2017-04-02

Alfred Ashiku – 5 vjet burg politik, vdes në internim





Alfred Ashiku – Lindur në Shkodër 1917.

Ne nje familje ku edhe babai i tij Ndoc Ashiku ishte farmacist.

Mbasi mbaroi filloren dhe Gjimnazin e Shkodres, kryen studimet e larta për Mjeksi (farmaci) në Itali.

Arrestohet në vitin 22 Maj 1947.

Dënohet 10 për agjitacion e propagandë.

Kundërshtar i vendosur i komunizmit.

Lirohet në 24 Mars 1952.

Internohet ne Vlore dhe ku vdes 1962.

Beniamin Bakalli

alfred1

alfred2

NXIRRNI EDHE NGA VARREZAT

Nga Fritz RADOVANI: Pjesa e IX.

NXIRRNI  EDHE  NGA  VARREZAT !

 Image result for ALFRED ASHIKU


PAPA GJON PALI II ka thanë: “Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit...”
TË PRANGUEM TË GJALLËT...E TË PRANGUEM TË VDEKUNIT !
Asht kenë një thanje e vjeter: “Hall’ me vdekë dhe gjyq me rrnue!”
Enver Hoxha ushqehej me gjak klerikësh katolik Shqiptarë! Mbas vitit 1967 i duheshin kocka klerikësh katolik, me i mbajtë në gojë derisa zbuteshin, mandej i kafshonte...
Thonte një Plak në Gri...”Kur qeni fillon me ngranë njerzit e shtëpisë, ai duhet vra!”...
Ndersa, tek ne edhe tashti vazhdojmë me ju besue edhe klyshve të këtyne zagarve...
Nuk asht e largët ajo kohë që shumë nga këto fakte nuk kanë me u besue!
1945, SHKODER 25 MARS, pushkatohen 14 vetë të quejtun Grupi i Prekë Calit ku asht edhe Don Ndre Zadeja. Me tregonte mbas sa vitesh Pjeter Radovani: “Shkova me pa të vramë të shkretin Don Ndre në Zallin e Kirit... Kur u afrova gati më la zemra! Të gjithë Ata të vramë ishin të lidhun njenimetjetrin me sixhir hekuri të mbyllun me dryj. U afrova pak tek Don Ndreu, edhe Ky i lidhun...Por, per çudi, dryni tek duert ishte hapë, se plumbi i kishte ra drynit dhe ishte i vetmi i hapun... Në një moment kur roja u largue, e mora atë dry, dhe ashtu si ishte me gjak e futa në xhep në një shami të mbështjellun. Kur erdha në shtëpi, e mësheha në murin e shtëpisë dhe e murosa me pak gelqere nga krahu i majtë prej derës hymjes... U bane shumë vite dhe, njëditë, sesi mu dha me e kerkue, po, a e beson se e kam harrue vendin ku e kam mësheh... Nuk e gjeta!”
Kur po më tregonte Pjetri këte ngjarje kishin kalue 46 vjetë, ishte viti 1991... Koh’e gjatë.
Asht shumë e vështirë me i kujtue me hollsi ngjarjet e mnershme të atyne viteve !
Sterzgjatjet jo vetem fshijnë shumë fakte nga kujtesa, po edhe i hapin rrugë “Rilindjes”!
30 SHTATOR 1946, Dy nga vrasësit e njohun ma barbar Zoji Thëmeli dhe Vaskë Koleci, në hetuesinë e Shkodres i kishin lidhë krahët mbrapa Av. Muzafer Pipës, per një karrigë të mberthyeme per dysheme. Skuqën një hekur dhe vendosën me ia kalue në muskujt e dy krahëve mbas shpine... Mbasi hekuri kaloi krahun e djathtë...nga dhimbjet e forta, Trupi i Muzaferit bani lëvizje që katilët nuk mujtën me i kontrollue... Hekuri i skuqun takoi per shtyllen kurrizore dhe Muzaferi, mbylli jetën në mënyrën ma mizore. Me 30 Shtator, në mengjes u perhap edhe “legjenda se Muzaferi u vra tue dashtë me ikë nga hetuesia...” Nuk dij çka thotë sot “zbatuesi i urdhërit vrasjes terroristi Aranit Çela?”
■“Shoku komandant”kur u njoh “me zbatimin e urdhërit tij dhenë K.Xoxes” u gëzue!
1951 Imzot Jul Bonatti ishte jashta Shqipnisë para 1944, e sjellin anglezët (e as sot nuk e dij pse?), dënohet 5 vjetë dhe mbas pak kohe e dergojnë në një çmendi... Kur shkon aty me e takue e mesa e vet, Imzoti i Nderuem i tha: “Kam provue tortura të pa ndigjueme e të pa lexueme. Masakra me knaqë shpirtin e tyne pa asnjë arsye...” Shumë shpejtë një natë... E shkyejnë të çmendunit !! As nuk dij me i mendue ata “të çmendun” sesi kanë mërrijtë me shkye një dijetar aq të madh, vetem pse ishte Prift Katolik... E shkyene !!
Kjo ngjau në vitet e para, rreth vitit 1951... Ishte fillimi e, hetuesit ishin si kafshë t’ egra !
Po ma vonë, a u zbuten ata bisha që ushqeheshin vetem me gjak e mish njeriu ?!
1964(?)... Ishte mbrame vonë kur Alfred Ashiku, mbylli farmacinë në Vlonë. Dy xhelat të sigurimit të shtetit e morën me vete “për një sqarim në Degen e Mbrendshme!” U hap fjala në mengjes heret se: “Alfred Ashiku ka vdekë papritmas natën...në shtëpinë e vet”. Legjenda u besue! Ata që e njohën në Vlonë u piklluen per vdekjen e Tij të papritun!
Po, kur morëm vesh të vertetën u brengosen edhe ma shumë! Alfred Ashiku asht thirrë në degë të mbrendshme të Vlonës, dhe nuk ka pranue me “dishmue në rrenë per një mikun e Tij... E kanë mbytë xhelatët tue i derdhë acid në organet genitale... Natën, e kanë çue në dhomen e vet të vdekun...dhe, të nesermen u varros fatziu Alfred Ashiku...”
***
1967 DOSJA 2291... Nga Shqipnia “socialiste” dergohen grupe “të besuarish të PPSH, për të marrur eksperiencë nga zhvillimet e Revolucionit Ideollogjik në Kinë...”  
Disa nga studentët shqiptarë që ishin atë kohë në Kinë, flasin për zhdukje masive të rinisë kineze në vënde të padijtuna, të shumë intelektualëve, profesorëve, ingjenjerëve dhe mjaft njerzëve të thjeshtë që u ndiqnin nga “gardistët e kuq”, drejt Tibetit... etj.
Qendrimi i shkrimtarëve dhe artistëve apo i Akademisë së Shkencave ndaj Revolucionit Kulturor as nuk zehet me gojë. Vetem po të rishikohen librat dhe revistat shqiptare të vitit 1967 e deri në 1991, do të dilte në shesh vneri dhe helmi i tyne antinjerzor...
Aso kohe janë kenë dërgue edhe nga Shqipnia shumë grupe specialistësh të Sigurimit të Shtetit me marrë “përvojën e re” të torturave nga specialistët kinezë. Nuk mjaftonin ato masakra që agjentët tanë aplikonin tek ne që nder ditët e para të “çlirimit” në 1944... Këta grupe i drejtonte katili Nevzat Haznedari me shokë. Qendra e hetimëve tashti u ba Tirana, ku hetonin, torturonin e mbytnin pa pikë mëshire kriminelë të zgjedhun si: Koço Josifi, Ali Xhunga, Elham Xhika, Dhimitër Andoni, Xheudet Miloti, Iljaz Haxhi, Ilo Papa, Shyqyri Çoku, Shkëlzen Bajraktari, Dhimitër Shkodrani, Jake Tefiku etj. të cilët, me “autorizim” të Lefter Gogës, Aranit Çelës, Shuajp Panaritit etj.., mund të përdornin torturat ma shnjerëzore deri në vdekje të burgosunve, “pa asnjë përgjegjësi penale ndaj të pandehurve që mund të vdisnin në duart e tyre në hetuesi.”(Dosja 2291).
Me shumë kujdes Ministria e Mbrendshme emnonte kryetarët e degave të Tiranës dhe të Shkodres, dhe antarët e gjykatave të këtyne qyteteve nga Feqorr Shehu, Rexhep Kolli, Nuri Çakërri, Nuri Resmja, Faik Minarolli, Remzi Kruja, Irakli Bozo, Rustem Gjata etj.
Nder ma të besueshmit terroristë asht kenë monstra e sigurimit të shtetit Shyqyri Çoku, i cili, perveç sa e sa të tjerëve që ka zhdukë nga faqja e dheut, ky ka hetue edhe:
1.      Imz. Ernesto Çoba (1913 – 8 Janar 1980) Mbas hetimeve nga krimineli i njohun Shyqyri Çoku, u dënue 25 vjet burg. U mbajt në hetuesinë e Shkodres...pa asnjë shkak perveç gjendjes randueme nga torturat dhe, një ditë e futen në një thes dhe e nisën per Tiranë. Atje i bane një injeksion dhe vdiq pa asnjë shpjegim...1980.
2.      Don Pjetër Gruda (1922 – 13 Janar 1989) Arrestohet në 1974, hetimet i ban me Shyqyri Çokun, dhe dënohet 15 vjet burg. Në kampin e Sarandës asht gjithnjë i smurë... Tre muej para se me u lirue vdes në kampin Sarandë, 13 Janar 1989.
3.      Don Lec Sahatçija...(1906 – 4 Prill 1986) U arrestue në 1976, u mbajt 225 ditë tue e torturue nga hetuesi Shyqyri Çoku, mbasi nuk pranon asnjë nga akuzat. U dënue 25 vjet burg...vetem se ishte Klerik. Vdiq në Burgun e Tiranës, me 4 Prill 1986.
4.      Hilë Gjoni ose Don Mikel Hilë Beltoja (1935 – 10 Shkurt 1974). Hetuesi kriminel Shyqyri Çoku nuk mungon me 10 Shkurt 1974, dhe bashkë me Alush Bakallin e marrin në Degen e Mbrendshme të Shkodres, me e dergue në Tiranë.
Nga terheqjet si kafshë i shkyjnë kambët dhe Don Mikeli vdes... E dergojnë në Tiranë dhe kufoma e Don Mikelit coptohet gjoja prej studentave të mjeksisë...
5.      At Aleks Baqli...Dënohet per agjitacion e propagandë.
6.      At Leon Kabashi...(Më mungon informacioni i saktë. FR)
7.      At Zef Pllumbi...Dënohet me 25 vjet burg per tentativë arratisje...
8.      Don Zef Hardhija Arrestohet dhe vuejti 12 vjet burg në Spaç.
9.      Don Kol Toni...Vuejti 11 vjet dhe pak kohe mbrapa vdes nga vuejtjet në burg...
10.   Fra Gasper Jubani...(Më mungon informacioni i saktë. FR)
11.   Dom Gjergj Hardhija... Dënohet per agjitacion e propagandë...
●E kushedi, sa krime të këtij hetuesi nuk i dijmë as sot e, as nuk kemi me i dijtë kurrë!
Shyqyri Çoku gradohet dhe shperblehet edhe sot per masakrat ndaj Klerikëve Katolik...
E bashkë me Shyqin kemi Dhimiter Shkodranin, e një varg të pafund kriminelash...
Të cilëve u prinë Xheudet Miloti me grupin e Seksionit Katolik të Degës së Shkodres. 
Ligji komunist i Shtetit vrastarë nuk lejonte që kufomat e të pushkatuemve të merreshin nga Familja dhe të kryhej ceremonia e varrimit. Vendi mbahej i mësheftë dhe shumica e të pushkatuemëve nuk dihen as sot ku janë pushkatue as varrosë...
Ata që vdisnin nder tortura në hetuesi, shumica zhdukeshin... Ndersa, kush vdiste nder burgje ose kampe pune varroseshin mësheftas në varreza dhe ju shenohej një “numur”, që dihej vetem nga zyrat sekrete të Ministrisë së mbrendshme...
●Po kështu, veprohej edhe per të vramit në kufi në “tentativë arratisje” etj...
E sa mija Nana, e gra e motra me lot perfaqe tue i marrë erë rrobave të viktimave, edhe pse të mbushuna me morra e të pista...Vetem pse i dukej se asht era e djalit, e vllaut...
Apo, e Babës apo e Nanës, që nuk do ta shohin persa të jenë jeta...
Disa mija të vramë pa varre... Asnjë Shenjë as Emen tek gropat...
●Nuk vonoi dhe nga Tirana e tiranëve u ndigjue një virrem me za të shkyem pikrisht nga zyret e komitetit qendror të zagarëve të PPSh: “Nxirrni edhe nga Varrezat..!” Ishin disa Burra të tjerë të dijtun, që i sherbyen Atdheut e nuk kursyen asgja per Shqipni...
I nxoren Eshtnat nga Vorret e Tyne dhe i treten... Vetem pse ishin Klerikë Katolik...
●U fillue me Poetin Don Ndre Mjedja dhe vazhdoi masakra ndaj të vdekunve edhe nder fshatrat ma të humbuna, tue perfshi edhe prishjen e të gjitha Kishave Katolike Shqiptare.
●E pra, pothuej, të gjithë kishin ma shumë se dhjetë vjetë që kishin vdekë para 1944 ! 
E mandej, u kujtuen dhe shemben edhe Kishat edhe pse ishin Monumente Kulture!
E mos t’ ishte Gjon Kamsi, u sheshuen edhe Varrezat Monumentale të Rrëmajit...
●Mbas 1967 në Shqipni, nuk kishte asnjë Kishë Katolike si pasojë e “harmonisë fetare”.
Edhe kater mure rrethuese që ishin qyshë me pushtuesit turq në Kala të Shkodres, të njohuna me emnin e Kathedrales së Shen Shtjefnit që në Shek. XV, edhe asaj po i thonë emnit “xhami’ vëllezërit e gjakut të tyne të “ringjallun” në Shek. XXI...
●As ky terror e shfarosje e Shqiptarit per urrejtje...nuk quhet as sot Gjenocid !?
            Vazhdon Pjesa e X.
            Melbourne Prill 2017.







Mr. Kadrush Radogoshi: Një vepër e harruar (e Injac Zamputtit)

Injac-Zamputti-1


E lexova me interes të veçantë shkrimin ,,Rrëfimi i Injac Zamputtit: Pse kundërshtova të spiunoj Eqerem Çabejin?” dhe u gëzova që informacioni që sjell ky shkrim për çudi përputhej me konstatimin tim të bërë 13 vjet më parë për këtë shkrimtar. Kur e kam lexuar librin me tregime ,,Atje, nën hijen e Rozafës” nuk kam pasur kurrfarë informacioni për fatin e autorit, por për çudi intuita nuk më paska mashtruar. Me bindjen se kjo vepër dhe autori i saj kërkojnë vendin e vet në rendin e vlerave të traditës sonë, duke trokitur me forcë në ndërgjegjen e shoqërisë shqiptare, e cila shpeshherë duke afishuar jovlerat apo vlerat e dyshimta, mbulon me harresë vlerat e njëmendta të saj, po jua dërgoj shkrimin tim ,,Një vepër e harruar”, fillimisht i botuar në revistën për kulturë, art, letërsi ,,FJALA” të Prishtinës në numrin e prillit 1997, faqe 6.


Kadrush Radogoshi 1

Më vonë këtë punim e kam futur në librin tim me studime, kritikë e ese ,,Nëpër universin letrar” të botuar në vitin 2003 në shtëpinë botuese ,,Rilindja” të Prishtinës. Ju njoftoj se ky libër në atë vit ka fituar Çmimin ,,Pjetër Bogdani”, i cili jepet për librin më të mirë të vitit në të gjitha zhanret. Përshëndetje vëllazërore Mr. Kadrush Radogoshi NJË VEPËR E HARRUAR Persiatje fillestare

Rastësisht, te një mik që nuk e ka profesion letërsinë, e gjeta një libër të pluhurosur e të zverdhur nga koha. Ashtu si Faik Konica ”Prometeut të mbërthyer” ia fshiva pluhurin dhe fillova ta lexoj. Në kopertinën e parë, në pjesën e sipërme, spikat titulli i shkruar me shkronja të mëdha ”ATJE, NËN HIJEN E ROZAFËS”, ndërsa më poshtë me shkronja të imta ”Tregime nga Injac Zamputti”, kurse në fund ”ISMAIL MULOSMANI BOTONJËS – TIRANË”.

Koha e saktë e botimit, prill 1944, lexohet në kopertinën e fundit, ku është botuar Radhori i botimeve të këtij botuesi, të bëra në muajt mars-prill të atij viti dhe atyre që do të botoheshin në muajin maj, pra të gjitha janë botime në kohën e Luftës së Dytë Botërore, apo në kohën e funksionimit të Shtetit Etnik Shqiptar. Leximin e fillova me bindjen se ky libër tregimesh ishte dënuar me harresë, prandaj kisha kureshtje ta dija shkakun e këtij dënimi. Shkaku i parë dhe më i rëndësishëm se pse mund të dënohet me harresë një vepër letrare mund të jetë vlera e saj modeste. Ky shkak, zakonisht, vepron në lexuesit e popujve, që nuk jetojnë në shoqëritë totalitare, por jo edhe në historinë e letërsisë së tyre, e cila nuk ndodh ta dënojë me heshtje një artefakt të një kohe të kaluar siç ka ndodhur me shumë vepra të letërsisë sonë. Shkaku i dytë është ai jashtë letrar, politik e ideologjik. Meqenëse shqiptarët, në të dy anët e kufirit, për pesëdhjetë vjet jetuan në dy sisteme totalitare dhe antishqiptare, ku vritej për çdo çast fjala dhe mendimi i lirë, përjetuan pasojat e veprimit të shkakut të dytë. Vritej autori si njeri, me vendim gjykate apo pa të, vritej vepra me harresë. Nuk e di se a ka qenë i përndjekur Injac Zamputti apo jo, por ka mjaftuar edhe vetëm fakti i përmendur më parë se vepra është botuar në kohën e funksionimit të shtetit etnik shqiptar, për t’iu shqiptuar dënimi me heshtje. (Ne foto profesor Injac Zamputti)

Tematika shqiptare e perceptuar nga pikëvështrimi i kategorive morale dhe sentimentale

Libri ”Atje nën hijen e Rozafës” i shkrimtarit dhe studiuesit Injac Zamputti përbëhet nga ”Paraqitja” (një formë e prologut), nga shtatëmbëdhjetë tregime dhe tri poezi (”Nji valzer”, ”Rromke” dhe ”Dallëndyshes së vjeshtës”). Tematika e tregimeve është përcaktuar në aspektin e hapësirës vendore dhe kohore. Hapësirën vendore na e sugjeron vet titulli i librit ”Atje, nën hijen e Rozafës”, që e nënkupton qytetin e Shkodrës, ndërsa hapësira kohore e nënkuptuar e në ndonjë rast edhe e përcaktuar saktë është perioda që fillon në pragun e shpalljes së pavarësisë e përfundon në prill të vitit 1944, kur edhe është botuar ky libër tregimesh. Kjo periodë nënkupton kohën, kur shoqëria shqiptare po bënte përpjekje për t’u emancipuar dhe për t’iu bashkangjitur pjesës tjetër të kontinentit, nga e cila ishte shkëputur dhunshëm. Të ndeshur me një okupim të gjatë, shqiptarët nuk patën mundësi ta emancipojnë qenien e tyre kombëtare në të gjitha aspektet, por përkundrazi qenë të detyruar ta konservojnë atë dhe ky konservim, në kohën e funksionimit të shtetit shqiptar, ishte shndërruar në pengesë. Pikërisht pengesa, që shkakton konservimi i gjatë brenda zakoneve shqiptare, pjesa dërmuese e të cilave e kishin humbur karakterin e tyre mbrojtës ndaj qenies kombëtare, është gurra prej nga e seleksionon ”lëndën” për tregimet e tij tregimtari Injac Zamputti.

Pra, të gjitha tregimet e këtij libri i karakterizon tematika shqiptare e perceptuar nga një pikëvështrim që karakterizohet nga kategoritë morale dhe sentimentale duke lënë në plan të dytë e të tretë, apo duke e injoruar fare kondicionimin historik, social e psikologjik të fenomeneve që e përbëjnë atë tematikë. Kategoria bazë për zgjidhjen e konfliktit në këto tregime është zemra, e shndërruar në sinonim të ndenjës dhe virtytit. Duke i dhënë përparësi kësaj kategorie, autori na i sugjeron tiparet sentimentaliste të prozës së tij. Pothuajse, në të gjitha tregimet e këtij libri, konfliktet mbi të cilat ndërtohen ato zgjidhen ashtu siç thotë zemra. Braktisen zakonet, që e pengojnë emancipimin, vetëm pse personazhi vendos ashtu si i dikton zemra. Në tregimin a parë ”Cili asht djepi i im” personazhi Dedë Shpendi e braktisë malësinë dhe zakonet e saj për ta shpëtuar djalin e tij të vetëm Sokolin nga hakmarrja. Më vonë e braktis edhe zakonin e familjes patriarkale, sipas të cilit babai është autoritet i parë dhe absolut në familje. Të dy këto braktisje i bën, sepse i thotë zemra e tij. Kjo braktisje e zakonit në emër të emancipimit e udhëhequr nga ndjesia e personazhit nuk arrin të krijojë një vizion të qartë dhe konkret të atij emancipimi.

Zakoni i familjes patriarkale braktiset edhe nga Lezina, personazhi i tregimit ”Kur t’epet e mbara…”, e cila nuk pajtohet, që të bie viktimë si motra e madhe dhe tre vëllezërit duke mbetur pa u martuar. Një kundërvënie zakonit të hakmarrjes, por edhe mendimit të gabuar të turmës për viktimën e atij zakoni plakën, së cilës ia kishin vrarë të gjithë djemtë dhe nipat me përjashtim të një nipi, që ia kishin shpëtuar e rritur miqtë, e shohim në tregimin ”Shtriga e lagjes”. Këtë plakë e ”ka vrarë pushka apo zakoni” e ”vret ” lagjja, e cila e quan shtrigë dhe e ”vret” nëpunësi që e nxjerr nga shtëpia. Ky tregim është pothuajse i vetmi që e përshkon toni i kritikës sociale. Në tregimet ”Dera qi nuk çelej” dhe ”Ta quej vjedhje” ndeshet tematika sociale, varfëria e madhe e personazheve. Në të parin jepet drama e një lypësi, ndërsa në të dytin drama e një gruaje, që nuk ka me se t’i ushqej fëmijët, prandaj është e detyruar të vjedh në kishë, por me premtimin se do t’i kthej paratë e vjedhura.

Në të dy këto tregime përsëri spikat kategoria e zemrës së pastër apo sinonimi i saj virtyti, në bazë të cilit zgjidhet konflikti në tregim. E njëjta gjë ndodh edhe në tregimin ”Liza e Maria”: kur bindet Liza për virtytin e Marisë, zemra i dikton ta ndërrojë vendimin, që kishte marrë më parë, për ta kthyer te prindët e saj të vërtetë, nga të cilët e kishte marrë para se t’i lindte fëmija i saj. Pjesa më e madhe e tregimeve të këtij libri ndërtohen mbi një skemë të njohur, karakteristike për sentimentalizmin. Dy të rinj dashurohen në mes tyre dhe kjo dashuri zakonisht lind menjëherë, që në kontaktin e parë, qoftë ai edhe vetëm një shikim apo dëgjim i zërit, por që has në pengesa dhe që për t’u realizuar duhet t’i kalojë pengesat, të cilat herë janë të kapërcyeshme e herë të pakapërcyeshme. Në disa tregime edhe kur tejkalohet pengesa mbi të cilën është ndërtuar konflikti i tregimit, nuk ndodh bashkimi i të rinjve, sepse del pengesa e dytë, ajo e pakapërcyeshmja, pranimi i vuajtjes si flijim për të dëshmuar vlerën e lartë morale. Në tregimin ”Na ka bijtë lulja në mur!…” Leci, poet e këngëtar, e dëgjon zërin e Marisë, fqinjës së tij të panjohur dhe dashurohet në të. E njëjta gjë ndodh edhe me Marinë, e cila, kur dëgjon këngën e tij dashurohet, por këtë dashuri e pengon muri i oborrit. Pengesën e kalon Maria, e cila një ditë prej ditësh hyp në mur dhe fytyra e saj i shfaqet Lecit si lule, duke frymëzuar atë për ta krijuar këngën me titull ”Na ka bijtë lulja në mur!…” Mjetet shprehëse janë tipike sentimentale dhe shërbejnë për ngritjen e tensionit emocional. Dominojnë pyetjet retorike, ndërsa portretizimi i vajzës bëhet me ngjyra romantiko-sentimentale, duke e poetizuar natyrën dhe duke antropomorfizuar elementë të saj: ”S’dij pse sod dielli shndrrit ma ambël, s’dij pse lulet e kopshtit apin erë aq të kandëshme, s’dij pse ajo kumbullë n’atë anë të murit ka qit kryet e qeshet…”(f.25).

Pengesa e dashurisë tejkalohet edhe në tregimin ”Lulja e kopshtit”, kur vajza e dashuruar ia qet të parën vjollcë të marsit, të dashurit të saj Lipit, që po i këndonte nën dritaren e saj. Tejkalimi i pengesës në dashurinë e dy të rinjve Bardhit e Prendës, në një tjetër tregim, nënkupton rrënimin e zakonit, sipas të cilit vajzat fejoheshin në djep dhe ironizimin e paragjykimeve dhe anakronizmin e besimit në qeniet mitologjike. Zakoni i fejesës së vajzave në djep është pengesë për realizimin e dashurisë edhe në mes Dilës së fejuar për Bardhin dhe Ndocit, i cili duke e shfrytëzuar kohën e luftës e vret rivalin e tij. Dila, kur e merr vesh këtë fakt nga vet Ndoci, e kërkon gjakun e të fejuarit. E vetmja falje që mund t’ia bëjë është që Ndoci të vritet për lirinë e atdheut. Për dashurinë ndaj Dilës e vret Bardhin, ndërsa për dashurinë ndaj saj dhe atdheut vritet vet. Në tregimin ”Tepër vonë” Djaloshi i dashuruar, në shikim të parë, në vajzën e Gjergj Sybës ia kërkon atij vajzën, por ai jo vetëm që nuk ia jep. por e fejon për tjetërkë. Kur djaloshi po qëndronte nën dritaren e së dashurës, vëllau i saj i vogël bie nga dritarja dhe ai e pret.

Për këtë shkak Gjergj Syba pranon të prish fejesën e vajzës dhe t’ia jep atë djaloshit, por ky nuk pranon sepse i dhimbset i fejuari i saj, i cili mund të vuante nga ky shkak, prandaj e flijon dashurinë e tij për lumturinë e tjetrit. Sipas autorit ky djalosh është fatos sepse ”e dashuron vuajtjen ma shumë se gëzimin dhe asht gadi të flijohet për zemra të panjohtuna”. Derisa në këtë tregim flijimi bëhet për zemrën e panjohur, në atë ”Dramë shpirtnore” Maria Flijon dashurinë e vet ndaj Luigjit, i cili ia kishte rrëmbyer zemrën, për ta bërë të lumtur zemrën e babait të saj Ndoc Fryshanit, i cili e kishte rritur pa nënë që nga mosha e saj trevjeçare. Prirja për të krijuar tregim sentimental, ku kategoria e lotëve është parësore dhe ndikon në rrjedhën e ngjarjes, kushtëzon zgjidhje të pamotivuara në aspektin social besa edhe logjik. Lotët dhe zemra e ndryshojnë rrjedhën e tregimit, duke krijuar në zgjidhje paradoksale. Si mund të arsyetohet kërkesa e babait profesor me studime të kryera jashtë, shkrimtar e shkencëtar, që vajza e tij të mbyllet në shtëpi? Dashuria e penguar nga kodi moral shqiptar, i cili nuk e lejon dashurinë në mes të kushërinjve është në qendër të tregimit ”Kushrij”.

Tregimet ”Mica (ose daci) në shtëpinë e re” dhe ”Zana e mirë” janë tregime për dashurinë ndaj truallit dhe lirisë, për të cilën vlen të rrezikohet jeta, po edhe të flijohet. Në tregimin e parë rrëfehet për tri macet, të cilat nuk shkojnë pas të zotit, kur ai e ndërron shtëpinë dhe truallin, ndërsa daci i zënë në shtëpinë tjetër, pa marrë parasysh kujdesin e njerëzve, është i pakënaqur për shkak të lirisë së humbur, prandaj kërcen nga dritarja e katit të dytë, duke e rrezikuar jetën e tij. Mesazhi i këtij tregimi është i qartë: edhe kafsha rrezikon për ta gjetur lirinë e humbur. Në tregimin e dytë, këngëtari plak, i cili e kishte lënë këngën, pasi e njoftojnë se u fitua liria dhe djali i vogël iu vra në Deçiç për Shqipëri, e merr lahutën dhe fillon të këndojë pa iu dridhur as zëri as dora.

Persiatje përmbyllëse

Poetika e tregimeve të Injac Zamputtit të përmbledhura Brenda librit ”Atje nën hijen e Rozafës” është sentimentaliste, sipas së cilës vepra letrare duhet të shpreh synimet intime dhe ndjenjat e njeriut. Zakonisht rrëfehet për vuajtjet e të dashuruarve, dashurinë e të cilëve e pengon diçka, që herë mund të kalohet ma sakrifica e herë s’mund të kalohet fare, pra tregimet janë të ndërtuara, kryesisht sipas formulës së thjeshtë antitetike. Në të dy rastet rrëfimi është i prekshëm e shpeshherë rrjedhin lot, të cilët burojnë nga zemra e lënduar. Në disa prej këtyre tregimeve haset edhe idila, që është njëra nga temat më të preferuara të sentimentalizmit. Erih Auerbahu në veprën e tij ”Mimezisi” (f.394) për prozën e këtillë ndër të tjera thotë: Për sa i përket moralit, flitet shumë për ndershmërinë dhe virtytet, personazhet edhe kur bëjnë ndonjë gabim, nuk e humbin shprehinë të kenë ndjenja fisnike dhe kënaqen gjatë shqyrtimeve moraliste, të cilat nganjëherë janë naive, por që autori i merr shumë seriozisht”. Autori shërbehet me të gjitha mundësitë e të rrëfyerit, karakteristike për tregimin. Ai përdor të rrëfyerit autorial, të rrëfyerit e personazhit në veten e parë me digresione lirike dhe të rrëfyerit objektiv apo në veten e tretë. Mjetet shprehëse të preferuara për këtë autor janë: peizazhi, krahasimi, antropomorfizimi e aty këtu edhe kontrapunkti (poezia ”Rromke” vuajtja e djalit që kërkon nënën dhe nënës që kërkon djalin e saj të vdekur, është dhënë në pranverë).

2017-03-31

NGA BONI - JUSUF BUXHOVI (fragment nga libri im ne proces Lufta ime per Kosoven)

Rexhep Shahu


Kur kisha lexuar para shumë vitesh romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, nuk kisha guxuar as të ëndërroja se mund të njihesha apo mund të flisja me autorin e tij shkrimtarin e madh të letrave shqipe Jusuf Buxhovi.
Kur gazeta “Rilindja’ filloi të botohej në Tiranë, shkrimet e Jusuf Buxhovit ishin një shkak më tepër që ta lexoja çdo ditë atë gazetë e cila falë Skënder Zogajt, i vinte falas Radio Kukësit. Shkrimet e Jusuf Buxhovit, krahas Ali Podrimes, Mehmet Krajes, Ramush Tahirit, Xhemail Mustafes, Ibrahim Berishes, Rustem Rugovës, Veton Surroit, Shkelzen Maliqit, Sylejman Gashit, Sylejman Aliut, Milazim Krasniqit etj., ishin lëndë e parë për emisionet e mia. Shpesh shkrimet e tyre i përcillja të plota për dëgjuesit e radios.
Duke kërkuar që të mbaja lidhjet me zyrat e Lidhjes Demokratike në Gjermani, me Hafiz Gagicën e Sali Çekën, lidhje që i pati vendosur Izet Duraku, rasti e solli që të mësoj numrin e telefonit të Jusuf Buxhovit.
Dhe në ato ditë të vitit 1998, kur bota filloi të merrej me çeshtjen Kosovë, munda të lidhem me telefon me Jusuf Buxhovin. Nëpërmjet tij, doja që dëgjuesit e Radio Kukësit, që në atë kohë ishin të shumtë në Shqipëri e Kosovë, të informoheshin se çfarë po ndodhte në kancelaritë e perendimit me çeshtjen Kosovë, çfarë kulaçi po gatuhej për Kosovën dhe shqiptarët. (Them … në atë kohë ishin të shumtë dëgjuesit e Radio Kukësit… pasi sot kësaj Radioje ja kanë mbyllur gojën pamundësitë e shumta…).
Gjashtë biseda apo intervista telefonike kam realizuar me Jusuf Buxhovin nga Gjermania. Ai ishte në korent të çdo zhvillimi, ishte i mirëinformuar dhe i gatshëm në çdo kohë.
Ndërsa prisja ndonjë zë të rëndë e të vrazhdë, u befasova prej bisedave me Jusuf Buxhovin. Zë i ngrohtë, i ëmbël, i qartë. Njeri i gjendshëm, i shpejtë, i saktë. Dhe mbi të gjitha, njeri i qartë.
Ka patur raste që lidhjen me Jusufin e kam bërë drejtpërdrejt në edicionin qëndror të lajmeve në radio. Sidomos kur kishte ndonjë zhvillim me rëndësi për Kosovën. Dhe ai nuk harronte asnjëherë të përshendeste dëgjuesit e radios tonë, e sidomos të përshëndeste Gjakovën e njerëzit e saj.
Nuk dua të flas rreth gjithë bisedave që kam realizuar me Jusuf Buxhovin. Vetëm nuk më hiqet nga mendja biseda e realizuar ditën që në Bon të Gjermanisë u zhvillua mbledhja e radhës e Grupit të Kontaktit për Kosovën, mbledhje e drejtuar nga sekretarja amerikane e shtetit Madeleine Albright. Kur i telefonova Jusufit, mu lut që ta merrja në telefon pas dhjetë minutash. Jam në konferencën e shtypit që po jep pas mbledhjes zonja Ollbrajt, mu përgjigj ai. Dhe e lamë ta merrja në telefon në mbrëmje.
Shtypi dhe medja në Shqipëri patën shkruar e folur se në mbledhjën e Grupit të Kontaktit në Bon, ishte ftuar të merrte pjesë edhe kryeminstri i Shqipërisë Fatos Nano. Kështu që unë në intervistën e drejtëpërdrejtë me Jusufin në edicionin e lajmeve të orës 19.30, veç të tjerave, e pyeta Jusufin edhe për këtë gjë, duke e çmuar se thirrja e kryeministrit të Shqipërisë në Mbledhjën e Grupit të Kontaktit për Kosovën ishte domethënëse.
Por Jusufi u përgjigj qartë e shkurt : Në mbledhjen e Grupit të Kontaktit që u zhvillua sot në Bon të Gjermanisë nuk ka marrë pjesë kryeministri i Shqipërisë e as kryeministri i Kosovës.
Po shtypi në Shqipëri ka informuar…, ndërhyra unë. Nuk më la të vazhdoj më tej. Shtypi ka shkruar ç’ka dashur, vijoi Jusufi, por në mbledhje nuk ka marrë pjesë kryeministri i Shqipërisë.
Po çfarë u vendos për Kosovën në këtë mbledhje, e pyeta Jusufin. Asgjë nuk u vendos për Kosovën, u përgjigj me mllef Jusufi. U përkëdhel përsëri Serbia. Iu dha afat përsëri Serbisë që të bëjë vrasje e masakra në Kosovë...
Edhe në bisedat e tjera që kisha zhvilluar me Jusuf Buxhovin, ai gjithmonë këtë gjë ma thonte : Iu la afat përsëri Serbisë…
Kur e pyesja se si është opinioni gjerman e më gjërë për Kosovën, Buxhovi u shpreh në një bisedë, se kam droje se vuajtjet e Kosovës do të bëhën një përditshmëri në shtypin e medjat e këtushme dhe opinioni në perendim do të ambientohet me të e nuk do t’I bëje më përshtypje dhuna serbe në Kosovë…
Në shkrimet dhe analizat e shumta të Jusuf Buxhovit, pata mësuar të jem i qartë edhe vetë për shumëçka. Prej tij pata mësuar që të flasim për largim të Serbisë prej Kosove.
Respekti për këtë gazetar e shkrimtar të madh shqiptar, na bëri që bashkë me Izetin, të zgjidhnim një shkrim të Jusuf Buxhovit dhe ta botonim në numrin 4 të revistës tonë “Dy Drina”, numër special kushtuar Kosovës. Botimi më i parë i një libri me shkrime të gazetarëve me emër nga shumë vende të botës, kushtuar Kosovës, luftës për të dhe paqes së saj. Por që nuk mori jehonë pasi e zhurmuan ata që nuk u përfaqësuan në faqet e saj… Në këtë shkrim fill pas luftës për Kosovën, Buxhovi parashihte Mitrovicën e sotme dhe problemet e saj.
E kam vlerësuar si vlerë të veçantë që për Radio Kukësin ka informuar edhe Jusuf Buxhovi nga Gjermania. Dhe për vetën time privilegj. E ruaj zërin e Jusuf Buxhovit, të cilin ende nuk kam mundur ta takoj edhe pse e deshiroj shume një takim me këtë gazetar dhe shkrimtar të madh shqiptar.

2017-03-27

REXHEP SHAHU : ÇADRA E PROTESTES DESHMON SE KA ENDE SHPRESE


Çadra e lirise, sic e quajne disa, çadra e demokracise, ose sera ku rritet shpresa e shqiptareve, e ngritur pak metra larg vendit ku pati ngritur çadren "restorant pica & berxolla" Edi Rama me militante te Partise Socialiste, i kujton shume gjera kryeministrit Rama dhe shqiptareve qe nuk e pergojojne pa dite asgje per te, thjeshte ne emer te partise.
E para gje qe i thote cadra kryeministrit Rama eshte se ne kete vend ka ende shprese dhe cadra eshte sera ku rritet kjo shprese, mu ne syte e hunden e kryeministrit.
U thote shqiptareve se shume pushtete i ka gllaberuar Edi Rama por ende e ka nje oaz qe nuk e ka pushtue.
U thote shqiptareve se pushteti i rrenes, i shpifjes, i mashtrimit, i lyerjes e suvatimit, i shplarjes se truve te njerzve jane te Edi Rames, por cadra eshte gishti i akuzes qe nuk fshihet edhe pse mediat nen pushtetin e dhunshem te Edi Rames nuk e japin cadren as 10 % sa jepnin mediat cadren "restorant pica & berxolla" Edi Rama kur qeveriste Berisha.
Cadra eshte demokracia qe vepron e lodhur ne kete vend, por vepron duke na kujtue se dhuna e qeverise nuk ka mberri ne limitet kur duhet kape pushka per liri.
Cadra sot eshte tempulli i demokracise, tempull i cili pergojohet ne menyren me te paturpshme nga kryeministri, rrogetaret e shumte anonime e jo anonime, ishsigurimsit ne veprim me familjare e farefis vesi, me viktima te diktatures, spiuna ose jo, qe i konsiderojne farefis te tyre.
Cadra e ngritur nga Partia Demokratike po i ben nder te madh Edi Rames, po ia pohon se ai qeveris ne nje sistem demokratik, ku lejohet te protestohet dhe te ngrihet cader proteste ne oborrin e kryeministrit.
Çadra e PD dhe Lulzim Bashes po i meson Edi Rames durimin, po ia kujton se Rama çalon, eshte i semure, eshte i mplakur, eshte hutuar, eshte i turbulluar, ka dhimbje te medha koke, po ia kujton se nuk eshte shume i zoti ne realitet ani pse mashtron dhe eshte ekselent ne mashtrim.
Cadra qe nuk funksionon perfekt, qe po ia marrin frymen kandidatet per dhendure te pushtetit te neserm, kandidat ministrat, kandidat zevendesministrat, kandidat ambasadoret, kandidate per dhendure pushteti te neserm qe vijne si skorje te pushtetit te djeshem te PD, qe jane aktore deshtake te djeshem dhe aktrojne t'i shiten sot Lulzim Bashes si atllare e atkija kur jane gomere e gomarica, pra kjo cadra edhe pse nuk funksionon perfekt, po na jep shprese dhe po na pohon se ende ka shprese ketu ne kete vend.
Partia Demokratike qe ka vuajtur gjithmone nga mungesa e shpjegimit te saj dhe te puneve te saj, qe jane mijera here me te medha se gjithe punet e bemat e PS, duhet te shpjegohet, duhet te kete shpjeguesit e saj. Dhe nuk mund te jene dot shpjegues te PD ata qe ndjehen si gllaberues te PD, qe ndjehen si te huaj ne PD, qe kane bere lufte per ta varrose dikur PD.
Partia Demokratike me cadren e lirise ose me seren ku po rritet shpresa e shqiptareve, duhet ta dije se asnje shqiptar i zakonshem, i thjeshte, qe rri ne punet e veta, nuk bezdiset nga cadra e lirise. Nga ajo cader shqetesohen pushtetetaret dhe ata qe kujtojne se do te jene ne pushtet gjithe jeten.
Sot shqiptartet dhe ata qe besojne te Partia Demokratike, ata qe duan te besojne, ata qe nuk kane ku besojne, ata qe jane zhgenjyer e po zhgenjehen nga qeveria Rama, kane nevoje te besojne diku, duan nje kishe apo xhami, duan te besojne te PD e te cadra e lirise.
Por te gjithe kane nje pyetje qe e thone ose jo por e peshperijne: a e ka seriozisht PD dhe Lulzim Basha protesten, kauzen, kembenguljen, qendresen.
Nese do te jete qendrestare PD, nese cadra do ta rrise tamam shpresen, le te kurdisen lajme anti PD jo ne televizionet shqiptare por edhe ne ato amerikane apo kineze apo ruse, le te deklarohen zedhenesit e zedhenesve se Amerika eshte kunder apo pro, pasi nje gje eshte e sigurte, te gjithe jane me ate qe eshte serioz, qe eshte trim, qendrestar, qe nuk tradheton veten dhe kauzat e tij dhe ketu ne kete atdheun tone te vogel votojne shqiptaret, jetojne shqiptaret, qe e dine tashme saktesishjt se jane shqiptare dhe jo si para nje shekulli qe nuk e dinin cfare ishin por vetquheshin myslimane apo kaure.
Vetem nje gje i mungon kohes tone, seriozet, qendrestaret, trimat, kembengulesit, perkrahesit e idealisteve, ata qe nuk bejne pazare te ndyra, i mungojne misionaret.
Shpresoj se cadra e protestes po na meson perdite se shqiptaret kane shprese dhe do te kene ku te shpresojne.

2017-03-26

Amerika e Britania ndalojnë laptopët në avionë

Nga sot Amerika e Britania ndalojnë laptopët në avionë


Ka hyrë në fuqi ndalimi i laptopëve dhe tabletave në bagazhet e kabinës për fluturimet nga Turqia dhe disa vende të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, drejt SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Zyrtarët thonë se pajisjet më të mëdha se smartphone-t duhet të udhëtojnë të ndara, për shkak të rreziqeve në rritje se ato mund të përmbajnë eksplozivë.

Ndalimi i Shteteve të Bashkuara përfshin tetë vende, ndërkohë që ndalimet e Britanisë përfshijnë gjashtë vende. Turqia, Maroku, Jordania, Egjipit, Katari, Arabia Saudite, Kuvajti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë vendet e prekura nga ky ndalim, ndërkohë që ato operojnë rreth 50 fluturime në ditë drejt Shteteve të Bashkuara.

Ndalimi britanik prek të gjithë fluturimet që vijnë nga Egjipti, Turqia, Jordania, Arabia Saudite, Tunizia dhe Libani. Çdo pajisje, përfshi edhe smartphone më të gjatë se 16 cm dhe më të gjerë se 9.3 cm nuk do të mund të merren me vetë në këto udhëtime drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka nxitur heqjen e menjëhershme të këtyre ndalimeve, ndërkohë që Departamenti Amerikan për Sigurinë e Brendshme ka cituar sulmet në aeroplane e aeroporte si shkak për këto ndalime.

Ekspertët europianë të sigurisë do të takohen javën e ardhshme për të diskutuar mbi masat, ndërkohë që ekspertë të aviacionit thonë kjo situatë do të dëmtojë fitimet e aerolinjave, pasi rreziqet përfshijnë rënie në numrin e pasagjerëve, pakënaqësi në rritje të klientëve dhe kosto më të larta lidhur me kontrollin e bagazheve.

GJURMUESI I VRASJEVE ENIGMATIKE(Arif Molliqi “Gruaja e vizatuar nudo”, roman. – Botoi “Faik Konica”.-Prishtinë 2008)


Image result for ali jasiqi



Ali D. Jasiqi *



Numri i punëtoreve tanë që punojnë në botën e jashtme, dhe të cilët pos punës se tyre të rëndomtë merren edhe me krijimtari artistike nuk është i vogël. Disa prej tyre janë afirmuar në lëmin e arteve figurative, të tjerët në ato skenike e të ngjashme. Ndërkaq, numri më madh i tyre kanë bërë emër në fushën e letërsisë, duke botuar vepra në të gjitha lëmit e krijimtarisë letrare: në poezi, prozë , në studime letrare apo edhe në dramë. Do theksuar se në të shumtën e rasteve krijimet e tyre sjellin risi në letrat shqipe, nga se ata, në kontakt me letërsitë e vendeve ku jetojnë thithin prej tyre nektarin e domosdoshëm për realizime letrare e artistike në një anë dhe në anën tjetër mallëngjimi apo dashuria për vendlindjen dhe njerëzit e saj, të përjetuara nga largësia është më e madhe se e atyre që jetojnë në fshatin apo qytetin e lindjes. E ky është edhe një nga faktorët që ndikojnë në ndjeshmërinë e krijuesve artistik, në zgjimin e ndjenjave suptile të domosdoshme për krijimtari artistike, veçmas në poezi. Përvoja e fituar nga leximi i veprave të shkrimtarëve të njohur në vendet në të cilat qëndrojnë ata u ndihmojnë ta përsosin shprehjen, ta begatojnë figuracionin dhe ta përsosin stilin. Në mesin e këtyre shkrimtarëve që krijojnë në diasporës, siç i quajmë ne, që me sukses e kultivojnë fjalën e bukur artistike padyshim se dallohet Arif Molliqi, i cili ka vite që e ndeshim në shtypin tonë. Derisa ishte student i gazetarisë në Prishtinë shkruante dhe botonte punim humoristike, herë me emër të plotë e më shumë me pseudonime të ndryshme: si Boksh Baruti, Topuz Bërryli, Prenk Sherri e tjerë. Këtë e bënte për arsye të ndryshme ndër të cilat duhet theksuar frikën nga pasojave që mund të kishte nga politika e ditës, që nuk ishte e favorshme për intelektualet. Në ndërkohë ai bëri emër edhe në letërsi. Pas botimit të disa përmbledhjeve të suksesshme me poezi, këto ditë botoi edhe romanin e tij të radhës me titull “Gruaja e vizatuar mudo”, vepër kjo që zgjon kërshërinë e lexueset jo vetëm me gjuhën e pasur dhe
të pastër shqipe, por edhe me temat, përkatësisht syzhetë në të cilat i vendos ai protagonistet e veprës se vet.
Romani në fjalë,që për kah forma e shtruarjes se lëndës ngjan në mënyrën e shkrimeve kaftane, për të mos thënë se në një mënyrë nga pak u përngjet veprave kriminalistike, trajton disa tema interesante dhe ka një syzhe mjaft tërheqëse që e bënë lexuesin për vete dhe nuk e lejon ta ndërpres leximin pa i ra në fund veprës, me një fjalë është roman që lexohet me një frymë. Të tillë e bëjnë atë edhe ngjarjet që përshkruhen, në një anë dhe rrjedhshmëria dhe lidhshmëria e tyre në anën tjetër, duke krijuar kështu një tërësi, një roman fabula e se cilit është vendos në ditët e sotme dhe në të kaluarën jo të largët,me protagonistë që si dje edhe sot veprojnë me të njëjtën mënyrë, me të njëjta metoda të sjelljeve, në një qytet të Kosovës, që për nga përshkrimi i ambienti dhe të lokaliteteve që zihen në gojë nuk është vështirë të përcaktohet se fjala është për qytetin buzë Erenikut, atë te Mëhallës se Hadumit ,“Kroi i Panxhalles” e lokalitete tjera të njohura, pra për Gjakovën, nga i cili qytet janë edhe protagonistet kryesor të veprës në shqyrtim.

Arif Molliqi: Kush po kërkon ta shkarkojë Rektorin e Universitetit ...

Arif Molliqi

Qe në prolog autori na njofton me protagonistet kryesor të romanit, me ata që e mbajnë barrën kryesore dhe në të njëjtën kohë paralajmëron situata të rrezikshme, absurde, që do të ndodhin në këtë qytet. Në ambientet e një hoteli të këtij qyteti janë varrmihësit, por edhe Lisi,vrasja e të cilit, përkatësisht përpjekja për të zbuluar vrasjen enigmatike të tij është në qendër të fabulës së veprës,me në fjalë është strumbullari i gjithë veprës. Aty janë edhe Selmani i Orosh Tushës, Loshi i Zi, Dush Rrapi e të tjerë, personalitete që i gjejnë me kapitujt vazhdues të romanit. Në këtë pjesë, pra në prolog, Arif Molliqi e njofton lexuesin edhe për vrasjen e tre studentëve në kufi, por edhe të Curr Bregut, gjëja se kanë tentuar ta kalojnë atë ilegalisht. Vrasja e tre nxënësve kishte ndodhë në realitet çka dëshmon se Arif Molliqi e ka shfrytëzuar me mjeshtri ngjarjen e vërtetë, përkatësisht i ka mishëruar artistikisht atë.
Rudina e Curr Bregut e lajmëron Sokolin për vrasjen e Lis Llukës dhe ky e lenë punën në Hamburg dhe kthehet në Kosovë për të gjurmuar vrasësit e shokut të tij të dikurshëm, piktorit të njohur. Sokoli në rrugëtimin e tij kalon nëpër peripeci të shumta dhe në fund në saje të dëshmive të Rudinës, të cilat kujtime kishte filluar t’i botonte një gazetë e mëson të vërtetën për vrasëset serike që kishin ndodhë në qytetin e lindjes si dhe për kurdisjet që u bëheshin njerëzve të ndershëm nga shpirtkëqijtë. Në kapitujt e parë të romanit autori përshkruan me mjeshtri udhëtimin e Sokolit, që ndeshet në gërmadhat e shtëpive të djegura,çka do të thotë se kemi të bëjmë me zhvillimin e disa ngjarjeve që ndodhin pas luftës së fundit. Protagonisti kryesor i romanit, përkatësisht rrëfimtari shëtit nëpër qytet, hyn në kafene duke e vërejtur atmosferën herë herë të pakëndshme e nganjëherë edhe të mirë varësisht nga njerëzit që i ndesh në këto ndeja. Në këtë vazhdë mësojmë edhe për shoqërinë që kishte ky me Lis Llukën dhe me Dush Rrapin dhe momentin kur merr vendimin që të shkojë në emigracion. Është ky një vendim i vështirë, por të thuash i pashmangshëm në rrethanat e krijuara.
Romani nderohesh ashtu që po thuajse krejt ngjarjen e rrëfen narratori, përkatësisht Sokoli, duke e shoqëruar nganjëherë edhe Rudina. Në realitet Molliqi në një formë ose tjetër e sjell në qendër të vëmendjes se lexuesit se romanit edhe Lis Llukën e Jakovës, piktorin që është edhe strumbullarin e ngjarjes, vrasja e të cilit kishte shkaktuar tronditje në mesin e bashkëvendasvet dhe ishte maskuar aq mirë sa që askush nuk mund ta zbulonte të vërtetën e këtij krimi monstruoz. Aty është edhe Rudina , kjo figurë sa tragjike aq edhe enigmatike, një femër që ndodhet në mes të personazhit sa mëkatare aq edhe e viktimizuar. Fundi i saj është tragjik. Asaj i është vrarë burri, Curr Bregu, i dënuar më parë dhe pas vuajtjes se dënimit në burgjet e ish Jugosllavisë vritet kush e di ku dhe i kurdiset se gjëja ka tentuar të kalojë ilegal të kufirit shqiptaro-shqiptar,përkatësisht kalimin e kufirit në mes të ish- Jugosllavisë dhe Shqipërisë dhe në të cilin humben jetën shumë njerëz. I është dhunuar dhe vrarë motra dhe pastaj i është vra edhe djali, i cili kishte qenë në betejën e Koshares dhe në fund vritet edhe vet me rrethana enigmatike. Në vrasjen e saj kanë dorë shumë njerëz, ata që të vrasin natën dhe të qajnë ditën, çfarë ishin Selmani i Orosh Tanushës, Dushi R. të cilët kishin kërkuar që ky i fundit ta lexonte lamtumirës për bashkëshorten e Curr Bregut, në vrasjen e të cilit kishin dorë edhe ata vetë. Këta i kurdisin vrasjen dhe i zhdukin gjurmët e tyre në forma të ndryshme. “Për të kaluarën mos ke frikë. Të gjitha dosjet e policisë që lidhen me Curr Bregun dhe me Lis Llukën, e ndonjë tjetër, ku lakohen emrat tonë kam arritur t’i asgjësoj. Isha në Nish, pagova një njeri dhe ato dosje janë djegur. Askush nuk e di se çfarë ka ndodhur atëherë. Fjalët që fliten Çarshisë mos i dëgjo. Ti bëhu i shurdhër...!” Ky citat nga bisedat e tyre e zbulon fytyrën e vërtetë kriminale të këtyre njerëzve të paskrupullte, që nuk kanë karakter. Kjo ndodh edhe me vrasësit të Rudinës,që është i ngjashëm me atë të Lis Llukës, sepse”Rudina kishte qitur në shitje tri piktura të një formati 80x100 cm, një gjerdan të kuq dhe dy tjerë prej floriri, një zinxhir prej ari me pesë lira të rrethuar,dy palë vath:njëra prej ari e tjetra prej argjendi. Në këtë publikim ( fjala është për shkrimin e një gazete – nënvizimi ynë A.D. J) thuhej se për shitje kishte edhe libra, dhe dy dorëshkrime...” Dhe këto do të ishin të mjaftueshme për vrasjen e saj, që të humbin gjurmët e dokumente të atyre dokumenteve që do të mund të ndihmonin zbulimin e vrasjeve të shumta dhe aktorët e tyre,që kishin ndodhur në qytet. Kufomën e saj e kishin gjetur në breg të Drinit dhe policia kishte thënë se “ vrasësit kishin pasur për qëllim tjetër përveç një plaçkitje që kishte ndodhur nga ca tipa të pasjellshëm e të paedukuar”.
Protagonistet e romanit në shqyrtim janë ose artist ose dashamirë të artit, qoftë të pikturës apo edhe të teatrit. Madje në pjesë bukur e mirë e ngjarjeve zhvillohet në këso ambientesh, si në atelienë e Col Gurit apo edhe në holin e teatrit, ku shkojnë edhe kriminelët gjëja si dashamirës të artit. Romani dallohet edhe për një cilësi të veçantë të shtruarjes se lëndës. Autori me mjeshtri zgjon kërshërinë e lexuesit duke krijuar situata të veçanta për të përcjellë rrëfimin me intriga të shumta, me dashuri, por edhe urrejtje, me paradokse, elemente groteske elemente këto që e bëjnë atë prozë të suksesshme. Kështu autori do të rrëfeje për “gomarin që fluturon”në Fushë Kosove,për ”gruan që bën dashuri me një të vdekur”, “për macen e zezë” e të ngjashme .
Të gjitha këto i japin një gjallëri fabulës qendrore të romanit, e largojnë monotoninë dhe e freskojnë lexuesin për të vazhduar me kërkimin e së vërtetës për vrasjet enigmatike, që nuk janë edhe të pakta dhe të cilat bëhen për qëllime të caktuara, në radhë të parë për zhdukjen e fakteve që do t’i zbulonin vrasësit. Si i këtillë ky roman hyn në grupin e veprave të realizuara, vepër që meriton të lexohet dhe rilexohet dhe të ruhet në bibliotekat tona. Sepse është një realizim i suksesshëm, një roman që shënon një realizim të suksesshëm të autorit dhe në të njëjtën kohë edhe një arritje cilësore në prozën tonë bashkëkohore shqipe.

(Arif Molliqi, lindi në vitin 1953, është shkrimtar shqiptar nga Kosova, i lindur në Llukë të Epërme afër Deçanit.

Me shkrime ka filluar nga viti i fundit të gjimnazit ( kohë kur filloi të botoi), edhe pse ka shkruar më herët. Në fillim nuk e ngacmonte aq shumë poezia, andaj filloi më humor dhe satirë, n´atë kohë nuk preferohei shumë satira, andaj për ti ikur „keqkuptimeve“ filloj të shkruaj edhe poezi.

Satiren e shkroi krejt padiktueshëm tek gazeta humoristike „ Thumb, duke botuar me pseudonime të ndryshme si; Boksh Baruti, Topuz Bërryli, Prenk Sherri etjera. Gjatë vitit 1977/78 bashkëpunoi në gazeten e studenteve „Bota e re“ ne faqen e kulturës, e sidomos në satirë dhe humor.Këtë bëri edhe më Radio televizionin e Prishtinës, shkroj disa pjesë humoristike që i dha televizioni.
Edhe në „Rilindje“ botoi shumë shkrime saterike gjersa një ditë, të shqetësuar miqët e tij e rekomandojnë; herë për herë ta le satirën sepse ishte gjini letrare e „vështirë“ për kohën. Pas kësaj „këshille“, Molliqi e vazhdoi me intenzivisht me poezi,prozë dhe dramaturgji. Eshtë shpërblye disa herë me vendin e parë dhe të dytë në konkurset letrare për poezi.

Veprat

Gjer tani Arif Molliqi ka botuar:
“Simfoni për darkën e qenve”, poezi, Prishtinë, 1994
“Në udhëkryq pa zhurmë”, (poezi), Toena, Tiranë, 1996
“Loja e Sarkofagut”, (dramë), Eurorilindja, Tiranë, 1998,
“Psherëtima e zareve”, (poezi), Panteoni, Tiranë, 1999
”Përplasje” (skica dhe mbresa), Fakti, Shkup, 2000
"Premiera e një pranvere”, (poezi), Rilindja, Prishtinë, 200
“Kafka e ujkut”, (roman), Toena, Tiranë, 2001
”Dëshmorët jetojnë pas vdekjes”, (monografi), Prizren,2002
“Shënime nga arkiva e qytetit D.”, (roman), Faik Konica, Prishtinë, 2003
“Pelegrinazh i ftohtë në qytetin D.” (poezi) Faik Konica, Prishtinë, 2004
“ Loja e dytë e Sarkofagut”, (dramë) Rozafa, Prishtinë (Kjo dramë është marrë për botim nga konkursi letrar i shpallur nga Ministria për Kulturë e Kosovës, për vitin 2003/2004, në mesin e shumë dorëshkrimeve në konkurs)
“Portret i pambaruar”, (poezi) Faik Konica, Prishtinë, 2006
“Klubi Shqiptar Verrat e Llukës“ në Hamburg“, (monografi), klubi, 2007.
"Gruaja e vizatuar nudo", roman, Faik Konica, Prishtinë, 2008.

Antologji

Arif Molliqi, është prezentuar edhe në këto libra dhe antologji:
Halil Haxhosaj: “Premtime letrare, shkrime kritike, Prishtinë,2006
Shefqet Dibrani: “Libri dhe mbresa”, kritikë letrare, Zvicer 2005,
Chelaru Marius, Baki Ymer dhe Luan Topçiu “Antologji e poezisë shqipe”, në gjuhen rumune, një antologji më disa poetë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, Valman, Rumani, 2006)

Etj.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...