Nataliya Apostolova tha se sot po festojnë vlerat evropiane të cilat janë të drejtat e njeriut, barazia gjinore, siguria për të gjithë njerëzit në Evropë
PRISHTINË – Në organizim të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Ministrisë së Integrimit Evropian të Republikës së Kosovës sot, në sheshin “Zahir Pajaziti” në qendër të Prishtinës, u shënua “9 Maji – Dita e Evropës” me aktivitete të ndryshme edukative, argëtuese dhe kulturore.
Dita e Evropës u shënua me aktivitete të shumta si performanca pantomim, performancë me magjistar, ngjyrosje të fytyrave, performanca e orkestrit “Prishtina Brass”. Fëmijët e kryeqytetit po ashtu patën mundësinë të njihen me familjen evropiane dhe me shtetet anëtare përmes lojërave në shtëpizat e vogla të shteteve anëtare të BE-së si Austria, Kroacia, Finlanda, Franca, Gjermania, Hungaria, Holanda, Suedia dhe Sllovakia.
Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova gjatë fjalës së saj për hir të Ditës së Evropës tha se sot po festojnë vlerat evropiane të cilat janë të drejtat e njeriut, barazia gjinore, siguria për të gjithë njerëzit në Evropë.
Apostolova duke theksuar se Kosova me të rinjët e saj ka një peshë të rëndësishme për BE-në tha se: “Ne duam ta shohim Kosovën së shpejti si pjesë e familjes evropiane. Ekipi im dhe kolegët e mi jemi duke punuar që kjo të ndodhë sa më shpejtë”.
Ministrja e Integrimit Evropian të Kosovës, Mimoza Ahmetaj gjatë fjalimit të saj tha se qytetarët e Kosovës po shfaqin vullnetin e tyre pavarësisht përkatësive të ndryshme etnike, fetare apo gjinore dhe po vazhdojnë të mbesin të përkushtuar për integrimin e Kosovës në BE. Ajo po ashtu theksoi se qeveria do të punojë në drejtim të anëtarësimit në BE dhe ky rrugëtim të përfundojë këtë vitë.
Ajo po ashtu vuri në dukje nevojën e shtetit të Kosovës për BE-në, për arsimimin e popullatës së vet në shkolla, universitete më të mira dhe kualitative evropiane.
“Kosova paraqet edhe vlerë për BE-në me të rinjtë, me gjeneratën e re e cila është potencial për BE me kualitetet dhe me të gjitha ato që i ofrojmë si vend”, tha Ahmetaj.
Ndryshe, 9 Maji në Kosovë është festë zyrtare dhe me këtë rast kjo ditë është ditë pushimi në Kosovë.