Në faqen zyrtare të Organizatës së Gruas The Women's Organization "Hope & Peace" ishin postuar disa foto nga 60 Vjetori i "Emmy Awards" 2017 mbajtur në New York më datë 6 Maj 2017, ku mes tyre dallova edhe gazetaren e guximshme Zj. Mimoza Dajçi.
Dashamirësia dhe respekti për miken time të hershme më shtyu ta kontaktoja rreth këtij eventi të rëndësishëm. "Po - tha ajo - isha e ftuar në mbrëmjen Gala të "Emmy-t" në New York". Kaq mjaftoi dhe unë nisa të shkruaj rreth kësaj Ceremonie Prestigjoze Çmimesh në SHBA, spektakle të cilat janë akoma ëndërr për ne shqiptarët në Shqipëri.
Akademia Nacionale e ndarjes së "Emmy Awards" 2017, këtë vit shënonte 60 Vjetorin Jubilar të Themelimit. Misioni i këtij Çmimi të Lartë synon vlerësimin që u jepet njerëzve të artit, shkencës, gazetarisë, televizionit për punën e tyre kreative e të suksesshme. Shënon arritjet, nxit dhe inkurajon talentet për një punë më të frytshme në këtë industri.
Në "Emmy Awards" 2017 në Manhattan, Moza pati rast të takojë, flasë e të ulet në një tryezë me shumë personalitete të larta të artit, shkencës, kinematografisë dhe televizionit amerikan si Presidenten e "Emmy Awards" Zj. Denise Rover, Mjekun e famshëm Dr. Oz, gazetarin Marvin Scott - fitues i 11 Çmimeve Prestigjoze "Emmy" për arritje të larta në gazetari, gazetaren investigative kundër krimeve, fituesen e 15 Çmimeve "Emmy" Sarah Wallace, aktoren e vogël Hollivudiane Isabelle Tsereteli, Princin e Gjermanisë Prince Mario Max Schaumburg Lippe e të tjerë.
Në të morrën pjesë mbi 1000 persona dhe Moza ishte e mendimit, se krahas gazetarëve dhe producentëve amerikan mund të ishin ftuar apo nominuar për Çmimin "Emmy" edhe shqiptarë të tjerë.
Mbrëmja Gala "Emmy Awards" 2017 u moderua nga vetë Presidentja e kësaj Akademie Zj. Denise Rover, e cila për punën e saj të suksesshme u dekorua me "Emmy Awards" 2017.
Darka me personalitetet e famshme në SHBA kaloi bukur, këndshëm, me ovacione dhe duartrokitje të shumta.