Agjencioni floripress.blogspot.com

2017/05/08

SOTIR ATHANASI : Refleksion mbi librin: TURMA LETRARE "CLIQUE" nga: Dr FATMIR TERZIU


      SOTIR ATHANASI


Subject:Refleksion për librin: "TURMA LETRARE "CLIQUE" nga Dr.FATMIR TERZIU
From:Sotir Athanasiou (sotir.mimi@gmail.com)
To:ptcflomed@yahoo.co.uk;
Date:Saturday, 6 May 2017, 18:15

Miku im, Prof.Dr.FLORI, mirëmbrëma! 

Bashkë me dëshirën e mirë për të shijuar fundjavën e këndshme që ka zbritur në këtë fillim pranvere, (pavarësisht nga situata në BALLKANIN tonë të trazuar, që konsumon më shumë se sa i takon PSEUDOGRINDJE SEZIONALE dhe i lë ku e ku vëndet skandinave e ato nordike të kenë ndodhi të ngjajshme në mos në një dhjetëvjeçar, në pesë mesiguri.  

Esse-ja që po Ju përcjell, është nga të rrallat që shkruajta këtë javë për librin e mikut tim në Londër: Dr.FATMIR TERZIU.

Mendova se s'kishte pse të mbetej jashtë portali Juaj pa u njohur të paktën me këtë botim tejet të veçantë në llojin e vet. 

Përfundoj, 

Shoqërisht, 

Sotir Athanasi 

Athinë, 6, Mars, 2017! 
      

"TURMA LETRARE "CLIQUE".

Është libri I fundit i dalë nga pena shumë produktive me firmën: Dr.FATMIR TERZIU

Aty janë përmbledhur studime, mendime analiza dhe jo vetëm, të cilat hedhin dritë "përtej kurtheve e blogjeve për shkrimtarët. . . , veçanërisht përtej komenteve në borde.  Nuk kanë të bëjnë as me aktvendimet e tyre e aq më pak me krijuesit që kërkojnë  të jenë drejt për drejt në prodhimin letrar", - siç arsyeton  me shumë kopetencë, kamje gjuhësore e thellësi mendimi, autori.

Dr.TERZIU e sheh të domosdoshëm dhe me shumë të drejtë që t'a hapi librin me spjegimin e termit: "CLIQUE"

Mbi këtë dhe ndonjë problem pranë tij, është baza e këtij refleksioni. Sepse, nuk mëtoj të zotroj forcën e duhur për shqyrtimin, zbërthim e aq më pak, bisturinë e autopsisë së kësaj lënde e këtyre shënimeve në një stekë tejet të ngrijtur akademike. Për më tepër, jashtë fushës sime krijuese. Por hovëzimi që më dha libri pasi e lexova, më bëri të ulem e të hedh këto rradhë që janë më pranë një opinioni, se sa një analize.

Në fjalorin shqip me ( KLIKË ) "CLIQUE" nënkuptojmë një grup të vogël njerëzish që bashkohen nga ambicie, interesa, qëllime të këqija e që zhvillojnë një veprimtari të dëmshme: dhe shëmbujt janë tejet në ekstrem si: Klikë tradhtarësh ( renegatësh), Klikë ushtarake, Klikë imperialistë, Klikë revizioniste, etj.
Por në këtë libër, nuk është fjala për këtë përkufizim kaq të ngushtë, cinik, përbuzës e tërësisht antihuman. Karakterizime këto të monizmit, jo. Jo dhe jo.

Fjala është për një tjetër gjë. Aspak të keqe. Përkundrazi. Të mirë dhe konkretisht. Për atë që: një grup njerëzish ndjejnë domosdoshmërinë të takohen në një ambjent, qoftë edhe kafe, për të këmbyer mendime qëllim'mira, edhe pse kjo tufë njerëzish, mund të quhet KLIKË. Por që mbart një tjetër mëndësi e një tjetër kuptim.

Tek lexon hollësi në këtë spjegim, s'mund të anashkalosh finesën dhe mprehtësinë në qëmtimin e rasteve pozitive si shëmbulli I "Coleridxhe, kur shkoi në Stouey dhe gjeti një vlerësim të paçmuar në shoqërinë e lagjes dhe një nderim të barabartë me atë që ishte konsideruar një poet, filozof, apo një burrë nga fusha e artit krijues.

Nga ana tjetër, autori nënvizon se:  edhe  "këto "CLIQUE" Letrare me snobizmin e tyre, me dredhi të errëta dhe inçestin (vetë-urim ) tentojnë të bëjnë asgjë, por edhe të hedhin baltë mbi gurrat e kënaqësisë letrare ( Arch Clique ) , ose "Shigjetë Clique" ).

Më kujtohet në rininë time të hershme ne, një grup letrarësh,  grumbulloheshim në Pallatin e Kulturës "A.Kelmendi", në Tiranë.  Aty "rrihnim" temat e tregimeve tona me njëri-tjetrin.  Unë punoja në shtypshkronjë dhe në repartin e XINGOGRAFISË ca gurë të bardhë pak më të vegjël se ato të bilardos, përplaseshin me njëri tjetrin në funksion të proçesit në xingografi. Ata gurë ishin njësoj të lëmuar, se të tillë I bënte karamboli. Duke u nisur nga ky fakt e kjo ngjajshmëri, atë shoqëri unë e kam quajtur: XINGOGRAFIA. Dhe çdo krijim, edhe pse kishte unin e autorit, ai sërish do të  merrte "vulën" e grupit. Pra të XINGOGRAFISË.  

Dhe ne nuk e njihnim aspak Chestertonin me të cilin argumenton kaq natyrshëm Dr.TERZIU  kur thotë:
"Bukuria që ata shohin ( Është fjala për poetin i cili është I admiruar nga poetët, duhet të jetë më i madhi i poetëve ), në punën e tij, është pjesërisht edhe puna e tyre, po aq sa edhe puna e tij".

Këtu ne ishim aty, aty, se na karakterizonte syçeltërsia. Shtoi vëmëndjen dhe  kujdesin tonë në atë të quajtur,  apo të nënkuptuarën: auto-çensurë. Për shëmbëll:

Në gazetën e vetme letrare DRITA, u botua një shkrim I tillë ku nënvizohej se në Peru, kryetari I shtetit për të gjallëruar jetën kulturore, njoftoi për një konkurs letrar. Ditën e shpalljes së fituesve, në një sallë të mbyllur, lexoi emrin e atij që kishte merituar çmimin e parë. Më kot priti  ca sekonda se pastaj u ngrijt dikush dhe tha: autori është në burg. Pushtetari vari turinjtë dhe lexoi emrin e çmimit të dytë. Sërisht ngrihet dikush dhe thotë të njëjtën gjë. Kryepushtetari sërish rrudhi surratin. Në çmimin e tretë, në vënd të shkrimtarit fitues, doli e ëma të marri çmimin se. . . ., i biri kishte vdekur në burg.

Ne të XINGOGRAFISË,  qeshnim nënbuzë me këtë autogol të redaksisë që kërkonte të na mbushte mëndjen se forcat përparimtare ishin të burgosura dhe harronin se, ATO FORCA, BOTONIN megjithatë. E madje, merrnin edhe ÇMIME. Kurse, autorit të këtij shkrimi i qe hequr e drejta e botimit për një hiç kleçke në xhinsin e tij.
Ky mund të qe edhe provokim. Por ne ama ( të "mbrujtur me mësimet e. . .,

TË PAUDHIT ) s'linim të kalonte asgjë që. . . , Dr.TERZIU e përmënd në hartimet e tij, I cili  gjithsesi, përfundon me një përkufizim të shkrimtares franceze JANE YOLEN, kur thotë se :

"Letërsia është një sëmundje që transmetohet tekstualisht, por që është e kontraktuar që në fëmijëri"
Atëhere, a ka ndonjë shpresë të shërohet letërsia jonë e "kontraktuar që në fëmijëri"? e të infektuar nga mjaft gjëra, dhe së shumti: të shkruarit drejt Çmëndisë?

"Të shkuarit drejt çmëndurinë,  është rruga më  e ngadaltë dhe më gallofe e punës së letrave, ose më saktë e shkrimit të letërsisë",- nënvizon autori I lebrit: Dr.TERZIU.

Mbi didaktin dhe didaktikën:

Dr.J.Miruss pranon se "sa më shpejt një shkrimtar bëhet moralizuar (didaktik) aq më shpejt ai dështon". Dhe Dr.TERZIU, me gojën e këtij autori na ngushëllon se ka edhe përjashtime. Dhe përmënd Dikensin I cili njihet për tmerrin e tij didaktik në kohë. Po kështu,  romancierë të mëdhenj rusë, kanë ndërtuar personazhe didaktike vlera e të cilëve ishte të përfaqësonin mendimin që mbart ide e ideologji.

Megjithatë, risia të lulëzojë romani, ajo mban një kënd, një skedim, një arsye. Por jo gjithënjë, morali dhe stimuli moralizuar është letërsi. Miruss, me këtë rast, nënvizon:

"Nëse ju nuk mund të zotëroni talentin në "fiction" (trillim) {unë e kam ndryshuar duke përdorur fjalën: PARAMNEZI = Përzierja e REALITETIT me trillin artistik, si më të saktin, S.A. } pa qënë didaktikë, ju kurrë nuk do të zotroni formën artizanale të "fictionit".

Që nënkupton se letrat dhe letëkrijuesit janë gjithënjë angazhimi I një ideje jashtë gamës së dogmave dhe shabllonizmave.  
Dhe Dr.TERZIU përfundon me një thënie-përkufizim brilant e dridhërues:

Njeriu frymëmarrës dhe krijuesi I letrave,  kanë rrugë të ndryshme në një trup fizik.
Jashtë moralit dhe didaktik për 'të. Në këtë mënyrë, krijuesi është i lirshëm. Nuk ndikohet. Shkurt bën Art. Artin e fjalës së bukur.  

Një tjetër problem shtron shkrimtari novelist amerikan kur thotë se:

Ky brez nuk mund të prodhojë literaturë të barabartë me atë të çdo brezi  të kaluar.
Shkrimtari do të jetë I vdekur para se dikush t'a gjykojë atë.

I një natyre të ngjajshme  e shqetëson Dr.Terziun kur I duhet të shprehet se:

"Romani ngrihet në nivelin e letërsisë kur ajo si një kompleks hapsirash  kombinon: bukurinë formale, mjeshtrin teknike dhe thellësinë e perceptimit në të treguar një histori të mirë". Dhe ne pranojmë se është afër mëndsh që do të nënvizohet mepatjetër. Çfarë? Trinomi filozofik: kohë, hapsirë dhe vënd.

Në të gjitha,kohërat ka qënë problem për shkrimtarët e rinj edhe imitimi i autorëve të mëdhenj. Cilëtdo qofshin ata dhe sado të mëdhenj. Fantazia e tjetrit, është në të njëjtën kohë edhe identiteti i tjetrit.

Të mos harrojmë se . . ."Ajo pra, letërsia e identitetit kulturor , automatikisht ngre një roman me statusin e saj që ne e quajmë letërsi".

Me këtë rast, ndonëse dalim cazë nga libri, I lejoj vetes të krahasoj kohërat, ose epokat.

Molieri në kohën e vet shkroi për. . . BORGJEZIN FISNIK.

Ishte shtresa e ulët që me forma herë mbi e herë nën rrogoz, e rriti shkallën e pasurisë. Por kjo s'do të thoshte se u njehsua me fisnikët . Paraja ka forcë e pushtet ndaj njeriun. Prandaj personazhi kryesor te BORGJEZI  FISNIK, mori profesorë për të mësuar si të sillej në pritjen dhe përcjelljen e njerëzve të një rangu fisnik. Dhe tingëllon tejet reale e aspak e trilluar ndonëse është po aq groteske fakti që e folura bisedore midis njerëzve dhe atij vetë QUHET PROZË !?! A nuk është edhe ky grupim njerëzish një "CLIQUE".

Në programet e së djelës në TOP CHANNEL TV PORTOKALLI, trajtohet me shumë art figura e këtyre borgjezëve  tanë të rinj. Shikoni BUKURIEN dhe vajzën me dialekt korçar, që luan sektëretaren e saj dhe që zonja BUKURIE, me injorancën e vet ulëritëse e trajton më keq se një të paditur njeriun të formuar si qytetare që ka pranë saj.

Mua, në fillimet e letërsisë dhe përkitas, pas botimit të tregimit të parë, një koleg-linotypist  në shtypshkronjën Bashkimi , atje ku printoheshin gazetat, moshatari im, pasi e pa TREGIMIN, më tha:

- E lexova artikullin (!?!)  tënd. Bravo! Do të bëhesh poet! (?!?)

Ai bëri dy gabime. E para: nuk ishte artikull por tregim. E dyta: me tregim (PROZË), mund të bëhesh shkrimtar dhe jo poet.
A nuk përfaqësojnë tipa të tillë një. . ."CLIQUE", që mbushin çdo ditë kafenetë?
Këtë dukuri, në një tjetër lloj këndi Dr.TERZIU  e ka trajtuar në kapitullin: "Për Pesimistë, po aq edhe Optimistët.

Mbi "Kaosin në letrat shqip" të V.Saros dhe mendimin e Dr.TERZIUT.  

Unë e kam lexuar në portalin Fjala e lirë.com që drejtohet nga Dr.F.Terziu. Aty pashë edhe solidaritetin  e disa shkrimtarëve. Në libër Dr.TERZIU e trajton në një kapitull dinjitoz. Por unë, do t'u shtoj diçka personale. Falmani ngjajshmërinë me tipin e mrekullueshëm të Q.Buxheli, inskenuar nga P.Kulla: Doni më për Belulin . Se nuk ka të bëjë me mburrjen, por me diskriminimin. Konkretisht:

Kisha botuar romanin POLEN GRUAJE, ose: STAFETË E DHIMBSHME E NJË DASHURIE PARISJENE.
Vajta në librarinë ADRION në Pallatin e Kulturës në Tiranë.

Ishte e treta herë që nuk e gjeja librin tim në stendat e tyre.

I telefonova botuesit me tonin në kufijtë e durimit, por edhe të shpërthimit. Të nesërmen, vajta sërish.
Dy vajza të reja shkuan te stenda  e librit të ri. Më kërkuan t'u spjegoja për kopertinën dhe unë u thashë:

Në kapak KULLA EIFEL dhe një çift nën ombrellë. Brënda është portreti i strukur i autorit.

Në raftet e fundit, njëra nga të rejat, si më e orientuara u befasua kur e pa kULLËN EIFEL të përmbysur. Ajo me shumë shkathtësi ( sigurisht edhe me një kuriozitet të natyrshëm ) pa portretin tim dhe më tha:
- Ju qënkeni autori?

- Fatkeqësisht po, - thashë unë dhe sytë m'u njomën kur pashë se ku qe reklamuar libri im. Mundi, emocioni, netët pagjumë për gati një vit. Por edhe lotët për dramën e personazheve.

Vajza e re, nuk ishte mospërfillëse dhe e ndjeu dëshpërimin tim.

- Librat I vendosim sipas alfabetit. Prandaj . . .  rradha e tij ishte aty në fund.
- Zonjushe, - iu drejtova asaj. Më falni, a jeni e martuar?   

- Jo akoma.

- Kur të martohen dhe të vishni fustanin e bardhë, do të ndjeni se jeni dikush.  Se keni ditën Tuaj. Se jeni Princesha e asaj dite. Se ka ardhur Princi i Kaltër t'u marrë. Se. . .

Edhe një libër kështu duhet të jetë. Të paktën ditën e parë në. . . .stendën e librit të ri. Aty më tutje është KADARE me një stendë të tërë. Mirë keni bërë. Por e dini si quhet kjo, bija ime?

Bajraktarizëm. Dhe e dini pse?

Se në kohën e tyre, në një odë të madhe, në krye qëndronte BAJRAKTARI. Përqark odës, rrinin malësorët.  Ai që hynte në ODË përshëndeste kështu:

- MIRËMËNGJES, O BAJRAKTAR!

Dëgjonte përgjigjen e tij, pastaj u drejtohej bashkëmalsorëve:

-TUNGJATJETA JU TË TJERËT .

Dhe harroni zonjushë e dashur se, Letërsia shqipe si ajo e djeshmja dhe kjo e sotmja, nuk është vetëm KADARE.

Tani që po hedh këto shënime në librin tim me tregime, abstraktimi më shpie shekuj larg. Sulltani që pushtoi ALEKSANDRINË   u pyet se ç'duhet të bënin me bibliotekën  e saj.

Dhe Ai u përgjigj:

- Në qoftëse aty ka libra me shkrime që nuk I përmban KURANI, duhen djegur. Por. . ., edhe po të ketë shkrime të cilat i kemi në KURAN, edhe ato duhen djegur.  Se s'kanë ç'na duhen se kemi KURANIN .

Në librin e Dr.FATMIR TERZIU,   ky problem shtrohet në një tjetër kënd mbi kaosin e letërsisë. Dhe bën shumë mirë. Ai ka një kapitull të tërë edhe për pesimistë dhe optimistët e leximit. Ashtu siç ka edhe Rrugë të reja në krijimtarinë shqiptare, etj., etj.,

Dhe nuk rreshtet së qëmtuari edhe për FISHTËN e papërsëritshëm , apo, për  Romanin përtej "Proit të ndërgjegjes", Dy herë shqiponja, Bijt e shqipes, Tumirje pritambël  për të përfunduar në Kohë enden në pakohë.  

Unë e pohova që në krye se ky shkrim nuk mëton zbërthimin e këtij libri ku mendimi filozofik I autorit, kap krenajën dhe thellësia e mendimit merr ngjajshëmrinë herë-herë të  sondës dhe herë-herë të hulumtuesit e shqyrtuesit të materialit që sjell nëpër duar, ku, nuk mungon edhe hanxhari në ndonjë paragraf, ashtu si tingulli I ëmbël I njeriut që do vëndin e tij nga largësitë akademike të Londrës.

SOTIR ATHANASI,
Athinë,
5, Maj, 2017!

*******



SOTIR ATHANASI,Ka lindur në LLAVRIO të ATHINËS nga një familje me origjinë shqiptare më 26, MAJ, 1940.
Ishte vetëm gjashtë muajsh kur prindërit e tij u kthyen në Atdhe, ( në TIRANË.)

Në moshën shtatë vjeçare mbeti jetim. Fëmijërinë, shkollën 7 vjeçare si edhe të mesmen, e kaloi konvikteve.

Në rini çfaqI  prirje për letërsi, por nuk iu dha e drejta për të kryer fakultetin.

Shkrimet e para (në prozë) nisi t'I botojë në organet e kohës si: ZËRI I RINISË, Rev.YLLI, por edhe në gazetën DRITA, apo SHQIPTARJA E RE, si edhe në SHTËPINË QËNDRORE TË KRIJIMTARISË POPULLORE, me pjesë me një akt.

Për shkak të LUFTËS SË KLASAVE, iu hoq e drejta e botimit. 

Që nga viti '91 jeton familjarisht në Athinë ku: nuk ka parë asnjë ëndërr me këtë qytet. Por vetëm me TIRANËN. Vuan ende humbjen prej 26 vjetësh të ATDHEUT.

Prej një dekade e gjysëm mbajti hapur një dyqan turistik të cilin shtypi I kohës do t'a quante: QËNDRA KULTURORE E SHQIPTARËVE NË PIRE. 

Aty mund të gjeje: përveç DISKUT, FILMIT, VIDEOS e SIMBOLEVE SHQIPTARE, edhe LIBRIN SHQIP. ( Dyqani u mbyll më 2008-tën për shkak të krizës Greke ).

 SOTIR ATHANAS (I) Se tingëllon më mirë në shqip,dhe jo ATHANASI (U) Se tingëllon në greqisht.
Pra: SOTIR ATHANASI, është antar I Klubit të shkrimtarëve Shqiptar në Botë me qëndër në ATHINË.

Ka botuar : 

PUSI I VIRGJËRESHËS, (Novel)

MIDIS DY DASHURIVE  (Trilogji )

POLEN GRUAJE, ose: STAFETË E DHIMBSHME E NJË DASHURIE PARISJENE (Roman)

Athinë, 2, Maj, 2017! 

Nga Rajmonda Maleçka : 60 Vjet "Emmy Awards"





Në faqen zyrtare të Organizatës së Gruas The Women's Organization "Hope & Peace" ishin postuar disa foto nga 60 Vjetori i "Emmy Awards" 2017 mbajtur në New York më datë 6 Maj 2017, ku mes tyre dallova edhe gazetaren e guximshme Zj. Mimoza Dajçi.


Dashamirësia dhe respekti për miken time të hershme më shtyu ta kontaktoja rreth këtij eventi të rëndësishëm. "Po - tha ajo - isha e ftuar në mbrëmjen Gala të "Emmy-t" në New York". Kaq mjaftoi dhe unë nisa të shkruaj rreth kësaj Ceremonie Prestigjoze Çmimesh në SHBA, spektakle të cilat janë akoma ëndërr për ne shqiptarët në Shqipëri.


Në këtë event të artit, shkencës, medias dhe televizionit amerikan Mimoza ishte ftuar në cilësinë e gazetares internacionale. Status që e gëzon prej vitesh.

Akademia Nacionale e ndarjes së "Emmy Awards" 2017, këtë vit shënonte 60 Vjetorin Jubilar të Themelimit. Misioni i këtij Çmimi të Lartë synon vlerësimin që u jepet njerëzve të artit, shkencës, gazetarisë, televizionit për punën e tyre kreative e të suksesshme. Shënon arritjet, nxit dhe inkurajon talentet për një punë më të frytshme në këtë industri.


Fituesë të "Emmy Awards" këtë vit ishin gazetarë profesionistë e të rinj, të cilët kishin realizuar emisione, dokumentare dhe kronika të ndryshme, që kishin impresionuar jo vetëm publikun e gjerë, por edhe jurinë e "Emmy Awards". Mbrëmja Gala filloi me një koktej të pasur, ndërsa në Tapetin e Kuq parakaluan dhe u fotografuan celebritetet dhe të ftuarit, më pas u hapën dyert për festimin e madh.

Në "Emmy Awards" 2017 në Manhattan, Moza pati rast të takojë, flasë e të ulet në një tryezë me shumë personalitete të larta të artit, shkencës, kinematografisë dhe televizionit amerikan si Presidenten e "Emmy Awards" Zj. Denise Rover, Mjekun e famshëm Dr. Oz, gazetarin Marvin Scott - fitues i 11 Çmimeve Prestigjoze "Emmy" për arritje të larta në gazetari, gazetaren investigative kundër krimeve, fituesen e 15 Çmimeve "Emmy" Sarah Wallace, aktoren e vogël Hollivudiane Isabelle Tsereteli, Princin e Gjermanisë Prince Mario Max Schaumburg Lippe e të tjerë.


Salla madhështore, zbukuruar me shandanë, lule dhe zbukurime klass-i jepte menjëherë impaktin e një spektakli magjik që të mbante tërhequr gjatë gjithë kohës.

Në të morrën pjesë mbi 1000 persona dhe Moza ishte e mendimit, se krahas gazetarëve dhe producentëve amerikan mund të ishin ftuar apo nominuar për Çmimin "Emmy" edhe shqiptarë të tjerë.

Mbrëmja Gala "Emmy Awards" 2017 u moderua nga vetë Presidentja e kësaj Akademie Zj. Denise Rover, e cila për punën e saj të suksesshme u dekorua me "Emmy Awards" 2017.

 Darka me personalitetet e famshme në SHBA kaloi bukur, këndshëm, me ovacione dhe duartrokitje të shumta.

Ja si të çliroheni nga robëria e dashurisë dhe mënyra për ta jetuar magjishëm lumturinë që dhuron ajo


Albert Vataj

Kur vuajmë për dashuri nuk është faji i ndjenjave, por i iluzioneve dhe bindjeve të krijuara. Ja si të çliroheni dhe ta jetoni të lumtur dashurinë

Vuajtja nuk ka lidhje me dashurinë!

Dashuria nuk vdes kurrë, por mund të vritet! Po është e vërtetë, por a ia vlen të vuajmë për dashuri? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhen matur intensiteti i ndjenjave, duhen parë qëndrimet, fjalët, mendimet, që na dënojnë me vuajtje pa qenë e nevojshme. Në këtë mënyrë mund të shpëtojmë nga “detyrimi tipik përsëritës” që na nxit të bëjmë të njëjtat gabime që kemi bërë në të kaluarën me partnerin. Por ç’duhet bërë? Hapi i parë është që të shikoni mirë në thellësi veten dhe tjetrin.

Sjelljet e gabuara na largojnë nga partneri

Si t’ia bëjmë që të dimë se mënyra jonë e të dashuruarit është e shëndetshme dhe nxitëse e humorit të mirë, ose që përgatit terrenin e trishtimit dhe zhgënjimit? Mjafton të shikoni me kujdes sesi silleni dhe çfarë qëllimesh keni për të qenë çift. Ka shumë mënyra për të parë një marrëdhënie me mendje të hapur, të çliruar nga rreziqet dhe konfliktet e zakonshme, edhe pse ka shumë sjellje që mund të na mbajnë larg një marrëdhënieje paqësore me partnerin.

Përsëritja

Duke përshtatur modele sjelljeje të provuara më parë, do t’ju pengojnë të zbuloni me partnerin anët e reja te vetja dhe të përdorni mënyra ende të paeksploruara. Lumturinë mund ta arrini vetëm duke i lënë pas mëritë dhe duke mos bërë më të njëjtat gabime, mos dyshoni, mos krijoni konflikte. Nëse nuk hiqni dorë nga këto sjelle do ta konsumoni menjëherë një lidhje të re të saponisur.

Këshilla

Lëreni mënjanë repertorin e dashurisë dhe përvishuni punës: refrenit “i njëjti plazh, i njëjti det” i ka ikur koha. Tani është koha të zgjidhni diçka të re.

Planifikoni të ardhmen

Kjo është ëndrra e të gjithë të dashuruarve, madje jo e përkohshme, por e përhershme. Por nga dëshira e deri në realizim hapi është i vogël. Tendenca për të fiksuar dhe konsoliduar lidhjen në një formë më të “strukturuar”, siç është fejesa, bashkëjetesa, ose martesa nga frika se mos e humbasësh tjetrin, mund të çojë në projektimin sistematik të së ardhmes. Rreziku? Që pritshmëritë dhe qëllimet e ardhshme mund ta zbehin dashurinë e partnerit karshi jush. Këshilla që u jepet në këto raste është që të jetoni të sotmen, të kujdeseni për gjërat që keni në dorë dhe ato që ndieni në ato momente. Kështu mund të shijoni gjërat e bukura që po kaloni, pa e vrarë mendjen se çdo të sjellë e ardhmja.

Simbioza

“Unë dhe ti që bëhemi një qenie e vetme, e ndarë nga pjesa tjetër e botës”. Kjo është një tentativë fiziologjike që zakonisht është e pranishme gjatë fazës së parë të dashurisë, por nëse nuk ekziston atëherë lidhja mund të jetë e dobët. Për të krijuar një çift nevojiten gjithmonë dy persona, pastaj nëse është vetëm njëri më aktiv se tjetri, këtij të fundit i duhet të mësojë të ecë me ritmin e tjetrit, për të mos e lënë pasionin të shuhet. Nëse lidhja e një çifti është e shëndetshme, nuk ka pse t’i trembet përballjes me botën e jashtme, që është kurioze, zhbiriluese dhe përdor stimuj të ndryshëm për t’i vënë në provë partnerët me xhelozinë, që është molla e sherrit mes dy të dashuruarve. Për të shpëtuar lidhjen duhet të mendoni që xhelozia e sëmurë shkatërron seksin dhe marrëdhënien.

Kritiku letrar amerikan, Harold Bloom: Nobeli, çmim për idiotë!

Albert Vataj



Harold Bloom, kritik letrar amerikan, rrëfen për erudicionin e tij, për autorët që i do dhe për ata që i urren si dhe për Nobelin, për të cilin thotë se është çmim për idiotë.

“Një vit më parë jam rrëzuar dhe i kam thyer të gjitha vertebrat e shpinës. Doktorët më patën quajtur të vdekur, ama ja ku jam”. Sytë e çeltë – të ndryshueshëm të Harold Bloomit janë dëng me trishtim të përzier me turp derisa mundohet ta justifikojë atë bastun, tashmë të pandashëm, me të cilin mbahet për t’i duruar barrën e viteve dhe angaritë e një fiziku që s’do t’ia dijë në ndjekjen e ritmeve ende frenetike të mendjes së tij të jashtëzakonshme.

“Ajo që sot më dhemb më së shumti është se s’mund të udhëtoj më”, shpjegon autori i kanunit perëndimor, “Ankthi i ndikimit” dhe i 30 librave të tjerë që e kanë revolucionarizuar historinë e kritikës letrare botërore.

“Kam çuar një jetë të hallakatur, duke pirë, duke tymosur cigare dhe duke lënë anash ushtrimet fizike”.
Enciklopeditë e përshkruajnë si “kritiku amerikan me më influencë”. “Pishtari i kulturës perëndimore” që në epokën e internetit merr mundimin të shkruajë me penë stilografike “ngase – shpjegon ai – një dridhje e moçme në duar më pengon ta përdor tastierën.

Mirëpo, mendja ime është më e zgjuar se kurrë, falë gjeneve. Prindërit e mi ishin hebrenj shumë të varfër gjysmanalfabet, me prejardhje nga shtetet e Evropës Lindore. Megjithatë kam pasur të parëlindur studiues të Talmudit: një disiplinë që kërkon një kujtesë të hatashme”.

H. Abrams, studiuesi i njohur i romantizmit, mentor i tij, e përcaktoi: “Studenti më i talentuar që kam pasur ndonjëherë” dhe “i vetmi i zoti ta lexojë një libër me të njëjtën shpejtësi si atëherë kur e shfleton. Kultura e tij është enciklopedike”.
“Kam preferuar gjuhën origjinale në vend të përkthimeve. Lexoj në greqisht dhe hebraisht – antike dhe moderne – latinisht, yiddish, anglisht, frëngjisht, spanjisht, gjermanisht, portugalisht dhe italisht…”, thotë Bloom.

Italia, për të, mbetet njëri nga djepat letrarë më të gjallë. “Jo vetëm Dante, Petrarca e Bocaccio – shpjegon – po edhe Manzoni, njëri nga romancierët më të mëdhenj në botë. Pirandello, më inovativ se Çehovi e Beceketti. Campana, që mund të bëhej Whitmani italian po të mos kishte vdekur aq i ri. Pastaj shumë i madhi Leopardi, një poet në nivelin e Keatsit, Shelleyt dhe Wordworthit, të cilin e kam futur në librin tim të ri ‘Living Labyrinth. Literature and influence’”.

Po të kthehej mbrapa, Bloom s’do ta përpilonte më listën famëkeqe.

“E urrej dhe s’ka arsye të jetë. Efekti i saj i vetëm ka qenë se e ka rritur numrin e njerëzve të pagdhendur që e lexojnë listën por jo librin. Ashtu siç, nga ana tjetër, bëjnë përherë kritikët letrarë”. Bloom është bërë një ikonë letrare. “Më mbysin me telefonata dhe email-e. Më konsiderojnë farin e tyre, më lusin të zbres përsëri në fushë. Po unë jam i lodhur. I kam harxhuar të gjitha betejat e mia e atë që duhej ta thosha e kam thënë: nëse një punim nuk përmban shkëlqim estetik, forcë njohëse dhe origjinalitet autentik, nuk ia vlen ta lexosh. Letërsia është një epifani individuale dhe s’duhet të ketë asnjë valencë shpërblese socio-politike. Ky afrim estetik te letërsia më ka shndërruar në një paria (njeri i kastës së ulët) në të dy anët e Atlantikut. U kam shpallur luftë tezave feministe, marksiste e post-strukturaliste që prej vitesh kacafyten nëpër universitete, jo vetëm në Amerikë… Autorët e mi të preferuar mbeten Dante, Shakespeare, Servantesi, Faulkneri, Homeri, Prousti dhe Wildi, sepse zgjerojnë vetëdijen tonë pa e deformuar. Dhe prekin individin, pa mëtime për ta ndryshuar botën”.

Kryqëzatat e tij anti-Nobel janë bukur të njohura.

“Ia kanë dhënë çdo idioti të kategorisë së pestë – qahet – Doris Lessing-ut që ka shkruar një libër të vetëm, dyzet vite më parë, Le Clecio-s që është i palexueshëm, Dario Fo-së, që është thjesht qesharak. Nobelët e merituar? Harold Pinter, një zë autentik, edhe pse dishepull i Beckett-it”.

Ndër bashkëkohorët urren J. K. Rowling-un, Stephen King-un dhe Adrienne Rich-in, ndërsa e do Cormac McCarthy-n (Meridian gjaku, është një libër i jashtëzakonshëm), Philip Roth-in, Thomas Pynchon-in dhe Don DeLillo-n.

Tepër i ashpër? “Kritika letrare s’mund të jetë impersonale. Për dallim nga T. S. Elioti, mendoj se duhet të jetë personale, e pasionuar dhe e thellë. Po të socializohesh me autorët që i recensionon është gabim. Më mirë t’i njohësh nga veprat e tyre. Nëse nuk flasim ne keq për të vdekurit, kush do ta bëjë?”.

Mes adhuruesve, Bloom përmend edhe Papa Wojtyla-n.

“Miqtë e përbashkët më patën thënë se i kishte lexuar dhe çmuar të gjithë librat e mi dhe se do të më takonte po të shkoja në Romë. Pata refuzuar”. Shkaku nuk ishte i natyrës personale. “Krishterimi është sinonim i antisemitizmit, siç e dëshmojnë të gjitha tekstet çelës të Testamentit të Ri, duke u nisur nga Ungjilli i Gjonit”.

Raporti i tij me Zotin? “Nuk mund ta kuptoj një Zot të fuqishëm dhe të gjithëdijshëm që ta ketë lejuar Aushvitzin dhe skizofreninë”, thotë Bloom, djali i parë i të cilit është i prekur nga një formë e rëndë skizofrenie që nga lindja.

Disa nga sekretet e shkrimtarit dhe gazetarit amerikan, Ernest Heminguej

Albert Vataj


Albert Vataj


Gjashtë dekada më vonë dosjet e librarisë dhe muzeut “Xhon F. Kenedi” në Boston, që mbajnë mijëra letra dhe dokumente të Ernest Heminguej-it, janë hapur. Prej më shumë se dy javësh i janë nënshtruar procesit të restaurimit. Specialistët kanë vetëm një synim: “t’i shpëtojnë nga degradimi”.

E gjitha kjo ndodh gjashtë dekada pas largimit nga jeta të shkrimtarit të njohur. Ky proces restaurimi, ka nxjerrë në pah edhe të pathëna të Heminguej-it. Mes atyre që i kanë shkruar letra janë edhe figura të njohura të Hollivudit si Ingrid Bergman dhe Marlene Dietrich, shkrimtari F. Scott Fitzgerald dhe Gertude Stein, por edhe botuesi i tij, Max Perkins.


Në njërën nga letrat e gjetura e të restauruara është edhe ajo e aktores Ingrid Bergman, e cila në vitin 1950 i ka shkruar Heminguej-it nga Roma e Italisë.

“Do të kujtoj njerëz si ju dhe do ta harroj pjesën tjetër të botës”, kishte shkruar aktorja në letrën drejtuar shkrimtarit. Restaurimi i letrave po bëhet në një laborator në New England. Myku, kakërdhitë e minjve dhe lagështia janë paraqitur gjithmonë si problem për Bibliotekën dhe Muzeun JFK në Boston, e cila kishte tentuar të ruante nga dëmtimi letrat të cilat po prisheshin. Të nxjerra nga kutitë ku janë ruajtur, aty kanë qenë mijëra letra të cilat janë dërguar për në Qendrën e Konservimit të Dokumenteve, baza e së cilës ndodhet në verilindje të Andover. Qendra është një organizatë jofitimprurëse, e cila ka marrë në dorë edhe procesin e gjetjes së letrave të tjera që mund të jenë në bibliotekë. Kjo qendër ka restauruar edhe letra të Abraham Lincoln dhe të George Washington.

Walter Newman, drejtor i qendrës, ka thënë se qëllimi i këtij projekti është mbi të gjitha ndalja e degradimit të letrave të shkrimtarit. Ekspertët e qendrës kanë kërkuar 18 muaj kohë që krejt puna e përzgjedhjes së letrave të përfundojë. Drejtuesja e këtij grupi të ekspertëve, Claire Grund, ka thënë se ekipi po mundohet që fillimisht të bëjë një përzgjedhje të letrave. Deri më tani në procesin e restaurimit kanë hyrë më shumë se gjysma e 7 mijë e 500 letrave. Ndonëse jo të gjitha paraqesin të njëjtën shkallë dëmtimi, është përllogaritur që kostoja mund të shkojë deri në 5 mijë dollarë secila. Sipas ekspertëve, përfundimi i procesit të restaurimit mund të kërkojë deri në tre vjet punë dhe pritet të kushtojë në total rreth 300 mijë dollarë.

Është hapur edhe një fondacion për të mundësuar sigurimin e mjeteve, i cili menaxhohet nga biblioteka dhe muzeu JFK. Si kanë mbërritur letrat e tij në këtë muze? Edhe pse Presidenti Kennedy dhe shkrimtari nuk ishin takuar asnjëherë, ai kishte shprehur vlerësimin e tij për Heminguej-in dhe veprat. Në vitin 1961 ata e ftuan të ishte pjesë e përurimit të bibliotekës, por shkrimtari ishte shumë sëmurë dhe nuk mundte të udhëtonte. Pas vetëvrasjes së tij më 1961, shumë vepra, dorëshkrime, letra dhe objekte të tjera të shkrimtarit mbetën në shtëpinë e tij Finca Vigia në Kubë, të cilën e kishte braktisur gjatë revolucionit të Fidel Kastros. Ishte pikërisht Presidenti amerikan, që i kishte mundësuar Mary, gruas së katërt të Heminguej-it një udhëtim drejt Kubës për të marrë dokumentet e shkrimtarit dhe pasurinë e tij.

Ajo takoi Fidel Kastron, i cili e lejoi që ajo të merrte koleksionin e tij, në këmbim të dhurimit të vilës. Mary i ngarkoi ato në një anije që udhëtoi nga Havana për në Tampa. Letërkëmbimet janë dorëzuar në Boston rreth 40 vjet më parë, si një dhuratë e vejushës së Heminguej-it për librarinë presidenciale. Njëkohësisht, dokumente gjenden edhe në shtëpinë e tij muze në Kubë, ku rreth tre vite më parë, thuhej se studiuesit kubanë dhe të huaj do të kishin mundësi të eksploronin mes dokumenteve të panjohura të shkrimtarit, të cilat ishin restauruar dhe digjitalizuar.

Mes dokumenteve gjenden edhe dorëshkrime të tilla si epilogu i romanit “Për kë bien kambanat”, si edhe një kopje e skenarit të filmit “Plaku dhe deti”, bazuar mbi librin e tij të njohur. Të tjera dokumente interesante kanë të bëjnë me faktin se sipas studiuesve konfirmojnë hipotezat e hedhura mbi praninë e nëndetëseve gjermane që furnizoheshin me naftë në brigjet e Kubës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vëllimi i parë që përmban letrat e Heminguej-it, që përfshin korrespondencën nga viti 1907-1922, është botuar nga Universiteti i Kembrixhit në vjeshtë të vitit 2011.

“Ernest Heminguej ishte një letërshkrues i rregullt dhe projekti i publikimit të tyre përfshin rreth 16 vëllime të cilat do të përmbajnë rreth 6 mijë letra të siguruara nga 250 burime të ndryshme”, ka thënë Spanier, profesor anglishteje dhe drejtuesi i projektit për botimin e letrave të shkrimtarit. “Në kontrast me përpikërinë e tij prej mjeshtri që vihet re në veprat e shkrimtarit, letrat e Heminguej-it janë spontane, jo formale dhe të mbushura plot përshkrime. Ai ishte një vëzhgues shumë i mprehtë i epokës ku jetoi, ndaj edhe letrat e tij, ashtu si librat, janë një rrëfim për shekullin e XX”.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...