Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/12/03

Nafije Poradeci dhe dashuria pa kushte për Lasgushin

Poradeci


E bija, Maria, vjen në një rrëfim për kohët me të, marrëdhënia e tij me nënën (bashkëshorten Nafije) dhe veprën e tij të plotë

Alda Bardhyli

PoradeciE mbështetur në krahët e nënës, me fustanin prej basme, Maria vështron aparatin fotografik. Pranë saj motra dhe babai kanë të njëjtin vështrim. Kjo foto e familjes Gusho ose Poradeci e bërë vite më parë, të ulur në një barkë bri liqenit të Pogradecit, është një nga kujtimet që sjell një tjetër përfytyrim të poetit të dashurisë. Pranë gruas dhe dy vajzave të shtrenjta që qenë gjithë jeta e tij në Shqipërinë e atyre viteve. Janë Kostandina dhe Maria, dy pasardhëset e Lasgush Poradecit që tashmë jetën e tyre e kanë kthyer në një kujdesje ndaj veprës së tij. Maria vjen në një rrëfim për kohët me babanë, marrëdhëniet e tij me nënën dhe veprën e tij…
Marie, kujtimet e para për babanë tuaj ku të çojnë?
Në një kohë të largët që është prezente gjithmonë. Sepse është ai që ma bën prezente këtë kohë, kujtimet e tij. Tani e kuptoj sa e lumtur isha, sa e mbrojtur ndihesha. Jeta është shumë e vështirë, por dora e një njeriu të afërt na jep forcë. Është shumë e rëndësishme. Tani sigurisht është emri i tij që më “mbron”, por prezenca e njeriut të afërt është ndryshe. Më kujtohet se në momente të mërzitura ose kur më shihte lot në sytë e mi, më thoshte: “Mos qaj, ti ke baba”. Atëherë më dukej se lotët kishin një tjetër shije.

Si ishte jeta në familjen tuaj, kur prindërit jetonin?

Jeta jonë ishte e organizuar krejt ndryshe nga familjet e tjera. Ajo diktohej vetëm nga ai. Kur them këtë kam parasysh që jeta në familjen time ishte e ndriçuar me dritën e tij. Ishte e organizuar sipas të vërtetave universale që ai i njihte shumë mirë. Vazhdimisht më thoshte: Mos harro kurrë, ti je vajza e Lasgush Poradecit.
Kur nise të kuptoje që babai yt nuk ishte i zakonshëm, dhe të lexoje poezitë e tij?

Jo, babai im nuk ishte i zakonshëm. Ai i supronte përmasat e një njeriu të tillë. Unë jam rritur me poezitë e tij. Nuk besoj se ka qenë një kohë kur kam lexuar poezitë e tij. Por ka qenë një kohë kur kam kuptuar pse poezitë e tij nuk botoheshin në shtyp. Kultura e tij e jashtëzakonshme, ndershmëria e tij, mosnënshtrimi i tij para të gjitha vështirësive që kalonim, më ka bindur se babai im nuk i takonte atij morali të ndyrë, që tjetërsonte njeriun. Dhe koha e vërtetoi këtë. Babai më thoshte se “politika nuk hyn në poezi, sepse kur vdes ajo politikë, atëherë dhe ajo poezi ka vdekur”.

Si ishin vitet e fundit të jetës së tij?

Më dhemb në shpirt edhe sot kur i kujtoj ato vite. Në vështirësi të mëdha. Atij nuk i mungonte shërbimi im dhe i motrës. Ishte shërbimi i vajzave të tij dhe ne ia jepnim me gjithë zemër. Por pjesën më të madhe të ditës ai ishte vetëm, pasi ne ishim në punë. Në punë nuk kishim asnjë favor, përkundrazi. Ata njerëz (ata që sot janë bërë “demokratë”, dukej sikur na i vështirësonin punët me qëllim. Ishte një kohë kur mamaja nuk jetonte më, dhe motra nuk ishte transferuar akoma nga Pogradeci. Në Tiranë isha vetëm unë dhe babai. Ngrihesha herët në mëngjes, bëja punët e domosdoshme dhe mbasi e puthja në orën 6.30 të mëngjesit dilja për të shkuar në punë. Ai rrinte vetëm derisa kthehesha unë nga puna në orën 15.30. Unë në punë gjithë ditën e kisha mendjen tek ai, se mos më rrëzohej, mos sëmurej. Vështirësitë ishin të mëdha kur ishte dimër. “Baba, i thosha, mos i fut dru sobës (kisha frikë mos digjej), më mirë mbulohu në shtrat mos të kesh ftohtë, etj., etj”. Në atë kohë nuk ishte e mundur të paguaje dikë, që t’i shërbente.
Momentet e fundit me të si i kujton?

Ikja ndodhi në shtëpinë në Tiranë. Ishim të dyja me motrën pranë tij. Nuk iu ndamë asnjë çast tri javët e fundit. I qëndronim pranë shtratit. Ai kishte shpresë se do ta fitonte betejën me vdekjen. Por në momentet e fundit, kur e kuptoi se po kalonte në jetën tjetër, i tha motrës: Kostandinë, bijë e babkës, trupin tim edhe të vdekur ta shpini në Pogradec. Dhe ne ashtu bëmë. Në Pogradec na thanë që do ta varrosnim në një parcelë të veçantë, ku do të preheshin edhe njerëz të tjerë të veçantë të qytetit. Dhe ashtu bënë. Por, tani ajo parcelë është fare e zakonshme. Kanë futur shumë njerëz që nuk janë emra të shquar të qytetit.

Po nënën tënde si e kujton? Si ishte raporti mes tyre?

Ishte një njeri i jashtëzakonshëm si im atë. Çdo gjë të jetës së tij ai e ka të jashtëzakonshme. Edhe marrëdhënia e tyre ashtu ishte. Ata njerëz xhuxhë që e rrethonin tim atë, për fat të keq nuk e kuptuan atë asnjëherë. Madje as tani, ata nuk mund ta kuptojnë, vetëm hiqen sikur kuptojnë. Ata që ia vështirësuan jetën atij sa ishte gjallë, tani na e vështirësojnë mua dhe motrës. Sepse janë në errësirë të përjetshme dhe e urrejnë dritën.

Ju keni botuar në veprën e plotë të Lasgushit dhe letrat e dashurisë që ai ia dërgonte asaj… Si ka qenë njohja mes tyre?

Mamaja ime, Nafije, ka lindur në Durrës. Ajo nuk mundi ta njihte të atin, por dashurinë e munguar të tij do t’ia plotësonte e ëma Feridja, tezja e saj, Sabrije Mema, dhe dy dajallarët Xheladini dhe Faslliu. Familja e nënës së Nafijes ishte nga familja e Bushatllinjve të Shkodrës, mjaft e kamur dhe me tradita patriotike (Patrioti Dom Nikoll Koçorri ishte djali i xhaxhait i nënës së Nafijes). Pra Nafija ishte gëzimi i kësaj familjeje dhe për të nuk kursehej asgjë. Duke pasur mundësi ekonomike Nafija për 8 vjet studioi me pagesë në institutin “Nana Mbretëreshë”, në Tiranë. (Ajo do të hynte në konvikt rreth moshës 10-vjeçare dhe do të dilte prej tij, zonjushë 18-vjeçare). Mbasi mbaroi shkollën, me qenë se studioi me lekët e saj, sipas ligjit, ajo u caktua mësuese në rrethin e saj, në Durrës (shkolla e ciklit të ulët në Shënavlash). Takimi i parë mes tyre ndodhi në një ditë të shënuar, me rastin e kremtimeve të 25-vjetorit të pavarësisë, në shkollën e vizatimit ku ishte çelur ekspozita e skulpturës (për skulpturën e Gjergj Kastriotit) dhe e dokumenteve të Rilindjes, në komisionin përgatitës të së cilit bënte pjesë edhe Lasgush Poradeci. Ky takim i bëri shumë përshtypje babit. Vajza e brishtë me flokët e verdha, i pëlqeu shumë sa do t’i mbetej në kujtesë për një kohë të gjatë. Do ta takonte edhe më pas kur babai, si “Poet i ditës”, bëri një vizitë në institutin femëror “Nana Mbretëreshë” dhe drejtori i shkollës Karl Gurakuqi, poetit të madh, i prezantoi poeteshat e shkollës ku ishte edhe Nafija. E këtë herë poetit i pëlqeu edhe më shumë. Filloi të mendojë gjatë për të! Me dekretin nr. 93 datë 08.11.1938 të Ministrisë së Arsimit ajo emërohet si mësuese në katundin Shënavlash të Rrethit të Durrësit. Drejtori i shkollës të Shën Vlashit ishte Bajram Gashi, një mik i babait dhe “shkes” për martesën e tyre. Gjyshja jonë, Feridja, na ka treguar: “Një natë, pashë një ëndërr të çuditshme, sikur po martohesha me priftin. U ngrita e trembur dhe vrapova për t’ia treguar hoxhës. Mos u shqetëso – më ngushëlloi ai – nuk parathotë ndonjë fatkeqësi, por me siguri do ta kërkojë për grua Nafijen ndonjë i krishterë. Jo, hoxhë efendi, – kjo nuk ka për të ndodhur kurrë – e sigurova hoxhën. Por, mbas dy javësh erdhën shkesët, Bajram Gashi, drejtor i shkollës së Shënavlashit, ku ishte emëruar Nafija, me Beqir Çelën, të dy miq të poetit dhe më kërkuan Nafijen, për t’u martuar me Lasgush Poradecin. Unë nuk doja, e para, sepse ishte i krishterë, e dyta, sepse kishte shumë diferencë moshe me vajzën. Por kur e pyetëm Nafijen ajo tha: unë e kam dashuruar Lasgushin që më parë nga vjershat e tija, kam folur me Lasgushin në shkollën e vizatimit (me rastin e ekspozitës së artit, 25-vjetorin)”.
Familja e saj kishte respektuar dëshirën e vajzës. Atë që kishin parathënë yjet nuk mund ta ndalonin dot njerëzit.

Por mamaja e kujtonte këtë histori?

Mamaja jonë, Nafija, na tregonte se “Kur u martuam, fluturuam me aeroplan për në Korçë, prej andej me taksi shkuam në Pogradec. Sapo arritëm, Lasgushi më shpuri te nëna e tij. Ajo, kur më pa, u ul në gjunjë, më uli çorapet setapura dhe duke më puthur gjunjët me tha: nusja e nënës, a do mundesh ti ta durosh dot Llazarin?”
Pse e bëri këtë gjyshja jonë? Nuseve të djemve të tjerë nuk u ishte drejtuar me këto fjalë! Një grua e mençur si gjyshe Kostandina e dinte që i biri ishte ndryshe, tërësisht larg rrethit të fëmijëve të tjerë, aspak i ngjashëm me ta, tërësisht i ditur, që e shikonte botën krejt ndryshe, me një vizion të qartë afër dhe larg, të tashmen dhe perspektivën. Ai ishte i veçantë në marrëdhëniet me shokët, me vëllezërit, me të afërmit. Ai ishte i veçantë edhe në marrëdhëniet me femrat. Ajo njihte edhe historitë dashurore që i biri kishte pasur me vajza të tjera. Po ato ishin larguar. A do mundej kjo vajzë e re, ky “engjëll i rënë nga qielli” të kuptonte madhështinë e djalit të saj? Prandaj ajo, me një përulje tërësisht njerëzore iu drejtua nuses së ardhshme, që mezi e kish pritur, me fjalët: nusja e nënës, a do mundesh ti ta durosh dot Llazarin? Po Nafije Mema, kjo vajzë e pajisur me një kulturë perëndimore, njohëse e tri gjuhëve të huaja, arriti ta “zotërojë” Lasgushin sa të sertë aq edhe të thyeshëm, sa të prerë aq elokuent, sa tekanjoz aq edhe të ëmbël e njerëzor. Ajo me zgjuarsi, thjeshtësi, durim arriti ta adhurojë Atë, të gjithë qenien e tij, me të mirat e tekat e një njeriu të madh. Nuk u nda kurrë nga ai. Do të ishte gruaja e tij, e shoqja e tij besnike. Do t’i qëndronte afër në shumë momente të vështira, në shpërthimet e jashtëzakonshme që ia krijonte gjendja e tij e keqe shëndetësore dhe anatemimi i regjimit komunist. Do të ndante më të vështirësitë e panumërta të jetës dhe do të ishte i vetmi njeri që ai do t’i besonte pa frikë çdo bisedë indiskrete politike pa pasur frikë se do të ishte i tradhtuar. Kaluan bashkë plot 44 vjet. Jeta nuk kishte qenë e lehtë për të. Ajo kishte filluar me idealizëm, me “Poetin e ditës”, të asaj kohe dhe më pas fjalët për Lasgushin ishin shuar. Kishin ndarë bashkë vetminë, largimin e gati të gjithë miqve të dikurshëm. Por ajo nuk u ankua kurrë për këtë. E rëndësishme për të ishte dashuria. Në ditët e tyre të errëta rrinin pranë njëri-tjetrit në heshtje, ajo që e donte me një dashuri vetëmohuese gjer në vdekje dhe ai i shpërblyer nga Zoti me një bashkëshorte me virtyte që ai gjithmonë i kishte ëndërruar. Ishte i sigurt që e kishte lodhur shumë. Ajo kishte plotësuar me vetëmohim për hir të dashurisë të gjitha tekat e tij prej Poeti.
Po kujtojmë këtu dy nga më të dhimbshmet. Ne dy motrat, vajzat e tyre, që të vogla disa muaj të vitit kalonim larg nënës tonë, larg përkëdheljeve të saj. Kishim nevojë të rrinin me të, të ndienim erën e saj si të gjithë fëmijët e botës. Por kur në fillimin e shtatorit nëna kthehej në Tiranë, sepse hapeshin shkollat, ne rrinim me babanë në Pogradec edhe tre katër muaj të tjerë, pasi klima e mirë e ndihmonte shëndetin e tij të dobët. Po nëna jonë duronte të na kishte larg e nuk ia prishte këtë tekë nga më të torturonjëset për shpirtin e saj. Edhe kur u rritëm Kostandina, jo më shumë se 18 vjeçe vazhdoi shkollën e lartë me korrespondencë dhe pasi e mbaroi u emërua në Pogradec. Edhe gjatë kryerjes së shkollës së lartë, edhe kur filloi punë, mamaja e përjetonte këtë ndarje me durim vetëm mos ia prishte qejfin burrit të saj që e adhuronte.
Nëna për 30 vjet e kreu në mënyrë shembullore detyrën e saj si mësuese e përkushtuar, e klasës së parë, në shumë shkolla të Tiranës.
Për punë të mirë Kuvendi Popullor i dha asaj titullin “Mësuese e Merituar”, më 1967. Ajo do të zinte vendin e dytë në konkursin kombëtar për hartimin e tekstit të abetares dhe duke u mbështetur në eksperiencën e saj do të botonte librin “Nga përvoja ime në punën me abetaren”, që do të ishte një ndihmesë e jashtëzakonshme për mësueset e reja.

Si ishte për Lasgushin ndarja nga jeta e Nafijes. Si e përjetoi këtë moment?

Kur Nafija mbylli sytë më 3 gusht 1983 në Pogradec, babai i rënë në gjunjë para saj, i mbushur me lot, pëshpëriste me zë të dridhur e me sy të humbur: “Më fal Nafija ime, më fal” dhe më pas i puthte ballin, faqet, buzët, duart, trupin, çdo gjë. Ne e dinim, e ndienim në qenien tonë, që ajo e kishte falur, e tani e priste atje lart duke e dashur si gjithmonë. Kjo pamje ishte aq e dhimbshme sa e pabesueshme për një njeri si ai që kishte jetuar tërë jetën me kokën lart, pa iu përkulur askujt, madje as regjimit. Lotët tona bashkoheshin me lotët e tij, dhimbja jonë bashkohej me dhimbjen e tij duke krijuar kështu një lumë dhimbjesh për atë njeri engjëll. Kur arkivoli ishte vendosur në buzë të varrit, pas ceremonive të rastit nga seksioni i arsimit të Rrethit Pogradec, ai u përkul, puthi arkivolin e bëri kryqin mbi të. Në drekën mortore, ne vajzat i thamë: “Baba, si e bëre kryqin mbi arkivolin e mamit, feja është e ndaluar? E ai i humbur në pikëllimin e tij u përgjigj: “Më lini! Unë sot kam dhimbje, politika në dhimbje është falsitet!”. Edhe në këtë ndarje të përkohshme fizike, babai në heshtje apo në mërmëritje të thella shpirtërore, në meditime të gjata, e kishte me vete Nafijen, fliste, bisedonte e kërkonte e thoshte: “Ishte aq e mirë, nuk ma prishi kurrë!”.

A është botuar e gjithë vepra e Lasgush Poradecit?

Ne jemi përpjekur të botojmë gjithçka ka lënë. Në sensin që atë Dritë që ai ka lënë, duam ta përhapim. Por “errësirat” nuk duan. P.sh veprat e tij nuk i kanë futur në bibliotekat e shkollave. Dhe ky është një turp për një vend që po kujton se po ndërton një jetë të re.

Ka poezi të pabotuara?

Nuk ka poezi të pabotuara. Janë disa korrespodenca, shumë interesante dhe me vlera kombëtare.

ALDA BARDHYLI : Libri “i rrezikshëm” i Arshi Pipës

Vehbiu

Ardian Vehbiu në një rrëfim mbi librat e zemrës



Aktualisht, cilët libra keni më për zemër?

Lexoj edhe fiction, edhe non-fiction. Më tërheq historia e mendimit intelektual dhe antropologjia.

Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?

“Viti ‘93” i Hygoit. “Xha Gorioi” i Balzakut. “Ne” i Zamjatinit. “Solaris” i Stanislaw Lem.

Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?

Të Borges-it.

Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë, quani si shkrimtarët më të mirë sot për sot?

Po i rendis kuturu: Chuck Palahniuk, Pascal Quignard, Nassim Nicholas Taleb, David Markson, Jean Echenoz, Viktor Pelevin, Slavoj Zhizhek, Emmanuel Carrère, Don DeLillo, Douglas Hofstadter, David Graeber. Po shtoj këtu edhe ca autorë të dashur për mua, që pak kohë ka që kanë vdekur: Umberto Eco, David Foster Wallace, Jean Baudrillard dhe Simon Leys (Pierre Ryckmans).Nga shkrimtarët që shkruajnë shqip, do të veçoja Bashkim Shehun, Ardian Kyçykun, Elvira Donesin, Idlir Azizin, Arben Deden.Luljeta Lleshanakun, nga poetët.

Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni? Dhe çfarë nuk lexoni?

Prozë: më pëlqen qasjanarrative post-moderne. Më mahnit letërsia greke antike, që nga Homeri te tragjedianët e mëdhenj. Nga zhanret, më tërheq fantashkenca dhe letërsia spekulative.Si rregull, nuk lexoj romane me temë historike.

Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?

Ndoshta libra shahu? Ose libra për gjeometrinë dhe artin? Historinë e matematikës? Historinë e mjekësisë? Historinë e muzikës? Më intereson shumë stalinizmi – kam një raft të tërë me libra për këtë temë. Nga ana tjetër, duke qenë specialiteti im i ngushtë linguistika dhe semiotika, gati gjysmën e librave i kam nga kjo fushë. Si letërsi artistike mbaj vetëm ato vepra që më kanë pëlqyer veçanërisht, të tjerat i dhuroj pasi i kam lexuar – edhe pse tani po përpiqem që të kursej letrën dhe letërsinë e zhanrit ta lexoj në Kindle.

Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?

Klouni protagonist te “Me syrin e një klouni”, i Heinrich Böll-it. Shvejku. Kur ende fëmijë, isha dashuruar keqazi pas Rebekës së “Aivenhoi-t”, romanit të Walter Scott-it.

Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj? Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer?

Lexoja shumë, sidomos letërsi franceze të përkthyer: Hygo, Balzak, Stendal, Zhyl Verne. Sidomos Zhyl Verne.“Udhëtimet e Guliverit” të Suiftit e kam lexuar tepër herët për ta kuptuar mirë. Tani që e mendoj, edhe letërsi ruse: Turgenjevin, Tolstoin, Çehovin dhe nga fantashkenca, “Mjegullnajën e Andromedës,” nga Efremovi. Nga autorët shqiptarë, veçoj Mitrush Kutelin e “Tregimeve të moçme shqiptare” dhe “Xinxifilos”; Petro Markon e “Shpellës së piratëve”; më pas Kadarenë e “Kronikë në gur” dhe “Kështjellës.”

A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?

Në vitet 1980 qarkullonim dorazi letërsi përndryshe të ndaluar – besoj se kjo vinte me një farë rreziku, sado teorik. Mbaj mend që ashtu kemi lexuar Dostojevskin, Camus-në, Sartre-in, Freud-in, Kunderën. Libri “më i rrezikshëm” që kam lexuar atëherë ndoshta ka qenë monografia e Arshi Pipës, për standardizimin e shqipes, që ma kanë dhënë të fotokopjuar. Kur kam lexuar romanin “1984” të Orwell-it, më është zënë fryma.

Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë ky që jeni sot, cili do të ishte ai?

“Qytetet e padukshme,” i Calvino-s. “Shpikja e Morelit”, nga Bioy Casares.

Nga librat që keni shkruar, cilin parapëlqeni më shumë ose është më kuptimplotë për ju?

“Kulla e Sahatit” ka qenë i pari në shqip, dhe më i rrëmbyeri si përrua. Më personali është “Sende që nxirrte deti”, ndërsa më i latuari, nga pikëpamja e artit letrar – gjithnjë për mua – “Bolero.”

Po qe se do t’i kërkonit kryeministrit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?

“Refleksione”, që ai vetë e ka shkruar, si bashkautor, në fillim të viteve 1990.

Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?

Do të doja të ulesha me tre miq të mi të shtrenjtë, që sot ua ndiej shumë mungesën: Teodor Kekon, Ardian Klosin dhe Artan Minarollin.

Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë? A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?

Për fat të keq, lë shumë libra përgjysmë; kjo ngaqë formati elektronik më lejon t’u hedh një sy librave që më bëjnë kurioz, pa qenë nevoja t’i blej. Sot bëhet shumë letërsi e keqe, e mërzitshme për vdekje, por që pompohet me të madhe nga kritika; në një kohë që i kam mundësitë për të lexuar më të mirën, të cilën duhet ta kërkoj vetë, si prospektorët arin. Libri i fundit që kam mbyllur pa e mbaruar: “Ëndrra e kthimit tim,” nga Horacio Castellanos Moya. M’u duk banal. Pa çka se një libër i tiji që sapo kisha mbaruar, “Neveri” (“Revulsion: Thomas Bernhard in San Salvador”), më kish lënë gojëhapur.

Kë do të donit të shkruante historinë e jetës suaj?

Dikë që do të kish lindur kur unë të mos isha më.

Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?

Te librat e Borges-it, të Eco-s, të Calvino-s, të R. Barthes-it dhe të Foucault-it.

Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?

Ka disa klasikë që ende s’i kam prekur. Por këtë e mbaj sekret, se pastaj do ta përdorin kundër meje (!).

Çfarë keni ndërmend të lexoni tjetër?

Ka autorë latino-amerikanë që dua, që duhet t’i eksploroj më mirë.

HASHASH-BUXHETI OSE TESTAMENTI POLITIK I EDI RAMËS

astrit-patozi


Po të bënim një krahasim në vite, buxhetet e shtetit janë si vëllezërit, të cilët, sa ngjajnë, aq janë edhe të ndryshëm. Ndaj edhe për këtë arsye ata mund të pagëzohen me një emër, që i dallon nga njëri-tjetri, në varësi të peshës, që ka një temë e caktuar në synimet e tyre politike dhe sociale.

Për shkak të polarizimit të fortë politik në Shqipëri, ne jemi mësuar tashmë me kontrastet e thella në epitetet që u mvishen buxheteve. Qeveria thotë, fjala vjen, rilindje, ringritje, shpresë, besim, prosperitet, begati dhe përparim, ndërsa opozita flet zakonisht për depresion, varfëri, korrupsion, babëzi dhe dëshpërim. Natyrisht, që ka ekzagjerime nga të dy anët. Por jo thjesht se ne jemi një vend i varfër, dhe jo vetëm se unë jam deputet i PD, opozita është shumë më afër të së vërtetës.

Unë nuk do të merrem me analizën e detajuar të buxhetit, sepse jam i sigurt që do ta bëjnë me shumë profesionalizëm kolegët e mi. Jam i sigurt se ka plot vend për ta bërë copë dhe rrëzuar një buxhet shqiptar. Por sado keq të jetë konceptuar dhe shkruar buxheti, që po shqyrtojmë, do të ishte luks nëse ne do të merreshim sot thjesht me kritikën e tekstit. Sepse unë mendoj se buxheti në vetvete, edhe më i keqi qoftë ai, është gjithësesi më i pranueshëm se ajo që ndodh me arkën e shtetit, pasi ai miratohet në parlament.

Masakra e vërtetë vjen gjithmonë kur lukunia e kusarëve të pushtetit i vërsulet financave të brishta publike, që janë në fakt taksat e shqiptarëve. Dhe sulmi fillon që më 3 janar, për të mos thënë edhe më shpejt. Ndaj ky buxhet edhe i mirë po të ishte, do të katandisej si paraardhësit e vet. Do të copëtohej në koncensione e tendera korruptivë, në abuzime dhe shpenzime luksi, sic ka ndodhur sidomos në këto tre vjetët e fundit, që kur timonin e ka marrë në duar Edi Rama.

Por ky duhet te ishte buxheti më i mirë ndoshta i kësaj qeverie, sepse ai përkon me zgjedhjet, dhe Edi Rama do që t’i fitojë ato me cdo cmim. Do ta bënte kushdo në fakt, sepse nuk mund të mohohet që askush nuk do që ta lërë me dëshirë pushtetin. Por nuk është vështirë të konstatohet që ai në fakt është buxheti i vazhdimësisë së depresionit të kësaj qeverie, që nga 2013-a e deri tani, sepse nuk shquhet për asgjë të re. Për të mos thënë se ka edhe prapakthehu, për të mbushur ndonjë gropë të tre buxheteve pararendëse.

Dhe në rast se do ta trajtonim atë si një kulminacion të një mandati politik, ky buxhet është në fakt konfirmimi i varrosjes së premtimeve të bujshme të tre vjetëve më parë për shëndetësi dhe legalizime falas, për taksa më të ulëta dhe përralla të tjera të “Rilindjes”. Ndaj edhe ai është, pa asnjë dyshim, monumenti më i spikatur i dështimit spektakolar të kësaj mazhorance.

Por edhe pse i përmban të gjitha këto elementë, prapëseprapë ai e meriton një epitet, qoftë edhe për të mos e ngatërruar me të tjerët. Sipas meje, dokumenti që kemi përpara mund të quhet pa frikë si buxheti i hashashit, edhe pse kjo fjalë nuk gjendet në asnjë rresht të tij. Dikush mund të thotë se i paskam rënë për shkurt, por kjo nuk është e vërtetë. Sepse unë, sic e dini edhe ju, nuk shquhem shumë si hashasholog.
E kam quajtur kështu sepse kam bindjen se kjo qeveri tek kultivimi dhe trafikimi i kanabisit ka mbështetur gjithë shpresën, jo vetëm për mbijetesën e saj politike, por edhe atë të ekonomisë kombëtare, prej kohësh në pikiatë. Dhe kjo sidomos dhe vecanërisht në dy vjetët e fundit. Jam shumë i sigurt që vitin që vjen, do të jetë një vërshim të pazakontë të mbjelljes dhe të shitjes së kanabisit, sepse do të jenë zgjedhjet nëpër këmbë dhe nevojat e mafias së drogës do të jenë më të mëdha.

Është sa naive, aq edhe djallëzore, gjenerimi i parave të pista në ekonominë e vendit, si mënyrë për ta shpëtuar atë nga kolapsi. Por tek e fundit, kjo është kryevepra e vërtetë e kësaj qeverie në këto vite, për të cilën natyrisht nuk mburret dot publikisht.
Natyrisht, nuk ka një zë në buxhet për hashashin, por një raport I Brukselit para disa ditësh nënvizonte se prodhimi dhe trafikimi i bimëve narkotike zë 2.7 përqind të të GDP-së kombëtare në Shqipëri. Nuk jam shumë i sigurt nëse kjo gjë thuhet për Kolumbinë apo Afganistanin, si eksportuese droge me famë botëriore, që janë, por është jashtë cdo dyshimi se për Europën kjo është një risi, ndërsa për qeverinë e Edi Ramës një rekord i zi. Do të ishte humor i zi dhe cinizëm ekstrem që opozita sot t’i kërkonte Edi Ramës që të korrektonte buxhetin, duke përfshirë në të edhe efektet që sjell industria e kultivimit dhe trafikimit te kanabisit në Shqipëri. Për shkak se jemi seriozë dhe të shqetësuar, ne nuk kemi sot një amendament për këtë cështje.

Por është më keq se sa duket, mendoj unë. Edhe pse tingëllon si e mirëkalkuluar, unë nuk e besoj shifrën që jepet nga raporti i BE. Sepse mendoj që pesha e këtij aktiviteti kriminal në GDP-në e vendit është më shumë. Sepse ajo llogari me siguri që është bërë ndoshta duke patur parasysh vetëm sasitë e kapura, cdo ditë, kryesisht nga policitë e huaja, të cilat janë kolosale. Por të mos harrojmë se sasi të pamatshme kanabisi dhe drogërash të forta, që nisen nga Shqipëria, arrijnë të penetrojnë në kufinjtë e BE dhe për to, sigurisht, nuk ka statistikë.

Unë e di se mafia e drogës, që lundron mbi para të pista, me licencë të qeverisë, ka buxhetin e saj të madh, që nuk ka asnjë lidhje me këtë që po diskutojmë ne. Por kam merakun se ajo mund të fyhet po t’i themi se produkti i saj kriminal zë vetëm 2.7 përqind të GDP-së, sic thotë raporti i Brukselit.

E kam dëgjuar shpesh kryeministrin të irritohet sa herë që përdoret termi Kolumbia e Europës, me argumentin se nuk mund të qëndrojë ky krahasim. Sepse, sipas tij, është shumë i rëndë për vendin, një barrë që nuk i takon ta mbajë. Është afërmendsh që Frontit të së Keqes i janë errur sytë dhe nuk e shikon dot mrekullinë, që ka ndërtuar në këto tre vjet Edi Rama.

Por unë nuk e mbaj dot dhe po e them, që ne jemi më keq se Kolumbia. E dini pse? Sepse Qeveria e Bogotasë nuk e kontrollon dot të gjithë territorin e vendit dhe ajo nuk mban dot përgjegjësi për zonat nën regjimin e FARC-ut. Kurse Shqipëria nuk e ka këtë problem, ndaj edhe qeveria e saj është përgjegjëse për cdo centimetër katror, që është vënë në dispozicion të mafias për t’u mbjellë me drogë.
Kam bindjen se ky e meriton epitetin e vet, edhe sepse është buxheti i fundit i kësaj qeverie të korruptuar dhe të falimentuar. Dhe jam I sigurt se Edi Rama do te synojë ta përdorë atë edhe si narkotik për zgjedhësit shqiptarë, që do të vendosin pas një viti për fatin e tij politik.

Sot që po flasim jemi në gati gjashtëmujorin e fundit të kësaj qeverie. Për cfarë do të mbahet mend ajo? Kush është suksesi i saj më i madh dhe më i prekshëm? Asnjë metër rrugë, asnjë investim serioz, pagat në vendnumëro, pensionet gjithashtu. Kurse hashashi është një sukses i gjithëpranuar, kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht.
Dje e thonte BBC, gjigandi britanik i informimit të publikut dhe unë e kam të vështirë të pranoj se edhe ajo është bërë pjesë e Frontit të së Keqes. “Shqipëria është prodhuesja dhe eksportuesja kryesore e kanabist në Europë”, thonte dje dhe vazhdon ta publikojë edhe sot reportazhin e saj BBC.

Kjo natyrisht është edhe qeveria e palmave, e dritave, e ngjyrave të ndezura, e fasadave, e qendrave të qyteteve, që “rilindin”, e vijëzimit të rrugëve, e stadiumeve, e pishinave dhe e shatërvanëve. Sepse Edi Rama mendon se Shqipëria nuk është ajo që jeton varfërinë, padrejtësinë dhe dëshpërimin, por ajo që duket në televizor.

Vetëm një hashash – buxhet mund të vijojë shpërndarjen e taksave të qytetarëve të vet në koncensione, dhe shërbime gati virtuale, pa bërë asnjë punë që mbetet. Sepse jam I sigurt që Edi Rama do të vijojë të shajë rrugët tona, sic ka bërë gjithë këto vite, edhe kur të shkojë në fushatë, në pranverën e ardhshme. E bëri edhe sot për minuta të tëra. Por sado që diku edhe mund të jetë tepruar apo mund të jetë bërë edhe ndonjë gabim me to, rrugët e ndërtuara nën qeverisjen tonë janë aty për t’u shërbyer njerëzve, për të lidhur pjesët e kombit, qytetet dhe fshatrat tona me njëra-tjetrën.

Ndërsa ky kryeministër, që përmes këtij buxheti na ka sjellë në parlament testamentin e vet politik, e vetmja gjë për të cilën mund të mburret në këto katër vjet është shkëlqimi dhe mjerimi i industrisë së hashashit. Ndaj edhe ky buxhet meriton të refuzohet, sepse vendet demokratike dhe të civilizuara nuk e pranojnë dot t’u nënshtrohen mafias së drogës.

Astrit PATOZI

BETEJË PROPAGANDISTIKE RUSE NË BALLKAN

Rusia
Parlamenti Europian miratoi së fundmi (23.11.2016 ) një rezolutë kundër propagandës mediatike ruse të dezinformimit duke akuzuar Rusinë se ajo kërkon të përçajë BE. Rusia reagoi ashpër përmes zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme duke u shprehur se Moska do të veprojë njësoj nëse puna e mediave ruse kufizohet në BE.

Në një analizë të dpa-së pas rezolutës së PE-së, vihet në fokus ofensiva propagandistike e Moskës prej vitesh në Ballkan, një rajon i rëndësishëm për Rusinë. “Gati të gjitha vendet e rajonit juglindor janë më së shumti vende kandidate në BE ose vende anëtare të BE-së. Por shumë prej tyre, si Greqia, Maqedonia, Bullgaria, Serbia kanë tradicionalisht lidhje miqësore me Rusinë. Baza është feja e përbashkët ortodoske dhe përkatësia në familjen e madhe të popujsve sllavë”.

Anadolu më pak e suksesshme

Sipas dpa-së, mjetet kryesore të propagandës ruse janë agjencia e lajmeve “Sputnik”, e cila transmenton edhe serbisht, si edhe radiotelevizioni RT, më parë Russia Today. Për shkak se materialet ofrohen pa pagesë dhe arkat e rajonit janë bosh, lajmet e “Sputnik” gjejnë jehonë të gjerë. Ndërkohë mbështeten edhe partitë miqësore ndaj Rusisë si edhe lidhjet kulturore.

Edhe Anadolu, agjencia turke e lajmeve kërkon të gjejë vend në Ballkan, por ajo është më pak e angazhuar krahasuar me ofensivën ruse, shkruan dpa. Analisti i saj, Thomas Brey përmend Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën si vende ku dyert janë më të hapura për Anadolu. Në rastin e puçit ushtarak ky medium ia doli të ofronte variantin zyrtar të pafiltruar në mediat e Ballkanit, sipas tij.

Por dpa thekson se propaganda ruse është më e avancuar. Raportimet nga Moska rijepen me besnikëri të plotë në media ballkanike edhe për temat e brendshme- Shpesh në këto raportime pretendohet se armët ruse janë superiore krahasuar me ato të NATO-s, apo se Moska në ndryshim nga perëndimi i lëkundur angazhohet në krizat botërore, se Putini është i vendosur dhe garantues i së drejtës ndërkombëtare. Mediat serbe citojnë këtë muaj “Sputnik” pa verifikuar pretendimin e tij se “nëse Krimeja nuk do të ishte bërë pjesë e Rusisë, do të kishim një gjenocid të ri.” Ndërsa vetë “Sputnik” për shembull i jep hapësirë kryetares së Shoqatës së Gazetarëve Serbë, UNS, Ljiljana Smajlovic e cila e quan rezolutën e Parlamentit Europian si “proces të histerisë së një lufte të ftohtë.”

Në analizën e dpa-së, theksohet se BE ka filluar të mbrohet kundër dezinformimit nga Rusia, por mbetet me pikëpyetje, nëse ajo arrin me këtë shumicën e njerëzve në Europën Juglindore. Moska ia doli ditët e fundit të vendoste në shumë media ballkanike me shpatulla pas murit, Kroacinë, anëtaren më të re të BE-së. Arsyeja: Kreu i qeverisë kroate, Andrej Plenkovic gjatë një vizitë në Ukrainë kishte ofruar përvojën kroate në ribashkimin e pjesëve të shkëputura si Krimeja. Gazeta kroate e “Vecernji list” e vendos tani Kroacinë “në front të parë” për “mbrojtjen e perëndimit.”

MOS I KËRCËLLIT DHËMBËT GREQI, SE MUND TË TË THYHEN!


Marin mema
Marin MEMA

Marin memaNje Eurodeputete greke nga Qipro erdhi ne Tirane ne emer te PBDNJ (e cila ne leter duhet te jete nje parti qe bashkon, mbron, pa paragjykim te drejtat e njeriut) e tha se tashme na qenka momenti te mbrohen te drejtat e Vorio Epirit, per te mos perfunduar ne nje tragjedi siç ka ndodhur sipas saj me helenizmin qipriot. Nga krahu tjeter ministri i mbrojtjes grek, kercellit dhembet nga kufiri perballe nje tjeter vendi antar te Natos siç eshte Shqiperia….

Ore te dashur fqinje a ju ndodh ndonjehere ne jete te lini menjane ekstremizmin e te jeni qytetare te thjeshte?

Te mendoni se nuk eshte e drejte qe mijera njerez, popullesi civile te masakrohen, te vriten, t’u hapet barku, te dhunohen gra e femije? A ju ndodh te mendoni se ata femije kishin nena e baballare? Se ata femije kishin prinder, gjysher? A ju ndodh te mendoni se njeriu nuk eshte nje cope guri qe mund ta rrahesh me çekiç e ta gjysmosh e te mos ndjeje dhimbje??? A mundet njehere te vetme te jeni njerez te thjeshte pertej politikes e te kujtoni mijera njerez te vdekur rrugeve, sepse nuk ju la zgjidhje tjeter? Po femijet qe nuk mundet te shikojne varrin e prinderve a i mendoni? A ju duket e drejte kjo si qytetare, si nena e baballare, si njerez te thjeshte?

Ju vini ne Shqiperi hyni e dilni e mendoni se ne do te fleme ? Do te vazhdojme te pranojme? Do te ulim koken e do te krrusim shpatullat pa klithur? Jo, pra jo!! Nuk ka me histori te tille. Ne kemi te drejten e zotit te klithim, te flasim, te tregojme, te ulerasim, sepse ata mijera njerez sot nuk kane as nje varr te prehen.

Ju flisni per te drejta te njeriut me Vangjel Ziun (shtate standartesh ne krye), por nuk thoni kurre sesi mundet te keni frike nga nje gazetar, qe mund te mos jete Marin Mema, por do te jete kushdotjeter qe kerkon te tregoje te vertetat.

Ju flisni per te drejta njeriu, por nje shkolle per shqiptaret ne Filat, Margelliç, Gumenice, Paramithi, Preveze, Parge, Arte, Negovan, Konice, Bellkamen, Plikat etj nuk e hapni. Bile ju as nuk i lejoni te ndihen shqiptare sikurse jane nga rrenjet. Ju nuk lejoni nje kamera e jo me nje shkolle. Ju flsni per te drejtat e njeriut, por kurre nuk pranoni nje varreze per çamet e masakruar, se pertej mendesive dhe justifikimeve tuaja, nuk besoj se femijet ne barke te nenes, ishin bashkepuntore me nazistet.

E pra ne nuk kemi frike nga e verteta, aspak, e aq me pak nga nje ekstremist qe fle gerxheve me ushtrite si per te treguar se jeni te fuqishem. Nuk kemi frike se jemi me te drejten e te verteten, nuk kemi frike sepse ne kurre s’kemi patur frike nga ekstremistet qe qarraviten sikur tu kene çjerre fytyren e tu kene vjedhur buzkuqin.

Nuk dua aspak t’i futem çeshtjes se pronesise e perplasjeve ne Himare edhe pse familjes sime dikur pronat ne Libohove e Gjirokaster na i mori me para nen dore ne gjykata nje biznesmen i madh e i njohur grek qe ne fillim vitet 1990 qe kishte para te madhe ndryshe nga fisi yne. E pra ne kishim te drejte te ngrinim gjithçka ne kembe, sepse na moren te drejten, por ne shqiptaret shpesh here kemi qene te tille, te urte, te permbajtur, duke pranuar edhe vendime te tilla. Ne nuk gerthitem se po na cenonin te drejtat, as se po na grabisnin, por pranuam korrupsionin e imponuar nga greku para-madh.

Ne kete rast nuk dua te futem ne debatet e Himares, edhe pse besoj se nuk eshte ndryshe Himara nga Tropoja, Kukesi, Durresi, Tirana, Vlora apo tjeterkund. E ne radhe te pare ç’pune ka nje eurodeputete qipriote qe boll probleme ka ne ishullin e saj, te merret me problemet shqiptare? E keshtu gjithelloj figurash edhe nga ata qe dikur mbronin pronat e shqiptareve himariote, por qe sot per nje post deputeti kane shitur edhe breçkat bashke me rrenjet???

Te dashur fqinj, kohet e presioneve kane shkuar, kohet e ekstremizmave po ashtu, e bashke me to edhe kohet kur kercellitjet e dhembeve na shtangnin….

Nese doni, Shqiperia ketu eshte, ka burra, ka djem, ka gra, ka femije, ka shqiptare, ju siguroj shume me europiane sesa ju, qe dine te duan e mbrojne kete vend. E pra, ne do te kerkojme çdo te drejte tone. Nuk ju pelqen???? Ky eshte problemi juaj. Mund t’ju them veç keq; hapni syte, ngrini ura te verteta bashkepunimi, pranoni te bashkejetoni si europiane, te ecni bashke me ne ne Ballkanin e trazuar, e mos kercellisni fort dhembet, se rrezikoni ne kete vend t’ju thyhen. E ne nuk jemi dentiste.

Ndahet nga jeta publicisti Andrea Stefani

andrea

Ndahet nga jeta publicist dhe gazetari Andrea Stefani, pas betejës me sëmundjen e rëndë. Stefani ka gjetur vdekjen në një spital në Romë, ku po kurohej prej disa javësh.Prej vitesh publicist i njohur ka qenë bashkëpunëtori i gazetës “Shqip”, në rubrikën opinion.

Stefani kishte rreth 20 vjet që punon si gazetar dhe opinionist në organe të ndryshme të medias shqiptare. Njihet për qëndrimet dhe pikëpamjet jo konformiste me pushtetet e radhës në Shqipëri. Dimensionit të tij si gazetar i bashkëngjitet edhe aktinizmi i theksuar, veçanërisht në përpjekjet qytetare kundër korrupsionit dhe dominimit autoritarist të shtetit. Ka qenë kryeredaktori themelues i së përditshmes “Shekulli” dhe për shumë vjet drejtues i programit investigativ antikorrupsion “Hapur”. Për më shumë se 10 vjet është mjaft i pranishëm në debatet e përjavshme televizive. Është autor i librit publicistik “Albanistan”.


*****


O MAQEDONI O LUFTË?

ANDREA STEFANI


Andrea StefaniKanceri i Maqedonisë është urrejtja mes etnive, dhe në radhë të parë mes atyre dy kryesoreve, maqedonase dhe shqiptare. Maqedonia, shteti i vogël që duhet të ishte projekti pilot i bashkëjetesës europiane mes kombeve në gadishullin e sherreve, luftërave dhe masakrave ndëretnike, nuk po pushon së qenë një çakmak në fuçinë e Ballkanit, mjerisht, akoma plot barut urrejtjeje nacionaliste. Duhet vetëm një dorë, një gisht, një “çak”, një shkëndijë që ajo të shpërthejë! E kur i kanë munguar duar të tilla Ballkanit?

***

Urrejtja ndëretnike është ajo që ka penguar edhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Kjo e fundit, synon të krijojë një republikë, ku të gjithë shtetasit, pavarësisht kombësisë, të ndihen të barabartë. Marrëveshja e Ohrit synon që të krijojë popullin, demosin e shtetit të Maqedonisë sipas frymës supranacionale europiane. Por demosin po e shqyejnë që në djep gjakimet, mllefet, urrejtjet nacionaliste, ndërkohë që si çdo foshnjë, edhe demosi mbikombëtar i Maqedonisë ka nevojë për kujdes e dashuri.

***

Urrejtja mes shqiptarëve dhe maqedonasve në pikëpamje sociale, ka çuar në segregacion dhe aparteid. Një maqedonas nuk shkon kurrë në një kafene shqiptarësh, një maqedonas e shmang tregtarin shqiptar sa të mundë – më thoshte një shqiptar me banim në Maqedoni. Maqedonasit dhe shqiptarët nuk kanë marrëdhënie njerëzore mes tyre. Ata mund të kenë marrëdhënie formale, burokratike apo politike, por jo marrëdhënie njerëzore. Për shembull, martesa mes shqiptarëve dhe maqedonasve nuk ekzistojnë. Këto komunitete etnike janë më keq se të ndara me mur, sepse janë të ndara në zemër. Urrejtja e ministres Jankullovska për shqiptarët që, sipas saj, u dashkan spastruar, u shfaq gjenetike në përgjimet e denoncuara nga vetë opozita maqedonase. Ajo të kujton urrejtjen e një zyrtari tipik nazist për hebrenjtë. Dhe është e frikshme kur mendon se kjo mund të jetë fryma dominuese në komunitetin maqedonas. Sepse ajo urrejtje nuk ka mundësi të jetë një dukuri e veçuar apo një psikopati e një apo dy individësh. Asnjë politikan shovinist dhe nacionalist si Jankullokvska, nuk mund të arrijë të bëjë karrierë deri në majat më të larta të politikës, nëse nuk mbështetet me votë nga një pjesë e mirë e elektoratit. Etnonacionalizmi në majat e politikës maqedonase denoncon edhe rrënjët masive të këtij etnonacionalizmi në elektoratin maqedonas. Dhe kjo e bën edhe më të vështirë zgjidhjen e problemit. Kuptueshëm, një e tillë urrejtje nuk mund të mos gjejë replikën, me të njëjtën monedhë nacionaliste, në komunitetin shqiptar. Urrejtja pjell urrejtje!

***

Që të mbijetojë Maqedonia ka nevojë të deshovinistizohet. Gjëja e parë që duhet bërë nuk janë bisedimet me politikanët që mund ta fshehin etnonacionalizmin poshtë kostumeve europiane. Është urgjente që atje të kurohet sindroma e urrejtjes ndëretnike. Dhe kjo kërkon programe të fuqishme. Gabimi i komunitetit ndërkombëtar është se ka vite të tëra që ka mbyllur sytë përpara kësaj plage kanceroze që e pa mbyllur, vështirë të mos çojë një ditë në çarjen e Maqedonisë pasuar, me gjasa të forta, nga një reaksion zinxhir për tërë Ballkanin dhe vetë Europën. Ndërkombëtarët janë përpjekur ta anashkalojnë këtë çarje reale me gjoja bashkëpunimin politik, deri në nivel qeverie, mes shqiptarëve dhe maqedonasve, bashkëpunim që nuk mund të jetë kurrë real sa kohë që themeli i tij, bashkëjetesa e komuniteteve etnike, nuk është reale. Jo rastësisht, edhe në rrafshin politik, shqiptarë dhe maqedonas e refuzojnë “martesën” domethënë, krijimin e partive politike multietnike. Prandaj, pavarësisht qeverive apo protestave me dy flamuj, Maqedonia tronditet kohë pas kohe, si në Kumanovë, nga llava e urrejtjes etnike që vlon poshtë kores politike. Dhe është miopi të jesh i sigurt që një vullkan i pashuar etnik të mos shpërthejë një ditë duke rrezikuar të fusë në konflikt të gjithë rajonin madje, shumë më gjerë. Prandaj nuk është gabim, edhe në kontekstin e acarimeve me Perëndimin të një Rusie përherë e më hegjemoniste, të thuash se sot ofrohen vetëm dy opsione: O Maqedoni o luftë!


******

Gentiana Sula votohet si kryetare për hapjen e dosjeve të sigurimit

Zv/ministrja, Gentjana Sula, gjate prezantimit te Ministrit te ri te Mireqenies Sociale dhe Rinise, Blendi Klosi para stafit te kesaj ministrie./r/n/r/nGentjana Sula, deputy Minister of Youth and Social Welfare, during the presentation of Minister of Youth and Social Welfare, Blendi Klosi to the staff of this ministry.

Qeveria propozoi si anëtare zëvendësministren GentjanaSula

Zv/ministrja, Gentjana Sula, gjate prezantimit te Ministrit te ri te Mireqenies Sociale dhe Rinise, Blendi Klosi para stafit te kesaj ministrie./r/n/r/nGentjana Sula, deputy Minister of Youth and Social Welfare, during the presentation of Minister of Youth and Social Welfare, Blendi Klosi to the staff of this ministry.

Gjatë muajit shtator gjithashtu do të krijohet dhe Autoriteti për Hapjen e Dosjeve, pesë anëtarët e të cilit do të zbulojnë spiunët e sigurimit. Sipas kritereve të përcaktuara në ligjin e ri për hapjen e dosjeve, dy anëtarë të Autoritetit do të jenë të Kuvendit. Ndërkohë ky institucion ka hapur tashmë garën dhe në shtator pritet që të bëhet zgjedhja e dy anëtarëve. Një anëtar i takon qeverisë. Këshilli i Ministrave e ka bërë publik tashmë emrin dhe ajo do të jetë Gentiana Sula, zëvendësministrja e Çështjeve Sociale. Një tjetër emër do të zgjidhet nga ish të përndjekurit politikë dhe ata kanë propozuar Daut Gumenin. Ndërsa anëtari i fundit do t’u përkasë shoqatave për të drejtat e njeriut, të cilat propozimin e tyre pritet ta bëjnë në shtator. Pasi të ketë nisur funksionimi i këtij autoriteti, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes dhe SHISH-i do të bëjnë kalimin e dosjeve. Ndërsa në muajin tetor, Autoriteti pritet që të miratojë rregulloren e organizimit dhe funksionimit të tij. Sipas përcaktimeve në ligjin për hapjen e dosjeve, detyra më e rëndësishme është ajo e komisionit përgjegjës ose Autoritetit. Ky subjekt mbledh, ruan, administron dhe përdor dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Po ashtu, Autoriteti vë në dispozicion të autoriteteve shtetërore përkatëse çdo informacion të siguruar gjatë veprimtarisë së tij, kur kjo kërkohet për qëllime të hetimit dhe ndjekjes penale.





Hapja e dosjeve, pr/ligji: 
Komision jashtë politikës


Related image


Projektligji për hapjen e dosjeve të sigurimit të shtetit parashikon ngritjen e një autoriteti kombëtar, i cili do të drejtohet nga pesë përfaqësues, të cilët nuk duhet të jenë pjesë e politikës.

Kandidatët duhet të votohen me shumicë të cilësuar nga Parlamenti dhe duhet të jenë figura të pastra. Zëvendësministrja e Mirëqënies Sociale, Gentiana Sula tha se krijimi i këtij institucioni do të shoqërohet edhe me sekretariatin teknik.

“Çdo qytetar të mund të dijë ç’i ka ndodhur në të shkuarën e vetë. Do t’u jepet akses qytetarëve, por edhe institucioneve kushtetuese nëse do të duan të dinë për të kaluarën e personelit të tyre. Edhe gazetarët duhet të akreditohen për të pasur të drejtat e aksesit, natyrisht pa prekur privatësinë e njerëzve të tretë”, deklaron Sula.

Krijimi i kësaj strukture që do të merret së pari me grumbullimin, sisteminin dhe dixhitalizimin e dosjeve kërkon një faturë të lartë financiare.

“Qeveria do të jetë aty dhe Kuvendi do të vendosë, sepse kjo do të ketë një kosto, qoftë ngritja e këtij komisioni, puna, stafi, etj”, saktëson Sula.

Por ky projektligji do të hartohet sipas ligjeve kushtetuese të Shqipërisë, çka bën që në të të përfshihet edhe lustracioni.

“Është vendimi i Gjykatës Kushtetuese për një ligj të ngjashëm lustracioni të diskutuar në vitin 2008 dhe janë rekomandimet e Komisionit të Venecias për zbatimin e një procesi lustracioni, që nuk është gjueti shtrigash, që eleminon anti-kushtetueshmërinë”, nënvizon Sula.

Ekspertët e Ministrisë së Mirëqënies Sociale po punojnë duke u mbështetur në modelin gjerman të dokumentave të Stazit.

 Gentiana Sula votohet si kryetare 
për hapjen e dosjeve të sigurimit

Related image

Parlamenti ka votuar me 69 vota pro dhe 1 abstenim si Kryetare të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula.

Autoriteti që do hapë dosjet përbëhet nga kryetarja Gentiana Sula, ndërsa anëtarë do të jenë Altin Hoxha, Mariglen Kasmi, Daut Gumeni dhe Simon Miraka.

Me 71 vota u miratua edhe projektligji për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9363, datë 24.3.2005 “Për mënyrën dhe procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe për dërgimin e forcave ushtarake shqiptare
jashtë vendit”.

Projektligji për zhvillimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë dhe sigurimin e të drejtës së kalimit u miratua me 71 vota pro.

Ndërsa projektligji për shërbimet e kujdesit shoqëror në Republikën e Shqipërisë u kalua me 71 vota.

Gjithashtu parlamenti miratoi projekt programin e punimeve të Kuvendit për periudhën 30 nëntor – 24 dhjetor 2016.

Projektligjet u miratuan vetëm me votat e shumicës, pasi opozita nuk ishte e pranishme, pasi e bojkoti seancën plenare.

Nderkaq, mazhoranca e majte per dyten seance radhazi deshtoi ne votimin e Kodit te ri Hekurudhor, draft ky qe kerkon shumice te cilesuar prej 84 votash, por qe shumica edhe pse i ka numrat nuk arrin ti binde deputetet te marrin pjese ne votimet e se enjtes.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...