Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/12/03

Data e Çlirimit, Nishani, ballistët, Kosova dhe ne




Ben Andoni


Mekja e jehonës së lajmit ndaj dekorimit të ballistëve prej presidentit po pret ngjarjet e radhës që do të ndodhin. Dhe, vendi ynë është kaq i plotë me to, saqë të krijon qenësinë në një karusel të pandalshëm, që kanë harruar ta stakojnë. Me shumë gjasë do plasë diçka e re, që do të lërë në hije ngjarjen e mëparshme, duke krijuar një debat të ri po shterpë. Një nga më të afërtit, pa asnjë mëdyshje, do të jetë ai që lidhet me datën e Çlirimit, një nga paradokset më të mëdha kombëtare, ku vetëm disa orë (lexo ikjen e ushtarëve të huaj) ndajnë konceptualisht, atë që mendojnë ana e djathtë me atë të majtë, lirimin e vendit nga pushtimi fashist. Dy datat, 28-29 Nëntor, janë bërë gati si një makth, ushqim bjerraditës dhe debat i pashterur për politikën, e cila e ka kaluar në plan të dytë rezistencën e popullit ndaj fashizmit. Sak atë akt të madh, që pavarësisht formës që po i vishet, nëse nuk do të ndodhte, Shqipëria me patjetër do të ishte e cunguar. Duhet konsideruar si një fat jo i vogël që i gjithë spektri politik shqiptar, por edhe konglomerati i organizmave që i urrejnë dhe i duan komunistët, ka shprehur respekt për rezistencën. Dhe, nuk kanë pse të mos bëjnë ndryshe kur Fuqitë e Mëdha Perëndimore, garantueset e pavarësisë sonë, ishin të rreshtuara me anti-fashizmin.


Ka pak gjasa të ndodhë që presidenti Nishani në angazhimin e tij kryesisht protokollar, ta zgjidhte ditën e Çlirimit në mënyrë që të unifikonte qëndrimin kombëtar për kremtimin. Regjimi dikur e kishte bërë gati në formë arbitrare, kurse ai, si i propozuar nga e djathta, por in person me një sfond të majti, s’arriti të unifikonte diçka. Njësoj dhe paraardhësit e tij. Në fakt, edhe në parashikimin më të çmendur nuk mund të besohet prej tij, dhe këtë e shikon në formën e ngurtë të ligjërimit të vet dhe në performancën presidenciale.

Për ta lehtësuar shtjellën e argumentit tonë: Fuqitë e Mëdha kanë zgjedhur një ditë të fitores së tyre, 9 majin, kur kapitulluan njësitë e fundit rezistuese të Wehrmacht-it, anipse njësitë gjermane vazhdonin luftën në Pragë. Dhe, zgjidhja e vendeve të pushtuara si ne (Shqipëria në fakt prej gjermanëve nuk njihej si e tillë!!! – një problem tjetër) e që vuajtën pushtimin kanë zgjedhur datën e çlirimit të kryeqytetit të tyre. 17 Nëntori është dita e pamohueshme e çlirimit të kryeqytetit shqiptar. I mjaftonte pra, me një konsultim dhe një këshillë, që kësaj date t’i jepte vendin që meriton, kurse Shqipërisë, zgjidhjen e njërës prej ngërçeve të shumta të saj. Të mendosh është një datë që nuk kundërshtohet sot e kësaj dite nga askush. Njeriu që organizon ceremonitë solemne shtetërore, do t’i jepte me këtë rast staturë institucionit të tij, që për këtë presidencë nuk është mbajtur dhe nuk do mbahet mend për asgjë.

Duket se nuk e bën dot. E para prej mungesës së individualitetit dhe e dyta nga kompleksi i forcës nga vjen. Kësaj i shtohet panjohuria e luftës, kohës kur kolaboracionistët fashistë shqiptarë vepronin krejt ndryshe nga kolegët e tyre të vendeve të huaja, që synonin administrimin dhe shtimin e territoreve të tyre. Kolaboracionistët tanë mendonin vetëm futjen nën pushtimin italian. Presidenti duhet të kujtohet se pasojë e kësaj ishin qindra-mijëra kolonë, gjurmët e të cilëve janë edhe sot në traditën vendase të punëve bujqësore, që parashikoheshin të vinin në vend. Dhe kjo u sanksionua edhe me dekretin nr. 194, nënshkruar më 9 qershor 1940 nga Viktor Emanueli III, botuar në “Gazeta Zyrtare”, nr. 93, Tiranë, 10 qershor 1940. Në bazë të këtij dekreti, Shqipëria ishte automatikisht në luftë me çdo shtet me të cilin Italia fashiste do të ishte në konflikt të armatosur. Dhe, Shqipëria lilipute u shpalli luftë Anglisë dhe Francës, më 28 tetor 1940 Greqisë, Jugosllavisë, më 22 qershor 1941 Bashkimit Sovjetik dhe më 7 dhjetor 1941, Shteteve të Bashkuara të Amerikës!!! Po ndërsa komunistët e ngritën strukturën e tyre, Balli hyri në skenë në nëntor 1942, dhe atëherë vetëm me një pozicion vëzhgimi. Mbase s’është nevoja për histori, por Lëvizja Nacionalçlirimtare kundër të huajve arriti dhe u bë faktor, kurse në dhjetorin e vitit 1942 erdhi edhe një lajm pozitiv kur ministrat e Jashtëm të tri Fuqive të Mëdha të koalicionit antifashist, deklaruan se e çmonin rezistencën e armatosur të shqiptarëve dhe njihnin pavarësinë kombëtare të Shqipërisë. Përveç përfaqësuesit anglez, i cili kërkonte që kufijtë të rishiteshin pas lufte. Historia ka nxjerrë në pah se ishin interesat greke për “Epirin e Veriut” dhe premtimi britanik, pas këtij qëndrimi. Ka një lëvizje interesante të nacionalistëve shqiptarë, që të njohur me këtë realitet, mendonin se në një kohë më të përshtatshme do të ngriheshin ndaj lakmive territoriale greke.

Por historia sërish do t’i nxirrte blof, pasi gjërat duheshin zgjidhur në luftë. Këtë e kuptuan komunistët. Pak vite më vonë, Konferenca e Paqes e vitit 1946 do të provonte interesin grek dhe etiketimin si pro-fashiste, që i ngjitën Shqipërisë. Ballistët, segmente të tyre, duhen vlerësuar se kundër krerëve të tyre do të luftonin, paçka peshës së vogël specifike. Pak muaj më vonë, duket se Balli e pati një as tjetër në dorë, këtu erdhi çështja e Kosovës dhe mosangazhimi i saj kundër forcave gjermane. Dhe akuzat vazhdojnë deri më sot mes palëve. Ballit i mjaftonte bashkimi i Kosovës, si realizim i platformës së Rilindjes dhe pohimi se lufta s’duhej kundër gjermanëve por kundër çetnikëve dhe komunistëve serbë. Ndërkohë që komunistët mendonin luftën kundër fashistëve, sepse në fakt, nëse do vazhdohej kështu, Kosova do t’i kthehej normalisht Jugosllavisë, e cila paçka formës së regjimit, ishte aleate e kampit të madh antifashist. Por komunistët i bënë po ashtu llogaritë gabim, sepse aleatët e tyre jugosllavë nuk e respektuan vendimin e Kuvendit të Bujanit për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Paçka se historianët e vendosin gishtin e fajtorit te njerëzit e Titos, që e transformuan rezolutën e Bujanit, dhe dritëshkurtësia e komunistëve.

Historia s’ka më surpriza. Balli Kombëtar e tejkaloi zyrtarisht kur në shtator të vitit 1943 ishte në kompromis me qeverinë kuislinge të Tiranës, fakt që e bëri të qarkullonte lirisht në qytetet e vendit me kushtin që të mos prekte gjermanët. Ballistët gjatë dimrit 1943-1944 jo vetëm s’i prekën, por bashkëpunuan haptas me ushtritë hitleriane në operacionin ndëshkimor, që pothuaj i fshiu komunistët. Megjithatë, ata mbijetuan, kurse Balli Kombëtar dhe liderët e saj, në masë, përfunduan në kampet e refugjatëve nëpër Evropë. Historia s’e ka vendosur në vendin e vet Ballin, porse ai i duhuri është realisht shumë larg anti-fashizmit.

Këtë duhej ta kuptonte pa kompleksin e tij presidenca shqiptare dhe të shpallte një rezolutë për mbrojtjen e luftës dhe vlerat e anti-fashizmit. Të mendosh, në ditët që jetojmë, problemi i vetëm është se asnjë nga presidentët e vendit nuk mundi të zgjidhte një gjë të thjeshtë nga ku do të fillonte pajtimi i shqiptarëve, një akt që me sa duket do të dojë shumë e shumë kohë. Kthejeni 17 Nëntorin në lartësinë që meriton…

Arvanitas dhe shqiptarë


TheodorosPangalos.jpg

Theodhoros Pangalos*(Θεόδωρος Πάγκαλος)

https://en.wikipedia.org/wiki/Theodoros_Pangalos_(politician)

Jam rritur në një shtëpi ku origjina arvanitase na jepte një krenari të pamatë, veçanërisht ne fëmijëve. “Jemi Arvanitas”. Kjo prejardhje e lavdishme nxori në dritë rrënjë të tjera po aq të rëndësishme për historinë e familjes si një stërgjyshe nga Kios, e stolisur gjithmonë me dantella, bizhuteri dhe stil francez të flokëve, apo një stërgjysh që u largua nga Azia e Vogël për t’u bashkuar me lëvizjet revolucionare të grekëve në gjithë Ballkanin.

E çfarë se ky Pangalos kishte një emër me prejardhje bizantine! E çfarë se ai ishte mjek para shekullit të 19! Ne, djemtë adhuronim paraardhësit tanë me fustanella nga malësitë e Parthithas që u ngjiteshin majave me këmbët e tyre muskuloze, të veshur me lëkurë kafshësh dhe të ngjeshur me barut, të armatosur me dyfekë dhe hanxharë që ua kishin marrë armikut, pasi e kishin therur si sheleg mbi një gur të asaj toke,e cila në asnjë moment nuk pushoi së luftuari tiranët.

Kur u rrita dhe mësova anglisht, dikush më dha romanin "Të fundit e Moikanëve". Ndjeva një emocion të thellë. Nga përshkrimet e detajuara të Cooper arrita në një përfundim të pamohueshëm: Të fundit e Moikanëve, me kokë të rruar dhe flokët bisht ishin vetë etërit e mi arvanitas.

Arvanitët janë një komponent i rëndësishëm i grekëve të sotëm. Qindra mijëra njerëz parakaluan ndër ne, duke trashëguar nga familjet emra krenarë e të nderuar me origjinë arvanitase. Asnjëherë nuk kemi patur dyshim për rëndësinë e tyre të vërtetë. Më kujtohet një herë një i nëpunës i njohur i Departamentit të Shtypit, që përgatitej të shkonte në Shqipëri, për të shoqëruar presidentin e Republikës, Kostis Stefanopulos. Atij nuk ia priste kurrë mendja se mbiemri me prejardhje arvanitase që kishte do t’i krijonte probleme të ndërlikuara në qoftë se ua thoshte shqiptarëve.

Arvanitët e Atikës dhe pjesës tjetër të Greqisë Qendrore, Peloponezit, Epirit, Thesalisë, edhe në prefekturën e Evros ku ekzistojnë dy fshatra, në Kaso dhe në Arvanitohorin e mrekullueshëm si dhe shumë arvanitas në ishullin Kea, ku sot askush nuk flet gjuhën arvanitase kanë qenë gjithmonë pjesë e formulimit të helenizmit modern.

Luftëtarë të paepur, bujq të ashpër, blektorë energjikë, që pavarësisht nga dygjuhësia dhe raporti me popullsinë e përgjithshme, dhanë kontributin e tyre në udhëheqjen shkencore, politike dhe ushtarake të vendit.

Gjuha arvanitase ashtu si dialekte të tjera u fol derisa televizori të zëvendësonte gjyshen. Nëna e nënës sime i fliste vajzës gjithmonë në arvanitishte. E bija, mësuese në Arsakeo i përgjigjej në greqisht, dhe kjo zgjati një jetë pa krijuar ndonjëherë ndonjë problem mes tyre. Himariotët nuk ishin arvanitas. Kurrë nuk folën gjuhën arvanitase. Deri kur kjo iu imponua nga marrëdhëniet e tyre tregtare dhe shoqërore apo dhuna brutale e shtetit, që të flisnin shqip.

Emigrantët e sotëm nuk e kuptojnë gjuhën arvanitase të Atikës, ndërsa këta të fundit i kuptojnë në vija të përgjitshme emigrantët, diçka e ngjashme me brazilianët që përpiqen për të kuptuar portugezët, ndërsa banorët e Mitropolisë kuptojnë lehtësisht gjuhën e thjeshtuar Creole. Suliotët ishin arvanitas, shumë prej tyre nuk e dinin greqishten, por e mësuan në kisha. As feja nuk mund të shpjegojë marrëdhëniet midis dy popujve. Në luftërat kundër Ali Pashës për një kohë të gjatë para se të dezertonin, ​​aleatët kryesorë të arvanitëve të krishterë të Sulit t ishin çamët muslimanë të Thesprotisë.

Kur filloi Revolucioni grek, e gjithë Atika, si dhe një pjesë e madhe e Korinthit, Argolidës, Viotisë, Fthiotidas dhe Evias banoheshin nga arvanitasit. Të vetmit që nuk flisnin gjuhën arvanitase në Atikë ishin ata me prejardhje nga Megara . Arvanitasit ishin bërthama kryesore e e forcave të armatosura të Karaiskakit, i cili po ashtu fliste gjuhën arvanitase. Edhe Kolokotronis ishte i njohur në pjesën më të madhe të Peloponezit me emrin arvanitas të familjes së tij, Bithëguri.

Problemi i zotit Rama është se u bashkua me armiqtë e grekëve për të mbajtur partinë dhe votat që i siguronin anëtarët grekofonë të ish-regjimit komunist. Arvanitët u zhvendosën në Greqi në mesin e shekullit të 12-të dhe 14-të siç thuhet edhe në librin e mrekullueshme të Kostas Biris “Arvanitët, Dorët e helenizmit të ri ". Në atë kohë nuk ka patur shqiptarë, siç nuk ka patur gjermanë, italianë, anglezë, francezë apo turq. Ndërgjegjia kombëtare shqiptare ishte e fundit që u shfaq në Ballkan në vitin 1878 me Lidhjen e Prizrenit dhe me qartësi edhe më të madhe në tekstet e shqiptarëve ortodoksë dhe vllehëve të krishterë të Korçës. Përderisa atëherë nuk ka pasur shqiptarë, si mund të ishte shqiptar Despoti i Athinës, në qoftë se në të vërtetë quhet Dousmanis? A nuk e di zoti Rama se Morosini shkatërroi Akropolin me topat e tij?

Popujve tanë u intereson rinovimi i bashkëjetesës. Marramendëse janë mesazhet që vijnë nga ana ekonomia. Është për të ardhur keq që në vend të shohë këto shifra dhe të fokusohet në rrugët e progresit, bashkëpunimit dhe vllazërimit për të ardhmen, Rama nxit kontraste jorealiste nga një e kaluar që ekziston vetëm në imagjinatën e tij.

*Autori ka qenë ministër i Jashtëm i Greqisë

Kontétë që vulosën humbjen e Clinton-it



Eduard Zaloshnja


Hillary Clinton-i do të mbahet mend si kandidatja që mori rreth 1 milione e 500 mijë vota më shumë se sa rivali i vet në rang kombëtar, por që nuk arriti të shkojë në Shtepine e Bardhe, sepse mori 100 mijë vota më pak se ai në 3 shtete që ajo duhej t’i kishte fituar – Pennsylvania, Michigan, Wisconsin.


Po të futemi fare pak më thellë në numra, bien në sy këto fakte interesante:

1 - Në Wayne County, Michigan (ku ka përqendrim të madh të popullsisë zezake), Clinton-i mori më shumë vota se në çdo konté të këtij shteti, por sidoqoftë, mori 78 mijë vota më pak se sa kishte marrë Obama më 2012. Po të kishte marrë 66 mijë vota më pak se sa ai (e jo 78 mijë), do të kishte fituar në të gjithë shtetin e Michigan-it, duke siguruar edhe 16 delegatë në Kolegjin Elektoral. (Në Michigan morën pjesë në zgjedhje 4.6 milionë votues.)

2- Në Milwaukee County, Wisconsin (ku ka përqendrim të madh të popullsisë zezake), Clinton-i mori më shumë vota se në çdo konté të këtij shteti, por sidoqoftë, mori 43 mijë vota më pak se sa kishte marrë Obama më 2012. Po të kishte marrë 22 mijë vota më pak se sa ai (e jo 43 mijë), do të kishte fituar në të gjithë shtetin e Wisconsin-it, duke siguruar edhe 10 delegatë në Kolegjin Elektoral. (Në Wisconsin morën pjesë në zgjedhje 2.8 milionë votues.)

3 – Në Pennsylvania, Clinton-i mori 68 mijë vota më pak se sa kishte marrë Obama më 2012 (deficiti ishte i shpërndarë në disa konté dhe në të gjitha racat). Po të kishte marrë po aq vota sa ai, do të kishte fituar në Pennsylvania , duke siguruar edhe 20 delegatë në Kolegjin Elektoral. (Në Pennsylvania morën pjesë në zgjedhje 6 milionë votues.)

Po të kishin ndodhur 3 gjërat “e vogla” të mësipërme, tani mediat do të komentonin blah, blah, blah, sesi koalicioni i madh i votuesve nën 30 vjec, plus votuesit e bardhë të arsimuar, dhe plus votuesit e minoriteteve etniko-raciale arritën ta çonin Hillary-n në Shtëpinë e Bardhë…

Shqipëria e zgjidhi biologjikisht përballjen me diktaturën


Lindita Arapi


Ishte dhjetori i vitit 1990, ditë demonstratash të studentëve, ditë të lindjes së pluralizmit politik, ajri vibronte nga thirrjet e shpresës të një populli të rraskapitur nga diktatura asfiksuese. Unë, studente e vitit të parë, e vonuar për shkak të refuzimit të së drejtës të studimit për probleme biografie duhej të brohorisja, të mirëprisja kohët e reja, barrierat e biografisë po rrëzoheshin. Por veҫ ca shkëndijave gëzimi që ndizeshin e shuheshin ditë për ditë, asnjë brohorimë nuk më dilte.

Përpiqesha të rrokja më thellë kuptimin e fjalëve të reja që brohoriteshin pa pushim: “Liri, Demokraci!" Deri më atëherë ua dinim kuptimin, vetëm sipas fjalorit të gjuhës shqipe, ku fjala demokraci p.sh. shpjegohej si: “Demokraci socialiste, tipi më i lartë i demokracisë, formë e diktaturës së proletariatit, ku pushtetin e ka në dorë populli punonjës me klasën punëtore në krye dhe udhëheq partia e saj, (me që ra fjala ende në vitin 2016 fjalori i gjuhës shqipe - online ka këtë shpjegim për demokracinë).

Kthesa

Pyesja veten, nëse ishte kaq shpejt e uzurpueshme demokracia, nëse u shndërroke në demokrat brenda natës, mjafton të ngrije dy gishtat lart e të brohorisje „liri", „demokraci", siҫ bënin ata që vetëm pak javë më parë i kishin shërbyer me besnikëri diktaturës, nëse me mantelin e demokracisë e mbuloke të vërtetën e së shkuarës tënde, - atëherë ose unë jam një nihiliste e padurueshme me këto dyshimet e mia, ose në gjithë këtë transformim kolosal të vendit tim diҫka nuk shkon…

Vite më vonë e kuptova pse nuk më entuziazmoi dot aq sa e kisha shpresuar viti i kthesës, 1990. Që kjo kthesë duhej të merrej, ishte kuptuar nga nomenklatura komuniste, nuk mbetej rrugë tjetër, por ajo me sa dukej duhej të bëhej pa dëmtuar ose shkatërruar privilegjet e atyre lart. Pavarësisht nëse ka ekzistuar apo jo fjalimi i shumë përfolur në media i Ramiz Alisë për strategjinë e Katovicës, e ndryshimin e pushtetit me “njerëz të zgjedhur nga ne", në realitet ndërrimi i sistemit në Shqipëri u bë nga elitat e vjetra komuniste, të rinjtë me energji e koncept të ri kishin vetëm rol episodik.

Shqipëria nuk pati ndërrim elitash, por vetëm ndërrim të pllakës së elitave në politikë, në gjyqësor, në administratë, në jetën shkencore, të cilat amnistuan vetveten, me justifikimin, se në diktaturë „kishin bërë vetëm detyrën.

Drejtësia dhe shteti i së drejtës

Fjalia lapidare e aktivistes gjermano-lindore për të drejtat e njeriut, Bärbel Bohley se "Ne kërkonim drejtësi, por morëm shtetin e së drejtës", është mjaft domethënëse në kontekstin shqiptar: Vërtet drejtësia duhej të vihej në vend brenda shtetit të së drejtës, ajo nuk duhej të ishte një drejtësi hakmarrëse. Por kur mijëra të burgosur politikë në proceset gjyqësore nuk e thërritën dot për ndihmë shtetin e së drejtës, e për ata u përdor "shpata e diktaturës së proletariatit që qëndronte gjithmonë e mprehur", gruaja e diktatorit Enver Hoxha, Nexhmije Hoxha, kur u arrestua, kërkoi me arrogancë menjëherë në dhomën e hetimit avokatin mbrojtës. Shtetin e së drejtës e moshkeljen e të drejtave të personalitetit e zbuluan shpejt dhe e përdorën si mburojë elitat e diktaturës. Viktimat e diktaturës jo.

Kush fliste për të shkuarën komuniste, ishte një i djeshëm i pandreqshëm, sepse fryma e kohës nuk ishte katarsisi, por fshehja. Një imperativ tjetër i preokuponte elitat e dikurshme: ruajtja e favoreve të pushtetit, të stërviturut dinin të nuhasnin burimin nga rridhnin favoret e një pushteti të ri. Në diskursin shkencor për studimin e diktaturës në ish-vendet komuniste ka një koncept që njihet si „avantazhi i startimit". Ata që ishin brenda korridoreve të pushtetit e kishin avantazhin jo vetëm për t'i bërë vend vetes në epokën e re, e nuk ishte fjala për të gjetur për fëmijët e tyre bursa jashtë shtetit, por për të qenë dora drejtuese që do të formësonte ndërrimin e sistemit në Shqipëri. Ishin ato që bënë edhe disa ligje lustracioni, me gjysmëzemre, të lëna në mes të rrugës në dy dekada, më shumë për t'u renditur në “detyrat e kryera të shtëpisë" që kërkonte Europa, por hapi final – hapja e dosjeve gjithmonë shtyhej.

Loja politike

26 vjet rresht ishte më e lehtë të hidheshin rregullisht shashka tymuese për hapjen e tyre, derisa opinioni të lodhej, në rast nevoje mund të akuzoje kundërshtarët politikë për dështimin e mos-hapjes së tyre, se sa të mbaje përgjegjësi. Pasoja: Teatri absurd i parlamentit shqiptar, ku deputetët thërrisnin njëri-tjetrin me nofkën e spiunit dhe një lojë e pashembullt politike, e pakrahasueshme me asnjë nga vendet ish-komuniste të Lindjes.

Shqipëria nuk pati aktivistë të pjekur të lëvizjes qytetare si në RDGJ, të cilët bllokuan zyrat e Stasit në janar 1990, e qëndruan aty, derisa u mor një vendim i posaҫëm. Shqipëria e viteve 90-të të këpuste shpirtin nga varfëria, ajo ishte në ethe për të blerë një makinë, për të blerë televizor me ngjyra, për të ndërtuar një shtëpi, për të pasur rroba të jashtme, për të paguar një vizë jashtë shtetit. Shqipëria që thërriste për hapjen e dosjeve, që kërkonte drejtësi për ata qindra mijëra viktima të diktaturës kishte zë të dobët, të papërfaqësuar me ndershmëri nga politika.

Në fillimet e demokracisë presidenti i atëhershëm, Sali Berisha, i thotë revistës gjermane “Der Spiegel" se hapja e dosjeve do të thoshte prishje e familjeve shqiptare, sepse ka pasur raste që gruaja ka spiunuar burrin, vëllai vëllanë. U qanin hallin divorceve pushtetarët e rinj apo divorcit me veten? Ndërsa vite më vonë politikanë apo ish-drejtues të institucioneve të ndryshme e zhvlerësonin hapjen e tyre duke deklaruar, se shumica e dosjeve janë shkatërruar, ato ose gjenden të mykura nëpër thasë të arkivave, ose mund të jenë manipuluar. Konkluzioni: Epo mirë, meqënëse qenkan prishur, ta lëmë, nuk ia vlen t'i hapim, tani duhet të shohim përpara.

“Mos gërmo në të shkuarën se do të humbasësh një sy, harroje të shkuarën e do t'i humbasësh të dy sytë", shkroi Alexander Solzenizyn në “Arkipelagun Gulag".

Politika shqiptare i humbi 26 vjet rresht, me dëshirë të dy sytë për këtë ҫështje, vetëm për të shpëtuar nga përballja me të vërtetën. Dosjet janë dështimi më i hidhur i tranzicionit shqiptar, këtë e ka regjistruar që sot historia.

26 vite pas diktaturës më në fund ka një autoritet për hapjen e dosjeve, edhe emrat e anëtarëve u miratuan nga parlamenti. I bëri kujt përshtypje ky lajm? Unë vetë, njësoj si në vitin 1990 nuk ndjeva ndonjë gëzim, as edhe një buzëqeshje të hidhur nuk ta nxjerr dot një lajm i tillë. Krijimi i autoritetit sigurisht nuk do të thotë se ato do të hapen shpejt, loja politike vazhdon. Me shpresën e disave, se deri sa të hapen ato, kanë ndërruar jetë shumë nga ata “të bezdisurit" që duan të dinë patjetër të vërtetën. Llogaria e elitave të vjetra për ta zgjidhur biologjikisht përballjen e Shqipërisë me të shkuarën komuniste ka dalë. Mos duan t'i urojmë tani edhe për suksesin?

Pushtimi dhe Çlirimi i Shqipërisë (7 prill 1939 – 29 nëntor 1944)


Lufta, triumfi i maskarenjve, manipulatorët dhe sehirxhinjtë e të ashtuquajturës botë akademike*



Shpëtim Çuçka/Përkthyes, ish-Ambasador



Në këta njëzet e pesë vjet tema e Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare (më poshtë: LANÇ dhe Lufta) është prekur dhe është trajtuar në mënyrë të përsëritur. Mund të thuhet, madje, që ajo ka qenë periudha e historisë sonë më e pranishme në faqet e shtypit të shkruar. Vetëkuptohet që për shkak të ndryshimeve rrënjësore, që pësoi shoqëria në fillim të viteve ’90, ndryshoi rrënjësisht – në shumicën dërrmuese të trajtesave – edhe këndi i vështrimit të kësaj periudhe. Nga periudhë e lavdishme LANÇ-i u trajtua si periudhë vëllavrasjeje, etjeje për pushtet, tradhtie të interesave kombëtare, shkak i varfërisë, padijes dhe dhunës për 45 vjetët e ardhshëm. Nga ana tjetër edhe te një pjesë e trajtesave, që nuk u pajtuan me këtë përmbysje rrënjësore të vlerësimit të Luftës, është vënë re një “rrumbullakim” i gjykimeve, një përshtatje me të ashtuquajturin demokratizim të shoqërisë, me të ashtuquajturat vlera perëndimore.
Tabloja e këtyre dy modeleve të qëndrimit ndaj Luftës mund të përgjithësohet kështu: numri i goditjeve ndaj saj asnjëherë nuk është rralluar dhe forca e tyre asnjëherë nuk është zbehur, ndërsa “rrumbullakësimi” i vlerësimeve përgjithësisht pozitive, masa e oportunizmave, ka ardhur duke u shtuar.
Sigurisht ka pasur edhe qëndrime krejtësisht të kundërta me dy të mësipërmet, qëndrime që e mbrojnë me parimësi vështrimesh dhe argumentesh LANÇ-in. Veçse në mënyrë të vetëkuptueshme ato kanë qenë të pakta: koha e sotme, klima e sotme, është hapur kundër tyre.
Në prag të 72-vjetorit të ditës së Çlirimit të vendit tonë nga pushtimi nazi-fashist dhe nga bashkëpunëtorët e tij shqiptarë, në këto ditë kur goditjet ndaj LANÇ-it kanë rifilluar të shfaqen në shtyp e në programe televizive, e drejta historike, rrjedhimisht, vetë nevoja e ecurisë së shoqërisë sonë sot e në të ardhmen, e bëjnë të domosdoshme shpalosjen me këmbëngulje të vlerësimit realist të kësaj ngjarjeje, ndaj së cilës shoqëria e sotme sa vjen e bëhet më fajtore.
***
Le të parashtrojmë disa nga çështjet kryesore që lidhen me vlerësimin e LANÇ-it dhe me goditjet kryesore që i janë bërë atij në këtë periudhë.
Në materialet publicistike dhe propagandistike të këtyre 25 viteve – qofshin ato tërësisht a pjesërisht negative (domethënë “të rrumbullakuara”) – periudha e Luftës në veçanti, e ngjarjeve të historisë sonë nga pushtimi i vendit më 7 prill 1939 deri në çlirimin e tij më 29 nëntor 1944 në tërësi, shihet e copëzuar dhe pa asnjë lidhje kohore dhe rrethanore me zhvillimet brenda e jashtë Shqipërisë. Ky këndvështrim është kundërshkencor dhe buron nga një qëndrim i qartë: ai synon të përligjë pushtimin e vendit dhe rrjedhimisht të hedhë poshtë çlirimin e Shqipërisë dhe popullit shqiptar. Si i tillë ai nuk i përgjigjet të vërtetës së madhe historike. Ai në thelb është kundër kësaj të vërtete.
Pushtimi i Shqipërisë më 7 prill 1939 ishte pasojë jo vetëm e politikës së shtetit fashist italian, por edhe e politikës kundërshqiptare të asaj klase që qeverisi Shqipërinë duke filluar nga 24 dhjetori 1924. Rrjedhimisht LANÇ-i ishte pasojë e drejtpërdrejtë e pushtimit të Shqipërisë më 7 prill 1939, ishte reagim i popullit shqiptar ndaj këtij pushtimi. lanç-i ishte gjithashtu reagim ndaj politikës kundërshqiptare dhe kundërpopullore, praktikisht tradhtare, të klasës që qeverisi Shqipërinë duke nisur nga 24 dhjetori 1924.
LANÇ-i ishte reagim i popullit shqiptar edhe ndaj politikës jo vetëm kundërshqiptare e kundërpopullore, por edhe haptazi tradhtare, të klasës që qeverisi vendin pas pushtimit dhe që praktikisht e ka qeverisur vendin edhe përpara vitit 1912 (në shërbim të pushtuesit dhe sunduesit të huaj), edhe pas vitit 1912 (gjithnjë e gatshme për “integrim” me forcat e huaja, të cilat pavarësinë e Shqipërisë nuk e kanë dashur as më 1914-ën, as më 1916-ën, as më 1925-ën, as më 1939-ën, as pas 1944-ës). Për këtë klasë pavarësia e Shqipërisë nuk ka qenë asnjëherë përparësi, ndërsa interesat e popullit shqiptar, mirëqenia e tij, vetë fjala “popull”, për të nuk kanë ekzistuar. E vetmja përparësi për këtë klasë ka qenë mirëqenia vetjake. Dhe për hir të kësaj mirëqenieje ajo ka shitur vendin në shekuj. LANÇ-i ishte përgjigjja e popullit shqiptar ndaj klasës sunduese, ishte shpagimi për shpërfilljen dhe shtypjen shumëshekullore.
LANÇ-i ishte i pamundur pa udhëheqjen e një faktori politik. Ky faktor politik, në vijim të asaj që kishte ndodhur në Evropë e më gjerë duke nisur nga gjysma e dytë e shek.XIX dhe nën ndikim të asaj që po ndodhte në një varg vendesh evropiane në atë kohë, ishte një forcë politike që udhëhiqej nga interesat e popullit punonjës dhe të vendit në tërësi, ishte parti komuniste. Është fakt që ky faktor politik lindi në një kohë që ushtria e Gjermanisë hitleriane ndodhej në pikën më të afërt nga kryeqyteti i Bashkimit Sovjetik, pra, lindi jo atëherë kur shpresat e fitores së frontit antifashist ndërkombëtar ishin më të mëdha e më të dukshme, por, përkundrazi, atëherë kur suksesi i aleancës nazi-fashiste dukej më i mundshëm.
LANÇ-i ishte luftë nacional-çlirimtare. Por klasa sunduese e ktheu gjithçka në luftë për pushtet me politikën që ndoqi duke u vënë në shërbim të pushtuesit dhe duke iu kundërvënë me armë luftës nacional-çlirimtare. Dhe klasa sunduese iu kundërvu çlirimit të vendit, pasi për të u bë e qartë që nuk do të mund ta mbante pushtetin në një Shqipëri të çliruar: duke u bashkuar (siç kishte bërë në shekuj) me pushtuesit kundër interesave të popullit ajo nuk mund ta mbante më pushtetin politik pa ushtritë e pushtuesve dhe nuk kishte më (nëse kishte pasur ndonjëherë) asnjë pushtet moral për të qeverisur. Kongresi i Përmetit ishte fundi i logjikshëm i sundimit të një klase pa skrupuj e të shitur.
Periudha pas mbarimit të Luftës II botërore dëshmoi se kundërshtarët e LANÇ-it e vazhduan veprimtarinë e tyre kundër Luftës dhe praktikisht kundër shtetit shqiptar, ashtu sikurse kjo periudhë dëshmoi qëndrimin e vërtetë të një pjese të koalicionit kundërfashist ndaj Shqipërisë së pavarur. Një ndër provat më të forta të kësaj lufte pothuaj të hapur ndaj vendit tonë (si edhe ndaj vendeve të tjera) ishte kundërshtimi që iu bë Shqipërisë për mbi 10 vjet nga ish-aleatë të mëdhenj të koalicionit kundërfashist për të mos e lejuar të anëtarësohej në OKB, bllokim ky i shoqëruar me veprimtarinë e organizatës “Shqipëria e lirë” dhe veprimtarinë diversioniste e terroriste kundër Shqipërisë popullore.
Parimet dhe mësimet e LANÇ-it ishin një gur prove edhe për vetë veprimtarinë e shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Shmangiet nga këto parime dhe mësime nuk munguan gjatë gjithë periudhës 1944-1990, derisa u arrit që një pjesë e konsiderueshme e popullit, veçanërisht një pjesë jo e vogël e inteligjencies, e humbi lidhjen me mesazhet e mëdha të epokës së LANÇ-it dhe mbështeti ose lejoi kthesën politike, e cila i përmbysi jo vetëm parimet dhe mësimet e LANÇ-it, por edhe rezultatet më të mira, që ishin arritur duke ndjekur vijën e kësaj Lufte të madhe.
Gjendja e vendit sot, gjendja e shoqërisë sonë, në këtë mes edhe gjendja e shkencës së historisë, është një dëshmi e trishtuar, shumë e hidhur, se çfarë solli heqja dorë nga vepra, mësimet, vetë fryma e Luftës antifashiste nacional-çlirimtare. Nuk ka një fushë të jetës së shoqërisë – duke nisur nga politika e deri te kultura – ku të mos jenë shkelur e nëpërkëmbur interesat e popullit. Nuk ka ditë që mes qytetarësh të mos përhapen lajme për njerëz të dëshpëruar që duan të largohen nga atdheu dhe ku të mos dëgjohet shprehja e pikëlluar “Ky vend nuk bëhet”. Këtu nuk është fjala për ata biznesmenë “të suksesshëm”, dhe as për ata politikanë dhe pjesëtarë të “shoqërisë civile”, që janë “integruar” me kohë me “botën e qytetëruar”. Fati i popullit dhe fati i tyre kanë qenë, janë dhe do të jenë gjithmonë të ndarë. E mira e popullit është e keqja e tyre dhe fati i tyre është fatkeqësi e popullit.
Në të tilla rrethana nuk janë aspak të habitshme sulmet e paargumentuara dhe thellësisht kundërshkencore ndaj LANÇ-it. Madje nuk arrin të ngjallë keqardhje as gjendja e shkencës historike, e cila mbetet në hije dhe në bisht të spekulantëve dhe manipuluesve të historisë, të të gjithë atyre që me gojë a me shkrim, me bujë a në mënyrë tinëzare, përpiqen të hedhin poshtë faktet madhore të historisë së vendit duke rendur pas copërinave të letrave, të cilat i quajnë me emrin mashtrues “dokumente” dhe të cilat përdoren vetëm për të fshehur të Vërtetën e madhe. Vetë historia është kokëfortë: ajo shpërfill çdo shkelje të së vërtetës, sado fitimprurëse materialisht e financiarisht të jenë këto shkelje për ata që i bëjnë. Dhe do të dënojë me harresë jo vetëm maskarenjtë e manipulimeve por edhe sehirxhinjtë e të ashtuquajturës botë akademike.
Në përvjetorin e 72-të të Çlirimit të vendit shqiptarët e ndershëm, ata që e duan atdheun të lirë dhe të pavarur dhe popullin zot të vendit, ata që e kanë të qartë se pushteti i popullit, pavarësia e sovraniteti i atdheut dhe “demokracia”, “liria” e “liria e fjalës” janë në praktikë gjëra krejtësisht të ndryshme, ata që e dinë se sot për fat të keq kanë mbetur aktuale vargjet e Pashko Vasës
Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,
ndër njëqind çeta jeni shpërnda,
……………………………………………..
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
për me ju damun, me ju vorfnue,
………………………………………………
Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,
me ju turpnue me grue e me motër
……………………………………………
Baheni rob të nierit t’huej,
qi nuk ka gjuhën as gjakun tuej,
ata që nuk e kanë harruar veprën e madhe të heronjve dhe dëshmorëve të LANÇ-it, të Q. Stafës, V. Shantos, P. Rexhepit, V. Kushit, Z. Çurres dhe qindra e mijëra bijve e bijave të tjera të popullit, ata që nuk e kanë harruar punën madhështore të një populli të tërë për shpëtimin nga gjendja e mjeruar dhe ngritjen e një shoqërie të drejtë, domethënë të begatë për të gjithë e jo për një grusht të vogël njerëzish jo më njerëz, e presin 29 nëntorin pa atë gëzim që kjo datë meriton dhe pa atë krenari, që do t’u sillte një gjendje shoqërore e drejtë. I tillë është fati sot i njerëzve që besuan te Lufta antifashiste nacional-çlirimtare dhe te ndërtimi i një Shqipërie të re, një Shqipërie për popullin. Sot nuk është dita e tyre, nuk është koha e tyre. Sot është koha për t’u menduar e për t’u penduar që i lamë punët të arrinin deri këtu, deri në triumfin e maskarenjve.

Marin Mema niset drejt Himarës. Largohen me shpejtësi drejt Greqisë personat që ngritën flamurin grek në Kala


Flamuri Grek i ngritur sot në Himarë 

Mema është person kyc në raportet greko - shqiptare. I përmendur disa herë së fundmi nga kryeministri, bëhet e ditur se pala greke po kërkon të shkëmbejë heqjen e statusit "non grata" për gazetarin Mema me dhënien e nënshtetësisë për kryepeshkopin Janullatos.
Po kështu, Unioni i Gazetarëve ka vendosur krijimin e cmimi "Mema" për gazetarinë kuqezi.

Eurodeputetja qipriote, Eleni Theocharous: Të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri burojnë nga Protokolli i Korfuzit


Një takim i thirrur nga Partia Për Bashkimi për të Drejtat e Njeriut për çështjen e pronave në Himarë solli në Tiranë, 2 deputetë grekë dhe eurodeputeten Qipriote, Eleni Theocharous, të cilët dënuan vendimin e qeverisë shqiptare për të prishur 19 objekte në qendër të Himarës në kuadër të rikualifikimit urban.

Në këtë takim ishte e pranishme edhe ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Eleni Sourani. Përtej lobimit që po bën Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe kreu i saj Vangjel Dule për të mbajtur në krye të axhendës politike çështjen e prishjes së objekteve në Himarë, të cilat u përkasin banorëve me shtetësi greke, takimi rrëshqiti disi nga objekti duke marrë një karakter edhe më nacionalist, kryesisht nga fjala e dy deputetëve grekë dhe në veçanti e eurodeputetes qipriote, Eleni Theocharous.

Kjo e fundit, foli për një tokë të shenjtë siç e quajti ajo Vorio Epirin duke theksuar se të drejtat e minoritetit grek në Shqipërinë burojnë nga Protokolli i Korfuzit i vitit 1914. Theocharous tha se ajo ishte pjesë e Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian dhe së fundmi e ngarkuar për çështjet e Shqipërisë, çka sipas saj do të përbëjë një filtër të fortë për proceset integruese të Tiranë drejt Bashkimit Evropian. Nuk është e qartë sesi përdoret Protokolli i Korfuzit si referencë dhe mbi çbazë juridike kërkohet respektimi i të drejtave të minoritetit nisur nga ky protokoll.

Protokolli i Korfuzit (1914) ishte akt që Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit nënshkroi me qeverinë greke, në emër të qeverisë së V.Vidit ku vendosej një pozitë e veçantë e krahinave të Jugut duke u njohur atyre një lloj autonomie që përfshinte si pika kryesore: një administratë më vete si dhe një xhandarmëri lokale që do të vepronte vetëm në krahinat jugore. Njihej greqishtja si gjuhë e vetme fetare e komuniteteve ortodokse, ndërsa në shkolla, në organet shtetërore e gjyqësore greqishtja do të ishte e barabartë me gjuhën shqipe.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...