Agjencioni floripress.blogspot.com

2017/02/24

Nga Flori Bruqi : Në vend të in memoriamit : Riza Lahi ( 16 tetor 1950 - 31 dhjetor 2013)


Riza Lahi 

Riza Lahi ka lindur më 16 tetor 1950, në Shkodër. Për tridhjetë vite ka shërbyer si pilot në Forcat Ajrore të vëndit, dy vite si gazetar në shtypin ushtarak, si edhe, disa kohë në OSBE. Ka kryer disa kurse kualifikimi brënda dhe jashtë vëndit gjatë kohës që ka qënë pilot. Është autor i 31 librave dhe publiçist. Është ftuar disa herë jashtë atdheut si shkrimtar dhe gazetar. Pjesë nga krijimtaria e Riza Lahit janë botuar edhe në Zvicër, Greqi, SHBA, Iran, Rumani, Indi, Sllovaki, Çeki, Korea e Jugut, etj.

Në Konkursin Kombëtar, 1994, ka fituar vëndin e parë në Republikë me pjesën teatrale për fëmijë, botuar më pas nën titullin “Të shtunën në mesnatë në një yll”.

Ka fituar edhe çmime të tjera të niveleve të ndryshme, si edhe ka botuar pandërprerë në shtypin letrar apo faqet letrare të gazetave duke ruajtur me kujdes pozicionin e shkrimtarit të pavarur. Ka marrë pjesë në shumë aktivitete ndërkombëtare në lidhje me folklorin, letërsinë dhe në përkrahje të romëve, megjithëse nuk ka asnjë lidhje gjaku me romët. Ishte prej shumë vitesh bashkëpunëtor i rregullt i shtypit të pavaruar dhe kryeredaktor i revistës së romëve “Amaro Dives”.

Gjithashtu:

Ishte zv President i Ansamblit Folklorik “Shqiponjat” dhe në stafin drejtues të rëvistës kulturore “Obelisk”.

Antar i “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë”.

Antar i Kongresit të “IWAA” (Shoqatës Botërore të Shkrimtarëve dhe Artistëve).

Antar i “Albanian – American Academy of Arts and Sciences“.

Antar i Shoqatës Botërore të Poetëve (World Poet Society - WPC).

Antar i “Akademisë shqiptaro – amerikane të shkencave dhe arteve” me qëndër në New Jork.

Në vitin 2012 është çertifikuar me diplomë nga IWAA – Shoqata Botërore e Shkrimtarëve dhe Artistëve me këtë motivacion: “This Diploma is to certify that in 2012, Riza Lahi, who has demonstrated distinguished achievement within the principles and purposes of the International Writers and Artists Association, is recognized as THE BEST TRANSLATER INTO ALBANIAN OF ALBANIA”.

Riza Lahi, pilot


Riza Lahi vdiq më 31 dhjetor 2013.



Vepra të botuara:

Tregime, përralla për fëmijë

“Legjenda e Zerdelisë”.
“Ledia në një natë me hënë”.
“Aventurat e rosës Monda” (Shqipërim nga E. Bosse).

Vëllime me poezi gërshetuar me tregime

“Kosova, e fejuara ime”.
“Drenica, qeleshja kosovare”.
“Trëndafilë”.
“Trëndafila nga Tirana”.
“Hannibal Antes Portas” – poems and stories in English and 8 other languages.

Tregime

“Ëngjëjt me krahë duralumini”.
”Fluturime mbi qilimin persian”.
“Nën hënën e Ulqinit”.
“Ylli që sheh mbi sheshin “Skënderbej”.

Romane

“Të shtunën në mesnatë në një yll”, roman për fëmijë.
“Vorri I Ashikut”, në katër volume.
“Serenatë korçare në New Jork”.

Biografi artistike

“Një violinë në Panteoinin e Orfeut”.
“Dinosaurët e fundit”.
“Maratonomaku nga Shkodra”.
“Piloti i katër presidentëve”.

Shqipërime

“Poezi për fëmijë nga vëndet anglishtfolëse“ (dy vëllime) - 2006.

“Në shiun e argjentë” (vëllimet e mësipërme, botuar në një të vetëm, në Rep e Maqedonisë).

“Mbrëmë i pëshpërita një ylli” – Poezi të zgjedhura nga Xhelaludin Rumi.

“Fluturoi qielli nga cepi i velit tim” - poezi të zgjedhura nga F Forughazd.

“Golgota shqiptare” nga Leo Freundilch.

“Ikja masive” nga Hans Peter Rulmann.

“Ëngjëlli i Mostarit” nga Sally Becker.

“Nuk ka ëngjëj në këtë botë” nga Sally Becker.

*******

FLAKË NË KOSOVË


Mbytur në djersë
mu si në front
ditën - argatë
netëve – kontë.

Me kokat lart
ndarë nëpër botë,
ndër gjunjë bien
veç në një odë.

Veç dy herë japin
besën e burrit:
për ndër të nënës
dhe të flamurit!!!

* * *
"Ç' janë këta lot,
o mixha plak,
që m'i lëshon
këtu në prag?!

Unë do të shes
shtëpi e dhe
vizë e biletë
me 'to do blej.

Do bredh, do bredh
rreth botës mbanë,
nëpër Evropë,
tej oqeanit.

Të mos e shoh,
sa të jem gjallë
këtë Shqipëri,
si kalë gërdallë."

Plaku veç hesht
e qanë, e qanë
me sytë e kaltër
si oqeani:

"Njëherë kur qava
i gjithë katundi
ma uroi babën:
"Ty ta vraftë plumbi!"

Tash qaj rininë
si fukara,
e lash n' Detroit
në Ankara.

Kam pasur para
sa një sulltan,
por njerëzit thonin:
"ky ësht’ jaban!!"

Bëheshin tripe
nëpër pranverë,
"ta marrim", thonin,
këtë "stranjerin".

Shtyja vagonin
si ka i egër,
"gud, gud" e thonin
"dhe është forejnër".

Me dilte gjumi...
Oh, s'isha dhëndër
në Gjermani,
por një "auslandër"

Isha i bukur
e dorën - darë!!!
"Ella", më thonin
"more mallagaro"!!

Janë lot gëzimi...
Për Shqipëri,
sot do të bëhem
prapë djalë i ri".

"I ri? Po si?"

"Paratë që pata
i kam shpërndarë
ndër jetimore
fëmijëve shqiptarë.

S'jam rob i tyre,
- i lirë si hëna,
i pastër si
kur më tundte nëna"

"Por jo i ri!!!"
"Bëhem tani!!!

Këtu në gjoks
kam një flamur
do shkoj "atje"
ta ngul mbi gur.

Një palë pancirë
Një "kallashnik"
t'i hidhem shkjaut
përmbi çelik.

Do thërres:"Kosovë,
të erdha prapë,
kështu, qe besa
vdes mixha plak".

I ri, i fortë,
mu si kreshnik
do vdes në Junik
me "kallashnik".

Dhe përmbi varr
në qofsh shqiptar
këto dy fjalë
me gdhend me ar:

"Mallkuar qofsh
proverb latin:
"ATJE KU HA
- ATDHEU IM"!!


* * *
Nëna ime, moj, ku po shkojmë kështu?
Nata është pus, mu si pusi ynë
Lemë të pi dhe një ujë, nëna ime moj,
S'ka në botë askund si ky pusi ynë.

Do ta mbushin serbët me kufoma, nënë,
pusin tonë të ëmbël do ta mbushin cyt
me pleq, të sëmurë qe s'i mbanin këmbët
edhe me ferishte të prerë në fyt.

Aman, pusi im, laji si i lanë hoxha
laji edhe qaji me ujët si lot...
Lemë të pi te pusi për të fundit herë
nënë, te pusi ynë, si nuk ka në botë...

* * *
Planet, me dete
me shtete ndarë
ngado - veç plisa
të bardh' kosovarësh.

Oj Kosova ime
a ka burra, vallë,
të të pushkatojnë
sa jam unë gjallë?

Oj, Kosova ime
kush është ai burrë
që me grykë pushke
të mbështet për mur?

Nuk jam sua skllavi,
jam mal e çinar,
e rrëmbej bajrakun
dhe shtatë pash nën varr.

Dhe shtatë palë zinxhira
në paça në qeli,
zemra m' del prej hekurash
dhe me çifteli.

do këndoj për liri:

Mos m'i lidhni sytë
mos, more me shami
se jam zog shqiptari
jam kosovarli!!!


* * *
Fehmi, të kam ndjekur nga plumbi te plumbi
Në Kroaci, Bosnjë, ngado në ato vende.
Sot është dita e jonë, dita e dasmës sonë
të vdesim të dy, ti me dadën tënde.

Mu largoni shokë, m'i lini bombat mua!
Më lini me Fehmiun, plumba kam unë plot
Largohuni që të gjithë!!! Unë jam komandantja!!!
Nuk e bëmë dot dasmën, dasma jonë është sot!



Vëndi im!


Vëndi im! Dhe po të ishe si kokë tullace i shkretë,
i tëri shkëmb, pa ujra, flutura, si trualli i hënës
prap do të doja shumë, do të betohesha për ty
siç bëjmë benë më të shtrenjtë “Për kokë të nënës”.

Çfar reshë! Si trëndafila me ngjyra të çelura; era
si një ninullë i shtyn ëmbël pakëz, sa të dalë dielli.
Shallvarekuqe retë, si perde teatri u hapën
dhe dielli nis po del me fustanellë ngjyrë trëndafili.

Me një manjolë në buzë
mërmërij këngë shko e eja
në piacë,
nga “Kafja e Madhe”
te “Dugajtë e reja”.

Lamtumire

[Ledias, me rastin e mbarimit të maturës, kujtim nga babi ]

Lamtumirë gjimnazi im “Qemal Stafa”
Lamtumirë mësues, shokë, ti, banka ime
Kushedi hapat e mi, kur do m’i ndjeni prap
Hapat e vajzës që notonte në ëndërrime.

Mësuesit e mi, gjer të mësoheni pa mua
Do pyesni njëri-tjetrin, po... ku shkoi?
Me aromë mimozash do përgjigjet pranvera:
E katërta shtatë dhe... ajo... oh... fluturoi.

Po kur një ditë do më keni harruar
Qemalsja juaj do të vijë te dera
Ngadalë, hutuar, do të ngjitet te shkallët
E drejt te banka ku rrinte përhera.

Në mos paça me vete t’u sjell lule
Të freskëta, të bukura siç i rrit saksia
Të rrahura zëmre do t’ dhuroj pafund
Dhe lule të zbehta nga thinjat e mia.

Do të pyesë roja plak, ku e kam parë
Këtë zonjë që s’qesh si nxënësit e tjerë?
Do t’i them: më lër, më lër të hyj, o plak
Qemalse edhe unë kam qënë një herë.

Lamtumirë, lamtumirë gjimnazi im
Të erdha e ndrojtur, e vogël, si manare
Më rrite... Lehtë një ditë më puthe flokët
Dhe nëpër botë më lëshove krenare.


MOJ NËNË

Moj nënë, shpesh më thua: “Po, lëri tash vjershat
Po lodhesh, dëshpërohesh, s’tu botua asgjë!”
Po, prap rri me mua dhe me llampen e ndezur
Tek grindem me vete gjer më dymbëdhjetë a më një

Kur nxitoj për shkallësh drejt marrshimeve të gjata
Lehtë – lehtë , si mbaron tëra punët e shtëpisë
I mbledh fletët e mia të shkruara e të bardha
Dhe lehtë i ujdisë tek syndyku i nusërisë

ÇVIT - ÇVIT

Jo rrallë ulem te lulet
e shplodhem i menduar...
...Sa shumë dallandyshe
në vapë shpërthejnë tër’ gaz:

Çvit – çvit, - çvit – çvit!

Ca vërtiten mbi mua,
sa u shoh sytë e zgjuar...
Pastaj shkojnë tutje - tutje...
Papritur kthehen prap:

Çvit – çvit, - çvit – çvit!

Po, pse, sa herë i shoh
Diçka më bien nga ti
Ma lënë diku këtu
S’arrij t’i falënderoj:

Çvit – çvit, - çvit – çvit!

Diçka nga shkumbë e detit
Diçka kur nxiton ti
Diçka nga qeshja jote
Me mëndje bëlbëzoj:

Çvit – çvit, - çvit – çvit!


Në gjumë të parë, nga qielli
Më vijnë gjith’ dallandyshet,
Në mes tyre, dhe ti
Me një palë krahë si tyret:

Çvit – çvit, - çvit – çvit!

Më lidh një shall te gusha,
Më kruhesh te qerpikët...
Dhe...i rreh krahët e ikën
Me një këngë dallandyshesh

Çvit – çvit, - çvit – çvit !



PEISAZH NËN KALANË E SHKODRËS

Rrjedh Buna, rrjedh ëmbël, rrjedh shtruar, menduar
Drejt gjoksit të leshtë të Drinit të rrëmbyer...
Një vajzë me buzën e lehtë të Mona Lizës
Nga libri i saj një faqe ka kthyer

Pulëbardhat i sillen përqark dhe asaj
Dhe Bunës, që plagë po më çelin pa faj...
Dhe Bunës... Ky Drini për beli përfshin
Stolirat dhe ojnat vajërore të saj.

Si plagë trëndafilash këto buzë buzë Bunës...
Ç’lexojnë mbi libër këto vetulla si shtiza?
Mes lotëve të shelgut i heshtur rri unë
Mes lotëve të shelgut buzëqesh Mona Liza.

Po, kush do t’i puthë pa i vrarë ato buzë
Fare lehtë...sa një fllad...jo si Drini lugat
Por ...vajza me dorë thërret djalin e saj
Dhe Buna shkujdesur po shkon për në shtrat.

Këto plagë, pse m’i çelën dhe vajza dhe Buna
Pyes vete dhe buzën kafshoj gjer në asht...
Pulëbardha krahëbardha fluturojnë drejt bedenave
Zemërbardha kridhen në qiellin e lashtë...


SULMI QË NUK I REZISTON ASKUSH

Ujrat ecin qetë
Shtruar, si një jare e lashtë

Pranvera po afron

Pulëbardhat sulen pingul
Njëra pas tjetrës
Në këtë spektakël të heshtur dhe
Pafundësisht të bukur

Pranvera po afron

Një peshkatar e hodhi sërish në ujë cironkën e vogël
Ai është rritur me muzikës ujrave
Dhe është kaq i dhimbsur për këtë cironkë
të vockël sa një flutur e bardhë

Pravera po afron

Ujrat po ulen ngadalë
Dhe shelgjet
Po presin qetësisht sa të rrethohen nga bari i madh dhe grafullonjës


Pranvera afron
Duke ndryshuar gjithëçka ëmbël, bukur, pa zhurmë
Njerëzit i hoqën vetë palltot e dimrit që i shtërngonin aq shumë nëpër dimër
Dielli i fton të gjithë të këndojnë
Kur të duan,
si të duan,
sa të duan,
vetëm të duan dhe
sipas zërit të tyre

Ky është sulm.

Edhe ky është sulm

Është sulmi i bukur i pranverës.



ÇFAR MË KA MBETUR NGA SHKODRA IME

Të vetmet që më mbetën nga Shkodra ime
Janë këto këngë
Këto shkodranet e mia të gjalla, të bukura dhe që ecin duke spërdedhur belin
Si një grup biblilash pylli.
Këto këngë
që vijnë qënga blirët e gjimnazit, piaca, vështrimet e ngulura te një dritare
dhe më rrëmbejnë nga kthina ime ku shkruaj....

Nisem për Shkodër.

Askush nga këta djem nuk e di se kam qënë dikur si ata
Se e kam dashuruar para tyre ”Motrën Tone”;
Para tyre si i çmëndur
Kam ndënjur me orë të tëra pa u ngirë para saj
Ata flasin për sex ndërsa
Para tyre shkojnë vajza gjysëm të çveshura
Ata se dijnë se i gjallë në botë nuk kisha ardhur këta çaste nëpër Shkodër
Po të mos më rrëmbenin këto këngë
Që rinia ka nisur t’I harrojë
Të harrojë edhe Motrën
Që unë e kundroja me orë të tëra
Megjithse ajo ishte e mbuluar
Po plot zjarr
Si shkodra ime
E cila nuk e di
Përse më rri kaq larg

Dhe këto lotë që vijnë qënga rinia ime.


JESHILNAJË...

Zogj me pendë të jeshilta
Shelgje jeshil
Me flokët e mrekullueshëm të jeshiltë
Që përkulen mbi ujrat jeshil
Dhe ujrat e jeshiltë ende flënë
Si një vajzë e bukur
Që i janë hapur mbi jastëk e argjentë
Flokët e jeshiltë të shelgjeve

Mes barit të jeshiltë
Vajzat më të turpëshme dhe më kokëulurat e botës
- disa lulevjollca.


PRANVERË


E shoh pranverën...

Te lulet e çelura
Te bilbilat e rinj që këndojnë ngado
Te vërshimi i dallëndysheve, tollumbaceve dhe
Te rekrutët që pagujanë ryshfet
Për në Afganistan dhe Irak
Të marrin apo të lënë kokë
atje.


NËNA IME

Të lutem
Rro edhe pak
Se ndryshe
Sa herë të shfaqem
Te ura e Bahçallëkut
Ajo do të tronditet shumë

Unë do të përkulem mbi ujrat e Drinit të shpërlaj lotët

Rozafa
Do të më shikojë akoma më shumë me dhimbje

Ajo është mësuar të më shikojë duke qeshur
Duke kënduar mbu urë
Duke llustruar këpucët, duke fshirë pluhurin, duke u krehur
Para se të hyj në qytet

Rro edhe pak nëna ime
Që unë të jem ende djalë shtëpie përmbi këtë urë
Jo mysafir i largët

I largët dhe i përlotur.

DASHNORI I PERANDORESHËS

Ua, sa pyll pafund i mrekullueshëm
Me kurorat si kodrina prej kaçurrelash të blerta

Si dashnor për të cilin bëjnë një kompromis të heshtur dhe të prerë
Bota ajrore
Dhe bota e ujrave.

Para pak muajsh dielli
më kot i dërgonte poezi dashurie
mes rrezeve
qënga kangjellat me dry të reve të shiut.

Para pak muajsh ka qënë në perandorinë e ujrave
në shoqerinë e cironkave, mëlyshëve, gjucave, krapuliqëve, bretkockave
mes të fshehtave,
intimiteteve,
kërcënimeve,
premtimeve,
thithjeve,
puthjeve,
epsheve
të perandoreshës së ujrave
perandoreshës që e mbante ditë e natë shtërnguar mes kofshëve...

Sa puhizë e ëmbël ajore
nën këtë blerinë pyllnajore!
Gardalina - cicërojnë papushim
Dallandyshe - koloviten dhe këndojnë
Lejlekë si kajmaklie
sipër ... nëpër
kaçurrelat e dëndur si t’ia ketë dhruar ndonjë oaz nga orienti;
flutura...fluturaaaaa...fluturafluturaflutura....sidomos flutura të kaltra
si dhurata mëngjesore nga qielli i këtij agimi

Por do te vijë perandoresha sërish!

Do të vijë me taborret e reve të zeza
me tamtamet e luftës së bubullimave
e etur për dashuri
do vijë perandoresha e ujrave
për ta futur në kështjellën e saj këtë pyllnajë
për ta shtërnguar fort
mes krahëve të saj
mes gjirit të saj
mes kofshëve të saj
rretheqark duke u sjellur si eunukë
cironkat, mëlyshët, gjucat, krapuliqët, bretkockat

dielli do të struket pas reve duke i shkruar poezi dashurie papushim
lejlekët, dallandyshet do të kenë ikur përtej….

Përmbi këto kurorëza
duke prekur me pendë ujrat
do të sillet plot guxim
zogu me i shëmtuar i dheut
dhe më besniku

trumbcaku....


QENTË E RRUGËS

Sa më vëjn keq për qentë e rrugës
Janë më shumë se sa duhet të edukuar
Ta lirojnë rrugën si njerëz
Të shikojnë me sy fëmije
Nuk lehin kurr
I ka edukuar e njëjta dorë
- rruga tmerrësisht jo livadhore e kryeqytetit.

Ata iu qahen me sy, me të lutur
Qenëve që shëtitin me qafën me zinxhirë
Që e kanë një strehë dhe ushqim
Por dhe n jë oborr për të lehur
1 – 2 shtator 2010 , ora 05 e mëngjesit, ndërsa këndon hoxha jacinë e syfyrit, Shkodër


POR LIQENI NUK KA DALLGË

Liqeni ende flë
Kanë nisur ngacmimet e lehta të diellit nëpër gjethe
Por ujët me sytë gjysëm mbyllur ende ëndërron
Po të kishte dallgë
Dallgë shumë
Do të ngrihej prej shkumbëve të tyre për të ardhur tek unë
Afërdita
Me qerpikët, buzët , sytë dhe flokët e derdhura gjer në fund të këmbëve
Krejt prej shkumbësh
Prej zambakësh të bardhë që kanë vetëm dallgët.
Që andej do të ngrihej mbretëresha e bukurisë
Bija e Poseidonit
Përbindëshit të detrave
.


PESHKATARËT E UJRAVE TË ËMBËL

Liqeni u paska falur sot në mëngjes peshkatarëve
shumë peshk,
shumë peshk,
shumë peshk
të qeshura dhe rrjeta shumë

Taraboshi nga larg
si një dallgë
që ka dalë nga liqeni
dhe është ngurrosur atje

Shelgu buzë Bunës
si një vajzë që sapo ka dalënga ujrat
duke vërvitur pas me një të lëvizur vjzëror të kokës ajore
flokët e gjatë , të shumtë dhe të gjelbër….




REJA ISLANDEZE DHE UJRAT NË SHKODËR

Qielli i botës
Kërcënuar ngado prej resë
Që nxorën nga dhimbja e tmerrëshmë dherat
Atje
Por ujrat e Shkodërs sime janë zbukuruar
Nga sytë e kulluar të pranverës

A thua i dhimbset Shkodra kësaj pjelle të egër të nëntokës?
Apo ka rënë në dashuri
Në një dashuri platonikë
Siç bijnë përbindëshat?



E ÇMËNDURA DHE NJËZET DJEM

Ata qeshin me të madhe
E thërresin me emër
E thërresin të gjithë

Kavaleria Rostikano e ka mbushur bulevradin
Me të qeshura

Pietro Maskanji ka vdekur
Kavaleria qeshën me të madhe.

Ajo i ka lyer buzët me të kuq
mban një trëndafil në dorë
përkulet me reverancë
deri në tokë
si aktoret e Romës klasike
dhe trëndafilin
ma zgjat
mua

Të vetmit që po qaj
ndërsa Kavaleria Rostikano
tund bulevradin e Shkodrës me të qeshura


DALËNGADALË....

Rrugët...
E Ndjej
kanë nisur të më presin
përditë dhe më ftohtë

Po ec nëpër rrugët e qytetit më të panjohur të botës
- nëpër rrugët e qytetit tim

Vetëm ujrat nuk më paskan harruar
Dhe shokët e fëmijërisë
Të mplakur që të gjithë
Dhe që kthehen në adoleshëntë menjëherë
Si ujrat e Drinit
Sapo nisin papritur shirat.

ZOGU

Kam filluar të këndoj te një dritare tjetër, atje
ku më duan të gjithë dhe më përkëdhelin të gjithë

Atje ku këndoja më parë
U mësuan me këngën time
A nuk ia vunë veshin kurr

Ka nisur t’u vrasë veshët kjo qetësi absolute
Ka nisur t’i marrë malli për mua

Kalojnë poshtë dritares ku po këndoj unë
Ngrënë kryet
Dhe i ulin sytë poshtë
Me përjashtim
Të së dashurës së parë
Që më lutej të këndoja edhe një këngë
Kur më qeshnin të gjithë...


PILOTËT E VJETËR

Hodhën nga një grusht dhe në varrrin e hapur
ku qanin të gjithë.

Iu afruan të heshtur tavolinës së mortit.
U ulën
Pikëlluan ca
Pinë dhe nga pakëz raki
Dhe bënë shaka.

Kishin luajtur me vdekjen tër jetën.

Unë ua njoh të gjithëve:
Mëritë,
Djallëzitë,
Modestitë,
Egoizmin,
Pisllëqet,
Furinë,
Plogështinë
Fuqinë
Dobsinë
Të qeshurat
Lotët

Që të gjithë këta
E patën një të dashur
Që i treguan gjithëçka
Që i falën gjithëçka
Që i qeshën gjithëmonë
Që nuk e tradhëtuan kurr...

Hapsirën mbi atdhe.





POETËT E DIKURSHËM...TË GJENERATËS SIME

Flisnin me duar, sikur po
po shtynin botën për në një
tjetër galaktikë me
përrenjtë prej zjarri të fjalëve dhe
lëvizjet e furishme
të duarve

Shëtisnin me njëritjetrin, si
gjeneralët e bulevardit , madhështorë si një
tufë meteorësh para
syve të turpëshëm të
letrareve të reja dhe të
panjohura nga
askush

S’ngopeshin së recituari
vargjet e tyre përmendësh . Tregonin
me një mijë variante
ç’i kish thënë “Ismaili”, apo si kishin
pirë me “Dritëroin” dhe...

Kur ndaheshin
shanin fshehur njëritjetrin....

Sot…

Sot
të mplakur, të drobitur, si
gjeneralë të mbyllur në hekura
ecin
vetëm.

Dikush ka lënë flokë të gjatë, si
poetët klasikë; dikush
i pa rruar si Mciri* , ai,
murgu që
u arratis nga monastiri; dikush me
cigaren në gojë , sikur të
ketë lindur me të
mes buzëve.


Të tërë e kanë kush një
kopse të rënë, kush një
lidhëse këpuce të palidhur; kush me
këmishë të palarë . Pranë
vajzave kalojnë me
vështrimin që u hedhë luleve një
gruaje të vejë që
është nisur te
varrezat


Nuk flasin më me zë të lartë
por mërmërijnë dhe
shkojnë rrugës duke u këshilluar me veten

Nuk flasin më me duar
duart tani u dridhen
si të një epshelliu plak.

Bota i ka mundur

Tani ata nuk botojnë më asgjë. Mbi ta dhe mbi lulet
shkelin këpucët me gozhdë botës
që marshon


Ata i shikojnë rivalët e dikurshëm tër mirësi dhe dhimbje

Unë i dalloj që janë ende poetë

Që të gjithë

I dalloj nga
shkëlqimi i jashtëzakonëshëm i
syve , nga
mënyra se si vështrojnë
ujrat dhe nga
lulja që mbajnë
buzëve
kur vjen pranvera



PËRSE NUK MUND TË BËHEM BIZNESMEN?

…Ja,
sepse nuk kam shpirt.

Që të mbijetoj në luftën e përditëshme
Do të më duhej të ha
Të ha me uri, sa më shumë dhe pa u nginjur nga
Puna e punëtorëve që do të vijnë me rrogë te unë. Mirëpo
Unë
Nuk kam shpirt të ha mish njeriu
Dhe rri i tërhequr
Në botën time të letrave.

Që të mbijetoj në luftën e përditëshme
Mua më duhen edhe skllevër; jo asish që
I mbanin lidhur këmbët me hekura; as zezakë që
I shisnin sipas peshës dhe që i kontrollonin, si kuajt - nga
Dhëmbët,
Po asish , që
Qeshin sa herë që të qesh unë, që
Më japin të drejtë sapo të flas unë, që
E dijnë sinqerisht se unë
Jam më i bukuri i tyre; jo unë, por edhe ime shoqe
Sepse janë vetë paratë e bukura , po aq. Mirëpo
Ja që
Nuk kam shpirt të ha mish njeriu
Dhe rri i tërhequr
Në botën time të letrave.

Nëse ka vetëm dy rrugë
“Bëhu skllav , o bëhu mbret!”
Njëmijë herë më mirë skllav
Se satrap, kokën përpjetë

Më mirë prit si burrë goditjet
Si mandatin pret një plak
Se sa egër të qëllosh
Me sy, fjalë e dajak - x


Një mal dallohet me një të parë se
Është më i madh nga një kodër
Një mbret dallohet menëherë
Nga lypësi që rri te porta e pallatit
Një pasanik dallon menjëherë
Nga një varfanjak, mirëpo
Se kush është më i mëncur dhe kush më pak?
Më gjeni qoftë dhe një të vetëm që
Të pranojë disfatën në këtë konkurencë.

E dini? Sinqerisht
Ma më pëlqen kjo barazi e
Mëncurive absolutisht të pabarabarta

Është më e nderëshmja!

Jam në vetminë hyjnore të qiellit të letrave.


LAMTUMIRË

Ledias, me rastine mbarimit të maturës
kujtim nga babi 5 shkurt 2010

Lamtumirë gjimnazi im “Qemal Stafa”
Lamtumirë mësues, shokë, ti, banka ime
Kushedi hapat e mi, kur do m’i ndjeni prap
Hapat e vajzës që notonte në ëndërrime

Mësuesit e mi, gjer të mësoheni pa mua
Do pyesni njëritjetrin, po... ku shkoi?
Me aromë mimozash do përgjigjet pranvera:
E katërta shtatë dhe… ajo…oh…fluturoi

Po kur një ditë do më keni harruar
Qemalsja juaj do të vijë te dera
Ngadalë , hutuar, do të ngjitet te shkallët
E drejt te banka ku rrinte përhera

Në mos paça me vete t’u sjell lule
Të freskëta , të bukura siç i rrit saksia
Të rrahura zëmre do t’ dhuroj pafund
Dhe lule të zbehta nga thinjat e mia

Do të pyesë roja plak, ku e kam parë
Këtë zonjë që s’qesh si nxënësit e tjerë?
Do t’i them :më lër, më lër të hyj, o plak
Qemalse edhe unë kam qënë një herë

Lamtumirë, lamtumirë gjimnazi im
Të erdha e ndrojtur, e vogël , si manare
Më rrite… Lehtë një ditë më puthe flokët
Dhe nëpër botë më lëshove krenare.




AH...SI U HAKMORR MJERIMI!...

Mjerimi u hakmorr më shumë
ndaj kësaj gjysheje me sy të ëmbël si zogj të ulur
në rrjetën e peshkatarëve të fytyrës së saj


Mjerimi nuk kish patur shpirt për këtë plakë të dashur
ishte treguar më mizor nga sa e priste ajo
më i pafytyrë
më i pacipë
më i keq
më i lig
ndaj kësaj gjysheje që ka një bohçe të madhe
nga xhepat e së cilës
gjithmonë del diçka e vogël
për fëmijët e mëhallës

Ajo...

Ajo po u lutet
Ajo po u lutet kolopuçëve
Ajo po u lutet kolopuçëve të mëhallës
të luajnë
të luajnë me këtë fëmijë
me këtë fëmijë të shëndetshëm,
të bukur,
të veshur bukur,
me lodra të bukura,
të heshtur,
të bukur
tëbukurtëbukurtëbukurtëbukur

Është nipi i saj
Ka ardhur për herën e parë
Për herën e parë që nga andej
“andej”
Dhe
nuk din
as edhe një fjalë nga gjuha
e gjyshes..

Unë shtërngoj dorën e nipit tim
është syblu, kokderr, gjithë tula
po e ngacmove si shumë të shanë “të qifsha robt”
gratë e lagjes duan ta puthin secila, ndërsa e marr nga kopështi
po ai tulic,
nuk ia jep faqen asnjërës
me përjashtim të ndonjërës që i falë një lodër apo ëmbëlsirë
ia jep faqen shpejteshpejt dhe
e fshin prap
me doçkë.

Ja, me këtë tulipan të bardhë
që kam shtërnguar unë
ndërsa plaka u lutet fëmijëve
me sytë e përgjëruar….





Standardi dështoi gegnishten


Primo Shllaku

Primo Shllaku

Primo Shllaku lind në Shkodër më 16 dhjetor 1947. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes. Pasi mbaron studimet në Universitetin e Tiranës për Gjuhë-Letërsi shqipe, me propozim të Pr. Dr. Eqerem Çabej, emërohet pedagog pranë këtij universiteti, por më pas emërimi anulohet. I propozohet një vend në Institutin e Lartë Pedagogjik të Elbasanit-sot Universiteti A. Xhuvani-, por ai detyrohet të refuzojë për arsye se familja e tij transferohet në Shkodër. Punon si mësues në zonën e Shllakut -Shkodër, prej aty në shkollën pyjore e më pas në atë industriale.

Bir i regjisorit, Artistit të Popullit Lec Shllaku, dhe nip i përkthyesit të famshëm Gjon Shllaku, që prej fillim viteve '90, Primo jeton dhe punon si mësues frëngjishteje në Greqi.

Ndër veprat më të rëndësishme të tij përmendim "Lule nate", "Hana e njelmët e ditës", "Edhe fjalët shkojnë në ferr".

*****

Standardi dështoi gegnishten.

Respektimi i autoritetit nuk do të thotë rreshtje e kërkimit të së vërtetës. Ia vuna si titull ktij shkrimi ketë shprehje lapidare të Cvetan Todorovit jo për ta zanë ngusht Shpëtim Çuçkën, por për të pohue në të gjitha drejtimet se në shoqninë shqiptare nuk u ka cofë ora të gjithëve gjatë epidemisë së mendjeve në kohën e diktaturës. Nuk do ta ndëshkoja kurr as me fjalë e as me gjeste Çuçkën për ironinë e tij mjerane dhe humorin e lagun prej publicisti të keq në adresë të shkodranëve dhe, për pasojë, në adresë të qytetit të Shkodrës. Edhe pse alergjitë e tij ndaj Qytetit, të mshefuna keq, janë diçka që na e dimë dhe e durojmë, pikëmasëpari na sjellin në mendje dëshirën e mallkueme me e pyetë ket përkthyes (shum e lavdojnë për profesionist) se prej kah âsht ai, prej cilit vend, a ka nji vendlindje a nji vend origjine dhe cili kishte me qenë ai vend.

Larg prej idesë së marrë për t’i futë në ring origjinat tona, nuk e di se pse shkrimi i së martës, 23 mars 2013, me shtien ndër mend idenë e keqe se Çuçka nuk ka vend origjine, se ai nuk âsht prej askund. Do të ndihesha shum i gzuem sikur ai të më përgjigjej se âsht prej diku dhe pranë emnit të tij të nderuem, mbas presjes, të vendoste edhe nji toponim ose nji mbiemën përkatësie gjeografike. Ky Nemo pa origjinë do të ishte – gjithnji simbas meje – nji njeri shum fatkeq, por vetëm kshtu do ta kishte rrethanën lehtësuese të lajthitjes së tij me dashje për të sulmue shkodranët me puls emocional dhe dashakeqës deri aty mâ. Unë jam shum i vogël dhe i dobët me marrë nën mprojtje shkodranët. Ajo qytetari ka individë e grupime, shoqata e institucione që mund të arrinin shumçka ma tepër se unë. Dhe duhet ta bâjnë ketë për hir të vllaznisë me pjesën tjetër të kombit, për hir të rinjohjes dhe ripajtimit mbas lngatës së egër moniste, ku miti i luftës së klasave esencialisht duhet të dobsonte qytetet dhe, madje, t’i denigronte ata.

Në radhë të parë due të them me siguri të patundun se shkodranët në ket vend janë në shtëpinë e vet, janë në atdheun e vet jetik dhe historik. Ata nuk janë minoritet, por pjesë konstituive e kombit me histori të gjatë dhe me kontribute të jashtëzakonshme në shestimet e kombit, në krijimin e traditave si dhe në kontribute qytetnimformuese. Shkodra ka qenë, mund dhe duhet të jetë prap qendra e madhe diakronike-sinkronike e nji letërsie që në pjesën mâ të madhe të fazave të letërsisë kombëtare ka sjellë pragjet e risive dhe spirale inovative. Shkodra flet dhe shkruen me ekcelencë njenin prej të folmeve urbane metropolitane mâ shprehëse e ma endemike të të gjithë arealit shqiptar. E folmja e Shkodrës âsht gjuha e kangëve, e melosit të kënduem, e dashunisë dhe e poezisë, e humorit që pshtetet mbi kalamburin dhe mbi kombinimet e hatashme fonetike. E folmja e Shkodrës si e tillë i shpëtoi për mrekulli të ndotjes dhe përlyemjes me shqipen totalitare, të cilës aq me spikamë ia ka evidentue anatominë studiuesi Ardian Vehbiu. Ajo âsht e folmja e delikatesës, e politesës, e aristokratizmit dhe e borgjezisë me stampë europiane latine dhe teutone. Dhe, përfund, e folmja e Shkodrës âsht literalisht gjuha ime amtare, gjuha e tamblit ose gjuha e qumshtit, nëse zotni Çuçka ka pasë ndonjiherë rastin me marrë vesht se ç’âsht ajo.

Edhe pse të angazhuem në promovimin publik të gegnishtes, në Institutin tonë të Promovimit të Vlerave të Gjuhës Shqipe askush nuk e di se dikush me kompetenca dashka me abrogue hipertosknishten e standardit të sotëm dhe me vendosë në vend të saj “shkodranishten”. Ky lajm i zotnisë së masipërm, që ishte për tê aq rilevant dhe shpëthyes njiheri sa i doli edhe në titullin e shkrimit, na la të gjithëve pa mend dhe, nga pararojë e gegnishtes, u ndjemë fare në fund të koshit.

Nuk âsht hera e parë që në jetën tonë mendore ndeshemi me kulturën e gënjeshtres dhe të mashtrimit intelektual, të shashkave dashakeqe dhe shpifjeve të stilit bizantin. Taktika e “rrej, rrej se diçka mbetet” âsht po aq mefistofelike sa edhe e mjerë dhe qyrrane.
Nuk âsht e vërtetë se shkodranët dhe askush që mund të identifikohet si i tillë nuk ka ndër mend ta zavendsojë tosknishten e standardit me shkodranishten. Meqë Çuçka jep shêja të nji kulture militantiste gjuhsore dhe të nji erudicioni shkollaresk, po më duhet t’i kujtoj se Shkodra e shkodranët qysh në vjetin relativisht të largët të 1917-18, realizuen të vetmin forum të ndershëm gjuhsor me Komisinë Letrare, dhe, ndonse në kryesinë e tij ishin letrarë e filologë të fuqishëm e me peshë si Fishta, Mjeda e Gurakuqi, gjuhë e përbashkët kombtare e shtetit u shpall elbasanishtja, kur Xhuvani ishte ndoshta mâ çunaku i çetës së komisionerëve të gjuhës në atë forum.

Tue iu referue nji shkrimi tjetër të Shpëtim Çuçkës të 18 nandorit të vjetit që shkoi, përsëri gjejmë nji titull provokues e sfidant, fodull e arrogant, i cili zbulon mâsëmiri sindikatën e asaj çetë të vorfnueme dijetarësh – çuditërisht pa vepra të gjithë – të cilët, përveç vorfnimit intelektual dhe lodhjes reale fizike, duket se bâjnë përpjekje për të kalue stafetën ndër rishtarë të zellshëm, por pa substancë epistemologjike rreth çeshtjes gjansisht të hapun të gjuhës. Shkrimi i tij në gazetën MAPO tingllon ksisoj: “Kongresi i Drejtshkrimit dhe heshtja e mospërfilljes”. Në zmadhimet e fonteve në krye të faqes Çuçka thekson se “pastaj Enveri zbriti nga llozha, doli në sallë dhe i shtrëngoi dorën Androkliut.”
Se prapsoj dot pyetjen që me torturon: A nuk mjaftonte autoriteti i Androkliut për t’ia vu vulën kongresit, por duhej edhe dorështrëngimi i Enverit? Me siguri diçka i shpëton Çuçkës, diçka entuziaste, e pashueme në ndërgjegjen e tij personale por edhe kolektive që sot mbas 40 vjetësh të kongresit do të ishte mâ elegante të na referonte si garanci integriteti për vendimet e atij kongresi faktin që Çabej i shtrëngoi dorën Androkliut, sepse, në fakt, në nji dokumentar të kohës e të rrethanës kjo sekuencë ekziston.

Do të ndalem pak edhe te fjalët “heshtje e mospërfilljes”.
Kë shpërfill Shpëtim Çuçka me heshtjen e tij? 65-70% të kombit shqiptar që âsht gegfolës natyral? Shpërfill tre monumentet e gjuhës shqipe: Buzukun, Eposin e Kreshnikëve e Kanunin e Lekë Dukagjinit? Shpërfill Pashko Vasën, Kristoforidhin, Fishtën, Mjedën, Koliqin, Migjenin, Anton Pashkun, Esad Mekulin, Rrahman Dedën, Arshi Pipën, Martin Camajn, Zef Zorbën? Shpërfill lirinë e rifitueme mbas nji kalvari e përdhunimi deri gjuhsor? Shpërfill kulturën e popullit tand dhe pikërisht atë segment që ka rezistue mbrenda Shqipnie pa e msy kurr emigracionin? Apo shpërfill mâ se 100 poetë, prozatorë, eseistë, gazetarë e publicistë që, edhe mbas shashkës së z. Emil Lafe se “gegnishta u vetëtërhoq”, vazhojnë të patundun sot traditën e madhe të ligjërimit letrar gegë me cilësi, me blatime e me realizime që të habisin?
Kush na qeka ky “oligark” aristokratik që qenia e tij na sekretoka vetëm mospërfillje për realitetet e zhvillimet e tyne mbrenda nji shoqnie, që dalëngadalë po çlirohet prej frikës dhe konfeksionimit të mendimit? Cilin aparteid mpron ky njeri, atë të Afrikës së Jugut apo atë të Shqipnisë së Jugut? Pse e mpron ky njeri impotencën e establishmentit konservator të akademizmit shqiptar për t’u ballafaque shkencorisht me lodhjen argumentale të standardit, me dështimin e tij në drejtshkrim dhe me përçudnimin e tij në drejtshqiptim? Po pse ajo âsht tosknishtja, ajo që flasin kosovarët dhe disa krahina tona të mbrendshme? Pse nuk shqetsohet zotni Çuçka kur nji kosovari bukur të shkolluem e me prestigj intelektual i duhet të mbaj nji patkue kali në gojë që të shqiptojë disi standardin që u âsht imponue? A e ndigjoni akademik Rexhep Qosjen sesi i gërmëzon i pasigurtë fjalët para kamerave a thue se po flet nji gjuhë të huej që e di sapak? Po filmat ne TV e Kosovës a i ndiqni? A e shifni se ku âsht katandisë standardi e tosknishtja? Pse ajo âsht tosknishtja, ajo e lehta, e zhdërvjellta, ajrorja, akrobatja? Dhe heshtni sikur gjithçka po shkon fjollë. Vetëm e vetëm sepse nuk doni me e pranue se ka dështue, se Kongresi ka qenë nji akt i nxituem, i parakohshëm, voluntarist e hegjemonist në nijetet dhe rezultatet e tij. Ai ka qenë nji produkt shpirtnor i diktaturës dhe që të triumfonte plotsisht, atij do t’i duheshin të paktën 200 vjet regjim diktatorial si ai i Enverit. 200 vjet asfiksim i gegnishtes dhe 200 vjet ngulitje e tosknishtes. Në fakt kongresi i drejtshkrimit jetoi vetëm 18 vjet, nga 1972 deri 1990. Por koha nën diktaturë quhet kohë e djegun se nuk âsht e askujt. Me ndrrimin e sistemit plasën protestat dhe standardi u kontestue. Sot ligjerimi gojor dhe ai artistik letrar nuk pyet mâ. Gjuha shqipe po formatohet në kushte të reja, në drejtime të reja e në perspektiva të reja. Pastaj, pse e lshuet diktaturën, zotni Shpëtim Çuçka? Ta mbanit 200 vjet dhe të mos ju ndodhnin kto që po ndodhin? Se liria ka mrekullitë e saj, mor zotni. Të mjerët ata që nuk i kuptojnë mrekullitë e lirisë.
Pozitive âsht se shoqnia shqiptare po kalon edhe mendërisht nga uniformizmi në pluralizëm. Gjithsesi ajo po polarizohet idealisht. Sot po bâhet përherë e mâ i kjartë ky polarizim. Nji palë besojnë në mrekullitë e lirisë, pala tjetër beson në mrekullitë e diktaturës.

Primo Shllaku.

*****

Kadare e Agolli dëmtuan psikën shoqnore në diktaturë.

Kjo intervistë me shumë pyetje, ngacmuese dhe të drejtpërdrejta, (jo pa qëllim) zbërthen një poet të veçantë, i cili kohën e diktaturës e kaloi, brenda dhe thellë letërsisë, por jashtë botimeve. Gjykimet e këtij poeti, i ngjajnë një skaneri të letërsisë tonë të realizmit socialist, që është i ndryshëm nga ai që bëhet ende sot, 20 vite pas rrëzimti të diktaturës. Ndryshimi këtë herë është këndi i shikimit, që na ofron Primo Shllaku, mbase një gjykim të pamëshirshëm për disa, por shumë të qartë për një pjesë tjetër.

Primo jeta juaj nisi në dikturë dhe rinia kulmoi në kohën më të errët që mund të ekzistonte për një poet. A të është dridhur dora kur shkruaje vargje jashtë skemës së realizmit socialist? Si ishte bota juaj krijuese?

Na ishim njerz të epokës së diktaturës. Kishim lé dhe ishim rritë gjatë saj. Na rriteshim si njerz dhe ajo rritej si diktaturë. Ktu duhet të ketë ndodhë edhe ndamja e jonë prej saj. Unë e di se kam të përbashkët me jetën e diktaturës vetëm pjesën e pavetdishme të jetës sime.

Në mjedisin tim familjar shum prej të mdhejve merreshin me shkrime, ose, të paktën, shifeshin të tretun ose të vetmuem para librash të stërpërdorun dhe letrash të bardha të pazana fill. Prindët e mi në kuptimin mâ të gjanë se natyralë merreshin me shkrime. Unë nuk kisha se si të delja poçar ose bari.

Megjithatê koha ishte e vështirë, por poetikisht dhe artistikisht ishte shum interesante, por aq interesante sa mos me dëshirue me ia pà bojën për 1000 vjet. Jeta jonë ishte kontradiktore. Objektivisht ajo ishte interesante, sepse e kishte harlisë sfidën personale të secilit. Subjektivisht secili prej nesh i bante llogaritë me nji diçka edhe mâ të keqe simbas postulatit se "ka keq e mâ keq". Unë ende mendoj se nuk ka mâ keq se me mendue se "ka keq e mâ keq". Brêzi ynë bani nji kompromis fatal me fatkeqsinë dhe të keqen. Dhe mbeti i shenuem me tê përjetë. Të pakët mund të jenë ata që patën nji ringjallje. Pak e aspak. Bile nëse ka ndonji, atë as që e njofim ndopak, kaq i thellë e intim âsht procesi dhe akti i ekspiacionit. Të gjitha ata që ndrruen flamuj dhe melodi mbas 90-ës janë racë xhonglerësh të lemë për cirk e për panaire. Unë mos paça punë me ta. As edhe me mâ të mirin, as edhe me mâ të famshmin.

Jo, nuk m'âsht dridhë dora. Asnji nuk mund të mendonte se ishte tue bâ nji akt trimosh. Thjesht njeriu ndjente se po ndiqte hyllin e vet dhe besojmat e veta. Në rini âsht patetike me qenë kundër rrymës. Të jesh konformist në rini don me thanë me pasë lé tri herë i vdekun, me qenë i gatuem prej balte dhe me iu pasë afrue artit jo për qëllimet e tij specifike e si vokacion. Por ktu ka shum të bâjë edhe origjina dhe back groundi i afërt i individit. Nji pjesë e madhe e çetës artistike e letrare u afruen me letërsinë për të shpëtue prej jetës në fshat dhe prej bujqsisë. Me lé në fshat nuk ka asgjâ të keqe. Por ata t'ia sillnin shpinën vendlindjes së tyne mbasi të ishin bâ poetë e shkrimtarë dhe jo për t'u bâ poetë e shkrimtarë. Sjellja me lehtësi e shpinës ndaj vendlindjes ka qenë fatale për shum të tillë. Rasti mâ flagrant dhe i bujshëm âsht ai i Martin Camajt. Por ai e përktheu në poezi "tradhtinë" e tij ndaj origjinës. Të tjerët, në rastin mâ të mirë, e kthyen në propagandë që vendin që lanë ata, ta zenin disa të tjerë simbas nji ligji të mbrapshtë të shtetit të atëhershëm.

Unë nuk shkrueja mbrenda skemës, por edhe as jashtë skemës. Unë thjesht kam shkrue e shkruej. Mbasi e mbaroj shkrimin herë-herë më duket se e marr vesht se çfarë kam shkrue, kundër apo pro rrymës. Në art nuk mund të jetosh tue ecë alla deriva (kur të merr rryma). Tek na të gjithë që kanë shkue me rrymën janë në pupa si sot, si atëherë. Pra për letrat shqipe faqja nuk u ndrrue. Thjesht kemi hŷ edhe na që, në kohën kur ata "shinin" e banin ligjin, regjimi nuk do na ndrronte për mish dashi. Tashti na kanë pshtjellë me nji tis indiference dhe shpërnjoftje a thue se ende pritet që na të zbarkojmë në pistën e letrave shqipe.

Po riciklohen emna e po ripropozohen modele të kohës së diktaturës. Sistemi piramidal i vlerave nuk ka ndër mend me u çmontue. Disa po bajnë presing të fortë që të mbeten në pjacë. Dhe po mbeten me nji mijë e nji stratagjema në nji kohë kur vepra e tyne ronitet prej trashendencës së Kohës e të ndrrimit të brêzave. E kuptoj sesa e tmerrshme âsht me të vdekë vepra tue qenë autori gjallë. E krahasoj me dhimbjen për humbjen e nji fmije. Por nuk kam respekt për ket lloj dhimbje sepse askush nuk u ka faj sesi ata e jetuen jetën e tyne. Ky agresivitet, ky fodullëk, ky zell me mbetë në kambë tue pasë për patericë nji vepër të shkallmueme prej verdiktit të kohës, flet për disa njerz, të nji lloji të veçantë e të nji gjeografie të veçantë.

A njihnit dhe si e njihnit ju aktivitetin e Lidhjes së Shkrimtarëve, privilegjet që shkrimtarët vilnin prej saj dhe dënimet që inicioheshin aty?

Lidhja e Shkrimtarëve ishte nji dublikatë e institucioneve mâ eprore të kohës. Nji dublikatë në miniaturë, kuptohet, por me të njajtat struktura, organizime, instinkte e reflekse. Shkrimtarët zyrtarë që shkruenin për organizmat e shtetit trajtoheshin mirë, gzonin prestigj publik dhe merrnin edhe honorare e mbaheshin me leje krijimtarie. Shteti e paguente shtrêjtë artin zyrtar dhe propagandën që ai kishte marrë përsipër. Shkrimtarët kishin privilegje relative. Ata merrnin nga nji rrogë tue u marrë me letërsi dhe me krijimtari. Thjesht nuk kishin detyrimin me u paraqitë diku në nji vendpunim, shkollë, institucion a ndërmarrje prodhimi. I shpëtonin orareve dhe mbikqyrjes së displinës. Kaq, të tjerat ishin uniforme për të gjithë nënshtetasit e Republikës së Dytë dhe të Tretë. Ndërmarrjet, ndër to edhe Lidhja e Shkrimtarëve e Artistëve, ishin vendi ku fitoje bukën, kaloje jetën, rininë, burrninë dhe, me raste, edhe nji hurb pleqnie. Por që të plakeshe aty duhet të ishe me fat ose me lidhje vertikale. Përndryshe rruga ishte plot me të paprituna, guma, stërkambca, tradhti, zili, thashetheme e deri spiunime. Dhe kto të gjitha i ndodhnin atyne që ditë e natë mendonin si e si me ia shpërblye sa mâ mirë shtetit që i kishte bâ poetë dhe shkrimtarë. Edhe në sektorin e artit shteti flijonte kurbanë periodikë sikurse në fushën e egër të politikës ku kurbanët ishin deterrentët e mbajtësit në kambë të nji psikoze lufte të pafund.

A e lexoje letërsinë që botohej aso kohe?

Për nji kohë të gjatë lexoja rregullisht. Kjo për dy arsye. Si njeri i shkrimeve doja me përkitë diku, me qenë diku nëpërmjet të qenit me dikë, i dikujt, i ngjashëm ose vazhdues i dikujt. E kam pasë ndie qysh krejt herët se letërsia jonë ishte nji letërsi atipike, asnji nuk i përngjiste asnjenit, nuk kishim shkollë të mirëfilltë artistike, frymë të përbashkët. Shkrimtarët shqiptarë nuk kishin nji plazëm të përbashkët, me përjashtim të Rilindjes. Por edhe ajo nëmos... Shkrimtarët e RS i lidhte direktiva ideologjike dhe ndërhymja e shtetit në detaje të krijimtarisë. Leximet e mia ishin mâ i bukri zhgënjim. Letërsia funksionale që shkruhej aso kohe ndër ne ishte uniforme, servile, e nënshtrueme, pa ide të reja dhe frigaçe. Rezultati i saj mbi çdo vetdijë të lirë a që priret kah liria e mvetësia: neveri.

E dyta âsht se unë kam qenë msues letërsie dhe detyrimisht duhej të përditsoja nxansit me produktin mâ të ri të kohës. Leximi i asaj letërsie ishte nji torturë në vete. Unë them se edhe nxansit nuk kishin nji interes për tê. Ajo letërsi nuk ngjallte asnji kureshtje. Temat e ndotuna me ideologji dhe "aktualitet" ishin të amshta dhe diheshin pa u lexue. Letërsia nuk e msonte njeriun si me jetue, por si me sakrifikue e si me jetue mâ pak e mâ keq. Personazhet ishin kthye në shejtorë e shkrimtarët në klerike, edhe pse ndër ne kndonte solo e në mi settima ateizmi mâ xhahil.

Çfarë misioni kishte sipas juash letërsia e Realizmit Socialist? Çfarë ndikimi pati tek lexuesit e kohës?

Kjo letërsi nuk kishte asnji mision artistik. Shum-shum mund të themi se kishte nji mision dublikimi të propagandës. Vetdija djallzore e regjimit e kishte të kjartë se deri në ç'masë privohej kjo shoqni prej të mirave që sjell zhvillimi. Dhe, ngaqë shteti nuk kishte mundsi dhe nuk donte që kjo shoqni të kalonte nji lloj limiti zhvillimi, letërsia e artet hymnizonin punën, klasën puntore, fshatarsinë dhe çdolloj besnikie që jepej e merrej pa shpërblim.

Lexuesi i inicuem e përbuzte ket lloj letërsie. Kurse të tjerët që e merrnin dhe formoheshin prej saj direkt nëpërmjet shkollës, unë them se kanë qenë nën ndikimin e saj. Ky ndikim ose i ngurtsonte njerzit dhe i kthente në robotë, në njerz të konfeksionuem e me personalitet të përsëritun, ose i fanatizonte ata dhe i kthente në gardianë besnikë të regjimit të cilët, përmes gradimeve të herëmbasherëshme, e kishin kuptue se mâ shum i shifej hajri dorëheqjes nga liria sesa lirisë vetë.

Cila ishte vepra më e urryer për ju në atë kohë? Po sot?

Unë nuk urrej zakonisht. Urrejtja âsht ndjenjë e njerzve të dështuem ose pa edukim. Urrej diktaturën dhe diktatorin, por edhe ata me kusht. Po të më kthejnë edhe njiherë moshën e rinisë, i fali dhe s'kam punë me ta. Përndryshe nuk kam asnji oreks me ndigjue pinjojtë e diktaturës që kanë luksin me qëmtue e me sajue lista të imta të të mirave që kishte diktatura. Diktatura âsht e keqja mâ e madhe që mundet me i ndodhë nji shoqnie. Edhe kur dikush ka qenë produkt i diktaturës, i privilegjuemi i saj dhe marrsi i favoreve prej saj, në nji moment e ban bilancin se diktaturat, kur mbarojnë me të shpallunit si anmiq, nuk qetsohen dhe nuk kthehen në engjëlltura. Ata i vazhdojnë gostitë e tyne kanibale me mishin e të vetëve dhe se askush nuk e ka imunitetin mos me ra nji ditë në kusi dhe me u servirë në nji pjatë.

Mjerisht shum njerz te na nuk janë zgjue ende dhe mbajnë mend të mirat e diktaturës. Sidomos të mirën e nji lloj hegjemonizmi dinak që kujton se ka lé me qenë i parë dhe me sundue pa dallim. Kjo mendsi e egër shpesh e ka nda shoqninë tonë në dysh dhe ka pasë edhe përvijime gjeografike.

Çfarë përfaqëson për letërsinë shqipe ajo që e quajnë letërsia e shërbestarëve?

Mâ parë duhet të shpallen zyrtarisht emnat dhe veprat e atyne që me të drejtë ju po i quekeni shërbestarë. Unë i di se kush janë dhe janë pikrisht ata që nuk interesohen fare për mue. Ky âsht edhe shkaku për të cilin i njof, bile edhe me emna. Problemi âsht se janë shum dhe ata lobojnë, mblidhen bashkë rreth mkatit të përbashkët dhe saldohen fort. Ashtu i pafsha të salduem rreth mkatit artistik e estetik. Se ashtu janë edhe më dallueshëm për atë çka i kanë bâ vetes dhe shoqnisë shqiptare në nji kohë shum delikate të formimit të saj.

Ajo nuk âsht letërsi mâ. Ajo âsht rrzue si gardh i kalbun dhe e ka humbë betejën e rileximit. Nuk e lexon mâ askush. Shoqnia shqiptare shef nga Europa si nji model edhe i letërsisë edhe i arteve në përleshje me sfidat e përparimit. Ata nuk lexohen dhe nuk harren. Janë arkivue historikisht si vlera të nji eksperimenti me shum të padituna e me shum të panjoftuna. Kjo letërsi përfaqson nji iluzion historik dhe nji ravgim shpirtnor me shum rrënim e shum dam.

Cili është shkrimtari që e udhëheq këtë grup, sipas mendimit tuaj?

Kuptohet që kur flasim për iluzione dhe për dame të randa të psikes shoqnore të shqiptarëve në diktaturë, nuk e kam aspak fjalën për Sotir Andonin dhe "Kandilin" e tij "të shuar". Kadare e Agolli janë korifejt e letërsisë së socializmit e të diktaturës. Ata kanë sundue me shkëlqim qiellin e letrave shqipe dhe kanë lidhë e kanë zgjidhë. Kanë krijue tendencën dhe kanë ushqye me mija fmijë me dashuni për Partinë e diktaturës dhe për Enverin, diktatorin e Partisë. Nëse ka sot njerz që vërtet e shikojnë me nostalgji at regjim dhe atë sistem, padyshim se nji vend të pamohueshëm formimin e tyne prej fanatikësh kanë edhe kta autorë që, me panegjiriket e tyne, i hoqën breroren Zotit të qiellit dhe ia vendosën mbi kokë nji vagabondi të vjetëve 30-40. Ideologjia e kohës e rafinueme me teknikat letrare e "frymzimin " e vetvetishëm të ktyne autorëve kanë zanë vendin e edukimit delikat qytetar e njerzor në vetdijet e qinda mija shqiptarëve që rriteshin e që me detyrim ua msonin përmendsh vargjet si të ishin ato sure të Kuranit ose parabola të Ungjillit.

Çfarë vlerë kanë sot poemat kushtuar Partisë, Enver Hoxhës, jetës së lumtur në komunizëm…një utopie të pazakontë?

Mjerim i madh ka plasë ndër ne kur ende dikush si puna e juej që dini se çfarë flisni e që formuloni nji pyetje të tillë. Asht njilloj si me më pyetë se çfarë mendoj për holokaustin nazist mbi hebrejt. Kjo tregon se shkenca shqiptare po ngurron dinakisht me bâ studime mbi historinë tonë mâ të re. Pa u përcaktue epoka, rrugët, tendencat, domosdoshmënitë dhe rastsitë e saj, qëllimet e vërteta të sundimit dhe mbajtja e nji populli peng për 45 vjet, as te hapi, as te hupi, as te bregu, as te deti vetëm e vetëm që diktatori të vdiste në dyshek, asgjâ nuk mund të fillojë seriozisht në ket drejtim. Sot gjysma e shoqnisë shqiptare mendon se komunizmi erdhi ndër ne si rezultat i nji lufte të mirfilltë civile, kurse gjysma tjetër mendojne tradicionalisht se lufta e shqiptarëve në vjetët 1942-44 ishte nacionalçlirimtare dhe e udhëhequn nga komunistët. Në ket terren kaq të polarizuem, si mund të kemi nji pozicionim të historiografëve të letërsisë ?

Kjo letërsi, në atë braktisje e mjerim ku ka ra, në fakt e ka nji vlerë të madhe. Ajo na tregon sesi nuk duhet me shkrue si dhe na vërteton se askush nuk ka aq pare sa me e blé të kaluemen e vet.

Po disidentët? A kishte vërtet të tillë? Kur i keni lexuar ju veprat e tyre?

Lavdi Zotit që na e kemi nji disidencë. Përndryshe do të ishte si me thanë se kush nuk e ushtron institucionin e lirisë, ka rrezik të mos jetë i denjë për liri. Liria âsht aty për t'u përdorë. Dhe njerzit mandej vlersohen e gjykohen simbas mnyrës sesi e kanë përdorë lirinë e tyne. Pra problemi, parasëgjithash, âsht rreptsisht moral. Nuk kam thanë kurr se shkrimtarët shërbestarë nuk ishin me talent, me aftsi ose të pajisun me dell artistik. Zhgrryemja e talentit mbas nji çeshtje të cilën ti mâ vonë e deklaron se nuk e ke besue, përban kontradiktën dhe fatkeqsinë e autorit si dhe shkakun e bjerrjes së veprës.

Kemi disidentë dhe disidenca jonë âsht sui generis dhe nuk mund të zbulohet me kritere të përdoruna në vendet e Lindjes komuniste. Ata kanë shkrue mbrenda hapsinave të lirisë tyne dhe kanë vendosë vetë se kur do ta nxirrnin veprën e tyne për botim. Fakti që nuk kanë botue âsht nji fatkeqsi për autorët disidentë, për sa kohë që ata duhet të përballonin tundimin e dëshirës për botim, por për veprat asnji dam, asnji rrezik. Ato bajnë pjesë në realitetin letrar e kompeticionin e heshtun të letërsive në kohë të kolerës. Randsi ka që kjo lloj letërsie ka ardhë deri tek na e paprekun, kritike, e mbushun me mesazhe, e pajisun me vlera estetike e, sidomos, me aktin sublim të dëshmitarisë si akt qytetar. Pra disidentët tanë që unë kam fillue t'i analizoj në punimin tim mâ të fundit prej rreth 250 faqesh me titull "Nji letërsi tjetër", e kanë là gjobën historike me faktin se nuk patën rini botuese, por ata i sollën shkrimet e tyne në kohën e sotme të paprekuna, të kjarta, pa alegori dhe detyrim leximi alegorik, dëshmi guximi krijues e guximi qytetar që para nevojës së dëshmisë nuk e llogaritën veten dhe familjet e tyne. Të tillë janë Zef Zorba,Vehbi Ademi, Sandër Gera, Lec Shllaku, Anton Çefa e nji mori të tjerë mâ shum e mâ pak të njoftun, të cilët presin me u lirue karrike e vende që të ulen edhe ata në sofrën e shkrimtarisë shqipare të shekullit XX.

Pse mendon se po forcohet gjithnji e më shumë përpjekja e disa shkrimtarëve për të marrë mbi vete vlera që ngjajnë të pabesueshme për kohën dhe rrethanat e jetës së tyre?

Po ky fenomen ka marrë përmasa gjigande. I pari e ka fillue Kadareja. Kurse Agolli âsht ma konsekuent. Ai nuk u bie mohit ideve të tij, të atëhershme e të sotme. Kjo i ban njifarë nderi sepse fenomenti i travestive ka shpërthye keqas ndër ne.

Duhet të jetë dhimbje e madhe kur e shef veprën tande që i bien fletët si flokët nji të smundi me kemioterapi. Torturë e madhe të jesh i detyruem me mbetë pafundsisht në morg me veprat e tua të vdekuna. Rinia ka kalue, mundsitë për nji rilancim të vetes janë të paka. Kur ke besue nji jetë në rolin tand prej puthadore dhe në mirëqenien që të ka sigurue, tashti âsht e pamundun me u ba kalorës. Kush ka jetue nji jetë si tokës, nuk mund të kthehet në fluturak, aq mâ tepër që dikujt-dikujt i i âsht kthye edhe moti teposhte.

Mendimi im personal âsht se askush nuk ka pasë kërçik me sfidue as direkt, as indirekt regjimin. Atij regjimi mendjezi që e mbante brêzin lshue, nuk e kishte luksin me i kundërshtue kush haptaz, as alegorikisht. Në atë kohë s'kanë pasë lé ata driblues. Sot trimnia mbas luftës, âsht prrallë e neveritshme. Ose, prap po e them, ne na duhet me i bâ skonto diktaturës në egërsi e mizori, që të kalojë prralla e Kadaresë gjoja rreth dobsisë së diktatorit për artin e artistët e vërtetë .

A mund të rishkruhet, të ndryshohet, historia e një shkrimtari? Çfarë rreziku e shoqëron këtë tentativë?

Jeta e njeriut e pson metamorfozën. Unë besoj në rizgjimin e njeriut, bile edhe kapërximin e tij. Rasti i Shën Palit e Shën Augustinit janë mjaft elokuentë. Sauli ose shën Pali hyn në histori si përsekutor maniak i të krishtenëve. Nji ditë pson nji shok të mbrendshëm dhe konvertohet. Bâhet mâ i madhi apostull dhe vdes në kryq si martir i idesë së tij. Shën Augustini ishte nji i zdërhallun, por në sajë të së amës, konvertohet dhe bâhet njeni prej doktorëve mâ të ndriçëm të krishtnimit.

Historia nuk mund të ndryshohet, për shkak se rrjedhja e kohës ka kahe të detyrueshme dhe jo të prapsueshme. Por jeta e ofron shansin e konvertimit. Konvertohen vetëm ata që psojnë nji tronditje të mbrendshme, nji shok, nji zbulim që ua përmbys ngrehinën e mendimit. Ktyne shkrimtarë, me sa di unë, nuk u ka ndodhë nji gjâ e tillë, sepse ata, deri në fund, përpiqeshin me u kaurdisë me parimet e RS. Bile kishin ndër mend me e përmirsue sistemin, me e bonifikue që diktatura të zgjaste edhe mâ, diktaturë, por nji çikë mâ e butë.

Asnji nuk rezultoi se mshefte mbrenda vetes nji lloj artisti tjetër, nji lloj ndriçimi tjetër. Na do t'ua uronim dyzimin si fazë mâ e pafajshme drejt lirisë dhe përgjegjsive intelektuale. "Autori nuk mund të jetojë pa lexuesin e vet", thonin disa. Qe, disidentët jetuen pra. Ata kanë hŷ nëpër derën e iluzionit dhe kanë mbetë deri në fund me iluzionin. E gjithë bota e tyne ishte ajo që shkruejtën. Kush u kërkon mâ shum, ata i përgjigjen me inat: "Nuk kemi qenë trima, nuk kemi pasë veti prej dëshmori."

Mund të japësh një vlerësim nëse përmendim emra konkretë shkritmarësh... P.sh si e vlerëson veprën e Ismail Kadaresë, para '90-ës?

Kadare vjen nga nji qytet pa tradita letrare. Ai u formue në shkolla ruse të cilat janë shkolla me traditë e me autorë të staturës botnore e universale. Kjo ka qenë shum vendimtare për ket autor.

Për poezinë kam mendime të vorfna e deri mohuese, sidomos poemat e tij panegjirike. Ka dell, pa tjetër, por për shkak të përmbajtjes gjithçka ka shkue dam. Nuk e di nëse në atë gjendje forme me përmbajtje kaq haptaz funksionale, dikush mund t'i ketë edhe për model. Kto poema ditirambike për epoka e regjime janë rezultat i nji frymzimi shtetnor, të cilit ai, në fakt ai ia ka pà dobinë e hajrin. Unë nuk e di nëse nji poemë mund të lexohet vetëm për formën dhe stilin e saj pa pasë nji përmbajtje, kur ajo, bile, nuk âsht shkrue as simbas parimeve të artit- për- art.

Veprat e tjera me sfond e pigmentim politik janë ditirambe të diktatorit dhe të diktaturës. Te "Dimni..." të deklasuemit jetojnë bodrumesh dhe lexojnë filxhanat e kafes, kurse te "Gjenerali..." plaka Nicë që, përfaqsonte popullin dhe i njifej statusi i personazhit pozitiv, me aktin e saj të hakmarrjes mbas vdekjes kalon në rituale të kjarta kanibaliste, si vetë regjimi që të pushkatuemit dhe të vdekunit ndër burgje nuk ua dorzonte familjeve. Kadare ka kndue me zell e me forcë, bile unë kisha me thanë, edhe me bindje entuziazmin e tij për socializmin e bashkëqytetarit dhe mecenatit të tij. Kashkarikat që ka pasë në Lidhje ose me ndonji spiun që asokohe ishin me bollëk, janë mizankena për me simulue konvertimin.

Ashtu sikurse thotë edhe prof. Pipa, Kadareja âsht shkrimtari mâ i randsishëm i realizmit socialist. Dhe ksaj nuk i thonë pak. Nuk e di pse e refuzon ket titull ai?

Po veprën letrare të Dritëro Agollit?

Agolli ka specifikën e njeriut që i ka besue deri në fund regjimit dhe me shkrimet e tij âsht mundue ta riparojë sistemin simbas autorizimeve dhe udhëzimeve të Partisë. Para disa kohësh Artan Lame që nënshkruhet si studiues deklaron me entuziazëm se e ka lexue së fundi "Shkëlqimin e rënien e shokut Zylo" dhe ka mbetë i përshtypun sesi dikush, qoftë ky edhe D.Agolli, ka mujtë me shkrue nji vepër kaq kritike. Unë nuk mbaj mend ndonji "tërmet" mbas botimit të ktij libri e, aq mâ pak, ndonji pasojë të autorit. Libri merret me byrokratët dhe në atë kohë partia e kishte vû bat-bat me byrokracinë. Si rezultat i stërkonsumimit politik të regjimit dhe të shterrjes së çdo varianti politikëbamje mbrenda ngushticës së doktrinës, shteti i kohës duhet ta mbante gjallë kujtimin e tij të forcës. Pra duhej "nakatosë" shoqnia, duhej mbajtë në tension, nën psikozë anmiqsh të mbrendshëm, të tmerrshëm që bâhen edhe mâ të tmerrshëm po të harrohen. Dhe lviznin njerzit nga qyteti në fshat dhe fshatarët vinin në qytet me ofiqe por pa merita. Libri i ban jehonë ksaj politike dhe sot mund të lexohet në burg ose spital. Autori i përgjigjej politikave të ditës dhe politikat e ditës i rrahnin shpatullat me komplimentin se je i pazevendsueshëm.

Kurse poezia e tij âsht nji poezi anakronike kur rikthen me tone rilindase shpirtin etnocentrist edhe pse Shqipnia kishte festue 60-vjetorin e shtetformimit dhe të pavarsisë. Hymnizimi i atdheut socialist që mâ kollaj se askush bâhej vrasës për të gjatë krejt vijës së kufinit shtetnor, ka vulën e shërbestarit dhe të njeriut që beson ato çka shef. Ideja për ta idilizue fshatin dhe jetën atje vepron si teh me dy presa. Orientimi shtetnor drejt fshatit mbulonte falimentimin e ekonomisë dhe tregonte kahje regresive me modelet e zhvillimet. Agolli u kndoi ktyne lvizjeve me pasion dhe sinqeritet. Unë nuk do të dëshiroja me qenë në vend të tij.

Të Dhimitër Shuteriqit?

Dh. Shuteriqi shum shpejt e mori vesht se nuk mund të ishte shkrimtar. Në ato fillime shkroi ca tregime me partizanë e Luftë dhe siguroi nji faktorizim. Me romanin "Çlirimtarët" ai u përpoq t'i paraqiste dëshmorët edhe si çlirimtarë. Siç rezultoi ky ekuacion nuk mund të funksiononte. Mbaslufta solli ndër ne nji regjim diktatorial shum mâ të egër se të mbretit. Dëshmorët banë sakrificën sublime, por u përdorën për të instalue nji regjim gjakatar dhe vllavrasës. Shuteriqi nuk u ndal kurr mâ ta rimendonte ketë temë. La letërsinë dhe u mor me studime. Thonë se ka bâ punë me vlerë.

Llazar Siliqit?

Llazari ka qenë optimist. Njeri korrekt e me karakter, por mbeti deri në fund optimist, i pazgjuem prej iluzionesh, edhe atëherë kur e spostuen, edhe atëherë kur e detyruen me shkrue në standard e me braktisë gegnishten e tij të bukur. Llazari ka qenë nji figurë e pastër mbrenda RS. Por nuk u zgjue kurr, ose u zgjue vonë.

Jakov Xoxës?

Jakovi ka lanë nji vepër të mirë. Historike, por të mirë me lang e temperaturë njerzore. Edhe pse me strukturë të randueme prej realisti a la Balzac, edhe pse nuk denjoi me u mshefë sado pak mbas ndonji personazhi, "Lumi i Vdekun" mbetet nji vepër me përjetime prekse e me skena realiste. Edhe pse nën trysni, Xoxe guxoi me prekë erotizmin, bile mjaft të avancuem. I vetmi roman i RS ku dy të rij dashunohen dhe nji palë mbathje grash me gjak lahen në gjolet e Myzeqesë. Primat i hatashëm. Sepse në tanë atë letërsi të RS personazhet ishin qenie unisex, sterilë dhe shyrt e të salduem, puritanë që shumzoheshin me kubikë dhe që i kishin pritë, kur kishin lé, ose mbi lakna, ose te ndonji drandofill.

Fatmir Gjatës?

Fatmiri ka qenë prozator i mirë, por ka endë pëlhurë të politizueme e funksionale. Ka falsifikue ose nuk i ka njoftë të vërtetat. Trembja e tij prej çakamkut në Zurich tregon se nuk mjafton me qenë shkrimtar i zoti, por duhet me qenë edhe qytetar. Regjimi kishte problem me qytetarët ktu mbrendë, e i duheshin kur i çonte jashtë. Po qytetar nuk bâhesh a la minut.

Dhimitër Xhuvanit?

Dhimitri u shque te "Tuneli" për nji thellim realist. Por jo se doli nga klishetë e RS. Shum-shum mund të thuhet për tê se adoptoi ndonji tezë "revizioniste", ku personazhi zhvillohet simbas logjikash të mbrendshme dhe jo i telekomanduem. I trembun sa mâ s'bâhet, Xhuvani bani autokritikën me "Përsëri në këmbë", nji prozë e tipit bolshevik me personazhe që shkojnë pa veten e tyne, që e falin veten e tyne. Mirë që Xhuvani nuk u çue me thanë se unë kam dashtë me thanë se shoqnia shqiptare ishte uloke si Din Hyka. Dhimitri ishte i ndershëm intelektualisht, të paktën.

Tani të flasim pak për shkrimtarët e dënuar... si dhe sa i njihni historitë e tyre?

Kta shkrimtarë po na i tregojnë vetë historitë e tyne. Kemi raste shum të dhimbshme, por ndër ta ka edhe trafikantë identitetesh biografike, letrare dhe intelektuale. Unë mendoj se fjala "i dënuar" âsht fjalë që duhet ridimensionue. Të dënuem simbas meje janë të gjithë ata që për shkak represioni dhe censure nuk e shpërfaqën produktin e tyne letrar dhe mbeten gjatë pa u prezantue në publik. Ata që ju keni ndër mend janë të burgosun dhe mund të quhen edhe kshtu "shkrimtarë të burgosun". Shkrimtarët e dënuem janë të gjithë ata që, në lidhje me veprimtarinë e krijimtarinë artistike letrare, nuk gjetën hapsinë të shfaqen si të tillë. Po t'i hyjmë klasifikimeve simbas hollsive atëherë do të humbisnim në nji labirint fjalësh e lojnash fjale. Pra kemi shkrimtarë që e refuzuen letërsinë zyrtare edhe si estetikë edhe si pjesëmarrje. Ata u angazhuen në hartimin e nji letërsie tjetër si për kah parimet, si për kah orientimet estetike dhe teknike. Me ket akt ata banë dëshminë e refuzimit dhe të mospjesëmarrjes në falsifikimin e destinacionit të artit. Ndërkaq dalja e tyne në dritë mbas 90-ës na sjell edhe lajmin e gzueshëm se ajo letërsi ka qenë edhe cilsisht e zgjedhun.

Pra nëse RS ra dhe la nji vakuum të thellë, kjo letërsi, aniçka se minore në vllim, nuk e la letërsinë shqipe pa degën e saj të lirisë simbas shpirtit të saj tradicional

A besoni edhe ju se ata bënë kompromise me regjimin me shpresë se do t'i shpëtonin burgjeve, internimeve, më keq akoma ekzekutimeve..?

Einstein-i thotë se "kur vjen koha me mbrojtë jetën, na duhet të tërhiqemi". Në tortura dhe në rrethana ekstreme njeriu mund të mos rezultojë ai që mund të dëshirohej. Nji kundërshtar i regjimit më deklaronte me sinqeritet se ndihej me shum fat që jeta nuk e kishte vû në provë, dmth që nuk kishte ra në dorën e xhelatëve të regjimit. Unë mendoj se në trotura dhe sprovime njeriu ka nji rrethanë të madhe lehtësuese. Dhimbja njerzore âsht e respektueshme deri në justifikim të ligshtisë. Ndryshe âsht kompromisi për karrierë e ndryshe kompromisi sepse të dhemb mishi e kockat.

Si duhen shënuar akte të tilla kur të shkruhet historia e letërsisë së kësaj periudhe?

Para se gjithash na duhet të kryejmë punë me realizmin socialist. Të stabilizohen kriteret lidhë me rolin, efektet dhe funksionet e tij në jetën shpirtnore të vendit. Disa thonë se ka mbetë kjo punë kur të largohen natyralisht protagonistët e asaj stine. Unë mendoj se delikatesa nuk âsht e keqe, por na sot kemi nji produkt letrar të ri që krijohet për ditë dhe që, për fat të keq, ky produkt po lindet dhe gjallon nën hijen e nji letërsie të vdekun ose gati sa pa vdekë. Kujdesi për të ardhmen e ban urgjent katarsisin në ketë fushë, ku të gjithë do të thirren si të barabartë ndaj përkatsisë dhe si të ndryshëm për kah kontributet. Vazhdojnë me qenë ende lugë e parë autorë që janë ku e ku mâ poshtë se nivelet e veta gjatë diktaturës. Merren si modele dhe bile edhe si simbole. Kjo kulturë e riciklimit i vonon proceset e rikuperimit dhe tranzicioni po kushtëzohet prej jetësh që askush nuk do të dëshironte që të shuheshin, për me lejue proceset normale të kalimit të stafetës.

Në ç'pozicion është hierarkia e vlerave letrare sot? Si duhet të ishte?

Sot ende në krye të klasifikimit janë Kadare e Agolli. Mendoj se asnjeni as tjetri nuk mund të sundojnë letrat shqipe në epokën tonë. Monopoli që po e mbajnë me dhambë si dhe indiferenca mbytëse ndaj mâ të rijve, të cilët kanë ardhë në ketë fushë për t'i shtŷ para caqet e arritjeve letrare, nuk janë shêja shndeti të mirë për kulturën shqiptare. Sot kemi autorë që po ngrihen me dinjitet dhe kualitet. Mbajtja në kambë e idhujve të RS âsht anakronizëm, shterpsi dhe vorfni. U gzova kur mora vesht se Kadare do të pushojë se marri me letërsi. Mitet kanë aromë diktature dhe poshtnojnë kombet që i mbllaçkisin. Kultura shqiptare ka nevojë për nji flakje të lkurës së vjetër, për nji dalje nga vetja e konsumueme. Kultura shqiptare duhet t'u përkasë atyne që nuk kanë ende emën, por do ta kenë emnin, që nuk njifen gjithaq fort , por që do të njifen me siguri. Letrat shqipe kanë nevojë për pyllin letrar, jo për piramidat e sfinksat e nji stine që shkoi.

Shkrimi është botuar në suplementin "Rilindasi", të gazetës Shqiptarja.com, me 4 dhjetor 2011.

*****

Magjia poetike e Primo Shllakut - Nga Kolec Traboini

Primo Shllaku autor i librave “Lule nate”, "Hana e njelmët e ditës", “Edhe fjalët shkojnë në ferr” e të tjerë, është një poet i veçantë e i pangjashëm me kurrkënd veç vetës. Ka studiues të letërsisë, që në poezinë e këtij autori gjejnë poetin e dezidencës së heshtun, ashtu siç i cilësojnë edhe Bep Zorbën e disa të tjerë. Ata studiues janë në të drejtën e tyre, veç mua nuk e di se pse më ndodh diçka ndryshe; kur i lexoj poezitë e Primos, bashkënxënsit tim dhe të Paulin Selimit në shkollën fillore në lagjen Gjuhadol të Shkodrës, nuk dëshëroj ti kushtëzoj me kohën kur janë shkruar. Nuk më intereson biografia e poezive. Si krijues më interesojnë vetëm poezitë. Madje nuk ja hedh fare sytë vitit përfund tyre. Më duket i pavend ky interesim, krejt i tepërt sepse ato janë poezi që vlerën e bukurinë e kanë pavarësisht nga koha kur janë shkruar. Për poezinë e vertetë nuk ka kohë dhe as hapsirë. E vetmja gjë që i kushtëzon në vlerën e tyre është mjeshtria e lartë dhe idetë që përçojnë e padyshim edhe ndikimi që kanë e mbresa që lënë në mendjen e shpirtin e lexuesit. Madje shkoj me tej e them, ato poezi e kanë shoqëruar shokun tonë të fëminisë edhe atëherë kur mblidheshim rreth çinarit të madh në mes të oborrit të shkollës, ku sipër lodronin zogjtë e poshtë gazmoheshim ne fëmijët. Ase e kunderta, edhe sikur të ishin shkruar tani, këto vitet e fundit, ato do të kishin të njëjtën vlerë. Nuk mendoj se ka faktor të tjerë jashtë poetikë që ja rrisin vlerat, se po të ishte kështu atëherë vlerësimi do të ishte i cungët dhe do ti hynim në hak poezisë.
Poezia e Primo Shllakut nuk ka kurrfarë domosdoshmerie për tu kushtëzuar në kohë. Ajo nuk e ndjen nevojen e një sfondi. Ajo jeton përtej kohës. Sepse në qiellin e poezisë, ...gjithmonë do të ketë Aleksandra që sjellin mollë, gjithmonë do të ketë plagë gjaku për ti venë kaltersive si diell, gjithmonë do të ketë dëshira të thyera e duar të pamundura për të treguar me gisht. Krijimet e këtij autori në pamje të parë të duken të thjeshta, nuk janë efektuoze, tek ato nuk ka bubullima e as gjëmime, nuk ka pasthirrma e retorikë, nuk ka figura të lyera me brilantinë siç rëndom shfaqen në të shumtit e vargjeshkruesve të djeshëm e të sotëm me një skematizm të tmerrshëm që mbijeton, nuk ka heronj e heroizma, përkundrazi çdo gjë rrjedh natyrshëm, në një rrefim meditativ, të shtruar e qetë si fluturimi i një shtergu në vetminë e muzgjeve:
“Aleksandra”: sjell me vete mollë, shkrepse dhe trokitje padurim, “Nji plagë”: Qe, ky ishte gjaku im./ Nji çast ma parë ai vraponte nëpër zemër./ Merre këtë gjak dhe vene në qiellin tand /si diell./, “Reja, mali dhe ti” : Ju ndejtet aty të ngrimë,/të ardhun prej thellësisë së castit/ derisa e rrahuna e qerpikut tim/ju shtyu edhe një hap./, “Bashkëkohës": Me duej pra, se dielli asht njeni prej nesh./Me duej se ky yll që përshpërit atë heshtjen e vet blu/ndoshta asht një fill i këputun drite/ e Koha s'rrjedh ma për te./ “Duer të pamunduna” Anes Luka: Kam mall me i pa duert e mia/kam deshirë me shkrue një emën/Kam deshirë me prekë/dicka me dashje/Asht koha me tregue me gisht./ Por duert e mia ende s'kanë lindë ... /
Imazhet që përftohen prej këtyre poezive, janë copëza jete që shfaqen si në një film me xhirim të ngadalshëm ku ke mundësinë t’a përjetosh dramën deri në thelbin të saj e me ndjesinë më të thellë.
Ka një magji në poezitë e Primo Shllakut, ai të tërheq brënda vargjeve ku ngërthen një botë të tërë, paçka se në aparencë ke të bësh me një peshk të vogël e fatkeq, a me një Marie me gjoks të bëshëm që kalon përpara djemve adoloshentë dhe e cila, papritur një ditë, nuk shfaqet më në rutinën kalimtare, veç në eter, në imagjinatën ndezur e të përzishme të soditësve aty në kafenë verore... e ata e ndjejnë se bashkë me Marien, diçka ka vdekur edhe në shpirtin e tyre që sëmbon.
Poezia e Primos të bën të mendosh, të shtyn të perpiqesh të gjesh yrnekun për ta zbërthyer filozofinë e saj.
Kush nuk e ndjeu vetën qoftë dhe një herë në jetë si “Peshku i vogël” i Primo Shllakut. Kush nuk u ndodh në rininë e tij përpara ndonjë Marie, kush nuk u tundua në fëmini në gjahun e zogjëve e kush nuk u lag në shiun e ëndrrave...
Poezia "Gostia" të shfaqet si dramë në kufijtë e një poezie. Por jo veç kjo, të gjitha poezitë e Primo Shllakut kanë një dramacitet të brëndshëm. Në to gjithnjë diçka ndodh, lëviz, diçka që ja pikon shpirtin poetit, qoftë dhe për ato luleborat (“Lule nën borë”) që do ti vrasë rënia e papritur e borës e që ai dëshëron ti ndjellë si delet në vathe për ti mbrojtur, çfarë është pikëllimisht e pamundur.
Dramaciteti që përcjellin, thellësia e ndjenjës, atmosfera që krijon, figurat brënda poezive por edhe kuptimi metaforik i vetë poezive, të bëjnë të ndalosh gjatë mbi vargjet e Primo Shllakut, e më kryesorja të bëjnë ti kthehesh sërisht e sërisht leximit të tyre.
Mund të ketë shumë faktorë që kanë ndikuar në formimin e personalitetit të tij si poet, tashmë i mirënjohur, në krijimin e stilit të tij të veçantë, por nga njohja që kam, mund të them se ndikimin më pozitiv Primo Shllaku e ka nga babai i vet, i paharruari regjisori e dramaturgu Lec Shllaku, një nga figurat më të ndritura të teatrit shkodran por edhe atij kombëtar, ashtu si i vëllai (xhaxhai i Primos) Gjon Shllaku ishte një erudit e përkthyes i pashoq.

Më ka qëlluar që ca kohë ta kem patur Lec Shllakun mësues në shkollën e mesme të mbrëmjes në Shkodër dhe vija re se ai kishte vërtetë një forcë magjike në rrëfimet e veta për letërsinë. Ishte mësuesi që na linte me gojë hapur e si i thonë, megjithë ç'prisnim orën e tij e mësimdhënies e cila sikur kalonte shumë shpejt.
Kur rri e mendoj se Primo Shllaku është lindur e rritur në atë mjedis të kulturuar të familjes shkodrane Shllaku, ku dramaturgjia, poezia, arti në përgjithësi ishin në vatrën e vet, patjetër që ai mjedis ka ndikuar për krijimin e një poeti në atë shkallë individualiteti dhe cilësie e në ato dimensione që shfaqet sot në poezinë shqipe.

Nuk thonë kot çfarë të mbjellësh do të korrësh, a molla nën mollë a diç tjetër. Në shpirtin e Primo Shllakut është mbjellur poezia që në fëmini, në mënyrë të përditëshme prej prindërve që e kishin artin pasion e qëllim jete, ndaj poezia e tij lumtunisht shfaqet me atë veçanësi dhe forcë magjike që ka sot.

Historia e Kampionatit Botëror të Futbollit

Stadiumi Centenario, Montevideo, Uruguai 1930

Stadiumi Centenario, Montevideo


Kampionati Botëror i Futbollit lindi nga ideja e presidentit të FIFA-s Jules Rimet për të organizuar një turne për ekipet kombëtare, në vitin 1928. Ndeshjet e para të këtij lloji u zhvilluan në vitin 1930 dhe përbëhej nga një turne që ka vetëm fazën përfundimtare në të cilën morën pjesë 13 kombe që pranuan ftesën.

Ky kampionat ka evoluar më pas duke përfshirë rreth 200 ekipe kombëtare që do të konkurojnë në një turne të gjatë kualifikues që zhvillohet në tre vitet para fazës përfundimtare.

Garat e mëparshme ndërkombëtare

Ndeshja e parë e futbollit ndërmjet dy kombeve u zhvillua në vitin 1872. Me atë rast ekipet sfiduese ishin Anglia dhe Skocia, në fakt në atë kohë ky sport ishte ende pak i praktikuar jashtë kufijve të Britanisë së Madhe. I pari zgjerim i rëndësishëm i futbollit botëror erdhi në maj 1904, kur u themelua FIFA (Fédération Internationale de Football Association u themelua në Paris më 12 maj 1904 dhe përbëhej nga vetëm shtatë vendeve të Evropës: Belgjika, Franca, Hollanda, Danimarka, Suedia, Zvicera dhe nga përfaqësues të Madrid Football Club; Federata Spanjolle e Futbollit nuk ishte krijuar deri në vitin 1913). Në ato vite, futbolli filloi të bëhet gjithnjë e më shumë popullor dhe u përfshi si një sport demostrativ (d.m.th. pa vlerësime dhe medalje) në Lojrat Olimpike të viteve 1900, 1904, 1906 dhe u barazua me sportet e tjera në Lojrat Olimpike të vitit 1908. Organizuar nga Anglia dhe Football Association gara ishte e kufizuar vetëm për lojtarët jo-profesionistë (siç ishte rregulli në atë kohë) por u trajtua më shumë si një demostrim dhe jo si një garë në të gjitha aspektet. Kombëtarja amatoriale e futbollit anglez është fituese në vitin 1908 si dhe në edicionin e ardhshëm të vitit 1912. Në të njëjtën kohë FIFA bëri tentativë për të organizuar një turne ndërkombëtar për ekipet kombëtare jashtë kontekstit olimpik, kjo përpjekje është bërë në vitin 1906 në Zvicër. Por ishin ende vitet e para të zhvillimit të këtij sporti dhe FIFA vetë e përkufizon këtë eksperiment si një dështim.

Pra vetëm gjatë Olimpiadës ekipet kombëtare kishin mënyrë për t'u konfrontuar, por skuadrat përbëheshin prej lojtarëve amatorë dhe për këtë arsye nuk përfaqësonin forcën aktuale të futbollit të shteteve. Një përpjekje të mëtejshme, për ta nxjerrur botën e futbollit nga "pesë qarqet", është bërë nga Thomas Lipton i cili organizoi "Sir Thomas Lipton Trophy" në Torino, në vitin 1909. Ky organizim ishte një garë mes klubeve të futbollit (jo nacionale) që vinin nga shtete të ndryshme, d.m.th një klub përfaqësonte një komb të tërë. Për këtë arsye, ky turne nuk është konsideruar si një paraardhës i vërtetë i Kupës së Botës (ndoshta e Kupës së Kampioneve, Champions League). Morën pjesë klubet më prestigjioze të Italisë, Gjermanisë dhe Zvicrës. Turneu i parë u fitua nga West Auckland, një skuadër amatore angleze e cila ishte ftuar vetëm për shkak se Shoqata e Futbollit Anglez nuk pranoi të marrë pjesë. West Auckland triumfon sërish në vitin 1911. Në vitin 1914, FIFA ra dakord të njohin turneun olimpik si një "kampionat botëror për amatorë", dhe që nga ajo kohë bëhet pjesë aktive në organizimin e saj. Në këtë pikë zhvillohet edicioni i parë i Lojërave Olimpike të njohura nga FIFA në vitin 1920, dhe ishte Belgjika e cila dominoi, ndërsa në dy edicionet pasuese (1924 dhe 1928) suksesi i buzëqeshi Uruguait.

Në vitin 1928 FIFA mori vendimin për organizimin e turneut të tyre ndërkombëtar.

Meqenëse Uruguai kishte fituar dy herë titullin e botës (edhe pse për amatorë), në vitin 1930 FIFA zgjodhi atë si nikoqir i edicionit të parë për profesionistët, që përkon me njëqindvjetorin e pavarësisë së shtetit të Amerikës së Jugut.

Zyrtarja e parë e Kampionatit Botëror të futbollit

Në edicionin e Lojrave Olimpike të vitit 1932, që do të zhvilloheshin në Los Angeles (SH.B.A), futbolli nuk ka qenë pjesë e programit për arsye se ky sport nuk ishte mjaft popullor në Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu FIFA dhe CIO (Comité International Olympique) ende nuk bien dakord në faktin se aty ishin të lejuar të luajnë vetëm lojtarë amatorë. Kështu Presidenti i FIFA-s, Jules Rimet, organizon Kupën e Botës të vitit 1930 që do të mbahet në Uruguai. Kombet anëtare ishin ftuar për të dërguar një përzgjedhje, por zgjedhja e Uruguait si vendin pritës të kampionatit, për ekipet evropiane do të thoshte, që do të përballen me një udhëtim të shtrenjtë dhe të gjatë nëpër Oqeanin Atlantik. Prandaj asnjë shtet i kontinentit të vjetër nuk iu bashkua kësaj ftese deri dy muaj para fillimit të kampionatit. Rimet, megjithatë, arriti të bindë të marrë pjesë kombëtaret e disa shteteve si: Belgjikë, Francë, Rumani dhe Jugosllavi. Në total 13 ekipe pranuan ftesën e Rimet; shtatë nga Amerika e Jugut, katër nga Evropa dhe dy nga Amerika e Veriut.

Dy ndeshjet e para në historinë e Kupës së Botës u luajtën në të njëjtën kohë, dhe u fituan nga Franca dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat mundën respektivisht Meksikën 4-1 dhe Belgjikën 3-0. Goli i parë i Kupës së Botës u shënua nga Lucien Laurent i Francës. Katër ditë më vonë, Bert Patenaude i Shteteve të Bashkuara shënoi të parën tripletë në ndeshjen e fituar me 3-0 kundër Paraguait. Në finale, Uruguai mundi Argjentinën 4-2 para një publiku prej 93.000 njerëzve në Stadiumin Centenario, Montevideo. Kështu Uruguai u bë ekipi i parë që fiton Kupën e Botës.

Stadiumi Centenario, Montevideo, Uruguai 1930

Kampionati Botëror i vitit 1934 u prit nga Italia. Ky ishte edicioni i parë që përfshinte një raund kualifikimi. Gjashtëmbëdhjetë ekipe u kualifikuan për fazën e fundit, një numër që është mbajtur deri në zgjerimin e turneut në vitin 1982. Uruguai, skuadra kampione në fuqi, bojkotuan këtë vit si të zhgënjyer nga mungesa e shumë klubeve evropiane në edicionin që kishte organizuar katër vite më parë. Bolivia dhe Paraguai mungonin, duke lejuar kështu përfaqësuesit e Argjentinës dhe Brazilit të marrnin pjesë në kampionat pa pasur nevojë për të luajtur ndonjë ndeshje kualifikuese. Egjipti ishte kombëtarja e parë afrikane që mori pjesë, por u mund nga Hungaria në fazën e parë. Italia fitoi trofeun pasi mundi në finale Çekosllovakinë pas kohës shtesë me rezultat 2-1, por mes shumë akuzave dhe ankesave mbi arbitrazhin, sepse mendohej se Benito Musolini kishte ndikuar në zgjedhjen e arbitrave për ndeshjet e ekipit kombëtar italian.

Kampionati Botëror i vitit 1938 u mbajt sërish në Evropë, në Francë, përmes shqetësimeve të shumë shteteve të Amerikës së Jugut, Uruguai dhe Argjentina vendosën të bojkotojnë këtë edicion (e dyta herë rresht për Uruguain). Pas një lojë shtesë kundër Letonisë, Austria u kualifikua për në Botëror, por për shkak të aneksimit me Gjermaninë (Anschluss) në prill të vitit 1938 nuk mundi të vazhdojë me tej. Vendi i tij i është ofruar Anglisë, por ajo nuk pranoi ftesën. Për shkak të këtyre ngjarjeve, në fazën finale u ndeshën vetëm 15 ekipe. Për herë të parë nuk ishte shteti pritës për të fituar trofeun, ishte Italia fituese e titullit, duke mundur Hungarinë 4-2 në finale, duke u bërë kështu e para kombëtare që shpallej kampion në dy edicone të njëpasnjëshme dhe e para për të fituar titullin e botës në tokë të huaj.

Lufta e Dytë Botërore dhe pasojat e saj penguar zhvillimin e edicioneve të viteve 1942 dhe 1946.

Kampionati Botëror i vitit 1950 u mbajt në Brazil. Gjermania dhe Japonia, dy vendet që konsiderohen të jenë më përgjegjës për luftën, u përjashtuan që në fillim, ashtu siç kishte ndodhur edhe për Lojërat Olimpike të Londrës të vitit 1948. Ky kampionat shikonte për herë të parë pjesëmarrjen e Anglisë e cila nuk kishte marrë pjesë në edicionet e mëparshme pasi ajo nuk ishte antare e FIFA-s, ishte tërhequr në vitin 1920, për të shmangur ndeshjet me kombëtaret e shteteve kundër të cilëve ka luftuar në dy luftërat botërore. Një tjetër arsye ishte një lloj proteste kundër ndikimeve të vendeve të tjera në futboll (sport i lindur pikërisht në Angli). Në vitin 1946, Shoqata e Futbollit Anglez vendosi për t'u bashkuar me shoqatën botërore pas një ftese formale nga vetë FIFA. Turneu pa pjesëmarrjen e Uruguait që mungonte në dy edicionet e mëparshme në shenjë proteste. Për arsye politike ekipet kombëtare të vendeve të Evropës Lindore (Hungari, Bashkimi Sovjetik dhe Çekosllovaki) nuk morën pjesë. Italia, kampione në fuqi, mori pjesë pavarësisht nga tragjedia e vitit 1949 në të cilën humbën jetën lojtarët e "Grande Torino" (shumë prej tyre luanin në kombëtare). Uruguai fiton në finale kundër Brazilit, 2-1, duke u bërë kampione për herë të dytë (në dy edicione që ka marrë pjesë). Kjo lojë gjithashtu ka praninë më të lartë të çdo ndeshje, afërsisht 190 mijë.

Kampionati Botëror i vitit 1954 u zhvillua në Zvicër dhe ishte i pari që do të transmetohet në televizion. Kombëtarja e Bashkimit Sovjetik nuk mori pjesë për shkak të performancës së tyre jo pozitive në Lojrat Olimpike të vitit 1952. Kombëtarja Skoceze u shfaq për herë të parë në këtë turne, por pa regjistruar asnjë fitore dhe u eliminua në raundin e parë. Çerek-finalja mes Austrisë dhe Zvicrës pa rekordin e golave të shënuar në një ndeshje të Kupës së Botës, Zviceranët humbin me rezultatin 5-7, pasi kishin shkuar në avantazh me 3-0. Gjermania Perëndimore është fituese e këtij edicioni, duke mundur në finale kampionët olimpikë të Hungarisë me rezultat 3-2, me gol të Helmut Rahn në minutën 84'. Pak minuta më vonë barazon Hungaria me Puskás, por gjyqtari anësor Benjamin Griffiths anullon golin si jasht-loje. Ndeshja është e njohur në Gjermani si "mrekullia e Bernës".

Kampionatin Botëror në vitin 1958 u zhvilluar në Suedi. Për herë të parë (dhe tani për tani i vetmi rast), të katër kombëtaret e Britanisë së Madhe u kualifikuan për në Botëror (Angli, Skoci, Uells (Walles) dhe Irlanda e Veriut që rrëzoi italinë. Deri tani ky është i vetmi edicion që Italia nuk kualifikohet për në Botëror). Suedia humbet në finale me Brazilin me rezultatin 2-5, dhe kjo ishte hera e parë që një shtet nga një tjetër kontinent të fitonte Botërorin në Evropë. Ky turne pa performancën e Pelé (Edson Arantes do Nascimento), i cili shënoi dy gola në finale.

Dymbëdhjetë vjet pas Kupës së Botës 1950, FIFA vendosi për të sjellë Kampionatin Botëror të vitit 1962 në Amerikën e Jugut, dhe pikërisht në një shtet të varfër siç ishte Kili. Artikuj të shumë gazetarëve komentonin se si një vend i pazhvilluar si Kili mund të mendoj të organizojë një manifestim kaq të rëndësishëm. Situatën e vendit e përkeqëson edhe më tepër "tërmeti i madh kilian" më 22 maj 1960, tërmeti më i fortë i shekullit të njëzetë; në fund, Botërori nuk pati ndonjë problem organizativ. Megjithatë, kujtohet si një turne që u ndikua shumë nga sjellja jo shembullore e arbitrave. Kili arriti në gjysmë-finale dhe u dorëzua vetëm përballë Brazilit e cila, edhe pse nuk luajti Pele, i dëmtuar, fitoi të dytin Kampionat Botëror radhazi në sajë të Garrincha, duke mundur në finale Çekosllovakinë me rezultatin 3-1.

Kampionati Botëror i vitit 1966 u organizua nga Anglia. Trofeu ishte vjedhur gjatë manifestimit por u gjet një javë më vonë nga një qen me emrin "Pickles". Afrika e Jugut u përjashtua për shkelje të rregullores kundër diskriminimit (për shkak të Aparteidit). Përjashtimi mbeti në fuqi deri në vitin 1992, kur Shoqata e Futbollit të Afrikës së Jugut u ripranua nga FIFA. Kombëtarja e Koresë së Veriut u bë ekipi i parë aziatik për të arritur në çerek-finale duke mundur kombëtaren italiane (në sajë të golit të një lojtari amator i cili si profesion nuk bënte dentist, siç është thënë për vite, por mësues i edukacionit fizik). Anglia fitoi turneun duke mundur Gjermaninë Perëndimore 4-2. Në këtë lojë sulmuesi anglez Geoff Hurst u bë lojtari i parë që shënon një tripletë në një finale. Eusebio i Portugalisë (ekip që merrte pjesë për herë të parë në kampionat botëror) fitoi titullin si golashënuesi më i mirë, me nëntë gola.

Kampionati Botëror i futbollit i vitit 1970 u zhvillua në Meksikë. Në kualifikueset për këtë Botëror theksohet rivaliteti midis Hondurasit dhe El Salvador, duke shkaktuar atë që është e njohur si "Lufta e Futbollit". Ky Botëror kujtohet për pritjen historike të portierit anglez Gordon Banks që shpëtoi portën e tij nga një goditje e afërt me kokë nga Pele, ky gjest atletik është konsideruar si një nga shpëtimet më të vështira në historinë e futbollit. Një tjetër arsye pse ky Botëror ka mbetur në histori është gjysmëfinalja madhështore e cila pa duke sfiduar Italinë dhe Gjermaninë Perëndimore, madje në këtë ndeshje u shënuan edhe 5 gola gjatë kohës shtesë dhe kapiteni i ekipit gjerman, Franz Beckenbauer, ka luajtur një pjesë të ndeshjes me krahun e thyer, pasi trajneri gjerman kishte bërë tashmë të gjitha zëvendësimet e mundëshme. Italia fitoi 4-3 dhe shkon në finale ku mundet nga Brazili me rezultat 4-1. Kjo është edhe fitorja e tretë e Brazilit e cila i jep të drejtën e posedimit të trofeut "Jules Rimet Trophy".

Pas caktimit definitiv të Trofeut "Jules Rimet" Brazilit, në fund të kampionatit botëror 1970, në edicionet pasardhëse do të quhet "Kupa e Botës FIFA" (engl. FIFA World Cup, fr. Coupe du Monde FIFA).

Kampionati Botëror i vitit 1974 u zhvillua në Gjermaninë Perëndimore. Për këtë edicion u krijua një trofe i ri, FIFA World Cup Trophy, krijuar nga skulptori italian Silvio Gazzaniga. Bashkimi Sovjetik refuzoi të udhëtojë në Santiago, Kili, për ndeshjen e kthimit për shkak të mosmarrëveshjeve politike dhe, siç parashihet në Rregullore, Kili ishte shpallur fitues dhe për këtë arsye u kualifikua për në Botëror. Në këtë edicion kombëtaret e Gjermanisë Lindore, Haiti, Australia dhe Zaire bënë debutimin e tyre në fazën e fundit të një Botërori. Formati i turneut ndryshoi përsëri, dy ekipet e para të secilit prej katër grupeve vinin të ndarë në dy grupe nga të cilat do të dalin finalistët. Gjermania Perëndimore fitoi në finale kundër Holandës me rezultatin 2-1. Në këtë edicion holandezët kishin terhequr vëmendjen për mënyrën krejt të re të të luajturit e që interpretohej me mjeshtëri nga Johan Cruijff (Hendrik Johannes Cruijff). Një tjetër kombëtare që u shqua për mënyrën e të luajturit ishte Polonia e cila u klasifikua në vendin e tretë pasi mundi kampionët në fuqi, Brazilin, me rezultatin 1-0, pasi mundi skuadra të mëdha si Argjentina (3-2) dhe Italia (2-1) në raundin e parë, dhe humbi në gjysmë-finale 0-1 me Gjermaninë Perëndimore.

Kampionati Botëror i vitit 1978 u prit nga Argjentina, duke shkaktuar polemika për shkak të një grusht shteti ushtarak dy vjet më parë. Kampioni i madh holandez Johan Cruijff refuzoi të marr pjesë për këtë arsye, megjithatë, asnjë shtet nuk tërhoqi kombëtaren e tyre. Për herë të parë paraqiten formacionet e Iranit dhe Tunizisë. Në ndeshjen finale, luajtur më 25 qershor në Buenos Aires, shpërblehet ekipi vendas i cili fitoi 3-1 kundër Hollandës, në sajë të dy golave të shënuar nga Mario Kempes. Hollanda për herë të dytë radhazi renditet në vendin e dytë.

Spanja është zgjedhur për të organizuar edicionin e vitit 1982 të Kampionatit Botëror e cila përfshinte pjesëmarrjen e 24 ekipeve; i pari ndryshim në numrin e ekipeve që nga botërori i vitit 1934. Ekipet u ndanë në gjashtë grupe me nga katër ekipe secili; dy të parët e çdo grupi kalonin në fazën e ardhshme, ku ndaheshin përsëri në 4 grupe me nga 3 skuadra. Fituesit e këtyre "trekëndëshave" kalonin në gjysmëfinale. Kombëtaret që merrnin pjesë për herë të parë në Botëror ishin: Kamerun, Algjeria, Honduras, Zelanda e Re dhe Kuvajti. Në këtë kampionat spikasin dy episode kurioze.

Rasti i parë është ai në ndeshjen mes Francës dhe Kuvajtit. Kur francezët ishin tashmë përpara 3-1, lojtarët e kuvajtin ndaluan lojën, sepse ata kishin shkëmbyer fërshëllimën një bilbili që vinte nga publiku në stadium me atë të gjyqtarit. Alain Giresse i francës shfrytëzoi rastin për të shënuar. Lojtarët e kuvajtit protestuan energjikisht, Sheikh Fahid Al-Ahmed Al-Sabah, President i Federatës së Kuvajtit, vrapoi në fushë për të shprehur mospëlqimin te albitri, i cili, në mënyrë të pazakontë, anuloi golin e shënuar. Bossis shënoi sërish disa minuta më vonë dhe ndeshja përfundoi me rezultatin e 4-1.

Rasti i dytë është gjysmë-finalja mes Gjermanisë Perëndimore dhe Francës. Portieri gjerman Harald Schumacher kryen një faull të dukshëm ndaj Patrick Battiston, kur rezultati ishte 1-1. Schumacher, çuditërisht, i shpëton përjashtimit nga loja. Në lojën shtesë gjermania arrin të barazojë pasi duke qenë në disavantazh për 1-3. Ndeshjen e fiton gjermania pas gjuajtjeve të penalltive me 5-4.

Në finale Italia mundi Gjermaninë me rezultatin 3-1. Dino Zoff u bë lojtari më i ri të sigurojë titullin kampion botëror. Golashënuesi më i mirë u shpall Paolo Rossi, i ashtuquajtur me nofkën "Pablito".

Kampionati Botëror i vitit 1986 u zhvillua në Meksikë. Fillimisht ishte zgjedhur Kolumbia, por autoritetet kolumbjane deklaruan se nuk mund të përmbushnin kërkesat e FIFA-s për arsye ekonomike, kështu, në një përzgjedhje të dyte, caktohet Meksika duke u bërë vendi i parë që pret dy herë Kupën e Botës. Ekipet kombëtare të Kanadasë, Danimarkës dhe Irakut marrin pjesë për her të parë. Çerek-finalja mes Argjentinës dhe Anglisë ka hyrë në historinë e futbollit për dy golat e shënuar nga Diego Maradona, i cili më vonë do të shpallej si lojtari më i mirë i turneut. Goli i parë që "Pibe de Oro" shënoi ishte i famshmi gol me dorë që vet numëri 10 komentoi më vonë duke thënë se ishte "dora e Zotit" ajo që shënoi. Goli i dytë, që konsiderohet si Goli i Shekullit, në të cilin Maradona nga mesfusha dribloi pesë lojtarë anglez para depozitimit të topin në rrjetë. Argjentina në finale mund Gjermaninë Perëndimore me rezultatin përfundimtar 3-2, me gol të shënuar nga Jorge Burruchaga.

Kampionati Botëror i vitit 1990 u prit nga Italia. Pas një distance prej 56 vitesh nga Kampionati Botëror i vitit 1934, e cila ishte fituar nga blutë e Vittorio Pozzo, turneu më i madh në botë i futbollit kthehet në "Bel Paese". Ekipi kombëtar i Kamerunit arriti deri në çerek-finale, duke u bërë ekipi i parë i kontinentit afrikan që arrin këtë sukses. Skuadra më favorite për të fituar titullin kampion ishte Italia, me lojtar si Totò (Salvatore) Schillaci, Franco Baresi, Roberto Donadoni, Roberto Baggio etj. Ekipet tjera favorite ishin Argjentina me Diego Armando Maradona, që sapo ishte shpallur kampion i italisë me SSC Napoli, Gjermania Perëndimore me trajner Franz Beckenbauer dhe tre lojtarët e FC Inter (Lothar Matthäus, Jürgen Klinsmann, Andreas Brehme), Hollanda me trion e lojtarëve të AC Milan (Marco van Basten, Ruud Gullit, Frank Rijkaard).

Në finale ballafaqohen ekipet e njëjta të edicionit të kaluar, por këtë herë rezultati u përmbys dhe, pasi ishin renditur të dytët për dy edicione radhazi, gjermanët perëndimor fituan për të tretën herë kupën e botës.
Gjermania Perëndimore 1-0 Argjentinë, gol i shënuar nga Brehme me penallti në minutën 84.

Në vitin 1991, FIFA ka organizuar për të parën herë Kupën e Botës për femra. Ky është një turne i ngjashëm me atë të meshkujve, por, duke pasur parasysh krijimin e tij kohëve të fundit dhe se futbolli ka qenë gjithmonë i konsideruar si një sport kryesisht për meshkujt, ende nuk ka arritur një nivel të mirë të interesit. Deri në vitin 2011, ekipet kombëtare që kanë numrin më të madh të sukseseve janë ato të Gjermanisë dhe SHBA-të. Nga gjashtë edicione të zhvilluara, në fakt, SHBA dhe Gjermani kanë fituar me nga dy herë ndërsa Norvegji dhe Japoni me nga një herë.

Kampionati Botëror i vitit 1994 u zhvillua në Shtetet e Bashkuara, dhe për herë të parë kupa u fitua pas gjuajtjeve të penalltive pasi koha e rregullt dhe ajo shtesë e finales përfunduan me 0-0. Ishte Brazili që dominoi duelin me Italinë nga pika e bardhë (3–2), me gabimin fatal të Roberto Baggio. Kombëtarja jugosllave ishte përjashtuar si e sanksionuar nga ana e Kombeve të Bashkuara për luftën në Bosnje. Gjatë turneut, Diego Maradona u hoq pasi rezultoi të jetë pozitiv për ephedrine në një kontroll anti-doping. Mbrojtësi kolumbian Andres Escobar u vra dhjetë ditë më vonë pasi shënoi një autogol kundër Shteteve të Bashkuara, e cila çoi në eliminimin e Kombëtares Kolumbiane. Rreth 3.6 milion njerëz shkuan në stadiume për të parë ndeshjet, audienca më e madhe për një edicion të Kupës së Botës. Ky është edhe edicioni i fundit me 24 ekipe, zgjeruar në 32 nga botërori tjetër.

Kampionati Botëror i vitit 1998 është mbajtur në Francë. Kjo është Kupa e parë Botërore ku konkurojnë 32 ekipe dhe i pari në të cilin u prezantua rregulli i "golit të artë" (golden goal) në kohën shtesë. Tani e tutje botërori nuk do të transmetohet më në Eurovizion. Në ndeshjen mes Francës dhe Paraguait ndodh edhe i pari Golden Goal në historinë e kampionatit botëror, kur Laurent Blanc Les Bleus, pas rezualtit 0-0 të kohës së rregullt, i dha mundësi Francës për të kaluar në çerek-finale. Franca fiton kupën e botës duke mundur në finale Brazilin me rezultatin 3-0.

Kampionati Botëror i vitit 2002 ishte i pari i zhvilluar në Azi dhe i pari i organizuar nga dy shtete: Japoni dhe Kore e Jugut. Turneu karakterizohet nga arritjet e larta të vendeve që konsideroheshin jo shumë konkurruese. Senegal dhe Shtetet e Bashkuara arriten në çerek-finale, Korea e Jugut u rendit e katërta.

Në finale Brazili, me dy gola të shënuar nga Ronaldo (Ronaldo Luís Nazário de Lima), mundi Gjermaninë 2-0. Kjo është e pesta herë që Brazili fiton Kupën e Botës.

Kampionati Botëror i vitit 2006 u mbajt në Gjermani. Ky ishte edicioni i parë në të cilin kampionët në fuqi të ndeshen me eliminatoret, ndërsa shteti pritës ende gëzon kualifikimin automatik. Para fillimit të turneut parashikimet jepnin si fitues të mundshëm Brazilin dhe Anglinë. Gjermania mundet në gjysmë-finale nga Italia me rezultatin 2-0, me gola të shënuar në lojën shtesë nga Fabio Grosso dhe Alessandro Del Piero. Po në gjysmë-finale, Portugalia mundet nga Franca me rezultatin 0-1 me gol të shënuar nga Zidane, me penallti.

Në finale përballen Italia dhe Franca dhe, dhjetë minuta para fishkëllimës finale të kohës shtesë (me rezultat 1-1) kapiteni francez, Zinedine Zidane dëbohet nga loja pas një goditje me kokë kundër mbrojtësin blu Marco Materazzi. Italia shpallet kampion bote për herë të katërt, duke fituar 5-3 me penallti.

Kampionati Botëror i vitit 2010 u mbajt në Afrikën e Jugut që është shteti i parë Afrikan që organizon një garë të tillë. Në stadiumin e Johanesburg, Holanda dhe Spanja "luftojnë" për kupën. Loja është shumë e tensionuar, vetëm gjatë 90 minutave jepen ​​8 kartona të verdhë (5 holandezëve, 3 spanjollëve), por rezultati është gjithmonë 0-0. Pastaj pika kthesë: Andres Iniesta vetëm përpara portierit Maarten Stekelenburg shënon golin e fitores 4 minuta nga fundi i kohës shtesë. Holanda humbi finalen e tretë (dy të tjerat i ka humbur në vitin 1974 dhe 1978), ndërsa Spanja është fituese për herë të parë e titullit Kampion Bote.

Kampionati Botëror i vitit 2014 mbahet në Brazil. Brazili bëhet vendi i pestë që e kanë pritur Kupën e Botës dy herë (tjetra në vitin 1950) pas Meksikës, Italisë, Francës dhe Gjermanisë.

Kostoja e kampionatit është vlerësuar të jetë më e larta në historinë e botërorit, 14 miliard dollar. Ky shpenzim përfshin ndërtimin apo renovimin e stadiumeve, dhe projektet e infrastrukturës. Ish-futbollisti brazilian dhe tani figurë politike Romario (Romário de Souza Faria) ka quajtur turneun si "vjedhjen më të madhe në histori", duke deklaruar se, sipas tij, kostoja reale e ngjarjes është më i madh se 46 miliard dollar.

Spanja, kampione e edicionit të kaluar, u eliminua në fazën e grupeve pasi humbi dy ndeshjet e para kundër Holandës (5-1) dhe ndaj Kilit (2-0).

Në çerek-finale do të ndeshen Brazil-Kolumbi, Holandë-Kosta Rika, Francë-Gjermani dhe Argjentinë-Belgjikë.

Gjermania mundi 1-0 Francën në sajë të golit të shënuar nga Hummels, i cili e lejon gjermaninë për të arritur të trembëdhjetën gjysmëfinale në historinë e Kampionatin Botëror (e katërta radhazi). Brazili fiton kundër Kolumbisë, në sajë të golave të shënuar nga Thiago Silva dhe David Luiz, me rezultatin 2-1. Belgjika nuk arrinë të kalojë çerek-finalen, Argjentina fiton me një gol të shënuar nga Gonzalo Higuaín. Në çerek-finalen mes Holandës dhe Kosta Rika, pas një barazimi pa gola të kohës së rregullt dhe kohës shtesë, gjuhen penalltitë. Trajneri holandez Van Gaal zëvendëson, në minutën 120-të, portierin e parë Cillessen me Krul, i cili në gjuajtjet nga pika e bardhë priti dy topa, duke e çuar Holandën në gjysmë-finale.

Në gjysmë-finale do të përballen Brazil-Gjermani e Hollandë-Argjentinë.

Gjysmë-finalja Brazil-Gjermani duket si përseritje e finales së Kupës së Botës në vitin 2002 në Korenë e Jugut dhe Japoni. Por loja merr menjëherë nje kthesë të papritur: në tridhjetë minutat e para gjermanët ndodhen tashmë në avantazh 0-5, me gola të shënuar nga Muller, Klose, Khedira dhe dy gola nga Kroos. Një dramë e vërtetë sportive për Brazilianët, të cilët në pjesën e dytë do t'i nënshtrohen edhe dy golave të tjerë nga Schurrle. Rezultati përfundimtar 1-7, shënon të vetmin gol per brazilin, Oskar,në minutat e fundit. Brazili, ka humbur me gjashtë gola diferencë kundër Uruguait në Kupën e Amerikës të vitin 1920, kurrë ska ndodhur në historinë e saj të futbollit që të pranojë shtatë gola. Gjermania në këtë mënyrë arrin finalen e Kupës së Botës për të tetën herë në historinë e saj.

Ndryshe nga tjetra gjysmë-finale, loja ndërmjet Holandës dhe Argjentinës nuk është e bukur, ekipet duken të frikësuar dhe nuk hapen shumë. Nuk mjafton koha e rregullt dhe as 30-të minutat e kohës shtesë për të shpallur finalisten e dytë, duke u mbyllur 0-0. Portieri i Argjentinë Sergio Romero është protagonisti kryesore në gjuatjet e penalltive, i cili arriti të neutralizojë topat e shqelmuar nga Ron Vlaar dhe Wesley Sneijder. Argentina në anën tjetër nuk e humbi një gjuajtje, duke fituar 4-2 dhe duke shkuar në finale.

Gjermani-Argjentinë, është finalja më e luajtur në historinë e Botërorit, pas dy finaleve të njëpasnjëshme në Meksikë '86 dhe Itali '90. Lojë emocionuese me shanse në të dy anët, sidomos argjentinasit shkojnë pranë golit të paktën tre raste në kohën e rregullt, me Higuain në pjesën e parë (të cilit i anulohet edhe një gol jashtë-loje) dhe Messi në dy raste, ndërsa gjermanët shkojnë pranë golit me Schürrle dhe Höwedes në pjesën e parë dhe Kroos në pjesën e dytë. Rezultati i kohës së rregullt përfundon 0-0. Gjermania shpallet kampione e këti edicioni me anë të një goli të shënuar nga Mario Götze (që ka zëvendësuar Klose pak minuta nga fundi i kohës së rregullt), vetëm shtatë minuta nga fundi i kohës shtesë. Kjo është e katërta herë që Gjermania shpallet kampion botëror, barabartë me Italinë, dhe është kombëtarja e parë europiane që fiton këtë titull në Amerikën e Jugut.

Kampionati Botëror i Futbollit i vitit 2018 zhvillohet në Rusi

Anton Mazreku, njeri i spikatur i kulturës kombëtare

Anton Mazreku
Anton Mazreku cilësohet si një nga baballarët e gazetarisë sportive shqiptare. Lindi në qytetin e Shkodrës më 8 maj 1908 në një familje intelektuale dhe me tradita patriotike. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes ndërsa shkollën e mesme në Austri. Që në moshën 17-vjeçare (1925) botonte shkrimet e para në “Gazeta e Sportit” të Palok Nikës e Musa Koplikut në Shkodër. Më pas ndoqi Liceun e Korçës ku dhe aktivizohet si futbollist me skuadrën e qytetit, Skenderbeu.

Në vitin 1935, Anton Mazreku është themelues i gazetës "Sporti Shqiptar", bashkë me Luigj Shala e Aqif Domini. Ndërkohë që vazhdon si drejtor dhe kryeredaktor i kësaj gazete deri në vitin 1939, më 1 shtator të vitit 1938 Antoni transmetoi për herë të parë një ndeshje futbolli në Radio Tirana, atë midis Sk Tirana 7-0 Iraklis Kavalla e Greqisë, duke u bërë kështu i pari radiokronist i sportit në Shqipëri.
Pas mbarimit të luftës, në vitin 1945 rifillon botimin e gazetës sportive por me një emër tjetër, "Sporti" dhe me pas "Sporti popullor".
Loro Borici, Anton Mazreku
Anton Mazreku ka qenë kryetar i Federatës Sportive Shqiptare, nënkryetar i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, nënkryetar i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe, gjithashtu, përfaqësues i delegacioneve shqiptare në disa organizime ndërkombëtare; Olimpiada e Berlinit në vitin 1936, Lojërat Ballkanike në Tiranë në vitin 1946.

Anton Mazreku vdiq në vitin 1969 në Tiranë.
Çmimi"Anton Mazreku", krijuar në nder të tij në vitin 1995 nga Tonin Paloka, iu jepet gazetarëve dhe personaliteteve sportive, vendas dhe të huaj, që kanë kontribuar dhe kontribuojnë për konsolidimin e gazetarisë sportive në Shqipëri.


Anton Mazreku për gjuhën dhe letërsinë shqipe - Nga Prof. Dr. Jup Kastrati

1. Veprimtaria krijuese e botuese, letrare e kulturore e Anton Mazrekut shtrihet në një periudhë kohore afro tridhjetëvjeçare, nga 1925 deri më 1955. Ajo gjendet e shpërndarë në shtypin periodik shqiptar, ndër gazetat dhe revistat e kohës së tij. Përkujtimi i sotëm i fletores së mirënjohur “Sporti shqiptar”, të cilën ai e drejtoi me pasion dhe me kompetence profesionale prej gazetari e publicisti për pesë vjet me radhë, nga 28 nëntori 1935 deri më 22 prill 1939, më jep rastin të them edhe unë dy fjalë kujtimi e respekti për këte intelektual të shquar të rrethit të Shkodrës.

Interesat kulturore të Anton Mazrekut kanë qenë të gjëra dhe të shumanshme. Kontributet e tij spikasin në krijimtari poetike origjinale, në shënime letrare, në vëzhgime gjuhësore, në përkthime artistike veprash poetike, dramaturgjike dhe narrative. Me qenë se emri i tij është bërë i famshëm kryesisht si komentator i futbollit shqiptar përmes Radio Tiranës, aq sa krijoi një “shkollë” të vetën sportive në Shqipëri, mund të duket e çuditshme që Anton Mazreku të ketë qenë i angazhuar në fusha të tjera të dijes. Po këte do të përpiqem ta shtjelloj më poshtë, në këtë kumtesë time modeste, pa pretenduar fare ta shteroj problemin në fjalë. I vetmi dëshir imi është që të zgjoj kureshtjen shkencore të gjurmuesve specialistë, në mënyrë që, në një të ardhme të afërt, kur të botohet ndonjë monografi për këte personalitet të përmendur shqiptar, të mos lihen pa u vënë në dukje dhe disa merita të tjera të tij, që, për mendimin tim, janë po aq të rëndësishme sa dhe aspekti i tij sportiv i gazetarit, publicistit, redaktorit, drejtorit dhe komentatorit të kësaj fushe të vyer.

2. Anton Mazreku ka pasë kulturë letrare. Ai ka qenë poet lirik. Poezia e tij karakterizohet për sensibilitet, spontanitet dhe fluiditet. Kryevepra e tij në këte lëmë është poema me titull “Dy lott e dy lule”, botuar tek e përkohëshmja letrare artistike “Shkëndija”, Tiranë, nëntor-dhjetor 1941, viti II, nr. 5-6, fq. 214-219. Poeti vajton humbjen e parakohshme të një vashe së re, që vdiq në lulen e rinisë, në moshën e tetëmbëdhjetë pranverave, kur po bënte gati pajën e kurorës së saj martesore. Poeti shkruan:

“Në kopsht jan‘ thamun lulet, qi vadite/ me t’madh kujdes”, (vargu 13-14), “S’e çojn’ ma kryet as fill as drandofillë” (vargu 17), “Me terr t’ash mvesh’ shtëpija e rrug’t e sheshet/ Si t’shkreta duken anë e kand qytetit” (vargu 24-25).

Autori na jep profilin moral të vajzës si dhe portretin fizik të saj:

“E mirë e plot urti’ ma e bukra n’shoqe” (vargu 35), “Me gjithkëndin tue u sjell’ zojush fisnike/ E gjithkund tue ia folun t’ambël” (vargu 45-46), “E me ato vetlla t’zeza e me ata sy,/ Qi kot mundohet me i përshkruemun penda” (vargu 50-51).

Mbasi ka bërë epopenë dhe prozopopenë e saj, por pa e identifikuar për të ruajtur karakterin lirik të krijimit, mbasi ka shprehur me përsëritje anaforike “njimij kujtime”, “njimij mendime”, “njimij dëshirë”, “njimij andrra” e “njimij shpresa t’bardha”, (vargu 71-73), Poeti na e sjell vashën e tij si “shembull urtije edhe pasqyr’ virtytesh” (vargu 180). Me maturi, nuk harron të fusë logjikisht dhe artistikisht edhe anën moralizuese dhe qëllimin edukativ. Nga parajsa, ku gjendet, hyjnesha do t’i mësojë shqiptarët:

“Me dasht’ Atdheu, m’ia ngjitun dorën t’ligshtit, / Me mni grabitjen, rrenën dhe shpifjen, / Me dashtun shokun barabar si vehten, / Me mbajtun besën e me e ruejt’ po nderën”, (vargjet 192-196).

Poema “Dy lott e dy lule” është një elegji sublime, realizuar me art, finesë dhe delikatesë në 220 vargje monokolone njëmbëdhjetë rrokësh (endekasilab), me kadencë ritmike, me theks trokaik. Krijimi, me gjithë sentimentalizmin e motivuar, shquhet për realizëm, për vandak idesh dhe për pasuri fjalori. Ka larmi ngjyrash dhe hije dritash. Harmonishëm është përfshirë tema patriotike.

Ndër poezitë e tij origjinale, Anton Mazreku ka lëvruar me sukses edhe sonetin me vargje endekasilabe, me rimë: ABAB / CÇCÇ / DDHD / DHEE /. Le të përmendim këtu krijimin e tij origjinal me titull: “Po më dhimbesh…”, botuar te revista “Shkëndija”, viti III, nr. 11 (35), fq. 23, Tiranë, shtator 1943. Besoj se nuk është e nevojshme të sillen shembuj të tjerë. Poema dhe tingëllimi, që përmenda më sipër, dëshmojnë fare mirë për dellin poetik të tij.

3. Në sferën e interesave letrare të Anton Mazrekut ka një vend sado modest, edhe kritika letrare. Kur vdiq Migjeni, më 26 gusht 1938 në Ospedale Valdese, në Torre Pellice afër Torinos, ndër të parët që vajtuan në periodikun shqiptar humbjen e këtij Poeti të ri, por të madh, qenë Qemal Draçini, Teufik Gjyli, Skënder Arrëza, Veli Stafa, Dhimitër S. Shuteriqi, Lazër Radi, etj. Një artikull shkroi edhe Anton Mazreku me titull “Arsimi kombëtar humbi katër bij të çmueshëm mbrënda këtyne dy muajve”, botuar në revistën pedagogjike “Shkolla kombëtare”, organ i Ministri s’Arsimit, Tiranë, dhjetor 1938, viti II, nr. 21, fq. 24. Mbasi jep një biografi të shkurtër të Poetit, autori i shkruan: “Drapni i pamshirshëm i vdekjes e këputi në pranverën e jetës së tij, në moshën 27 vjeçare, lule të re në kopshtin e arsimit t’onë e të poezisë s’onë. Se Millosh Nikolla nuk qe vetëm nji mësues i mirë, po qe edhe nji mësues i mirë, po qe edhe nji poet i mirë. Vdiq i ri e edhe telat e lyrës së tij u këputne në ma të mirën kohë, shi atëherë kur tingujt qi nxuerrne filluen me na përmallue”. – Mandej, si komenton një pjesë të “Kangëve të pakëndueme” dhe si jep një karakteristikë të poezisë së tij, artikullshkruesi shton: “Migjeni ka vuejtë e ka qa, ka ndie e ka shkrue. E ka pa dritën e jetës së vet djaloshare tue u shkimbë dal nga dalë ashtu si shkimet nji kandil voji në njaj votër të harrueme, e nga zemra kanë dalë tinguj të nji melankonije e të nji dhimbe që t’a këpusin shpirtin. Ndo’i rreze shprese do t’ia ketë paque ndonji herë plagët e sëmundjes, por kjo ka qenë nji shpresë që zhduket shpejt ashtu si shpejt zhduket nji voesë e njomë para diellit përvlues, e Migjeni ka lotue përsëri e përsëri ka këndue”.

Autori komenton pjesërisht poezinë “Vuajtja” të Migjenit. Punimi mbyllet me këto fjalë: “Vdiq larg Atdheut në vend të huej. Në çastet e mbramë të jetës së tij të shkurtë do të ketë dashtë e ndoshta do të ketë mujtë me shkrue kryeveprën e vet, po “deka i ngrini ato duer porsi florini”, e ”kanga e mbramë e Migjenit u mbyll në vorr bashkë me të”.

4. Anton Mazreku ka dhënë ndihmesa edhe në çështje gjuhësore. Në artikullin e tij: “Shkollat dhe gjuha jonë”, shkruar me pseudonimin e “Krahi i rrmaktë”, botuar te gazeta “Zani i popullit”, Shkodër, më 18 korrik 1925, viti 1 nr. 13, fq. 1-2, autori thekson ndër të tjera domosdoshmërinë e pastrimit të gjuhës shqipe nga fjalët e huaja të panevojshme, që qarkullonin në shtypin periodik të kohës së tij. Këtë temë me rëndësi e rrahur edhe në artikullin tjetër të tij “E mjera shqipe” shkruar me pseudonimin Aku dhe botuar te “Gazeta e Korçës”, Korçë, më 25 gusht 1929, viti XI, nr. 10(661), fq. 2-3. Në te artikullshkruesi ngrihet kundër përdorimit të fjalëve të huaja të panevojshme.

Një punim gjuhësor me interes të posaçëm sidomos për historinë e albanologjisë është ai me titull “Nji punëtuer vigan i gjuhës s’onë: Prof. Angelo Leotti”, botuar në Tiranë, më 27 dhe 28 dhjetor 1930, ndër dy numra konsekutivë të gazetës së përditshme të kryeqytetit, viti I, nr. 187, fq. 2; viti I, nr. 188, fq. 2. Autori bën disa shënime biografike për gramatologun dhe leksikografin e shquar italian si dhe albanologun e mirënjohur Angelo Leotti. Artikullshkruesi ka rreshtuar aty edhe disa citate vlerësimi pozitiv që i janë bërë Fjalorit voluminoz shqip – italisht të Angelo Leottit nga dijetarët e albanologët e mirënjohur Norbert Jokli, Holeger Pederseni, Lajos Tamas, Antonio Baldacci, Giulio Bretoni, Paolo Emilio Pavolini.

Përsa i takon gjuhës së shkruar dëshiroj të nënvizoj një fakt me rëndësi, i cili nuk duhet kaluar pa u vënë re nga studjuesit e Mazrekut: Ai ka shkruar shumë mirë të dy kryedialektet tona, gegërishten dhe toskërishten. Qenia e tij mësues në Korçë për disa vjet e ka ndihmuar ta njohë dhe ta përdorë me aq bukuri e shije të veçantë dialektin e jugut.

5. Anton Mazreku ka qenë një përkthyes i kualifikuar i poezisë së huaj lirike artistike. Ndër të tjera, shqipëroi në metrin origjinal poezinë e njohur të Heinrich Heine, “Lorelei”, të cilën e botoi te revista “Shkëndija”, Tiranë, janar – shkurt 1942, viti II, nr. 7-8 fq. 295. Hapet me këte shënim: “Këndohet simbas melodisë me të njëjtin emër kompozuar nga Friedrich Silcher”. Eshtë përkthyer me mjeshtri aq të madhe sa tingëllon sikur të ishte shkruar në gjuhën tonë amtare. Kam në bibliotekën time tre përkthime të kësaj poezie: një në italisht të Tomaso Gnoli, në librin H. Heine, “Antologjia lirica, dalle migliori traduzioni italiane, Milano, A.Mondadori – Editore, 1935 me 402 faqe dhe me studim introdoktiv e aparat shkencor në fund. Një shqipërim të kësaj pozie ka bërë Arshi Pipa: Heine, Lorelei, te revista “Fryma, viti I; nr. 7-8, f. 345, Shkodër korrik – gusht 1944. Një tjetër përkthim i Loreleit gjëndet në shqip te libri; Heinrich Heine, Poezi, përkthyer prej gjermanishtes nga poeti i shquar e i madh Lasgush Poradeci, Tiranë, 1957, Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve; me 199 faqe. Për mendimin tim, shqipërimi i Anton Mazrekut i kësaj poezie të famshme në letërsinë klasike gjermane është më i bukur dhe i kapshëm.
Për ta konkretizuar më mirë këte ide, më lejoni ta lexoj para jush këtë xhevahir poetik, ashtu siç e ka përkthyer Anton Mazreku:
Nuk di ç’farë do të thotë
Kaq i helmuar që jam,
Një përrallë të vjetër mbi botë,
Gjithnjë në mendje e kam.
Kur ngryset era freskohet,
I qetë Rini rrjedh.
Dhe maj’ e malit ndriçohet
Kur dielli rrezet ia heth.
Më e bukura virgjëreshë
Krenare lart atje rri;
Ka rrobën si mbretëreshë,
Kreh leshrat porsi flori.
I kreh me gribën e artë
Dhe këngës për bukuri
Ja thotë me një të lartë,
Të fortë melodi.
Me mall lundërtarit të shkretit
Ja zuri shpirtin e qetë,
S’i sheh më shkëmbijte e detit
Se heth syt vetëm përpjetë.
Unë varkën, besoj, e lundërtarin
Tallazi tok i fundoi,
Se Lorelei hapi varrin
Me këngën që këndoi.

Anton Mazreku ka pasë sens dhe luhatje në zgjedhjen e poezive të huaja për shqipërim. Dihet nga studjuesit dhe historianët e letërsisë si edhe nga kritikët letrarë dhe estetët se poezia e Lorelei është një nga kryeveprat e poetit të famshëm Heine. Ajo shquhet për koncizitet, për lakonicitet, për sintezë dhe denduri mendimesh. Eshtë një poezi tepër e kondensuar, e ngjeshur, e thuktë – siç thonë kosovarët. Këndej rrjedh edhe vështirësia në përkthim nga origjinali gjermanisht në një gjuhë tjetër të huaj; inkluziv këtu dhe në shqipet. Duhet të jesh poet i mirëfilltë, duhet të njohësh mirë specifikën e artit poetik të Heines si dhe gjuhën prej nga do ta përkthesh, që të apish edhe nuancat e duhura. Legjenda e Loreleit, këngëtares së bukur e magjepëse, e ka burimin tek ekzistenca e një shkëmbi të thepisur me të njëjtin emër, në bregun e djathtë të Rinit. Vendi është i përmendur për jehonën që krijoi nga valët dhe zhaurima e ujit të rrëmbyeshëm dhe nga viktimat e detarëve që përpinte. Legjenda thotë se atje lart, qysh motit të jetës, në perëndim të diellit ose netët me hënë, shfaqej një grua e bukur, një nimfë e vërtetë, e cila duke kënduar, tërhiqte lundërtarët që mahniteshin nga jonet e melodishme dhe nga trupi i saj i mrekullueshëm, nuk shihnin brigjet dhe gërthisnin e mbyteshin në shkëmbinjtë e thepisur. Legjenda është përpunuar nga ana letrare nga një baladë e Klemente Brentano, më 1802, por Heinrich Heine ka mundësi ta ketë marrë nga “Guidë për atë që udhëton për në Rini” të Alois Schreiber të vitit 1918 (Handbuch fur Reisende am Rhein”). Motivi i Loreleit është shumë i lashtë. Gjëndet edhe tek Uliksi, në poemën “Odiseja” të Homerit.

Për të parë për së afërmi aftësinë e përkthyesit të talentuar të poezisë së huaj klasike gjermane, dëshiroj të kujtoj këtu edhe poezinë e poetit Wilhelm Muller, “Bliri” shqipëruar nga Anton Mazreku dhe botuar tek e përkohshmja “Shkëndija”, viti II, nr. 9-10, f. 330; Tiranë mars – prill 1942. Poezia është realizuar në gjuhën tonë me vargun e njohur aleksandrin ose me 14-rrokshin me çezurë metrike në mes. Këndohet simbas melodisë me të njëjtin emër kompozuar nga Franz Schubert. Ja, vetëm strofën e parë, sa për të shijuar aromën dehëse të kësaj lirike:

“Te kroji para portës atje gjendet një blir, / Nën hijen e tij pashë kaqë ëndrra plto hir, / Kaq fjalë trupi i tij m/dhuroi për dashuri, / N’ay vrapovi shpirti im për gaz edh për në zi”.

6. Anton Mazreku ka bërë përkthime edhe nga gjinia letrare e dramatikës. Le të kujtojmë këtu komedinë me një akt: “Gënjeshtra numri gjashtëmbëdhjetë” të autorit italian Mario Buzzichini si edhe pjesën dramaturgjike të titulluar: “Me randësi asht m’u takue” të autorit italian M. Brancacci. Këto dy vepra i botoi te revista kulturore “Vatra shqiptare”, në Tiranë.

7. S’ka dyshim se libri që e përfaqësoi denjësisht si përkthyes Anton Mazrekun, është romani i Georges Sim, “Nikoleta e Dina”, botuar në Korçë, në vitin 1930, nga shtypshkronja e libraria “Drita”. Ka 206 faqe, në format cm. 14x19. Me interes është edhe vepra e Armando Farcaroli-it, “Grat’ e Amerikës, skena nga jeta sociale amerikane, përkthyer nga Anton Mazreku dhe botuar prej tij në shtypshkronjën e “Gazetës së Korçës”, në vitin 1933. Libri ka 72 faqe.

8. Në vargun e shqipërimeve të tija, duhet përfshirë edhe libri i dy autorëve italianë G. Meazza dhe V. Baggioli, “Loja e footballit”, përkthyer nga italishtja prej Anton Mazrekut, botuar në Tiranë, në Shtypshkronjën e Ministris s’Arsimit, në vitin 1927, nga Federata e shoqnive sportive e artistike “Vllaznija shqiptare”. Libri ka 87 faqe. Nënkuptohet kjo vepër nuk ka të bëjë fare me krijimtarinë letrare të Antonit. E përmenda vetëm, për të tërhequr vëmendjen e studjuesit të ardhshëm të figurës së tij. Ky libër ka interes të veçantë për terminologjinë e zbatuar nga përkthyesi në fushën e sportit, veçanërisht të futbollit, në gjuhën e pasur dhe në prozën e limuar.

9. Duke e rrokur me një vështrim përmbledhës gjithë sa parashtruam më sipër, mund të themi se Anton Mazreku dha një ndihmesë të vyer në lëvrimin e poezisë lirike, në përkthimet artistike, në mendimin kritik e gjuhësor shqiptar. Kam një sugjerim: Të hartohet një bibliografi ezauruese e të gjithë artikujve të tij, të botuar në shtypin periodik, të daktilografohet gjithë krijimtaria e tij, të sistemohet dhe të përmblidhet në një vëllim të vetëm, i cili ta përfaqësojë denjësisht figurën e tij.

Loro Borici, Anton Mazreku
Prof. Anton Mazreku i jep Kupen e Kampionatit kapitenit të Vllaznisë.
Shkodër 1946

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...