike nga shpellarët e ish-regjimit komunist. Është thekësuar shpesh, por më kot, nga shumë vërejtës vendas dhe ndërkombëtarë gjatë 25 viteve të kaluara, sidomos nga miqtë e Shqipërisë dhe të shqiptarve, se autoritetet shqiptare dhe shoqëria në përgjithsi duhet pa tjetër të përballen me të vërtetën e kësaj historie tragjike duke u ërë thirrje që të hapin dosjet e ish-Sigurimit famëkeq të shtetit, me qëllim që të mësohet e vërteta e kësaj historie tragjike.

Para disa ditësh, Zëri i Amerikës, nepërmjet korrespondetit Ilirian Agolli, në një kronikë nga Tirana raportoi se apeli më i fundit drejtuar pushtetarve të Tiranës në lidhje me këtë çështje, erdhi nga Kryetari i Zyrës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Bernd Borchardt. Në takimin, “Hapja e dosjeve të Sigurimit – Sa më shpejt aq më mirë”, organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer, ambasadori Borchardt u shpreh se vetëm zbulimi, trajtimi dhe diskutimi i padrejtësive të shkuara, nuk lejon që e kaluara të bëhet barrë për të ardhmen. Çfarë të ardhme duan për vendin e vet, autoritetet shqiptare që për 25 vjetë tani kanë refuzuar hapjen e dosjeve të komunizmit për të zbardhur krimet e komunizmit, përfshirë vrasjet e 38-martirëve që do të lumturohen këtë fund jave në Shkodër. Zëri i Amerikës njoftoi gjithashtu nga konferenca se “Politikanë dhe zyrtarë, socialistë dhe demokratë, morën fjalën për të bërë një mori sqarimesh ligjore dhe procedurash parlamentare, pa mundur të shpjegojnë se si ka ndodhur që pas 25 vjetësh demokraci, përsëri ka mbi një vit që nuk zbatohet as ligji i moderuar i hapjes së dosjeve, që i ofron ato vetëm për studime dhe jo për lustrime”. Një shënjë tjetër kjo e arrogancës dhe e mos-veprimit të autoriteteve shqiptare për një çerek shekulli post-komunizëm, në lidhje me hapjen e dosjeve të komunizmit. Ky nuk është vetëm një qëndrim arrogant i Tiranës zyrtare, por është edhe një sjellje fyese dhe përbuzëse ndaj të gjitha viktimave të komunizmit në veçanti dhe ndaj publikut shqiptar në përgjithësi dhe është një faqe e zezë në biografinë e këtyre pushtetarëve të cilët kanë patur përgjegjësinë, mundësinë dhe autoritetin për të bërë një gjë të tillë.

Prandaj për derisa autoritetet shqiptare nuk hapin dosjet ashtu siç kanë bërë ish-vendet komuniste të Europës Lindore dhe për derisa disa pseudo-historianë shqiptarë vazhdojnë të hedhin baltë mbi viktimat e pafajshme të një regjimi kriminal të cilit ata i shërbyen gjithë jetën, Shqipëria as shqiptarët nuk do të ecin përpara. Por ama, duan a s’duan këto mbeturina të regjimit komunist, bota po e zbulon të vërtetën. Këta martirë shqiptarë që sot i njeh bota si të tillë, si dhe pasardhësit e tyre të gjallë, janë vëllezër e motra, pjesëtarë të denjë të një Atdheu të përbashkët i të gjithë shqiptarëve pa dallim. Publiciteti që u jepet në media mendimeve të këtyre nostalgjikëve të shëmtuar dhe të diskredituar të komunizmit në këtë kohë, nuk është diçka e rastit. Këta apologjetë të regjimit vëllavrasës, madje edhe 70-vjetë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, vazhdojnë të mbjellin urrejtje dhe inate midis shqiptarëve duke e mbajtur shoqërinë shqiptare peng dhe në një konflikt të përhershëm, trashëgimi e një regjimi diktatorial dhe të një ideologjie të vdekur. Por këta nostalgjikë të komunizmit ende nuk e kanë kuptuar se e vërteta dhe idetë e mëdha nuk mund të mbahen të mbyllura për gjithmonë në çmendurinë e metalitetit të Enver Hoxhës, ku ata gjithnjë mendojnë, veprojnë dhe jetojnë. Mos mashtroni veten se ju nuk jeni aspak më të mirë e më të denjë të Shqipërisë së Gjergj Kastriotit Skënderbe, të Shqipërisë së Ismail Qemalit, të Fan Nolit, Bajram Currit, të Luigj Gurakuqit e shumë të tjerëve — në krahasim me këta martirë dhe të persekutuar të tjerë të atij regjimi komunist diktatorial që ju gjithnjë gjeni forcën morale ta mbroni. Jo, jo mos e gënjeni veten se nuk jeni aspak më të mirë. Përkundrazi, me qëndrimet tuaja, me shkrimet dhe deklaratat tuaja, ju nuk i bëni nder as vetes as kombit shqiptar, por jeni duke mbajtur pengë Shqipërinë e mjerë, ndërkohë që viktimat e komunizmit po i vrisni për së dyti, për së treti e për së katërti, në të vërtetë sado herë që hapni gojën. Dhe jo vetëm këta të lumtur të Kishës dhe të Kombit, por të gjitha viktimat e komunizmit në Shqipëri të cilët nëpërmjet historisë së këtyre 38 martirëve, tani kundër vullnetit tuaj, bota e njeh sadopak më mirë të vërtetën e krimeve të tmerrshme të burgut të regjimit të Enver Hoxhës ndaj popullit të vet të pafajshëm, në përgjithësi.

Jo vetëm historia e kombit shqiptar pret përgjigje për 25 vjetë tani prej autoriteteve zyrtare të shtetit dhe mbështetësve të këtyre krimeve të insitucioneve të dhunës komuniste, por presin përgjigje edhe martirët që do të lumturohen në Shkodër këtë fund jave. Ata duan dhe kërkojnë të dinë psehen. Duan të dinë se pse u vranë atëherë nga regjimi enverist dhe institucionet e tij të dhunës dhe pse vazhdojnë të vriten edhe sot nga autoritetet e vendit dhe nga nostalgjikët e regjimit enverist. E gjithë kjo në një shtet që pretendon të jetë demokratik dhe i cili mburret me anëtarsimin në Aleancën Ushtarake të Atlantikut, NATO. Vet martirët e Kishës Katolike Shqiptare por as pasardhësit e tyre, ditën e lumturimit të tyre më 5 nëntor në Shkodër, nuk kërkojnë as hakmarrje as dënime kundër askujt, pasi në prak të martirizimit të tyre, ata i kishin falur xhelatët komunistë. Por u kërkojnë autoriteteve shqiptare zbulimin e të vërtetës të së kaluarës komuniste dhe njëkohësisht – para Kombit dhe para botës –kërkojnë njëzëri nga bashkatdhetarët e tyre sot, një përgjigje ndaj këtyre pyetjeve:

“Pse na vratë, o vëllazën shqiptarë; cila ishte e keqja që ju bâmë me misionin tonë, o stërnipa të Kastriotit, ku ua shkelëm doket e zakonet tueja, ku e përdhosëm kanunin tuej, o mbasardhës të Lekës; thue gabuem që ju mësuem ‘Hymnin e Flamurit’ të ngritun në bjeshkët e Dedë Gjo’ Lulit; gabuem, thue, se ecëm ndër gjurmë të opangëve të tija për me mbledhë ushtarë për Krishtin? … Me ruejtë fenë e Tij në tokën tonë të Arbënit? Thue nuk i ndejëm besës suej ndër votrat e sofrat e shtrueme e të çueme prej atyne burrneshave fisnike, që në djep druni përkunden dikur foshnje Nanë Terezën? Gabuem, thue, se kënduem në ‘Lahutë të Malcís’, kangën e Atë Gjergjit e diftuem si vdes shqiptari për Fé e Atme, ashtu si vdiq Gjeçovi? … Por nuk ka gjâ… mbasi na jemi këtu… këtu âsht toka jonë, këtu âsht trupi ynë, këtu âsht edhe gjaku ynë, që u derdh për jú, për idealin ma të naltë, për të cilin vdes shqiptari. Një ditë kemi për t’u ringjallë s’bashkut! (Shënim nga vepra “Çinarët” e Françeskanit shqiptar Konrad Gjolaj, marrë nga Radio Vatikani)

Ka ardhur koha për veprim. Mjaft më me rezoluta dhe projekt-rezoluta boshe që nuk çojnë askund. Tregojeni veten burra se më në fund pas 25 vjetë post-komunizëm jeni gati — institucionalisht dhe moralisht – të zbuloni dhe të njoftoni të vërtetën mbi krimet çnjerzore të regjimit të Enver Hoxhës, duke hapur dosjet e regjimit famkeq. Sepse për shqiptarët, trajtimi i krimeve të komunizmit, sipas ish-ambasadorit gjerman Helmut Hoffman në Tiranë, është një doemosdoshmëri që viktimave të regjimit komunist— të gjallë e të vdekur – në mos asgjë tjetër, të paktën – “T’u këthehet një pjesë e dinjitetit të tyre.”

Këthejani pra dinjitetin dhe nderin jo vetëm viktimave të komunizmit, por mbarë kombit shqiptar. Hapni dosjet e Sigurimit famkeq!

Shuajb Arnauti, Kolosi i shkencave Islame, shqiptari i shekullit

shejkh-shuajbi

Nga Jeni Myftari/Academic Adviser Embassy of SO -London Cultural Attache/

1-shejkh-shuajb-arnauti-titulli-4

1-shejkh-shuajb-arnauti-titulli-4Më 27 tetor 2016, në Aman-Jordani, ndërroi jetë në moshën 88 vjeçare dijetari i madh i hadithit, jurisprudencës, historisë Islame, Kur’anit, gjuhës dhe retorikës arabe, Shejkh Shuajb Arnauti. Shuajb Arnauti, lindi më 1928 në Damask-Siri, në një familje myslimane, atdhetare shqiptare. Muharrem Arnauti, babai i Shuajbit, mërgoi më 1926, bashkë me familjen, nga Vukatana e Shkodrës dhe u vendosën në Damask-Siri. Dy vjet më pas ju lindi një djalë të cilin e quajtën Shuajb.Familja e Muharremit për të mos humbur origjinën e vendit nga vinin, humbi mbiemrin e familjes dhe adaptoi mbiemrin “Arnauti-Shqiptar”.

Që në fëmijërinë e herëshme, Shuajbi mësoi bazat e besimit Islam dhe pjesë të shumta nga Kur’ani, fillimisht prej prindërve të tij e më pas prej mësuesve më në zë të kohës në Damask. Shuajbi, si fëmijë kishte dëshirë të mësonte të fshehtat e Kur’anit, dëshirë kjo që e nxiti më pas të thellohej në mësimin e gjuhës arabe, mësim të cilit iu përkushtua për 10 vjet me rradhë. Ai jo vetëm që ndiqte të gjitha ligjëratat e gjuhës që zhvilloheshin në medreset dhe xhamitë e Damaskut, por edhe lexonte librat më në zë të dijetarëve të kohës. Nga mësuesit e Shuajbit ishin Shejkh Salih Al Farfuri dhe Shejkh Arif Al Deuxhi, të cilët kanë qenë nxënës të dijetarit të madh të kohës së tij në Siri, Shejkh Bedr Dijn Al Husni. Prej tyre Shuajbi mësoi shkëlqyeshëm jo vetëm gjuhën arabe dhe retorikën por edhe shkencën e Hadithit (fjalës, punës dhe veprës së Profetit Muhamed s.a.a.s), komentin e Kur’anit dhe ligjet e jurisprudencës Islame.

Ndërkohë, për një periudhë të gjatë Shuajbi iu përkushtua Fikhut (Jurisprudencës Islame), duke u thelluar në studimin e 4 shkollave juridike Islame dhe veçanërisht të asaj Hanefi, të cilat i mësoi nga Abdu Rrazak el Halebi, Nuh Arnauti (babai i Shejkh Muhamed Nassru Dijn Albanit), Sulejman Gavoxhi (babai i Shejkh Vehbi Gavoxhit), ndërsa shkencën e hadithit dhe terminologjinë e mësoi nga Abdullah el Habashi, Shejkh el Kallas dhe Shejkh Salih Farfuri.

Gjatë këtyre studimeve, Shuajbi vuri re se për të nxjerrë ligje juridike të sakta dhe mbi baza shkencore, duhej që gjykimet të bazoheshin në burime të sakta hadithesh. Nga këtu i lindi dëshira të merrej me shkencën e hadithit dhe pikërisht me vërtetësinë dhe saktësimin e zinxhirit të transmetimit të haditheve. Kështu që në moshën 27 vjeçare, nga viti 1955 e deri në fund të jetës ia përkushtoi punën dhe jetën e tij saktësimit të transmetimit të haditheve, duke u bërë kështu një prej dijetarëve më të mëdhenj bashkëkohorë të Islamit.

Duke komentuar mbi këtë përkushtim të tij për shkencën e hadithit Shejh Shuaibi është shprehur: -“Një nga arsyet që më nxiti të përqëndrohesha më së shumti tek shkenca e hadithit ishte se një ditë dikush më pyeti për një hadith të cilin unë nuk e dija. I gjendur ngushtë vendosa në vetvete të përqëndrohem në këtë fushë në nderim të sunnetit profetik“.

Më 1958, Shuajb Arnauti filloi punë në Librarinë Islame në Damask, ku për 20 vjet me rradhë drejtoi departamentin e Vërtetimit dhe Saktësimit të Haditheve. Gjatë kësaj periudhe Shejkh Shuajbi saktësoi dhe korrigjoi personalisht si dhe drejtoi punën për saktësimin dhe korrigjimin e më shumë se 70 vëllimeve, nga bazat e trashëgimisë të shkencave të ndryshme Islame.

Më 1982, për arsye të papajtueshmërisë me regjimin e kohës në Siri, shpërngulet së bashku me familjen në kryeqytetin e Jordanisë, Aman.

Këtu Shejkh Shuajbi fillon punë në fondacionin “El-Risaleh” si drejtues i departamentit të “Saktësimit të Trashëmisë” ku punon deri me daljen e tij në pension. Arritjet më të rëndësishme dhe veprat më të mëdha të shkencave të Islamit të përgatitura nga Shejkh Shuajbi i përkasin pikërisht kohës së punës në këtë fondacion.

Shuajb Arnauti ishte bashkëkohës i shqiptarëve të tjerë që kanë jetuar në rajon, të gjithë dijetarë të njohur të shkencave Islame si Shejkh Muhamed Nasru Din Albani nga Shkodra, Shejkh Abdul Kader Arnauti (i lindur Kadri Sokoli) nga Istog-Kosovë, Shejkh Vehbi Suleiman Gavoxhi nga Shkodra etj, me të cilët bashkëpunoi dhe ruajti marrëdhënie të mira gjatë gjithë jetës.

Ndër veprat e shumta që la pas Shejkh Shuajb Arnauti mund të përmendim:

– El Begaui, Sherhul Sunneh (Shpjegime Terminologjike Islame), 16 vëllime.

– El Neveui, Reudatul Talibin (Kopështi i Kërkimtarëve), 12 vëllime. Këtë vepër e ka bërë në bashkëpunim me Abdul Kadër Arnautin.

– Ibn Mendhur, Medhheb El Egani (Shkolla e Lirikës), 12 vëllime.

– Ibn Meflah, El Mebdea Fi Sherh El Muknea (Fillimi në Shpjegimet Bindëse), 10 vëllime.

– Ibn El-Xheuzi, Zade El-Mesir fi Ilmul Tefsir (Rrugëtim në Komentimin e Kur’anit), 10 vëllime. Në bashkëpunim me Abdul Kadër Arnautin.

– El Rehibani, Metalib Euli Neha Sherh Gajetul Munteha (Kërkimet e para në shpjegimin e kohëve të fundit), 6 vëllime, në bashkëpunim me Abdul Kadër Arnautin.

– Ibn Kadame El-Makdasi, El Kafi fi Fikh El-Imam Ahmed ibn Hanbel (Mjaftueshmëria në Legjislacionin e Hanbelit), 3 vëllime. Në bashkëpunim me Abdul Kadër Arnautin.

– Ibn Davjan, Menar El Sebil fi Sherhi Ed Delil (Fryte të dobishme në shpjegimin e argumentave), 2 vëllime.

– Ibn Hibban, El Ihsan fi Tekbir Sahih Ibn Hibban (Mirësitë në Madhështi, Sahih Ibn Hibban), 18 vëllime.

– Edh-Dhehebi, Sijr Alam En-Nubela (Historia e Dijetarëve të Ndritur), 25 vëllime.

– Et-Termidhi, Sunen Et-Termidhi (Libri i haditheve i Termidhi-t), 16 vëllime.

– En-Nisai, Sunen En-Nisai (Libri i haditheve i En-Nisai-t), 12 vëllime.

– Ed-Dar Kutuni, Sunen Ed-Dar Kutuni (Libri i haditheve i Ed-Dar Kutuni-t), 5 vëllime.

– Ahmed Bin Hanbel, Musned El-Imam Ahmed bin Hanbel (Përforcimi, i Ahmed ibn Hambel), 50 vëllime.

– Edh-Dhehebi, Tarijkh El Islami (Historia Islame), 4 vëllime, në bashkëpunim me Dr. Bashar Awad. etj.

– En-Neveui, Rijad Es-Salihin (Udha e të Drejtëve), 2 vëllime.

– Ibn ebi El-Iz, Sherh El-Akide El-Tahauije (Shpjegimi i Doktrinës Sunite), 2 vëllime.

– El-Dhehebi, Tabekat El-Kura (Shkallët e Lexuesve të Kur’anit), 2 vëllime. Në bashkëpunim me Dr. Bashar Awad.

– Ibn Kajm El Xheuzi, Zad el Mead (Dispozitat për Akhiretin -Jetën e Përtejme), 6 vëllime, në bashkëpunim me Abdul Kadër Arnautin, etj.

Puna dhe vepra e Shuajb Arnautit përmblidhet në mbi 600 vëllime.

Përveçse dijetar i shquar, Shejkh Shuajbi ishte edhe një njeri me shpirt të madh, sa i rreptë dhe kërkues në punë aq edhe njerëzor dhe i dhembshur. Ai shquhej për modestinë, sinqeritetin, ndihmesën materiale dhe shpirtërore që iu ofronte të gjithëve, veçanërisht studentëve shqiptarë në Jordani. Nuk ka student nga trojet shqiptare që ka studiuar në Jordani, apo me herët në Siri që nuk e ka ndier nga afër ndihmesën materiale apo mbështetjen shpirtërore të Shehut, siç e thërrisnit të gjithë me rrespekt.

Shejkh Shuajbi, edhe pse i lindur dhe rritur në një familje shqiptare, gjuha e mëmës së të cilit ishte SHQIPJA, u bë një nga njohësit më të mirë të gjuhës dhe retorikës arabe si dhe të shkencave Islame. Ai gëzonte respektin absolut të të gjithë studentëve, hulumtuesve, shkencëtarëve Islam, të të gjithë njerëzve që e rrethonin, që jetonin e punon me të, që e takonin për herë të parë apo që thjeshtë shfletonin veprat e dala nga duart e tij.

Shuajb Arnauti nuk jetoi për pasuri, as për famë apo pozitë shoqërore, ai jetoi për të fituar kënaqësinë e Zotit, me thjeshtësi duke ia përkushtuar gjithë jetën e tij shkencave Islame dhe njerëzve në nevojë.

Shejkh Shuajb Arnauti vërtet nuk la pas pasuri dhe trashëgimi materiale për familjen e tij, por la pas një thesar të paçmuar dijesh që do ti shërbejë pafundësisht brezave.

Shqiptarët kanë përse të krenohen me këtë kolos të dijes dhe shkencës. Edhe pse i lindur në Siri, Shejkh Shuajb Arnauti shprehej me krenari se ishte shqiptar. Ai e fliste rrjedhshëm shqipen madje mbante edhe leksione në shqip.

Pas luftës së Kosovës, Shejkh Shuajbi bëri vizita të shumta në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Sa herë vizitonte apo fliste për trojet shqiptare sytë i mbusheshin me lot dhe thoshte: “Aty janë rrënjët e mia. Edhe gjaku ndër deje më lëviz ndryshe kur them se jam shqiptar, edhe jeta më shtohet kur vizitoj viset e mia. Vetë mbiemri i familjes time bart me vete origjinën tonë“- dhe i thoshte këto me krenari, në një shqipe të pastër dhe burimore.

Zoti qoftë i kënaqur me punën dhe veprën e tij, shpirti i tij u prehtë në paqe dhe qoftë vendi i tij në Parajsën më të lartë, së bashku me Profetin Muhamed s.a.a.s.

Nëpër gjurmët e trashëgimisë patriotike



NGA IBRAHIM VASIARI/*

Monografia ‘’Arshi Selfo Dalani – një vatër kombëtare në Kaninë’’, përveç kureshtjes së zakonshme, të tërheq vëmendjen edhe për faktin se objekti i trajtesës jo rastësisht ka hyrë në fokusin hulumtues të Prof dr Bardhosh Gaçes, autor me përvojë për studime në këtë fushë.

Duke qëmtuar nëpër kohëra episode ngjarjesh, figura dhe kontribute patriotike, në dukje anësore e me pak ‘’peshë’’, historia e kombit bëhet më e plotë, më e gjallë dhe e larmishme. Veçanërisht në zhanrin e monografisë, autorit i jepet mundësia të hyjë më thellë në mikrohapësira periudhash duke evidentuar atë lidhje të brendshme të ngjarjeve dhe kontributeve madhore me një shtresë më të gjerë miningjarjesh e faktorësh veprues më pak të dukshëm, por që në fiziologjinë e mbijetesës etno-kulturore të kombit kanë dhënë gjithnjë lëngun jetësor ushqyes. Pa të tilla studime të larmishme, hartës së madhe historike do t’i mungonte ‘’topografia rurale’’, do të mbeteshin në hije imtësitë e episodeve, karakteret, kundërshtitë dhe dilemat, do të ishin të cungëta detajet e kuvendeve dhe pak të njohura shqetësimet e rretheve më të ngushta miqësore e familjare, ato vatra të prushta që u dhanë flakë lëvizjeve madhore të kombit për liri e progres.

Prof Bardhosh Gaçe është një personalitet shumëplanësh, kontributi i të cilit shtrihet në shumë fusha të dijes dhe kulturës, të studimeve historike, pedagogjike, etnografike, folklorike, estetike si dhe në krijimtari të mirëfilltë letrare, i njohur nga opinioni shkencor e më gjerë për vepra dinjitoze.

I mirëpritur në mbarë trevat shqiptare jo vetëm si autor, por edhe si veprimtar e misionar i trashëgimisë kulturore kombëtare, ai ka vite që është nisur me një çantë librash në krah, ‘’udhëton’’ pa u lodhur në hapësirë dhe kohë, shtegton nëpër troje dhe epoka. Hera-herës qëndron e çlodhet pranë ndonjë burimi, i mrekulluar nga bukuria e viseve dhe bujaria e njerëzve që takon, shpalos me kujdes një ‘’hartë udhërrëfyese’’ paksa të çuditshme dhe nis sërish ‘’udhëtimin’’ për diku më tej, diku më larg e më thellë… hyn qetë-qetë me hap të përkorë në botën e magjishme të përrallave, në misteret e riteve e gojëdhënave, duke thithur e mjaltëzuar nektarin e pyjeve të fjetur, gjurmon çerdhe bilbilash të polifonisë labe, ndien nëpër fëshfërima gjethesh valëzimin e fustanellës arbërore. Dhe gjithçka e mbedh me një dashuri të veçantë, me përpikmëri e seriozitet shkencor, duke u përcjellë brezave ‘’sekretin’’ e mbijetesës dhe ngrohtësinë e vatrës stërghyshore.

Si gjithnjë i suksesshëm, i nderuar me tituj e çmime, prof Gaçe vijon pa ndërprerë punën e tij kërkimore me një klas të lartë profesionalizmi: i thellë në mendime, i mprehtë në gjykim e i ftohtë në analizë, skrupuloz ndaj vërtetësisë arkivore, përzgjedhës inteligjent i tematikave të veçanta, më pak të rrahura, por që meritojnë të dalin në dritë për vlerat që mbartin.

Në studimet dhe monografitë e tij gjejmë një varg figurash të respektuara kryesisht të trevës së Vlorës e Labërisë, si: Osman Haxhiu, Ibrahim Shyti, Ibrahim Abdullai, Beqir Velo Kanina, Spiro Koleka, xha Selimi i Brate etj. I zhytur deri në thellësi të turbullta kohësh ku, si në guaska koralesh, flenë perla vlerash historiko-kulturore, prof Gaçe, falë këmbënguljes dhe pasionit kërkimor shkencor, ka arritur t’i nxjerrë ato në dritë duke e bërë çdo ditë e më të plotë diademën rrëzëllitëse të thesarit tonë kombëtar.

Objekti i studimit të tij këtë herë është një tjetër figurë e respektuar e parisë tradicionale kaninjote: Arshi Selfo Dalani dhe vatra e ndezur e Dalanajve, e këtij fisi rrënjëthellë, të njohur në histori e të përjetësuar në këngë që, ashtu siç del qartë nga dokumente autentike arkivore, nga kujtime e dëshmi luftëtarësh bashkëkohës mbetet një buronjë ujëkthjellët patriotizmi me rrjedhë të pandërprerë nga brezi në brez, plot mund, gjak e sakrifica në shërbim të çështjes shqiptare.

Dalanajt janë njëri mes fiseve të dëgjuara kaninjote, aspak i rrallë e i veçantë as i shkëputur nga të tjerët, përkundrazi, pjesë e asaj elite të pranuar tradicionalisht për bëma dhe vlera morale e patriotike të provuara në vijimësi, e përfshirë organikisht në jetën dhe përpjekjet e komunitetit për liri e dinjitet. Dhe historikisht Kanina shquhet për elita të tilla. Ata që janë marrë me studime shqiptare, vendas ose të huaj, duke gërmuar dokumente jo vetëm në arkivat tona të varfra, por kryesisht në to të Romës, Bizantit, Stambollit, Vjenës e gjetkë, nuk e fshehin respektin që të imponon Kanina, ky kryefshat impresionues me emër ‘’të rëndë’’, me histori dhe rol të veçantë në hapësirën shqiptare.

Në këtë kuadër të përgjithshëm dhe brenda kohështrirjes së vet, merr dimensionin real personaliteti i spikatur i Arshi Selfo Dalanit, objekt i kësaj monografie të prof Gaçes.

Duke e hedhur vështrimin disa breza më parë në zbulim të rrënjëve të tij patriotike, autori shkon deri tek Seit Dalan Kanina, lindur rreth vitit 1776, i cili përmendet për ‘’marrëdhënie të ngushta me Ismail bej Vlorën, gjyshin e Ismail Qemalit, pranë të cilit kishte shërbyer disa vite në Bursë të Turqisë. Por edhe me Brahim Pashë Begollin nga Kosova, i cili ishte vënë në shërbim të mbretit të Egjiptit’’. Në vazhdim autori përmend se ‘’në vjeshtën e vitit 1821, në ndihmë të suliotëve në betejat kundër hordhive otomane shkuan edhe 2000 lebër, të komanduar nga Tahir Abazi e Ago Vasjari, ku midis krerëve ishin edhe Dudë Sinani (Gumenicë), Seit Dalani (Kaninë), Selim Zeneli (Shkozë) dhe Spiro Leka (Dhërmi)… në këto luftime të përgjakshme u plagosën Dudë Sinani, Seit Kanina, Selam Hasan Velça, Hamza Delvina, Kiço Qeparoi si dhe u vranë 42 luftëtarë’’. Po kështu, Seit Dalani: ‘’në vitin 1828 ishte ndër ndërlidhësit kryesorë të Ismail Pashë Vlorës me parësinë e krahinave të Skraparit, Myzeqesë, Përmetit, Tepelenës, Vlorës, Delvinës dhe Himarës për realizimin e një varg kërkesash kundër Mehmet Reshid Pashës si sanxhakbej i Janinës, për t’u rikthyer përsëri krerët vendas në administratën e kësaj treve’’

Dhe tradita patriotike kalon nga brezi në brez, nga babai tek i biri: ‘’Në luftërat e shqiptarëve për të shkëputur vargonjtë e robërisë otomane në shek XIX del në skenë i biri i Seit Dalanit, Dalan Seiti, i cili mori pjesë në disa takime e kuvende me kapedanët e tjerë të Jugut për organizimin e qëndresës antiturke’’.

Dalan Seiti shquhet për trimëri në kryengritjet e viteve 1833-1834 si dhe në vitin 1846 kundër reformave të Tanzimatit, në luftimet e përgjakshme për marrjen e kalasë së Beratit. Për të flasin mjaft dokumente arkivore, po edhe më bukur vargjet e disa këngëve popullore të kohës së tij. Disa vite më vonë, ‘’gjatë kohës që punoi në administratën e Janinës, Dalan Seiti pati një miqësi të ngushtë edhe me rilindësin e madh Abdyl Frashëri, i cili aso kohe punonte edhe ai në administratën e atij vilajetti dhe më pas u zgjodh deputet i Janinës në parlamentin otoman’’.

Traditën patriotike të fisit e vazhdoi i biri i Dalan Seitit, Selfo Dalani dhe më tej djali i Selfos, objekti i kësaj monografie, Arshi Selfo Dalani. Të duket sikur ke të bësh me një sagë, me historinë e një zinxhiri të pandërprerë brezash.

Për jetën dhe aktivitetin e ngjeshur patriotik të Arshi Selfo Dalanit flasin shumë faqe të këtij libri. Ai jetoi dhe punoi në periudhën e përpjekjeve heroike për shpalljen dhe mbrojtjen me gjak të shtetit të parë shqiptar pas një robërie të gjatë otomane. E nisi qysh herët në rini, qysh nga kontaktet e para me idetë e Rilindjes deri tek përhapja në ilegalitet e librave shqip dhe propagandimi i çështjes kombëtare; e vazhdoi më tej me klubet patriotike, me përkrahjen e çetave të para të lirisë e deri tek mbështetja e plotë e aktit madhor të shpalljes së Pavarësisë.

Hapat e parë të shtetit të ri ishin të vështirë, kohët të turbullta dhe armiqtë kombëtarë të shumtë. Po këto më mirë se kushdo i trajton në mënyrë shkencore autori i librit. Këto kohë dhe situata kritike që kaloi atdheu, ashtu si të gjithë, e ndoqën Arshi Selfon deri në pleqëri. Gjithsesi, ai dhe djemtë e tij qëndruan gjithnjë pranë atdheut, gjithnjë në krahun progresist. I përkiste atij brezi të papërsëritshëm idealistësh rilindas që mbi gjithçka vinin atdheun, ishin bashkëkohës, miq besnikë e idhtarë të palëkundur të Ismail bej Vlorës. Fati e deshte që djali i tij i vogël, Dadan Dalani, dëshmor i Brigadës V S të ishte kurbani i fundit që i dha atdheut, para se të mbyllej në një pleqëri të rëndë e me halle të reja.

Duke hedhur dritë mbi figurën e Arshi Selfo Dalanit qysh prej rrënjëve të thella e deri tek filizat e rinj gjelbërues, prof Gaçe rigjen e vendos në vendin e duhur edhe një pemë tjetër në kopshtin e bukur të patriotizmit vlonjat.E përgëzoj autorin për këtë monografi të arrirë në të gjitha pikëpamjet dhe i uroj suksese të mëtejshme në punime të tilla dinjitoze.



*Shënime për librin e Prof B. Gaçes ‘’Arshi Selfo Dajlani – një vatër kombëtare në Kaninë’’

Vatra atdhetare e Arshi Selfos në Kaninë



Nga MSc. Albert HABAZAJ

Ndër familjet zëmëdha me kontribut të çmuar në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe Shpalljen e Pavarësisë shkëlqen edhe familja e burrit të urtë Arshi Selfo Dajlani nga Kanina me rrënjë të thella në historinë kombëtare. Edhe pse rrufetë e kohës e goditën këtë lis të blertë të traditave tona historike e kulturore, familja e tij qëndroi përherë fisnike dhe me shpirt të madh lirie e atdhedashurie. Ai qe burrë kuvendi e bujar mirësie, idealist dhe optimist, që Shqipëria të rrojë e të përparojë si vendet e tjera të Europës. Xha Arshiu e shihte optimizmin si bashkudhëtar të përjetshëm të njeriut dhe shoqërisë, edhe kur shtërngatat donin t’ia shkulnin…
“Arshi Selfo Dajlani, një vatër atdhetare në Kaninë” e autorit Bardhosh Gaçe është një libër i veçantë, i llojit monografi, kushtuar atdhetarit të shquar Arshi Selfo Dajlani dhe vatrës së tij familjare, që gjurmët e tyre janë ende të gjalla në historinë e Vlorës dhe Kaninës. Duke lexuar këtë libër, shqiptarët e kohëve moderne rizbulojnë ngjarje e personazhe të madhërishëm, që nuk i kemi njohur më parë. Në këtë kuptim, Kanina është një thesar i madh kulturor e historik. Lexuesi sapo komunikon me Ardhi Selfon e Kaninën, natyrshëm sjell ndërmend figurat kombëtare si Gjergj Araniti, Sinan Pashë Vlora, Ibrahim Pashë Vlora, nënkryetarin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Mustafa Pashë Vlora e deri te Ismail Qemali, emblema e kombit tonë dhe yllësia e Lirisë dhe Pavarësisë shqiptare si dhe e shtetit të parë demokratik. Po duke shfletuar këtë monografi të autorit Bardhosh Gaçe, brezi ynë dhe brezat më të rinj ndeshen me ngjarje madhore e figura të shquara, të cilat i bëjnë dritë Vlorës dhe historisë së saj, Shqipërisë dhe historisë kombëtare.
Për të bërë kombin tonë ballëhapur, me dinjitet e të barabartë me kombet e tjera të qytetëruara të botës, shqiptarit i janë dashur apo ende i duhen bij e bija, që më shumë se çdo gjë tjetër duan vendlindjen, vendorigjinën, Shqipërinë. I duhen bij e bija që të përmbushin tre elementë të domosdoshëm: të kenë kapital e pasuri, të jenë të ditur e të zgjuar, dhe të jenë guximtarë e trima të mençur. Nga nga të tillë burra të mirë shqiptarie ishte dhe Arshi Selfo Dajlani i Kaninës, që radhitet ndër figurat e respektuara të parisë tradicionale kaninjote, me prona e ullinj në Babicë të Vogël, Kaninë, në Goricë të Nartës e në Vlorë. Edhe krushqitë i lidhte duke respektuar traditën e “përzgjedhjes së gjakut”, për jetë familjare në harmoni e me kulturë, por ushqente ambicjen për të shkuar më larg e më lart, nga derë e parë, nga derë me oxhak, me oxhak të lartë e të ndezur. Fisi rrënjëthellë i Dajlanajve, i njohur në histori dhe fis me këngë e mbajti ndezur vatrën në shërbim të çështjes shqiptare. Kjo del e qartë nga dokumentet autentike arkivore, nga kujtimet e dëshmitë e luftëtarëve bashkëkohës, nga epika historike. Dajlanajt janë njëri mes fiseve të dëgjuara kaninjote, aspak i rrallë e i veçantë, as i shkëputur nga të tjerët, përkundrazi, pjesë e asaj elite të pranuar tradicionalisht për bëma dhe vlera morale e patriotike të provuara në vijimësi, e përfshirë organikisht në jetën dhe përpjekjet e komunitetit për liri e dinjitet. Njihet historikisht për elita të tilla Kanina. Kanina, ballkoni i Vlorës shquhet si një “kryefshat” impresionues me emër të “rëndë”, me histori dhe rol të veçantë në hapësirën shqiptare. Përgjatë rrjedhave të shekujve vjen me jehonë fjala: “Kanina bën Vlorë…”.
Prof. dr. Bardhosh Gaçe, sikuse në gjithë opusin e veprës së tij monografike, kushtuar figurave të njohura të historisë, arsimit dhe kulturës kombëtare, nga ku do të përmendnim monografitë për Osmën Haxhiun, Ibrahim Abdullahun, Hamza Isain, Laze Malon, Sali Hallkokondin, Muhamet Ҫobon, Ali Asllanin, Spiro Jorgo Kolekën, Mehmet Selim Mallkeqin, Memo Meto Bratin, vëllezërit Mato e Selim Hasani, Xhebro Gjika, etj., edhe në librin e ri, kushtuar Arshi Selfo Dajlan - Kaninës na e zbërthen këtë figurë atdhetare, duke na e ringjallur atë mes atdhetarëvet të tij, kaninjotë për kontributet e mëdha që ata kanë dhënë qysh nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Shpallja e Pavarësisë Kombëtare, Lufta epope e Vlorës, 1920 dhe Lufta çlirimtare kundër Nazi-fashistëve. Veçanërisht në zhanrin e monografisë, prof. Gaçes i jepet mundësia të hyjë thellë në mikrohapësira periudhash, duke evidentuar atë lidhje të brendshme të ngjarjeve dhe kontributeve madhore me një shtresë më të gjerë miningjarjesh e faktorësh veprues më pak të dukshëm, por që në fiziologjinë e mbijetesës etnokulturore të kombit kanë dhënë gjithnjë lëngun jetësor ushqyes. Pa të tilla studime të larmishme, hartës së madhe historike do t’i mungonte “topografia rurale”, do të mbeteshin në hije imtësitë e episodeve, karakteret, kundërshtitë dhe dilemat, do të ishin të cungëta detajet e kuvendeve dhe pak të njohura shqetësimet e rretheve më të ngushta miqësore e familjare, ato vatra të prushta që u dhanë flakë lëvizjeve madhore të kombit për liri e progres.
Ky libër, kushtuar Arshi Selfo Dajlanit, me rrënjët e veta historike dhe atdhetare, bën krenar jo vetëm familjen Dajlani e pasardhësit e tyre, por vlonjatët e më gjerë, pasi patrioti Arshi Selfo e ka të lidhur veprimtarinë e tij kombëtare me atdhetarë të tjerë të njohur, si: Ismail Qemalin, Idriz Seferin, Muhamet Beshon e të tjerë. Kjo rrënjë atdhetarie është e natyrshme në familjen Dajlani, pasi ajo përcillet në marrëdhënie të hershme nga Seit Kanina në kryengritjet antiosmane apo pasardhësi i tij, Dajlan Seiti, bashkëpuntor i ngushtë i Abdyl Frashërit. Në këtë libër, shkruar me mjeshtri e profesionalizëm prej autorit tonë të mirënjohur, kuptohen lehtësisht edhe marrëdhëniet e kësaj familjeje me figura e familje të tjera atdhetare, prandaj edhe monografia mbart një kujtesë historike për ngjarje e njerëz që as brezi ynë nuk i ka njohur, të cilët kanë qënë të mbuluara nga pluhuri i harresës. Për këtë, autori, Bardhosh Gaçe, bën përjetësimin shkrimor të familjes Dajlani. Shprehet saktë e qartë studiuesi Ibrahim Vasjari (nip i fisnikut Arshi Selfo, se e ka gjysh, babain e nënës) në parathënien e librit: “Të duket sikur ke të bësh me një sagë, me historinë e një zinxhiri të pandërprerë brezash…”.
Janë marrëdhëniet e drejtpërdrejta që krijoi me atdhetarët emërmadhi Arshi Selfo Dajlani e të parët e tij, si Seit Dalan Kanina (~1776-1833) e Dalan Seiti, por, edhe brezat më pas që e dritëruan oxhakun e ndezur të vatrës kombëtare të Arshi Selfos, se, Sado Hamzareshë kapedania, nuk ia la pragun shuar fisnikut, duke i bërë Irfanë Shehen grua të ardhshme prodhimi, jete e bese. Arshi Selfua me Irfanën lindën 3 vajza e 3 djem, mbushur shtëpia me zjarr për jetën: me Miriamin, Durimin, Zenepen, Gëzimin, Dadanin dhe Gjinovefën. Me gjithë dëshirën dhe mundësinë e madhe që kam, nuk mund t’i trajtoj në shkrimin tim të shkurtër të gjashtë këta lastarë dritërorë atdhetarie, por do të kaloj si meteor nderimi në dy lule paharrimi të kopështit të Arshi Selfos. (I ka shkruar të gjitha aq saktë e bukur i mbarënjohuri profesor Gaçe). Unë i falem kujtimit të yllit të pashuar, atij të voglit e madh Dadan Dajlani, sepse për të më ka folur mësuesi i dritës në mjegull, Musa Muho; sepse atë e ka kujtuar me nderim për guximin e trimërisë mençurore të lirisë, Shefqet Peçi; sepse atij ia ka gdhendur emrin në vargjet e artit poetik, shoku i fëmijërisë, madhërori ynë Fatos Arapi. Nderoj kujtimin e Miriam Selfo Vasjarit (Veizaj), të shoqes së antifashistit nacionalist Syrja Vasjari, për fisnikërinë humane shqiptare, bukurinë dinjitoze të labëreshës dhe heroizmin stoik ndaj furtunave të rënda të jetës, që shpërthyen për të pikërisht në lulen e moshës familjare, vetëm 31 vjeç, e s’iu nda era e rrëmbyer me rrebesh deri në vitin 1980, kur ajo mbylli sytë si sokoleshë, krenare ndaj përkushtimit të dy djemve; Ibrahimit dhe Dëfrimit, për edukimin atdhetar e dituror të tyre. Barku i Arshi Dajlanit, në vijim të traditave të çmuara atdhetare e luftarake për liri e pavarësi, trashëguar brezash, kanë krijuar marrëdhënie bujare me patriotë të njohur të Rilindjes kombëtare dhe të Shqipërisë së Re.
…Para pak ditësh, në Vlorë, në sallën e madhe të pallatit të kulturës “Labëria”, patëm fatin të merrnin pjesë në përurimin e librit dhe të thoshnim dy fjalë për këtë dritare të hapur nga prof. Gaçe, Mjeshtri i madh i figurave dhe ngjarjeve kombëtare. Me këtë rast, duke përshëndetur familjarët dhe z. Sejfi Gëzim Dajlani, nip i patriotit (djalë i djalit), që është kujdesur për botimin e monografisë, si dhe autorin patjetër, them me bindje, se me këtë libër i është bërë një nder i veçantë jo vetëm kulturës dhe historisë së Kaninës e Vlorës, por i është dhënë një kontribut i dukshëm kulturës dhe historisë sonë kombëtare.





Sa për kujtesë Kryeministrit Rama

Image result for eshref ymeri

Prof.Dr.Eshref Ymeri

Në faqen e internetit“Opinion” të datës 31 tetor 2016, lexova këtë informacion me titull:“Rama provokon Greqinë: Akropolin e keni falë guximit të një shqiptari”.

Dhe më poshtë vazhdonte informacioni:

“Kryeministri Edi Rama ka postuar në Facebook një hartë të Athinës së shekullit të 16-të. Rama thekson se Akropoli është ende në këmbë falë kurajës së shqiptarit, Gjergj Dushmanit”.

Së pari, faqja e internetit “Opinion” me ç’të drejtë shkruan se “Rama provokon Greqinë”?

Kryeministri Rama nuk e ka provokuar Greqinë absolutisht. Autori i këtij iformacioni në faqen e lartpërmendur të internetit,a e di kuptimin e foljës provokoj, të përdorur në këtë kontekst, në të cilin do të thotë“e nxit dikë me qëllim të keq që të veprojë haptas e të zbulojë kështu synimet e mendimet e veta”?

Pra, Kryeministri Rama nuk e ka provokuar fare Greqinë, por i ka thënë një të vërtetë të kulluar, paçka se Greqia i trembet së vërtetës si djalli vetëtimës.

Së dyti, në faqen e internetit të gazetës “Shekulli” të datës së sotme, 01 nëntor 2016, lexova artikullin me titull:

“Deklarata për Akropolin: mediat greke reagojnë ashpër kundër Ramës”.

Me këtë rast, më bëri përshtypje të keqe një deklaratë e “ProNews”, e cila citohet në artikullin në fjalë:

“Injoranca e Kryeministrit shqiptar është për të qeshur”.

Kjo deklaratë më revoltoi tej mase. Më revoltoi për arsye se Kryeministri Rama, pavarësisht se është udhëheqësi i një formacioni politik të majtë që sot qeveris vendin, me të cilin, si qytetar i Republikës së Shqipërisë me bindje të djathta, unë jam në opozitë, ai është Kryeministër i mbarë popullit shqiptar, pra, edhe Kryeministri im, dhe kam respekt për formimin e tij, si një intelektual me kulturë të gjerë

Por duhet t’i kujtoj Kryeministrit Rama se Athina zyrtare nuk ka respekt për figurën e tij. Sepse Janullatosi, si emisar i saj në Tiranë, e ka fyer haptas kur plasi sherri për kishë-gërmadhën e Dhërmiut: nuk shkoi të trokiste në zyrën e Kryeministrit Rama dhe të diskutonte me të, por shkoi të konsultohej me Tsiprasin.

Greqia ndërhyn në mënyrë skandaloze në punët tona të brendshme, por çuditërisht, Kryeministri Rama ka heshtur.

Përfaqësuesi i kryeministrit grek Tsipras, Makropoulos, që ishte i ftuar në kongresin e partisë së Vangjel Dules, iu drejtua Kryeministrit Rama që ishte i pranishën në atë kongres:

“Si ka mundësi që ju, zoti Kryeministër, i keni në koalicion qeveritar pasardhës të atyre që kanë bashkëpunuar me nazistët gjermanë gjatë luftës?” (“Tema online". 14 qershor 2016).
E kishte fjalën për partinë e Shpëtim Idrizit.

Domethënë, Athina karagjoze kërkonte t’i jepte leksione Kryeministrit Rama se me cilat formacione politike shqiptare duhet të bëjë aleanca në strukturimin e qeverisë. Por Kryeministri Rama, në vend që t’i jepte një përgjigje asgjësuese përfaqësuesit shovinist të Tsiprasit me emrin Makropoulos, vendosi të heshtte dhe të largohej. Ky ishte një qëndrim fyes ndaj vetvetes dhe ndaj dinjitetit të Republikës së Shqipërisë.

Këto dy raste dëshmojnë për dy qëndrime fyese, të cilat dy emisarë të Greqisë kanë mbajtur ndaj Kryeministrit Rama. Këto qëndrime të revoltojnë.

Në të njëjtën kohë, Kryeministri Rama shkon në festën e ortodoksisë, të organizuar nga Janullatosi, ku i ftuar ishte edhe shovinisti me damkë serb, Irinej, i cili, sipas artikullit me titull “Rama kundër serbit Irinej: Politikë në një festë fetare”, të botuar po sot në faqen e internetit të gazetës “Shekulli”, paska deklaruar se “Kosova është tokë e shenjtë e Serbisë”.

Kryeministri Rama është shprehur kundër Irinejit dhe paska bojkotuar darkën e shtruar. Ka vepruar shumë mirë. Por Kryeministri Rama nuk mund të mos e dijë që shovinisti Irinej, sapo hipi në fronin e kishës shoviniste serbe pas vdekjes së paraardhësit të tij Pavle, deklaroi:

“Ne do të kthehemi në Kosovë, qoftë edhe pas dy mijë vjetësh”.

Pas kësaj deklarate, shovinistit Irinej i duhej ndaluar me ligj hyrja në trojet shqiptare dhe nëse do të tentonte të hynte, duhej arrestuar. Por e pabesueshme është deklarata e Kryeministrit Rama:

“Politikë në një festë fetare”.

Vallë të mos e dijë Kryeministri Rama që kisha serbe dhe kisha greke janë komisare politike në shtetet e tyre?
 Dhe se veprimtaria e tyre nuk lidhet absolutisht me punët e fesë, me punët e Zotit. Veprimtaria e tyre është tërësisht politike dhe ka në themel vetëm strategjinë afatgjatë për zhbërjen shkallë-shkallë të kombit shqiptar me kalimin e shekujve.

Sepse qoftë Serbia, qoftë Greqia, në themel të politikës së tyre kanë një ideologji shoviniste, të mbrujtur në shekuj nga komisari i tyre politik - feja ortodokse.

Prandaj, që Kryeministri Rama të lërë gjurmë në histori, siç u shpreh fill pas fitores së zgjedhjeve të vitit 2013, le të marrë guximin dhe të mos lejojë hyrjen në territorin shqiptar të shovinistit Irinej dhe të dëbojë Janullatosin nga Shqipëria, në mënyrë që të rivendosë autoritetin e vet dhe të ngrejë dinjitetin e Republikës së Shqipërisë para shovinizmit serbokaragjoz dhe grekokaragjoz.

Kam shumë respekt për horizontin e gjerë kulturor të zotit Rama dhe më gëzon shpirti që ua bëri shumë mirë shovinistëve karagjozë grekë për punën e Akropolit.

 Por e ftoj që të hapë edhe shumë “defterë”tëtjerë, për t’u mbushur mendjen grekëve se cila ka qenë dhe cila është Greqia e vërtetë, të cilën Presidenti Karamanlis, në vitin 1981, e quante me shumë të drejtë “një azil të çmendurish”.

Dëshiroj t’i kujtoj Kryeministrit Rama një thënie të artë, për të cilën jam i bindur që nuk mund të jetë jashtë horizontit të tij kulturor, një thënie kjo e shekullit XIV:

“… duke ditur vesin e grekëve, që sa më pak të gjejnë burra që t’ju thyejnë dhëmbët, aq më tepër shtyhen përpara me potere e kërcënime dhe, përkundrazi, kur hasin ndonjë burrë të vërtetë, jo vetëm përulen, por arrijnë sa të poshtërojnë veten”(Xhovani Bokaço. “Dekameroni”.

Botim i plotë. Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”. Tiranë 1993. Vëll. 3. f. 217. Përkthyes: Ali Hashorva).

Eshref Ymeri
Dejton, Ohajo
01 tetor 2016





DAFINË PËR FIQRIUN, SHKRIMTARIN TONË TË “PËRTEJ DETIT”


(Rreth librit të ri, “Derte shpirti”)

Nga:Prof. Dr. Hektor Veshi

Një vlerësim i plotë dhe i merituar nga autoritet kritik, si Bjelinski ose Dritëroi ynë, mbase, do të duhej t’i bëhej krijimtarisë letrare të shkrimtarit Fiqri Shahinllari. Kjo, nga se frymëzimet krijuese, brenda qenies së tij, janë rritur bashkë me të e shërbejnë si “livadh” frymëzues i krijimtarisë së parreshtur edhe atje, “përtej detit”, në Virgjinia të SHBA-së, ku jeton, edhe tani, kur i ka kaluar të shtatëdhjetë vitet e jetës. Sot lexuesit, jo dhe aq të shumtë në numër, për shkak të tirazhit të kufizuar të botimeve, ( me lekë pensioni!), por gjithësesi ,mjaft e shumë të kënaqur, janë njohur me krijimtarinë e tij të begatë, përmes shtatë librave në tetë vite, 2008-2016:“Lis në shkëmb”, “Kushtrimi i gjakut”, “Seriozitet, me buzëqeshje”, “Gjaku i trëndafilit”, “Brezargjendta dhe dushklisi i shenjtë”, “Dhëmbi” e, së fundi, “Derte shpirti”.(I citova saktë titujt, si ndihmesë për Bibliotekën Kombëtare pasi, përgjithësisht, u mungon adresa zyrtare e kodifikimit dhe sistemimit nëpër skedarë?! Ndërkohë që, mendoj, nuk duhet t’i mungojnë kujtesës së Kombit, si pasuri krijuese e vyer).
Format e krijimtarisë, që ka përdorur Fiqiriu, gjithmonë me sukses, janë: përshkrimi e tregimi, ku ka fituar edhe çmim; përralla, novela, romani, memuari etj., si dhe “mënçuri nga jeta”, përmes vargjeve në vjersha, deri në poemth...Në linjën e “mençurive nga jeta” na vjen në dorë edhe libri i fundit, “Derte shpirti”(Tiranë, tetor 2016).
Nuk ka nevojë të qendrojmë për të shpjeguar (për disa që nuk e dinë mirë) fjalën “derte” ose “brengë”, të cilën do ta quanim, sipas nesh, plagë e/të thellë/a shpirti, me pasoja të pariparueshme! Pasoja të tilla, me shkak kryesor nxitimin ose mos durimin për t’u thelluar në veprime, provojnë (dhe vuajnë) jo vetëm njerëzit, por edhe vetë perënditë! Më e thella, e përbotshmja, e provuar pothuaj nga çdo qënie e ndërgjegjshme- njeriu,pavarësisht nga shkalla e zhvillimit individual e klasa shoqërore, është dashuria. Tema trajtohet bukur në novelën “Laurus nobilis” (Dafina), ku personazhi kryesor, perëndia Apollon përfshihet në një vorbull ngjarjesh dashurie e brenge aq të thellë sa,po me fuqinë e perëndive të tjera, krijohet,mbin e rritet, bima mesdhetare,aq e butë e me gjelbërim të përhershëm, dafina. Dafina aromashumë, ilaç shërimi për zërin, aq aromatike për sëndyqet e gushën e nuseve, e përdorur nga njeriu edhe si kurorë nderimi për njerëzit më të shquar, luftëtarë ose poetë e shkrimtarë! ( E kush nuk e ka parë portretin e Dante Aligerit, poetit të madh Rilindas Italian, ku koka bëhet “njësh” me kurorën e tij prej dafine, si mirënjohje e lëvdim nga tërë njerëzimi që, brez pas brezi, njeh e mahnitet me veprën “hyjnore” të tij!)
“Dert” i krijohet gruas zemërmirë që, nga dashuria për burrin aq shumë të dashur, po e pamundur të lindëte fëmijë me të (!), ia rekomandon dhe e marton me dikë tjetër, ndërkohë që vetë e rimartuar, po si ai, lind fëmijë! Në pleqëri, fshehtas nga fëmijët e vetë, ia tregon dikujt, të huaj, “dertin”, që nuk korrigjohet, por që e mundon edhe se nuk mund t’ia thotë askujt nga të gjakut ose fisit. I ruhet turpit, se vazhdon ta dojë ish-burrin, që vetë e la, ia “fali” tjetrës.
Derte të tjera përshkruhen bukur e realisht në libër. Vetëm njëra, e reja Katrinë “ia del”, me ndihmën e shoqërisë, për mbrojtje e shkollim, ta mundë “ dertin”, nga fejesa qysh fëmijë, me një burrë, “baba” nga mosha, për të.
Pa e thënë hapur, me keqardhje të thellë, shkruan ky njeri i letrave, në fillim gazetar e tani shkrimtar e poet, për fatin tragjik në dashuri të dikujt, i largët në kohë e vend, për poetin rus Esenin, i martuar pesë herë, që i dha fund jetës, kur ishte tridhjetë vjeç (1925) dhe, në minutat e fundit, shkroi me gjakun e vetë poezinë e pashoqe, drejtuar “mikut”, me titull “Lamtumirë!”...Veç përmbajtjes, Fiqriut i intereson shumë të gjejë, nga Amerika, autorin e përkthimit aq bukur, në shqip, të kësaj poezie tragjike, “brengë” për këdo, si qytetar ose krijues. Nuk mund të mos e citoj këtë poezi, përkthyer nga Jorgo Bllaci edhe sikur redaksia ta shkurtojë, “për shkak të vendit, në faqet e gazetes ose Internetit”:
“ Miku im i shtrenjtë, lamtumirë/ Ty këtu në shpirt të kam, ta dish;/
Fati po na ndan sot, pa mëshirë,/ Po diku do shihemi, sërish.
Lamtumirë, mik, pa fjalë e lotë,/ Vetullat t’i ngrysësh s’ke përse,
Vdekja s’është e re në këtë botë,/ As të rrosh, nuk është gjë e re!”
Duket sikur i bën thirrje, sidomos rinisë së sotme, kudo, për të mos u përfshirë në rrjedha jete, pa detyra e synime, që kërkojnë e marrin jetë, si limontia, gangsterizmi,droga... gati pa pushim.
I ngjashëm, gati britmë dashamirëse, qytetare e shoqërore, është reagimi “dert” i Fiqriut edhe për poetin e ri vllah, Ziko Kapurani, që vitet e fëmijërisë dhe të rinisë së vetë i ka kaluar në fshatin e Fiqriut, Floq, para se të largohej e të bëhej jashtë vendit një poet i spikatur dhe i dashur për të gjithë bashkatdhetarët. “Berihaj! Na iku Zikua, miq të dashur”, duket sikur qan me dhimbje të thellë Fiqriu, kur i shkruan nga Amerika, gazetës “Vëllazërimi” të vllehëve, që botohet në Tiranë, nga Jani Gusha.
Shumë dije, mençuri, frazeologji popullore dhe përvojë jetësore përmblidhen në librin “Brezargjendta dhe dushklisi i shenjtë”, ku... lisi edhe plaket, thahet, po mbetet i pavdekshëm njeriu, njeriu i thjeshtë – “lis në shkëmb” dhe poeti, fjalëmbëli i dhembshur, i mprehtë, i ditur, i dashur, si vetë drita...ku hyn, me meritë, edhe Fiqriu vetë.
Një enciklopedi mençurie, e denjë edhe për moshën e autorit, përmblidhet në krijimin poetik 32- pjesësh, me titullin “ Luadhi i jetës dhe gjylja e kohës”, të cilin ai, me modesti, e quan “poemth”. E, si njeri me kureshtje dhe etje të pashuar për më shumë dije (ndryshe nuk bëhesh dot shkrimtar!), rreth plot thënieve nga mënçuria popullore, si: “ E humbi si Xhaferi simiten” ose “Për inat të vjehrrës, shkon e fle me mullixhinë”, etj etj., u bën pyetje miqëve e shokëve dhe lypë përgjigje: “ Më ndihmoni ju, o miq, s’e shikoni që po plas? Janë të zorçme, ndaj u lutem, me përgjërim”- parashkruan, në hyrje modestisht.
Libri mbyllet me vlerësime dhe urime për krijimtarinë e pëlqyer, nga shumë miq e shokë të Fiqriut, si: Prof. Hamit Boriçi - Tiranë, Luan Çipi- Vlorë, Fatmir Terziu- “Fjala e lirë”, Londër, Illo Foto - Nju Jork etj., të cilëve iu bashkohet edhe autori i këtyre radhëve. Madje, do të shtoja se autorë, si Fiqri Shahinllari, meritojnë mbledhje pa asnjë mungesë të krijimtarisë letrare e publicistike, sistemim në bibliotekë dhe vlerësim (lastar dafine?!), si për cilësinë dhe për rritjen, në “vetminë” krijuese, ku burimet kryesore mbeten mbresat e kujtimet nga vendlindja dhe puna e gazetarit në “Bashkimi” etj., të pasuruara nga informacioni prej kompjuterit.
Është dëshirë e detyrë, për më shumë përkujdesje ndaj krijimtarisë së autorëve shqiptarë, kudo jashtë Shqipërisë. Me krijimtarinë e zgjedhur të tyre, mund të hartohen edhe përmbledhje konkurruese dinjitoze, në prozë e poezi, madje, edhe informative shkencore, për degë të ndryshme të shkencave. Ata janë kureshtarët, zbatuesit e akumuluesit e dijeve të shkruara dhe me shumë vlerë, nga bota më e përparuar se e jona, për të cilat vendi, në rrugën e vetë, ka shumë nevojë.
Tiranë, 31 tetor 2016

At MATI PRENNUSHI O.F.M. SHPEJT DO TË JETË SHEJT !

NGA FROTZ RADOVANI

1-prennushi-203x300
Ne Foto: At Mati PRENNUSHI O.F.M. (2 Tetor 1882 – 11 Mars 1948)/
“POPULL SHQIPTAR, EC PËRPARA ME KURAJO DREJT SHTIGJËVE TË SOLIDARITETIT. ASHT NJË RRUGË E VËSHTIRË KJO, POR NË TÉ JANË  TË MBJELLUNA FARNAT E SHPRESËS.LÈ TË SHOQNOJNË FORCA E MARTIRËVE TË TU,DISHMITARË GJITHMONË NË ROJE TË LIRISË NË VITËT E PAFUND TË SHTYPJES SË RREGJIMIT TOTALITAR»/PAPA  GJON  PALI  II-Tiranë, 25 Prill 1993/
Me daten 8 Janar 1948, në gjyqin e mbyllun që po zhvillohej në mensen e burgut të Kishës së Fretenëve në Shkoder, Provinçiali At Mati Prennushi në fjalën e fundit tha:“Tash e disa shekuj na kanë ngulë ndër hûj e na kanë varë n’ konop ata që nuk deshten as Fenë as kombin, por e kemi thirrë vedin gjithmonë Shqiptarë katolikë të Gjergj Kastriotit.Kemi jetue gjithmonë me Popullin si në luftë, si në paqë. Në luftë me turkun e me shkjanë, sepse njani na mbante në robni e tjetri donte me na përpî. Ndërsa na nuk jemi nda kurr prej Popullit, por jemi përpjekë me e mësue e me i dhanë atë kulturë që ka Europa e mos me u dallue për keq prej të tjerëvet. Na kemi hapë shkolla Shqiptare e nuk kemi dallue ndër to as katolikë as myslimanë, mjaft që Populli Shqiptar të ecin në rrugën e Zotit.” (Revista “Buzuku”, nr. 18, E. Merlika, me 22 tetor 2005, Ulqin.)
***
At Mati PRENNUSHI ka lé në Shkodër më 2 tetor 1882, prej prindve Kolë e Drande Prennushi. Asht i pagëzuem me emnin Paulin. Familja Prennushi asht e vjetër në qytetin e Shkodrës. Të parët e tyne kanë ma shumë se 350 vjet që kanë ardhë nga Zhupa, fshat malor por që, asnjëherë nuk asht shkelë nga turqit deri në ardhjen e kësaj familje në Shkodër, prandej, edhe nuk kanë ndrrue Fé. Tregojnë se vazhdimisht kanë pasë klerikë në za. Ndër të fundit asht kenë Don Mati Prennushi, axha i At Matisë, që ka vdekë në vitin 1904 e asht varrosë në Rrëmaji, ku janë vorret e kësaj familje. Don Matia ishte i njohun për aktivitet atdhetar në krahinat e Veriut. At Matia trashigoi emnin e Tij, mbasi pikërisht atë vit kur Ai vdiq ky u shugurue meshtar, më datë 4 prill 1904, në Kishën e Françeskanve të Gjuhadolit. At Matia mësimet e para i mori në Troshan, ku edhe Ju kushtue Urdhnit të Shën Françeskut, i njohun në Shqipni “Urdhni i Fretënve të Vogjël, O.F.M.”. Vazhdoi në Bosnje mbasi pothuej ishte ba traditë parapërgatitore e fretënve për vazhdimin e studimeve të nalta në Austri. Kjo rrugë asht ndjekë nga pjesa ma e madhe e françeskanëve Shqiptarë, mbasi Austria jo vetëm, se ishte forcë e madhe, po ishte e vullnetëshme me ndihmue Shqipninë me kuadro të nalta në të gjitha fushat.Pergatitja e klerikëve atje bahej me dëshirën ma të madhe prej tyne mbasi atë kohë ajo shihte edhe tëposhtën që kishte marrë Përandoria Turke. At Matia studimet e nalta i përfundoi në Grac në vitin 1904. E theksova këtë fakt mbasi edukata dhe kultura e marrun në këto qendra edukimi në Austri, la përjetësisht gjurmët e veta të pashlyeshme në formimin atdhetar e fetar në të gjithë ata Shqiptarë që, edhe pse ishin nën pushtimin mizor turk, formuen atë brezni që Shqipnia nuk do të mundët me e persëritë kurrëma. Në moshën 24 vjeçare At Matia, zotnonte mirë gjuhët: latinisht, greqishtën e vjetër, italisht, gjermanisht, serbo-kroatisht dhe frengjisht, gjuhë të cilat i fliste dhe i shkruante saktësisht. Françeskani i ri e filloi misionin e tij si profesor në Gjimnazin e Fretënve dhe mbas një viti shkoi në Katund të Kastratit ku, përfshihej edhe Bajza. Ka edhe sot familje e që kujtojnë me respekt meshtarin e ri ndër votrat e të parëve të tyne.Shumë shpejt u fiton zemrën besimtarëve të vet. At Dioniz Maka më tregonte më 14 prill 1995: “Kur turqit në agoninë e tatpjetës mendonin aty nga 1905 me djegë Shkodrën, në shenjë hakmarrje për përpjekjet që po baheshin me dalë nga zgjedha e robnisë së tyne, njëditë të dielë mbas meshët, At Matia çveshi teshat e meshës e u tha besimtarëve me pritë në oborr pesë minuta. Ai vetë shkoi te qela, doli para Kishës dhe ju drejtue të pranishëmve tue nxjerrë prej xhepit të zhgunit një alltije: – Kush asht burrë dhe e don me zemër Shkodrën o sot o kurr, me ardhë mbas meje, do t’ju prij unë e do të shkojmë me i ndalue dorën hasmit turk që don me zharitë vëllaznit tonë!
Të gjithë si ishin shkuen ndër shtëpia, ndrruen teshat, u armatosën dhe u rreshtuen mbas Tij ndër kuaj për pak kohë. Dhanë kushtrimin përreth ndër male dhe nën drejtimin e At Matisë u nisën në drejtim të Shkodrës. Lajmi erdhi shumë shpejt edhe në Shkodër. Me të marrun vesht Valia dërgoi ndërmjetësit tek Kisha e Madhe e Shkodrës për me e ndalue këtë veprim, tue u premtue se ushtria turke nuk do të bajë asnjë reprazalje kundër shkodranëve. Imzot Guarini i dërgoi  një përfaqësues me u dalë para malësorëve që po vinin me At Matinë në krye. Përfaqësuesi i klerit i takoi ata pak pa mërrijtë në Vrakë dhe mbasi ishin marrë garancitë prej Valisë, malësorët u kthyen, Shkodra shpëtoi… At Matia qysh i ri asht dallue në trimni. Kishte një za të trashë dhe pak të marrun… e, si tash e kam ndër veshë zanin e tij kur këndonte Gloria…”
Me shkuemjen e Imzot Lazër Mjedjes në Prizren, aty nga 1908, At Matia shkon në Traboin, Deçiq dhe Greçë. Tue pa përditë me sy tiparët e malësorit të kulluem atje, Ai preku me dorë gjanë ma të çmueshme që e karakterizon Shqiptarin dhe që e veçon nga kombët tjera, aty ishte burrnia e besa! Në çdo votër ndër ata male përcillej ndër breza qëndresa e kreshnikia pa mburrje.
Virtyti ma i shenjti i yni besa, qarkullonte ndër damarët e gjakut të malësorit bashkë me fisnikinë dhe formulen “Fé e Atdhé”, aqsa dukej sikur ky ny i pazgjidhshëm asht lidhë njëherit me kërthizën e tij.  Prova ma e saktë asht vetësakrifica për hatër të mikut, ndërsa, për priftin edhe binte në zjarr e nuk i dhimbsej jeta si me lé së dyti. Ishin françeskanët të parët që e provuan këtë gja ndër male mbasi me ndôre të këtyne, ata mërrijtën me falë edhe gjaksin. Një veper sa Fetare aq Atdhetare e papersëritëshme. Ishte besa që në karakterin e atyne burrave ruente të forta dhe të freskëta ndjesitë Atdhetare që prisnin çdo çast me u zgjue nga dora e bekueme me gjakun e martirëve, nga dora e atij Kreshniku që shpejt do të thërriste“Çonju burra, ku jeni, drejt e në Deçiq!..”
E, mbas Tij, fluturuen edhe shqipet e Alpëve tona!
Më 24 mars 1911 janë At Mati Prennushi e At Buon Gjeçaj, që shpalosin nga gjoksi i tyne Flamurin Kombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, dhe ia dorëzojnë të pathyeshmit Trim të Traboinit, DEDË GJO’ LULIT, që me ata dy sy zhgabë që i vezullojshin prej gëzimi, e buzëngërthye nën ata mustakë të bardhë si biluri, me kësulë mbi një sy si bora e MAJËS SË BRATILËS, i mbërthyem ndër armët e të Parëve, në atë brez të punuem prej lokes qysh se rrezja e diellit kishte shkrepë ndër ato maje, me ata çakçirë nën t’ artin xhamadan ku rrahte ORA E SHQIPNISË, aty, po, ishte zëmreku i kombit ku gufonte gjaku i shkuem rrëkajë i Fatosave; aty, po, ishte ajo e forta zemër që me duer prej bronxi, ngjiti në atë shtizë të latueme në shekuj atë cohë KUQ E ZI, të qëndisun nga duert e bijave të Rozafës, po, në atë shkam ku asht daltue amaneti i GJERGJIT, që për pesë shekuj priti: AGIMIN E LIRISË…
Po, po, bash AI BURRË, që sot nuk ka as vorr!
Për këtë ngjarje kaq të randësishme përveç dokumentëve historike të botueme të asaj kohe, fotografive etj., në revistat “Leka”, “Hylli i Dritës”, etj., shkruan edhe Stephen Schwartz, Albanian Catholic Bulletin, 1994, vol. XV, fq.150, University of San Francisco: “On March 24, 1911 the Albanian double-headed eagle flag was raised for the first time in five centuries since the death of Scanderbeg. The flag was raised on the top of Deçiq mountain, near the toën of Tuzi. It had been wrapped and secretly carried from Shkoder by Franciscan Father Mati Prennushi under his religious habit.”; dhe, e përkthyeme:
“Më 24 Mars 1911, pesë shekuj mbas vdekjes së Skënderbeut, për herë të parë u ngrit Flamuri Shqiptar me shqiponjën dykrenare. Flamuri u ngrit në maje të malit Deçiq, afër qytetit të Tuzit. Atë e solli në mënyrë të fshehtë nga Shkodra, Françeskani Padre Mati Prennushi, i cili e kishte palosë nën zhgunin e tij.”
At Matia nuk asht i knaqun vetëm me lirinë e malëve mbasi atje liria pothuej nuk ishte shkelë asnjëherë. Vepra fisnike e Deçiqit vërtetë që ishte një shpërblim i luftës së vazhdueshme të malëve tona, por kënaqësia duhej me u shtri në të gjithë Shqiptarët.Asht kjo arësyeja që në qelën e At Matisë, në Greçë, shkon Imzot Lazër Mjedja dhe organizojnë takimin historik ku përpilohet një dokument shumë i randësishëm: “Memorandumi i Greçës”, më 23 qershor 1911, që i prinë ngjarjës së madhe të Pavarësisë Kombtare në Vlonë, më 28 nandor 1912.
Ky Memorandum u shkrue në gjuhën frenge nga dora e atdhetarit Luigj Gurakuqi dhe u përpilue nga Imzot Lazër Mjedja, Luigj Gurakuqi, At Mati Prennushi, At Buon Gjeçaj, dhe asht nenshkrue nga: Sokol Baci i Grudës, Ded Gjon Luli i Traboinit të Hotit, Dedë Nika Bajraktar i Grudës; Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit; Tomë Nika i Shkrelit, Col Dedi i Selcës Këlmendit; Lul Rrapuka i Vuklit të Këlmendit; Llesh Gjergji, Bajraktar i Nikçit; Gjeto Marku i Hotit; Mehmet Shpendi, i pari i Djelmënisë së Shalës; Martin Preka i Shkrelit; Prelë Marku, Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup Çuni Prekalor, Binak Lulashi Toplanas; Bash Bajrami Bajraktar i Nikajve dhe Bec Delia. Burra që nuk i vijnë ma Shqipnisë!
Ajo që sot bie në sy në këte Dokument kaq të rendsishem asht përdorimi i saktë i terminologjisë juridike të asaj kohe, kur as Shqipni pothuej “nuk kishte”…që, të jep përshtypjen e përpilimit të tij në kohën e sotme moderne prej ndonjë grupi juristësh të një shteti shumë të përparuem.
Kur malazezët shkelin tokat tona, për këto akte atdhetarie që At Matia kishte organizue atje, e kapin dhe e dënojnë me varje në litar. Gjatë zhvillimit  të gjyqit një anëtar i  trupit gjykues, i thotë: “E sheh litarin që ke në brez, në atë litar do të varim!” …dhe,  At Matia, me buzë në gaz i përgjegjët: -“Ua dij për nderë me më varë në konopin tem mbasi me siguri litari em ka me ma falë jetën!” Thanja kishte dy kuptime: Së parit, konopi i Françeskanit do të këputej, mbasi nuk do të pranonte që të varet kush në atë litar; së dyti, litari i tij nuk kishte si me bajtë peshën e randë të trupit të madh dhe të shëndetshëm të At Matisë. Asht e vërtetë që me At Fishtën ishin miq por ishin edhe bashkëpunëtorë. Për hirë të kësaj dashtnije që kishte At Gjergj Fishta për té, Ai ndërhyni tek Krajl Nikolla për me i falë jetën At Matisë. Krajli jo vetëm i fali jetën po, edhe e liroi dhe ja dha me vete. Erdhën në Shkodër ku për pak kohë punoi si profesor në Gjimnazin Françeskan. Siduket, ata i përpiqte bashkë edhe humori. At Fishta e tregonte shpesh thanjën e At Matisë para gjyqit dhe qeshëshin. Kjo vërehet edhe ndër ato pak letra të korrespondencës së tyne që për fat nuk janë zhdukë dhe, prej të cilave një muejta me e fotokopjue. Pjesa ma e madhe e tyne asht e vështirë me ra në duert’ e mija. Nuk zgjati shumë kohë dhe At Matia u kthye në Bajzë të Kastratit edhe njëherë mjedis miqve të vjetër, që e pritën me dashtninë dhe mirnjohjen e vet ma të madhe.
Në vitin 1924 asht përkrah Opozitës si gjithë Kleri Katolik Shqiptar, kryesisht ai Françeskan, kundër regjimit të Zogut. Lëvizjet e 1926 e përfshijnë edhe At Matinë, i cili mbas vrasjes së Luigj Gurakuqit, nuk donte me i ndigjue emnin as Zogut dhe as Musa Jukës. Arrëstohet prap në këtë Lëvizje bashkë me shumë klerikë të tjerë. Don Gjon Gazulli u dënue me varje dhe u ekzekutue vëndimi në Shkoder në 1927.
At Matia do të pushkatohej. Këtë herë asht At Palë Dodaj që ndërhyn tek Zogu, i cili për miqësinë që kishte me At Palin qyshë në Rubik, ia fali jetën At Matisë. Edhe ky e liron por me kusht që At Matia me u largue nga ato krahina malore. Atëherë detyrohet me u largue përfundimisht dhe emnohet në Laç të Kurbinit. Në vitin 1928 shkon në Iballe të Pukës dhe mbas pak vitësh asht famullitar në Gomsiqe. Në vitin 1941 emnohët në Tiranë, megjithëse aty nuk shtrihej veprimtaria e Françeskanëve. Në Tiranë bashkë me Provinçialin e tyne At Anton Harapin, hapin Kishën Françeskane të kryeqytetit, ku At Matia ushtron një aktivitet të gjanë atdhetar. Këto vepra as nuk perkujtohen!
Aty bashkëpunon me At Pjeter Meshkallën, Imzot Vinçenc Prennushin, Imzot Luigj Bumçin, Don Lazër Shantojën etj. At Matia jo vetëm ishte antifashist por ishte edhe anti-italian. Nuk pajtohej me pushtimin e Shqipnisë nga Italia, gja të cilën, e ka shpreh pa kurrfarë frike. Në Kishën Françeskane të Tiranës më 28 nandor 1942, ai ka vue Flamurin Kombëtar me Shqipën e flamurit të Deçiqit, pa stemat e fashizmit. Kryente vizita kortezie ndër autoritetet shtetnore edhe italiane që i kishte të detyrueme po prej tyne… At Mati Prennushi konsiderohej nga autoritetet atje: “Françeskan me ndjenja të theksueme nacionaliste dhe antifashiste italiane”. Dëshmi e At Dioniz Makës (1995).
Në Tiranë Ai u njoh me shumë përsonalitete të kohës si, me Shefqet Vërlacin, Mustafa Krujën, Maliq Bushatin, Iliaz Agushin, Musa Gjylbegun, Rexhep Mitrovicën, Ibrahim Biçakun, Lef Nosin, Cafo Beg Ulqinin etj. Të gjithë dokumentët arkivore të marrëdhanjëve të At Matisë me këta përsonalitete, flasin vetëm për ATDHETARIZËM. Ai, edhe pse ishte në Tiranë ruen miqësinë me fisin e Ded Gjo’Lulit, me Prekë Calin, Kol Zefin e Grudës, Kol Ndoun – Bajraktar’i Shalës, Lulash Gjeloshin e Shoshit dhe, veçon Gjelosh Lulin, si trim dhe atdhetar. Në grupin e politikanëve të njohun ruen respekt për Mehdi Frashërin, si politikan, jurist, historian e liberal shumë i kulturuem. (Dosja 1302).
Ndër takimet e bame me italianët shihët kjartë interesi që ata kishin për me krijue lidhje me Françeskanët e Shqipnisë, për të cilët Konti Çiano shkruen në kujtimet e veta: “Shkollat e tyne kishin edukue rininë me ndjenja të theksueme anti italiane…”
Ata ndërtuen disa qela e Kisha në zonat e Tiranës dhe në Veri, per me krijue tjera ide per ta nder Shqiptarë. Këto dokumentohën edhe sot me shpjegimet e shpënzimeve të sakta, të ruejtuna nga At Matia në Arkivin e Shtetit Tiranë. (Libri “Françeskanët”1998)
Në vitin 1943 At Matia vjen në Shkodër. Mbas emnimit të At Anton Harapit në Regjencë, në vendin e Tij si Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë, emnohet At Matia, detyrë e cila i njihët zyrtarisht nga eprorët në muejin qershor të vitit 1944. Detyrën e fillueme në gjysmën e vitit 1943 e vazhdon pa emnim zyrtar, mbasi  rruga e ndjekun me At Anton Harapin nga Argjipeshkvia e Shkodres për aprovimin e Tij në Regjencë, ka vazhdue disa muej. Mënyrën si u veprue do ta shpjegoj tashti nga burimet e vërteta për këtë çashtje: Zgjedhja e At Mati Prennushit si Provinçial asht mjaft origjinale.
Po citoj nga At Konrrad Gjolaj, i cili ishte i pranishëm në atë mbledhje porsa kishte ardhë nga studimet prej Italie. Në librin “Çinarët” (fq. 67) shkruen: “At Çiprian Nika ishte ndër françeskanët ma me vlerë që ka pasë kleri e kjo asht edhe arësyeja që kur u zgjodh Provinçial At Matia, Ai pat ngulë kambë mos me u zgjedhë At Çipriani, se komunistët punën e parë që kanë me ba kanë me pushkatue Provinçialin, prandej, t’a ruejmë At Çiprianin për ma vonë, mbasi asht i ri dhe i vlefshëm shumë për né. Ai e mori vetë detyrën e Provinçialit me bindje të plotë se do të pushkatohet, por At Matisë, nuk i bante përshtypje pushkatimi, se edhe dy herë maparë kishte shkue deri te gryka e pushkës, bile edhe deri tek stoli i konopit në Serbi.” Po në këtë mënyrë e shpjegon edhe At Dioniz Maka mënyrën e zgjedhjes së At Matisë Provinçial.
Në fq. 65, At Konrrad Gjolaj shkruen: “Ardhjen e At Mati Prennushit si Provinçial të Françeskanëve të Shqipnisë, unë e kam konsiderue gjithmonë si një fat i madh i Kishës Katolike dhe i Françeskanëve të Shqipnisë. Ai asht kenë portreti shpirtnuer, fizik e moral i një Françeskani të vërtetë. Inteligjent, trim dhe organizator. Janë tri cilësi të vështira me u kombinue, por sidukët Zoti, tue dashtë me na ruejtë me faqe të bardhë na shndriti mendjën me zgjedhë At Matinë në kohën ma të rrezikshme dhe delikate, në të cilën asht ndodhë Kisha përballë terrorit sllavo-aziatik komunist”.
Shkuemjen e At Anton Harapit në Regjencë, At Matia e konsideron të rregullt dhe në përputhje të plotë me normat ligjore të Urdhnit, mbasi vetë At Antoni ka kërkue rrugën ligjore. Mbasi u mblodhën françeskanët: At Mati Prennushi, At Pal Dodaj, At Çiprian Nikaj, At Donat Kurti, At Pashko Bardhi, At Gjon Shllaku dhe At Augustin Ashiku; At  Matia deklaron: “… U bisedue nëse mund t’i sillej ndonji dobi Atdheut me pjesëmarrjen e tij (Padër Antonit) në Regjencë, e arritëm në përfundimin se mund t’i sillet shumë, prandej e autorizueme Padër Antonin të marrin pjesë në Regjencë.”
(At M. Prennushi Dosja 1302, fq. 56, Arkivi Min. Mbrendshme, Tiranë).
Ma poshtë vazhdon: “Mbas kësaj mbledhjeje i asht kërkue mendimi Papës, dhe Vatikani në bazë të Kodit Kishtar, e lé në dorë të Argjipeshkvit. Argjipeshkvi i Shkodrës e pëlqen këtë vëndim dhe Padër Antoni shkoi në Regjencë”.(po aty fq. 57.)
Kur hetuesi e pyet At Matinë, se konsiderohët apo jo At Antoni “kriminel lufte”, përgjegja asht kjo: “Për Padër Anton Harapin nuk ka ndonjë fakt që të më bindin se ky mund të jenë kenë kriminel lufte”. (Dosja 1302 fq. 6). Letra e At Antonit që i ka dhanë Osman Kazazit njëditë para pushkatimit, ende nuk po botohet. E quej me vlerë po të ishte mundësia e një studimi të plotë për At Anton Harapin, me nxjerrë në dritë një letër të Lef Nosit, që ruhet në Arkivin e Shtetit, me të cilën Lef Nosi kërkon me çdo kusht kenjen e At Antonit në përbamjen e Regjencës.        Po aty asht e ruejtun një letër tjetër që At Matia ua dërgon të gjithë françeskanëve me rasën e vrasjes At Lekë Lulit në mënyrë mizore dhe tradhtisht, vetëm me i plaçkitë të hollat që kishte me vete. Në këtë letër jep urdhën të premë që asnjë frat të mos merrët me politikë dhe të mos ju besojnë asnjenës parti, mbasi jo vetëm mund të pësojnë fatin e At Lekë Lulit, por edhe do të njolloset me akuzat ma të këqia nga ajo parti që do t’i marrë edhe jetën.
Porosia asht e padiskutueshme. Ka një shënim me të cilin akuzojnë At Matinë, se kjo letër asht shkrue vetëm kundër Lëvizjes N.Çl. dhe formacionëve partizane. Qëllimi i vërtetë me sa duket asht frika e përzimjes klerikëve në turbullinat e kohës.
Në të vërtetë koha e turbullt dhe e pa sigurtë e vitit kobzi 1944 sjell të paprituna të njëmbasnjëshme. Shumë nana shkodrane zanë derën e kuvendit për me ju shpëtue kokat e djelmëve të kapun nga gjermanët, si komunistë ose të dyshimtë; shumë të tjerë afrohën me vërejtë se çfarë qëndrimi po mbante kleri kundrejt partizanëve; shumë të tjerë vijnë me lypë ndihmë për jetesë si Pjerin Kçira me shokë; shumë të tjerë kërkojnë me rrahë në të dy krahët dhe me e pasë mirë me të gjitha palët e, që këta të fundit, janë kenë ma të shumtit. Praktikisht në Kuvendin e Fretënve gjetën strehë edhe shumë prej atyne që ma vonë do të dëshmojnë për “veprimtarinë antikombëtare” të françeskanëve, vetëm e vetëm me sigurue një vend pune të rahatshëm, me marrë një gradë shkencore edhe ate të pameritueme etj. etj., që shtjellohën ma kjartë në ngjarjet e ndodhuna mbas vitit 1944.
Procesët e bame ndër gjyqet e hapuna të Shkodrës janë dëshmia ma e mirë dhe mbahën mend nga qytetarët, por procesët e “mbylluna” që sot edhe ato janë të hapuna e publike, për fat të keq, dëshmojnë se shumë vetë kanë mendue se komunizmi asht i “përjetëshëm” dhe asnjëherë, nuk kanë mendue se një ditë do të dalin në shesh e vërteta e veprimeve të tyne antiatdhetare e antifetare.
Nuk ishte detyrë e thjeshtë me kenë Provinçial në një kohë ma keq se në kohë të paganëve, për Françeskanët e Shqipnisë ishte koha ma e vështirë e shekullit.
Gjithshka ishte në dorën e jugosllavëve e tradhtarëve, e kush ma parë se fretnit do të kishin punë me ta?
Në fillim të Janarit 1945, At Matia asht i pari klerik katolik Shqiptar që takohet me terroristët e njohun Sheuqet Peçi dhe Mehmet Shehu, në kuvendin e Gjuhadolit në Shkoder, dhe kur ata i kanë kerkue shkëputjen nga Vatikani, At Matia u asht pergjegjë: “Kjo punë nuk mund të bahet kurr nga Kleri Katolik Shqiptar!” Pikrisht, aty ishte edhe piknisja e Gjenocidit komunist kunder Klerit tanë që vazhdoi tiraninë 47 vjetë!
At Mati Prennushi ruejti dinjitetin e vet dhe të shokëve pa madhështi. Ai u ndodh i vorfën mjedis të vorfënve të Asizit. Dijti me lidhë gjithmonë veprën me logjikën, tue arsytue gjithshka e këshillonte Atë vëllau i kuvendit. Per këte flasin kjartë dokumentat e Dosjes së Sigurimit të shtetit nr. 1302.
Ai ishte i sjellshëm, i premë në vëndimet ma delikate, i njerëzishëm, bujar dhe i pakundërshtueshëm, mbasi me fjalë e vepra nuk dijti me iu randue as anmikut. At Matia ishte elokuent, të bante për vete, Ai ishte gjithmonë dashamirës. Këshilla e vërejtja e Tij mirëpritej si prej Atit, se njihej si Atdhetar që nuk u pajtue me asnjë okupatorë!
Punoi pa iu ndigjue zani për Fé e Atdhé si të gjithë françeskanët, mbasi në zemër u vlonte LIRIA. Ai vdiq i respektuem edhe nga anmiqtë, se njihëj për Burrë trim.
  • AT MATI PRENNUSHI, me 11 Mars 1948, në Zallin e Kirit para pushkatimit ka thanë: “Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa, Rrofshin Katolikët, Rroftë Shqipnija!
U bëj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!”
(Dosja 1302, Arkivi i Ministrisë së Punëve të Mbrendshme Tiranë, 1998.)
Kanë kalue 25 vjetë e “Varri… as sot nuk i dihet!”…
■Me daten 5 Nandor 2016, Papa Françesku në Vatikan do të shpallin:
SHEJTIN MATI PRENNUSHI…
Melbourne, Nandor 2016.
 KY ASHT KUVENDI I FRETENVE I KTHYEM NË BURG ME 17 NANDOR 1946.
Dishmitari i vetem i torturave të bame në këte burg të mnershem asht ky bli… që vazhdon me jetue këtu përpara per me diftue…
1946… DERA E BURGUT KISHËS SË FRETENVE…
Dallgë lotësh perplaseshin per këte “Derë”…

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...