Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/12/03

Persekutimi më i madh në historinë e Turqisë





Tentativa për grushtin e shtetit ndodhi të premten në darkë. Që nga mbrëmja e së dielës, një listë me emrat e 73 gazetarëve të arrestuar u bë publike nga një profil pro-qeveritar në mediat sociale. Emri im ishte në krye të kësaj liste. Brenda tri ditëve, 20 portale u mbyllën dhe u anulluan liçencat e 24 gazetave dhe radiove. U bastisën zyrat e gazetës “Meydan” dhe dy kryeredaktorët e kësaj gazete u ndaluan. (Ata u liruan 24 orë më vonë). Dje gazetari, Orhan Kemal Xhengiz, emri i të cilit ishte gjithashtu në këtë listë, u arrestua në aeroport bashkë me bashkëshorten e tij. Tashmë është pothuajse e pamundur që të ketë mbetur ndonjë zë opozitar në vend dhe mediat tashmë kontrollohen plotësisht nga qeveria. Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut është pezulluar deri në një njoftim të dytë. Retë e frikës ka kapluar vendin.
Në momentin kur gjatë kësaj jave, presidenti Rexhep Tajip Erdogan deklaroi gjendjen e jashtëzakonshme për një afat 3-mujor, mendova se: “Asgjë nuk ka ndryshuar”. Si një gazetar i cili ka prodhuar dokumentarë për të gjithë grushtet e fundit të shtetit në vend gjatë dekadave të fundit, dhe që ka përjetuar vetë 3 grushtet e fundit të shtetit, e dija shumë mirë se çfarë tmerresh mund të sjellë një grusht shteti. Megjithatë, kuptova se dështimi i grushtit të shtetit do të fuqizonte edhe më shumë pushtetin e Erdoganit, duke e shndërruar atë në një tiran.
Politika e Turqisë gjithmonë ka funksionuar si një lavjerrëse; ajo lëkundet përherë nga xhamia në kazermë dhe kthehet sërish mbrapsht. Kur ajo afrohet shumë pranë xhamisë, ushtarakët ndërhyjnë dhe përpiqen ta rikthejnë sërish në kazermë. Dhe kur presioni për laicizmin nga kazermat bëhet shumë i madh, fuqia e xhamive rritet ndjeshëm. Dhe elita demokrate e mirëarsimuar, e cila qëndron në mes të këtyre dy ekstremeve, gjithmonë është pjesa më vitale e shoqërisë që e bie pre e dhunës.
Pse nuk mund të shpëtojmë dot nga kjo dilemë? Është shumë e thjeshtë për ta shpjeguar, por shumë e vështirë për ta zgjidhur. Ushtria turke, për fat të keq, ka qenë e vetmja forcë “kujdestare” e laicizmit, në një vend ku shoqëria civile nuk është maturuar kurrë, ku partitë opozitare janë të dobëta, ku mediat censurohen dhe sindikatat, universitetet dhe autoritetet lokale janë asgjësuar. Forcat e armatosura përherë kanë pretenduar që janë ata mbrojtësit e vetëm të modernizmit të vendit. Në mënyrë paradoksale, megjithatë, në çdo grusht shteti të organizuar nga ushtria, kjo e fundit jo vetëm që ka dëmtuar demokracinë, por gjithashtu ka nxitur Islamin radikal. Një skenë e kohëve të fundit në funeralin e një protestuesi të grushtit të shtetit, simbolizon në mënyrë perfekte situatën në vend. Edhe presidenti ishte i pranishëm në atë funeral. Imami lutej duke thënë: “O Zot, na mbro nga çdo ligësi, sidomos nga ligësitë e të arsimuarve”. “Amin” (“Amen”) brohoriti turma.
Pra, grushti i dështuar i shtetit i javës së kaluar, është thjesht shembulli më i fundit i luhatjeve shekullore. Por, ai gjithashtu duket se është një nga më të tmerrshmit. Gjatë tentativës për grushtin e shteti të datës 15 korrik, turmat iu përgjigjen thirrjeve të xhamive në mbarë vendin. Ata bërtitën “Allahu Ekber” (Zoti është më i madhi), ndërsa vrisnin ushtarët; tundnin flamujt turq dhe flamujt e gjelbër e Islamit, dhe bërtisnin: “Duam ekzekutime”.
Listat me emrat e të gjithë “kundërshtaarëve” të mundshëm, jo vetëm ato me emrat e gazetarëve, nisën të bëheshin publike menjëherë. Rreth 60,000 njerëz, përfshirë 10 mijë policë, 3 mijë gjyqtarë dhe prokurorë, më shumë se 15 mijë arsimtarë, dhe të gjithë dekanët e universiteteve në vend, janë të arrestuar apo pushuar nga puna, dhe ky numër vazhdon të rritet çdo ditë. Torturat, të ndaluara me ligj që prej grushtit ushtarak të vitit 1980, janë rishfaqur sërish. Ndërkohë, ka nisur fushata për rikthimin e dënimit me vdekje, i cila u hoq në vitin 2002. Kjo është “gjuetia e shtrigave” dhe perskutimi më i madh në historinë e republikës.
Çfarë do të thotë kjo? Bashkë me gjendjen e jashtëzakonshme, kjo do të thotë se pushteti legjislativ së shpejti do të neutralizohet në një shkallë shumë të madhe dhe se vendi po shkon drejt një autoriteti ekzekutiv; do të pengohet e drejta për një gjykim të paanshëm dhe të drejtë; dhe medias do t’i imponohet një censurë akoma më e fortë. Erdogani tashmë ka deklaruar se nëse parlamenti vendos në favor të dënimit me vdekje, ai do të miratojë një vendim të tillë. Nëse ai nuk po luan bllofin, kjo mund të çojë në një shkëputje të plotë të marrëdhënieve me familjen evropiane, nga e cili Turqia tashmë ndihet e përjashtuar.
Për arsye që ende nuk dihen, dhe që në fakt janë të pakuptueshme, ushtarakët që tentuan të marrin kontrollin natën e të premtes, bllokuan vetëm rrugën që të çon nga azia në Evropë; dhe të gjitha rrugëkalimet e tjera për në Rusi, Arabinë Saudite, Katar dhe Iran ishin të pabllokuara. Këtë unë e shoh si një vendim simbolik, që Turqia tashmë është e bllokuar në Azi. Dera e saj për në Europë është mbyllur.
Dhe problemet që mbeten pas janë këto. Në rregull, shpëtuam nga një grusht shteti të ushtarakëve, por kush do të na mbrojë ne nga një shtet policor? Në rregull, tani jemi të sigurtë nga “ligësitë e të arsimuarve” (cilatdo qofshin ato), por si do të mbrohemi nga injoranca? Në rregull, ushtrinë e zbrapsëm sërish në kazermat e tyre, por si do të mbrohemi nga një politikë që strehë ka xhaminë?
Dhe pyetja e fundit i drejtohet një Evrope që është e zënë me problemet e veta të shumta: a do të mbyllni sërish njërin sy dhe do të bashkëpunoni me të për shkak se “Erdogani ka në dorë çelësat e çështjes së refugjatëve”? Apo do të ndiheni të turpëruar për pasojat e mbështetjes tuaj të deritanishme dhe do të rreshtoheni në mbrojtje të Turqisë moderne?

*Kryeredaktor i të përditshmes “Cumhuriyet” (Republika), e cila njihet për qëndrimin e saj opozitar ndaj qeverisjes në Turqi.
Marre nga Shekulli

Trekëndëshi Meta-Rama-Idrizi dhe 2017-ta



Eduard Zaloshnja


Lulzim Basha e nisi fushatën e zgjedhjeve në Dibër me objektivin e deklaruar politik të fillimit të marshimit elektoral drejt marrjes së pushtetit në zgjedhjet e 2017-ës. Ndërsa Rama e nisi me objektivin e padeklaruar politik të arritjes së suksesit vetëm me ndihmën e PDIU-së dhe pa ndihmën e LSI-së. Siç dihet tashmë, Basha nuk e realizoi objektivin e tij në Dibër, ndërsa Rama e realizoi.


Por a mund të quhet Dibra një provë e koalicionit “Rama-Idrizi” (pa Metën), që mund të vlejë për zgjedhjet e përgjithshme?

Qysh kur u shkëput nga PS-ja, LSI-ja ka treguar se është një parti që merr vota në të gjithë territorin e vendit, e jo vetëm në Skrapar (pavarsisht se u etiketua atëherë nga Nano si “Lëvizja e Skraparllinjve të Inatosur”). Duke filluar nga 2005-sa, ajo ka qenë praktikisht përcaktuese e emrit të kryeministrit të vendit dhe të kryebashkiakut të Tiranës.

Nga ana tjetër, PDIU-ja lindi nga shoqata Çamëria, për të vazhduar në parlament betejën për vënien në vend të së drejtës për popullsinë martire çame. Por që kur në krye të saj erdhi Shpëtim Idrizi, partia e ndryshoi profilin, duke u kthyer nga parti e fokusuar në problemet e një komuniteti, në parti me shtrirje kombëtare (në zgjedhjet e 2011-ës, fjala vjen, mori 400 vota në Tropojë). Sidoqoftë, deri në zgjedhjet e vjetshme, ajo ka arritur të ketë deputetë apo kryebashkiakë që përfaqësojnë vetëm zona ku ka përqendrim të lartë të komunitetit çam.

Por në zgjedhjet e së djelës në Dibër, PDIU-ja tregoi se është në gjendje të përcaktojë fituesin. Në kushtet kur LSI-ja bëri një fushatë fare të vakët në Dibër, PDIU-ja mobilizoi gjithë burimet e saj njerzore për siguruar fitoren e kandidatit socialist. Jo më kot, Damian Gjiknuri, drejtuesi socialist i fushatës së Dibrës, falenderoi në mënyrë të veçantë PDIU-në për atë fitore. Ndërkohë, eksponetë socialistë me peshë më të vogël politike u ankuan për fushatën e vakët të LSI-së.

Pas fitores në Dibër, jo pak socialistë po diskutojnë (jo publikisht) për një koalicion parazgjedhor të udhëhequr nga PS-ja dhe PDIU-ja, pa përfshirë LSI-në. Disa madje më kanë kontaktuar, duke iu referuar një shkrimi tim të para dy javëve (http://www.respublica.al/2016/09/05/afrimi-rama-idrizi-dhe-llogarit%C3%AB-elektorale ). Në atë artikull shkruaja:

“Duke presupozuar se partitë do t’i ruajnë votat që morën më 2013, koalicioni Rama-Idrizi-etj (por pa PBDNJ-në, e cila nuk pranon të jetë në koalicion me PDIU-në) do të merrte 850 mijë vota; koalicioni Berisha-Basha-etj (plus PBDNJ-në) do të merrte 650 mijë vota; dhe LSI-ja 180 mijë vota. Përkthyer në mandate parlamentare, do të kishim këtë ndarje 70-56-14.”

Sipas socialistëve që më kanë kontaktuar, Dibra tregoi se koalicioni Rama-Idrizi-etj (pa LSI-në) mund të marrë më shumë se 70 mandatet që përcakton llogaritja e mësipërme. Por a na e tregon vërtet Dibra këtë gjë?

Së pari, LSI-ja vërtet mund të mos ketë dhënë ndihmë për fitoren e “së majtës” në Dibër, por as nuk punoi hapur kundër saj – siç punoi, fjala vjen, në Tiranën e 2011-ës. Nëse LSI-ja do të kishte dalë nga koalicioni qeverisës gjatë turbullirave të verës që sapo kaloi, puna e saj për fitoren e Sherefedin Shehut do të kishte qenë ndoshta më e fortë se sa puna për fitoren e Lulzim Bashës më 2011.

Së dyti, PDIU-ja i përqendroi të gjithë deputetët dhe përkrahësit e saj në Dibër para një jave, por në zgjedhjet e përgjithshme, secili deputet dhe përkrahësit e tyre do të punojnë në qarqet e veta. Dhe duke u shpërndarë secili në qarkun e vet, ata mund të mos jenë në gjendje të ndikojnë në rezultatin e koalicionit në mënyrë të ngjashme me Dibrën.

Ndoshta duke patur këto llogari në mendje, Rama i këshilloi të tijët (sipas raportimeve në media) që të mos i kapë euforia nga rezultati i Dibrës. Dhe pak ditë më vonë, Ministri Ditmir Bushati deklaroi në “Debatin” e Roland Qafokut se “Ilir Meta është kandidat i fortë për President, por kjo varet nga Meta, nga koalicioni, nga votat në Parlament”. Sipas Bushatit, “një njeri që ka qenë Kryeministër, ministër i Jashtëm, ministër i Ekonomisë, kryetar Parlamenti, kur lexon CV dhe sheh kontributin, ai është një kandidat i fortë për President”. Ndërsa deputeti socialist Arben Çuko deklaroi në Report TV se “nëse Ilir Meta do të shkonte në presidencë, do ta lehtësonte rrugën e së majtës në pushtet”

A po mendon Rama që ta afrojë më tepër Idrizin dhe që ta largojë butë Metën nga beteja elektorale e 2017-ës, pa e bërë armik atë?

Rama duhet të ikë, por kush do të vijë dhe si?






Eduard Zaloshnja


Gjatë një interviste në TemA TV, Mustafa Nano renditi disa arsye përse Edi Rama duhet larguar nga kreu i qeverisë. Në fakt, mund të ketë edhe 1001 arsye të tjera (përveç atyre që renditi Nano), përse Rama duhet larguar nga kryeministria, por pyetja është se kush do ta zëvendësojë dhe si.

Nano e dha një zgjidhje të mjegullt në intervistën e tij, kur tha se largimin e Ramës e kanë në dorë socialistët, të cilët “me hir apo me pahir duhet t’i japin munxët kryeministrit”.



Që të materializohet një skenar i tillë, duhet që njerzit që ka përzgjedhur Rama me dorën e vet në krye të partisë e në grupin parlamentar të ngrihen kundër tij dhe ta shkarkojnë atë. Deri më sot nuk ka ndodhur një gjë e tillë në partitë shqiptare, dhe gjasat janë që do të mbetet një opsion thjesht teorik edhe për shumë vjet.

Duke qendruar tek PS-ja, një opsion tjetër është që Ben Blushi ta krijojë më së fundi lëvizjen apo partinë e tij me socialistë të zhgënjyer, dhe ta sfidojë Ramën si një socialist më i pranuar nga elektorati se sa Rama. Në fakt, në fjalimin që mbajti në Kuvend për ligjin e mbetjeve, Blushi sulmoi si Ramën edhe Berishën, duke i quajtur të dy si shkatërrues të jetës e të shëndetit të popullit.

Me rregull treshi, i bie që Blushi të jetë mbrojtës i jetës dhe i shëndetit të popullit. Por fill pas fjalimit të tij në Kuvend, qarkulloi në media fotokopja e një kontrate të 2004-ës, e firmosur nga famëkeqi Beketi, Blushi, dhe dy ministra të tjerë të asaj kohe, sipas së cilës do të importoheshin në Shqipëri plehra për t’u djegur (jo thjesht mbetje për t’u ricikluar).

Një opsion tjetër është Ilir Meta. Por që ai të zëvendësojë Ramën duhet patjetër që të dalë më vete pas 9 muajsh në zgjedhjet parlamentare. Meta mund të vërë bastin se koalicioni Rama-Idrizi do të marrë maksimumi 69 mandate, dhe ai mund t’i vërë pastaj kusht PD-së karrigen e kryeministrit. Por ky do të ishte një bast i rrezikshëm per metën, që po ta humbasë, do të thyente mitin që mbizotëron në elektoratin pragmatist se “LSI-ja mbetet gjithnjë në pushtet”.

Në fakt, rezultatet e 2013-ës dhe ato të Dibrës tregojnë se koalicioni Rama-Idrizi (pa LSI-në) mund ta arrijë shifrën magjike të 71 mandateve (me votat e 2013-ës mund të kishte marrë 70 mandate).

Opsioni më normal për zëvendësimin e Ramës do të ishte Basha, meqë është kyetar i opozitës. Por ai deri më sot ka dhënë vetëm justifikime për humbjet, edhe pse ka më shumë se një vit që përbetohet se elektorati do ta përkrahë masivisht programin e tij të uljes së taksave dhe të çmimeve të energjisë, etj. “Humbja do të kishte qenë me 14 mijë vota, e jo me 4 mijë, nëse nuk do t’i kishim mbrojtur votat ne”, tha Basha për humbjen në Dibër...

Një opsion tjetër do të ishte rikthimi i Berishës në krye të qeverisë. Por beteja e përditshme që zhvillon ai me ndihmën e mesazheve të “qytetarit dixhital” galvanizon ndoshta vetëm ata që e votuan para tre vjetësh për ta rizgjedhur kryeministër. Dhe ato 680 mijë vota nuk mjaftojnë për rrotacionin e pushtetit – po aq vota morën vjet edhe kandidatët e Bashës për kryebashkiakë dhe fituan në vetëm 15 bashki. Ndërsa një rikthim të tij në pushtet me metodat e 1998-ës nuk do ta lejonte komuniteti ndërkombëtar, siç nuk e lejoi edhe atëherë...

E gjithë kjo analizë na çon tek teza e kahershme e Fatos Lubonjës, sipas të cilit, zgjidhja afatgjatë e qeverisjes në Shqipëri mund të vijë nga një lëvizje e re politike, e cila duhet t’i kundërvihet të gjitha partive aktuale.

Çdo zgjidhje afatshkurtër është ose e pamundur, ose një zgjedhje e së keqes më të vogël...

Roli i Ramës dhe roli i Palaços*




Armand Shkullaku


Muç Nano, i cili e ka depozituar tashmë në arkivën e historisë politike togfjalëshin e famshëm të “aleancës së qelbësirave”, ka qëlluar përsëri në shenjë. Ai e ka cilësuar kryeministrin Edi Rama, një palaço politik, pas paturpësisë së këtij të fundit për të miratuar të njëjtin ligj, për rrëzimin e të cilit, ishte përbetuar dhe kishte vepruar tri vite më parë. Termi palaço, ndoshta është më i godituri për të definuar një politikan, i cili jo thjesht nuk mban premtimet, jo vetëm gënjen e manipulon, jo vetëm shkatërron arsyen humane me argumenta qesharakë për të justifikuar abuzimin dhe korrupsionin, por që nuk ka një thelb të vetin, një bosht, një filozofi ku beson, një parim që respekton, një linjë që ndjek. Kryeministri, ashtu si edhe personazhi i palaços, ka njëqind fytyra, luan njëqind role, bën njëqind skena, pa qenë asnjëherë vetvetja. E për rrjedhojë, edhe ata që janë të detyruar të ndjekin (për të mbështetur apo kritikuar) politikat e tij, po e kanë gjithnjë e më shumë një mision të pamundur. Në cirkun e kryeministrit, gjykimi nuk ka më asnjë vlerë.


Ligji i plehrave ishte një kulm i këtij palaçollëku, që provokoi edhe reagimin e fortë të Muç Nanos e shumë të tjerëve. Sepse Rama, me dendësinë e manipulimeve të tij, nuk zhvlerëson vetëm kritikën, por heq çdo mundësi mbështetjeje, të paktën për një prej politikave të tij. Nëse e mbështet për një gjë sot, nesër mbetesh si gallof kur sheh të ndodhë e kundërta. Sepse politikat e kryeministrit nuk i drejton një program i caktuar, por interesat e lëvizshme të atyre që e komandojnë atë. Për këtë arsye Fatos Lubonja e ka quajtur maskë, për këtë arsye Muç Nano e konsideron palaço politik. Si mund të ketë vlerë, për shembull, të vlerësosh një kryeministër të majtë, që vjen në pushtet duke ulëritur kundër koncensioneve dhe, jo vetëm i lejon ato, por bën kërdinë duke u dhënë qindra milion euro, në emër të partneritetit publiko- privat, një eufemizëm ky i rilindjes për koncesionet, rrethit të njerëzve të tij për shërbime fantazëm. A ka kuptim të mbështesësh idetë e një lideri për shëndetësi falas dhe reformë të sistemit shëndetësor, kur sapo vjen në pushtet nënshkruan mbi gjysëm miliardë euro për sterilizime e check- up, ndërsa ndodhin vdekje në spitale për shkak të mungesave elementare.

Mund të entuziasmohesh me Lazaratin, por menjëherë të bien si kovë me akull nga qielli avionët e drogës, të cilët transportojnë kanabisin mbarëpopullor me bekim policor. I ngriti peshë disa shembja e pallatit të Lul Bashës, por ka kohë që kanë ulur kokën para pallateve e betonizimit që po lulëzojnë nga veriu në jug. Lista mund të jetë e gjatë, për të mbërritur deri tek akti i fundit, ai miratimit të ligjit për importin e mbetjeve. Këtu, përfundimisht, bëhet e pamundur jo ta mbështesësh, por edhe ta gjykosh apo kritikosh. Këtu, argumenti dhe vlerësimi, bëhen zero. Edi Rama vërtet të le pa tekst. Çfarë mund t’i thuash më parë? Që pse bëri fushatë me ambientalistët dhe kërkoi referendum 5 vjet më parë? Pse ishte me Adrian Klosin 12 vjet më parë? Pse e rrëzoi ligjin e Berishës tri vite më parë? Të kuptosh pse bën fushatë, takime me grupe interesi, ballafaqime në facebook, shpjegime në tv, kur ligji ka kaluar dhe nuk i bën përpara se ta votojë? Apo t’i japësh shpjegim se si i njëjti Edi Ramë që 50 ditë më parë e kundërshtonte këtë projektligj, si pa leverdi ekonomike të garantuar dhe me rrezik shndërrimin e vendit në depo plehrash, tani e quan progres dhe e krahason importin e mbetjeve me atë të grurit për bukë?

Edi Rama nuk mund të shpjegohet, gjykohet, vlerësohet, kritikohet apo mbështetet, sepse ai nuk është Edi Rama. Eshtë dikush që përpiqet të bëjë sikur po bën rolin e kryeministrit. Eshtë një personazh që luan një personazh tjetër, që nuk ka identitet të tijin, pra një palaço. Me të mund të argëtohesh, të hutohesh, të provokohesh, por është e kotë të investosh gjykimin dhe arsyen. Ai është i aftë të t’i zhvlerësojë ato çdo ditë. për sa kohë nuk ka një mision të vetin, një bindje, një program, një parim. Të cilat edhe mund të mos i arrijë për arsye të ndryshme, por tek të cilat do të besonte. Tek besimi i dikujt mund të investosh mbështetjen apo kritikën, por Edi Rama nuk ka një identitet politik të vetin. Ndoshta jo vetëm. Shfaqjet e tij për mbi katër orë në ditë live nëpër ekrane, fotot dhe komentet në rrjete sociale, “gallatat” në ndarjet e tapive, batutat me gratë e botës, ekspozitat artistike në moshë të thyer, xhirot në bllok me pantallona të shkurtra, kravatat me lule e lulet në qendrat e qyteteve, janë cirku ku kryeministri luan çdo ditë. Por ku fatkeqësisht, edhe ne, jemi të detyruar të marrim një biletë.

Kur shteti sillet si gjobëvënës ndaj qytetarëve


Afrim Krasniqi


Një nga tiparet kryesore të shtetit funksional është ofrimi i shërbimeve ndaj qytetarëve. Përgjatë dy viteve të fundit shteti shqiptar, qeveria dhe njësitë vendore, kanë promovuar si sukses të rëndësishëm ofrimin e shërbimeve online, heqjen e praktikave burokratike, si dhe eliminimin e pengesave që ushqejnë korrupsionin. Qeveria ka krijuar portalin e-albania, me pretendime të mëdha, me investime të mëdha, por me rezultate ende pa ndikim pozitiv në sistemin e shërbimeve. Shteti dhe institucionet, të cilat kanë detyrim kushtetues shërbimin ndaj qytetarëve, vijojnë ta shohin funksionin e tyre të kundërt, - ti kthejnë qytetarët në funksion të tyre. Pa përmendur piramidën e përmbysur në përfaqësim, vendimmarrje, etj, le të ilustrojmë katër raste praktike të sistemit abuziv, sipas të cilit, qytetarët penalizohen financiarisht dhe administrativisht për të marrë shërbime, të cilat janë ekskluzivisht detyrë e përgjegjësi e shtetit.



Rasti i parë: Agjensia e Trajtimit të Pronave nxori një udhëzim me detyrime të reja për disa mijëra qytetarë që ende presin të kompensohen për pronat e tyre. Ata do jenë të detyruar të kryejnë disa akte të tjera noteriale, për të gjithë anëtarët e familjes dhe për deklarime, të cilat, sipas ligjit, bëjnë pjesë në përgjegjësinë shtetërore: siç janë përfituesit e tokës bujqësore apo çështjet e gjykuara në gjykatat tona. Urdhri administrativ prek 4 mijë pronarë, kërkon një dokumentacion dy herë më të madh në numër, dhe ka kosto noteriale rreth 12-15 milionë lekë. Shkurt dhe shqip, vetëm ky urdhër u merr qytetarëve të interesuar rreth 12-15 milionë lekë, pa llogaritur investimin në kohë (ditë të humbura, kontakti me ata familjarë që janë në emigracion, dokumentacioni burokratik nëpër zyra, etj). Në fakt, ATP mund ti siguronte këto të dhëna me 0 kosto financiare, duke i kërkuar të dhënat në rrugë zyrtare në Ministrinë e Drejtësisë dhe Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.



Rasti i dytë: Bashkia Tiranë njoftoi rregullat e reja për Kartën e Rezidentit, projekt për parkimet me pagesë. Në njoftimin zyrtar thuhet se qytetari (banori) për të marrë Kartën duhet të paraqesë, certifikatë familjare, vërtetim banimi, certifikatë pronësie / qiraje të banesës, certifikatë pronësie mbi automjetin, fotokopje e taksave të makinës dhe të faturës së UKT / OSHE. Pra, banorët e Tiranës për të provuar se janë banorë të Tiranës duhet të harxhojnë 1-2 ditë dhe para të tjera! Bashkia dhe shteti disponojnë të dhëna të plota për banorët, për banesat në pronësi, për regjistrimin e automjeteve, për taksat vjetore dhe për faturat e shërbimeve. Në vend të një program unik që merr këto të dhëna dhe u vjen në ndihmë qytetarëve, bashkia zgjedh të kundërtën, - i detyron qytetarët të kryejnë vetë shërbime që në fakt janë detyrë e shtetit dhe e bashkisë.



Rasti i tretë: Për të ri-marrë kartën e identitetit ose pasaportën, Policia e Shtetit ka listuar një numër të gjatë dokumentesh, - si dhe një procedurë të gjatë kalimi nga zyra në zyrë. Ditën e parë nxirren dokumentet në bashki dhe blihen kuponat në postën qendrore, ditën e dytë dorëzohen në komisariat, një javë më vonë duhet të shkosh tek minibashkia tjetër për të kryer procedurat e Kartës, dhe dy javë më vonë duhet të shkosh në mini-bashi për kartën dhe në polici (në drejtori, jo në komisariat) për pasaportën. Të paktën 3-4 ditë investim në kohë (shërbimet janë në orarin zyrtar të punës për gjithsecilin), pagesa që kalojnë 100 mijë lekë personi, dhe radhë në pritje për një shërbim, të cilin, shtetet funksionale e ofrojnë përmes postes dhe brenda ditës.



Rasti i katërt. Çdo vit mijëra maturantë konkurrojnë për një vend në universitet. Ata janë në shkollë, hyjnë në provim, regjistrohen në sistem dhe nëse kanë fat me sistemin eksperimental, marrin një të drejtë studimi. Por, edhe pse ata janë pjesë e sistemit (janë maturantë), ata trajtohen si individë jashtë sistemit, dhe u kërkohet të depozitojnë në provime e universitete, një numër dokumentesh të tjera, krejtësisht të panevojshme, përfshirë dëftesat e shkollës, siglimin nga drejtoria arsimore, raporte mjekësore, certifikata familjare, etj. Përderisa ata janë në sistemin e provimit të MAS, të gjithë këto të dhëna janë pranuar, por pavarësisht nga kjo, ata janë të detyruar të bëjnë dosje të re, - e shprehur në fjalë të tjera, të paguajnë përsëri para dhe kohë brenda afatit për regjistrim. Po ashtu, sistemi burokratik e shoqëron të gjithë jetën universitare dhe kudo, në institucione të njëjta. Për shembull, unë jam pedagog në Universitet, por për të marrë një vërtetim për këtë, më duhet të tërheq një mandat financiar në Universitet, të shkoj ta paguaj në bankën më të afërt dhe të pres që vërtetimi të formulohet nga zyrat dhe më pas të firmoset nga kancelarët. Rasti më i mirë, kjo procedurë shkon 2 ditë pune. E njëjta praktikë edhe për mijëra student, - kur supozohet se në çdo vend serioz, karta e pedagogut dhe karta e studentit janë dokumente unike, të referueshme dhe me jetëgjatësi aq sa zgjat marrëdhënia e tyre me institucionin. Ekziston një listë e gjatë e detyrimeve në sektorë të tjerë për qytetarët, për të marrë shërbime të cilat shteti duhet ti ofrojë falas, dhe për të dorëzuar në zyrat e shtetit dokumente, të cilat vetë shteti ka për detyrë ti ketë në sistem. Për një familje normale me 4-5 anëtarë dhe që kërkon rregullisht shërbime shkolle, kopshti, pune, pensioni, banimi, etj, kostoja e shpenzimeve vetëm për shkak të natyrës arrogante dhe burokratike të shtetit shkon së paku 200-300 mijë lekë në vit dhe më shumë se 7-10 ditë kohë e harxhuar nëpër zyra. Në një shtet perëndimor si Gjermania, referuar MKP, kosto e shërbimeve vjetore për familje shkon 20 euro dhe deri në 10 orë pune, pra rreth 10-20 herë më pak sesa kosto financiare e kohore e qytetarit në RSH.



A mund të ketë zgjidhje? Po, janë disa. Qeveria mund të krijojë një strukturë ad-hoc që bën standartizimin e praktikave në të gjitha nivelet e shërbimeve ose ajo mund të detyrojë institucionet të ofrojnë falas / online shërbimet që përcakton ligji në përgjegjësinë e tyre. Kur qeveria nuk ofron zgjidhje dhe bëhet vetë problemi, si në rastin aktual, një institucion i tretë i interesit publik, si Avokati i Popullit apo një organizatë e të drejtave të njeriut mund të bëjë ankimim rast pas rasti ose në paketa shërbimesh në Gjykatë Kushtetuese për të detyruar shtetin të kryejë funksionet e tij dhe për të mbrojtur të drejtën kushtetuese të qytetarëve për marrjen falas të shërbimeve të shtetit, që burojnë nga burokracia dhe mangësitë e këtij të fundit. Në një vend ku edhe vendimet e mëdha, siç janë importi i plehrave, borxhi i jashtëm, ndryshimi i taksave, privatizimet e mëdha, etj, merren apriori nga lart, pa pyetur e përfillur qytetarët, është e pritshme që të vijojë funksionin sistemi abuziv penalizues ndaj qytetarëve, megjithatë kjo mbetet një arsye më shumë që të kërkojmë e gjejmë rrugët ligjore, politike, sociale, administrative e qytetare për ta ndryshuar gjendjen.

Edi Rama nuk është Shqipëria



Berat Buzhala


Janë disa forma se si ne duhet të njihemi me mirë me njëri tjetrin. Njëra prej tyre padyshim qenka edhe kjo e ditëve të fundit. Kjo nuk është e vetmja mënyrë, e as më e mira, por është njëra prej tyre. Pak brutale, por efikase.

Si filloi e gjitha?

Çështja është shumë e thjeshtë: Vizita e Ramës në Beograd, si dhe ideja e tij, modeste, për t’i dhënë fund armiqësisë shumë shekullore serbo – shqiptare. Rama po mendon që e ka gjetur çelësin (jo atë të Bregovicit) e pajtimit, për konfliktin që zgjat qe disa shekuj, e që ka lënë prapa qindra mijëra viktima, në mos miliona.

Ndoshta ai tash edhe po e sheh veten, bashkë me Vucicin duke e ndarë Nobelin për Paqe në Stockholm, vitin e ardhshëm. Në fakt edhe do ta meritonin, sepse po i bëjnë bashkë dy popuj, e bashkë me të ndoshta edhe krejt Ballkanin. Rama, po ta arrinte këtë do ta meritonte Nobelin jo vetëm për paqe, por, nëse ka një të tillë, edhe për Biologji. E ka zbuluar kodin human të politikës serbe. Kuptohet këto çmime do t’i fitonin po të kishte mundësi të korruptimit.

Pra kjo është çështja. Këtu edhe filloi. Te deklaratat e Ramës për pajtimin historik të serbëve dhe shqiptarëve.

Kjo u përsërit në takimin e tyre të fundit.

Dhe pastaj thanë, gati si me humor se ishin pajtuar që për një gjë nuk mund të pajtoheshin: Për çështjen e Kosovës. Se Vucic thoshte se Kosova është krahinë e Serbisë, kurse Rama se Kosova është shtet i pavarur.

Më falni?

Pra, të dashur miq në Shqipëri, nëse Rama dhe Vucici nuk u pajtuakan për Kosovën, atëherë për çfarë pajtimi po flasin ata? A nuk ishin të pajtuara Serbia dhe Shqipëria? A nuk njihen si shtete në mënyrë reciproke? A nuk kanë ambasadorë në vendet reciproke? Shqipëria, pas vitit 1999, as që kufizohet me Serbinë. Madje as që kanë luftuar ndonjëherë me njëra tjetrën, këto 100 vitet e fundit.

Serbia ka qenë dhe është në armiqësi me shqiptarët, por me ata të Kosovës. I ka vrarë mbi 10 mijë, gjatë viteve 1997-99. I ka dëbuar mbi një milion gjatë kësaj kohe, një pjesë të madhe në Shqipëri, por për hir të së vërtetës edhe në Maqedoni, Mal të Zi dhe gjetkë.

Jo vetëm kjo: Serbia, ose ish-Jugosllavia, gjatë kohës së komunizmit, i pati dëbuar gjysmë milioni shqiptarë të Kosovës për në Turqi.

Jo vetëm kjo: edhe para Luftës së Dytë Botërore, në kohën e Jugosllavisë së vjetër, Serbia ka dëbuar shqiptarë nga Kosova, ka realizuar pastrim etnik, të përkrahur, në mes tjerash, edhe prej titanëve të saj të letërsisë, si bie fjala Ivo Andric, që u citua me dashuri nga Rama në Beograd, por për të cilin bien në dy gjunjë edhe gazetarë të shquar në Tiranë, të cilët kanë arritur ta bëjnë dallimin prej Andricit njeri dhe Andricit shkrimtar. Bravo që e keni bërë, nuk ka qenë punë e lehtë. Por mos harroni, sikur të mos ishte Andrici shkrimtari i madh, as që do të flisnim për Andricin njeriun e keq. Ishte shkrimtari fillimisht që e bëri njeriun e keq.

Sa e kemi mësuar nga historia, kontakti kryesor i Shqipërisë dhe Serbisë gjatë kësaj kohe ka qenë në kohën e Mbretit Zog, kur ky i fundit ishte kthyer në pushtet me ndihmën e serbëve, që si shenjë falënderimi pastaj filloi t’i vrasë patriotët nga Kosova. Pastaj gjatë Luftës së Dytë Botërore, përpara hundëve të forcave të Enver Hoxhës (jo ministrit tonë) forcat serbe kishin kryer masakra të papara në territorin e Kosovës. Të mos flasim pastaj për tri vitet e arta të raporteve Shqipëri – Jugosllavi, Enver – Tito. Dhe edhe kur ndodhi prishja, kjo nuk u bë për Kosovën.

Këtë digresion historik bëra, jo për të nxitur animozitete të tjera, por për t’u përgjigjur në konstatimet paushall se Kosova është ndihmuar shumë këto 100 vite nga Shqipëria. Kjo nuk është gjithaq e saktë. E kundërta është më e saktë: Kosova ka bërë shumë për Shqipërinë këto 100 vitet e fundit. Ka qenë për të mburojë e mishit dhe e gjakut. Dhe kush ishin agresorët? Ishin serbët pra.

Të dashur miq nga Shqipëria, kjo është esenca: Për çfarë pajtimi po fliste Rama? Dhe çfarë është tepër e rëndësishme, madje në mënyrë kritike e rëndësishme: A e ka marrë Rama pëlqimin e Prishtinës për të na pajtuar me serbët? Ose a i ka kërkuar Kosova atij që të na pajtonte me ta, apo i ka kërkuar Vucici që të na pajtojë, ose çka dreqin po ndodh kështu? Në mes të dy qeverive, kësaj të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, ekziston edhe një protokoll bashkëpunimi, për të informuar njëra-tjetrën për takime të rëndësishme. A ka ndodhur një gjë e tillë? A ka biseduar Rama me dikë në Prishtinë për këto iniciativa?

I lexova këto ditë me vëmendje edhe Mero Bazen, edhe Blendi Fevizun, edhe Andi Bushatin. Për të tre ata e kam respektin maksimal. Madje u gëzova që këta më në fund janë në një mendje për diçka. Nuk ju ka ndodhur një gjë e tillë këto 20 vjet. Mirëpo ajo çfarë nuk më gëzoi ishte tendenca e tyre për t’u rreshtuar krah Ramës pa kushte. As edhe një fjalë të vetme për iniciativën e tij megalomane për pajtime historike. Asnjë fjalë për vizitat e tij të njëpasnjëshme në Beograd. Asnjë fjalë për citimin që ai i bëri Ivo Andricit, njërit prej strategëve serb për politikat antishqiptare. Jahudinjtë edhe sot e kësaj dite kanë probleme serioze me muzikën e Wagnerit, e cila ishte përdorur, pa dijeninë e tij, sepse ai kishte vdekur, për tortura dhe për fushatë naziste.

Prandaj, për të gjitha këto arsye, si është e mundur që të insistoni në nënvizimin e faktit se Kosova po e dëbon Shqipërinë nga e ardhmja e saj. Kjo nuk është e vërtetë. Kosova nuk dëshiron ta pranojë vizionin e Edi Ramës, për të ardhmen e saj. Deklarata e tij sterile, madje në formë batute, se nuk u pajtuakan me Vucicin për Kosovën nuk do të thotë asgjë. Është e dëmshme.

Në biseda private, disa prej miqve të mi në Shqipëri, po më thoshin se “Rama është idiot” është “mashtrues”, dhe epitete tjera anatomike. Sipas tyre nuk duhej t’i kushtonim vëmendje se çfarë thotë ai. Unë mendoj që Rama është fillimisht Kryeministër i Shqipërisë, dhe në këtë cilësi ishte edhe në Beograd, e jo në atë të epiteteve të mësipërme.

Nacionalistët primitivë në Kosovë, por edhe këta në Shqipëri që sapo e kanë zbuluar dashurinë ndaj Kosovës, më akuzuan që i thashë Ramës mos fol në emrin tim në Serbi. U sulen të thoshin “Po në emrin tim”, sepse Rama qenka kryeministër i të gjithë shqiptarëve. Në të gjitha format dhe trajtat kjo është e pasaktë. Rama nuk është Kryeministër i të gjithë shqiptarëve. Sepse ne nuk e kemi një mbiqeveri dhe një mbikryeministër dhe pastaj edhe disa miniqeveri për punë lokale. Tek e fundit, shtrohet pyetja, a kishte folur në emrin tim (tonë) edhe Kryeministri i Shqipërisë, ose i shqiptarëve, Fatos Nano, në Kretë, kur kishte takuar Milloshevicin. Edhe Nano ishte Kryeministër, sikur që është Rama tash. Kosova e kishte refuzuar fuqishëm qëndrimin e Nanos se Beogradi është kryeqyteti i shqiptarëve të Kosovës.

Pra, nuk është në pyetje pozita e Kryeministrit. Në pyetje është se çka thotë ai Kryeministër.

Sigurisht që në Shqipëri thonë se “Nano ishte karagjoz dhe i papërgjegjshëm”. Kjo edhe mund të jetë e vërtetë, por, prapë, dëmi është i njëjtë.

Në disa shkrime të mia e kam thënë se Rama është i fundit që duhet të flasë për Kosovën, tash jo si Kryeministër i Shqipërisë, por si një individ krejtësisht naiv për zhvillimet në rajon. Ai bashkëpunimin rajonal e kupton si një ekspozitë artistike. Si art bashkëkohor. Ai nuk e ka asnjë referencë tjetër. Krejtësisht i papërgatitur. Ai është lideri i vetëm në rajon që i beson Vucicit, i cili me ngulm po kërkonte partner në Ballkan. Këtë mundësi nuk ia dha Kroacia, por as Greqia. Për çudi, po ia jep Edi Rama, duke e lavdëruar Serbinë për sjellje shumë evropiane, madje më evropiane se shtetet evropiane, kur është fjala për refugjatët. Jashtëzakonisht korrekte si deklaratë, por cila është nevoja të thuhej? Pse duhet që shqiptarët ta ngrenë Vucicin në pishtar të sjelljeve evropiane?

Pra, miq të dashur, reagimet që vijnë nga Prishtina duhet t’i kuptoni si reagim ndaj Ramës, e jo reagim ndaj Shqipërisë.

Ju me të drejtë mund të thoni se edhe liderët e Kosovës po takohen me ata të Serbisë. Kjo është shumë e saktë, por takimet e tyre janë sipas detyrës zyrtare, të detyruar nga Bashkimi Evropian dhe SHBA. Sigurisht që i kemi pikëpyetjet tona për këto takime. Këta liderë edhe do ta paguajnë çmimin për çdo gjë që bëjnë ditën kur mbahen zgjedhjet. Por cila është përgjegjësia e Ramës? Çfarë përgjegjësie ka ai? Ose çfarë zori ka ai? Pse po i duhet me kaq ngulm t’ia tregojë botës fytyrën tolerante të Serbisë? Rama ka mjaft opsione për t’u takuar. Askush nuk pret nga ai që të marrë barrën e Ballkanit mbi supet e tij. Ai nuk mund të jetë më i afërt me Serbinë, sesa, ta zëmë Millo Gjukanovic i Malit të Zi.

Miq të dashur në Shqipëri, për fund, unë besoj që ne mund të bëjmë shumë më shumë për njëri-tjetrin. Mund të ndihmojmë njëri tjetrin, pa pasur nevojë që këtë ta bëjmë nga Beogradi, e as me një lloj pajtimi me Vucicin. Duhet të shikojmë shembujt e mirë. Kosova kurrë nuk do ta harrojë ndihmën që dha Shqipëria gjatë kohës së luftës. Qeveria shqiptare e vitit 1999 do të mbetet përgjithmonë në memorien tonë si shpëtimtarja e popullit të Kosovës, në orët e tij të liga. Ndihma e Mejdanit, Majkos, Berishës, Metës ishte vendimtare për Kosovën. Dhe mbi të gjitha ndihma e popullit shqiptar, i cili hapi dyert e tij për të pritur vëllezërit e tyre.

Shqipëria nuk është Edi Rama.

“Darkat e gabuara” të gazetarëve me pushtetin

Image result for Zamir Alushi

Zamir Alushi


Në fillimet e gazetarisë, që përkojnë me vitet e para të demokracisë, u ndeshëm me mungesën e lirisë së shprehjes. Brezi im ka bërë sakrifica që sollën rrëzimin e ligjit të shtypit të hartuar nga Berisha, gazetaria opozitare vrau frikën ndaj pushtetit që në atë kohë kishte tendenca për të shkuar drejt diktaturës. Në atë kohë, u shkrua edhe Kodi e Etikës i Medieve Shqiptare, sipas eksperiencave botërore. Më vonë, (kur formalisht liria e shprehjes nuk vihej në diskutim), teksa jepja leksione për lëndën “Etika e medias”, kam menduar se standardet amerikane të gazetarisë janë të paarritshme për Shqipërinë, për shkak të mungesës së profesionalizmit dhe të kushteve sociale dhe ekonomike.

Por, çfarë po ndodh në shtypin amerikan? Fushata e pistë e dy kandidatëve presidenciale ka bërë pis edhe mediat. E-mailet e zbuluara dhe publikuara nga Wikileaks tregojnë se gazetaria amerikane nuk është më shembull i etikës profesionale. Me përjashtim të gazetarëve të “Fox news”, gazetarë thuajse nga të gjitha mediat kryesore, janë ftuar nga kompania që menaxhon fushatën e Clinton-it në darka private dhe u ka dhënë udhëzime si ta raportojnë Clinton-in pozitivisht. Shumë gazetarë amerikanë që mbulojnë fushatën presidenciale kanë shkelur kodin e etikës duke shkuar në dreka dhe kokteje private të zhvilluara nga kompania që menaxhon fushatën.

Falë Wikileaks, sipas medieve amerikane, ne tani e dimë se të paktën 65 gazetarë të rëndësishëm janë duke punuar ngushtë me stafin e fushatës Clinton këtë vit zgjedhor. Ata u ftuan në krye të fushatës në darka elitare me Hillary Clinton të organizuara nga John Podesta apo shefi i fushatës, strategu Joel Benenson. Por jo të gjithë. Asnjë nga gazetarët e Fox news nuk është në listë! Dihet se ky grup mediatik ka mbajtur qëndrime kritike ndaj Clinton. Siç raportohet- edhe më parë, të paktën 38 gazetarë të nivelit të lartë drejtues morën pjesë në një darkë në shtëpinë e John Podestës në prill 2015. Stafi i Clinton i ka udhëzuar gazetarët e New Yorkut në prill të vitit 2015 në takimet “off the record” se si duhet të raportohej (shitej) Hillary Clinton për publikun. Një grup prej 25 gazetarëve kryesorë është ftuar në një darkë në shtëpinë e Xhon Podestës më 9 prill (sipas e-mail-eve të publikuara nga Wikileaks). Kjo ishte një listë krejtësisht e ndryshme me gazetarë që mbulojnë lidhjet direkte. Ne gjithashtu, falë Wikileaks e dimë se shefi i “Politico” Glenn Thrush i kishte dërguar artikujt pro fushatës së Hillary-t për t’u shqyrtuar nga stafi i Clinton para publikimit. Ne e dimë tashmë, se CNBC dhe reporteri i New York Times, John Harwood janë duke punuar me stafin e fushatës Clinton për të ndihmuar Hillary-n. Tashmë është e qartë se Amerika me korporatat e mediave nuk është më shembull për t’u ndjekur.

Qëllimi i këtij artikulli nuk është të këshillojmë kolegët që të mos shkojnë në drekat që shtron Rama për gazetarët, as t’ju mësojmë se nuk duhet të përdorni xhirimet e gatshme të kronikave që përgatisin partitë apo zyrat e shtypi të qeverisë. Nuk duam as “të denoncojmë” ndonjë gazetar për lidhjet me qeverinë apo opozitën, se ka shumë pak të pavarur jashtë “kazanit”. Apeli im personal është të ngrihet sa më shpejt Urdhri i Gazetarëve Shqiptarë. Përpjekja e OSBE-së për ta ngritur këtë organizëm, që do të kontrollonte zbatimin e Kodit të Etikës, është sabotuar në vite nga botuesit dhe pronarët e medieve. Eshtë koha që gazetarët të bashkohen dhe ta ngrenë këtë forum, edhe për të mbrojtur nderin e profesionit, që merret nëpër këmbë nga pushteti. Nëse nuk e bëjmë, do të vazhdojmë të humbim besueshmërinë, dhe do ta meritojmë epitetin “kazan” që na ka vënë kryeministri.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...