2016-11-02

Sa për kujtesë Kryeministrit Rama

Image result for eshref ymeri

Prof.Dr.Eshref Ymeri

Në faqen e internetit“Opinion” të datës 31 tetor 2016, lexova këtë informacion me titull:“Rama provokon Greqinë: Akropolin e keni falë guximit të një shqiptari”.

Dhe më poshtë vazhdonte informacioni:

“Kryeministri Edi Rama ka postuar në Facebook një hartë të Athinës së shekullit të 16-të. Rama thekson se Akropoli është ende në këmbë falë kurajës së shqiptarit, Gjergj Dushmanit”.

Së pari, faqja e internetit “Opinion” me ç’të drejtë shkruan se “Rama provokon Greqinë”?

Kryeministri Rama nuk e ka provokuar Greqinë absolutisht. Autori i këtij iformacioni në faqen e lartpërmendur të internetit,a e di kuptimin e foljës provokoj, të përdorur në këtë kontekst, në të cilin do të thotë“e nxit dikë me qëllim të keq që të veprojë haptas e të zbulojë kështu synimet e mendimet e veta”?

Pra, Kryeministri Rama nuk e ka provokuar fare Greqinë, por i ka thënë një të vërtetë të kulluar, paçka se Greqia i trembet së vërtetës si djalli vetëtimës.

Së dyti, në faqen e internetit të gazetës “Shekulli” të datës së sotme, 01 nëntor 2016, lexova artikullin me titull:

“Deklarata për Akropolin: mediat greke reagojnë ashpër kundër Ramës”.

Me këtë rast, më bëri përshtypje të keqe një deklaratë e “ProNews”, e cila citohet në artikullin në fjalë:

“Injoranca e Kryeministrit shqiptar është për të qeshur”.

Kjo deklaratë më revoltoi tej mase. Më revoltoi për arsye se Kryeministri Rama, pavarësisht se është udhëheqësi i një formacioni politik të majtë që sot qeveris vendin, me të cilin, si qytetar i Republikës së Shqipërisë me bindje të djathta, unë jam në opozitë, ai është Kryeministër i mbarë popullit shqiptar, pra, edhe Kryeministri im, dhe kam respekt për formimin e tij, si një intelektual me kulturë të gjerë

Por duhet t’i kujtoj Kryeministrit Rama se Athina zyrtare nuk ka respekt për figurën e tij. Sepse Janullatosi, si emisar i saj në Tiranë, e ka fyer haptas kur plasi sherri për kishë-gërmadhën e Dhërmiut: nuk shkoi të trokiste në zyrën e Kryeministrit Rama dhe të diskutonte me të, por shkoi të konsultohej me Tsiprasin.

Greqia ndërhyn në mënyrë skandaloze në punët tona të brendshme, por çuditërisht, Kryeministri Rama ka heshtur.

Përfaqësuesi i kryeministrit grek Tsipras, Makropoulos, që ishte i ftuar në kongresin e partisë së Vangjel Dules, iu drejtua Kryeministrit Rama që ishte i pranishën në atë kongres:

“Si ka mundësi që ju, zoti Kryeministër, i keni në koalicion qeveritar pasardhës të atyre që kanë bashkëpunuar me nazistët gjermanë gjatë luftës?” (“Tema online". 14 qershor 2016).
E kishte fjalën për partinë e Shpëtim Idrizit.

Domethënë, Athina karagjoze kërkonte t’i jepte leksione Kryeministrit Rama se me cilat formacione politike shqiptare duhet të bëjë aleanca në strukturimin e qeverisë. Por Kryeministri Rama, në vend që t’i jepte një përgjigje asgjësuese përfaqësuesit shovinist të Tsiprasit me emrin Makropoulos, vendosi të heshtte dhe të largohej. Ky ishte një qëndrim fyes ndaj vetvetes dhe ndaj dinjitetit të Republikës së Shqipërisë.

Këto dy raste dëshmojnë për dy qëndrime fyese, të cilat dy emisarë të Greqisë kanë mbajtur ndaj Kryeministrit Rama. Këto qëndrime të revoltojnë.

Në të njëjtën kohë, Kryeministri Rama shkon në festën e ortodoksisë, të organizuar nga Janullatosi, ku i ftuar ishte edhe shovinisti me damkë serb, Irinej, i cili, sipas artikullit me titull “Rama kundër serbit Irinej: Politikë në një festë fetare”, të botuar po sot në faqen e internetit të gazetës “Shekulli”, paska deklaruar se “Kosova është tokë e shenjtë e Serbisë”.

Kryeministri Rama është shprehur kundër Irinejit dhe paska bojkotuar darkën e shtruar. Ka vepruar shumë mirë. Por Kryeministri Rama nuk mund të mos e dijë që shovinisti Irinej, sapo hipi në fronin e kishës shoviniste serbe pas vdekjes së paraardhësit të tij Pavle, deklaroi:

“Ne do të kthehemi në Kosovë, qoftë edhe pas dy mijë vjetësh”.

Pas kësaj deklarate, shovinistit Irinej i duhej ndaluar me ligj hyrja në trojet shqiptare dhe nëse do të tentonte të hynte, duhej arrestuar. Por e pabesueshme është deklarata e Kryeministrit Rama:

“Politikë në një festë fetare”.

Vallë të mos e dijë Kryeministri Rama që kisha serbe dhe kisha greke janë komisare politike në shtetet e tyre?
 Dhe se veprimtaria e tyre nuk lidhet absolutisht me punët e fesë, me punët e Zotit. Veprimtaria e tyre është tërësisht politike dhe ka në themel vetëm strategjinë afatgjatë për zhbërjen shkallë-shkallë të kombit shqiptar me kalimin e shekujve.

Sepse qoftë Serbia, qoftë Greqia, në themel të politikës së tyre kanë një ideologji shoviniste, të mbrujtur në shekuj nga komisari i tyre politik - feja ortodokse.

Prandaj, që Kryeministri Rama të lërë gjurmë në histori, siç u shpreh fill pas fitores së zgjedhjeve të vitit 2013, le të marrë guximin dhe të mos lejojë hyrjen në territorin shqiptar të shovinistit Irinej dhe të dëbojë Janullatosin nga Shqipëria, në mënyrë që të rivendosë autoritetin e vet dhe të ngrejë dinjitetin e Republikës së Shqipërisë para shovinizmit serbokaragjoz dhe grekokaragjoz.

Kam shumë respekt për horizontin e gjerë kulturor të zotit Rama dhe më gëzon shpirti që ua bëri shumë mirë shovinistëve karagjozë grekë për punën e Akropolit.

 Por e ftoj që të hapë edhe shumë “defterë”tëtjerë, për t’u mbushur mendjen grekëve se cila ka qenë dhe cila është Greqia e vërtetë, të cilën Presidenti Karamanlis, në vitin 1981, e quante me shumë të drejtë “një azil të çmendurish”.

Dëshiroj t’i kujtoj Kryeministrit Rama një thënie të artë, për të cilën jam i bindur që nuk mund të jetë jashtë horizontit të tij kulturor, një thënie kjo e shekullit XIV:

“… duke ditur vesin e grekëve, që sa më pak të gjejnë burra që t’ju thyejnë dhëmbët, aq më tepër shtyhen përpara me potere e kërcënime dhe, përkundrazi, kur hasin ndonjë burrë të vërtetë, jo vetëm përulen, por arrijnë sa të poshtërojnë veten”(Xhovani Bokaço. “Dekameroni”.

Botim i plotë. Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”. Tiranë 1993. Vëll. 3. f. 217. Përkthyes: Ali Hashorva).

Eshref Ymeri
Dejton, Ohajo
01 tetor 2016





Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...