Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/12/30

Ilirët, 300 vjet në krye të Romës- Profilet e perandorëve ilirë që drejtuan botën



Për rreth 3 shekuj (251–565), Roma u mbizotërua nga perandorë ilirë; ishte pikërisht kjo periudhë kur fiset vandale e sllave u mbajtën larg kufijve të rajonit, i cili më pas do të quhej Ballkan

Shumica e tyre kanë ardhur nga rajoni i Sirmium (pranë Mitrovicës së sotme) në Iliri. Pas shekullit VI, në listën e perandorëve romake rrallë gjendet ndonjë ilir; me sa duket ilirët, nuk ishin më të favorizuarit e Romës ose e humbën fuqinë a ndikimin e tyre; kjo gjendje e krijuar përkon me vërshimin e sllavëve në trojet ilire. A ishte ky mënjanim i ilirëve nga pushteti rastësi a konspiracion, këtë vetëm studimet mund ta tregojnë.

Trajan Decius

Në bazë të të dhënave historike, perandori i parë ilir ishte Trajan Decius. Decius (Gaius Messius Quintus Decius Augustus) ishte Perandor nga 249–251. Në vitin e fundit të mbretërimit, ai bashkëqeverisi me djalin e tij, Herenius Etruskus; të dy u vranë në betejën e Abritus (sot Razgrad, Bullgari) kundër gotëve.

Decius, lindi në vitin 201 në Budalia (Mitrovicë, Kosovë). Ai është i pari në listën e gjatë të Perandorëve romakë që do të dilnin nga Iliria. Këta quhen zakonisht perandorë ilirë sepse të gjithë kishin lindur në Iliri dhe u ngjitën në shkallën më të lartë të pushtetit, duke e filluar karrierën si ushtarë në legjionet romake të stacionuar në vendlindjen e tyre. Para se të bëhej perandor, Decius kishte qenë senator, para kësaj, prefekt i qytetit të Romës, dhe radhazi guvernator në Mezi, Gjermanikë, Spanjë. Gjatë mbretërimit të tij, Decius ndërmori disa projekte ndërtimi, si për shembull: banjat termale në Aventine (Itali), të cilat mbetën funksionale deri në shekullin XVI: historikisht, Decius njihet për kujdesin ndaj Koloseut të Romës; gjatë periudhës së tij si perandor, Koloseu, i dëmtuar rëndë nga goditjet e rrufeve, u restaurua plotësisht.

Hostiliani

Hostiliani (230–251) ishte një perandor romak në vitin 251 dhe i dyti me origjinë ilire. Hostiliani lindi në Sirmium (pranë Mitrovicës së sotme) në Iliri, djali i perandorit të ardhshëm Decius dhe bashkëshortes Herennia Cupressenia Etruscilla. Ishte vëllai më i vogël i perandorit Herennius Etruscus. Për të ndjekur gjurmët e të atit drejt fronit, Hostiliani mori trajnimet e duhura që një princ duhet të merrte, por gjithnjë qëndroi nën hijen e vëllait të tij Herennius, që gëzonte privilegjin e të qenit trashëgimtar. Në fillim të vitit 251, Decius i la fronin djalit të tij Herennius të bashkë-udhëhiqte Hostilianin. Decius and Herennius më pas bënë një kryengritje kundër mbretit Cniva të gotëve, për të ndëshkuar pushtimet e tij. Megjithatë Hostiliani mbeti në Romë për shkak të përvojës të paktë.

Klaudi i II-të

Klaudi II-të nga Iliria hipi në fron në vitin 268 në fillim e kishte nisur karrierën si ushtar i thjeshtë e më pas u bë komandanti i një ushtrie të vendosur në Pavia. Pasi u bë perandor, Klaudi u shqua në luftimet me gotët, të cilët i shpartalloi në Nish. Nga trimëria që tregoi në këtë luftë ai u quajt Klaud Gotiku. Mbretërimi i tij zgjati dy vjet derisa vdiq në tokën ilire.

Mbretërimi i Quintillus

Të dhënat për mbretërimin e Quintillus janë të pakta dhe kontradiktore. Disa thonë se mbretërimi i tij zgjati vetëm 17 ditë, ndërsa të tjerë thonë se zgjati 177 ditë. Gjithashtu ka mos dakordësi për shkakun e vdekjes së tij. Mendohet se ai mund të jetë vrarë nga vetë ushtarët e tij për disiplinën e rreptë ushtarake. Ekzistojnë dhe zërat që thonë se ai vrau veten duke prerë damarët. Megjithatë vetëm për diçka bien të gjithë dakord, për vendin e vdekjes, më Akuileia.

Quintillus që vinte nga Iliria la pas dy djem Claudius dhe Quintillus. Djali i tij i dytë me po të njëjtin emër konsiderohej i aftë. Ai ishte një kampion i vërtetë në senat.

Aurelian, “Shpëtimtari i Ilirisë”

Pas vdekjes së Quintillus në fronin perandorak hipi Aureliani, i cili kishte lindur në Sirmium (pranë Mitrovicës së sotme), që ishte kryeqendra e Panonisë, provincë me shtrirje mjaft të gjerë dhe e banuar nga ilirë. Aureliani në fillim kishte qenë ushtar i thjeshtë dhe më pas u bë kryekomandant i kavalerisë. Gjatë betejave të përgjakshme me armiqtë kishte dalë gjithmonë fitimtar dhe për këtë i kishin dhënë shumë tituj, por titulli më i lartë për të do të ishte “Shpëtimtari i Ilirisë”.

Aureliani në vitet e fundit të mbretërisë së tij nxori një dekret në 274 kundër të krishterëve. Shkaku i ediktit u bë një nga këshilltarët e tij Porfiri, i cili ishte themelues i neoplatonizmit. Ai shkruan një vepër me 15 volume “Kundër të Krishterëve”. Aureliani besonte në kultin e Mitrës dhe të hyjnisë së Diellit. Të gjithë shtetasit e Perandorisë Romake kanë qenë të detyruar t`i nënshtrohen këtij kulti. Meqenëse të krishterët nuk pranuan, u shpallën armiq të shtetit. Gjatë kësaj përndjekje u martirizua Papa Feliksi (269-274). Mirëpo edhe Aureliani vritet pas një komploti në vitin 175. Aureliani mbretëroi rreth pesë vjet dhe u vra gjatë marshimit të ushtrisë së tij nga Bizanti drejt Persisë.

Probi

Perandor tjetër ilir ishte Probi, i cili gjithashtu kishte lindur në Sirmium të Panonisë. Në moshën 44-vjeçare ai u bë perandor dhe mbretëroi për rreth gjashtë vjet. Probi u shqua në luftë kundër fiseve gjermane, franke e vandale duke i detyruar ata të largoheshin nga kufijtë e perandorisë. Në një ditë vere të vitit 282, ndërsa po drejtonte punimet për tharjen e kënetave në Sirmium, ushtarët u rebeluan, flakën lopatat dhe rrokën armët duke e vrarë perandorin.

Diokleciani, dëshmitari suprem i madhështisë

Në vitin 285 fronin e perandorisë romake do ta zinte Diokeliciani (284-305) i cili e kishte origjinën nga fisi ilir i Diokles. Diokleciani lindi në Salona të Dalmacisë ilire më 22 dhjetor 245. Vdiq po aty më 3 dhjetor 313

Ai kishte qenë komandant i rojeve personale të perandorit të mëparshëm. Merita e Dioklicianit ishte ndarja e pushtetit perandorak në dy Augustë dhe dy Çesarë, ku çdonjëri prej tyre ishte sundimtar fuqiplotë në pjesën e perandorisë që i takonte. Diokliciani u shpall Augusti Suprem dhe si August të dytë emëroi Maksimianin, i cili gjithashtu ishte prej gjakut iliri, ndërsa dy Çesarët kishin një gradë më poshtë se Augustët. I pari ishte Konstandini me origjinë nga Dardania (e ëma e tij ishte mbesa e perandorit Klaud). Diokleciani sundoi rreth 21 vjet derisa në moshën 59-vjeçare dha dorëheqjen.

Dihet botërisht se Diokleciani si burrështetas krahasohet vetëm me Oktavian Augustin dhe konsiderohet si njëri ndër reformatorët më të mëdhenj që ka njohur shoqëria njerëzore. Diokleciani mori pjesë gjatë gjithë periudhës së tij të sundimit në luftëra të shumta, që i kurorëzoi me fitore të bujshme, njësoj si Klaudi II, Aureliani dhe Probi. Edhe atij historia romake nuk i rezervoi asnjë humbje.

Veçanësitë:

– Dëshmitari suprem i madhështisë, njëri ndër tre perandorët që historia romaKe admiron më tepër.

– Ashtu si Augusti në fillim, edhe Diokleciani në kohën e tij, për revolucionin e thellë që i bëri organizimit shtetëror, konsiderohet si themeluesi i një perandorie të re.

– I vetmi perandor i Romës që e ka lëshuar vullnetarisht pushtetin.

– E kanë quajtur “Burri i shekullit të artë”, për të dëshmuar madhështinë e revolucionit dioklecianas të shtetit dhe shoqërisë.

Maximianus Herculius (Maksimiani)

Mendohet të ketë lindur mes viteve 249-250 pas lindjes së Krishtit në Sirmium, pranë Mitrovicës. Marcus Aurelius Valerius Maximianus ka qenë ushtar që në vegjëli. Ai madje ka luftuar në krah të Perandorit Dioklecian, dhe ka shërbyer në ushtri gjatë mbretërimit të Aurelianit dhe Probusit. Sipas historianëve me siguri ka qenë Diokleciani që më vonë e shpalli perandor të Nikomedeias më 20 nëntor 284.

Kur perandori Diokleciani e kuptoi që perandoria ishte shumë e madhe për t’u qeverisur vetë, ai e bëri Maximianusin Çezarin e tij, dhe i ngriti deri në rangun e Augustit. Ndërkohë që Diokleciani sundonte në Lindje, Maksimianusi sundonte në Perëndim. Për t’u rritur në detyrë Maximianus merrte pjesë në aktivitete të shumta ushtarake. Pavarësisht se e pati të lehtë të pushtonte disa vende në vitin 286, e pati shumë të vështirë të përballej me galët në po të njëjtin vit.

Në çështjet politike, perandori dhe Çezari i tij ishin shumë të ndryshëm. Maximianusi ishte shumë i kursyer kur binte fjala për marrëveshjet me anëtarët e senatit romak, ndërsa marrëdhënia me fisnikët ishte mjaft e mirë. Më 1 maj 305 si Diokleciani, në Nicomedeia, ashtu edhe Maximianus Herculius, në Mediolanum, dhanë dorëheqjen. Kjo dorëheqje u bë për shkak të sëmundjes fatale që kapi Dioklecianin në fund të vitit 304. Mendohet se ka qenë vetë Diokleciani që i ka detyruar kolegët e tij të hiqnin dorë. Dorëheqja e Herculius nuk duket se zgjati shumë pasi në më pak se një vit më vonë më 28 tetor 306, djali i tij Maksentius u zgjodh perandor i Romës.

Galeri, perandori i fitoreve të bujshme

Galeri lindi në Iliri. Nuk dihet data e lindjes. Vdiq ne Serdica (Sofie) në vitin 311.

Sapo u emërua Çezar u nis në frontin e Danubit dhe gjatë viteve 294 deri në 295 korri fitore të mëdha mbi gotet. Në dy vitet që pasuan shpartalloi ushtritë e sarmantëve dhe markomanëve. Me këtë rast ndërtoi një fortesë në Aquincum (Budapesti i sotëm). Pjesa veriore e Panonisë së Poshtme u be provincë e re dhe u quajt Galeria Valeria, sipas emrit të gruas së tij. Kur persianët pushtuan provincën romake të Mesopotamisë, Galeri marshoi nëpër Armeni dhe i rrethoi, duke arritur që të pushtojë dhe kryeqytetin e tyre Ctesiphon. Ai imitoi Aleksandrin e Madh në betejën që zhvilloi në Narsë, duke mbajtur qëndrim miqësor ndaj familjes së mbretit persian Darius dhe duke marrë në mbrojtje fëmijët dhe gratë e qytetit. Me marrëveshjen e paqes që u nënshkrua, Mesopotamia e zmadhuar me territoret rreth Tigrit u rinjoh si provincë perandorake. Gjatë qëndrimit në fronin e Çezarit, Galeri e ndërtoi kryeqytetin e vet në Selanik, një vend strategjik ne rrugën Egnatia, që lidhte Romën me provincat e Azisë. Me ngjitjen në rangun e Augustit, ai u detyrua të shkonte në Nikomedi, në vend të Dioklecianit.

Konstandini i Madh, perandori që ndryshoi historinë

Konstandini i Madh lindi më 27 shkurt të vitit 272, nga një familje fisnike ilire në Naissus të Dardanisë. I ati i tij Kostanti, ishte në kohën e Dioklecianit njëri prej dy Çezarëve, që mbretëronte në Galinë, Britaninë e madhe dhe Spanjën. Më 25 korrik të vitit 306 i vdes babai, Konstanti në Jork dhe Konstandini shpallet August (perandor) nga ushtria, e cila përbëhej kryesisht nga ilirë (306).

Roma e re në buzë të Bosforit

Kur perandori ilir i Romës, Konstandini, e pa për herë të parë Bizantin, qyteti kishte thuajse njëmijë vjet jetë. Që në shekullin VII para Krishtit ekzistonte këtu një qytet i vogël, me akropolin në kodër, aty ku sot shtrihet Shën Sofia dhe Pallati i Sulltanëve. Në të vërtetë fillimisht Konstandini kishte në plan thjeshtë të ndërtonte një qytet, ku të përjetësonte emrin e tij, por pas vizitës së dytë në Romë, e pa se qyteti i vjetër, me tërë atë traditë republikane dhe pagane s’kishte se si të shndërrohet në zemrën e Perandorisë së re të krishterë. Prandaj në vitin 330 të erës sonë, në atmosferën e festimeve, që zgjatën katër ditë, Konstandini i Madh e transferoi rezidencën e tij perandorake në brigjet e Bosforit.

Konstandinopoja ishte e rrethuar me mure në pjesën e saj detare dhe një mur trefish në pjesën perëndimore. Për më shumë se njëmijë vjet, muret e Kostandinopojës e shpëtuan Perandorinë prej humbjeve, madje edhe prej zhdukjes së plotë prej armiqëve të saj të shumtë. Në fakt, muret e Kostandinopojës mbronin më shumë se Perandorinë; ato mbronin qytetërimin romako-bizantin. Qyteti ishte bërë prej kohësh shprehje e dëshirës konstandiniane për ndërtimin e Perandorisë së Krishterë Romake, e cila duhet të ishte shteti i të gjithë të krishterëve të botës, në kufijtë e mëparshëm të Perandorisë. Kisha dhe Shteti ishin bashkuar në një partneritet të pandashëm, që reflektonin rregullin hyjnor. Administrues i këtij rregulli ishte Perandori Romak, zëvendës i zotit në tokë dhe “Apostull i Trembëdhjetë i Krishtit”, që sundonte si një autokrat i krishterë prej selisë së tij në Kostandinopojë. Konstandini e pati lënë punën e nisur në mes dhe ndër pasardhësit, Justiniani siguroi madhështinë konstandiane. Ai shpenzoi gjithë periudhën e vet të sundimit për realizimin e madhështisë romake.

Të veçantat

-Perandori i parë i krishterë

-Themeluesi i Kostandinopojës. Vizioni i tij për Romën qytet të përjetshëm që mishërohej në Kostandinopojën jetoi për 1129 vjet.

– Ndërtuesi i objekteve më të mëdha kristiane. E quante veten përfaqësues të Zotit mbi tokë dhe i dha sundimit të vet karakter hyjnor.

– Është shpallur shenjt nga Kisha Katolike. Kisha e Lindjes e konsideron si shenjtorin më të madh.

Maximinus II

Maximinus II (20 nëntor 270 – gusht 313), gjithashtu i njohur si Maximinus Daia ose Maximinus Daza, ishte perandor i Romës nga viti 308 deri në vitin 313.

Në vitin 305 xhaxhai i tij Galerius e adoptoi Maximinusin, duke e rritur atë në rankun e një Çezari dhe i dhuroi atij qeverinë e Sirisë dhe Egjiptit. Maximinus filloi ta stilonte veten si Augusti gjatë fushatave ushtarake. Pas vdekjes së Galerius në vitin 311, Maximinus e ndau Perandorinë Lindore mes Licinius dhe vetes. Kur Licinius dhe Konstandini filluan të miqësoheshin shumë, Maximinus hyri në një aleancë sekrete me uzurpatorin Maxentius, që kontrollonte Italinë. Ai hyri në luftë të hapur me Licinius në vitin 313; thirri një ushtri prej 70,000 burrash por pësoi një humbje të madhe. Një vit më pas ai vdiq, dhe shkaqet e vdekjes së tij nuk ishin asnjëherë të qarta.

Valentinian I

Valentinian I (lindi në vitin 321 – vdiq më 17 nëntor 375), ishte perandor romak me origjinë ilire nga viti 364 deri në vitin 375 i cili mbrojti me mjeshtëri dhe sukses kufijtë e Perandorisë Perëndimore kundër pushtimeve gjermanike. Valentinian, i cili ishte i biri i një oficeri ushtarak ilir u pozicionua në Panonia (në qendër të Europës), iu bashkua ushtrisë dhe babait të tij me shërbim në Afrikë. Nëntë ditë më vonë komandantët e ushtrisë e shpallën Valentinian perandor në. Më 28 mars ai zgjodhi vëllain e tij më të vogël, Valens, si bashkësundues, dhe e vendosi atë si sundues të Lindjes, ndërsa vetë mbajti perëndimin.

Për të forcuar linjën e trashëgimisë, Valentinian në vitin 367, zgjodhi djalin e tij 8-vjeçar, Gratian, si bashkëperandor. Vetë vdiq si pasojë e një ataku në zemër.

Valens

Valens (lindi në vitin 328 – vdiq më 9 gusht 378), emri i plotë i të cilit ishte Flavius Julius Valens Augustus ishte Perandor i pjesës lindore të Romës nga viti 364 deri në vitin 378. Atij iu dha gjysma e e perandorisë, ajo e pjesës lindore nga vëllai i tij më i madh Valentinian I pasi ky i fundit mori fronin. Valens, i njohur edhe si perandori i fundit i Romës, u mund dhe u vra në Betejën e Adrianopojës, që shënoi fillimin e fundit të Perandorisë së Madhe romake. Valens dhe vëllai i tij Valentinian lindën të dy në Cibalae (Kroacinë e sotme) në një familje ilire.

Gratian

Gratian, (Flavius Gratianus Augustus) lindi në Iliri në vitin 359- vdiq në gusht të vitit 383. Ai shërbeu si perandor i Romës nga viti 367 deri në vitin 383. Gjatë kohës së mbretërimit të tij ai e ndau sundimin së bashku me të atin Valentinian I dhe xhaxhain e tij Valens.

Pas vdekjes së Valentinian I (në nëntor të vitit 375), Gratian ishte tashmë sundimtari i vetëm i Perëndimit. Pas një periudhe të shkurtër ai njohu si kolegun e tij gjysmë-vëllain 4-vjeçar, Valentinian. Nën ndikimin e Ausonius Gratian kërkonte që sundimi i tij të ishte i mirë e popullor. Ai e shpenzoi pjesën më të madhe të mbretërimit të tij duke u ndeshur me fiset që kërkonin të pushtonin tokat romake. Në vitin 378 ai u vonua pak për të marrë pjesë në betejën e përgjakshme me Gotët në Adrianopojë. Për të zëvendësuar Valensin, që u vra në konflikt, Gratian vendosi Theodosius perandor në lindje në vitin 379. Kur në vitin 383, Gratiani dëgjoi se në Britani ishte vetëshpallur një perandor me emrin Magnus Maximus, për ta ndalur atë që të pushtonte më shumë tokë, ai vendosi të ndërhynte. Por Gratiani u dezertua nga trupat e tij, dhe ndërsa kërkonte arratisjen në Alpe, ai u vra në tradhëti nga gotët.

Marciani

Marciani (Flavius Marcianus Augustus) (lindi në vitin 392 – vdiq më 27 janar 457) ishte një perandor bizantin me origjinë ilire nga viti 450 deri në vitin 457. Sundimi i Marcianit shenjoi rikuperimin e Perandorisë Lindore, të cilën perandori e mbrojti nga sulmet dhe kërcënimet e jashtme dhe bëri reforma në ekonomi. Nga ana tjetër politikat izoluese të Marcianit e lanë Perandorinë Perëndimore Romake pa ndihma kundër sulmeve barbare, që u materializuan në fushatat italiane në Attila në vitin 455. Kisha Ortodokse Perëndimore e njeh Marcianin si një shenjtor për rolin e tij në përfshirjen në Këshillin e Kishës. Pas një lufte të gjatë me prijësin e Hunëve, Atilën, Marciani ishte i lumtur që e kishte parë të vdekur Atilën para syve të tij. Marciani vdiq më 27 janar 457 nga sëmundja e gangrenës. Ai u varros në kishën Apostoli i Shenjtë në Kostandinopojë.

Anastasi

Perandori Anastas (491-518), i cili hipi në fronin perandorak në vitin 491 kishte lindur në Durrës. Anastasi e rrethoi Durrësin me mure, duke ndërtuar kështjellën e famshme me tre mure rrethuese dhe katër kulla. Gjithashtu ndërtoi edhe hipodromin. Ai sundoi gati 20 vjet dhe përmendet për disa reforma. Anastasi bëri reformimin e taksave, të cilat nuk do të mblidheshin si më parë nga këshillat, por nga nëpunësit e financës të emëruar nga prefekti pretorian. Gjithashtu ai bëri edhe reformën monetare duke vënë në qarkullim monedhat prej bronzi në vend të atyre prej bakri. Në kohën e sundimit të Perandorit Anastas u ndaluan ndeshjet midis gladiatorëve nëpër amfiteatre. Anastasi vdiq më 1 korrik të vitit 518. Ai përmendet në histori për ndërtimin e murit të gjatë përreth Konstandinopojës.

Justiniani i Madh i Ilirisë

Justiniani lindi në Bederiana të Dardanisë në vitin 482. Vdiq në Konstandinopojë më 14 nëntor të vitit 565.Perandor: 1 gusht 527- 14 nëntor 565.

Të veçantat

Justiniani dallohet për dijet e thella, vullnetin e jashtëzakonshëm për punë dhe kulturën e nevojshme për ripërtëritjen e idesë perandorake romake. Duke marrë arsimim të plotë, Ai mundi të ishte kompetent në shumë fusha: teologji, politikë, strategji ushtarake, art, arkitekturë, shkencë.

U përgatit shumë gjatë për në fron, më me kujdes se të gjithë sunduesit e tjerë të Perandorisë Bizantine.

Ishte Perandori i fundit që bëri përpjekje për t’i bashkuar pjesët lindore dhe perëndimore të Perandorisë.

Sundues i qendrës së botës

Justiniani synonte forcimin e vazhdueshëm të shtetit, prandaj i dha një shtytje të fuqishme veprimtarisë ekonomike. Në bujqësi ai mbështeti lirimin e skllevërve dhe lidhjen e tyre me ngastrat e vogla të tokës, që i merrnin për t’i punuar. Gjatë periudhës së sundimit të Justinianit tregtia e Bizantit u rrit shumë dhe Kostandinopoja u bë qendra e botës. Deti Mesdhe, pas pushtimeve në Afrikë, Itali dhe Spanjë, u kthye në liqen romak.

Shën Justiniani

Për rolin e jashtëzakonshëm të Justinianit në mbrojtjen e doktrinës kishtare, ruajtjen e unitetit fetar dhe ngritjen e katedraleve, bazilikave dhe kishave në të katër anët e Perandorisë u shenjtërua. Festa e Shën Justinianit është me 14 nëntor. Sot përkujtohet në të gjithë botën e krishterë, veçanërisht në krishterimin e ritit lindor.

Justiniani dhe ilirët

Justiniani ka qenë shumë i lidhur me vendlindjen dhe popullin që i përkiste. Kjo nuk ishte thjeshtë lidhje shpirtërore dhe nostalgji për prejardhjen. Ai u mbështet shumë në rrethin e vet familjar dhe bashkëkombasit e vet ilirë, që përbënin një forcë kryesore në ushtri dhe në aparatin shtetëror. Në një nga mbishkrimet e gjetura në Itali bëhet fjalë për numrin e madh të ilirëve (numerius felix Illyrianorum), që shërbenin në ushtrinë perandorake. Kujtojmë edhe rolin e madh të tre gjeneralëve ilirë: Belisari, Mundi dhe Germani (kushëri i tij) për mbrojtjen e Perandorisë dhe realizimin e ambicieve të Perandorit. Por ndryshe nga perandorë të tjerë ilirë, Justiniani nuk u mjaftua me ilirizimin e kastës perandorake dhe u përpoq që Iliria të kishte një status të veçantë dhe të ishte më i privilegjuar se rajonet e tjera.

Justiniani ndërtoi vetëm në Dardani tetë qytete të reja dhe meremetoi pesëdhjetë e një qytete të tjera. Po kështu në Epirin e Ri, që i përkiste Shqipërisë së Mesme, Perandori ndërtoi tridhjetë e dy kështjella të reja dhe meremetoi tridhjetë e gjashtë ekzistuese. Ndërsa në territorin e Epirit të Vjetër, që i përket territorit të Shqipërisë së Jugut u ndërtuan dymbëdhjetë kështjella të reja dhe u meremetuan dyzet e shtatë kështjella të tjera. Perandori rindërtoi krejtësisht qytetin e Singidinumit dhe e rrethoi me fortesa shumë të rëndësishme. Po kështu ngriti një fortesë të madhe në afërsi të këtij qyteti.

Me emrin e vet, Justinianopolis, Perandori pagëzoi edhe qytetin Adrianopolis në Epir. Gjithashtu pranë Justinianës së Dytë, u ndërtua një qytet i ri, i quajtur Justinopolis, për nder të dajës së Augustit, themeluesit të dinastisë, Perandorit Justin I.

Justinani u kujdes që Iliriku të ndihej i sigurtë dhe e bëri mbrojtjen e territoreve ilire prej sulmeve të barbarëve një çështje personale. Në territoret ilire u ndërtuan 43 fortesa të reja dhe u riparuan 50 fortesa të tjera. Kur në vitin 540 hordhitë bullgare dhe sllave sulmuan Ilirikun, Justiniani ndërtoi,ose meremetoi rreth 400 vendfortifikime, shumica prej të cilave shumë larg kufijve.

Dante e percepton Justinianin si përfaqësuesin e denjë të Perandorisë së Romës. Si përfundim, shekulli VI mbizotërohet nga personaliteti i Justinianit, kurse sundimi i tij shënon pikën kulmore të Perandorisë Romake të Lindjes. Justiniani i Madh është njëri ndër personalitetet më të shquara historikë të Kohës së Vjetër dhe padyshim sunduesi më i lavdishëm i Perandorisë njëmijë e njëqindvjeçare të Bizantit./Përgatiti: Tirana Observer

Lista me emrat e Perandorëve romakë me prejardhje nga Iliria

Decius – 249-251

Hostilianus – 251

Claudius II “Gothicus” 268-270

Quintillus – 270

Aurelian – 270-275

Probus – 276-282

Diokleciani – 284-305

Maximianus “Herculius” – 286-305

Galeriusi – 305-311

Konstandini I – 306-337

Maximinus Daia – 308-313

Jovian – 363-364

Valentinianus I – 364-375

Valens – 364-378

Gratian – 375-383

Valentinianus II – 375-392

Marcianus – 450-457

Anastasius I – 491-518

Justin I – 518-527

Justinian I – 527-565

Lashtësia e gjuhës shqipe


Altin Kocaqi

Gjuha shqipe është dëshmuar e shkruajtur në veprën e dy albanologëve, nga Korça dhe Elbasani, Evlogjio Kurilla dhe Petro Xhovani, në bashkëpunim me Jakov Thomopulon, në vitin 1912. Ata sollën mbishkrime dygjuhëshe si mbishkrimet liko-greke, mbishkrimin eteokretan, mbishkrimin e Limnos etj. Ana like e dygjuhëshve fillon thuajse në shumicën dërrmuese të rasteve me fjalën ‘e bëjia, e bënne, e bëijsh’ dhe fjala që korrespondon ne anën greke është ‘epjisato-e bëra’…. Jo vetëm mbishkrimet por edhe mbetjet origjinale të gjuhës paragreke provojnë se gjuha shqipe është më e vjetër se greqishtja. Fjalët ‘vi, iki, endreqin, plagan, gotan, prihete’ etj janë fjalë para greke që janë dokumentuar në mbetjet origjinale të gjuhës paragreke mes dorëshkrimeve të antikitetit dhe Fjalorëve si ai i Hesychit . Këto dokumenta i përkasin botës pellazgjike dhe si të tilla janë demonizuar. Kush merrej me këto në rastin më te mirë do i puthte këmbët Partisë që ti botonte ngjysma-ngjysma – rasti Spiro Konda- ose do ineterrnohej –rasti Pilika. Tragjedi-komedia e akademikëve tanë është se ‘deri dije të internonin nëse shkruaje për Pellazgët ndërsa sot-të sotmit- i quajnë ‘’nacionalista të tezës pellazgjike’’ ata që deri dije të internonin. Shkencë mjerane e sunduar nga tutorët dhe kapadainjtë e politikës: kjo është shkenca jonë. Deri në zbardhjen e të vërtetave rreth vjetërsisë së gjuhës shqipe versioni zyrtarë i lashtësis së gjuhës shqipe është si vijon:

Formula e Pagëzimit (1462)

Kryepeshkopi i Durrësit, Pal Engjëlli, mik e bashkëpunëtor i Skënderbeut (1417-1469), gjatë një vizite në dioqezën e tij gjeti shumë të meta e mangësi në punët e ushtrimit të fesë. Për t’i shmangur ato ai lëshoi një qarkore në gjuhen latine. Kjo qarkore është lëshuar nga një kishë në Mat dhe mban datën 8 nëntor 1462. Me anë të saj, ndërmjet të tjerash, ai jepte leje që, në ato kohë luftërash kur prindërit nuk kishin mundësi t’i dërgonin fëmijët në kishë t’i pagëzonin vetë në shtëpi, duke thënë shqip në ketë ceremoni. ” Formulën e pagëzimit” që është: “Un të pagëzonj pr’emen’t Atit e t’birit e t’shpirtit shenjt”.

Gjuha e tekstit dhe vlerat e përdorimit në shqip të disa shkronjave latine kanë një afri shumë të madhe me veprën e Buzukut, çka të bën të mendosh se shkrimi i shqipës duhet të ketë pasur një traditë me të vjetër, ku janë mbështetur te dy; edhe shkruesi i kësaj formule, edhe Buzuku. Dokumenti u zbuluar me 1915 nga historiani rumun Nikola Jorga në një nga bibliotekat e Milanos, Itali.

Fjalori i Arnold Fon Harfit (1497)

Me të njëjtin alfabet latin është shkruar në shekullin e XV edhe dokumenti i dytë i gjuhës shqipe: Fjalorthi i Arnold fon Harfit, i vitit 1497.

Udhëtari gjerman Arnold Fon Harf (1417-1505) ne vitin 1496, u nis nga Kelni, për të bërë një vizitë në tokat e shenjta, në Palestinë, udhëtim që e kreu për tre vjet. Në vitin 1497 ai kaloi në bregdetin e Shqipërisë dhe konkretisht në Ulqin, Durrës e Sazan. Gjatë këtij udhëtimi për të komunikuar sadopak me njerëzit, ai shënoi 26 fjalë shqipë, 8 shprehje e numrat 1 deri 10 dhe 100 e 1000 të shoqëruar me përkthim në gjermanisht. Janë fjalë të zakonshme si: ujë, verë, bukë, mish etj., që iu deshën udhëtarit në jetën e tij të përditshme sa qëndroi ne Shqipëri.

Me përshtypjet e udhëtimit Harfi la në gjermanisht një dorëshkrim, i cili u botua më 1860, pas tre shekujsh e gjysmë. Këtu gjendet edhe ky Fjalorth i vogël i gjuhës shqipe, i cili përbën dokumentin e dytë të shqipes së shkruar.

Udhëtari, përveç listës së fjalëve, shprehjeve e numëroreve, ka lënë edhe disa shënime në ato vende të bregdetit shqiptar ku kaloi. Ndër të tjera ai shkruan se “Ulqini është një qytet shqiptar i bukur e i vogël”. Për Shkodrën megjithëse kaloi nëpër të, ngaqë udhëtimi Ulqin-Durrës, e bëri me det, thotë “se është një qytet i madh i sapo pushtuar nga osmanët”. Ishullin e Sazanit e përshkruan “si një liman të mirë deti, ku ka shume anije, në krahun e majtë të të cilit ndodhet një fshat i madh me 2000 vatra, i quajtur Vlorë” etj.

Perikopeja e Ungjillit të Pashkës ( fundi i sh.XV-fillimi sh.XVI)

Ai i perket fundit të shekullit XV ose fillimit të shekullit XVI. Ky dokument përbëhet nga 2 pjesë të vogla bible në gjuhën shqipe që u gjetën në një dorëshkrim greqisht të shekullit të XIV, me të cilin ato nuk kanë asnjë lidhje. Ato janë në dialektin e Jugut, të shkruara me alfabetin grek. Këto fakte tregojnë se gjuha shqipe në atë kohë duhet të ketë qenë shkruar jo vetëm në Shqipërinë e Veriut, por edhe në Shqipërinë e Jugut.

Po para këtyre tri dokumenteve a ka qenë e shkruar gjuha shqipe?

Kjo është një pyetje që deri më sot nuk ka gjetur përgjigje të plotë. Shumë të dhëna na bëjnë të mendojmë se shqipja duhet të ketë qenë shkruar edhe me parë. Ndër të tjera arqipeshkvi francez i Tivarit, i njohur me emrin Brokard, që ka shëtitur shumë vende të Evropës dhe të Azisë, në një relacion latinisht të vitit 1332 shkruante:”Sado që shqiptarët kanë një gjuhe fare të ndryshme nga gjuha latine, prapë ata kanë në përdorim edhe në tërë librat e tyre shkronjën latine”. Ky fakt të bën të mendosh se shqipja duhet të ketë qenë shkruar të paktën që në shekullin XIV. Por kjo deri me sot nuk është e dokumentuar.

limnos

Fan Noli, “Klubi i Shkodrës” dhe kundërshtarët e tij (1908)


Paul Tedeschini

Profesor Nasho Jorgaqi është studjuesi më i thelluar dhe mbledhësi kryesor i dokumentacioneve të aktivitetit të gjërë të jetës, veprimtarisë fetare, kulturale dhe politike të imzot Theofan (Fan) Stilian Nolit. Shumë interesant është psh. ”Vllimi me letërkëmbimet” konfidenciale të Fan Nolit me Ahmet Zogun si dhe me Enver Hoxhen, të cilat profesor Nashua i ka gjetur dhe i ka publikuar.

Gjithë materjali mbi Nolin është mbledhur dhe përgatitur në 6 volume nga Akademia e Shkencave të RPSH-s, nën kujdesin e Prof.Aleks Buda (redaktor përgjegjës); prof.Vehbi Bala; prof.Koço Bihiku; doc.Nasho Jorgaqi; prof.Arben Puto dhe me kontributin e Institutit të Gjuhësisë dhe Letersisë, Arkivi i Akademisë së Shkencave te RPSH-s.
Në “VEPRA 2” të Fan S. Nolit (botimi i Akademisë së Shkencave në vitin 1987) në faqet 157-158 jepet shkrimi i Fan Nolit“KLUBI I SHKODRȄS” i publikuar me 25 nëntor 1908 në revisten patriotike “Kombi”.

Le ti hjedhim më parë një sy kohës kur Noli e ka shkruar artikullin “KLUBI I SHKODRȄS”. Jemi në vitin 1908. Xhonturqit për ta shpëtuar nga shëmbja Kalifatin Islamik të Perandorisë turk-osmane, bënë ”Kushtetutën e re” dhe komitetin “Bashkim e Përparim” me shumë premtime, të cilat në fakt u shoqnuen më vonë me shtërngesa, dhunë dhe raprezalje ndaj lëvizjes kombëtare të atdhetarëve të Rilindjes per pamvarsinë e shqipëtarve. Rilindësit shfrytëzuan mundësitë legale mbas shpalljes së Kushtetutës së re për të organizue lëvizjen politike-kulturore me qellim ngritjen e mëtejshme të ndërgjegjes kombëtare të popullit. Kështu u krijuan ”Klube Kulturore” patriotike në Shkodër dhe disa qytete të tjera.

Prof. dr. Ragip Gjoshi në shkrimin e tij ”Nga monografia – Mësimdhënia e gjuhës shqipe në Kosovë”(7) (15.09.2016) ndër të tjera shkruan:
“….Zhvillimi i lëvizjes politike-kulturore kombëtare ndeshi jo vetëm në pengesat e autoriteteve xhonturke, por edhe në kundërshtimin e atyre klerikëve konservatorë, myslimanë e ortodoksë, që u shërbenin fuqive të huaja. Në Tiranë, në Durrës, në Shkodër, në Ohër, në Strugë, në Dibër dhe në vende të tjera klerikët turkomanë u përpoqën t’i ndalonin shkrimin dhe mësimin e gjuhës shqipe, duke i shpallur në kundërshtim me fenë myslimane e me Kur’an-in. Në disa nga këto qendra administrata lokale turke kërcënonte me internim atdhetarët që përhapnin shkrimin e shqipes, ndërsa në Shkodër nxiti klerikët fanatikë myslimanë t’i dërgonin telegrame të stisura Ministrisë së Brendshme, në të cilat thuhej se nuk njihnin gjuhë tjetër zyrtare veç turqishtes. Edhe shovinistët grekë e klerikët ortodoksë grekomanë u orvatën ta pengonin hapjen e shkollave të para shqipe në Shqipërinë e Jugut. Këta vijuan t’i përdornin për këtë qëllim të gjitha mjetet e mundshme që nga kërcënimet, mallkimet e shkishërimet e atdhetarëve që dërgonin fëmijët në shkollat shqipe…..”.
Këtu në vijim jepet shkrimi i Fan Nolit marrë nga Noli “VEPRA 2” në faqet 157-158 të botimit të vitit 1987.

“KLUBI I SHKODRȄS”

“Lajmat nga gazetat e huaja na e rrëfejnë të ndryshmë shkakun e mbylljes së Klubit të Shkodrës. Do të perpiqemi pra me pak fjalë t’i përmbledhim këto të gjitha që t’u japim të kuptojnë shqiptarët cila është thellazi përseja e këtyreve paudhësive që po ngjasin njera pas tjatrës ndë Shkodër.
Një telegraf i “Tajmsit” (“Times”) të Londrës na rrëfen për shkak mysylmanët, të cilët domosdo kërkonin që shqipja në qoftë se munt të shkruhet, duhet bërë vetëm me shkronja arabisht. Gazeta greqishte “Pyrros” na rrëfen që mysylmanët u mblodhën një natë të Ramazanit, nonjë mijë, e rrethuan klubin dhe kërkonin ta diqnin, se shqiptarët që e bënë këtë klub qënkeshin vegla të Austrisë. Qeveria (turke) tjatrën ditë e mbylli klubin dhe zbriti tabellën e tij. Përandaj katholikët shqiptarë, nuk deshin të merrnin pjesë në konferencën që u bë prej mysylmanëve për të protestuar kundër Austrisë për çështjen e Bosnjës dhe Hercegovinës. Një letër prej Elbasani nga tjatra anë na rrëfen për shkak një gjë që ka më tepër rëndësi nga këto të gjitha. Kjo letër na tregon që mysylmanët shkodranë u tërbuan kur mësuan se në këto klube janë shkruar katër a pesë mysylmanë dhe menjëherë u hodhën t’i mbyllin dhe pak mbeti t’ua diqnin shtëpinë atyre mysylmanëve që kuxuan të shkruhen anëtarë në këtë klub.

Nuk na çuditë fare fanatizma e mysylmanëve të Shkodrës dhe kurrë nuk ushqyem shpresën e kuximshme që munt të bëjshin njerës të rij, pasi u vendos konstitucia. Po çuditemi për qeverinë, e cila s’është e zonja t’u vërë fre këtyre egërsirave dhe i lë të bëhen shkak për të derdhur gjak vëlla me vëlla. Sa pandehim që shqiptarët atdhtarë të Shkodrës të mos e gëlltitin dhe këtë shuplakë pa nxjerrë zë, si burgosjen e Dervish Himës. Kemi frikë se, ndë qoftë se mysylmanët e Shkodrës sillen me këtë paturpësi barbarë, të krishterët do ta humbasin durimin dhe, në dhënçin besën, që ta marrin gjakun gjithë Malësia, do mos mëntojnë ta shikojmë Shkodrën të mbytur në gjak, dhe fajën do mos e kenë të krishterët, dhe ata që do të pendohen do jenë mysylmanët e Shkodrës dhe qeveria turke. Dhe në këtë gjë me anën e katholikëve të Shkodrës, të cilët s’kursejnë veç të drejtat që rrjedhin prej konstitucies, do të qëndrojnë gjithë të krishterët dhe mysylmanët e Toskërisë, të cilët prej kohë kanë kuptuar çdo me thënë qytetërim.

Para se të mbarojmë, kemi dy fjalë për klubin e shqiptarëve edhe ca më tepër per atë të Manastirit që eshtë si krye. Përse këto klube nuk protestohen këtyre padrejtësive, po pushojnë? Po munt të na thonë se s’trazohen në politikë simpas kanunoreve. Jo, or zotërinj, se kur shkruani që do të përkrahni Xhamietin e xhonturqve, na thoni që do të përpiqi për lirinë dhe përparimin e perandoritë otomane. Mirë! Ashtu e kuptoni përparimin e përandrisë otomane? Dhe kur të bëhet gjak në Shkodër, do mos jini fajtorë, posa që s’deshtë ta lajmëroni qeverinë në ç‘greminë po baret, dyke sjellë prapë në Shkodër kohën e errët të tiranisë së vjetër.
Po kemi një shpresë dhe kjo na jep kurajë! A janë të zotërit katholikët e Gegërisë tua kthejnë shuplakën atyre që dashkan të mos ketë klub shqiptar?”
Botuar në “Kombi”, 1908, 25 nëntor, nr. 164 (fundi i shkrimit të Nolit).

Natyrisht mbas vitit 1908 e këndej Shkodra ka ndryshuar shumë. Shkodra s’është më sot një “Vilajet turk-osman i mbyllur” si dikur, por një qytet shqiptar i hapur me drejtim europian.

Zbulohet një libër i rrallë për Skëndërbeun!


Na ka rënë në duar një libër i rrallë 500 vjeçar, i cili jo vetëm nuk ndodhet në institucionet tona të kulturës si në biblioteka, arkiva…, por sipas të gjitha gjasave as nuk është përmendur apo cituar nga studiuesit shqiptarë të historisë së lavdishme të Skënderbeut. Bëhet fjalë për një libër kushtuar kryeheroit tonë Gjergj Kastriotit – Skëndebeut, që mendohet tani të jetë edhe më i vjetërs se kryevepra e Marin Barletit

Titulli i Librit është: “Commentarii delle cose de Turchi, di Paulo Giouio, et Andrea Gambini, con gli fatti, et la vita di Scanderbeg. Është një libër ndoshta me histori më të vjetër se ai i shkruar nga Marin Barleti për Historinë e Skënderbeut. Barleti e shkuajti Historinë e Skënderbeut në Itali, dhe në Romë e botoi në latinisht me 1510. Autori quhet Andrea Gambi është historian nga më të hershmit që ka shkruar për dyndjet turke në Europë. Ka lindur në FIRENZE ITALI. Dihet se ka vdekur me 1529. Ndoshta për botën shqiptare ky autor apo ky libër është i panjohur. Do të ishte me rëndësi përkthimi i këtij libri të vjetër, thesar për historinë tonë pasi mund të gjenden fakte të tjera apo të krahasohet me atë çka ka shkruar Barleti. Ndoshta akademikët shqiptarë e dinë si fakt punën e këtij libri, por unë po e theksoj se Libri i famshëm gjendet në Biblotekën e Firenzës – Itali, ndoshta dikush i apasionuar pas “vjetërsirave” do të ketë mundësinë ta shohë apa ta lexojë në origjinal. Libri është botuar pas vdekjes së autorit dhe mban datën 1545/ Çezar Ndreu

Ismail Kadare: Kam pritur me ankth hetuesinë e Bashkim Shehut

Ky dialog i Kadaresë me shkrimtarin dhe publicistin e njohur Stéphane Courtois, autorin e librit të famshëm “Libri i zi i komunizmit”, përbën pjesën përmbyllëse të librit “E vërteta që del nga qilarët” (nëntitulli në frëngjisht i librit “Dosja K.”, të Shaban Sinanit), përkthyer dhe botuar nga shtëpia botuese franceze “Odile Jacob”, në vitin 2006

Kam qenë në sallë dhe nga çasti në çast prisja që ai të shqiptonte emrin tim. Unë dhe Helena, ime shoqe, kishim folur mbarë e mbrapsht me të dhe me gruan e tij, por as ai, as ajo nuk na tradhtuan.

Nuk mbaj mend ndonjë periudhë kohe që të mos kem pasur ndonjë shok a ndonjë të njohur në burg. Dihej se në burg vazhdonin hetimet, kështu që një pjesë e madhe e njerëzve jetonin me ankthin se ç’mund të thoshin të burgosurit për ta. Pas daljes nga burgu B. Shehu dhe gruaja e tij na treguan për seancat e mesnatës kur i pyesnin për mua dhe Helenën

Kishte, pra, megjithatë, shpesh, disa forca të afta të ndalonin çmendurinë e këtij regjimi?

Po. Nuk duhet harruar se në një vend me të drejtë zakonore, si Shqipëria, “opinioni publik” ka luajtur, për shekuj me radhë, rolin e kuvendit dhe të gjykatës. Me gjithë ndalimin formal të kësaj të drejte zakonore, disa mbetje vazhduan edhe nën regjimin komunist.

Përveç kësaj, ky kursim i shkrimtarëve të shquar ka gjasë të jetë rrjedhojë e studimeve në Francë të diktatorit Hoxha. Ngaqë, siç dëshmohet, në kohën e qëndrimit atje ka ndjekur rrjedhat e letërsisë franceze, ka mundësi që pikërisht kjo ka ndikuar që viktimat zgjidheshin shpesh midis shkrimtarëve pak të njohur. Kështu, për shembull, dy poetë të rinj Vilson Blloshmi dhe Genc Leka u pushkatuan më 1976, për ca vjersha lirike, pothuajse të pafajshme, nga ato që mund t’i gjeje në gjysmat e librave poetikë të kohës.

Në “Dimrin e vetmisë së madhe”, ju përshkruani mrekullisht një ndeshje boksi të ritransmetuar në televizion. Si rrjedhim i kësaj, e kuptoj më mirë krahasimin e situatës suaj, pas autokritikës, me atë të boksierit të rrëzuar me nokdaun. Kur keni filluar të perceptonit që kishit hyrë në një ndeshje me pushtetin, fundi i së cilës nuk ishte vulosur përfundimisht nga autokritika juaj? Në çfarë momenti u shfaq te ju ideja e këtij luftimi që kërkonte mund dhe kohë të gjatë? A keni menduar, para vitit 1989, që do të mund ta shihnit në të gjallë rrënimin e këtij regjimi?

Nuk besoj se ka pasur ndonjë shkrimtar në krejt perandorinë komuniste që pasi të dëgjonte ato akuza që dëgjova unë më 1975 për shkak të “Pashallarëve të kuq” të mos e ndiente veten të rrëzuar përfundimisht. Fjala knockdown që ju përmendni është më e sakta në këtë rast. Adoleshent kam qenë në rrethin e boksit, në “Shtëpinë e pionierit” dhe e di mirë ç’është një knockdown. Në ndeshjen me shtetin unë isha mundur. Një natë përpara mbledhjes, sekretari i partisë, me ton të zymtë më tha: “Ka mundësi të mos dalësh dot nga kjo…Ndaj mendoje mirë autokritikën”. Kjo ishte këshilla dhe njëkohësisht kërcënimi i fundit.

Pas akuzave të tmerrshme, i rrëzuar në tapet, isha i mpirë. Në autokritikë, pranova qetësisht se e kisha goditur partinë, socializmin, popullin, por nuk isha tradhtar. Shpjegova shkurt se nuk kisha pasur qëllim rrëzimin e shtetit si thonë disa, dhe as isha agjent, siç dyshonin të tjerët. Në të vërtetë thosha të vërtetën. Përpara kujt isha i sinqertë? Përpara ndërgjegjes sime dhe kolegëve të mi, gjysma e të cilëve ishin miqtë e mi.

Në këto çaste të turbullta, mendimi i parë ishte se arti është i mallkuar në këtë vend dhe unë qysh më parë duhej të kisha hequr dorë prej tij. Më pas, mendimi se nuk duhej të shkruaja më gjëra të tilla të rrezikshme, m’u përzje befas me të kundërtën, se fataliteti do të më shtynte, ndoshta, pikërisht drejt asaj që s’duhej, pra drejt përsëritjes së gabimit.

E kam të vështirë të gjej tani çastin tjetër, atë kur mendova se ata nuk më dënonin dot dhe se në të vërtetë, shi në kohën kur e kujtoja veten të mundur unë kisha fituar.

Do të kalonte shumë kohë, kur një i afërt i imi, do të më shpjegonte se ajo puna e mosdënimit ishte një ngushëllim i kotë. Sipas tij, ishte e vërtetë se ata s’më futnin dot në burg, por kjo s’i pengonte të më zhduknin pas krahëve. Ishte paralajmërim i një kushëriri, apo kërcënimi i shtetit, i çuar nëpërmjet tij? Nuk e kam gjetur dot.

Sa për shpresën se regjimi mund të shembej në gjalljen time, këtë s’e kam besuar kurrë. Isha i bindur se do të vdisja nën të.

Historia e birit të Mehmet Shehut vërtet që të lë pa mend. E njoh që prej një kohe të gjatë: në fakt, pas vitit 1968, u angazhova tre vjet me një grup anarkist maoist (po, ekzistonte diçka e tillë) dhe mbaja një librari ku shisnim “Veprat” e Enver Hoxhës dhe ato të Mehmet Shehut! Lidhja direkt mes kritikës publike të të atit dhe torturat ndaj të birit, që ai të denonconte të atin e tij, më duket se është për t’u nënvizuar: është dimensioni i vërtetë i seancave të kritikë-autokritikës, teatri i seancës së kritikës rituale maskon seancën e vërtetë të torturës në ndërtesat e Sigurimit. E njëjta gjë ndodhi gjatë proceseve gjyqësore të Moskës: pohimet, në dukje spontane, të të akuzuarve, vënia në skenë, duke maskuar torturat fizike dhe psikologjike që i thyen këta burra. Dhe të gjithë vëzhguesit perëndimorë, të shumtë, e hëngrën!

Biri i kryeministrit të dënuar shqiptar, shkrimtari Bashkim Shehu, ka treguar për kalvarin e tij në librin “Vjeshta e ankthit” (L’automne de la peur), botuar nga “Fayard” në Francë, si dhe në libra të tjerë. Dialogët e tij me hetuesin në zyrat e hetuesisë nën torturë psikike jepeshin të regjistruara në magnetofon në sallat e mbushura me dëgjues, kryesisht intelektualë. Kam qenë në sallë dhe nga çasti në çast prisja që ai të shqiptonte emrin tim. Unë dhe Helena, ime shoqe, kishim folur mbarë e mbrapsht me të dhe me gruan e tij, por as ai, as ajo nuk na tradhtuan.

Nuk mbaj mend ndonjë periudhë kohe që të mos kem pasur ndonjë shok a ndonjë të njohur në burg. Dihej se në burg vazhdonin hetimet, kështu që një pjesë e madhe e njerëzve jetonin me ankthin se ç’mund të thoshin të burgosurit për ta. Pas daljes nga burgu B. Shehu dhe gruaja e tij na treguan për seancat e mesnatës kur i pyesnin për mua dhe Helenën.

Dukej sikur regjimet komuniste kthyen kohën e grekëve të vjetër kur Hadesi, bota e poshtme, ajo e burgjeve, ndikonte në botën e të gjallëve, madje disa herë e sundonte atë.

Përderisa sistemi totalitar kërkon të shkatërrojë jo vetëm shoqërinë civile – organizatat dhe institucionet e pavarura nga regjimi, – por gjithashtu vetë shoqërinë – vetë parimin e marrëdhënieve të pavarura midis individëve, – miqësia mes dy njerëzve ose lidhja e dashurisë, a nuk janë në thelb “kundër-revolucionare”? Në çfarë mase fakti i të treguarit sheshit të lidhjeve të tilla nuk ju përcaktonte si “armik”?

Çdo shfaqje normale e jetës, në një mënyrë ose një tjetër ishte një kundërshtim i rendit diktatorial. E zhvlerësonte atë, ia prekte autoritetin. Kjo ndodhte sidomos me historitë e ndërlikuara të dashurisë. Në sytë e mi, çdo grua që guxonte të kishte një histori adulteri, ishte njëfarë heroine. Kur kam marrë vesh rastësisht se në ushtrinë shqiptare, kishte disa qindra vetëvrasje oficerësh për shkaqe xhelozie, e kam marrë këtë si një shpallje shprese. Ky fakt tregonte se diktatura, sado që i kishte sfilitur, nuk i kishte tharë dot shpirtrat e njerëzve.

Është befasuese të konstatosh se, në kritikën e tij ndaj “Pashallarëve të kuq”, kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, Dritëro Agolli, ju asimilon me Solzhenicinin, Titon, Xhilasin dhe madje me Toliatin. Do të kishte qenë e lehtë të sajohej kundër jush një aferë komploti ndërkombëtar. A keni ndonjë ide për arsyen pse ata nuk shkuan deri aty? A ndodhi kështu ngaqë intriga e kurdisur kundër jush ishte veçse në një nivel të ndërmjetëm të aparatit, atij të kolegëve xhelozë? A ndodhi kështu, ngaqë druanin se një sulm më i dhunshëm ndaj jush do të provokonte britma zemërimi ndërkombëtare? Është e vërtetë se rasti juaj është mjaft atipik në sistemin komunist botëror. Solzhenicini dhe Shalamovi u bënë shkrimtarë veçse pas qëndrimit të tyre në gulag. Grosmani nuk njihej jashtë shtetit atëherë kur u godit nga ndëshkimi dhe Pastërnaku ishte i njohur që prej pak kohe me “Doktor Zhivagon”.

Siç e thashë më lart dënimet e shkrimtarëve bëheshin sipas një llogarie të ftohtë.

Njohja ndërkombëtare më mbronte natyrisht. Në atë kohë isha botuar pothuaj në gjithë Europën, si dhe në SHBA e Kanada. Shqipëria e vogël ndihej, me sa dukej, e paaftë të përballonte një reagim ndërkombëtar. Siç thoni ju, nuk ishte dënimi që më çoi drejt njohjes, por ishte njohja ndërkombëtare që po më çonte drejt dënimit. Për mendësinë komuniste, një shkrimtar i botuar dhe i pëlqyer nga “borgjezia ndërkombëtare”, nuk mund të ishte veçse i dyshimtë.

Nga dokumentet e këtij libri, del qartë nervozizmi i tyre për këtë njohje. Në rastin më të favorshëm për mua, unë isha i përkëdheluri i Perëndimit. Në më të keqin, agjent i tij.

Aluzionet për këtë të fundit bëheshin gati hapur nëpër mbledhje. Madje nganjëherë edhe në shtyp. Ende sot, pas rënies së komunizmit, për fanatikët kokëgdhe të partisë, unë jam i tillë.

Ju aderuat në Partinë Komuniste në vitin 1971, në moshën tridhjetepesëvjeçare, gjë që konsiderohej si e vonshme. Në atë kohë kishit tashmë libra të ndaluar për “gabime ideologjike”. Sapo ishit publikuar në Europën Perëndimore, me një bujë të madhe, gjë që nxiste mosbesimin më të madh në Shqipëri. Si shpjegohet ky aderim në një moment kaq keq të zgjedhur? Ky duket një paradoks, një veprim kontradiktor, turbullues për ata që ju studiojnë. Ju nuk e keni dashur karrierën politike, gjë që u verifikua në vitin 1992, pas rënies së komunizmit, kur ju refuzuat të bëheshit presidenti i vendit tuaj. Shkurt, në dukje, ju nuk kishit asnjë nevojë për këtë parti. Atëherë pse të aderonit?

Keni të drejtë të flisni për paradoks, për turbullim dhe ju mund të përdornit madje terma që nuk i shprehët. Keni të drejtë të thoni se ky aderim është i pashpjegueshëm, se momenti ishte zgjedhur keq etj. Së fundi, keni të drejtë të përmendni publikimin tim në Perëndim, domethënë hyrjen time në një klub shkrimtarësh, një klub ku të gjithë ëndërronin të ishin pjesë.

Në ato kushte, aderimi im në Partinë më të rreptë kundërperëndimore, mes më të rreptave të partive komuniste, duket se ishte veçse një marrëzi.

E kuptoj të gjithë moskuptimin tuaj që do të keni përballë kësaj çështjeje, sepse në realitet ajo ka mbetur e errët. Pas rënies së komunizmit, u vendos një zakon i keq. Nëse ju përpiqeshit të shpjegonit çfarëdolloj gjëje, një kor i tërë ngrihej kundër jush: “Pse të duash të shpjegosh këtë gjënë? Pse të justifikohesh? Por, nëse nuk shpjegonit asnjë, mjegulla e moskuptimit mbetej. Dhe me të shpifjet e trasha, ato që komunizmi, edhe pse i përmbysur, vazhdon të prodhojë kundër jush. Aderimi im në partinë komuniste është një prej pikave kyçe, që shpjegon shumë gjëra. Dhe do t’ju përgjigjem në mënyrën më të qartë të mundshme.

As në vitin 1971, as në asnjë moment nuk pata nevojë të hyja në Parti. Kisha, përkundrazi, të gjitha arsyet për të mos hyrë. Pse njerëzit aderonin? Kishte dy motive: një mirëbesim i sinqertë dhe naiv në propagandën komuniste për disa dhe etja për karrierë për shumë të tjerë.

Për sa më përket mua, nuk kisha asnjërën prej këtyre motiveve, ashtu siç e saktësuat dhe ju. Përkundrazi, kisha të gjitha arsyet për të mos aderuar. Në fillim, atë më të qartën: nuk ndihesha komunist. Ishin dhe arsyet nga më të thjeshtat: mbledhjet e zgjatura, të mërzitshme, të neveritshme, “disiplina e Partisë”. Së fundi, kishte një arsye të thellë: në këtë Shqipëri të rreptë, kundërperëndimore dhe kundëreuropiane, isha i vetmi që kisha kaluar në klubin tjetër: klubi i lirë i shkrimtarëve europianë. Dhe në këtë klub, ajo për të cilën kisha më pak nevojë ishte pikërisht Partia. Në Shqipërinë staliniste, e përshkuar prej urrejtjes së Perëndimit dhe e bindur se urrehej po aq, konsiderata e një shkrimtari për Perëndimin perceptohej si një paradoks i rrezikshëm, që zhdukte nga sytë zhalonët e rendit komunist. Prandaj dhe duhej thyer menjëherë ky kërcënim.

Kështu që, sado paradoksale që mund të duket kjo, është pikërisht pranimi i veprës sime në Perëndim, që solli aderimin tim në Parti.

Për të hyrë në Parti, duhej formuluar kërkesa. Aderimi konsiderohej si një nder. Ai refuzohej shpesh. Ky ishte rregulli për shumicën e shqiptarëve. Por në raste të veçanta, për personalitete të arteve dhe shkencave, përkundrazi, ishte Partia ajo që ju sugjeronte të “kapërcenit ndrojtjen” dhe të formulonit kërkesën. Në disa raste ishte e mundur të gjeje me diplomaci një justifikim për të refuzuar një “nder” të tillë. Nuk kishim akoma mjaftueshëm ndjenjën e disiplinës, një lloj “papjekurie ideologjike”…Në rastin tim, sugjerimi erdhi, ashtu si ma rrëfeu, në mënyrë gjoja konfidenciale, sekretari i Partisë, prej vetë shefit të madh, Enver Hoxha. Kuptohet se në një rast të tillë, një refuzim, që do ta perceptoj natyrshëm si një sfidë personale, do të ishte njëlloj me një dekret dënimi. E kuptova se po vihesha në provë. A preferoja të isha “i përkëdheluri i borgjezisë”, apo do të pranoja të tregoja se vendi im (që në frymën e tyre ishte një me Partinë) ishte më i rëndësishëm se borgjezia? Kuptohet se vendimi i gabuar do të kishte qenë fatal. Unë, pra, “zgjodha vendin tim” dhe nuk kam keqardhje. E dija se ato mund ta përdornin këtë, për t’i treguar si “borgjezisë”, po ashtu dhe popullit shqiptar se Kadareja nuk ishte “i tyre”, por “i joni”, fjalë shumë të shtrenjta këto për komunistët. Por nuk kisha zgjidhje tjetër. Për mendimin tim, të humbisje jetën thjesht për një teserë të Partisë, do të thoshte se gjithë ky karagjozllëk merrej tepër seriozisht.

Në fund të fundit, është e mundur që të ketë pasur arsye të tjera të përçapjeve të tyre. Është e mundur që të jetë shpresuar se “disiplina e Partisë” do të mund të më kishte “edukuar”, është e mundur që të ketë pasur arsye, që as nuk mund t’i marr dot me mend…

Ashtu siç e thashë pak më parë, njohja e Perëndimit ishte me dy tehe, ajo më ka mbrojtur. Në të njëjtën kohë ma ka ndërlikuar jetën. Në Shqipërinë komuniste, njerëzit e famshëm, dhe sidomos shkrimtarët, në një mënyrë ose në një tjetër, duhet të ndiheshin fajtorë. Dhe për këtë fajësi, ata duhet të paguanin taksën: taksën e shkrimtarit të njohur.

Me njohjen ndërkombëtare shtohej për mua një barrë e re: taksa e shkrimtarit, e njohur në gjithë botën. Që këtej e tutje, më duhej të paguaja dy herë më shumë se të tjerët.

Dokumentet e paraqitura në këtë libër e tregojnë në mënyrë të përkryer. Mes gjithë mizorive që më janë drejtuar, gjendet arsyeja e vërtetë e tërbimit të tyre: “Ti mendon se mund të bësh çfarë të duash, sepse borgjezia e do veprën tënde? Ti mendon se është ajo që do të të mbrojë?”. Në fakt nuk isha larg së menduari këtë. Por kur këto akuzime të rrezikshme arritën pikën e tyre kulminante, isha bërë anëtar i Partisë, domethënë një njeri me dy statute: “njeri i nderuar” në Shqipëri dhe “armik i botës së lirë” te ju.

A e dini se si u perceptua në Shqipëri ky aderim? Për shembull, si u kuptua prej “liberalëve”, prej atyre që, duke pasur fshehtas të njëjtën pikëpamje me ju, kishin rezerva për Partinë?

Mendoj se për pjesën më të madhe të popullsisë, përfshirë këtu dhe liberalët, perceptimi, qoftë pozitiv ose negativ, nuk ishte shumë i prerë. Të gjithë e dinin se brenda Partisë kishte të mirë dhe të këqij, si kudo, po ashtu dhe jashtë Partisë. Në fakt, regjimi komunist në Shqipëri kishte arritur me sukses të ngrinte në vendin tonë një ngrehë diabolike. Ashtu siç e kishte profetizuar Dostojevski te “Demonët”, ku tregon se është pjesëmarrja në një krim të përbashkët ajo që lidh anëtarët e një celule revolucionare, pushteti u përpoq të bashkonte në krim komunistët dhe jokomunistët.

Kishte, gjithashtu, një ligj të pashkruar, sipas të cilit spiunët e policisë rekrutoheshin vetëm jashtë Partisë. Në këtë mënyrë, në një përballje të mundshme në të ardhmen, ata që do të guxonin të akuzonin komunistët do të mund të merrnin si përgjigje: “OK” (“OK” është një shprehje, që ata e duan shumë tani), OK, ne kemi qenë ashtu siç thoni ju, por mos harroni se spiunët ishin tuajt”.

Ky rregull nuk përjashtonte, megjithatë, që komunistët, teknikisht jo spiunë, të kryenin të njëjtën punë, vullnetarisht dhe me shumë zell. Në këtë, “Dosja Kadare”, për shembull, e cila, ashtu siç e saktëson në parathënien e tij ish-ministri i Brendshëm, është “vetëm purgatori”, të gjithë denoncuesit janë komunistë. “Ferri”, domethënë spiunët profesionistë, është ende larg.

Ju përmendët pak më parë, “taksën e shkrimtarit”. A mund të na thoni me saktësi se në çfarë konsistonte kjo taksë?

Çfarë ishte taksa e shkrimtarit? Bëhej fjalë për shkrimtarët për të cilët letërsia ishte më e shtrenjtë se karriera. Këta shkrimtarë për të fituar të drejtën të shkruanin veprat e tyre pak a shumë të lira (tema të përjetshme, historike, të papolitizuara) detyroheshin që herë pas here të shkruanin vjersha ose prozë për “jetën socialiste”, ku detyrimisht përmendej socializmi, partia, klasa punëtore, të tjera ngjyrime të kohës. Unë, ashtu si të tjerët, e kam paguar këtë taksë.

Këto vjersha ose faqe proze i kam quajtur të kota, mish i huaj në veprën time. Ato ishin flijimi për hir të veprës sime serioze, atë me të cilën nuk bëja asnjë lëshim. Ato faqe edhe si sasi nuk zinin më shumë se dy ose e shumta tre për qind të veprës sime.

Në ato faqe nuk kishte ndonjë gjë vërtet të dënueshme moralisht, për shembull, nxitje të luftës së klasave, ekzaltim prej saj e të tilla si këto. E shumta ato ishin të lehta dhe jo të zymta e me peshë si pjesa dërrmuese e veprës sime. Për ta çuar sqarimin gjer në fund, po ju sjell shembullin kur unë, nën trysninë e realizmit socialist, më 1968, shkrova të vetmen vepër, që u përshëndet si e tillë, romanin e shkurtër “Lëkura e daulles”, i publikuar në Francë me titullin “Dasma”.

Fill pas botimit, sidomos pas entuziazmit me të cilin u prit nga kritika zyrtare, jam tmerruar dhe jam betuar të mos e bëj më kurrë një gjë të tillë. Ç’ishte ky roman? Gjithmonë për të qenë transparent me lexuesin tim shqiptar dhe botëror, unë e përfshiva romanin, pa i ndryshuar një presje, në vëllimin 6 të veprës sime komplet, shqip e frëngjisht, botuar prej “Fayard”-it në Paris. Dëshiroja që lexuesi të kishte në duar “veprën time më të keqe”. Mendimi i botuesit tim, por edhe i lexuesve ishte se nuk kishte ndonjë gjë të keqe në këtë vepër, veç një lehtësie.

Do të doja të shtoja këtu se nuk kam mohuar asnjë prej veprave të mia, dhe se jam bërë i famshëm në Perëndim, ngaqë kam shkruar dhe kam publikuar gjatë regjimit komunist dhe jo pas rënies së tij…Lidhur me “taksën” ka pasur dhe vazhdon të ketë dy mendime: I pari, që taksa ishte e përligjur (ashtu siç ka qenë e tillë për Ahmatovën, Bulgakovin, Pastërnakun etj.). Falë asaj disa nga shkrimtarët vazhduan të jenë shkrimtarë. Mendimi i dytë ka qenë se do të ishte më mirë, që shkrimtarët të mos e paguanin atë, pra të hiqnin dorë nga letërsia. Sipas kësaj, Shqipëria (meqë flasim për të), mund të privohej për gjysmë shekulli nga letërsia, për të vërtetuar se socializmi ishte i keq! Kam qenë kundër këtij mendimi, madje disa herë, ai më ishte dukur cinik, për të mos thënë kolonialist, të paktën në njëfarë kuptimi të këtij termi. Duke zbatuar këtë vendim, Shqipëria (përderisa po flasim për të) nuk do të kishte krijimtari letrare për një gjysmë shekulli dhe kjo për të provuar se komunizmi ishte i dëmshëm. Përveç kësaj, vendimi do të nënkuptonte se shkrimtarët jo vetëm që duhej të kishin braktisur literaturën, por mundësisht të flakeshin në burg, madje të gjenin vdekjen. Përdora fjalën e rëndë “kolonialist”, ngaqë i tillë më është dukur mendimi se vende evropiane si Franca, Italia etj., nuk mund të jetonin pa art e letërsi, qoftë edhe në kushte të vështira, kurse në të tjera vende nuk bëhej ndonjë hata që arti dhe letërsia të fshiheshin nga faqja e dheut, ngaqë këta popuj si me art si pa art, njëlloj ishin. U zgjata në këtë pikë të pyetjes suaj, ngaqë për të janë bërë shumë spekulime e është dhënë shumë moral, pikërisht nga sehirxhinjtë që s’janë rrezikuar kurrë nga asgjë.

Po si arrihet të mbahet kjo mënyrë të vepruari, që i afrohet skizofrenisë, pa pësuar dëme serioze? Çfarë “higjiene” mendore, intelektuale, psikologjike duhet zbatuar për të dalë nga kjo relativisht i padëmtuar. Ju duket se thoni se mjeti kryesor i mbrojtjes ka qenë për ju, përbrenda, të mos e merrje seriozisht pushtetin. A mund ta saktësoni këtë pikë thelbësore? Si shpjegohet që me ju parimet e autocensurës nuk funksionuan? Në kritikën e tij të “Pashallarëve të kuq”, Agolli deklaron se çdo gjë që prek Partinë është e shenjtë. Mirëpo ju afirmoni që është çdo gjë që prek literaturën që, për ju, është e shenjtë? A është kjo përgjigjja?

Ju e quani këtë gjendje “skizofreni”. Dhe ajo ishte pikërisht ashtu. Çfarë mjeti, çfarë higjiene mendore mund të përdoret për të dalë i padëmtuar prej saj? Unë jam përgjigjur dhe vazhdoj të besoj se mosmarrja seriozisht e regjimit komunist ka qenë kyçi i sekretit. Mendoj se për një shkrimtar që beson te letërsia njëlloj si tek feja, madje më tepër, që e di se pushteti është i përkohshëm e ai jo, kjo mund të funksionojë. Duke rrezikuar të quhem megaloman i skajshëm do t’ju them se qysh në moshë të re dhe në mënyrë disi groteske, siç ndodh shpesh me adoleshentët, e kam ndier veten shkrimtar në kuptimin më të madh e të mistifikuar të kësaj fjale. Ky vetëbesim donkishotesk nuk më ka braktisur edhe më pas, atëherë kur njeriu, siç i thonë fjalës, piqet. I shoqëruar prej tij erdha gjer në çastin kur u bëra i ndërgjegjshëm se në Shqipërinë xhuxhe staliniste, në vendin që nuk prodhonte veçse terror, errësirë dhe prapësi, po shkruhej një letërsi e njëjtë për nga vlerat me atë që prodhohej në Londër, Paris, Vjenë e Nju-Jork, pra në metropolet e lirisë dhe se kjo ishte një mrekulli. Ishte diçka për të cilën nuk reshtja dot të isha plotësisht i ndërgjegjshëm dhe që nuk m’u nda më vonë.

Pjetër Bogdani, kryemjeshtri mrekullibërës i shqipshkrimit, poeti i përndritur i stilit barok

Më 6 dhjetor 1689 vdiq në Prishtinë nga epidemia e murtajës, kryemjeshtri mrekullibërës i shqipes, i themelti i përpjekjeve ngadhnjyese të zërit dhe shpirtit shqiptar, tharmi i shpërthimeve të duhishme kryengritëse kundër zgjedhës osmane, Pjetër Bogdani. Ai mbamendet si një ndër personalitetet më të shquar të Kishës, dishepull i interesave të kombit dhe kulturës shqiptare. Pjetër Bogdani vlerësohet ndër teologët më të njohur shqiptar dhe figura më e ndritur e letërsisë së vjetër e shqipshkruar

“Ai nuk është vetëm një kryemjeshtër i gjuhës shqipe, por është dhe ka mbetur teologu më i madh i krishterë në gjuhën shqipe që reflekton një humanizëm të pashoq në letrat evropiane si dhe poet i përndritur i stilit barok”, mëton për Pjetër Bogdanin studjuesi, Moikom Zeqo.

Pjetër Bogdani ka hyrë në historinë dhe ndërmëndjen e patriotizmit jo vetëm me veprimtarinë e vet kombëtare për të organizuar kryengritjen e përgjithshme antiosmane, por edhe me veprën e tij diturore-letrare “Çeta e profetëve” e cila mbetet e themelta e vlerave të njimendta teologjike dhe filozofike, gjuhësore dhe psikologjike. “Kjo vepër, thënë metaforisht, ashtu si e thotë Bogdani për parimin e tij filozofik, Zotin, është një krua i gjallë, ku mendja dhe shpirti ynë do të gjejë kënaqësi dhe shqetësim intelektual, ku shumëkush mund të marrë ujë, e s’do të shteret lehtë”, nënvizon Ibrahim Rugova në përçapjen e tij për të dritëlëshuar mbi këtë univers kleriku dhe atdhetari, gjuhtari dhe filozofi.

Duke nisur rrugëtimin e shqipshkrimit, me nistarin Pal Engjëlli, autorit të Formulës së pagëzimit që daton më 1462, e deri tek rilindasi Jeronim De Rada, Pjetër Bogdanit i është rezervuar vendi i nderit në gjithë letërsinë shqiptare, sidomos si prozator i madh, e njëherësh si poet, filozof, shkencëtar, teolog, etj. Eqrem Çabej e vlerëson si një stilist të rrallë, i cili arriti nivelin e lartë të përsosshmërisë gjuhësore dhe artistike.

Për të hedhur një vështrim në jetën dhe rrugëtimin e Pjetër Bogdanit përnga maja shërbestar i kishës dhe gjuhës, i dijes dhe atdhetarisë, mëtojmë se ky gjeni mjeshtërisë dhe hovit diturak prejvjen nga Guri i Hasit, është i datëlindur diku më 1625. Mësimet nistore i mori në Ciprovac, Bullagri, kumtojnë krejt jetëshkrimet për të. Në vitin 1674 ishte nxënës i kolegjit ilirik të Loretos. Pas studimeve filozofik e atyre teologjike shugurohet prift. Më 1651 ushtron detyrën e meshtarit në Pult të malësisë së Dukagjinit, Shkodër, për të vazhduar predikimin e fjalës së shenjtë dhe atdhedashurisë në fshatrat e Prizrenit, në anët e vendlindjes. Në vitin 1656 thirret në Romë për të vazhduar studimet e larta teologjike në Kolegjin e Propagandës së fesë. Aty i mëson gjuhët e Lindjes. Në vitin 1658 i’a dal mane studimeve të larta për teologji dhe filozofi në Romë, ku edhe mori titullin doktor. Pas një kohezgjatje veprimtarie apostolike si meshtar, emërohet ipeshkëv i Shkodrës dhe administrator i Tivarit, kjo daton në periudhën 1663–1664. Më 1675 vjen në jetë vepra monumentale e këtij kryemjeshtri, “Çeta e profetëve”. Bogdani ia paraqet Kongregatës së Vatikanit, Propaganda Fidae për botim. Rekomandimi i Propagandës ishte të përkthejë librin. Përnjiheresh nis punën në përkthimin e librit. Në vitin 1677 emërtohet kryeipeshkëv i Shkupit në vend të të xhaxhait, imzot Andrea Bogdanit. Lufta turko–austriake fillon më 1683, në dhjetor të atij viti vdes Ndre Bogdani. Asokohe Bogdani arratiset në male me ç’rast e humb librin e Gramatikës latinisht–shqip të punuar nga Ndreu. Strehohet në Ciprovac dhe në Dubrovnik. Në pjesën e parë të vitit 1685 shkon në Venedik e në Padovë. E merr me vete dorëshkrimin e përgatitur për botim, që bëhet i mundur në atë fundvit, në Padova.

Botimit të parë të veprës i paraprijnë 23 parathënie dhe përkushtime të autorëve të ndryshëm në gjuhën shqipe, italiane dhe serbokroate, ç’ka thuhet se ishte një dukuri e rrallë e kohës dhe paraqet përkrahjen nga personalitete të ndryshme të vlerës së madhe të veprës dhe respektin ndaj autorit.

Karakteri origjinal i krijimtarisë dhe punës së Bogdanit duhet marrë në mënyrë relative për përmbajtjen e karakterin fetar që kishte, por duhet thënë që nuk është mbështetur në ndonjë autor të caktuar në formë përkthimi. Tematika e larmishme i shton rëndësinë veprës. Aty gjejmë që nga tematika teologjike, biblike e filozofike, këndej fetare, tek historiografike, të shkencave të natyrës, por edhe letërsi artistike, poezi. Kjo larmi temash çon edhe në larmi stilesh, që është një tregues i shkallës së lartë të përpunimit të gjuhës për atë kohë. Dhe padyshim ky është një gur i rëndësishëm në themelin e gjuhës së sotshme shqipe.

Autori në “Çeta e profetëve” ka gjetur mundësi të shtjerë elemente të jetës shqiptare të kohës e të historisë së popullit tonë, si është rasti i qëndresës burrërore të kelmendasve kundër ekspeditës turke më 1639. Mendimet e njohuritë e ipeshkvi shqiptar imzot Pjetër Bogdanit shpalosen më shkoqur në parathënien e librit dhe në relacionet e shumta, që hartoi pas vizitave apostolike e baritore në viset e dioqezave që ai drejtoi si bari shpirtëror.

Vetëm vetëdija dhe besimi i thellë në forcën e gjuhës shqipe, e shpuzi në flakërimën e atdhetar këtë intelektual dhe patriot të madh, e hovi të shkruajë një vepër kaq të madhe siç ishte dhe mbeti përgjithmonë emblemë, “Çeta e Profetëve”. Në personalitetin e mëtuar sakaq duhet parë gjeniun në punën e vet. Ai shkriu dijen e kohës së përparuar, artin e vuri në mbrojtjen e idealeve dhe pikmapjeve iluministe, duke ia kushtuar gjithçka dhe çdo gjë kombit.

Shkroi me dashuri të madhe për gjuhën shqipe, për Atdheun e për popullin shqiptar, shprehu dhembje për gjendjen e mjeruar e padijen në të cilat i kishte hedhur robëria bashkatdhetarët e tij dhe kundërshtim të thellë për pushtuesin osman. Imzot Pjetër Bogdani kërkonte që t’i jepeshin popullit shqiptar libra në gjuhën amtare, punoi për mëkëmbjen dhe zhvillimin e kulturës kombëtare dhe çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj.

***

Pjetër Bogdani do të mbetet në memorin e përsonaliteteve shqiptare edhe si poliglot, këndshikim që rreket të përplotësojë si të tërë këtë manifestim të gjeniut të iluminimit. Duke cekur në lëmin diturak të tij numërojmë gjuhët të cilat ai ka njohur, fillojmë me italisht, latinisht, greqisht, serbokroatisht, turqisht, hebraisht, arabisht, armenisht dhe sanskritisht. Hamendje gjithashtu se ai zotëronte frëngjisht dhe gjermanisht. Është kjo galeri e thellë prejnga burojnë diejt e fuqishëm dritëdhënës të vullnesës së mirë krijuese, kulumtuese dhe kushtruese.

Prej vlerave të shumta shencore dhe artstiko-letrare të veprës së Pjetër Bogdanit dallohet trajtimi dhe vendosja e drejtë e çështjeve etnopsikologjike dhe historike, pasuria e madhe gjuhësore në shtjellimin e lëndës në prozën shkencore, humanizmi i lartë në paraqitjen e realitetit të kohës, filozofia, intelekti i rrallë letrar, etj.

Ai hapi shtigje dinjitoze kah vlerat evropiane, çka shihet në idenë për lëvizjen ballkanike, për liri kombëtare dhe shpirtërore.

“Arti i të shkruarit dhe ligjërimit që mishërohet në vepër si tregues i nivelit të kulturës dhe zhvillimit intelektual të tij dhe angazhimi dinjitoz si prijës dhe tribun popullor e ngriti lart veprën e tij madhore, të lindur në gurrat e një humanizmi të thellë, duke i treguar popullit rrugën e zhvillimit të lirë e të pavarur, andej kah bota e përparuar.”, sendërgjon një krijues çka Bogdani mëton me jetën dhe veprën.

Imzot Pjetër Bogdani krijoi me vetëdije të plotë për ta pasuruar e përpunuar gjuhën shqip dhe popullin shqiptar me të vërtetat e fesë së krishterë e, gjurmoi dhe vuri në qarkullim fjalë e shprehje të vjetra të lëna në harresë, krijoi edhe fjalë të reja, duke bërë përpjekjet e para për krijimin e termave në ndonjë degë të shkencës si dhe në teologjik e në fjalorin kishtar në përgjithësi. Ligjërimi i tij dallohet mjaft herë edhe për zhdërvjelltësi e ndërtime sintaksore të një arkitektonie të sigurt. Me veprat e imzot Pjetër Bogdani letërsia dhe gjuha letrare shqipe shënuan hapa të rëndësishëm përpara.

Vepra ka në krye një seri kushtimesh e poezish shqip, latinisht, italisht, sllavisht, shkruar për nder të Pjetër Bogdani nga miq e të njohur të tij. Dy vjershat shqipe të Luca Bogdanit e të L. Sumës dhe ato të vetë autorit të shpërndara në kapituj të ndryshëm të librit, me teknikën poetike përgjithësisht të sigurt janë tregues të lëvrimit të mbarë të vjershërimit shqip në këtë kohë.

Pjetër Bogdani krijoi me vetëdije të plotë për ta pasuruar e përpunuar gjuhën shqipe, gjurmoi dhe vuri në qarkullim fjalë e shprehje të vjetra të lëna në harresë, krijoi edhe fjalë të reja, duke bërë përpjekjet e para për krijimin e termave në ndonjë degë të shkencës. Ligjërimi i tij dallohet mjaft herë edhe për zhdërvjelltësi e ndërtime sintaksore të një arkitektonie të sigurt. Me veprat e Pjetër Bogdani letërsia dhe gjuha letrare shqipe shënuan hapa të rëndësishëm përpara.

Për veprën e Pjetër Bogdanit kanë shkruar studiues e shkritarë të njohur shqiptarë e të huaj si Gaetano Petrotta, Eqrem Çabej, Faik Konica, Filip Fishta, Alberto Straticò, Mario Roques, Justin Rrota, Matteo Sciambra, Injac Zamputti, Idriz Ajeti, Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti etj. Prej këtej Pjetër Bogdani ishte dhe do të mbetet në thelb devocion i një atdhetari të shëlbyer, shërbestari dhe kryemjeshtri të interesave të shenjta për të cilat ai dha kaq shumë, aq sa një mirënjohje është më së paku ajo që i detyrohemi.

Faveyrial: Gjuha shqipe ka një begati dhe shumëllojshmëri që e kalon mjaft gjuhën e Aristofanit



Gjithçka që ne mund të bëjmë, është të rrëmojmë vetë në sa më shumë histori të mundshme, duke ia lënë të tjerëve, më me fat, barrën që të plotësojnë nismën tone. Mund të sjellë habi, gjithashtu, fakti se, në vend që të kufizohemi në atë çka sot quhet Shqipëri, ne këtu kemi përfshirë historinë e Maqedonasve. Shkaku për këtë është se, sipas Strabonit, Maqedonasit dhe Shqiptarët e Epirit, përbënin një popull të vetëm. Në të vërtetë, Straboni i Sinopit, i cili duket se ka vizituar këto vende, thotë se: “Shqiptarët dhe Maqedonasit flisnin të njëjtën gjuhë, kishin të njëjtat sjellje në zakonet e tyre, i prisnin flokët në të njëjtën mënyrë, dhe se ata kishin mjaft gjëra të tjera të përbashkëta, deri në atë masë, sa janë të shumtë ata që e kuptojnë Maqedoninë deri në Korkyrë (Korfuz)…”

Sot Grekët thonë se janë e njëjta racë me Maqedonasit. Kryeministri i mbretit Gjergj arriti deri aty sa të pretendojë se: -”Greqia lidhet me Maqedoninë për nga njëjtësia e racës dhe e traditave historike”. (Qarkore e 10 tetorit 1885).Por, zotit Delijani a nuk i kujtohet Demosteni kur i cilëson Maqedonasit si barbarë, dhe Filipin e Tretë mbret të barbarëve? Aq më tepër është e vërtetë se, për sytë e Grekëve të lashtë, Maqedonasit ishin një racë e huaj. Sa iu përket Bullgaro-Sllavëve, ne do t’i përmendim shumë herë, dhe kjo fillimisht për të kujtuar rrethanat kur ata kanë zëvendësuar në Maqedoni dhe Myzi racën shqiptaro-romane, dhe më pas, mbrojtjen me të cilën ata kishin përfshirë, qoftë. Metropolin Ilir, qoftë popujt përkatës në të. Zanafilla galo-keltike e Perandorisë Otomane, në të cilën Shqipëria përbën sot tre krahina të mëdhe ose vilajete, do kishte nevojë për hollësi më të mëdha. Por, këtu, ne kemi arritur të përmbledhim veç një studim të gjatë të bërë më parë, dhe që ne mund ta shtypim diku tjetër. Gjykimi që ne kemi sjellë për Serbët, dhe në veçanti për të mirënjohurin Dushan, duket i ashpër.

Por, na u desh ta gjykojmë këtë të ashtuquajtur burrë të shquar, jo sipas rrëfimeve serbe, por, sipas veprave, sipas zakonit të tij, sipas mikpritësit të tij Kantakuzen, dhe, më së fundi, sipas raporteve të legatëve, që me sjelljen e tij i bënte të vinin nga Roma, dhe që ai i kthente, më pas, jo ndershmërisht. Dijetarët kanë pretenduar se, një e treta e gjuhës shqipe është me rrënjë latine, një e treta greke, dhe një e treta ilire. Por, në vend që të nxjerrim prej shqiptarëve fjalë të huazuara nga gjuhët latine dhe greke, a mos do të ishte më mirë ti shihnim ato të huazuara prej latinëve dhe grekëve nga gjuha pellazgjike, e cila kalon, në mënyrë të pakundërshtueshme, si gjuha e parë e ardhur në Itali dhe në Greqi, dhe të cilën shqiptarët e përcjellin natyrshëm si e vetmja gjuhë e ruajtur deri në ditët tona? Le të pranojmë se shqipja është e varfër, domethënë, ajo nuk është e kultivuar. Por, po t’i hiqnim gjuhëve më të kultivuara fjalët shkencore të huazuara nga të tjerat, si do të katandiseshin ato?

Çështja kthehet pra kështu: -Shqiptarët, a i kanë ata, po apo jo, fjalët për të cilat deri këtu kanë patur nevojë, -dhe gjuha e tyre a përshtatet, po apo jo, në formimin e fjalëve të nevojshme për lëvrimin e shkencave në Shqipëri? I nderuari z.Dozon, ish konsull i Francës në Janinë, dëshmia e të cilit ka një peshë të rëndësishme, dhe i cili, për mbledhjen e këngëve, gramatikën dhe fjalorin e tij, padyshim ka meritë të madhe për Shqipërinë, pohon se: –”në raportin fonetik gjuha shqipe ka një begati dhe shumëllojshmëri që e kalon mjaft gjuhën e Aristofanit”.

Si mundet që kleri grek të mos jetë i fajshëm, kur ka penguar, dhe ende pengon në ditët e sotme, lëvrimin e kësaj gjuhe kaq të bukur!

Grekët mburren se letërsia e tyre ka filluar me Homerin. Po Homeri vetë, nga cila shkollë greke ka dalë? Nga cilat shkolla është formuar? Përpara shkollave greke, pra, ka pasur shkolla pellazgjike, dhe një literaturë të madhe dhe të përkryer, e cila ka qënë themeli i letërsisë greke, ashtu si ndërtimet ciklopike kanë shërbyer si themel për ngrehinat e përkohëshme të ngritura prej Grekëve të lashtë. Cilado qoftë vlera e letërsisë greke, brezat pasardhës do t’i qortojnë padyshim të gjithë shqiptarët që e lëvrojnë atë duke shpërfillur letërsisë e vet, dhe të gjithë shqiptarët e pasur që themelojnë shkolla për grekët, në vend që t’i ngrenë ato për bashkatdhetarët e tyre. Në përurimin e Zhapionit (21 korrik1885), Zhapa i ri, foli për “ndjenja me të vërtetë humanitare” të themeluesit, xhaxhait të tij. Por, sa ka pasur ai ndjenja patriotike veç ndjenjave humanitare? Qysh atëhere, çfarë ka bërë Zhapa i Labovës (Përmet)? Ai, thjeshtë, ka dhënë më tepër një shembull të shëmtuar. Padyshim që grekët e kanë duartrokitur. Por, Shqiptarëve të vërtetë a nuk u është dashur të rënkojnë prej kësaj? Mjerisht, Zhapa nuk është i vetmi. I mirënjohuri Kristaq Zografi ka bërë dhe shumë të tjera. Diçka e çuditshme kur ata, e të tjerë si ata, besojnë se nderohen, ndërkohë që mbulohen me një turp nga më të përçmuarit, pasi Shqipëria është vendi më i prapambetur i Europës nga pikëpamja arsimore, dhe ndoshta, e vetmja në botën e popujve jo barbarë, e cila nuk ka letërsinë e saj kombëtare.

“Historia e Shqipërisë”
Jean-Claude Faveyrial

Origjinali i punuar e botuar 1884-1889

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...